17.5 C
Tirana
E martë, 6 Maj, 2025

Komisioni Europian: Asnjë detyrim Shqipërisë për plehrat

Drejtoria e Komisionit Europian për Mjedisin mendon se, ligji që lejon importin e plehrave në Shqipëri është “në përputhje me rregullat europiane” dhe se në opinionin e saj, “amendimet janë të përshtatshme për Shqipërinë në këtë kohë”, por thekson gjithashtu se ky opinion nuk është detyrues për Shqipërinë dhe se Brukseli nuk ka vendosur asnjë kusht për vendin tonë në këtë çështje.
“Me duhet të theksoj se opinioni jonë është i bazuar në dijeninë në nivel ekspertësh, por nuk mund të konsiderohet detyrues për Komisionin ligjërisht”, shkruhet në shkresën që Brukseli i ka dërguar Shqipërisë.
Letra, e cila vjen në përgjigje pas një kërkese për koment të dërguar nga Ministria e Integrimit e Shqipërisë më 7 nëntor të këtij viti, thekson se rregulloret e BE-së në lidhje me menaxhimin e plehrave lejojnë njëkohësisht importin e plehrave si përfitim nga parimi i lëvizjes së lirë të mallrave dhe gjithashtu, lejojnë vendet të ndalojnë importin e mbetjeve në rast se ky import nuk është në përputhje me planin vendës për menaxhimin e integruar të mbetjeve.
“Një ndalim i hapur i importit të plehrave të rrezikshme të destinuara për rekuperim, siç përcaktohet në aktin në diskutim, mund të mos jetë në përputhje me nenin 12, (të Rregullores për plehrat). Gjithsesi, Rregullorja 1013/2006 është e detyrueshme në tërësi vetëm për vendet anëtare të BE-së”, shkruhet në letër.
Qeveria shqiptare u përpoq të merrte një miratim nga Brukseli për ligjin e shumëdebatuar që lejon importin e plehrave, pasi Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, dekretoi kthimin e tij për diskutim në Kuvend më 14 tetor, me shpresë se një përgjigje pozitive do të ndihmonte argumentin e saj në favor të importit.
Gjithsesi, përgjigjja e Komisionit thekson se rregullorja 1013/2006 Mbi Plehrat nga njëra anë e lejon importin e plehrave në një vend anëtar dhe nga ana tjetër i jep të drejtë qeverisë të çdo vendi anëtar të vendosë rast pas rasti, në përputhje me planet kombëtare të menaxhimit të plehrave.
Dekreti i Presidentit Nishani për rikthimin për diskutim në Kuvend të ligjit të qeverisë pritet të shqyrtohet në seancë plenare më 24 nëntor. Organizatat e Shoqërisë Civile kanë njoftuar protestë gjatë të gjithë ditës para Kuvendit të Shqipërisë, duke kërkuar anulimin tërësor të importit të plehrave.
“Sipas rregullores 1013/2006 mbi transportin e plehrave, Shqipëria mund të ndalojë importin e çfarëdolloj plehre (të rrezikshme apo jo) për operacione eliminimi në Shqipëri, në bazë të secilës arsye të renditur në nenin 11, pasi të jetë vend anëtar. Sipas nenit 11(6), një ndalim mbi importin e plehrave për eliminim mund të zbatohet në përgjithësi”, shkruhet në letër.
“Ndryshe nga eliminimi, importi i mbetjeve të rrezikshme për rekuperim mund të refuzohet vetëm për arsyet e renditura në nenin 12 të Rregullores 1013/2006. Plehrat e destinuara për operacione rekuperimi të renditura në Aneksin II të Direktivës 2008/98/EC mbi plehrat në përgjithësi shikohet si mall që përfiton nga parimi i lëvizjes së lirë të mallrave”, shkruhet në letër.
“Një ndalim tërësor i mbetjeve të rrezikshme të destinuara për rekuperim, siç përcaktohet në aktin në diskutim, mund të mos jetë në përputhje me nenin 12. Gjithsesi, Rregullorja 1013/2006 është e detyrueshme në tërësi vetëm për vendet anëtare të Bashkimit Europian”.
Shqipëria ka një gamë të gjerë detyrimesh në lidhje me menaxhimin e plehrave para anëtarësimit në Bashkimin Europian. Në raportin e Progresit për vitin 2016, i cili u publikua më 11 nëntor, sa i përket ecurisë së Shqipërisë në lidhje me kapitullin 27 të negociatave, kapitull që lidhet me Mjedisin dhe Ndryshimet Klimaterike, Komisioni Europian thekson se, Shqipëria ka “nivel të ulët përgatitjeje”. Kjo është nota 2 nga pesë nota me të cilat Brukseli mat ecurinë e një vendi kandidat për anëtarësim. Në lidhje me ligjin e shumëdebatuar mbi importin e plehrave, Raporti i Progresit thotë se ky ligj “synon të përafrojë më tej me acquis, për shkak se lejon importin e plehrave, megjithëse vetëm për qëllime riciklimi. Zbatimi i tij kërkon, që Shqipëria të zhvillojë infrastrukturën e nevojshme, institucionet dhe një sistem për monitorimin kontrollues dhe raportimin e lëvizjes së plehrave”.

Dekreti i Presidentit do të shqyrtohet të enjten

Rregulloret e BE-së lejojnë vendet të ndalojnë importin e mbetjeve në rast se ky import nuk është në përputhje me planin vendas për menaxhimin e integruar të mbetjeve.
Gjithashtu, lejojnë edhe importin e plehrave si përfitim nga parimi i lëvizjes së lirë të mallrave.
Përgjigja e Komisionit thekson se, Rregullorja 1013/2006 mbi Plehrat nga njëra anë e lejon importin e plehrave në një vend anëtar dhe nga ana tjetër i jep të drejtë qeverisë të çdo vendi anëtar të vendosë rast pas rasti, në përputhje me planet kombëtare të menaxhimit të plehrave.
Qeveria shqiptare u përpoq të merrte një miratim nga Brukseli për ligjin e importit të plehrave, pasi Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dekretoi kthimin e tij për diskutim në Kuvend më 14 tetor, me shpresë se një përgjigje pozitive do të ndihmonte argumentin e saj në favor të importit.
Dekreti i Presidentit Nishani për rikthimin për diskutim në Kuvend të ligjit të qeverisë pritet të shqyrtohet në seancë plenare më 24 nëntor. Organizatat e Shoqërisë Civile kanë njoftuar protestë gjatë të gjithë ditës para Kuvendit të Shqipërisë, duke kërkuar anulimin tërësor të importit të plehrave.
Shqipëria ka një gamë të gjerë detyrimesh në lidhje me menaxhimin e plehrave para anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në raportin e Progresit për vitin 2016, për kapitullin që lidhet me Mjedisin dhe Ndryshimet Klimaterike, Komisioni Evropian thekson se, Shqipëria ka “nivel të ulët përgatitjeje”.
Kjo është nota 2 nga pesë nota me të cilat Brukseli mat ecurinë e një vendi kandidat për anëtarësim. Në lidhje me ligjin mbi importin e plehrave, Raporti i Progresit thotë se, zbatimi i këtij ligji kërkon që Shqipëria të zhvillojë infrastrukturën e nevojshme, institucionet dhe një sistem për monitorimin kontrollues dhe raportimin e lëvizjes së plehrave”.

Gjergj EREBARA

Shqiptarët, më të varfërit në rajon, na e kalon edhe Bosnja

Totali i pasurisë së shqiptarëve është 21 miliardë dollarë, sipas raportit më të fundit të Credit Swisse për pasurinë globale 2016, të publikuar dje.
Pasuria për çdo të rritur shqiptar është rreth 9200 dollarë. Në raport me vitin 2000, pasuria për të rritur është trefishuar. Megjithatë, cilësia e raportimit të të dhënave konsiderohet e varfër. Shqipëria përfshihet në grupin e vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Pasuria e të rriturve shqiptarë është shumë më e ulët se mesatarja botërore prej rreth 52.8 mijë dollarë.
Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, pasuria e të rriturve shqiptarë është ndër më të ulëta, duke ia kaluar vetëm Serbisë.
Në raport, pasuria për çdo të rritur maqedonas është 9600 dollarë, për Serbinë është 6900 dollarë. Për Bosnjën është shumë më e lartë, duke arritur në 11.4 mijë dollarë, në Bullgari arrin në rreth 14.8 mijë dollarë dhe në Rumani rreth 13.8 mijë dollarë.
Nga vendet fqinjë, më të pasur janë malazezët, ku një i rritur ka një pasuri prej 18.8 mijë dollarë.
Më të pasur janë kroatët, me një pasur prej rreth 22.3 mijë dollarë. Ndërsa në gjithë rajonin e Ballkanit, më të pasur janë sllovenët me 57.4 mijë dollarë.

Raporti

Edicioni i shtatë i Pasurisë Globale konfirmon një kurs të dobët të rritjes së pasurisë globale. Në 12 muajt e fundit, pasuria globale është rritur me 3.5 USD trilion në 256 USD trilionë, që paraqet një rritje prej 1.4%. Megjithatë, krijimi i pasurisë ka mbajtur thjesht ritmin me rritjen e popullsisë. Si rezultat, në vitin 2016, pasuria për të rritur ishte e pandryshuar për herë të parë që nga viti 2008, në rreth USD 52,800. Në mesin e ekonomive kryesore, SHBA dhe Japonia ishin në gjendje të gjenerojnë rritje të ndjeshme të pasurisë shtesë, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar është regjistruar një rënie e ndjeshme si pasojë e zhvlerësimit të monedhës.
Pasuria mesatare për të rritur në botë ishte 52,800 dollarë, duke shënuar ndryshime të mëdha nga një shtet në tjetrin. Kombet më të pasura, ku pasuria për të rritur i kalon 100 mijë dollarë janë në Amerikën e Veriut, Europën Perëndimore në Azi dhe Lindjen e Mesme.
Shtetet e Bashkuara vijuan të rrisnin pasurinë, duke shtuar pasurinë me 1.7 trilionë dollarë.
Zvicra mbajti vendin e parë dhe kryeson me diferencë me Australinë (USD 376,000, në rënie me SD 5,000). Shtetet e Bashkuara (USD 345,000, me rritje USD 3,000) dhe Norvegjia janë ende përkatësisht në vend të tretë dhe të katër, por Zelanda e Re (USD 299,000, në rritje me USD 34,000) ka kërcyer në vendin e pestë, duke lënë pas Mbretërinë e Bashkuar, Singaporin dhe Belgjikën. Kanadaja me (USD 270,000, me rritje USD 2,000) ka rënë në vendin e nëntë, ndërsa Danimarka (USD 260,000, në rritje nga USD 5,000) ka mbajtur vendin e dhjetë.

2007, viti më i mirë për shqiptarët, 2016 më i keqi

Në vitin 2016, një i rritur shqiptar kishte një pasuri prej rreth 9200 dollarësh, sipas raportit më të fundit të Credit Swisse për pasurinë globale 2016.
Në tabelat e publikuara, raporti jep të dhëna për pasurinë e të rriturve shqiptarë që nga viti 2000. Të dhënat tregojnë se viti kur të rriturit shqiptarë janë vlerësuar se kanë pasur pasurinë më të lartë është fundi i 2007-s, me 14,865 dollarë.
Më pas, fillimi i krizës globale duket se ka varfëruar dhe shqiptarët, që panë një rënie të pasurisë së tyre, për të arritur në 9200 dollarë në fund të 2010. Tejkalimi i krizës bëri që pasuria të përmirësohej, duke u ngjitur në 10,195 dollarë në fund të vitit 2013.
Më pas kemi sërish rënie, për të zbritur në 8,713 dollarë më 2015-n, niveli më i ulët ky që nga viti 2003. Ndonëse më 2016-n u raportua rritje, për të arritur në rreth 9200 dollarë, pasuria e shqiptarëve më 2015-2016 vlerësohet, sipas raportit, që të jetë më e ulëta e dekadës së fundit.
Krahas rënies së pasurisë, ajo që konstatohet është shtim i borxheve, një tjetër tregues i matur nga raporti. Ndërsa në vitin 2000 borxhi për të rritur ishte 37 dollarë dhe më 2003 ishte 128 dollarë, në mes të vitit 2016, borxhi për të rritur është shumëfishuar në 626 dollarë.
Nga 9,204 dollarë që ishte pasuria neto e një të rrituri më 2016-n, 1675 dollarë ishte pasuri financiare dhe ajo financiare 8155 dollarë, ndërsa borxhet ishin 626 dollarë.

Banka-qeverisë: Kujdes me borxhin

Banka e Shqipërisë dha dje opinionin dhe sugjerimet e saj në lidhje me projektbuxhetin e vitit 2017 në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave.
BSH vuri theksin në rëndësinë e parashikimit të pasigurive dhe rreziqeve.
Guvernatori Sejko tha se duhet bërë kujdes në realizmin e të ardhurave poshtë nivelit të parashikuar dhe sugjeroi reduktimin e shpenzimeve në të njëjtin nivel me mosrealizimin. Në rast të tejkalimit të parashikimit, të ardhurat duhet të shkojnë për rregullimin e deficitit.
Veç kësaj, guvernatori propozoi rishikimin e realizimit të buxhetit çdo 3-mujor.
Ai gjithashtu, në sugjerimet e BSH për buxhetin, tha se duhet bërë kujdes ndaj huamarrjes së huaj, sidomos ndaj borxhit tregtar, i cili duhet të jetë alternativa e fundit e huamarrjes.
Një tjetër, sugjerim që erdhi për buxhetin ishte se qeveria duhet të marrë në konsideratë analizën kosto/përfitim gjatë investimeve në sektorë të ndryshëm, duke shpenzuar në ata sektorë që sjellin përfitim më të lartë.
Ridvan Bode, zëvendëskryetar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, gjatë diskutimit në lidhje me instrumentet politike të bankës, tha se inflacioni është poshtë objektivit të bankës qendrore dhe e pyeti guvernatorin se cilat po përdoren për të stimuluar rritjen e tij, si dhe sugjeroi se Banka e Shqipërisë duhet ta hedhë vështrimin përtej një mandati qeverisës.
Guvernatori në përgjigje ndaj Bodes tha se inflacioni ka qenë një tregues kryesisht prej faktorëve të jashtëm, sidomos rënies së çmimit të naftës në tregjet globale. Ai, në kundërpërgjigje, tha se parashikimet e Bankës së Shqipërisë janë afatgjata dhe shkojnë përtej një mandati qeverisës.

Guvernatori: Euro, e paparashikueshme

Shqipëri ka nivelin më të mirë të inflacionit krahasuar me vendet e rajonit dhe Banka e Shqipërisë e ka në monitorim të vazhdueshëm. Vetëm me anë të stimujve të politikës monetare nuk mund të arrihet rritja ekonomike. Duhet një miks i politikave, fiskale dhe monetare, që të kemi rritje.
Stimuli monetar lehtësues do të vazhdojë, ashtu sikurse në të gjitha bankat qendrore në botë, sikurse Banka Qendrore Europiane dhe Rezerva Federale bëjnë.
I pyetur se pse banka qendrore ka marrë borxh në monedhë të huaj, guvernatori e arsyetoi me faktin se kanë lënë fonde të lira për të stimuluar ekonominë, së bashku me uljen e normave të interesit që do të vazhdojë deri në gjashtëmujorin e dytë të vitit që do të vijë.
Për sa i përket kursit të këmbimit, ku monedha euro ka shënuar nivelet më të ulëta historike, Sejko tha se nuk mund të parashikohet. Banka e Shqipërisë ka rezervë në monedha si euro, dollari, paundi britanik dhe së fundmi në monedhën kineze, që mund të cilësohen monedhat më të forta dhe të qëndrueshme në tregun global.

Revolta, banorët e Fierit në mosbindje civile

Banorët e Mbrostarit vijojnë betejën për të mos lejuar ndërtimin e impiantit të plehrave në fshatin e tyre. Revolta kundër ndërtimit të fabrikës së vdekjes në Mbrostar të Fierit ka përfshirë të madh dhe të vogël! Qindra fëmijë kanë dalë dje në shesh përkrah prindërve të tyre duke sfiduar terrorin e forcave policore në mbrojtje të jetës. “Lironi prindërit tanë”, “Jo plehrave – Po Jetës”, ishin disa nga parullat që protestuesit mbanin në duar.
Disa fëmijë u kanë kërkuar forcave policore që të lirojnë prindërit e tyre sepse janë arrestuar pa asnjë shkak, vetëm pse kanë dalë për të protestuar kundër plehrave. “Lironi prindërit tanë, ata nuk kanë bërë asnjë faj vetëm se kanë dalë këtu në shesh si gjithë banorët e tjetër për të protestuar kundër plehrave, në mbrojtje të jetës tonë”, janë shprehur disa fëmijë.
Protestuesit bllokuan urën kryesore të Fierit duke mos lejuar asnjë makinë të lëvizte drejt Tiranës dhe anasjelltas. Nga bllokimi i aksit nacional Fier-Lushnjë vargu i automjeteve ka qenë i gjatë. Forca të shumta policie kanë rrethuar protestuesit, por pa ndërhyrë si herët e tjera. Banorët kërkuan tërheqjen e Bashkisë së Fierit nga vendimi për ndërtimin e impiantit të mbetjeve në këtë zonë.
Meqenëse Bashkia ende nuk u ka dhënë një përgjigje lidhur me kërkesat kundër impiantit të mbetjeve në zonën e tyre, banorët thonë nuk kanë ndërmend të ndalin protestat, derisa të marrin një zgjidhje. Ashtu si dhe në protestën e zhvilluar ditën e dielë, ata kanë përdorur goma për të bllokuar rrugën. Banorët kërkojnë gjithashtu lirimin e Zylyftar Delibashit, banor ky që është arrestuar për tubim të paligjshëm. Protesta kundër impiantit të mbetjeve në Mbrostar ka shkaktuar edhe arrestimin e disa banorëve të zonës dhe procedimin e disa të tjerëve për tubim të paligjshëm. Kjo solli zemërimin e protestuesve që prej një jave vijojnë të bllokojnë rrugën nacionale Fier-Lushnjë.

Policia arrestime masive në mesnatë

Terrori policor është ashpërsuar së tepërmi ndaj banorëve të Mbrostarit. Dhjetëra banorë janë arrestuar nga policia në mes të natës në banesat e tyre pse dalin në protestë. Forcat e policisë shkojnë në mes të natës pa asnjë mandat nga gjykata dhe marrin banorët me dhunë dhe i dërgojnë në komisariat. Kryesisht arrestohen ata banorë që kanë qenë më aktivë në protestat e këtyre ditëve. Pasi fotografohen nga policët civilë, policia shkon në banesat e tyre dhe i arreston.
Burime nga Komisariati i Fierit bëjnë të ditur se ndaj protestuesve të arrestuar ushtrohet dhunë dhe presion që të mos dalin në protestë. Ata janë kërcënuar me jetë nëse do të vijojnë të dalin në protesta. Po ashtu, mjaft familjarë janë paralajmëruar se do të pushohen nga puna nëse do të dalin në protestë për të kundërshtuar ndërtimin e impiantit të plehrave. Kërcënime me pushim nga puna janë bërë edhe ndaj mësuesve që lejojnë familjarët të dalin në protestë. Megjithë terrorin shtetëror, banorët e Mbrostarit janë shprehur se nuk do të tërhiqen nga protesta e tyre derisa të anulohet vendimi i ndërtimit të impiantit të mbetjeve.

Banorët: Nuk kemi besim as te Prefekti

Pas protestave në zyrën e kryetarit të Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, banorët janë takuar dje me prefektin Xhevit Bushaj, por kanë dalë nga zyra e tij pa shumë shpresë. Sipas banorëve, prefekti iu ka premtuar se projekti nuk do të miratohet dhe se do ta kthente vendimin në këshill, por fjalët e tij nuk i kanë bindur banorët, të cilët kanë deklaruar se do të vijojnë protestat.
“Nuk kemi besim se prefekti do t’i mbajë premtimet. Nuk pranoi t’i bënte publike në media”, u shpreh një nga protestuesit që kishte qenë në takim me prefektin. Banorët kanë javë që protestojnë për këtë shqetësim. Ata kanë bllokuar disa herë rrugët, si dhe kanë kërkuar zgjidhje nga institucionet.
Banorët pohojnë se nuk do të tërhiqen nga protestat nëse nuk tërhiqet projekti i fabrikës së plehrave. “Nuk i kemi besën për një arsye. Zylyftarin një nga grevistët këtu e kemi brenda”, u shpreh një qytetar tjetër. “Prefekti na premtoi që ky impiant nuk do të ndërtohej në Mbrostar, por edhe ky na preu në besë”, tha një tjetër.
Para katër ditësh banorët e Mbrostarit protestuan edhe para Bashkisë së Fierit. Një përfaqësi protestuesish janë futur në zyrën e Subashit, por në një kohë kur ata prisnin të gjenin një gjuhë të përbashkët me kryetarin e Bashkisë së Fierit, janë revoltuar në zyrën e të zgjedhurit të tyre. Subashi u është përgjigjur me arrogancë interesit të banorëve për anulimin e vendimit për ndërtimin e impiantit të mbetjeve në këtë zonë. Ai u ka komunikuar protestuesve se, projekti për ndërtimin e impiantit është miratuar me vendim të Këshillit Bashkiak dhe nuk anulohet.
Një muaj më parë, në protesta u përfshinë edhe banorët e Njësisë Administrative Portëz, duke detyruar Bashkinë të tërhiqet nga vendimi i parë për ndërtimin e impiantit në Portëz. Protesta e banorëve të Mbrostarit hyri në ditën e katërt.

PD Fier, thirrje policisë të lirojë protestuesit paqësorë

Partia Demokratike, Dega Fier ka reaguar ndaj policisë për arrestimet e protestuesve paqësorë. Në një deklaratë për mediat, Dega e PD Fier shprehet se, denoncon fort dhe u bën thirrje forcave të rendit të lenë të lirë banorët e Mbrostarit që kanë ndaluar në orët e vona të ditës së dielë. “Ata janë në të drejtën e tyre për të mbrojtur jetën dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre. Ne konstatojmë se në ndalimet e bëra janë vetëm anëtarë, simpatizantë dhe drejtues të strukturave të PD Dega Fier, Njësia Q Mbrostar, megjithëse në protestë marrin pjesë banorë që janë anëtarë dhe drejtues të strukturave dhe të forcave të tjera politike. Pse kjo sjellje e padenjë për një shtet ligjor? Pse ky selektim i banorëve nga ana e policisë? Edhe një herë ju bëjmë thirrje, mos bëni gjueti shtrigash, mos bëni diferencime, mos u vini në shërbim të interesave të ngushta të subjekteve politike në pushtet”, thuhet në deklaratën për shtyp. Dega e PD Fier bën të ditur se është në mbështetje të banorëve të Mbrostarit për protestën e drejtë që po zhvillojnë në mbrojtje të jetës së tyre.
Impianti i mbetjeve në Fier është shndërruar në betejë mes banorëve të Mbrostarit dhe Bashkisë së këtij qyteti. Një muaj më parë ishin banorët e fshatrave Plyk, Kraps dhe Portëz ata që kundërshtuan me forcë ngritjen e impiantit nga ana e Bashkisë së Fierit. Pas anulimit për ngritjen e tij në Portëz, një tjetër vendim i Këshillit Bashkiak që kaloi me votat e mazhorancës i hapi rrugën ndërtimit të këtij impianti në zonën e Mbrostarit.

R.POLISI

Vendi nën terror, vrasja në Fier e paralajmëruar

Vrasjet janë kthyer tashmë në një ritual të përditshëm në të gjithë vendin, ndërsa policia është e paaftë për të siguruar rendin dhe qetësinë. Të dielën u vra me 30 plumba një 34-vjeçar në qytetin e Fierit. 34-vjeçari Nelgert Pata, nga Tepelena, është vrarë me armë brenda në makinën e tij tip “Volkswagen”. Bëhet e ditur se kjo vrasje ishte e paralajmëruar, pasi viktimës i ishte bërë një atentat tre ditë para vrasjes në Tiranë, ndërsa policia jo vetëm që nuk e publikoi lajmin, por nuk kreu asnjë hetim për të zbuluar autorët e atentatit të dështuar që çoi më pas në ekzekutimin e 34-vjeçarit në Fier, ku ai ishte strehuar në një hotel për t’i shpëtuar vrasësve që ishin vënë në ndjekje.
Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se, tre ditë përpara se të ekzekutohej me 30 plumba, Nelgert Pata i kishte shpëtuar një tjetër atentati, në Tiranë. Për këtë arsye, ai kishte ikur nga kryeqyteti për t’u fshehur në Fier. Më 17 nëntor, ai kishte parë disa persona të dyshimtë, teksa po qëndronte në një lokal në rrugën e “Kavajës”, pikërisht në vendin ku u plagos më 21 gusht të këtij viti. Ka bërë një telefonatë në polici, por më pas është zhdukur, duke lënë në mjegull gjithçka. Forcat e rendit kanë verifikuar telefonatën, por nuk kanë gjetur asgjë të dyshimtë.
Kjo ishte tentativa e tretë për ta eliminuar atë. Burimet konfirmuan se një tjetër tentativë ka ndodhur disa javë më parë në Fier. Sipas të njëjtave burime, ai është ndjekur nga disa persona, por ndaj tij nuk është qëlluar. Edhe për këtë rast, ai ka vënë në dijeni Policinë e Fierit. Por ai nuk është paraqitur asnjëherë vetë në polici për të kërkuar mbrojtje. Tentativa e parë për ta vrarë atë ishte ajo e 21 gushtit, pranë Parkut të Autobusëve, ku mbeti i plagosur.
Një detaj tjetër është se, makina me të cilën udhëtonte viktima nuk është e tij. Në çantën e Patës, ku mbante sende personale policia ka gjetur çelësat e një automjeti, i cili është gjetur më pas në parkimin e hotelit.
Në sitë hetuesit do të kalojnë dhe komunikimet telefonike të viktimës, për të verifikuar se me kë ka komunikuar para se të dilte nga dhoma e hotelit. Duke patur parasysh armiqësitë e tij, Pata lëvizte gjithmonë me makinë të blinduar, por ditën e dielë, ai udhëtonte me një makinë normale. Nga të dhënat rezulton se, mjeti që është gjetur në parkim në pronësi të Patës rezulton me targa false.
Gjithashtu edhe mjeti i autorëve që u gjet i djegur pas krimit në afërsi të fshatit Zhupan kishte targa false italiane. Nga mënyra e djegies së mjetit, lënia e armëve në makinën e djegur grupi hetimor dyshon se autorët janë vrasës me pagesë.
Autorët janë kujdesur deri në detaje për të mos lënë asnjë gjurmë pas. I plagosuri Ari Haliani, që drejtonte makinën ku gjendej Nelgert Pata, ka deklaruar se nuk ka mundur t’i shohë në fytyrë dy vrasësit. Policia ka marrë në pyetje disa persona në Fier e Tiranë, por deri tani nuk ka asnjë të ndaluar.
Vendi ku u vra Nelgert Pata është ende një skenë krimi për policinë. Agjentë janë rikthyer përsëri aty për të mbledhur dëshmi dhe prova. Burime nga grupi hetimor thonë se Nelgert Pata dyshohet se, prej të paktën tre ditësh ndiqej nga autorët. Prej të premtes 34-vjeçari qëndronte në një hotel vetëm 100 metra larg vendin ku ndodhi krimi.
Gjatë kësaj kohë, atentatorët kanë studiuar lëvizjet që kryente Pata, për të organizuar më pas vrasjen dhe mënyrën si do ta kryenin atë. Dyshohet se dy vrasësit kanë patur edhe një bashkëpunëtor që ka qëndruar përballë hotelit. Sapo ka dalë, vrasësit që qëndronin në një makinë të vjedhur tip “Mercedes”, janë sinjalizuar se Pata hipi në makinën e tij “Volkswagen” dhe po shkonte drejt tyre. Dy breshëri kallashnikovi janë zbrazur 100 metër larg hotelit. 30 gëzhoja u gjetën në vendin e ngjarjes. Hetuesit ende e kanë të paqartë arsyen përse 34-vjeçari po qëndronte në këtë hotel.
Grupi hetimor ka sekuestruar kamerat e sigurisë së hoteli për të parë hyrje – daljet e tij, personat më të cilët shoqërohej si dhe individë të tjerë për të cilët mund të lindin dyshime. Hetuesit kanë dyshime të arsyeshme se Nelgert Pata mund të jetë nxjerrë në pritë, pasi autorët kishin bërë planin për mënyrën e eliminimit të tij.

Bandat egërsohen, vrasjet nën hundën e policisë

Hakmarrja mes dy bandave duket se s’do të ketë një fund. Madje çdo ditë e më shumë ajo po egërsohet, duke arritur të vrasin kokat kryesore të bandave përkatëse. Zanafilla e historisë kriminale ka nisur vite më parë, kur Jani Aliaj qëlloi me thikë shokun e ngushtë të Elton Çiços. Vrasja detyroi Çiçon të betohej për hakmarrje. Ngjarja ndodhi në vitin 2000.
Dy të rinjtë nga Tepelena, emigrojnë në Greqi ku merren me aktivitete kriminale. 3 vite më vonë ata arrestohen dhe si për ironi të fatit vuajnë dënimin në të njëjtin burg. Konflikti nuk mungon as këtu. Elton Çiço qëllon me thikë Jani Aliajn ku ky i fundit mbetet i plagosur.
Pasi dalin nga burgu, të dy kthehen në Shqipëri, më të revoltuar me njëri-tjetrin, më të fuqizuar dhe filluan të rekrutonin të rinj, duke i bërë pjesë të bandave të tyre. Ndërsa vijonin aktivitetin kriminal, kryesisht në fushën e trafikimit të narkotrafikut, aq më shumë rritej dhe etja për hakmarrje, pasi veç plagosjes së shokut të Çiços nga Aliaj në vitin 2000, tani mes tyre kishte edhe një tjetër konflikt të hapur, atë të prishjes së pazareve të drogës.
Hakmarrja vazhdoi në Shqipëri. Në mars të vitit 2015, Çiços i dhunojnë prindërit brenda në banesën e tyre në Tepelenë. Mesazhi ishte i qartë për Çiçon. Ai nuk vonoi, dhe nisi menjëherë identifikimin e autorëve që i dhunuan prindërit.
3 muaj më vonë, ekzekutohet personi që dyshohej si një prej autorëve ndaj dhunës të të moshuarve të Çiços. Robert Rama ekzekutohet në 10 qershor në zonën e njohur si “Ish-Këneta” në Durrës.
Një muaj më pas, më 4 maj 2015, autorit të dytë të grabitjes, atij që dyshohej të kishte bërë transportin deri në shtëpinë e prindërve të Çiços, Elvis Imerit, i vihet një sasi eksplozivi në makinën e marrë me qira.
Por atentatet ndaj tij vazhduan dhe në 9 dhjetor të 2015 i vihet eksploziv vëllait të tij Elton Imerit, ish-ushtarak, i cili për shkak të shpërthimit humbi njërën këmbë, por fatmirësisht i shpëtoi vdekjes.
Hakmarrja mes bandave vazhdon edhe në vitin 2016. Më 10 janar, Elton Çiço qëllon ndaj Jani Aliaj, por këtë të fundin nuk e kap asnjë plumb.
Ndaj Jani Aliajt bëhet një tjetër atentat në prill të 2016-ës në Gjirokastër, ku mbeti i plagosur lehtë në dorë. Ai nuk e denoncoi në polici këtë atentat, duke thënë se nuk kishte konflikt me asnjë. Por një javë më vonë, më 1 maj, ai vret me pistoletë Elton Çiçon. Për ngjarjen policia shpalli si autorë Jani Aliajn dhe Renato Milloshin.
4 muaj më vonë më 1 shtator, i bëhet atentat Nelger Patës në Tiranë ku plagoset lehtë në vesh. Ky i fundit ishte kundërshtar me Çiçon. E dy muaj më pas, në tetor, i bëhet atentat shokut të ngushtë të Elton Çiços, Andi Mustafaraj. Një vrasës me pagesë e qëllon 4 herë në bark, por fatmirësisht Mustafaraj i shpëton këtij atentati.
Nuk vonoi shumë, dhe pak javë më pas, qëllohet me breshëri kallashnikovi Nelgert Pata, mik i Jani Aliajt dhe armik i Elton Çiços. Kjo është hakmarrja e radhës, por nuk dihet në është e fundit…

Viktimën e atentatit e kërkonte policia prej 3 muajsh, por e gjeti banda

Partia Demokratike ka reaguar pas vrasjes së ndodhur në Fier, ku u ekzekutua me një breshëri kallashnikovi, Nelgert Pata. Me një deklaratë për median, kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj tha se, policia po e kërkonte prej 3 muajsh, por e gjeti banda. “Viktima e atentatit mafioz dje në Fier, Nelgert Pata, ishte prej 21 gushtit të këtij viti në kërkim nga policia, pasi iu bë një atentat në Tiranë, dhe ai nuk u paraqit në polici, nuk dha dëshmi, nuk bashkëpunoi, nuk denoncoi. Në kërkim, sipas një emërtimi burokratik, pasi viktima jo vetëm nuk kërkohej nga policia, por krerët e saj, të përfshirë në një histori kriminale me të paktën 4 të vrarë deri tani, ofronin mbrojtje ose lehtësi sipas rastit. Pra, policia e shpall zyrtarisht në kërkim prej 3 muajsh dhe nuk e gjen personin edhe pse ai lëviz lirshëm në Tiranë e në qytetet kryesore të vendit, por e gjen banda dhe e ekzekuton. Ky është shteti i Edi Ramës”, u shpreh Alibeaj.
Sipas Alibeajt, kjo është një dëshmi e freskët dhe dramatike se si krerët e policisë të përfshirë në trafiqe e të ndarë sipas bandave, nuk zbatojnë ligjin, por u shërbejnë interesave kriminale. “Nuk ka rend e siguri me këtë qeveri, me këtë ministër të Brendshëm. Qytetarët kanë nevojë për sundim të ligjit dhe jo të bandave”, përfundoi Alibeaj.

Zgjedhjet në Kolonjë, 25 euro një votë për kandidatin e majtë

Zgjedhjet në Kolonjë janë zhvilluar nën presion nga strukturat shtetërore. Kreu i Grupit parlamentar të PD, Edi Paloka u shpreh të dielën se, në zona si Kolonja, Erseka dhe Leskoviku, ku kriminaliteti është në nivelet më të ulta, është bërë presion me polici. Paloka tha se, është e njëjta skemë si ajo në Dibër.
Partia Agrare Ambientaliste ka denoncuar faktin se, eksponentë të mazhorancës të armatosur kanë terrorizuar qytetarët e Leskovikut për të votuar kandidatin e majtë. Sipas PAA, drejtori i TVSH, Thoma Gëllçi prej disa ditësh ndodhet në zonën e Kolonjës duke bërë propagandë për kandidatin e Partisë Socialiste.
Edhe anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD, Ledina Alolli ka denoncuar raste të blerjes së votës në Kolonjë. Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ajo tha se disa qendra votimi janë “nën presionin e makinerisë shtetërore”. Teksa thotë se po manipulohen votat e qytetarëve, ajo thotë se përfaqësuesit e opozitës janë në terren për të mbledhur çdo provë e denoncim nga qytetarët.
“Blerje masive votash në Kolonjë. Çlirimi, Starja, Barmashi nën presionin e makinerisë shtetërore. Duan të zbatojnë skenarin e radhës.., presionin dhe blerjen, për t’u marrë votën kolonjarëve. Mesa po shihet e kuptohet në dritën e diellit, qeverinë dhe mazhorancën e përfaqësuar nga mëkëmbësi Peleshi e kanë zënë ethet e makthit për një fitore të grabitur. Këtë pushtet vota e lirë e fut në kompleks të thellë dhe në hall të madh.
Makineria qeveritare e korrupsionit po kap zgjedhjet, duke cenuar rëndë standardet e një procesi që duhej të ishte i lirë dhe i ndershëm. Demokratët dhe strukturat e koalicionit opozitar në terren po mbledhin çdo provë e denoncim për t’i çjerrë maskën manipulimit të radhës me votat e shqiptarëve. Me këtë qeveri e kryeministër nuk ka zgjedhje të lira e demokratike”, shkruan Anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD.
Një tjetër denoncim u bë të dielën nga ana e përfaqësuesve të opozitës në Kolonjë për blerje votash. Madje, kësaj radhe denoncimi është bërë me zë e figurë. Në një video të publikuar në rrjetet sociale, një qytetare thotë se, i kanë ofruar 25 euro që të votojë për kandidatin e majtë. Në video përmendet dhe emri i zëvendëskryeministrit Niko Peleshi, duke thënë se paratë janë ofruar prej tij. Raste të kësaj natyre janë denoncuar edhe nga zgjedhës të tjerë në rrjetet sociale. Sipas tyre, persona të panjohur ndodheshin disa metra larg qendrave të votimit dhe shpërndanin zarfe me lekë në këmbim të votës për kandidatin e majtë.
Ndërkohë, kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, ka reaguar dje në mbrëmje lidhur me zgjedhjet në Kolonjë, ku sipas tij zgjedhjet u zhvilluan në terror dhe votat u manipuluan. Ai thotë më tej se, fushata u zhvillua nën një klimë presioni, me pjesëmarrje të administratës shtetëtore, stafit të kryeministrit, ministrave etj.
“Më konkretisht, i gjithë stafi i zëvendëskryeministrit me atë në krye, u ul këmbëkryq në Kolonjë për më shumē se një muaj, duke braktisur punët dhe zyrat për të cilat paguhen nga tatimpaguesit, pa futur këtu armatën e drejtorave, nëpunësve etj. Ministrat me në krye, ministrin e Brendshëm u zhvendosën në këtë zonë të varfër të Juglindjes bastion i PS, thuaj se Kolonja ishte përplasja Klinton-Trump, dhe si për t’i vënë qershinë mbi tortë, vetë Kryeministri la të gjitha hallet e popullit të Shqipërisë për të ardhur në Kolonjë ku tha, t’i japim fund 25 vjet keqqeverisje, megjithëse në 3-vjeçarin e fundit ka qenë vetë ai në krye të shtetit”, shprehet Duka.

Korrupsion tek “Filologjiku” në Shkodër, dy pedagogë në pranga

Prokuroria ka zbuluar skemën e korrupsionit në Departamentin e Historisë në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, duke vënë në pranga përgjegjësin e saj dhe zv/dekanin. Nga hetimi i organit të akuzës, mësohet se nëpërmjet disa personave që kryenin rolin e sekserëve, ata kanë krijuar një skemë korrupsioni në dhënien e provimeve, në vlera monetare që varionin nga 200-700 euro.
Prokuroria ka arritur të zbulojë se, zv/dekani i Fakultetit të Filologjisë dhe Shefi i Katedrës së Historisë, nëpërmjet sekserëve Vehbi Bala dhe Ndoc Deda, kanë marrë para nga studentë të ndryshëm.
Në këmbim, pedagogët u kanë siguruar studentëve nota kaluese në provime të ndryshme ose vlerësime të larta, të cilat më pas do të shërbenin për regjistrimin në master. Në bazë të veprimeve të deritanishme hetimore, Gjykata e Shkodrës pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” për Rokin Dabërdakun dhe Simon Lufin, të akuzuar për korrupsion pasiv.
Të dyshuar për “Ushtrim ndikimit të paligjshëm” në rolin e sekserit janë Vehbi Bala dhe Ndoc Deda. Ndërsa për “Korrupsion aktiv…” Brunilda dhe Vehbi Allushi, Renato Trushi dhe Arsen Lekaj. Ky skandal vjen pak muaj pas atij të pedagoges së bio – kimisë, Ditika Kopliku, e cila u filmua duke marrë 100 euro për provim, nga një emision investigativ.
Hetimi i Prokurorisë së Shkodrës ka zbuluar se disa shefa departamentesh dhe studentë të Fakultetit Filologjik në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, nëpërmjet disa personave që kryenin rolin e sekserëve, kanë krijuar një skemë korrupsioni në dhënien e provimeve, në vlera monetare që varionin nga 200-700 euro.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se, në vijim të një hetimi disa-mujor, të filluar në bazë të informacionit të Policisë, Prokuroria e Shkodrës ka marrë nga Gjykata lejen për arrestimin e personave të përfshirën në veprimtarinë e paligjshme. Masat e sigurisë janë ekzekutuar gjatë mesditës së hënë (dt. 21.11.2016) nga ana e forcave të Policisë Vendore.
Në kuadër të këtij procesimi penal, Prokuroria e Shkodrës ka zhvilluar hetimin proaktiv, në bazë të të cilit është zbuluar roli i personave, si edhe janë krijuar dyshimet e arsyeshme se ata bashkëpunonin me njëri-tjetrin, për të ndihmuar studentë të ndryshëm, në këmbim të parave, që të merrnin provimet, kryesisht në degën e Historisë.
Prokuroria e Shkodrës ka arritur të zbulojë se zv/dekani i Fakultetit të Filologjisë dhe Shefi i Katedrës së Historisë, nëpërmjet sekserëve Vehbi Bala dhe Ndoc Deda, kanë marrë para nga studentë të ndryshëm. Në këmbim, pedagogët u kanë siguruar studentëve nota kaluese në provime të ndryshme ose vlerësime të larta, të cilat më pas do të shërbenin për regjistrimin në Master.

Gjysma e Tiranës pa energji elektrike

Gjysma e Tiranë ishte mbrëmë në errësirë të plotë për shkak të mungesës së energjisë elektrike. Aktualisht, zonat pa energji janë “Vasil Shanto”, pranë stadiumit “Dinamo”, lulishte “1 Maji”, Selitë, etj
Qytetarët e revoltuar kanë dalë në rrugë, duke hedhur parulla kundër qeverisë. Ndërsa, OSHEE bëri të ditur se, ka qenë një defekt në fidrin e nënstacionit në Selitë që ka shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona të Tiranës. Sipas OSHEE, avaria është ndikuar edhe në kushtet kur nënstacioni Qendër është jashtë pune për shkak të zhvendosjes, proces ky që pritet të mbyllet këtë javë. OSHEE thotë se është duke kryer manovrat në çdo kabinë që prek fidrin dhe po punon për riparimin e defektit brenda një kohe sa më të shkurtër.
Ndërprerja e vazhdueshme e energjisë elektrike në Tiranë, ka sjellë pasoja në familje e biznese të ndryshme. Si pasojë, në ambientet e tyre dhe jo vetëm, janë dëmtuar pajisjet elektroshtëpiake. Shqetësimit të ndërprerjes së energjisë i shtohet edhe ky i dëmtimit të pajisjeve. Banorët ankohen se u janë djegur pajisjet shtëpiake, si pasojë e ndërprerjes së herëpashershme të energjisë, por nuk marrin asnjë zgjidhje nga KESH dhe OSHEE. Ndonëse faturat e energjisë i paguajnë rregullisht, OSHEE nuk përgjigjet në asnjë rast për të bërë dëmshpërblimet ndonëse është përgjegjësi e saj.

Revolta: Deputetët në kazanët e plehrave po votuan të enjten

Protesta e aktivistëve të lëvizjes të Aleancës Kundër Importit të Plehrave, (AKIP) do të fillojë që më datë 23 nëntor në orën 23:00. Një prej aktivistëve të kësaj lëvizjeje, Aulon Kalaja tha për “RD” se, një grup prej tyre do e gdhijnë natën përpara Parlamentit, me batanije dhe çadra për të kulmuar më datë 24 nëntor, kur do bëhet dhe rrethimi total i Kuvendit”. Asnjë prej deputetëve nuk do dalë nga salla e Kuvendit në rast se kalon ligji i pleharave të enjten. Nuk do ta lejojmë.
Megjithëse deri më tani kemi garantuar shumicën e votave në Parlament dhe nga parti që janë në koalicion me PS-në, kemi marrë garancinë që ligji nuk do të votohet, sërish ne do jemi aty”, tha Kalaja. Më tej, AKIP shton se për çdo rast, pra në rast se ligji kalon, atëherë dhe kjo lëvizje do precipitojë akoma më shumë. “Në rast se deri më tani, lëvizja jonë ka qenë parimore, po u kalua ligji atëherë do kthehet në personale. Të gjithë deputetët që vetë u shkruam emrin nëpër kazanët e plehrave do ua çojmë kazanët tashmë në shtëpitë e tyre, deri në mosbindje civile. Mos harrojnë se, revolta po merr përmasa të tjera, dje ju hodh salcë në kokë Nikollës, dhe sot u sulmua Beqja me vezë. Ata që marrin vendime për jetët tona bëjnë mirë t’i venë gishtin kokës”, thotë Kalaja.
Vetëm në Itali janë 500 mijë ton plehra që refuzoi Maroku, të gatshme për t’u sjellë në Shqipëri. Miliona ton të tjera presin radhën në shtete të tjera të Europës, për t’i sjellë brigjeve të Adriatikut. Një masë kancerogjene tepër e madhe rrezikon vendin e shqipeve, nga një skenar orguzi me interesa të pastra mafioze, ku përfitojnë një grusht i enturazhit politik të udhëhequr nga kreu i karvanit rilindas Edi Rama. Për interesa të enturazhit të tij politik, rrezikohet që të gjithë ne dhe brezat e ardhshëm të jetojnë në një kazan ricklimi. i cili ndot ajrin, ujin dhe tokën. Rilindja, e ardhur në pushtet me gënjeshtrat e vitit 2013 është e  vendosur ta kalojë. Por në llogaritë e saj nuk ka përfshirë qëndresën e popullit. Ajo çka po ndodh në Mbrostar ku banorët e atjeshëm kanë dalë në mbrojtje të jetës së fëmijëve të tyre, pritet të përsëritet më datë 24 nëntor përpara Parlamentit. Edi Rama, nga ana tjetër ndodhet në panik, pasi nuk i ka votat e mjaftueshme në Kuvend dhe po përpiqet që me anë të blerjes së votave siç ka bërë gjithmonë të sigurojë kalimin e tij. Duhet theksuar se ky është një ligj për të cilin Rama është investuar fort çka shpreh qartë, kapjen e tij nga interesa të pastra të përfitimit personal.
Për mbajtjen e një referendumi për ligjin e plehrave kanë firmosur rreth 65 mijë persona, por Edi Rama vendosi ta kalojë me forcën e kartonit në Kuvend më datë 23 shtator. Më tej, ligji u zhvendos tek Presidenti i Republikës, i cili pas konsultimit me grupet e interesit vendosi mosdekretimin e tij dhe rikthimin në Kuvend. Dekreti i Presidentit, ka që më datë 13 tetor që qëndron në zyrat e Kuvendit, dhe për futjen e tij në rendin e ditës u vendos data 24 nëntor. Një ndër arsyet ku u bazua Presidenti për refuzimin e ligjit ishte dhe marrja e 65 mijë firmave për të organizuar një referendum në lidhje me këtë çështje, por që nuk u mor parasysh nga Rilindja. Duket se Edi Rama për këtë çështje nuk ka kundër vetëm opozitën, dhe Shoqërinë Civile, por dhe thuajse të gjitha partitë me të cilin qeveris, të cilat kanë shprehur hapur mosaprovimin e tyre.