15.5 C
Tirana
E martë, 6 Maj, 2025

Skënderbeu nën presion

FUTBOLL SKENDERBEU LACI - Lojtaret e Skenderbeut duke festuar shenimin e nje goli gjate ndeshjes se futbollit, Skenderbeu-Laci, 6-1, e vlefshme per Kampionatin Kombetar, e luajtur ne stadiumin Skenderbeu, ne Korce. /r/n/r/nSOCCER SKENDERBEU LACI - Skenderbeu's players celebrate during the Albanian Super League football match Skenderbeu vs Laci, 6-1 at the Skenderbeu stadium in Korca.

Skënderbeu është rikthyer te fitorja në kampionat, por sërish paraqitja e ekipit nuk po kënaq drejtuesit e klubit. Fakti që ndeshja u komplikua shumë dhe për më tepër u fitua mes polemikave, duke qenë se Korabi pretendoi për dy gola të paakorduar, ka bërë që presidenti Ardjan Takaj të marrë disa masa paraprake për skuadrën.
Së pari, ai ka urdhëruar që të vazhdojë heshtja për shtyp, e cila në fakt ka më shumë se një muaj që është vendosur nga drejtuesit. Së dyti, kur u mendua se Skënderbeu do të vijonte qëndrimin në Korçë deri ditën e enjte, mësohet se Takaj i ka ndryshuar planet dhe u ka komunikuar drejtuesve të stafit teknik, se duhet të jenë të grumbulluar në Durrës që të martën (sot). Një lëvizje kjo që kërkon të mbajë ekipin të izoluar nga faktorët e jashtëm, në mënyrë që stërvitjet të zhvillohen me qetësisht dhe pa presion.

Llullaku, i përhershëm me golin në Rumani

Azdren Llullaku është sulmuesi i momentit në kampionatin rumun dhe jo vetëm. Goli është kthyer në një zakon ose më saktë në një ves për futbollistin e kombëtares shqiptare, i cili vazhdon të realizojë për Gaz Metan Medias në ligën e parë të futbollit rumun. 28-vjeçari nga Istogu arriti të gjente sërish rrugën e rrjetës në javën e 16-të të kampionatit, duke u ngjitur në kuotën e 13 finalizimeve në këtë sezon. Llullaku ishte autori i golit të vetëm të Gaz Metanit në barazimin 1-1, që regjistroi skuadra e tij në transfertën e Constancas ndaj Viitorul. Në minutën 19-të, sulmuesi shqiptar ishte në vendin dhe në kohën e duhur për të shtyrë drejt rrjetës një top të mbetur në zonë, duke realizuar një gol që krijoi iluzionin e fitores për miqtë, por vendasit e Viitorul barazuan rezultatin në pjesën e dytë me sulmuesin nga Liberia Nimely.
Finalizimi i Llullakut fillimisht u anulua nga arbitri kryesor për pozicion jashtë loje, por ishte gjyqtari anësor që e akordoi golin, pasi topin 28-vjeçarit ja pasoi një mbrojtës kundërshtar. Kjo ishte rrjeta numër 13 e Llullakut në këtë sezon me kuqeziun që vazhdon të shkëputet akoma edhe më shumë në krye të listës së golashënuesve në kampionatin rumun. Llullaku është duke zhvilluar sezonin e tij më të mirë në karrierë në aspektin personal, që nga viti 2012, kur është bërë pjesë e Gaz Metanit. Ai është një nga sulmuesit më produktivë në Europë për momentin dhe falë paraqitjeve të tij me Gaz Metanin ka arritur të debutojë edhe me kombëtaren shqiptare teksa është aktivizuar nga trajneri De Biasi si titullar në sfidat kualifikuese ndaj Lihtenshtejnit dhe Izraelit.

Mbaroni punimet!

Bashkia e Shkodrës nuk do të ulet në tavolinën e bisedimeve me Federatën Shqiptare të Futbollit për të zgjidhur çështjen e administrimit të stadiumit “Loro Boriçi” pa u mbaruar plotësisht punimet në impiant dhe përreth tij.
Kryebashkiakja Voltana Ademi ka bërë të ditur sot, se pavarësisht se ka marrë propozimin e FSHF-së për ndarjen e të ardhurave nga biletat në këtë impiant dhe mënyrën e bashkë-administrimit të tij në ndeshjet e Vllaznisë dhe Kombëtares, nuk do të ketë asnjë hap konkret për momentin. Sipas saj, vetëm kur të mbarojë gjithçka që është parashikuar të ndërtohet në projektin e stadiumit dhe ai të merret në dorëzim, atëherë do të zgjidhet edhe çështja e firmës së kontratës me FSHF-në.
Institucioni i futbollit i ka dorëzuar Ademit një propozim, ku detajohen pikat se si do të administrohet impianti në të ardhmen. FSHF propozon që në rast bashkë-administrimi, ajo të përfitojë 40% të të ardhurave nga biletat për ndeshjet e Vllaznisë si në kampionat, ashtu edhe në Kupat e Europës. Ndërkaq, FSHF do të përfitojë 100% të të ardhurave të siguruara nga ndeshjet e kombëtares, të cilat do të administrohen plotësisht nga institucioni në fjalë.

Gabigol mund të largohet nga Interi

Gabriel Barbosa, i njohur si Gabigol, erdhi me shumë bujë te Interi si lojtari që do të kthehej në Ronaldon e ri të zikaltërve. Por vetëm 16 minuta në fushë kanë bërë që “objekti misterioz” i blerë për 27,5 milionë euro nga Santos, të rrezikojë të jepet huazim në një prej ekipeve të tjera italiane pasi nuk ka vend në skuadër.
Mediat italiane bëjnë të ditur se Pioli u ka bërë të qartë drejtuesve të klubit se do të shohë edhe dy javë paraqitjet në stërvitje të lojtarit, i cili me fanellën zikaltër ka luajtur vetëm 16 minuta në Serinë A. Në fund, ai do të vendosë nëse Gabigol do të qëndrojë edhe për pjesën e dytë të sezonit apo do të jepet në huazim.
Emri i parë në listën e pretendentëve për futbollistin, i cili mund të përfundonte te Barcelona para se të zgjidhte Interin, është Peskara. Atje ai do t’i bëjë konkurrencë Rei Manajt në repartin e sulmit të një ekipi që po lufton për mbijetesën, sigurisht diçka që Gabigol nuk e kishte imagjinuar në momentin kur iu bashkua ekipit italian apo kur luante përkrah Nejmar në radhët e Seleçaos.
Ndërkohë, Massimo Moratti, vlerëson Stefano Piolin. Interi që u pa në fushë në derbin ndaj Milanit, ka kënaqur ish-presidentin e klubit zikaltër, i cili ka thurur elozhe për teknikun e ri. “Vura re që pasioni i tij i është transmetuar edhe skuadrës që ndaj Milanit luajti me shumë karakter. Ky barazim ishte i rëndësishëm sepse do të ishte një zhgënjim i madh për ne po të kishim humbur një sfidë të tillë, të cilën e luajtëm shumë mirë dhe kishim epërsi territoriale ndaj kundërshtarit gjatë gjithë kohës”, theksoi fillimisht Moratti.
Më pas manjati italian përgënjeshtroi zërat që flasin për një rikthim të tijin te Interi. “Unë do të vazhdoj të jem një tifoz, por nuk do të rikthehem në klubin zikaltër, Interi tashmë ka drejtues të aftë për t’i bërë gjërat mirë”, nënvizoi ish-numri 1.
Me barazimin në derbi, Interi i Stefano Piolit pozicionohet 8 pikë larg zonës Champions dhe 5 ndeshjet e ardhshme nga tani e deri për Krishtlindje, do të jenë vendimtare për ecurinë e këtij sezoni. Interi përjashto Juventusin ka 7 skuadra përpara në renditje dhe tashmë hapat falsë për skuadrën zikaltër janë të ndaluar.

Konte mbyll merkaton

Antonio Konte mbyll merkaton e Chelsea ende pa nisur. Trajneri i “Bluve të Londrës”, në një intervistë të dhënë, preku disa nga temat më të përfolura në shtëpinë e anglezëve, duke nisur që nga Diego Costa. 47-vjeçari theksoi se sulmuesi është shumë i rëndësishëm për skuadrën dhe se e ka kuptuar që duhet ta kontrollojë veten më shumë në fushën e lojës. Konte foli gjithashtu edhe për Fabregas e Oscar ku tha se asnjeri prej lojtarëve nuk do të largohet. Përsa i përket afrimit të një mbrojtësi në janar, tekniku italian u shpreh se e ka të kompletuar skuadrën.
Kontes i mjaftoi vetëm një muaj kohë për fituar besimin e drejtuesve dhe të tifozëve të Chelseat. Nga një trajner pranë shkarkimit, italiani tashmë konsiderohet idhull në “Stamford Bridge” falë gjashtë fitoreve radhazi që e ngjitën skuadrën e tij në krye të Premier League. Në një intervistë të gjatë për mediat italiane, 47-vjeçari foli për momentin e tij të artë te Chelsea.
“Jam shumë i kënaqur, veçanërisht për futbollistët e mi. Vendimi i parë është vetëm një shpërblim për punën e madhe që kemi bërë deri më sot, por edhe një demonstrim se jemi në rrugën e duhur. Por nuk duhet të harrojmë se një muaj më parë situata ishte ndryshe. Në garë për titullin në Premier League janë 6 skuadra dhe vetëm njëra do ta fitojë. Mendoj se ky kampionat është ndër më të vështirët në të gjithë historinë e Premier Leagues. Të rivalizosh njëkohësisht me Arsenal, Liverpool, Manchester City, Tottenham e Manchester United nuk është gjë e thjeshtë. Nuk besoj se ekziston ndonjë kampionat tjetër në nivelin e Premier Leagues”, u shpreh Konte.
Nga Chelsea te Juventusi, skuadër me të cilën Konte ka dominuar për disa sezone në Serinë A. “Kur je skuadra e tetë me paga më të larta në futbollin botëror, duhet të pretendosh përtej futbollit italian. Besoj se janë bërë investime të rëndësishme dhe kur ke një organikë të tillë duhet të kesh objektiva madhorë, sikurse është Championsi. Pastaj nëse paratë të japin mundësi të blesh Pjanic dhe Higuainin, gjithçka bëhet më e lehtë”, tha ai.
Periudha e kaluar në krye të kombëtares trajneri italian e kujton me shumë keqardhje. “Ato gabime të mallkuara ndaj Gjermanisë në momentin e goditjeve të 11-metërshave janë pengu im i madh. Nëse do t’i kishim eliminuar gjermanët, me siguri do të ishim në finale. Ajo skuadër ishte fantastike, e bashkuar në planin fizik dhe psikologjik”, tha Konte.
Konte është i sigurtë se një ditë do të rikthehet në futbollin italian, por për momentin po shijon të tashmen te Chealsea, një realitet të ri plot ëndrra që nuk duhet kur do të përfundojë.

Isco, në dyshim e ardhmja tek Reali

Isco është i paqartë për të ardhmen e tij te Reali i Madridit. Mediat në Spanjë shkruajnë se “Los Blancos” kanë nisur bisedimet me mesfushorin për rinovimin e kontratës. Megjithatë duket se nuk është kjo dëshira e 24-vjeçarit, i cili po vlerëson situatën e tij në “Bernabeu”. Isco kërkon të luajë rregullisht, por diçka e tillë nuk i mundësohet nga Zidane, për këtë arsye mesfushori po mendon largimin. Nga 17 ndeshje në këtë sezon, Isco ka qenë titullar në 8 prej tyre dhe kjo ka vendosur në pikëpyetje pozitën e tij te madrilenët.
Ndërkohë, drejtori Sportiv i Wolfsburg, Klaus Allofs nuk e përjashtoi mundësinë e largimit të Julian Draxler në merkaton e janarit ose në atë të verës së 2017-tës. “Ujqërit” kanë kohë që i rezistojnë ofertave nga klubet e rëndësishme europiane për talentin e tyre, por tashmë duket se janë dorëzuar. 59-vjeçari pohoi se shoqëria do ta vlerësojë ndryshe situatën e Draxler dhe do të veprojë ndryshe nga herët e kaluara, edhe nëse bëhet fjalë për të humbur shërbimet e lojtarit. Merkatot e shkuara Draxler është kërkuar me insistim nga disa skuadra angleze, si dhe Paris Saint-Germain në Francë.

Vjedhjet miliona euroshe të nënkontraktorëve të hajdutit Çela në OSHEE

Vetëm HTT – High Tech Tests, kompania që bën kolaudimin e matësve të energjisë, deklaroi fitime prej 3.6 milionë eurosh më 2015-n, me një normë fitimi prej 70%…
Dy kompanitë e kolaudimit dhe blerjes së matësve të energjisë kanë deklaruar fitime dhe norma shumë të larta kthimi në vitin 2015. HTT – High Tech Tests, që është e licencuar nga Drejtoria e Meteorologjisë dhe Kalibrimit për kolaudimin e matësve dhe Ital-Project që bën blerjen e matësve kanë deklaruar të dyja fitime që arrijnë në 5.5 milionë euro, sipas bilanceve përkatëse të vitit 2015, ndërsa normat e fitimit arrijnë deri në 70%.
HTT – High Tech Tests, e krijuar në fillim të vitit 2014, me aktivitet në verifikimin e të gjithë llojeve të matësve elektromekanikë dhe statikë të energjisë elektrike aktive dhe reaktive, trefishoi të ardhurat më 2015-n, për të arritur në 727 milionë lekë. Kompania ka deklaruar një fitim para taksave prej 495 milionë lekësh (rreth 3.6 milionë euro), me një normë mbresëlënëse fitimi prej gati 70%. Sipas të dhënave të saj zyrtare, një pjesë të rëndësishme të grupit e përbën edhe kolaudimi i matësve të ujit dhe matësve të energjisë elektrike. Kompania është e licencuar nga Drejtoria e Metrologjisë dhe Kalibrimit për Kolaudimin e Matësve dhe tarifat janë të përcaktuara nga Enti Rregullator i Energjisë, sipas burimeve nga OSHEE.
Krahas kolaudimit të matësve, HTT ka fituar në qershor 2015 tenderin e OSHEE “Blerje bokse individual për matës induktiv 1 dhe 3-fazor”, me fond limit prej 90,000,000 (nëntëdhjetë milionë) lekë pa TVSH, ku kompania ka paraqitur një vlerë prej 89,400,000 (tetëdhjetenëntë milionë e katërqind mijë) lekë pa TVSH. Oferta, ndonëse ishte më e larta, është pranuar, pasi kompanitë e tjera janë skualifikuar për shkak të problemeve teknike me paraqitjen e mostrave apo mungesa në dokumentacion.
Në bilancin e vitit 2015, HTT kishte shpenzime minimale për paga prej rreth 72 milionë lekësh, blerje lënde të parë prej 78 milionë lekësh dhe të tjera shfrytëzimi prej rreth 83 milionë lekë (përfshirë interesat), çka i ka mundësuar t’u gëzohet fitimeve të larta prej rreth 3.6 milionë eurosh dhe normës së kthimit prej 70%, që do t’ua kishte zili çdo biznes tjetër.
Ital-Project, një operator që ndonëse i krijuar në vitin 2008, ka njohur lulëzim të aktivitetit vetëm më 2015-n, ku qarkullimi vjetor arriti në 592 milionë lekë dhe fitimi para taksave në 255 milionë lekë (1.9 milionë euro), me normë fitimi 43%. Kompania, sipas burimeve të saj zyrtare, është e specializuar në studimin, projektimin, dhënien e konsulencës dhe asistencës për ndërtimin, instalimin e ankorimit, sistemet dhe pajisjet për realizimin e çdo lloj posttensioni për soleta dhe dysheme. Në tetor të vitit 2015, Ital-Project, së bashku me Eltec sh.p.k. kanë fituar tenderin e OSHEE “Blerje matësish elektronikë 1-fazor dhe 3-fazor”, me fond limit rreth 200 milionë lekësh pa TVSH, duke dhënë ofertën më të lartë prej 195.5 milionë lekësh (firmat e tjera u skualifikuan për mungesë dokumentacioni dhe mostrash).
Në vitin 2015, emri i kompanisë u ndërrua nga Ital-Toner në Ital-Project, sipas ekstraktit në QKB, ndërsa Ital-Toner është në listën e borxhlinjve të tatimeve sipas të dhënave zyrtare të faqes së internetit të tatimeve.

BB paralajmëron: Shoqëria po polarizohet

Në vitin 2016, do të ketë një rritje modeste të PBB-së për vendet e rajonit të Europës dhe Azisë Qendrore (EAQ). Çmimet e ulëta të naftës dhe mallrave të tjera në gjysmën lindore të rajonit, ulja e ritmeve të investimeve në Bashkimin Evropian dhe vështirësitë strukturore në vazhdim në të gjitha vendet, po pengojnë rritjen në rajon dhe po kontribuojnë për një ngritje të populizmit dhe polarizimit, shprehet raporti i fundit i përditësuar ekonomik i Bankës Botërore për rajonin e EAQ.
Sipas raportit rajonal të prezantuar nga Banka Botërore dje në Bukuresht të Rumanisë rajoni pritet të shënojë një rritje modeste prej 1,6 për qindësh për vitin 2016, me një rritje të lehtë nga 1,4 për qind që ishte në vitin 2015, por rënia e të ardhurave dhe konsumit, me gjasë, do ta zbehin këtë rritje modeste. Kjo prirje parashikohet të vazhdojë në vitin 2017 dhe 2018, gjatë të cilëve pritet një rritje, respektivisht, prej 1,5 për qind dhe 1,8 për qind.
Rritja ekonomike parashikohet të mbetet pozitive në Europën Lindore dhe Azinë Qendrore, me një rritje të PBB-së prej 0,7 për qind në vitin 2016, 2,3 për qind në vitin 2017 dhe 2,6 në vitin 2018. Ndërkohë, në Bashkimin Europian dhe Ballkanin Perëndimor, rritja parashikohet të bjerë nga 1,8 për qind për vitin 2016, në 1,4 për qind për vitin 2017, përpara sesa të ngrihet sërish në 1,7 për qind në vitin 2018.
“Vota për Brexit-in dhe kriza e refugjatëve po vënë në provë bashkëpunimin europian, ndërkohë që gjysma lindore e rajonit ende po përpiqet të përshtatet me çmimet e ulura të naftës”, shprehet Hans Timmer, kryeekonomisti i Bankës Botërore për EAQ-në. “Mosarritja në të gjithë rajonin për të çliruar burime të reja zhvillimi po kontribuon për një rritje të populizmit dhe polarizimit, si dhe në mosbesimin tek institucionet”.
Sondazhet nga raporti tregojnë se shqetësimet lidhur me peizazhin ekonomik në ndryshim dhe veçanërisht, mungesa e sigurisë së punës po ushqejnë një rritje të polarizimit politik në vendet e EAQ-së. Rritja e shpejtë e punës së përkohshme dhe me kohë të pjesshme, si dhe ndryshimet në kërkesat për kualifikime, të nxitura nga teknologjitë e reja dixhitale, po shtojnë shqetësimet te qytetarët e rajonit dhe po e zhvendosin mbështetjen nga qendra e spektrit politik.
Në mungesë të reflektimeve të forta me politika, vështirësitë strukturore në vazhdim, të cilat pengojnë ekonomitë në rajon, kërcënojnë të cenojnë rritjen dhe uljen e varfërisë në një periudhë afatgjatë. Për t’u përballur me këto sfida, qeverive dhe shoqërive iu duhet të ofrojnë perspektiva të reja në një epokë të re ekonomike, pa u kthyer te zgjidhjet që kanë funksionuar në të kaluarën në rrethana mjaft të ndryshme.
“Rritja modeste që po shohim është një hap në drejtimin e duhur, por i pamjaftueshëm për të lehtësuar shqetësimet e njerëzve të rajonit për perspektivën e tyre ekonomike”, thotë Cyril Muller, zëvendëspresident i Bankës Botërore për rajonin e EAQ-së. “Qeveritë mund të veprojnë tani për të dhënë ndihmën e tyre. Për shembull, ato mund të inkurajojnë të mësuarit gjatë gjithë jetës, për t’iu ardhur në ndihmë njerëzve që të gjejnë e mbajnë vendet e punës. Po ashtu, ato mund të ofrojnë kujdes për fëmijët dhe të moshuarit, me qëllim që të lehtësojnë zgjedhje më elastike punësimi. Këto veprime mund të sigurojnë barazi në mundësi dhe të nxisin rritjen e përgjithshme ekonomike”.
Të tjera alternativa politike përfshijnë mbështetje për firmat që të shfrytëzojnë mundësi të reja eksporti të ofruara nga një mjedis më i mirë për prodhuesit, duke ulur koston dhe kohën e nevojshme për ngritjen e bizneseve të reja dhe hyrjen në tregje të reja, si dhe uljen e kufizimeve të qarkullimit të krahut të punës në veprimtari të reja. Këto veprime duhet të sigurojnë, po ashtu, ofrimin ose vazhdimin e mbrojtjeve në punë dhe mbrojtjes sociale, për të parandaluar vuajtjet dhe gërryerjen e kohezionit social, sidomos për grupet në nevojë, vëren raporti.
Po kështu, raporti bën thirrje për përmirësimin e kërkimit dhe të dhënave mbi pabarazinë, përfshirë indikatorët e perceptimit që kanë njerëzit për ndryshimet e pabarazisë. Të dhëna të mëtejshme për lidhjen midis kërkesës për kualifikime dhe ndryshimeve të nivelit të kënaqësisë për jetën mund të ndihmojnë për të orientuar ndryshimet e nevojshme të politikave, për t’iu përshtatur ndryshimeve të rëndësishme ekonomike dhe uljes së ankthit politik e social.

SHBA, shkarkohet trajneri Klinsmann

Ka përfunduar aventura e Jurgen Klinsmann si trajner në drejtimin e stolit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjermani që është shpallur kampion bote në Itali 1990 si futbollist, u pushua nga detyra nga Presidenti i Federatës amerikane të Futbollit, Sunil Guliti, që bëri të ditur se do t’i shpjegojë më vonë të detajuara arsyet e këtij vendimi. Klinsmann largohet nga përfaqësuesja me yje e shirita pas 5 vjet eksperience në drejtimin e saj, që nga 29 qershori i 2011 kur mori këtë detyrë, duke i çuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës deri në fazën e 1/8 në Botërorin e 2014 të zhvilluar në Brazil.
Fatale për trajnerin gjerman, në fushatën e kualifikueseve të Rusi 2018, disfata e pësuar në shtëpi nga Meksika dhe humbja tronditëse që e pasoi me poshtërimin 4-0 nga Kosta Rika, që i lë Shtetet e Bashkuara të Amerikës me zero pikë në fund të grupit eliminator. Në të njëjtën kohë nuk kanë munguar dhe kritikat e ndryshme, me Klinsmann që është akuzuar se paguan politikën e tij për të hedhur sytë nga lojtarët që luajnë në Europë për grumbullimin, duke i kushtuar pak vëmendje futbollistëve të Major League Soccer.

Ndryshimet, 1 noter për 10 mijë banorë

1 noter për 10,000 banorë. Ky është një prej ndryshimeve që pritet t’i nënshtrohet ligji për noterinë në Shqipëri. Deri tani, numri i noterëve dhe shpërndarja e tyre përcaktohej nga ministri i Drejtësisë, i cili kishte të drejtë që çdo dy vjet të bënte rishikime. Ky ndryshim pritet të sigurojë një mbulim dhe shërbim më të mirë për popullatën.
Për presidenten e Dhomës Kombëtare të Noterisë, Mimoza Sadushi, ndryshimet që parashikohen të bëhen në ligjin që rregullon këtë profesion janë pozitive. Sipas saj, përcaktimi i numrit të noterëve me ligj do të përmirësojë shërbimin dhe do të forcojë edhe më tej rolin e këtij profesioni. Një tjetër ndryshim që ajo thekson ka të bëjë edhe me faktin se noterët do t’i nënshtrohen edhe një tjetër konkurrimi përpara provimit që bëhet për të marrë licencën. Vetëm nëse noteri do të marrë pikët e duhura, do të mund të kalojë te provimi i licencës. Kjo gjë do të vlejë edhe në rastin kur licenca mund të trashëgohet te fëmijët, të cilët do të duhet t’i nënshtrohen këtij konkurrimi.
Për herë të parë, thotë znj. Sadushi, do të krijohet një qendër trajnimi, e cila do të ngrihet pranë Dhomës Kombëtare të Noterisë. Pranë kësaj qendre noterët që do të duan të pajisen me licencë, duhet të trajnohen për një periudhë të caktuar kohe (9 muaj) dhe më pas do t’i nënshtrohen konkurrimit. Ky i paraprin dhe kushtëzon hyrjen në provimin që realizon Ministria e Drejtësisë për dhënien e licencës. Licenca e noterit nuk rifreskohet, ajo nuk ka afat.
Një tjetër risi, që nënvizon znj. Sadushi, është ngritja e bordeve pranë Dhomës Kombëtare të Noterisë, si ai i Disiplinës, i Auditimit dhe i Trajnimeve. Trajnimet parashikohet të ofrohen kundrejt pagesave, por që do të jenë të arsyeshme. Në ligj nuk parashikohen ndryshime sa i përket stazhit që duhet të bëjnë noterët dhe që është dy vjet, sikundër deri më sot.
Gjithashtu do të vazhdojë të mbetet e drejtë e ministrit të Drejtësisë dhënia apo heqja e licencave në fushën e noterisë.
Në këtë mënyrë, thotë znj. Sadushi, synohet forcimi i rolit të noterëve, si dhe ai i Dhomës Kombëtare të Noterisë.
Në ligj parashikohen ndryshime edhe në përbërjen e anëtarëve që udhëheqin provimin e marrjes së licencës. Kështu përbërja e re do të jetë: dy përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, dy nga Dhoma dhe një nga Magjistratura ose fakulteti.
Numri i noterëve në Shqipëri aktualisht llogaritet në 475, por kjo shifër nuk pritet të ndryshojë me ndryshimet në ligj.