20.5 C
Tirana
E hënë, 5 Maj, 2025

Ekipi i Trumpit është gati!

Merr formë mes polemikave ekipi qeverisës i Donald Trumpit. Më pak se dy javë pas zgjedhjes së tij, mbeten për t’u plotësuar disa vende të rëndësishme në administratën e re, por tendenca në rolet kryesore deri më sot është në avantazh të besnikëve, gjë që nuk e zbut debatin mbi zgjedhjen e manjatit dhe mungesën e diversitetit.
Reince Preibus Emërimi i parë i presidentit të zgjedhur ishte Reince Preibus si “shef i stafit”, një nga detyrat më të larta në Shtëpinë e Bardhë. Zgjedhja e shefit të stafit ka qenë për një “të brendshëm” në Uashington, kryetari i Partisë Republikane, i cili ka kërkuar që të veprojë si një urë mes “mbretit të tullave” dhe establishmentit.
Steve Bannon Emërimi i Steve Bannon si kryestrateg ka qenë deri tani më i diskutueshmi. Një “ish” tek Goldman Sachs dhe për katër vjet në krye të faqes ultrakonservative të internetit “Breitbart News”, Bannon është i lidhur me lëvizjen “alt right”, e lidhur me ideologjinë e supremacisë të së djathtës radikale. Ai, megjithatë, ka shpjeguar për “Hollywood Reporter” se nuk është një “nacionalist i bardhë, por një nacionalist ekonomik”. “Ne do të krijojmë një lëvizje të re politike që kombinon populizmin dhe nacionalizmin, të fokusuar në punën, – tha ai – do të jetë më mirë se revolucioni Reagan, konservatorët do të habiten”.
Michael Flynn Gjenerali me tri yje në pension, të cilit Trumpi i ka ofruar postin e këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, është një besnik i manjatit. Ai më parë ka drejtuar Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes nën Barack Obamën dhe ishte shumë kritik ndaj administratës së tij në luftën kundër ISIS. Sipas tij, kërcënimi që vjen nga Shteti Islamik duhet të kundërshtohet me veprime më agresive ushtarake dhe ai beson se Uashingtoni duhet të bashkëpunojnë më shumë me Rusinë.
Jeff Sessions Senatorit të Alabamas, gjithashtu një mbështetës i orëve të para të Trumpit, i është ofruar posti i sekretarit të Drejtësisë, një vendim i cili nuk vonoi të ngjallë kritika. Në të kaluarën emërimi i tij si gjyqtar federal është bllokuar për shkak të komenteve të tij raciste dhe ai është i njohur për linjën e ashpër kundër emigracionit. Për të, konfirmimi nga Senati është i nevojshëm.
Mike Pompeo Kongresmen i Kansasit dhe anëtar i Komitetit të Inteligjencës në Kongres, Mike Pompeo do të jetë drejtori i ardhshëm i CIA-s. Ai është një nga kundërshtarët më të fortë të marrëveshjes për çështjen bërthamore me Iranin dhe një mbështetës i mbajtjes së burgut të Guantanamos. Pompeo ka kritikuar ashpër Hillary Clintonin për Bengazin, duke e quajtur sjelljen e saj “moralisht të dënueshme”.
Mitt Romney Ish-kandidati presidencial në vitin 2012, u takua me Trumpin në vendpushimin e tij të golfit në New Jersey dhe është një prej kandidatëve të përshtatshëm për sekretar Shteti. “Biseduam për çështjet ndërkombëtare të sigurisë – tha Romney. Një takim shumë produktiv”. Romney ishte një nga kritikët më të ashpër të miliarderit gjatë fushatës zgjedhore, me të cilin shkëmbeu komente të helmëta, por tani mund të hyjë në administratën e re. Zgjedhja e republikanit të moderuar do të jepte një sinjal të rëndësishëm për afrimin me establishmentin e Partisë Republikane.
Rudy Giuliani Ish-kryetari i Bashkisë së New Yorkut, Rudy Giuliani, i futur në histori për politikën e tij të “tolerancës zero” ndaj krimit, konkurron për sekretariatin e Shtetit. Besnik i “The Donald”, mbështetës pa kushte i luftës ndaj ISIS dhe sloganit “Make America Safe Again”, është mbështetur nga ndihmësit më të afërt të Trumpit, por jo nga përfaqësuesit e Partisë Republikane.
Nikki Haley Guvernatore e Karolinës së Jugut, e bija e emigrantëve indianë, është një tjetër kandidate për rolin e sekretarit të Shtetit dhe është pothuajse e vetmja grua që përmendet në mesin e kandidatëve për administratën e re. Burime të afërta me presidentin e zgjedhur thonë se gjasat janë që në fund zgjedhja të bjerë mbi të.
Chris Christie Emri i guvernatorit të New Jersey-t, shumë afër Trumpit, është në mesin e atyre në listën për sigurinë e brendshme, Ministrinë e Transporteve ose atë të Tregtisë. Tashmë përjashtuar nga drejtuesit e “ekipit të tranzicionit”, kundër tij është burri i Ivankas, Jared Kushner, i cili dëshiron ta bëjë të paguajë për mosmarrëveshjet e vjetra personale.

Angela Merkel, e vetme në betejën e katërt!

Kancelarja Angela Merkel kandidon për herë të katërt, por në këtë betejë “Mbretëresha e Gjermanisë” është e goditur rëndë politikisht. Politika e saj është mjaft e kontestuar.
Nuk ka qenë shumë e vështirë të përfytyroje në vitet e fundit imazhin e Merkelit si femër dhe politikane, ajo përmblidhej shkurt me togfjalëshin – një histori suksesi. Ne habiteshim vërtet për stilin jo të zhdërvjellët, për daljet e saj publike disi të thata, për retorikën modeste. Prej kohësh mbeti pa përgjigje pyetja, pse një politikane si ajo të kishte kaq sukses dhe të rrezatonte një autoritet të tillë.
Tani dimë më shumë: Besueshmëria e saj është e pakontestuar. Askush nuk mendonte, se ajo ndjek interesa të tjera veç atyre të kancelares. Edhe stili i saj pak i ftohtë në politikë, kishte diçka qetësuese, po ashtu edhe me jetën e saj private aspak luksoze, ajo fitonte pikë: Merkeli gatuante vetë, shkonte në pushime për alpinizëm – kancelarja i shërbente imazhit të shumë gjermanëve, një kancelare si një gjermane e zakonshme. Në vitin 2013 në fund të duelit televiziv me rivalin e saj demokrat, Peer Steinbrück të socialdemokratëve, ajo iu përgjigj pyetjes së moderatorit për mesazhin ndaj votuesve: “Ata më njohin”. Kjo ishte pozitive, dukej e llogaritur. Po sot shumë vetë nuk e dinë se ç’presin prej Merkelit.

E vetme pa miq
Kjo funksionoi sa kohë që bota ishte ende në rregull. Pra, para krizës së refugjatëve, para Brexit, para Trump. Tani Merkel duhet të përballet me stuhi. Sepse vetëm të dhënat për numrin e ulët të papunësisë, rritjen solide ekonomike dhe arkave të mbushura nuk i qetëson të gjithë. Gjermania, Europa, bota është polarizuar. Kohë të vështira. E numri i partnerëve të vështirë në komunikim shtohet.
Merkel i ka treguar vendin Putinit, disa herë, por në atë kohë imazhi i saj në Gjermani ishte i paprekur ndërsa brenda BE-së ajo ishte një grua me pushtet. Këtë dobësi aktuale, të qenurit e sulmueshme e shfrytëzon edhe presidenti Erdogan, burri i fortë i Bosforit. Madje edhe vende të vogla juglindore, që kërkonin gjithmonë mbështetjen e Gjermanisë që të bëheshin pjesë e familjes së BE-së, janë bashkuar politikisht kundër “kancelares së Europës”, sepse ata kanë nxjerrë në rang të parë shtetin kombëtar. Para këtij sfondi Merkel mbetet të jetë, siç shkroi “New York Times” “mbrojtësja e fundit e Perëndimit liberal”.
Për ta bërë këtë në plan afatgjatë, në shtator të vitit të ardhshëm, asaj i duhet një mazhorancë që të konfirmohet si kancelare, gjë që ka shumë gjasa të ndodhë. Por në rrugën deri në mandatin e ri ka shumë pengesa. Presidentin e ri federal e ofrojnë socialdemokratët: Një dëftesë jo pozitive për partinë më të madhe dhe kryesuesen e koalicionit. Merkel priti gjatë, derisa Sigmar Gabriel krijoi fakte. Kjo do të regjistrohet në kronikë si dështim i saj.

Tërmeti politik
Deri para vitit 2015, vitit të valës së madhe të refugjatëve kaluan më shumë se 10 vite që shkruan historinë e Merkelit. Historia e saj, fëmijëria, rinia, studimet në RDGJ, sfondi i familjes protestante, pak lidhje politike, por shenja të vullnetit- të gjitha këto të lidhura me ndryshimin e vitit 1989 e bënë Merkelin të ngjitej në sistemin politik të burrave, pas epokës së Helmut Kohlit. Në kohën kur Kohl humbi “shenjtërinë” për shkak të një afere donacionesh të partisë së tij, ende të pasqaruar, ajo ndërhyn me energji dhe zgjidhet në vitin 2000 si kryetare e partisë, CDU. Ora e lindjes së mitit Merkel – me tendencë ngjitjeje deri në verën 2015.
Që atëherë realiteti ka ndryshuar shumë më shpejt se politika. Në politikën e refugjatëve u duk se Merkeli kishte gjetur temën e saj, më shumë se kaq, ajo kishte një vizion politik. Në vend të imazhit të njohur për heshtje të gjatë, vendime të vonuara, ajo tregoi vullnet për të marrë vendime – së paku gojarisht. Një akt human, pa llogari politike, “një moment i bukurisë politike”, shkroi më vonë “Der Spiegel”. Prej kohësh ajo pjesërisht është penduar për atë që nuk mund të parashikonte dot në pjesën e dytë të 2015-s, nuk dëshironte të ndalte: Futjen e pakontrolluar të qindra mijëra refugjatëve. Që atëherë dëgjoheshin zëra: E di ajo se ç’bën?

Humbje kontrolli në kufi
Angela Merkel nuk ia doli dot që momentin historik ta kthente në një politikë racionale. CSU u ngrit kundër saj, landet gati nuk e përballonin dot më fluksin, frika reale dhe ajo e imagjinuar në shoqëri u rritën, gjë që ndihmoi rritjen e AfD-së. Madje edhe në partinë e saj pati shumë zëra kritikë. Kësaj i shtohet humbja e reputacionit në BE. Fillimisht kancelarja lejon hapjen e kufijve për qindra mijëra refugjatë, pa ujdi me partnerët europianë për shpërndarjen e barrës me vendet e tjera. Pasoja: Kur iu deshën Merkelit, partnerët europianë i kthyen kurrizin.
Ka shumë gjasa – nëse mund të bëhen më parashikime – që Merkel të jetë kancelare për një mandat të katërt. Kjo për faktin se ajo me unionin që ka pësuar humbje, bashkë me socialdemokratët e rrënuar në elektorat mund të krijojë një koalicion me bazë të gjerë. Por a do të ishte ky vullneti i votuesve, përgjigjja ndaj votuesve të protestës? Problemi i saj: Merkeli është vërtet personi Nr. 1 brenda CDU/CSU në zgjedhjet e Bundestagut, por ajo do të ishte kancelare e një peizazhi politik mjaft të polarizuar. Vitet më të vështira Merkel i ka përpara. Këtu mbetet e hapur edhe pyetja, nëse Merkel mund ta vendosë vetë fundin e epokës së saj si kancelare.

Obama takohet me presidentin Putin

Sipas një njoftimi të Shtëpisë së Bardhë, Presidenti i SHBA-së, Barack Obama dhe Presidenti rus, Vladimir Putin, biseduan shkurtimisht për Sirinë dhe Ukrainën gjatë punimeve të samitit të APEC-ut në Peru. Ky është takimi i tyre i parë pas fitores së zgjedhjeve në SHBA nga Donald Trump.
Të dy udhëheqësit janë duke marrë pjesë në takimin e Bashkëpunimit Ekonomik të Paqësorit, që pritet të përqendrohet tek çështja e tregtisë dhe e Presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump.
Më herët dje, Presidenti Barak Obama përcolli një mesazh optimizmi në një takim me 1 mijë të rinj aktivistë nga Amerika Latine dhe Karaibet, në Peru. “Mos paramendoni më të keqen”, tha ai, duke iu referuar shqetësimeve për presidencën e ardhshme Trump.
Zoti Obama u prit me entuziazëm nga të rinjtë e mbledhur në Lima të Perusë, ku ai iu përgjigj pyetjeve nga salla. Ai i inkurajoi ata duke u thënë se kanë në dorë të ardhmen e tyre dhe se nuk duhet të ushqejnë frikë për presidentin e ardhshëm amerikan. Fushata nuk është gjithmonë parathënie e mënyrës si qeveris një president, tha zoti Obama. Fushata shpesh zhvillohet me synimin për të mobilizuar bazën, por qeverisja bazohet në realitetin konkret dhe zgjidhjen e problemeve, u shpreh presidenti amerikan para të rinjve.
Pas takimit të hapur me të rinjtë, zoti Obama zhvilloi dje bisedime me presidentin kinez, Xi Jinping, ku u diskutua kërcënimi i ambicieve bërthamore të Koresë së Veriut.
Dy udhëheqësit folën edhe për Marrëveshjen e Parisit për të penguar ngrohjen e planetit, një nga shembujt e bashkëpunimit mes dy fuqive botërore.
Zoti Obama ndodhet në Lima për Takimin vjetor për Bashkëpunim Ekonomik në Azi-Paqësor.

Francë, 7 të arrestuar për terrorizëm

Autoritetet në Francë thonë se e kanë shkatërruar një qark terrorist, që kishte përgatitur komplot në Francë.
Ministri i Brendshëm, Bernard Cazeneuve, tha dje se 7 individët me origjinë franceze, marokene dhe afgane, janë arrestuar në qytetet Strasburg dhe Marsej, gjatë fundjavës.
Arrestimi i të dyshuarve të moshës ndërmjet 29 dhe 37-vjeçare, “na mundëson ta parandalojmë sulmin terrorist të përgatitur gjatë në tokën tonë”, tha ministri Cazeneuve.
Ai nuk e ka identifikuar cakun e sulmit të planifikuar.
Franca mbetet në gjendje të jashtëzakonshme, një vit pas sulmeve nga militantët e Shtetit Islamik (IS) në Paris, nga të cilat ishin vrarë 130 vetë.
Ministri Cazenueve tha se 418 vetë janë arrestuar në kuadër të operacioneve antiterror prej fillimit të këtij viti.
Strasburgu është në gjendje alarmi të nivelit të lartë para fillimit të tregut të Krishtlindjeve më 25 nëntor.

Obama në APEC: Jepini një shans presidentit të ri!

Në konferencën e APEC-ut, Bashkësisë Ekonomike të Aziatik-Paqësorit, kaloi si një fantazmë që sjell frikë dhe shqetësim zgjedhja e Donald Trumpit si president i Shteteve të Bashkuara. Por presidenti Barack Obama ende në detyrë u përpoq t’i qetësojë shtetet e APEC-ut. Ai u shpreh se zgjedhja e çdo presidenti sjell pasiguri. Obama kërkoi që t’i jepet një shans presidentit të ri. “Nuk është e njëjta gjë si të bësh fushatë elektorale dhe si të qeverisësh”, tha ai.

Apel për tregtinë e lirë
Megjithatë emri Donald Trump lidhet drejtpërdrejt me proteksionizmin, të cilit i tremben shumë krerë shtetesh në takimin e Perusë. Refuzimi i marrëveshjeve të tregtisë së lirë ishte tema qendrore në fushatën e Trump. Kryeministri i Zelandës së Re, John Key tha se proteksionizmi nuk mund të jetë rruga e vetme. “Ka një dëshpërim të madh, sepse Trump vë pikëpyetje mbi të gjitha arritjet e grupit të APEC-ut. Por edhe sikur Shtetet e Bashkuara të mos duan të marrin pjesë në tregtinë e lirë, presidenti Trump duhet ta dijë se ka shtete të tjera që e dëshirojnë dhe duan të bëjnë këtë”.
Ky apel nuk drejtohet vetëm për Zelandën e Re dhe dhjetë shtetet e Paqësorit, me të cilët SHBA po punonin për krijimin e zonës më të madhe të tregtisë së lirë në botë, e nxitur edhe nga Obama dhe e menduar fillimisht si mur kundrejt Kinës, që po ashtu e kërkonte një zonë të tillë konkurrente.

Obama për dialog dhe demokraci
Ndërkohë tani Kina kërkon që të nxisë bashkëpunimin në një projekt, ku të marrin pjesë të 21 shtetet e APEC-ut, nën drejtimin e Kinës. Kina nuk do të mbyllë dyert, ka thënë kreu i shtetit kinez, Xi Jinping. “Ne ndajmë qëndrimin, që të gjitha vendet pjesëmarrëse të APEC-ut, të punojnë në frymën e partneritetit për të krijuar një ekonomi botërore stabël, të qëndrueshme me një rritje ekonomike të ekuilibruar”.
Ndërkohë Obama në Peru sërish u shpreh pas turit të lamtumirës në Greqi dhe Gjermani, për dialog dhe demokraci. “Jam një amerikan krenar. Puna ime si president është të mbroj interesat e vendit tim. Por unë them gjithmonë, se mënyra më e mirë për të mbrojtur interesat amerikane është jo vetëm të shohim veten, por edhe fqinjin tonë. Se nëse digjet shtëpia e tyre, vjen dita të digjet edhe shtëpia jonë”. Në Lima u zhvillua shkurt takimi i pritur me shumë interes mes presidentit Obama dhe atij rus, Vladimir Putin. Marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Moskës janë në krizë për shkak të luftës në Siri. Obama u shpreh se ka kërkuar nga Putin zbatimin e marrëveshjes së Minskut. Ai kritikoi politikën ruse në Siri.

Manxukiç lë në hije 94 milionë euro

Situata e Gonzalo Higuainit sa vjen e bëhet më e vështirë. Pas kombëtares, tani edhe në Torino, sulmuesi që u pagua 94 milionë euro nuk po jep rendimentin e kërkuar, edhe pse trajneri Masimiliano Alegri vazhdon ta mbrojë: “Ka shënuar 10 gola mes kampionatit dhe Champions-it, nuk jam i shqetësuar për të”. Por ndërkohë, 49-vjeçari nuk ka ngurruar kurrë së bëri komplimente për kroatin, i cili edhe kur nuk ka shënuar ka marrë gjithmonë “përkëdheljet” e livornezit: “Higuain është një bishë, një që ndoshta nuk po shënon sa pritet, por ai ndihmon jo vetëm sulmin, por edhe mesfushën dhe mbrojtjen dhe kaq më mjafton”.
Dhe ndoshta Alegri ka shumë të drejtë, sepse ndoshta Mario Manxukiç ka pasur vetëm gjysmën e hapësirës së “El Pipita”-s, por tani që Paulo Dibala dhe Marko Pjaca janë jashtë për dëmtim, ballkanasi po tregon vlerat e tij të vërteta dhe nuk ka ngurruar që të lërë në hije atë që u pagua 94 milionë euro. Nëse e gjithë media nënvizon se, Higuain nuk përshtatet me Manxukiçin, kjo nuk duket shumë e vërtetë, duke parë se ish-bomberi i Atletikos nuk e vuan këtë fakt, pasi shifrat e konfirmojnë këtë.
Nëse argjentinasi ka shënuar vetëm 2 gola (1 kundër Lionit, 1 kundër Napolit) në 7 daljet e fundit me Juventusin, pikërisht, duke pasur përkrah kroatin, ky i fundit po shkëlqen, madje duke qenë edhe vendimtar për bardhezinjtë, në katër ndeshjet e fundit. Mario Manxukiç numëron 3 gola dhe ka dhënë një asist, duke qenë ai tashmë pika e referimit për sulmin e kampionëve të Italisë.
Prandaj, nëse dikush mendon se kundër Sevijes, në Champions, Masimiliano Alegri do t’ia besojë të gjithë sulmin Gonzalo Higuainit, janë shifrat ato që e ndalojnë trajnerin e torinezëve që të heqë dorë nga një “killer” zone si Manxukiç, i cili gjithsesi nuk e sheh këtë fakt si një mundësi për t’u mburrur ndaj shokut të repartit:
“Më vjen të qesh kur dëgjoj se, unë dhe Higuain jemi në luftë me njëri-tjetrin. Gonzalo është një bomber madhështor, i cili do të rikthehet shpejt te goli. Unë nuk jam në garë me atë. E vetmja garë që bëjmë, është ajo kundër rivalëve tanë për të fituar të gjithë trofetë sivjet”, u shpreh “Super-Mario”.

Çmenduri për Mesin

Klube të ndryshme janë gati të bëjnë çmenduri për të siguruar Lionel Mesin dhe sipas “El Mundo”, një prej tyre ka bërë një ofertë të pabesueshme për yllin argjentinas. Atij i janë ofruar 100 milionë euro, nëse nuk do të rinovojë kontratën e tij me Barcelonën dhe të largohet me parametër zero nga katalanasit në vitin 2018. Sipas gazetës në fjalë, klubi i cili nuk është identifikuar, do të evitojë pagesën e një klauzole largimi të futbollistit, nëse do të arrijë ta bindë që brenda dy viteve të ardhshme të ndërrojë skuadër.
Në fakt, Mesi ka refuzuar rinovimin që i ka propozuar Barcelona dhe mendohet se do të presë fundin e kontratës së tij në vitin 2018, para se të vendosë se ku do të vazhdojë karrierën e tij. Një pagesë bonus prej 100 milionë eurosh, sigurisht që mund ta ndihmojë ta marrë më lehtësisht këtë vendim.
Mesi është duke zvarritur nënshkrimin e kontratës së re dhe kjo ka detyruar presidentin e Barcelonës, Josep Maria Bartomeu të shqetësohet dhe të nisë menjëherë kontaktet me babain e argjentinasit. Sipas burimeve të tabloidit britanik “The Sun” së fundmi Josep Maria Bartomeu ka telefonuar babain e Lionel Mesit për të gjetur një marrëveshje të rinovimit të kontratën me klubin katalanas.
Por sipas informacioneve të fundit, Mesi po zvarrit rinovimin për shkak të pagesës financiare, e cila kërkohet të jetë unike prej 825 mijë stërlinash në javë. Kjo është një shifër e ‘çmendur’ dhe pa përballueshme për Barcelonën, e cila është duke u përpjekur për ta bindur Mesin me mënyra të tjera.
Sipas raportimeve të medieve britanike pritet një takim i fundit mes tyre për të vendosur përfundimisht të ardhmen e argjentinasit, i cili kohët e fundit është përfolur për një largim të mundshëm nga ‘Camp Nou’. Ditë më parë, “Marca” ka publikuar refuzimin të kontratës së Mesit, një lajm i cili çdo ditë bëhet akoma edhe më i besueshëm, pasi krerët e Barcelonës po vijojnë me këmbëngulje bisedimet me argjentinasin.
Së fundmi ishte presidenti i klubit katalanas, Bartomeu, ai i cili qetësoi tifozët e Barcelonës, duke thënë se Mesi do të përfundojë karrierën në ‘Camp Nou’, por pa treguar asnjë veprim konkret.

Ronaldo: Kam bërë gjithçka për ta merituar “Topin e Artë”

Cristiano Ronaldo mendon se nuk ka çfarë të japë më tepër për të fituar “Topin e Artë”, çmim që jepet nga prestigjiozja “France Football”. Sulmuesi portugez, autor i një tregolëshi në derbin me Atleticon e Madridit u shpreh për mediat franceze, se nuk është i fiksuar për ta fituar këtë çmim, pasi rezultati i votimit nuk varet më nga ai.
“Kam bërë gjithçka për ta merituar “Topin e Artë”. Kam fituar Championsin dhe Kampionatin Europian me Kombëtaren Portugeze. Ka qenë një sezon i pabesueshëm, më i miri për mua. Por, votimi nuk varet nga unë, ndaj nuk mund të jem i fiksuar për këtë çmim. Sigurisht nëse do të më pyesnit, do të përgjjigjesha se dëshiroj shumë ta fitoj “Topin e Artë”, për këtë nuk mund të gënjej”, u shpreh Ronaldo.
Edhe trajneri Zinedinë Zidane u shpreh pas suksesit në derbi që Cristiano praktikisht e ka fituar “Topin e Artë”, për gjithçka ka arriur gjatë 2016-ës, por edhe “luzitani” nuk i kurseu lëvdadat për trajnerin e tij. “Marrëdhëniet e mia me Zidane janë fantastike. Kam qenë fans i tij, kur ai luante futboll, por tani që ai është trajner, jam edhe më shumë. Zidane është një njeri i mirë me një karakter të veçantë. Ai po mëson më shumë si trajner”, tha ai.
Në fund, Ronaldo foli edhe për kontratën e tij të re me Realin që skadon në vitin 2021. Ai theksoi se praktikisht do ta mbyllë karrierën te “Los Blancos”, por nuk e ka të qartë se çfarë do të bëjë, pasi të varë këpucët në gozhdë.

Inter, Moratti me elozhe për Piolin

Massimo Moratti, vlerëson Stefano Piolin. Interi që u pa në fushë në derbin ndaj Milanit, ka kënaqur ish-presidentin e klubit zikaltër, i cili ka thurur elozhe për teknikun e ri. “Vura re që pasioni i tij i është transmetuar edhe skuadrës që ndaj Milanit luajti me shumë karakter. Ky barazim ishte i rëndësishëm, sepse do të ishte një zhgënjim i madh për ne po të kishim humbur një sfidë të tillë, të cilën e luajtëm shumë mirë dhe kishim epërsi territoriale ndaj kundërshtarit gjatë gjithë kohës”, theksoi fillimisht Moratti.
Më pas, manjati italian përgënjeshtroi zërat që flasin për një rikthim të tijin te Interi. “Unë do të vazhdoj të jem një tifoz, por nuk do të rikthehem në klubin zikaltër, Interi tashmë ka drejtues të aftë për t’i bërë gjërat mirë”, nënvizoi ish-numri 1.
Me barazimin në derbi, Interi i Stefano Piolit pozicionohet 8 pikë larg zonës Champions dhe 5 ndeshjet e ardhshme nga tani e deri për Krishtlindje, do të jenë vendimtare për ecurinë e këtij sezoni. Interi përjashto, Juventusin ka 7 skuadra përpara në renditje, dhe tashmë hapat falsë për skuadrën zikaltër janë të ndaluar.

Konte: Krenar për këtë skuadër

“Jam shumë krenar, por duhet të vazhdojmë në këtë rrugë. U thashë lojtarëve se duhet ta nisnim mirë pas pushimeve ndërkombëtare dhe mendoj se patëm përqendrimin e duhur për të fituar një ndeshje të vështirë”. Kështu e analizoi në vija të trasha, trajneri i Çelsit, Antonio Konte, fitoren e 6-të radhazi të skuadrës së tij.
“E dija që do të ishte e vështirë, sepse kjo skuadër është shumë mirë e organizuar dhe janë në një formë të mirë. Por ne e merituam fitoren, sepse shënuam një gol dhe krijuam shumë të tjera për një gol të dytë. Pesë minutat e para nuk ishin fortë të mira për ne.
E nisëm keq, por gjatë kalimit të minutave zotërimi i topit u përmirësua dhe nisëm ta qarkullojmë atë më shpejtë. Gjithashtu, nuk pësuam gol dhe nuk u dhamë shansin atyre për të na ndëshkuar. Kampionati nuk përfundon pas kësaj ndeshjeje, por është hera e parë që ne kryesojmë këtë sezon. Nuk do të jetë e lehtë. Tani do iu them se skuadra ka punë për të bërë”.