Bajern Mynih do të ketë mungesa të rëndësishme në ndeshjen që skuadra e Karlo Ançelotit luan në Ligën e Kampioneve ndaj rusëve të Rostov. Me ekipin nuk do të udhëtojë portieri Manuel Nojer dhe mesfushori Arturo Vidal, të dy të padisponueshëm për arsye dëmtimesh.
Nojer nuk mund të stërvitej gjatë ditës së sotme për shkak të një problemi në pulpë e si rrjedhojë është vendosur që të lihet pushim për t’u riaftësuar, duke qenë nën vëmendjen e stafit mjekësor që do të qëndrojë në Mynih. Ai pritet të jetë plotësisht i gatshëm për duelin e të shtunës ndaj Bajer Leverkusenit, ndërsa në Ligën e Kampioneve do të luajë Sven Ulreih, për të cilin do të jetë ndeshja e katërt si profesionist me Bajern Mynih.
Ndërkaq, për Vidal parashikohet një mungesë më e gjatë, pasi mesfushori kilian vuan nga dëmtimi i pësuar me kombëtaren e tij. Edhe pse ka shpresa që ai të riaftësohet për fundjavën, në stafin e bavarezëve nuk janë të sigurt se ai mund të luajë si titullar. Megjithatë, Ançeloti do të ketë në dispozicion dy futbollistë të tjerë, të cilët kishin shfaqur probleme në ditët e kaluara, Arjen Roben dhe Havi Martinez të cilët janë stërvitur rregullisht me grupin.
Bajern pa dy titullarë ndaj Rostov
Nice merr kryesimin, mposht Saint-Etienne
Pas disfatës së javës së kaluar ndaj Cean, Nice kthehet te fitorja dhe këtë e bën në transfertën me Saint-Etienne. Skuadra e drejtuar nga Lucien Favre fiton me rezultatin minimal 1-0 falë golit të Valentin Eysseric, të realizuar vetëm në minutën e 63-të të takimit. Me këtë sukses Nice merr kryesimin e Ligue 1, pasi shkon në kuotën e 31 pikëve duke lënë pas në renditje Monacon dhe Paris Saint-Germain me nga 29 pikë.
Derbi i “Madoninës” pa fitues!
Derbi i Milanos nuk pati një fitues, sepse Interi nuk mund ta humbiste një ndeshje ku luajti më mirë dhe pikërisht në fund, Perisiç mendoi të çonte topin në rrjetë për një barazim spektakolar 2-2 që të sjell në mendime derbet e dikurshme mes dy skuadrave. Milani në fakt, ishte shumë pranë fitores së dytë radhazi në sfidën ndërqytetase duke dashur të konfirmohet realisht si antiJuventus në Serie A, por pavarësisht se me shumë karakter dhe dëshirë tregoi se kishte kufizime në lojë përballë një Interi që luajti më mirë. Milani megjithatë tregoi se është më pragmatist dhe nga 3 goditje drejt portës në pjesën e parë të tria i pati në kuadrat, madje njërën prej tyre e dërgoi dhe në rrjetë, me Suson, që në të 43-tën ndezi “San Siron”.
Inter që realisht kishte qenë më këmbëngulës nuk e vonoi barazimin dhe në të 53-trën, arbëreshi Candreva shënoi me një goditje fantastike. Nga ky moment në fushë ishte vetëm Inter, ndërsa Milani u kënaq vetëm me Suson, që ishte i mjaftueshëm për t’i dhënë sërish epërsinë Milanit, pas një xhirimi dhe të Mirandës në zonë. Pasi gaboi në të 67-tën një gol të sigurtë, Perisiç nuk fali më në të 92-tën kur shfrytëzoi mjaft mirë një top në zonë për një barazim që ishte rezultati më i drejtë për këtë derbi.
Ançeloti nën akuzë
Karlo Ançeloti në qendër të kritikave. Trajneri i Bayernit të Mynihut, pas një nisjeje shumë të mirë të kampionatit, duhet të reagojë menjëherë dhe të gjejë zgjidhjet e duhura, pasi ekipi i tij këto javët e fundit lë shumë për të dëshiruar. Kjo jo vetëm për shkak të humbjes kundër Borussia Dortmund, por edhe të mënyrës së lojës. Si pasojë e kësaj ecurie me luhatje, mediat në Gjermani nuk kanë ngurruar ta vendosin italianin në bankën e të akuzuarve. Humbja kundër verdhezinjve dhe parakalimi në tabelën e klasifikimit nga skuadra e Laipzig, ka bërë që të rriten disi pakënaqësitë.
Akuzat shkojnë deri aty sa i cilësojnë bavarezët si një ekip pa identitet. Kampionët e Gjermanisë gjatë këtij sezoni kanë pasur dy takime shumë të rëndësishme ku në të dy rastet ata kanë humbur. Njëra kundër Atletico Madrid në Champions League dhe tjetra ndaj Borussia Dortmund në kampionat. Rreshtimi i trajnerit 4-3-3 duket se nuk i përshtatet Bayernit. Mbrojtja është një repart që fut ujë nga të gjitha anët. Dëmtimet gjithashtu janë një tjetër element që rëndojnë gjendjen e ekipit. Karlo Ançeloti tashmë ka detyrën t’u rikthejë bavarezëve identitetin, shkëlqimin e sigurisht kreun në tabelën e klasifikimit në Bundesligën gjermane.
Tre barazimet dhe dy humbjet e Ançelotit këtë sezon kanë vënë në rrezik edhe pozicionin e tij, të paktën për drejtorin e mediave të Dortmundit, Sasha Flige. Ky i fundit ka shkaktuar polemika gjatë konferencës për shtyp pas ndeshjes duke bërë shaka me trajnerin e Bajernit. Teksa dy trajnerët respektivë po jepnin analizat e tyre gjatë konferencës, strategu italian nxitonte pasi i duhej të kapte edhe avionin në Paderborn. Në fund drejtori i mediave të Borusias ka bërë ironi me Ançelotin.
“Nëse ka pyetje të tjera për trajnerin e Bajernit, ju lutem prisni sa t’i jap dorën. Faleminderit Karlo Ançeloti! Jeni i shkarkuar zyrtarisht. Udhëtim të mbarë dhe ju uroj suksese!”, iu drejtua Flige trajnerit të Bajernit. Me shprehjen e zëdhënësit të klubit verdhezi “Sie sind hiermit offiziell entlassen”, shumë prej përkthyesve të gjuhës gjermane janë keqkuptuar. Shprehja e drejtorit të mediave ka qenë tendencioze dhe përkthehet në formën e shkarkimit, por ai e kishte fjalën që Ançeloti mund të largohej nga podiumi.
Në fakt, drejtori i mediave të Dortmundit pa dashur u ka tejçuar një mesazh indirekt drejtuesve të klubit bavarez. Dhe sa kohë do i duhet Ançelotit për t’i dhënë ekipit imazhin dhe formën e duhur, në mënyrë që të ketë rezultate? Pas tri barazimeve dhe një humbjeje në Bundesligë në 11 ndeshje, stoli i Ançelotit edhe mund të tronditet. Nëse kampionati është i gjatë dhe italiani ka kohë të korrigjohet, fati i tij pritet të varet nga rezultatet në Champions.
Kthehet Sadiku, luan në pjesën e dytë tek Zyrihu
Lajme të mira për kombëtaren shqiptare nga Chellenge League në futbollin zviceran. Armando, Sadiku, i cili u mungoi kuqezinjve në dy sfidat e fundit me Spanjën dhe Izraelin, ka lënë pas dëmtimin duke u aktivizuar në pjesën e dytë në fitoren 0-4 të Zyrihut në fushën e Servette. Trajneri i Zyrihut, Ulrich Forte preferoi t’i jepte vetëm disa minuta në këmbë 25-vjeçarit, i cili ende nuk është i gatshëm për të përballuar një 90 minutësh të plotë. Sadiku zëvendësooi në minutën e 77-të Sarr, kur rezultati ishte 0-3.
Zyrihu shënoi një tjetër gol në të 87-ën me sulmuesin kuqezi në fushë. Në fakt Sadiku u përfshi në listën e të grumbulluarve nga De Biasi për ndeshjen e “Elbasan Arenës” me Izraelin, me shpresën se mund të rikuperohej në kohë, por stafi teknik vendosi ta linte në tribunë për të mos rrezikuar me një aktivizim të parakohshëm, që mund të ndikonte edhe më keq në gjendjen fizike të futbollistit. Sadiku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në gju, për shkak të dëmtimit të meniskut, duke qëndruar për rreth dy muaj jashtë fushave të blerta.
Migjen Basha fiton mesfushën e Barit
Migjen Basha kthehet në protagonist te Bari në Serinë B italiane. Mesfushori kuqezi i hapi rrugën fitores 2-0 përballë Carpit, duke vulosur edhe suksesin e parë për teknikun Colantuono në stol. Një gol i shkëlqyer nga distanca, me të cilin 29-vjeçari fitoi zemrat e tifozëve, ndërsa rimori edhe mesfushën e skuadrës në dorëzim, që me ndryshimin në stafin teknik e riktheu në rolin e tij natyral në qendër.
Përveç rrjetës së realizuar dhe detyrave të zakonshme në mesin e fushës, ish-mesfushori i Torinos ishte mes më aktivëve për bardhekuqtë. Gjithmonë reaktiv, me vizion të admirueshëm loje, duke qenë i pranishëm edhe në fazën sulmuese, shqiptari i lindur në Lozanë të Zvicrës ishte rreziku kryesor i Barit.
Ajo përballë Carpit ishte ndeshja e 290-të si profesionist për kuqeziun, me 10 klube të ndryshme mes të cilave me Atalantën dhe Torinon në Serinë A.
Shifër jubilare e festuar në mënyrën më të mirë të mundshme, për golin që i mungonte prej majit të kaluar, kur mbronte ngjyrat e Como-s. Në pritje të përforcimeve nga merkatoja e janarit, me Migjen Bashën të rikthyer në nivele të larta, Bari e ka gjetur pikën e referimit në fushë.
Berisha shkëlqen në Serinë A
Portierët kuqezi shkëlqejnë në Serinë A. Etrit Berisha dhe Thomas Strakosha vazhdojnë të tregojnë një formë të shkëlqyer pikërisht në kampionatin që shquhet si një shkollë e pakonkurrueshme në prodhimin dhe formimin e portierëve cilësorë. Në javën e 13-të të Serisë A, “gardiani” i Atalantës u shndërrua në një mur të pakalueshëm për sulmuesit e Romës, veçanërisht për Salah, duke u dorëzuar vetëm në momentin e ekzekutimit të 11-metërshit nga Perotti në fitoren 2-1 të “bergamaskëve”. Nota 7 e dhënë nga specialistët e futbollit italian për 27-vjeçarin ishte ndër më të lartat për Atalantën, që falë edhe paraqitjeve të Berishës është surpriza e Serisë A në këtë fazë të parë.
Nga Etrit Berisha te Thomas Strakosha, një tjetër titullar kuqezi këtë radhë në portën e Lazios, që fitoi 3-1 në “Olimpico” me Genoan. Pas ndeshjes, trajneri i “bardhekaltërve” Simone Inzaghi edhe pse u mundua ta justifikonte mungesën e Marcchetit me një problem muskular, e pranoi se 21-vjeçari shqiptar është kërcënim serioz për pozicionin e italianit. Prania e Strakoshës në 11-shen bazë sipas Inzaghit është krejtësisht e merituar dhe këtë e tregojnë edhe rezultatet e arritura me shqiptarin në fushë. Nuk është e rastësishme që drejtuesit e Lazios i kanë ofruar rinovimin Strakoshës, çka do të thotë se ai konsiderohet e ardhmja e lacialëve, me Marcchettin që nuk e ndihmon më as mosha në duelin me portierin e kombëtares kuqezi.
Strakosha i ka kaluar me sukses të gjitha etapat te Lazio, që kur mbërriti në kryeqytetin italian katër vite më parë. Të njëjtën gjë ka bërë edhe në kombëtare, teksa së fundmi është grumbulluar nga De Biasi te kuqezinjtë, ku aktualisht konsiderohet portier i katërt, pas Berishës, Hoxhës dhe Shehit. Mosha e re dhe aktivizimi në vazhdimësi në një prej kampionateve më të forta në Europë, do t’i jepte përparësi ndaj kolegëve në përfaqësuese, ku sigurisht për momentin mbetet zgjedhje e parë Etrit Berisha.
Vjedhja në CEZ, vjen dëshmia e Berishës del blof Palla i Ramës
Zëdhënësja e ish-Kryeministrit Berisha ka deklaruar se dëshmia e Berishës në Komisionin për CEZ do të bëhet në seancën e ardhshme për shkak të pamundësisë objektive për të qenë i pranishëm dje në Komision. Ajo e ka konsideruar sharlatanizëm reagimin e Ballës. “Ju njoftoj se zoti Berisha nuk është paraqitur sot në komisionin hetimor parlamentar për CEZ për arsye objektive, gjë e cila është bërë me dije zyrtarisht në komision nga nënkryetari i këtij komisioni, zoti Arben Ristani. Zoti Ristani ka njoftuar gjithashtu se zoti Berisha do të jetë i pranishëm në mbledhjen e radhës së këtij komisioni.
Çdo deklaratë e bërë nga Taulant Balla është si gjithmonë thjesht një sharlatanizëm i bërë nga një individ i pafytyrë dhe pa identitet”, thuhet në një reagimin e zëdhënëses Mëhilli.
Edhe Kokëdhima kërkon revoltë: Koha e përmbysjes
Ish–deputeti tha se edhe në Shqipëri ka mbërritur koha e revoltës kundër kastave politike sunduese. Dhe ngriti pyetjen, nëse ajo duhet të përmbysur me protesta apo me konkurrencë të ndershme politike.
“Duke mbyllur këtë fjalë, desha të kujtoj se një erë e re po fryn në mbarë botën. Është koha e revoltës, është koha e revoltës kundër kastave sunduese, kundër atyre kastave, që kanë injoruar interesat e njerëzve të thjeshtë, të shoqërisë e shtresave të ulëta të saj. Kjo përmbysje e këtyre kastave, që e përdorin pushtetin dhe konjukturën për të parë veç veten e tyre, do të ndodhë, është e pashmangshme edhe në Shqipëri. Në pyetje është se si, a do të përmbysen me shpërthime sociale, me konflikte, me dhunë apo me përtëritje paqësore të elitës politike duke i hapur rrugë konkurrencës perfekte në politikë dhe ekonomi”.
Qeveria, 35 milionë euro borxhe në tregun vendas

Qeveria do të zhvillojë një ankand obligacioni 2-vjeçar me vlerë 35 milionë euro më datë 30 nëntor, i cili është shpallur tashmë në mënyrë zyrtare nga Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë.
Burimet nga Ministria e Financave pohuan se kjo shumë do të shërbejë për financimin e deficitit të qeverisë dhe se ankandi bëhet në euro për të përfituar nga oferta më e lartë e operatorëve vendas në këtë valutë.
Me këtë mekanizëm qeveria synon të frenojë edhe rritjen e normave të interesit në lekë që kishin nisur që në shtator për të gjitha afatet e maturimit në monedhën vendase.
Për shkak të sezonit turistik dhe remitancave, bankat kanë akumuluar likuiditete në euro. Kjo i shkon për shtat nevojave të qeverisë pasi kohët e fundit kërkesa për financimet në lekë nuk po plotësohej, për rrjedhojë nga tre muajt e fundit e në vijim interesat janë rritur dukshëm në mbi 2 për qind në disa maturitete.
Në shtator 2016 borxhi i qeverisjes qendore është në vlerën 1,067.0 miliardë lekë ose 71.04% e PBB. Në kuadër të realizimit të planit vjetor të huamarrjes dhe mbulimit të nevojave të qeverisë për likuiditet, borxhi i qeverisjes qendrore gjatë nëntëmujorit është rritur me rreth 24.7 miliardë lekë ose rreth 71% më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Sipas një analize të Ministrisë së Financave, shtesa e borxhit i atribuohet tërësisht borxhit shtetëror, ndërkohë borxhi i garantuar vlerësohet në rënie si rezultat i përfundimit të disbursimeve për pjesën më të madhe të kredive dhe futjes në fazën e shlyerjes. Pavarësisht rritjes në vlerë absolute, duke iu referuar deficitit buxhetor të planifikuar, parashikimeve të rritjes ekonomike dhe supozimeve të kursit të këmbimit, në fund të vitit 2016 borxhi i qeverisjes qendore në raport me PBB pritet të ulet me rreth 1 pikë përqindje krahasuar me vitin e kaluar.
Oferta e qeverisë gjatë nëntëmujorit 2016 është organizuar në 57 ankande titujsh qeveritarë, përkatësisht 32 ankande për bono thesari dhe 25 ankande për obligacione (nga të cilat 4 janë rihapje).
Krahasuar me vitin e kaluar numri i ankandeve të zhvilluara është relativisht më i ulët, duke qenë në përputhje me objektivat strategjike për përmirësimin e tregut primar dhe krijimin e kushteve për zhvillimin e tregut sekondar. Menaxhimi i borxhit ka ulur frekuencën e emetimit me qëllim që të krijojë tituj me vlera të larta, të cilat mund të stimulojnë edhe tregtimin në tregun sekondar. Gjithashtu gjatë vitit 2016, janë ndërmarrë aktivitete në kuadër të shmangies së segmentimit të kërkesës, nëpërmjet tërheqjes graduale të obligacionit 3-vjeçar dhe tërheqjes së obligacionit 7-vjeçar me norma interesi të ndryshueshme.