21.5 C
Tirana
E hënë, 5 Maj, 2025

Trump, demokracia dhe rritja ekonomike

Johannes ESTRADA

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë fuqia më e madhe ekonomike në botë falë një rritje të qëndrueshme ekonomike prej rreth 2%, përgjatë më shumë se dy shekujsh. SHBA-të e kanë arritur këtë në sajë të institucioneve të tyre politike – të njëjtat institucione që sollën në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump, duke alarmuar pjesën tjetër të botës.
Zgjedhja e Donald Trump mund të jetë shkak për t’u shqetësuar për shumë njerëz apo vende partnere të SHBA, por është gjithashtu e rëndësishme të përpiqemi të kuptojmë çfarë e çoi atë atje. Ndoshta kështu mund të kuptojmë se e ardhmja, përtej rezultatit surprizues, nuk është aspak pesimiste.

Institucionet demokratike

Rritja e Shteteve të Bashkuara në një fuqi botërore ka ndikuar shumë ngjarje të rëndësishme të botës, sidomos gjatë shekullit të kaluar. Rritja e SHBA-ve nuk ka ardhur si rezultat i ndonjë fati të paracaktuar, por si rezultat i një sërë zgjedhjesh të mira që janë ndërmarrë gjatë historisë së tyre.
Trembëdhjetë kolonitë fillestare që përbënin SHBA-të nuk gëzonin ndonjë avantazh të veçantë natyror. Në fakt, ato u kolonizuan pikërisht, sepse britanikët ju futën vonë aventurave koloniale, ndërkohë që spanjollët kishin marrë nën kontroll zonat më të pasura të kontinentit amerikan. Por ishin pikërisht këto rrethana që detyruan krijimin e disa prej institucioneve më demokratike të kohës, si mënyra e vetme që banorët e tyre të vazhdonin të investonin në një tokë të ftohtë e jo shumë pjellore që përbënte pjesën më të madhe të territorit të 13 kolonive.
Këto institucione kanë lejuar që SHBA-të të kenë 45 presidentë, të cilët të gjithë kanë transferuar pushtetin në mënyrë paqësore tek njëri-tjetri. Do të ishte një pretendim i fortë të thuhet që të gjithë këta 45 drejtues që hynë në Shtëpinë e Bardhë ishin gjithmonë zgjedhja më e mirë për atë pozicion. Me shumë gjasa, shumë prej tyre nuk ishin.
E megjithatë, nëse hedhim një vështrim të shpejtë mbi zhivillimin ekonomik përgjatë 150 viteve të fundit të historisë së SHBA-ve, e matur nëpërmjet të dhënave të prodhimit të brendshëm bruto, do shohim se sa pak efekt ka pasur ndërrimi i presidentëve.

…dhe ripërtëritja e tyre

Kjo nuk është aspak e çuditshme. Themeluesit e shtetit amerikan debatuan gjatë për llojin e institucioneve që do të donin të ndërtonin. Ata, 240 vjet më parë, ishin vazhdimisht të shqetësuar për dy probleme të mëdha: mundësia që një pushtet tirania të zinte vend në shtetin e sapokrijuar dhe mundësia që vendimet politike të kontrolloheshin nga interesat financiare.
Qëllimisht ata ngritën një sistem që decentralizon pushtetin në shumë qendra pushteti, federal dhe lokal, në të gjithë vendin e ku mundësia për të kontrolluar të tërë vendimmarrjen të ishte e limituar. Deri më tani koha ka treguar se një sistem i tillë ka funksionuar shumë mirë.
Përgjatë historisë, shumë oligarkë të pasur janë përpjekur dhe deri-diku ia kanë arritur pjesërisht të kontrollojnë degë të ndryshme të pushtetit politik. Por të gjithë e kanë humbur pushtetin e tyre me rritjen e lëvizjeve populiste nga ato qoshe të sistemit që ata i konsideronin të parëndësishme. Si e dimë ne këtë? Sepse duke parë tregun e aksioneve ku listohen kompanitë më të mëdha amerikane, sot nuk ka një kompani të vetme mes dhjetë të parave që të ketë ekzistuar përpara 40-50 vjetësh. Kompanitë e mëdha të së shkuarës janë tejkaluar nga kompanitë më konkuruese dhe inovatore të së tashmes. Ato e kanë humbur statusin e tyre, sepse politikanët nuk kanë patur mundësin t’i mbrojnë përgjithmonë.

Një vështrim nga vetja

Shqiptarët me siguri mund të tronditen që një politikan amator dhe me fjalor banal mund të bëhet President i SHBA-ve. Padyshim që kishte shumë urretje në retorikën e përdorur gjatë fushatës nga ana e z. Trump. Por duhet gjithashtu të theksohet se veprimet politike dhe jo fjalët, formësojnë të ardhmen e një shteti.
Duke fituar zgjedhjet presidenciale, Donald Trump i dha fund ambicieve politike të dy dinastive (Klinton dhe Bush), mundi elitat politike të të dy partive kryesore dhe e arriti këtë gjë me shumë më pak para se sa rivalët e tij.
Donald Trump do të jetë në një pozicion strategjik për të sfiduar interesat e kompanive të fuqishme që kanë sunduar politikat amerikane për 30 vitet e fundit. Nëse ai dështon, gjë që me shumë gjasa mund të ndodhë, nuk është aspak i vështirë të zëvendësohet ashtu siç ka treguar historia
Nga ana tjetër, shqiptarët duhet të shohin gjallërinë e sistemit politik të SHBA-ve dhe të kuptojnë se progresi është arritur vetëm me anë të ndryshimit të vazhdueshëm të politikanëve dhe drejtuesve që dështojnë. Nëse  të njëjtët njerëz drejtojnë një vend për periudha të gjata, ata do t’i shërbejnë të njëjtave biznese dhe individë që i financojnë dhe mbështesin karrierën politike të tyre. Pabarazia në rritje e Shqipërisë, e shoqëruar me një rritje ekonomike gjithmonë e më e të ngadaltë, është prova e qartë se është sistemi ynë politik, e jo ai amerikan, që ka nevojë urgjente për ndryshim radikal.

Diaspora, një Samit i Ramës për Ramën

Gavrosh Levonja

Për kontributin e diasporës në zhvillimin e vendit është folur që në fillimet e viteve ’90-të. Herë pas here, përfaqësues të qeverive të ndryshme të Shqipërisë nuk kanë munguar të bëjnë përpjekje për të angazhuar personalitete të njohur të diasporës, kryesisht nga bota e biznesit, por edhe figura nga qarqet intelektuale të saj pa përmendur individë që kanë lidhje me qarqet politike në vende të ndryshme, ku nuk mungon dhe ndikimi mbi to. Madje, Presidenti Berisha i atyre viteve nuk mungoi të shprehej se, “uronte që presidenti i ardhshëm i Shqipërisë, të ishte një përfaqësues i diasporës. Mirëpo, qoftë nga mosnjohja në thellësi e diasporës, por edhe si pasojë e mënyrës si u zbatua ekonomia e tregut dhe demokracia në Shqipëri, kontributi i diasporës mund të thuhet se mbeti në përmasa minimale.
Edhe ato ç’ka u realizuan ishin më shumë fryt i nismave individuale të përfaqësuesve të diasporës se sa realizime të bazuar në plane e projekte të qeverive të radhës. Në një shikim të parë dhe nisma e kryeministrit të radhës, Edi Rama, për mbajtjen e një samiti të diasporës në Tiranë është për t’u vlerësuar, me shpresën se mund të shërbejë për ndreqjen gabimeve të mëparshme, duke sjellë një ndryshim të dukshëm lidhur me angazhimin e shqiptarëve që jetojnë jashtë, ku nuk mungojnë dhe ata që kanë pozita të lakmueshme në vendet ku jetojnë e punojnë. Por, duke u njohur me mënyrën e organizimit të këtij samiti, nuk ka si të mos lindin dyshime përsa i përket suksesit në raport me objektivin e tij.
Së pari, nga sa shkruhet për pjesëmarrjen del se cilido shqiptar që jeton jashtë mund të marrë pjesë në këtë samit, mjafton të aplikojë online në websitin e krijuar posaçërisht për këtë samit. Për mendimin tim mjafton kjo, që serioziteti i kësaj nisme të kompromentohet, të paktën në aspektin e fondeve për logjistikën, ku gjithçka është në varësi të numrit të pjesëmarrësve, pa hyrë në modalitetet e zhvillimit të punimeve të këtij samiti.
Ajo që mësohet nga websit-i është fjala që do të mbajaë vetë Rama, e cila nuk mund të jetë tjetër veçse një reklamë për vetveten. Normalisht, qeveria me kohë duhej të kishte një pasqyrë të plotë të atyre individëve, shoqatave e organizatave të shqiptarëve, aktivitetin e tyre në vendet, ku jetojnë e operojnë, cilat janë mundësitë e tyre për të kontribuar në të mirë të Shqipërisë, sa dhe si mund të ndikojnë këto në forcimin e lidhjeve e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe vendeve përkatëse e kështu me radhë. Karakteri fakultativ i pjesëmarrjes në samitin e nëntorit të le të kuptosh se përfaqësuesit e qeverisë shqiptare në vende ku jetojnë shqiptarë nuk kanë informacionin e nevojshëm rreth bashkëkombasve të tyre, gjë që natyrisht është pasojë e lidhjeve të pamjaftueshme të tyre me grupet e komunitetit shqiptar.
Më ka rastisur të marr pjesë në disa aktivitete në shtete të ndryshëm të SHBA dhe në asnjë prej tyre nuk kam parë njerëz nga përfaqësitë diplomatike të shtetit shqiptar. Kam përshtypjen se diplomatët e Shqipërisë, të paktën këtu, në SHBA, janë të ndikuar nga psikologjia e vetë Ramës lidhur me qëndrimin ndaj atyre që konsiderohen si “kundërshtarë” për të mos thënë “armiq”.  Pasojë e mungesë së informacionit është dhe tentativa e dështuar për të emëruar një person nga diaspora si konsull, por që për arsye të cilat nuk janë bërë publike nuk iu dha argumenti nga autoritetet amerikane. Sigurisht, që ndër aplikantët duhet të jetë dhe Bilali i famshëm i cili i bëri një nder jo të vogël kryeministrit Rama katër vjet më parë, duke kontribuar për foton me Presidentin Obama, falë shndërrimit të Ramës në “Bilalicë”.
Para se të hidhte në publik nismën për një samit mbarëkombëtar të diasporës, kryeministri duhej të kishte bërë një analizë të hollësishme të raporteve të shtetit shqiptar me bashkëkombasit që jetojnë në vende të tjera. Në këtë kuadër, ai duhej të kishte para një bilanc me të dhëna të sakta sa biznese nga diaspora operojnë në Shqipëri dhe sa të tjerëve u është mbyllur dera, sa është përfshirë diapora në privatizimin e objekteve të ndryshme, prone publike apo shtetërore, sa janë të joshur shqiptarët e diasporës nga qeveria shqiptare që të braktisin punët e mira që kanë jashtë për t’u kthyer në Shqipëri, pa përmendur numrin e madh të atyre që mbarojnë shkollat jashtë dhe mund të kthehen për të punuar në atdhe. Veç kësaj nga informacioni që jepet në websitin për samitin e diasporës të krijohët përshtypja se gjithçka është ekskluzivitet vetëm i Kryeministrisë në kohën që nuk përmendet angazhimi i ndonjë institucioni tjetër shtetëror i cili mund të kontribuonte qoftë dhe modestisht në një sukses të mundshëm të këtij samiti. Në këtë kontekst as mund të bëhet fjalë edhe për një institucion si presidenca, e cila nuk kishte as informacionin më minimal mbi samitin. Duke marrë në konsideratë dhe kohën kur është planifikuar mbajtja e samitit, në prag të përvjetorit të festës kombëtare ka shumë mundësi, që ky aktivitet do të organizohet vetëm për qëllime propagandistike. Në këtë aspekt, duket se Rama synon ta reklamojë veten dhe si një lider panshqiptar.
Ndërkaq nëpërmjet këtij samiti, ndoshta i ka vënë vetes detyrë të “rilindë” dhe diasporën. Por, mbi të gjitha, samiti i planifikuar nga Rama do të jetë dhe një tullë në godinën e fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm. Të gjitha këto të çojnë në përfundimin se edhe samiti i diasporës do të jetë i barazvlefshëm me fasadat e pallateve dhe zbukurimet e tjera me ideator Ramën.

Papa në ceremoninë e Kardinalit Dom Ernest Troshani

Çast tejet prekës, në një nga kulmet e meshës së djeshme për krijimin e 17 kardinalëve të rinj, ndërmjet të cilëve, kardinali shqiptar, Ernest Simoni. Kardinalët i afrohen me radhë Françeskut për të marrë shenjat dalluese të dinjitetit të tyre të lartë. Njëri pas tjetrit. Deri te kardinali shqiptar. Papa i vë kapelën e kuqe e ai, i gjunjëzuar para Atit të  Shenjtë, përgatitet t’i japë përqafimin e paqes.
Po, Papa Françesku përkulet i pari mbi këtë meshtar të thjeshtë, të martirizuar në një skaj të Ballkanit për 30 vjet, gjysmë të harruar fshatrave, ku shërbeu deri në këtë çast madhështor, të papritur në jetën e tij dhe i jep një përqafim të paharrueshëm. Përqafon, kështu, në figurën e këtij njeriu të moshuar, të thinjur, të thyer më dysh nga torturat e nga motet, tërë popullin shqiptar të shumëvuajtur, 38 martirët, që sapo u shpallën të Lum e dhjetëra bij të tjerë të Kishës Katolike e të popullit të Shqipërisë, që e ndjekin nga qielli këtë ceremoni, në të cilën janë me të vërtetë të pranishëm, sepse petku i kuq kardinalor, është ngjyer në gjakun e tyre. E kjo ngjarje zhvillohet para syve të gjithë botës!
Ky, çasti tejet prekës, i krijimit të kardinalit të dytë shqiptar me fjalët e Papa Françesku shqiptuar në çastin e ritit të krijimit të kardinali shqiptar dom Ernes Troshani Simoni nga kryedioqeza e Shkodër Pultit.

Basha me Vetëvendosjen: Bashkërendim dhe jo amatorizëm

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti dje në një takim kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosja, Visar Ymeri dhe kryetarin e grupit parlamentar të kësaj partie, Glauk Konjufca. Gjatë takimit u diskutua gjerësisht mbi situatën aktuale në Shqipëri dhe Kosovë. Kryetari i opozitës theksoi se kërkohet një bashkërendim i vërtetë përmbajtësor mes Tiranës dhe Prishtinës në funksion të objektivave të përbashkëta strategjike dhe jo amatorizëm e protagonizëm personal. Në veçanti ky bashkërendim duhet t’i shërbejë forcimit dhe jo zbehjes së rolit të Kosovës në arenën rajonale dhe ndërkombëtare. Në lidhje me ngjarjen e rëndë të vdekjes së aktivistit të Vetëvendosjes Astrit Dehari në ambientet e paraburgimit, zoti Basha shprehu keqardhjen e thellë për këtë ngjarje dhe nënvizoi nevojën dhe domosdoshmërinë për një hetim të plotë, të besueshëm dhe transparent.

Rama përjashton diasporën e Kosovës

Kosova shpërthen në kritika ndaj Shqipërisë për Samitin e Diasporës që po mbahet në Tiranë. Përfaqësuesi i Prishtinës zyrtare, zv/ministri i Kulturës, Rexhep Hoti, tha se qeveria shqiptare ka përjashtuar diasporën e Kosovës nga ky aktivitet. Numri dy i kulturës së Kosovës e cilësoi samitin ambicie politike të Kryeministrit Edi Rama.
Zv/ministri Hoti vijoi kritikat edhe për bashkëpunimin në fushën e kulturës mes dy shteteve. Ai u shpreh se Kosova ka propozuar krijimin e një ministrie të përbashkët të Kulturës. Ministria shqiptare e Kulturës nuk ka komentuar deklaratat e zv/ministrit të Kosovës. Mirela Kumbaro ftoi shqiptarët e diasporës të bëhen pjesë e projekteve për zhvillimin e zonave turistike.
Në panelet e ndryshme të Samitit kanë marrë pjesë edhe ministra të tjerë të kabinetit qeveritar, të ftuar e pjesëmarrës nga diaspora si dhe kreu i Bashkisë së Tiranës. Erion Veliaj ftoi përfaqësuesit e diasporës të investojnë në kryeqytet. Në Samitin treditor të Diasporës marrin pjesë rreth 800 të ftuar.

Guliani: Serbëve u thashë se duhet të bombardoheshit

Ish-kryetari i New York, Rudolf Giuliani, tregoi në një intervistë për “CNN” të premten se si dukej vizita e tij në Beograd, në vitin 2012 dhe çka u kishte thënë serbëve atje.
Rudy Giuliani mbrojti fuqishëm lidhjet e tij të biznesit me qeveritë e huaja dhe punën e kompanisë së tij ligjore për klientë dhe vende të huaja, në një intervistë të premten në “CNN”.
Ish-kryebashkiaku i New York City, konsiderohet si kandidati më serioz për sekretar të Shtetit në qeverinë e presidentit të sapozgjedhur, Donald Trump, por raportimet e punës së tij të kaluar konsulente për qeveritë e huaja, duke përfshirë Katarin dhe Serbinë, kanë ngritur shqetësime për konflikt të interesit nëse ai do të zgjidhej në atë pozitë.
Giuliani kontaktoi “CNN”, në përgjigje të një storie nga KFile në “CNN”, rreth punës së tij konsulente në vitin 2012 me politikanët serbë të lidhur me të akuzuarin për krime lufte, Slobodan Milosheviç. Giuliani tha se kishte ofruar këshilla për zhvillimin e qytetit të Beogradit. Në intervistën në atë kohë, Giuliani kishte thënë se ai ishte atje “për të dhënë këshilla” për Aleksandar Vuçiç, tani Kryeministër i Serbisë, i cili kishte kandiduar për kryetar të komunës në atë kohë. Giuliani tha se ai ishte paguar nga një kompani e Londrës të përfshirë në krijimin e përbashkët të një plani për zhvillimin ekonomik të Beogradit. Raportimet e shtypit në atë kohë citojnë Vuçiç duke thënë se ai e kishte ftuar Giulianin ta këshillojë atë.
Në intervistën e së premtes, Giuliani tha se ai ishte i ftuar nga kompania e Londrës dhe se ekipi i tij ka vlerësuar ofertën dhe ka konstatuar se ata mund të japin këshilla të dobishme në qytet. Ai gjithashtu mbrojti përmbajtjen e konsulencës të tij.
“Nuk shkova atje dhe për t’u dhënë një adresë të marrëdhënieve me publikun”, tha ai. “Unë shkova atje dhe mbajta një fjalim shumë thelbësor në një fushë të dijes, që është krejtësisht e ligjshme. Unë nuk e di se çfarë është ajo që kam gabuar. Ose, si mund ta vizatoni se ka qenë e gabuar”.
“Jam sjellë në një mënyrë shumë të ndershme. Përfshirë diçka shumë të guximshme, për të shtuar, ah po, ‘unë mendoj se ju është dashur që të bombardoheni’”, tha Giuliani, duke iu referuar bombardimeve të Jugosllavisë nga NATO. “Sa njerëz shkojnë në një qytet dhe thonë: ‘Unë mendoj se ishte në rregull që u bombarduat’. Ti e di se sa shpesh e kam bërë këtë”?

Basha-Schmidt: Zgjedhjet, sfida më e madhe e vendit

Ministri gjerman i Agrikulturës dhe Ushqimit, Christian Schmidt garantoi dje kryetarin e opozitës, Basha se partia e tij do të jetë në krah të PD në çdo sfidë me të cilën ajo do të përballet në të ardhmen. “CSU do të jetë në krah të Partisë Demokratike në çdo sfidë që ajo dhe Shqipëria do të kenë përpara”, tha Schmidt. Ministri gjerman konstatoi shqetësimin e opozitës shqiptare se sfida më e madhe që sot vendi ka përpara është ajo e zgjedhjeve të lira, të cilat janë të rrezikuara nga krimi i organizuar dhe korrupsioni.
Marrëdhëniet mes demokratëve dhe CSU-së, si dhe CDU-së së Kancelares Merkel kanë njohur një afrim të mëtejshëm gjatë kohëve të fundit. Këto parti kanë asistuar në pjesë të rëndësishme të programit ekonomik të PD, i cili do t’i prezantohet qytetarëve në prag të zgjedhjeve. Basha është anëtar i familjes më të madhe në gjirin e Parlamentin Europian. Ai merr pjesë në të gjitha takimet e Partisë Popullore Europiane, ku dhe kontaktet janë të shpeshta me krerët e Bashkimit Europian.

Takimi

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti në një takim ministrin Federal të Agrikulturës dhe Ushqimit të Gjermanisë, Christian Schmidt, njëkohësisht nënkryetar i CSU dhe zëdhënës për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë në CSU, me të cilin ndau vlerësimin për marrjen e rekomandimit për hapjen e negociatave Shqipëri-BE, si dhe shprehu shqetësimin për sfidat e mëdha që po has Shqipëria, mbi të gjitha me çështjet që kanë të bëjnë me krimin, korrupsionin, me drogën, me zgjedhjet e lira e të ndershme dhe me dekriminalizimin.
Basha e falënderoi z. Schmidt për mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania, populli gjerman dhe CSU, i kanë dhënë Shqipërisë që nga hapat e para të demokracisë dhe deri më sot, për konsolidimin e institucioneve dhe shtetit ligjor, për zhvillimin ekonomik të vendit tonë dhe integrimin europian.
Kryetari Basha theksoi se një prej sfidave që po has vendi është moszbatimi i ligjit të dekriminalizimit, çka nuk po sjell ndarjen nga krimi dhe po vë në dyshim sundimin e ligjit duke rrezikuar demokracinë.
Për fat të keq, tha Basha, kthimi i drogës në aktivitetin më të madh prodhues në vend ka nxjerrë në pah forcimin e krimit të organizuar dhe lidhjet e tij me segmentet më të larta shtetërore.
“Sfida më e madhe sot është garantimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme”, u shpreh z. Basha.
Nga ana e tij, zyrtari i lartë gjerman, ministri Schmidt vlerësoi rolin dhe kontributin e jashtëzakonshëm të Partisë Demokratike në procesin e integrimit europian gjatë qeverisjes së saj, si dhe sot në opozitë, si edhe bashkëpunimin ndër vite mes Partisë Demokratike dhe CSU dhe vuri theksin në thellimin edhe më tej të këtyre marrëdhënieve si parti simotra anëtare të së njëjtës familje politike europiane të EPP. Ai garantoi z. Basha, se CSU do të jetë në krah të Partisë Demokratike në çdo sfidë që ajo dhe Shqipëria do të kenë përpara.
Kryetari Basha tha se PD ka dhënë dhe jep mbështetje totale për integrimin europian të Shqipërisë dhe është e vendosur të vazhdojë kontributin e saj maksimal për të ardhmen europiane të Shqipërisë, në sinkron të plotë me parimet themelore të Partisë Demokratike.

Rama zhduk fotografinë e Havzi Nelës nga bunkeri

Muzeu u inagurua mes protestave të të persekutuarve nga regjimi komunist. Një dron me një pankartë, në të cilën shkruhej “Edvin Kristaq Rama kërko ndjesë për vdekjen e Havzi Nelës” fluturoi mbi kokën e kryeministrit.
Havzi Nela, poeti disident i regjimit komunist, u dënua me vdekje pasi la fshatin ku ishte internuar për të vizituar nënën e tij që ishte duke vdekur. Dënimi i tij me vdekje u firmos më 20 shkurt 1988. Kristaq Rama, babai i Edi Ramës dhe anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor i mohoi poetit Havzi Nela faljen e jetës. Ai u ekzekutua më 10 gusht 1988.
Në dhjetor 2015, opozita dhe organizatat e të persekutuarve protestuan kundër ndërtimit të bunkerit-muze.
Bunkeri u dëmtua nga zjarri dhe u ça në disa vende. Në vend të riparimit, çarjet u lanë si dritare, ironikisht duke përkujtuar protestat kundër tij – e duke vënë në pah ndërtimin e dobët të objektit.
Ndërsa Bunk’Art 2 supozohet të përkujtojë viktimat e regjimit komunist, është ironike se si media nuk u lejua të marrë pjesë në këtë inagurim. Ivana Dervishi, fotografja dhe gazetarja e BIRN i tha Exit.al se rojet në hyrje nuk kanë lejuar median të futet, duke thënë se “Po e drejtojmë ne këtë!”.
Bunk’Art 2, ashtu si Bunk’Art 1 në ish bunkerin atomik të Komitetit Qendror, administrohet nga Carlo Bollino, një gazetar italian dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Edi Ramës, i cili zotëron disa media në Shqipëri. Kohët e fundit, Bollino shkaktoi mbylljen e një portali të medias shqiptare për shkak të një artikulli satirik. Ndërkohë vetë Rama në disa raste ka sulmuar edhe ato pak media të mbetura të pavarura në Shqipëri.
Prania e Bollinos dhe përjashtimi i mediave të tjera të pavarura nga ky aktivitet është skandaloz. Media e tij sigurisht, është e vetmja që mori pamje dhe filmime gjatë hapjes së bunkerit – muze.
Të kontrollosh median e pavaruar, ndërkohë që përkrah një media të debatuar e të financuar nga paratë publike është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me atë që çdo muze që përkujton një diktaturë përfaqëson. Kjo është një shenjë e hipokrizisë të thellë.

Asnjë i persekutuar në ceremoni

Askush prej atyre që ishin dje në inaugurimin e bunkerit nuk e ka vuajtur ferrin komunist. Ata që e vuajtën atë ferr, ishin jashtë të rrethuar me polici, për të protestuar kundër asaj monstre të ngritur mbrapa Ministrisë së Brendshme. Shikonin se si, simbolet komuniste po mbijnë në mes të Tiranës, sipas vizionit mendje shthurur të kryeministrit. Një bunker, që i kujton atyre vuajtjen dhe vitet e burgut. U kujton se si vdisnin shokët e tyre në kampet e përqendrimit. Një kërpudhë që ata se donin, por kryeministri, si bir i atit komunist ua ngriti në qendër të Tiranës. Atje ku vetëm pak metra më tutje, përpara 25 vjetësh të përndjekurit dhe qytetarët e këtij vendi hodhën kavon mbi qafën e diktatorit për ta tërhequr zvarrë. Mu aty, kryeministri sërish ua gërvishti plagën! Edi Rama, do e inauguronte veprën e tij, pa praninë e të përndjekurve politikë, por me enturazhin e tij politik. Edi Rama harron ose bën sikur se di, se me djemtë e komunistëve dhe kriminelëve të djeshëm (pjesë e të cilës është dhe ai vetë)  s’mund të lehtësojë vuajtjet e viteve të internimit, vrasjeve pa gjyq, apo burgimin e shqiptarëve në diktaturë.

Mungon fotografia e Havzi Nelës

Ishte mëngjes herët I 8 gushtit të vitit 1988 kur qytetarët e Kukësit u zgjuan, dhe panë në mes të sheshit trupin e varur të poetit Havzi Nela. Ndër firmëtarët e varjes së tij ishte dhe babai I kryeministrit që kemi sot, quhej Kristaq Rama.  Po edi Rama ku ishte në atë kohë?! Padyshim rrugëve të bllokut,  duke e vërdallisur në ccmendurinë e tij, ose teksa vinte vërdallë pas fustanit të ndonjë artisteje. A e dinte ai që I ati I përkiste asaj pjese që kishin firmosur për vrasjen e një njeriu, apo I gëzohej benefiteve që merrte si njeri I patalentuar, por që kish arritur të zinte një vend në akademinë e arteve si pedagog. Vetë kryeministri tha djen se kush harron të kaluarën është I deetyruar ta jetojë sërish atë! Por sërish mbetemi kurioz të dimë, se si e përjeton ai këtë moment. Përse nuk e kish përfshirë dhe fotografinë e Havzi Nelës në atë pacavure që ka ndërtuar. Në mos e ka harruar kryeministri po ja kujtojmë se  megjithëse kërkoi ti falej jeta, babai I tij sërish firmosi me bindje të plotë se ai duhej varur. Edhe poeti Nela ka qenë viktimë e torturave të hetuesisë dhe bodrumit që ai inauguroi dje. Vetë edi Rama kërkon që me akte të tilla të pastrojë shpirtin, nga e kaluara që mbart mbi supe, por në fakt me akte të tilla vetëm I shton mëkatet që mbart prejardhja e tij. E mira do ishte të kërkonte falje, por ai nuk e bën. Kërkon të na mbushë mendjen se ska lidhje me babain, kërkon të pastrohet por ndotet më shumë.

Droni i të rinjve të PD: Kërko ndjesë për Havzi Nelën

Një dron i ngritur mbi bunker, i kujtoi Edi Ramës pikërisht këtë moment. Në një banderolë të zezë, shkruhej me të madhe “Edvin Kristaq Rama, kërko falje për vrasjen e  Havzi Nelës”. Ishin të përndjekurit politikë ata që po i jepnin përgjigje maskaradës së pinjollëve të bllokut. Ishin ata, të cilët nuk e donin atë bunker aty, ata që një vit më parë i vunë flakën. Atyre që e shkuara komuniste i dhemb më shumë se çdo njeriu këtu. Ata që shohin se si rreth pushtetit të Edi Ramës mblidhen të gjithë pinjollët e diktaturës komuniste.  Djali i Sul Bushatit, vajza e Llambi Gegpriftit, djali i Myslim Pezës, i Xhelilit, etj. Të gjithë këta, kërkojnë që sot t’i qajnë hallin viktimave të tyre. Atyre që ata përbuzin çdo ditë e çdo minutë. Ai dron i ngritur nga fëmijët e ish-të përndjekurve politikë, dhe nga kryetari i FRPD Belind Këlliçi, ishte përgjigja më e mirë që mund të merrnin. Të kërkojë falje jo vetëm Edi Rama, por të gjithë pinjollët që sot kanë pushtetin. Ata që përfituan luksin e djeshëm nga vrasjet e baballëreve të tyre, nga puna e qindra e mijërave të burgosurve dhe internuarve,  ata që sot po vjedhin gjithçka i ka mbetur këtij vendi.

Mesazh për bashkëatdhetarët në samitin e Diasporës

Lulzim BASHA

Të dashur bashkatdhetarë,

Dëshiroj t’ju uroj mirëseardhjen në atdhe dhe t’ju përshëndes përzëmërsisht. Këto ditë që ju jeni këtu, Shqipëria është më e plotë, më e gjallë dhe më e vërtetë.
Do të kisha dashur shumë të kisha ndarë mendimet nga afër me ju në tryezën e diskutimeve dhe të rrahjes së ideve, por e vetmja mundësi që organizatorët e samitit më dhanë është t’ju përshëndesja në mbrëmjen gala që qeveria ka planifikuar për nderin tuaj. Duke qenë se e kam të pamundur të marr pjesë në këtë mbrëmje gala, po ndaj me ju publikisht, me përunjësi disa mendime të miat.
Braktisja e Shqipërisë është kërcënimi kryesor ndaj të ardhmes së vendit dhe të vetë kombit tonë. Pak ditë para se ju të vini në Tiranë, mbi 100 mijë shqiptarë kanë aplikuar për të disatën herë për të emigruar në SHBA, ndërkohë që dhjetëra mijëra të tjerë përpiqen çdo vit të emigrojnë në Europë, Kanada dhe kudo tjetër në botë. Në 5-10 vitet e ardhshme, numri i shqiptarëve të lindur në Shqipëri, të cilët janë vendosur përgjithmonë në vende të tjera do të jetë më i madh se ai i atyre që jetojnë në Shqipëri.
Kjo dramë kombëtare është akoma më e rëndë për shkak se nga Shqipëria janë larguar dhe po largohen më të diturit dhe më të zotët. Çdo vit, mijëra mjekë, inxhinierë, artistë, sportistë, pedagogë, profesionistë dhe sipërmarrës të arrirë braktisin vendin e tyre. Akoma edhe më i dëmshëm është largimi i rinisë: kryesisht për këtë shkak, mosha mesatare e popullsisë është rritur nga 26 vjeç në vitin 1991 në rreth 38 vjeç sot.
Shqiptarët kanë ikur, po ikin dhe duan të ikin masivisht për arsyen më të rëndësishme njerëzore: atdheu i tyre nuk ju ofron mundësi për një jetë të mirë dhe të denjë. Ju e dini më mirë se unë sa e madhe është dhimbja e ikjes, që të ther në zemër dhe në gjithë qenien, por ju jeni dëshmia e vërtetë sa i madh është dëshpërimi kur kupton se atdheu nuk të jep asnjë shpresë për të përmbushur qëllimet dhe ëndrrat e jetës me punën, talentin, zotësinë dhe ndershmërinë tënde.
Ne e hodhëm pas ngrehinën komuniste të shoqërisë më shumë se një çerek shekulli më parë, por nuk kemi mundur ende të ndërtojmë një sistem politik demokratik, një ekonomi të lirë tregu dhe një shoqëri të denjë për njerëzit e saj.
Një pjesë e këtij dështimi është i vetëkuptueshëm: gjendja nga u nisëm dhe burimet që ne kishim nuk mundësuan dot transformimin e shpejtë. Por prapë, pengesa kryesore për mospërmbushjen e ëndrrave të shqiptarëve është politika, e cila më shumë se interesit të përbashkët dhe atij kombëtar i ka shërbyer pasurimit dhe pushtetit të një pakice, e cila sot sundon e patrazuar në politikë, ekonomi dhe shoqëri.
Shqipëria nuk mund të ndryshojë, nëse ne nuk do të ndryshojmë politikën e saj, për ta vënë atë në shërbim të qytetarëve përmes përfshirjes dhe jo përjashtimit, përmes konkurencës e pluralizmit dhe jo autokracisë, përmes sundimit të ligjit dhe jo sundimit të drejtuesve, përmes meritës dhe jo klientelizmit, përmes transparencës dhe jo fshehtësisë. Për ta arritur këtë gjë, Shqipëria ka nevojë për ju. Ndryshimi dhe përparimi i Shqipërisë nuk mund të arrihet pa ju.
Pa asnjë dyshim, çdo lloj kontribut i juaji për atdheun tonë është i vyer dhe i rëndësishëm. Investimet e diasporës në çdo fushë të ekonomisë janë të mirëpritura si ujët e pakët. Burimet dhe mundësitë e Shqipërisë janë të mëdha. Partia Demokratike ka gati një projekt të ri të stimulimit të investimeve private përmes uljes së taksave dhe çlirimit të sipërmarrjes nga monopolet klienteliste dhe një mori pengesash që ndrydhin lirinë e saj. Unë do të jem shumë i vëmendshëm ndaj propozimeve tuaja për t’i përfshirë e zbatuar në programin tonë të zhvillimit.
Por mbi të gjitha këto, kontributi juaj për kulturën demokratike në vend ka një rëndësi të dorës së parë. Partitë, institucionet, Shoqëria Civile, të gjithë ne do të donim nga ju të ndani me ne vlerat e lirisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor e shoqëror, që ju kërkuat dhe gjetët në vendet ku ju jeni, vende që janë bërë atdhe i dytë për ju.
Ju mund ta këshilloni politikën, ju mund të ushtroni trysni mbi të, ju mund të merrni pjesë në debatin publik të vendit, ju mund të nxisni familjarët dhe të afërmit tuaj të punojnë për këto vlera. Ju mund dhe duhet të bëheni ndërgjegjia e Shqipërisë, ndërgjegjia që thërret për liri, përparim dhe dinjitet.
Në vartësi të zgjedhjes, çdo shqiptar i diasporës duhet të ketë mundësinë të marrë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për zhvillimin e vendit këtu në Shqipëri. Përpara atdheut të përbashkët shqiptarët janë e duhet të jenë të barabartë kudo ku jetojnë.
E drejta e votës për emigrantët, lehtësimi i marrjes së shtetësisë së dyfishtë, përfaqësimi juaj i vërtetë në vendimmarrjet e rëndësishme politike, nxitja dhe mbrojtja e investimeve të diasporës, mbështetja shtetërore për arsimin, kulturën, artin dhe sportin në komunitetet e diasporës, janë disa nga prioritetet kryesore të projektit tim dhe të Partisë Demokratike për Diasporën.
Dua gjithashtu të pohoj se megjithë ndryshimet epokale që ndodhen pas rënies së regjimit shtypës në vitin 1990, unë njoh detyrimet e papërmbushura që vendi i ka borxh diasporës në tërësi dhe sidomos asaj antikomuniste, të cilës iu imponua me dhunë ndarja me atdheun. Përmbushja e këtyre detyrimeve është një obligim moral dhe politik për mua dhe Partinë Demokratike.
Të parët tanë na lanë një urtësi të mrekullueshme, kuptimplotë: Bashkë jemi më shumë. Le të mbetemi të bashkuar rreth vlerave demokratike dhe atdhetare.
Unë dua t’ju shpreh përkushtimin dhe vendosmërinë time personale për të luftuar për këto vlera dhe për të punuar me kurajo për një Shqipëri të mirë, të përparuar dhe të denjë për të gjithë bijtë dhe bijat e saj, kudo që janë në botë.
Ju uroj gjithçka të mirë për ju dhe familjet tuaja.
Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët.

Rënia e elitave nga Brexit tek Trump

Douglas Murray

Dy eventet e mëdha zgjedhore të vitit 2016 – Brexit dhe fitorja e Donald Trump në garën presidenciale amerikane – ishin dukshëm të ngjashme që nga momenti që Mbretëria e Bashkuar votoi për t’u larguar nga Bashkimi Evropian. Kjo ditë historike e muajit qershor ishte një shenjë se edhe votuesit amerikanë mund të zgjidhnin, kur t’u jepej mundësia, të jepnin goditjen më të madhe të kohëve të fundit elitës drejtuese, për shumë arsye. Njëlloj si Komisioni Europian që shihej si simbol i elitizmit, u bë shënjestra e publikut britanik, ashtu u bë edhe kandidatja demokrate, Hillary Clinton për publikun amerikan në ditën e zgjedhjeve.
Dy revolucionet e mëdha politike janë të ngjashme pasi shoqëritë që e kanë mundësuar përbëhen nga shtresa e njerëzve që i kanë humbur perspektivat e punës nga largmi i industrisë dhe biznesit jashtë vendit, njerëz për të cilin globalizimi ishte një problem, jo mundësi. Ndoshta ngjashmëria më e madhe, të paktën në periudhën afatgjatë do të jetë që të dy eventet ngrenë mundësinë e krijimit të një hibridi të ri të majtë e të djathtë në politikën e brendshme, një forcë politike që do të riparojë vite të tëra politike të shkujdesit të emigracionit dhe ekonomisë.
Forca politike duhet të jetë e ndërgjegjshme për dështimet e ekonomisë së tregut të lirë, duke favorizuar format proteksioniste kundrejt atyre ndërkombëtare në politikën tregtare. Më tej duhet të injorojë gjithashtu edhe disa doktrina të vjetra kufizuese të së majtës dhe të djathtës gjatë viteve të fundit, duke kuptuar edhe frikën legjitime të konkurrencës ekonomike nga jashtë vendit dhe shqetësimet sociale që mund të sjellë emigracioni.
Çdo adaptim që mund t’i bëhet këtij realiteti nga rrymat aktuale politike nuk do të jetë i lehtë. Si në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe në Mbretërinë e Madhe, politikanët tradicionalë të së majtës dhe të djathtës e kanë pasur të vështirë t’i flasin bazës së tyre elektorale drejtpërdrejtë. Kjo rezultoi veçanërisht e vështirë për Hillary Clintonin për të arritur deri tek votuesit e majtë në Miçigan, ashtu siç ndodhi për ish-Kryeministrin britanik, David Cameron, i cili kërkonte të tërhiqte bazën e tij elektorale të djathtë në Sunderland në Mbretërinë e Bashkuar. Të dy u penalizuan nga agravimi i jashtëzakonshëm i këtyre shqetësimeve popullore dhe të dy nuk arritën të ndërgjegjësoheshin për potencialin e vërtetë të frikës që ishte përhapur.
Ndërkohë, Clinton dhe Cameroni nuk arritën të adresonin as të metat brenda vetë partisë së tyre politike apo të shfrytëzonin dështimet e partive të kundërshtarëve të tyre. Të dy dhanë përgjigje të pakënaqshme e të pamjaftueshme duke rritur dyshimet se sistemet ekonomike të vendeve të tyre respektive favorizonin pakicën dhe penalizonin shumicën.
Ata nuk arritën as të ndërgjegjësoheshin për faktin se votuesit nuk i ishin drejtuar të majtës me shifra të mëdha. Kjo është veçanërisht e vërtetë në Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, pasi e majta e ka lënë pas dore shqetësimin e publikut rreth identitetit kombëtar dhe emigracionit dhe preferon të japë leksione se përse publiku bën gabim që ndihet në atë mënyrë.
Social liberalët kanë kaluar vite të tëra duke kritikuar dhe dhënë udhëzime për konservatorët pa dëgjuar se çfarë ka për të thënë pala tjetër. Rrallë herë kanë marrë në konsideratë mundësinë se publiku nuk kishte nevojë të korrigjohej, sepse publiku nuk e kishte detyrimisht gabim. Të kuptosh ekzistencën e njerëzve që “janë lënë pas dore” nuk do të thotë se je në të vërtetë duke bërë diçka për t’i ndihmuar ata. Të gjesh punë për ta mund të jetë e vështirë, por t’i akuzosh për racizëm dhe fanatizma të tjera është si të hedhësh kripë në plagët e tyre.
Është e vërtetë që Donald Trump ka përdorur gjuhë të egër kundër minoriteteve dhe grave, por liberalët nuk duhet të kishin ndjekur strategjinë e sulmit kundër mbështetësve të tij duke i portretizuar ata si racistë, misogjinistë dhe fashistë homofobë. Mbështetja për kontrollin e kufijve dhe të vlerave konservatore nuk duhet t’i vendosë dikujt automatikisht etiketën e dhunës. Përgjigjja korrekte do të kishte qenë kuptimi i legjitimitetit të këtyre shqetësimeve që buronin nga tregtia e lirë dhe emigracioni. Përgjigjja e gabuar ishte fyerja e tyre, strategjia që u ndoq nga Clintoni kur tha se mbështetësit e Trumpit i përkisnin “shportës së të mjerëve”.
Gjatë fjalimeve të saj, Clinton fliste për rëndësinë e “tolerancës” në politikë. Është e vërtetë se fushata e Trumpit ka shfaqur një nivel të lartë intolerance kundrejt qëndrimeve të kundërta, por nuk ishte i vetmi, po kështu, kushdo që ka votuar për t’u larguar nga Bashkimi Evropian në Mbretërinë e Bashkuar është portretizuar si racist, por kjo përpjekje për ta mbyllur debatin rezultoi vetëm një përpjekje e dështuar nga pala tjetër që kërkonin të qëndronin brenda BE-së. Në fund të fundit, fushata pro Brexit u distancua pjesërisht nga retorika e pastër antiemigracion, edhe pse kjo ishte arsyeja kryesore përse votuesit iu drejtuan kutive të votimit. Fushata u përqendrua në një vizion ideal dhe optimist të Mbretërisë së Bashkuar si një aktore globale, por e çliruar nga prangat dhe kufizmet e Brukselit.
Në një situatë të tillë, do të ishte e gabuar të fajësohej publiku që zgjodhi mënyrën më drastike për të sinjalizuar pakënaqësinë e tij masive. A do të kishte pasur publiku shans për t’u dëgjuar nëse Hillary Clinton do të fitonte? Jo. Publiku e kuptoi se kandidatja ishte e ndërgjegjshme për shqetësimet e tyre, por kur të ngjitej në pushtet do të bënte shumë pak për t’i adresuar ato.
Të votonin për një kandidat të tillë nuk do të ishte mënyra më e mirë për të bërë që mesazhi i publikut të dëgjohej i lartë dhe i qartë, njëlloj si vota për kundër Brexit nuk do të shprehte shqetësimet e mëdha të votuesve britanikë në korridoret e Brukselit. Kur duket se asgjë dhe askush nuk arrin të depërtojë në elitën drejtuese, shtypja e butonit të emergjencës kthehet në mundësinë e vetme për t’u dëgjuar dhe dy goditjet e para janë dëgjuar mirë.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI