Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në Prokurori 12 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Regjistrimit të Pronave në Devoll. Me anë të një njoftimi, KLSH bën me dije se regjistruesi, 5 ish-regjistrues dhe 6 specialistë të Zyrës së Regjistrimit të Pronave kanë regjistruar një sipërfaqe prej 652 ha pyll në mungesë të dokumentacionit, në 8 raste kanë bërë regjistrimin e një sipërfaqe prej 71186 m2 në mungesë të akteve administrativë që shërbejnë për të fituar Titullin e Pronësisë, në 2 raste për regjistrim pasurie janë bazuar në vendime gjyqësore me objekt “Vërtetim fakti”, kanë regjistruar sipërfaqen prej 3000 m2, e pakthyer nga KKKP.
Auditi është kryer nga periudha 1 janar 2012 deri më 31 dhjetor 2015. Zyrtarët e kallëzuar janë: E.M. me detyrë Regjistrues i Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, I.Rr., B.K., S.D. Y.B. dhe J.S., me detyrë ish-regjistrues, N.B. me detyrë jurist, V.B me detyrë Përgjegjëse e Sektorit Hartografik/Hartograf, D.B. me detyrë Jurist, Xh.K. me detyrë Jurist, M.L me detyrë juriste dhe R. K. me detyrë jurist, të cilët në mospërmbushje të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje të dispozitave ligjore, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
Kanë regjistruar Vendimin e Komisionit të Kthimit të Pronave Korçë për një sipërfaqe prej 652 ha me parregullsi dhe mungesë të dokumentacionit tekniko-ligjor, pa u përcaktuar paraprakisht kufiri i Zonës Kadastrale me rrethin e Ersekës, statusi juridik i sipërfaqes së pa inventarizuar prej 97 ha, dhe pa patur të dhëna nga Drejtoria Shërbimit Pyjor, veprime këto në kundërshtim me përcaktimet e bëra në Ligjin Nr. 33, datë 21.03.2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, UKM Nr. 2, datë 12.09.2012 “Për përcaktimin e elementeve të akteve, që verifikohen nga zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe të procedurës për nxjerrjen e urdhrit të regjistruesit”, Udhëzimin Metodik Nr. 76, datë 13.09.1999 “Për plotësimin e kartelave të pasurive të paluajtshme” dhe me Rregulloren Nr. 184, datë 08.04.1999 “Për punën e zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme”.
Në tetë raste janë regjistruar sipërfaqe tokë bujqësore dhe kullotë 71186 m2, me mungesë të dokumentacionit tekniko-ligjor, në kundërshtim me Ligjin Nr. 33, datë 21.03.2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, Udhëzimin Nr. 76, datë 08.05.2003, UKM Nr. 2, datë 12.09.2012 “Për përcaktimin e elementëve të akteve, që verifikohen nga zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe të procedurës për nxjerrjen e urdhrit të regjistruesit” dhe Rregulloren Nr. 184, datë 08.04.1999.
Në 19 raste të shpronësimeve të bëra për ndërtimin e rrugës Bilisht-Kapshticë, sipërfaqja totale e të cilave arrin në 5647 m2, nuk është kryer asnjë veprim për kalimin e pronësisë së kësaj sipërfaqe në favor të Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit.
Në 26 raste janë regjistruar më tepër 63350 m2 tokë bujqësore dhe janë lëshuar çertifikata pronësie, pa veçuar e regjistruar “shtet” sipërfaqet e tepërta, në kundërshtim me Ligjin Nr. 33, datë 21.03.2012, me UKM Nr. 2, datë 13.06.2013 dhe me UKM Nr. 2, datë 13.01.2010.
Në një rast është regjistruar dhe është lëshuar çertifikatë pronësie për një sipërfaqe të llojit pemëtore prej 920 m2 më tepër, duke korrigjuar AMTP-në.
Në tetë raste është regjistruar një sipërfaqe e llojit “tokë bujqësore” prej 18600 m2 më tepër se AMTP dhe janë lëshuar çertifikata pronësie pa marrë masa që këto pasuri të kthehen në pronë shtet.
Në një rast, është regjistruar në kartelat e pasurive të paluajtshme pasuria e llojit arë+zallishte, me sipërfaqe 19575 m2, mbi të cilën janë kryer transaksione dhe është lëshuar çertifikatë pronësie në mungesë të aktit administrativ apo Vendim Gjykate të formës së prerë, që shërben për të fituar Titullin e Pronësisë, në kundërshtim me Ligjin Nr. 7843, datë 01.07.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, i ndryshuar, me Ligjin Nr. 33, datë 21.03.2012 dhe me UKM Nr. 2, datë 12.09.2012.
Në dy raste është regjistruar dhe lëshuar çertifikatë pronësie për pasuri, për të cilat dokumenti mbështetës i paraqitur është vërtetimi gjyqësor i faktit të pronësisë, dokument, i cili nuk përmbush kushtet si dokument pronësie, në kundërshtim me Ligjin Nr. 7850, datë 29.07.1994 “Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë”.
Për shkeljet e konstatuara, KLSH ka kryer kallëzim penal për E.M. me detyrë Regjistrues i Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, I.Rr., B.K., S.D. Y.B. dhe J.S., me detyrë ish-regjistrues në ZVRPP Devoll, N.B. me detyrë jurist, V.B me detyrë Përgjegjëse e Sektorit Hartografik/Hartograf, D.B. me detyrë Jurist, Xh.K. me detyrë Jurist, M.L me detyrë juriste dhe R. K. me detyrë jurist, të cilët në mospërmbushje të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje të dispozitave ligjore, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga Neni 248 i Kodit Penal, duke i përcjellë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse.Vendimi i Kryetarit të KLSH-së me Nr. 124, datë 30.09.2016, ndodhet i plotë në web-in e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Mafia e pronave, KLSH padit 12 zyrtarë në Devoll
KLD vendos emërime e transferime gjyqtarësh
Këshilli i Lartë i Drejtësisë, zhvilloi dje mbledhjen plenare, e cila nisi me shqyrtimin dhe votimin e kandidaturave për gjyqtarë, për plotësimin e një vendi vakant në Gjykatën e Apelit Durrës, e dy vendeve vakant në Gjykatën e Apelit Vlorë, e një vendi vakant në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda.
Anëtarët e KLD-së, pasi konsultuan procesverbalin e testimit, raportet mbi shqyrtimin e kandidatëve me tabelat përkatëse, vendosën t’i propozojnë Presidentit të Republikës: emërimin në Gjykatën e Apelit Durrës, të z. Tritan Hamitaj, aktualisht gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës; emërimin në Gjykatën e Apelit Vlorë të gjyqtares Brikena Ukperaj (Lubonja) aktualisht gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lushnjë; dhe emërimin e gjyqtarit z. Ilir Çeliku, aktualisht gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, si dhe emërimin në Apelin e Krimeve të Rënda, të Idriz Mulkurti, aktualisht gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda.
Në vijim të mbledhjes anëtarët e KLD-së shqyrtuan kandidaturat, për plotësimin e gjashtë vendeve vakant, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Pas përfundimit të procesit të votimit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me shumicë votash, vendosi të transferojë: z. Niko Rapi, aktualisht kryetar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, z. Erion Bani, aktualisht gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Shkodër, znj. Irena Plaku, aktualisht gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Korçë dhe znj. Anila Karanxha, aktualisht gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Lushnjë.
Gjithashtu Këshilli vendosi t’i propozojë Presidentit të Republikës, emërimin në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, të z. Kujtim Vraniçi, aktualisht inspektor pranë KLD-së, dhe të Ahmet Metaliaj, ish-gjyqtar.
Pas transferimit të gjyqtarit z. Niko Rapi, Këshilli vendosi delegimin e gjyqtares znj. Emona Muçi, për të ushtruar detyrën në funksionin drejtues të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec.
Gjithashtu, me propozim të ministrit të Drejtësisë, anëtarët e KLD-së, vendosën të shpallin vendin vakant për funksionin drejtues të kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Pogradec.
Gjithashtu Këshilli me miratimin e transferimit të gjyqtarëve të mësipërm në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me propozim të ministrit të Drejtësisë bëri shpalljen publike për një afat 20 ditor, të katër vendeve vakante në gjykata, përkatësisht:
1 (një) vend vakant në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pogradec, 1 (një) vend vakant në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë, 1 (një) vend vakant në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër, 1 (një) vend vakant në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lushnjë.
Këshilli, vijoi më pas me zhvillimin e procedurës për emërimin e kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë. Pasi dëgjuan platformat e kandidatëve, anëtarët e Këshillit vendosën me shumicë votash emërimin:
si kryetar të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë, të znj. Enkelejdi Hajro, dhe emërimin si kryetare të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, të znj. Ornela Naqellari.
Në përputhje me rendin e ditës, anëtarët e KLD-së, diskutuan dhe shqyrtuan propozimin për emërimin e një inspektori pranë Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në përfundim të diskutimeve, me shumicë votash anëtarët e KLD-së, vendosën të emërojnë inspektor pranë Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë znj. Brunilda Çarçiu.
Bazuar në përcaktimet e rendit të ditës, Këshilli shqyrtoi projekt-aktet përfundimtare të vlerësimit, të Kryeinspektorit të Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në zbatim të Vendimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë Nr. 261/2, datë 14.04.2010 “Sistemi i Vlerësimit të Gjyqtarëve”.
Në përfundim, Këshilli miratoi aktet e vlerësimit për gjyqtarët e mëposhtëm:
Gjyqtar Gurali Brahimllari, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda.
Gjyqtare Brikena Ukperaj Lubonja, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë. (2010-2012)
Gjyqtar Engert Pëllumbi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier. (2012)
Si pikë të fundit të rendit të ditës, Këshilli vendosi delegimin e disa gjyqtarëve në shqyrtimin e çështjeve të caktuara gjyqësore, në gjykata të tjera nga ku ata janë emëruar për të ushtruar funksionin e gjyqtarit.
Ndiqen nga Guardia, hedhin në det drogën me vlerë 2 milionë euro
Dy shqiptarët e shpëtuar një ditë më parë në kanalin e Otrantos, janë marrë sërish në pyetje nga policia italiane pas sekuestrimit të 17 thasëve me marijuanë. Fillimisht ata dhanë alarmin, pasi motoskafi me të cilin udhëtonin pësoi një avari. Pas ndërhyrjes së rojeve bregdetare italiane, njëri prej tyre u arrestua, pasi rezultonte person në kërkim, i akuzuar për grabitje.
Disa orë më vonë, Guardia di Finanza-s mblodhi në det 17 thasë marijuanë. Ka qenë një helikopter i agjencisë Frontex që ka parë nga ajri, ndërsa droga notonte në det e ambalazhuar dhe për t’i rezistuar ujit. Nëse hidhej në treg droga kapte vlerën e 2 milionë euro.
Para katër ditësh, trafikantët i vunë zjarrin në Karaburun gomones së mbushur me 2 ton drogë, pasi po ndiqej nga Guardia Di Finanza. Mjeti lundrues u pikas gjatë natës në brigjet e Vlorës, por autorët arritën të largoheshin. Trafikantët braktisën mjetin në Gjirin e Gramës, duke i vënë flakën bashkë me ngarkesën dhe janë larguar me shpejtësi në drejtim të paditur. Gomonia u gjet e djegur, kurse në mjet është gjetur edhe një sasi e madhe kanabis e djegur.
Pak ditë më parë, Guardia di Finanza e Brindisit sekuestroi 400 kilogram kanabis sativa në qytezën San Pietro Vernotico. Një shqiptar dhe një italian kanë përfunduar në prangat e policisë italiane në Brindisi. Sipas agjencisë Ansa, ndaj tyre rëndon akuza e trafikut të lëndëve narkotike. Policia italiane thotë se, droga është “Made in Albania” dhe ishte futur në Itali nga kanali i Otrantos. Droga u gjet në shtëpinë e Luca Sabetta, 37 vjeç nga San Pietro Vernotico, tregtar ambulant i kërmijve. Në pranga ra dhe shqiptari Vezhdan Brahimaj, 48-vjeçar nga Vlora. Shqiptari po ngiste një kamion që u kontrollua pranë shtëpisë së tij në Sabetta. Sipas hetimeve që janë në vijim dyshohet, se droga kishte mbërritur në Itali nëpërmjet kanaleve të trafikut nëpërmjet kanalit të Otrantos.
Shqiptari kapet me kokainë me vlerë 100 mijë euro
Një 35-vjeçar shqiptar është arrestuar ditën e djeshme nga Guardia di Finanza në Venecia për tregti droge. Prej kohësh, shqiptari qarkullonte në sheshin “San Marco” të qytetit të Venecias, duke shpresuar që turmat e turistëve të fshihnin shpërndarjen e tij. Pasi e ndoqi për disa kohë, autoritetet italiane e kapën 35-vjeçarin në flagrancë, ndërsa i dorëzonte disa doza kokaine një gruaje 53-vjeçare italiane. Në xhepin e tij iu gjetën edhe 7 doza të tjera kokaine që i kishte për t’i shitur.
Media italiane “La Nouva” raporton se, policia me këtë aksion goditi një nga protagonistët e tregut të drogës në qytetin historik. Në bastisjen që u bë në shtëpinë e tij, u gjetën të tjera doza kokaine, që sipas policisë arrinin vlerën e 100 mijë euro në tregun me pakicë.
Drogë nga Shqipëria në Greqi me dy makina
63 kilogramë marijuanë janë sekuestruar nga policia greke ditën e djeshme në shtetin grek. Lënda narkotike ishte fshehur në një makinë që drejtohej nga 48-vjeçari grek, ndërsa para tij lëvizte një tjetër automjet, i cili monitoronte rrugën nëpër të cilën do të transportohej droga.
Por policia greke ka pikasur lëvizjet e dyshimta të dy mjeteve dhe ka bërë ndalimin e tyre në aksin rrugor Kapshticë-Siatista. Nga kontrolli rezultoi se në mjetin e drejtuar nga shtetasi grek gjendeshin 4 çanta me 106 pako marijuanë, pesha totale e së cilës arrin në 63 kilogramë.
Policia ka arrestuar drejtuesin e mjetit ku u gjet droga, si dhe dy shtetasit grekë që ndodheshin në mjetin tjetër që kontrollonte rrugën, një djalë 18 vjeç dhe një vajzë 19 vjeç. Sakaq, policia sekuestroi edhe 1550 euro që iu gjetën vajzës dhe 3 aparate celularë.
Makina bie nga ura në lumë, dy të vdekur në Bulqizë
Një aksident i rëndë me dy të vdekur u shënua mbrëmjen e të enjtes në Bulqizë. Në makinën ku udhëtonin tre persona, ka rënë në lumë nga ura që të çon në fshatin Sopot. Njëri prej tre personave që udhëtonin me kamionçinë ka mundur të shpëtojë dhe të lajmërojë Policinë dhe banorët për ndihmë.
Rreth orës 21:35 të 17 nëntorit 2016, në Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Bulqizë ka mbërritur telefonata se automjeti kishte rënë në lumë. “Policia ka marrë menjëherë një vinç ku ka bërë të mundur nxjerrjen e personave që ndodheshin në makinë në mes të lumit dhe konkretisht: Në rrugën dytësore Tre Çezmat-Sopot, një kamjonçinë me targa AA 782 DH, që drejtohej nga shtetasi I.Z, ka rënë në lumin e Bulqizës nga ura që të çon në fshatin Sopot .
Si pasojë ka humbur jetën drejtuesi i automejtit shtetasi Indrit Zeneli, 40 vjeç, nga fshati Sopot Bulqizë”, bëri të ditur policia në në njoftimin për shtyp.
Në automjet udhëtonin dhe dy shtetas të tjerë, ku njeri prej tyre shtetasi R.L ka mundur të shpëtojë dhe të lajmërojë Policinë dhe banorët për ndihmë. Ndërsa shtetasi Edion Kola, 35 vjeç, banues në Sopot është transportuar me autoambulancë për në spital në gjendje shumë të rëndë, por ka ndërruar jetë rrugës për në spital. Grupi hetimor në vendngjarja po kryen veprimet për përcaktimin e shkakut të rënies nga ura si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Dhunohet një avokat në Vlorë
Një avokat ka rënë pre e një sulmi të dy personave, kushërinj me njëri-tjetrin. Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë në qytetin e Vlorës, ky dy personat e identifikuar si Shkëlqim dhe Eqerem S., kanë sulmuar dhe goditur një avokat. Paraditen e djeshme rreth orës 11:20, në lagjen “Isa Boletini” të qytetit të Vlorës, dy personat e shpallur në kërkim, duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, për shkak të detyrës, kanë goditur me sende të forta, hekur, avokatin Vladimir F. Ky i fundit është dërguar në spital, ku ka marrë edhe ndihmën mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia ka nisur kërkimet për të kapur 2 kushërinjtë që sulmuan avokatin Fejzo.
Gjendet e mbytur në lumin Kir
Gjendet trupi i pajetë i një 49-vjeçareje, e cila ishte zhdukur para 10 ditësh. Burime zyrtare nga Policia bënë me dije, se bëhet fjalë për Antonela Progni u gjet në lumin Kir, në afërsi të fshatit Kuç.
Mësohet se bashkëshorti i 49-vjeçares apeloi një javë më parë për të gjetur trupin e pajetë të gruas. Nuk dihen ende detaje në lidhje me zhdukjen e gruas, ndërsa policia vijon hetimet në lidhje me zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje.
DOSJET E KRIMEVE QE HAPEN NGA NESER
Vendimi i Gjykatës i kërkon Shërbimit Informativ hapjen e dosjeve të Sigurimit
Pas një beteje tetëmujore të “BIRN” Albania me SHISH, Gjykata Administrative e Tiranës vendosi që dokumentet mbi numrin e personave të përndjekur nga ish-Sigurimi nuk janë sekret dhe duhet t’i bëhen me dije publikut.
Gjykata Administrative e Tiranës urdhëroi Shërbimin Informativ Shtetëror që të deklasifikojë informacionin mbi numrin e personave që përndiqeshin nga ish-Sigurimi i Shtetit në dekadën e fundit të komunizmit- të dhëna që deri më sot janë konsideruar “sekret” dhe janë mbajtur të kyçura në arkivë.
Vendimi u dha më 17 nëntor nga gjyqtari Gentian Hamiti, duke i dhënë të drejtë një beteje tetëmujore të “BIRN” Albania me Shërbimin Informativ- SHISH, për dokumentet që mbahen ende të klasifikuara, por që i shërbejnë medias dhe opinionit publik për të hedhur dritë mbi metodat famëkeqe të përndjekjes së qytetarëve shqiptarë nga policia sekrete e regjimit komunist.
Më 6 mars 2016, gazetari Gjergj Erebara i “BIRN” Albania i kërkoi SHISH përmes një kërkese për të drejtë informimi analizën vjetore të Sigurimit për vitet 1980-1989 dhe numrin e personave të ndjekur për figura të ndryshme armiqësore, referuar dosjeve të kategorisë 2A për të njëjtën periudhë.
SHISH refuzoi të japë informacionin e kërkuar, duke pretenduar se Ligji 8043 i vitit 1995 “Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik” e ndalon atë që të japë dokumente nga arkiva e ish-Sigurimit të Shtetit.
Përgjigjja negative u ankimua fillimisht te komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe pas u dërgua në gjykatë, pasi SHISH refuzoi në vazhdimësi të jepte informacionet e kërkuara.
Pasi shqyrtoi aktpadinë e “BIRN”, gjyqtari Hamiti doli në konkluzionin “se pretendimet e SHISH për klasifikimin e këtyre dokumenteve si sekret nuk qëndrojnë”. Gjykata e detyroi SHISH të deklasifikojë informacionet dhe t’i vërë në dispozicion të “BIRN” Albania.
Vendimi i Gjykatës Administrative të Tiranës, i pari i këtij lloji në Shqipëri, i hap rrugën detyrimit të Shërbimit Informativ Shtetëror që të ndërmarrë procese serioze deklasifikimi dhe publikimi të dokumenteve të periudhës së komunizmit, por edhe të atyre që mund t’i përkasin historikut 25-vjeçar të SHISH si institucion më vete.
Darian Pavli, ekspert i ligjit për të drejtë informimi e cilësoi këtë vendim si tepër të rëndësishëm për shqyrtimin e historisë dhe rolit të Sigurimit të Shtetit në shoqërinë shqiptare, bazuar në dokumente origjinale dhe të besueshme.
“Siguria kombëtare nuk mund të përdoret si një mbulesë për të mbajtur larg syve të publikut çdo lloj dokumenti të prodhuar nga institucionet e sigurisë kombëtare”, tha Pavli pas vendimit të gjykatës.
“Ka ardhur koha që këto të fundit t’i hapin rrugën studimeve historike mbi të kaluarën dhe përgjegjshmërisë mbi të tashmen”, shtoi ai.
Duke u bazuar në ligjin për të drejtën e informimit, “BIRN” i kërkoi të dhënat e mësipërme për të analizuar rolin e ish-Sigurimit dhe metodat e tij përndjekëse në dekadën e fundit të komunizmit.
Raportet vjetore të policisë sekrete të regjimit komunist në Shqipëri mendohet se mbajnë të dhëna mbi aktivitetin e kësaj strukture famëkeqe. Dosjet 2/A janë kodi i dosjeve të personave për të cilët Sigurimi besonte se kishte informacion mbi aktivitet armiqësor dhe për këtë arsye, mbaheshin në vrojtim të vazhdueshëm me synimin e krijimit të provave për këtë aktivitet dhe rrjedhimisht, ndëshkimin e tyre.
SHISH pretendoi se nuk ishte institucion trashëgimtar i Sigurimit të Shtetit dhe se nuk kishte të drejtë të deklasifikonte informacionet që qëndrojnë në arkivë. Ai pretendoi gjithashtu se ligji i vitit 1995 për “pastërtinë e figurës” e ndalonte SHISH që ta hapte arkivën e dosjeve deri në vitin 2026.
Argumenti i tretë i refuzimit të SHISH lidhej me ligjin e ri për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit. “Kërkuesi duhet të presë krijimin e institucionit që do të menaxhojë dosjet”, pretendoi SHISH.
Në prill 2015, Shqipëria miratoi me bujë ligjin që premton hapjen e dosjeve të Sigurimit dhe përballjen e vendit me të shkuarën e vet të errët gjatë regjimit komunist. Megjithatë, përzgjedhja e anëtarëve të Autoritetit që do të kryejë këtë proces u vonua për një vit e gjysmë. Parlamenti votoi më 17 nëntor pesë anëtarët, ndërkohë që nuk dihet ende se kur do të fillojë puna për hapjen e dosjeve.
Në Gjykatën Administrative të Tiranës, avokati Adriatik Lapaj i Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Soros që asistoi “BIRN” argumentoi se refuzimi nga ana e SHISH bie ndesh jo vetëm me ligjin për të drejtën e informimit, por edhe me disa vendime për çështje identike të marra nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut.
“SHISH po cenon të drejtën themelore të palës së paditur për njohje me burime dokumentare të rëndësishme për kërkimet historike dhe debatin publik në lidhje me praktikat represive të ish-Sigurimit të Shtetit në Shqipëri”, tha Lapaj.
Vendimi i Gjykatës Administrative të Tiranës vendos një precedent të ri për trajtimin e arkivës së ish-Sigurimit të Shtetit, e cila është mbajtur e gjitha e mbyllur për publikun shqiptar më shumë se dy dekada pas rënies së regjimit komunist.
Votimi i Parlamentit
Kuvendi ka votuar në seancën e së enjtes për anëtarët e Autoritetit që do të jetë përgjegjës për hapjen e dosjeve. Opozita braktisi votimin. Kuvendi miratoi kandidaturën e LSI-së, Altin Hoxha, me 76 vota pro, 1 kundër dhe 3 abstenim; kandidaturën e PS-së, Mariglen Kasmi me 77 vota pro dhe 3 kundër; kandidaturën e ish-të përndjekurve politikë, Daut Gumenin, me 76 vota pro. Ndërsa kandidatura e propozuar nga Shoqata e të Drejtave të Njeriut, Simon Mirakaj, mori 75 vota.
U rrëzua kandidatura e PD-së, Selami Zalli, me 67 vota kundër, 9 pro dhe 4 abstenim. Më parë, deputeti Ben Blushi kishte shprehur bindjen se Autoriteti që do të krijohet për këtë qëllim nuk do të ofrojë transparencë për qytetarët.
Ligji gjerman i hapjes së dosjeve përfshin atë që është më thelbësore për dënimin e krimeve të komunizmit, përfshin lustracionin, që e bën të pamundur përfshirjen në administratën shtetërore apo kudo gjetkë, spiunët dhe bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit komunist. Ky ligj që ka hartuar me kokëfortësi Partia Socialiste me Edvin Ramën, i ka vënë “një kapak floriri” krimeve të komunizmit, që bie në kundërshtim me Rezolutat e Asamblesë parlamentare të vitit 2005 “për dënimin e krimeve të komunizmit”. Ky veprim antikombëtar është një atentat i turpshëm kundër demokracisë. Është një përpjekje për të mbuluar me natë krimet e baballarëve të tyre kundër popullit shqiptar.
“Dosjet nuk do të hapen dhe ai proces që do të bëhet do të jetë selektiv dhe i politizuar”, tha Blushi. Ai e ka cilësuar një farsë votimin që do të bëhet vetëm falë numrave që gëzon mazhoranca. “Ju mund të kaloni një ligj për dosjet dhe të votoni Autoritetin që do të bëjë hapjen e dosjeve, por ai do të jetë i pabesueshëm”, ka theksuar Blushi.
Ish-Gjermania Perëndimore e Kancelarit Helmut Kol në vitin 1989 më rënien e Murit të Berlinit nuk pranoi të bashkohej, pa hapur dosjet e STASS-it të ish-Sigurimit komunist të Gjermanisë Lindore. Gjermania hapi dosjet, duke u përballur guximshëm me të shkuarën e diktaturës komuniste.
Nesër në RD dosjet e para të pushtetit të lidhur me krimet e diktaturës.
Basha-Szijjarto: Negociata dhe plotësim i kushtit për zgjedhjet
Kryetari i opozitës dhe ministri i Jashtëm i Hungarisë kanë kërkuar dje së bashku hapjen e negociatave me Bashkimin Europiann dhe në të njëjtën kohë plotësimin e kushteve të vendosura nga Brukseli për zgjedhje të lira.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti dje në një takim ministrin e Jashtëm të Hungarisë, Péter Szijjártó.
Basha vlerësoi mbështetjen e Hungarisë në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian dhe e siguroi ministrin Szijjártó, se Partia Demokratike siç ka qenë e përkushtuar në qeverisje, edhe sot në opozitë mbështet fuqimisht procesin e integrimit europian të vendit.
Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto tregoi edhe arsyet se përse ai është takuar me kryetarin e opozitës, Basha. Szijjarto tha se e konsideronte PD një parti simotër të partisë së tij të djathtë në pushtet në Hungari dhe se i uronte PD fitore në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Deklarata e Szijjarto
“Para së gjithash ishte e qartë që unë vizitova Partinë Demokratike, sepse nuk flas vetëm në pozicionin e diplomatit, por edhe atë të politikanit, që kur kam qenë i përfshirë në partinë politike hungareze të qendrës së djathtës FIDESZ, prej shumë kohësh, është e kuptueshme për mua që të vizitoja partinë simotër gjithashtu. Jam shumë i lumtur me çka dëgjova këtu. Partia Demokratike është e përkushtuar në rrugën e integrimit europian të Shqipërisë, të cilën ne e kemi mbështetur. Hungaria ka qenë gjithnjë një mike e vërtetë e Shqipërisë dhe Hungaria është një promovuese e përkushtuar e integrimit euro-atlantik të Shqipërisë. Më duhet t’u them që në këto vite ne kemi punuar së bashku me Partinë Demokratike të Shqipërisë, si në opozitë ashtu edhe në qeverisje, në lidhje me këto çështje. Jemi shumë të lumtur që këto çështje bashkojnë vendin, ku si qeveria ashtu edhe opozita janë në mbështetje të integrimit euro-atlantik. Për ne si fqinj është e qartë se, rruga më e mirë është sigurimi i stabilitetit të qëndrueshëm, paqes dhe rritjes së qëndrueshme ekonomike në rrugën e integrimit për Ballkanin Perëndimor. Sigurisht që unë uroj sa më shumë suksese për partinë tonë simotër në zgjedhjet e ardhshme parlamentare vitin e ardhshëm”.
Deklarata e Bashës
“Me ministrin e Jashtëm hungarez z.Peter Szijjarto ndava vlerësimin maksimal për rolin e Hungarisë dhe mbështetjen e madhe nga kryeministri Orban për integrimin europian dhe euroatlantik të Shqipërisë. I kërkova në emër të opozitës shqiptare, ministrit të Jashtëm hungarez, por edhe në emër të PD-partisë tonë simotër FIDESZ në Hungari, të vazhdojë të mbështesë me të gjitha format dhe mënyrat integrimin europian të Shqipërisë, e në veçanti procesin e hapjes së negociatave.
Padyshim diskutuam për sfidat dramatike me të cilat përballet Shqipëria dhe nga ana e tij m’u kërkua që opozita dhe së bashku shqiptarët të bëjnë gjithçka për të luftuar për përmbushjen e kritereve, jo vetëm pesë kritereve të Komisionit Europian, por edhe kritereve të Kopenhages, në veçanti sa i përket zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe luftës ndaj krimit të organizuar.
E sigurova se Partia Demokratike dhe opozita do të vazhdojnë me të gjitha format dhe mënyrat betejën për zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe kundër krimit në politikë, ndarjen e politikës nga krimi, luftën kundër drogës dhe zbatimin e pesë kritereve, jo vetëm për të përshpejtuar integrimin europian të Shqipërisë, por edhe si interesi esencial për Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha Basha.