17.5 C
Tirana
E hënë, 5 Maj, 2025

Montela: Dua Berluskonin në stadium

Vicenzo Montella ka bërë për vete Milanin dhe tifozët e tij, ka risjellë fitoret në fushë dhe buzëqeshjen në stadium, padyshim që takimi i radhës në derbin e tij të parë si trajner i Milanit do t’i shtonte diçka më tepër. “Aspekti tekniko-taktik nuk është gjithçka. Kjo ndeshje për ne nuk është decizive, por thelbësore po. Duam t’i japim vazhdimësi momentit dhe të shijojmë të tjera kënaqësi falë edhe mbështetjes së tifozëve tanë të jashtëzakonshëm”, u shpreh Montella.
Derbi është mbi të gjitha edhe pasion, dhe Montella si një tifoz i kuqezinjve e di mirë këtë. “Është e vërtetë, për mua vlen dyfish, pasi kam bërë gjithmonë tifo për Milanin, por kurrë kundër Interit, që të dielën do filloj ta bëj edhe këtë”, tha ai.
Montella deklaroi se do të ishte i lumtur, nëse në stadium do të jetë edhe Berluskoni në atë që pritet të jetë derbi i tij i fundit si pronar i Milanit, me kalimin e aksioneve të klubit te kinezët që është programuar për në mesin e dhjetorit. Si trajner i duhet të bëjë kujdes me skuadrën që do të hedhë në fushë dhe sipas të gjitha gjasave do të duhet të bëjë pa Romagnolin që u dëmtua me kombëtaren. “Kemi pak shanse për ta rikuperuar, nuk mund të rrezikojmë. Pa të pësojmë një mesatare prej dy golash e gjysmë në ndeshje? Atëherë kjo do të thotë që do të shënojmë 3”, tha Montella.
Duket se trajneri ka ende dyshimin se kë duhet të zgjedhë mes Bacca dhe Lapadula në sulm, me kolumbianin që mbetet i favorizuar. “Bacca nuk ka nevojë të tregojë se sa vlen, ashtu si Lapadula që kërkon të luajë. Për mua ky është një problem i ëmbël, pasi të dy do të më japin atë që kam nevojë, pavarësisht nga zgjedhja. Më pyesni nëse Lapadula e ka një shans për të luajtur? Mund të them se ka më shumë se një”, tha trajneri i Milanit.
Montella bëri të ditur se e rëndësishme do të jetë mesfusha, pasi sipas tij ndeshja do të luhet aty, ëndërron triumfin, por nuk ndihet favorit ndaj Interit. “Këtë e thotë klasifikimi dhe mua nuk më bezdis fakti që e përmendin, por unë dhe lojtarët e mi do të gabojmë, nëse mendojmë se jemi favofirtë. Nëse do ta bënim do të humbisnim, pasi te Interi në ndeshjet e mëdha japin maksimumin, dhe Pioli është një trajner shumë i zoti”, përfundoi Montella.

Montela mendon për planin “B”

Campionato di Calcio Serie A TIM 2015/2016 2 Giornata Milano - 29.08.2015 Milan-Empoli Nella Foto:Alessio Romagnoli /Ph.Vitez-Ag. Aldo Liverani

Ndërlikohen planet e trajnerit të Milanit, Vinçenco Montela, në prag të derbit. Alesio Romanjoli nuk është stërvitur në ditën e djeshme, teksa në “Milanello” nuk ka mundur të jetë edhe Gustavo Gomez, i cili nuk ka mbërritur dot në kohë nga grumbullimi i Paraguait. Italiani, i cili u detyrua të dilte në fundin e pjesës së parë të sfidës Itali-Gjermani, iu nënshtrua dje vizitave mjekësore, të cilat konfirmuan një tërheqje modeste muskulore të muskujve të brendshëm të kofshës së djathtë.
Ndërsa vonesa e Gomezit rrezikon që të prishë planet e trajnerit të kuqezinjve lidhur me formacionin. Kundër Interit, në orët e fundit ka fituar terren Kristian Zapata, i cili mund të jetë titullar në fushë. Romanjoli është i dëmtuar dhe Montela nuk ka shumë alternativa në mbrojtje.
Gjithçka është vështirësuar edhe më shumë nga vonesa e Gomezit, i cili ka mbërritur në Milano dje, në orën 16:40, për shkak të një vonese ajrore, teksa avioni që ai po udhëtonte u vonua gjatë tranzitit në Paris. Lojtari është prezantuar 48 orë para derbit dhe kuptohet se lodhja mund ta detyrojë Montelën ta ulë në stol. Ndërsa Zapata është stërvitur rregullisht në dy javët e fundit dhe mund të startojë për të parën herë si titullar me Milanin në këtë sezon.
Për momentin, nga ajo që filtron në shtëpinë kuqezi, duket se janë të pakta shanset që Romanjoli të jetë në fushë. Pavarësisht se dëmtimi nuk duket i rëndë, gjendja e lojtarit do të monitorohet me kujdes deri të dielën paradite, për të kuptuar nëse lojtari do t’ia dalë ose jo.
Prandaj, kaq ka mjaftuar për të vënë në alarm stafin mjekësor të kuqezinjve, por akoma më shumë trajnerin e Milanit, Vinçenco Montela, i cili nuk e kishte llogaritur absolutisht këtë dëmtim, që i prish jo pak plane. Mirëpo, ekziston edhe shpresa që ish-lojtari i Sampdorias të jetë në fushë. Këtë e ka konfirmuar Filipo Gali, i cili ka postuar dje një foto me futbollistin me mbishkrimin: “Po punojmë që Romanjoli të jetë gati për derbin”.

Plani i Piolit!

Stefano Piolit i rezervoi fati një debutim “bombë”. Statistikat e trajnerit të ri të Interit “qajnë” në duelet derbi (i ka përjetuar në Romë si trajner i Lacios) dhe ato kundër “Djallit”. Por ngjyrat zikaltër i kanë dhënë një tjetër dimension teknikut, i cili po bën gjithçka që t’u prezantohet tifozëve të tij të ri me një fitore kundër “kushërinjve” të urryer.
Ai ka dashur që të motivojë edhe më shumë të tijtë, duke dhënë një prononcim të shkurtër për klubin. Më pas, ky i fundit publikoi gjithçka nëpërmjet një “cicërime” në Twitter. “Në këto momente po na përshkojnë emocione të forta, por ne duhet që të bëjmë të mundur që të tilla ndjesi të na lejojnë që të shkojmë në formë në këtë takim të madh. Duhet të jemi të përqendruar dhe të mos humbim durimin, sepse pikësynimi ynë është që të marrim fitoren”, ishte prononcimi i shkurtër i trajnerit.
Sa i përket skemës dhe formacionit, deri në seancën e fundit stërvitore nuk mund të thuhet asgjë me bindje të plotë. Pioli do të ngatërrojë mirë letrat përpara se të prezantohet përballë “Djallit” të Montelës. Pioli e di fare mirë se çfarë nuk funksionin tek Interi dhe gjithashtu ka pasur shansin që të shikojë përmirësimin e Milanit nën drejtimin e Montelës. Tani për tani, i sigurt është vetëm moduli. Mendohet se Pioli do të rreshtojë të tijtë me skemën 4-3-3.
Frenk de Bur ankohej shpesh për rendimentin e dobët në aspektin fizik të zikaltërve. Holandezi ankohej, pasi shikonte se Ikardi “braktisej” i vetëm në zonat kundërshtare dhe askush nuk shkonte në ndihmë. Për të zgjidhur këtë problem, Pioli ka menduar që të avancojë Kandrevën, i cili është rekomanduar që të luajë pranë argjentinasit.
Në të djathtë do të spostohet Brozoviç, i cili kryen më së miri këtë rol te Kroacia. Kjo lëvizje nuk do të jetë risia e vetme në lidhje me formacionin. Pioli ka preferuar Brozoviçin përballë Banegës, ndërkohë që përpara mbrojtjes do të aktivizohet Zhoao Mario, i cili do të mbrohet prej Xhorfi Kondogbias.
Ashtu si Roberto Mançini dy sezone më parë edhe Stefano Pioli e nis me derbin ndaj Milanit aventurën e tij në krye të stolit të Interit. Një start i ndërlikuar për ish-trajnerin e Lazios, të cilit i është besuar detyra e vështirë për të rikthyer skuadrën zikaltër në rrugën e duhur pas një fillimi aspak pozitiv të sezonit. Megjithatë Pioli është gati dhe nuk ka frikë, madje 51-vjeçari beson se të dielën në mbrëmje në “San Siro”, do të jetë skuadra e tij që do të triumfojë në derbin e Milanos. Pioli e nisi me një grup të cunguar futbollistësh punën e tij te Interi për shkak të ndeshjeve të kombëtareve, megjithatë prej pak ditësh ai ka në dispozicion edhe elementë të tillë si Kandreva, Eder, Brozoviç, Perisiç, Jovetiç e Zhoao Mario.
Në pritje të amerikanojugorëve, trajneri italian mesa duket e ka përcaktuar formacionin me të cilin do të zbresë në fushë Interi ndaj kuqezinjve të Vinçenco Montelës. Por për trajnerin e ri të Interit pak rëndësi ka se kush do të luajë, e rëndësishme është që ata futbollistë që do të zbresin në fushë të shfaqin më të mirën e tyre dhe të ndihmojnë skuadrën për të marrë fitoren. Me një lider si Ikardi në fushë, i cili do të kërkojë të zhbllokohet sepse nuk i ka shënuar asnjëherë Milanit, Pioli ka besim se Interi i tij do të marrë tre pikët në derbi.

De Biazi: E di se kush ma hoqi nga duart stolin e Italisë

Xhani de Biazi ndalet sërish te rasti i humbur për t’u bërë trajner i Italisë. Madje kësaj here, tekniku kuqezi ka shkuar edhe më tej duke thënë se e di personin që ndërhyri në vendimin e Federatës italiane për të zgjedhur Xhampiero Venturën si pasues të Antonio Kontes pas Kampionatit Europian. “Isha një hap larg emërimit si trajner i Italisë. E di kush ishte ai që më vuri shkopinj në rrota. Është një person i vetëm”, deklaroi 60-vjeçari për “Radio TMW”, megjithatë duke mos e zbuluar emrin e personit në fjalë.
Më tej De Biazi foli edhe për humbjen 3-0 ndaj Izraelit të shtunën e shkuar: “Jam ende i tronditur, shpresoj ta rimarrim veten shpejt. Në fillim të kualifikueseve e dinim se do ta kishim tepër të vështirë, sepse Italia dhe Spanja janë ekipe cilësore. Ventura po punon me një skuadër të re, e cila mund të bëjë mirë në të ardhmen. Kundër Italisë do të kem një stimul më shumë për të bërë mirë. Shumica e shqiptarëve bëjnë tifo për Italinë si skuadër të dytë. Shpresoj të bëjmë më mirë se herën e fundit”.
De Biazi nuk i kurseu as këtë herë fjalët e ëmbla për mbrojtësin e Napolit, Elseid Hysaj: “Ka qenë përherë shumë i zoti taktikisht. Mund të mbrojë e të sulmojë, është vetëm 22 vjeç dhe mendoj se mund të përmirësohet më tepër”.

Leipzig, leksion edhe Leverkusenit

Fenomeni Liepzig po mahnit futbollin gjerman. Skuadra e themeluar në vitin 2009, ngjitet e vetme në krye të Bundesligës pasi mposhti 2-3 me përmbysje Bayer Leverkusenin brenda në “Bay Arena”. “Aspirinat” kaluan dy herë në avantazh, por miqtë jo vetëm që arritën të barazonin, por shënuan edhe golin e fitores që i shkëput me tri pikë nga Bayerni, i cili ka një transfertë të vështirë me Dortmundin në “Signal Iduna Park”.
Fillimi ishte vërtet i vrullshëm për Leverkusenin që shënoi me Kampl pa u mbushur një minutë lojë. Vetëm tri minuta më pas një autogol i Baumgartlinger ktheu shumë shpejt baraspeshën.
Në minutat shtesë të pjesës së parë Brandt i asistuar nga Calhanoglu riktheu entiziazmin në “Bay Arena”. “Aspirinat” mund ta kishin mbyllur ndeshjen në të 54-ën, por Calhanglu gaboi nga pika e bardhë e penalltisë. Ky ishte momenti i kthesës pasi Liepzigut përmbysi rezultatit me golin e Forsberg në të 67-ën dhe finalizimin e Orban në minutën e 81-të me rezultatin që nuk ndryshoi më deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit.

Ujkani: De Biazi? Sulme personale

Samir Ujkani heq dorashkat dhe flet hapur për Shqipërinë dhe Kosovën në një intervistë të dhënë për mediat franceze. Portieri ka shpjeguar se si është larguar nga Shqipëria drejt Kosovës dhe për këtë pikë, nuk ka kursyer edhe thumbimet ndaj trajnerit Xhani de Biazi, i cili kishte qenë shumë pak i kuptueshëm në momentin kur Ujkani kishte zgjedhur t’i jepte lamtumirën Shqipërisë.
“Si mund të mos e kuptosh kur dikush i lindur në një vend dhe ka përjetuar luftën, zgjedh menjëherë ngjyrat e këtij vendi sapo i jepen mundësitë? Një trajner mund të bëhet pengesë në këtë çështje. Megjithatë, presidenti i Federatës bëri gjithçka që ishte e mundur që të realizohej dhe e falënderoj. Mendoj se De Biazi ishte i frikësuar sidomos se mos të tjerët do të ndiqnin hapat e mi”, ishin fjalët e Ujkanit.
I pyetur nëse një gjë e tillë kishte ndodhur në të vërtetë, Ujkani minimizoi gjithçka. “Jo, unë isha i vetmi. Pak më vonë, edhe dy të tjerë bënë të njëjtën rrugë, por ata nuk kishin luajtur ndeshje zyrtare me Shqipërinë, thjesht kishin disa grumbullime. Unë i kam marrë zakonisht komentet e tij si sulme personale”, vijoi portieri, i cili duket se nuk ka peng faktin se zgjedhja e tij e la jashtë Europianit.
“Unë humba Europianin dhe respektin e shumë njerëzve në Shqipëri, por sot jam një njeri i lumtur. Askush nuk mund të ma marrë këtë”, theksoi Ujkani, i cili zbuloi se ia kishte premtuar babait të tij që në momentin e parë se do t’i bashkohej Kosovës sapo ajo të krijohej si kombëtare.
Në intervistën e tij, Ujkani ka thënë gjithashtu se mirëkupton zgjedhjen e emrave si Behrami, Shaqiri e Xhaka. Ndërkaq, ai pranoi se ekipi përballej me sfida shumë të veçanta.
“Në skuadër ka lojtarë, të cilët nuk e flasin mirë gjuhën tonë. Para ndeshjes dëgjojmë këngë popullore me fjalë që flasin për familjen, bashkimin dhe vuajtjen. Të gjithë kanë humbur të paktën një pjesëtar familjeje në këtë luftë, nuk mund ta harrojmë kurrë”, tha ai, duke zbuluar më pas se objektivi që lojtarët kosovarë i kishin vënë vetes ishin të ngjitnin përfaqësuesen mes 100 më të mirave në botë brenda vitit të ardhshëm.
Në fund, edhe një pyetje për një duel të mundshëm Serbi-Kosovë. “Të flasim pas 20 viteve për këtë, se përndryshe do të duhej të luhej pa tifozë”, janë fjalët kuptimplota të Ujkanit.

Mbahet festivali i 22 shkollave 9-vjeçare në Kamëz, shkolla “Halit Coka” fiton çmimin e parë

Në finalen e festivalit, kryebashkiaku Xhelal Mziu: Inkurajoj të gjithë nxënësit që të bëhen pjesë e vazhdueshme e veprimtarive të ndryshme të Pallatit të Kulturës Është mbyllur dje në festivali i shkollave 9-vjeçare të Kamzës në kuadrin e festave të Nëntorit. Bashkia Kamëz në bashkëpunim me Zyrën Rajonale Arsimore organizuan për disa ditë edicionin e katërt të festivalit të shkollave 9-vjeçare. Kjo veprimtari u zhvillua në skenën e teatrit të Pallatit të Kulturës të qytetit të Kamzës. Festivali zgjati katër ditë.
Stafet arsimore kishin përgatitur programet konkurruese për të paraqitur denjësisht materialet e zgjedhura për këtë konkurrim siç edhe ndodhi. Në këtë aktivitet morën pjesë 22 shkolla 9-vjeçare. Materialet konkurruese ishin të larmishme, ku u përfshinë këngë, valle, interpretime me instrumente popullore, poezi si dhe interpretime të veprave letrare. Në sallë ishin të pranishëm stafet pedagogjike të shkollave, përfaqësues të institucionit të Bashkisë si dhe organizatorët e këtij eventi mjaft të mrekullueshëm. Festat e Nëntorit sollën një atmosferë festive në mjediset e Pallatit të Kulturës, ku nxënësit, mësuesit, prindërit dhe çdo grup tjetër ndoqën shpalosjen e talenteve të reja që sjell ky festival.
Kryebashkiaku Xhelal Mziu ka mbështetur këtë aktivitet ashtu siç i ka mbështetur vazhdimisht jo vetëm veprimtaritë e shkollave, por edhe të çdo institucioni që kontribuon në gjallërimin e jetës kulturore të qytetit. Z. Mziu gjithashtu ka shprehur edhe interesimin e vazhdueshëm që mjediset e Pallatit të Kulturës në Kamëz të mbajnë atmosferën e festave të Nëntorit dhe atyre të fundvitit si dhe dyert të jenë të hapura për veprimtari kulturore-artistike, për të gjitha talentet që mbart qyteti i Kamzës, si dhe për të gjitha bashkëpunimet në këtë fushë.
Dje, kryetari i Bashkisë, z. Xhelal Mziu, ishte i pranishëm në ditën finale të festivalit të shkollave 9-vjeçare të qytetit të Kamzës. Në këtë edicion të katërt të festivalit të shkollave 9-vjeçare, i cili u zhvillua në kuadër të festave të Nëntorit, shkolla “Halit Coka” zuri vendin e parë. Edhe në këtë veprimtari të organizuar nga Bashkia Kamëz, Zyra Arsimore në bashkëpunim me stafet e shkollave 9-vjeçare, spikati niveli i lartë i interpretimit, talentet e reja në të gjitha zhanret artistike, si dhe kostumet e larmishme, të cilat ishin përgatitur me shumë kujdes nga të gjitha shkollat, të denja për festat e këtij muaji. Për të përshëndetur pjesëmarrësit dhe për të ndarë çmimet ishte vetë i pranishëm kryebashkiaku Mziu, i cili ka falënderuar të gjithë për angazhimin e tyre në këtë veprimtari.
“Dua të falënderoj të gjitha shkollat 9-vjeçare të Kamzës, që për katër ditë rresht sollën një entuziazëm të paparë në qytetin e Kamzës, në këtë Pallat Kulture të mrekullueshëm. Dua të falënderoj përzemërsisht të gjithë ata që kontribuuan, pra nxënësit e këtyre shkollave konkurruese dinjitoze; dua të falënderoj të gjithë mësuesit, që punuan për të pasur këtë standard që u pa në këto katër ditë”, u shpreh ndër të tjera Mziu.
Më tej në fjalën e tij ai inkurajoi të gjithë nxënësit e qytetit që të bëhen pjesë e veprimtarive të ndryshme të Pallatit të Kulturës. “Dua të inkurajoj të gjithë nxënësit e këtyre shkollave për të qenë pjesë e Pallatit të Kulturës, që Pallati i Kulturës të mos jetë vetëm pjesë e një festivali, por në mënyrë të vazhdueshme çdo muaj, çdo javë, për të qenë pjesë e aktiviteteve jo vetëm kulturore, por edhe e aktiviteteve të tjera, për të cilat qyteti ynë ka nevojë dhe askush tjetër përveç jush nuk mund të sjellë më shumë se ju në këtë qytet”, ishin fjalët e kreut të Bashkisë, i cili premtoi gjithashtu se dyert e Pallatit të Kulturës do të jenë të hapura për të gjithë.

Varfëria, shqiptarët jetojnë me 500 lekë/dita

Për herë të parë në më shumë se dy dekada, fondi për konsum ushqimor i shqiptarëve ka pësuar rritje në raport me shpenzimet e tjera, bëhet e ditur nga Instituti i Statistikave.
Gjatë vitit 2015, familjet shqiptare shpenzuan 48.7 për qind të parave për të mbuluar konsumin e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike, nga 44.3 për qind që patën shpenzuar për të njëjtën kategori në vitin 2014.
Sipas Anketës së Buxhetit të Familjeve që u publikua të enjten nga INSTAT, konsumi i familjeve shqiptare pësoi një rritje nominale prej 1.9 për qind, e barabartë kjo me indeksin e çmimeve të konsumit, duke bërë që konsumi real të mbetej në vendnumëro.
Sipas INSTAT, konsumi mesatar mujor i familjeve shqiptare qe 70,766 lekë për vitin 2015, me një rritje në vlerë nominale prej 1.9 për qind në krahasim me vitin 2014, kur konsumi qe 69,442 lekë për familje në muaj. INSTAT nënvijëzon gjithashtu në raport se indeksi i çmimeve të konsumit gjatë vitit 2015 u rrit me 1.9 për qind.
Por ndërsa konsumi mesatar i familjeve nuk është rritur, struktura e konsumit ka pësuar ndryshime thelbësore. Në krahasim me vitin 2014, shqiptarët rezultojnë të kenë shpenzuar shumë më tepër para për konsum ushqimor vitin e kaluar, ndërsa me rritje të ndjeshme qenë edhe shpenzimet për banesën, ujin dhe energjinë elektrike, shtesë që u mbulua nga rënia e shpenzimeve për grupmallra të tjera, përfshirë mobilimin e shtëpive, arsim, argëtim e kulturë apo komunikim.
“Ndryshimi më i madh është regjistruar në grupin “shpenzime ushqimore dhe pije jo-alkoolike”, i cili ka një rritje prej 4,4 për qind në krahasim me një vit më parë”, shkruhet në njoftimin e INSTAT.
“Grupet që kanë regjistruar uljet më të mëdha në strukturën e shpenzimeve për konsum gjatë kësaj periudhe janë “Arsimi” me 2,1 për qind dhe “Shëndeti” me 1,2 për qind,” shtohet në njoftim.
Shkaku për rritjen e shpenzimeve për ushqime duket se lidhet ngushtësisht me ecurinë e çmimeve. Ndërsa inflacioni mesatar i përgjithshëm i vitit 2015 qe 1.9 për qind, inflacioni i grupit të ushqimeve qe 4 për qind, ndërsa inflacionet e grupimeve të tjera qenë negative.
Shqiptarët shpenzonin deri në 70 për qind të parave të tyre për të mbuluar konsumin ushqimor gjatë viteve 1980, por pas rënies së komunizmit dhe rritjes së ekonomisë, konsumi filloi të anojë nga mallrat dhe shërbimet e tjera. Vrojtimi i vitit 1994 mbi konsumin zbuloi se 69 për qind e parave të shqiptarëve shkonin për ushqime. Në vitin 2006, konsumi i ushqimeve zinte 48 për qind të totalit, ndërsa deri në vitin 2014, konsumi i ushqimeve ra në 44 për qind të totalit.
Përgjatë tetë viteve të fundit, shqiptarët janë detyruar të përballen me të ardhura më të pakta, ose me të ardhura në stanjacion, ndërkohë që çmimet kanë vijuar të rriten, duke detyruar shumë familje të kursejnë nga shpenzimet e tjera për të mbuluar nevojat për ushqime.
Në vendet e zhvilluara, konsumi i ushqimeve zë më pak se 20 për qind të kostos së përgjithshme të jetesës së një familjeje.

Konsumi për frymë

Instituti i Statistikave e kryen anketën e buxhetit të familjeve, duke pyetur rreth 7,300 familje në të gjithë Shqipërinë. Për vitin 2015 llogaritet se në Shqipëri ka 764 mijë familje me madhësi mesatare katër anëtarë për familje. Konsumi mesatar për frymë rezulton 18,600 lekë në muaj, ose më pak se 600 lekë në ditë. Një shqiptar shpenzoi mesatarisht gjatë një muaji të vitit 2015 9,100 lekë për konsum ushqimor dhe 9,500 lekë për konsum joushqimor.
Qarku me konsumin më të lartë rezulton Tirana, ku familjet shpenzuan mesatarisht 81,700 lekë në muaj. Konsumi në Tiranë në terma nominalë ka pësuar një rritje të papërfillshme prej vetëm 0.1 për qind, gjë që do të thotë se në terma realë, banorët e këtij qarku qenë më të varfër se sa në vitin 2014. Për pjesën tjetër të vendit ka pasur disa luhatje të forta, në ulje dhe në rritje. Për vitin 2015, Qarku i Vlorës rezulton qarku më i varfër në Shqipëri, ku familjet konsumuan mesatarisht 51 mijë lekë në muaj, me rënie 6.8 për qind në krahasim me vitin 2014. Qarku i Dibrës rezultoi me rënie konsumi prej 16 për qind, ndërsa Qarku i Kukësit rezultoi me rritje në masën 16 për qind.

PD, kallëzim penal për Beqen

Ilir Beqaj do të duhet të përballet në Prokurori me akuzën e shpërdorimit të detyrës, pas shkarkimit me telefon që i bëri vartësit të tij në Tropojë. Kallëzimi penal po përgatitet nga Partia Demokratike, ndërkohë që deputetja Albana Vokshi tha dje në një dalje për mediat, se ky rast tregoi se reforma e Ramës në administratë ka dështuar plotësisht. Sipas deputetes së opozitës, pretendimet e Beqajt për këtë rast nuk qëndrojnë, pasi në rast se drejtori i Fondit të Detyrueshëm të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor në Tropojë kishte paguar në mënyrë abuzive për tre muaj një person, ai duhet të bënte kallëzim penal për të. “llir Beqaj ka konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës me shkarkimin me telefon të drejtorit të Fondit të Detyrueshëm të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor në Tropojë, me motivin që nuk mori pjesë në një mbledhje partie. Z.Hajdarmataj me shumë gjasa nuk ka marrë pjesë në Mbledhjen e të deleguarit të Partisë, Beqaj, e nuk ka marrë pjesë as në mbledhjen kur ishte Edi Rama. Këtë krim si duket nuk ia fal dot partia. Ilir Beqaj ka shkelur ligjin dhe Partia Demokratike është e vendosur ta ndjekë deri në fund këtë çështje ndaj po përgatit një kallëzim penal. Ky rast tregoi edhe një herë se reforma në administratën e Edi Ramës ka dështuar, se vendet e punës tregtohen sipas interesit politik e partiak, dhe nuk merret parasysh merita e zotësia. Janë më mijëra nëpunësit e administratës që janë emëruar apo pushuar nga puna për arsye vetëm politike. Emërime me zarf nën dorë dhe shpërblime në kohë zgjedhjesh në këmbim të votës së familjarëve. Meritokracia me Edi Ramën s’është më kriter e s’ka vlerë. Pas bërjes publike të skandalit nga emisionin “Stop”, Ilir Beqaj tentoi të mbrohej, duke sajuar një motiv që rezulton i pavërtetë për shkarkimin, gjë që e implikon atë edhe më tepër. Nëse drejtori i Fondit Tropojë z.Hajdarmataj ka paguar për 3 muaj një punonjës në mungesë, siç pretendon Beqaj, atëherë kjo do të përbënte një vepër penale, dhe ai duhet të kishte ngritur padi. Por fakti që nuk e ka bërë padinë për këtë vepër penale, përbën në vetvete një vepër penale, pasi e ka fshehur (apo moskallzuar) krimin. Edi Rama sot ka bërë sërish propagandë, por nuk ka thënë asnjë fjalë për këtë skandal, duke dhënë sërish mbështetjen e tij për paligjshmërinë, për mashtrimin dhe korrupsionin”, tha deputetja e PD-së Albana Vokshi.