21.5 C
Tirana
E hënë, 5 Maj, 2025

Kritiku i Obamës këshilltar i Trump

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, i ka ofruar ish-shefit të inteligjencës ushtarake, Michael Flynn, postin e këshilltarit për siguri kombëtare, kanë raportuar mbrëmë mediat amerikane.
Derisa nuk ka pasur njoftime se, a e ka pranuar Flynn këtë ofertë, agjencia “Reuters” e ka cituar një zyrtar të lartë të zotit Trump që ka thënë se, “kur Presidenti i Shteteve të Bashkuara kërkon nga ju që të shërbeni, ekziston vetëm një përgjigje”.
Zoti Flynn ka shërbyer në dy vite të trazuara si drejtor i Agjencisë së Inteligjencës Ushtarake në administratën Barack Obama, para se të largohej në vitin 2014 dhe të shndërrohej në kritik udhëheqës të politikave të jashtme të Obamës.
Zoti Flynn është veçanërisht kritik ndaj qasjes së Obamës për luftën kundër grupit ekstremist Shteti Islamik, duke argumentuar se Shtetet e Bashkuara janë më pak të sigurta nga terrorizmi sot, seç ishin para sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001.
Ai ka mbajtur një fjalim tejet energjik në Konventën Kombëtare Republikane, duke e paraqitur pikëpamjen e tij se kërcënimi nga Shteti Islamik kërkon qasje më agresive të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara dhe e ka shprehur besimin e tij se Uashingtoni duhet të punojë më për së afërti me Rusinë.
Këto tema, zoti Trump i ka pranuar dhe i ka përsëritur shpeshherë gjatë fushatës zgjedhore presidenciale.
Flynn është ideolog edhe i çështjeve të tjera të politikës së jashtme, të cilat Donald Trump i ka theksuar gjatë fushatës së tij, përfshirë negociatat e reja për marrëveshjen atomike me Iranin.
Përvoja ushtarake e zotit Flynn ka bërë që zgjedhja e tij të duket natyrore, që ai ta udhëheqë Pentagonin. Por, pa pajtimin e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, ai nuk mund të jetë sekretar i Mbrojtjes, pasi legjislacioni amerikan nuk lejon emërime publike të oficerëve ushtarakë për shtatë vjet, pasi ata të largohen nga shërbimi.
Michael Flynn me gradë është gjenerallejtnant dhe i ka 58 vjet. Ai është pensionuar nga ushtria në vitin 2014. Nëse emërohet në postin e këshilltarit për siguri kombëtare të zotit Trump, ai nuk ka nevojë për konfirmim nga Senati i Shteteve të Bashkuara.
Flynn e ka krijuar reputacionin e tij në ushtri si një profesionist i mprehtë i inteligjencës dhe me shprehje direkte.
Hapat e zotit Trump në fushën e sigurisë kombëtare po ndiqen për së afërti nga aleatët amerikanë dhe po ashtu, nga armiqtë e Shteteve të Bashkuara. Konsiderohet se ai është duke i shqyrtuar një numër të politikanëve për ta udhëhequr Departamentin e Shtetit dhe atë të Mbrojtjes.
Të enjten, presidenti i zgjedhur, Donald Trump, e ka mbajtur takimin e tij të parë ballë për ballë me një lider botëror, prej se fitoi në zgjedhjet presidenciale. Në këtë kuadër, ai privatisht u takua me Kryeministrin e Japonisë, Shinzo Abe.
Besohet se zoti Abe ka kërkuar siguri të re për përkushtimin e Trumpit në mbrojtje të Japonisë, në periudhën kur Koreja Veriore po ndërmerr aktivitete atomike.
Gjatë fushatës, Donald Trump ka thënë se Japonia, si vend i pasur dhe zyrtarisht paqësor, do të duhej ta zhvillonte armatimin e saj atomik dhe ta mbrojë vetveten.
Zoti Trump nuk ka bërë komente pas takimit, por Kryeministri Abe tha se nga takimi me presidentin e zgjedhur ka konkluduar se ai “është lider në të cilin unë mund të besoj shumë”.
Ambasadori i Izraelit në Shtetet e Bashkuara, Ron Dermer, po ashtu e ka vizituar ndërtesën Trump Tower në Manhattan të Nju Jorkut dhe ka vlerësuar se presidenti i zgjedhur, Donald Trump, është “mik i vërtetë i Izraelit”.
“Ne besojmë të punojmë me administratën Trump, me të gjithë anëtarët e kësaj administrate, përfshirë Steve Bannon, duke e bërë aleancën SHBA-Izrael më të fuqishme se kurrë më parë”, tha Dermer.
Steve Bannon është këshilltar i lartë i zotit Trump, i cili është kritikuar ashpër nga demokratët dhe aktivistët, se faqja në Internet, të cilën ai e drejton, “Breitbart News”, është një kanal për pikëpamje raciste dhe antisemite.
Ambasadori izraelit ka refuzuar të bëjë komente direkte lidhur me këto akuza.
Lidhur me çështjet e politikës së jashtme, zoti Trump është konsultuar edhe me ish-sekretarin amerikan të Shtetit, Henry Kissinger, për Kinën, Rusinë dhe Iranin dhe është takuar me guvernatoren e Karolinës Jugore, Nikki Haley, që raportohet se është kandidate për sekretare të Shtetit.
Bashkëpunëtorët kanë thënë se Trump, po ashtu, pritet të takohet me të nominuarin republikan për president amerikan në vitin 2012, Mitt Romney, gjatë fundjavës, për t’i zbutur mospajtimet, pasi Romney gjatë fushatës e kishte kritikuar Trumpin si person “mashtrues” dhe kishte kërkuar nga republikanët që mos votojnë për të.
Zoti Trump ishte përgjigjur në mënyrë të qetë, duke e quajtur “humbës” ish-të nominuarin, Mitt Romney.
Tash, “Reuters” dhe “MSNBC” raportojnë se Romney mund të jetë një tjetër kandidat për sekretar të Shtetit në administratën e ardhshme të Donald Trumpit.

Nuk ka grindje në ekipin e tranzicionit

Presidenti i zgjedhur, Donald Trump po mohon njoftimet për grindje brenda ekipit të tij të tranzicionit dhe tha përmes Twitterit se, është duke u zhvilluar “një proces shumë i organizuar”, ndërsa ai zgjedh anëtarët e kabinetit të tij. Ai ka zëvendësuar tashmë guvernatorin e Nju Xhersit, Chris Christie me nënpresidentin e zgjedhur, Mike Pence si kreun e ekipit të tranzicionit. Ish-kongresmeni Mike Rogers, një këshilltar i lartë i sigurisë kombëtare tha të martën se po largohet nga ekipi. Trump është kritikuar për zgjedhjen e tij të shefit strategjik të Shtëpisë së Bardhë dhe pyetjet vazhdojnë rreth rolit të tri fëmijëve të tij dhe të dhëndrit në këtë proces. Përveç kësaj, ai përballet me kundërshtime të vazhdueshme mes amerikanëve të zakonshëm që mendojnë se retorika e fushatës së tij ishte fyese dhe përçarëse.
Studentët e Universitetit Yale lanë mësimin të mërkurën në mbështetje të shokëve të tyre pa dokumente. Organizuesit e protestave po kërkojnë që shkollat e tyre të strehojnë njerëz që mund të përballen me deportim. Në qytetin e Nju Jorkut, emri Trump u hoq nga tri godina me qira që ai i kishte dikur në pronësi, pasi 600 banorë nënshkruan një peticion kundër tyre.
“Pasi filloi të fliste me tone përçmuese ndaj grave dhe të bënte deklarata raciste, e dinim se nuk do të ishim të sigurtë me emrin e tij në godinën tonë”.
Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Bill de Blasio, i ngriti shqetësimet e qytetarëve gjatë një takimi prej më shumë se një orë me zotin Trump.
“Ai është njujorkez. E di se e do këtë qytet. Por mendova se ishte shumë e nevojshme të dëgjonte atë që ndjejnë qytetarët dhe është shumë e rëndësishme të dëgjonte përvojën tonë”.
De Blasio tha gjithashtu se ai kishte pikëpyetje për zgjedhjen e Steve Bannon-it në postin e këshilltarit të lartë. Bannon ka qenë i lidhur me grupet konservatore të djathta që mbrojnë dhe nxisin nacionalizmin e bardhë dhe si person i medias ka shprehur pikëpamjet e tij që shumë i shohin si raciste dhe kundër grave.
Disa ligjvënës republikanë e kanë kritikuar gjithashtu zotin Trump në të kaluarën, por shfaqën një front të bashkuar të mërkurën.
“Nuk do të komentoja për zgjedhjet e zotit Trump të personelit të Shtëpisë së Bardhë”.
Demokratët kanë filluar përpjekjet për të ripërtërirë partinë pas humbjes së papritur në zgjedhjet presidenciale. Senatori Charles Schumer, udhëheqësi i ri i pakicës në Senat, njoftoi udhëheqësit e rinj të zgjedhur të partisë të mërkurën.
“Mund t’i them amerikanëve këtë: ‘Ne jemi gati të qëndrojmë përkrah republikanëve – duke punuar së shpejti me presidentin e zgjedhur Trump për çështje ku biem dakord. Por ne do të kundërshtojmë presidentin e zgjedhur kurdoherë që vlerat tona dhe përparimi që kemi bërë vihet në rrezik”.
Kongresi i ri do të ketë një shumicë republikane në të dyja dhomat.

Regjistrohuni për të hyrë në zonën Shengen!

Komisioni i BE-së prezantoi në Bruksel sistemin elektronik të emërtuar “ETIAS” për regjistrimin e udhëtarëve. Me këtë sistem do të regjistrohen të gjithë turistët apo ata që udhëtojnë për shërbime, të cilëve nuk u duhet vizë, por vetëm paraqitja e pasaportës në kufijtë e zonës Shengen. Australia e ka prej kohësh këtë sistem, SHBA-ja qysh nga viti 2007, fjala është për një sistem elektronik për udhëtarët, që nuk kanë nevojë për vizë. Këtë sistem do ta aplikojë tani edhe BE-ja, për të kontrolluar më mirë, se kush hyn e del në kufijtë e saj. Në SHBA sistemi i regjistrimit elektronik përmes internetit quhet  “ESTA”. Në Europë ai është emërtuar “ETIAS” (European Travel Information and Authorisation System).

Me çmim më të ulët se në SHBA
Ministrat e Brendshëm të vendeve të BE-së vitin e kaluar e ripërsëritën kërkesën për një sistem elektronik regjistrimi pas sulmeve terroriste në Paris. Ky sistem ishte planifikuar prej kohësh për të mbyllur boshllëqet e konstatuara në sistemin e sigurisë. Tani ai do të aplikohet në praktikë. Ngjashëm si në sistemin amerikan të SHBA-së, udhëtarët, që nuk kanë nevojë për vizë në BE, duhet të regjistrohen në internet. Tarifa e vendosur do të jetë pesë euro dhe leja e hyrjes vlen për pesë vjet. Ndërsa në SHBA tarifa është 14 dollarë për dy vjet.
“Në thelb ETIAS është vëllai i vogël i vizës”, u shpreh një nëpunës i BE-së në Bruksel. Shumë qytetarë për shembull, nga vendet e Ballkanit, që mund të udhëtojnë pa viza në BE, nuk regjistrohen gjatë hyrje-daljeve në kufi. Me aplikimin e sistemit ETIAS këtej e tutje do të kemi një lloj “visa light”, qëllimi kryesor i së cilës është që të mund të ndalohet qëndrimi më tepër se tre muaj.

Hyrje me regjistrim edhe për britanikët
Numri i njerëzve që nuk kanë nevojë për vizë, por megjithatë duhet të paguajnë tarifën e “hyrjes”, vitin e ardhshëm mund të rritet ndjeshëm. Miliona britanikë, që pas Brexit do të vijnë në BE për pushime ose me shërbim pune, duhet të paguajnë për t’u regjistruar në sistemin “ETIAS”. Me daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja praktikisht ky vend konsiderohet si “vend i tretë” e britanikëve nga viti 2020 do t’u duhet të kalojnë përmes një sistemi të ri regjistrimi. Me këtë sistem do të identifikohen udhëtarët nga vende, që mund të udhëtojnë pa viza dhe vetëm duke paraqitur pasaportën në kufijtë e hapësirës Shengen. Po ashtu edhe udhëtarët nga Turqia apo Ukraina, në rast se BE-ja do t’u garantojë atyre qarkullimin pa viza.

Sistem kompleks kontrolli
“ETIAS” është vetëm një komponent i një iniciative në shkallë të gjerë të Komisionit të BE-së, për të siguruar kufijtë e jashtëm pas sulmeve terroriste dhe migracionit të pakontrolluar të vitit të kaluar. Zemra e këtij sistemi të ri për sigurimin e kufijve do të jetë sistemi i regjistrimit të të gjitha hyrje-daljeve të udhëtarëve në BE nga vende jo anëtare. I ashtuquajturi rrjeti “EES” duhet të vendoset deri në fund të vitit. Ndërkohë janë duke u përpunuar detajet teknike.
Nga viti 2020 çdo hyrje-dalje në BE do të regjistrohet në një bankë të dhënash. Njëkohësisht duhet të verifikohet vlefshmëria e pasaportave dhe e vizave. Përveç kësaj do të ketë edhe një pyetësor të rregullt, të ashtuquajturin “Sistem Informacioni i Shengenit” (SIS), në të cilin do të regjistrohen të dhëna për hetimet dhe rreziqet e mundshme terroriste. Të dhënat për hyrje-daljet do të ruhen për pesë vjet. Derisa të vihen në funksion këto sisteme të reja do të duhen të paktën katër vjet që të instalohen scanner-at dhe bankat e të dhënave.

Gjermania dëbon azilkërkuesit nga Ballkani

Numri i dëbimeve të personave pa të drejtë qëndrimi në Gjermani është rritur, në kuotën më të lartë që prej dhjetë vitesh. Listën e personave të dëbuar, e kryesojnë madje me distancë prej grupeve të tjera azilkërkuesit nga vendet e Ballkanit. Vetëm nga Shqipëria, Kosova, Serbia, Maqedonia, Bosnje-Hercegovina dhe Mali i Zi janë dëbuar këtë vit 14.529 vetë, gati tre të katërtat e rasteve. Nga janari deri në shtator të këtij viti janë dëbuar gjithsej nga Gjermania 19.914 të huaj nga Republika Federale, ka bërë të ditur gazeta gjermane “Rheinische Post” duke u bazuar në të dhënat e policisë federale.
Po ashtu është dyfishuar edhe numri i azilkërkuesve të dëbuar nga Siria në 426 vetë, si edhe azilkërkues nga Afganistani. Jo të gjithë kthehen në vendin e tyre. Vetëm 27 afganë për shembull janë riatdhesuar, pjesa tjetër është dërguar në vende të tjera të BE-së apo vende të treta. Madje deri në fund të vitit kjo shifër pritet të rritet deri në 26.500 vetë, kuota më e lartë që nga viti 2003. Vitin e kaluar janë dëbuar 20.888 persona.

SHBA kritikon Rusinë për mbylljen e LinkedIn

Qeveria e Shteteve të Bashkuara është shprehur “thellësisht e shqetësuar” për vendimin e Moskës për bllokimin e faqes profesionale në internet, LinkedIn, me seli në Shtetet e Bashkuara.
Zëdhënësja e ambasadës amerikane në Moskë, Maria Olson, i tha dje agjencisë “TASS” se ky vendim “paraqet precedent shqetësues, që mund të përdoret për arsyetim të mbylljes së çdo uebsajti që përmban të dhëna të përdoruesve rusë”.
Zëdhënësja Olson tha se legjslacioni rus i vitit 2014, që kërkon që faqet në internet t’i ruajnë të dhënat personale të shtetasve rusë në serverët në këtë vend, është “antikompetitiv dhe kundërproduktiv”.
Faqja LinkedIn nëpërmjet një kumtese ka theksuar se aktivitetet e saj janë “në harmoni të plotë” me legjislacionin rus dhe ka shtuar se përdoruesit rusë të kësaj faqeje mund të kenë kompensim të plotë në çdo kohë.
LinkedIn është themeluar në vitin 2004 dhe i ka më tepër se 400 milionë shfrytëzues. Ajo është blerë nga gjiganti kompjuterik Microsoft në qershor të këtij viti, për 26.2 miliardë dollarë.
Rregullatori rus për telekomunikacion, Roskomnadzor, dje i ka urdhëruar provajderët e internetit që ta bllokojnë faqen LindekIn, pasi një gjykatë në Moskë ka konstatuar se kjo kompani nuk është në harmoni me ligjin e Rusisë për ruajtjen e të dhënave personale.

Obama: “Gjermanët duhet ta vlerësojnë Merkelin”

Kancelarja e Gjermanisë priti në Berlin në vizitën e lamtumirës presidentin e SHBA-së, Barack Obama. Mysafiri e vlerësoi kancelaren: Merkel është një person i gatshëm të luftojë për vlerat e veta.
Kancelarja Angela Merkel dhe presidenti në largim i SHBA-së, Barack Obama u përshëndetën me një buzëqeshje dhe një puthje në faqe përpara kancelarisë. Në bisedime – në fokus ndër të tjera roli i SHBA-së nën presidentin e ardhshëm, Donald Trump në përballimin e krizave ndërkombëtare si ajo e Sirisë. Merkel dhe Obama kanë në axhendë qëndrimin ndaj presidentit rus, Vladimir Putin lidhur me krizën në Ukrainë, luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, e ardhmja e marrëveshjes së diskutueshme të tregtisë mes BE-së dhe SHBA-së, TTIP dhe politika për klimën.
Obama e vlerësoi kancelaren Angela Merkel si një shtyllë e rëndësishme në politikën ndërkombëtare. “Ajo ka kredibilitet të madh dhe është e gatshme të luftojë për vlerat e saj”, tha Obama në një intervistë për televizionin publik “ARD” dhe revistën “Spiegel”.
“Jam i gëzuar, që ajo është këtu dhe gjermanët duhet ta vlerësojnë atë. Unë sidoqoftë e vlerësoj atë si partnere”, shtoi presidenti i SHBA-së. Në mënyrë të ngjashme është shprehur Obama edhe para takimeve të mëparshme me kancelaren. Gjatë takimit në prill në Hanover, Obama tha për Merkelin, se është i gëzuar, që ajo do të vazhdojë të jetë kancelare edhe kur ai të mos jetë më president: “Bota do të përfitojë prej kësaj, prej pranisë së saj të qëndrueshme dhe konsekuente”. Para pak kohësh Obama deklaroi, se ajo është politikania, me të cilën ai gjatë viteve të kaluara “ndoshta ka bashkëpunuar më ngushtë”.

Obama paralajmëron nga përçarja e vendeve të industrializuara
Obama shprehu shqetësim për gjendjen e shoqërive të industralizuara perëndimore. “Nëse ekonomia globale nuk reagon ndaj njerëzve, që ndihen të lënë pasdore, nëse vazhdon të rritet pabarazia, ne do të përjetojmë thellimin e përçarjes në vendet e industrializuara”, tha ai në një intervistë. Mbrëmjen e së mërkurës (16.11) Obama dhe Merkel u takuan në një darkë prej tri orësh me dyer të mbyllura.

Me një kupë kafeje në Portën e Brandenburgut
Në mëngjes Obama u shfaq shkurt para Portës së Brandenburgut. Me një kupë kafeje në dorë ai kaloi para ambasadës së SHBA-së në sheshin “Pariser Platz” dhe shkoi në hotelin “Adlon”. “Përshëndetje, si jeni?”, u tha me humor të mirë presidenti i SHBA-së njerëzve aty rrotull dhe i gëzohej pushimit të shiut në kryeqytetin gjerman: “Dielli ka dalë, jo keq!”.
Për këtë vizitë vlejnë rregulla të forta sigurie. Kuartieri qeveritar në Berlin është rrethuar tërësisht dhe në tarracat e çatitë në sheshin “Pariser Platz” ishin pozicionuar snajperistë. Sipas policisë janë të mobilizuar rreth 2400 nëpunës.

Baka-Ikardi, derbi për të rifituar tifozët

Fundjava futbollistike në Itali ndizet me derbin e Milanos. Të dielën në “San Siro” luhet Milan-Inter, një takim që vjen në momentin e duhur për dy amerikano-jugorë. Në derbin e Madoninës një sfidë brenda sfidës është ajo mes Carlos Baccës dhe Mauro Icardit, të cilët kanë për detyrë të rifitojnë besimin e tifozëve të Milanit dhe Interit. Të dy sulmuesit amerikano-latinë kanë bërë diçka për të cilën duhen falur.
I pari, është paraqitur shumë dobët në këtë fillim sezoni, ndërsa argjentinasi i Interit me librin autobiografik që botoi u vendos në qendër të ciklonit nga ana e tifozëve ultras. Edhe pse për motive të ndryshme, derbi është shansi më i mirë që Bacca dhe Icardi të lënë shenjë për të fituar sërish zemrat e tifozëve. Që nga momenti që është bërë pjesë e Milanit, Bacca po përjeton momentin e tij më të keq.
Shifrat nuk janë kundër kolumbianit, sepse deri në këtë fazë të sezonit edhe vitin e kaluar Bacca kishte realizuar vetëm 6 gola, por mungesa e vazhdimësisë nga ana e tij në ndeshjet e fundit është ajo që shqetëson më shumë trajnerin Montella dhe që bën të bien këmbanat e alarmit. Bacca ka 5 ndeshje që nuk shënon dhe ndaj Palermos, trajneri i Milanit i besoi Lapadulas në vend të tij. Ndryshe nga sulmuesi i Los Cafeteros, Icardi në fushë po shkëlqen teksa kryeson listën e golashënuesve të Serisë A me 10 finalizime sëbashku me Edin Dzekon.
Një bomber i lindur si ai asnjëherë nuk ka patur probleme me golin, megjithatë ecuria jo e mirë e Interit në këtë fillim sezoni ka lënë në hije edhe Mauriton. Por më shumë sesa me veten dhe shokët e skuadrës, Icardi problemet më të mëdha i ka tifozët ultras. Disa fraza të 23-vjeçarit në autobiografinë e tij prishën përfundimisht marrëdhëniet e tij me këta të fundit, me ultrasit e Interit që e konsiderojnë të vdekur kapitenin. Icardi i fshiu ato fraza nga libri, por tashmë atij i duhet që të realizojë në derbin e Milanos për t’u afruar sërish me tifozët.

Një sfidë magjike

Të dielën në mbrëmje, “San Siro” do të ofrojë derbin e madh dhe të shumëpritur për këtë sezon. Milan-Inter do të jenë sërish përballë kundër njëri-tjetrit për të shkruar një kapitull të ri të kësaj sfide që shumë shpesh është etiketuar edhe si derbi i Europës, të paktën kur në fushë luanin fenomenë si Ronaldo da Lima. Madje, braziliani arriti deri aty sa të vishte edhe të dyja bluzat e qytetit verior, diçka që nuk u pëlqeu aspak interistëve, kur sulmuesi nuk i tha “jo” ofertës së Silvio Berluskonit në sezonin 2007-2008.
Dhe, si për ironi të fatit, si për ta çuar edhe më thellë thikën në plagë, ai edhe shënoi, ndonëse në fund, zikaltrit e përmbysën golin e amerikanojugorit dhe fituan derbin e 11 marsit 2007. Gjithsesi, “Fenomeni” kujton me mall golat për Interin, me fanellën e të cilëve numëron 4 “perla” në derbin e “Madonnina”-s, por sipas tij, ai më i paharrueshmi do të jetë ai i fitores 3-0 në sezonin 1997-1998.
“Për mua, derbi i Milanos ka qenë gjithmonë magjik, një ndeshje drithëruese dhe shumë speciale. Ndeshja që kujtoj me shumë mall është ajo e 22 nëntorit 1997. Atë takim e fituam 3-0, por mendoj se në atë duel shënova një nga golat më të bukur të karrierës. Mbaj mend Morieron që më ofron një krosim të mirë, por unë zgjodha që ta godisja fluturimthi me të jashtmen dhe doli një gol madhështor.
Stadiumi dukej sikur do shembej, kaluam 2-0 në avantazh, ndërsa Simeone mbylli në fund ndeshjen, duke festuar edhe dopietën personale. Çfarë emocionesh! Ndonëse me Interin kam shënuar edhe shumë e shumë gola të tjerë të bukur, nga ato që nuk do t’i harroj gjatë gjithë jetës, nënvizon Luiz Nazario da Lima Ronaldo, i cili më pas ndalet edhe tek aventura e tij me Milanin, “kushërinjtë” e urryer të Interit.
“Edhe te Milani ishte një eksperiencë e bukur për mua, por fatkeqësisht aty nuk arrita që të shprehja më të mirën time. Gjunjët ishin bërë një problem i rëndë për mua dhe pas disa ndeshjesh theva edhe kroçiaton tjetër. Shënova në derbi golin e parë të takimit, ishte sërish bukur, ndonëse në fund Interi na përmbysi dhe ne milanistët u dorëzuam. Ishte një kënaqësi dhe një nder që luajta edhe për Milanin. Në një vit më mjaftoi që të njihja strukturat e atij klubi, tifozët e tyre dhe ishte bukur. Një parashikim? Nuk mund të bëj, dua dhe shpresoj ta shijoj në maksimum derbin e Milanos”.

Alegri: Ndaj Pescarës, një ndeshje e vështirë

Juventusi me sytë nga Pescara. Bardhezinjtë i rikthehen sfidave në kamionat, ku këtë herë do të kenë përballë ekipin e Masimo Oddos. Në konferencën për shtyp përpara këtij takim, trajneri i “Zonjës së Vjetër”, Masimiliano Alegri, foli për takimin kundër Pescarës, formacionin që do të hedhë në fushë, por edhe për objektivat që skuadra e tij deri në mbylljen e këtij viti.
“Na pret një ndeshje e vështirë, pavarësisht se kundërshtari ka probleme në klasifikim, por sipas meje kjo është një gjë mëse normale për një ekip, i cili sapo është ngjitur në Seria A, ata janë një skuadër që arrijnë të krijojnë shumë raste dhe luajnë mirë. E përsëris, duke fituar të tilla ndeshje arrin tek titulli kampion. Ndaj Pescarës do të hedh në fushë formacionin më të mirë. Në sulm do të luajë Gonzalo Higuain së bashku me Mario Mandzukiç. Si fillim duhet të mposhtim Pescarën dhe më pas të mendojmë për Champions League”, u shpreh Alegri.
Më tej, tekniku toskan foli dhe për gjendjen fizike të futbollistëve të tij si dhe për dëmtimet e disave prej tyre. Një mendim i Alegrit shkoi edhe për balotazhin mes Marchisios dhe Hernanes.
“Kemi shumë mungesa të rëndësishme, duke filluar që nga Gorgio Chiellinit, i cili edhe pse është rikuperuar gjendja e tij po mbahet nën vëzhgim. Benatia gjithashtu po trajtohet me kujdes nga ana stafit mjekësor, njësoj si dhe mbrojtësi tjetër Barzagli, i cili do të qëndrojë gjatë jashtë fushave. Gjithashtu nuk kemi në dizpozicion edhe dyshen Pjaca-Dybala. Pavarësisht kësaj jam optimist se do të arrimjë t’ia dalim. Përsa i përket mesfushës kam dilemat e mia mes Claudio Marchisios dhe Hernanesit, zgjedhje për të cilën do të vendos në minutën e fundit”, përfundoi Alegri.

Conte, trajneri i momentit në Premier League

Antonio Conte është trajneri i momentit në Premier League. 4 ndeshje dhe 4 fitore për Chelsean e tij në muajin e kaluar. Njëmbëdhjetë gola të shënuar dhe asnjë i pësuar. Këto janë statistikat fantastike që ka regjistruar tekniku italian gjatë muajit tetor, me Conte që është duke korrur frytet e punës së tij dhe falë kësaj, ai me meritë është shpallur trajneri më i mirë i mujit të kaluar në Premier League, duke lënë pas rivalët e tij, Jurgen Klopp të Liverpoolit, Arsen Wenger të Arsenalit dhe Mark Hughes të Stoke City, të cilët ishin pjesë e garës.
Pas disa rezultateve jo pozitive “Blutë e Londrës” kanë ndryshuar marsh. Skema e re 3-4-3 ka rezultuar ajo e duhura me Chelsea-in që ka fituar kundër Hull City dhe Southampton në transfertë, ndërsa gjithashtu ka mposhtur bindshëm në “Stamford Bridge” Leicester City dhe Man.United. 4 fitoret e muajit tetor nga suksesi i thellë me shifrat 5-0 ndaj Evertonit në fillim të nëntorit. Momentalisht Chelsea pozicionohet në vendin e dytë, vetëm me 1 pikë diferencë ndaj Livepoolit kryesues. Tetori duket se ka qenë muaji i “Bluve të Londrës”. Pas teknikut Conte edhe sulmuesi Eden Hazard është shpallur lojtari më i mirë i muajit me belgun që ka rifituar formën e tij më të mirë. Hazard ka arritur të shënojë tre gola dhe shërbyer një asist gjatë tetorit. Conte dhe Hazard kanë falënderuar të gjitha ata që i kanë votuar, duke shtuar se këto çmime nuk do të ishin të mundura pa ndihmën e të gjithë ekipit.