Një dokument hedh dritë mbi masakrën e bërë në administratën shtetërore me emërimet dhe shkarkimet me urdhëra politikë. Dokumenti tregon se si në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve një numër inspektorësh janë emëruar në detyrë me udhër të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Një numër tjetër në Njësinë e Hetimit të Tatimeve apo në Drejtorinë Rajonale të Tiranës është bërë me udhër të Njësisë Nr. 3 të Partisë Socialiste. Me udhër të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, është punësuar më 25 shkurt 2014 Elsid Xhelili, me detyrë inspektor. Në të njëjtën ditë janë emëruar inspektorë Fatjon Bojari e Neritan Matoshi. Më 4 qershor 2014 është emëruar Evis Balla, inspektore ndërsa më 16 janar 2014 është emëruar inspektore Yllka Sakaj. 24 emërime të tjera janë bërë nga viti 2014 deri në vitin 2016 në Tatime nga Njësia Nr.3 e Partisë Socialiste. Po me udhër të Saimir Tahirit, më 25 shkurt 2014, është larguar nga detyra inspektorja Amanda Kroj, e cila gëzonte edhe statusin e Nëpunësit Civil. Me kërkesë të Partisë Socialiste, dega e Njësisë 3 janë bërë 4 largime të tjera nga puna. Një vit më parë, Lapsi.al zbuloi një tjetër listë për rekrutime partiake në administratën tatimore. Ishin plot 372 vetë të punësuar me ndërhyrjen e deputetëve të ndryshëm socialistë. Numrin më të madh të rekomandimeve e kishte Taulant Balla, me 80 të tillë. Lista e sotme e zbuluar nga Lapsi.al është një tjetër provë se si vazhdon të mbushet administrata me militantë partiakë.
“Lapsi.al”
Si emëron dhe shkarkon Tahiri militantët në Tatime
Prokuroria zbulon skandalin 1 milion dollarë, arrestohen 3 biznesmenët e kromit
Një hetim i Prokurorisë së Tiranës dhe Drejtorisë së Hetimit Tatimor ka zbuluar një skemë mashtruese financiare në fushën e kromit, me një vlerë rreth 1 milion dollarë, për të cilën është vendosur nga Gjykata masa e arrestit në burg për shtetasit Sokol Nasufi, Mehmet dhe Rexhep Dauti. Vendimet e Gjykatës ndaj këtyre personave janë ekzekutuar pasditen e së enjtes nga ana e forcave të policisë. Këta tre persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë plotësuar fatura fiktive shit-blerjeje të lëndës minerare, në bazë të të cilave kanë përfituar rimbursimin abuziv në vitin 2013.
Nga hetimi i Prokurorisë së Tiranës, Njësia Task-Forcë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor, ka rezultuar se Sokol Nasufi, në cilësinë e administratorit të kompanive “Eurospeed Transh Chrom” sh.p.k dhe “Euro Trade Minerals Group” sh.p.k., ka bashkëpunuar me subjektin “Elidon 6”, nën administrimin e vëllezërve Mehmet dhe Rexhep Dauti, në aktivitetin e shitblerjes së kromit.
Ndërmjet dy palëve në marrëveshje tregtare, pra kompanive të Nasufit nga njëra anë dhe kompanisë së vëllezërve Dauti nga ana tjetër, ka pasur një mosmarrëveshje civile, për pagesën e munguar të 6 faturave, në vitin 2013. Nga ky proces civil, kanë rezultuar të dhëna shtesë, të cilat i kanë ardhur në ndihmë hetimit, pasi ka rezultuar e provuar se kompanitë kanë përdorur fatura fiktive.
Në bazë të të dhënave hetimore, rezulton se sasia e kromit e shënuar në faturat e shitjes të subjektit Elidon 06, është një sasi kromi e vjedhur (e grumbulluar në mënyrë të kundraligjshme) nga dy subjektet tregtare “Eurospeed Transh Chrom” sh.p.k dhe “Euro Trade Minerals Group” sh.p.k.. Ndërsa subjekti “Elidon 06” është përdorur për të bërë dokumentimin e mallit krom, duke qenë se ka liçensë minerare dhe është subjekt që ushtron aktivitet në këtë fushë për lëshimin e faturës së shitjes.
Pasi ka kryer këto veprime, shtetasi Mehmet Dauti, ka prishur bashkëpunim me shtetasin Sokol Nasufi dhe, në kushtet kur shoqëria e tij, për shkak të veprimeve të paligjshme është ngarkuar me vlera të larta detyrimi, ai ka paraqitur kallëzim penal kundër Nasufit. Gjithashtu, Mehmet Dauti i është drejtuar civilisht edhe Gjykatës, ku ka kërkuar arkëtimin e faturave fiktive. Kjo lëvizje dyshohet se është një manovër për të shmangur përgjegjësinë penale, si dhe detyrimet tatimore.
Në mënyrë të përmbledhur, gjetjet e deritanishme nga hetimi i Prokurorisë së Tiranës, janë:
– Rezulton se subjekti “Elidon 06”, në periudhën tatimore maj, qershor, korrik dhe gusht të vitit 2013 ka kryer blerje të shumta nga subjekte të ndryshëm tregtarë, kryesisht blerje të cilat nuk i kanë shërbyer aktivitetit. Këto mallra që sipas faturave janë bërë blerje nga ky subjekt, nga ana e kontrollit tatimor nuk i janë gjetur gjendje dhe për këtë arsye nga grupi i kontrollit i janë bërë shitje, duke i nxjerrë detyrime tatimore në vlera të larta për këtë subjekt.
– Kjo periudhë përkon me periudhën të cilën ky subjekt ka realizuar shitje për dy subjektet “Eurospeed Trans Chrom” dhe “ Euro Trade Minerals”.
– Ka blerje nga subjekte të rretheve të ndryshme, ndërkohë që subjekti e ka selinë në Tiranë, por realisht e ushtron aktivitetin në Has. Këto blerje janë kryesisht me vlera 300,000 lekë, për të cilat sipas ligjit të kohës, lejohej shitja me para në dorë, por disa nga subjektet nuk e kanë pranuar që kanë shitur;
– Nga verfikimi i situatave financiare të deklaruara në tatime, të subjekteve “Eurospeed Trans Chrom”, “Euro Trade Minerals” dhe “Elidon 06”, rezulton se këto subjekte i kanë deklaruar në tatime 6 faturat objekt hetimi, si në librat e blerjes dhe shitjes, në FDP-të dhe të përfshira në bilancet e tyre.
– Si rezulat e veprimeve të kryera, shtetasit dhe subjektet nën hetim, rezultojnë detyrime të papaguara nga shoqëria “Elidon 06” në vlerën 92.346.977 lekë.
Në vijim të hetimeve të kryera, Prokuroria e Tiranës kërkoi nga Gjykata caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për Sokol Nasufin, si edhe për Mehmet dhe Rexhep Dauti, të dyshuar për veprat penale të “Krijimit të skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, dhe “Falsifikimit të dokumentave” të kryera në bashkëpunim.
Prokuroria e Tiranës ka krijuar dyshime të arsyeshme se skema mashtruese në fushën e kromit është më e gjerë dhe për këtë arsye po vijojnë hetimet.
Holanda: Policia bashkëpunon me krimin
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe Policia e Shtetit kanë qenë shpeshherë në qendër të akuzave për korrupsion dhe për përfshirje në trafiqe. Një studim i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, i mbështetur nga Ministria e Jashtme e Holandës ka gjetur se policia shqiptare është institucioni më i korruptuar në vend.
“Në një mjedis me korrupsion të përhapur, policia ka qenë një ndër institucionet më të ekspozuara dhe më të prekura nga korrupsioni. Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme në këtë drejtim, korrupsioni policor në Shqipëri nuk ka shënuar ndonjë ulje të ndjeshme”, thotë studimi.
Sipas studimit ‘Integriteti dhe Korrupsioni Policor në Shqipëri’, forma më e përhapur e korrupsionit mbetet ryshfeti, ndërsa ka rritje edhe të formave të tjera. Të tilla janë bashkëpunimi me elementë kriminalë i punonjësve të policisë, përfshirja në trafik droge dhe manipulim i provave.
Ka patur jo pak raste të zbuluara që punonjës policie kanë qenë të përfshirë në trafikun e kanabis sativës në vend. “Llojet e korrupsionit që kanë shënuar rritje më të lartë janë bashkëpunimi me krimin, përfshirja në trafiqe, manipulimi i provave dhe prokurimet korruptive”, vijon artikulli.
Në këtë studim holandez theksohet gjithashtu se, ka një tendencë në rritje të shkeljes së rregullave për emërimet dhe gradimet në detyrë në Policinë e Shtetit.
“Po ashtu, ka rritje të perceptimit të korrupsionit dhe shkeljes së rregullave të Policisë në lidhje me rekrutimet, emërimet dhe gradimet. Lufta ndaj korrupsionit dhe përpjekjet për parandalimin e korrupsionit nuk kanë dhënë rezultate në drejtim të forcimit të kulturës së integritetit si instrument për t’i rezistuar tundimit për abuzim me të drejtat dhe privilegjet që ofron profesioni i policimit”.
Edhe vet brenda radhëve të policisë shqiptare, punonjësit besojnë se, Policia e Shtetit përdoret për qëllime korruptive, evidenton studimi, duke theksuar se ky është një perceptim në rritje.
Drogë nga Shqipëria në Itali, 17 në pranga
Shkatërrohet banda e drogës shqiptaro-italiane, ndërsa në pranga kanë përfunduar 17 persona. Të paktën 150 forca policore në Modica, Provinca e Raguzës, janë angazhuar në një operacionin mëngjesin e djeshëm, ku u arrestuan shqiptarë, italianë dhe tunizianë, me urdhër të Prokurorit të Anti-Mafias të Catanias, si rezultat i kërkimeve të kryera. Ndërkohë, 17 persona të tjerë janë shpallur në kërkim.
“Corriere Della Sera” shkruan se, sipas hetuesve të çështjes, anëtarët e këtij klani kriminal kishin krijuar një lidhje për kontrollin e droga që vinte nga Shqipëria për në provincën e Raguzës.
Në operacionin policor ishin angazhuar 150 punonjës, 70 makina, 1 helikopter, Njësitë e Departamentit të Parandalimit të Krimit dhe 12 operatorë të Policisë Shkencore. Ndërkohë, deri më tani, për arsye hetimi, nuk janë bërë të ditur emrat e të arrestuarve.
Ndërkohë, policia italiane arrestoi një ditë më parë pas shumë kërkimesh, Zamir Dajkaj, një shqiptar të konsideruar si bosi i grupit mafioz “Barcellona” të Siçilisë, pjesë e klanit “Mazzarota”. Ai ishte shpallur në kërkim dy vjet më parë, pasi ishte dënuar me 11 vjet burg për trafik droge dhe disa vepra të tjera të rënda kriminale.
43-vjeçari u arrestua pas një operacioni të madh policor, ku u përfshinë dhjetra forca policore dhe helikopterë të Karabinierisë. Dajkaj u kap në Terme Vigliatore, në një banesë luksoze. Ai kishte edhe disa shtëpi të tjera që menaxhoheshin nga bashkëshortja e tij.
Vdes mes flakëve 2-vjeçarja në Babrru, shpëtohet i vëllai
Një fëmijë 2 vjeç, i një familjeje të komunitetit rom gjeti vdekjen si pasojë e një zjarri të rënë në barakën ku ata jetonin, në lagjen Shpat, Babrru të Tiranës. Shkak i rënies së zjarrit, sipas burimeve të policisë dhe zjarrfikësve dyshohet se është bërë një furnellë elektrike me të cilën nëna e fëmijës ka qenë duke gatuar.
Vajza dy vjeçare, po flinte në kasolle në momentet kur ka shpërthyer zjarri, që fillimisht është provokuar nga furnella e më pas është përhapur edhe nga një bombul gazi, që shërbente për gatim. Trupi i pajetë i vajzës së mitur u nxor nga zjarrfikësit dhe policia. Për fat të mirë, djali më i madh i familjes, një 4-vjeçar, arriti të shpëtonte.
Burimet thanë se, ka dyshime se flakët mund të jenë shkaktuar nga rezistenca që ishte lënë ndezur. “Ngjarja është tepër e rëndë. Këtu është shkrumbuar çdo gjë. Familja kishte tre vjet që jetonte me qira. Ajo përbëhej nga 4 anëtarë dhe kryefamiljari nxirrte të ardhurat duke mbledhur kanaçe”, tha një burim.
Banorë të zonës thanë se, prindërit kishin dalë për të mbledhur mbetje të riciklueshme, nga shitja e të cilave siguronin të ardhurat e familjes. “Zjarri ka rënë rreth orës 8:30, po ajo familje është vetë i katërt. Prindërit ishin duke mbledhur kanaçe në rrugë. Ata kanë ndenjur në atë barakë dhe dërrasat që i ka mbledhur aty i ka mbledhur për të ngrohur fëmijët për dimër”. Këtë barakë ata e kishin marrë me qira prej disa muajsh.
Nëna e foshnjës 2 vjeçe e cila humbi jetën, pasi baraka ku ajo jetonte u dogj ka rrëfyer momentet e tmerrit. E ëma e dy fëmijëve kishte vendosur ujë për të ngrohur në bombul që të lante fëmijët, por më pas dëgjuan shpërthimin.
Mos lotëve nëna e vajzës së mitur akuzon zjarrfikëset që sipas saj kanë ardhur dy orë me vonesë, ndërsa thotë se askush nuk i ndihmoi. “Kishte vënë bombulën për të ngrohur ujin për të larë kalamajtë dhe erdhi te mua për të pirë kafe, plasi bombula. Në atë moment lajmëruam policinë, asnjë nuk ka ardhur. Dy orë në flakë. Po të kishte mundësi të kishte ardhur zjarrfikësja mua do më kishte shpëtuar fëmija. Kemi pritur dy orë zjarrfikësen. U mundova vetë, por nuk kisha si ta shpëtoja. Pas dy orësh erdhën kur m’u dogj goca. Çi doja pas dy orësh unë, kur më iku fëmija”, u shpreh nëna e 2-vjeçares.
Kapet me 16 kg drogë në Breshia
Policia e Breshias ka arrestuar një 31-vjeçar shqiptar, të cilit iu gjetën në banesë rreth 16 kg lëndë narkotike. Sipas mediave italiane në banesën e 31-vjeçarit shqiptar u gjetën 4 kg kokainë e pastër dhe 12 kg marijuanë. Forcat italiane kanë gjetur edhe 2 pistoleta dhe rreth 600 municione të ndryshme. 31-vjeçari raportohet se ka qenë një person me precedentë penalë dhe u arrestua pas një hetimi të nisur pas sinjalizimeve se në banesën e tij kishte lëvizje të dyshimta.
KLSH në Rrogozhinë për fondet e rrugëve
Një ekip auditimi nga KLSH ka zbarkuar sot në Bashkinë e Rrogozhinës pas shqetësimit të banorëve të këtij qyteti për pezullimin e punimeve në qendër të tij. Burime pranë Bashkisë bënë të ditur se, KLSH ka kërkuar gjithë dokumentacionin që lidhet me këto punime.
Ndërkohë, banorët një ditë më parë shprehën edhe shqetësimet të tjera që lidhen me mosmbajtjen e premtimeve në fushatën zgjedhore nga kryetari i Bashkisë, Beqir Nuredini, për kanalet vaditëse dhe kulluese si dhe kanalizimet e ujërave të zeza dhe të bardha.
Aktivistja i zbraz salcën në kokë Lindita Nikollës
Aktivistja e Lëvizjes “Për Universitetin”, Mirela Ruko, nuk ka hezituar, por ka derdhur një shishe me salcë në kokën e ministers së Arsimit, Lindita Nikolla. Ka qenë kjo shenjë e protestës që vajza 20-vjeçare ka shprehur ndaj ministres, e cila pretendon të ketë reformuar sistemin tonë arsimor. Akoma më të rëndë e bën pozitën e ministres, fakti se ajo ka qenë pjesëmarrëse në Samitin Studentor të FRESSH. Në video shfaqet vajza, e cila afrohet qetësisht tek vendi ku ishte ministrja dhe i zbraz në kokë të gjithë shishen që ajo kishte me vete. Vajza më pas është shoqëruar në Komisariatin Nr. 1 të Tiranës, ku është marrë në pyetje nga agjentët e policisë, ndërsa pjesëtarë të tjerë të lëvizjes protestonin jashtë Komisariatit Nr.1. Mirela Ruko është një studente nga Fieri, pjesë e grupit i cili një vit më parë qëlloi Edi Ramën me vezë, pranë Fakultetit të Shkencave Sociale. “Në Ditën Ndërkombëtare të Studentëve, aktivistët e Lëvizjes “Për Universitetin” kryen një aksion simbolik kundër ministres së Arsimit, Lindita Nikolla. E spërkatën me salcë, duke i bërë për një moment atë çka ajo dhe qeveria shqiptare i kanë bërë jetës universitare publike prej kohësh: shprishjen”, deklaroi Lëvizja në Facebook. “Prandaj ne kemi kërkuar dhe kërkojmë dorëheqjen e ministres Nikolla”, shkruhej në deklaratë. Në videon e postuar në profilin në Facebook të Lëvizjes “Për Universitetin”, shfaqet aktivistja, e cila i afrohet ministres së Arsimit dhe derdh salcë mbi të. “Veprimi i aktivistes sonë ishte një akt ndaj përgjegjësisë së shmangur të ministres Nikolla ndaj reformës së dështuar në Arsimin e Lartë, sistemit kaotik të Maturës Shtetërore dhe favorizimit të dukshëm të universiteteve private”, thanë pjesëtarë nga Lëvizja “Për Universitetin”. Aktivistët u kanë bërë thirrje studentëve të mblidhen përpara Komisariatit Nr. 1 në Tiranë, ku është shoqëruar aktivistja që hodhi salcën ndaj ministres për të kërkuar lirimin e saj. Lëvizja “Për Universitetin” është një grupim i aktivistëve studentorë, të cilët kërkojnë reformimin e universiteteve në Shqipëri për të ofruar arsim të lartë falas dhe pavarësi të universiteteve nga ndikimi shtetëror. Që prej qershorit 2014, aktivistët kanë protestuar vazhdimisht kundër vendimeve të Ministrisë së Arsimit. Kaosi i pranimit të universiteteve shtetërore që erdhi pas ndryshimit të skemës së regjistrimit në fakultete në minutën e fundit, ka shkaktuar gjithashtu pakënaqësi të madhe te maturantët dhe studentët në vend, ndërsa Lëvizja e quajti skemën të dështuar dhe kërkoi dorëheqjen e ministres Nikolla.
Kush është Mirela Ruko
Mirela Ruko është 24 vjeçe nga Fieri, aktiviste e Lëvizjes “Për Universitetin”, ka mbaruar vetëm 3 vite Bachelor dhe më pas ka ndërprerë studimet për Master, pasi i duhet të punojë për të mbledhur 200 mijë lekë të reja, për të paguar tarifën e vënë pas miratimit të Reformës në Universitete, këtë të fundit ajo ka qenë ndër zërat që e ka kundërshtuar më fort. Mirela Ruko trego në një emision televiziv historinë e vështirë të jetës së saj: “Babai im ka punuar në një punë pa siguracione. Aktualisht, im atë ka probleme fizike dhe nuk mund të punojë. Mami im është ajo që kujdeset për të. Duke qenë se nuk ka pasur siguracione, nuk merr asnjë asistencë, apo ndihmë ekonomike, janë dy prindër pa punë, të cilët kanë 3 fëmijë në shkollë. Gjatë momenteve që unë kam mbaruar Maturën Shtetërore, prindërit e mi më thanë që unë nuk kisha mundësi të vazhdoja universitetin. Unë qaja , por gjithsesi thosha që unë do të vazhdoj. Dhe kur fitova shkollën, prindërit e mi më thanë që kishin marrë lekë borxh që unë të vazhdoj studimet universitare. Unë ja u kisha bërë të ditur prindërve, që nëse nuk gjenin mundësi do të largohesha nga shtëpia, për të gjetur një mënyrë se si të vazhdoja shkollën e lartë. Në vitin e parë erdha në shkollë, një vajzë e cila vinte nga një fshat i Fierit, përballë një Tirane kaotike. Duhet të gjeja punë, por nuk kisha mbështetje”, është shprehur Mirela. Më tej, studentja rrëfen se ka qenë shumë në vështrirësi saqë as lekët për konvikt nuk mund t’i bënte dhe kështu u detyrua të jetojë me disa shoqe në shtëpi me qira. “Me 50 mijë lekë të vjetra kam ardhur në Tiranë ditën e parë”, shprehet ajo. Po ashtu në këtë rrëfim të gjatë, Mirela tregon gjithë vështirësitë dhe thotë se disa prej shoqeve të saj e kanë ndihmuar me ushqime. “Babi im kur ka shkuar për të kërkuar bursë është nxjerrë jashtë, madje është qëlluar nga kryetari i komunës”, rrëfehet me lotë në sy përpara disa muajsh Mirela Ruko.
Rama arrogancë ndaj opozitës, Opozita betejë në Parlament
Arroganca e shfaqur dje e Edi Ramës dhe enturazhit të deputetit që ka rreth tij nuk ishte e zakontë. U mundua me gjithçka që kishte në dorë për të bllokuar fjalën e ish-kryeministrit Berisha. Madje nervozizmi i tij u pa dhe ndaj kryetares së seancës Valentina Leskaj, e cila megjithëse u tregua e bindur ndaj urdhrave të shefit, sërish nuk i shpëtoi dot inatit të tij. Kamerat kapën një çast nervozizmi teksa Rama i hakërrehej nënkryetares së Kuvendit, e cila dje kishte zëvendësuar Ilir Metën, që mungoi përgjatë gjithë seancës.
Seanca
Seanca e djeshme që në fillim nisi e tensionuar. Valentina Leskaj, urdhëroi teknikën të priste zërin teksa fliste ish-kryeministri Berisha. Diskutimi i Berishës kishte të bënte me akuzat e ngritura nga mazhoranca për çështjen e integrimit. “Ju në vend që të shprehni një vlerësim, vini në bankën e të akuzuarve opozitën. Në rast se u mor rekomandimi, u mor se u votua nga ana e opozitës Reforma në Drejtësi. Nëse nuk ju hapën negociatat, nuk ju hapën se keni këtë sjellje. Ju dilni këtu, mashtroni, trilloni dhe thoni shpëtuam shpirtin. Por shpirti nuk shpëtohet me mashtrime”, tha Berisha. Ishte ky momenti që Leskaj urdhëroi teknikën t’i ndërpritej fjala, me urdhër të Kryeministrit Rama. Leskaj do të justifikohej se ndërprerja e kohës u bë, pasi Berisha e kish marrë fjalën për procedurë dhe do fliste një diskutant tjetër dhe do e merrte fjalën sërish. Por pikërisht, kur duhej që ish-kryeministri të merrte fjalën, Valentina Leskaj thirri kryeministrin në foltore. Deputetët e opozitës, kërkuan që të respektohej Rregullorja e Kuvendit. Ishte deputeti i PD Flamur Noka, ai që u ngrit drejt foltores së Kuvendit, duke kërkuar nga ana e kryetares së Kuvendit, respektimin e asaj që kish anonçuar vetë. Në foltoren e Kuvendit u ngrit dhe kryeministri Rama, ndërkohë që Leskaj, pasi i mori leje shefit ndërpreu seancën. Pas kësaj, vetë nënkryetarja e Kuvendit do të binte viktimë e inatit të kryeministrit, kur gjatë kohës që ajo iu afrua për të sqaruar pozicionin e saj, ai iu drejtua me nervozizëm me fjalët: “Mbylle gojën, dhe m’u hiq sysh”.
Hakërrimi ndaj Leskajt
Por përse gjithë ajo arrogancë e shfaqur dje nga Rama, në seancën e parë pas kthimit të tij nga Amerika, ku shkoi me shpresën të rregullonte diçka nga ajo që kish deklaruar për Presidentin e zgjedhur Donald Trump. Duket se pas zhvillimeve në SHBA, Rama kërkon të tregojë sërish forcën. Një arrogancë që të kujton periudhën e errët të viteve 1997-2001, kur Kuvendi drejtohej nga Skëndër Gjinushi dhe opozita nuk lejohej të merrte fjalën në seancat plenare. Edi Rama dje u la në baltë dhe nga aleati i tij Meta. Ky i fundit qëndronte vetëm pak metra larg Kuvendit, diku në afërsi të ushtarit të panjohur, duke pozuar me Veliajn.
Asnjë fjalë për viktimat e përmbytjeve
Sali BERISHA
Njeriu që mbart vetëm ligësira, sherre dhe intriga bën gjithçka që, në një kohë kur një pjesë e mirë e qytetarëve të vendit jetojnë në dhimbje të mëdha, në terror të vërtetë nga përmbytjet që pësuan, nga shembjet masive të tokës, nga ndihma zero ndaj institucioneve të këtij vendi, kërkon tani që me sherre dhe intriga të mbulojë qëndrimet e tij fund e krye të papërgjegjshme.
Së pari, mendja ime, zemra ime, shpirti im, është tek ata mijëra e mijëra familje në të katër anët e Shqipërisë, nga Gjirokastra në Tropojë, të cilët u përmbytën, përjetuan vërshime të egra të lumenjve, përrenjve dhe inekzistencën totale të ekzekutivit shqiptar. Dhe jo vetëm inekzistencën, por talljen, përçmimin, cinizmin e pashembullt në një kohë kur ata lëngonin me fëmijët e tyre nën ujë, me gjënë e gjallë të tyre të mbytur, me ujin e futur deri në katet e para e më lart. Kreu i ekzekutivit në vend se të ishte me ta dhe mbas tyre, ja mbathi, çau ferrën për në Neu York, për ekspozitën e zhgarravinave të tij. Kam vite e vite që flas për zhgarravina, por ja faktoi Prof. Etem Ruka, shpresoj t’u vijnë mendt edhe ju, se çfarë çon ky (Rama) nëpër ekspozita.
Të shkosh në Neu York e të lësh të mbytur, të lësh nën një kërcënim fatal, banorët e deltës së Vjosës, të lësh të përmbytur me mijëra hektarë tokë, të lësh fshatra të tëra dhe lagje në Tiranë, duhet të jesh shpirtkazëm si ky këtu, i cili nuk ka keqardhje njerëzore. Harrojeni ju. Janë një kategori njerëzish që për shkak të proceseve psikike, të sëmundjes psikike që kanë nuk ndiejnë kurrë keqardhje.
A ju kujtohet mëngjesi i datës 4 nëntor, kur një super kriminel shtriu në çimento dhe ju mori jetën katër të rinjve? Dhe zotëria e tij dilte dhe i jepte tapetin e kuq nënës së tij vetëm se ishte e sojit të vet, dhe s’gjeti një fjalë për t’i shprehur ngushëllimin katër viktimave. Një fjalë për të thënë për ta nuk gjeti, një fjalë për të dënuar krimin e shëmtuar, por u shiste shqiptarëve heroizmin e Luizës.
A nuk ishte ky njeri që bëri mbledhjen e Këshillit të Emergjencës, foli broçkulla, por s’tha një fjalë për tre viktimat, sikur të ishin viça e jo qenie njerëzore që humbën jetën, që lanë jetimë, që shkretuan shpirtëra e zemra familjarësh. Nuk mundej kreu i ekzekutivit t’u çonte qoftë dhe një fjalë ngushëllimi. Për të përkundrazi, shkuarja në Neu Jork ishte veprimi më i lavdërueshëm. Madje dhe pjesëmarrja në demonstratat anti-Trump, ishte dhe ky një heroizëm i veçantë.
Përgënjeshtronte mediat nga Nju Jorku që thoshnin se demonstratat i kishte organizuar Sorosi, pyeste demonstruesit që thoshnin “nuk na ka organizuar askush”, a thua se ky ishte problemi i shqiptarëve të përmbytur.
Është mëkat të merresh me gjëra të tjera në seancë. Po ky s’të lejon. Kthehet nga Nju Jorku, vrapon në asnjë nga zonat e përmbytura, por shkon në Mirditë e gjen Ndrecën ku i thotë “rrofsh e qofsh o Enver se na ke sjellë pllaka sa për 25 vite! Por Ndreca i tij i thotë: Jo për 25 vite, po për 40 vite!!!” kur as sa 1/3 e rrugës Rrëshen-Perlat nuk ka investuar në Mirditë. Si një Nastradin shkon mbulon mashtrimet e vjetra me mashtrime të reja.
Shkon në Shijak përsëri: 9 projekte! E çfarë ishin ato?! Nuk shkon të takojë të përmbyturit në Rrushkull, Katund të Ri….- Ku jeni ju deputetët e zonës? Se ju nuk shkelni dot te zgjedhësit, keni fituar një urrejtje patologjike. E dini se ka akoma zona nën ujë në Durrës? Foli për bujqësi, zbuloi pas 4 vitesh se uji shkon tek parcela, ndërkohë që deri sot nuk ka prurë ujë në asnjë parcelë, asnjë kanal të ri apo sistem vaditjeje.
Përkundrazi, projektin që kishim me BB prej 60 milionë eurosh, që e lamë gati, e ka shtyrë për shkak të prokurimeve, deri sa e ka rrjepur dhe e ka mjelë, për tre vjet. Paçka se kishte premtuar se do të investonte 140 milionë USD vetëm në vaditje, nuk ka investuar deri sot as 10 milionë USD! Shkon dhe i parashtron fshatarëve premtime të reja. A nuk je ti që u the fshatarëve se do u pesëfishoje grantet për bujqësinë dhe i bllokove ato totalisht? A e dini se në Myzeqe po e shesin kilen e domateve 200-300 lekë të vjetra? A e dini sa është çmimi i kostos? Shitet domatja në tetor sot aq sa shitej në kulmin e saj në gusht, sepse i hapët doganat, sepse vrisni prodhimin vendas, sepse si jepni asnjë mbrojtje, sepse me dogana mbushni xhepat më kollaj.
Ju vidhni në dogana dhe shkatërroni prodhimet vendase.