37.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Liverpool 30 milionë euro për Ivan Perisiç

Me afrimin e merkatos dhe me përfundimin e kampionateve të gjitha skuadrat mendojnë të përforcohen sa më shumë. Liverpooli i Jurgen Klopp ka gati listën me futbollistët që dëshiron për sezonin e ardhshëm. Në krye të listës së “the reds” është Ivan Perisic i Interit. Anglezët janë gati të shpenzojnë 30 milionë euro për 27-vjeçarin dhe ziklatërit nuk do ta lënë pa shqyrtuar këtë ofertë. Nga ana tjetër, italianët mund ta shfrytëzojnë këtë shumë për të përforcuar mbrojtjen, ku objektivi mebetet Sime Vrsaljko i Sassuolos.
Edhe Shkodran Mustafi pritet të veshë fanellën e Liverpoolit në sezonin e ardhshëm. Drejtuesit e Liverpoolit e kanë marrë seriozisht transferimin e Shkodran Mustafit nga Valencia gjatë kësaj vere. Sipas tabloidit britanik, “Express”, Liverpool do të dërgojë disa zyrtarë në Spanjë për të përfunduar marrëveshjen me Valencian për mbrojtësin shqiptar.

Mançini: Kam bërë disa gabime me Interin

FILE - A Saturday, May 11, 2013 photo from files showing Manchester City's manager Roberto Mancini during a line up at the start of their English FA Cup final soccer match against Wigan Athletic at Wembley Stadium, London. Manchester City has fired manager Roberto Mancini after conceding the Premier League title to rival Man United and finishing the season without a trophy. The club announced the decision Monday, May 13, 2013, on its website.The Italian is departing after less than four years in charge, having ended the club's 35-year trophy drought by winning the FA Cup in 2011 and then leading the team to its first league title in 44 years the following season. (AP Photo/Jon Super, File)

Trajneri i Interit, Roberto Mançini ka fajësuar veten për dështimin e neroazurëve këtë sezon. Interi e nisi mirë këtë sezon, por në pjesën e dytë të kampionatit neroazurët pësuan një rënie të madhe. Ekipi kaltër e zi gjendet në vendin e katërt në tabelë me 64 pikë, 7 më pak sesa Roma që tashmë thuajse e ka siguruar Ligën e Kampionëve.
Trajneri i Interit, Roberto Mançini e ka pranuar se ka bërë disa gabime, të cilat i kushtuan skuadrës me mos pjesëmarrje në Ligën e Kampionëve. “Ne kemi marrë rrugën e drejtë. Ne kemi luajtur gjithmonë lojëra shumë të mira pas kthimit të ndeshjes ndaj Juventusit në  Coppa Italia. Ne paguam një çmim të lartë për disa gabime që bëmë. Ne kemi humbur disa lojëra që nuk i kemi merituar t’i humbim. Çdo njeri bën gabime, por e vetmja gjë na nevojitet është durimi”, ka theksuar ai.

Papa: Kush janë 38 martirët e Kishës Shqiptare

Papa Françesku firmos dekretin e martirizimit të 38 klerikëve të Kishës Katolike Shqiptare të vrarë nga komunizmi ndërmjet viteve 1945-1974.
Njoftimi është dhënë nga imzot Angelo Massafra, kreu i Konferencës Ipeshkvnore. Në audiencën që Papa i ka dhënë kardinalit Amato, Prefekt i Kongregatës për Shenjtërit, ka autorizuar shpalljen e dekretit per “martirizimin e Shërbëtorit të Hyjit Vinçenc Prenushi i Urdhërit të Fretërve të vegjël dhe 37 shokët martirë të vrarë ndërmjet 1945 dhe 1974”.
Janë 38, për të cilët ka mbaruar proçesi i lumturimit, proçes të cilin sot me firmën e tij e mbylli Papa Françesku.
“Pontifikati i Papa Françeskut, pasurohet me martirë të rinj të shekullit XX”. Ja kush janë martirët shqiptarë:
Imzot Vinçenc Prennushi: françeskan, ipeshkëv i Durrësit, poet. U burgos e u torturua, sepse nuk pranoi ta shkëpuste Kishën shqiptare nga Selia e Shenjtë; dha shpirt me 19 mars 1949 në birucë të burgut, i shtrirë në dheun e lagësht, të ftohtë, këmbëzbathur, si Shën Fraçesku, bir të cilit ishte!
Imzot Frano Gjini: ipeshkëv, martirizimi i të cilit ia kaloi çdo fantazi kriminale njerëzore: i papërkulur para torturave, si nuk pranoi ta shkëpusë Kishën nga Papa, u dënua me vdekje e u pushkatua më 11 mars 1948.
Imzot Jul Bonati: meshtari i madh intelektual, si u mbyll, për torturë, në çmendinë e si provoi tmerre të padëgjuara në qeli të ndryshme të Sigurimit famëkeq, nga Vlora në Durrës, vdiq në burgun e Durrësit, pranë Imzot Prenushit, i cili i jepte shûjtën për shtegtimin e mbram: Vojimin Shenjt.
Dom Alfons Tracki: prifti gjerman, më shqiptar se shqiptarët, bir i Breslaut, u torturua dhe u pushkatua më 25 qershor 1946, në moshën 50 vjeçe.
Dom Anton Muzaj: u torturua në mënyrë çnjerëzore, vetëm sepse nuk pranoi të mohonte fenë: si i thyen këmbë e duar, e liruan nga burgu dhe e nisën në shtëpi, ku vdiq mes dhimbjeve të tmerrshme mbas pak ditësh, në moshën 29 vjeçare.
Dom Anton Zogaj: famullitar i Durrësit, sekretar i Imzot Prennushit, meshtar jashtzakonisht i përgatitur në të gjitha drejtimet, u burgos e u torturua mizorisht. E lanë të mbyllur disa ditë në një banjo të qelbur, në sa priste ditën e pushkatimit: 31 dhjetorin e 1946-tës.
Dom Dedë Maçaj: i akuzuar si spiun i Vatikanit, u torturua, u gjykua dhe u pushkatua për rezistencën e tij heroike fetare, në moshën 27 vjeç.
Dom Dedë Malaj: mbeti i paharruar në kujtesën e popullit për mbrojtjen heroike që i bëri fesë së krishterë në gjyqin e organizuar kundër tij, që e dënoi me vdekje. U pushkatua në breg të Liqenit të Shkodrës më 12 maj 1959. Ishte 39 vjeç.
Dom Dedë Plani: dha shpirt në spital më 30 prill 1949, mbasi nuk pranoi asnjë akuzë e u bëri ballë heroikisht torturave mizore.
Dom Ejëll Deda: famullitar i Bushatit, i arrestuar vetëm pse ishte prift, vdiq më 12 maj 1948 në spitalin e burgut, mbas torturash çnjerëzore.
Dom Jak Bushati: e akuzuan se ndihmonte diversantët, se bënte agjitacion e propagandë: pretekste të cilat e çuan në pushkatimin pa gjyq më 12 shkurt 1949.
Papa Josif Mihali: Njeri i Zotit, arrestuar e torturuar veç me këtë akuzë, u mbyt për së gjalli në baltën e kënetës, në kampin e shfarosjes të Maliqit.
Dom Zef Maksen: meshtar gjerman, pushkatuar me 1946, duke shqiptuar fjalët: “Des i lumtun, tue mendue se do të kujtohem prej shqiptarëve si meshtár i fesë së Krishtit”.
Dom Lazër Shantoja: meshtár i ndritur, njeri i kulturës, i letërsisë e i artit, u masakrua deri në atë gradë, sa vetë e ëma kërkoi nga xhelatët komunistë ta pushkatonin një orë e më parë, gjë që s’munguan ta bënin në fushat e shkreta të Tiranës, në sa ishte në moshën 54 vjeç.
Dom Lekë Sirdani: personalitet i shquar i Kishës katolike: prift, patriot, shkrimtar. U torturua mizorisht dhe u mbyt për së gjalli në një gropë ujërash të zeza.
Dom Luigj Prendushi: u arrestua, u torturua dhe u pushkatua si spiun i Vatikanit më 24 janar 1947.
Dom Marin Shkurti: i shuguruar meshtar më 1961, shërbeu pak kohë në Kishën me dyer të hapura e shumë, në atë të heshtimit: guxoi ta vijojë heroikisht shërbimin meshtarak në kohën e terrorit. U arrestua, prandaj, u torturua e u pushkatua në vitin 1969.
Dom Mark Gjani: u arrestua për veprimtarinë e tij meshtarake dhe u shua gjatë torturave të tmerrshme në duart e salvuesve të tij në qeli, me 1945.
Dom Mikel Beltoja: u pushkatua më 10 shkurt 1974, mbasi mbrojti heroikisht e haptas idealet e veta fetare në gjyqin që iu bë pas gjashtë muaj torturash, i cili e dënoi me vdekje.
Dom Ndoc Suma: vdiq 2 vjet mbasi ishte liruar, i shkatërruar, nga burgu, ku u torturua me akuza për të cilat thoshte: “Vetëm kur dola në gjyq e mora vesht pse isha arrestue”.
Dom Ndre Zadeja: prift e poet, pushkatuar pa gjyq në qytetin e Shkodrës, duke u bërë martiri i parë, viktimë e diktaturës komuniste.
Dom Pjetër Çuni: prift; vdiq i varur me kokë poshtë mbi gropën e ujërave të zeza.
Dom Shtjefën Kurti: prift, pushkatuar para banorëve të Gurëzit. Sigurimi e akuzoi se deshi të helmatiste popullin duke shfrytëzuar për këtë, furrat e bukës.
Atë Bernardin Palaj: frat e poet i madh, do të vdiste ne Kuvendin e Françeskanëve në Shkodër, shndërruar në burg për 700 vetë. Nën torturat e Sigurimit mori tetanozin. Qe mbledhësi i parë i Eposit të Kreshnikëve, mitolog i shquar, por edhe muzikant e pianist i talentuar. Gjeni i letrave shqiptare, pasardhës i denjë i Fishtës së madh, i mbytur e i harruar.
Atë Çiprian Nika: françeskan, vdiq nën akuzën e rëndë e shpifëse se kishte fshehur armë në elterin e Shëna Ndout, në Kishën françeskane të Gjuhadolit.
Atë Gaspër Suma: rregulltar, pinjoll i një familjeje, që u shua nga komunistët, u arrestua më 1947 dhe vdiq në burg.
Atë Gjon Shkallu: frati i madh filozof, u pushkatua së bashkut me jezuitët Atë Gjovani Fausti (misionar italian) e Atë Daniel Dajani si dhe me seminaristin Mark Çuni, në fillimet e masakrës komuniste kundër klerit katolik. U akuzuan për “tentativë arratisjeje” dhe për formimin e Partisë Demokristiane. Që të katërtëve shteti shqiptar u ka dhënë dekoratën “Martir i Demokracisë”.
Atë Karl Serreqi: frati që nuk pranoi të kallëxojë rrëfimin e një të plagosuri në ndeshjet me komunistët në mal, e kaloi jetën burgjeve. Vdiq në Burrel më 4 prill 1954. Është një ndër martirët e rrallë të sekretit të rrëfimit në historinë e Kishës universale.
Atë Mati Prendushi: frati që mori pjesë në ngritjen e flamurit në Deçiq, u përndoq dhe u fal nga krajl Nikolla e nga mbreti Zog, por u dënua me vdekje nga i ashtuquajturi “gjyq” komunist. Nuk i dihet as varri.
Atë Serafin Koda: frat françeskan; dha shpirt mbasi hetuesët komunistë, duke mos u ngopur me torturat e zakonshme, ia shqyen fytin me thonj.
Vëlla Gjon Pantalia: jezuit; u arrestua ndër të parët e vdiq në spital, mbasi vuajti tmerre të papërshkrueshme.
Fran Miraka, Qerim Sadiku e Gjelosh Lulashi, të rinj që edukoheshin ndër jezuitë; u vranë pse deshën Krishtin.
Maria Tuci: u torturua e mbyllur në një thes, së bashku me një maçok, të cilin e godisnin me shkop. Virgjër e martire, vasha dha shpirt me mundime të jashtëzakonshme.

Basha përshëndet Lumturimin e 38 martirëve të Kishës Katolike nga Papa Françesku

Kryetari i PD, Lulzim Basha përshëndeti dje lajmin e Lumturimit të 38 martirëve të Kishës Katolike nga Papa Françesku. Përmes një postimi në Facebook, Basha u shpreh: “Lajm i gëzueshëm dhe prekës Lumturimi i 38 martirëve të Kishës Katolike nga Papa Françesku. Ky dekret është vendosje e një drejtësie të shumëpritur për vuajtjet e klerikëve, për torturat që kaluan në ferrin komunist, për sakrificën e tyre më të lartë, që lirinë për të besuar, lirinë e ndërgjegjes e paguan me jetën e tyre. Mehr Licht ishin fjalët e fundit të Vinçens Prenushit dhe me të vërtetë, pak dritë më në fund për shpirtin e tyre, për veprën e tyre që frymëzon sot e kësaj dite”

Rama-Gjiknuri miliona euro koncesion të ri për ndriçimin Tiranë-Durrës

Qeveria ka miratuar në mbledhjen e djeshme vendimin lidhur me hapjen rrugë të procedurave për projektin e mundshëm partneritetit publik/¬privat të ndriçimit publik. Konkretisht, projekti i parqitur nga Ministria e Energjisë përcakton administrimin e procedurave dhe përfshijnë modelin që do të ndiqet në territorin e njësive administrative vendore. Ky projekt në fakt e ka zanafillën nga një propozim i mëhershëm që u lakua lidhur me interesin e shfaqur nga një kompani daneze për të marrë me koncesion ndriçimin në Tiranë dhe Durrës. Mungesa e eksperiencës së këtyre njësive bënë që t’i drejtohen Ministrisë së Energjisë për ekspertizë dhe aktualisht për këtë projekt kemi tre autoritete kontraktore që do të marrin në shqyrtim projektin e propozuar për sistemin e ndriçimit.
Gjithsesi ende nuk ka një vendimmarrje dhe në rast se shihet si fizibël atëherë do të hapet një garë normale. Pas shpalljes së fituesit çdo procedurë tjetër e lidhur me kontratën, buxhetimin dhe ndjekjen e zbatimit do të bëhet nga vetë bashkitë. Vendimi i fundit i qeverisë në fakt shërben thjesht për t’i hapur rrugë një partneriteti të ri të ndriçimit publik, duke e lidhur këtë me objektivin që ka vendi për eficencën e energjisë. Projekti për Tiranë-¬Durrës solli disa përplasje mes Ministrisë së Energjisë dhe asaj të Drejtësisë për shkak se ministri Ylli Mnajani vlerësonte se kishte tejkalim kompetencash.
Megjithë kundërshtimin e fortë të ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani, qeveria ka vendosur të japë me konçesion tek privati, ndriçimin e rrugëve në dy bashkitë më të mëdha të vendit, atë të Tiranës dhe Durrësit. Akti, i cili përbën një tjetër thellim të konfliktit brenda mazhorancës, është konçesioni i radhës i qeverisë Rama, detajet financiare të të cilit nuk janë bërë ende publike.
Vendimi i shumëdebatuar vjen në një kohë, kur qeveria ka qenë në qendër të akuzave për konçesione korruptive në disa sektorë kyç, nga shëndetësia e deri në transport dhe energjetikë. Por ndonëse deri më tani, kundërshtimet kanë qenë nga publiku dhe mediat, konçesioni i sistemeve të ndriçimit publik është kundërshtuar edhe nga brenda vetë qeverisë si i dyshimtë dhe në shkelje të ligjit.

Përplasja Gjiknuri-Manjani

Projekti për dhënien me konçesion të ndriçimit publik në kryeqytet dhe Durrës është iniciuar dhe mbështetet nga Ministria e Energjisë. Por gjatë komunikimeve zyrtare, ky projekt është kundërshtuar haptazi nga Ministria e Drejtësisë, e cila e ka quajtur atë si një cënim të autonomisë vendore, por edhe ligjërisht të dyshimtë.
Përplasja e fortë mes Ylli Manjanit dhe Damian Gjinkurit është fituar nga i pari, pasi në mbledhen e radhës, ku Manjani nuk ka qenë prezent, qeveria e ka miratuar projektin.
Vendimi i Këshillit të Ministrave autorizon ministrinë e Energjisë të nisë procedurat për koncesionin, ideja për të cilin nuk ishte e qeverisë, por e një kompanie private nga Danimarka e quajtur HeSalight AS. Përmes tij, qeveria autorizon Ministrinë e Energjisë të marrë në shqyrtim ofertën dhe të vendosë për hapjen ose jo të tenderit.
I gjithë procesi, përfshirë shpalljen e fituesit do të administrohet nga kjo ministri, ndërsa kontrata e koncesionit me fituesin do të lidhet nga dy bashkitë respektive.

Reagon Manjani

Ylli Manjani nuk ka qenë prezent në mbledhjen e qeverisë, pasi ndodhet për vizitë zyrtare në Austri. Por kreu i Drejtësisë ka reaguar menjëherë pas vendimit dhe në një prononcim për “Top Channel” ka përsëritur se nuk është tërhequr nga kundërshtimi i këtij projekti. “Jam shprehur me shkrim për atë nismë dhe mendimi im zyrtar është në dosjen e kësaj praktike. Atij mendimi i qëndroj”, ka deklaruar Manjani.
Vendimi i Ramës duket si një sfidë për aleatin e tij Ilir Meta. Përveç kundërshtimit të Manjanit për këtë projekt, LSI ka iniciuar një draft, që ndryshon ligjin e konçesioneve për të kufizuar kompetencat e qeverisë. Të paktën për këtë çështje, çarja brenda mazhorancës duket e fortë, e ndikuar jo vetëm nga kalkulimet politike, por ndoshta edhe nga interesa të mëdha financiare.

Nishani me kreun e KE për pronat dhe Drejtësinë

Presidenti Nishani garantoi se do të vazhdojë të bëjë çdo përpjekje për të realizuar me sukses Reformën në Drejtësi, duke evidentuar se palët politike kanë përgjegjësinë të ndërmarrin hapa konkrete për ndërtimin e klimës së nevojshme të besimit
Dialogu mes partive kryesore politike dhe miratimi i reformës në drejtësi përbëjnë një kriter të domosdoshëm për integrimin në BE
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka ngritur në Bruksel, në takime me zyrtarë të lartë europianë çështje të rëndësishme si Reforma në Drejtësi, respektimi i të drejtave të njeriut si dhe respektimin e të drejtës së pronës.
Kreu i shtetit njohu zyrtarët europianë mbi ecurinë e reformave për pesë prioritetet kyçe, si dhe vëmendjen që i kushton Reformës në Drejtësi dhe domosdoshmërisë së ruajtjes së vëmendjes edhe ndaj standardeve të të drejtave të njeriut dhe çështjes së respektimit të pronës.
Gjatë vizitës zyrtare në institucionet e BE-së dhe NATO-s, Nishani u prit në një takim të veçantë nga Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, me të cilin bisedoi mbi procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, bashkëpunimin rajonal, si dhe për krizën e refugjatëve që ka prekur dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“E informova Presidentin Tusk mbi ecurinë e procesit të reformave dhe vëmendjen time personale dhe institucionale, veçanërisht ndaj Reformës në Drejtësi dhe domosdoshmërisë së ruajtjes së vëmendjes edhe ndaj standardeve të të drejtave të njeriut dhe çështjes së respektimit të pronës. Shpreha besimin se me finalizimin e Reformës në Drejtësi, Bashkimi Evropian do të mbështesë negociatat e aderimit për Shqipërinë” tha Nishani gjatë konference të përbashkët për shtyp me Presidentin Tusk.
ga ana e tij, Tusk u shpreh se dialogu mes partive kryesore politike në vend dhe miratimi i reformës në drejtësi përbëjnë një kriter të domosdoshëm për të avancuar në rrugën europiane.
“Në këtë moment vendimtar kur Shqipëria po ndërrmer një reformë mjaft ambicioze në fushën e drejtësisë unë i’a bëra të qartë Presidentit sikundër edhe Kryeministrit Rama gjatë nëntorit të shkuar se bashkëpunimi ndërpartiak dhe dialogu janë pika të domosdoshëm për të avancuar në përmbushjen e ambicieve që ka vendi” tha Tusk.
Më tej, Tusk deklaroi se BE-ja vlerëson përpjeket e Shqipërisë për fqinjësi të mirë si dhe mbështetjen e saj në disa çështje madhore duke e cilësuar vendin tonë një partner i besueshëm në arenën ndërkombëtare.
Presidenti garantoi se do të vazhdojë të bëjë çdo përpjekje për të realizuar me sukses Reformën në Drejtësi, duke evidentuar se palët politike kanë përgjegjësinë të ndërmarrin hapa konkrete për ndërtimin e klimës së nevojshme të besimit për realizimin e kësaj reforme dhe të tjerave kyçe për vendin. Duke u ndalur tek angazhimi ndërkombëtar dhe rajonal i Shqipërisë, Presidenti gjeti rastin të bëjë edhe një herë thirrje ndaj autoriteteve evropiane dhe vendeve anëtare për të avancuar procesin e liberalizimit të vizave me Kosovën, i vetmi vend i rajonit qytetarët e të cilit kanë mbetur jashtë këtij regjimi të lëvizjes pa viza drejt BE.
Nga ana e tij Presidenti Tusk vlerësoi përparimin që ka bërë Shqipëria në 25 vjet dhe theksoi nevojën e arritjes së konsensusit ndërmjet mazhorancës dhe opozitës për reformat kyçe që lidhen me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Presidenti Tusk ofroi gatishmërinë e tij për të asistuar në këtë proces.
Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve që nga fillimet e viteve ‘90 e në vijim, ndihmë kjo që ka kontribuar në progresin e vendit dhe në përmbushjen e kritereve dhe standardeve të kërkuara për integrimin e vendit në union. Kreu i shtetit theksoi se Shqipëria nuk ka asnjë alternativë tjetër përveç integrimit evropian dhe se kjo e bën procesin e integrimit edhe më të rëndësishëm e me vlerë për qytetarët shqiptarë.
“E falënderova Presidentin Tusk për kohën në dispozicion, veçanërisht në këto momente shumë të ngarkuara dhe intensive për atë personalisht dhe BE-në me krizën e refugjatëve, si dhe për mundësinë për të biseduar për çështjet me interes për Shqipërinë dhe mundësinë e hapjes së negociatave të aderimit në union.
Gjatë takimit pata mundësinë që t’i shpreh Presidentit Tusk, mirënjohjen e thellë të Shqipërisë dhe shqiptarëve për mbështetjen e madhe që Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare i kanë dhënë që nga fillimet e viteve ‘90 e në vijim, për rimëkëmbjen social-ekonomike dhe zhvillimin të vendit. Falë kësaj ndihme të vyer, vendi ka bërë një progres të jashtëzakonshëm, duke kaluar një nga një fazat e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, si dhe përmbushur hap pas hapi kriteret dhe standardet e kërkuara” u shpreh ndër të tjera Presidenti Nishani.
Temë e rëndësishme e bisedës ishte edhe bashkëpunimi rajonal. Nishani falenderoi Presidentin Tusk për vëmendjen që i ka kushtuar bashkëpunimit rajonal. “Në muajin nëntor të vitit të shkuar, të gjithë liderët e rajonit janë ndjerë të nderuar nga prezenca e tij dhe zëvendëspresidentit amerikan, Joe Biden, në Summit-in e Jashtëzakonshëm të Procesit të Brdo-Brijunit që u zhvillua në Zagreb të Kroacisë. Në këtë kontekst e sigurova se Shqipëria është e përkushtuar për të vijuar politikën e saj të konsoliduar për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe të mirëkuptimit në rajon” tha Nishani.
Nga ana tjetër, ai theksoi se një vëmendje të veçantë gjatë takimit iu kushtua edhe nevojës së bashkëpunimit dhe koordinimit për përballimin e krizës së refugjatëve. “Përshëndeta vëmendjen që Bashkimi Evropian i ka kushtuar përfshirjes së mundshme të Shqipërisë në këtë krizë pas mbylljes së të ashtuquajturës ‘Balkan Route’. Vetëm në muajin mars të këtij viti, Shqipërinë e vizituan tre komisionerë evropianë, Mogherini, Avramopoulos dhe Hahn. Ripërsërita qëndrimin dhe gatishmërinë e institucioneve shqiptare për të qenë pjesë e një zgjidhjeje të bashkërenduar evropiane, proporcionalisht me mundësitë dhe kapacitetet që vendi ka” u shpreh ndër të tjera Nishani.

Arben Shahini

Freedom House: Liria e medias në Shqipëri, e përkeqësuar

Organizata Freedom House, me seli në Shtetet e Bashkuara, vlerëson se Shqipëria dhe Kosova janë në mesin e vendeve me shtyp pjesërisht të lirë. Në raportin e kësaj organizate, të publikuar të mërkurën, Kosova radhitet në vendin e 96-të me 49 pikë, ndërsa Shqipëria në vendin e 106-të, me 51 pikë. Klasifikimi bëhet sipas një shkalle nga 0 në 100, ku zero është rezultati më pozitiv, ndërsa 100, rezultati më i keq.
Shqipëria renditet pas Malit të Zi, Serbisë, Kosovës dhe Bosnje Hercegovinës. Nga vendet e rajonit, vetëm Maqedonia mbetet prapa Shqipërisë. Një vit më parë Shqipëria dhe Kosova ishin radhitur në vendin e 98-të. Në mesin e vendeve të Evropës Juglindore, Mali i Zi zë vendin e 80-të, ndërsa Serbia vendin e 87-të. Më keq janë radhitur Bosnja në vendin e 104-të dhe Maqedonia në vendin e 136-të.
Maqedonia bashkë me Turqinë, klasifikohen si vende me shtyp jo të lirë dhe renditen të fundit në Evropë. Në raportin e organizatës Freedom House thuhet se, dhuna dhe kriza e emigrantëve kanë mbizotëruar lajmet në Evropë në vitin 2015, por po ashtu kanë ndikuar edhe mbulimin e tyre. Ndonëse jo në mënyrë dramatike sikurse vrasjet në Francë, në redaksinë e revistës “Charlie Hebdo”, sulmet kundër gazetarëve në Ballkanin Perëndimor kanë ndikuar në rënien e lirisë së shtypit.
Në Serbi, shumë gazetarë kanë pësuar sulme fizike, gjë që ka ndikuar në shtimin e auto-censurës. Serbia ka shënuar rënie në renditje për shkak të retorikës armiqësore të qeverisë së Aleksandër Vuçiçit kundrejt gazetarëve hulumtues, censurës dhe zvogëlimit të mundësive për raportim kritik e të pavarur.
Në raport thuhet se sulmet dhe kërcënimet me vdekje në Maqedoni dhe Bosnje Hercegovinë, kanë shtuar shqetësimet bashkë me rastet e shumta të dhunës kundër gazetarëve që hetonin korrupsionin qeveritar. Organizata thekson se mbetet çështje e diskutueshme nëse qeveritë e këtyre vendeve janë të sinqerta në përkushtimin e tyre ndaj normave evropiane për median e lirë e të pavarur.
Maqedonia ka shënuar rënie edhe për shkak të zbulimit të përgjimeve të paligjshme e në shkallë të gjerë të qeverisë ndaj gazetarëve, lidhjeve korruptive ndërmjet zyrtarëve dhe pronarëve të medias dhe shtimit të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj punonjësve të medias.
Organizata vlerëson se liria botërore e medias gjatë vitit 2015 ka rënë në pikën më të ultë në 12 vitet e fundit, ndërsa forcat politike, organizatat kriminale e terroriste kërkojnë të kontrollojnë ose t’i mbyllin gojën shtypit në përpjekjet e tyre për më shumë pushtet. Sipas Freedom House vetëm 14 për qind e njerëzve jetojnë në shoqëri me shtyp të lirë.

Nishani-Schulz: Konsensus për reformat e integrimit

Presidenti Nishani u takua dje me Presidentin e Parlamentit Evropian, Martin Schulz, me të cilin bisedoi gjithashtu, mbi ecurinë e procesit të integrimit evropian të vendit dhe përmbushjen e pesë prioriteteve kyçe në funksion të këtij procesi. Presidenti i Republikës shprehu mirënjohjen për vëmendjen që Presidenti Schulz dhe Parlamenti Evropian i kushtojnë marrëdhënieve me Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanin Perëndimor, duke evidentuar në mënyrë të veçantë rolin e fuqishëm të Parlamentit Evropian në mbështetjen dhe garantimin e zhvillimit të qëndrueshëm të Shqipërisë dhe institucioneve të saj demokratike. Presidenti Nishani shprehu gjithashtu gjatë takimit vlerësimin për rezolutën e adoptuar për Shqipërinë, së fundmi nga Parlamenti Evropian, ku përtej vlerësimit të progresit të përgjithshëm të bërë nga vendi, theksohej edhe nevoja e adresimit të sfidave me shpejtësi dhe eficencë. Kreu i shtetit e njohu Presidentin e Parlamentit Evropian mbi ecurinë e reformave për pesë prioritetet kyçe, si dhe vëmendjen që i kushton Reformës në Drejtësi dhe domosdoshmërisë së ruajtjes së vëmendjes edhe ndaj standardeve të të drejtave të njeriut dhe çështjes së respektimit të pronës. “E informova Presidentin Schulz mbi ecurinë e procesit të reformave dhe vëmendjen time personale dhe institucionale, veçanërisht ndaj Reformës në Drejtësi dhe domosdoshmërisë së ruajtjes së vëmendjes edhe ndaj standardeve të të drejtave të njeriut dhe çështjes së respektimit të pronës”, shprehet Presidenti. Gjatë takimit Nishani shprehu mirënjohjen e vëmendjes që Presidenti Schulz dhe Parlamenti Evropian u kushtojnë marrëdhënieve me Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanin Perëndimor. Gjithashtu, Presidenti vlerësoi rolin e fuqishëm të Parlamentit Evropian në mbështetjen dhe garantimin e zhvillimit të qëndrueshëm të Shqipërisë dhe institucioneve të saj demokratike, në respekt të plotë të shtetit ligjor, kushtetutshmërisë dhe të gjitha standardeve të arritura deri më sot. Kreu i shtetit vlerësoi ndër të tjera rezolutën e adoptuar nga Parlamenti Evropian, më 14 prill 2016, për Shqipërinë, ku përtej vlerësimit të progresit të përgjithshëm të bërë nga vendi, vuri në dukje Nishani, theksohet edhe nevoja e adresimit të sfidave me shpejtësi dhe eficencë, në funksion të progresit të mëtejshëm në rrugën e aderimit në Bashkimin Evropian. Nga ana tjetër, Presidenti bëri të ditur se gjatë takimit një vëmendje të veçantë i është kushtuar edhe nevojës së bashkëpunimit dhe koordinimit për përballimin e krizës së refugjatëve, ku evidentohet qëndrimi dhe gatishmëria e institucioneve shqiptare për të qenë pjesë e një zgjidhjeje të bashkërenduar evropiane, proporcionalisht me mundësitë dhe kapacitetet që vendi ka.

Byroja, hetim ministrave dhe deputetëve sipas modelit rumun

ABC News ka siguruar draftin ekspertëve të huaj, ku tregohet si do të funksionojë Struktura e Posaçme Antikorrupsion dhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Nën shembullin e Rumanisë dhe të Kroacisë, agjentët e Byrosë do të kenë mundësi të hetojnë korrupsionin për çdo zyrtar të lartë, përfshirë edhe njëri-tjetrin. Fatkeqësisht Byroja kërkon kohë të marrë formë, për shkak se agjentët e saj do të trajnohen në FBI.
Drafti i ekspertëve europianë dhe amerikanë që po asistojnë reformën shqiptare në drejtësi, detajon varësinë, llogaridhënien, emërimin, shkarkimin dhe hetimin e vetë anëtarëve të strukturës së posaçme të Prokurorisë për hetimin e korrupsionit dhe krimit në nivele të larta.
Kreu i SPAK përkufizohet si një kryeprokuror i ri, madje dhe më i fortë se ai aktual.
Ekspertët propozojnë që struktura e Prokurorisë të jetë përgjegjëse për hetimin e zyrtarëve të lartë përfshirë edhe deputetët dhe asnjë person nuk duhet të ketë mundësi të ndërhyjë. Por ata, ndërkohë do të kenë mundësi të ndjekin penalisht edhe njëri-tjetrin deri tek drejtuesi i SPAK, sipas shembullit rumun e kroat.
“Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme mund të hetojnë dhe ndjekin penalisht njëri-tjetrin në rast se kanë dyshime për korrupsion apo krime të tjera, njësoj siç bën DNA në Rumani dhe USKOK në Kroaci. Më e shumta, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme mund t’i paraqesë Kuvendit ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë një raport vjetor me shkrim”.
Drejtuesi i Prokurorisë së posaçme do të zgjidhet e shkarkohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe llogarinë do ta japë aty. Momenti i shkarkimit bëhet dhe më i rëndësishëm, kur si aprovohet si opsion i mirë zgjedhja e tij me shumicë të thjeshtë, por shkarkimi me të cilësuar.
Sipas Komisionit të Venecias (KV ¶ 48), Këshilli i Prokurorisë duhet të largojë nga detyra Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, kjo kufizuar në rastet e sjelljeve të rënda. Për shembull, modeli i diskutuar nga Komisioni i Posaçëm për Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, që emërimi të bëhet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë me shumicë të thjeshtë, por të largohet me shumicë të kualifikuar, është një zgjidhje e mundshme.
Ekspertët nuk mbështesin zgjedhjen e drejtuesit të SPAK nga Parlamenti. Zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm në këtë mënyrë nuk e ka ruajtur atë nga ndikimi politik, vërejnë ata.
“Për momentin, Prokurori i Përgjithshëm, i cili duhet të hetojë edhe në ngarkim të anëtarëve të Parlamentit, zgjidhet, i rinovohet mandati dhe largohet nga detyra nga Parlamenti. Ky nuk ka qenë një mekanizëm i efektshëm dhe ruan ndikim politik. Çdo sistem i zgjedhur duhet të pakësojë ndikimin politik”.
Euralius dhe OPDAT nuk e konsiderojnë të këshillueshme ngritjen sa më shpjet të SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit. Për shkak të llogarisë së mëposhtme Byroja mund të mos ngrihet këtë vit.
“Prokurorët e SPAK-ut dhe Drejtuesi i tyre zgjidhen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Anëtarët e Këshillit duhet fillimisht të vlerësohen, të kalojnë verifikimet paraprake dhe të zgjidhen. Ky organ nuk ekziston sot. Kjo procedurë shmang ndërhyrjen politike dhe garanton një kryeprokuror të ri, i cili është sa më i pavarur që të jetë e mundur. Për më tepër, agjentët e BKH-së duhet të verifikohen dhe të përzgjidhen, gjë që do të kërkojë kohë (mbase tre muaj). Pastaj planifikohet që ata të trajnohen nga FBI-ja jashtë Shqipërisë. Procesi i trajnimit do të zgjasë të paktën gjashtë muaj”.
Prokuroria e Posaçme, Byroja dhe procesi i kontrollit te gjyqtarëve e prokurorëve të konsideruara si komponentja antikorrupsion e Reformës në Drejtësi, është ajo për të cilat palët kanë rënë dakort. Ekspertët nuk kanë dhënë formular për emërimet në institucionet e drejtësisë. Për ta, kjo është çështjë politike dhe ajo çfarë presin janë nga Komisioni i Posaçëm i Reformës janë formulat e kompromisit për popullimin e institucioneve në një arkitekturë që nuk ndryshon.

Djali i hallës së Beqajt tek koncesionet në Shëndetësi

Koncesionet miliona dollarëshe të Ministrisë së Shëndetësisë çojnë në Prokurorinë e Tiranës zyrtarë të lartë të kësaj ministrie. Pas dëshmisë së zëvendësministrit të Shëndetësisë, Klodian Rjepaj, ditën e martë, personat e tjerë që do të merren në pyetje janë edhe Genci Byrazeri, Arben Gjata dhe Petro Mersini, anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.
Genci Byrazeri është edhe djali i hallës i ministrit Beqja. Pavarësisht këtij konflikti interesi, Byrazeri ka marrë pjesë në koncesionet e dhëna miliona dollarëshe, ndërkohë që nga vetë ministria nuk ka pasur ndonjë reagim për këtë çështje shqetësuese, e ngritur shpeshherë nga opozita dhe mediat.
Prokuroria gjatë kësaj periudhe ka sekuestruar disa materiale në Ministrinë e Shëndetësisë, që kanë të bëjnë pikërisht me tenderat e check up-it, hemodializës dhe sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale. Burime nga grupi hetimor u shprehën se do të merren në pyetje të gjithë zyrtarët që kanë firmosur për këto koncesione dhe nuk është i përjashtuar askush. Hetimi për këtë çështje filloi kryesisht nga Prokuroria, pas denoncimeve nga opozita në media për shkelje ligjore në këto tendera.
Ende nuk dihet nëse këto thirrje në Prokurori janë thjesht për të krijuar pak idenë se po hetohet, apo vërtet do të ketë përgjegjës përpara ligjit.
Koncesionet qindra milionë euro të dhëna nga Ministria e Shëndetësisë janë bërë objekt i një hetimi të Prokurorisë që në dhjetor të vitit të kaluar, e cila zyrtarisht thotë se ka regjistruar procedimin penal. Hetimi fillimisht ka nisur në njësinë Antikorrupsion në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila ka si objekt të punës së saj hetimin e zyrtarëve të lartë, gjyqtarëve, prokurorëve dhe të zgjedhurit vendorë.
Në koncesionet e dhëna nga Ministria e Shëndetësisë, ndër të tjera dyshohet se janë implikuar edhe zyrtarë të lartë të këtij institucioni. Kjo është arsyeja përse hetimet janë nisur nga njësia Antikorrupsion. Mësohet se, fillimisht çështja penale është regjistruar me akuzën e korrupsionit të kryer nga zyrtarë të lartë, por pa emra personash konkretë.
Kompania fituese e koncesionit të hemodializës, “Evita sh.p.k” përfitoi pjesën kryesore të kontratës së majme 10-vjeçare prej 86 milionë dollarësh. Zanafilla e kësaj kompanie është një bar-kafe modeste në qytetin e Beratit, ndërkohë që pronarja e saj, Majlinda Fetiu nuk rezulton të ketë lidhje me fushën e shëndetësisë.
Koncesioni i sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale me vlerë 100 milionë USD, do të hetohet gjithashtu nga Njësia Antikorrupsion e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Sipas një investigimi, kompania modeste e emigrantit shqiptar në Peruxhia të Italisë, Ilir Rrapaj, fitoi 40 për qind të kësaj kontrate, si pjesë e konsorciumit italian të udhëhequr nga “Servizi Italia”.
Koncesioni i kontrollit mjekësor falas me vlerë 120 milionë euro, i fituar nga kompania “Marketing & Distribution” me eksperiencë në tregtimin e duhanit dhe alkoolit do të jetë gjithashtu pjesë e këtyre hetimeve.
Burime të Prokurorisë konfirmojnë se në fokus të hetimeve do të jenë edhe një sërë tenderash të dhënë nga Ministria e Shëndetësisë dhe veçanërisht ligjshmëria e lejeve për importin e barnave që vetë ministri Beqja ka dhënë për disa kompani farmaceutike që operojnë në vend.

R.POLISI