Sekretari i Përgjithshëm i Punëve të Jashtme të Austrisë, Michael Linhart, ka përmendur zgjedhjet e vitit 2017 si standard për negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë. Ai pranoi gjithashtu se, Greqia dhe Holanda janë kundër hapjes së negociatave në dhjetor. Megjithatë, ai vlerësoi se vendi ka bërë progres. I pyetur nga gazetarët në një konferencë për shtyp me ministren e Integrimit, Klajda Gjosha, ai dha këto përgjigje.
-Zoti Linhart, ju e vlerësuat Shqipërinë një partner, por çfarë qëndrimi do të mbajë Austria në dhjetor? Znj. Gjosha, a ka ndonjë vend që është shprehur kundër hapjes së negociatave?
Siç e përmenda, ne jemi në favor të hapjes së negociatave. Megjithatë do të priten konkluzionet e Këshillit dhe ne do të përpiqemi të bindim partnerët tanë të mbajnë një qëndrim pozitiv për këtë.
Për vendet skeptike unë do të rikujtoja se ky është një proces. Shqipëria e ka marrë një rekomandim pozitiv me një kusht që ne ia kemi vendosur vetë vetes, vazhdimësinë e zbatimit të Reformës në Drejtësi me rezultate të prekshme dhe zbatimin e ligjit të Vettingut.
-Zoti Linhart! Unë po unë do përmendja dy vende skeptike për negociatat, Holandën dhe Greqinë, a do të ndërhyni ju në këtë proces?
Nëse një vend ka bërë progres, ne e vlerësojmë atë dhe Shqipëria ka bërë; ne e vlerësojmë atë ecuri dhe ndaj i ndihmojmë këto vende, por duhet të na ndihmojnë edhe ato.
-Zoti Linhart! Ku konsistojnë rezervat më të mëdha ndaj Shqipërisë deri tani?
Në fakt, rekomandimet janë të qarta, ndryshime në opinione ka dhe do të ketë. Por gjithçka mbetet në duart e Shqipërisë. Ky vit na çon edhe drejt zgjedhjeve. Nëse zgjedhjet do të përmbushin standardet e duhura nuk mendoj se do ta pengojnë këtë rrugë të Shqipërisë”.
Austria: Zgjedhjet, kusht për hapjen e Negociatave
Lidhja e Ramës dhe Veliajt me mafien Ndragheta për plehrat
Ish-Kryeministri Berisha denoncoi dje në Parlament lidhjet direkte të Ramës dhe Veliajt me kompaninë mafioze italiane të lidhur direkt me organizatën mafioze Ndragheta. Berisha ka paraqitur në Parlament foto dhe dokumente që zbërthejnë aksionet e mafiozëve italianë në kompaninë që Rama i ka dhënë monopolin e plehrave në Tiranë.
“Pse nuk vjen dekreti i plehrave këtu? A nuk është kjo një shkelje e Kushtetutës, e cila detyron përparësi absolute në trajtimin e dekreteve. E dini pse? Ja u them unë çfarë ndodh. Sepse këtu ka një miksturë të tmerrshme të mafies shqiptare me mafien italiane, të denoncuar zyrtarisht jo vetëm nga pala shqiptare, por dhe nga pala italiane, nga autoritetet italiane.
Më 22 qershor 2016 u themelua në Tiranë kompania “Eco Albania”.
Kjo kompani është bashkëpronësi e Bashkisë së Tiranës (51%) dhe kompanisë ‘ASGM Holding Albania’ (49%).
Aktualisht, kjo kompani ka një kontratë ekskluzive me Bashkinë e Tiranës, që synon ingranimin e saj në formë monopoli në trajtimin e mbetjeve të qytetit.
Aksionari AGSM-Holding-Albania në dukje është një kompani e Bashkisë së Veronës, por zbardhja e interesave përbërës të kësaj kompanie zbulon se ajo është e ndarë në: AGSM Verona – 75% dhe AMIA – Verona 25% Kompania AMIA-Verona përfaqësohet nga shtetasi Andrea Miglioranzi dhe është kompani private, e cila ka një akses të veçantë në Bashkinë e Veronës.
Zoti Miglioranzi më herët ka qenë i përfshirë si përfaqësues i disa kompanive të tjera italiane, të cilat janë hetuar nga Prokuroria italiane si kompani nën kontrollin e organizatës kriminale ‘Ndragheta’.
Biznesmeni Miglioranzi është njeri tepër i afërt i kryebashkiakut të Veronës, Flavio Tosi.
Kryebashkiaku Tosi nga ana tjetër ka qenë subjekt i një skandali mediatik, sepse pak kohë pasi ai kishte mohuar çdo lidhje me organizatën ‘Ndragheta’, në media u publikua një foto e tij, ku pozonte në një përqafim vëllazëror me shtetasin Antonio Giardini, i cili konsiderohet si lojtar i rëndësishëm i organizatës mafioze.
Aktualisht Bashkia e Veronës dhe kompanitë AGSM-Verona dhe AMIA-Verona dyshohen si kompani nën tutelën e organizatës ‘Ndrangheta’.
Ka pasur disa sinjale në media dhe në dosje hetimore që lidhin personazhet, ndonëse një hetim më i thelluar do të nevojitej për të verifikuar dhe dokumentuar më qartë përfshirjen e interesave të organizatës mafioze në këtë histori.
Nga ana tjetër, nëpërmjet pamjeve filmike dhe dokumenteve zyrtare, rezulton se ingranimi i ‘klanit Veronez’ në projektin e riciklimit ka nisur në vitin 2014, kur deputeti rilindës Artan Gaçi shkoi në Verona dhe kërkoi zyrtarisht mbështetjen në kompaninë AMIA-Verona, për të hyrë në Shqipëri.
Vizita e Gaçit u pasua nga dy vizita të Edi Ramës, i cili u takua në Itali me kryebashkiakun e Veronës Tosi. Ky i fundit erdhi më pas në Durrës ku u fol për një projekt kulturor, por interesat e vërteta të takimeve lidheshin me biznesin e riciklimit.
Pas takimeve me Ramën, kryebashkiaku i Veronës Flavio Tosi, nisi kontaktet me Erion Veliajn dhe dy bashkitë nënshkruan dhe marrëveshjen mes tyre dhe krijuan kompaninë e përbashkët ‘Eco Tirana’.
Indiciet, dokumentet publike, fotot e publikuara, hetimet e disa personazheve të lidhur nga Prokuroria italiane, çojnë në gjurmët e implikimeve të organizatës ‘Ndragheta’, duke ngritur dyshime të arsyeshme se Edi Rama ka vendosur të bëjë biznes me këtë organizatë dhe t’ua japë atyre monopolin e riciklimit.
Të njëjtat kompani italiane kanë dështuar që të aplikojnë të njëjtën skemë në Rumani, Bosnje apo Kroaci.
Ja çfarë thonë mediat italiane: http://www.ilfattoquotidiano.it/2016/07/29/flavio-tosi-la-foto-con-lindagato-opposizione-diceva-di-non-conoscerlo-la-replica-non-me-ne-frega-un-cavolo/2942147/ http://www.verona-in.it/2015/08/30/a4-serenissima-perche-a-tosi-sta-cosi-a-cuore-questa-societa/”. Kjo ishte pjesa më e fortë e deklaratës së Berishës.
Ortaku i Ramës në Verona i gropos plehrat në autostrada
Ish-Kryeministri Berisha ka denoncuar edhe mënyrën se si operon në Verona të Italisë organizata mafioze me plehrat. “A e dini çka bërë ky në Itali? Ka marrë plehrat dhe i ka përdorur për mbushje autostrade, i ka futur nën asfalt. Ja ku e keni (tregon foto) dhe për këtë e ka kryqëzuar drejtësia italiane. Se cila është lidhja e tij me By Pass-in herës tjetër do e keni. Ky do vijë tani të pastrojë plehrat tona.
(të qeshura në sallë) T’ju sqaroj diçka. Italishtja ime është larg së qenuri ajo që duhet të jetë. Por është në atë gjendje sa kurrë në jetën time kurrë nuk kam bërë një orë mësimi italisht. E tëra vjen nga mediat dhe nga latinishtja ku unë kam qenë një student ekselent.
A doli këtu se kush qëndron prapa plehrave? Prapa plehrave qëndron Rama me Ndraghetën, të cilën e sjell në Shqipëri. Tani plehrat italiane nuk do varrosen më në autostradat e Italisë siç ka bërë kompania, por do vijnë të groposen në rrugët e Shqipërisë. Tani rrugët e vendit do shndërrohen në landfille. Kjo është arsyeja pse ju përdorni tenderat, ryshfetin për të kaluar këtu dekretin famkeq në të cilën ju faktoni veten si qeveri e plehut”, tha Berisha.
Rama më xhelat se varjet në litar të Kristaqit
Ish-Kryeministri deklaroi dje në Parlament se, PD në pushtet ndërmori të gjitha vendimet për kompensimin e ish-të përndjekurve politikë, ndërsa i kujtoi Ramës varjen në litar të poetit Havzi Nela nga i ati i tij Kristaq Rama. Berisha kujtoi se krimet e komunizmit nuk u dënuan në Europën Lindore për shkak të lobimit të fuqishëm që bëri Xhorxh Soros, i cili ka pasur si qëllim riciklimin e pinjollëve të atyre krimeve.
“Gjykoj se përpjekja e atij që ja mbathi (Ramës), dhe jeni të sigurt që do ja mbathi, dhe të jeni të sigurtë po s’ja mbathi ky në qershor, por tani unë duhet të bëj disa sqarime. Meqë ai nuk tha qoftë dhe një fjalë të vetme për dhjetëra fakte, dokumente që u paraqitën për fermerët, për të përmbyturit, për plehrat, atëherë unë do i përgjigjem.
Së pari, çfarë konstatoj unë. Konstatoj se neobllokmenët, Edi Rama me shokë, në disa aspekte janë më mizorë, më barbarë se etërit e tyre. Këta kanë në psikologjinë e vet adhurimin për krimin e dobishëm, e cila ka qenë palcore në familjet e Bllokut, cilado që të ishte natyra e tij, buronte nga fakti që ai i shërben pushtetit. Sot zotëria foli për bunkerin. S’po bën asgjë tjetër veçse po përpiqet të përjetësojë barbaritë e etërve të tij. Nëse Rama do të tregojë se ka një ndërgjegje për atë që ka bërë konkretisht i ati i tij, Kristaq Rama, i cili ka firmosur në mënyrën më të përsëritur ekzekutimet e njerëzve absolutisht të pafajshëm dhe vetëm për motive politike, njëri prej të cilëve është Havzi Nela etj., mendoj se do të kishte lehtësuar partinë e tij, shpirtin e tij nga trashëgimia e skulptorit-xhelat. Dhe nuk ka më xhelatë se ata intelektualë që u morën me vepra të tilla gjatë diktaturës. Indoktrinimi i një njeriu të shkolluar në nivelet më të larta, konformizmi dhe angazhimi i tij në vepra kriminale është shkalla më ekstreme e egërsisë dhe barbarisë së sistemit. Nuk po shkoj fare te daja i tij, një persekutor i inteligjencës teknike shqiptare. Por a ka pendesë Edi Rama? Jo, Rama e quan se ishte vepër madhore e tyre. A nuk është ky që dy javë më parë shpalli 70 viktima të gjenocidit komunist të kohës së Luftës, gjenocid i mirëfilltë në çdo lloj konvente, i njohur si veprim i pamerituar dhe nga autorët e tij, dhe justifikonte një vepër makabër.
Unë e kam thënë këtu se asnjëherë, në formimin tim nuk kam pranuar të quaj fajtor djalin për babën. Jo, janë të ndryshëm. Por kur djali mban mbi supe dhe bëhet avokat i krimeve të babait, është dhjetë herë më i zi se ai. Dhe ky është Edi Rama. Për disa prej tyre, për shkak të luftës së tyre të brendshme kanë pësuar vite të tëra burg dhe unë kam shumë respekt për burgun që kanë pësuar, por një gjë s’ua pranoj kurrë: faktin që nuk dënojnë një veprim konkret të baballarëve të tyre. Kjo më bën mua të hezitoj. Njëri prej tyre, që kam respektuar për vuajtjet e tij ka qenë Bashkim Shehu. Por nuk mund ta pranoj kurrë që Bashkim Shehu të mos thotë një fjalë për xhelatin Mehmet Shehu, për krimet konkrete. A nuk ishte një rast vrasja e këtyre 70 shqiptarëve të pafajshëm që të dilte të dënonte të atin dhe veprën makabër? Do të na japë tani ne leksion se si të nderojmë e si të dënojmë të shkuarën.
Shikoni çakallin që kemi patur në grup, që e shkuara e tij e shndërroi në çimkë. Për shqiptarët që janë të interesuar për të vërtetën, e vërteta është qëndrimi i PD ndaj të shkuarës ka qenë më i fortë se i çdo force tjetër politike në Europën Lindore dhe kjo me fakte. Nuk impresionohem unë nga njerëz dritëshkurtër dhe memorieshkurtër. Historia është kjo: në rang botëror komunizmi nuk u dënua. Kjo është e vërteta. Dhe një nga arsyet që nuk u dënua komunizmi në rang botëror, mortaja e kuqe, është se nuk e la socialdemokracia europiane, se George Soros bëri gjithçka për mbijetesën e mbeturinave të komunizmit, dha miliarda për të mbështetur mbetjet e diktaturave. Se degëzimet dhe tentakulat e tyre u shtrinë me shpejtësi në institucione. Shqipëria mund të bënte më shumë, por Shqipëria ka nderin të jetë vendi i parë në Europën ish-komuniste që bëri ligjin e gjenocidit komunist dhe krimeve kundër njerëzimit. Asnjë vend tjetër, e ka bërë Polonia në vitet 2000 atë që bëmë ne në vitin ‘92. Dhe mbi bazën e atij ligji nuk janë dënuar 1, 2 apo 3, por janë dënuar 73 pjesëmarrës të gjenocidit komunist. Shqipëria bëri ligjin, me ato mundësi që pati, vuri para ligjit 73 anëtarë të nomenklaturës së kuqe, nxori nga sistemi i drejtësisë dhe sisteme të tjera. Shqipëria është i vetmi vend që shkriu me një vendim të vetëm, me një dekret policinë sekrete hoxhiste, 4200 vetë. Morën pension, sigurisht sepse ne po shkonim drejt Europës jo drejt diktaturës. Gjykata e Strasburgut kishte përcaktuar vendime për pensionet dhe ne do i nënshtroheshim asaj, sepse do të anëtarësoheshim. Pra, me ligjin tonë çfarë bëmë ne? Ne i përjashtuam nga detyrat zyrtare ata që përjashtoi Çekia.
Tani vijmë pak te të përndjekurit. Sigurisht që sado që të bëjmë ne ndaj tyre borxhit kurrë nuk u del. Në asnjë mënyrë nuk rikthen jetët e tyre të humbura, shekujt e mijëvjeçarët në burgje, rinitë e tyre të kalbura në qeli, por ne përsëri nuk është se nuk treguam ndjeshmëri. Së pari, sapo erdhëm në pushtet, nëse tetë vite nuk rikthyen një qindarkë të vetme socialistët, shpërblyen Nexhmije Hoxhën e Ramiz Alinë, Aranit Çelën dhe kriminelë të tjerë dhe asnjë të përndjekur. Ne menjëherë vendosëm si tarifë, në marrëveshje me ta, më të lartën që ekzistonte në Europën ish-komuniste, 18.6 $ dollarë ditë burgu. Vendosëm pensione shtetërore për të gjithë personat me moshë 25-60 vjeç që kanë qenë në ngarkim të personave të pushkatuar ose që kanë vdekur në burgje dhe kanë paguar detyrimet nga data e pushkatimit apo vdekjes në burg të kryefamiljarit në vazhdim. Janë lidhur pensione invaliditeti të gjithë personave të burgosur me qëllime politike në spitalet psikiatrike dhe të gjithë ata kanë qenë dhe janë plotësisht të merituara. Në zbatim të ligjit për pensionet, janë lidhur 21.400 pensione individuale, familjare, invaliditeti për martirët e gjallë të demokracisë. Janë dhënë si dëmshpërblim nga 2007, 103 mln $. Janë dhënë si dëmshpërblim 2200 apartamente banimi, e tëra kjo statistikë e institutit të tyre. Janë dhënë si diskriminim pozitiv 22.000 të drejta studimi dhe bursa. Janë dhënë miliarda lekë privatizim, me të cilat kanë marrë mbi 2751 linja prodhimi, fabrika dhe objekte industriale, të cilat kanë blerë me ato lekë, me vlerë të plotë leku. Sigurisht, rruga që zgjodhëm nuk ishte konvencionale, rruga që zgjodhëm ishte e dëmshpërblimit të plotë. Vendet ish-komuniste kanë zgjedhur rrugën e konvencionit, janë mjaftuar me pensionet. Kurse ne zgjodhëm atë rrugë me të cilën ramë 100% dakord me të përndjekurit politikë. Ky është qëndrimi. A u krye detyra? Jo. Por në mënyrën më të fuqishme të mundshme që kishim e afrontuam problemin. Është ky që i dogji të gjallë të përndjekurit politikë, është ky që shfrytëzoi sëmundjen e tyre psikike të krijuar nga burgjet e nga jeta, i futi t’i hedhin benzinë vetes. Ku janë tani ata që i dogji ky? Tani thotë mirë e pësuan ata, e meritonin plotësisht.
Përsa i përket ligjit, ne jemi autorë të një ligji tjetër. Ligji ynë ishte hapja e dosjeve për të gjithë zyrtarët dhe përjashtim nga detyra për ata që kishin. Ky ishte ligji ynë. Nuk pranuan asnjë përjashtim nga detyra. Megjithatë opozita, për hir të asaj që të mos bojkotojmë, vendosi të marrë pjesë. Tani do ta marrë krejt për vete. Merre po s’të quhet, e kompromenton dhe këtë hap që po bëhet.
Për ta mbyllur, ne na vjen keq që nuk u hapën negociatat. Ne besojmë se negociatat mund të hapeshin dhe të përfshiheshin të gjitha çështjet në paketën e negociatave pasi të hapeshin, por kjo nuk ndodhi se nuk kishin besim te Edi Rama. Ato do t’i hapë PD, qeveria e saj e ardhshme, dhe ajo, siç ka realizuar çdo proces integrimi nga vitet ‘92 deri sot do të kompletojë dhe integrimin e Shqipërisë në Europë”, tha Berisha në Parlament.
A e dini ç’po bëhet me rrugët?
Ku jeni ju o deputetët e Fierit? A e dini çka pësuar by pass-i i Fierit? By pass-i i Fierit ka patur të gjitha përcaktimet për të përfunduar brenda këtij viti dhe financimi ishte qindarkë për qindarkë, BEI dhe BERZH. Përkundrazi, vidh e vidh nuk ka të sosur. Derisa Vali Bizhga flet gjithë ditën në telefon në emër të këtij, që bëni këtë e bëni atë dhe tani nga mafia ai është shtyrë për të përfunduar në vitin 2019. A ju bën juve përshtypje kjo?
Dilni këtu dhe thoni se na i dha falas Japonia makinat. Sigurisht që është grant japonez, ja u them unë qytetarëve, por ai granti nuk është për makina firmato. Ai granti japonez mund të merrej zetorë apo kambajna.
Gjatë vizitës sime, garantova 120 milionë dollarë për ujërat e zeza të Tiranës. Ku janë? Impianti i përpunimit të ujërave të zeza të Tiranës duhet të kishte përfunduar në vitin 2015. A e dini çfarë bëtë ju? E fitoi kompania franceze, ja anuluat se nuk ju dha ryshfet dhe bëtë gjithçka, vutë të tjerë dhe vidh e vidh nuk ka të sosur. Ku është impianti i përpunimit të ujërave të Tiranës?
Për fshatin ju jeni cinikë dhe e keni shkatërruar atë në mënyrën më të pabesueshme. Fshati nuk është se kishte ndonjë infrastrukturë dhe në disa aspekte, për ata që e njohin, në vitin 2005 ai ishte gati 3 shekuj më parë. Sado që investuam 3.4 miliardë dollarë ata e meritonin dhe ju duhet të vazhdonit të investonit. Unë drejtova tetë vite vendin duke marrë një buxhet vjetor maksimumi 412 mln lekë, kurse zotëria vitin e katërt të qeverisjes së tij cakton një buxhet vjetor sa për 18 këshilla të ministrave para tij, cakton një buxhet vjetor 18-fishi i Presidencës së Republikës, cakton një buxhet vjetor 5 herë më të madh se sa rrethet nga Kruja deri në Tropojë, cakton një buxhet vjetor 37 mln dollarë në një kohë kur, i jep Presidencës së Republikës 2 mln dollarë. Sigurisht që Këshilli i Ministrave ka shpenzime më shumë. Edhe në kohën time kishte, por presidenti merrte 200 mln, kryetari i Këshillit të Ministrave merrte 418 mln.
A e kuptoni se kjo mënyrë është një krim i shëmtuar me të cilën po qeverisni?
A lyhet dy herë Liceu Artistik se zotërisë nuk i pëlqen ngjyra pana, por e donte mavi. Por këto janë para të qytetarëve jo para tuajat personale. Do ju them një gjë. Ky sistem ka mrekullitë më të mëdhaja, por ky sistem ka edhe probleme të mëdha. Dhe problemi më madhor është shpërndarja e të ardhurave. Nëse nuk kujdesemi, nëse nuk mendojmë për ata që s’kanë, polarizimi rritet, mjerimi rritet, skamja rritet, eksoda rritet. Po kujt t’ja thuash? T’ja thuash njeriut që kërkon me çdo kusht me retorikën e tij banale të zhveshur nga çdo koncept të zëvendësojë një palë mashtrimesh me një palë tjetër mashtrimesh. Por shqiptarët s’e hanë më këtë. Është fundi i tij, fundi i qeverisjes së tij.
Balla tek droga dhe prostitutat, lidhjet
Ish-Kryeministri ka bërë publike të gjitha lidhjet dhe implikimet e Taulant Ballës me trafikun e dogës dhe implikimin direkt në përdhunim dhe trafikun e prostitucionit. “Nuk denjon t’i kthej përgjigje një njeriu, i cili del këtu dhe përdor gjuhën e një njeriu që është i akuzuar zyrtarisht për përdhunim, me dokumente, është i akuzuar se ka kaluar kryesorë të klanit të heroinës në doganë me pasaportë diplomatike dhe targën e tij, është i akuzuar si lidhje e ngushtë e trajnerit të skuadrës së tij, i cili është i dënuar me 10 vjet burg në Greqi, dhe arrestohet në makinën e tij në Qafë Bot, është i akuzuar për trafik prostitucioni nga një këshilltar i Fatos Nanos, i cili ka bërë të ditur se Taulant Balla është arrestuar nga policia e vendit fqinj se trafikonte prostituta rumune dhe jo vetëm rumune. Ai është një njeri, i cili ka humbur disa gjyqe si shpifës ordiner, fatkeq sepse atë çka nuk flet dot Rama e nxjerr atë. Por unë nuk i kthej përgjigje atij. Të gjitha janë të këtij zotërisë këtu (Ramës), i cili bën gjithçka për të rritur në qiell konfliktualitetin sepse mendon se me konfliktualitet do të mund të mbulojë bëmat dhe gjëmat e tij, harron se konfliktualiteti është një zift i vërtet në imazhin e kësaj qeverisje, në imazhin e skaduar të tij”, tha Berisha.
Cilat ishin deklaratat e Bashës pasi Rama sulmoi Trumpin
Çfarë ka thënë në prill kryetari i PD, Lulzim Basha: “Trump shkakton debate midis liderëve politikë shqiptarë” -ja ku është artikulli i botuar në shtypin ndërkombëtar më 8.04.2016.
Pasi autori i artikullit tregon se Edi Rama e quan Trumpin si turp i qytetërimit e se, “Zoti mos e dhëntë që të zgjidhet president sepse do të jetë një dëm për Amerikën dhe një kërcënim i madh për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane”, jep pastaj përgjigjen e Bashës:
“Lideri global (Rama) më në fund ka vendosur t’u mësojë amerikanëve se si të zgjedhin presidentin e tyre. Kjo është diçka që ai do ta bëjë sa më shpejt. Pas shkëlqimit të tij në Shqipëri duke sjellë krizë të thellë, varfëri të madhe dhe duke instaluar oligarkinë kriminalo-korruptive, duke konkurruar me Trump për pasuritë personale, pasi thyen ligjet dhe Kushtetutën çdo ditë, Rama tani ka gjetur recetën për zgjedhjet presidenciale amerikane. Arroganca dhe delirumi i Ramës nuk kanë kufi, por lideri botëror po tregon se për atë vetë këto çrregullime nuk kanë kufij. Mirëpo amerikanët shpeshherë gjejnë Boratin e tyre ndaj dhe kësaj here nuk do të kenë nevojë të shohin Boratin, por Ramën”. Këto ishin dy qëndrimet politike.
Për ta mbyllur. Nuk kam shqipëruar asnjë fjalë dhe nuk kam shqipëruar kurrë kur të tjerët kanë qenë në fushatë elektorale, qoftë dhe miq të mi në një vend tjetër, nuk i kam lejuar vetes kurrë të ndërhyj. Edhe në këtë rast më ka ardhur mirë që kryetari i PD i dha përgjigje, por personalisht e kam gjykuar të paarsyeshme për veten time që të bëj ndërhyrjen minimale as në Itali, as në Francë dhe asgjëkundi. Nuk na takon ne, ky është qëndrimi. Tani shkoi atje dhe vazhdonte i binte qemanes nga Nju Yorku sepse deklaratat e tij janë bërë fund e krye mbi bazën e korrupsionit politik.
E kam një thirrje, pa lidhje me këtë, u bëj thirrje tifozëve kuqezi, të rimendojnë vendimin e tyre pavarësisht nga qëndrimet mafioze që janë mbajtur ndaj tyre, por ata janë koreografia, ansambli më i bukur i lojërave tona dhe ata nuk duhet kurrsesi, që për një qëndrim absurd të rrugeçërve me uniformë t’i heqin mbështetjen skuadrës kombëtare, por i ftoj të vazhdojnë betejën, nga beteja ndaj mafies nuk tërhiqet, por vazhdohet deri në fund me fitoren kundra saj.
Cilën politikë të jashtme do të ndjekë Trumpi?

Emma Ashford
Në shfaqjen e suksesshme muzikore, “Hamilton”, Mbreti George, i sapodëbuar nga kolonitë revolucionare amerikane, sfidon subjektet e tij të mëparshëm, që të justifikojnë zgjedhjen e tyre.
“Po tani?”, pyet ai: “Ju jeni liruar. A e dini se sa e vështirë është që të udhëheqësh? Ju jeni vetëm. Mrekulli! Uau! A e keni idenë se çfarë ndodh tani?”.
Edhe ne sot mund të bëjmë të njëjtën pyetje.
Ngritja e papritur e Donald Trumpit në Presidencë paraqet një dështim të anketuesve, një riorientim të politikës amerikane dhe ngre pyetjen themelore, se çfarë lloj politikash ka të ngjarë që të ndjekë, një administratë Trump.
Në politikën e jashtme, deklaratat e Trumpit gjatë gjithë fushatës kanë qenë thellësisht jokoherente, duke filluar nga pikëpamjet më tradicionale prej fajkonjsh republikanë në çështje si marrëveshja me Iranin, deri tek ato më joortodokse, për vetëpërmbajtje, në lidhje me Sirinë dhe konflikte të tjera të Lindjes së Mesme e deri tek qasja e tij më pajtuese ndaj Rusisë dhe fiksimi vërtet i çuditshëm tek i forti i Kremlinit, Vladimir Putin.
Atëherë, vijmë tek pyetja: Po tani? Si do i qaset politikës së jashtme, administrata e Trumpit? Dihet që, me një President të papërvojë, këshilltarët kanë shumë më tepër pushtet. Kështu që, në një masë të madhe, zgjedhjet e Trumpit në politikën e jashtme do të varen se kë ai zgjedh, jo thjesht për të qenë këshilltarët e tij kryesorë në politikën e jashtme, por edhe mënyrën si do të plotësojë pozicionet në politikën e jashtme. Ka dy skenarë të mundshëm që mund të imagjinojmë.
Skenari i parë: Izolacionisti
Presidenti i zgjedhur Trump – i asistuar prej këshilltarëve nga krahu Breitbart i Partisë Republikane – mund të zgjedhë të dyfishojë premtimin e “America First” apo edhe për politikat mbi tregtinë dhe imigrantët, që e ndihmuan të zgjidhet.
Kjo qasje do të sjellë disa përmirësime në krahasim me administratën Obama (ose nga politikat që me gjasë do të ndiqte Hillary Clintoni): potenciali për më pak përfshirje të SHBA në konfliktet civile në Lindjen e Mesme përmirësim të marrëdhënieve me Rusinë.
Megjithatë, ndryshe nga politikat e jashtme të matura e të përmbajtura që shpesh janë përshkruar gabimisht si izolacionizëm, politikat e Trumpit do të ishin me të vërtetë izolacioniste, me një politikë të jashtme më pak aktive, kombinuar me kufizime në tregti dhe imigrim, që do të sillnin një tërheqje të Amerikës nga bota.
Vënia e theksit tek fitorja me çdo kusht nga ana e Trumpit, do të krijonte konflikte me shumën zero me shtete të tjerë dhe ndoshta do të shpinte drejt luftërave të rrezikshme tregtare kundër fuqive të tjera të mëdha.
Skenari dy: Imperialisti
Një tjetër tipar i fushatës së Trumpit ishte retorika e tij pothuaj jackson-iane, me fokusin e vet në rëndësinë e forcës ushtarake. Thirrjet e tij të përsëritura që ISIS të shtypet, që familjet e terroristëve të vriten dhe bindjet e tij edhe më të çuditshme për të marrë naftën e Irakut, gjejnë të gjitha vend në paradigmën e tij, për një Amerikë të fokusuar tek vetvetja, por që gjithsesi e vlerëson shumë fuqinë e vet ushtarake.
Përveç kongresmenëve republikanë me prirje fajkonjsh, si dhe zëvendëspresidentin e tij, Mike Pence, kandidatët më të përfolur për të zënë vende në administratë përfshijnë mendimtarë neokonservatorë si John Bolton dhe fajkonj si Gjenerali Mike Flynn.
Ashtu si në skenarin e parë, ana e mirë e kësaj është se SHBA do të përfshihej në më pak konflikte civile të panevojshme. Por ana negative është më me peshë, me rritje domethënëse të shpenzimeve ushtarake dhe rritje të gjasave për konflikte.
Sigurisht, këto janë dy opsione ekstreme. Skenari më me gjasë për një politikë të jashtme gjatë presidencës Trump është ndoshta një përzierje më e butë e këtyre zgjedhjeve, me Trumpin që ndoshta mbron qasjen e tij pajtuese ndaj Rusisë, por që nga ana tjetër përkulet para fajkonjve në kongres.
Politika e tij e jashtme mund të mbetej jokoherente, thjesht me reagime në mënyrë të përditshme ndaj krizave. Ose është e mundur që Trumpi i injoron kryesisht çështjet e politikës së jashtme apo ndoshta edhe që ai do të jetë i kufizuar prej një kombinimi të elitave të politikës së jashtme dhe nëpunësve civilë në brendësi të burokracisë së politikës së jashtme.
Por këta skenarë sërish ngrejnë një shqetësim serioz: ne thjesht nuk e dimë se çfarë të presim nga politika e jashtme e Trumpit. Kështu që, teksa mësohemi me idenë e një presidence Trump, na duhet të pyesim veten: Po tani? Askush nuk e di.
“Bota.al”
Zgjedhja e presidentit gjerman, njё shans i humbur
S’ka asnjё mёdyshje: Frank-Walter Steinmeier, ende ministёr i Jashtёm, do tё jetё njё president i mirё, nёse ai – gjё qё ёshtё mёse e sigurtё – do tё zgjidhet. Ai do tё bёjё “bella figura”, do ta prezantojё vendin nё botёn e jashtme me stil dhe brenda vendit me arsye e ndonjёherё edhe duke tёrhequr vёmendjen do ta mbajё atё tё bashkuar.
Fjalimet e tij nuk do tё kenё esprinё e paraardhёsit tё tij Joachim Gauck, as humorin e mençurinё retorike tё Johannes Rau, por ato do tё jenё serioze dhe me seriozitet. Meqenёse fuqia e presidentit ështё fjala, Steinmeier, i cili ka shumё merita, por nuk shquhet pёr retorikё, do tё pёrpiqet me profesionalitet dhe kthjelltёsi t’i parashtrojё tё gjitha problemet e vendit. Fjalime tё shkёlqyera, madje historike si ato tё Richard von Weizsäcker, Theodor Heuss apo tё Roman Herzog nuk mund tё priten prej tij, por ai do t’i intonojё gjermanёt nё mёnyrё solide nga realiteti i modernes. Steinmeier dallohet pёr maturi, ekuilibёr dhe arsye politike. Kёto nuk janё pak nё kohё tё turbullta – mes Putinit, Trumpit, Erdoganit dhe krizёs nё BE.
Kancelarja e zёnё ngushtё
Kancelarja Angela Merkel e ka zgjedhur atё. Mё saktё ajo bёri qё ai tё zgjidhet. Ajo e bёri kёtё e zёnё ngushtё prej partnerit tё koalicionit qeverisёs, kryetarit tё SPD-sё Gabriel nё bashkёpunim me Horst Seehofer, kryetarit tё partisё simotёr tё Kancelares CSU. Merkel, duke pasur parasysh nё mёnyrё tё arsyeshme raportet e mazhorancёs nё Asamblenё Federale, donte njё kandidat konsensual. Njё i tillё i mundshёm, presidenti i Bundestagut, Norbert Lammert, nuk donte. Kёsisoj Merkel i la gjёrat tё rrjedhin vetë – derisa Gabriel papritur shpalli si kandidat tё socialdemokratёve Frank-Walter Steinmeier. Njё javё mё vonё Merkeli u zu nё shah mat – dhe e ngriti Steinmeierin si kandidatin e arsyes dhe tё qendrёs politike.
Merkel, gruaja gjoja mё e pushtetshme e botёs (gjё qё ёshtё e vёrtetё), ёshtё goditur nё skenёn e vendit tё vet. Fillimisht prej krizёs sё refugjatёve, qё i gёlltiti asaj autoritetin, tani pёrmes kurorёzimit tё kёsaj kandidature pёrcaktuar nё mёnyrё tё habitshme. A ёshtё vёrtet e mundur, qё askush nё CDU, partia mё e madhe nё Gjermani, nuk mund tё gjendej askush, qё tё ishte i pёrshtatshёm pёr postin mё tё lartё nё vend? E paimagjinueshme. Nuk mund tё gjendet askush, qё tё ishte i gatshёm tё kandidojё – edhe me rrezikun, se mund tё humbasё, gjё qё nё demokraci ёshtё e vetёkuptueshme? E paimagjinueshme? Apo ndёrkohё ndjenja e sigurisё ёshtё aq e fortё, sa kandidatёt mё tё mirё hyjnё nё garё, vetёm kur janё tё sigurtё, qё do ta fitojnё atё?
Pikёrisht pas zgjedhjes sё Trumpit, pikёrisht pas goditjes sё elitave kudo, pas fitores sё populistёve si Erdogan, pikёrisht pas referendumit pёr Brexit do tё ishte njё sinjal i duhur qё tё dilnin pёrballё njëri-tjetrit dy kandidatё tё kalibrit tё lartё. Nuk janё tё pushtetshmit ata qё kurorёzojnё njё president, por janё deputetёt nga federata dhe landet nё Asamblenё Federale, qё vendosin pёr tё. Pa asnjё diskutim kёtu Steinmeier do tё kishte pasur njё shans, por gjithashtu njё shans do tё kishte pasur edhe njё kandidat i unionit konservator.
CDU nёnvleftёson vetveten
Merkel taktikisht ёshtё nxituar. Ajo nuk i kushtoi rёndёsi asaj qё ishte mёse e vetёkuptueshme, pra qё tё pёrcaktonte vetë ndokёnd – ashtu siҁ bёri edhe Gabriel pёr socialdemokratёt. Ajo e nёnvleftёsoi veten mё shumё se ҁ’duhet. E ajo qё ёshtё edhe mё kryesorja, ajo ua hoqi tё gjithёve shansin pёr njё duel demokratik. Kjo me njё rezultat tё pasigurtё: Steinmeier ndoshta do tё ishte bёrё president. Por mund tё kishte fituar edhe njё tjetёr pёrfaqёsues i mirё i kёtij vendi. Madje njё grua. Sepse pas 67 vjetёsh njё presidente nё kёshtjellёn Bellevue do tё kishte qenё edhe njё pёrgjigje nё kohё tё vёshtira. E – jo vetёm sa pёr tё kaluar radhёn – njё garё kandidaturash do t’ua kishte hequr argumentet atyre qё pretendojnё se, “ata atje lart bёjnё si tё duan”. Zgjedhja e presidentit 2017 – ёshtё njё shans i humbur.
Obama dhe Evropa, një marrëdhënie me ulje-ngritje
Nisi nё verёn e vitit 2008 si njё festё e madhe dashurie nё obeliskun e fitores nё Berlin. Gjermanёt e europianёt e brohoritёn burrin, qё me sloganin “Yes we can” pushtoi zemrat. Nuk dihej mirё, se ҁ’mund tё bёnte luftёtari elektoral Barack Obama, por ai pёrhapte optimizёm e nё radhё tё parё pёrfaqёsonte anёn e kundёrt me fllad tё ri kundrejt presidentit tё atёhershёm, George W. Bush. Ai me politikёn e tij tё ndёrhyrjes nё Irak mё shumё e pёrҁau Europёn. E pas tij shpresohej tek njё tjetёr president, qё do ta bashkonte atё.
Nё Pragё, pranverёn e vitit 2009, pak pas marrjes sё postit, presidenti Obama premtoi se do tё angazhohet pёr njё botё pa armё atomike. Europianёt me fare pak pёrjashtime ishin tё entuziazmuar. Nё njё fjalim tё mёtejshёm nё Kajro ai premtoi krijimin e raporteve tё reja me botёn arabe. Nё tё njёjtin vit, burrёshtetasi qё avancoi tёrheqjen e SHBA-sё nga Afganistani dhe Iraku mori Ҫmimin Nobel tё Paqes. Nё njё prej intervistave tё lamtumirёs sё fundmi, Obama nё njё talkshow nё televizion bёri humor: “Unё nё fakt nuk e di, pёrse e kam marrё kёtё ҁmim”. Kёto ishin lёvdatat nё paradhёnie, qё nё sytё e shumё europianёve u dёshmuan mё pas si tё nxituara.
Europa e mori veten shumё mё ngadalё se SHBA-ja prej krizёs globale financiare, qё u shkaktua nga falimentimi i njё banke tё SHBA-sё. Kriza e euros dhe e borxheve e preku BE-nё deri nё palcё pasuar nga kriza e Ukrainёs dhe kriza e refugjatёve. BE-ja nga kёndvёshtrimi i Obamës po bёhej gjithnjё e mё e paaftё tё veprojё dhe e pavullnetshme. Nё intervistё pёr revistёn “The Atlantic”, presidenti nё prill 2016 i quajti aleatёt europianё si qylaxhi qё duan tё pёrfitojnё prej arritjeve dhe rolit drejtues amerikan, por vetë nuk janё tё gatshёm tё tregojnё solidaritet dhe tё rrisin shpenzimet ushtarake. Nё tё njёjtin muaj Obama i intonoi europianёt nё Panairin e Hanoverit, qё tё mos e humbasin guximin dhe tё luftojnё kundёr krizёs sё tyre. “Europa ёshtё njё ndёr arritjet mё tё mёdha politike tё kohёs sё re”, thotё ai si dikush, qё vjen nga jashtё dhe duhet t’u kujtojё europianёve, se ҁfarë duhet tё ruajnё ato. Sёrish njё Obama i 2008-ёs, qё i kundёrvihet “frikёs sё europianёve” me apelin e tij inkuraues “Yes we can”.
Herё pas here europianёt kishin dyshime serioze, se sa seriozisht e ka Obama bashkёpunimin me Europёn. Ai donte qё ta kthente Azinё nё pikёn kyҁ tё politikës sё tij tё jashtme. Kjo nuk funksionoi plotёsisht. Me ndёrhyrjen nё Libi ai i vari shumё shpresat, qё Franca dhe Britania e Madhe do ta pёrballonin pёrgjegjёsinё e tyre, pranon sot presidenti nё largim. Ai gjithashtu u shpreh i zhgёnjyer edhe nga aleatёt nga Lindja e Mesme, si sauditёt.
Njё goditje tё thellё pёsuan marrёdhёniet mes SHBA-sё dhe BE nga kёndvёshtrimi gjerman prej aferёs sё pёrgjimeve tё shёrbimit tё fshehtё tё SHBA-sё, NSA. Jo vetёm qё pёrgjoheshin tё gjithё europianёt, por madje NSA nuk stepej as ndaj celularit privat tё kancelares Merkel. Ndёrkohё qё Obama e vlerёson kancelaren si njё personalitet tё vёrtetё drejtues europian, thuhet nga Shtёpia e Bardhё. Kriza e Ukrainёs e provokuar prej Rusisё bёri qё bashkёsia transatlantike sёrish tё bashkohej edhe mё fort. Obama dhe BE-ja jo gjithmonё kanё reaguar sinkron nё qëndrimet ndaj Moskёs, por megjithatё nё fund janё treguar tё vendosura. Obama rёndom e ka shprehur hapur zhgёnjimin e tij prej proceseve tё stёrzgjatura europiane tё vendimmarrjes dhe pёrҁarjes mes shteteve tё BE-sё.
Megjithatё Obama nuk ka vёnё asnjёherё nё dyshim besnikёrinё e tij ndaj aleancёs transatlantike. Nё disa samite tё NATO-s ai i ka siguruar shtetet anёtare nё Lindje pёr mbёshtetje nё rast tё ndonjё agresioni rus. Nёn drejtimin e Obamës SHBA-ja i ka rritur shpenzimet e mbrojtjes pёr Europёn.
Kryetari i grupit parlamentar tё liberalёve nё Parlamentin Europian, Guy Verhofstadt, beson, se europianёve do t’u mungojё Obama. Me zgjedhjen e Trump SHBA do tё merren vetёm me veten e tyre: “Kur amerikanёt kanё ndёrhyrё ndёrkombёtarisht, si nё Irak, Europa ёshtё pёrgjigjur me referate moralizuese mbi bymimin imperial. Kur amerikanёt nuk kanё ndёrhyrё ose e kanё bёrё kёtё shumё me vonesё, si nё Libi dhe nё Siri, europianёt kanё kёrkuar mё shumё rol drejtues prej SHBA-sё”. Kjo dinamikё komode e marrёdhёnieve transatlantike tashmё ka marrё fund, beson Verhofstadt. Me Trump ka marrё fund jo vetёm epoka e Obamës, por edhe problemet e saj Europa duhet t’i zgjidhё tani vetë dhe nuk mund t’i varë mё shpresat tek SHBA-ja.
Rusia urdhëron mbylljen e rrjetit social LinkedIn
Agjencia e telekomunikacionit e Rusisë, Roskomnadzor, ka urdhëruar zyrtarisht ofruesit e internetit që të bllokojnë rrjetin social LinkedIn.
Agjencia tha se po zbaton vendimin e gjykatës, i cili ka konstatuar se uebfaqja nuk ka vepruar në përputhje me ligjin që kërkon që të dhënat personale të shtetasve rusë, të ruhen në serverë në Rusi.
Më 10 nëntor, një gjykatë e Moskës ka refuzuar apelin e LindekIn kundër këtij vendimi.
Një zëdhënës i Roskomnadzor tha për agjencinë Interfax se LinkedIn, rrjet i fokusuar kryesisht në biznese, ka kërkuar takim me zyrtarët për të diskutuar çështjen.
Ligji, që thuhet se e ka shkelur LinkedIn, është përfshirë brenda legjislacionit të mbikëqyrjes, të nënshkruar nga presidenti rus, Vladimir Putin, në muajin korrik.
Hillary Clinton: Nuk doja të dilja nga shtëpia
Ish-kandidatja demokrate për presidente të Shteteve të Bashkuara, Hillary Clinton, tha se e gjitha që donte të bënte në pjesën më të madhe të javës së kaluar ishte të shëtiste qenin e saj, të lexonte një libër të mirë dhe të mos dilte më nga shtëpia.
Zonja Clinton bëri paraqitjen e saj të parë publike të mërkurën në mbrëmje në Uashington pas pranimit të fitores së republikanit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale një javë më parë. Ajo u shfaq në një program të Fondit të Mbrojtjes së Fëmijëve, ku u nderuan pesë të rinj që tejkaluan tragjeditë, për t’u bërë studentë të shkëlqyer dhe janë në rrugë për karrierë të shquar profesionale.
Zonja Clinton tha se paraqitja në këtë ngjarje nuk ka qenë veprimi më i lehtë për të. Por ajo tha se pesë të rinjtë që po i nderonte fondi kurrë nuk hoqën dorë, as pas përballjes me dhunën, varfërinë dhe braktisjen.
Ajo e quajti këtë ngjarje si një natë shumë “prekëse” për të, duke vënë në dukje se kjo ishte ngjarja e parë në të cilën ajo dhe ish-presidenti Bill Clinton kishin marrë pjesë pasi ai fitoi zgjedhjet presidenciale të vitit 1992.
Presidentja e Fondit të Mbrojtjes së Fëmijëve, Marian Wright Edelman, e quajti ngjarjen e së mërkurës një akt dashamirësie për zonjën Clinton, për shkak të kontributeve të saj për fondin dhe përkushtimin e saj gjatë gjithë jetës për mirëqenien e fëmijëve.
Pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve të javës së kaluar, Edelman theksoi se zonja Clinton fitoi votën popullore dhe e quajti atë “presidente të popullit”.
A ka ndërhyrë Rusia në fitoren e Trumpit?
Nga Irani e deri në Kili, operacionet e fshehta të CIA-s amerikane kanë rrëzuar nga pushteti dhe kanë ngjitur në pushtet me dhjetëra udhëheqës e diktatorë, shkruan Kerëlin Bejlon në të përjavshmen amerikane, “Njuzuik”. Dhe në fakt, mesa duket, Rusia ka marrë një prej faqeve të librit të udhëzimeve të agjencisë amerikane të zbulimit dhe e ka vënë në zbatim.
Në fakt, komuniteti amerikan i zbulimit kishte drejtuar gishtin nga hacker-at e mbështetur prej Kremlinit në disa raste, gjatë fushatës zgjedhore amerikane, ndërhyrje të cilat kanë nxjerrë zbuluar edhe e-mail-et e Hillary Clintonit, si dhe të pjesëtarëve të Partisë Demokratike.
Nga ana tjetër, Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin nuk e ka fshehur në asnjë rast admirimin e tij për Donald Trumpin, të cilin madje një herë e ka quajtur edhe “lideri absolut” në garën presidenciale në SHBA. Nuk ka vonuar përgjigjja e këtij të fundit, i cili i ndjerë edhe pakëz i përkëdhelur, nuk ka kursyer lavdet për presidentin rus, duke shtuar madje se do të “konsideronte njohjen e aneksimit të Krimesë” nga Rusia dhe do të hiqte sanksionet. Deklarata që me siguri e kanë bërë t’i hyjë edhe më shumë në zemër udhëheqësit të Kremlinit.
E vërteta është që e-mail-et e nxjerrë shkaktuan jo pak probleme për fushatën e Clintonit. Në disa prej tyre dilte qartë se Komiteti Kombëtar Demokrat kishte sabotuar fushatën e Bernie Sendërsit në favor të Clintonit. Një tjetër grup e-mail-esh që u nxorën në tetor, nxorën zbuluar para publikut fjalimet që Clintoni kishte mbajtur tek Goldman Sachs.
Në të vërtetë, e gjithë kjo është për t’u besuar, po të kesh parasysh veprimtarinë e Rusisë në hapësirën kibernetike. Dikur, KGB ishte sofistikuar në luftën propagandistike dhe pasardhësja e saj, është persosur në po këtë luftë, por këtë herë në terrenin dixhital. E ka bërë përmes përdorimit të grupeve “të pavarur” të hacker-ave, duke siguruar që, nëse veprime të tillë të shpinin në Rusi, qeveria të pretendonte se prapa tyre qëndronin thjesht hacker-a të pavarur patriotë.
Ajo që është e qartë, sidomos sot pas zgjedhjeve, është se në një garë shumë të ngushtë, 48 me 47%, veprime të tilla bëhen vendimtare dhe e përmbusin balancën. Dhe në fakt i krijuan një disavantazh Klintonit. Roli i Rusisë në këto zgjedhje ishte domethënës, për arsye se, duke parë që marrëdhëniet mes dy vendeve kanë qenë më të tensionuarat që nga Lufta e Ftohtë, Rusia dha një dorë për t’u siguruar që në Shtëpinë e Bardhë do të vinte kandidati që do të ishte më miqësor ndaj Rusisë. E para, bën që të ketë më pak gjasa për një përshkallëzim dhe e dyta, e bën presidentin e SHBA që të ndjejë njëfarë borxhi mirënjohjeje ndaj Kremlinit.
E gjithë kjo situatë mund të ketë dy pasoja të mëdha: Të bëjë Trumpin më të pajtueshëm me Rusinë dhe mbi të gjitha, Rusia, pasi ka parë suksesin e këtyre metodave në zgjedhjet e SHBA, të shtojë dhe forcojë përdorimin e tyre edhe gjetkë nëpër botë.
Steven Gerrard e “mbyll” me Los Angeles Galaxy
Steven Gerrard i jep fund aventurës në MLS me Los Angeles Galaxy. Mesfushorit anglez i ka përfunduar kontrata me kalifornianët, me të cilët luajti gjatë 18 muajve të fundit duke shënuar 5 gola, dhënë 14 asiste në 34 ndeshje gjithsej. Takimi i tij i fundit ishte gjysmëfinalja e konferencës së perëndimit në MLS ndaj Colorado Rapids, ku sulmuesi shqiptar Shkëlzen Gashi realizoi një gol spektakolar.
Në një qëndrim zyrtar Gerrad shpjegoi se kur u largua nga Liverpuli iu bashkua Los Angeles Galaxy që të fitonte një tjetër trofe në MLS, por ka mbetur i zhgënjyer që nuk mundi ta arrinte këtë objektiv. Gjithsesi theksoi 35-vjeçari ndihej krenar për atë që kishte dhënë në fushën e blertë për Galaxy. Ai shtoi më tej, se duhet të kalojë më shumë kohë me familjen, për të marrë më pas një vendim për të ardhmen e tij. Gerrard është i mirëpritur në “Anfield”, aty ku u formua dhe pati kulmin e karrierës si futbollist, por edhe trajneri i Celitc, Brendan Rodgers e ka ftuar t’i bashkohet skuadrës skoceze.