16.5 C
Tirana
E mërkurë, 7 Maj, 2025

Denoncoi drejtorin se i kërkoi 200 euro për ta kaluar ai e largon nga shkolla

Banorët e fshatit Çermë e Sipërme të Bashkisë Divjakë protestuan dje para shkollës. Sipas kryetarit të PD Lushnjë, Myslim Murrizi, protesta është organizuar pasi drejtori i shkollës, Agim Maçi, ka larguar një nxënës të klasës së shtatë nga kjo shkollë dhe e ka dërguar në një tjetër pse ai e kishte denoncuar se i kërkoi 200 euro për të kaluar klasën.
“Rrugaçëria dhe harbutlliku që karakterizon të gjithë qeverisjen dhe qeverinë nuk ka si të mos japë efekt dhe tek drejtori i kësaj shkolle Agim Maçi. Prindërit e fëmijëve reaguan, duke denoncuar arrogancën e këtij drejtori dhe sjelljen aspak të denjë të tij ndaj nxënëseve dhe ndaj prindërve të tyre.
Një prind, Mustafa Dupi e akuzoi drejtorin se, i ka kërkuar 200 euro për t’i kaluar djalin. Pas këtij skandali, Mustafai e ka hequr djalin nga shkolla dhe e ka regjistruar në shkollën e Çermë Shkumbin, edhe pse është në klasën e 7-të”, shkruan Murrizi në një postim në Facebook.
Kreu i PD të Lushnjës i bën thirrje Zyrës Arsimore Lushnjë dhe Ministrisë së Arsimit të mbajnë qëndrim. “Gjithashtu i bëj thirrje Prokurorisë të rilindjes Lushnjë të hetojë këtë akt të shëmtuar të një njeriu që paguhet nga taksat e qytetarëve për të edukuar fëmijët e jo për t’u sjellë si rrugaç”, përfundon kryetari i PD të Lushnjës.

Naftëtarët e Ballshit: Rama na mashtroi, 16 muaj pa marrë rrogat

Zjarrfikësi i kompanisë ARMO në Ballsh, Ali Laze, nëpërmjet një lidhje telefonike në “Opinion” ka folur për shpërthimin ku vdiq një naftëtar si dhe për mashtrimin që u ka bërë Rama për pagat e pamarra prej 16 muajsh. Laze tha se, nuk kemi një organizim të plotë, pasi makinat ndodheshin në reparte të tjera. Laze tha se nga ai shpërthim gjigant që ndodhi në Ballsh, të gjithë ikën, ndërsa ne na thonin ku shkoni, kthehuni mbrapsht.
Ai bëri me dije se ne kemi mbërritur në vendngjarje me vrap dhe kemi luftuar me zjarrin ne dhe punëtorët e objektit që quhet, Objekti nr.3. Ndërkohë, Laze ka bërë të ditur se naftëtarët e kompanisë ARMO kanë 16 muaj pa marrë rrogat. Ai theksoi edhe pse kryeministri Rama u premtoi për pagesën e tyre, ata ende nuk i kanë marrë ato.

Zhduket teknologu i Uzinës së Naftës në Ballsh

Prej dy ditësh, një punonjës i Uzinës së Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh është shpallur i zhdukur. Mësohet se 57-vjeçari Shefo D., me profesion teknolog në këtë uzinë, nuk ka shkuar në banesë, pasi ka mbyllur turnin e punës më datë 14 nëntor. Kanë qenë familjarët që kanë bërë denoncim në polici, pasi konstatuan se 57-vjeçari prej disa orësh nuk kishte njoftuar për vendndodhjen e tij. Pas këtij kallëzimi, uniformat blu kanë nisur hetimet për gjetjen e teknologut të Uzinës së Përpunimit të Naftës.

Vritet me armë një 32-vjeçar në Gjirokastër

Një i ri është gjetur i vrarë me armë zjarri në Gjirokastër. Burimet nga policia bënë të ditur se 32-vjeçari Festim Kanushi është dërguar me plagë arme në spital dhe aty ka ndërruar jetë. Policia bëri të ditur se ka dyshime se ai mund të jetë vetëvrarë, por burimet nga spitali bëjnë të ditur se kemi të bëjmë me vrasje. Kanushi është dërguar i plagosur në Spitalin e Gjirokastrës e më pas ndërroi jetë. Ai nuk është një emër i panjohur për policinë.
Burime nga policia bëjnë me dije se 32-vjeçari nga Zhapokika është arrestuar si fillim në vitin 2011 nën akuzën për vjedhje të një lokali në Sarandë, ndërsa në maj të 2012-ës bashkë me vëllain e tij u prangosën, pasi u akuzuan për prishjen e disa bunkerëve në sitin arkeologjik në Finiq.
Ndërkohë, në vitin 2013 Kanushi është akuzuar pastaj për “Plagosje të lehtë me dashje” dhe “Shkatërrim prone”, ndërsa për këto vepra, ai është dënuar me 3 muaj burg. Sakaq, për rastin e vjedhjes në 2011, atij iu konvertua akuza në vetëgjyqësi dhe u dënua me 40 mijë lekë gjobë. Ndërkohë, në fshatin Zhapokikë ai merrej me bagëti bashkë me vëllain e vet.
Burime pranë Policisë së Gjirokastrës pohuan se paraprakisht dyshohet se i riu i ka dhënë fund jetës brenda banesës së tij, ndërsa nuk dihen ende shkaqet. Policia ka nisur hetimet sa i takon kësaj ngjarjeje.
Ndërkohë, një 42-vjeçar nga fshati Kuç i Himarës është dhunuar me sende të forta nga persona të paidentifikuar. Agim L. u ndalua në rrugë nga autorët, të cilët filluan ta godisnin me mjete të forta, duke i shkaktuar dëmtime të rënda. 42-vjeçari u dërgua në spital dhe pas mjekimit ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Shkaqet e kësaj ngjarje nuk dihen, ndërsa rasti është marrë në shqyrtim nga policia. Uniformat blu kanë nisur hetimet për të identifikuar dhe kapur autorët dhe për të zbardhur shkaqet e plagosjes.

Këshilltari i Trump: Rama, i korruptuar

Deklaratat e Ramës kundër Presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump i ngjajnë betejës së Don Kishotit me mullinjtë e erës. Ai ndërhyri në momentet e nxehta të fushatës elektoral duke ofenduar Trump dhe duke e konsideruar atë si “turpin e civilizimit”, ndërsa përgjigjen e ka marrë dhe mesazhet kanë qenë të menjëhershme dhe zyrtare nga këshilltarët e Trump. “Është i korruptuar”, është shprehur ish–zëdhënësi i Pentagonit, J.D. Gordon, një nga këshilltarët e afërt të Presidentit të zgjedhur të SHBA, Trump. Deklarata e këshilltarit të Trump ka qenë edhe më e fortë kur ka kërkuar që të ndalohej të fuste hundët në politikën amerikane.
Rama në fakt s’zuri mend nga deklarata e këshilltarit të Trump. Ai vazhdoi të përsëriste ofendimet ndaj Presidentit Trump. Tani duket se është radha e Trump që t’i kujtojë Ramës se çfarë do të thotë të jesh lider global.
Duke komentuar deklaratat e Ramës kundër Donald Trump, ish–zëdhënësi i Pentagonit, J.D. Gordon, në një intervistë për emisionin “Fox Business”, në kanalin prestigjioz “Fox News”, tha në muajin prill se kritikat vijnë nga një Kryeministër i lidhur me korrupsionin dhe që drejton një mazhorancë parlamentare të korruptuar. Ish–zyrtari amerikan theksoi se komentet e Ramës ndaj Trump vijnë për shkak të lidhjeve të ngushta që ai ka me George Soros. Dhe ai theksoi se këto komente kritike ndaj Trump vijnë nga një Kryeministër i lidhur me korrupsionin, që drejton një mazhorancë parlamentare të korruptuar. “E dini që këtë javë ishte në Uashington miku i ngushtë i George Soros, i cili ka qenë i ftuar nderi në dasmën e tij. Edi Rama, Kryeministri i Shqipërisë zhvilloi takime në Shtëpinë e Bardhë. Ky njeri foli për Donald Trump dhe tha që përbën rrezik për civilizimin. Dhe e dini kush e thotë këtë, Edi Rama, i cili është në krye të një Parlamenti të korruptuar, që është i lidhur me korrupsionin. Ne duhet t’u themi këtyre liderëve europianë që të mos fusin hundët në politikën tonë të brendshme”, tha  ish-zëdhënësi i Pentagonit. Kjo është hera e parë në histori që emri i një Kryeministri shqiptar përmendet në një televizion prestigjioz në SHBA si i lidhur me korrupsionin. Dhe këto akuza të drejtpërdrejta ndaj Ramës vijnë vetëm pak ditë, pasi Departamenti amerikan i Shtetit, në raportin për të drejtat e njeriut, theksonte se korrupsioni është i përhapur në çdo degë të qeverisjes. Kryeministri Rama është prej kohësh në qendër të akuzave të opozitës për afera korruptive. Kundërshtarët e tij politikë e lidhin emrin e Ramës me disa koncesione prej qindra miliona eurosh, kryesisht në shëndetësi e punë publike. Në raportet konfidenciale të ndërkombëtarëve, Edi Rama figuron si një njeri me pasuri të dyshimtë. Raporti konfidencial i OSBE, i tetorit të vitit 2014, fliste për një pasuri prej 200 milionë eurosh që Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka në kompani offshore dhe që menaxhohet nga vëllai i tij, Olsi Rama. Por deklaratat e ish–zëdhënësit të Pentagonit mbeten akuzat e para publike që vijnë nga ndërkombëtarët për kreun e qeverisë.

Raporti i TI: Shqipëria, vend i korruptuar

Një në 3 persona që jetojnë në rajonet e Evropës dhe deri në Azinë Qendrore e konsiderojnë korrupsionin si problemin më të madh, me të cilin përballën vendet e tyre.
Ky është përfundimi i raportit më të ri, të publikuar dje nga organizata “Transparency International”.
Në këtë studim organizata tregon se brenda BE-së, rreth 66% e banorëve të Spanjës e shohin korrupsionin si problemin më të madh të vendit të tyre.
Ndërsa në Gjermani kjo përqindje është e vogël, ku vetëm 2% e të anketuarve e konsiderojnë korrupsionin si problemin më të madh të vendit të tyre.
Për sa i përket Shqipërisë, Ukrainës dhe Bosnje-Hercegovinës, më tepër se gjysma e të anketuarve u shprehën se drejtuesit e vendit të tyre janë të korruptuar në nivel të lartë.
Prej vendeve të tjera evropiane, që shihen se e kanë shkallën më të lartë të korrupsionit, sipas raportit “Barometri i Korrupsionit Global 2016”, janë Moldavia, Kosova dhe Ukraina.
Në Kosovë, më pak se 50% e popullatës e shohin korrupsionin në mesin e problemeve më akute me të cilin ballafaqohen vendi.
Ndërsa lidhur me çështjen se qeveritë çfarë politikash po bëjnë për të luftuar korrupsionin në sektorin publik rreth 53% e qytetarëve mendojnë se qeveritë po punojnë shumë pak, kurse 23% mendojnë se qeveritë po punojnë shumë mirë.

Shqipëria në katër vendet më të korruptuara në Europë

Shqipëria është një ndër katër vendet më të korruptuara në Europë. Raporti i Transparencë International vendos gishtin në një nga plagët e Shqipërisë. Më shumë se 50 për qind e qytetarëve të Kosovës, Bosnjë e Hercegovinës, Kroacisë, Spanjës e Moldavisë, mendojnë se korrupsioni është një prej tri problemeve kryesore me të cilat përballen vendet e tyre, thuhet në një hulumtim të Transparency International, të publikuar të mërkurën.
Në barometrin e korrupsionit thuhet se 50 për qind e qytetarëve të Moldavisë, Spanjës (66), Kosovës (65) Sllovenisë (59), Bosnjë e Hercegovinës (55), Kroacisë (51) mendojnë se korrupsioni është problemi thelbësor me të cilin përballen shoqëritë e tyre.
Problemet me korrupsionin shtrihen edhe në Serbi ku 39 për qind e qytetarëve e vlerësojnë si kryesorin, ndërkohë që në Maqedoni dhe Mal të Zi kjo për qindje arrin në 34 dhe 31 për qind.
Sipas hulumtimit të TI-së, qytetarët e Ukrainës, Bosnjë e Hercegovinës dhe Moldavisë, rreth 80 për qind vlerësojnë se qeveritë e tyre e kryejnë shumë keq punën e tyre.
Një në tre qytetarë të Evropës dhe të Azisë Qendrore thonë se korrupsioni dhe ryshfeti janë problemet më të mëdha me të cilat përballen vendet e tyre, thuhet në Barometrin Global të Korrupsionit.
Në vendet e BE-së dhe në Commonwealth dhe Shtetet e Pavarura, rreth një e treta e respondentëve thonë se ky është problem madhor (32% dhe 34%), ndërkohë që kjo përqindje rritet dhe dy në pesë respondentë e vlerësojnë si problemin më të madh në shtetet para anëtarësimit (40 për qind).
Qytetarët në Kosovë, Spanjë dhe Moldavi veçanërisht, kanë më shumë gjasa që të mendojnë se korrupsioni është ndër problemet kryesore me të cilat përballet vendi i tyre, me dy të tretat e qytetarëve që thonë se duhet të jetë prioritet i qeverisë së tyre (nga 65 deri 67 për qind).
Qytetarët në Gjermani më së paku e shohin korrupsionin si problemin më të madh të vendit të tyre (2 për qind). Kjo çështje është gjithashtu shqetësim i vogël edhe për qytetarët e Suedisë dhe të Zvicrës, me një në 10 qytetarë ose më pak që mendojnë se duhet të jetë prioritet i qeverisë së tyre ku duhet të përqendrohet (6 dhe 10 për qind).
Në Barometrin Global të Korrupsionit shumica e qytetarëve gjithandej Evropës dhe Azisë Qendrore i shohin problemet me korrupsionin të ndërlidhura me politikën. Në bazë të hulumtimit, deputetët e Parlamenteve shihen si më të korruptuarit dhe pas tyre vijnë zyrtarët e qeverive.
Sektori privat është gjithashtu i parë si i korruptuar, ndërkohë që afërsisht 25 për qind e qytetarëve mendojnë se zyra e presidentit, zyrtarët e taksave, policia, gjykatësit dhe këshilltarët e kuvendeve komunale janë të korruptuar.
Liderët fetarë vlerësohen më pak të korruptuar dhe ndodhen në grupin e fundit dhe vetëm 17 për qind e qytetarëve mendojnë se ata janë të përfshirë në korrupsion.
Qytetarët e Ukrainës, Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës, si dhe të Rumanisë, kanë më shumë gjasa që të mendojnë se parlamentarët e tyre janë të korruptuar.
Në këto vende, më shumë se gjysma e qytetarëve thonë se përfaqësuesit e tyre janë shumë të korruptuar, me tri të katërtat në Moldavi për shembull, (76 për qind), ndërkohë që Kosova radhitet lart në listë, me 46 për qind të qytetarëve që mendojnë se deputetët e Parlamentit janë të korruptuar.
Në Gjermani, Zvicër, Holandë, Grenlandë dhe Belgjikë, qytetarët i shohin deputetët e parlamenteve të tyre të jenë të pastër.
Më shumë se gjysma e qytetarëve të vendeve të BE-së, rreth 53 për qind, e kandidatëve për anëtarësim, 53 për qind gjithashtu, pastaj vendet e ish-bllokut të Bashkimit Sovjetik, 56 për qind, mendojnë se qeveritë e vendeve të tyre janë të pasuksesshme në luftën kundër korrupsionit.
Transparency International ka biseduar me 60 mijë qytetarë në 42 vende të Evropës dhe të Azisë Qendrore që në raportin “Njerëzit dhe korrupsioni në Evropë dhe Azinë Qendrore”, të arrijnë në përfundimet e Barometrit Global të Korrupsionit për vitin 2016.
Mesatarisht një nga 6 amvisëritë paguajnë ryshfet për të pasur qasje në ndonjë prej shërbimeve publike. Megjithëse ky është nivel më i ulët në BE, në Lindje kjo përqindje është në rritje.
Në Taxhikistan, ku ryshfetet për shërbimet publike që do të duhej të ishin të qasshme për të gjithë dhe pa pagesë, paguajnë rreth 59 për qind e qytetarëve, në Modavi 42 për qind dhe Rusi 34 për qind.
Rumania është vendi me shkallën më të lartë të pagesës së ryshfetit për shërbimet publike, në mesin e vendeve të BE-së, dhe Lituania e pason me 24 për qind.
Në rajonin e Ballkanit, për shërbime publike më së shumti ryshfet jepet në BeH, 27 për qind, në Serbi 22 për qind, kurse në Kroaci dhe Kosovë rreth 10 për qind.
Një nga gjetjet kryesore të raportit është se një numër i madh i qytetarëve, edhe brenda BE-së, mendojnë se individë të pasur kanë shumë ndikim në vendimet që i marrin qeveritë.
Në vendet kandidate për anëtarësim në BE, përqindja arrin në 44, kurse në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik në 46 për qind.
“Korrupsioni është një problem thelbësor në gjithë Evropën dhe në rajonin e Azisë Qendrore. Në vendet e BE-së shumë qytetarë shohin se si të pasurit dhe zyrtarët e qeverive shtrembërojnë sistemet në dobi të tyre”, thotë Jose Ugaz, kryetar i TI-së.
Një prej problemeve kryesore në luftën kudnër korrupsionit është mungesa e mbrojtjes së atyre që flasin kundër korrupsionit.
Madje, 30 për qind e qytetarëve në Evropën dhe Azinë Qendrore që kanë marrë pjesë në anketën e TI-së thonë se një nga problemet kryesore pse nuk e lajmërojnë korrupsionin është frika nga individë të caktuar. Dy në pesë persona që e kanë lajmëruar korrupsionin kanë qenë viktima të hakmarrjes.

Anton KOLA

Prokuroria i sekuestron pronat 500 mijë euro të dënuarit për trafik droge

Me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, Gjykata ka vendosur sekuestro mbi 13 prona të paluajtshme, vlera e të cilave arrin në 500 mijë euro sipas çmimeve të referencës, në pronësi të Ilir Koçiaj, i dënuar për trafik lëndësh narkotike, në kuadër të operacionit të koduar “Poter-Al”.
Hetimi pasuror ndaj Koçiajt, ka nisur fillimisht nga Prokuroria e Elbasanit, pasi ai u dënua me 10 vjet e 8 muaj burgim nga Gjykata për Krime të Rënda, për kryerjen e veprës penale “trafikimi i narkotikëve”, të kryer në formën e organizimit. Ai është shpallur fajtor pasi, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka kryer veprimtarinë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike nga Holanda në Itali, në disa episode, të cilat kanë ndodhur në vitin 2003.
“Nga aktet procedurale të hetimeve paraprake krijohen dyshime të arsyeshme se pasuritë e paluajtshme të mësipërme të regjistruara në pronësi të shtetasit Ilir Koçiaj janë pasuri të krijuara si rezultat i veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi. Ekzistojnë dyshime se shtetasi Ilir Koçiaj ka investuar në ndërtimin e pallatit të mësipërm nëpërmjet vëllait të tij, shtetasit Bashkim Koçiaj, dhe në përfundim të ndërtimit të pallatit ky i fundit i ka kaluar pronësinë e pasurive nëpërmjet kontratës së dhurimit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Hetimi pasuror ndaj Koçiajt ka nisur fillimisht nga Prokuroria e Elbasanit, pasi ai u dënua me 10 vjet e 8 muaj burgim nga Gjykata për Krime të Rënda, për kryerjen e veprës penale “trafikimi i narkotikëve”, të kryer në formën e organizimit.
Ai është shpallur fajtor pasi, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka kryer veprimtarinë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike nga Holanda në Itali, në disa episode, të cilat kanë ndodhur në vitin 2003.
Koçiaj me 11 njësi tregtare në Elbasan e 2 apartamente në Tiranë.
“Nga veprimet hetimore të kryera fillimisht nga Prokuroria e Elbasanit, rezultuan se në emër të shtetasit Ilir Koçiaj figuronin 11 njësi tregtare në Elbasan dhe 2 apartamente në Tiranë, të cilat dyshohet se kanë prejardhjen nga veprimtaria kriminale e tij”, informon Prokuroria.
Gjykata e Elbasanit, me kërkesë të Prokurorisë, vendosi fillimisht sekuestro preventive mbi këto prona dhe më tej, çështja iu delegua për hetime të mëtejshme Prokurorisë për Krime të Rënda, në kuadër të ligjit të njohur si “Antimafia”.
Në bazë të veprimeve proceduriale të Prokurorisë për Krime të Rënda, rezulton se: Të gjitha pasuritë e paluajtshme në Elbasan ndodhen në të njëjtin pallat, në lagjen “Aqif Pasha”, i cili është ndërtuar me leje ndërtimi të miratuar në vitin 2004, ku shtetasi Bashkim Koçiaj (vëllai i Ilir Koçiaj) ka qenë bashkëinvestitor, në masën 55% në ndërtimin e pallatit.
Titulli i pronësisë së pasurive të paluajtshme të mësipërme është fituar nga shtetasi Ilir Koçiaj me anë të kontratës së dhurimit datë 03.07.2012, të lidhur me vëllain e tij Bashkim Koçiaj.
Ndërsa pasuritë e llojit apartament, të cilat ndodhen në rr. “Dervish Hima”, në Tiranë, janë fituar në vitin 2012, në bazë të kontratave të shit-blerjeve, me një çmim total rreth 75 mijë euro.
“Janë kryer verifikimet pasurore ndaj shtetasve Ilir Koçiaj dhe Bashkim Koçiaj dhe nuk rezulton që ndonjë nga këta shtetas apo familjarët e tyre të kenë ushtruar ndonjë aktivitet tregtar në kohën e kryerjes së ndërtimit, apo të kenë realizuar të ardhura të ligjshme, në mënyrë që shtetasi Bashkim Koçiaj të justifikojë shpenzimet e investimit të kryer në lidhje me ndërtimin e pallatit apo që shtetasi Ilir Koçiaj të justifikojë shumat e paguara për blerjen e dy apartamenteve të banimit në rrugën “Dervish Hima”, Tiranë. Për këto arsye, në bazë të Ligjit Nr.10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë” (“Antimafia”), Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi sekuestrimin e pasurive të regjistruara në emër të Ilir Koçiaj, kërkesë e cila u miratua nga Gjykata për Krime të Rënda para pak ditëve”, bën të ditur Prokuroria.

Fitorja e Trumpit nuk duhet të shqetësojë NATO-n dhe BE-në

Fitorja e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara e ka befasuar shumë botën dhe ka ngjallur shqetësime të shumta. Disa prej tyre mund të rezultojnë të vërteta, në varësi të performancës që do të shfaqë Trumpi, por kjo është e vërtetë për çdo president. Shqetësimet pjesërisht burojnë nga mënyra se si amerikanët zhvillojnë zgjedhjet e tyre – oqeani i pafund i parave të shpenzuara, roli i rëndësishëm i medias dhe taktikat e saj efektive për të ushqyer negativitet për njërën palë apo tjetrën.
Megjithatë, pavarësisht zemërimit, akuzave dhe frikësimit reciprok, kur u deklarua rezultati final, si Trump ashtu edhe Hillary Clinton i treguan edhe një herë tjetër botës se transferimi paqësor i pushtetit në Amerikë është i shenjtë. Miq dhe aleatë të amerikanëve nëpër botë, qetësohuni!
Për më shumë se 47 për qind të amerikanëve nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Kandidati i tyre i preferuar fitoi me një marzh fitoreje që tregoi se Trumpi e ka pasur prej kohësh në dorë fushatën e Clintonit. Të ashtuquajturit ekspertë e nënvlerësuan dhe injoruan rritjen e pakënaqësisë të shkaktuar nga shtrydhja e shtresës së mesme të shoqërisë dhe paaftësinë e institucioneve politike dhe liderëve që të adresojnë shqetësimet e tyre. Bernie Sanders dhe Donald Trump ishin të vetmit që e kuptuan këtë fenomen dhe ky është rezultati kryesor që duhet nxjerrë nga ky sezon fushate.
Por çfarë do të thotë fitorja e Trumpit për miqtë evropianë dhe aleatët? Pikëpyetjet për vazhdimësinë e tregtisë mund të hidhen në kosh që pa u ngritur. Megjithatë, sado vlerë mund të ketë për vendet në të dy krahët e Atlantikut, Partneriteti Transatlantik i Tregtisë dhe Investimeve (TTIP) nuk pritet të shohë një zhvillim të madh së shpejti.
Edhe nëse Trump arrin ta shikojë vlerën e kësaj marrëveshjeje me syrin e tij prej biznesmeni, ai është vetëshpallur kampion i shtresës së mesme të Shteteve të Bashkuara dhe do të jetë një negociator i vështirë për t’u bindur, kështu  marrëveshja TTIP nuk pritet të jetë prioritet në axhendën e tij. Ky vend në fakt i rezervohet ekskluzivisht, siç është theksuar gjatë fushatës, zgjidhjes fillimisht të problemeve të brendshme ekonomike të Amerikës, më specifikisht problemeve të infrastrukturës dhe vendeve të punës për shtresën e mesme, së bashku me “projektin për rritjen dhe ripërtëritjen kombëtare”.
Megjithatë, kjo listë e prioriteteve të Trumpit nuk do të jetë diçka e keqe për Evropën. Nëse Amerika ngelet mbrapa ekonomikisht në krahasim me Kinën, së bashku me problemin e pabarazisë së brendshme që kërcënon prej kohësh paqen politike dhe sociale, ajo nuk do të ishte një partnere e dobishme për miqtë e saj në anën tjetër të Atlantikut.
Po në lidhje me NATO-n? Një prej shqetësimeve kryesore të evropianëve është frika se Donald Trump do të braktisë aleancën ose do të reduktojë ndjeshëm rëndësinë e Shteteve të Bashkuara në të. Interesat e sigurisë kombëtare, të cilat kanë qenë historikisht përcaktuese kryesore të veprimeve amerikane në politikën e jashtme, tregojnë një tjetër histori.
Nuk është aspak naive të sugjerosh se një aleancë, e cila ka mbijetuar është zhvilluar dhe ta rezultuar e dobishme në të gjitha kohërat, nuk ka për t’u braktisur nga Donald Trump, sikurse nga çdo president tjetër amerikan. Kur të hyjë në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar, Trump do të zbulojë se Shtetet e Bashkuara kanë interesa jetësore që ndërlidhen ngushtë me aleatët përtej oqeanit, se kërcënimet dhe sfidat janë po ato me të cilët është përballur administrata e mëparshme dhe se zotimi i tij për ta bërë Amerikën përsëri të jashtëzakonshme do të duhet të përfshijë edhe angazhimet ndërkombëtare dhe globale. Në fund të fundit, është më mirë të dalësh përballë botës me aleatë se sa vetëm.
Më tej, Trump kërkon më shumë shpenzime për ushtrinë e Shteteve të Bashkuara dhe si një negociator i mprehtë që është, do të kuptojë se shpresat e tij për marrëdhënie më të mira me Rusinë kërkojnë mosshkrepje të armës, gatishmëri të lartë ushtarake dhe aleancë të fortë perëndimore. Trump thotë se do të bëjë çdo gjë të mundur për të mposhtur terrorizmin, veçanërisht Shtetin Islamik, edhe pse ndryshe nga Clintoni ai nuk do ta përdorë ushtrinë amerikane kundër Presidentit Bashar al-Assad. Njëlloj si aleatët e tij evropianë, Donald Trump kërkon që të mos ketë luftëra të reja në rajon, përfshirë edhe Iranin. Në të njëjtën kohë, Shtetet e Bashkuara nuk do të pranojnë refugjatë nga Lindja e Mesme, një kundërshtim për të ndihmuar Evropën, i cili ndahet edhe nga Obama dhe Clinton.
Është e vërtetë që Trumpi ka thënë se kërkon që aleatët evropianë të Amerikës “të paguajnë vetë faturat e tyre”, gjë që do të thotë se duhet të zbatohet nga të gjithë qëllimi i NATO-s për të shpenzuar 2% të GDP-së për mbrojtjen (aktualisht vetëm 28 prej aleatëve e paguajnë). Edhe kjo është e ngjashme me politikën e administratës Obama, por mos i keqkuptoni fjalët e Donald Trumpit, siç ka bërë edhe fushata e Hillary Clinton. Fjalët e tij në fakt nuk japin asnjë provë se do të braktiste vendet balltike në rast do të ndodheshin përballë agresionit rus. Mbi të gjitha, ajo që Trump i kërkon evropianëve, që të varen më shumë tek vetë forcat e tyre ushtarake, është gjithashtu një objektiv i vetë Bashkimit Evropian.
Por a do të ngrihej Trumpi kundër agresioneve ruse dhe të Presidentit Vladimir Putin? Ky i fundit e mirëpriti rezultatin e zgjedhjeve amerikane. Gjatë fjalimit të tij të fitores, Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara tha: “Unë dua t’i them komunitetit botëror se, ndërsa do t’i vendosim gjithmonë interesat e Amerikës në vend të parë, do të trajtojmë siç duhet të gjithë. Të gjithë popujt dhe të gjithë shtetet. Do të kërkojmë një rrugë të përbashkët, jo armiqësi; partneritet, jo konflikt. Do të shkojmë mirë me të gjithë shtetet e tjera që duan të shkonë mirë me ne”.
Ajo që Trump tha natën e zgjedhjeve është më e mirë si një miratim i thjeshtë i ftohjes së dukshme të Moskës dhe Washingtonit që mund të çojë drejt një përballjeje, që këshilltarët kryesorë të Clintonit e kishin përshkruar si të paevitueshme. Ndoshta qëndrimi i Trumpit do të jetë më favorizues në Moskë, duke ofruar mjetet që, nëse Putini do të pranojë pjesën e tij, mund të na kthejë sërish në rrugën drejt qëllimit të Presidentit George W. Bush për një “Evropë të bashkuar, të lirë dhe në paqe”. Ndoshta mund të mos funksionojë, por ia vlen të bësh një tentativë. Aleatët evropianë vetëm duhet të presin të qetë për të parë se çfarë ka për të ofruar Presidenti i ri amerikan.

Obama, NATO është një aleancë jetike

Presidenti Obama ndodhet në Greqi në një vizitë dyditore, në kuadër të një udhëtimi jashtë vendit që mendohet të jetë i fundit për të si President. Në takimet me udhëheqësit grekë në qendër të vëmendjes ishin reformat ekonomike të Greqisë. Presidenti tha se Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Greqinë si një vend mik dhe aleat në NATO.
Takimi i Presidentit Obama me Kryeministrin grek, Alexis Tsipras u përqendrua tek nevoja e vazhdimit të reformave ekonomike në Greqi, përfshirë transparencën dhe stabilizimin e sektorit financiar:
“Siç e theksoi edhe Kryeministri Tsipras, shumicën e kohës folëm për situatën ekonomike të Greqisë dhe rrugët se si Greqia duhet të ecë në të ardhmen. E di se kjo ka qenë një periudhë e dhembshme dhe e vështirë për punëtorët grekë dhe familjet e tyre, për pensionistët dhe të rinjtë. Kjo krizë nuk është abstrakte, por ka patur ndikim konkret dhe të rëndë në jetët e miliona njerëzve në mbarë vendin”.
Presidenti falënderoi qeverinë e Greqisë, e cila përballoi barrën kryesore të valës së refugjatëve nga Lindja e Mesme që mbërrinin fillimisht në Greqi për të vazhduar më tej rrugëtimin në Evropë.
Vizita e Presidentit Obama në Greqi ishte planifikuar kohë para daljes së rezultatit të zgjedhjeve presidenciale në Amerikë.
Presidenti Barack Obama tha se NATO është “jetike”, ndërsa ai përpiqet të sigurojë Europën lidhur me përkushtimin e Shteteve të Bashkuara ndaj Aleancës gjatë presidencës së Donald Trump-it.
Gjatë një konference shtypi që dha të martën në Athinë, zoti Obama tha se NATO “siguron vazhdimësi, edhe në kushtet e tranzicionit të pushtetit në Shtetet e Bashkuara”.
Duke prekur disa nga çështjet që pati prekur gjatë fushatës Presidenti i porsazgjedhur Donald Trump dhe që kanë trajtuar administratat e mëparshme amerikane, përfshirë edhe ato të Presidentit Obama, udhëheqësi amerikan i bëri thirrje vendeve anëtare të NATO-s të shpenzojnë më tepër për mbrojtjen.
Presidenti Obama e vlerësoi Greqinë në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin grek Alexis Tsipras. Ai e përgëzoi vendin për shpenzimin e më tepër se sa synimi minimal për mbrojtjen, “edhe në kohë të vështira”. Ai tha se kur Greqia mundi ta plotësonte detyrimin e saj ndaj NATO-s, “të gjithë aleatët tanë duhet të jenë në gjendje të bëjnë të njëjtën gjë”.
Zoti Obama tha se para se ai të largohej nga Shtëpia e Bardhë të hënën, Donald Trump i kishte shprehur atij një “interesim të madh” për të ruajtur marrëdhëniet strategjike të Amerikës.
“Një prej mesazheve që unë do të jap gjatë këtij udhëtimi është përkushtimi i zotit Trump ndaj NATO-s dhe Aleancës sonë Transatlantike”, tha zoti Obama. Presidenti në largim i SHBA tha se do t’i bënte të njohur aleatëve europianë se, “vendosmëria e Amerikës nuk ka për t’u dobësuar aspak kur është fjala për përkushtimin e saj për të ruajtur një marrëdhënie të fortë dhe të fuqishme me NATO-n”.
Udhëheqësit europianë, të alarmuar nga deklaratat e zotit Trump gjatë fushatës lidhur me angazhimin amerikan në botë, kanë qenë të shqetësuar dhe kanë pritur sqarime për këtë çështje.
Fjalimi më i rëndësishëm i zotit Obama në këtë turne, do të jetë ai i së mërkurës në Greqi, ku pritet të flasë lidhur me punën që duhet bërë për të tejkaluar krizën ekonomike aty dhe kudo në botë, duke nxitur rritjen gjithpërfshirëse ekonomike dhe luftuar pabarazinë.
Të enjten Presidenti Obama do të takohet në Berlin me Kancelaren gjermane, Angela Merkel. Të premten, po në Berlin ai ka në plan të takohet me udhëheqës të tjerë evropianë, nga vende si Britania e Madhe, Franca, Italia e Spanja, për takime ku do të diskutohet mbi luftën ndaj Shtetit Islamik, çështje që lidhen me migrimin, situatën në Ukrainë dhe zgjedhjet në Amerikë.

Kosova drejt zgjedhjeve të parakohshme?

Pamundësia e koalicionit qeverisës që t’i çojë deri në fund çështjet si Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi – si kusht për liberalizimin e vizave – si dhe ngecja me zbatimin e disa obligimeve nga dialogu me Serbinë dhe pamundësia e themelimit të Forcave të Armatosura, besohet se mund ta çojnë Kosovën në zgjedhje të parakohshme në pranverën e ardhshme.
Aktualisht, është Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, njëherësh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ai i cili nga liderët vendorë po kundërshton zgjedhjet e parakohshme.
Por, opozita, si edhe disa nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, nuk e përjashtojnë opsionin e zgjedhjeve që do të mund të organizoheshin eventualisht në pranverën e ardhshme.
Sidoqoftë, Kryeministri Isa Mustafa vazhdon të besojë se zgjedhje nuk do të ketë dhe se qeveria e tij do të përfundojë mandatin në vitin 2018.
Zgjedhjet, sipas tij, po kërkohen vetëm për arsye politike dhe nuk kanë të bëjnë me çështjen e Demarkacionit të kufirit dhe liberalizimin e vizave.
“Kemi konstatuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim të vizave, ka mbetur vetëm Demarkacioni”, ka thënë Mustafa.
Po ashtu, edhe diplomatë ndërkombëtarë, nuk preferojnë që Kosova të humbë sërish kohë në organizimin e zgjedhjeve.
Pas komenteve që i bëri në Prishtinë, komisioneri për Zgjerim dhe Negociata i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, i cili u shpreh i habitur se si një koalicion me mbi 80 vota në Kuvend nuk po arrin të marrë vendime dhe po kërkon zgjedhje, së fundi edhe ambasadorja gjermane, Angelika Vietz ka dalë me qëndrime kundër zgjedhjeve të shpejta.
“Unë vetëm mund ta përsëris vetveten, se zgjedhjet duhet të ndodhin sipas afatit të përcaktuar, më 2018. Në të kundërtën, Kosova do të humbë shumë kohë në zbatimin e reformave të rëndësishme në drejtësi dhe çështje të tjera, si arsimi, punësimi dhe zhvillimi ekonomik”, ka thënë Vietz.
Megjithatë, faktori ndërkombëtar ka adresuar këto ditë edhe disa kërkesa për koalicionin qeverisës, duke insistuar që të angazhohet dhe të gjejë zgjidhje për Demarkacionin, ngjashëm siç do t’i kërkohet edhe për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Kurse, opozita në anën tjetër, tashmë e ka orientuar gjithë programin e vet kah mobilizimi në terren, duke organizuar debate e vizita nëpër lokalitete të ndryshme të Kosovës. Po ashtu, nuk mungojnë as prezantimet e aderimeve të reja nëpër parti politike, ndër të cilat është përfshirë edhe partia më e madhe në pushtet, Partia Demokratike e Kosovës.
Shefi i Grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj ka deklaruar se qeveria e Kosovës, edhe pse i ka numrat e mjaftueshëm në Kuvendin e Kosovës, nuk po arrin që t’i çojë përpara shumë procese të rëndësishme.
“Është për të ardhur keq se në çfarë gjendje kemi rënë, prandaj mund të them lirisht se sa më parë që të shkohet në zgjedhje aq më mirë do të jetë për qytetarët e Kosovës, sepse me këtë qeveri janë ngopur qytetarët e Kosovës”, ka thënë Lekaj.
Zgjedhjet e parakohshme janë fuqizuar si opsion edhe me vendimin e Listës Serbe për t’i bojkotuar institucionet qendrore, me çka është vështirësuar edhe më tepër vendimmarrja në Kuvend për çështje të rëndësishme.

Rusia, operacion madhor në Siri

Rusia tha dje se ka filluar një operacion madhor në Siri, në provincat e Idlibit dhe Homsit. Ndërkohë, aktivistët e opozitës njoftuan për rifillimin e sulmeve ajrore në qytetin e rrethuar Alepo, pjesa lindore e të cilit është nën kontrollin e forcave rebele.
Media ruse tha se operacioni i djeshëm kishte si objektiv militantët e Shtetit Islamik dhe luftëtarët e frontit Nusra. Ofensiva filloi disa orë pasi Presidenti rus, Vladimir Putin dhe Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump biseduan në telefon për Sirinë dhe ranë dakord lidhur me nevojën e bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit.