Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti dje drejtorin e Zgjerimit në Komisionin Europian, Christian Danielson me të cilin ndau vlerësimin për marrjen e rekomandimit për hapjen e negociatave Shqipëri-BE, si dhe shprehu shqetësimin për sfidat e mëdha që po has Shqipëria, mbi të gjitha me çështjet që kanë të bëjnë me krimin, korrupsionin, me drogën, me zgjedhjet e lira e të ndershme dhe me dekriminalizimin.
Kryetari Basha tha se PD ka dhënë dhe jep mbështetje totale për integrimin europian të Shqipërisë dhe është e vendosur të vazhdojë kontributin e saj maksimal për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Drejtori i Integrimit në BE, vlerësoi rolin dhe kontributin e jashtëzakonshëm të Partisë Demokratike për integrimin europian gjatë qeverisjes së saj, si dhe në opozitë, në veçanti për Reformën në Drejtësi.
Moszbatimi i ligjit të dekriminalizimit si provë e mungesës së vullnetit për t’u ndarë me krimin dhe për të respektuar sundimin e ligjit, është një problem i madh për demokracinë dhe shtetin ligjor, u shpreh zoti Basha. Kthimi i drogës në aktivitetin më të madh prodhues në vend, investimi i krimit të organizuar për të ndërtuar një infrastrukturë të tërë të prodhimit dhe trafikimit të drogës, dhe mosveprimi i shtetit ndaj trafikantëve janë indikacione të qarta të rolit nxitës dhe mbrojtës për këtë aktivitet nga segmentet më të larta shtetërore, theksoi kreu i opozitës. Sfida më e madhe sot është garantimi i zgjedhjeve të lira në kushtet kur procesi zgjedhor kërcënohet nga droga me mbështetje qeveritare, u shpreh zoti Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike dhe drejtori për Zgjerimin bashkëndanë vlerësimin se vëmendja maksimale për çështjet e mprehta që po vuan vendi, si droga dhe krimi i organizuar, zgjedhjet e lira dhe lufta kundër korrupsionit, është e një rëndësie kardinale në përballimin e këtyre sfidave.
Basha-Danielson: Zgjedhjet dhe krimi probleme kardinale
Beqja: Në emër të partisë je i shkarkuar
“Jam Çlirim Hajdarmataj nga Tropoja”
Pse i jeni drejtuar emisionit “STOP”, cili është problemi juaj?
“Përgjatë tre viteve jam Kryetar i Degës së Fondit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor të degës së Tropojës.
Papritur, pa asnjë lloj vërejtje, pa asnjë lloj këshille apo mase disiplinore, sot më komunikohet urdhëri i largimit nga puna, për ndërprerjen e marrëdhënies së punës, më datë 7.11.2016.
Ky njoftim më ka ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Ky shkarkim i menjëhershëm ka ndodhur, për një mbledhje partie që unë nuk kam shkuar, e kam pasur të pamundur, kam pasur arsye personale dhe nuk kam qenë në mbledhjen e partisë të asamblesë të rrethit Tropojë”.
Të Partisë Socialiste?
“Po, të Partisë Socialiste. Kjo është arsyeja, e cila është shkelje flagrante dhe është një rast absurd, që të largohesh nga puna, se pse nuk erdhe në një mbledhje partie”.
Sipas një urdhëri të lëshuar më datë 4.11.2016 nga ana e Fondit të Sigurimeve të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, pra nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Kujdesit Shëndetësor urdhërohet shkarkimi i menjëhershëm nga puna i zotit Çlirim Hajdarmataj:
“Z. Çlirim Hajdarmataj, aktualisht me detyrë Kryetar i Degës Tropojë pranë Drejtorisë Rajonale të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor Kukës, t’i ndërpriten marrëdhëniet e punës dhe financiare me Fondin, duke filluar nga data 07.11.2016”.
Por historia nuk përfundon me kaq.
Cila është arsyeja e vërtetë e largimit të tij nga puna? Ai ka komunikuar me ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj, i cili është i deleguari i Partisë Socialiste në Tropojë, ku gjatë bisedës, ministri në fund shprehet se i uron gjithë të mirat në jetë, duke i lënë të kuptojë Çlirim Hajdarmatajn, që nuk do të jetë më pjesë e Fondit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor të degës së Tropojës.
Drejtori– Alo!
Ministri – Alo!
Drejtori – Po. Përshëndetje!
Ministri – …… ?
Drejtori – Po.
Ministri – Unë jam Ilir Beqaj.
Drejtori – Po. Po ministër!
Ministri – Pse s’erdhe sot në mbledhje në 10 e gjys?
Drejtori – Si?
Ministri – Nga ora 10 e gjys, pse nuk erdhe në mbledhje të Asamblesë të zgjeruar?
Drejtori – Nuk erdha në mbledhje të Asamblesë?
Ministri – Po.
Drejtori – Nuk mujta me ardh, pata probleme.
Ministri – Pse? Pse s’erdhe?
Drejtori – Pata arsye të miat, personale.
Ministri – Pse nuk më njoftove para mbledhjes, që nuk vij dot?
Drejtori – Si?
Ministri – Pse nuk më njoftove mua para mbledhjes, që nuk vij dot në mbledhje?
Drejtori – Po nuk kisha ndonjë pikë kontakti me juve z.ministër. Nuk më keni njoftue.
Ministri – Nuk e ndjeje, që duhet të vije sot në mbledhjen e Asamblesë?
Drejtori – Po nuk ë… Nuk kisha mundësi, që të tregoja ty. Mu më ka njoftue ish-kryetari, që ka qenë ……………. dhe ato i kam njoftu, që s’vij.
Ministri – Po pse më gënjen mu? Pse s’më njoftove që s’vij?
Drejtori – Po si të të njoftoj unë ty? Se s’kisha si të njoftoj. Për çar me të njoftue?
Ministri – Si jo? Jam i delegumi. Ti e di, që jam i delegumi i partisë.
Drejtori – E di. E di unë, që je i delegumi, po s’kisha si të njoftoj.
Ministri – Po pra!
Drejtori – Ti nuk më njoftove.
Ministri -……..
Drejtori – Ti z.ministër nuk më njoftove për mbledhje! Nuk e mendova, që mund të njoftoja ty.
Ministri – Mirë, dakord. Hajde! Të uroj suksese në jetë atëhere!
Drejtori – Z. ministër!
Ministri – Urdhëro!
Drejtori – Po, ne jemi bashkë për një qëllim, për Partinë Socialiste?
Ministri – Unë po të them, të uroj suksese në jetë!
Drejtori – Si në jetë o? Ç’a është kjo? Se s’e kuptoj për ç’a po më thu kështu?
Ministri – Kuptoje si të dush!
Drejtori – Si kuptoje si të dush? O z.ministër…
Ministri – Si të dush. Si të dush.
Drejtori – Z. ministër, ne jemi njerëz të sakrificës, që ia kemi bo 8 vjet mundin të Partisë Socialiste në Tropojë.
Ministri – Je…
Drejtori – Në kushte të Sali Berishës z. ministër.
Ministri – Je njeri i përgjegjshëm, e kupton.
Drejtori – Unë jam shumë i përgjegjshëm dhe jam njeri shumë me parime. Jam njeri shumë i drejtë, por ia kemi bo mundin e djersën Partisë Socialiste. Dhe jo me ardh njerëz, njerëz, që na kanë sulmu me armë. Na kanë sulmu me armë në kohën e… kur kemi qenë ne në pushtet në 2000. Dhe janë dhe të filmume z. ministër.
Ministri – Po ta përsëris, të uroj suksese në jetë!
Drejtori – Z. Ministër, po nuk është…, nuk po më vjen mirë me ma thanë, se ne jemi bashkë për një qëllim.
Ministri – Kurse mu më vjen shumë më keq, që ti s’ke njoftu, që s’vjen dot në mbledhje.
Drejtori – Unë të kam njoftu. Të kam hy në zyrë edhe të kam than dhe ta kam çu dhe e-mailin. Dhe firmën e katërdhet (40) personave.
Ministri – Dhe unë të kam thon, më vjen shumë keq, që pse s’më njoftove, që s’vij dot në mbledhje.
Drejtori – Po unë të kam thanë mo, ta kemi çu e-mailin. Unë të kam taku, unë jam shumë serioz mo burrë. Unë të kam ardh, të kam taku në zyrë o z.ministër. Unë të kam sqarue z. ministër, të kam sqarue, të kam ardh në zyrë.
Ministri – Unë për fatin tënd të keq, për fatin tënd të keq…
Drejtori – Po, po. Alo!
Ministri – Unë për fatin tënd të keq kam dy marrëdhënie me ty: edhe i delegum edhe ministër. Apo jo? Për shumicën e njerëzve jam thjesht si i delegum, për ty jam dhe ministër.
Drejtori – Po je dhe ministër dhe unë të respektoj 100% dhe Partinë Socialiste nuk e devijoj asnjë minutë, Partinë Socialiste.
Ministri – Po të më respektoje mu…
Drejtori – As statusin. Unë të repektoj ty dhe të kam ardh të kam kërkue. T’u kam lut njëherë si njeri, t’u kam lut si anëtar partie.
Ministri – Edhe njëherë, mund të më thoje për arsye, që s’ti them dot, sot nuk vij dot. Kaq doja prej teje unë. Nuk vij dot.
Drejtori – Nuk e pava të arsyeshme, se do të kisha njoftu. Unë të kam ardh, të kam… në zyrë.
Ministri – A, pikërisht!
Drejtori – Unë ta kam çu e-mailin e arsyes që…
Ministri – Pikërisht pra, m.q.s. e thu vetë, që nuk e shef të arsyeshme, duket se gënjen. Hajde mirupafshim!
Çlirim Hajdarmataj u flak në rrugë për të vetmen arsye pse nuk ishte i pranishëm në një mbledhje partie, në qytetin e Tropojës.
Pas kësaj që ndodhi u detyrua të largohej në drejtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi ai është kryefamiljar dhe e vetmja zgjidhje për të ishte të largohej nga ky vend.
Si njoftoi Policia trafikantët që të fshehin 1.8 ton drogë
Me urdhër të Prokurorisë, Policia e Gjirokastrës zhvilloi një operacion antikanabis dje në Memaliaj, ku sekuestroi rreth 1.8 ton kanabis, si dhe arrestoi 4 persona, ndërsa shpalli në kërkim tre të tjerë. Burime nga organi i akuzës bëjnë të ditur se, ky operacion ishte urdhëruar të martën nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Burimet thonë se, ka oficerë policie të implikuar në këtë rast dhe për këtë qëllim janë njoftuar trafikantët që të fshehin drogën që të mos sekuestrohej gjatë operacionit të urdhëruar nga Prokuroria.
Në vijim të hetimeve Prokuroria e Krimeve të Rënda ka komunikuar të martën në mbrëmje me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, duke i kërkuar ndërhyrje për sekuestrimin e drogës dhe arrestimin e personave të implikuar.
Po kështu është vënë në dijeni për operacionin edhe Drejtoria e Policisë Gjirokastër, por burimet nga Krimet e Rënda, bëjnë të ditur se trafikantët janë njoftuar për të lëvizur mallin, pasi do të ketë operacion policor. Dhe kështu ndodhi, trafikantët e kanë transportuar kanabisin në një bazë tjetër, për të cilën sërish Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte dijeni të plotë. Gjatë operacionit të djeshëm, organi i akuzës e orientoi policinë në vendndodhjen e re, pikërisht aty ku ishte vendosur lënda narkotike.
Ky është një tjetër rast që tregon implikimin e strukturave policore në mbrojtje të trafikantëve të drogës. Sikundër është raportuar kohë më parë, Shërbimi Informativ Shtetëror i kë dërguar Prokurorisë së Krimeve të Rënda një hartë me zonat konkrete dhe emrat e personave të implikuar në kultivimin dhe trafikun e drogës. Mbi bazën e këtij dokumenti punon organi i akuzës, që shpesh herë është përplasur me Policinë e Shtetit për çështjen e kanabisit.
Dy javë më parë u organizua një tjetër operacion nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për bllokimin e një magazine me 7 ton drogë në Rrëshen. Fabrika e drogës që funksiononte 24 orë ndodhej në mes të qytetit të Rrëshenit dhe në të ishin të punësuar rreth 200 punëtorë. Për një gjë të tillë fliste i gjithë qyteti, por policia nuk ndërhynte për shkak se droga ishte grumbulluar aty nga njerëzit e kryetarit të Bashkisë, në bashkëpunim me kreun e policisë. Policia e Rrëshenit nuk ka pranuar të marrë pjesë në operacion dhe ka patur përplasje mes Policisë së Rrëshenit dhe të Lezhës deri në sharje të ndërsjella.
Pronarë të drogës ishin drejtuesit e policisë dhe kreu i Bashkisë dhe për këtë arsye policia nuk ndërhynte për të sekuestruar drogën ndonëse laboratori i përpunimit ndodhej pak metra larg Komisariatit të Policisë dhe Bashkisë. Ndërkohë, pronari i magazinës me 7 tonë drogë në Rrëshen u zbulua se ishte Kastriot Preng Reçi, nipi i Zef Brozit, ish-kryetar i Gjykatës së Lartë. Droga mbrohej nga policia, pasi banda drejtohet nga kryetari i Bashkisë.
Prokuroria dhe SHISH i kanë intensifikuar aksionet në terren, pasi policia është e përfshirë në kultivimin dhe trafikimin e kanabisit. Policia jo vetëm që nuk ka ndërhyrë për të goditur magazinat ku përpunohet kanabisi, por janë vënë në mbrojtje të tyre. Rasti i sekuestrimit të 12 tonë droge në Vlorë, ku policia e kishte deklaruar sipërfaqen “të pastër” është më flagranti. Policia, sipas një burimi ka hezituar të ndërhyjë edhe pas kërkesës së prokurorëve të krimeve të rënda, pasi “zona kontrollohej nga njerëz të lidhur me shefat lart”. Për këtë arsye thirrën FNSH-në e Tiranës dhe Fierit.
I gjithë angazhimi i Prokurorisë në terren ka të bëjë me mosveprimin e policisë. Prokuroria dhe SHISH duket se po prekin pikërisht parcelat e “të paprekshmëve”, në zonat ku policia nuk ndërhyn “me dashje”, ku kultivuesit dyshohet se kanë lidhje me shefat në polici dhe qeveri.
Me konstatimet dhe hetimet në terren, prokurorët jo vetëm po zbulojnë dhjetëra ton drogë, por po ngushtojnë lakun edhe ndaj drejtuesve të policisë që dyshohet se kanë lejuar kultivimin e kanabisit dhe nuk kanë ndërhyrë për të asgjësuar zonat e evidentuara nga raporti i SHISH, për shkak të lidhjeve me narkotrafikantët.
R.POLISI
Fieri në revoltë ndaj fabrikës së plehrave, bllokohet rruga
Banorët e Mbrostarit kanë protestuar dje kundër ndërtimit të impiantit të plehrave. Në ditën e dytë të kësaj proteste, banorët e Mbrostarit që dje ishin më shumë në numër, kanë bllokuar disa herë rrugën nacionale Fier-Tiranë. Vetëm me ndërhyrjen e forcave të policisë është mundur çlirimi i rrugës nga protestuesit.
Protestuesit kanë hedhur thirrje; “Jashtë plehrat nga Mbrostari”, ndërsa kanë kërcënuar se do rimblidhen në këtë shesh dhe rrugë deri kur të tërhiqet ky vendim për ndalimin e ndërtimit të impiantit të plehrave në Mbrostar.
Teksa protestat në qytetin e Fierit vijojnë për të mos lejuar ndërtimin e impiantit të përpunimit të plehrave, Agjencia e Prokurimit Publik (APP) shpalli në buletinin e radhës fituesin e koncesionit me Partneritet Publik–Privat të përpunimit të plehrave në qytetin jugor.
SPV “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k. u shpall nga APP si fitues të kontratës koncesionare për trajtimin e mbetjeve në Fier. Kjo kontratë do t’i kushtojë buxhetit 3.7 miliardë lekë pa TVSH.
Autoriteti kontraktor për këtë koncesion është Ministria e Mjedisit. Kjo formë investimi për përpunimin e mbetjeve në qytetet e mëdha është përdorur në Elbasan dhe në Tiranë nëpërmjet Eco Tirana.
Kompania që do të trajtojë mbetjet në qytetin e Fierit ka në kontratë me qeverinë ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut të Fierit dhe prodhim energjie.
Investimi do të jetë privat, por i subvencionuar nga buxheti i shtetit.
Ministria e Mjedisit ka në zbatim dy koncesione me vlerë totale 7.4 miliardë lekë (57 mln euro). Impianti i mbetjeve në Elbasan, për periudhën 2015-2022, me vlerë 3.3 miliardë lekë. Impianti i mbetjeve në Fier, për periudhën 2017-2022, me vlerë 4.1 miliardë lekë.
Aktualisht, janë në fuqi 6 kontrata koncesionare apo Partneriteti Publik-Privat (PPP), të cilat marrin mbështetje buxhetore, si dhe pritet që gjatë vitit 2017 të fillojnë dhe 2 kontrata të reja të lidhura nga Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Shëndetësisë. Pagesat nga arka e shtetit për këto kontrata, deri në vitin 2025, janë programuar të jenë 68 miliardë lekë (rreth 500 milionë euro) nga të cilat, vetëm për vitin që vjen, do të paguhen mbi 7.3 miliardë lekë.
Sipas tabelës së Ministrisë së Financave, nga 68 miliardë lekë që do paguhen deri në vitin 2025, Shëndetësia do të marrë pjesën e luanit, me 40 miliardë lekë (rreth 290 milionë euro), apo rreth 60% të totalit, për katër koncesione.
Sikur të mos mjaftonte ndotja e shkaktuar nga plehrat dhe ujrat e zeza që prej vitesh kan marr rrugët e fshatit për 3 mijë banorët e njësisë administrative Mbrostar, bashkia Fier, kjo e fundit ka vendosur që në tokat në hyrje të Mbrostarit të ndërtojë impiantin e pëprunimit të plehrave, atë impiant që e kundërshtuan banorët e Mbyetit dhe Plykut.
Impianti do të ndërtohet në hyrje të Mbrostarit ku nga ndërtimi preken banorë të 5 fshatrave, të Mbrostarit, Vajkanit, Verrisë, Kallmit të Vogël e Kallmit të Madh.
Banorët e Mbrostarit janë vënë në dieni të vendimit të këshillit bashkiak nga media por janë kundër ndërtimit të tij. Nuk mjaftonë fekalet që prej vitesh kanë marrë rrugët e fshatit dhe janë bërë shkak për epidemi por tani duan edhe grumbullimin e pëprunimin e plehrave këtu në fshatin tonë, jemi kundër, pohuan ata.
Prej vitesh edhe pse janë ankuar banorët e Mbrostarit për fekalet në rrugë e sipërfaqe drejtues nuk ka vënë dorë si në ish komunën ashtu edhe sot njësi administrative. Banorët ankohen por asnjëherë zëri i tyre nuk është marrë parasysh.
Pikët më të larta në Europë për ryshfetin
Një raport i Transparency International, i publikuar të mërkurën vlerëson se Shqipëria po bën përpjekje mesatare për të luftuar korrupsionin. Megjithatë, raporti e rendit Shqipërinë si një ndër katër vendet me klasën politike më të korruptuar në Europë.
Raporti “Njerëzit dhe korrupsioni; Europa dhe Azia Qendrore”, pjesë e Barometrit Global të Korrupsionit është një sondazh i realizuar me 60 mijë njerëz në 42 vende të Europës dhe Azisë Qendrore. Në Shqipëri, Transparency International ka intervistuar ballazi 1500 qytetarë gjatë periudhës janar-mars 2016.
Të dhënat e përftuara tregojnë se ndryshe nga Kosova, Spanja dhe Moldavia- vende ku korrupsioni perceptohet si një ndër tri problemet kryesore, në Shqipëri rreziku prej tij konsiderohet mesatar. Transparency International vlerëson gjithashtu se në perceptimin e qytetarëve, qeveria shqiptare po bën përpjekje mesatare për të luftuar korrupsionin.
Transparency International vlerëson megjithatë se në kontrast me këtë perceptim të parë, qytetarët shqiptarë mendojnë se klasa e tyre politike është ndër më të korruptuarat mes vendeve të përfshira në studim.
“Qytetarët e Ukrainës, Shqipërisë, Bosnjes dhe Rumanisë janë më prirur në mendimin se deputetët në Parlamentet e tyre janë shumë të korruptuar. Në këto vende, më shumë se gjysma mendojnë se përfaqësuesit e tyre janë të korruptuar, shifra që rriten në ¾ për Moldavinë”, thuhet në raport.
Paralelisht me korrupsionin në nivelet e larta të qeverisjes, Shqipëria konsiderohet si një ndër vendet ku ryshfeti në këmbim të shërbimeve publike është mjaft i përhapur. Shqipëria ka marrë pikët më të larta në rajon dhe në Europë- çka tregon se kultura e korrupsionit të vogël është gjerësisht e përhapur, duke u renditur në të njëjtin nivel me Rusinë dhe duke lënë pas vetëm vendet e Azisë Qendrore.
Transparency International vlerëson se ekzistojnë një sërë barrierash për qytetarët, për t’i përfshirë ata në strategjitë antikorrupsion. Sipas raportit, shumë njerëz janë të frikësuar për pasojat negative të raportimit apo denoncimit.
“Një ndër tre qytetarë të rajonit mendojnë se korrupsioni është një ndër problemet kryesore me të cilat përballen në vendet e tyre… çka tregon se masa urgjente nevojiten kundër abuzimit me pushtetin dhe marrëveshjeve sekrete”, vlerëson raporti i Transparency International.
“BIRN”
PS bllokon dëgjesën me gazetarët
PS bllokoi dje dëgjesën me gazetarët e grupit “Pubblicus” dhe Shoqatën e Gazetarëve Profesionistë në Komisionin e Mediave për investigimin e vrasjes së 17-vjeçarit, Ardit Gjoklaj në Sharrë. “Në mbledhjen e Komisionit kishim planifikuar dëgjesë me grupin “Pubblicus” dhe me Shoqatën e Gazetarëve Profesionistë, të cilët zbuluan korrupsionin dhe abuzimin në landfillin e Sharrës, ku një adoleshent gjeti vdekjen dhe gjë për të cilën humbën vendin e punës, humbën kontatën, njësoj si zonja Alida Tota, drejtoreshë e lajmeve në “A1 News”. Kishim rënë dakort që të bënim dëgjesën për këtë çështje. Sot përsëri ndodhi i njëjti skenar i shëmtuar, kësaj radhe me bojkot të deputetëve të Partisë Socialiste dhe duke terrorizuar stafin e duke mos lejuar çeljen e mikrofonit. Ne mendojmë se i bëjmë vendit shërbimin më të mirë, nëse e mbajmë këtë dëgjesë, ashtu siç mbajtëm dëgjesën me Alida Totën. Dhe vendimi i ligjshëm i këtij Komisioni është që kjo çështje të zbardhet dhe të hënën në orën 10:00 pika e parë e rendit të ditës do të jetë vetëm dëgjesa me grupin “Pubblicus” dhe me Shoqatën e Gazetarëve Profesionistë. Ditën e hënë ju ftojmë të gjithëve si media të jeni të pranishëm, pasi është për fjalën tuaj, është për të drejtën tuaj dhe është përtej lirisë së medias në këtë vend”, tha Pollo në një prononcim për mediat
Hetuesi belg: Frroku, i penduar, do të flasë për lidhjet e drogës nga lart
Detaje spektakolare kanë rrjedhur dhe sa vijnë e po dalin gjithnjë e më shumë nga fronti i bandave shqiptare të trafikut të drogës, të cilët prej janarit duken si të zëna në çark. Por e gjitha kjo ka lidhje me ardhjen e një dedektivi kyç në Tiranë, që e njeh mafien shqiptare si xhepat e tij.
Bëhet fjalë për dedektivin belg, Steven Van Deneste, i cili dëshmoi dy ditë më parë në gjyqin e ish-deputetit të mazhorancës, Mark Frrokut, të cilin e njeh rrezik më shumë se e ëma dhe ia numëroi të gjitha të pabërat. Për gati 5 orë dëshmi në Gjykatë, oficeri belg, Stiven Van Deneste, mësohet se u ka qëndruar bensik veprimeve dhe konkluzioneve të tij, sipas të cilave, Mark Frroku është i njëjti person që në Belgjikë njihej edhe me emrat Besnik Morina, Dritan Frroku dhe Piro Soprani dhe që është i implikuar në këtë dosje për vrasjen e Aleksandër Kurtit.
Sa i takon motivit, mësohet se oficerët belgë i kanë qëndruar versionit që i ndjeri Aleksandër Kurti kishte rënë në dashuri me një vajzë shqiptare që shfrytëzohej nga Frroku dhe të tjerë shqiptarë për prostitucion. Pikërisht kjo lidhje dashurie dhe kërkesa për ta tërhequr vajzën nga prostituimi, kanë qenë shkak i konfliktit me pasojë vrasjen e Kurtit.
Por ajo që ka sjellë Van Deneste përbën një element shumë të rëndësishëm në hetimin jo vetëm të këtij grupi kriminal. Në kontaktet që ka pasur me oficerët antitrafik shqiptarë, dedektivi belg ka bërë të ditur se, Arben Frroku ka shfaqur dëshirën të pendohet dhe t’i hapet drejtësisë; t’i tregoj gjithçka, trafiqet lidhjet, por ajo që është më e rëndësishme, të gjitha segmentet e politikës shqiptare me mafian e drogës në Europë.
Siç mësohet vetë Arben Frroku i ka bërë të ditur hetuesve holandezë se, familja dhe të afërmit e tij rrezikohen të vriten dhe të “kallen të gjallë” 7 breza. Ai ka kërkuar që edhe Mark Frroku ta kryejë dënimin në Belgjikë dhe jo në Shqipëri.
Në këmbim të disa kërkesave ai ka bërë të ditur se do të tregojë sekrete që do të “tundin” gjithçka në Shqipëri, pasi bëhet fjalë për bosët e vërtetë të drogës në këtë vend, të cilët janë shumë lart dhe në majat e politikës dhe ounturage-s së saj.
Si u arratis dhe si u arrestua Arben Frroku në Holandë
Arben Frroku, i dënuar me burg përjetë për vrasjen e Kryekomisar Dritan Lamaj u arrestua në Holandë në mesin e muajit mars të këtij viti. Arrestimi i tij u mbajt i fshehtë nga autoritetet shqiptare, ndërsa lajmi u publikua fillimisht nga ish-Kryeministri Berisha dhe më pas autoritetet holandeze konfirmuan ndalimin e Frrokut në Aeroportin “Shiphol” të Amsterdamit. Zyrtarët e Tiranës jo vetëm që e mbajtën të fshehtë arrestimin në Holandë, por Tahiri nuk po dërgonte dosjen e plotë të të dhënave të Frrokut në mënyrë që të pengohej mbajtja e tij në burg, pasi ai ishte ndaluar me dokumenta greke, me identitetin e shtetasit Renato Xhepa. Duket se mosdërgimi i të dhënvae nga Ministria e Brendshme për Frrokun ka qenë i qëllimshëm.
Pas deklaratës së ish-Kryeministrit Berisha për arrestimin e Frrokut në Holandë, është kërkuar informacion nga Zyra Qendrore Interpolit dhe Europolit për këtë çështje. Fillimisht Zyra e Interpolit ka sjellë një përgjigje negative, ndërsa më pas zyrtarisht është dhënë informacion për ndalimin e shtetasit Renato Xhepa, i dyshuar se është Arben Frroku. Tashmë Frroku ndodhet në burg në Holandë dhe mesa duket ka kërkuar t’i hapet drejtësisë, duke treguar lidhjet e drogës me zyrtarë të lartë shqiptarë.
Frroku u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda për vrasjen e Kryekomisar Dritan Lamaj në shkurt të vitit 2013, por Prokuroria apeloi vendimin. Pak ditë para se Apeli i Krimeve të Rënda të jepte vendimin me burg përjetë për Frrokun, ai u largua jashtë vendit. Arben Frroku u dënua me burgim të përjetshëm të formës së prerë nga Gjykata e Apelit.
Arben Frroku u arratis nga Shqipëria më datën 20 qershor të vitit të kaluar, dy ditë para zgjedhjeve lokale, pasi e kreu misionin e tij për t’i dhënë fitoren PS-së në Pukë. Prokuroria zbuloi se, Frroku nuk ishte regjistruar në sistemin TIMS, kur kaloi në pikën kufitare. Frroku u ndalua nga Policia e Malit të Zi në kufi me Kroacinë, ku u mbajt për rreth pesë orë për verifikim, pasi ka rezultuar person i shpallur në kërkim. Autoritetet e Malit të Zi e kanë mbajtur të izoluar Frrokun, duke i kërkuar Ministrisë së Brendshme shqiptare të dhëna ndaj tij, por Tahiri u konfirmoi autoriteteve malazeze se ndaj Frrokut nuk ka asnjë urdhër arresti. Pas konfirmimit nga Ministria e Brendshme shqiptare autoritetet malazeze e lanë të lirë Frrokun për të udhëtuar drejt Kroacisë.
Frroku ka mundur të largohet nga vendi pak ditë, pasi jepej vendimi i Apelit, duke mos hasur në asnjë pengesë as për faktin që ishte ende i dyshuari kryesor për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj dhe pse sipas Prokurorisë të gjitha provat dhe dëshmitë faktonin se ishte ai autori që qëlloi mbi komisarin.
Dedektivi Steven Van Deneste, hetuesi dosjes “Frroku”
Dedektivi Steven Van Deneste ka qenë një nga hetuesit kryesorë për vrasjen e Aleksandër Kurtit në vitin 1999 në Belgjikë. Sipas dosjes së Prokurorisë belge, Aleksandër Kurti ra në kurthin e “Lumes”, një prostitute shqiptare me inicialet L.A. Ai kishte njohur prostitutën shqiptare me emrin “Jeta”. Kishte shkuar me të një ditë në hotel. Një ditë tjetër i shkon në vendin e punës dhe sheh bashkë me të Lumen, të cilën ai e kishte njohur që në Shqipëri, pasi ishin nga e njëjta zonë. Aleksandër Kurti i thotë Lumes se, “do t’u tregojë familjarëve të saj se ç’punë bënte ajo në Bruksel”. Ky fakt e tremb Lumen. Por situata bëhet më e rëndë, kur ai i gjen numrin e telefonit përmes Jetës dhe i përsërit të njëjtin kërcënim.
Lumja njofton për këtë Nardin, Leonard Frrokun, vëllanë e Mark Frrokut. Ndërsa Nardi njofton Lek Bib Djafën Aleksandër Vukën dhe Hilë Morinën. Këta të tre njoftojnë Alfred Kolën që ka njohje me Aleksandër Kurtin. Por në kurth do ta fuste Lumja. Ajo i telefonon dhe i lë takim në stacionin e trenit. Problemin që kishte shkaktuar Aleksandër Kurti me kërcënimin se do të njoftonte familjarët e Lumes e merr vesh edhe vëllai i tij, Nikolas Kurti. Tre ditë para vrasjes, ai i ka telefonuar motrës së tij dhe i ka kërkuar që “kunati i saj të takojë Benin, Arben Frrokun, pasi në rast të kundërt dikush do të vritej brenda 24 orëve”.
Aleksandër Kurti që mbante dokumente kosovare me emrin Azem Shkreli, në raportin e Prokurorisë thuhet se ka ndërruar jetë ekzaktësisht në orën 18:05. Me vete kishte një biletë treni për në Londër të blerë në orën 17:05. Nisja e trenit bëhej në orën 17:56, ndërsa mendohet se ai e ka ndjerë rrezikun se do ndiqej nga grupi i tutorëve. Më tej nga rrëfimi i vëllait të tij mësohet se viktima kishte konflikte edhe me Arben Frrokun, vëllanë e Markut. Policia e gjeti në agoni në orën 17:45, në stacionin e trenit “Gare de Midi”.
Mirdita në krizë, Rama 1.7 milionë euro për fasadat
Deputetja e PD, Albina Deda denoncoi dje mungesën e infrastrukturës në Mirditë dhe akuzoi kryeministrin Rama se po bën propagandë me fasadat në një kur fshatra dhe Mirdita nuk kanë rrugë dhe energji.
“Në kohën kur fshatra dhe komunitete në Mirditë janë të izoluara, me rrugë të prishura dhe pa energji, në varfëri e skamje, Edi Rama bën propagandë me fasada dhe jep 1.7 milionë euro për qendrën e qytetit”, citohet në njoftimin e PD-së. “Nuk është aspak normale që të investohen për Qendrën e qytetit të Rrëshenit 1.7 milion euro në një kohë që të gjitha Njësitë Administrative të Mirditës janë të izoluara për shkak të rrugëve të shkatërruara”. Ky ishte reagimi i deputetes së Partisë Demokratike Albina Deda një ditë pas vizitës së Kryeministrit Rama në Mirditë.
“Ky investim nuk mund të jetë prioritet për Mirditën. Sheshi ishte i investuar edhe më parë nga pushteti lokal. Ishte në një gjendje të mirë, por jo prioritet, duke parë gjendjen e mjerë të rrugëve që lidhin njësitë administrative. Sot të gjitha rrugët janë në një gjendje të mjerueshme, janë në gjendje katastrofë”, deklaroi më tej Deda.
Deputetja e Partisë Demokratike në Mirditë i ka bërë thirrje qeverisë që t’i kthejë sytë nga fshatrat e kësaj zone, pasi banorët janë në mëshirë të fatit nga mungesa e investimeve.
Vëllai i drejtoreshës së QSUT aksidentoi për vdekje këmbësorin
Aksidenti me vdekje që ndodhi ditën e martë në rrugën dytësore Tiranë-Durrës afër Kasharit është shkaktuar nga vëllai i drejtoreshës së QSUT, por ngjarja është fshehur nga policia. Denoncimi është bërë nga një qytetar, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha. “Qytetari dixhital denoncon: Qendrimin e policisë ndaj aksidentit me prerje koke të viktimës nga vëllai i drejtoreshës së QSUT! Sb”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar të plotë mesazhin e qytetarit.
“Zoti Berisha përshëndetje, arroganca e rilindjes ka arritur kulmin ku arrin të fshehë dhe lajmin e aksidentit me pasojë këputje koke në QSUT nga vëllai i Ogerta Manastirliut i cili ishte shoferi. Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një shtetasi, ka ndodhur pasditen e djeshme në rrugën dytësore Tiranë-Durrës.
Dëshmitarë nga vendngjarja bëjnë të ditur se një trup i pajetë është pikasur në mes të rrugës, ndërsa makina që e ka aksidentuar është larguar. Pamjet kanë shokuar kalimtarët e shumtë, ndërsa në redaksinë e TV mbërrijnë fotot dhe videot amatore që tregojnë skenën e rëndë.
Mbërritja e shërbimit mjekësor dhe e forcave të rendit ka qenë e vonuar, raportojnë dëshmitarët.
Njoftimi i Policisë:
Më datë 17.10.2016, rreth orës 19:05, në rrugën dytësore të autostradës Tiranë-Durrës, pranë një qendre tregtare, një automjet me targa AA 730 MP që drejtohej nga shtetasi A. M., ka aksidentuar këmbësorin e seksit mashkull, rreth 60 vjeç, i cili ka ndërruar jetë në moment si pasojë e plagëve të marra. Grupi hetimor po punon për identifikimin e viktimës dhe zbardhjen e rrethanave të aksidentit. Drejtuesi i mjetit është ndaluar në flagrancë dhe është shoqëruar nga shërbimet e Qarkullimit Rrugor Tiranë. Ky është njoftimi i policisë, por dhe sot ai është tek Spitali i Burgut, e jo në spital, turp zoti Berisha”, përfundon mesazhi i qytetarit.
Tjetër vdekje në maternitet në Tiranë
Një tjetër rast vdekje është regjistruar në maternitetin ‘Koço Gliozheni’ në Tiranë, ku ka humbur jetën një 60-vjeçare. Bëhet e ditur se viktima është Zenedi Harunaj nga Vlora, e cila ishte operuar përpara disa ditësh në këtë maternitet dhe pasi ishte larguar për në banesë, kishte shfaqur probleme shëndetësore.
Viktima u dërgua nga familjarët ditën e martë në spital, ku fatkeqësisht ndërroi jetë. Prokuroria ka nisur hetimet për këtë ngjarje për të zbardhur shkaqet dhe për të zbuluar në rast se ka patur pakujdesi në mjekim. Kujtojmë se në muajin shtator të këtij viti, 35-vjeçarja Aida Çajka humbi jetën së bashku me foshnjen e saj.