22 C
Tirana
E hënë, 12 Maj, 2025

Rama nxjerr me dhunë mësues e nxënës në miting

Edi Rama ka urdhëruar mbylljen e shkollave dje në qarkun e Kolonjës, me qëllim nxjerrjen e mësuesve dhe nxënësve në mitingun përmbyllës elektoral që mbajti në qytetin e Ersekës, në mbështetje të kandidatit të tij Ilia Selfo. Konkretisht, fakti është denoncuar nga Sekretari i Marrëdhënieve me Jashtë në Partinë Agrare, Marko Bello, dhe anëtari tjetër i kësaj partie Thoma Miço. Në videot e përgatitura për këtë qëllim tregohet zbrazja e shkollave me urdhër të Ramës, megjithëse në propagandën e tij elektorale shprehej ndryshe. “Ndodh tani. Ndërkohë që Rama deklaron në mitingun e fushatës në Kolonjë se mësuesit nuk janë në mitingun e tij, shkolla e Leskovikut u mbyll qysh në orën 9:30 se do iknin mësuesit në miting!!! Çfarë premtimi i tij mund të jetë i vërtetë pas këtij mashtrimi publik? Ja ku i lanë çantat fëmijët, të cilët e bën pushim se mësuesit e Leskovikut urdhëruan se duhet të jenë në shërbim të partisë shtet”, shkruan Miço. Në fakt, kryeministri nuk është hera e parë që përdor resurset e administratës për fushatat e tij elektorale. Kjo gjë u vu re dhe në zgjedhjet lokale të vitit 2015, por edhe në zgjedhjet e fundit në Dibër, shqetësime të ngritura këto dhe në raportet e OSBE. Rasti flagrant i denoncuar në Dibër ishte përdorimi i makinave të doganës dhe personelit të saj në mbështetje të  Muharrem Ramës të PS-së, duke shkelur me të dyja këmbët ligjin e zgjedhjeve që e ka të ndaluar kategorikisht përfshirjen në fushatë të administratës.

Rekrutimet

Ndërkohë e njëjta situtatë po vihet re dhe në institucionet e shtetit në qendër. Shefat politikë kanë porositur specialistët e ministrive të bëhen gati pas janarit për t’u përfshirë në fushatën elektorale. Kjo gjë po ndodh kryesisht në Ministrinë e Shëndetësisë të Arsimit, Energjetikës dhe Finanacave etj. Rama ka kërkuar mobilizimin e çdo resursi në administratë me qëllim fitimin e zgjedhjeve me çdo kusht. Burime qeveritare thanë për “RD”, se dhe kontigjenti i fundit i makinave të ardhura nga Japonia, do vihen në funksion kryesisht për këtë qëllim. Por jo vetëm kaq, por janë porositur strukturat e PS-së në bazë të identifikojnë elementët me të kaluar kriminale, për t’i përdorur në fushatën e vitit të ardhshëm. Skema do të përdoret gjerësisht në bastionet e opozitës, por resurse kriminale janë përfshirë dhe në Qarkun e Kukësit dhe Rrethinat e Shkodrës. Njerëz krysisht të dënuar brenda dhe jashtë vendit, për vjedhje dhe trafik, u janë premtuar benefice në rast fitoreje të PS-së në zgjedhjet e ardhshme. Janë të deleguarit e PS në rrethe që po hartojnë listat dhe po përgatisin skuadrat, të cilat më pas dhe me ndihmën e Policisë së Shtetit të tentojnë manipulimin e zgjedhjeve të ardhshme. Burime të besueshme brenda PS-së, shprehen se, rekrutimi bëhet duke premtuar benefite dhe mbështetje të pushtetit, por ndër premtimet kryesore janë lehtësirat që do i bëhen, duke i përfshirë në administratë apo lejimin e trafiqeve të ndryshme.

Ekzekutohet me 3 plumba pronari i hotelit në Tiranë

Vritet me tre plumba pronari i një hoteli në Tiranë. Sipas burimeve të policisë, pronari i një hoteli që ndodhet në autostradën Tiranë-Durrës, u gjet i vetëvrarë mëngjesin e djeshëm nga disa kalimtarë në Kodër-Kashar, pranë rezervave të ujësjellësit të fshatit. Të njëjtat burime bënë të ditur se, Eduard Lleshi, 48 vjeç banues në Kashar ishte qëlluar nga një automatik kallashnikov, nga i cili ishin shkrehur tri predha me breshëri.
Lleshi dyshohet të jetë vrarë rreth orës 6:00 të mëngjesin e të enjtes, kur edhe banorët kanë dëgjuar të shtënat, por se kanë menduar se mund të ishte ndonjë gjahtar në zonë. Ndërkaq një kalimtar i rastit këtë mëngjes ka vënë re trupin të shtrirë, i cili qëndronte me pamje nga qielli dhe aty pranë ishte edhe një automatik “Kallashnikov”. Dëshmitari rrëfeu se menjëherë, pasi kishte vënë re biznesmenin e vdekur kishte njoftuar policinë në telefon. Ekspertët e policisë thanë se, viktima ishte gjetur me armën pranë, ndërsa sipas tyre, ai mund të kishte kryer vetëvrasje.
Policia e Tiranës me anë të një njoftimi zyrtar bën me dije se është njoftuar se, “në numrin e emergjencave 112, se në Kashar tek ish-reparti ushtarak afër Xhamisë, ndodhet një person i seksit mashkull i shtrirë, i cili dyshohet i vdekur. Menjëherë janë nisur Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, të cilët në vendin e ngjarjes kanë gjetur një person të pajetë të seksit mashkull si dhe në krahë të tij një armë zjarri automatike. Grupi hetimor në vendin e ngjarjes ka bërë të mundur identifikimin e viktimës, shtetasi E. Ll., i cili është dërguar në ambientet e Mjeksisë Ligjore. Nga hetimet paraprake dyshohet të jetë vetëvrasje. Nga të dhënat paraprake të familjarëve, është konfirmuar se ky person është konstatuar se kishte probleme të shëndetit mendor dhe kurohej rregullisht. Vazhdojnë hetimet në lidhje me këtë ngjarje.
Rritja e numrit të vrasjeve gjatë kohëve të fundit, sidomos për drogën ka tronditur opinionin publik, ndërsa policia për t’u justifikuar deklaron se kemi të bëjmë me “vetëvrasje, sepse vuante nga depresioni. Si mund të jetë vetëvrarë biznesmeni në Kashar kur nga ekspertiza u zbulua se mbi të ishin derdhur tre plumba kallashnikovi? Gjithsesi policia thotë se, po vlerëson edhe pistat e tjera të mundshme në lidhje me ngjarjen.
48-vjeçari së bashku me të vëllain kishin menaxhuar një hotel në zonën e autostradës. Ndërkaq policia tha se, po heton si pistë kryesore vetëvrasjen, për shkak të depresionit. Dyshohet se pronari i hotelit mund të jetë eliminuar për drogën.
Pak ditë më parë u vra për drogën një 32-vjeçar në Tepelenë. Grupi hetimor në Policinë e Tepelenës konfirmoi dje se, Festim Kanushaj është vetëvrarë me armë zjarri. Sipas tyre, vetëvrasja ka ndodhur për arsye se viktima kishte shpenzuar 10 mijë euro për kultivimin e kanabisit në zonën e Luftinjës, e cila njihet si një ndër lokacionet me më tepër kultivime në rrethin e Tepelenës e rrjedhimisht edhe të Qarkut të Gjirokastrës.
Përfundimi ka ardhur pas 24 orësh bazuar mbi provat në terren dhe analizat balistike në armën e zjarrit dhe në trupin e kufomës. Mendohet se, qitja në trupin e tij është bërë në mënyrë të vullnetshme, pasi Kanushaj ka drejtuar pushkën në drejtim të kraharorit dhe distanca mes tytës së armës e trupit ka qenë jo më shumë se 1 centimetër. Kjo është vërtetuar falë ekspertizës mjekoligjore që është kryer në trupin e 32-vjeçarit Kanushaj me kërkesë të grupit hetimor. Familjarët e të ndjerit, një ditë më parë, patën deklaruar se njeriun e tyre e kishin gjetur të mbytur në gjak, pasi kanë dëgjuar një të shtënë të vetme që ka ardhur nga pjesa e prapme e shtëpisë në fshatin Zhapokikë. Menjëherë ata kanë shkuar të shikonin se çfarë kishte ndodhur dhe kanë parë familjarin e tyre të shtrirë përtokë të goditur me armë zjarri.
Ata janë pyetur nga oficerët e Policisë Gjyqësore në Policinë e Gjirokastrës ku kanë dhënë dëshminë e tyre rreth ngjarjes në fjalë. Një prej pistave që po heton organi i akuzës në Gjirokastër është se vetëvrasja ka ndodhur për drogën.

Mafia e pronave, KLSH padit 12 zyrtarë në Devoll

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në Prokurori 12 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Regjistrimit të Pronave në Devoll. Me anë të një njoftimi, KLSH bën me dije se regjistruesi, 5 ish-regjistrues dhe 6 specialistë të Zyrës së Regjistrimit të Pronave kanë regjistruar një sipërfaqe prej 652 ha pyll në mungesë të dokumentacionit, në 8 raste kanë bërë regjistrimin e një sipërfaqe prej 71186 m2 në mungesë të akteve administrativë që shërbejnë për të fituar Titullin e Pronësisë, në 2 raste për regjistrim pasurie janë bazuar në vendime gjyqësore me objekt “Vërtetim fakti”, kanë regjistruar sipërfaqen prej 3000 m2, e pakthyer nga KKKP.
Auditi është kryer nga periudha 1 janar 2012 deri më 31 dhjetor 2015. Zyrtarët e kallëzuar janë: E.M. me detyrë Regjistrues i Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, I.Rr., B.K., S.D. Y.B. dhe J.S., me detyrë ish-regjistrues, N.B. me detyrë jurist, V.B me detyrë Përgjegjëse e Sektorit Hartografik/Hartograf,  D.B. me detyrë Jurist, Xh.K. me detyrë Jurist, M.L me detyrë juriste dhe R. K. me detyrë jurist, të cilët në mospërmbushje të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje të dispozitave ligjore, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
Kanë regjistruar Vendimin e Komisionit të Kthimit të Pronave Korçë për një sipërfaqe prej 652 ha me parregullsi dhe mungesë të dokumentacionit tekniko-ligjor, pa u përcaktuar paraprakisht kufiri i Zonës Kadastrale me rrethin e Ersekës, statusi juridik i sipërfaqes së pa inventarizuar prej 97 ha, dhe pa patur të dhëna nga Drejtoria Shërbimit Pyjor, veprime këto në kundërshtim me përcaktimet e bëra në Ligjin Nr. 33, datë 21.03.2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, UKM Nr. 2, datë 12.09.2012 “Për përcaktimin e elementeve të akteve, që verifikohen nga zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe të procedurës për nxjerrjen e urdhrit të regjistruesit”, Udhëzimin Metodik Nr. 76, datë 13.09.1999 “Për plotësimin e kartelave të pasurive të paluajtshme” dhe me Rregulloren Nr. 184, datë 08.04.1999 “Për punën e zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme”.
Në tetë raste janë regjistruar sipërfaqe tokë bujqësore dhe kullotë 71186 m2, me mungesë të dokumentacionit tekniko-ligjor, në kundërshtim me Ligjin Nr. 33, datë 21.03.2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, Udhëzimin Nr. 76, datë 08.05.2003, UKM Nr. 2, datë 12.09.2012 “Për përcaktimin e elementëve të akteve, që verifikohen nga zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe të procedurës për nxjerrjen e urdhrit të regjistruesit” dhe Rregulloren Nr. 184, datë 08.04.1999.
Në 19 raste të shpronësimeve të bëra për ndërtimin e rrugës Bilisht-Kapshticë, sipërfaqja totale e të cilave arrin në 5647 m2, nuk është kryer asnjë veprim për kalimin e pronësisë së kësaj sipërfaqe në favor të Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit.
Në 26 raste janë regjistruar më tepër 63350 m2 tokë bujqësore dhe janë lëshuar çertifikata pronësie, pa veçuar e regjistruar “shtet” sipërfaqet e tepërta, në kundërshtim me Ligjin Nr. 33, datë 21.03.2012, me UKM Nr. 2, datë 13.06.2013 dhe me UKM Nr. 2, datë 13.01.2010.
Në një rast është regjistruar dhe është lëshuar çertifikatë pronësie për një sipërfaqe të llojit pemëtore prej 920 m2 më tepër, duke korrigjuar AMTP-në.
Në tetë raste është regjistruar një sipërfaqe e llojit “tokë bujqësore” prej 18600 m2 më tepër se AMTP dhe janë lëshuar çertifikata pronësie pa marrë masa që këto pasuri të kthehen në pronë shtet.
Në një rast, është regjistruar në kartelat e pasurive të paluajtshme pasuria e llojit arë+zallishte, me sipërfaqe 19575 m2, mbi të cilën janë kryer transaksione dhe është lëshuar çertifikatë pronësie në mungesë të aktit administrativ apo Vendim Gjykate të formës së prerë, që shërben për të fituar Titullin e Pronësisë, në kundërshtim me Ligjin Nr. 7843, datë 01.07.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, i ndryshuar, me Ligjin Nr. 33, datë 21.03.2012 dhe me UKM Nr. 2, datë 12.09.2012.
Në dy raste është regjistruar dhe lëshuar çertifikatë pronësie për pasuri, për të cilat dokumenti mbështetës i paraqitur është vërtetimi gjyqësor i faktit të pronësisë, dokument, i cili nuk përmbush kushtet si dokument pronësie, në kundërshtim me Ligjin Nr. 7850, datë 29.07.1994 “Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë”.
Për shkeljet e konstatuara, KLSH ka kryer kallëzim penal për E.M. me detyrë Regjistrues i Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, I.Rr., B.K., S.D. Y.B. dhe J.S., me detyrë ish-regjistrues në ZVRPP Devoll, N.B. me detyrë jurist, V.B me detyrë Përgjegjëse e Sektorit Hartografik/Hartograf,  D.B. me detyrë Jurist, Xh.K. me detyrë Jurist, M.L me detyrë juriste dhe R. K. me detyrë jurist, të cilët në mospërmbushje të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje të dispozitave ligjore, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga Neni 248 i Kodit Penal, duke i përcjellë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse.Vendimi i Kryetarit të KLSH-së me Nr. 124, datë 30.09.2016, ndodhet i plotë në web-in e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

KLD vendos emërime e transferime gjyqtarësh

Këshilli i Lartë i Drejtësisë, zhvilloi dje mbledhjen plenare, e cila nisi me  shqyrtimin dhe votimin e kandidaturave për gjyqtarë, për plotësimin e një vendi vakant në Gjykatën e Apelit Durrës, e dy vendeve vakant në Gjykatën e Apelit Vlorë, e një vendi vakant në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda.
Anëtarët e KLD-së, pasi konsultuan procesverbalin e testimit, raportet mbi shqyrtimin e kandidatëve me tabelat përkatëse, vendosën t’i propozojnë Presidentit të Republikës: emërimin në Gjykatën e Apelit Durrës, të z. Tritan Hamitaj, aktualisht gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës; emërimin në Gjykatën e Apelit Vlorë të gjyqtares Brikena Ukperaj (Lubonja) aktualisht gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lushnjë; dhe emërimin e gjyqtarit z. Ilir Çeliku, aktualisht gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor  Tiranë, si dhe emërimin në Apelin e Krimeve të Rënda, të Idriz Mulkurti, aktualisht gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda.
Në vijim të mbledhjes anëtarët e KLD-së shqyrtuan kandidaturat, për plotësimin e gjashtë vendeve vakant, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Pas përfundimit të procesit të votimit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me shumicë votash, vendosi të transferojë: z. Niko Rapi, aktualisht kryetar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, z. Erion Bani, aktualisht gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Shkodër,  znj. Irena Plaku, aktualisht gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Korçë dhe znj. Anila Karanxha, aktualisht gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Lushnjë.
Gjithashtu Këshilli vendosi t’i propozojë Presidentit të Republikës, emërimin në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, të z. Kujtim Vraniçi, aktualisht inspektor pranë KLD-së, dhe të Ahmet Metaliaj, ish-gjyqtar.
Pas transferimit të gjyqtarit z. Niko Rapi, Këshilli vendosi delegimin e gjyqtares znj. Emona Muçi, për të ushtruar detyrën në funksionin drejtues të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec.
Gjithashtu, me propozim të ministrit të Drejtësisë, anëtarët e KLD-së, vendosën të shpallin vendin vakant për funksionin drejtues të kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Pogradec.
Gjithashtu Këshilli me miratimin e transferimit të gjyqtarëve të mësipërm në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me propozim të ministrit të Drejtësisë bëri shpalljen publike për një afat 20 ditor, të katër vendeve vakante në gjykata, përkatësisht:
1 (një) vend vakant në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pogradec, 1 (një) vend vakant në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë, 1 (një) vend vakant në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër, 1 (një) vend vakant në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lushnjë.
Këshilli, vijoi më pas me zhvillimin e procedurës për emërimin e kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë. Pasi dëgjuan platformat e kandidatëve, anëtarët e Këshillit vendosën me shumicë votash emërimin:
si kryetar të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë, të znj. Enkelejdi Hajro, dhe emërimin si kryetare të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, të znj. Ornela Naqellari.
Në përputhje me rendin e ditës, anëtarët e KLD-së, diskutuan dhe shqyrtuan propozimin për emërimin e një inspektori pranë Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në përfundim të diskutimeve, me shumicë votash anëtarët e KLD-së, vendosën të emërojnë inspektor pranë Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë znj. Brunilda Çarçiu.
Bazuar në përcaktimet e rendit të ditës, Këshilli shqyrtoi projekt-aktet përfundimtare të vlerësimit, të Kryeinspektorit të Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në zbatim të Vendimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë Nr. 261/2, datë 14.04.2010 “Sistemi i Vlerësimit të Gjyqtarëve”.
Në përfundim, Këshilli miratoi aktet e vlerësimit për gjyqtarët e mëposhtëm:
Gjyqtar Gurali Brahimllari, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda.
Gjyqtare Brikena Ukperaj Lubonja, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë. (2010-2012)
Gjyqtar Engert Pëllumbi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier. (2012)
Si pikë të fundit të rendit të ditës, Këshilli vendosi delegimin e disa gjyqtarëve në shqyrtimin e çështjeve të caktuara gjyqësore, në gjykata të tjera nga ku ata janë emëruar për të ushtruar funksionin e gjyqtarit.

Ndiqen nga Guardia, hedhin në det drogën me vlerë 2 milionë euro

Dy shqiptarët e shpëtuar një ditë më parë në kanalin e Otrantos, janë marrë sërish në pyetje nga policia italiane pas sekuestrimit të 17 thasëve me marijuanë. Fillimisht ata dhanë alarmin, pasi motoskafi me të cilin udhëtonin pësoi një avari. Pas ndërhyrjes së rojeve bregdetare italiane, njëri prej tyre u arrestua, pasi rezultonte person në kërkim, i akuzuar për grabitje.
Disa orë më vonë, Guardia di Finanza-s mblodhi në det 17 thasë marijuanë. Ka qenë një helikopter i agjencisë Frontex që ka parë nga ajri, ndërsa droga notonte në det e ambalazhuar dhe për t’i rezistuar ujit. Nëse hidhej në treg droga kapte vlerën e 2 milionë euro.
Para katër ditësh, trafikantët i vunë zjarrin në Karaburun gomones së mbushur me 2 ton drogë, pasi po ndiqej nga Guardia Di Finanza. Mjeti lundrues u pikas gjatë natës në brigjet e Vlorës, por autorët arritën të largoheshin. Trafikantët braktisën mjetin në Gjirin e Gramës, duke i vënë flakën bashkë me ngarkesën dhe janë larguar me shpejtësi në drejtim të paditur. Gomonia u gjet e djegur, kurse në mjet është gjetur edhe një sasi e madhe kanabis e djegur.
Pak ditë më parë, Guardia di Finanza e Brindisit sekuestroi 400 kilogram kanabis sativa në qytezën San Pietro Vernotico. Një shqiptar dhe një italian kanë përfunduar në prangat e policisë italiane në Brindisi. Sipas agjencisë Ansa, ndaj tyre rëndon akuza e trafikut të lëndëve narkotike. Policia italiane thotë se, droga është “Made in Albania” dhe ishte futur në Itali nga kanali i Otrantos. Droga u gjet në shtëpinë e Luca Sabetta, 37 vjeç nga San Pietro Vernotico, tregtar ambulant i kërmijve. Në pranga ra dhe shqiptari Vezhdan Brahimaj, 48-vjeçar nga Vlora. Shqiptari po ngiste një kamion që u kontrollua pranë shtëpisë së tij në Sabetta. Sipas hetimeve që janë në vijim dyshohet, se droga kishte mbërritur në Itali nëpërmjet kanaleve të trafikut nëpërmjet kanalit të Otrantos.

Shqiptari kapet me kokainë me vlerë 100 mijë euro

Një 35-vjeçar shqiptar është arrestuar ditën e djeshme nga Guardia di Finanza në Venecia për tregti droge. Prej kohësh, shqiptari qarkullonte në sheshin “San Marco” të qytetit të Venecias, duke shpresuar që turmat e turistëve të fshihnin shpërndarjen e tij. Pasi e ndoqi për disa kohë, autoritetet italiane e kapën 35-vjeçarin në flagrancë, ndërsa i dorëzonte disa doza kokaine një gruaje 53-vjeçare italiane. Në xhepin e tij iu gjetën edhe 7 doza të tjera kokaine që i kishte për t’i shitur.
Media italiane “La Nouva” raporton se, policia me këtë aksion goditi një nga protagonistët e tregut të drogës në qytetin historik. Në bastisjen që u bë në shtëpinë e tij, u gjetën të tjera doza kokaine, që sipas policisë arrinin vlerën e 100 mijë euro në tregun me pakicë.

Drogë nga Shqipëria në Greqi me dy makina

63 kilogramë marijuanë janë sekuestruar nga policia greke ditën e djeshme në shtetin grek. Lënda narkotike ishte fshehur në një makinë që drejtohej nga 48-vjeçari grek, ndërsa para tij lëvizte një tjetër automjet, i cili monitoronte rrugën nëpër të cilën do të transportohej droga.
Por policia greke ka pikasur lëvizjet e dyshimta të dy mjeteve dhe ka bërë ndalimin e tyre në aksin rrugor Kapshticë-Siatista. Nga kontrolli rezultoi se në mjetin e drejtuar nga shtetasi grek gjendeshin 4 çanta me 106 pako marijuanë, pesha totale e së cilës arrin në 63 kilogramë.
Policia ka arrestuar drejtuesin e mjetit ku u gjet droga, si dhe dy shtetasit grekë që ndodheshin në mjetin tjetër që kontrollonte rrugën, një djalë 18 vjeç dhe një vajzë 19 vjeç. Sakaq, policia sekuestroi edhe 1550 euro që iu gjetën vajzës dhe 3 aparate celularë.

Makina bie nga ura në lumë, dy të vdekur në Bulqizë

Një aksident i rëndë me dy të vdekur u shënua mbrëmjen e të enjtes në  Bulqizë. Në makinën ku udhëtonin tre persona, ka rënë në lumë nga ura që të çon në fshatin Sopot. Njëri prej tre personave që udhëtonin me kamionçinë ka mundur të shpëtojë dhe të lajmërojë Policinë dhe banorët për ndihmë.
Rreth orës 21:35 të 17 nëntorit 2016, në Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Bulqizë ka mbërritur telefonata se automjeti kishte rënë në lumë. “Policia ka marrë menjëherë një vinç ku ka bërë të mundur nxjerrjen e personave që ndodheshin në makinë në mes të lumit dhe konkretisht: Në rrugën dytësore Tre Çezmat-Sopot, një kamjonçinë me targa AA 782 DH, që drejtohej nga shtetasi I.Z, ka rënë në lumin e Bulqizës nga ura që të çon në fshatin Sopot .
Si pasojë ka humbur jetën drejtuesi i automejtit shtetasi Indrit Zeneli, 40 vjeç, nga fshati Sopot Bulqizë”, bëri të ditur policia në në njoftimin për shtyp.
Në automjet udhëtonin dhe dy shtetas të tjerë, ku njeri prej tyre shtetasi R.L ka mundur të shpëtojë dhe të lajmërojë Policinë dhe banorët për ndihmë. Ndërsa shtetasi Edion Kola, 35 vjeç, banues në Sopot është transportuar me autoambulancë për në spital në gjendje shumë të rëndë, por ka ndërruar jetë rrugës për në spital. Grupi hetimor në vendngjarja po kryen veprimet për përcaktimin e shkakut të rënies nga ura si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Dhunohet një avokat në Vlorë

Një avokat ka rënë pre e një sulmi të dy personave, kushërinj me njëri-tjetrin. Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë në qytetin e Vlorës, ky dy personat e identifikuar si Shkëlqim dhe Eqerem S., kanë sulmuar dhe goditur një avokat. Paraditen e djeshme rreth orës 11:20, në lagjen “Isa Boletini” të qytetit të Vlorës, dy personat e shpallur në kërkim, duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, për shkak të detyrës, kanë goditur me sende të forta, hekur, avokatin Vladimir F. Ky i fundit është dërguar në spital, ku ka marrë edhe ndihmën mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia ka nisur kërkimet për të kapur 2 kushërinjtë që sulmuan avokatin Fejzo.

Gjendet e mbytur në lumin Kir

Gjendet trupi i pajetë i një 49-vjeçareje, e cila ishte zhdukur para 10 ditësh. Burime zyrtare nga Policia bënë me dije, se bëhet fjalë për Antonela Progni u gjet në lumin Kir, në afërsi të fshatit Kuç.
Mësohet se bashkëshorti i 49-vjeçares apeloi një javë më parë për të gjetur trupin e pajetë të gruas. Nuk dihen ende detaje në lidhje me zhdukjen e gruas, ndërsa policia vijon hetimet në lidhje me zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje.