15.3 C
Tirana
E hënë, 12 Maj, 2025

Regjistrohuni për të hyrë në zonën Shengen!

Komisioni i BE-së prezantoi në Bruksel sistemin elektronik të emërtuar “ETIAS” për regjistrimin e udhëtarëve. Me këtë sistem do të regjistrohen të gjithë turistët apo ata që udhëtojnë për shërbime, të cilëve nuk u duhet vizë, por vetëm paraqitja e pasaportës në kufijtë e zonës Shengen. Australia e ka prej kohësh këtë sistem, SHBA-ja qysh nga viti 2007, fjala është për një sistem elektronik për udhëtarët, që nuk kanë nevojë për vizë. Këtë sistem do ta aplikojë tani edhe BE-ja, për të kontrolluar më mirë, se kush hyn e del në kufijtë e saj. Në SHBA sistemi i regjistrimit elektronik përmes internetit quhet  “ESTA”. Në Europë ai është emërtuar “ETIAS” (European Travel Information and Authorisation System).

Me çmim më të ulët se në SHBA
Ministrat e Brendshëm të vendeve të BE-së vitin e kaluar e ripërsëritën kërkesën për një sistem elektronik regjistrimi pas sulmeve terroriste në Paris. Ky sistem ishte planifikuar prej kohësh për të mbyllur boshllëqet e konstatuara në sistemin e sigurisë. Tani ai do të aplikohet në praktikë. Ngjashëm si në sistemin amerikan të SHBA-së, udhëtarët, që nuk kanë nevojë për vizë në BE, duhet të regjistrohen në internet. Tarifa e vendosur do të jetë pesë euro dhe leja e hyrjes vlen për pesë vjet. Ndërsa në SHBA tarifa është 14 dollarë për dy vjet.
“Në thelb ETIAS është vëllai i vogël i vizës”, u shpreh një nëpunës i BE-së në Bruksel. Shumë qytetarë për shembull, nga vendet e Ballkanit, që mund të udhëtojnë pa viza në BE, nuk regjistrohen gjatë hyrje-daljeve në kufi. Me aplikimin e sistemit ETIAS këtej e tutje do të kemi një lloj “visa light”, qëllimi kryesor i së cilës është që të mund të ndalohet qëndrimi më tepër se tre muaj.

Hyrje me regjistrim edhe për britanikët
Numri i njerëzve që nuk kanë nevojë për vizë, por megjithatë duhet të paguajnë tarifën e “hyrjes”, vitin e ardhshëm mund të rritet ndjeshëm. Miliona britanikë, që pas Brexit do të vijnë në BE për pushime ose me shërbim pune, duhet të paguajnë për t’u regjistruar në sistemin “ETIAS”. Me daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja praktikisht ky vend konsiderohet si “vend i tretë” e britanikëve nga viti 2020 do t’u duhet të kalojnë përmes një sistemi të ri regjistrimi. Me këtë sistem do të identifikohen udhëtarët nga vende, që mund të udhëtojnë pa viza dhe vetëm duke paraqitur pasaportën në kufijtë e hapësirës Shengen. Po ashtu edhe udhëtarët nga Turqia apo Ukraina, në rast se BE-ja do t’u garantojë atyre qarkullimin pa viza.

Sistem kompleks kontrolli
“ETIAS” është vetëm një komponent i një iniciative në shkallë të gjerë të Komisionit të BE-së, për të siguruar kufijtë e jashtëm pas sulmeve terroriste dhe migracionit të pakontrolluar të vitit të kaluar. Zemra e këtij sistemi të ri për sigurimin e kufijve do të jetë sistemi i regjistrimit të të gjitha hyrje-daljeve të udhëtarëve në BE nga vende jo anëtare. I ashtuquajturi rrjeti “EES” duhet të vendoset deri në fund të vitit. Ndërkohë janë duke u përpunuar detajet teknike.
Nga viti 2020 çdo hyrje-dalje në BE do të regjistrohet në një bankë të dhënash. Njëkohësisht duhet të verifikohet vlefshmëria e pasaportave dhe e vizave. Përveç kësaj do të ketë edhe një pyetësor të rregullt, të ashtuquajturin “Sistem Informacioni i Shengenit” (SIS), në të cilin do të regjistrohen të dhëna për hetimet dhe rreziqet e mundshme terroriste. Të dhënat për hyrje-daljet do të ruhen për pesë vjet. Derisa të vihen në funksion këto sisteme të reja do të duhen të paktën katër vjet që të instalohen scanner-at dhe bankat e të dhënave.

Gjermania dëbon azilkërkuesit nga Ballkani

Numri i dëbimeve të personave pa të drejtë qëndrimi në Gjermani është rritur, në kuotën më të lartë që prej dhjetë vitesh. Listën e personave të dëbuar, e kryesojnë madje me distancë prej grupeve të tjera azilkërkuesit nga vendet e Ballkanit. Vetëm nga Shqipëria, Kosova, Serbia, Maqedonia, Bosnje-Hercegovina dhe Mali i Zi janë dëbuar këtë vit 14.529 vetë, gati tre të katërtat e rasteve. Nga janari deri në shtator të këtij viti janë dëbuar gjithsej nga Gjermania 19.914 të huaj nga Republika Federale, ka bërë të ditur gazeta gjermane “Rheinische Post” duke u bazuar në të dhënat e policisë federale.
Po ashtu është dyfishuar edhe numri i azilkërkuesve të dëbuar nga Siria në 426 vetë, si edhe azilkërkues nga Afganistani. Jo të gjithë kthehen në vendin e tyre. Vetëm 27 afganë për shembull janë riatdhesuar, pjesa tjetër është dërguar në vende të tjera të BE-së apo vende të treta. Madje deri në fund të vitit kjo shifër pritet të rritet deri në 26.500 vetë, kuota më e lartë që nga viti 2003. Vitin e kaluar janë dëbuar 20.888 persona.

SHBA kritikon Rusinë për mbylljen e LinkedIn

Qeveria e Shteteve të Bashkuara është shprehur “thellësisht e shqetësuar” për vendimin e Moskës për bllokimin e faqes profesionale në internet, LinkedIn, me seli në Shtetet e Bashkuara.
Zëdhënësja e ambasadës amerikane në Moskë, Maria Olson, i tha dje agjencisë “TASS” se ky vendim “paraqet precedent shqetësues, që mund të përdoret për arsyetim të mbylljes së çdo uebsajti që përmban të dhëna të përdoruesve rusë”.
Zëdhënësja Olson tha se legjslacioni rus i vitit 2014, që kërkon që faqet në internet t’i ruajnë të dhënat personale të shtetasve rusë në serverët në këtë vend, është “antikompetitiv dhe kundërproduktiv”.
Faqja LinkedIn nëpërmjet një kumtese ka theksuar se aktivitetet e saj janë “në harmoni të plotë” me legjislacionin rus dhe ka shtuar se përdoruesit rusë të kësaj faqeje mund të kenë kompensim të plotë në çdo kohë.
LinkedIn është themeluar në vitin 2004 dhe i ka më tepër se 400 milionë shfrytëzues. Ajo është blerë nga gjiganti kompjuterik Microsoft në qershor të këtij viti, për 26.2 miliardë dollarë.
Rregullatori rus për telekomunikacion, Roskomnadzor, dje i ka urdhëruar provajderët e internetit që ta bllokojnë faqen LindekIn, pasi një gjykatë në Moskë ka konstatuar se kjo kompani nuk është në harmoni me ligjin e Rusisë për ruajtjen e të dhënave personale.

Obama: “Gjermanët duhet ta vlerësojnë Merkelin”

Kancelarja e Gjermanisë priti në Berlin në vizitën e lamtumirës presidentin e SHBA-së, Barack Obama. Mysafiri e vlerësoi kancelaren: Merkel është një person i gatshëm të luftojë për vlerat e veta.
Kancelarja Angela Merkel dhe presidenti në largim i SHBA-së, Barack Obama u përshëndetën me një buzëqeshje dhe një puthje në faqe përpara kancelarisë. Në bisedime – në fokus ndër të tjera roli i SHBA-së nën presidentin e ardhshëm, Donald Trump në përballimin e krizave ndërkombëtare si ajo e Sirisë. Merkel dhe Obama kanë në axhendë qëndrimin ndaj presidentit rus, Vladimir Putin lidhur me krizën në Ukrainë, luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, e ardhmja e marrëveshjes së diskutueshme të tregtisë mes BE-së dhe SHBA-së, TTIP dhe politika për klimën.
Obama e vlerësoi kancelaren Angela Merkel si një shtyllë e rëndësishme në politikën ndërkombëtare. “Ajo ka kredibilitet të madh dhe është e gatshme të luftojë për vlerat e saj”, tha Obama në një intervistë për televizionin publik “ARD” dhe revistën “Spiegel”.
“Jam i gëzuar, që ajo është këtu dhe gjermanët duhet ta vlerësojnë atë. Unë sidoqoftë e vlerësoj atë si partnere”, shtoi presidenti i SHBA-së. Në mënyrë të ngjashme është shprehur Obama edhe para takimeve të mëparshme me kancelaren. Gjatë takimit në prill në Hanover, Obama tha për Merkelin, se është i gëzuar, që ajo do të vazhdojë të jetë kancelare edhe kur ai të mos jetë më president: “Bota do të përfitojë prej kësaj, prej pranisë së saj të qëndrueshme dhe konsekuente”. Para pak kohësh Obama deklaroi, se ajo është politikania, me të cilën ai gjatë viteve të kaluara “ndoshta ka bashkëpunuar më ngushtë”.

Obama paralajmëron nga përçarja e vendeve të industrializuara
Obama shprehu shqetësim për gjendjen e shoqërive të industralizuara perëndimore. “Nëse ekonomia globale nuk reagon ndaj njerëzve, që ndihen të lënë pasdore, nëse vazhdon të rritet pabarazia, ne do të përjetojmë thellimin e përçarjes në vendet e industrializuara”, tha ai në një intervistë. Mbrëmjen e së mërkurës (16.11) Obama dhe Merkel u takuan në një darkë prej tri orësh me dyer të mbyllura.

Me një kupë kafeje në Portën e Brandenburgut
Në mëngjes Obama u shfaq shkurt para Portës së Brandenburgut. Me një kupë kafeje në dorë ai kaloi para ambasadës së SHBA-së në sheshin “Pariser Platz” dhe shkoi në hotelin “Adlon”. “Përshëndetje, si jeni?”, u tha me humor të mirë presidenti i SHBA-së njerëzve aty rrotull dhe i gëzohej pushimit të shiut në kryeqytetin gjerman: “Dielli ka dalë, jo keq!”.
Për këtë vizitë vlejnë rregulla të forta sigurie. Kuartieri qeveritar në Berlin është rrethuar tërësisht dhe në tarracat e çatitë në sheshin “Pariser Platz” ishin pozicionuar snajperistë. Sipas policisë janë të mobilizuar rreth 2400 nëpunës.

Baka-Ikardi, derbi për të rifituar tifozët

Fundjava futbollistike në Itali ndizet me derbin e Milanos. Të dielën në “San Siro” luhet Milan-Inter, një takim që vjen në momentin e duhur për dy amerikano-jugorë. Në derbin e Madoninës një sfidë brenda sfidës është ajo mes Carlos Baccës dhe Mauro Icardit, të cilët kanë për detyrë të rifitojnë besimin e tifozëve të Milanit dhe Interit. Të dy sulmuesit amerikano-latinë kanë bërë diçka për të cilën duhen falur.
I pari, është paraqitur shumë dobët në këtë fillim sezoni, ndërsa argjentinasi i Interit me librin autobiografik që botoi u vendos në qendër të ciklonit nga ana e tifozëve ultras. Edhe pse për motive të ndryshme, derbi është shansi më i mirë që Bacca dhe Icardi të lënë shenjë për të fituar sërish zemrat e tifozëve. Që nga momenti që është bërë pjesë e Milanit, Bacca po përjeton momentin e tij më të keq.
Shifrat nuk janë kundër kolumbianit, sepse deri në këtë fazë të sezonit edhe vitin e kaluar Bacca kishte realizuar vetëm 6 gola, por mungesa e vazhdimësisë nga ana e tij në ndeshjet e fundit është ajo që shqetëson më shumë trajnerin Montella dhe që bën të bien këmbanat e alarmit. Bacca ka 5 ndeshje që nuk shënon dhe ndaj Palermos, trajneri i Milanit i besoi Lapadulas në vend të tij. Ndryshe nga sulmuesi i Los Cafeteros, Icardi në fushë po shkëlqen teksa kryeson listën e golashënuesve të Serisë A me 10 finalizime sëbashku me Edin Dzekon.
Një bomber i lindur si ai asnjëherë nuk ka patur probleme me golin, megjithatë ecuria jo e mirë e Interit në këtë fillim sezoni ka lënë në hije edhe Mauriton. Por më shumë sesa me veten dhe shokët e skuadrës, Icardi problemet më të mëdha i ka tifozët ultras. Disa fraza të 23-vjeçarit në autobiografinë e tij prishën përfundimisht marrëdhëniet e tij me këta të fundit, me ultrasit e Interit që e konsiderojnë të vdekur kapitenin. Icardi i fshiu ato fraza nga libri, por tashmë atij i duhet që të realizojë në derbin e Milanos për t’u afruar sërish me tifozët.

Një sfidë magjike

Të dielën në mbrëmje, “San Siro” do të ofrojë derbin e madh dhe të shumëpritur për këtë sezon. Milan-Inter do të jenë sërish përballë kundër njëri-tjetrit për të shkruar një kapitull të ri të kësaj sfide që shumë shpesh është etiketuar edhe si derbi i Europës, të paktën kur në fushë luanin fenomenë si Ronaldo da Lima. Madje, braziliani arriti deri aty sa të vishte edhe të dyja bluzat e qytetit verior, diçka që nuk u pëlqeu aspak interistëve, kur sulmuesi nuk i tha “jo” ofertës së Silvio Berluskonit në sezonin 2007-2008.
Dhe, si për ironi të fatit, si për ta çuar edhe më thellë thikën në plagë, ai edhe shënoi, ndonëse në fund, zikaltrit e përmbysën golin e amerikanojugorit dhe fituan derbin e 11 marsit 2007. Gjithsesi, “Fenomeni” kujton me mall golat për Interin, me fanellën e të cilëve numëron 4 “perla” në derbin e “Madonnina”-s, por sipas tij, ai më i paharrueshmi do të jetë ai i fitores 3-0 në sezonin 1997-1998.
“Për mua, derbi i Milanos ka qenë gjithmonë magjik, një ndeshje drithëruese dhe shumë speciale. Ndeshja që kujtoj me shumë mall është ajo e 22 nëntorit 1997. Atë takim e fituam 3-0, por mendoj se në atë duel shënova një nga golat më të bukur të karrierës. Mbaj mend Morieron që më ofron një krosim të mirë, por unë zgjodha që ta godisja fluturimthi me të jashtmen dhe doli një gol madhështor.
Stadiumi dukej sikur do shembej, kaluam 2-0 në avantazh, ndërsa Simeone mbylli në fund ndeshjen, duke festuar edhe dopietën personale. Çfarë emocionesh! Ndonëse me Interin kam shënuar edhe shumë e shumë gola të tjerë të bukur, nga ato që nuk do t’i harroj gjatë gjithë jetës, nënvizon Luiz Nazario da Lima Ronaldo, i cili më pas ndalet edhe tek aventura e tij me Milanin, “kushërinjtë” e urryer të Interit.
“Edhe te Milani ishte një eksperiencë e bukur për mua, por fatkeqësisht aty nuk arrita që të shprehja më të mirën time. Gjunjët ishin bërë një problem i rëndë për mua dhe pas disa ndeshjesh theva edhe kroçiaton tjetër. Shënova në derbi golin e parë të takimit, ishte sërish bukur, ndonëse në fund Interi na përmbysi dhe ne milanistët u dorëzuam. Ishte një kënaqësi dhe një nder që luajta edhe për Milanin. Në një vit më mjaftoi që të njihja strukturat e atij klubi, tifozët e tyre dhe ishte bukur. Një parashikim? Nuk mund të bëj, dua dhe shpresoj ta shijoj në maksimum derbin e Milanos”.

Alegri: Ndaj Pescarës, një ndeshje e vështirë

Juventusi me sytë nga Pescara. Bardhezinjtë i rikthehen sfidave në kamionat, ku këtë herë do të kenë përballë ekipin e Masimo Oddos. Në konferencën për shtyp përpara këtij takim, trajneri i “Zonjës së Vjetër”, Masimiliano Alegri, foli për takimin kundër Pescarës, formacionin që do të hedhë në fushë, por edhe për objektivat që skuadra e tij deri në mbylljen e këtij viti.
“Na pret një ndeshje e vështirë, pavarësisht se kundërshtari ka probleme në klasifikim, por sipas meje kjo është një gjë mëse normale për një ekip, i cili sapo është ngjitur në Seria A, ata janë një skuadër që arrijnë të krijojnë shumë raste dhe luajnë mirë. E përsëris, duke fituar të tilla ndeshje arrin tek titulli kampion. Ndaj Pescarës do të hedh në fushë formacionin më të mirë. Në sulm do të luajë Gonzalo Higuain së bashku me Mario Mandzukiç. Si fillim duhet të mposhtim Pescarën dhe më pas të mendojmë për Champions League”, u shpreh Alegri.
Më tej, tekniku toskan foli dhe për gjendjen fizike të futbollistëve të tij si dhe për dëmtimet e disave prej tyre. Një mendim i Alegrit shkoi edhe për balotazhin mes Marchisios dhe Hernanes.
“Kemi shumë mungesa të rëndësishme, duke filluar që nga Gorgio Chiellinit, i cili edhe pse është rikuperuar gjendja e tij po mbahet nën vëzhgim. Benatia gjithashtu po trajtohet me kujdes nga ana stafit mjekësor, njësoj si dhe mbrojtësi tjetër Barzagli, i cili do të qëndrojë gjatë jashtë fushave. Gjithashtu nuk kemi në dizpozicion edhe dyshen Pjaca-Dybala. Pavarësisht kësaj jam optimist se do të arrimjë t’ia dalim. Përsa i përket mesfushës kam dilemat e mia mes Claudio Marchisios dhe Hernanesit, zgjedhje për të cilën do të vendos në minutën e fundit”, përfundoi Alegri.

Conte, trajneri i momentit në Premier League

Antonio Conte është trajneri i momentit në Premier League. 4 ndeshje dhe 4 fitore për Chelsean e tij në muajin e kaluar. Njëmbëdhjetë gola të shënuar dhe asnjë i pësuar. Këto janë statistikat fantastike që ka regjistruar tekniku italian gjatë muajit tetor, me Conte që është duke korrur frytet e punës së tij dhe falë kësaj, ai me meritë është shpallur trajneri më i mirë i mujit të kaluar në Premier League, duke lënë pas rivalët e tij, Jurgen Klopp të Liverpoolit, Arsen Wenger të Arsenalit dhe Mark Hughes të Stoke City, të cilët ishin pjesë e garës.
Pas disa rezultateve jo pozitive “Blutë e Londrës” kanë ndryshuar marsh. Skema e re 3-4-3 ka rezultuar ajo e duhura me Chelsea-in që ka fituar kundër Hull City dhe Southampton në transfertë, ndërsa gjithashtu ka mposhtur bindshëm në “Stamford Bridge” Leicester City dhe Man.United. 4 fitoret e muajit tetor nga suksesi i thellë me shifrat 5-0 ndaj Evertonit në fillim të nëntorit. Momentalisht Chelsea pozicionohet në vendin e dytë, vetëm me 1 pikë diferencë ndaj Livepoolit kryesues. Tetori duket se ka qenë muaji i “Bluve të Londrës”. Pas teknikut Conte edhe sulmuesi Eden Hazard është shpallur lojtari më i mirë i muajit me belgun që ka rifituar formën e tij më të mirë. Hazard ka arritur të shënojë tre gola dhe shërbyer një asist gjatë tetorit. Conte dhe Hazard kanë falënderuar të gjitha ata që i kanë votuar, duke shtuar se këto çmime nuk do të ishin të mundura pa ndihmën e të gjithë ekipit.

Zidan: Derbi jo provim për mua

Bëhet fjalë për derbin e Madridit një sfidë jo si gjithë të tjerat, por për trajnerin e Realit, Zinedine Zidane dueli ndaj Atleticos është vetëm ndeshja e radhës dhe në lojë janë jo më shumë 3 pikë. Numri 1 i stolit të Los Blancos në konferencën për shtyp u përpoq të ulte disi tensionin në vigjilie të një sfide të tillë. Zidane vlerësoi maksimalisht, Atleticon dhe trajnerin Diego Simeone, por ndërkohë shtoi se kjo ndeshje nuk është një test për të dhe me çfarëdolloj rezultati që të përfundojë nuk do të ndikojë në të ardhmen e tij.
“Vijmë në gjendje të mirë në këtë ndeshje. Kemi riaftësuar disa lojtarë gjatë këtyre ditëve. Kemi ende probleme me dëmtimet, por kjo është një gjë mëse normale në këtë fazë të sezonit. Është një ndeshje e rëndësishme, kemi patur pak ditë për ta përgatitur me grupin e plotë, por jemi gati. Kjo ndeshje nuk është një provim për mua, është thjeshtë një ndeshje e La Liga, ku shanset për të fituar janë 50 me 50. Është e vërtetë që, në “Vicente Calderon” nuk fitojmë që në 2013-ën, megjithatë ne jemi mësuar me ndeshje të vështira si kjo dhe do të provojmë të fitojmë këtë herë. Atletico është një skuadër që nga viti në vit përmirësohet. Ata kanë një trajner të shkëlqyer që ka punuar shumë mirë që nga momenti i ardhur. Simeone ka ndryshuar shumë gjëra dhe është duke bërë një punë fenomenale”, u shpreh Zidane.
Zidane e cilësoi si shumë të rëndësishëm për skuadrën rikthimin nga dëmtimi të kapitenit Sergio Ramos, ndërkohë që nuk zbuloi se, cilët do të jenë lojtarët që do të zëvendësojnë të dëmtuarit Kroos dhe Casemiro në qendër të mesfushës. Griezmman është rreziku kryesor i Realit në sfidën e kësaj të shtune një mendim i trajnerit francez shkoi edhe për bashkëkombasin e tij.
“Kur u njoha me Ramosin, ai kishte më shumë flokë dhe unë po ashtu. Sergio është kapiteni ynë dhe është kënaqësi ta kemi sërish në dispozicion. Është një lojtar shumë i rëndësishëm për skuadrën brenda dhe jashtë fushe, një lojtar i madh dhe mbi të gjitha një person i madh. Griezmann? Më bëhet qejfi që ai është gati për të luajtur. Është një lojtar shumë i rëndësishëm për Atleticon dhe e meriton të jetë pjesë e një ndeshjeje të tillë”, përfundoi trajneri i Real Madridit.

Venger: Nuk flas për Murinjon

Arsene Venger lë mënjanë kontraditat me Jose Murinjon dhe përqendrohet vetëm te sfida ndaj Manchester United. Të shtunën trajneri francez do të ketë sërish përballë portugezin, por këtë herë jo më në stolin e Çelsit, por në atë të Manchester United. Në “Old Trafford” luhet një superpërballje pasi “Djajtë e kuq” presin Arsenalin në një klasike të futbolit anglez. Venger përtej polemikave me Murinjon gjatë viteve të fundit kërkon të largohet me tre pikë nga teatri i ëndrrave, kjo edhe për faktin se United në këtë sfidë do të jetë pa sulmuesin e saj kryesor Zlatan Ibrahimoviç, i cili është i skualifikuar.
“Mendoj se nuk është e nevojshme që unë t’iu përshkruaj ju gazetarëve, marrëdhëniet e mia me Murinjon përpara një sfide të tillë. Ai do të luftojë për skuadrën e tij dhe unë do të luftoj për skuadrën time, kjo është diçka mëse normale. Mungesa e Ibrahimoviç? Sigurisht që te United do të preferonin ta kishin Ibrën në dispozicion për këtë ndeshje, por mungesa e tij nuk është determinante pasi ata kanë lojtarë të tjerë shumë të mirë në repartin e avancuar si për shembull, Marcus Rashford, i cili bëri diferencën në një sfidë të tillë sezonin e kaluar. Ne duam të bëjmë një paraqitje shumë të mirë në ‘Old Trafford’ dhe pse jo të largohemi nga aty me një rezultat të rëndësishëm”.
Ajo që e shqetëson më tepër trajnerin e Arsenalit përpara kësaj sfide është gjendja e sulmuesit kilian Alexis Sanchez, ndërsa Venger konfirmoi mungesat e dy lojtarëve spanjollë, mbrojtësit të krahut Hector Bellerin dhe mesfushorit Santi Cazorla.
“Nuk e di nëse Sanchez do të luajë apo jo. Ai ishte në dyshim edhe 24 orë përpara ndeshjes mes Kilit dhe Uruguay-it, por në atë sfidë u aktivizua. Do të vendos vetëm në çastet e fundit nëse Alexis do të jetë ose jo pjesë e kësaj sfide. Bellerin dhe Cazorla? Hector do të qëndrojë jashtë fushave për rreth 4 javë, ndërsa Cazorla nuk është riaftësuar ende nga dëmtimi dhe gjithashtu nuk do të jetë pjesë e sfidës ndaj United”.