15.3 C
Tirana
E hënë, 12 Maj, 2025

Venger: Nuk flas për Murinjon

Arsene Venger lë mënjanë kontraditat me Jose Murinjon dhe përqendrohet vetëm te sfida ndaj Manchester United. Të shtunën trajneri francez do të ketë sërish përballë portugezin, por këtë herë jo më në stolin e Çelsit, por në atë të Manchester United. Në “Old Trafford” luhet një superpërballje pasi “Djajtë e kuq” presin Arsenalin në një klasike të futbolit anglez. Venger përtej polemikave me Murinjon gjatë viteve të fundit kërkon të largohet me tre pikë nga teatri i ëndrrave, kjo edhe për faktin se United në këtë sfidë do të jetë pa sulmuesin e saj kryesor Zlatan Ibrahimoviç, i cili është i skualifikuar.
“Mendoj se nuk është e nevojshme që unë t’iu përshkruaj ju gazetarëve, marrëdhëniet e mia me Murinjon përpara një sfide të tillë. Ai do të luftojë për skuadrën e tij dhe unë do të luftoj për skuadrën time, kjo është diçka mëse normale. Mungesa e Ibrahimoviç? Sigurisht që te United do të preferonin ta kishin Ibrën në dispozicion për këtë ndeshje, por mungesa e tij nuk është determinante pasi ata kanë lojtarë të tjerë shumë të mirë në repartin e avancuar si për shembull, Marcus Rashford, i cili bëri diferencën në një sfidë të tillë sezonin e kaluar. Ne duam të bëjmë një paraqitje shumë të mirë në ‘Old Trafford’ dhe pse jo të largohemi nga aty me një rezultat të rëndësishëm”.
Ajo që e shqetëson më tepër trajnerin e Arsenalit përpara kësaj sfide është gjendja e sulmuesit kilian Alexis Sanchez, ndërsa Venger konfirmoi mungesat e dy lojtarëve spanjollë, mbrojtësit të krahut Hector Bellerin dhe mesfushorit Santi Cazorla.
“Nuk e di nëse Sanchez do të luajë apo jo. Ai ishte në dyshim edhe 24 orë përpara ndeshjes mes Kilit dhe Uruguay-it, por në atë sfidë u aktivizua. Do të vendos vetëm në çastet e fundit nëse Alexis do të jetë ose jo pjesë e kësaj sfide. Bellerin dhe Cazorla? Hector do të qëndrojë jashtë fushave për rreth 4 javë, ndërsa Cazorla nuk është riaftësuar ende nga dëmtimi dhe gjithashtu nuk do të jetë pjesë e sfidës ndaj United”.

Ndizet “lufta”!

Trembëdhjetë ndeshje janë një kohë shumë e gjatë në futboll. Për t’i dhënë një kontekst të caktuar: nëse Arsenali do të dështonte të fitonte në 13 ndeshjet e ardhshme, vallë ku do të përfundonte në mes të janarit? Mjafton kaq për të kuptuar diferencat e mëdha që ekzistojnë në përballjet mes tyre të Zhoze Murinjos dhe Arsen Vengerit.
Deri tani, ai ka dështuar ta mundë në 13 sfida radhazi. Në 13 ndeshjet e fundit, portugezi e di shumë mirë çfarë do të thotë të mposhtësh Vengerin. Ai ka arritur 7 fitore dhe gjashtë barazime, për të pasur një bilanc shumë pozitiv. Kjo është vetëm një statistikë për të treguar diferencën mes Arsenalit dhe Çelsit, skuadra që kanë bërë luftë dhe betejë gjatë viteve të fundit në futbollin anglez. Arsenali ka arritur të shënojë vetëm 5 herë në 20 orë futboll të luajtur dhe ka pësuar 21 gola.
Edhe pse “Topçinjtë” kanë qenë favoritë për të fituar, ata nuk ia kanë dalë të lënë gjurmë në derbet londineze. Venger nuk e ka pasur kurrë këtë problem me trajnerët e tjerë si Ranieri, Viali apo Ançeloti. Por, në momentin që Murinjo mori drejtimin e skuadrës, ai nuk arriti t’i mposhtte dot rivalët.
Dueli i hekurt dhe i ashpër mes dy trajnerëve nuk ishte vetëm në fushën e lojës, por edhe në konferenca dhe në deklarata. Marrëdhënia e tyre nuk ka qenë kurrë e qetë, prandaj të shtunën në “Old Trafford”, Murinjo do t’i japë “mirëseardhjen” teknikut francez të Arsenalit për herë të parë që nga koha kur është trajner i Junajtid.
Këtë vit, Venger është në rrugën e duhur për të rikthyer titullin kampion në Londër sepse tifozët e Arsenalit kanë pritur 12 vite për diçka të tillë. Këtë herë është ndryshe, Murinjo nuk është më ai i kohëve të vjetra. Vetëm me katër muaj në punën e tij të re, duket i lodhur dhe deri diku i palumtur. Nuk ka pasur ecuri pozitive, prandaj kjo është reflektuar edhe në humorin e tij.
Nga ana tjetër, Venger duket i rinuar dhe me energji. Ai ka optimizëm dhe ka rigjetur ecurinë pozitive në këtë kampionat. Venger do të tentojë patjetër t’i bëjë keq “armikut” të tij për t’i dhënë një shkelm të fortë dhe ta nxjerrë nga lufta për titullin kampion. Venger nuk mund ta harrojë kurrë deklaratën e fortë që Murinjo ka bërë dhjetë vite më parë.
“Venger ka një problem të madh me Çelsin dhe më duket nga ata persona që kënaqen kur sheh të tjerët që kryejnë marrëdhënie seksuale. Duket sikur ka vendosur një teleskop të madh në shtëpinë e tij dhe sheh çfarë po ndodh në familjet e tjera. Flet dhe vetëm flet për Çelsin”, ka thënë Murinjo.
Francezi i është përgjigjur menjëherë. “Ai nuk është në rregull me veten dhe nuk di çfarë flet. Kjo ndodh kur u jep sukses njerëzve budallenj. Ata bëhen më budallenj nga sa janë”, tha Venger. Asgjë nuk përfundoi me kaq, pasi Murinjo u hodh sërish në kundërsulm. “Në stadiumin e Çelsit kemi një dokument me të gjitha deklaratat e Vengerit për skuadrën tonë në 12 muajt e fundit. Nuk janë vetëm 5 faqe, por 120 të tilla”, nënvizoi portugezi.
Në momentin që Murinjo shkoi te Reali pati një armëpushim mes palëve, sepse nuk i lidhte më asgjë. Rikthimi i portugezit në stolin e Çelsit ndezi të tjera sfida dhe hapi duele akoma më të zjarrta. “Kush të ketë frikë nga dështimi? Venger është numri një për dështim në botën e futbollit. Ai ka tetë vite pa parë një trofe me sy”, ka thënë Murinjo. Sherri arriti kulmin kur dy figurat e njohura të futbollit anglez përdorën edhe duart. Geri Kahill bëri një ndërhyrje të rëndë ndaj Sançezit dhe ky moment shërbeu për t’i hedhur sërish benzinë zjarrit mes Vengerit dhe Murinjos.

Murinjo, 70 milionë euro për Herri Kein

Mungesa e një akordi mes Herri Kein dhe Totenhemit ka vënë në lëvizje klubet më të mëdha dhe ai që po kërkon më me ngulm një sulmues goli është Mançester Junajtid. Me Runin e kthyer në mesfushor dhe Ibrahimoviç që nuk është shfaqur në nivelet më të larta me “Djajtë e kuq”, Murinjo ka nevojë medoemos për një njeri-gol në skuadër.
Murinjo është gati të shpenzojë shuma të mëdha për lojtarin gjatë merkatos së janarit dhe sipas mediave angleze, do të ofrojë menjëherë 70 milionë euro për të, pasi dëshiron të mbyllë gjithçka sa më shpejt.
Tani pritet të mësohet se si do të përgjigjet Totenhemi, një klub i cili shpesh ka refuzuar oferta për yjet e tij, pasi nuk është në vështirësi financiare dhe ka bërë të qartë që prioriteti është të mbajë lojtarin.
Ndërkohë, Bastian Schweinsteiger nuk e ka ndërmend të zmbrapset. Gjermani është i vendosur ta kërkojë rastin te Manchester Untied. Jose Murinjo nuk është duke llogaritur fare në Bastian Schweinsteiger që nga fillimi i sezonit. Edhe pse po stërvitet me ekipin e të rinjve, ish-anëtari i Bayern Mynihut është i vendosur ta kërkojë rastin te Manchester United
“Qëllimi im është që të luaj për Manchester Unitedit. Unë jap gjithçka në çdo sesion trajnimi dhe unë shpresoj në shansin tim”, ka deklaruar ai për “Sky Sports News”. Schweinsteiger është i gatshëm ta ndihmojë ekipin nga “Old Trafford”, kur këta të fundit kanë nevojë për të.

UEFA pezullon 2 vjet Eremenko, doli pozitiv me kokainë

Komisioni i Disiplinës së UEFA-s ka vendosur të pezullojë me 2 vjet futbollistin e CSKA-së së Moskës dhe kombëtares së Finlandës pas testeve antidoping të kryera në përfundim të ndeshjes Bajer Leverkusen-CSKA Moskë në Ligën e Kampionëve, të luajtur më datë 14 shtator 2016 në Gjermani.
Analizat e futbollistit 29-vjeçar e nxorën atë pozitiv me kokainë, një substancë absolutisht e palejuar në listën e Agjencisë Botërore të Antidopingut. Për këtë arsye, duke filluar nga data 8 tetor 2016 deri më 8 tetor 2018, finlandezi nuk do të ketë mundësinë të luajë futboll. Ai mund ta apelojë vendimin brenda 3 ditësh pasi të marrë vendimin e arsyetuar me shkrim.

Riberi nuk frikësohet nga Dortmund

Frank Riberi nuk i trembet Borussia Dortmundit. Sulmuesi anësor i Bayernit të Mynihut shpesh i kritikuar për një temperament disi të vështirë në fushën e blertë, është shprehur optimist përpara sfidës ndaj verdhezinjve të Thomas Tuchel. Sipas Riberi ndeshjet kundër Dortumundit janë gjithmonë emocionuese, por pavarësisht këtij fakti ai do të dijë të tregohet i vetëpërmbajtur.
“Të përballesh me Borussia Dortmund është gjithmonë bukur. Është nga ato sfida ku përqendrimi duhet të jetë maksimal, pasi gabimi më i vogël mund të na penalizojë. Në aspektin personal shpesh jam vënë në qendër të vëmendjes si një futbollist me temperament disi të ashpër, e pranoj që duhet të tregohem disi më i kujdesshëm, nga ana tjetër jam i sigurt që në takimin kundër ekipit të Thomas Tuchel, Bayerni nuk do të ketë probleme”, u shpreh Riberi.
Më tej Riberi u shpreh se për Bayernin kjo ndeshje është si një derbi dhe presioni është i lartë. Pavarësisht kësaj francezi është besimplotë që kampionët e Gjermanisë do të dalin me tre pikë nga “Signal Iduna Park”. “Është e vërtetë që në disa takime ne kemi pësuar gola, por kjo nuk na shqetëson aspak. Ekipi gëzon një formë të mirë fizike dhe jam i sigurt që do të dalim triumfues”, tha ai. Ndërkohë që Frank Riberi ka pranuar ofertën e drejtuesve të klubit gjerman për të rinovuar kontratën. Nga marrëveshja e re, sulmuesi do të jetë pjesë e bavarezëve deri në vitin 2018.
Në “Signal Iduna Park”, Borussia e Dortmundit pret Bayern Mynih në një duel që gjithmonë ka prodhuar spektakël dhe emocione të shumta. Dortmundi aktualisht numëron 6 pikë më pak se bavarezët e Carlo Ancelottit në tabelën e klasifikimit, por në një sfidë të tillë nuk ka favoritë dhe diçka të tillë e lanë të kuptohet në intervistat e tyre, mbrojtësi brazilian i Bayern-it, Rafinha, por edhe kapiteni Philip Lahm, i cili vlerësoi maksimalisht Dortmundin. Nëse skuadra e Thomas Tuchel vjen në këtë sfidë pas fitores bindëse me shifrat 5-2 ndaj Hamburgut në transfertë, Bayerni shkon në Westfali pas barazimit zhgënjyes ndaj Hoffenheim-it në shtëpi, hap fals ky që i lejoi debutuesve të Leipzigut t’i bashkoheshin ekipit të Ancelottit në kuotën e 24 pikëve në krye të Bundesligës.
Megjithatë problemet janë të shumta për Bayernin në vigjilje të klasikes së futbollit gjerman. Përveç Jerome Boateng trajneri Carlo Ancelotti për arsye dëmtimi nuk mund të ketë në dispozicion tre lojtarë të tjerë me peshë për këtë sfidë. Kështu Arjen Robben, Arturo Vidal dhe Javi Martinez janë në dyshim të madh për duelin e kësaj të shtune. Të tre futbollistët nuk u stërvitën me grupin këtë të enjte dhe me shumë gjasa do të mungojnë ndaj Borussias së Dortmundit. Robben dhe Martinez kanë probleme fizike, ndërsa Vidal u largua i dëmtuar nga sfida mes Kilit dhe Uruguay-it. Drejtuesit e Bayern-it i kishin kërkuar Federatës kiliane të Futbollit të mos e aktivizonte lojtarin në atë sfidë pasi Vidal kishte probleme, por këta të fundit nuk pranuan dhe tashmë pasojat duhet t’i vuajë Bayerni.

Mesazhet që po jep Basha

Fatmir TERZIU

Ajo që kryetari i PD-së, Lulzim Basha, argumentoi në emisionin “Top Story” të gazetarit Sokol Balla, kishte në thelb “austeritetin”. Më saktë atë të lidhur me situatën e politikës shqiptare. Ishte kjo si një “dëshmi” e kësaj politike, që ka arritur kulmin me vitet dhe kohën e qeverisjes Rama. Dhe thelbi është tek paraja. Paraja që kontrollon çdo gjë, dhe sigurisht paraja e krimit dhe ajo e lidhur me të si një dëshmi reale. Kjo “dëshmi”, që qartësohet me “austeritetin politik”, duket se ia ka marrë frymën jetës në vend dhe se mbi këtë fakt ka humbur shpresa e vetë jetës së shqiptarëve, të cilët duan vetëm të ikin nga sytë këmbët, pasi aty “nuk respektohet talenti, i zoti, konkurrenca e ligjshme… dhe se aty në dorë fatet dhe ekonominë e kanë një grusht pushtetarësh dhe një grusht oligarkësh”.
Në fakt kjo është një anë me të cilën Basha reagon dhe komenton realitetin tek austeriteti, i cili kap pikën e vet më delikate. Pikën tek e cila është paraja dhe tek e cila varet vetë politika, më tej vetë ekonomia. Në thelbin e argumentit të z. Basha, shumë probleme kuptohen se kanë lidhjen mes vetë masave “shtrënguese” dhe faktit të ndikimeve të tjera, që sjellin në debat austeritetin. Por çfarë saktësisht është kjo fjalë? Pse rrethrrotullohen mjaft dilema rreth kësaj fjale?
Fjalorët e ndryshëm dhe përkufizimet në lidhje me këtë japin argumente që variojnë dhe ndryshojnë. Merriam-Webster e përkufizon atë si: “Një situatë në të cilën nuk ka të holla dhe është shpenzuar vetëm në gjëra që janë të debatueshme”, ose “sforcim apo ekonomi ekstreme”, që në fakt të shpie tek paraja që kalkulohet nga ardhje të paligjshme. Dhe këto ardhje janë dhe faktori bashkë me produktin e asaj që lidhet me vetë politikën. Politika?!
Kjo natyrisht del nga një pyetje që drejtuesi i emisionit, Sokol Balla, i drejtoi zotit Basha, për rezolutën: “Nëse më 15 dhjetor nuk e marrim, sigurisht që fajin e ka qeveria, por ju a ndjeni përgjegjësi?” dhe mirëkuptohet nga përgjigjja që Basha jep: “BE do të vazhdojë të ekzistojë, ndërsa ne do të vazhdojmë të përballemi me një situatë ku krimi është shtrirë në mbarë vendin, droga po shkatërron shoqërinë shqiptare dhe paratë e saj rrezikojnë zgjedhjet e ardhshme”. Pra, qartësia e të vërtetës shkon tek paratë e drogës, që sipas kryedemokratit, tentojnë të mbajnë peng jo vetëm politikën, por tërë vendin.
Më tej përgjigjja tjetër “Po ta kisha në dorë, firmosja që nesër hapjen e negociatave”, e cila jo vetëm vërtetoi të vërtetën në lidhje me lajmin e trilluar nga Partia Socialiste, se opozita kërkoi në Bruksel që Shqipërisë mos t’i hapen negociatat, por hapi dhe një sipar të ri të rrjedhës politike, që në fakt bazohet tek të vërtetat nga “politika e re” e modelit Basha, e cila duket qartë se jep shpresat e para, ato shpresa të munguara, për të luftuar austeritetin këtë fakt të dukshëm e të padukshëm që vret prosperitetin dhe shpresën pa u ndjerë.
Kjo është dhe një lojë mes absurditetit dhe trillit. Kryetari i opozitës shqiptare e theksoi qetë dhe prerë se, “PD nuk ka asnjë vendimmarrje për hapjen e negociatave, por kjo gjë i takon vendeve anëtare të Bashkimit Europian”. Dhe e vërteta është kështu sipas z Basha: “Komisioni ndërparlamentar Shqipëri-BE nuk ka asnjë rol në vendimmarrjen për hapjen e negociatave”, duke theksuar gjithashtu se nëse kjo çështje do të varej nga kryetari i PD, do të firmoste menjëherë hapjen e negociatave.
Në të vërtetë, trillimi me të cilën Kryeministri Rama përdor, duket se është “ilaç” turbullues për të shmangur krizën dhe një mjet ku ai shfryn nervozizmin e tij, më saktë ka të bëjë edhe me faktin e krizave të shumta të qeverisjes së tij, kjo si një mënyrë e qartë që tregon se pajtohet me atë, të cilën e kritikon opozita, sidomos me shqetësimin e situatës për drogën në vend. Gjatë emisionit në fjalë, Basha shprehu shqetësimin për situatën e drogës në vend dhe për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Lulzim Basha akuzoi qeverinë se me paratë e kanabisit po përgatitet shkatërrimi i zgjedhjeve, për të blerë votat e qytetarëve.
E që të luftohen fenomene të tilla, që rrethkapen tek austeriteti dhe paraja, Basha shkon më tej, tek politika, madje tek vetë partia që drejton. Basha tha se do të propozojë që zgjedhjet për kryetarin e PD-së të bëhen çdo dy vjet, për t’u dhënë mundësi të gjithëve të krijojnë alternativa dhe ta konkurrojnë, por duke lënë pa thënë dhe atë më të rëndësishmen që nënkuptohet, për të mënjanuar e ngushtuar mundësitë e mbajtjes peng të politikës mes parasë së lartcituar. “Unë kam nisur ta bëj këtë. Kam vendosur votën në themel të strukturave të PD. Jam i vendosur që të eci në rrugën e vlerave dhe PD do të jetë partia e parë që do të aplikojë një anëtar një votë edhe për kandidatët për deputetë. Ne do të kufizojmë pushtetin e kryetarit duke propozuar katër mandate nga dy vjet, çdo dy vjet kryetari të jetë në test dhe do ta bëj të lehtë që ata që duan të kandidojnë le të kandidojnë”, tha Basha.
Por, ndërsa austeriteti, e sidomos ai politik, është më shumë se thjesht, një eksperiment laboratorik për teorinë makroekonomike, ajo që synon Basha duket se është vetë “politika e re” e modelit të tij, që rreket nga e vërteta.
Ajo është ndërtuar mbi instinktet mes elektoratit rreth sigurisë, po aq edhe drejtësisë, që janë zbehur nga krizat e këtyre viteve të demokracisë dhe tranzicionit, të cilat, sipas leximit të ideve të Bashës, besoj se kanë arsye faktike për të dhënë tjetër shpresë, tjetër jetë me këtë një politike të re në “vend”, që nis dhe nga pranimi i gabimeve në të shkuarën. Kjo në fakt dhe kuptimi i saj ka qenë shumë i ngadaltë për të kuptuar rëndësinë e vendit të diskursit politik pas ideve të hedhura me kohë nga z. Basha. Kjo politikë e re, së pari përshkruan karakterin e politikës së Bashës dhe tregon se si e ka riformatuar të drejtën për të justifikuar atë që ai e thekson si të drejtë për ata që mishërojnë axhendën e tyre të angazhimeve në politikën reformiste. Basha duket qartë se ka tashmë projektin më të qartë që i duhet politikës, Shqipërisë, e pse jo të ardhmes.

Korrupsioni në sistem

Gjergji PAPA

Projektligji “Kodi hekurudhor i Republikës së Shqipërisë”, nuk shërben për asgjë tjetër veçse për përafrimin e legjislacionit kombëtar të transportit hekurudhor në Shqipëri me legjislacionin e Bashkimit Europian.
Nuk shërben për asgjë tjetër, sepse transporti hekurudhor në Shqipëri është katandisur në një gjendje të mjerueshme.
Të thuash që ky projektligj do të nxitë zhvillimin e një transporti hekurudhor efikas, të sigurt, të aksesueshëm nga të gjithë dhe miqësor me mjedisin është anakronike, sepse hekurudhat janë jashtë përdorimit dhe transporti hekurudhor nuk funksionon.
Në një kohë kur, kjo qeveri, në 4 vjet qeverisje, nuk bëri asgjë për këtë sektor, është fare pa kuptim të thotë se ky projektligj synon përmirësimin e efikasitetit të sistemit hekurudhor dhe integrimin e tij në tregun rajonal dhe transevropian të shërbimeve të transportit.
Me bindje të plotë them se ky projektligj nuk do të ndikojë fare në zhvillimin real të këtij sektori.
Por kjo qeveri dhe Kryeministri Rama nuk e ka për gjë t’i hedhë hi syve këtij populli. Ajo po zëvendëson gënjeshtrat e vjetra me gënjeshtra të reja.
Qeveria rrit nga viti në vit shpenzimet operative, dëshmi mjaft e qartë kjo e filozofisë së saj, për të rritur shpenzimet e luksit dhe jo shpenzimet për investime publike, të cilat sjellin edhe rritje ekonomike.
92 milionë dollarë të shqiptarëve janë shpenzuar vetëm për zyra, makina, orendi dhe bileta avionësh.
Por nuk ka fonde për investime publike në rrjetin hekurudhor sepse 2.2 miliardë euro u janë vjedhur taksapaguesve shqiptarë, nga mosrealizimi i të ardhurave dhe nga shkelje të disiplinës financiare.
Nuk ka fonde për investime publike sepse 88 milionë dollarë u janë dhënë nëpër tendera 11 miqve, ndërtuesve dhe bashkëpunëtorëve të Edi Ramës.
Qeveria e ka ngritur korrupsionin në sistem. Këtë e vërteton edhe raporti për korrupsionin, i publikuar këto ditë nga “Transparency International”, ku shkalla e mitmarrjes në Shqipëri, për vitin 2016, rezulton me 34%, më e larta, jo vetëm në Ballkan, por në të gjithë Europën.
Dhe shembulli më i mirë i ngritjes të korrupsionit në sistem nga kjo qeveri, janë koncesionet.
Rilindja ka hedhur në treg një lloj të ri grabitjeje, atë përmes koncesioneve, një fushë e pamatë për abuzim.
Por për ta hequr shijen e hidhur te abuzimit, që po u lë qytetarëve shqiptarë fjala koncesion, Rilindja po përpiqet për ta zëvendësuar fjalën koncesion, me togfjalëshin partneritet publik privat.
Janë dhënë rreth 765 milionë euro koncesione dhe planifikohen të jepen të tjera koncesione në shëndetësi, transporte, dogana, tatime, në rrugë dhe në shërbime të tjera publike, për miqtë dhe klientët e Kryeministrit dhe qeveritarëve, duke e dorëzuar shtetin tek një oligarki e dyshimtë dhe duke e rënduar disa herë xhepin e qytetarëve shqiptarë, të cilët paguajnë edhe administratën publike nga njëra anë, që nuk është ulur aspak në numër, edhe privatët nga ana tjetër, për të njëjtin shërbim.
Mesa duket, mazhorancës po i bëhen presione nga grupet oligarke brenda saj, për të marrë koncesione për t’u shpërblyer për kontributin që kanë dhënë, që kjo mazhorancë të vijë në pushtet dhe të kontribuojnë financiarisht edhe në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Qeveria po gjen rrugën më të lehtë për të hequr nga vetja ato shërbime, që ajo i ka për detyrë t’ua garantojë qytetarëve të saj.
Kur ishte në opozitë, PS deklaronte se do të rishikonte, madje edhe do t’i anulonte marrëveshjet koncesionare të qeverisë Berisha.
Por sot, pas rreth 4 vjet qeverisje, numri i koncesioneve po rritet frikshëm.
Kjo dëshmon jo vetëm paaftësinë e atyre që qeverisin, por edhe faktin që koncesionet janë kthyer në një parajsë financiare për një grusht klientësh të qeverisë, të cilët grabisin me leje, pasurinë e shqiptarëve.
Këto 765 milionë euro koncesione, të kaluara në xhepat e privatëve, klientë të Kryeministrit, do ta kishin përmirësuar sadopak jetën e qytetarëve shqiptarë, sikur të kishin kaluar për investime publike, për të rritur punësimin dhe të ardhurat e tyre.
Rekordin e koncesioneve e mban ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, me 300 milionë euro koncesione të dhëna, për check up-in, për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale dhe për hemodializën.
Koncesioni i check up-it, ose i thënë shqip, koncesioni i kontrollit mjekësor falas, vazhdon të mbetet koncesioni më abuziv.
Kontrata e firmosur me koncesionarin është abuzive, pasi është përcaktuar një dysheme prej 475 mijë qytetarësh për të cilët koncesionari paguhet, pavarësisht nëse qytetarët i bëjnë apo jo analizat.
Shifra e vendosur në kontratë (475 mijë) është abuzimi real. Nuk është e bazuar në asnjë studim apo analizë shkencore.
Duke pranuar që në një vit e gjysmë nuk janë bërë 475 mijë analiza të check-up, por paratë janë dhënë për aq, Rama ka pranuar vjedhjen e 5 milionë euro më shumë në vit.
Ku kanë shkuar këto para? A do t’u kthehen shqiptarëve apo tashmë janë ndarë si plaçkë mes Ramës dhe donatores së tij?
Dhe sikur të mos i mjaftonin megaskandalet e korrupsionit me tenderat dhe koncesionet, dje, Ilir Beqaj u akuzua edhe për shpërdorim detyre. Ai pushon menjëherë nga puna drejtorin e tij, vetëm se nuk mori pjesë në një mbledhje të PS.
Shikoni se çfarë terror psikologjik dhe presion ka administrata publike nga Rilindja dhe sa lehtë, ata mund të pushohen nga puna, nëse nuk aktivizohen në aktivitetet politike të PS.
Ai duhet të japë menjëherë dorëheqjen dhe të largohet sa më parë nga detyra e ministrit.
Nga ana tjetër, Kryeministri Rama duhet ta shkarkojë nga detyra, në rast të kundërt vërtetohet që është ai dirigjuesi i të gjitha këtyre skandaleve.
Kryeministri thotë që ne shpifim dhe hedhim baltë.
Por le t’i referohemi FMN.
FMN i ka vlerësuar koncesionet si një nga rreziqet më të mëdha fiskale, duke pohuar se ato tashmë zënë 7% të PBB dhe të tjera janë përfshirë në proces.
Në një raport të posaçëm për transparencën fiskale, FMN thekson se qeveria shqiptare nuk është transparente në dhënien e koncesioneve, pasi nuk bën publike kostot dhe përfitimet nga koncesionet.
Vendi ynë ka një historik të dështuar të dhënies të disa shërbimeve me koncesion, të cilat nuk kanë sjellë gjë tjetër veçse kosto të shtuara për biznesin dhe qytetarët, si rasti i “Crown Agents” me doganat.
Kompania koncesionare u pagua me 8.2 milionë euro, për të mbledhur 100 milionë euro më shumë në dogana. Tashmë të gjithë e dinë dështimin e bujshëm të këtij objektivi.
Prandaj kalimi i të gjitha shërbimeve tek privati, jo vetëm nuk është i dobishëm, por e dëmton ekonominë.
Për arsyet që përmenda më lart nuk ka fonde për investime publike.
Nuk ka fonde jo vetëm për të ndërtuar hekurudha të reja dhe rrugë të reja, por as për të siguruar një qarkullim normal në rrugët ekzistuese.
Rruga kombëtare Librazhd-Elbasan, prej një viti është dëmtuar në Xibrakë, nga prurjet e lumit Shkumbin. Duke qenë aktualisht me një kalim, deri tani, atje janë bërë mbi 50 aksidente dhe askush nuk po kujtohet të verë dorë për riparimin e saj.
Rruga kombëtare Qafë Thanë-Lin-Pogradec, nuk po thotë më kush, të përfundojë, por të paktën të bëhet e kalueshme për automjetet në hyrje të qytetit të Pogradecit.
Punimet janë braktisur fare nga kontraktori dhe rruga është në gjendje të mjerueshme. Por askush nuk pyet që u shkatërruan të gjitha autoveturat dhe kamionët e shumtë që kalojnë në drejtim të Korçës dhe Greqisë.
Rruga Korçë-Ersekë, e filluar që në vitin 2011. Vetëm 40 milionë lekë janë planifikuar në projektbuxhetin e vitit 2017.
Me kaq pak fonde, kjo rrugë nuk ka për të përfunduar kurrë. Dhe gjithë qeveria ka zbarkuar në Kolonjë, për zgjedhjet e parakohshme lokale dhe vazhdon të mashtrojë kolonjarët, duke ju premtuar atyre parajsën.
Ju kërkojnë votën kolonjarëve, ndërkohë kur në 25 vite qeverisje lokale socialiste, e kanë lënë qytetin e Ersekës, i pasur me burime ujore, vetëm me dy orë ujë të pijshëm në ditë.
Dhe tallen me qytetarët kolonjarë, kur ju thonë: “Na jepni votën, se nuk vijmë më, nëse nuk bëhet ujësjellësi”.
Kandidati i të djathtës nuk po garon me rivalin e tij të majtë, por me të gjithë qeverinë. Pothuajse të gjithë ministrat socialistë dhe të gjithë drejtorët rajonalë, kanë zbarkuar në Kolonjë dhe në kundërshtim flagrant me Kodin Zgjedhor, mbledhin punonjësit e administratës së tyre, në prezencë të kandidatit socialist, duke ju bërë presion të hapur për të votuar për të.
Sa turp.
Por sikur të mos mjaftonte kjo, gjithë Bashkia e Korçës, ka lënë punën dhe është nisur drejt Kolonjës në ndihmë të kandidatit socialist.
Çdo funksionar rilindas, nga Korça, me origjinë nga Kolonja ose me lidhje familjare ose shoqërore prej andej, me urdhër, sipas një plani dhe grafiku të detajuar, nga qeveritarët kombëtarë dhe lokalë, ka shkuar në Kolonjë këto ditë, nga “malli” për të takuar miqtë dhe të afërmit, që ata të votojnë me çdo kusht për kandidatin socialist.
Ja pra pse PD kërkon një qeveri teknike, sepse me Edi Ramën dhe qeverinë e tij as që mund të priten zgjedhje të lira dhe të ndershme, vitin e ardhshëm.

Trump e ka nisur siç duhet

Holman W. Jenkins

E dinim se në Shtetet e Bashkuara ekzistonte dëshira për ndryshim, por produkti i zgjedhjeve presidenciale të 8 nëntorit është rezultat edhe i dy të panjohurave të rëndësishme. E para, ishte nëse votuesit do të kishin kurajën për të marrë parasysh një rrezik të paprecedent si zgjedhja e Donald Trump. E dyta, nëse do të duronin agresionet e furishme e mjeteve të informimit. Siç e demonstroi ecuria e titujve të bursës pas 8 nëntorit, Trump e ka nisur mirë, duke i siguruar tregjet mbi faktin se zgjedhja e tij nuk përbën fundin e botës. Presidenti i zgjedhur mund të hedhë gjithçka në erë dhe bile me shpejtësi nëse do të vendoste që t’i tërhiqte Shtetet e Bashkuara në një luftë raprezaljesh dhe hakmarrjesh me partnerët e mëdhenj tregtarë e Shteteve të Bashkuara. Por ndjesia është se nuk do ta bëjë një gjë të tillë.
Premtimi më popullor i tij, ndërtimi i një muri në kufirin me Meksikën për të penguar hyrjen e emigrantëve, do të jetë i vështirë për t’u realizuar. Trump do të tregojë genplane, modele dhe projekte, por ndërkohë do të negociojë me Meksikën një rishikim (që mund të jetë i dobishëm) të NAFTA-s, traktatin e shkëmbimit të lirë midis Meksikës, Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara dhe në fund do të thotë se ka arritur atë që donte. Për sa u përket raporteve me Kinën, Trump do të kënaqet që të fitojë çështjet lidhur me importimin e çelikut dhe të aluminit tashmë në proces në gjykatat amerikane dhe ndërkombëtare. Për të realizuar të paktën një prej premtimeve të fushatës së tij elektorale, ka probabilitet që në 6 muajt e parë Trump do të bëjë diçka kundër emigrantëve të parregullt. Por qysh përpara se të zgjidhej, Trump po ndërtonte një imazh të ri, atë të njeriut që do të rilançonte rritjen ekonomike. Vetë fakti që është zgjedhur i jep fund luftërave të kryera me goditje ligjesh nga Barack Obama kundër sektorëve të gjerë të ekonomisë amerikane. Një reformë fiskale e frymëzuar nga idetë klasike të Partisë Republikane, me përqindje interesi më të ulëta dhe me më pak “shtigje dalëse”, mund të jetë lajm i mirë. Ata që teorizojnë një ekonomi përjetësisht në depresion nuk gabojnë të preokupohen për sfidat e ngritura nga ndryshimet demografike dhe nga borxhi. Por nëse me ligjet fiskale dhe politikat në fuqi kemi pasur një rritje prej 2 për qindësh, me politika fiskale më të mira do të mund të shkonim pa problem tek 3 për qindëshi. Trump duhet ta kapë këtë rast të shkëlqyer. Për të shmangur që presidenca e tij të flaket tej nga skandali i parë apo nga fantazma e parë e së kaluarës, duhet të kërkojë që të arrijë një sukses në frontin e rritjes ekonomike.
Gjithsesi, ekziston një paqartësi e madhe që i detyrohet debitimit të ekonomive europiane, të Kinës dhe të Japonisë, që mund të shpërthejë një krizë financiare globale në çdo moment. Ilaçet populiste, të cilave Trump mund t’u drejtohet për të forcuar presidencën e tij, të shkaktojnë të rrëqethura. Mike Mayo, analist i sektorit bankar i grupit të investimeve Credit Lyonnais Securities Asia, ka deklaruar se rezultati i 8 nëntorit i ka dhënë fund krizës financiare të 2008, në kuptimin që ka mbyllur epokën e veprimeve ndëshkuese të qeverisë ndaj biznesit. Siç do të duhej ta kishin mësuar qysh në vitet tridhjetë të shekullit të kaluar, këto veprime nuk bëjnë gjë tjetër veçse e zgjasin vuajtjen. Fatkeqësisht, vlerësimi i Mayo mund të jetë i parakohshëm. Nëse realizohen, shumë prej premtimeve të bëra nga Trump në fushatë elektorale do të ishin kundërprodhuese: nisja e një lufte tregtare me Kinën, kundërvënia ndaj delokalizimit të fabrikave me të cilat kompani amerikane si Ford dhe Carrier kërkojnë të ruajnë kompetitivitetin e tyre në nivel global, bllokimi i shkrirjes midis AT&T dhe Time Warner, sulmimi i Amazon për shkak të një rrengu misterioz që kreu i kompanisë Jef Bezos i ka bërë Trump. Për këtë arsye, bumi i tregut të bursës që ka mirëpritur presidentin e ri është i rëndësishëm. Do të inkurajonte impenjimin e Trump në favor të rritjes më shumë sesa dëshirën e tij për hakmarrje.
Duke imagjinuar se Trump nuk është aspak gallof, rreziku kryesor në këtë moment shprese mund të vijë nga demokratët, të cilët të larguar nga pushteti në Uashington dhe në vështirësi të madhe edhe në shtete të veçantë, mund të vendosin të adoptojnë qasje obstruksioniste. Objektivi i tyre: interesat financiare të Trump dhe denoncimet që rëndojnë mbi të, të cilat Partia Demokrate do t’i shfrytëzojë për të paralizuar komandantin e përgjithshëm të ri. Edhe pas fitores elektorale, Trump sulmohet akoma pse nuk ka bërë publike deklarimin e të ardhurave të tij. Por e vërteta është se asnjë president i Shteteve të Bashkuara nuk ka pasur ndonjëherë ndonjë deklarim të të ardhurave si ai i Trump, nga mund të shkosh në pjesëmarrjet e tij në qindra aktivitete biznesore. Dhe nuk ka pasur kurrë president si ai, sipas vlerësimeve të “USA Today”, të përfshirë në 75 procese në ngarkim të lidhur me aktivitetet biznesore të tij. Jo të gjithë këto procese janë të parëndësishme. Për shembull, prokurori i New York, haptazi i anshëm, do të shtyjë një aksion ligjor kundër pronarit të Trump University. Ky është efekti i padëshiruar, të cilin votuesit nuk e kishin menduar. Do të jetë një test i rëndësishëm për të kuptuar nëse shoqëria amerikane, me tepritë burokratike dhe rregullimin e saj, është një vend ku një njeri që ka kaluar një jetë interesante jashtë politikës mund të bëjë ose jo Presidentin.

“The Wall Street Journal”

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Qeveria shkurton fondet për Presidencën me 9 milionë lekë

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se nga 483 milionë lekë që ishte në vitin 2013, buxheti i Kryeministrisë vitin e ardhshëm do të arrijë në 3.7 miliardë lekë.
Ky është rekordi më i madh buxhetor i qeverisë së majtë. Rritja e buxhetit të institucionit që drejton ka qenë një nga politikat më të preferuara të Edi Ramës. Nëse analizon të gjithë buxhetet e Kryeministrisë në katër vitet e fundit, trajektorja është e njëjtë: fondet vetëm rriten, ndërkohë që institucionet e tjera kryesore të shtetit nuk e kanë këtë fat. Për Presidencën, fondet nga buxheti do të ulen me 900 mijë lekë në vlerë nominale, nga 201.9 milionë lekë që janë këtë vit në 201 milionë lekë vitin e ardhshëm.
Përfaqësuesi i institucionit të Presidentit kërkoi në Komisionin e Ligjeve që t’i rritet buxheti, pasi nuk ka fonde për të organizuar aktivitete. Teksa u ankua para ligjvënësve në Kuvend dhe kritikoi qeverinë, për sa i përket trajtimit financiar nga buxheti i shtetit, Nishani, nëpërmjet sekretarit të Përgjithshëm të Presidencës, paralajmëroi se nëse nuk i miratohet fondi, atëherë do ta ankimojë buxhetin në Gjykatë Kushtetuese.
“Ne filluam vitin 2016 me një borxh të akumuluar prej 14 milionë lekësh të reja, të mbartura, nga aktivitetet e vitit 2015. Kjo situatë na ka detyruar t’i drejtohemi disa herë Ministrisë së Financave edhe për avancim fondesh, edhe për rialokim fondesh, por edhe për fonde shtesë”, deklaroi sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, Florjan Nuri, në Komisonin parlamentar të Ligjeve.
Por kërkesa e Presidentit shkaktoi reagime të forta tek deputetët e mazhorancës. Erjon Braçe e akuzoi Presidentin për shantazh pse kërkoi 20 milionë lekë shtesë, ndërkohë që shefi i tij politik në qeveri i ka 8-fishuar buxhetin vetes.

Fitimet e KESH ranë me 7% për 9-mujorin

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare shënoi një fitim neto prej 797 milionë lekësh gjatë periudhës 9-mujore, me një rënie vjetore prej 7%. Rënia e fitimeve lidhet me uljen e të ardhurave nga shitja e energjisë elektrike.
Sipas të dhënave zyrtare të kompanisë, të ardhurat e periudhës ishin 13.3 miliardë lekë me një ulje 31% krahasuar me 9-mujorin e 2015-s.
Nga këto të ardhura, KESH shpenzoi 8.1 miliardë lekë për blerjen e energjisë dhe mbi 1 miliard lekë për shpenzimet e personelit. Gjithashtu zhvlerësimi i aseteve të kompanisë shënoi një vlerë negative prej 2.1 miliardë lekësh.
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) është prodhuesi publik dhe në të njëjtën kohë, prodhuesi më i madh i energjisë elektrike në Shqipëri. KESH ka nën administrim impiantet kryesore të prodhimit të energjisë elektrike në vend. Këto asete përbëhen nga hidrocentralet e Kaskadës së Drinit, (HEC Fierzë, HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës) me një fuqi të instaluar prej 1,350 MW, dhe TEC Vlora me fuqi të instaluar prej 98 MW.
Kaskada e ndërtuar mbi pellgun e lumit të Drinit është më e madhja në Ballkan, si për nga kapaciteti i instaluar ashtu edhe nga madhësia e veprave hidroteknike. Duke pasur në funksionim 79% të kapaciteteve prodhuese në vend, KESH furnizon rreth 70-75% të kërkesës për energji elektrike të klientëve tariforë, siguron energjinë e nevojshme për mbulimin e humbjeve në sistemin e transmetimit, si dhe nëpërmjet energjisë balancuese e shërbimeve ndihmëse garanton sigurinë e sistemit energjetik shqiptar. Gjithashtu, KESH ka përgjegjësinë për administrimin, operimin korrekt dhe garantimin e sigurisë teknike e operacionale të veprave energjetike që administron. KESH, jo vetëm është një nga prodhuesit e energjisë elektrike nga burimet hidrike më të rëndësishëm në rajon, por konsiderohet edhe një faktor me ndikim rajonal për sa i përket sigurisë së veprave hidrike.