12.2 C
Tirana
E martë, 13 Maj, 2025

Holanda: Policia bashkëpunon me krimin

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe Policia e Shtetit kanë qenë shpeshherë në qendër të akuzave për korrupsion dhe për përfshirje në trafiqe. Një studim i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, i mbështetur nga Ministria e Jashtme e Holandës ka gjetur se policia shqiptare është institucioni më i korruptuar në vend.
“Në një mjedis me korrupsion të përhapur, policia ka qenë një ndër institucionet më të ekspozuara dhe më të prekura nga korrupsioni. Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme në këtë drejtim, korrupsioni policor në Shqipëri nuk ka shënuar ndonjë ulje të ndjeshme”, thotë studimi.
Sipas studimit ‘Integriteti dhe Korrupsioni Policor në Shqipëri’, forma më e përhapur e korrupsionit mbetet ryshfeti, ndërsa ka rritje edhe të formave të tjera. Të tilla janë bashkëpunimi me elementë kriminalë i punonjësve të policisë, përfshirja në trafik droge dhe manipulim i provave.
Ka patur jo pak raste të zbuluara që punonjës policie kanë qenë të përfshirë në trafikun e kanabis sativës në vend. “Llojet e korrupsionit që kanë shënuar rritje më të lartë janë bashkëpunimi me krimin, përfshirja në trafiqe, manipulimi i provave dhe prokurimet korruptive”, vijon artikulli.
Në këtë studim holandez theksohet gjithashtu se, ka një tendencë në rritje të shkeljes së rregullave për emërimet dhe gradimet në detyrë në Policinë e Shtetit.
“Po ashtu, ka rritje të perceptimit të korrupsionit dhe shkeljes së rregullave të Policisë në lidhje me rekrutimet, emërimet dhe gradimet. Lufta ndaj korrupsionit dhe përpjekjet për parandalimin e korrupsionit nuk kanë dhënë rezultate në drejtim të forcimit të kulturës së integritetit si instrument për t’i rezistuar tundimit për abuzim me të drejtat dhe privilegjet që ofron profesioni i policimit”.
Edhe vet brenda radhëve të policisë shqiptare, punonjësit besojnë se, Policia e Shtetit përdoret për qëllime korruptive, evidenton studimi, duke theksuar se ky është një perceptim në rritje.

Drogë nga Shqipëria në Itali, 17 në pranga

Shkatërrohet banda e drogës shqiptaro-italiane, ndërsa në pranga kanë përfunduar 17 persona. Të paktën 150 forca policore në Modica, Provinca e Raguzës, janë angazhuar në një operacionin mëngjesin e djeshëm, ku u arrestuan shqiptarë, italianë dhe tunizianë, me urdhër të Prokurorit të Anti-Mafias të Catanias, si rezultat i kërkimeve të kryera. Ndërkohë, 17 persona të tjerë janë shpallur në kërkim.
“Corriere Della Sera” shkruan se, sipas hetuesve të çështjes, anëtarët e këtij klani kriminal kishin krijuar një lidhje për kontrollin e droga që vinte nga Shqipëria për në provincën e Raguzës.
Në operacionin policor ishin angazhuar 150 punonjës, 70 makina, 1 helikopter, Njësitë e Departamentit të Parandalimit të Krimit dhe 12 operatorë të Policisë Shkencore. Ndërkohë, deri më tani, për arsye hetimi, nuk janë bërë të ditur emrat e të arrestuarve.
Ndërkohë, policia italiane arrestoi një ditë më parë pas shumë kërkimesh, Zamir Dajkaj, një shqiptar të konsideruar si bosi i grupit mafioz “Barcellona” të Siçilisë, pjesë e klanit “Mazzarota”. Ai ishte shpallur në kërkim dy vjet më parë, pasi ishte dënuar me 11 vjet burg për trafik droge dhe disa vepra të tjera të rënda kriminale.
43-vjeçari u arrestua pas një operacioni të madh policor, ku u përfshinë dhjetra forca policore dhe helikopterë të Karabinierisë. Dajkaj u kap në Terme Vigliatore, në një banesë luksoze. Ai kishte edhe disa shtëpi të tjera që menaxhoheshin nga bashkëshortja e tij.

Vdes mes flakëve 2-vjeçarja në Babrru, shpëtohet i vëllai

Një fëmijë 2 vjeç, i një familjeje të komunitetit rom gjeti vdekjen si pasojë e një zjarri të rënë në barakën ku ata jetonin, në lagjen Shpat, Babrru të Tiranës. Shkak i rënies së zjarrit, sipas burimeve të policisë dhe zjarrfikësve dyshohet se është bërë një furnellë elektrike me të cilën nëna e fëmijës ka qenë duke gatuar.
Vajza dy vjeçare, po flinte në kasolle në momentet kur ka shpërthyer zjarri, që fillimisht është provokuar nga furnella e më pas është përhapur edhe nga një bombul gazi, që shërbente për gatim. Trupi i pajetë i vajzës së mitur u nxor nga zjarrfikësit dhe policia. Për fat të mirë, djali më i madh i familjes, një 4-vjeçar, arriti të shpëtonte.
Burimet thanë se, ka dyshime se flakët mund të jenë shkaktuar nga rezistenca që ishte lënë ndezur. “Ngjarja është tepër e rëndë. Këtu është shkrumbuar çdo gjë. Familja kishte tre vjet që jetonte me qira. Ajo përbëhej nga 4 anëtarë dhe kryefamiljari nxirrte të ardhurat duke mbledhur kanaçe”, tha një burim.
Banorë të zonës thanë se, prindërit kishin dalë për të mbledhur mbetje të riciklueshme, nga shitja e të cilave siguronin të ardhurat e familjes. “Zjarri ka rënë rreth orës 8:30, po ajo familje është vetë i katërt. Prindërit ishin duke mbledhur kanaçe në rrugë. Ata kanë ndenjur në atë barakë dhe dërrasat që i ka mbledhur aty i ka mbledhur për të ngrohur fëmijët për dimër”. Këtë barakë ata e kishin marrë me qira prej disa muajsh.
Nëna e foshnjës 2 vjeçe e cila humbi jetën, pasi baraka ku ajo jetonte u dogj ka rrëfyer momentet e tmerrit. E ëma e dy fëmijëve kishte vendosur ujë për të ngrohur në bombul që të lante fëmijët, por më pas dëgjuan shpërthimin.
Mos lotëve nëna e vajzës së mitur akuzon zjarrfikëset që sipas saj kanë ardhur dy orë me vonesë, ndërsa thotë se askush nuk i ndihmoi. “Kishte vënë bombulën për të ngrohur ujin për të larë kalamajtë dhe erdhi te mua për të pirë kafe, plasi bombula. Në atë moment lajmëruam policinë, asnjë nuk ka ardhur. Dy orë në flakë. Po të kishte mundësi të kishte ardhur zjarrfikësja mua do më kishte shpëtuar fëmija. Kemi pritur dy orë zjarrfikësen. U mundova vetë, por nuk kisha si ta shpëtoja. Pas dy orësh erdhën kur m’u dogj goca. Çi doja pas dy orësh unë, kur më iku fëmija”, u shpreh nëna e 2-vjeçares.

Kapet me 16 kg drogë në Breshia

Policia e Breshias ka arrestuar një 31-vjeçar shqiptar, të cilit iu gjetën në banesë rreth 16 kg lëndë narkotike. Sipas mediave italiane në banesën e 31-vjeçarit shqiptar u gjetën 4 kg kokainë e pastër dhe 12 kg marijuanë. Forcat italiane kanë gjetur edhe 2 pistoleta dhe rreth 600 municione të ndryshme. 31-vjeçari raportohet se ka qenë një person me precedentë penalë dhe u arrestua pas një hetimi të nisur pas sinjalizimeve se në banesën e tij kishte lëvizje të dyshimta.

KLSH në Rrogozhinë për fondet e rrugëve

Një ekip auditimi nga KLSH ka zbarkuar sot në Bashkinë e Rrogozhinës pas shqetësimit të banorëve të këtij qyteti për pezullimin e punimeve në qendër të tij. Burime pranë Bashkisë bënë të ditur se, KLSH ka kërkuar gjithë dokumentacionin që lidhet me këto punime.
Ndërkohë, banorët një ditë më parë shprehën edhe shqetësimet të tjera që lidhen me mosmbajtjen e premtimeve në fushatën zgjedhore nga kryetari i Bashkisë, Beqir Nuredini, për kanalet vaditëse dhe kulluese si dhe kanalizimet e ujërave të zeza dhe të bardha.

Aktivistja i zbraz salcën në kokë Lindita Nikollës

Aktivistja e Lëvizjes “Për Universitetin”, Mirela Ruko, nuk ka hezituar, por ka derdhur një shishe me salcë në kokën e ministers së Arsimit, Lindita Nikolla. Ka qenë kjo shenjë e protestës që vajza 20-vjeçare ka shprehur ndaj ministres, e cila pretendon të ketë reformuar sistemin tonë arsimor. Akoma më të rëndë e bën pozitën e ministres, fakti se ajo ka qenë pjesëmarrëse në Samitin Studentor të FRESSH. Në video shfaqet vajza, e cila afrohet qetësisht tek vendi ku ishte ministrja dhe i zbraz në kokë të gjithë shishen që ajo kishte me vete. Vajza më pas është shoqëruar në Komisariatin Nr. 1 të Tiranës, ku është marrë në pyetje nga agjentët e policisë, ndërsa pjesëtarë të tjerë të lëvizjes protestonin jashtë Komisariatit Nr.1. Mirela Ruko është një studente nga Fieri, pjesë e grupit i cili një vit më parë qëlloi Edi Ramën me vezë, pranë Fakultetit të Shkencave Sociale. “Në Ditën Ndërkombëtare të Studentëve, aktivistët e Lëvizjes “Për Universitetin” kryen një aksion simbolik kundër ministres së Arsimit, Lindita Nikolla. E spërkatën me salcë, duke i bërë për një moment atë çka ajo dhe qeveria shqiptare i kanë bërë jetës universitare publike prej kohësh: shprishjen”, deklaroi Lëvizja në Facebook. “Prandaj ne kemi kërkuar dhe kërkojmë dorëheqjen e ministres Nikolla”, shkruhej në deklaratë. Në videon e postuar në profilin në Facebook të Lëvizjes “Për Universitetin”, shfaqet aktivistja, e cila i afrohet ministres së Arsimit dhe derdh salcë mbi të. “Veprimi i aktivistes sonë ishte një akt ndaj përgjegjësisë së shmangur të ministres Nikolla ndaj reformës së dështuar në Arsimin e Lartë, sistemit kaotik të Maturës Shtetërore dhe favorizimit të dukshëm të universiteteve private”, thanë pjesëtarë nga Lëvizja “Për Universitetin”. Aktivistët u kanë bërë thirrje studentëve të mblidhen përpara Komisariatit Nr. 1 në Tiranë, ku është shoqëruar aktivistja që hodhi salcën ndaj ministres për të kërkuar lirimin e saj. Lëvizja “Për Universitetin” është një grupim i aktivistëve studentorë, të cilët kërkojnë reformimin e universiteteve në Shqipëri për të ofruar arsim të lartë falas dhe pavarësi të universiteteve nga ndikimi shtetëror. Që prej qershorit 2014, aktivistët kanë protestuar vazhdimisht kundër vendimeve të Ministrisë së Arsimit. Kaosi i pranimit të universiteteve shtetërore që erdhi pas ndryshimit të skemës së regjistrimit në fakultete në minutën e fundit, ka shkaktuar gjithashtu pakënaqësi të madhe te maturantët dhe studentët në vend, ndërsa Lëvizja e quajti skemën të dështuar dhe kërkoi dorëheqjen e ministres Nikolla.

Kush është Mirela Ruko

Mirela Ruko është 24 vjeçe nga Fieri, aktiviste e Lëvizjes “Për Universitetin”, ka mbaruar vetëm 3 vite Bachelor dhe më pas ka ndërprerë studimet për Master, pasi i duhet të punojë për të mbledhur 200 mijë lekë të reja, për të paguar tarifën e vënë pas miratimit të Reformës në Universitete, këtë të fundit ajo ka qenë ndër zërat që e ka kundërshtuar më fort. Mirela Ruko trego në një emision televiziv historinë e vështirë të jetës së saj: “Babai im ka punuar në një punë pa siguracione. Aktualisht, im atë ka probleme fizike dhe nuk mund të punojë. Mami im është ajo që kujdeset për të. Duke qenë se nuk ka pasur siguracione, nuk merr asnjë asistencë, apo ndihmë ekonomike, janë dy prindër pa punë, të cilët kanë 3 fëmijë në shkollë. Gjatë momenteve që unë kam mbaruar Maturën Shtetërore, prindërit e mi më thanë që unë nuk kisha mundësi të vazhdoja universitetin. Unë qaja , por gjithsesi thosha që unë do të vazhdoj. Dhe kur fitova shkollën, prindërit e mi më thanë që kishin marrë lekë borxh që unë të vazhdoj studimet universitare. Unë ja u kisha bërë të ditur prindërve, që nëse nuk gjenin mundësi do të largohesha nga shtëpia, për të gjetur një mënyrë se si të vazhdoja shkollën e lartë. Në vitin e parë erdha në shkollë, një vajzë e cila vinte nga një fshat i Fierit, përballë një Tirane kaotike. Duhet të gjeja punë, por nuk kisha mbështetje”, është shprehur Mirela. Më tej, studentja rrëfen se ka qenë shumë në vështrirësi saqë as lekët për konvikt nuk mund t’i bënte dhe kështu u detyrua të jetojë me disa shoqe në shtëpi me qira. “Me 50 mijë lekë të vjetra kam ardhur në Tiranë ditën e parë”, shprehet ajo. Po ashtu në këtë rrëfim të gjatë, Mirela tregon gjithë vështirësitë dhe thotë se disa prej shoqeve të saj e kanë ndihmuar me ushqime. “Babi im kur ka shkuar për të kërkuar bursë është nxjerrë jashtë, madje është qëlluar nga kryetari i komunës”, rrëfehet me lotë në sy përpara disa muajsh Mirela Ruko.

Rama arrogancë ndaj opozitës, Opozita betejë në Parlament

Arroganca e shfaqur dje e Edi Ramës dhe enturazhit të deputetit që ka rreth tij nuk ishte e zakontë. U mundua me gjithçka që kishte në dorë për të bllokuar fjalën e ish-kryeministrit Berisha. Madje nervozizmi i tij u pa dhe ndaj kryetares së seancës Valentina Leskaj, e cila megjithëse u tregua e bindur ndaj urdhrave të shefit, sërish nuk i shpëtoi dot inatit të tij. Kamerat kapën një çast nervozizmi teksa Rama i hakërrehej nënkryetares së Kuvendit, e cila dje kishte zëvendësuar Ilir Metën, që mungoi përgjatë gjithë seancës.

Seanca

Seanca e djeshme që në fillim nisi e tensionuar. Valentina Leskaj, urdhëroi teknikën të priste zërin teksa fliste ish-kryeministri Berisha. Diskutimi i Berishës kishte të bënte me akuzat e ngritura nga mazhoranca për çështjen e integrimit. “Ju në vend që të shprehni një vlerësim, vini në bankën e të akuzuarve opozitën. Në rast se u mor rekomandimi, u mor se u votua nga ana e opozitës Reforma në Drejtësi. Nëse nuk ju hapën negociatat, nuk ju hapën se keni këtë sjellje. Ju dilni këtu, mashtroni, trilloni dhe thoni shpëtuam shpirtin. Por shpirti nuk shpëtohet me mashtrime”, tha Berisha. Ishte ky momenti që Leskaj urdhëroi teknikën t’i ndërpritej fjala, me urdhër të Kryeministrit Rama. Leskaj do të justifikohej se ndërprerja e kohës u bë, pasi Berisha e kish marrë fjalën për procedurë dhe do fliste një diskutant tjetër dhe do e merrte fjalën sërish. Por pikërisht, kur duhej që ish-kryeministri të merrte fjalën, Valentina Leskaj thirri kryeministrin në foltore. Deputetët e opozitës, kërkuan që të respektohej Rregullorja e Kuvendit. Ishte deputeti i PD Flamur Noka, ai që u ngrit drejt foltores së Kuvendit, duke kërkuar nga ana e kryetares së Kuvendit, respektimin e asaj që kish anonçuar vetë. Në  foltoren e Kuvendit u ngrit dhe kryeministri Rama, ndërkohë që Leskaj, pasi i mori leje shefit ndërpreu seancën. Pas kësaj, vetë nënkryetarja e Kuvendit do të binte viktimë e inatit të kryeministrit, kur gjatë kohës që ajo iu afrua për të sqaruar pozicionin e saj, ai iu drejtua me nervozizëm me fjalët: “Mbylle gojën, dhe m’u hiq sysh”.

Hakërrimi ndaj Leskajt

Por përse gjithë ajo arrogancë e shfaqur dje nga Rama, në seancën e parë pas kthimit të tij nga Amerika, ku shkoi me shpresën të rregullonte diçka nga ajo që kish deklaruar për Presidentin e zgjedhur Donald Trump. Duket se pas zhvillimeve në SHBA, Rama kërkon të tregojë sërish forcën. Një arrogancë që të kujton periudhën e errët të viteve 1997-2001, kur Kuvendi drejtohej nga Skëndër Gjinushi dhe opozita nuk lejohej të merrte fjalën në seancat plenare. Edi Rama dje u la në baltë dhe nga aleati i tij Meta. Ky i fundit qëndronte vetëm pak metra larg Kuvendit,  diku në afërsi të ushtarit të panjohur, duke pozuar me Veliajn.

Asnjë fjalë për viktimat e përmbytjeve

Sali BERISHA

Njeriu që mbart vetëm ligësira, sherre dhe intriga bën gjithçka që, në një kohë kur një pjesë e mirë e qytetarëve të vendit jetojnë në dhimbje të mëdha, në terror të vërtetë nga përmbytjet që pësuan, nga shembjet masive të tokës, nga ndihma zero ndaj institucioneve të këtij vendi, kërkon tani që me sherre dhe intriga të mbulojë qëndrimet e tij fund e krye të papërgjegjshme.
Së pari, mendja ime, zemra ime, shpirti im, është tek ata mijëra e mijëra familje në të katër anët e Shqipërisë, nga Gjirokastra në Tropojë, të cilët u përmbytën, përjetuan vërshime të egra të lumenjve, përrenjve dhe inekzistencën totale të ekzekutivit shqiptar. Dhe jo vetëm inekzistencën, por talljen, përçmimin, cinizmin e pashembullt në një kohë kur ata lëngonin me fëmijët e tyre nën ujë, me gjënë e gjallë të tyre të mbytur, me ujin e futur deri në katet e para e më lart. Kreu i ekzekutivit në vend se të ishte me ta dhe mbas tyre, ja mbathi, çau ferrën për në Neu York, për ekspozitën e zhgarravinave të tij. Kam vite e vite që flas për zhgarravina, por ja faktoi Prof. Etem Ruka, shpresoj t’u vijnë mendt edhe ju, se çfarë çon ky (Rama) nëpër ekspozita.
Të shkosh në Neu York e të lësh të mbytur, të lësh nën një kërcënim fatal, banorët e deltës së Vjosës, të lësh të përmbytur me mijëra hektarë tokë, të lësh fshatra të tëra dhe lagje në Tiranë, duhet të jesh shpirtkazëm si ky këtu, i cili nuk ka keqardhje njerëzore. Harrojeni ju. Janë një kategori njerëzish që për shkak të proceseve psikike, të sëmundjes psikike që kanë nuk ndiejnë kurrë keqardhje.
A ju kujtohet mëngjesi i datës 4 nëntor, kur një super kriminel shtriu në çimento dhe ju mori jetën katër të rinjve? Dhe zotëria e tij dilte dhe i jepte tapetin e kuq nënës së tij vetëm se ishte e sojit të vet, dhe s’gjeti një fjalë për t’i shprehur ngushëllimin katër viktimave. Një fjalë për të thënë për ta nuk gjeti, një fjalë për të dënuar krimin e shëmtuar, por u shiste shqiptarëve heroizmin e Luizës.
A nuk ishte ky njeri që bëri mbledhjen e Këshillit të Emergjencës, foli broçkulla, por s’tha një fjalë për tre viktimat, sikur të ishin viça e jo qenie njerëzore që humbën jetën, që lanë jetimë, që shkretuan shpirtëra e zemra familjarësh. Nuk mundej kreu i ekzekutivit t’u çonte qoftë dhe një fjalë ngushëllimi. Për të përkundrazi, shkuarja në Neu Jork ishte veprimi më i lavdërueshëm. Madje dhe pjesëmarrja në demonstratat anti-Trump, ishte dhe ky një heroizëm i veçantë.
Përgënjeshtronte mediat nga Nju Jorku që thoshnin se demonstratat i kishte organizuar Sorosi, pyeste demonstruesit që thoshnin “nuk na ka organizuar askush”, a thua se ky ishte problemi i shqiptarëve të përmbytur.
Është mëkat të merresh me gjëra të tjera në seancë. Po ky s’të lejon. Kthehet nga Nju Jorku, vrapon në asnjë nga zonat e përmbytura, por shkon në Mirditë e gjen Ndrecën ku i thotë “rrofsh e qofsh o Enver se na ke sjellë pllaka sa për 25 vite! Por Ndreca i tij i thotë: Jo për 25 vite, po për 40 vite!!!” kur as sa 1/3 e rrugës Rrëshen-Perlat nuk ka investuar në Mirditë. Si një Nastradin shkon mbulon mashtrimet e vjetra me mashtrime të reja.
Shkon në Shijak përsëri: 9 projekte! E çfarë ishin ato?! Nuk shkon të takojë të përmbyturit në Rrushkull, Katund të Ri….- Ku jeni ju deputetët e zonës? Se ju nuk shkelni dot te zgjedhësit, keni fituar një urrejtje patologjike. E dini se ka akoma zona nën ujë në Durrës? Foli për bujqësi, zbuloi pas 4 vitesh se uji shkon tek parcela, ndërkohë që deri sot nuk ka prurë ujë në asnjë parcelë, asnjë kanal të ri apo sistem vaditjeje.
Përkundrazi, projektin që kishim me BB prej 60 milionë eurosh, që e lamë gati, e ka shtyrë për shkak të prokurimeve, deri sa e ka rrjepur dhe e ka mjelë, për tre vjet. Paçka se kishte premtuar se do të investonte 140 milionë USD vetëm në vaditje, nuk ka investuar deri sot as 10 milionë USD! Shkon dhe i parashtron fshatarëve premtime të reja. A nuk je ti që u the fshatarëve se do u pesëfishoje grantet për bujqësinë dhe i bllokove ato totalisht? A e dini se në Myzeqe po e shesin kilen e domateve 200-300 lekë të vjetra? A e dini sa është çmimi i kostos? Shitet domatja në tetor sot aq sa shitej në kulmin e saj në gusht, sepse i hapët doganat, sepse vrisni prodhimin vendas, sepse si jepni asnjë mbrojtje, sepse me dogana mbushni xhepat më kollaj.
Ju vidhni në dogana dhe shkatërroni prodhimet vendase.

Austria: Zgjedhjet, kusht për hapjen e Negociatave

Sekretari i Përgjithshëm i Punëve të Jashtme të Austrisë, Michael Linhart, ka përmendur zgjedhjet e vitit 2017 si standard për negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë. Ai pranoi gjithashtu se, Greqia dhe Holanda janë kundër hapjes së negociatave në dhjetor. Megjithatë, ai vlerësoi se vendi ka bërë progres. I pyetur nga gazetarët në një konferencë për shtyp me ministren e Integrimit, Klajda Gjosha, ai dha këto përgjigje.
-Zoti Linhart, ju e vlerësuat Shqipërinë një partner, por çfarë qëndrimi do të mbajë Austria në dhjetor? Znj. Gjosha, a ka ndonjë vend që është shprehur kundër hapjes së negociatave?
Siç e përmenda, ne jemi në favor të hapjes së negociatave. Megjithatë do të priten konkluzionet e Këshillit dhe ne do të përpiqemi të bindim partnerët tanë të mbajnë një qëndrim pozitiv për këtë.
Për vendet skeptike unë do të rikujtoja se ky është një proces. Shqipëria e ka marrë një rekomandim pozitiv me një kusht që ne ia kemi vendosur vetë vetes, vazhdimësinë e zbatimit të Reformës në Drejtësi me rezultate të prekshme dhe zbatimin e ligjit të Vettingut.
-Zoti Linhart! Unë po unë do përmendja dy vende skeptike për negociatat,  Holandën dhe Greqinë, a do të ndërhyni ju në këtë proces?
Nëse një vend ka bërë progres, ne e vlerësojmë atë dhe Shqipëria ka bërë; ne e vlerësojmë atë ecuri dhe ndaj i ndihmojmë këto vende, por duhet të na ndihmojnë edhe ato.
-Zoti Linhart! Ku konsistojnë rezervat më të mëdha ndaj Shqipërisë deri tani?
Në fakt, rekomandimet janë të qarta, ndryshime në opinione ka dhe do të ketë. Por gjithçka mbetet në duart e Shqipërisë. Ky vit na çon edhe drejt zgjedhjeve. Nëse zgjedhjet do të përmbushin standardet e duhura nuk mendoj se do ta pengojnë këtë rrugë të Shqipërisë”.

Lidhja e Ramës dhe Veliajt me mafien Ndragheta për plehrat

Ish-Kryeministri Berisha denoncoi dje në Parlament lidhjet direkte të Ramës dhe Veliajt me kompaninë mafioze italiane të lidhur direkt me organizatën mafioze Ndragheta. Berisha ka paraqitur në Parlament foto dhe dokumente që zbërthejnë aksionet e mafiozëve italianë në kompaninë që Rama i ka dhënë monopolin e plehrave në Tiranë.
“Pse nuk vjen dekreti i plehrave këtu? A nuk është kjo një shkelje e Kushtetutës, e cila detyron përparësi absolute në trajtimin e dekreteve. E dini pse? Ja u them unë çfarë ndodh. Sepse këtu ka një miksturë të tmerrshme të mafies shqiptare me mafien italiane, të denoncuar zyrtarisht jo vetëm nga pala shqiptare, por dhe nga pala italiane, nga autoritetet italiane.
Më 22 qershor 2016 u themelua në Tiranë kompania “Eco Albania”.
Kjo kompani është bashkëpronësi e Bashkisë së Tiranës (51%) dhe kompanisë ‘ASGM Holding Albania’ (49%).
Aktualisht, kjo kompani ka një kontratë ekskluzive me Bashkinë e Tiranës, që synon ingranimin e saj në formë monopoli në trajtimin e mbetjeve të qytetit.
Aksionari AGSM-Holding-Albania në dukje është një kompani e Bashkisë së Veronës, por zbardhja e interesave përbërës të kësaj kompanie zbulon se ajo është e ndarë në: AGSM Verona – 75% dhe AMIA – Verona 25% Kompania AMIA-Verona përfaqësohet nga shtetasi Andrea Miglioranzi dhe është kompani private, e cila ka një akses të veçantë në Bashkinë e Veronës.
Zoti Miglioranzi më herët ka qenë i përfshirë si përfaqësues i disa kompanive të tjera italiane, të cilat janë hetuar nga Prokuroria italiane si kompani nën kontrollin e organizatës kriminale ‘Ndragheta’.
Biznesmeni Miglioranzi është njeri tepër i afërt i kryebashkiakut të Veronës, Flavio Tosi.
Kryebashkiaku Tosi nga ana tjetër ka qenë subjekt i një skandali mediatik, sepse pak kohë pasi ai kishte mohuar çdo lidhje me organizatën ‘Ndragheta’, në media u publikua një foto e tij, ku pozonte në një përqafim vëllazëror me shtetasin Antonio Giardini, i cili konsiderohet si lojtar i rëndësishëm i organizatës mafioze.
Aktualisht Bashkia e Veronës dhe kompanitë AGSM-Verona dhe AMIA-Verona dyshohen si kompani nën tutelën e organizatës ‘Ndrangheta’.
Ka pasur disa sinjale në media dhe në dosje hetimore që lidhin personazhet, ndonëse një hetim më i thelluar do të nevojitej për të verifikuar dhe dokumentuar më qartë përfshirjen e interesave të organizatës mafioze në këtë histori.
Nga ana tjetër, nëpërmjet pamjeve filmike dhe dokumenteve zyrtare, rezulton se ingranimi i ‘klanit Veronez’ në projektin e riciklimit ka nisur në vitin 2014, kur deputeti rilindës Artan Gaçi shkoi në Verona dhe kërkoi zyrtarisht mbështetjen në kompaninë AMIA-Verona, për të hyrë në Shqipëri.
Vizita e Gaçit u pasua nga dy vizita të Edi Ramës, i cili u takua në Itali me kryebashkiakun e Veronës Tosi. Ky i fundit erdhi më pas në Durrës ku u fol për një projekt kulturor, por interesat e vërteta të takimeve lidheshin me biznesin e riciklimit.
Pas takimeve me Ramën, kryebashkiaku i Veronës Flavio Tosi, nisi kontaktet me Erion Veliajn dhe dy bashkitë nënshkruan dhe marrëveshjen mes tyre dhe krijuan kompaninë e përbashkët ‘Eco Tirana’.
Indiciet, dokumentet publike, fotot e publikuara, hetimet e disa personazheve të lidhur nga Prokuroria italiane, çojnë në gjurmët e implikimeve të organizatës ‘Ndragheta’, duke ngritur dyshime të arsyeshme se Edi Rama ka vendosur të bëjë biznes me këtë organizatë dhe t’ua japë atyre monopolin e riciklimit.
Të njëjtat kompani italiane kanë dështuar që të aplikojnë të njëjtën skemë në Rumani, Bosnje apo Kroaci.
Ja çfarë thonë mediat italiane: http://www.ilfattoquotidiano.it/2016/07/29/flavio-tosi-la-foto-con-lindagato-opposizione-diceva-di-non-conoscerlo-la-replica-non-me-ne-frega-un-cavolo/2942147/ http://www.verona-in.it/2015/08/30/a4-serenissima-perche-a-tosi-sta-cosi-a-cuore-questa-societa/”. Kjo ishte pjesa më e fortë e deklaratës së Berishës.

Ortaku i Ramës në Verona i gropos plehrat në autostrada

Ish-Kryeministri Berisha ka denoncuar edhe mënyrën se si operon në Verona të Italisë organizata mafioze me plehrat. “A e dini çka bërë ky në Itali? Ka marrë plehrat dhe i ka përdorur për mbushje autostrade, i ka futur nën asfalt. Ja ku e keni (tregon foto) dhe për këtë e ka kryqëzuar drejtësia italiane. Se cila është lidhja e tij me By Pass-in herës tjetër do e keni. Ky do vijë tani të pastrojë plehrat tona.
(të qeshura në sallë) T’ju sqaroj diçka. Italishtja ime është larg së qenuri ajo që duhet të jetë. Por është në atë gjendje sa kurrë në jetën time kurrë nuk kam bërë një orë mësimi italisht. E tëra vjen nga mediat dhe nga latinishtja ku unë kam qenë një student ekselent.
A doli këtu se kush qëndron prapa plehrave? Prapa plehrave qëndron Rama me Ndraghetën, të cilën e sjell në Shqipëri. Tani plehrat italiane nuk do varrosen më në autostradat e Italisë siç ka bërë kompania, por do vijnë të groposen në rrugët e Shqipërisë. Tani rrugët e vendit do shndërrohen në landfille. Kjo është arsyeja pse ju përdorni tenderat, ryshfetin për të kaluar këtu dekretin famkeq në të cilën ju faktoni veten si qeveri e plehut”, tha Berisha.