24.5 C
Tirana
E diel, 24 Gusht, 2025

Bamka, si uturak i Ramës për Drejtësinë

Bamka ka folur sërish dje dhe sërish një hap prapa Ramës. Nuk është tellali i tij. Është më keq akoma. Bamka është uturaku i kreut të qeverisë, përzjerësi i punëve të pista dhe deklaratave qesharake që e bëjnë atë edhe më të rëndomtë në sytë e opinionit. A mund të flasë Bamka për Reformën në Drejtësi? Në kohën që ai drejtonte KLD-në drejtësia u kthye në një institucion që përfitonte honorare për të majmur Bamkën. Allisheverishet për emërimin e një gjyqtari apo të një Prokurori arrinin shuma stratosferike. Ka shumë prej atyre që kanë dhënë këto para dhe që me një drejtësi të pavaur do të jenë të gatshëm për të folur. Ende i djeg shumë shuma prej 70 mijë eurosh që një ish-drejtues në drejtësi i ka dhënë Bamkës dhe që herët apo vonë do të hetohet. Kjo është arsyeja se përse Bamka është shndërruar në një uturak të Ramës për të mos lejuar që në këtë vend të ketë drejtësi të pastër. Ramës dhe uturakut të tij i intereson një drejtësi e kapur dhe që lë jashtë sistemit opozitën, sepse vetëm në këtë mënyrë të dy së bashku mund të mbyllin aferat korruptive dhe kriminale.

Mediu: Vijat e kuqe nuk i vendos Rama, por Komisioni i Venecias

Partia Republikane i kërkoi dje Kryeministrit Rama të respektojë rekomandimet e Komisionit të Venecias për Reformën në Drejtësi, e veçanërisht nenin 88 për vendet e rezervuara. Fatmir Mediu, kreu i PR-së, u shpreh se është Komisioni i Venecias ai që vendos vijat jeshile, duke treguar se cilat janë rrugët e zgjidhjes në rast se partitë politike nuk arrijnë një marrëveshje.
“Partia Republikane deklaron se është në mbështetje të Reformës në Drejtësi. Ne e kemi votuar tashmë atë në çdo nen të saj dhe kemi pranuar dhe vepruar në bazë të dakordësisë politike dhe ndërkombëtare se, rekomandimet e Komisionit të Venecias janë baza e refomës. Reforma në Drejtësi duhet të sigurojë një pushtet gjyqësor të pavarur nga politika dhe të pakorruptueshëm. Të gjithë kemi rënë dakord se vijat e kuqe nuk i vendos Rama, por i vendos Komisioni i Venecias. Ky komision ka përcaktuar dhe vijat jeshile, duke treguar se cilat janë rrugët e zgjidhjes në rast të mosmarrëveshjeve politike”, u shpreh Mediu.
Ka vetëm dhe vetëm një çështje që kërkon zgjidhje: moskapja politike e sistemit të drejtësisë nga mazhoranca socialiste. Opozita është legjitime në të drejtën e saj, t`i bëjë thirrje Partisë Socialiste të respektojë zgjidhjen e dhënë nga Komisioni i Venecias sipas pikës 88. Ajo që kërkon opozita sipas këtij rekomandimi të Venecias është pranuar edhe nga specialistët e OPDAT dhe EURALIUS pranë komisionit që në fillim të këtij viti.
Demagogjia politike se, opozita kërkon që të vendosë ndikim politik mbi sistemin, është e pabazë, për faktin se përzgjedhja nga të gjithë vendimmarrësit politikë, pozitë dhe opozitë, bëhet mbi kritere selektive që në thelb kanë të bëjnë me formimin profesional dhe integritetin e personave që do të zgjidhen, duke përjashtuar çdo person që njihet apo ka informacion për qasje politike.
Votimi me 2/3 e zhvlerëson Parlamentin, krijon mekanizëm bllokues, rrit konfliktin politik, i heq mbështetjen e nevojshme politike institucioneve të drejtësisë, duke i bërë vendimet e tyre të kontestueshme. Mbi të gjitha shmang thelbin kushtetues të Republikës sonë parlamentare, duke i hequr autoritetin Parlamentit dhe duke e deleguar në institucione që jo vetëm nuk janë përfaqësuese, por dhe shumë të manipulueshme dhe të kontrolluara nga mazhoranca.
Partia Republikane kërkon që të votohet sa më shpejt Reforma në Drejtësi, duke i kërkuar z. Rama respektimin e rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias.
Çdo veprim i njëanshëm i mazhorancës në Parlament për të tentuar të bëjë pazare me deputetët e opozitës, jo vetëm është i papranueshëm, por do të ketë konseguenca të rënda politike dhe do të cenonte integrimin europian të Shqipërisë.

Vrasësi shkoi me pistoletë në brez për të bërë vrasje

Drejtues dhe përfaqësues të Partisë Demokratike vizituan në spital Kid Kazazin, kreun e FRPD Kavajë, të plagosur dje me armë nga Saimir Kurti, drejtues i Ramës në PS-në e Kavajës dhe bashkëpunëtori i ngushtë i Rroshit.
Duke e dënuar me forcë ngjarjen, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani u shpreh se kjo ngjarje e rëndë është e nxitur tërësisht nga kryeministri Rama i cili ka veshur me pushtet banditë dhe të inkriminuar në të katër anët e vendit. Ai i bëri thirrje Edi Ramës të reagojë dhe të tërheqë kriminelët që mbështet e që u ka dhënë pushtet, ndryshe Partia Demokratike dhe qytetarët do të marrin të gjitha masat e mundshme për të garantuar jetën e për të siguruar vetmbrojtje civile.
“Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike në Kavajë dhe dy qytetarë të tjerë janë plagosur nga plumbat e një njeriu që ka ikur nga vendi i ngjarjes me makinë dhe nën shoqërimin e kryetarit të Partisë Socialiste të Kavajës. Për ne ngjarja është shumë e rëndë dhe kjo ngjarje tregon se banda me Ramën në krye nuk po ndalet me mënxyrat që po i shkakton këtij vendi. Banda nuk ndalet duke derdhur gjak shqiptarësh të pafajshëm, duke derdhur gjak demokratësh. Ajo që është e dhimbshme është historia e kësaj partie dhe demokracie shqiptare që kaloi nga gjaku i Josif Budës dhe tani kërkon edhe gjakun e Kid Kazazit. Ngjarja është e dhimbshme dhe ajo që ne mund të theksojmë është që Rama duhet të tërheqë menjëherë kriminelët e tij të tipit Armando Prenga të cilët po skuqin Shqipërinë nga veriu në jug. Duhet ti tërheqë patjetër ndryshe shqiptarët dhe Partia Demokratike janë në kushtet e vetëmbrotjes dhe duhet të marrin të gjitha masat për tju përgjigjur bandës në pushtet me të gjitha mjetet e mundshme për t’u ruajtur e për tu vetmbrojtur”, tha Ristani.
I pyetur nga mediat mbi motivet e ngjarjes në Kavajë, Ristani tha ngjarja ishte e parapërgatitur dhe se autori ka pasur mbrotjen dhe shoqërimin nga kryetari i PS-së së këtij qyteti. Sekretari i Përgjithshëm tha se situata në Kavajë është tepër e rëndë dhe e frymëzuar politikisht nga kryeministri Rama.
“Ne u njohëm me ngjarjen e cila ka ndodhur mbi bazën e provokimeve banale. Ajo që ka ndodhur është se ai ka shkuar i përgatitur me pistoletë në brez dhe siç u thashë është larguar nën shoqërinë e kryetarit të PS-së së Kavajës dhe në makinë të tij. Ngjarja është e frymëzuar politikisht ashtu siç u thashë nën shembujt e Armando Prengës. Nga veriu në jug Rama po sponsorizon dhe po nxit kriminelë të tillë për të derdhur gjak opozite dhe gjak shqiptarësh. Situatën e vlerësojmë shumë të rëndë dhe në rast se nuk ka masa të shpejta nga Rama dhe banda e tij shqiptarët janë në kushtet e mbrotjes së nevojshme dhe duhet të marrin të gjitha masat për t’u përgjigjur situatës”, tha Ristani.

Berisha: Hakmarrje primitive

Derdhet gjaku i të rinjve si hakmarrja primitive e Edvin Shullazit në Kavajë. Kështu e ka cilësuar ngjarjen e djeshme në Kavajë, ish kryeministri Berisha ndërsa ka denoncuar ashpër ngjarjen. “Edvin Shullazi me bandat e tij të krimit, në akt hakmarrjeje primitive dhe politike për kriminelin me pesë emra dhe pesë krime Ervin/Edvin/Elvis/Edi/përdhunuesi skuqi rrugët e Kavajës me gjakun e të riut Irkid Kazazi, kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike për Kavajën dhe dy të rinjve demokratë të tjerë. Këtë akt vrastar Edvin Shullazi ia ngarkoi vrasësit të tij të dobishëm, nënkryetarit të Partisë Siçiliste dhe drejtorit të çështjeve sociale për Kavajën, Saimir Kurti.  Ky është një krim i shëmtuar terrorizmi të mirëfilltë politik për të cilin përgjegjësi direkte ka kryekrimineli Edvin Shullazi dhe bashkautori e tij Ervin/Edvin/Elvis/Edi/përdhunuesi, të cilët duhet të përgjigjen penalisht për krimin e tyre, tentativën për vrasje dhe plagosjen serioze të drejtuesit të të rinjve demokratë të Kavajës dhe dy shokëve të tij” shkruan Berisha në reagimin e tij.
Edhe Kreu i FRPD, Belind Këlliçi në një reagim të tij denoncoi ashpër këtë ngjarje. “Kid Kazazi, Kryetari i FRPD Kavajë plagoset me armë zjarri nga miku i ngushtë i Elvis/Ervin/Enver Roshit. Nuk kishte si të festonte ndryshe “Rilindja” lirimin nga qelia të modelit më të suksesshëm të saj, përdhunuesit të dënuar pa “dijeninë” e tij në Itali, të dënuarit në Zvicër për trafik droge dhe të dëbuarit nga Gjermania, Elvis/Ervin/Enver Roshit. Nga Kavaja nisi çmontimi i diktaturës në vend, po nga Kavaja do të nisë pastrimi i kriminelëve nga politika dhe jeta publike e shqiptarëve. Shërim të shpejtë Kid, nuk je aspak vetëm” tha Këlliçi.  Anëtari i këshillit Bashkiak të Tiranës, Fabian Topallaj është treguar i ashpër me kryeministrin Edi Rama pas plagosjes së sotme të kreut të FRPD-së, të ndodhur në Kavajë. “Njerëz të Elvis Rroshit plagosin kreun e FRPD Kavajë, autori i krimit, drejtor i zyrës së punës Kavajë, largohet nga vendi i ngjarjes me makinën dhe nën shoqërinë e kreut të PS-së Kavajë. Kjo shpjegon gjithçka, dhe simbiozën e Ramës me krimin në qeverisje dhe nevojën e tij që siç ndodhi dje me vendimin për Rroshin, ta ketë Gjykatën nën thundër në mënyrë që ajo të legalizojë këtë simbiozë. Vija e kuqe është shkelur, Edi Rama do e paguash me kokë këtë që bëre sot”, shkruan Topallaj në profilin e tij në Facebook.

Nëse Rama nuk tërhiqet nga krimi, thirrje për vetëmbrojtje civile

PD ka reaguar për ngjarjen e djeshme në Kavajë ku u plagosën tri persona nga ish-drejtori i Zyrës së Punës, Saimir Kurti.
Mes të plagosurve është edhe kreu i FRPD të këtij qyteti.
Opozita dënon ngjarjen dhe i bën thirrje Prokurorisë të marrë në dorë hetimet, për të penguar përpjekjet e policisë, që sipas saj duan të lehtësojnë autorin e ngjarjes, Saimir Kurti.
Këto akte të përsëritura agresioni, dhune dhe gjakosje me armë ndaj drejtuesve, anëtarëve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike janë pasojë e kriminalizimit të pushtetit nga Edi Rama thuhet në deklaratë.
Në këtë reagim, PD paralajmëron Edi Ramën, të heqë dorë nga mbështetja e krimit dhe kriminelëve dhe nga përpjekjet për t’i mbrojtur ata nga dora e ligjit, në të kundërt Partia Demokratike do t’i bëjë thirrje qytetarëve dhe mbështetësve të saj të marrin të gjitha masat për vetëmbrojtje civile kundër krimit të veshur me pushtet dhe pushtetit të veshur me krim.
“Partia Demokratike dënon me ashpërsinë më të madhe aktin e rëndë kriminal sot në Kavajë, ku banditi i Rroshit, njeriu që Edi Rama e bëri drejtor të Zyrës së Punës, drejtues të PS-së së Kavajës, Saimir Kurti, shkrehu armët duke plagosur kryetarin e FRPD Kavajë, Kid Kazazi dhe ku ka mbetur i plagosur dhe një kalimtar.
Këto akte të përsëritura agresioni, dhune dhe gjakosje me armë ndaj drejtuesve, anëtarëve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike janë pasojë e kriminalizimit të pushtetit nga Edi Rama.
Këto janë armët dhe plumbat e kriminelëve në pushtet të Edi Ramës, të cilët janë thirrur prej tij pikërisht për të dhunuar, plagosur e gjakosur opozitën dhe qytetarët.
Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorisë të marrë nën kontroll hetimin e të parandalojë të gjitha përpjekjet që po bën policia me urdhër të Edi Ramës për të lehtësuar e ndihmuar autorin e krimit.
E paralajmërojmë sot Edi Ramën, të heqë dorë nga mbështetja e krimit dhe kriminelëve dhe nga përpjekjet për t’i mbrojtur ata nga dora e ligjit, në të kundërt Partia Demokratike do t’i bëjë thirrje qytetarëve dhe mbështetësve të saj të marrin të gjitha masat për vetëmbrojtje civile kundër krimit të veshur me pushtet dhe pushtetit të veshur me krim”.

PS, ndryshime të njëanshme kushtetuese

Mazhoranca depozitoi të premten në mesditë nismën për ndryshimin e Kushtetutës. Ky është drafti final i miratuar vetëm me votën e mazhorancës të martën në Komisionin për Reformën në Drejtësi. Deputetët firmëtarë për ndryshimin e Kushtetutës janë 33, të gjithë socialistë me përjashtim të dy deputetëve që përfaqësojnë aleatët qeverisës, Petrit Vasilin e LSI-së dhe Tahir Muhedinin e PDIU-së.
Kjo do të thotë se drafti mbështetet zyrtarisht nga 87 deputetët që kanë së bashku të tre grupet parlamentare qeverisëse nga 94 vota që duhen gjithsej. Por derisa të shkojë për votim do të duhen të paktën edhe dy javë. Procedura parlamentare përcakton lajmërimin e Kuvendit në seancën më të parë plenare.
Projektligji me ndryshimet kushtetuese u shpërndahet deputetëve dhe ai futet menjëherë në programin e punës. Megjithatë, diskutimi i tij në mbledhjen e përbashkët të Komisionit të Ligjeve dhe Këshillit të Legjislacionit fillon vetëm dy javë pas depozitimit në Kuvend.
Që do të thotë se drafti me Reformën në Drejtësi do të shqyrtohet dhe do të shkojë për votim në Kuvend në fillim të korrikut. Prej muajsh pati përpjekje për të arritur një marrëveshje mes mazhorancës me Partinë Demokratike për miratimin e kësaj reforme me konsensus. Por pas shumë përpjekjesh palët mundën të bien dakord pothuajse për të gjitha pikat, përveç kërkesës së vendeve të rezervuara që PD kërkonte në institucionet që krijoheshin nga kjo reformë. Por mazhoranca, e mbështetur publikisht nga SHBA dhe BE, e quajti këtë një vijë të kuqe dhe nuk pranoi që partitë të kenë vende të rezervuara veçanërisht në procesin e vetingut.

Policia lejon kalimin e furgonit me drogë, bllokohet në Greqi

Një furgon i ngarkuar me drogë ka kaluar pa asnjë problem për Policinë Kufitare të Kakavijës. Bëhet e ditur se furgoni me drogë është bllokuar nga policia greke 1 km larg doganës. Ndërkohë, në pranga ka rënë një 23-vjeçar shqiptar, i cili drejtonte mjetin. Mësohet se droga është kapur në vendin e quajtur Kallpaq.
Nga të dhënat paraprake mësohet se, në mjet u gjetën 38 pako me 21 kg marijuanë. Droga ishte e fshehur në serbatorin e mjetit. Po ashtu, gjatë kontrollit u gjetën dhe sekuestruan 350 euro, si dhe automjeti. Ky është rasti i dytë brenda javës që mjete kalojnë doganën të ngarkuar me drogë. Ndërkohë, rasti i fundit u regjistrua të dielën e kaluar, ndërsa u kapën 22 kg drogë.
Para pak ditësh u sekuestrua 680 kg drogë në Greqi. Droga ishte futur nga Shqipëria pa asnjë problem për policinë shqiptare. Trafikantët bashkëpunojnë me policinë dhe e fusin drogën lirisht në tokën greke. Jo vetëm në Greqi, por edhe në Itali. Prej kohësh autoritetet e huaja kanë dhënë alarmin për trafikun e drogës nga Shqipëria, por ky trafik nuk ndalet.
Ndërkohë në të gjithë vendin janë mbjellë plantacione me drogë. Droga kultivohet nga trafikantët në bashkëpunim me drejtuesit e policisë, të cilët marrin pjesën e tyre të fitimit. Drejtuesit e policisë marrin 50 euro për çdo rrënjë kanabis, ndërsa plantacionet ruhen me armë nga njerëz të punësuar nga trafikantët.

Dosja e Prokurorisë, kërkohen 76 vite burg për grupin e trafikut të drogës

Prokuroria e Korçës kërkon 76 vjet burgim për 6 persona, pjesë e një grupi të akuzuar për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”. Fillimisht, është dyshuar se këta persona kanë tentuar të trafikojnë drejt Greqisë një sasi prej rreth 23 kg lëndë narkotike cannabis. Për këtë arsye, fillimisht hetimi është zhvilluar nga Prokuroria për Krime të Rënda, kompetente për hetimin e trafikut të lëndëve narkotike. Më pas, gjatë hetimit rezultoi se personat e përfshirë kanë synuar ta shisnin drogën tek përdoruesit në Korçë. Për këtë arsye, vijimi i hetimit dhe më tej gjykimi u zhvillua nga Prokuroria dhe Gjykata e Korçës.
Nga hetimi ka rezultuar se në datë 29.05.2015 janë arrestuar në flagrancë 7 persona në Tiranë, në vijim të një hetimi në zhvillim të Prokurorisë për Krime të Rënda, në bazë të informacionit të referuar nga Policia e Shtetit. Në bazë të veprimeve proceduriale rezulton se lënda narkotike e sekuestruar nga policia është siguruar në zonën e Mamurrasit nga ana e shtetasit Gjorgjo Gjoka, ndërkohë që shtetasit Platin Bodi dhe Adrian Lile kanë organizuar transportin e saj.
Për këtë qëllim Adrian Lile ka siguruar edhe dy personat që do të bënin transportin, që janë shtetasit Leonard Qesari dhe Bujar Qesaraka, të cilët udhëtuan me këtë person drejt qytetit të Mamurrasit, ku kanë marrë dhe automjetin tip “Audi A4” në të cilin u ngarkua lënda narkotike. Droga ishte futur pikërisht në çantat e zeza që u blenë mëngjesin e asaj dite nga shtetasit Adrian Lile dhe Bujar Qesaraka. Si ndihmës dhe bashkëpunëtor për transportimin e lëndës narkotike janë edhe Enver Lika e Altin Kodra, të cilët kanë udhëtuar me shtetasin Adrian Lile drejt Korçës.
Në dosjen hetimore është administruar edhe një pasqyrë e detajuar analitike dhe grafike e të dhënave për shtetasit Leonard Qesari, Gjorgjo Gjoka, Enver Lika, Altin Kodra, Platin Bodi, Bujar Qesaraka, Adrian Lile, referuar numrave telefonike të poseduar prej tyre.
Në bazë të hetimit, rezulton e përcaktuar dhe e provuar plotësisht e gjithë skema e organizimit të transportit të kundraligjshëm të substancave narkotike prej të gjithë të pandehurve. Veprimtaria dhe episodet e përfshirjes së secilit prej të pandehurve rezultojnë të kenë filluar prej datës 24.05.2015 deri në datën 29.05.2015, ku është bërë edhe kapja në flagrancë dhe roli dhe veprimtaria e secilit prej tyre është e dokumentuar dhe provuar plotësisht nga përmbajta e procesverbaleve “mbi veprimet e vëzhgimit të fshehtë të kryer”, shoqëruar me tabat fotografike përkatëse, të cilat në përputhje me njëra-tjetrën kanë konkluduar në përcaktimin e përgjegjësisë penale të të pandehurve dhe kanë bërë të mundur edhe kapjen e substancës narkotike, e cila ishte destinuar për në qytetin e Korçës (ndonëse ky fakt ka rezultuar i provuar nga hetimet e kësaj çështje penale, pavarësisht dyshimit që qëllimi final i të pandehurve ka qenë trafikimi i substancës narkotike në drejtim të shtetit grek).
Me anë të veprimeve të kundërligjshme në bashkëpunim me njëri-tjetrin të pandehurit Platin Bodi, Gjorgj Gjoka, Adrian Lile, Leonard Qesari, Bujar Qesaraka, Altin Kodra dhe Enver Nezir Lika, kanë plotësuar respektivisht elementët e veprës penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve” të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 283/2 të Kodit Penal, pasi këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin në rolin e organizatorit, bashkekzekutorit dhe të ndihmësit kanë mbajtur dhe transportuar një sasi të madhe lënde narkotike të llojit Cannabis Sattiva prej 22 kg e 443 gramësh, e cila fillimisht është dyshuar se ishte për t’u trafikuar për në shtetin grek, po që ka rezultuar se ishte transportuar e shitur për në drejtim të qytetit të Korçës, ku dhe është kapur e sekuestruar nga punonjësit e policisë.
Për shtetasit Platin Bodi dhe Gjergjo Gjoka mbajtja e lëndës narkotike është kryer dhe në mbajtjen në bashkëpunim të një sasie prej 4.6 gramë lënde narkotike cannabis sattiva, të cilën e kanë mbajtur në automjetin e tyre me targa TR 8840 M, kur janë kapur nga punonjësit e policisë të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë.
Në përfundim të gjykimit, Prokuroria e Korçës kërkon dënimin, për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, Platin Bodi, të dënohet me 13 vjet burgim, Adrian (Elion) Lile, të dënohet me 13 vjet burgim, Leonard Qesari, të dënohet me 13 vjet burgim, Bujar Qesaraka, të dënohet me 13 vjet burgim, Altin Kodra, të dënohet me 12 vjet burgim, Enver Lika, të dënohet me 12 vjet burgim.
Procesi ndaj të pandehurve është zhvilluar me procedurë të shkurtuar dhe ata përfitojnë uljen me 1/3 e dënimit nëse shpallen fajtorë. Ndërkohë, në një proces të veçuar, po vijon gjykimi për anëtarin tjetër të grupit, të pandehurin Gjorgj Gjoka.

A duhet ta mendojmë sërish parimin e Robin Hudit?

Angus Deaton

Fituesi i Çmimit Nobel në Ekonomi, Angus Deaton argumenton se parimi i ndihmës ndërkombëtare të zhvillimit mund të jetë një parim Robin Hudi që ka pasoja anësore përtej ndihmës ndaj të varfërve dhe pakësimit të fitimit të të pasurve. Ndihma ndërkombëtare e zhvillimit është e bazuar te parimi i Robin Hood: të marrësh nga të pasurit dhe t’ia japësh të varfërve. Agjencitë ndërkombëtare të zhvillimit, organizatat shumëkombëshe dhe OJQ-të aktualisht transferojnë më shumë se 135 miliardë dollarë në vit nga vendet e pasura te të varfrat me këtë ide në mendje. Një term më formal për parimin e Robin Hood është “prioritarizimi kozmopolitan”, një rregull etik që thotë se ne duhet të mendojmë për këdo në botë në të njëjtën mënyrë, pavarësisht se ku jeton dhe ta përqendrojmë ndihmën aty ku ndihmon më tepër. Ata që kanë ma pak kanë prioritet ndaj atyre që kanë më shumë. Kjo filozofi udhëzon direkt ose indirekt ndihmën për zhvillimin ekonomik, ndihmën për shëndetin dhe ndihmën për emergjencat humanitare.
Në këtë mënyrë, prioritarizimi kozmopolitan ka kuptim. Njerëzit në vendet e varfra kanë nevoja që janë më urgjente dhe nivelet e çmimeve janë më të ulëta në vendet e varfra, ku një dollar apo euro është gati dyfishi ose trefishi i parave vendase. Shpenzimi në shtëpi nuk është vetëm më i shtrenjtë, por gjithashtu i shkon atyre që janë në gjendje të mirë (të paktën relativisht, duke gjykuar nga standardet globale) dhe që bëjnë më pak dobi. Jam menduar dhe u përpoqa të mas varfërinë globale për shumë vite dhe kjo guidë gjithnjë më është dukur e drejtë. Por së fundmi e gjeta veten gjithnjë e më të pasigurt rreth saj. Faktet dhe etika paraqesin probleme.
Përpjekje të jashtëzakonshme janë bërë në pakësimin e varfërisë globale, më tepër përmes zhvillimit dhe globalizimit sesa përmes ndihmës nga jashtë. Numri i të varfërve ka rënë në 40 vitet e fundit nga dy miliardë në vetëm nën një miliard – një arritje e madhe duke marrë parasysh popullatën globale dhe ngadalësimin afatgjatë të zhvillimit ekonomik global, veçanërisht që nga viti 2008. Ndërsa është mbresëlënëse dhe shumë e mirëpritur, pakësimi i varfërisë nuk ka ardhur pa kosto. Globalizimi ka shpëtuar shumë persona në vendet e varfra dhe ka dëmtuar disa njerëz në vendet e pasura, teksa fabrikat dhe vendet e punës kanë migruar aty ku krahu është më i lirë. Ky dukej si një çmim i pranueshëm etik që duhej paguar, sepse ata që  po humbisnin ishin tashmë shumë më të pasur sesa ata që po përfitonin.
Një kauzë afatgjatë jopozitive është fakti që ne që i bëjmë këto gjykime nuk jemi në pozicionin e duhur ëpr të vlerësuar kostot. Si shumë persona në akademi dhe në indrustrinë e zhvillimit, unë jam mes përfituesve më të mëdhenj të globalizimit – ata që mund të shesin shëbrimet në tregje që janë më të mëdha dhe më të pasura nga sa prindërit tanë kanë mundur ta ëndërrojnë.
Globalizimi është më pak i shkëlqyer për ata që jo vetëm nuk ia vjelin përfitimet, por vuajnë edhe prej ndikimit të tij. Prej kohësh e kemi ditur se amerikanët më pak të arsimuar dhe më të ardhura më të ulëta, për shembull, kanë marrë pak përfitim ekonomik për katër dekada dhe se fundi i tregut të punës amerikan mund të jetë një mjedis brutal. Por sa keqazi po e vuajnë amerikanët globalizimin? A janë ata më mirë se aziatikët që punojnë tani në fabrikat që dikur ishin në qytetet e tyre?
Shumë padyshim që janë. Por disa miliona amerikanë – të bardhë, me ngjyrë dhe hispanikë – tani ijetojnë në familje me një të ardhur për frymë më pak se 2 dollarë dita, në thelb i njëjti standard që Banka Botërore përdor për të përcaktuar nivelin e varfërisë në Indi apo Afrikë. Gjetja e vendit në Shtetet e Bashkuara të asaj të ardhure është më e vështirë sesa varfëria 2 dollarë dita krahasuar me vende si India apo Afrika.
Përtej kësaj, e shumëvlerësuara mundësi e barabartë e Amerikës është nën kërcënim. Qytetet që kanë humbur fabrikat e tyre prej globalizimit kanë humbur gjithashtu bazën e tyre të taksimit dhe e kanë më të vështirë të ruajnë cilësinë e shkollave – rruga e vetme për brezin e ardhshëm. Shkollat elitë rekrutojnë të pasurit për të paguar shpenzimet dhe strehojnë minoritetet për të përmirësuar shekujt e diskriminimit; por kjo pa dyshim nxit pakënaqësi te klasa e bardhë punëtore, fëmijët e të cilëve nuk gjejnë vend në këtë botë të re të guximshme.
Puna ime me Anne Case zbulon më shumë sinjale të ankthit. Ne kemi dokumentuar një valë të shuar të “vdekjeve të dëshpërimit” mes të bardhëve jo-hispanikë – nga vetëvrasja, abuzimi me alkoolin dhe overdozat aksidentale nga drogat e ligjshme dhe të paligjshme. Norma e përgjithshme e vdekjeve në SHBA ishte më e lartë në 2015 sesa në 2014 dhe jetëgjatësia ka rënë.
Ne mund të argumentojmë rreth matjes së standardeve të materialeve të jetesës, nëse inflacioni është i fryrë dhe rritja e standardeve  të jetesës e pakësuar ose nëse shkollat janë vërtet aq keq kudo. Por vdekjet janë të vështira për t’u shpjeguar gjithsesi. Ndoshta nuk është aq e qartë se cilat janë nevojat më të mëdha në anën tjetër të botës.
Shtetësia është një grup të drejtash dhe përgjegjësish që ne nuk i kemi të përbashkëta me vendet e tjera. Megjithatë pjesa “kozmopolitane” e udhëzimit etnik i shpërfill detyrimet speciale që kemi ndaj bashkështetasve të tjerë.
Ne mund t’i mendojmë këto lloj të drejtash dhe detyrimesh si një lloj kontrate të përbashkët garancie: ne refuzojmë të tolerojmë lloje të caktuara të pabarazisë të bashkështetasve tanë dhe secili prej nesh ka përgjegjësinë të ndihmojë dhe të drejtën të presë ndihmë – përballë kërcënimeve kolektive. Këto përgjegjësi nuk vlerësojnë apo zhvlerësojnë përgjegjësitë tona ndaj atyre që vuajnë gjetkë në botë, por nënkuptojnë se nëse ne gjykojmë vetëm nga nevoja materiale, rrezikojmë të lëmë jashtë konsideratës faktorë të rëndësishëm.
Kur shtetasit besojnë se elita interesohet më shumë rreth atyre që janë përtej oqeanit sesa për ata që janë në shinat e trenit, garancia është thyer, ne ndahemi në fraksione dhe ata që lihen pas zemërohen dhe i jepen zhgënjimit ndaj politikave që nuk i shërbejnë më atyre. Ne mund të mos biem dakord me mjetet që ata kërkojnë, por shpërfillja e nevojave të tyre na vë në rrezik neve dhe ata vetë.

Nënkryetari i PS plagos kryetarin e FRPD, Kazazi, dhe babanë e tij

Nënkryetari i PS të Kavajës dhe në të njtën kohë Drejtor në Bashkinë e këtij qyteti Saimir Kurti ka plagosur dje përpara zyrave të Bashkisë,  Kryetarin e Forumit Rinor të PD, Erkid Kazazi, babain e tij, Eqerem Kazazi dhe një qytetar me emrin Dritan Gjika. Ngjarja kriminale ka pasur motive të pastra politike dhe debati i ashpër përpara atentatit ka qenë në lidhje me lirimin nga burgu të përdhunuesit të Kavajës, Roshi, ndërsa mediat afër Ramës kanë tentuar ta shesin si një debat për motive të dobta. “Sajmir Kurti ka nisur të debatojë me E. K., fillimisht e më pas edhe me djalin e këtij të fundit K. K. Debati ka kaluar në sharje e ofendime dhe më pas i dyshuari  Sajmir Kurti ka nxjerrë një armë zjarri pistoletë duke ia drejtuar të sipërcituarve, ku debati ka vazhduar më pas në rrugë”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.

Si ndodhi atentati

Gjithçka ka nisur pas një telefonate të Kurtit në drejtim të Kazazit. Kurti ka pretenduar se kur bashkëshortja e tij ka parkuar automjetin përpara lokalit në pronësi të Eqerem Kazazit ajo është ngacmuar, gjë e cila mohohet dhe hidhet poshtë nga Kazazi, të cilët i kanë kërkuar që të largojë makinën nga vendi ku e kishte parkuar përpara lokalit të tyre.
Kurti më pas ka marrë në telefon Kazazin, duke e kërcënuar në telefon. Pa kaluar shumë minuta, Kurti ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur të qëllojë ndaj Eqerem Kazazit, Erkid Kazazit, kryetarit të FRPD në Kavajë. Situata ka qenë kaotike dhe Eqeremi bashkë me të birin kanë mundur që të çarmatorin Kurtin, duke i marrë armën edhe pasi ky kishte qëlluar ndaj tyre. Pas çarmatosjes ata e kanë goditur Kurtin.

Policia lejon ikjen e Kurtit

Vetëm pak momente pasi ngjarja ka ndodhur ka mbërritur policia, e cila ka bërë izolimin e vendit dhe kapjen e autorit të krimit, Kurti. Ndërsa policia kishte ndaluar Kurtin, në këtë moment ka ndërhyrë kreu i PS të Kavajës, Daja dhe ky një emër i njohur i botës së krimit dhe trafikant droge ndërkombëtar i çertifikuar. Daja ka marrë vrasësin me vete dhe është larguar në vendi i ngjarjes. Vlen të theksohet se vrasësi është marrë në prezencë të policisë, e cila nuk ka reaguar fare. Ajo ka lejuar që vrasësi të largohet nën mbrojtjen direkte të kryetarit të PS të Kavajës. Duke qenë se në vendngjarje ka pasur shumë dëshmitarë fshehja e Kurtit për një kohë të gjatë ka qenë e pamundur. Pas presioneve të shumanshme në drejtim të policisë, Kurti është dorëzuar në polici.

Kush është Kurti

Dy vite më parë, në mars të vitit 2014, PD denoncoi përmes një konference shtypi lidhjet kriminale të Kurtit, duke deklaruar se ai ishte një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe megjithatë ai ishte emëruar drejtor i Zyrës së Punës në Kavajë.
“Dy vite më parë, në verën e vitit 2012 Saimir Kurti u zbulua nga autoritetet doganore teksa një konteiner që vinte nga Kina plot me cigare, e deklaronte si të mbushur me dyer, për të shmangur detyrimin prej 400 milionë lekësh. U kallëzua dhe u shpall në kërkim ndërkombëtar nga Prokuroria. Pak ditë më parë, ky person ka marrë postin e lartë të drejtorit të Zyrës së Punës në Kavajë, i propozuar nga Erion Veliaj, në një ceremoni me shumë ngjyra, ku prezantimin ia ka bërë Kryeministri, Edi Rama”, ishte denoncimi i PD i bërë në marsin e vitit 2014. Pas kësaj deklarate të PD, Kurti është detyruar që të japë dorëheqjen, por pa hequr dorë nga politika dhe aktivizimi si bandit në mbështetje të trafikantit tjetër të Ramës në Kavajë, Ervin, Elvis, Enver Rroshi.
Pas largimit nga posti zyrtar si Drejtor Punësimi, Kurti ka marrë një tjetër detyrë shtetërore. Nga miku i tij Roshi ai është shpërblyer për shërbimet e kryera si Drejtor në Bashkinë e Kavajës dhe në të njëjtën kohë është emëruar edhe Nënkryetar i PS të këtij qyteti.

Versioni i policisë për atentatin

Policia ka vënë në pranga Sajmir Kurtin, 44-vjeçarin që mesditën e djeshme plagosi tri persona në sheshin përballë Bashkisë së Kavajës.
Sajmir Kurti, 44 vjeç, banues në Kavajë është vënë në pranga sepse rreth orës 10:30 të ditës së sotme, tek shëtitorja “Indrit Cara” pranë Bashkisë Kavajë, ka pasur një konflikt midis tij me shtetasit E. K., dhe djali i tij K. K.
Konflikti ka nisur për motive të dobëta (bllokim rrugëkalim mjetesh). Për sqarimin e këtij konflikti shtetasi Sajmir Kurti është takuar tek lokali i shtetasit E. K., me kërkesën e këtij të fundit.
Sajmir Kurti ka nisur të debatojë me E. K., fillimisht e më pas edhe me djalin e këtij të fundit K. K. Debati ka kaluar në sharje e ofendime dhe më pas i dyshuari Sajmir Kurti ka nxjerrë një armë zjarri pistoletë duke ia drejtuar të sipërcituarve, ku debati ka vazhduar më pas në rrugë.
Në vazhdim të konfliktit Sajmir Kurti ka qëlluar me armën e zjarrit, ku predha e qitur nga kontakti i saj me objekt të fortë (pllakë guri) është copëzuar e për pasojë ka lënduar me dëmtime të lehta shtetasit E. K., 48 vjeç, K. K., 21 vjeç (atë e bir), si dhe shtetasin D. Gj., 46 vjeç, i ndodhur aty pranë.
Shtetasit e mësipërm ndodhen jashtë rrezikut për jetën nën kujdesin e mjekëve. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar:
Një automjet i tipit “Range Rover”, në pronësi të shtetasit Sajmir Kurti. Një armë zjarri pistoletë i kalibrit 9 mm, me një krehër me 14 fishekë dhe një gëzhoja e kalibrit 9 mm.
Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë për veprat penale “Vrasje me dashje e mbetur në  tentativë” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake e municioneve”.

Arben SHAHINI