19.5 C
Tirana
E diel, 24 Gusht, 2025

Si u përgjua Kryeprokurori Llalla nga Rama dhe Tahiri

“IMSI Catcher” ka patur lëvizje intensive në zonën pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Duke ditur që pajisja e përgjimit kishte një rreze përgjimi prej afro 1 mijë metrash, atëherë kushdo mund ta kuptojë se pse Rama dhe Tahiri kanë urdhëruar që pajisja e përgjimit të instalohej pranë prokurorit të Përgjithshëm. Kryeprokurori është në listën e personaliteteve që janë përgjuar.
Për disa ditë me radhë ajo është stacionuar pranë organit qendror të akuzës, në qendër të Tiranës. Prokuroria e Tiranës ka në dorë një raport të ri për pajisjen e përgjimit “IMSI Catcher” të futur në Shqipëri në mënyrë të paligjshme dhe të dyshuar se është përdorur për të përgjuar drejtues të shtetit, deputetë, diplomatë, prokurorë, gjyqtarë, gazetarë e biznemenë.
Ky raport është hartuar nga Shërbimi Informativ Shtetëror dhe përveç Prokurorisë së Përgjithshme i është dërguar për dijeni Presidentit të Republikës, Bujar Nishani dhe Kryeministrit Edi Rama. Agjentët sekretë shqiptarë japin informacione mbi zonat ku ka lëvizur dhe është stacionuar makina që ka të instaluar pajisjen e përgjimit, shkruan “Panorama”. Raporti i SHISH duket se përmban edhe materiale filmike të makinës tip “BMW” me targa italiane në të cilën gjendet aparatura përgjuese.
Provat e përgjimit të kryeprokurorit e rëndojnë akoma më shumë skandalin e përgjimeve. Askush nuk mund të besojë se për të përgjuar kryeprokurorin ka qenë i interesuar drejtori i Përgjithshëm i Policisë. Një përgjim i tillë që do të përbënte një skandal në çdo vend normal implikon direkt Ramën dhe Tahirin, të cilët prej kohësh i kanë shpallur luftë të ftohtë Llallës për shkak të hetimeve që Prokuroria e Përgjithshme ka nisur për një sërë aferash kriminale dhe korruptive të qeverisë.
Veç Prokurorisë së Përgjithshme pajisja ka qëndruar gjithashtu për disa kohë pranë Bashkisë së Tiranës dhe disa ministrive të tjera pranë saj. Ajo është parë edhe pranë Rrugës së “Elbasanit” dhe pranë Televizionit Publik Shqiptar, ku gjithashtu gjenden zyrat e disa personaliteteve dhe selive diplomatike të huaja, si dhe pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Ky fakt ka ngritur dyshime se, drejtuesit e institucioneve pranë, të cilave ka qëndruar pajisja, mund të jenë përgjuar. SHISH, saktësohet në raport, është vënë në ndjekje të pajisjes së përgjimit prej muajit prill kur agjentët kishin marrë për herë të parë informacion se ajo ishte futur në Shqipëri pa u regjistruar më parë në doganë dhe pa marrë lejen e prokurorit të Përgjithshëm, siç e kërkon ligji.
Përpara se të jepte alarmin, SHISH e ka verifikuar informacionin, duke mbledhur prova të tjera. Më pas, vetë kreu i SHISH ka sinjalizuar prokurorin e Përgjithshëm, për të kryer hetime në lidhje me rolin e aparatit që mund të kryente përgjime të të gjitha llojeve të komunikimit telefonik.
Raporti i SHISH përmban të dhëna edhe mbi personat që kanë qenë në makinën ku ndodhej pajisja e përgjimit gjatë lëvizjes së saj nëpër Tiranë. Që me zbulimin e faktit se pajisja ishte futur në Shqipëri në mënyrë të paligjshme, Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar sekuestrimin e saj. Por autoritetet italiane e kanë mbajtur atë të fshehtë. Pajisja iu fsheh prokurorëve edhe më 13 maj, kur ata shkuan ta sekuestronin në zyrat e Forcës Operacionale të Policisë.
Kur prokurorët hynë në zyrat e Forcës Operacionale, specialisti Entiol Xhelilaj doli me makinën e “IMSI Catcher” edhe pse ai ligjërisht nuk kishte të drejtë ta lëvizte atë. Prokuroria ka ngritur akuzë ndaj tij, ndaj eprorit të tij dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çakos. Ky i fundi u pezullua nga detyra, por dy ditë më parë Gjykata e Apelit e ktheu në detyrë, duke pranuar si provë një shkresë të policisë italiane, në të cilën thuhet se “IMSI Catcher” nuk ka kryer përgjime.
Prokuroria shqiptare dyshon që përgjimet janë kryer nga punonjës të policisë shqiptare që janë trajnuar nga italianët për ta përdorur pajisjen dhe jo nga efektivët e policisë italiane. Për të vërtetuar të gjitha dyshimet e ngritura nëse është përgjuar apo jo me pajisjen, prokurorët thonë se është e domosdoshme që ajo të sekuestrohet.
Drejtues të Policisë së Shtetit, të marrë në pyetje gjatë hetimeve, kanë pohuar se një pajisje e tillë është e aftë të kryejë përgjime. Sipas tyre, një pajisje e këtij lloji është përdorur në qershor të vitit 2015 për të kapur Vladimir Gjutën, i cili kërkohej për vendosjen e tritolit në farmacinë e Bashkim Tahirit, babait të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Fshehja e pajisjes i ka shtuar dyshimet se ajo nuk është përdorur vetëm për qëllime trajnimi, siç thuhet nga policia italiane dhe ajo shqiptare. Këto dyshime përforcohen nga fakti se ajo iu mbajt e fshehtë edhe autoriteteve doganore shqiptare dhe prokurorit të Përgjithshëm, të vetmit që mund të autorizojë përdorimin e saj, qoftë edhe për trajnime.

Manjani kontakton Italinë për përgjimet

Ministri i Drejtësisë për të parën herë ka folur publikisht në favor të intensifikimit të hetimeve për aferën e përgjimeve. Në një dalje publike, ministri Manjani tha se është përfshirë edhe institucioni që ai drejton në ndihmë të hetimit, duke kërkuar informacion në rrugë zyrtare nga Italia.
“Në dijeninë time hetimet vazhdojnë dhe vazhdojnë me shumë intensitet. Unë vetë kam çuar letërporosi për Prokurorinë italiane për të thelluar hetimet. Gjyqtarët janë të pavarur në vendimet e tyre, drejtësia, Prokuroria dhe gjykatat i kanë borxh të sqarojnë të vërtetën. Çdokush jashtë gjykatës që përpiqet të sqarojë gjërat që shqetësojnë opinionin publik nuk bën mirë. Nëse një ka faj ose jo dikush duhet ta japë drejtësia”, u shpreh ai.
Manjani ka reaguar edhe për vendimet e dhëna nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Tiranës për heqjen e pezullimit të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe lirimin nga qelia të përdhunuesit të Kavajës, Rroshi. Manjani është shprehur se vendimet e gjykatave nuk mund të komentohen, por në rast se ka pasur presione, atëherë këto raste duhet të denoncohen dhe hetohen. Vetë avokati i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Maks Haxhia në një prononcim për mediat pas vendimit të gjykatës nuk e përjashtoi mundësinë e presioneve që mund të kenë patur gjykatësit për të marrë vendimin.

Katër lëvizjet e dokumentuara të makinës së përgjimit

Partia Demokratike ka hedhur akuza të reja ndaj Kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë për përgjimet e paligjshme që besohet se janë kryer me një pajisje që ka ardhur nga Italia dhe ka qëndruar në mënyrë ilegale në Tiranë. Gjatë një deklarate për median, sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani u shpreh se, “Edi Rama ka rritur presionin ndaj drejtësisë, përmes kërcënimeve kriminale, duke tentuar mbylljen e çështjes së përgjimeve të paligjshme, fakte të reja kanë dalë në dritë nga ky skandal”. “Pajisja e përgjimit të paligjshëm është përdorur në zonat pranë Prokurorisë së Përgjithshme, në Rrugën e ‘Elbasanit’, pranë Televizionit Publik dhe pranë Bashkisë së Tiranës. Të paktën këto katër lëvizje janë dokumentuar, siç bën të ditur media që i referohet një raporti sekret të SHISH, raport që i është dorëzuar Presidentit, Kryeministrit dhe Prokurorit të Përgjithshëm. Krimi shtetëror i përgjimit të paligjshëm ka ndodhur, cenimi i sigurisë kombëtare ka ndodhur, shkelja brutale e Kushtetutës e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut ka ndodhur. Është kjo arsyeja pse Edi Rama e pengon hetimin, pse e riktheu Çakon në detyrë, duke shantazhuar në mënyrë mafioze gjykatën. Është kjo arsyeja pse Edi Rama bllokon drejtësinë, pasi krimi ka ndodhur dhe ai është drejtpërdrejt i përfshirë në këtë aferë. Zbardhja e ngjarjes, zbardhja e plotë e përgjegjësive do të ishte goditja fatale ndaj Edi Ramës, ndaj ai po përdor të gjitha format e presionit e kërcënimit kundër Gjykatës dhe Prokurorisë. Por ky krim i rëndë shtetëror peshon më shumë se e ardhmja e fati personal i një njeriu. Ndaj duhet hetuar e zbardhur deri në fund. Partia Demokratike i bën dhe një herë thirrje Prokurorisë së Republikës, të mos tërhiqet nga presionet e kërcënimet banditeske, po t’i shkojë deri në fund kësaj çështje, që krime të tilla të mos ndodhin më në vendin tonë. Nga kjo varet, a do të kemi shtet ligjor, apo shtet mafioz brenda shtetit. Do të kemi ligj, apo rregullat e mafias në fuqi. Do të kemi demokraci e garanci, apo sundim bande”, u shpreh Arben Ristani gjatë deklaratës së tij për median.

Vendi nën terror, 6 të plagosur me armë zjarri gjatë 24 orëve

Rendi ka dalë jashtë kontrollit, ndërsa krimi bën ligjin në të gjithë vendin. Vetëm ditën e djeshme kanë ndodhur tri ngjarje të rënda kriminale në Tiranë, Kavajë dhe Shëngjin, ku kanë mbetur të plagosur me armë 6 persona, ndërsa maskat grabisin çdo ditë. Vrasësit lëvizin me armë në mes të ditës, ndërsa policia është e paralizuar. Në të shumtën e rasteve autorët e krimeve janë njerëz të lidhur me zyrtarë të lartë dhe të partisë në pushtet.
Në Kavajë besniku i Ramës dhe Rroshit plagosi me armë kryetarin e Forumit Rinor të PD të Kavajës, Erkid Kazazi, babain e tij dhe një person tjetër. Ngjarja e rëndë ndodhi në qendër të Kavajës, pranë Bashkisë dhe agresori ishte Kurti që plagosi dje me armë kreun e Forumit Rinor të PD në Kavajë, babain e tij, si dhe një person të tretë. Ngjarja e rëndë ndodhi pranë Bashkisë së Kavajës. Bëhet e ditur se banditi i Ramës dhe Rroshit, Sajmir Kurti ka shkuar në lokalin e Kazazëve dhe është konfliktuar me pronarin e lokalit, Eqerem Kazazi dhe djalin e tij, Erkid Kazazi. Pasi është konfliktuar fizikisht me Eqerem Kazazin dhe dy shtetasit e tjerë, Kurti ka dalë jashtë lokalit dhe ka nxjerrë armën duke qëlluar në drejtim të tyre, duke i lënë të plagosur.
Përveç Eqerem Kazazit u plagos dhe djali i tij, Erkid Kazazi, kryetar i Forumit Rinor të PD Kavajë, si dhe Dritan Xhika. Të plagosurit janë dërguar në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa agresori është larguar në drejtim të paditur për policinë.
Kurti është një militant i angazhuar në strukturat e PS, si dhe mbështetës i flaktë i Elvis Rroshit. Ai njihet si mik i kryetarit të PS së Kavajës, por edhe i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Në vitin 2014, Kurti ka qenë drejtor i Zyrës së Punës në Kavajë dhe është akuzuar nga PD si person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik cigaresh. Pas akuzave Kurti ka dhënë dorëheqjen.

Dy të plagosur me armë në Shëngjin

Në Shëngjin u plagosën dy persona në mes të ditës nga shkëmbimi i zjarrit me armë. Dy të plagosurit janë dërguar në spital në gjendje të rëndë, ndërsa banorët e Shëngjinit janë përfshirë nga paniku dhe frika.
Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 14:30 tek Lapidari ku ka patur një përplasje me armë. Bëhet e ditur se shtetasi Gertian Malshi, 38 vjeç banues në Pllanë ka plagosur me armë gjahu shtetasen Mimoza Aliaj, 49 vjeç, banuese në Shëngjin. Në konflikt e sipër, bashkëshorti i shtetases Mimoza Aliaj, shtetasi Gëzim Aliaj, 52 vjeç ka plagosur me armë gjahu shtetasin Gertian Malshi. Policia bëri të ditur se plagosjet kanë ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta.
Ngjarja ka ndodhur në një kohë kur në qytet ka patur shumë lëvizje. Banorët kanë mbetur të terrorizuar nga breshëritë e armëve. Shumë prej tyre kanë vrapuar për t’i shpëtuar plumbave.

Maskat terror në supermarket në Kamëz

Ndërsa në Kamëz një persona i maskuar plagosi me kallashnikov shitësen e një supermarketi ku kishte shkuar për të grabitur. Grabitësi i maskuar dhe i armatosur ka qëlluar disa herë dhe si pasojë ka mbetur e plagosur shitësja A. Dushku, 25 vjeç. Bëhet e ditur se 25-vjeçarja, e cila nuk ka kuptuar rrethanën është afruar pranë kasës. Kjo ka qenë fatale për të renë, pasi grabitësi ka nisur të qëllojë dhe plumbat e kanë plagosur në këmbë. Në tentativë për t’u larguar nga marketi, agresori ka qëlluar sërish mbi punonjësen. Ajo është dërguar në gjendje të rëndë për jetën drejt spitalit.
Policia nuk e ka identifikuar ende autorin. Kamerat kanë fiksuar momentin kur autori hyn në market, si edhe momentin kur largohet me vrap me armë në dorë. Personi i maskuar ka hyrë në supermarket dhe ka qëlluar pa folur. Pastaj ka dalë jashtë dhe nis të largohet, por kthehet sërish në market duke kërcënuar të gjithë punonjësit dhe klientët: “Do iu vras të gjithëve”, dhe qëllon sërish me breshëri automatiku.
Plumbat kanë bërë rikoshetë, kanë prekur xhamat e marketit, por edhe të një biznesi afër, një shoqërie financiare. Në market ka qenë edhe një agjent policie ndaj të cilit është qëlluar, por fatmirësisht plumbat nuk e kanë kapur. Personi ka qenë i veshur me një xhup të errët, pantallona të zeza dhe një palë atlete të vjetra. Grabitësi është larguar në këmbë nga vendngjarja.
Grabitja me armë që ndodhi mbrëmjen e së enjtes në Kamëz, ku dy persona të armatosur dhe të maskuar tentuan të grabisnin një supermarket, sipas dëshmitarëve në ngjarje makina nga ku u largua autori me kallash në dorë ishte me flamurin shqiptar sipër.
Ndërkohë, një dëshmitar që ndodhej në lokalin përballë vendngjarjes tregon se kanë qenë dy grabitës. Ai thotë se autorët kanë përdorur për ngjarjen një makinë të mbuluar me flamurin shqiptar. Rrugët kanë qenë të boshatisura nga kalimtarët, pasi shumica e tyre kanë qenë të ulur nëpër lokale duke parë ndeshjen e “Euro 2016”, Gjermani-Poloni. Ndërsa supermarketi që ata kishin si synim të grabisnin ishte drejt mbylljes dhe ky ishte qëllimi, që të vidhnin paratë e xhiros që do të transportoheshin nga policia private.

R.POLISI

Kualifikohet Italia, Ibra e Suedia në tapet

Çekia barazon në ekstrem me Kroacinë

Dy lojtarët e futur në pjesën e dytë kanë barazuar rezultatin për Çekinë, e cila dukej krejtësisht inekzistente para një Kroacie tërësisht dominuese. Kroatët kanë qenë më ngulmues duke e kërkuar prej fillimit të ndeshjes golin e fitores dhe e kanë gjetur atë në minutën e 37 me anë të Ivan Perisiç dhe më pas kanë ngulmuar sërish duke dyfishuar rezultatin në minutën e 59 me anë të Ivan Rakitiç.
I gjendur në disavantazh trajneri çek, Pavel Vrba ka hedhur në fushë Milan Skoda, i cili ka ngushtuar diferencat në minutën e 74, ndërsa në 86 është aktivizuar Tomas Necid, i cili në minutat shtesë ka kthyer në gol një penallti të shkaktuar nga Domagoj Vida.
Vlen të theksohet se Kroacia ka qenë dominuese gjatë thuajse tërë lojës duke realizuar 17 goditje të rrezikshme nga të cilat 7 në portë, ndërsa lojtarët çekë gjuajtën vetëm 4 herë. Po ashtu, kroatët fituan 11 korne, ndërsa çekët vetëm 2 në minutat shtesë të lojë. Edhe në qarkullimin e topit çekët dominonin me 56%. Por barazimi tregoi vlerat e trajnerit çek, i cili diti të rreshtonte siç duhet skuadrën tij në minutat e fundit duke shënuar edhe dy herë.
Nuk luan bukur, vuan në sulm e megjithatë Italia e Antonio Conte-s e sheh veten në 1/8-at e Kampionatit Europian vetëm pas dy ndeshjeve të luajtura. Të kaltërit fituan 1-0 për Suedisë dhe nisën arratisjen në Grupin E, ku kryesojnë me 6 pikë të plota. Kaq mjaftoi që Italia të kualifikohej. Sfida në Tuluzë u vendos nga goli i Eder në minutën e 88-të të sfidës, që u karakterizua nga lufta e fortë sportive dhe ku u regjistruan pak raste të pastra për gol.
Me suksesin e dytë në po kaq ndeshje në Euro 2016, Italia thyen tabunë ku prej 16 vjetësh nuk fitonte në sfidën e dytë të një turneu madhor. Në anën tjetër, me vetëm një pikë në renditje, Ibrahimoviç dhe Suedia rrezikojnë të eliminohen prej fazës së grupeve. Një lloj hakmarrje, për barazimin e “pilotuar” 2-2 të suedezëve me Danimarkën, që nxori jashtë loje italianët në Euro 2004.
Italia fitoi dhe siguroi vendin e parë në grup, pavarësisht se sipas llogarive, duke fituar grupin, të besuarit e Antonio Contes rrezikojnë të gjejnë në rrugën e tyre Spanjës ose Kroacinë në 1/8-at, për të vazhduar me rrezikun që në çerekfinale të ndeshen me Gjermaninë dhe në gjysmëfinale me Francën. Megjithatë, për të triumfuar në Kampionatin Europian, është e nevojshme të fitosh përballë skuadrave më të mira dhe Italia e ka të qartë.

Si u planifikua vrasja e deputetes Jo Cox

I dyshuari për vrasjen e deputetes Jo Cox, kishte blerë libër i cili tregon se si ta bësh një armë vetë. Burri i arrestuar si i dyshuar për vrasjen e deputetes, është raportuar se kishte blerë një libër, botim i vitit 1999, në të cilin tregohet se si mundesh ta bësh një armë vetë në kushte shtëpie. 41 vjeçarja Jo Cox, nënë e dy fëmijëve, vdiq pasi u qëllua tre herë në rrugët e Bristall, pasditen e djeshme. Policia e arrestoi të dyshuarin e quajtur Tommy Mair, 52 vjeçar, të cilin fqinjët e tij e përshkruajnë si një njeri me probleme dhe i vetmuar.

Reagim i ashpër i Merkel

Kancelarja gjermane, Angela Merkel deklaroi se rrethanat e vdekjes tragjike të një deputeteje britanike proevropiane duhet të zbardhen sa më shpejt që të jetë e mundur për shkak të referendumit për qëndrimin ose jo të Britanisë së Madhe në Bashkimin Evropian, që është parashikuar të mbahet javën e ardhshme. “Ky akt tragjik duhet të zbardhet në mënyrë urgjente”, theksoi kancelaria në përfundim të një takimi me udhëheqësit e shteteve rajonale në Berlin. Ajo nuk do të dëshironte që këtë vrasje ta lidhte me referendumin që do të zhvillohet të enjten e ardhshme. Merkel e cilësoi vdekjen e deputetes Jo Cox të tmerrshme dhe tragjike.  Deputetja e moshës 41-vjeçare u vra me armë zjarr duke ngjallur një situatë kaotike dhe me shumë tensione. Hetuesit e policisë në Jorkshër të Anglisë veriore nuk konfirmojnë apo mohojnë se i dyshuari për vrasjen e deputetes 41-vjeçare mund të ketë qenë i frymëzuar nga pikëpamjet e ekstremit të djathtë. Disa dëshmitarë thanë se 52-vjeçari, Thomas Mair, thirri “Britania e Para!”, ndërsa e qëlloi me armë tre herë deputeten, dhe më tej e goditi me thikë dhe e tërhoqi zvarrë. Partia politike “Britania e Para!” e dënoi sulmin dhe tha se nuk ka rol në vrasjen e deputetes pro-Bashkimit Evropian. “Nuk kemi asnjë lidhje me këtë ndodhi; unë isha në zyrë kur u përhap lajmi dhe sigurisht që e dënoj. Jemi në mesin e fushatës për referendumin. Çfarë tha ky person? A iu referua ndonjë organizate apo sllogani? Apo thjesht e tha nga çfarë i ka mbetur në mendje nga debati për BE-në?” Ndërsa policia mundohet të gjejë motivin, dedektivët duket se po përqëndrohen në dy skenarë kryesorë. Një burim i policisë në Jorkshër i konfirmoi Zërit të Amerikës se hetuesit po shqyrtojnë lidhjet e Thomas Mair me grupime të djathta, si dhe historikun e shëndetit të tij mendor. Dedektivët kontrolluan shtëpinë e tij për prova materiale për lidhje me ekstremistët. Qendra amerikane “Southern Poverty Law”, e cila monitoron grupet ekstremiste, thotë se Thomas Mair ishte një mbështetës vjetër i grupimit amerikan neo-nazist të quajtur Aleanca Kombëtare. Sipas kësaj qendre, Thomas Mair kishte blerë botime me vlerë 620 dollarë nga shtëpia botuese e këtij grupimi, ndër to edhe udhëzues për montim armësh dhe bombash. Ai gjithashtu ishte abonuar prej 10 vitesh në një revistë të Afrikës së Jugut, të botuar nga një grup esktremist që mbron regjimin racist të aparteidit. Vrasja e zonjës Cox ka errësuar fushatën e referendumit britanik. Kjo është vrasja e parë e një deputeteje britanike që në vitin 1990, kur Ushtria Republikane Irlandeze vrau një zyrtar të lartë të partisë konservatore.

Fjalët prekëse të bashkëshortit të deputetes

Bashkëshorti i deputetes laburiste, Jo Cox, e cila ndërroi jetë pas një sulmi me armë, ka bërë një postim me fjalë mallëngjyese. 41-vjeçarja nënë e dy fëmijëve, e cila u bë deputete një vit më parë, humbi jetën në spital pasi u qëllua në Leeds afër zyrës së saj. Dëshmitarët thanë se autori ndodhej në zyrën e saj para se ajo të mbërrinte dhe ta qëllonte tri herë. Mediat ndërkombëtare shkruajnë se pasi e qëlloi me një plumb në kokë dhe dy herë të tjera në trup, ai nisi ta godiste me një thikë të madhe ndërsa ajo qëndronte e shtrirë, e mbuluar në gjak. Ndërsa bashkëshorti i saj, Berndan Cox postoi një foto të bashkëshortes së tij pak orë pas ngjarjes. Ai i kërkon njerëzve që të luftojnë kudër urrejtjes, që vrau Jo, përcjell javanews.  Sot është fillimi i një kapitulli të ri në jetën tonë. Më i vështirë, më i dhimbshëm, më pak i gëzueshëm, më pak i mbushur me dashuri. Unë dhe miqtë e Jo dhe familja e saj do të punojmë çdo moment të jetës të dashurojmë dhe edukojmë fëmijët tanë dhe të luftojmë kundër urrejtjes që vrau Jo. Jo besonte tek një botë më e mirë dhe ajo luftoi për këtë gjë çdo ditë të jetës së saj”, shkruan ai. Policia ka arrestuar një 52-vjeçar të quajtur Tommy Mair si autorin e dyshuar të vrasjes.

Kerry: Vrasja e deputetes britanike, sulm kundër gjithë demokratëve

Vrasja e deputetes britanike, Jo Cox, gjatë fushatës së referendumit mbi Bashkimin Evropian është një sulm kundër gjithë përkrahësve të demokracisë, deklaroi sot sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry. “Shpreh dhimbjet e mia më të thella kur shoh se një parlamentare e re, që dukshëm ishte një grua e re me shumë talent, është vrarë duke ushtruar funksionin e saj në rrethin e saj. Është një sulm kundër të gjithë atyre për të cilët demokracia ka interes dhe që kanë besim në të”, theksoi ai. Vrasja e Xho Koks, një deputete laburiste pro BE-së, 41-vjeçare, e vrarë me plumba dhe e qëlluar me thikë në Birstall, tronditi fushatën e referendumit mbi qëndrimin në Bashkimin Evropian duke e kthyer në një dramë, një javë larg votimit. Vrasja e deputetes çoi në pezullimin e fushatës për referendumin e javës së ardhshme mbi anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian. Xho Koks u sulmua teksa përgatitej të mbante një takim me zgjedhësit në Birstall. Mediat britanike bënë të ditur se ajo është qëlluar me armë dhe me thikë. Policia e “West Yorkshire” bëri të ditur se ka arrestuar agresorin 52-vjeçar, ndërsa janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe arma e zjarrit si dhe arma e ftohtë. Motivet e veprimit të tij mbeten mister, por nga sa është raportuar, agresori ka thirrur “Britania duhet të dalë jashtë BE-së” gjatë aktit kriminal. “E gjithë Partia Laburiste dhe familja e madhe e mbështetësve të saj, por më shumë sesa kaq edhe i gjithë vendi, kanë mbetur të shokuar nga vrasja e tmerrshme dhe e pabesueshme e Koks”, tha kreu i laburistëve, Xheremi Korbi në një deklaratë me shkrim. Kryeministri britanik, David Cameron tha se vrasja e Koks, e cila ishte e martuar dhe kishte dy fëmijë, ndërkohë që kishte punuar edhe për fushatën presidenciale të vitit 2008 të Barak Obamës në Shtetet e Bashkuara, ishte një tragjedi. “Kemi humbur një yll të madh në rritje”, tha kryeministri konservator në një deklaratë.

Referendumi duhet të shtyhet

Bernd Riegert

Deputetja Jo Cox u vra. Një burrë u plagos. Urrejtja po hedh hije mbi referendumin në Britaninë e Madhe. Kështu nuk mund të vazhdohet, mendon Bernd Riegert. Britania e Madhe është e tronditur. Madje edhe shumë evropianë të interesuar për referendumin britanik si dhe shumë evropianë që kanë përgjegjësi në Bruksel janë të tronditur. Shtrohet pyetja: A ia vlen e gjithë kjo? Si ka mundësi që grindja politike për kursin e Britanisë së Madhe të përfundojë me një viktimë? Vrasësi frikacak duket se ka vrarë prej urrejtjes. Ky është edhe mendimi i bashkëshortit të pikëlluar të deputetes së vrarë. Urrejtja kundër klasës politike, kundër establishmentit, kundër një përfytyrimi krejtësisht të gabuar për BE-në. Kjo nuk ishte vetëm një vrasje e poshtër dhe e pakuptimtë e një nëne, e një talenti politik. Akti është gjithashtu një sulm ndaj demokracisë në Britaninë e Madhe. Si mund të arrinte puna deri këtu? Me një ashpërsi të rrallë, me shpifje të pabesueshme, gënjeshtra, shifra të rreme, pretendime absurde dhe taktikat frikësues, të dyja palët e kanë helmuar klimën politike. Përkrahësit e daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian përdorën Adolf Hitlerin, fantazi pushtimi dhe deklarata për orkanë refugjatësh për t’i trembur njerëzit. Kundërshtarët e Brexit-it menduan se prej daljes nga BE-ja do të rrezikohej paqja botërore, mirëqënia dhe Evropa në tërësi. Ehe ata ushqyen frikëra, por jo në mënyrë aq dramatike sa populistët e djathtë të fushatave për daljen nga BE-ja, “Leave”. Demagogu Nigel Farage i Partisë për Pavarësinë duhet të pyes veten nëse e ka tepruar. Edhe më keq u soll partia ekstremiste e djathtë “Britania e Para” ( Britain First), parti e cila sipas faqes së saj në internet urren majtët e bardhë dhe gazetarët kritikë. Është ende e paqartë nëse vrasësi gjatë vrasjes së poshtër i është referuar partisë “Britain First”, por ka dëshmitarë që thonë pikërisht këtë. Një zëdhënës i partiës “Britain First” nuk e pati guximin që të mohonte çdo lloj lidhjeje dhe të sulmonte mediat për raportimin e tyre. Vërtet partitë që u përkasin kampeve të ndryshme në luftën e nxehtë të referendumit në Britaninë e Madhe nuk janë ligjërisht fajtore për krimin, por ato mbajnë përgjegjësi. Përgjegjësi për atmosferën agresive që mund ta ketë nxitur autorin e krimit. Britania e Madhe ka përjetuar vrasje politike në konfliktin me terroristët irlandezo-veriorë. Megjithatë krimi i fundit ndaj një deputeti ka ndodhur para 26 vjetësh. Edhe në Gjermani situata politike po bëhet më agresive. Dhuna e motivuar politikisht si nga spektri i djathtë edhe ai i majtë po shtohet në debatin në lidhje me politikën ndaj refugjatëve. Edhe në Gjermani ka pasur sulme të ngjashme si ato ndaj Jo Cox. Për fat të mirë kandidati i SPD-së për kancelar Oskar Lafontaine (1990), ministri i Brendshëm Wolfgang Schäuble (1990) apo kandidatja për kryetare bashkie në Këln Henriette Reker (2015) nuk gjetën vdekjen. Pas një jave votuesit në Britaninë e Madher do të vendosin nëse duan të largohen nga BE-ja apo jo. Po a është e mundur një gjë e tillë tani? Përkrahësit e BE-së e kanë ndërprerë fushatën e tyre deri ditën e shtunë. Pas tyre këtë e bënë edhe përkrahësit e Brexit-it. Por një ditë armëpushim nuk mjafton: referendumi britanik duhet të shtyhet për disa javë, në mënyrë që të qetësohen shpirtrat, dhe që frika dhe urrejtja të mund të eleminohen nga gara elektorale.Tani duhet të bërë një hap prapa dhe të shtrohet pyetja si arritëm deri këtu? A duam vërtetë të vazhdojë kështu? Të paktën këtë Britania e Madhe ia ka tani borxh Jo Cox-it dhe familjes së saj.

Të mësojmë nga Namibia

Joseph E. Stiglitz
Anya Schiffrin

E zënë ngushtë mes Angolës dhe Afrikës së Jugut, Namibia vuajti keqazi gjatë luftës së gjatë kundër aparteidit. Megjithatë, që kur fitoi pavarësinë nga Afrika e Jugut në 1990, ky vend i 2.4 milionë banorëve ka arritur jashtëzakonisht shumë, veçanërisht në vitet e fundit.
Një arsye e madhe për suksesin e Namibisë ka qenë përqendrimi i qeverisë te arsimi. Ndërsa njerëzit në vendet e përparuara e marrin për të mirëqenë arsimin fillor dhe 9-vjeçar falas, në shumë vende të varfëra arsimi 9-vjeçar dhe madje edhe shkollat fillore, kërkojnë tarifa hyrëse. Qeveritë shpesh këshillohen të imponojnë tarifa si një formë e “rikuperimit të kostos”. Në Namibi, megjithatë, arsimi publik fillor është falas; dhe vitin shkollor aktual, kështu është bërë edhe arsimi 9-vjeçar.
Qeveria e Namibisë është gjithashtu proaktive edhe në mënyra të tjera të rëndësishme. Përpjekjet për luftimin e malaries kanë pakësuar rastet me 97 për qind në rreth një dekadë. Përndryshe trendit global të rritjes së pabarazisë, koeficienti Gini i Namibisë (matja standarde e pabarazisë në një shpërndarje të të ardhurave) ka rënë me rreth 15 pikë që nga 1993 (një prej niveleve më larta në botë). Dhe norma e varfërisë pothuajse është përgjysmuar, nga 69 për qind në 1993 në 30 për qind, ku varfëria ekstreme (numri i njerëzve që jetojnë me më pak se 1.90 dollarë në ditë) ka rënë ngjashmërisht, nga 53 për qind në 23 për qind.
Namibia ka gjithashtu normën më të lartë në Afrikë për lirinë e medias sipas Reporterëve Pa Kufij – shumë më përpara se SHBA dhe ekonomi të tjera të pasura. Vendi gjithashtu ka norma pozitive – mes më të lartave në Afrikë – në Indeksin e Perceptimeve të Korrupsionit të Transparency International.
Edhe teksa çmimet e mallrave po bien, Namibia ia ka dalë të ruajë rritjen e fortë të PBB – prej 4.5 për qind në 2015, duke pasuar një rritje mesatare rreth 4.2 për qind nga 1991-2014. Njëkohësisht, norma e saj borxh-PBB, rreth 25 për qind është më pak se një e treta e normës së borxhit në Europë apo SHBA.
Sigurisht, Namibia ka problemet e saj. Norma e papunësisë, të paktën sipas matjeve të fundit, mbetet ende e lartë, rreth 28 për qind. Dhe ashtu si vendet e tjera të rajonit, ajo përballet me një nivel të lartë të HIV/AIDS – rreth 17 për qind e popullatës janë HIV-pozitiv.
Banka Botërore e klasifikon Namibinë si me të ardhura të mesme të larta, por autoritetet këmbëngulin se vendi i tyre është një vend në zhvillim. Namibia sigurisht ka disa vështirësi që hasen te ekonomitë pak të zhvilluara. Ajo duhet të zhvillojë një vend shumë të madh dhe të thatë me një popullatë të vogël. Kjo përfshin komunitete të izoluara në shkretëtirë si gjahtarë nomadë, të cilët në një farë mënyre duhet të integrohen në një shoqëri moderne pa humbur identitetin e tyre.
Integrimi i njerëzve që një çerek shekulli më parë ishin në skaj të ekonomisë globale është një detyrë e jashtëzakonshme për çdo vend. Për Namibinë, është edhe më e vështirë: ashtu sikurse çdo vend tjetër në botë, ka hasur pasojat e ndryshimit klimatik.
Për më tepër, Namibia i ka përballuar mirë këto probleme teksa krijon një ekonomi të diversifikuar dhe kohezive. Është për t’u lavdëruar se fraksionet politike rivale të vendit luftës së vendit për liri kanë punuar së bashku për të mirën e përbashkët.
Namibia ofron kujdes shëndetësor të kostos së ulët jo vetëm për shtetasit e vet, por edhe për fqinjët. Rreth 15-20 për qind e vizitave të kujdesit shëndetësor në Namibinë e veriut janë shtetas angolan. Menaxheri i hotelit ku ne qëndruam, përtej kufirit, çon rregullisht një varkë të vogël përtej lumit të populluar nga krokodilët për të sjellë angolianë që duan të blejnë ushqime në hotel apo të vizitojnë punonjësit e shëndetit në Namibi.
Askush në Namibi nuk flet rreth ndërtimit të një muri mes vendit të tyre apo fqinjëve të varfër dhe të korruptuar. Në fakt, namibianët që takuam e kuptojnë se nuk mund t’i zgjedhin fqinjët, ndaj është më mirë për ta nëse ndajnë burimet e pakta ujore, bashkëpunojnë në përpjekje rajonale të shëndetit, inkurajojnë investimet dhe shkëmbejnë studentët.
Për më tepër, qeveria e Namibisë ka kuptuar me mençuri se burimet e pakta natyrore mund të bëhen një mallkim, duke pasuruar disa në kurriz të shumë të tjerëve. Autoritetet e dinë se nëse pasuria natyrore e Namibisë investohet në infrastrukturë dhe në kapacitetet produktive të njerëzve të saj, shterrimi i burimeve natyrore do ta lërë vendin më të varfër dhe jo më të pasur. Ata gjithashtu e dinë se do të ishte e papërgjegjshme nëse nuk i shpërndajnë burimet natyrore të vendit me popullin dhe po rishqyrtojnë ligjet e investimit dhe minierave për t’u siguruar se kjo do të ndodhë.
Transparenca është thelbësore për këtë proces, që është arsyeja përse mbështetja e fortë e qeverisë për lirinë e shtypit është kaq e rëndësishme. Siç na tha presidenti Hage Geingob, shtypi shpesh thotë gjëra që atij nuk i pëlqejnë. Por, pasi ka luftuar për liri nga aparteidi i Afrikës së Jugut, sipas Geingob, Namibia duhet ta mbrojë lirinë që ka fituar. Përveç kësaj, Geingob pranon se transparenca e mbron atë nga kërkesat për ndere të korporatave dhe grupeve të tjera të interesit.
Jo të gjitha burimet kyçe të Namibisë janë të fundme. Disa – si peshkimi – janë të rinovueshme dhe qeveria po punon fort për ta ruajtur dhe shtuar atë. Më e rëndësishmja, ndryshe nga ekonomitë e tjera të varura nga burimet, ajo ia ka dalë me sukses në diversifikimin e ekonomisë – në atë pikë që shërbimet përbëjnë më shumë se 60 për qind e PBB, ku turizmi kryeson. Çdo vit, më shumë se një milionë turistë të huaj vizitojnë vendin.
Kjo nuk është befasi. Namibia është një nga vendet më të bukura në botë dhe njerëzit e saj kultivojnë mjedisin dhe mbrojnë kafshët. Rreth 100 vite më parë, kolonialistët – 1% i kohës – shijoi gjuetinë për sport dhe asgjësoi rinocerontët dhe elefantët. Tani shkencëtarët vendas po i kthejnë kafshët në Gjirin Skeleton dhe pjesë të tjera të vendit. Për ironi, disa financime për këtë vijnë nga 1% i sotëm.
Namibia tregon se edhe vendet që fillojnë me disavantazhe të rënda – racizëm ekstrem, kolonializim, pabarazi dhe zhvillim të ulët – mund të krijojnë një rrugë drejt begatisë së përbashkët. Arritja e saj meriton njohje ndërkombëtare – dhe rivalitet.

Kryebashkiaku i Himarës u rrëmben tokën banorëve dhe e jep me koncesion

Banorët e Himarës kanë denoncuar rrëmbimin e pronave të tyre nga kryetari i Bashkisë, Jorgo Goro. Sipas banorëve, Livadhi në Himarë që është pronë e tyre është marrë nga kryebashkiaku dhe u është dhënë me koncesion njerëzve nga Tirana. Denoncimin e kanë bërë në takimin e zhvilluar dje, takimi i dytë mes drejtuesve të Bashkisë së Himarës të shoqëruar nga hartues e drejtues të planit të përgjithshëm vendor, si dhe banorëve. Takimi ka nisur me fjalën e drejtuesve të projektit ku është folur mbi shëtitoren e re dhe vazhdimësinë e planit të Himarës, ndërkohë që është ndërprerë disa herë nga ana e banorëve.
I pranishëm në takim, i cili ka folur edhe në emër të banorëve, ka qenë edhe kryetari i Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë, në të njëjtën kohë dhe drejtor ekzekutiv i shoqatës së komunitetit himariot, Nikollaq Neranxi. Ai ka replikuar ashpër jo vetëm me drejtuesit e projektit, por edhe me kreun e Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro i pranishëm edhe ky në takim. Në qendër të reagimeve dhe kundërshtimeve ka qenë pikërisht moszgjidhja e çështjeve të tokave, të cilat edhe sot e kësaj dite për shumë banorë nuk janë zgjidhur ende.
“Këtu keni një popull që nuk mund ta gënjeni duke dashur t’i merrni dy cilësi kryesore, pronat dhe emrin. Kemi përballë njerëz që duan të na gënjejnë, të cilët vijnë me një projekt të përfunduar që prej një viti, sipas drejtuesve të projektit, ndërsa drejtuesi i urbanistikës na gënjen duke thënë se po vijmë të marrim mendim. Ne duam atë Himarën e bukur me historinë e saj që doni të na e merrni, ato prona që po shikojnë se si po vdesin himarjotët duke mos i gëzuar”, është shprehur Neranxi.
Ai ka akuzuar kreun e Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro se nuk arriti dot të zgjidhte çështjen e pronave në këto 5 vite. Neranxi shtoi se historia e Himarës po shfrytëzohet, por kjo gjë nuk do të lejohet të vazhdojë më pasi pronat do të mbrohen me gjak.
Pas fjalës së tij Neranxi është larguar nga salla duke bojkotuar takimin, ndërkohë që së bashku me të janë larguar dhe shumica e banorëve të pranishëm. I shoqëruar dhe nga banorët, Neranxi është drejtuar për në zonën e Livadhit ku ka denoncuar koncesionin e një pjese të plazhit, e cila sipas tij i është dhënë në mënyrë të padrejtë nga bashkia disa njerëzve të ardhur nga Tirana duke iu rrëmbyer banorëve të Himarës.

Arrestohet në Luksemburg shqiptari që vrau çiftin anglez

I shumëkërkuari për vrasjen e një çifti të moshuarish anglezë, Ali Qazimaj, 42 vjeç, është arrestuar dje nga Policia e Luksemburgut. Qazimaj ishte shpallur në kërkim si i dyshuar për vrasjen e 75-vjeçarit, Peter Stuart dhe zhdukjes së bashkëshortes së tij, 69-vjeçares Sylvia. Qerimaj u arrestua në një hotel në Luksemburg, pasi një nga punonjësit e stafit të hotelit e ka identifikuar përmes fotove që qarkullonin në internet.
42-vjeçari shqiptar, i cili kishte pasaportë kosovare u kap në një hotel, pas një kërkimi ndërkombëtar për më shumë se dy javë. “Daily Mail” shkruan se një anëtar i hotelit ka identifikuar Qazimajn përmes fotografive të publikuara në internet.
“Ne tani hyjnë në një proces ekstradimi, por varet edhe nga fakti nëse Ali Qazimaj apelon kundër këtij procesi. Nëse jo, ne kemi një hapësirë kohore 10 ditë për të dërguar oficerë për të marrë 42-vjeçarin përsëri në Mbretërinë e Bashkuar”, u shpreh një dedektiv.
Ngjarja për të cilin akuzohet shqiptari ndodhi më 29 maj në Norfolk, ku 75-vjeçari Peter Stuart u qëllua për vdekje me një thikë nga Qazimaj, ndërsa gruan e tij e zhduku në pyll.
Policia angleze shpalli në kërkim Qazimajn si i dyshuari kryesor, i cili ishte i regjistruar në Angli si shtetas kosovar, por që nga komunikimet e policisë angleze me atë shqiptare, rezulton se ai është shtetas i Republikës së Shqipërisë me identitet të ndryshuar, pasi i ka vjedhur identitetin një qytetari nga Peja në Kosovë. Në Angli ai njihej ndryshe edhe me emrin Marco Costa. Madje, policia angleze ka të dhëna se ai ka blerë një tokë në afërsi të aeroportit “Nënë Tereza” në Tiranë.

Shkodër, terrorizon kalimtarët me sëpatë në dorë

I armatosur me një sëpatë në dorë një qytetar ka terrorizuar për minuta të tëra banorët e lagjes “Xhabije” në Shkodër. Pamjet e fiksuara nga një kamera dhe të publikuara në rrjetet sociale dëshmojnë qartazi se si personi godet me sëpatë një pemë të re buzë rrugës dhe asnjë nga banorët e lagjes nuk guxon që t’i afrohet për ta frenuar për shkak të frikës dhe kërcënimit të agresorit se do të kishin të njëjtin fat me pemën.
Gjatë gjithë kohës, i riu rreth të 30-tave ka komunikuar me banorët me një ton të ashpër, duke thënë se është viktimë e një padrejtësie të bërë nga shteti, inat që kishte menduar t’ia faturonte pemës. Ajo që i ka habitur edhe më shumë banorët e lagjes “Xhabije” ishin fjalët e agresorit që ankohej se shteti i kishte bërë një padrejtësi, ndaj dhe donte të priste pemën.
Kjo skenë e pazakontë ka vijuar për më shumë se 20 minuta, ndërsa agresori i pemës nuk i është përgjigjur as thirrjeve të policisë që ka mbërritur në vendngjarje pas sinjalizimit të banorëve.
Situata është qetësuar vetëm pas ndërhyrjes së agjentëve të policisë, që kanë arritur të neutralizojnë personin duke i marrë sëpatën nga dora. Tepër prekëse ka qenë edhe tentativa e qytetarëve shkodranë për të shpëtuar pemën e dëmtuar, duke e fashuar atë me mjete rrethanore.