26.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Gusht, 2025

OMONIA denoncon masakrën Rama me ndërtimet në Himarë

Dega e OMONIA-s dhe e PBDNJ-së Himarë denoncojnë në mënyrë të përsëritur padrejtësitë ndaj komunitetit helen në Himarë. Me mospërfillje, pa etikë dhe profesionalizëm është provokuar përsëri ky komunitet. Shqetësimi është paraqitur për të disatën herë në datë 16.06.2016 prej 5 të rinjve, të cilët përfaqësonin studion, e cila ka fituar tenderin e rikualifikimit urban të qendrës së qytetit të Himarës. “Në shtator të vitit 2015, PBDNJ dhe organizata OMONIA i është drejtuar Kryeministrit Edi Rama me një shkresë ku theksonte se studime të tilla nuk kanë asnjë qëllim tjetër, përveç se shkatërrimin e biznesit të komunitetit tonë dhe ndryshimin demografik të tij. Konkretisht investimi në fjalë çrrënjosi përfundimisht dhe pa dëmshpërblim shtatë bizneset e familjeve: Kristo Beno, Mihal Guma, Marika Beno, Edmond Beno, Jorgo Gjoka, Mihal Gjicali, Fotaq Gjicali, kështu këto familje janë shpërngulur nga Himara. Zgjerimi i papranueshëm mbi plazhin, duke zënë një pjesë të madhe të rërës përmes betonizimit nxorën jashtë tregut mbi 40 biznese të përhershme të Spilesë. Ndërkohë, në paraqitjen e lotit të dytë të investimit për rikonfirmimin e qendrës folën se si do të çrrënjosin edhe 12 familje të tjera, të cilat banojnë në godinat e tyre 250-vjeçare. Familjet janë: Andrea Konomi, Jani Konomi, Kasjani Gjini (Konomi), Ila Neranxi, Paksino Neranxi, Periklo Neranxi, Manol Zoto, Andon Milo, Aleksandra Milo, Zaho Kacelano, Sokrat Milo etj.”, thuhet në reagim. Gjithashtu, bëhet e ditur se njëkohësisht me ndërtimet e parashikuara mendohet të zaptohet ambienti sportiv dhe oborri funksional i shkollës 9-vjeçare, ndërtesa e kopshtit, Qendra Shëndetësore, shkolla fillore dhe grupit të pallateve do t’u merren ambientet kreative. “Ne dëshirojmë të theksojmë se pas këtyre studimeve amatoreske fshihet vetëm një qëllim, dëmtimi dhe çrrënjosja e komunitetit helen të Himarës dhe ndryshimi demografik i saj. I bëjmë thirrje Edi Ramës të marrë masa të menjëhershme për frenimin e veprimeve, të cilat penalizojnë nga pikëpamja urbane komunitetin tonë. Të rifillojë nga e para diskutimi për studimin në fjalë, duke marrë masat për hipotekimin e pronarëve të zonës që do të kryhet studimi. Njëkohësisht kërkojmë ndërhyrjen e organizmave ndërkombëtare, të cilat mbështesin Shqipërinë, të ushtrojnë të gjithë autoritetin e tyre për sa u lejohet pranë qeverisë shqiptare, në mënyrë që të frenohen veprime, të cilat nuk janë në mbarëvajtje me respektimin e të drejtave të njeriut dhe në vlerësim të vlerave kulturore dhe të mjedisit”, thuhet në deklaratë.

Veliaj humbet në gjykatë, detyrohet të japë informacion

Këshilltarët e Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës kanë fituar gjyqin me Erion Veliajn në lidhje me mosdhënien e informacionit dhe një vendim i Gjykatës Administrative e detyron kryetarin e Bashkisë të zbatojë ligjin, të informojë këshilltarët për çdo kërkesë që ata kanë.
“Ashtu sikundër ju kemi bërë me dije, prej më shumë se 2 muajsh kemi qenë të detyruar si rezultat i teatrit absurd të z. Veliaj, për të fshehur çdo informacion, jemi detyruar t’i drejtohemi Gjykatës Administrative. Me vendimin e saj na dha plotësisht të drejtë dhe për fat të keq detyron kryetarin e Bashkisë që të respektojë dhe zbatojë ligjin. Besoj se ky analfabetizëm institucional është krejtësisht i patolerueshëm dhe i panevojshëm. Të detyrohen të kërkojnë nga gjykatat që të zbatohet ligji, neni 51, pika 3, që këshilltari ka të drejtë të informohet me kërkesën e tij për gjithçka dhe në çdo kohë nga kryetari i Bashkisë, besoj se është totalisht absurde. Por, për fat të mirë, jo vetëm të këshilltarëve, por për fatin e mirë të qytetarëve, vendimi i gjykatës nuk i lë asnjë ekuivok kryetarit në detyrë të Bashkisë, por të zbatojë në mënyrën më rigoroze, ligjin”, u shpreh kreu i këshilltarëve demokratë, Leonard Olli.
Olli shprehet se Veliaj nuk jep informacion, për shkak të aferave korruptive që ka kryer në një vit në krye të Bashkisë së Tiranës.
“Ai ka frikë nga transparenca, sepse transparenca që do të bëjë ndaj çdo vendimmarrje dhe menaxhimit dhe administrimit të Bashkisë, do të provojë skandalet e tij, aferat e tij korruptive me klientët e pushtetit personal apo të Kryeministrit Rama. Ka frikë nga transparenca, ndaj futi fshehurazi, në mesnatë, vendimin për ngritjen e çmimit të biletës, ka frikë nga transparenca Erion Veliaj dhe prandaj nuk u konsultua me qytetarët për këtë veprim që e ka detyrim ligjor. Ka frikë nga transparenca, ndaj futi fshehurazi në kundërshtim me ligjin paketën fiskale, pa e konsultuar fare me grupet e interesit dhe sot më shumë se kurrë biznesi po vuan këtë paketë shkatërruese që i ka çuar ata në prag falimentimi. Ka frikë nga aferat korruptive të klientëve të betonit prandaj nuk bën transparencën e ndërhyrjes brutale tek Liqeni Artificial apo të betonizimit të Sheshit ‘Skënderbej’ apo edhe të kullës me stadium që për fat të keq ka filluar të ndërtohet duke rrënuar një trashëgimi kulturore historike në zemër të Shqipërisë”, tha Olli. Bashkia e Tiranës dhe kryebashkiaku Veliaj ka marrë notën 4, në vlerësimin që u është bërë për periudhën njëvjeçare të qeverisjeve vendore, në raport me transparencën me publikun.
“Nuk besoj se ka bilanc më negativ se kaq. Nuk besoj se aferat korruptive të tij do t’i mbulojë duke mos dhënë informacion. Me këtë rast i them kryetarit të Bashkisë, që të mos hezitojë e të mos ketë aspak frikë të përgjigjet, sepse me dëshirën e tij ose jo, opozita në Këshillin Bashkiak do të bëjë të pamundur për të zbardhur aferat. Vetëm pak ditë më parë, Kontrolli i Lartë i Shtetit konstatoi shpërdorime të rënda të detyrës në ndërhyrjen në Unazën e Vogël dhe në të drejtat esenciale të njeriut sikundër kishin të bënin me çështjet e dëmshpërblimeve nga ndërhyrjet apo prishjet e banesave. Kjo është arsyeja që z. Veliaj nuk bën transparencë. Do të përballet me gjithçka sepse në fund të fundit kemi bërë një betim dhe kemi detyrimin moral dhe ligjor ndaj çdo qytetari të Tiranës, të mbrojmë me çdo kusht interesin publik”, deklaroi Olli.

Bisedimet Prishtinë-Beograd, takimi në Bruksel, Tahiri: Serbia po bllokon

Qeveria e Kosovës e ka fajësuar Serbinë për, siç thotë, “bllokim të zbatimit të marrëveshjeve të arritura” në kuadër të dialogut të zhvilluar në Bruksel, “duke mos ndërmarrë asnjë hap në drejtim të përmbushjes së obligimeve të saj”. “Pa dyshim se në Serbi mungon vullneti politik për të respektuar marrëveshjet e Brukselit, në veçanti ato të kodit telefonik dhe për energjetikën”, thuhet në raport. Raporti gjashtë mujor për procesin e dialogut, i hartuar nga Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, thekson se “moszbatimi i obligimeve në veçanti ka të bëjë me kodin telefonik të Kosovës dhe marrëveshjen për funksionalizimin e sistemit të pavarur të energjetikës (KOSTT).” “Të dyja këto marrëveshje i ka bllokuar Serbia”, thuhet në raport, në të cilin nënvizohet se për këto çështje është diskutuar në Bruksel për më shumë se 5 vite. Qeveria e Kosovës thotë se është e përkushtuar për dialogun sepse “ai i kontribuon paqes dhe stabilitetit në rajon, marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe përparimit në rrugën e integrimeve euro-atlantike”. Ministrja thotë se e ka njoftuar rregullisht BE-në për bllokadat që Serbia po i bën Kosovës, por “BE-ja nuk ka bërë presion të mëtejmë mbi Serbinë, siç ka kërkuar Kosova”.
Në raport thuhet se Qeveria është këmbëngulëse se nuk do të ndërmarrë asnjë hap në drejtim të zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin, “gjithnjë deri sa Serbia të mos heq bllokadën për kodin telefonik, të mos zbatojë marrëveshjen për energjetikën dhe të mos heq barrikadën nga ura qendrore në Mitrovicë.” “Asociacioni nuk do të mund të krijohet në një situatë e cila vazhdon të jetë paradoksale dhe në të cilën njëkohësisht veprojnë edhe komunat ligjore edhe ato joligjore, në veçanti në veriun e Kosovës”, thuhet në raport. Gjithashtu është vlerësim se Asociacioni nuk zbatohet pa shpërbërjen e plotë të gjitha strukturave paralele. Raporti ndërkohë ka ngjallur reagimin e palës serbe. Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se kushtëzimet e reja të Prishtinës do të duhej të trajtoheshin nga përfaqëusesit e bashkësisë ndërkombëtare, sepse me këtë po sillet në pikëpyetje, siç tha, kredibiliteti i gjithë marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel. “Dikush do të mund të thoshte se kjo është edhe një lloj përqeshje me vetë procesin e dialogut dhe me gjithë atë që është arritur. D.m.th. tejkalimi i kornizave të dialogut dhe shpikja e kushteve të reja gjithsesi se nuk do t’i kontribuojë as normalizimit dhe as përmirësimit të përgjithshëm të marrëdhënieve ndërmjet institucioneve të Beogradit dhe të Prishtinës”, ka thënë Gjuriq.
Në deklaratën e tij ai ka thënë gjithashtu se “serbët në Kosovë nuk kanë arsye që të brengosen për zhvillimet më të reja”, sepse, siç ka theksuar ai, mbështetja dhe ndihma e qeverisë së Serbisë për ta do të vazhdojë. Zbatimi i marrëveshjeve të arritura në Bruksel është kusht i rëndësishëm për normalizimin e marrëdhënieve, kanë deklaruar zyrtarë evropianë, ndërkohë që vetë Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për siguri dhe politikë të jashtme, Federica Mogherini, ka kërkuar nga palët që të përmbushin obligimet e tyre. Ndërkohë, gjetjet e raportit të Qeverisë së Kosovës kanë theksuar dështimin e Serbisë për të të larguar barrikadën mbi lumin Ibër, të ashtuquajtur parku i Paqes, në Mitrovicë. Por, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, tha për Radion Evropa e Lirë se bisedimet për largimin e të ashtuquajturit Park i Paqes në urën qendrore në Mitrovicë po zhvillohen me përfaqësues të Bashkimit Evropian. Ai tha se vendimi për Parkun e Paqes mund të merret gjatë ditës së enjte, por nuk ofroi më shumë hollësi. “Jemi duke biseduar për këtë çështje. Këtu janë përfaqësues të Këshillit të Evropës dhe nuk dua të flas me shumë. Sot pritet të merret vendimi. Jemi duke biseduar nga mëngjesi dhe kemi biseduar edhe dje. Jemi kah përfundimi dhe po punojmë fuqishëm”, tha Bahtiri për REL.

Raporti për falsifikimet e pronave, akuza për zvarritje në hetime

Të dhënat e siguruara për Boldnews.al nga Agjencia e Trajtimit të Pronave ngrenë shqetësimin për ngadalësimin e hetimeve nga ana Prokurorisë dhe Policisë për falsifikimet e dokumentave të pronësisë. Në një raport konfidencial të Agjencisë së Trajtimit të Pronave (më parë AKKP) thuhet se se deri tani janë depozituar pranë organit të akuzës 53 kallëzime penale. Nga këto vetëm për 10 raste ka përfunduar hetimi penal ku 4 prej tyre janë dërguar çështjet në gjykatë. Gjithashtu nga të gjitha rastet, vetëm një proces gjyqësor ka përfunduar me sukses. Bëhet fjalë për ç’regjistrimin e disa pronave nga ZVRPP e Vlorës të përfituara padrejtësisht dhe me dokumenta të falsifikuara. Raporti i ATP-së nënvizon më tej se Prokuroria ka zvarritur hetimet penale në të paktën 43 kallëzime. “Për 43 raste të kallëzuara ka vetëm hetime paraprake nga ana e Prokurorisë, siç janë kërkesat për kopje dokumentacioni apo këqyrje të dokumentave dhe në pak raste sekuestrim të këtyre dokumentave. Kjo ka krijuar një zvarritje të hetimit penal si dhe humbjen e efektivitetit të qëllimit për të cilën është krijuar edhe një Task-Force e ngritur mes dy institucioneve”– thuhet në raport ku të dhënat janë sigurura nga Boldnews.al. Lidhur me disa hetime penale të pushuara nga prokuroria, raporti konstaton se organi i akuzës është justifikuar me përmbushjen e afateve të parashkrimit penal për autorët që kanë falsifikuar dokumenta. Madje sipas Agjencisë së Trajtimit të Pronave në disa raste hetimet nuk kanë filluar për shkak se autorët e veprës penale kanë vdekur. “Në disa raste, prokurorët e rretheve mjaftohen vetëm me verifikimin nëse është përmbushur afati i parashkrimit të ndjekjes penale për autorët, duke mos e shtrirë hetimin në verifikimin e ekzistencës së veprës penale të falsifikimit të dokumentave” shtohet më tej në raport.

Dështon Task-Forca e ngritur për pronat

Më 8 gusht, Prokuroria, Policia e Shtetit, Avokatura e Shtetit dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave nënshkruan një marrëveshje për bashkëpunimin ndërinstitucional për vënien para përgjegjësisë të personave që kanë falsifikuar dokumentat duke tjetërsuar pronën. Në raportin konfidencial të ATP, thuhet se kjo marrëveshje nuk ka arritur qëllimin për penalizimin e shtetasve që kanë konsumuar këto vepra penale duke vënë kështu në dyshim edhe marrëveshjen ndërinstitucionale.  Është zbehur mundësia e kthimit të pronave të paluajtshme të shtetit, të tjetërsuara në mënyrë të padrejtë nga këta individ. Pra nuk është krijuar mundësia për të kthyer në gjendjen e mëparshme.” – thuhet në raport. Por pavarësisht raporti fshikullues, vetëm javët e fundit Prokuroria ka arritur të sekuestrojë me qindra hektarë tokë të përfituar në mënyrë të paligjshme në zonën e Karaburunit dhe Zvërnecit.  Boldnews.al raporti pak ditë më parë se disa biznesmenë dhe kompani të njohura ishin “viktima” të skemës mashtruese me falsifikimin e dokumenteve në plazhin e Shën Vasilit, në Karaburun, vlera e të cilës arrinte në shifrën spektakolare të 100 milionë eurove. Agjencia e Trajtimit të Pronave në qëndër të akuzave.  Shoqata Kombëtare “Pronësi me Drejtësi” ka lëshur një lumë akuzash ndaj Agjencisë së Trajtimit të Pronave lidhur me një ligj të njohur si nr.133/15. Në një deklaratë për mediat kreu i kësaj shoqate, Myrshit Vorpsi deklaron se një ligj i  tillë është  antikushtetues dhe kundër çdo parimi të së drejtës për disa arsye. “Jo më larg se para dy javësh ATP vlerësoi në mënyrë të njëanshme dhe deklarative pasuritë e pronarëve, të njohura në kuadër të vendimeve përfundimtare gjatë viteve 1993 dhe 1994. Këto vlerësime janë publikuar nga ky institucion në një regjistër elektronik dhe nëpër disa gazeta tek të cilat pronarët jo domosdoshmërisht kanë akses. Sipas terminologjisë ngatërruese të përdorur nga hartuesit e këtij mashtrimi me vlerë ligjore, ky grup pronarësh, shumica e të cilëve janë shkualifikuar nga e drejta e pronës, apo të cilëve u janë vlerësuar pronat në shuma tejet qesharake po rrezikojnë të humbasin edhe të drejtën e ankimit në gjykatë.” – thuhet në deklaratë e kryetarit të Shoqatës “Pronësi me Drejtësi”. Sipas përfaqësuesve të pronarëve Vorpsi shpjegon se shpërblimi i pronarëve në bazë të këtij ligji do të jetë qesharak dhe me një vlerë 100 fish më pak nga realja. “Ky pronar do të kompesohet sipas zërit kadrastal që ka pasur kjo pronë në vitin 1945, pra ka qenë tokë bujqësore dhe do të kompesohet me një çmim 350 lekë të reja për m2, ndërkohë ai person që ka përfituar këtë pronë do të kompesohet me 300 mijë lekë për m2.”- shton më tej Vorpsi.  Vorpsi shprehet se do të ndjekin çdo rrugë ligjore për ta kundërshtuar ligjin e ri te pronave ndërkohë që aktualisht kane vene ne dijeni edhe Gjykatën e Strasburgut dhe Këshillin e Europës dhe nëse ai miratohet pa reflektuar shqetesimet e pronarave ata do ti drejtohen edhe Gjykatës Kushtetuese.

Gati për Rumaninë

Kombëtarja shqiptare nisi përgatitjet për ndeshjen me Rumaninë. Kuqezinjtë zhvilluan seancën e parë stërvitore që pas ndeshjes me Francën në fushën e stadiumit “Yvves Janneau” në “Perros Guirec”, pasi e enjtja ishte ditë pushimi me lojtërat që u mjaftuan me masazhe dhe rehabilitim. Kjo është njëkohësisht dhe seanca e vetme stërvitore për përballjen e fundit në grup me Rumaninë, pasi të shtunën ekipi do të niset që në orën 11:00 drejt Lionit, ku do të luhet dhe takimi i radhës. Ajo që ra në sy ishte fakti se Ledian Memushaj, lojtari që vrapoi më shumë në fushë në Shqipëri-Francë, duke u bazuar në statistikat zyrtare të UEFA-s e nis stërvitjen i diferencuar dhe gjendja e tij mbetet për t’u vlerësuar.
Ishte rregullisht me grupin ndërkohë Arlind Ajeti, i cili pësoi një kontraktim në ndeshjen me Francën ç’ka kushtëzoi dhe zëvendësimin e tij me Veselin në minutat e fundit të ndeshjes. Në seancën stërvitore theksi është foksuar te veprimet taktike në sulm dhe mbrojtje, me De Biasin që i duhet të ndryshojë në ndeshjen e radhës. Për trajnerin është rikthyer i gatshëm pas pezullimit Lorik Cana, ndërkohë që duhet plotësuar boshllëku i krijuar nga mungesa e Burim Kukelit, që plotësoi numrin e kartonave në ndeshjen me Francën. Trajneri pritet të bëjë ndryshime të rëndësishme dhe në fazën sulmuese, nisur nga fakti që ndaj Rumanisë i duhet vetëm fitorja në mënyrë që Shqipëria të mbajë gjallë shpresat për një kualifikim si një ndër katër skuadrat e treta më të mira të të gjitha grupeve.
Andi Lila konfirmoi se objektivi kryesor ishte rikuperimi i forcave nga lojtarët. “Kemi dy ditë pas ndeshjes me Francën, ku patëm ngarkesë të madhe fizike. Ekipi po punon për t’u rikuperuar për ndeshjen e radhës, ku do të japim maksimumin dhe mendojmë që të marrim rezultat sa më pozitiv”, u shpreh Lila.
Kavajasi 30-vjeçar u aktivizua si titullar pikërisht prej karakteristikave fizike dhe aftësive në fazën mbrojtëse, por në 20 minutat e fundit trajneri De Biasi e zëvendësoi, me synimin që të përfitonte nga shpejtësia e Roshit në kundërsulm. “Kurrë nuk diskutohen vendimet e trajnerit, sepse ato merren në mënyrë që skuadra të arrijë rezultat. Sfida me Francën pati mjaft ngarkesë fizike, e skuadra e përballoi me sukses. Por, në futboll duhet edhe fati. Me mua apo pa mua në fushë nuk ka asnjë ndryshim, pasi të gjithë japin maksimumin. Skuadra kërkoi rezultat që do të na gëzonte të gjithëve, por në minutën e fundit pësuam golin. Dhe kur lodhjes fizike i shton goditjen psikologjike të disavantazhit, gjithçka bëhet më e vështirë. Ne do të vazhdojmë përpara dhe do të shohim rrugën tonë”, tha ai.
Kundër Rumanisë, te Shqipëria rikthehet Lorik Cana. Megjithatë paraqitjen e mirë të repartit difensiv përballë Francës, Lila vlerësoi rolin e kapitenit.

Rruga e Kombit, “fati” i koncesionarit vendoset në fund të muajit

Në fund të muajit qershor pritet të vendoset fati i koncensionit të mirëmbajtjes së Rrugës së Kombit. Burime zyrtare të Ministrisë së Transportit dhe Industrisë bëjnë të ditur se vendimi përfundimtar për pranimin ose jo të ofertave do të merret në fund të këtij muaji. Në garë për këtë koncension janë dy kompani turkja “Vendeka Bilgi” dhe “Catalys & Salillari”.  Në lidhje me tarifën që do të paguajnë automjtete, vlerësohet se do të jetë rreth 5 euro, ndërsa do të përjashtohet nga kjo tarifë banorët e zonës përreth. Për mjetet e tonazhit të rëndë parashikohet që kjo tarifë të jetë më e lartë. Megjithatë sipas ministrisë shifrat do të jenë pjesë e diskutimeve në fazën e nefociatave. Studimi i fizibilietit për kostot e mirëmbajtjes së kësaj autostrade është realizuar nga Banka Botërore (IFC). Kontrata parashikon që përvec mirëmbajtjes së rrugës, kompania fituese të përfundojë edhe ndërtimin e disa pjesëve të rrugës, siç janë urat e mbetura mbi lumin Drin midis Kukësit dhe Prizreni. Në llogaritjet e qeverisë kostoja e mirëmbajtjes së rrugës luhatet nga 8 deri në 12 milionë euro në vit, ndërsa koha e zgjatjes së konçesionit 35 vjet. Marrja me koncesion do të thotë pagesë për të kaluar në rrugë, e kjo pasohet edhe me rritjen e çmimit të biletës për qytetarët.

“The Sun”: Mrekullia Shqipëri, duam të qëndrojë në Euro!

Emocione në fushë dhe në tribuna. Megjithë dy humbjet në ndeshjet e para të grupit, Shqipëria nuk do të kalojë pa lënë gjurmë në Kampionatin Europian. Të gjitha mediat botërore janë të dashuruara me Kombëtaren, me lojtarët që japin gjithçka në fushë për fanellën dhe me tifozët që kanë dhuruar spektakël në ndeshjen në Lens dhe Marsejë.
Më e fundit që i shtohet listës së admiruesve të Shqipërisë është “The Sun”. “COME ON AL-BABE-IA” titulli i përdorur nga tabloidi britanik, që njihet për lojën e fjalëve, duke iu referuar në këtë rast tifozeve bukuroshe të kuqezinjve. “Shqipëria është në prag të eliminimit nga Euro 2016, por ne dëshirojmë që ata të qëndrojnë”, shkruhej në hyrje të artikullit të “The Sun”.
Tabloidi citonte se pjesëmarrja e Kombëtares së drejtuar nga Gianni de Biasi në evenimentin në Francë, në vetvete përbën një “mrekulli të vogël”, me kuqezinjtë që përmbysën të gjitha parashikimet, duke u kualifikuar direkt në Kampionatin Europian. “The Sun” nënvijëzonte se mbështetja e jashtëzakonshme e tifozëve të Shqipërisë ishte një spektakël më vete, mbi të gjitha në ndeshjen e luajtur në Marsejë me Francën.
E kur verdikte të tilla vijnë nga anglezët, që njihen për pasionin dhe spektaklin që dhurojnë në tribuna, e kupton që pavarësisht rezultateve në fushë dhe si do të mbyllet sfida e fundit në grup me Rumaninë, Shqipëria e ka fituar Europianin e saj.

Rami: Ja lojtari më i “çmendur” i Shqipërisë

Në ndeshjen mes Francës dhe Shqipërisë, mbrojtësi francez Adil Rami, ka pasur një detyrë të vështirë për të markuar sulmuesin kuqezi, Armando Sadiku. Mbrojtësi i Francës ka thurur elozhe për kundërshtarin që kishte përballë, duke treguar vuajtjet gjatë 90 minutave. “Ka qenë një ndeshje shumë stresuese për mua. Sulmuesi i tyre vrapoi gjatë gjithë kohës si i çmendur. Edhe pse nuk kishte topin, me të vërtetë që ka qenë një ndeshje e mundimshme për ta ndjekur. Kishte një forcë dhe ritëm të jashtëzakonshëm”, deklaroi Rami.
“Në këtë kompeticion nuk ka diferenca të mëdha mes skuadrave, por ne kemi realizuar në maksimum objektivin tonë. Kemi fituar të dyja përballjet dhe nuk kemi pësuar asnjë gol. Por, kam frikë se në fund të Europianit do të më bien të gjithë flokët nga stresi që po përjetoj. Për një mbrojtës është me të vërtetë e vështirë”, përfundoi ai.

Ndaj Rumanisë vetëm për fitore

Ai gol fantastik i Bekim Balajt në Aveiro ndaj Portugalisë i hapi rrugën kualifikimit historik të Shqipërisë në Europian, por edhe pse luajti një rol shumë të rëndësishëm në eliminatore, sulmuesi shkodran ende nuk e ka bërë debutimin e tij në Euro 2016-të. Balaj i ka ndjekur nga stoli dy ndeshjet e para të Kombëtares Kuqezi në Grupin A, ndaj Zvicrës dhe Francës, por ky fakt nuk e demoralizon 25-vjeçarin, i cili po pret momentin e tij.
“Të them të drejtën që në momentin që kemi ardhur këtu kam qenë në dispozicion të skuadrës për të dhënë maksimumin tim, gjithsesi është trajneri ai që vendos. Në ndeshjen ndaj Francës mund të isha aktivizuar në minutat e fundit, por dëmtimi i Ajetit prishi planet e trajnerit. Megjithatë, unë po përgatiem makismalisht dhe shpresoj që ndaj Rumanisë të vijë momenti im”, u shpreh Balaj.
Balaj është i bindur se, ndaj Rumanisë të dielën në Lyon do të ketë minutat e tij dhe nuk mendon kurrsesi se do ta mbyllë Europianin francez pa debutuar. “As që mund ta mendoj se mund ta mbyll Europianin pa luajtur fare. Kemi edhe një ndeshje tjetër për të luajtur dhe shpresoj të bëj debutimin tim”, tha ai.
2 humbje dhe asnjë pikë e grumbulluar në dy ndeshjet e para në grup ndaj Zvicrës dhe Francës, kanë pakësuar shanset e Shqipërisë për të avancuar në raundin e 1/8-ave të Euro 2016, por Balaj nuk e humbet besimin dhe shpreson deri në fund te kualifikimi. “Kemi marrë dy humbje normalisht të pamerituara, por gjithsesi janë dy humbje dhe kemi 0 pikë. Ndeshja me Rumaninë është shansi ynë i fundit, do të japim maksimumin për ta fituar këtë sfidë, dhe më pas do të shpresoj te rezultatet e skuadrave të tjera për të tentuar kualifikimin. Mendoj se në këtë ndeshje duhet të japim akoma edhe më shumë se në dy ndeshjet e para për të marrë fitoren e parë në Euro 2016-të”, tha Balaj.
Pavarësisht humbjeve, Shqipëria ka bërë dy paraqitje shumë të mira në 2 ndeshjet e para dhe që tani mund të thuhet me plot gojën se, kuqezinjtë e Gianni De Biasit e kanë fituar europianin e tyre. Megjithatë, Balaj mendon se Shqipëria nuk do të largohet pa asnjë pikë nga Franca. “Si eksperiencë e parë kemi bërë paraqitje pozitive, dhe mendoj se të gjithë e pranojnë që Shqipëria e ka fituar Europianin e saj, duke qenë këtu në Francë. Në dy ndeshjet e para edhe pse kemi luajtur mirë nuk kemi marrë rezultat, por duhet t’i gëzohemi paraqitjeve tona dhe të tentojmë të bëjmë maksimumin në ndeshjen e fundit të grupit për të marrë edhe pikët e para në këtë kampionat Europian”, përfundoi Balaj.

OSHEE koncesion të fshehtë për të kaluar lidhjet e energjisë tek privati

Operatori i Shpërndarjes i ka kërkuar Entit Rregullator të Energjisë të miratojë një projekt-rregullore, e cila e kalon funksionin e lidhjeve të reja të energjisë në rrjet tek privatët. Drafti i zotëruar nga SYRI.net i hap rrugën një koncesioni të maskuar, i cili de fakto transferon një biznes me vlerë dhjetëra milionë euro tek privatët që do të përzgjidhen nga vetë Operatori i Shpërndarjes. Më konkretisht, në pikën 1.9 të projekt-rregullores, OSHEE kërkon t’i jepet e drejta për të përzgjedhur subjekte të pavarura, të cilat do të realizojnë lidhjet e konsumatorëve në rrjetin e shpërndarjes. Sipas këtij neni, kompanitë private të përzgjedhura do të jenë përgjegjëse për të gjithë procesin e lidhjes së një abonenti në rrjet, nga blerja e pajisjeve, kryerja e lidhjes dhe më pas testimi i saj deri në marrjen në dorëzim nga OSHEE.

Miliona euro

Abonentët që duan të lidhen në rrjetin e shpërndarjes për të marrë energji në banesat apo bizneset e tyre paguajnë një sërë tarifash. Të dhënat zyrtare të publikuara në raportin vjetor të Energjisë Elektrike tregojnë se vitin e kaluar Operatori i Shpërndarjes arkëtoi rreth 5 milionë euro nga lidhjet e reja të energjisë. Por me rregulloren e re këto tarifa janë propozuar të rriten çka do të çojë në zgjerimin e mëtejshëm të këtij biznesi, i cili po tentohet që të transferohet tek privatët. Sipas rregullores, pagesa totale që do të paguajnë qytetarët apo bizneset për t’u lidhur në rrjet nga 7 tarifa të ndryshme dhe shuma përfundimtare e tyre varet nga rrjeti i tensionit ku do të bëhet lidhja, distanca e abonentit nga nënstacioni më i afërt si dhe një sërë faktorësh të tjerë.

Debate në ERE

Lidhja e konsumatorëve në rrjetin e shpërndarjes së energjisë ka qenë gjithmonë një funksion i OSHEE. Burime konfidenciale i thanë SYRI.net se, propozimi i OSHEE për të transferuar tek privatët funksionin e lidhjeve të reja ka shkaktuar debate të forta brenda Entit Rregullator të Energjisë Elektrike. Burime nga ERE thanë se, projekt-trregullorja është në shqyrtim dhe se ende nuk ka asnjë vendim final për të kaluar lidhjet në rrjet tek privati. Sipas tyre, kjo është një nga pikat më të debatuara mes ERE-s dhe OSHEE, e cila këmbëngul që këtë funksion t’ia kalojë privatëve që do të përzgjidhen nga vetë ajo, pasi kështu do të rriste eficencën.

Vjedhjet e OSHEE

Megakorrupsioni që paguan OSHEE për sipërmarrjet e lidhura me qeverinë apo ministrat e saj, duket se është zyrtarizuar nga Kryeministri Edi Rama, si një pus parash publike të pafundme për të shpërblyer zyrtarët. Skema korruptive e OSHEE dita-ditës nxjerr në dritë emra dhe firma që janë të lidhura me individë të fortë brenda mazhorancës së rilindjes. Sipas portalit “Boom.al” vetëm dy tendera të kësaj strukture u janë dhënë dy firmave të lidhura me ministrin Arben Ahmetaj. Tenderi linja e tensionit të lartë lagjia Dunavat-Gjirokastër me vlerë rreth 200 milionë lekë ka pasur fitues subjektin Vaso Jovani. Kjo firmë është kualifikuar në kundërshtim me kërkesat e ligjit, për arsyen e vetme se Nard Mene, drejtori i investimeve në OSHEE, që është kunati i Arben Ahmetajt, ka ndikuar pranë KVO-së së kësaj procedure prokurimi për të shpallur fitues këtë subjekt. Madje përflitet se, zarfi për Menen ka qenë 30% e fondit limit.
Njëkohësisht edhe një tender tjetër i dhënë nga OSHEE për një klient të Nard Menes është edhe tenderi me objekt “Pajisja me kabllo elektrike të linjës Gjirokastër” me vlerë 1,4 milionë dollarë, me fitues subjektin “Arifaj shpk” edhe në këtë tender Mene ka ndikuar pranë zyrtarëve të prokurimit për të shpallur fitues subjektin “Arifaj”, i cili nuk plotësonte kërkesat e tenderit. Në të gjitha rastet tenderat janë anuluar dhe ribërë vetëm e vetëm që Mene të garantonte shumën e kërkuar të shpërblimit. Duket se me rilindjen e tenderave publike, bakshishi i kërkuar nga zyrtarët është rritur nga 20% në 30% të vlerës së fondit.
Kjo ka bërë që fondet të fryhen dhe vlerat e ofertave fituese të jenë shumë pranë vlerës maksimale dhe të skualifikohen ofertues që paraqesin oferta më të ulëta. Madje, presioni i zyrtarëve të përfolur për korrupsion shkon deri aty saqë anulojnë procedurat e prokurimit vetëm e vetëm për të vulosur pazarin më të lartë. Kësaj nisme të fundit rilindase nuk i ka shpëtuar as Nard Mene, lidhjet e të cilit, çuditërisht të çojnë tek ministri Arben Ahmetaj me të cilin është kunat.