UEFA zyrtarizoi gjyqtarin e ndeshjes së të dielës, ku Shqipëria do të përballet me Rumaninë, në sfidën e fundit të Grupit A. Drejtësia në “Stade de Lyon” do të vendoset nga çeku, Pavel Kralovec.
Edhe pse është prej të paktën 7 vjetëve pjesë e arbitrave elitarë në Europë, duke drejtuar ndeshje në Champions dhe Europa League, turneu në Francë është pjesëmarrja e dytë në evenimentet madhore në arenën ndërkombëtare përsa i takon Europianëve apo Botërorëve.
Në Euro 2012, inxhinieri 38-vjeçar ishte vetëm në rolin e gjyqtarit të katërt, ndërsa ishte edhe mes 52 arbitrave kandidatë për Botërorin “Brazil 2014”. Por, tashmë Pavel Kralovec, vlerësohet si një prej gjyqtarëve më të mirë në qarkullin për momentin.
Sfida ndërmjet Shqipërisë dhe Rumanisë, do të jetë e dyta për “bilbilin” çek në Euro 2016, pasi të enjten ai drejtoi ndeshjes, ku Irlanda e Veriut fitoi në mënyrë surprizë me Ukrainën.
Kjo është hera e parë që Kralovec do të drejtojë një ndeshje ku në fushë është Shqipëria apo një skuadër nga vendi ynë dhe të gjithë shpresojnë që ai të jetë fatsjellës. Urimi është që si në rastin e Irlandës së Veriut, Kralovec t’i sjellë fat sërish ekipit më pak favorit, me Shqipërinë që sipas kuotave dhe statistikave niset në disavantazh përballë Rumanisë.
Rumani-Shqipëri gjykohet nga një inxhinier çek
Si mund të kualifikohet Shqipëria
Pavarësisht tentativave për t’i marrë rezultat Francës, në sfidën e së mërkurës në Marsejë, me dy humbje në dy ndeshjet e para të Grupit A, Shqipëria ka shanse të pakta për të vazhduar aventurën në Kampionatin Europian.
E megjithatë, për aq kohë sa matematika nuk i ka nxjerrë nga gara, kuqezinjtë kanë ende shpresë për të realizuar një tjetër mrekulli dhe të kualifikohet mes të tretave më të mira.
Në rast të fitores me Rumaninë, nuk ka asnjë dyshim që Shqipëria do ta mbyllte grupin në vendin e tretë, pavarësisht rezultatit në sfidën tjetër ndërmjet Zvicrës dhe Francës.
Gjithsesi, për të shpresuar që të jetë mes të tretave më të mira të turneut, Kombëtarja duhet të fitojë me sa më tepër gola diferencë që të jetë e mundur përballë rumunëve.
Kjo për faktin se me humbjet ndaj zviceranëve dhe francezëve, momentalisht golavarazhi i Shqipërisë është -3. Në këtë Europian, ku pritet që një pjesë e madhe e skuadrave të grumbullojnë të paktën 3 pikë, është pikërisht diferenca e golave ajo që do të vendosë për ekipet që do të plotësojnë fazën e 1/8-ve.
Sipas përllogaritjeve, edhe duke fituar me dy gola diferencë përballë Rumanisë, Shqipëria do të kishte 47 për qind shanse që të vazhdonte më tej. Në anën tjetër, edhe Rumanisë i nevojitet me patjetër fitore, sepse vetëm barazimi nuk mjafton.
Të dielën në Lyon, në orën 21:00 Shqipëria do të luajë shanset e saj. Të vetëdijshëm se, Shqipëria e ka fituar Europianin e saj, me pjesëmarrjen në turneun në Francë, me zemrën e paraqitur në fushë dhe me spektaklin e tifozëve në tribuna.
5 mijë oficerë në mbrojtje të Kryeministrit të Kinës në Serbi
Më shumë se 5,000 oficerë policie, anëtarë të shërbimeve të sigurisë dhe ushtrisë janë në gatishmëri për të siguruar qëndrimin e presidentit kinez, Xi Jinping, gjatë vizitës së tij në Serbi nga data 17 deri në 19 qershor.
Masat e sigurisë do të ngrihen në nivelin më të lartë të mundshëm, ashtu si në rastin e vizitës së Vladimir Putin dhe Angela Merkel.
Forcat e sigurisë dhe ato snajper nga pala kineze do të përfshihen në ekipin e sigurisë së presidentit kinez në Beograd.
Burime nga ushtria serbe i thanë BIRN se, një vëmendje e veçantë i është dhënë sigurimit të ardhjes së tij nga ajri. Pilotët ushtarakë serbë do të ndjekin aeroplanë kinez, pasi ajo të hyjë në hapësirën ajrore serbe.
Dragan Bogosavaç, Shefi i Policisë Rrugore për qytetin e Beogradit, tha se trafiku do të mbyllet në disa rrugë, në kohën kur presidenti të jetë në qytet.
Ministria e Brendshme e Serbisë ka ndaluar edhe tubimin e grupit fetar kinez Falun Gong në Serbi, sipas YUKOM, Komitetit të Avokatëve për të Drejtat e Njeriut me bazë në Beograd.
Falung Gong u bë i jashtëligjshëm në Kinë në vitin 1999 dhe pasuesit e tij janë përndjekur në mënyrë të vazhdueshme në vend.
Anëtarët e kultit kishin planifikuar protesta të premten në afërsi të Pallatit të Serbisë, ku do të mbahet takimi me presidentin kinez dhe të shtunën në sheshin kryesor të qytetit dhe para ambasadës kineze.
Anëtarët e Falung Gong thanë se, donin të praktikonin publikisht meditimin dhe t’i bënin apel presidentit të ndalonte persekutimin e anëtarëve të kultit në Kinë.
Megjithatë, Ministria e Brendshme i ka ndaluar tubimet, duke cituar mundësinë e përplasjes së mbështetësve të grupit Falung Gong dhe shtetasve të republikës së Kinës”.
Vizita e presidentit kinez është pjesë e lëvizjeve që synojnë të rrisin marrëdhëniet tregtare kineze me Serbinë dhe shtimin e pranisë së Kinës në Ballkan dhe Europë.
Kjo është vizita e parë e një zyrtari të lartë kinez të shtetit në më shumë se 30 vjet, ndaj është përshëndetur gjerësisht në Serbi si “historike”.
Përse kritikohet Obama?
Departamenti amerikan i Shtetit konfirmoi autenticitetin e një dokumenti të brendshëm diplomatik të nënshkruar nga rreth 50 zyrtarë, që kritikojnë administratën Obama për mënyrën se si e ka trajtuar luftën civile në Siri dhe që bëjnë thirrje për sulme ajrore me objektiv qeverinë siriane.
Dokumenti doli nga një kanal i brendshëm komunikimi i Departamentit të Shtetit, i cili u lejon punonjësve dhe diplomatëve, që nuk janë dakord me politikën e administratës, të shprehin shqetësimet ndaj eprorëve, pa patur frikë nga hakmarrja e tyre.
John Kirby, zëdhënës i Departamentit të Shtetit, e konfirmoi legjitimitetin e dokumentit, por nuk dha hollësi për përmbajtjen e tij.
“Ne jemi në dijeni të një dokumenti të brendshëm ku një grup zyrtarësh të Deparatmentit të Shtetit kanë shprehur mospajtime lidhur me gjendjen në Siri”, tha zoti Kirby. “Jemi duke e studiuar këtë dokument, që doli kohët e fundit”, tha ai.
Dokumenti, i cili ra në dorë të gazetës “New York Times” i kërkon administratës Obama “të përdorë me mençuri konfrontimin dhe armët ajrore”, për të angazhuar drejtpërdrejt ushtrinë siriane dhe për të përshpejtuar fundin e luftës civile, që deri tani i ka marrë jetën rreth 500 mijë njerëzve.
“Arsyeja morale për ndërmarrjen e hapave për t’i dhënë fund vdekjeve dhe vuajtjeve në Siri, pas 5 vjet lufte brutale, është e qartë dhe e padiskutueshme”, thuhet në dokument. “Statuskuoja në Siri do të vazhdojë të përbëjë sfida gjithnjë e më të tmerrshme, ndoshta katastrofike, humanitare, diplomatike dhe që lidhen me terrorizmin”.
Deri tani, politika e administratës në Siri ka qenë kryesisht e kufizuar tek ndihma për forcat rebele që luftojnë kundër presidentit sirian Bashar al-Assad dhe Shtetit Islamik. Shtetet e Bashkuara nuk i janë kundërvënë hapur Assadit dhe forcave të tij të mbështetura nga Rusia.
Sekretari i Shtetit, John Kerry tha sot në një konferencë me gazetarët në Kopenhagë, se ai ende nuk e ka parë dokumentin, por shtoi se do ta diskutonte këtë çështje me t’u kthyer në Uashington.
“Unë nuk kam patur rastin ende ta shoh dokumentin, por jam dakord me procesin. Është një proces i shkëlqyer. Ai u jep njerëzve mundësinë të shprehin pikëpamjet e tyre. Mendoj se është një deklaratë e rëndësishme dhe unë e respektoj shumë këtë proces”, tha Sekretari Kerry.
Vuçiç përdor Milosheviçin për të larguar vëmendjen nga kriza
Lajmërimi i kryeministrit serb për një hetim të mundshëm të ri mbi arrestimin e Sllobodan Milosheviçit 15 vjet më parë është juridikisht i paqëndrueshëm dhe është për të shpifur në lidhje me opozitën dhe për të tërhequr vëmendjen e publikut, thonë ekspertë të ligjit dhe kritikë të qeverisë.
Policia aktualisht po shqyrton hapjen e një hetimi për rrethanat e arrestimit në vitin 2001 të presidentit të ndjerë të Serbisë dhe transferimin e tij në Gjykatën e Hagës, ku ai u akuzua për krime lufte, por vdiq para se të jepej vendimi për të.
Të martën, kryeministri Aleksandër Vuçiç tha se kishte biseduar me ministrin e Brendshëm, Nebojsa Stefanoviç në lidhje me një hetim të ri mbi arrestimin.
Ai foli, pasi Milorad Ulemek, i njohur ndryshe si “Legija”, në një intervistë me të përjavshmen “Ekspres” në fund të majit, pohoi se shërbimet e huaja të inteligjencës paguan qeverinë pro-perëndimore të Zoran Djindjiç – i cili u vra në vitin 2003 – 5 milionë euro për të ekstraduar Milosheviçin në Hagë.
Ish-komandanti i Njësisë kontroversiale policore të Operacioneve Speciale tha se njerëz të maskuar që ishin në fakt anëtarë të Forcave Speciale të Policisë, duke pretenduar se ishin anëtarë të një bande mafioze, e kapën atë në vitin 2001.
“Ne shpresojmë të zgjidhim se kush kapërceu mbi gardh me maskë për të arrestuar Presidentin e Republikës. Mund të bini dakord se ky është një krim i tmerrshëm”, tha më 28 maj Vuçiç. Edhe pse Vuçiç tha se ai dyshonte se arrestimi nuk kishte qenë i ligjshëm, ekspertë ligjorë dhe ish-anëtarë të qeverisë Djindiç këmbëngulin se arrestimi nuk ishte jokushtetues.
Duke komentuar mbi paligjshmërinë e pretenduar të arrestimit, profesoresha e drejtësisë, Vesna Rakiç Vodineliç tha se edhe pse kishte disa çështje ligjore në lidhje me të, operacioni u krye brenda kufijve të Kushtetutës.
Edhe pse në atë kohë Serbia nuk kishte ligj bashkëpunimi me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ICTY, ajo mund të arrestonte njerëzit e kërkuar nga ICTY-ja, duke qenë se Gjykata ishte themeluar nga OKB-ja, pjesë e të cilës Serbia ishte anëtare.
“Standarded e statutit të ICTY-së mund të interpretohen si brenda kufijve të Kushtetutës”, tha Vodineliç për BIRN.
Milosheviçi u arrestua më 1 prill dhe u dërgua në Hagë më 28 qershor 2001.
Në kohën e arrestimit të tij, presidenti i atëhershëm jugosllav, Vojisllav Koshtunica, po pengonte miratimin e një dekreti për bashkëpunim me Gjykatën e Hagës, duke thënë se ai kundërshtonte ekstradimin e qytetarëve të vendit në vende të huaja.
Qeveria Federale Jugosllave miratoi një dekret për bashkëpunim me Gjykatën e Hagës më 23 korrik të vitit 2001, por Gjykata Kushtetuese Federale Jugosllave njoftoi një pezullim të përkohshëm të dekretit tri ditë më vonë, më 28 korrik.
Megjithatë, të njëjtën ditë, qeveria nën udhëheqjen e kryeministrit Zoran Djindjiç nxori një dekret për zbatimin e drejtpërdrejtë të statutit të Gjykatës së Hagës sipas të cilit Milosheviçi u ekstradua në Hagë.
Djindjiç po i referohej nenit 90 dhe 136 të Kushtetutës së Republikës së Serbisë, si dhe të nenit 16 të Kushtetutës së Federatës Jugosllave.
ICTY-ja më 24 maj 1999 kishte akuzuar Milosheviçin dhe katër zyrtarë të tjerë të lartë për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve ose zakoneve të luftës kundër shqiptarëve të Kosovës, në gjysmën e parë të vitit 1999. Parlamenti i Serbisë miratoi një ligj për bashkëpunim me Gjykatën e Hagës më 10 tetor 2001.
Më 5 nëntor, Parlamenti jugosllav miratoi Kodin e Procedurës Penale, i cili, në kushte të caktuara, lejonte ekstradimin e shtetasve jugosllave në gjykatat ndërkombëtare. Zoran Zivkoviç, një ministër i Brendshëm i Jugosllavisë në atë kohë, tha për BIRN se pavarësisht pengesave, çdo gjë ishte kryer në përputhje me ligjin. “Fakti që çdo gjë u bë sipas ligjit tregohet nga fakti se askush nuk u ankua kurrë për këtë, as vetë Milosheviçi dhe familja e tij”, tha Zivkoviç.
Ai tha se, Vuçiç po vinte në fokus arrestimin e Milosheviçit si një taktikë mediatike.
“Vuçiç kërkon të njollosë disa anëtarë të opozitës, të cilët janë ende aktivë në politikë”, përfundoi Zivkoviç. Sipas Vodineliç, Vuçiç po manovron gjithashtu për të larguar vëmendjen e publikut nga polemikat që vazhdojnë ende mbi prishjet brenda natës në rajonin Savamala të Beogradit, që kanë shkaktuar protesta të mëdha kundër qeverisë.
“Ai po e bën këtë për të larguar vëmendjen e publikut nga prishjet. Ai po i përcjell gjithashtu një mesazh opozitës se ata nuk duhet të përpiqen të përdorin protestat në rrugë për përfitimet e tyre”, tha Vodineliç për BIRN. Në natën e 24 prillit një grup njerëzish të maskuar shembën disa vende në bregun e lumit të Beogradit në zonën e Savamalas, përfshirë edhe një restorant dhe disa vende të tjera.
Aktivistët thonë se shkatërrimet e ndodhura gjatë natës synonin për të pastruar hapësirën për “Waterfront”-in e Beogradit, një zhvillim ambicioz, por i diskutueshëm i financuar nga investitorë nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Autoritetet që atëherë kanë pretenduar se nuk e dinë identitetin e njerëzve të maskuar që rrafshuan ndërtesat në bregun e lumit.
Megjithatë, Vuçiç më 10 qershor pranoi se zyrtarë të lartë të qytetit të Beogradit ishin të përfshirë në prishjen e ndërtesave. Deri më tani, askush është ndjekur penalisht për këtë veprim.
Dokumentet e Zvicrës, DEA e heton me emrin Enver Rroshi
Elvis Rroshi, kryetari i Bashkisë së Kavajës dhe njëkohësisht viktima e parë e Ligjit “Për dekriminalizimin” do të vijojë të qëndrojë nën arrest në shtëpi, për shkak të një dokumenti zyrtar nga autoritetet zvicerane, të cilin “Boldnews.al” e ka siguruar në mënyrë ekskluzive.
Gjykata e Tiranës zhvilloi mesditën e së enjtes seancën për verifikimin e kushteve të masës së sigurisë “arrest në burg”, dhënë ndaj tij në mungesë, tre ditë më parë. Prokuroria e Tiranës kërkoi arrestimin e Rroshit, si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve” gjatë procesit të plotësimit të formularit të dekriminalizimit. Gjatë seancës së verifikimit, gjykata vendosi zbutjen e masës, nga arresti në burg në arrest në shtëpi. Gjithsesi, edhe me këtë vendim, gjykata ka pranuar dyshimin e Prokurorisë së Tiranës se Rroshi ka shkelur ligjin penal.
Në bazë të Ligjit “Për Dekriminalizimin”, çdo zyrtar që është subjekt i ligjit duhej të plotësonte një formular, në të cilin duhej të shënonin nëse kanë pasur probleme me ligjin penal në të shkuarën e tyre, brenda ose jashtë Shqipërisë. Një kërkesë thelbësore e Ligjit për “Dekriminalizimin” ishte edhe fakti nëse zyrtarët kanë mbajtur ose jo emra të tjerë.
Mungesa e sinqeritetit në plotësimin e të dhënave të detyrueshme, duket se ka qenë e dëmshme për Elvis Rroshin, pasi nga zyra e kryetarit të Bashkisë së Kavajës, ai qëndroi për tre ditë në ambientet e Policisë së Tiranës dhe nga e enjtja në arrest në shtëpi. Rroshi nuk ka deklaruar dënimin penal për përdhunim në Itali, për të cilën është dënuar në vitin 1993. Ai nuk është treguar “i sinqertë” edhe për të kaluarën e tij në Zvicër.
Autoritetet zvicerane u kanë konfirmuar homologëve të tyre shqiptarë se Elvis Rroshi është një personazh i njohur për autoritetet hetimore të tyre. Për policinë zvicerane, Rroshi ka mbajtur 5 emra të ndryshëm në vendin e tyre, tre prej të cilëve nuk janë shënuar në formularin e vetëdeklarimit “Për dekriminalizimin”.
Elvis Rroshi është emri aktual i kryetarit të Bashkisë, i cili ka lindur me emrin Ervin. Sipas formularit, ai e ka ndryshuar zyrtarisht emrin e tij në vitin 2002, por nuk jep asnjë arsye se përse i lindur Ervin, në moshën 27-vjeçare kthehet në Elvis.
Por, dokumenti zviceran i siguruar nga “Boldnews.al” dhe që është përdorur si provë në gjykatë për arrestimin e tij, konfirmon se Elvis Rroshi ka pasur “hobi” të përdorë emra të ndryshëm: Bashkim Halluli, Enver Rroshi dhe Enver Proshi janë emrat që e kanë shoqëruar jetën si emigrant të kryebashkiakut të Kavajës në Zvicër. Këto tri emra nuk figurojnë në formularin e dekriminalizimit të Rroshit.
Për më tepër, policia zvicerane njofton se një shqiptar me emrin Enver Rroshi është pjesë e një hetimi të Antidrogës amerikane (DEA) për trafik lëndësh narkotike dhe pastrim parash. Në dokumentin zviceran nuk specifikohet se personi nën hetim Enver Rroshi është pikërisht Elvis Rroshi i Kavajës. Por, fakti që ky informacion është pjesë e shkresës lidhur me Elvis Rroshin, krijon bindjen se pikërisht Enver Rroshi nën hetim nga DEA është pikërisht kryebashkiaku i Kavajës. Dhe nëse ky informacion rezulton i saktë, atëherë situata për Rroshin ndërlikohet më shumë, pasi ai është nën hetim për trafik droge në të njëjtën kohë kur në Shqipëri kryen detyrën e kryetarit të Bashkisë.
Mashtrimet në formularin e dekriminalizimit
Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për kryetarin e Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi, i dyshuar për konsumimin e veprës penale “Falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve”, në plotësimin e formularit të dekriminalizimit. Në bazë të veprimeve të deritanishme hetimore rezulton se, i dyshuari nuk ka paraqitur në formularin “Për Dekriminalizimin” të dhëna penale dhe personale, të cilat janë të detyrueshme për t’u shënuar. Prokuroria e Tiranës nisi hetimin kryesisht, në bazë të informacionit të përcjellë nga ana e Sektorit për Verifikimin e Integritetit të Personave në Funksione Publike në Prokurorinë e Përgjithshme. Kjo strukturë kërkoi fillimisht verifikimin paraprak të formularit të subjektit Elvis Rroshi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Më pas, ky sektor vijoi verifikimin sipas përcaktimeve të Ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.
Në bazë të të dhënave të përftuara nga ky verifikim i thelluar, sektori përkatës në Prokurorinë e Përgjithshme përcolli informacionin në Prokurorinë e Tiranës, e cila regjistroi procedimin penal. Nga hetimet e deritanishme të Prokurorisë së Tiranës rezulton se, Elvis Rroshi nuk ka deklaruar dënimin e dhënë nga autoritetet italiane të drejtësisë për veprën penale të përdhunimit të kryer në vitit 1995 në Campobasso, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikën 1 të formularit të vetëdeklarimit.
Po ashtu, ai nuk ka deklaruar se është dëbuar nga shteti italian dhe ai zviceran, respektivisht në vitin 1995 dhe 1993, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikën 7 të formularit të vetëdeklarimit. Gjithashtu, subjekti Elvis Rroshi nuk ka deklaruar se është arrestuar në gusht të vitit 1997 në Zvicër me urdhër të Gjykatës së Shtetit të Zyrihut dhe është dëbuar sërish, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikat 5 dhe 7 të formularit të vetëdeklarimit.
Dy arrestimet në Zvicër dhe dënimi për përdhunim i Rroshit në Itali
Rroshi ka fshehur një dënim për përdhunim në Itali, dy dëbime nga Italia dhe Zvicra përgjatë viteve 1993-1995 dhe një arrestim të dytë në Zvicër në vitin 1997, me urdhër të Gjykatës së Shtetit të Zyrihut.
“Nga të dhënat e deritanishme, janë siguruar informacione se shtetasi Elvis Rroshi ka përdorur pesë emra të ndryshëm në disa vende të Europës”, tha këshilltari për mediat i prokurorit të Përgjithshëm, Albi Serani. Hetimi për Rroshin nisi kryesisht nga Prokuroria e Tiranës më 1 qershor, pasi kryebashkiaku i shumëdiskutuar i Kavajës dorëzoi formularin e vetëdeklarimit, i detyrueshëm për t’u plotësuar nga një numër i madh zyrtarësh të lartë. Në formular, Rroshi kishte vetëdeklaruar vetëm një ndalim në Mynih të Gjermanisë, ndërsa në kuadratin e arsyes ai kishte shkuar “nuk më kujtohet”.
Megjithatë, hetimi i thelluar i Prokurorisë së Tiranës ka zbuluar një skedë të pasur kriminale të kryebashkiakut të Kavajës. Sipas njoftimit të Prokurorisë, Rroshi nuk ka deklaruar dënimin e dhënë nga autoritetet italiane të drejtësisë për veprën penale të përdhunimit, të kryer në vitin 1995 në Campobasso, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikën 1 të formularit të vetëdeklarimit. Prokuroria nënvizon gjithashtu që ai ka fshehur faktin se është dëbuar nga shteti zviceran në vitin 1993 dhe nga ai italian në vitin 1995, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikën 7 të formularit.
Në hetimin e saj, Prokuroria ka zbuluar gjithashtu se Rroshi është arrestuar në gusht të vitit 1997 në Zvicër, me urdhër të Gjykatës së Shtetit të Zyrihut dhe është dëbuar për herë të dytë, duke paqyruar të dhëna të rreme në rubrikat 5 dhe 7 të formularit. Prokuroria nuk shpjegon arsyet e arrestimit dhe ndalimit të Rroshit në Zvicër.
Por në një investigim të mëparshëm, “BIRN” zbuloi se Rroshi ishte dënuar në Zvicër për shpërndarje droge. “Ai u hetua për trafik droge dhe shpërndarje, por nga ajo që mund të shoh unë, qe një peshk i vogël”, tha për “BIRN” një zyrtar i policisë zvicerane. “Atij iu dha një dënim i vogël dhe u deportua në Shqipëri pas periudhës së paraburgimit”, shtoi ai. Pas sigurimit të këtyre të dhënave, Prokuroria e Tiranës kërkoi miratimin e gjykatës për arrestimin e Rroshit, i cili akuzohet për veprën penale të “Falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve”, i parashikuar në nenin 190/1 të Kodit Penal. Nëse shpallet fajtor, Rroshi rrezikohen të dënohet nga gjashtë muaj deri në 4 vjet burgim.
Kur bie drejtësia nis vetëgjyqësia
Bledi KASMI
Nën presionin e të fortëve në krye të qeverisë, Gjykata e Apelit u nënshtrua dje dhe liroi drejtorin e Policisë nga masa e pezullimit, ndërsa Roshi u kthye në shtëpi.
Vendimi pason një javë të plotë të sulmeve të koordinuara politikisht të Ramës dhe Tahirit ndaj pushtetit gjyqësor, duke arritur deri aty sa gjyqtarët që hetojnë për abuzime pushtetin të konsiderohen si “vrasës me pagesë”.
A mund të funksionojë një Gjykatë apo një Prokurori në kushte të tilla?
Edhe ata diplomatë që po enden dyerve të politikës me zemërgjerësinë për të kërkuar kompromis për Reformën në Drejtësi heshtën kur dëgjonin deklaratat kërcënuese të kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm ndaj drejtësisë, duke kompromentuar jo pak pozicionin e dyshimtë të javëve të fundit, nëse janë në anën e drejtësisë për të hetuar pushtetin apo të pushtetit që të nënshtrojë Drejtësinë?
Dy vendimet e Gjykatave ditën e djeshme janë një ogur i keq jo vetëm për drejtësinë, por edhe për politikën dhe shoqërinë. Mesazhi që bota e errët e krimit dhe korrupsionit ka marrë është se ata mund ta kenë drejtësinë në anën e tyre, nëse sillen si Kryeministri dhe ministri i Brendshëm.
Politika pas këtij skenari është gjithmonë dhe më larg kompromisit për Reformën në Drejtësi, sepse kriza e besimit mes opozitës dhe pushtetit kur kërcënohen gjyqtarë dhe prokurorë jo vetëm që nuk zbutet, por merr trajtat e një përballje në kushte të tjera dhe me mjete të tjera politike.
Rama liroi Hakiun dhe Enver Rroshin për t’i thënë opinionit, opozitës, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian se, Drejtësia në këtë vend është ai, se drejtësia janë kërcënimet, presionet, shantazhet apo edhe paralajmërimet për ekzekutime të prokurorëve dhe gjyqtarëve.
Shqiptarët dhe opozita nuk munden që ta pranojnë këtë model. Ky është model i të fortit që del mbi arsyen, mbi ligjin dhe sistemin dhe që sfidon, duke kërkuar të ngjashmin e tij në terren për ta sfiduar në të njëjtën mënyrë.
Ky është modeli që e bën të paprekshëm pushtetarin edhe kur ai cenon liritë më elementare të individit. Këtë model e kemi njohur mirë për gati gjysëm shekulli dhe nuk pranojmë sot të na kthejnë atje me imponim, cilido qoftë cmimi që duhet paguar në mbrojtje të lirive të fituara.
Kushdo duhet të dijë, se kur bie drejtësia nis vetëgjyqësia që është kaos dhe anarki.
Shefi i drogës në Tiranë ndërton pa leje në Vaqarr
Shefi i drogës në Drejtorinë e Policisë së Tiranës po ndërton një pallat pa leje në Vaqarr. Denoncimi është bërë nga ish-Kryeministri Berisha, i cili ka publikuar në rrjetin social Facebook edhe foton e pallatit që po ndërtohet pa leje në Vaqarr nga shefi i policisë, Armir Shaholli. Përmes një postimi në rrjetin social, Berisha shkruan se, shefi Armir Shaholli është edhe mik i ngushtë i ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
“Për hajdutët e shtetit ligji nuk ekziston! Në Vaqarr, shefi i drogës së Drejtorisë së Tiranës dhe miku i Saje qorrit, Armir Shaholli po bën ndërtim pa leje. Ai ka blerë Velicën! (Burimi: F.H.)”, shkruan Berisha në postimin e tij në Facebook.
Zyrtarët e Tahirit po ngrenë pallate me paratë e drogës dhe nuk i pengon akush. Armir Shaholli është shef i drogës dhe ka nën kontroll të gjitha plantacionet me kanabis dhe trafikun që bëhet drejt vendeve perëndimore. Në media janë denoncuar me dhjetëra raste të trafikut të drogës drejt Italisë dhe Greqisë pa asnjë nga pengesë. Shefi i drogës bashkëpunon me ministrin Tahiri dhe droga kalon pa asnjë problem drejt Italisë.
Ndërsa krerët e policisë ngrënë pallate me paratë e drogës, Veliaj nuk i pengon pasi merr edhe ai pjesën e vet të fitimit. Veliaj dhunon tregtarët e thjeshtë, ndërsa zyrtarët i lë të ndërtojnë pa leje ku të duan.
Italia ka dhënë alarmin për rritjen e trafikut të drogës gjatë tre viteve të fundit nga Shqipëria. Në Raportin vjetor 2015, të publikuar nga Ministria e Brendshme italiane, hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Antidrogës, thuhet se në vitin 2015 policia italiane ka sekuestruar rreth 84 tonë drogë, 94% e të cilës e transportuar në rrugë detare, shumica e futur nga Shqipëria. Sipas raportit, trafiku i kanabisit bëhet kryesisht nga Shqipëria.
Edhe pse Italia ka dhënë alarmin, i gjithë territori shqiptar është mbushur me plantacione droge. Kultivimi i kanabisit kontrollohet nga vetë drejtuesit e policisë, të cilët marrin përqindje në euro për çdo rrënjë të mbjellë. Për një rrënjë kanabis drejtuesit e policisë marrin 50 euro. Pas denoncimit në media të plantacioneve me kanabis policia ka ndërmarrë disa aksione, por ka korrur vetëm drogën që është mbjellë në ara pa pronar apo të njerëzve që nuk kanë lidhje me policinë. Plantacionet që ruhen nga policia nuk preken. Krerët e policisë bashkëpunojnë me trafikantët dhe i ruajnë parcelat me drogë me armë.
Ish-Kryeministri Berisha ka shpërndarë dje në rrjetet sociale një foto, për të cilën shprehet se tregohen arat me kanabis të Edvin Shullazit, duke përsëritur akuzën për lejimin e mbjelljes së lëndëve narkotike nga ministri Saimir Tahiri dhe Kryeministri Rama. Në postimin e Berishës thuhet gjithashtu se fotoja është shkrepur buzë lumit Vjosë, drejt Kalivaçit. “Arat e Edvin Shullazit buzë Vjosës, drejt Kalivaçit!”, shkruan Berisha.
Prej disa ditësh Berisha ka publikuar foto me ara të mbjella em drogë që kontrollohen nga Tahiri dhe njerëzit e tij. I gjithë bregu i lumit në Vlorë dhe zonat përrreth janë të mbjella me kanabis por policia nuk guxon që ti prekë. Po ashtu edhe Tepelena është e mbushur me kanabis. Kultivimi i drogës po bëhet masivisht edhe në Veri. Mjaft banorë i kanë dhënë tokat me qera për t’i mbjellë me drogë. Kanabis tani nuk mbillet më në tokë pa pronar, por edhe në tokë të shtetit.
R.POLISI
Thikë pas shpine drejtësisë, nuk ndalen përgjimet e dekriminalizimi
Kërcënimet ndaj gjyqtarëve prej më shumë se një jave nga kreu i qeverisë dhe ministri i Brendshëm kishin katër objektiva politike të pastra të Ramës.
Objektivi i parë kishte të bënte me shpëtimin nga prangat të drejtorit të policisë dhe Rroshit. Objektivi i dytë ishte se duke liruar Çakon dhe Rroshin ata largonin rrezikun e hetimit nga vetja e tyre. Objektivi i tretë ka të bëjë me dekurajimin e punës së Prokurorisë me dy çështje që ata janë fokusuar gjatë javëve të fundit dhe që janë skandali i përgjimeve dhe zbatimi i ligjit të dekriminalizimit. Dhe qëllimi i katër ishte futja nën thundër e drejtësisë dhe legjitimimi i kërcënimeve si mjet presioni që fundosnin dhënien e vendimeve nga gjykatat.
Nga produktet e vendimit të dhënë nga gjykata për të rikthyer në detyrë Haki Çakon dhe për të rikthyer në shtëpi Rroshin duket se ka funksionuar në këtë pikë. Në lidhje me tre objektivat e tjera, gjithçka mbetet e hapur dhe duket e vështirë që opozita dhe opinioni të pranojnë të nënshtrohen në të njëjtën mënyrë si u nënshtruan gjykatat.
Kryetari i opozitës e konsideroi një “ditë kritike” të djeshmen, duke paralajmëruar edhe një radikalizëm të aksionit politik opozitar gjatë ditëve dhe javëve të ardhshme. Çështja e hetimeve të përgjimeve nuk mund të ndalojë, ndërsa Basha ka paralajmëruar se zbardhja e përgjimeve do të sjellë fundin e turpshëm të Ramës. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për ligjin e dekriminalizimit. Ngecja në vend e ligjit të dekriminalizimit me rikthimin në shtëpi të përdhunuesit të Ramës në Kavajë është një goditje e rëndë që merr zbatimi i këtij ligji, por kjo nuk mund të ndalet. Nëse do të pranohej kjo, atëherë do të ishte fundi i gjithçkaje normale në këtë vend dhe politika do të mund të shndërrohej me urdhër politik nga Rama në një arenë ku ndeshen balozët e krimit.
Hetimi i përgjimeve
Skandali i përgjimeve vijon që të ketë surpriza të tjera gjatë ditëve të ardhshme. Haki Çako ka pranuar përgjimet e paligjshme pavarësisht formë së deklaratës së tij para Prokurorëve. Prova të tjera pritet të dalin
Referuar hetimeve të kryera, Prokuroria ka zbuluar se pajisja është përdorur për të përgjuar, jashtë misionit trajnues që ajo ka patur. Hetimet pritet të zbulojnë edhe personat që kanë qenë nën përgjim. Të paktën në dy raste makina me pajisjen e instaluar ka qenë në dorë të specialistit të Forcës Operacionale, Entiol Xhelilaj, i cili tashmë gjendet në gjendje arresti, me vendim të Gjykatës.
Shefi i tij, Artion Duka, është gjithashtu në arrest shtëpie. Prokuroria e Tiranës, veç urdhërit për sekuestrimin e pajisjes po i vijon hetimet, pasi dyshon se “pas veprimeve të kundërligjshme të përgjimit, ka edhe zyrtarë të tjerë të lartë shtetërorë. Hetimet nuk përjashtojë arrestime, në nivele të larta. Prokuroria dhe SHISH kanë deklaruar se pajisja ka cënuar sigurinë kombëtare.
Më 13 maj të këtij viti, “Fuoristrada” tip BMË me targa italiane, me pajisjen e përgjimit të instaluar në brendësi të saj, doli nga Drejtoria e Përgjitshme e Policisë së Shtetit. Libri i hyrje–daljeve në ambientet e Forcës Operacionale shënoi orën 12:10 kur mjeti u largua nën drejtimin e specialistit të Forcës Operacionale, Entiol Xhelilaj.
Në të njëjtën orë, dy oficerë të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Tiranës gjendeshin në katet e sipërme të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, me një mandat për ta sekuestruar pajisjen e përgjimit, pasi ajo ishte futur në mënyrë të paligjshme në Shqipëri e po ashtu dyshohej se ishte përdorur në mënyrë të paligjshme për të kryer përgjime.
10 minuta, pasi ata kishin hyrë në zyrat e selisë së Policisë së Shtetit, mjeti u largua fshehurazi tyre. Prej asaj ore, BMË–ja e Interforcës italiane nuk u kthye më aty ku kishte qëndruar në pjesën më të madhe të kohës, që prej futjes së saj në Shqipëri, më 11 mars të këtij viti.
“Automjeti në periudhën para kësaj date (12 maj) rrinte shumicën dërrmuese të kohës brenda ambjenteve të Forcës Policore Operacionale”, shënuan prokurorët në dosjen hetimore. Një e dhënë kjo që përgënjeshtron shefin e Policisë italiane, Alessandro Pansa, i larguar nga detyra si për koincidencë ditët kur në Shqipëri shpërtheu skandali i pajisjes së përgjimit, me një vendim që ishte marrë në prill të këtij viti nga qeveria italiane, pak javë, pasi pajisja kishte hyrë në Shqipëri dhe ishte zbuluar nga Shërbimet Sekrete shqiptare.
Përse Rama dhe Tahiri mbrojnë Çakon
Prokuroria në njoftimin zyrtar ka sqaruar edhe rolin e dy prej njerëzve të tjerë të policisë të përfshirë në skandalin e përgjimeve. Të dy të veshur deri tani nga policia rezultojnë jo vetëm se kanë qenë në dijeni të pajisjes së përgjimit, por kanë bërë lëvizjet e saj, duke ia fshehur Prokurorisë dhe duke e lëvizur nga Drejtoria e Policisë.
Nga pozicionet që ata kanë në polici, kuptohet edhe mënyra se si ka vepruar Rama dhe Tahiri në këtë skandal. Gjithçka duket se është lëvizur me urdhër nga lart dhe urdhri ka shkuar nga ministri tek vartësi më i fundit që ka bërë dhe transportuesin e pajisjes së përgjimit dhe që është specialist pranë Forcës Operacionale, ndërsa urdhrat i ka marrë direkt nga drejtori i tij, Duka.
Të gjitha lëvizjet e pajisjes së përgjimit janë bërë sipas hierarkisë së pushtetit dhe pozicioneve të drejtuesve në polici. Rama ka urdhëruar Tahirin, Tahiri ka urdhëruar drejtorin e Policisë, Çako. Ky i fundit më pas ka urdhëruar drejtuesin e Forcave Operacionale, Duka dhe më pas Duka ka urdhëruar oficerin e tij, Xhelilaj që të bëjë lëvizjen e pajisjes në momentin që prokurorët prisnin prej orësh të bënin sekuestrimin në Drejtorinë e Policisë. Prokuroria e ka të plotë skemën e lëvizjes dhe ajo ka konfirmuar me oraret e përcaktuara, lëvizjet e saj sikurse i ka me emra njerëzit, të cilët janë marrë me transportin e pajisjes.
Është e qartë për këdo se as Haki Çako dhe aq më pak specialisti i Forcave Operacionale, Xhelilaj të mund të bënin lëvizje të pajisjes së përgjimit pa pasur urdhër nga eprori në ministri, sikurse është po aq evidente se as Çako dhe askush tjetër të refuzonin për orë të tëra prokurorët që të sekuestronin pajisjen pa pasur miratimin e Tahirit.
Të gjitha hetimet e kësaj pajisje përgjimi të futur dhe përdorur në mënyrë jo ligjore të çojnë tek ministri i Brendshëm.