18.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Gusht, 2025

Gjermani-Poloni, paqe pa gola në Paris

Anglia fiton me Uellsin mes drithërimave

Nuk ka fitues në një nga ndeshjet më të nxehta të Europianit. Gjermania dhe Polonia ndajnë nga një pikë në barazimin pa gola pas 90 minutave emocionuese të luajtura në “Stade de Francë”. Kampionët e botës që kërkonin të siguronin fitoren e 7 rresht mes eliminatoreve dhe europ9ianit, u ndalën nga muri polak që arriti t’i bënte ballë treshes së sulmit Gotze-Muller-Gomes por edhe mesfushës muskuloze me Kross dhe Khedira në regji. Gjatë pjesës së parë, Gjermania arriti të kontrollonte lojën por hasi vështirësi të mëdha në gjetjen e hapësirave duke mos e shënjestruar asnjëherë kuadratin e portës, ndërsa në të dytën u tregua e paqartë, ndërsa në krahun tjetër, Leëandoëski ishte hija e vetvetes, çka u reflektua edhe në rastet e krijuara. Polonia zbriti në fushë e karikuar për të kërkuar një fitore me vlerë kualifikimi pasi në 20 ndeshjet e fundit ndaj Gjermanisë vetëm në një rast kishte arritur të dilte me kokën lartë.
Gjithsesi rastet e para të rrezikshme i krijoi Gjermania me Gotze dhe Jonas Hector që në minutën e 5. 11 minuta më pas merr një asist nga Muller por topi përfundon ngjitur me shtyllën e majtë. Pjesa e parë u mbyll me shumë volum loje në mesfushë por pa raste të qarta për të zhbllokuar rezultatin, ndryshe nga fraksioni i tyrë ku Polonia kishte mundësinë e artë me Milik pak sekonda pas rikthimit në fushë, por sulmuesi bardhekuq nuk arriti ta shtynte topin në rrjetë. 2 minuta më pas Fabianski iu kundërpoërgjigj Mario Gotzes, ndërsa bëri të njejtën gjë edhe në të 69-ën pas një topi të Ozil që synoi të kapte në befasi mbrojtjen polake. Gjermania e rriti presionin në kërkim të golit të fitores por as Mario Gomez nuk arriti të imponohej, ndërsa Schurrle, Muller dhe Kroos u shfaqën të pafuqishëm përballë mbrojtjes së skuadrës polake që mbrojti me fanatizëm barazimin pa gola që e mban në vendin e dytë të klasifikimit me 4 pikë po aq sa Gjermania.
Anglia luftoi dhe provoi deri në sekondat e fundit, për të marrë suksesin e parë në fazën e grupeve të Euro 2016. Tre Luanët mposhtën Uellsin në frymën e fundit, me rezultatin 2-1. Derbi britanik u karakterizua nga loja e fort, me anglezët që vuajtën përballë rivalëve të përhershëm . Madje, Uellsi i befasoi të besuarit e Hodgson, duke kaluar në avantazh me Gareth Bale në minutën e 42-të.  Ylli i Realit shënoi sërish nga goditje dënimi në Europian, këtë herë falë gafës së portierit Joe Hart.
Por, me zemër luanësh dhe falë zëvendësimeve të goditura, Anglia përmbysi gjithçka. Jamie Vardy riktheu barazpeshën, vetëm 10 minuta pas aktivizimit në pjesën e dytë. Sulmuesi i Leicesterit shfrytëzoi një top të palarguar nga mbrojtja uellsiane dhe i vetëm përballë portieri nuk gaboi. Derbi britanik u vendos nga goli i Daniel Sturridge. Lojtari i Liverpool shënoi në minutën e 93-të të sfidës, duke i dhënë fitoren Tre Luanëve.

Dule: Reformë në Drejtësi sipas rekomandimit 88 të Venecias

Kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule bëri thirrje dje për miratimin e Reformës në Drejtësisë sipas rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias. Përmes një deklarate për mediat, Dule theksoi rëndësinë e miratimin e kësaj reforme me konsensusin e opozitës. “Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut vlerëson ecurinë e dialogut për Reformën në Drejtësi dhe kompromisin e deritanishëm. Kjo përbën natyrisht një arritje që dëshmon pjekurinë e klasës politike dhe aftësinë e saj për të kapërcyer barriera tradicionale, paragjykime, por edhe interesa politike të ditës. Me të njëjtin vullnet pozitiv dhe garancitë e paanshme të partnerëve tanë, mbështetës të sinqertë të çdo procesi jetik për demokracinë dhe shtetin e së drejtës në vendin tonë, është plotësisht i arritshëm kompromisi edhe për pikën e vetme dhe të fundit të mbetur pa dakordësi. Inkurajojmë vazhdimin pa humbur kohë të dialogut të sinqertë dhe negociimit shterrues me sigurinë se do të çojnë shumë shpejt në plotësimin e kërkesës së fundit legjitime të opozitës konform rekomandimit nr. 88 të Komisionit të Venecias dhe arritjen e konsensusit të shumëpritur nga qytetarët dhe shoqëria. Krahas rëndësisë madhore për vetë fatet e drejtësisë, një zhvillim i tillë do të përbënte precedentin më të çmuar në rrugën e gjatë dhe të vështirë të reformave europianizuese të jetës së vendit”, thekson Dule në reagimin e tij. Neni 88 i rekomandimeve të Komisionit të Venecias për Reformën në Drejtësi është bërë diskutim i zakonshëm, për shkak të faktit se pakica parlamentare këmbëngul në zgjidhjen e mosdakordësisë me shumicën, duke zbatuar rekomandimin e këtij neni. Formula që përmendet tekstualisht në rekomandim, i ashtuquajturi mekanizëm i “vendeve të rezervuara”, garanton që pesë vendet e anëtarëve në katër institucionet e reja që krijohen u rezervohen, në mënyrë proporcionale, propozimeve të shumicës dhe pakicës parlamentare- një numër i caktuar i anëtarëve duhet të zgjidhen me votim nga kandidaturat e propozuara nga shumica dhe një numër tjetër anëtarësh nga kandidaturat e propozuara nga pakica. Numrat përcaktohen afërsisht proporcionalisht në bazë të përqindjes së vendeve që shumica dhe pakica kanë, respektivisht, në Kuvend.

Eurostat: Shqiptarët kryesojnë listat e azilkërkuesve në Europë

Që nga vera 2015, numri i aplikimeve për azil nga Shqipëria është rritur dhe arriti 1010 në fund të vitit. Deri më 2014 vetëm disa dhjetëra shqiptarë kërkonin azil në Holandë çdo vit. Ky trend i rritjes vazhdoi në dy muajt e parë të 2016, kur 480 shqiptarë kërkuan azil
Të dhënat janë bërë publike nga Eurostat. Në këto statistika Shqipëria vazhdon që të jetë përsëri në listat e Eurostat, ku shpeshherë radhiten në vend të parë dhe të dytë për sa i përket numrit të kërkesave për azil
Shqiptarët vazhdojnë që të kryesojnë listat e kërkesave për azil në Europë edhe në 3-mujorin e parë të 2016. Në Islandë Shqipëria renditet e para në listë, ndërsa në Holandë të dytët pas sirianëve. Gjatë periudhës janar-mars të këtij viti, 287 100 azilkërkues kanë aplikuar për mbrojtje ndërkombëtare në shtetet anëtare të Bashkimit Europian. Të dhënat janë bërë publike nga Eurostat. Në këto statistika Shqipëria vazhdon që të jetë përsëri në listat e Eurostat, ku shpeshherë radhiten në vend të parë dhe të dytë për sa i përket numrit të kërkesave për azil. Në Islandë, Shqipëria kryeson listën për sa i përket azilkërkuesve, ndërsa në Holandë renditet në vend të dytë duke ndjekur sirianët me 705 kërkesa. Në rang të përgjithshëm të këtij tremujori të parë Shqipëria ka një shifër prej 2%, duke u radhitur së bashku me vende si Eritrea dhe Nigeria. Normalisht lista kryesohet nga Siria me 36% e më pas Iraku dhe Afganistani me 12%. Ndërkohë, janë mbi 1 milion kërkesa për azil që duhet të shqyrtohen nga autoritetet e vendeve europiane. Me 473 mijë kërkesa, 47% në total, Gjermania kryeson listën e vendeve që ka pritur më shumë azilkërkues, ndërsa ndiqet nga Suedia me 15%, Austria 8%, Italia, 6% dhe Franca me 4%. Për sa i përket mbërritjeve të emigrantëve në brigjet italiane, ritmi mbetet i njëjtë me vitin e kaluar. E shqetësuar nga ky trend, qeveria holandeze ka ndërmarrë masa për ta kufizuar valën. Që nga vera 2015, numri i aplikimeve për azil nga Shqipëria është rritur dhe arriti 1010 në fund të vitit. Deri më 2014 vetëm disa dhjetëra shqiptarë kërkonin azil në Holandë çdo vit. Ky trend i rritjes vazhdoi në dy muajt e parë të 2016, kur 480 shqiptarë kërkuan azil. Sipas zyrtarëve holandezë, numri u shtua në mars, megjithëse shifrat ekzakte të shqiptarëve, sirianëve dhe aplikantëve të tyre mbeten ende për t’u zbuluar. Ministria tha se shqiptarët tani renditen të parët për nga kërkesat për azil. Numrat e atyre që kanë marrë përgjigje pozitive për kërkesat mbeten të ulëta. Më 2015, vetëm katër shqiptarë fituan leje të përkohshme banimi, ndërsa 795 aplikantë u refuzuan. Megjithëse numrat e aplikantëve shqiptarë për azil në Holandë mbeten më të ulët se në Gjermaninë fqinje, ku rreth 55,000 shqiptarë kërkuan azil vitin e shkuar, qeveria holandeze është shqetësuar nga fluksi. Ajo ka miratuar mjete të reja në përpjekje për të kontrolluar dhe ulur numrin e azilkërkuesve nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Si pjesë e kësaj përpjekjeje, zyrtarë të qeverisë holandeze vizituan Tiranën në janar për të rënë dakord me qeverinë shqiptare për mënyra të reja të rikthimit të azilkërkuesve të refuzuar. Pas vendimit të BE-së për heqjen e vizave me Shqipërinë më 2010, shqiptarët mund të udhëtojnë në vendet Shengen pa viza. Megjithatë, kur një shtetas shqiptar aplikon për azil, ai ose ajo automatikisht shkel rregullat e regjimit pa viza. Kjo është arsyeja përse vendet e BE-së mund të ndalojnë hyrjen e shtetasve shqiptarë për shtatë vite në BE nëse nuk duan të kthehen në shtëpi. Gjatë bisedimeve në Tiranë, dy qeveritë ranë dakord se qeveria holandeze mund të përdorë fluturime çarter për të sjellë në shtëpi azilkërkuesit e refuzuar. Kështu, Holanda nuk varet më nga fluturimet e programuara dhe mund t’i kthejë më shpejt shqiptarët. Megjithatë, pavarësisht hapave për të kthyer në shtëpi me shpejtësi aplikantët e refuzuar, numri i shqiptarëve që aplikojnë për azil në Holandë po rritet. Sipas Ministrisë holandeze të Sigurisë dhe Drejtësisë, deri më 14 mars 2016, 1074 shqiptarë u akomoduan në qendra të azilit në Holandë.

Shqipëria me emigracionin më të lartë në rajon

Shqipëria ka shënuar nivelin më të lartë të emigracionit neto ndër të gjitha vendet e rajonit krahasuar me numrin e popullsisë.
Sipas statistikave të Bankës Botërore, emigracioni neto gjatë periudhës 2011-2015 ishte – 91,750 persona (diferenca ndërmjet ikjeve dhe ardhjeve). Pas Shqipërisë, Serbia ka shënuar një emigracion neto në rreth 100 mijë persona në pesë vitet e fundit, por popullsia e saj është gati tre herë më e madhe se e Shqipërisë.
Nivele të ulëta të emigrimit sipas shifrave të Bankës Botërore janë shënuar në Maqedoni dhe në Bosnje, ku emigracioni neto është respektivisht me -4,999 dhe -2,506 persona.
Pas një stabilizimi në mesin e viteve 2000, emigracioni ka nisur të theksohet pas krizës së viteve 2008. Me këto ritme rajoni i Ballkanit sidomos Shqipëria është duke humbur avantazhin konkurrues, kapitalin njerëzor dhe krahun e lirë të punës që zë mbi 80 për qind të eksporteve në vend.
Shqipëria u rendit në mesin e vendeve me potencial të lartë të riskut social, e ndikuar nga niveli i lartë i emigracionit, që e kombinuar me një krizë fiskale e bën vendin jo shumë të lakmueshëm për të bërë biznes, thuhet në raportin e Forumit Ekonomik Botëror për Rreziqet Globale më 2016.
Shkalla e lartë e emigracionit ka një potencial rreziku 78%, në një kohë që në rang global, risku nga ky fenomen nuk është më shumë se 10%.
Sipas Forumit Ekonomik Botëror në vitin 2016, biznesi rrezikohet nga emigracioni më shumë se nga çdo faktor tjetër që mund të vijë nga masat fiskale apo faktorë të tjerë të brendshëm. Bizneset e kanë pohuar këtë situatë, pasi ikjet masive të 2015 kanë çuar në mbyllje të përkohshme të aktivitetit për disa ndërmarrje.

Korrupsioni, ish-kryebashkiaku i Ramës dënohet me 1 vit burg

Ish-kryetari socialist i Bashkisë së Përmetit, Gilberto Jaçe është dënuar me një vit burg për shpërdorim detyre. Ai është dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Përmetit, për një objekt 70 metra katrorë që i ishte dhënë me qira një personi nën administrim për 6 muaj. Sipas akuzës, shitja e trojeve brenda vijës kufizuese të qytetit të Përmetit është bërë në kundërshtim të hapur me ligjin. Jaçe në kundërshtim flagrant me ligjin ka nënshkruar shitjen e subjekteve private të pronës shtetërore (truall) ndonëse nga verifikimet e bëra gjatë procesit të auditimit rezultoi se, pala shitëse Bashkia Përmet nuk ka qenë pronare e trojeve, që ajo ka shitur me anë të kontratës noteriale. Jaçe nuk i pranoi akuzat, por në përfundim të procesit trupi gjykues e shpalli fajtor Jaçen me akuzën “shpërdorim detyre”.
Gilberto Jaçe ka qenë kryetar i Bashkisë Përmet në periudhën 2011-2015 nën siglën e PS. Në zgjedhjet e qershorit të vitit që shkoi, ai rikandidoi për të njëjtin post, por nuk arriti dot të fitonte përballë kandidatit të PD, Niko Shupuli.
Gjatë kohës që Bashkia e Përmetit drejtohej nga Jaçe janë konstatuar një sërë shkeljesh edhe me tenderat. Gjithashtu organi i akuzës po ndjek penalisht edhe dy të Bashkisë së Përmetit pasi kanë shpërdoruar detyrën. Bëhet fjalë për ish-zyrtarët socialistë të kësaj njësie vendore, e cila është marrë nën administrim nga i zgjedhuri i PD, vitin e kaluar me fitoren e zgjedhjeve lokale. Vasil Pano dhe Denisa Duro, të cilët janë funksionarë të lartë vendorë të PS në Përmet, ku Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka kallëzuar në Prokurori si ish-anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në Bashkinë e Përmetit.
Akuza e tyre ka të bëjë me shkeljet e faktuara të barazisë në procedurat e prokurimit dhe favorizimit të operatorëve, duke i shkaktuar shtetit dëm një vlerë prej 11 milionë lekësh të reja. Përfaqësues të KLSH kanë ushtruar kontroll në këtë njësi vendore në fund të vitit të kaluar dhe një javë më parë, përpiluan raportin përfundimtar nga ky auditim i kryer.
Ajo çka vlerësohet interesante është se, dëmi i shkaktuar prej dy personave të lartpërmendur prej 11 milionë lekësh, do të kompensohet nga vetë Bashkia e Përmetit dhe administrata aktuale, e cila nuk ka pasur aspak lidhje me dëmin e shkaktuar nga bashkia e mëparshme, ku drejtohej nga Gilberto Jaçe i PS. Gjithçka ka të bëjë me shkeljen e procedurave të tenderit me vlerësimin e ofertave në rikonstruksionin e trotuareve në bllokun e qendrës në Përmet.
Nga krahasimi i ofertës ekonomike të dy prej operatorëve ekonomikë pjesëmarrës në tender, rezultoi se këta patën paraqitur kontratë furnizimi guri me të njëjtën shoqëri furnizuese, dokumentacionin tekniko-ligjor i të cilës është i njëjtë për të dyja kontratat e lidhura.
Për rrjedhojë, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave aplikoi një standard të dyfishtë, duke e vlerësuar këtë kriter si të vlefshëm dhe në pajtueshmëri me kërkesat për operatorin konkurrues me ofertë ekonomike më të lartë dhe në papajtueshmëri për operatorin konkurrues me ofertë ekonomike më të ulët. Vlerësimi që është bërë nga dy ish-zyrtarët e Bashkisë së Përmetit, qëndron në kundërshtim me ligjin për Prokurimin Publik, pasi ka skualifikuar ofertues, të cilët plotësonin kriteret për kualifikim, duke përdorur dy standarde gjatë vlerësimit të ofertave.
KLSH, duke i konsideruar veprimet e kryera nga Pano dhe Duro në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në procedurën e prokurimit të rikonstruksionit të trotuareve në bllokun e qendrës së Përmetit, si veprime me pasoja të rënda për interesat e ligjshme të shtetit dhe të dënueshme sipas ligjit. Duro dhe Pano janë kallëzuar pak ditë më parë në Prokurorinë lokale për shkelje të barazisë në vlerësimin e ofertave gjatë tenderit, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëm ekonomik në vlerën 110 milionë lekë.

R.POLISI

Tërmeti i Tepelenës punëson në Bashki të dënuar nga Gjykata

Kryetari i Bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi, jo vetëm që ka qenë vetë i dënuar nga gjykata, por ka mbledhur rreth vetes në Bashki edhe shokët e tij të dënuar. Njëri ndër ta është edhe zëdhënësi i Bashkisë së Tepelenës, Aleksandër Toti, i cili ndonëse i dënuar nga gjykata me vendim të formës së prerë për vjedhje është punësuar nga Tërmeti në Bashki. Bëhet e ditur se Aleksandër Toti është krahu i djathtë i kryetarit të Bashkisë së Tepelenës dhe mban pozicionin e zëdhënësit.
Gjykata e Tepelenës e ka dënuar zëdhënësin e Tërmetit me 4 muaj burg për vjedhje. Në vendimin e gjykatës të datës 7 korrik 2014 thuhet se, shpall deklarimin fajtor të pandehurin Aleksandër Toti për veprën penale “Vjedhje” dhe bazuar në nenin 134/1, germa “ç” të Kodit Penal e dënon me 4 (katër) muaj burgim. Bazuar në nenin 406 të Kodit të Pr. Penale e ul masën e dënimit të dhënë duke e dënuar përfundimisht të pandehurin Aleksandër Toti me 2 (dy) muaj e 20 ditë burgim.
Vuajtja e dënimit për të pandehurin Aleksandër Toti fillon nga data e arrestimit 15.05.2014 dhe të kryhet në burg të sigurisë së zakonshme.
Megjithëse Toti ka qenë i dënuar nga gjykata për vjedhje, ai është punësuar në Bashki nga Tërmeti në kundërshtim me ligjin e dekriminalizimit. Ky nuk është rasti i vetëm, pasi bëhet e ditur se Tërmeti ka punësuar edhe persona të tjerë me të dyshuar të errët në Bashki.
Vetë Tërmet Peçi ka qenë i dënuar nga gjykata me vendim të formës së prerë. Sipas një vendimi gjyqësor të vitit 2004, Tërmet Peçi figuron i dënuar nga Gjykata e Tepelenës për akuzën “Përdorim i dokumenteve të falsifikuara”. Ai është dënuar me 150 mijë lekë gjobë nga Gjykata e Shkallës së Parë. Ndërsa vendimi përfundimtar ka qenë dënimi me 100 mijë lekë gjobë, të cilat Peçi duhej t’i paguante në 2 këste.
Vendimi ka marrë formë të prerë më 7 prill 2004, pasi Peçi nuk e ka ankimuar në Apel. Por ndërkohë në formularin e vetëdeklarimit në kuadër të ligjit për dekriminalizimin, Tërmet Peçi nuk e ka përmendur këtë dënim. Edhe pse është i dënuar në vitin 2004, kryebashkiaku i Tepelenës nuk e ka deklaruar atë në formularin e dekriminalizimit.
Formulari i Peçit është i pastër në seksionin ku shkruhet “nëse është dënuar ndonjëherë apo jo”. Struktura e posaçme në Prokurorinë e Përgjithshme që merret me zbatimin e ligjit të dekriminalizimit duhet të nisë menjëherë hetimet. Kryebashkiakut të Tepelenës jo vetëm që duhet t’i hiqet mandati, por rrezikon dënimin me burg për mashtrim.
Në vendimin e Gjykatës së Tepelenës thuhet se, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tepelenë ka parashtruar për gjykim procedimin penal nr. 31, datë 24.03.2004 në ngarkim të të pandehurit Tërmet Peçi akuzuar për veprën penale të “përdorimit të dokumenteve të falsifikuara”, parashikuar nga neni 186/1 të Kodit Penal (i pandryshuar).
Gjykata në bazë të neneve 379 e vijues 390 të Kodit të Procedurës Civile vendosi: Deklarimin fajtor të të pandehurit Tërmet Peçi për veprën penale “përdorim i dokumenteve të falsifikuara” dhe në bazë të nenit 186/1 (i pandryshuar) 48/ç të Kodit Penal dënimin e tij me 150 000 lekë gjobë.
Tërmeti i Tepelenës është njëri nga dhjetëra të zgjedhurit e PS që drejtojnë sot bashkitë e vendit. Mjaft kryebashkiakë socialistë në vetëdeklarimet e tyre që vjen në bazë të ligjit për dekriminalizimin kanë mashtruar mbi veprat penale për të cilat janë akuzuar apo vuajtur dënimin në vitet e kaluara.

LSI kundër Ramës për Reformën në Drejtësi

Lëvizja Socialiste për Integrim i është përgjigjur Kryeministrit Rama përsa i përket vijës së kuqe që ai thotë se ka vendosur SHBA dhe BE për Reformën në Drejtësi. Nënkryetari Petrit Vasili tha në një konferencë për shtyp se, vetëm Komisioni i Venecias mund të përcaktojë vijat e kuqe të kësaj reforme. Një ditë më parë, Rama deklaroi se vija e kuqe përsa i përket vetingut nuk ishte hequr nga peneli i tij, por nga SHBA dhe BE. Kjo deklaratë e LSI është një goditje e drejtpërdrejtë e qëndrimit të Ramës, i cili ka deklaruar se nuk do të lëshojë pe përsa u përket institucioneve të vetingut. Vasili tha se neni 88 nuk mund ta mbajë peng Reformën në drejtësi, ndërsa e quajti legjitime kërkesën e opozitës. Vasili kritikoi edhe daljet publike në konferenca shtypi të Ramës e Bashës, duke thënë se janë të paarsyeshme, për shkak se nuk sjellin asgjë të re, por vetëm ligjërojnë qëndrimet e ditura tashmë. Kryetari i LSI, Ilir Meta, e ka bërë të qartë se nuk do të votojë një reformë pa opozitën.

Grabitje në Kamëz, plagoset me automatik një femër

Një person ka mbetur i plagosur pas një breshërie me automatik mbrëmjen e djeshme në Kamëz. Mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:55 pranë një marketi, ku një person i armatosur ka qëlluar me automatik pas një tentative grabitjeje. Sipas policisë, ka mbetur e plagosur një femër, kalimtare e rastësishme, e cila është dërguar në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën, pasi ka marrë plagë në këmbë.
Ngjarja ka terrorizuar banorët që ishin të shumtë të në numër. Dëshmitarë në vendgjarje bënë të ditur se mjaft qytetarë kanë vrapuar sapo kanë dëgjuar krismat për t’i shpëtuar plumbave. Po ashtu të terrorizuar kanë mbetur edhe klientët në supermarket. Grabitësi është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të paditur për policinë.
Policia ka shkuar në vendgjarje pasi është njoftuar por nuk ka mundur të zbulojë autorin. Bëhet e ditur se në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 dhe shërbimet “Shqiponja”, të cilat kanë kryer veprimet hetimore. Policia bëri të ditur se po punohet për sqarimin e plotë të ngjarjes, ndërsa policia është vënë në ndjekje të autorit.

Abuzimi 100 milionë me tenderat, KLSH kallëzon penalisht 8 zyrtarë

Tetë zyrtarë lokalë në Mallakastër janë kallëzuar në Prokurori nga KLSH-ja për shkelje të barazisë në procedurat e prokurimit dhe favorizimin e operatorëve ekonomikë privatë. Konkretisht, 5 anëtarë të Komisionit të Ofertave në Bashkinë Mallakastër dhe 3 anëtarë të komisionit në ish-Komunën Fratar. Kontrolli i Lartë të Shtetit doli në këtë vendim pasi përfundoi auditimin në Bashkinë Mallakastër për vitet 2013- 2015. Njëherësh, i ka rekomanduar Bashkisë Mallakastër masa me karakter organizativ dhe shpërblimin e dëmit të shkaktuar në vlerën totale 48,730,994 lekë.
Gjatë auditimit u konstatuan shkelje dhe parregullsi të dispozitave ligjore në fuqi në fushën e zbatimit të procedurave të prokurimit publik lidhur me kriteret e kualifikimit dhe vlerësimin e ofertave ekonomike në procedurat e prokurimit me objekt: “Sistemimi i rrugëve të brendshme dhe gjelbërimi i blloqeve të banimit në qytetin e Ballshit” (vlera e prokuruar 41,5 milionë lekë dhe “Ndërtim rrjetit shpërndarës i fshatrave të Komunës Fratar”) (vlera e prokuruar 67,7 milionë lekë).
Është konstatuar se në këto procedura operatorët konkurrues kanë paraqitur dokumentacion me mangësi, si operatorët e skualifikuar me të drejtë dhe operatorët e kualifikuar dhe shpallur fitues nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave (KVO).
Në të dy procedurat e prokurimit konstatohet vlerësim fiktiv nga ana e KVO-së, në papajtueshmëri me kërkesat e ligjit, pasi OE nuk plotësojnë kriteret e vendosura nga AK. KVO duke kualifikuar ofertues, të cilët nuk plotësojnë kriteret për kualifikim ka vepruar në kundërshtim me nenet 46, 53 të Ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik” (LPP) dhe Kreu V të VKM nr. 1, datë 10.01.2007 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”. KVO të tria këto procedura duhet t’i kishte skualifikuar dhe në zbatim të neneve 24/ç dhe 47 të LPP duhet t’i kishte kërkuar titullarit të autoritetit kontraktor anulimin dhe përsëritjen e procedurës së prokurimit.
KLSH, duke i konsideruar veprimet e kryera nga R.SH., J.A., E.N., E.I., dhe J.M., (në cilësinë e anëtarëve të KVO në Bashkinë Mallakastër) në procedurën e prokurimit me objekt: “Sistemimi i rrugëve të brendshme dhe gjelbërimi i blloqeve të banimit në qytetin e Ballshit”, dhe K.A., S.D., dhe H.M., (në cilësinë e anëtarëve të KVO në ish-Komuna Fratar) në procedurat e prokurimit me objekt: “Ndërtim rrjetit shpërndarës i fshatrave të Komunës Fratar” apo dhe personave të tjerë, të cilët mund të rezultojnë si përgjegjës gjatë hetimeve, si veprime me pasoja të rënda për interesat e ligjshme të shtetit dhe të dënueshme.

Gjykata: Pronat në Zvërnec nuk kanë lidhje me vrasjen e gjyqtarit Konomi

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka reaguar në lidhje me përfshirjen e emrit të të ndjerit, gjyqtarit Skerdilajd Konomi në hetimin e disa pronave në Zvërnec. Me anë të një deklarate drejtuar mediave, togat e zeza kanë inkurajuar Prokurorinë për zbardhjen e këtij rasti hetimi, ndërsa theksohet se kjo çështje nuk ka lidhje me vrasjen e gjyqtarit Konomi. Më datë 14 qershor, Prokuroria e Vlorës sekuestroi 89 hektarë tokë në zonën e Zvërnecit, me vlerë rreth 110 milionë euro sipas çmimeve zyrtare, e dyshuar se është përfituar në mënyrë të paligjshme nga shtetasi Raimond Mezi.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë bëri të ditur dje nëpërmjet një njoftimi për shtyp se, ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit mediatike, në lidhje me ecurinë e hetimeve të filluara nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, që lidhen me dyshimet e arsyeshme të kryerjes nga ana e personave përgjegjës, të veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, që kanë të bëjnë me titujt e pronësisë mbi sipërfaqe të caktuara toke, të ndodhura në qytetin e Vlorës.
Së pari, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, shpreh dhe rikonfirmon edhe një herë inkurajimin dhe bashkëpunimin më të ngushtë institucional me organin e Prokurorisë, që jo vetëm në rastet e bëra mediatike, por edhe në eventualitetin e evidentimit të rasteve të tjera analoge, për zhvillimin e një hetimi të plotë, profesional, objektiv dhe të gjithanshëm, në respekt të parimeve kushtetuese të shtetit të së drejtës, ushtrimit të ndjekjes penale sipas parimit të ligjshmërisë, si dhe transparencës dhe të drejtës për informim, me qëllim vënien përpara drejtësisë të çdo personi, pavarësisht statusit apo cilësisë së tij.
“Duke marrë shkas nga disa publikime në median e shkruar dhe atë vizive, në lidhje me rastin më të fundit të zbuluar nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, të dyshimeve të arsyeshme të krijuara mbi falsifikimin e titujve të pronësisë mbi një sipërfaqe toke, të ndodhur në zonën e Zvërnecit, ku midis të tjerave, ka rezultuar edhe një vendim gjyqësor i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, i vitit 2003, i dyshuar se është nënshkruar nga ana e kolegut, të ndjerit z. Skerdilajd Konomi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore, në respekt të së drejtës themelore kushtetuese për informimin e publikut, etikës profesionale, si dhe në respekt të normave dhe parimeve të përgjithshme të moralit dhe dinjitetit njerëzor, realizon këtë njoftim për median e shkruar dhe atë vizive, duke sqaruar si më poshtë:
Se prezenca e një vendimi gjyqësor, i dyshuar se, është dhënë nga ana e kolegut, të ndjerit Skerdilajd Konomi, në vitin 2003, periudhë kohore në të cilën i ndjeri Skerdilajd Konomi nuk ka ushtruar funksionin kushtetues të gjyqtarit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, ka ardhur si rezultat i tërësisë së veprimeve hetimore të kryera nga ana e organit të Prokurorisë, në funksion të procedimit penal të nisur si më sipër, për të cilat organi i Prokurorisë ka tagrin kushtetues të ushtrimit të ndjekjes penale dhe vënies përpara përgjegjësisë ligjore të autorit apo autorëve të këtyre veprimeve të kundraligjshme dhe nuk ka asnjë lidhje me vdekjen tragjike të kolegut z. Skerdilajd Konomi, për të cilën, trupa gjyqësore e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, gjen rastin të inkurajojë sërish organet ligjzbatuese, për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të paprecedent në historinë e ekzistencës së shtetit shqiptar. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë kërkon nga media e shkruar dhe ajo e vizive që të ruajnë etikën profesionale dhe vetëpërmbajtjen në raportimin e lajmit, të respektojnë kujtimin e të ndjerit, gjendjen emocionale të rëndë të familjarëve të tij dhe gjithashtu të krijojnë klimën e përshtatshme për zhvillimin dhe mbarëvajtjen e një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm për organet e ndjekjes penale. Gjykata vlerëson se, çdo aludim konspirativ dhe subjektiv mbi vrasjen e të ndjerit dhe aktivitetit penal nën hetim krijon premisat dhe cenon çdo vlerë njerëzore dhe shtetërore të sjellë në vëmendje më lart”, thuhet në reagimin e Gjykatës së Vlorës.

Basha: Rama po sjell përplasjen e pashmangshme me popullin

Kryetari i PD, Lulzim Basha paralajmëroi dje se aktet e fundit të Ramës po e çojnë atë në përplasje të pashmangshme me popullin. Basha reagoi ashpër dje pas rikthimit të Haki Çakos në detyrë, i proceduar penalisht nga Prokuroria si përgjegjës i përgjimeve të paligjshme, si dhe lirimin e Elvis Rroshit të arrestuar për fshehje të rekordeve kriminale në formularin e kriminalizimit, duke u bërë presion gjyqtarëve. Përmes një deklarate për mediat, Basha i cilësoi të dyja ngjarjet si “dorën mafioze të Ramës”.
“Ditë kritike për vendin, Rama dëshmoi se cila është drejtësia që ai do. Me presione, sulme, kërcënime kriminale, Edi Rama ia doli të përcaktojë dy vendime gjykate, që lidhen me dy prej skandaleve më të mëdhaja të qeverisjes së tij, janë përgjimet e paligjshme dhe inkriminimi i pushtetit.
Çako u kthye në detyrë, ndërsa Rroshi në shtëpi. Edi Rama i vuri gjykatat përballë dy zgjedhjeve. Nga njëra anë ishte zgjedhja për të zbatuar ligjin, por kjo me një kosto të madhe për çdo gjyqtar, pasi menjëherë do të niste linçimi, do të niste hetimi policesk e antikushtetues. Nëse zbatohej ligji, Edi Rama do të futej me brutalitet në familjen e tyre. Pra, shkurt, do t’i ekzekutonte ata publikisht.
Zgjedhja tjetër ishte të merrej një vendim si ky i sotmi, për të qenë në rregull me Edi Ramën. Nuk jam këtu për të kontestuar vendimet e gjykatave. Por për të denoncuar dorën mafioze të Edi Ramës, që i përcaktoi këto vendime. Sot, është një ditë kritike për vendin”, u shpreh Basha.
Kreu i PD theksoi se Rama po pengon hetimin mbi çështjen e përgjimeve për të fshehur përgjegjësinë e tij në këtë skandal.
“Kritike sepse garancia për të patur një hetim të pavarur, të plotë, një zbardhje të plotë të krimit shtetëror të përgjimit të paligjshëm, ka rënë. Nuk lejon hetim Edi Rama, sepse është vetë i përfshirë, është vetë drejtpërdrejt me kufjet kriminale në vesh, duke përgjuar politikanë, deputetë, biznesmenë, përfaqësues të medias.
Ja ku kemi arritur. Krimi pranohet, nga vetë Çako dhe nga Tahiri, por hetimi, drejtësia nuk pranohet, nuk lejohet.
Pse? Sepse Edi Rama është i përfshirë dhe zbardhja e kësaj çështjeje është fundi i tij i turpshëm.
Rroshi, me 5 emra e me 5 dënime, i kërkuar edhe nga DEA amerikane për trafik droge e pastrim parash është njeriu i Edi Ramës, modeli i tij për drejtimin e bashkive. Ai duhet lënë i lirë, ndryshe çdo gjyqtar do të ishte përballur me hakmarrjen primitive të Edi Ramës”, tha Basha.
E ndërsa flitet për Reformën në Drejtësi, Basha theksoi se kapja dhe kontrolli është lloji i drejtësisë që Rama dëshmoi se kërkon.
“Sot, Edi Rama e dëshmoi me dy akte konkrete, se cila është drejtësia që ai do.
Një drejtësi që i bindet.
Një drejtësi që dëgjon zërin e tij, e kthen atë në vendim.
Një drejtësi që lexon statuset e tij në Facebook dhe orientohet prej tyre.
Një drejtësi që nuk heton krimin dhe korrupsionin e Edi Ramës.
Këtë drejtësi do ai. Asnjë lloj tjetër.
Edi Rama do një drejtësi që mund të veprojë kundër kujtdo, përveçse kundër aferave të tij, kundër krimeve të tij, kundër bandës së tij në pushtet”, tha Basha.
“Imagjinoni për një moment, sikur ai t’i bëjë zap gjykatat dhe Prokurorinë, me draftin që ka në dorë.
Imagjinoni të marrë krejtësisht në dorën e tij fatin, karrierën e çdo gjyqtari dhe prokurori në vend.
Imagjinoni një moment që të mos jetë më vetëm Kryeministri që ua ka bërë ferrë jetën qindra, mijëra shqiptarëve, por edhe kryeprokurori, kryehetuesi dhe kryegjyqtari i Shqipërisë.
Drejtësia që do të kishim, do të ishte një skuadër me juristë të bindur, ku peshorja e të drejtës do të zëvendësohej me kandarin e interesave të Edi Ramës. Kurrë nuk ka për ta patur Edi Rama këtë pushtet të paligjshëm”, tha kreu i PD.
Basha citoi se me “planin që ka për ta kapur drejtësinë, me ndërhyrjet kriminale, me përcaktimet e vendimeve prej tij, siç ndodhi sot, Edi Rama është duke provokuar thellë qytetarët”.
Kjo, tha kreu i PD, nuk është thjesht një çështje e opozitës. “Por ka të bëjë me sundimin mafioz të një bande, e cila asnjëherë nuk mori votën për të bërë këtë që po bën.
Kjo është një aventurë e rrezikshme që do të çojë Ramën në përplasjen e pashmangshme me popullin, me opozitën, me çdo qytetar në vend që nuk dëshiron qeveri mbi ligjin, që nuk mund të pranojë që Edi Rama qenka i pahetueshëm, i pagjykueshëm, i paprekshëm për krimet dhe korrupsionin e tij.
Asnjë bandë, asnjë trafikant, asnjë përdhunues, asnjë vrasës, asnjë prej atyre që ka në krah, me të cilët sundon aktualisht, nuk do ta ndihmojnë dot në përplasjen me popullin. Kjo është e sigurtë”.

Arben Shahini