Një pikë e grumbulluar në dy ndeshjet e para të Grupit A e mban në lojë Rumaninë që ndaj Shqipërisë do të kërkojë të marrë maksimumin. Gjithsesi, për sfidën e së dielës, trajneri Iordanesku ka probleme të mëdha me formacionin. Sipas asaj që raportojnë mediat rumune, 3 titullarë të Rumanisë janë në dyshim. Michael Pintilii mund të mos zbresë në mesfushë për sfidën e Lyonit, pasi është dëmtuar në sfidën kundër Zvicrës, ku ia la vendin Hoban në fundin e pjesës së parë. Iordanesku konfirmon se mesfushori ka probleme të mëdha dhe nuk është i sigurt nëse do ta ketë në dispozicion.
Pintili rezultoi një nga lojtarët më të mirë në sfidën kundër Francës dhe mungesa e tij mund të peshojë shumë për Rumaninë. Probleme muskulare kanë hasur edhe Razvan Rat e Stancu. Në rast se, mbrojtësi i majtë nuk ia del mbanë të rikuperohet në kohë, vendin e tij do ta zejë Steliano Filip. Ishte pikërisht ky i fundit që e zëvendësoi Rat në minutën e 62 kundër Zvicrës, ndërsa Stancu e la fushën në minutën e 84 dhe sipas trajnerit rumun, rikuperimi i tij mund të jetë më i arritshëm.
Rumania, tre titullarë në dyshim
Ish pronarët: Qeveria po na grabit pronat me ligjin e ri
Një numër i konsiderueshëm pronarësh, shumica e të cilëve janë skualifikuar nga e drejta e pronës dhe disave u janë vlerësuar pronat në vlera të papërfillshme, po rrezikojnë të humbasin edhe të drejtën e ankimit në gjykatë. Shoqata Kombëtare “Pronësi me Drejtësi” ka denoncuar faktin se Agjencia e Trajtimit të Pronave ka vlerësuar në mënyrë të njëanshme dhe deklarative pasuritë e këtyre pronarëve, të njohura në kuadër të vendimeve përfundimtare gjatë viteve 1993 dhe 1994. Shoqata ka shprehur shqetësimin se dy nene të ligjit “Për trajtimin e pronës dhe përmbylljen e procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave” bien ndesh me njëri¬tjetrin dhe dëmtojnë rëndë interesat e pronarëve. Shoqata kërkon nga Agjencia e Trajtimit të Pronave që të shprehet për këtë fakt. Rreth 445 pronarë rrezikojnë të mos marrin asnjë kompensim dhe të humbasin pronën e tyre si pasojë e një ligji jo të drejtë. Ligji i pronave është ankimuar në Gjykatën Kushtetuese dhe pritet një vendim i këtij institucioni, ndërsa në po të njëjtën ditë është dërguar edhe në Gjykatën e Strasburgut, e cila e merr në shqyrtim pas shprehjes së Gjykatës Kushtetuese. Ligji nw fjalw wshtw ankimuar nw Gjykatwn Kushtetuese nga Partia Demokratike. Ligji ka parashikuar mundësinë për rikonfiskim apo rishpronësim të subjektit. Konkretisht, pasi këtij të fundit i është njohur e drejta e pronës dhe i është njohur edhe e drejta e kthimit të pronës (për shkak se ajo rezulton e lirë), ATP do të bëjë një vlerësim të pronës së kthyer, për të konstatuar nëse subjekti përfiton një pronë që ka vlerë më të lartë sesa prona që ka pasur në momentin e shpronësimit. Është evident fakti që sot prona ka një vlerë më të madhe sesa kishte në momentin e shpronësimit gjatë periudhës komuniste. Për pasojë, në mënyrë antikushtetuese dhe në kundërshtim me nenin 41 të Kushtetutës, ATP i kompenson fizikisht subjektit vetëm sipërfaqen që i korrespondon vlerës që ka patur prona në momentin e shpronësimit. Ndërkohë që pjesa e mbetur merret nga shteti dhe kalon në fondin e tokës me vendim të ATP-së (që përdoret për të kompensuar subjektet e tjera apo për t’u shitur në ankand). Ky akt, përbën de juro shpronësim nga një autoritet administrativ apo konfiskim të pasurisë pa një vendim gjyqësor. Heqja e nocionit të kthimit të pronës në objektin e ligjit është i lidhur me metodologjinë e re të propozuar për vlerësimin e pronës. Për ne është e papranueshme, që ndërkohë që shteti e konsideron shpronësimin apo konfiskimin e kryer nga regjimi komunist si të padrejtë dhe të paligjshëm, për rastet kur prona rezulton e lirë dhe nuk i shërben interesit publik, subjekti të mos të kthehet përsëri në gjendjen e mëparshme, pra t’i kthehet e gjithë prona në gjendjen që ajo është sot. Vetëm në rastet, kur për shkaqe sociale dhe ekonomike, kthimi në gjendjen e mëparshme dhe zhbërja e paligjshmërisë do të ishte e pamundur, mund të aplikohen mekanizmat e kompensimit. Ligji cenon parimin e sigurisë juridike, për shkak se nuk përmbush kërkesat e qartësisë së tekstit normativ dhe kuptueshmërisë së ligjit. Konkretisht: Së pari, nuk del e qartë nëse rregullimi i ekzekutimit të vendimeve përfundimtare të kompensimit i nënshtrohen vetëm vendimet e kompensimit, që nuk kanë të përcaktuar vlerën e dëmshpërblimit apo që nuk janë ekzekutuar ende. Nëse shqyrton përmbajtjen e ligjit, rezulton se objekt shqyrtimi dhe riekzekutimi do të jenë edhe vendimet e kthimit të pronave. Ky fakt i paspecifikuar në objektin e ligjit, gjen trajtim në nenin 6/1/b të ligjit, i cili specifikon se prona e kthyer vlerësohet duke përcaktuar atë nga diferenca që do të rezultojë midis vlerës së saj, sipas zërit kadastral aktual dhe vlerës së kësaj prone, sipas zërit kadastral në kohën e shpronësimit. Mirëpo, nëse prona është kthyer me vendim përfundimtar, atëherë ekzekutimi ka përfunduar dhe pavarësisht nëse është regjistruar në ZRPP nga pronari, ajo është pronë e tij, që nuk mund të vlerësohet financiarisht nga Agjencia e Trajtimit të Pronave. Së dyti, skema e kompensimit e parashikuar nga ligji shfaq shumë paqartësi, ashtu siç edhe vetë dispozitat mbi shtrirjen e efekteve të ligjit. Edhe pse ligji duhet t’i jepte fund pasigurive dhe vështirësive të krijuara si rezultat i ndryshimeve të herëpashershme në legjislacion, ai në vetvete e shton së tepërmi këtë pasiguri. Paqartësi ka në aspektet ligjore dhe financiare të skemës së kompensimit, përsa kohë do të vazhdojnë të depozitohen kërkesa të reja dhe fatura financiare do të vijë në rritje. Një fakt i tillë vë në dyshim vlerën e parashikuar nga ligji për kompensim financiar dhe aq më shumë përfundimin e saj brenda 10 viteve. Së treti, paqartësia ekziston edhe në drejtim të procedurave që do të ndjekin aplikantët. Në këtë rast, standardet e elaboruara nga GJEDNJ-ja kërkojnë që procedura e ekzekutimit të mos ketë kosto shtesë apo burokraci të tepruara. Për më tepër, procesi nuk rezulton të jetë transparent dhe efektivi, përsa kohë nuk ekziston një database hartografik i të gjitha vendimeve dhe regjistrimi i pronës akoma nuk ka përfunduar.
5 pikat antikushtetuese të ligjit të pronave
Së pari, ligji i ri nuk e njeh më konceptin e “kthimit të pronës”, por e trajton atë si një nga format e kompensimit. Konkretisht, “kompensim” është shpërblimi i drejtë, sipas procedurave të përcaktuara në ligj. Format e kompensimit janë: “kompensim financiar”, “kompensim fizik nga fondi i tokës” dhe “kompensim fizik brenda pronës së njohur subjektit të shpronësuar”. “Kompensim fizik brenda pronës së njohur subjektit të shpronësuar” është sipërfaqja e pasurisë që është vendosur t’u jepet subjekteve të shpronësuara me vendim përfundimtar. Së dyti, sipas ligjit të ri, për efekt të ekzekutimit, të gjitha vendimet përfundimtare për kthimin dhe kompensimin e pronës do t’i nënshtrohen vlerësimit financiar nga ATP-ja, si më poshtë: a) prona e njohur për kompensim vlerësohet në bazë të zërit kadastral që ka pasur në kohën e shpronësimit; b) prona e kthyer vlerësohet duke e përcaktuar atë nga diferenca, që do të rezultojë midis vlerës së saj, sipas zërit kadastral aktual dhe vlerës së kësaj prone, sipas zërit kadastral në kohën e shpronësimit. Vendimet përfundimtare, që kanë të njohur vetëm të drejtën e kompensimit, vlerësohen financiarisht, sipas zërit kadastral që ka pasur prona në kohën e shpronësimit. Në rastet kur subjektet e shpronësuara kanë përfituar me vendim kthimi dhe kompensimi, diferenca e llogaritur, zbritet nga vlerësimi i pronës së njohur për kompensim.
Së treti, ligji parashikon se në rast se ATP-ja merr vendim për njohje dhe kompensim fizik në pronën e subjektit, prona vlerësohet sipas rregullave të ligjit të ri. Kur nga ky vlerësim rezulton se subjekti përfiton një pronë që ka vlerë më të lartë sesa prona që ka pasur në momentin e shpronësimit, atëherë subjektit i kompensohet fizikisht sipërfaqja që i korrespondon vlerësimit dhe pjesa tjetër e pronës kalon në fondin e tokës me vendim të ATP-së. Të gjitha vendimet përfundimtare, që kanë njohur të drejtën e kompensimit dhe ato që do të merren deri në përfundim të procesit, do të zbatohen sipas parashikimeve të ligjit të ri.
Së katërti, kërkesat e bëra para hyrjes në fuqi të këtij ligji, si dhe kërkesat e bëra brenda afatit të përcaktuar në këtë ligj, do t’i nënshtrohen trajtimit të pronës nëpërmjet njohjes së të drejtës së subjekteve të shpronësuara me vendim të ATP-së dhe kompensimit të tyre sipas këtij ligji. Në çdo rast, aty ku është e mundur, i jepet përparësi kompensimit fizik në pronën që i njihet subjektit me vendim të ATP-së. Së pesti, kundër vendimit të ATP-së për njohjen e së drejtës, palët e interesuara dhe Avokatura e Shtetit kanë të drejtë të bëjnë ankim, brenda 30 ditëve nga data e njoftimit të këtij vendimi, pranë Gjykatës së Apelit, sipas rregullave të Kodit të Procedurës Civile të Republikës së Shqipërisë.
Kosovë, mundësi punësimi nga bizneset
Nga 800 ndërmarrje aplikuese sa ishin në projektin e zyrës së BE-së në Prishtinë dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përfituese të programit të granteve për ndërmarrjet janë 36 ndërmarrje. Në hapjen e këtij panairi, u vlerësua se kompanitë përfituese të këtyre granteve kanë arritur dukshëm kapacitetet prodhuese duke rritur kapacitet e tyre prodhuese, nivelin e eksportit si dhe duke gjeneruar vende të reja të punës. Shefi i operacioneve të Zyrës së BE-së në Kosovë, Christof Stock, tha në hapje të panairit se janë mjaft të kënaqur me rritjen e produkteve të këtyre ndërmarrjeve. Ai tha se synimi i këtij programi është edhe rritja e konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve, zëvendësimi i produkteve të importuara, si dhe rigjenerimi i punësimit. Nga ana tjetër, zëvendësministri i Industrisë dhe Tregtisë, Avni Kastrati, tha se arritura e këtyre ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme është në interes të institucionit që përfaqëson për arsyen edhe se ato krijojnë vende të punës të qëndrueshme. Kastrati gjatë fjalimit të tij tha se e rëndësishmja e kësaj është se rreth 20 përqind e ndërmarrjeve përfituese të programit të BE-së dhe Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë janë gra, gjë që sipas tij është inkurajuese pasi që kjo tregon se fuqizimi i grave në ndërmarrësi po ndodh gradualisht dhe me hapa të sigurt. Veç kësaj Kastrati ka treguar se në këtë aspekt kanë bërë veprime të rëndësishme në shumë aspekte si në përmirësimin e legjislacionit, përmirësimin e infrastrukturës për punë të ndërmarrjeve, krijimin e politikave të favorshme fiskale, politikave nxitëse për sektorin e prodhimit në veçanti për atë privat. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është optimiste se Marrëveshja e Stabilizim Asoccimit e cila ka filluar të implementohet në prill të këtij viti, do të zgjerojë mundësin e bizneseve kosovare për eksport dhe rritje të punësimit.
Urdhëri i Mjekëve: Vendimet e Fondit kanë çrregulluar tregun

Kriteret që duhet të plotësojnë farmacitë dhe agjencitë farmaceutike për lidhjen e kontratave me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore dhe procedurat për lidhjen e kontratave standarde për vitin 2017 duhet të marrin vlerësimin paraprak të Autoritetit të Konkurrencës.
Vendimi është marrë nga Komisioni i Konkurrencës, pasi Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë i është drejtuar Autoritetit të Konkurrencës për interpretimin e vendimit datë 22 dhjetor 2015, të Këshillit Administrativ të FSDKSH-së (Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor).
Sipas Urdhrit të Farmacistit, Këshilli Administrativ i Fondit, ka përcaktuar kritere, të cilat mund të sjellin “selektivitet” jo të drejtë të subjekteve farmaceutike që do kontraktojnë Fondin; konkurrencë të pa drejtë ndërmjet subjekteve farmaceutike dhe diskriminit të një numri subjektesh farmaceutike, ndonëse ato e zhvillojnë aktivitetin konform rregullave ligjore në fuqi.
Sekretariati i Autoritetit të Konkurrencës nisur nga kjo kërkesë e Urdhrit të Farmacistit ka ndjekur procedurat ligjore për vlerësimin e kërkesës së Urdhrit të Farmacistëve në lidhje me vendimin objekt-ankese. Autoriteti ka vlerësuar konkurrencën në tregun përkatës, aktet ligjore dhe nënligjore mbi të cilat funksionon ky treg, si dhe ndikimin e tyre në konkurrencë.
Konkurrenca ka vërejtur se, kriteret e vendosura lidhur me distancën që duhet të kenë farmacitë nga kufiri i jashtëm i institucionit Shëndetësor Publik është argumentuar FSDKSH-ja, si një masë për shmangien e lidhjes abuzive mes mjekëve dhe farmacistëve. Ky kriter pretendohet se është i motivuar për rregullimin e tregut si dhe shpërndarjen e farmacive në territor për të mënjanuar mbipopullimin me farmaci pranë institucioneve shëndetësorë.
Vlera monetare e rimbursimit të ilaçeve përbën rreth 45% të vlerës totale të tregut farmaceutik. Ky fakt është pohuar si nga përfaqësuesit e ankimuesit ashtu edhe nga FSDKSH-ja.
Autoriteti i Konkurrencës vërejti se gjatë realizimit të hartimit dhe të miratimit të këtij vendimi, i cili kushtëzon mirëfunksionimin e tregut, për vetë volumin e tij, nuk është zbatuar detyrimi ligjor “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Konkurrenca pas verifikimit ka vërejtur se, përdorimi i kritereve të distancave për lidhjen e kontratave të rimbursimit nuk përbëjnë kritere që lidhen me performancën e operatorëve në treg, dhe nuk kanë lidhje shkak-pasojë me sjelljen oportunistike të mjekëve-farmacistëve. Në këto kushte lind e nevojshme gjetja e instrumenteve alternativë për kontrollin e tregut objekt-vlerësimi, nëpërmjet akteve nënligjore që do të nxjerrë në vijim Këshilli Administrativ të FSDKSH-së (Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor).
Kreditimi, vetëm Shqipëria në rënie
Edhe pse kredia bankare për sektorin privat është ende në proces maturimi në Rajonin e Ballkanit, Shqipëria ka performuar dobët në krahasim me këto vende.
Sipas përllogaritjeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar teksa në vendet e Ballkanit, si Bosnja, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia kredia ndaj sektorit privat ka shënuar rritje nga 2-7 për qind në varësi të secilit vend, përjashtim ka bërë vetëm Shqipëria, e cila ka shënuar rënie të huasë me 2.9% më 2015.
Për shkak të kësaj situate, niveli i ndërmjetësimit të bankave në Shqipëri mbetet i ulët, me kredi të sektorit privat në rreth 35 për qind të PBB-së, krahasuar me 45 për qind të PBB-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Fondi Monetar Ndërkombëtar vëren se, kreditimi i ulët vuan nga dobësitë që rrjedhin nga euroizimi i lartë, ekspozimi i madh ndaj letrave me vlerë jolikuide të qeverisjes qendrore dhe kreditë e këqija gjithnjë e në rritje.
Mekanizmi i transmetimit monetar që synon të çlirojë kreditë vuan pasojat e një euroizimi të lartë. Kreditë në monedhë të huaj zënë dy të tretat e të gjitha kredive, nga të cilat rreth gjysma mbeten të pambrojtura.
Ndërsa normat e depozitave po vazhdojnë të bien në mënyrë të qëndrueshme, normat e kreditimit po bien me një ritëm më të ngadaltë, duke reflektuar nivelin e lartë të kredive me probleme.
Rënia në 2.9 për qind e kredisë për sektorin privat shpjegohet me një rregullore të 2015, e cila fshin nga bilancet kreditë e humbura pas një periudhe trevjeçare. Por Fondi vlerëson se me gjithë këtë masë niveli i huave me probleme nuk ka pësuar rënie domethënëse.
Pavarësisht kësaj situate, sistemi mbetet e qëndrueshëm, i mirë-kapitalizuar dhe likuid. Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit është rreth 16 për qind dhe raporti i likuiditetit është rreth 33 për qind, shumë më lart së kërkesat ligjore.
Edhe pse sistemi bankar shqiptar dominohet nga bankat e huaja (me një pjesë tregu prej 86 për qind), ato janë të financuara nga depozitat e brendshme.
“Lufra” dhe “Erzeni” kanë fiskuar çmimet dominojnë 80% të tregut
Autoriteti i Konkurrencës ka grumbulluar fakte se, kompanitë e prodhimit të qumështit, “Erzeni” dhe “Lufra” po abuzojnë me pozitën dominuese, duke fiksuar çmimet. Pasi ka bërë një vëzhgim paraprak mbi tregun, Autoriteti ka vendosur të zhvillojë një hetim të thelluar.
Sipas njoftimit zyrtar gjatë fazës së hetimit paraprak janë analizuar të dhënat për rreth 9 ndërmarrje, të cilat ushtrojnë veprimtarinë e tyre në tregun përkatës për periudhën hetimore dhe ndërmarrjet “Lufra” dhe “Erzeni” zotërojnë rreth 75–80% të pjesës së tregut të shitjes sipas sasisë dhe vlerës së shitur për produktet në tregun përkatës.
Nga analiza e treguesve të përqendrimit HHI, vërehet një përqendrim shumë i lartë i tregut, për të tre produktet e marra në analizë, si pasojë e pjesës së madhe të tregut që zënë dy ndërmarrjet “Lufra” dhe “Erzeni”.
Ky indeks paraqitet përafërsisht në të njëjtat nivele në të dyja vitet 2014 dhe 2015, i cili tregon që nuk ka pasur ndonjë ndryshim të strukturës së tregut të ndërmarrjeve për këto produkte dhe tregu mbetet i përqendruar.
Si përfundim, nga analizimi i treguesve të përqendrimit, pjesët e tregut të ndërmarrjeve gjatë periudhës nën hetim, si dhe krahasimi i çmimeve të aplikuara nga ndërmarrjet për periudhën hetimore për produktet në tregun përkatës, vërehet se ndërmarrjet “Lufra” dhe “Erzeni” paraqesin dyshime për ekzistencën e një marrëveshje të ndaluar.
Nga analiza e trendit të çmimit mesatar mujor të shitjes së qumështit të ambalazhuar me shishe plastike 1.4 litra, kosit të ambalazhuar 350/380 gr, kos i ambalazhuar me shishe 0.95/1 litër, për periudhën 2014 – janar 2016, vërehet se ndërmarrjet “Lufra” dhe “Erzeni” aplikojnë çmime të shitjes me shumicë të këtij produkti me ndryshime shumë të vogla nga njëri-tjetri, çmimet e tyre janë më të larta se të konkurrentëve të tjerë më të vegjël të tregut si dhe çmimet e shitjes me pakicë janë të caktuara dhe pa luhatshmëri sezonale gjatë gjithë periudhës objekt hetimi.
Autoriteti i Konkurrencës ka hulumtuar se, nisur nga këto fakte ekzistojnë shenjat se kompanitë “Lufra” dhe “Erzeni” kanë aplikuar një kufizim të mundshëm të konkurrencës, ndaj dhe ka vendosur hapjen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e përpunimit dhe tregtimit të qumështit të ambalazhuar dhe nënprodukteve të tij, ndaj ndërmarrjeve në fjalë.
“Dy kompanitë “Lufra” dhe “Erzeni”, të cilat prodhojnë produkte ushqimore me bazë qumështin deklarojnë se, qumështin e sigurojnë dhe e përdorin 100% natyral nga lopët e delet, por këtë nuk e besojnë as vetë lopët, madje as delet! Nuk mund të akuzojmë drejtorin e riskut në AKU, se duke qenë mësues fizkulture nuk ka haber nga punët e kontrollit të qumështit (apo për fakte të tjera që thonë gojët e liga), mbasi siç dihet ai ka në varësi edhe ndonjë specialist të fushës. Problemi qëndron në realitetin, se nuk bëhen kontrolle, ose bëhen kontrolle fiktive me ndonjë “kafe shoqërore në xhep”. Po ndalemi tek një fakt abuzimi, që bëhet nga dy kompanitë “Lufra” e “Erzeni” dhe që lejohet nga kontrollorët e sigurisë ushqimore. Konkretisht, “dybekët” e këtyre dy kompanive, prodhojnë produkte qumështi, duke përdorur një reagent të quajtur “Benzoat”, që nëse hidhet mbi normën e lejuar quhet jo vetëm abuzim në cilësi, por edhe risk me rrezik për jetën e konsumatorit”, shkruan gazeta “Telegraf”.
NATO, 4 mijë trupa shtesë në vendet baltike dhe Poloni
Tre javë para takimit të nivelit të lartë të NATO-s në Varshavë, ministrat e Mbrojtjes të aleancës vendosën të dërgojnë 4 mijë trupa të tjera në shtetet baltike dhe në Poloni, në kuadër të masave për të frenuar Rusinë.
Së bashku me forcën e ndërhyrjes së shpejtë, ato synojnë të frenojnë përsëritjen nga Rusia të një ndërhyrjeje të ngjashme me atë të Krimesë. Por disa vende të NATO-s thonë se, aleanca duhet të bëjë më shumë që të jetë e besueshme.
Ministrat po zhvillojnë sot ditën e dytë të takimit në Bruksel. Për herë të parë në këtë takim merr pjesë me statusin e vëzhguesit edhe Mali i Zi. Mali i Zi pritet të anëtarësohet në NATO gjatë takimit të nivelit të lartë të Varshavës.
BREXIT, me pasoja të rrezikshme
Presidenti i Këshillit të Bashkimi Evropian, Donald Tusk, ka paralajmëruar sërish të enjten se pasojat ekonomike dhe politike të një largimi të mundshëm të Britanisë nga BE-ja do të ishin të rrezikshme edhe për bllokun evropian edhe për Britaninë e Madhe.
Britanikët do të votojnë më 23 qershor rreth asaj nëse vendi i tyre duhet të qëndrojë apo të dalë nga BE, ndërsa një sondazh i publikuar sot thotë se 53% e tyre janë që Britania të dalë nga BE.
“Nuk kam dyshim se rezultatet direkte të daljes së Britanisë nga BE do të ishin vërtetë të rrezikshme për ekonominë në Mbretërinë e Bashkuar dhe për tërë Evropën”, ka thënë udhëheqësi i samiteve të BE-së gjatë një konference me media në Helsinki. “Pasojat gjeopolitike janë tërësisht të paparashikueshme. Ajo që kemi nevojë sot është fuqizimi i komunitetit tonë perëndimor”. Tusk gjithashtu ka thënë se sondazhet e fundit nuk janë inkurajuese.
Demokracia dhe stabiliteti i rajonit mbetet i dyshimtë
Maqedonia moderne, një nga kombet më të vogla dhe më të reja në botë, ka rastisur të jetë e vendosur në qendrën strategjike të Ballkanit. Ajo gjithashtu ka fatkeqësinë e përballjes me një rrjedhë të vazhdueshme krizash të rënda të brendshme dhe të jashtme, që kur fitoi pavarësinë nga Jugosllavia në vitin 1991. Sot, Maqedonia është përsëri në krizë, pa qeveri reale teksa kombi lufton në vijën e frontit të parë të valës së refugjatëve që largohen nga Siria dhe Iraku.
Shtetet e Bashkuara dhe vendet europiane kanë investuar shumë në stabilitetin dhe integrimin e Ballkanit, pasi Jugosllavia u shpërbë pas vitit 1989. Por sot ata mbeten kryesisht pasivë për Maqedoninë, teksa vendi lufton me një varg problemesh vendore dhe ndërkombëtare.
Maqedonia nuk është e pajisur për t’u marrë me valën e refugjatëve që gëlon në kufijtë e saj. Vendi ka nevojë për ndihmë serioze, jo për zhgënjim nga ndërkombëtarët si NATO dhe BE.
Pa përvojë në qeverisjen demokratike, maqedonasve iu desh të krijonin pas pavarësisë në vitin 1991 nga e para një Kushtetutë, ligje dhe institucione. Që atëherë, vendi nuk ka kaluar një periudhë të qëndrueshme pa krizë, për të konsoliduar dhe zhvilluar institucionet demokratike. Kryesisht për shkak të kundërshtimeve të emrit kushtetues të Maqedonisë, Greqia vendosi një embargo ekonomike në Maqedoni, derisa Richard Holbrooke negocioi një fund të kësaj në vitin 1995. Çështja e emrit vazhdon ta bëjë Greqinë të ushtrojë veton ndaj anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Europian.
Lufta në Kosovë dhe vala e refugjatëve shqiptarë në vitin 1999 krijoi një krizë tjetër. Vendi mezi shmangu një luftë civile me bazë etnike në vitin 2001, kur SHBA dhe BE ndërhyri diplomatikisht për të ndihmuar në krijimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Maqedonia është një nga vendet më të pasigurta psikologjikisht. Pothuajse të gjithë fqinjët e saj kanë kontrolluar një pjesë ose plotësisht territorin e saj përgjatë shekujve. Maqedonasit e sotëm e shohin veten si të rrethuar nga armiqtë apo miqtë, në varësi të identitetit të tyre etnik apo qëndrimit personal. Kjo pasiguri dhe përshtatshmëri politike, i ka bërë udhëheqësit e Maqedonisë që shpesh t’i provokojnë fqinjët e tyre me kërkesat për simbole historike kulturore dhe personalitetet e rajonit.
Maqedonia mbetet e izoluar nga norma europiane dhe ka pak shpresë reale të anëtarësimit në NATO dhe BE për aq kohë sa mosmarrëveshja e emrit kushtetues me Greqinë mbetet e pazgjidhur.
NATO e poshtëroi publikisht Maqedoninë në Samitin e NATO-s në vitin 2008, kur refuzoi aplikimin për anëtarësim për shkak të llogaritjeve të gabuara amerikane dhe kundërshtimet grek të emrit kushtetues të Maqedonisë. Ndërkohë, anëtarësimi në NATO dhe BE ka lëvizur përpara për Shqipërinë, Malin e Zi dhe vendet e tjera të Ballkanit.
Tani Maqedonia po përballet me valën masive të refugjatëve që largohen nga fatkeqësitë humanitare në Irak dhe Siri drejt Europës.
Maqedonia është e vështirë për t’u angazhuar dhe e lehtë për t’u kritikuar. Nën presionin e vazhdueshëm real apo të imagjinuar, shumica e maqedonasve etnikë kanë anuar nga partia nacionaliste, por e korruptuar dhe autoritare VMRO DPMNE. Udhëheqja aktuale e kësaj partie është diskredituar kohët e fundit, por grindjet politike vazhdojnë.
Sado të vështirë që të jenë maqedonasit, është koha që Shtetet e Bashkuara dhe europianët t’i japin fund shpërfilljes për Maqedoninë dhe ta ndihmojnë këtë republikë të vogël, të brishtë europiane që të zgjidhë problemet që kërcënojnë ta shkatërrojnë atë.
Ndihma më e madhe përballë krizës së refugjatëve dhe presioni për të zgjidhur problemet politike të Maqedonisë, janë të nevojshme. Por, ndihma e refugjatëve dhe presioni politik nuk janë të mjaftueshme. Në shkallë më të gjerë, perëndimi nuk i ka ofruar Maqedonisë apo kombe të tjera të reja të ish-Jugosllavisë ndihmën adekuate ekonomike për të zhvilluar ekonomitë e tyre dhe për të krijuar vende pune.
Maqedonia ka nevojë për një rrugë të përshpejtuar të anëtarësimit në NATO dhe BE për t’i dhënë stabilitet, siguri dhe standarde demokratike. Përpjekja e vakët diplomatike ndërkombëtare deri më tani për t’i dhënë fund çështjes së emrit të Maqedonisë me Greqinë nuk ka arritur të zgjidhë mosmarrëveshjen dhe nuk i ka ofruar Maqedonisë shpresë për anëtarësim në institucionet e përbashkëta rajonale.
E vetmja përgjigje e qëndrueshme ndaj katastrofës aktuale në Ballkanin Qendror është që vendet europiane dhe SHBA duhet të nisin një përpjekje diplomatike agresive, duke përdorur ndikimin e tyre të rëndësishëm për të zgjidhur çështjen e emrit dhe për t’i dhënë Maqedonisë qasje anëtarësimi në institucionet kryesore ndërkombëtare. Derisa kjo të ndodhë, investimet amerikane dhe europiane në Ballkan do të mbeten të mangëta dhe zhvillimi i demokracisë dhe stabilitetit të rajonit të Ballkanit do të mbetet i dyshimtë.
SHBA, Rusia dhe lufta në Siri
Rusia njoftoi mbrëmë vonë një pushim zjarri prej 48 orësh në qytetin sirian Aleppo, disa orë pasi Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje Rusisë dhe presidentit sirian Bashar al-Assad të respektojnë armëpushimin në shkallë vendi, për të cilin ishte rënë dakord në muajin shkurt.
Në një deklaratë, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se, në Aleppo është shpallur ndalimi i luftimeve për 48 orë, duke filluar nga dita e enjte me qëllim uljen e nivelit të dhunës së armatosur dhe stabilizimin e situatës.
Por, duke folur dje në Norvegji, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, akuzoi Rusinë dhe qeverinë siriane se po e zbatojnë armëpushimin në mënyrë selektive, ndërkohë që forcat e Asadit vazhdojnë përpjekjet për të rimarrë Aleppon, qyteti më i madh i Sirisë dhe objekt trashëgimie botërore të UNESKO-s:
“Ne e kemi bërë shumë të qartë, se nëse nuk kemi një përkufizim më të mirë se si do të funksionojë ky pushim zjarri, si do të zbatohet, kundrejt cilit do të zbatohet, atëherë ne nuk mund të rrimë duarkryq, ndërkohë që Asadi vazhdon ta sulmojë Aleppon dhe Rusia vazhdon ta mbështesë në këtë përpjekje”.
Zoti Kerry tha se, ai beson se zbatimi i armëpushimit mund të arrihet nga të dyja palët dhe tha se kjo është e vetmja mënyrë për t’u ulur në një tryezë bisedimesh në Gjenevë dhe për të negociuar mbi një tranzicion legjitim.
Zoti Kerry ishte në Norvegji për Forumin vjetor të Oslos, që mbledh ndërmjetësues të konflikteve, vendimmarrës të nivelit të lartë, analistë dhe ekspertë për të shkëmbyer përvoja, për të identifikuar sfidat dhe për të reflektuar mbi praktikat e ndërmjetësimit.
Armëpushimi i muajit shkurt përgjithësisht nuk po zbatohet dhe është bërë pak përparim për të negociuar mbi një tranzicion politik që mendohet të fillojë më 1 gusht.
Lufta civile në Siri ka marrë më shumë se 280 mijë jetë njerëzish dhe ka bërë që miliona të kërkojnë strehim, kryesisht në Evropë. Luftimet filluan me shtypjen e protestave anti-qeveritare në mars të vitit 2011.