Ndërsa Britania përgatitet të votojë mbi anëtarësinë në Bashkimin Evropian nga fundi i muajit, popullsia e territorit britanik të Gjibraltarit, ndihet kryesisht të pambrojtur. Territori shkëmbor gjendet në pjesën jugore të Spanjës dhe ka qenë një burim i vazhdueshëm tensionesh mes Madridit dhe Londrës. Sikurse njofton korrespondenti i “Zërit të Amerikës”, Henry Ridgewell, pjesëtarë të kabinetit spanjoll kanë sugjeruar se largimi i Britanisë nga BE mund të risjellë në skenë çështje të sovranitetit:
Me kabina të kuqe telefoni, autobusë dy katësh dhe klube, Gjibraltari është territor i pagabueshëm anglez në Evropën jugore. Spanja ia dha kontrollin e territorit Britanisë në vitin 1713. Largimi i Britanisë nga BE mund të nxisë shpresat e Madridit për të rimarrë sovranitetin e territorit. Alasdair Pinkerton është me Universitetin “Royal Holloway” në Londër.
“Është pjesë e sistemit të traktatit evropian që Spanja nuk lejohet në mënyrë aktive të kërkojë Gjibraltarin, ndërsa Britania është anëtare e BE. Në këtë mënyrë, Bashkimi Evropian është mbrojtësja e Gjibraltarit”.
Në raste tensionesh në të kaluarën, Spanja ka shtrënguar kontrollin e kufirit. Madridi ka akuzuar gjibraltarasit për trafikim duhani dhe alkooli dhe kjo mund të përdoret si preteks për mbylljen e kufirit dhe izolimin e 30 mijë banorëve.
“Si çdo shtet sovran që nuk i nështrohet traktateve, Spanja do të ketë të drejtë absolute që të mbyllë kufirin ndaj një territori që nuk është më pjesë e Bashkimit Evropian”, thotë zoti Alasdair Pinkerton.
Ekomia e Gjibraltarit u rrit me më shumë se 10 për qind vitin e kaluar, e nxitur nga tërheqja si një vend me taksa të ulëta dhe qasje ndaj tregut të bllokut. Udhëheqësit e territorit druhen nga pasojat e votës për largim.
Fabian Picardo është ministër i vendit:
“Si mund të ndryshosh modelin ekonomik nga një treg 520 milionësh tek një treg me 32 mijë njerëz? Janë sfida ekzistenciale ndaj modelit aktual ekonomik. Do të na duhet një ndryshim total dhe është diçka mjaft e vështirë”.
Në Britani, anketat sugjerojnë për avantazh të fushatës për largim. Por në Gjibraltar, shumica e banorëve thonë se do të votojnë për të qendruar në Bashkimin Evropian. Ivan Navas është një prej gjibraltarasve që mendon për familjen e madhe evropiane.
“Mund të ketë shumë debate, sikurse themi që bën fjalë me familjen, por nuk e braktis atë. Sikurse ka shtruar pyetjen kryeministri Cameron. “Dëshironi të jeni Anglia e vogël apo Franca e vogël” ? Ne duhet të jemi sëbashku”.
Mbështetësit për largimin nga BE thonë se, Spanja tashmë nuk i përfill rregullat e bllokut mbi njohjen e sovranitetit të territorit. Por, popullsia e Gjibraltarit druhet se largimi nga BE mund t’i lërë ata të shkëputur nga vetë maja e Evropës.
Frika e Gjibraltarit
Terrori pa kufi, atentatet e Parisit dhe të Orlandos
“Thërrmojuani kafkën me ndonjë gur; therini me thikë; shtypini me automjetin tuaj; rrëzojini nga lartësi të mëdha; mbytini ose helmojini”. Këto janë rekomandime për veprim, të cilat zëdhënësi i Shtetit Islamik (IS) Muhammad al-Adnani u shpërndau në shtator simpatizantëve të IS në një mesazh audio. Në radhë të parë, plotësoi ai, “ushtarët” e IS duhet të sulmojnë francezët e poshtër dhe lëpirashë”. Por edhe gjithë “të pafetë” e shteteve të tjera janë sipas tij synime legjitime.
Mesazhi që lëshoi al-Adnani ra si në Orlando, ashtu edhe në Paris në tokë pjellore. Të dy dorasit u deklaruan si mbështetës të IS, të dy ishin të njohur për autoritetet e sigurisë në vendet e tyre. Dhe të dy e vënë drejtësinë para pyetjes si të veprojë me të dyshuar si terroristë.
Jo struktura formale
Edhe më tepër autoritetet e sigurisë i preokupon një pyetje tjetër: Si mund t’i identifikosh njerëzit, që janë të gatshëm të bëjnë në emër të IS akte terroriste? “Përkufizimi i një rrjeti është pikërisht që ai nuk ka hierarki, nuk ka strukturë formale”, i thotë studiuesi i terrorizmit Peter Neumann, DW. “Këta janë njerëz që e njohin njëri-tjetrin, për shembull, sepse kanë qenë bashkë jashtë vendit; sepse janë takuar në skenën xhihadiste dhe raportet e njohjes së njëri-tjetrit aktivizohen nga rasti në rast. Nuk kemi të bëjmë me një strukturë formale”.
Në shtetet perëndimore, para së gjithash në Francë, është pikërisht kjo mangësi e strukturave formale në të cilën konsiston fuqia e IS. Simpatizantët e mundshëm dhe luftëtarët është më e vështirë të identifikohen se në një organizatë të rregulluar në mënyrë hierarkike. Kjo është një formë e dëshiruar. “Nizam, la tanzim”, është një formulë famëkeqe e teoricienit të këtij terrori të shfrenuar, e xhihadistit sirian Abu Musab al-Suri: “Një sistem, jo organizatë” – kjo do të thotë: xhihadistët krijojnë një rrjet joformal, i cili bazohet në marrëdhënie personale, në ndryshim dhe të strukturuar vetëm pak. Me të mund të bashkohesh ose edhe ta braktisësh. Para së gjithash mund të veprosh në mënyrë të pavarur dhe me mendjen tënde”.
Strategjia e Musab al-Surit
Teoria e Xhihadit e al-Surit përmban një pjesë ideologjike dhe një pjesë strategjike. Ideologjia ka synim mallkimin e “kryqtarëve amerikano-hebrenj”, të cilët sipas al-Surit shkatërrojnë në mënyrë të qëllimshme botën islamike. Kjo bëhet me anë të “përhapjes së një kulture të degjenerimit, prishjes, të tradhtisë bashkëshortore dhe të imoralitetit, të zhveshjes, të lakuriqësisë, të përzierjes së gjinive dhe të formave të tjera të korrupsionit social”. Kundër kësaj, duhet të mbrohemi përmes luftës pa kufi. Objektivat sipas tij ka shumë dhe ato janë të llojit më të ndryshëm: politikanë dhe ushtarakë; infrastruktura ekonomike si aeroportet dhe portet, stacionet hekurudhore, urat, kryqëzimet e autostradave, metrotë dhe vendet turistike. Mund të sulmohen edhe bazat ushtarake dhe qendrat e kompjuterave; por edhe objektivat “më të buta” si sipërmarrjet mediatike dhe përfaqësuesit e tyre. Të gjitha këto, jep siguri Al-Suri, i shërbejnë vetëm kundërmbrojtjes.
Al-Suri i lindur ndoshta në vitin 1958 jetoi për vite të tëra në Evropë. Ai ngarkohet me rol drejtues në planifikimin e atentateve të trenave periferikë në Madrid në mars 2003, përmes të cilave u vranë 190 vetë dhe u plagosën 2000 të tjerë. Por gjurmët e Al-Surit humbën para disa vitesh në burgjet e regjimit të Assadit.
Sot kërkesat e tij shpërndahen nga një brez më i ri, të përshtatura në mediumin e kohës së sotme: internetin. Një nga veprat më të njohura publikoi francezi me origjinë nga Senegali, Omar Diaby alias Omar Omsen. Në serialin “19HH”, Omsen flet ndër të tjera për një gjoja komplot të përbotshëm kundër fesë islame: “Ju mund t’i modifikoni gjërat sipas dëshirave tuaja dhe t’i shtyni masat në drejtime, që ju përshtaten…Në emër të së ashtuquajturës siguri, ka nisur propaganda kundër fesë islame!” Omsen ishte njëri nga rekrutuesit më të rëndësishëm të xhihadit në Siri. Ai vetë vdiq po atje në gusht 2015.
Luftë që tani drejtohet edhe kundër objektivave “më të buta”, jetës së përditshme në Perëndim. Në të mund të luajnë një rol edhe të deklasuarit nga pikëpamja sociale, ata që janë bërë të huaj për shoqërinë – si tani atentatorët e Orlandos dhe Parisit. Kriminelët e vegjël dhe neurotikët e drejtojnë xhihadin. Pikërisht, kjo e bën shumë të vështirë luftimin e tij.
De Biasi: Keqardhje, meritonim më tepër
Keqardhja është mëse normale përballë një humbje në minutën e 90. Shqipëria ishte fare pranë një rezultati historik në Kampionatin Europian, e pavarësisht asaj që ndodhi ndaj Francës, Gianni De Biasi ka vetëm vlerësime për Kombëtaren shqiptare. “Ndjejmë keqardhje për humbjen, sepse deri dy minuta përpara fundit mund të kishim marrë rezultat. Djemtë zhvilluan një ndeshje të shkëlqyer dhe treguan se jemi një skuadër që e meriton të luajë në Kampionatin Europian. U përballëm me një skuadër shumë të fortë, të cilën e vendosëm në vështirësi në më tepër se një rast. Pashë entuziazmin e lojtarëve të Francës në momentin e shënimit të golit, sipas meje edhe ata nuk e besonin më se do të fitonin”, u shpreh De Biasi.
Trajneri kuqezi ka vetëm vlerësime për lojtarët dhe beson se, kuqezinjtë meritonin diçka më tepër. “Nuk jam i zhgënjyer nga asgjë. Jam krenar nga skuadra që kam në dispozicion, që zhvilloi një paraqitje të mirë dhe që u përshëndet nga tifozët e pranishëm. Diçka e merituar, vetëm kjo duhet thënë. Hodhëm në fushë gjithçka që kishim në dispozicion, për të provuar që ta godisnim Francën. Mund të kishim shënuar në fillim të ndeshjes, por nuk ia dolëm. Ndeshja mund të kishte shkuar ndryshe, sepse gjithashtu goditëm edhe shtyllën, ashtu siç e goditën edhe kundërshtarët. Meritonim diçka më tepër, por kjo nuk ka më rëndësi. Tashmë duhet të shohim përpara, kemi edhe ndeshjen e tretë dhe vetëm në fund do të bëjmë llogaritë”, tha ai.
Trajneri u kërkoi lojtarëve të qendrojnë me kokën lart dhe të mendojnë për sfidën e radhës. “Është normale që lojtarëve u ra morali, por u kërkova që të ngrenë kokën, të jenë krenarë për atë që dhanë në fushë, pasi i shpenzuan të gjitha energjitë që kishin dhe zhvilluan një ndeshje, të cilën ata që e panë mund të thotë se panë një skuadër të vërtetë në fushë, që vendosi në vështirësi dhe Francën që është një emër i madh”, tha De Biasi.
Të dielën përballë Rumanisë, De Biasi kërkon nga skuadra që të shënojë golin e parë në Kampionatin Europian, si mënyra e vetme për të fituar dhe për të shpresuar. “Tashmë do të përpiqemi të rikuperojmë energjitë për ndeshjen e tretë me Rumaninë, ku do të kërkojmë golin që na mungon këtu në Europian. Për një arsye ose për një tjetër nuk kemi arritur të shënojmë, edhe pse gjithmonë i shkojmë pranë. Por, nëse nuk shënon nuk arrin t’i fitosh ndeshjet dhe duhet të tentojmë ta shënojmë me më tepër kualitet”, përfundoi De Biasi.
Në minutat e fundit
Nuk i ka kursyer fjalët e mira për Shqipërinë edhe sportivja e përditshme italiane, “Corriere dello Sport”. Ajo shkruan në analizën e saj për ndeshjen e luajtur mbrëmë në “Velodrome”: “Franca bën ndeshjen e dytë dhe gjen fitoren e dytë. Edhe këtë herë e gjen golin në minutën e fundit. Shqipëria ishte solide dhe e vendosur mirë në fushë nga De Biasi. Shqiptarët rezistuan mirë deri në minutën e 90-të, por më pas u kalua nga Griezmann dhe Payet.
Mbaroi 2-0. Në pjesën e dytë pati një ritëm tjetër, ndryshe nga pjesa e parë. Pati edhe dy shtylla, nga një për secilën skuadër. Shumë e mirë loja e Hysajt. Perfekt në mbrojtje dhe i rrezikshëm në disa raste në sulm.
Franca e nisi mirë dhe duke mbajtur topin, por Shqipëria i kishte mbyllur të gjitha hapësirat, duke mbrojtur me dy lojtarë sa herë merrte topin Payet dhe Coman. Shqipëria provoi disa herë me kundërsulm. Ajo pati disa raste në fund të pjesës së parë, duke bërë që tifozët francezë të fishkëllejnë skuadrën e tyre, që shkonte në dhomat e zhveshjes.
Në pjesën e dytë, Franca luajti gjithçka për të arritur rezultatin. Shqiptarët mbrohen, duke shtrënguar dhëmbët, por e uli shumë ritmin në minutat e fundit, duke pësuar në të 90-ën. Griezmann me kokë shpërthen “Velodrome” dhe pak çaste më pas edhe Payet, që dyfishon shifrat, duke e çuar Francën në çerekfinale”.
Fitorja in-extremis e Francës ndaj Shqipërisë në “Velodrome”, është pasqyruar me nota pozitive për lojën e kuqezinjve nga mediat botërore. Dhe jo vetëm për faktin se u ndëshkuam në fund, por edhe për lojën e mirë dhe rastet e krijuara në portën franceze gjatë 90 minutave. Titulli i madh i “L’Equipe”, mbretërit e ankthit, i referohej pikërisht emocioneve të papërshkrueshme të mbrëmjes së “Velodrome”. Ashtu sikurse ndaj Rumanisë, Blutë vuajtën shumë për t’i imponuar vetëm në fund, falë golavetë Griezmann dhe Payet.
“Gazzetta Dello Sport” shkruan: Griezman dhe Payet i dhurojnë 1/8 Francës. Pas një pjese të parë të shëmtuar, me hyrjen në fushë të Griezman dhe Pogbasë, të zotët e shtëpisë kalojnë kombëtaren e De Biasit.
Spanjollja “Marca” shkruan: Blutë shpëtuan në fijet të perit falë Griezman. Sipas “Goal.com”: Nuk ka festë pa Griezmann dhe Pogba. Yjet që erdhën nga stoli shpëtuan Francën me një fitore dramatike me Shqipërinë.
Rrjeti amerikan “ESPN” vlerëson maksimalisht mbrojtjen e Shqipërisë, pavarësisht humbjes me Francën.
Zvicerania “Blick” shkruan se, Griezman dhe Payet arritën të shënonin vetëm në fund për të lumturuar Francën. Shqipëria nuk shpërblehet në fund pas një lufte madhështore.
Patric Evra: Shqipëria e meritonte barazimin
Patric Evra, një prej yjeve të përfaqësueses së Francës dhe lojtari me eksperiencën më të madhe, kishte vetëm elozhe për Shqipërinë dhe tifozët kuqezi në përfundim të sfidës në Marsejë. Ekskluzivisht për mikrofonin e Supersport, mbrojtësi i Juventusit uroi Kombëtaren shqiptare për atë që paraqiti në “Velodrome”, pavarësisht humbjes në minutat e fundit. “Kemi luajtur kundër Shqipërisë në miqësore, ku humbëm dhe barazuam në shtëpi. Kur luan kundër Shqipërisë është e vështirë, sepse këta lojtarë japin maksimumin për fanellën. Nuk e di kush mendonte që mund të fitonim lehtë, por ne lojtarët dhe trajneri i respektojmë kombe të tilla, sepse japin maksimumin dhe janë vërtetë të rrezikshme. Fola edhe me trajnerin dhe i thashë që meritonin barazimin kundër Zvicrës, sepse kishin mundësi të shënonin në fund. Mund t’i them vetëm BRAVO Shqipërisë, sepse luan me zemër dhe kanë tifozë të shkëlqyer, që erdhën të shumtë në Francë. Personalisht e dija që ishte ndeshje e vështirë. Urime Shqipërisë, sepse realisht zhvilloi një ndeshje të bukur”, u shpreh Evra.
Patric Evra nuk ndalet vetëm te vlerësimet. 35-vjeçari pranoi se, Shqipëria e meritonte barazimin përballë “gjelave” dhe nuk do të kishte vjedhur asgjë. “Është e vështirë, sepse edhe ne edhe ata kishim raste. Por, nëse Shqipëria do të kishte marrë një pikë nuk do të kishte vjedhur asgjë. Dhanë gjithçka në fushë dhe ndoshta mund ta kishin merituar një barazim”, përfundoi Evra.
UEFA vlerëson Shqipërinë për paraqitjen ndaj Francës
UEFA vlerërson Shqipërinë për paraqitjen e mirë që zhvilloi në Marseille ndaj Francës. Kombëtarja kuqezi iu afrua shumë pranë marrjes së pikës së parë në një kampionat europian, por 5 minutat e fundit të sfidës ishin me të vërtetë vrastare për të besuarit e Gianni De Biasit, të cilët pësuan dy gola, duke dalë pa pikë nga stadiumi “Velodrome”. Gjithsesi paraqitja e Shqipërisë ka marrë vlerësimet maksimale nga faqja zyrtare e UEFA-s, e cila në një shkrim të sajin dedikuar kombëtares kuqezi thekson: “Vlerësimet shkojnë për Shqipërinë që ushtroi presion në të gjitha mënyrat në ndeshjen ndaj Francës”.
Me këto fjalë institucioni më i lartë i futbollit europian, thur elozhe për skuadrën e Gianni De Biasit, që vuri realisht në pozita të vështira Francën. Trajneri Didier Deschamps, por edhe të gjithë tifozët e gjelave ishin në ankth gjatë gjithë takimit, sepse Shqipëria falë një loje kompakte dhe grintës së treguar në fushë nga të gjithë futbollistët i lejoi shumë pak hapësira Bluve, aq sa në momentin e golit të Griezmann, Deschamps festoi si i çmendur, pasi presioni mbi të ishte shumë i madh. Fati nuk deshi që kombëtarja kuqezi të dilte me një pikë nga stadiumi “Velodrome” i Marseilles, megjithatë të gjithë shqiptarët duhet t’i gëzohen asaj paraqitje shumë të mirë që bëri Shqipëria në takimin e dytë në grup ndaj Francës.
Lojtarët e trishtuar për humbjen
Ledian Memushaj nuk e fshehu trishtimin e tij në intervistën e dhënë pas përfundimit të ndeshjes me Francën. Lojtari i Pescarës, shtoi se humbja ishte e pamerituar, por futbolli i tillë është. “Me vjen keq, pasi nuk meritonim të humbisnim. Arritëm deri në minutën 90 rezultatin 0-0 dhe meritonim barazimin, por ky është futbolli dhe duhet të shikojmë menjëherë drejt Rumanisë. Duhet ta përgatisim sa më mirë ndeshjen. Kemi vetëm një rezultat, por duhet të luajmë dhe të kërkojmë fitoren”, u shpreh Memushaj.
Në të njëjtin “humor” është edhe Mërgim Mavraj, i cili theksoi se rezultati i ndeshjes duhet të ishte i ndryshëm edhe pse vuri në dukje cilësitë e Francës. “Jemi merzitur shumë, por nuk ka qenë e papritur, pasi Franca me këta lojtarë që ka, deri në minutën e fundit mund të shënojë. Fati nuk ishte me ne, bëmë shumë gjëra të mira, por në këtë nivel një gabim i vogël të vendos lojën. Kjo është cilësia jonë, nuk kemi lojtarë me shumë eksperiencë. Duhet të ngrejmë kokën lart. Do të jemi të mërzitur, por do të fokusohemi te Rumania dhe do të mundohemi atje të paktën të arrijmë një rezultat të mirë”, tha Mavraj.
Ansi Agolli “qau” humbjen ndaj Francës. “Më vjen keq, pasi ne bëmë më të mirën për të marrë atë pikë aq të dëshiruar. Bëmë një pjesë të parë shumë të mirë dhe nuk i lamë hapësirë kundërshtarëve. Në pjesën e dytë duhej të ishim më cinikë sidomos në zonë e megjithatë futbolli i tillë është tani duhet të shohim ndeshjen e fundit. Nuk kemi kohë të qajmë këtë ndeshje, por duhet të përgatitemi menjëherë shumë mirë për Rumaninë”, tha Agolli.
Në fund foli edhe Armando Sadiku, i cili ashtu si dhe e gjithë skuadra ishte mjaft i trishtuar për mënyrën se si shkoi ndeshja në fund me Blutë. “E pësuam golin në fund, duhet të kishim rezistuar, por i tillë është futbolli, tani duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës me Rumaninë. Kemi katër ditë kohë që të përgatitemi për sfidën e fundit. Për ne është një ndeshje vendimtare, pasi është deçizive për kalimin e grupit ose jo. Shpresoj që ndaj rumunëve të kemi edhe fatin në anën tonë”, tha Sadiku.
Ngritja e regjistrit të territorit, USAID dhe bashkia Kamëz trajnojnë grupet e punës
Në sallën e Këshillit të Bashkisë Kamëz, u zhvillua një trajnim nga USAID-i për ndërtimin e regjistrit të territorit në këtë njësi vendore. I pranishëm ishte kryetari i Bashkisë, Xhelal Mziu, dhe nga USAID-i Genc Radovicka, ekspert i teknologjisë së informacionit. Në fjalën e hapjes, kryebashkiaku Mziu vlerësoi fillimisht bashkëpunimin e Bashkisë Kamëz me USAID-in. “USAID është një partner i cili jo vetëm ka ofruar bashkëpunimin, duke na mbështetur financiarisht, por edhe është ndër institucionet më të certifikuara dhe më të besueshme”, u shpreh z. Mziu, duke shtuar më tej se Bashkia Kamëz ka një eksperiencë për sa i përket zbatimit të teknologjisë së informacionit.
“Ne kemi një eksperiencë për sa i përket sistemit të adresave, që e kemi para disa vitesh, por ndërtimi i regjistrit të territorit është në një stad pak më lart, më i sofistikuar, çfarë do të thotë që do të shkojmë drejt sistemit GIS për të qenë më të kompletuar në informacione ose, më saktë, është fjala e fundit e një baze të dhënash”, pohoi kreu i Bashkisë, i cili kërkoi një angazhim maksimal të të gjithë pjesëtarëve të grupeve të punës që janë ngritur për ndërtimin e regjistrit të territorit. “Ky proces kërkon një angazhim maksimal. Janë marrë të gjitha masat e nevojshme për të krijuar infrastrukturën. Së pari, në mjetet, duke filluar tek serverët, tek kompjuterat, pastaj te realizimi i tij nëpërmjet burimeve njerëzore.
Duhen të dhëna paraprake, të cilat duhet të jenë sa më të shumta, siç janë marrja e informacioneve nga OSHEE-ja, marrja e informacionit dhe ndarja e kontratave të Ujësjellësit Kamëz me UKT-në, me atë të Paskuqanit dhe ndarja e tyre sipas qendrave të votimit; të gjitha lejet e ndërtimit që janë dhënë që nga vitit `90 e deri më sot, për t’u ndarë po prapë sipas qendrave të votimit; legalizimet e konfirmuara deri në këto momente; sistemi i rrugëve; kodifikimi i banesave deri në këto momente etj. Pra, duhet të kemi një pasqyrë të kompletuar të të gjithë këtij informacioni që ne kërkojmë”, vijoi kryebashkiaku Mziu, duke shtuar: “Janë ngritur 16 grupe pune me persona të cilët mendojmë se plotësojnë kriteret e fillimit të këtij procesi, pra që kanë aftësi profesionale. Pjesë e grupeve të punës do të jenë edhe drejtorët, nënkryetarët, deri tek unë. Puna do të fillojë nëpër qendra votimi, duke marrë kufijtë e ndarjes sipas qendrave të votimit, që janë 12 në zonën e Paskuqanit dhe 36 në zonën e Kamzës.
Jam i sigurt që jo vetëm do të trajnoheni ju, por përvojën tuaj do ta transmetoni pastaj edhe te punonjës të tjerë, të cilët do të angazhohen në këtë proces mjaft të rëndësishëm. Grupeve të punës do t’u ofrohet bashkëpunim nga USAID-i. I gjithë ky proces do të mbyllet në këta dy muaj. Me anë të këtij procesi do të synohet jo vetëm evidentimi, por edhe zhdukja e informalitetit në kompleks, për sa u përket pasaportizimeve, bizneseve, kontratave të ujit, matjeve topografike etj.
Duhen shfrytëzuar të gjitha hapësirat, oraret, për të bërë të mundur përmbylljen e këtij procesi. Jam i bindur që secili prej jush do të luajë në maksimum rolin e tij, për ta mbyllur në një kohë rekord këtë proces, sepse është një projekt dhe financim mjaft i rëndësishëm nga USAID-i, por edhe nga institucioni i Bashkisë. Jam i sigurt që Radovicka, USAID-i do të bëjnë maksimumin për të na krijuar infrastrukturën dhe ne maksimumin për ta mbyllur këtë proces në një kohë sa më të shpejtë, por ajo që është më e rëndësishmja për të qenë i certifikuar në të gjithë parametrat të cilët na kërkohet”, është shprehur ndër të tjera kryebashkiaku Mziu. Më tej, Radovicka ka vijuar me prezantimin e procesit të ndërtimit të regjistrit të territorit dhe me trajnimin e punonjësve të administratës, pjesë e grupeve të punës.
Një skuadër me zemër edhe kur humbet, fiton
Fitoi eksperienca e Francës dhe përgatitja fizike mbi zemrën e madhe që dhanë lojtarët e Kombëtares në fushë
Nuk pësojmë më në fillim, luajmë si të barabartë madje për 90 minuta para Francës në shtëpinë e saj, por ligjet e futbollit janë të pamëshirshme. Shqipëria luan me zemër një tjetër ndeshje të bukur, por ndëshkohet atëherë kur pritej të festonte një barazim të mrekullueshëm dhe del e mundur 2-0. Një rezultat i padrejtë në përfundim të një mbrëmje të madhe. Ishte ndeshja më e bujshme në historinë e kombëtares kuqezi, një përballje me Francën në Europian. Ekzekutohet i pari himni kombëtar shqiptar, për të krijuar një atmosferë që të fut drithërimat, janë mbi 24 mijë tifozë shqiptarë në “Velodrome” sa dëshirë, sa krenari dhe emocion lexohet në sytë e këtyre njerëzve.
Në fushë u vendos Ajeti në vend të Canës, me Memushajn që zëvendëson Xhakën dhe Lila në të djathtë në vend të Roshit. Deschamps lë në stol Pogba dhe Grizeman, me sulmuesin e vetëm Giroud të mbështetur nga treshja Martial, Payet dhe Coman. Tentojnë ta nisin fort francezët në të 4 krosim i Payet dhe Giroud tenton me kokë duke cuar topin siper traversës. Fantastike tifozët kuqezi, më të zhurmshëm se vendasit. Shqipëria arrin të qetësojë lojën për të kaluar minutat e para që e kanë ndëshkuar në ndeshjet e fundit, tentatbva e parë në të 14 me Lenjanin që gabon jo pak në shënjestër. Ajeti rrezikon disi në tentativën për spastrimin e zonës në të 17, por me nje saktësi kirurgjikale i heq topin në zonë 4 minuta më vonë Martial. Shqipëria e organizuar kërkon shanset e saj në të 25, Lila nis në të djathtë Hysajn, fantastik në marrjen e topit shkodrani që kroson për Sadikun por paraprin Hugo Lloris.
Vijon performaca pozitive e Ajetit, ndalon më së miri Martiakl në të 32, gjest fantastik në krahun tjetër nga Coman që kalon Kukelin me stilin Alla-Zidane. Gjithmonë Payet në goditjet e dënimit gjen Giroud në të 36 që i shqetësuar nga Mavraj nuk mund të godasë si duhet. Dy minuta më vonë është një krosim i Elsied Hysajt që detyron Koscielnyn në spastrimin e rreikzhësm me kokë. Pika e fortë e Shqipërisë mbeten skemat në goditjet standart, fantastike kjo e minutës së 39 në goditjen e këndit që kthehet në një penallti në lëvizje për Lenjanin që nuk godet si duhet në qendër të zonës.
Në të 44 Patrice Evra bën një ndërhyrje të rrezikshme ndaj Lilës, goditkje dënimi në pozicion rtë favorshëm që e gjuan Memushaj i cili harkon bukur dhe kalon murin, por topi shkon pak sipër traversës. Shqipëria e mbyll pjesën e parë përpara, me Mavrajn që nuk arrin të devijojë topin në pozicion të shkëlqyer pas një goditje këndi. E dyrta fillon me Pogba që futet në vend të Martial dhe Francën që i fut dy marshe më shumë. Krijojnë disa raste vendasit, Coman qgjendet që në fillim para Berishës por goditja e tij është jashtë, në të 47 nuk gjendet askush për të shfrytëzuar krosimin e Payet, është sërish futbollisti i ëest Ham që kroson dy minuta më vonë, grushton Berisha por topi i karamboluar krijon një situatë të rrezikshme që neutralizohet nga Memushaj.
Vlonjati protagonist në rastin më të mirë për Shqipërinë në minutën e 52 kur në dyluftim me Sagnja devijojnë së bashku një krosim drejt shtyllës, kthehet topi dhe Memushaj tentont sërish nga toka me kokë, por topi del jashtë, cfarë rasti. Ndeshje shumë më ritmike në pjesën e dytë në minutën e 54 tjetrë krosim i bukur i Payet por goditja e Pogbna në rrëshkitje nuk ka saktësinë e duhur. një minutë më pas ndëshkohet me karton të verdhë Burim Kukeli, e kishte marrë një ndaj Zvicrës, humbet ndeshjken me Rumaninë. Në të 67 krosim i bukur i Coman por Giroud për fatin tonë dështon një tjeter rast fantastik. Largohet menjëherë më pas Coman për t’i bërë vend Griezman, dhe në të 69 Franca barazon llogariët e shtyllave, Giroud rregullon disi shënjestrën por për fat të mirë jo aq sa për të gjetur golin. Ndryshon pas 70 minutave lojë dhe De BViasi duke futur Roshin dhe Taulant Xhakën në vend të Lilës dhe Kukelit. Nuk e fillon aq mirë Taulanti, humbet topin duke i krijuar Francës mundësinë e një kundërsulmi që përfundon me goditjen e Sagna. I jep zemër Memushaj.
Rritet presioni i Francës duke i bërë të vuajtura minutat e fundit, në të 82 goditje standart që nga mesi i fushës që Koscielny nuk arrin ta kapë. Franca e papërmbajtshme në fund, në të 84 një goditje e devijuar e Kante del jashtë, dhe sikur të mos mjaftonte Ajeti me shqetësime fizike i lë vendin Veselit. Shqipëria ka dhe një tjetër rast në të 89, Roshi përparon të të djathtën, kroson në shtyllë të dytë me Memushaj që nuk arrin të shënojë. 90 minuta në barazim dhe pikërisht atëhere vjen goditja fatale. Krosim nga e djathta i Ramo dhe Griezman i lënë vetëm në qendër të zonës shënon golin e avantazhit. Makth i vërtetë, festojnë francezët. Por nuk ka mbaruar këtu pasi në shtesë Payet gjen dhe golin e 2-0. Shtanget de Biasi, të shtangur dhe Agolli, Hysaj e gjithë të tjerët. Padyshim një rezultat i pamëshirshëm për atë ecuri të lojës. Shqipëria është mundur pas një tjetër ndeshje të bukur, shpresa e fundit mbetet Rumania.
Rekord, 24 mijë shqiptarë këndojnë “Kuq e Zi Je Ti”
Rekord historik në stadiumin Velodrome të Marsejës. Ndeshja e dytë në Grupin A të Euro 2016 ndërmjet Shqipërisë dhe Francës u ndoq nga plot 24 mijë tifozë kuqezi. Atmosfera në startin e sfidës ishte festive dhe elektrizuese me mbështetësit e Kombëtares në ritmet e “Kuq e Zi Je Ti”, të Flori Mumajesit dhe Elvana Gjatës, këngës simbol të edicionit fantastik të Shqipërisë. Emocionet ishin po kaq të jashtëzakonshme edhe në momentin e himnit shqiptar, me mbështetësit e Kombëtares që bën të ndihej prezenca e tyre.
Të vlerësuar si një ndër tifozeritë më spektakolare të Kampionatit Europian, mbështetësit e Shqipërisë dhuruan një tjetër spektal në Francë. Thjesht madhështorë…
Mijera tifozë të pranishem kane nxehur atmosferen që para ndeshjes së dytë me Francën në Grupin A. “Xhamadani vija-vja” degjohej kudo me tifozët që u shfaqën të gezuar në rrugët e Marseille e jo vetëm. Tifozët kuqezi ishin më të shumë se pritshmëritë, apo vendet që janë rezervuar për ta në Velodrom.
Lojtari i kombëtares shqiptare Andi Lila është emocionuar shumë gjatë këndimit të himnit të Shqipërisë. Në një moment kamerat kanë fokusuar Lilën i cili duket i përlotur. Himni i Shqipërisë është kënduar me pasion nga futbollistët në stadiumin Velodrome të Marseille, para ndeshjes së Euro 2016 kundër Francës. Po ashtu himnin e kanë kënduar edhe të gjithë tifozët e pranishëm në stadium.
Hysaj: Me Francën humbje zhgënjyese
Tejet i zhgënjyer. Elseid Hysaj nuk fshihet dhe beson se fati ishte kundër Shqipërisë në humbjen përballë Francës. “Zhgënjim shumë i madh, sepse luajtëm bukur dhe fati sna ndihmoi në minutat e fundit. Por futbolli kështu e ka”, u shpreh Hysaj pas ndeshjes.
Mbrojtësi kuqezi u shpreh krenar për paraqitjen e skuadrës dhe për mbështetjen e tifozëve, megjithatë thekson se Shqipëria është paraqitur në Kampionatin Europian për të bërë edhe diçka më tepër. “Jemi këtu dhe Shqipëria duhet të jetë krenare. I falënderojmë tifozët për mbështetjen pas kësaj humbje, por ne kemi ardhur në këtë Europian për të bërë diçka më shumë”, tha ai.
Tashmë e gjithë vëmendja do të jetë në ndeshjen e fundit të Grupit A, kundër Rumanisë. Dueli në Lyon është shpresa e fundit e Shqipërisë, për të regjistruar rezultatin e parë pozitiv në histori, në një eveniment madhor dhe pse jo për tu kualifikuar. “Shpresa për kualifikimin kemi, duhet të mendojmë që të hymë në fushë, të vetëdijshëm se me Rumaninë është shpresa e fundit”, përfundoi Hysaj.