Zvicra dhe Rumania, dy kundërshtarët e Shqipërisë në Kampionatin Europian, u ndanë në barazim në sfidën e dytë të Grupit A. Sfida e luajtur në Parc des Princes të Parisit, përfundoi në barazim 1-1. Në fushë me formacionin që fitoi me vështirësi përballë Shqipërisë, zviceranët e nisën vrullshëm sfidën, duke kërkuar golin me Shaqirin, por goditja e devijuar përfundoi lehtësisht në duart e portierit Tatarusanu. Supremacia në startin e sfidës bëri që helvetët të ishin fare pranë golit në dy momente me Seferoviç.
Fillimisht në minutën e 6-të, me të djathtën që përfundoi pak centimetra jashtë dhe më pas në të 16-tën me të majtën, ku u frenua nga portieri. Shanset e shpërdoruara e ndëshkuan Zvicrën, me Rumaninë që fitoi 11-metërsh në daljen e parë të rrezikshme, me gjyqtarin Karasev që nuk kishte dyshime pas tërheqjes nga fanella të Lichtsteiner ndaj Chipciu. Nga pika e bardhë Stancu nuk gaboi. Dy ndeshje, dy penallti dhe dy gola për rumunët, me Stancu që u bë lojtari i parë pas 16 vjetësh që realizoi dy 11-metërsha në të njëjtin edicion të Kampionatit Europian, pas spanjollit Mendieta në vitin 2000.
Zvicra provoi të përgjigjej me Schar, në tentativën e të cilit portieri Tatarusanu reagoi me një pritje të shkëlqyer. Mrekullia e gardianit nuk u përsërit nga Sapunaru, që në minutën e 28-të kishte shansin të dyfishonte shifrat për rumunët, me festën e tij që u prish nga shtylla. Në fundin e pjesës së parë, zviceranët provuan gjithçka për të gjetur golin, por Rodriguez, Dzemaili me kokë dhe Lichtsteiner nuk ishin të saktë përpara portës. Rumania jo vetëm që shkoi në pushimin e lojës në avantazh, diçka që ndodhte për të parën herë në 15 ndeshje të fazës finale të Europianit, por rrezikoi të shënonte sërish në të 52-ën, me Djourou që ishte me fat, duke mos e dërguar topin në rrjetën e tij.
Zvicra gjeti golin e barazimit me Admir Mehmedin në të 57-të, me një të majtë potente. Sulmuesi, që është një nga pesë shqiptarët e formacionit helvet u bë lojtari i parë që shënon si në Botëror ashtu edhe në Europian për Zvicrën. E hedhur e gjitha në kërkim të avantazhit, skuadra e Petkoviç provoi me Shaqirin, që ishte i pafat dhe me Embolo, të aktivizuar nga stoli, e që në dy raste rrezikoi seriozisht portën e Tatarusanu-t.
20 minutat e fundit u shoqëruan me raste nga të dyja portat. Fillimisht Torje vuri në provë aftësitë e portierit Sommer, ndërsa në anën tjetër tentativa e Mehmedit, pas goditjes standarde të Shaqirit, u neutralizua nga portieri. Me skuadrat që treguan shenja lodhje, tentativa e fundit kaloi nga këmbët e Keseru, ndërsa skuadrat u ndanë në barazim 1-1. Shqiptari Granir Xhaka u shpall sërish lojtari i ndeshjes, ndërsa me pikën e marrë Zvicra hipotekoi kualifikimin në fazën tjetër të Euro 2016.
Mehmedi shpëton Zvicrën nga humbja
Çatia, nxitim në ikje
Frrok ÇUPI
Mu bë se vërtet po shikoja “Çatinë”, një film i neorealizmit italian i vitit 1950 e ca.
Para katër a pesë ditësh, mëngjes herët, stadiumi “Qemal Stafa”… Një makineri e rëndë, nga ato që zgjat qafën dhe shkatërron mure, kishte ardhur natën te stadiumi. Rrënonte një copë të madhe nga betoni i vjetër Fashist, dhe ulte kokën pak… Sikur këtë punë po e bënte fshehurazi, por edhe me nxitim. E ngrinte përsëri qafën, shkatërronte një copë më shumë, dhe përsëri ulej galuç. Si një përbindësh i çeliktë, hante stadiumin pikërisht aty ku thuhet se do të ndërtohet kulla…
Pse frikësohej përbindëshi i metaltë?, mendoj… Nga hija e kullës që do të ndërtohet? Nga të zotët që e urdhëruan për gjithë natën? Njerëz nuk dukeshin; as vetë makinisti nuk dukej në kabinë…
Çudi! Policia dhe mediat e kanë bërë zakon që të njoftojnë për gjithçka, madje edhe për parashikimin e motit dhe sterilizimin e 1500 qenve… Por për makinën e madhe që do të hante stadiumin shtatëdhjetë e ca vjeçar, askush nuk kishte thënë një fjalë. Makina e çeliktë nxitonte e vetme, por e kontrolluar. Shefat e qeverisë që kanë rekrutuar “përbindëshin e hekurt”, me siguri survejojnë që nga zyrat…
Sa më shpejt, sa më shpejt!… Kjo moto ishte. Prej pak muajsh është thënë se do të ndërtohet stadiumi i ri i Tiranës… Qeveria ka mbrojtur projektin e kullës me stadium, që është kundërshtuar nga të gjithë. Qeveria ka interes biznesi e fitimesh, prandaj nuk pyeti çfarë thanë të gjithë. Duhet shkatërruar veriu i stadiumit, duhet të fillojë betoni për kullën, të ngrihen muret deri në pikën që nuk mund të prishen më… Ja kaq. Për kaq po shpejton qeveria…
M’u bë se vërtet po shikoja filmin italian “Çatia”, që këtu në Shqipëri u shfaq disa herë nëpër kinema pas viteve ‘60. Ka shumë arsye pse e lejoi komunizmi filmin e Italisë së ndaluar; por mbi të gjitha mendoj se vrulli gati i çmendur i filmit neorealist përshtatej me realizmin socialist. Nuk është ky thelbi i krahasimit të Stadiumit me Çatinë. Thelbi është se këta nxitojnë, nxitojnë sa të hedhin betonin e kullës së re, që të mos ua prishin ata që vijnë… Edhe Natale e Luisa në filmin “Çatia” nxitonin të ndërtonin për gjithë natën shtëpinë e tyre, një si kasolle. Edhe ata në fshehtësi. Të nesërmen në mëngjes do të vinte policia; policia duhej t’i gjente të paktën me një derë dhe me një çati; ndryshe mund t’ua prishte “ndërtimin”.
Çatia dhe Stadiumi…Veç drejtimi i lëvizjes ndryshon në të dy kohët, në të dy vendet dhe në të dy shtresat: Çifti në filmin “Çatia” nxitonte, sepse po vinte në jetë, ndërsa këta nxitojnë, sepse po ikin nga pushteti. Këto janë senset e kundërt. Qeveria këtu ka bërë dëme shumë të mëdha, pa pyetur për njeri. Sa herë janë ngritur grupime të shoqërisë ose të politikës që kanë kundërshtuar projektet e dëmshme të qeverisë, këta kanë bërë akoma më keq. Këta vunë dorë mbi Parkun e Madh të Tiranës, dhe për gjithë natën e hëngrën të gjallë. U ngritën të gjithë kundër, që nga rinia e deri te Presidenti i Republikës. Tani në Park sundon betoni dhe këndojnë kukuvajkat; asnjë fëmijë nuk argëtohet mbi atë beton… Këta ngritën bunkerë m’u në fytyrë të atyre njerëzve që diktatura e bunkerëve iu kishte shkatërruar jetën; një popull që ka vuajtur më shumë se çdo popull nga diktatura komuniste, post-Naziste. Edhe për këtë nuk dëgjuan askënd, por ngritën kultin e nervit të tyre komunist. Këta sollën në pushtet kriminelë, trafikantë, përdhunues, perversë, dhe u imponuan me cinizëm e me dhunë. Edhe vetë Shteteve të Bashkuara iu imponuan; aleati thoshte jo kriminelë, këta kriminelë! Edhe njerëzit i përgjuan me mjete të paligjshme, askush nuk di nëse është përgjuar në shtëpi, në rrugë, në festë apo në morte. Por i është nxjerrë kocka njeriut. Këta guxuan të bëjnë gjithçka…
Këta guxuan që të bëjnë edhe një kullë (për vete) me një stadium (për sportistë). Të gjithë thanë jo. Të gjithë, me nga një zë të hollë. Zëri i trashë iu përkiste këtyre që dhunojnë të drejtën e të gjithëve, sepse këta kanë në dorë edhe mjetet e publikut që transmeton zëra dhe figurë.
Këtu erdhën në fund. Një mbrëmje të vonët urdhëruan përbindëshin e çeliktë; dhe ky, që pas mesnate erdhi galuc- galuc rrëzë mureve të stadiumit dhe nisi ta rrënojë. Rrëno një pjesë dhe fshihu prapa murit. Deri në mëngjes kështu. Derisa të ngrihet betoni i kullës në masën që nuk mund të shembet më. Sepse këta e dinë se sapo të ikin (dhe tashmë janë në ikje), dikush mund tua rrëzojë kullën. Të paktën këta kështu bënë kur erdhën: I rrënuan pronat e atyre që nuk iu shkonin për shtat, prishën shtëpi e hotele, burgosën të vobektë, madje edhe një prind në Durrës që po hidhte çatinë…Prindin e dërguan në burg, por pas pak ditësh humbi edhe dy fëmijë engjëj, teksa makina u përplas në çelik-ndarëset ku devijohej për në një korrupsion qeveritar… Vetëm për çatinë.
Këta po nxitojnë, në ikje….Gjithçka flet për ikje. Ata që kanë kuptuar, ose që kanë ditur çfarë po bëjnë, i kanë paketuar gjërat. Të tjerët ndodhen në krizën e naivit. Dje, ish-kryeministri Majko, tani një eksponent dhe përkrahës i qeverisë Rilindja, deklaroi se “po shkojmë në karantinë” si të dështuar. Vetë kryeministri, njeriu që ka ditur çfarë po bën për vete dhe në ç’greminë po i çon të tjerët, doli serbes e tha se bën veç “atë që do vetë”. Të tjerët thanë se nuk ka më asnjë hap përpara drejt Bashkimit Europian. Aleati kryesor në koalicionin qeveritar, dje tregoi se nuk është më aleat; të paktën nuk voton për një reformë “që nuk ka konsensus”. Ilir Meta nuk mund të shkelë mbi çdo princip. Pa këtë votë, këta shkojnë në shtëpi dhe… kulla e stadiumit prishet. Në qoftë se makina me dhëmbë të hekurt nuk nxiton të hedhë edhe betonin, atëherë iku edhe kulla… Ky është nxitimi.
Nuk është nxitimi për të bërë ndonjë punë “për popullin”, siç kanë mësuar të thonë në socializëm. Populli po vuan një jetë të rëndë ekonomike; mijëra e mijëra mund të ngelen pa bukën e gojës. Popullin e kanë futur në borxhe vdekjeprurës. Secili, në shtëpinë a në pronën e tij, sot 70 për qind të asaj që ka, e ka në borxh për shkak të qeverisë. 400 milionë euro i zhdukën vitin e kaluar. 395 milionë euro thanë se po ia japin shëndetësisë, por asgjë për tjetërkënd veç vetes… Njerëzit kanë fituar neveri për qeveritarët e tyre.
Ndoshta edhe për këtë arsye këta po nxitojnë; që të mos duken më para popullit të zemëruar.
Këta po shkojnë. Kaq ishte mjaft. Dje, mediat (madje media afër qeverisë) shkruan se dy ministra janë bërë gati për në burg. Ministri i Brendshëm rrethon gjykatat me pak njerëz të lajkatuar. Presioni i fundit. Shefi i tij, me sa duket e ka lëshuar.
Shefi i tyre kryeministër ka mbetur vetëm. Socialistët po ndahen e shkojnë pas Ben Blushit dhe Mimoza Hafizit. Kryetari historik, Nano, kërkon katarsis para se “Rilindja të na çojë në vdekje”.
Më duket se të gjithë po luftojnë për një çati. Këta që u shtynë nga Rilndja, kërkojnë çati socialiste. Aleatët kërkojnë çati politike edhe për nesër, prandaj nuk bëhen palë. Të varfërit që plaçkiten nga qeveria, duan veç një çati, edhe sikur në burg… Ministrat dhe kryetarët e bashkive që shkojnë në burg, e kanë çatinë.
Të tjerët që ishin shefa më të mëdhenj, këta po nxitojnë. Të paktën të hedhin betonin në kullën ku do të dalin ca miliona të tjerë. Ky është simboli i kësaj kohe që po jetojmë: Sa më shpejt të marrin çfarë munden…
Në fakt është e kundërta e Çatisë së filmit: Ai ishte një çift i varfër që vinte në jetë, këta-pasanikë që po ikin.
Kurrë votë që Rama të fusë në grusht drejtësinë
Pika e katërt: I bëj thirrje Edi Ramës mos u bëj varrmihës i konsensusit se historia do të dënojë në mënyrë të pamëshirë. Në vend se të falënderosh opozitën, dhe ua them këtu se nuk di kryeministër në Europë që nuk do falënderonte opozitën për aktin e saj që la me dhjetëra vërejtje dhe u mor vetëm me një kërkesë substancë të Venecias dhe i tha unë do të votoj e miratoj reformën.
Çdo kryeministër duhet të falenderonte opozitën, duhet të shprehej mirënjohës ndaj opozitës, kurse ky i tregon linjat e kuqe, njëlloj siç i tregoi miku i madh i shqiptarëve George Bush, Sllobodan Millosheviçit për Kosovën. Ky tregon linjat e kuqe, me mburrje të madhe madje.
Kjo nuk është linjë e kuqe për kryetarin e opozitës, por i them Ramës se kjo është vijë e kuqe për Venecian.
U them shqiptarëve edhe njëherë se njeriu që mbajti 2 vjet peng statusin e kandidatit për 3 ligje, po mban peng hapjen e negociatave, sepse ky është armik i integrimit tuaj, sepse ky e di se integrimi e shkrin këtë, e bën të paqenë, e çon tek Ponta. Ky e di se afrimi me Europën është shkatërrimtar për të, për perandorinë e tij të krimit.
Do t’i rikujtoj shqiptarëve disa momente shumë të rëndësishme. Që në fillim fare Rama bindi, mashtroi komunitetin ndërkombëtar, duke u thënë se, në Shqipëri fjala konsensus nuk ekziston, se konsenusi nuk njihej në këtë vend, në një kohë kur 24 vite rresht të gjitha reformat e mëdha pa përjashtim, përveç njërës, ishin bërë me konsensus dhe asnjëra prej tyre nuk kishte ngelur në mes, pasi kishte filluar bilateralisht. Rama mashtroi në këtë mënyrë, sepse nuk donte që opozita të ishte në komision mbi bazën e paritetit. Opozita meriton një falenderim nga çdo qytetar shqiptar, se është ajo dhe vetëm ajo që imponoi drejtimin drejt Venecias të materialeve. Ajo kërkoi e para drejtimin e tyre drejt Venecias. Nëse ju kujtohet ju, Fatmir Xhafaj bënte çdo gjë për të mos nisur materialin drejt Venecias. Këtu erdhi Presidenti i Komisionit të Venecias dhe organizoi një takim të gjerë dhe të gjitha palët i kërkuan atij që të shihte materialin me insistimin tonë dhe pastaj këta nuk dërgonin kërkesën. E mbani mend sa u shty kërkesa. Nuk e donte Edi Rama se ai nuk donte drejtësi mbi bazën e parimeve të Venecias, por donte drejtësi mbi bazën e parimeve të Xhafës që donte ta bënte Ramën kryegjykatës, kryeprokuror e kryehetues. Si opozitë i bëmë një shërbim të madh vendit me Venecian. Pse tani numërojnë orët në një kohë, kur shkelmuan muaj e muaj të tërë?! E bëri draftin e parë Xhafa, i cili u rrëzua kryekëput në Komisionin e Venecias. Vërejtjet e opozitës gjetën pasqyrimin më të gjërë në rekomandimet e Venecias. Përsëri opozita do të ishte shpëtimtare e një procesi, përsëri opozita do të bëhej garante e ndërtimit të një sistemi të bazuar në parime të shëndosha ndërkombëtare. Përsëri Edi Rama do urdhëronte Xhafën dhe me Xhafën e Xhafajt do hartonte draftin e dytë, duke përjashtuar krejtësisht opozitën. Përsëri opozita, në emër të interesit parësor të qytetarëve shqiptarë për një sistem gjyqësor transparent, efiçent, nuk u tkurr. Ajo studioi draftin, e dërgoi në Venecia dhe Venecia prap e rrëzoi draftin, duke konstatuar dhe tek i dyti shkelje të tmerrshme të rënda të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut si dhe kapjen.
Opozita, në sensin më pozitiv, hartoi një draft për të cilin nuk ka njeri në Shqipëri, as të huaj e as vendas, që të ketë thënë një fjalë të vetme negative. Sepse është hartuar fund e krye mbi bazën e rekomandimeve të Venecias. Edi Rama në vend se të studionte këtë, bëri gjithçka që ta sabotojë dhe e shpërfilli totalisht. Megjithatë opozita prap, në vendosmërinë e saj për të kontribuar, arriti të pranojë shumë gjëra me kushtin e vetëm që të mos lejohej kapja.
Po pse Rama më në fund pranoi për dy institucione, por nuk pranoi vetingun dhe një tjetër? Pse nuk pranon për këto? Se këto nuk duhet të jenë partiake thotë. Pra, këto duhet të jenë monopartiake, si në shtetin e etërve të tij. Dhe atyre, të cilët na thonë ne se nuk duhet të fusin partitë duart, u them kujdes se rrezikoni të shkoni drejt shtetit monist dhe të thoni t’i fusë partia duart, jo partitë, por njëra parti. Kjo është e turpshme. Që këtu faktohet se, Rama s’ka asnjë qëllim tjetër përveç drejtësisë në pëllëmbë të dorës.
Kjo është situata. Shqiptarët duhet ta kenë të qartë se, opozita dha një kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtje të reformës nga “projektet Xhafa”. Dha një kontribut të jashtëzakonshëm me draftin e shkëlqyer që hartoi, me vërejtjet serioze që dërgoi në Komisionin e Venecias dhe ato u morën për bazë në tërësinë e tyre, sepse ishin të drejta. Opozita jep një kontribut të jashtëzakonshëm, sepse opozita është e vendosur ta votojë reformën për t’i hapur rrugë vendit, me kushtin e vetëm që ajo të mos jetë drejtësia në duart e Edi Ramës. Kjo nuk mund të ndodhi. Rama, duke pranuar dy institucionë sipas Venecias dhe jo katër, zbuloi veten më lakuriq se në plazhet publike të Francës. E kanë rusët një fjalë “bukë e kripë bashkë, duhanin ndama”, pra, këtë vetingun e kam unë tani, se kush do jetë e si do jetë atë e përcaktoj unë tani thotë. Kjo është qesharake, ky e zbuloi veten. Nuk them se, opozitën e gëzon ky veprim i Ramës, përkundrazi ne na vjen keq, por në mënyrë absolute Rama vetdamkosi veten e tij. Dje, ishte këtu një vizitor shumë i rëndësishëm, ishte ministri i Jashtëm gjerman, diplomati kryesor i Europës, një njëri me reputacion shumë të madh në vendin e tij, ai është një njeri me një mendje brilante gjermane dhe zemër mesdhetare, të ngrohtë. Duhet të jesh si Rama që të mos i bëje mikut, me rastin e ardhjes së tij, dhe ti thoje që do e votosh reformën. Ai si çështje kryesore reformën kishte dhe ai u shpreh shumë qartë, por ky njëri (Rama) nuk ka gjë mbi tokë përveç interesit të tij. Mënyra më civile e tij do të ishte t’i thoshte këtë, edhe Basha ja tha ministrit që ne e firmosëm dhe kemi vetëm një çështje për të zgjidhur, pasi përndryshe është si të votosh drejtësinë në duart e kryeministrit.
Në mënyrë absolute qëndrimi ynë është parimor dhe nuk ka të bëjë me personin. Se e personit zgjidhet. Nuk ka të bëj me Edi Ramën, por ka të bëj me antimonizmin tonë. Edhe për Lulzim Bashën nuk do isha kurrë dakort që nesër ai kryeministër të kishte këtë autoritet për të bërë vetingun sipas tij. Në asnjë mënyrë. Vetingu është një proces me një përgjegjësi shumë të madhe. Dhe ne duhet t’u themi një gjë shqiptarëve; nëse Kushtetuta ka patur ndonjë gabim serioz ka qenë gabimi që i gjithë sistemi varej në një qeveri, gjyqësori, unë nuk jam për mos përthyerjen e kësaj. Përthyerja jep një lloj garancie më të madhe të mbajtjes dhe të zbatimit të ligjit. Por të pretendosh të ruash për partinë tënde vetingun, kjo do të thotë që do kapjen më të pamëshirë. 2/3 janë çimentim i kësaj, sepse ato kanë si valvul sigurie kapjen mbrapa, po nuk funksionoi 2/3 me komision i merr të gjitha.
Ndaj dhe i them dhe një herë, pavarësisht se dje ke folur për vijë të kuqe, mos e pengo vendin, mos mendo se mund ta shesësh këtë reformë. Nuk e shet dot. Ne jemi në kontakte të vazhdueshme. Pavarësisht se askush nuk ka tendencën të jetë kundër qeverisë dhe pro opozitës, por opozita nuk mund të trajtohet si lokus minoris rezistence, kjo është e pamorlashme. Ky është një veprim i papranueshëm. Rama ka kohë prapë, ne nuk jemi të ultimatumit dhe vijave të kuqe, ne i themi ulu, po gjetë një mënyre më transparente se kjo, urdhëro parashtroje. Po kurrën e kurrës mos mendo që opozita do vijë të japë vota që ti ta fusësh në grusht drejtësinë shqiptare. Venecia thotë se 2/3 e çimentojnë kapjen, 2/3 e kapin ndërsa 2/3 e çimentojnë kapjen, sepse e kthejnë për zhbllokim tek një komision, i cili bën pastaj gjithçka çfarë do.
Sot, gjyqi farsë ndaj vëllait të kryetarit të PD, Bulqizë!
Durim Balla, vëllai i kryetarit të PD të Bulqizës do të përballet sot në një proces gjyqësor të montuar politikisht. Balla është paditur nga ish-shefi i Komisariatit të Bulqizës, Niko Nikolla nën akuzën e pengimit të mjeteve publike. Seanca gjyqësore do të zhvillohet në Gjykatën e Bulqizës pas montimit të akuzave politike në zyrën e ish-shefit të komisariatit. Ngjarja për të cilën akuzohet Durim Balla ka ndodhur më 21 qershor të vitit të kaluar, ditën e zgjedhjeve për kreun e Bashkisë së Bulqizës. Pas përfundimit të zgjedhjeve persona të armatosur grabitën kutinë e votimit të QV 1067 në shkollën fillore të fshatit Gjuras për të manipuluar votat. Mediat shkruan në atë kohë se, i njëjti grup banditesk, para se të grabisnin kutinë e fshatit Gjuras kishin rrëmbyer dhe kuti të tjera të dy fshatrave, Stushe dhe Zogjaj, të mbështetur edhe nga Policia e Shtetit me në krye shefin e komisariatit në atë kohë, Nikolla.
Vëllai i kandidatit demokrat, Durim Balla është përballur në rrugën njëkalimëshe me një automjet, prej nga ku më pas kanë zbritur dy persona të armatosur dhe që e kanë kërcënuar me jetë në rast se nuk i hapte rrugën. Personat në fjalë ishin Altin Xhafa dhe Shpëtim Xhafa. Më pas me ta është bashkuar edhe një automjet tjetër, i cili fshihte persona të maskuar dhe që nuk ngurruan të nxirrnin armët dhe t’ia drejtonin atij, kjo në sytë edhe të efektivit e policisë që qëndronte përkrah këtyre kriminelëve. Vëllai i kandidatit për kryetar bashkie, Balla ka zbritur me qetësi nga makina, ndërkohë që dy banditët vijonin me presionet për të hapur rrugën e bashkë me ta edhe punonjësi i policisë, i cili është edhe i afërm i kandidatit të LSI, duke qenë kështu në kundërshti të plotë me ligjin. Në pjesën e pasme të fuoristradës qëndronin të strukur dy komisionerët dhe kutitë e votimit. Ai i ka bërë thirrje komisionerëve që të zbresin nga makina dhe po ashtu edhe punonjësit e policisë i bënë thirrje forcave blu për të ardhur në ndihmë të situatës, por u kundërshtua deri në përdorimin e armëve, të cilët janë drejtuar në pozicion zjarri. Në këtë moment shfaqet edhe një automjet tjetër nga ku zbresin disa persona të armatosur e të maskuar që kanë kërcënuar me jetë në rast se nuk hapte rrugën.
Makina që kishte kutinë me votat ishte në pronësi të bandave dhe jo e kontraktuar nga Komisionin Zonal i Zgjedhjeve. Ndërkohë, vëllai i kandidatit të PD është ndjekur me makinë nga disa persona me maska. “Dy automjetet u nisën për në rrugën nacionale pas të cilave vëllai i kandidatit është vënë në ndjekje e sapo ka hyrë në rrugën nacionale ka parakaluar automjetin e dytë që erdhi në ndihmë të banditëve të LSI, që kishin grabitur kutinë dhe ka qëndruar në një distancë duke i shoqëruar për të parë veprimet e tyre. Pasi u zhduk automjeti me personat e paidentifikuar shfaqet automjeti ku qëndronte shefi i Policisë Bulqizë, Niko Nikolla. Më pas në mbështetje të tyre erdhën edhe makinat e bandave të LSI-së, të cilat i shoqëruan deri në hyrje të qytetit ku aty prisnin qytetarët e Bulqizës, të cilët ishin informuar për aktet kriminale që po ndodhnin”, bëri të ditur atëherë Dega e PD Bulqizë nëpërmjet një deklarate për mediat.
Shefi i komisariatit të policisë në vend që të ndalonte banditët që kishin rrëmbyer kutitë e votimit urdhëron punonjësit e policisë që të ushtrojnë terror ndaj vëllait të kandidatit të PD për kryetar bashkie. Jo vetëm kaq, por kreu i komisariatit të policisë padit në Prokurori vëllain e kandidatit dhe kryetarit të PD të Bulqizës për “pengim të mjeteve publike”.
Durim Balla sot do të përballet në një proces gjyqësor të montuar me dëshmi të rreme nga punonjësit e komisariatit të Bulqizës nën presionin e ish-shefit të komisariatit Niko Nikolla.
Policia, pjesë e vjedhjes së kutive të votimit
Bashkautore e vjedhjes së kutive të votimit u bë edhe Policia e Shtetit, të cilës i është kërkuar kontroll fizik i automjetit dhe autorëve ku qëndronin personat e paautorizuar për transportin e kutive, Altin dhe Shpëtim Xhafa. Por ndodhi e kundërta e asaj që duhej të bënte policia. Policia mbrojti dhe fshehu armët e autorëve të krimit duke e kaluar më pas fajin tek mbështetësit e PD. Makina u rrethua nga policia dhe nuk u lejua në asnjë moment që persona të tjerë t’i afroheshin e ndërsa policisë i kërkohej që të bëhej kontrolli në flagrancë thyhet xhami i automjetit nga vetë personat që qëndronin brenda dhe largojnë armët me ndihmën e policisë, e cila e kishte nën kontroll automjetin. Fakti që ky veprim është bërë në një nga xhamat ku qëndronin vetëm policë dhe nuk kishte persona që ta shihnin, por edhe nga errësira bëri që armët të fshiheshin pa u parë nga personat që kishin bllokuar rrugën. Ky është edhe akti për të cilin akuzohen anëtarët e Partisë Demokratike dhe veçanërisht vëllai i kandidatit, por që siç u dëshmua edhe më sipër automjeti ishte në kontroll të policisë dhe nëse do të ishte kryer ky akt atëherë policia do ta kishte shoqëruar në polici. Nga mbështetësit e djathtë nuk ka patur dhunë, por vetëm kanë kërkuar transparencë për të zbardhur ngjarjen siç e parashikon ligji.
Nikolla u pezullua nga detyra si shef komisariati për ngacmim seksual
Niko Nikolla ka qenë i komanduar si shef komisariati në Bulqizë vetëm për të grabitur votat në zgjedhjet lokale. Gjatë fushatës së zgjedhjeve të 21 qershorit të vitit të kaluar ka ushtruar terror dhe dhunë ndaj zgjedhësve. 12 ditë para votimit Nikolla u pezullua nga detyra për ngacmim seksual. Ishte një femër që e paditi për ngacmim seksual dhe vetë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri e pezulloi nga detyra si shef komisariati në Bulqizë dhe e transferoi shef komisariati në Laç.
Tre javët e fundit të fushatës së zgjedhjeve e dërgoi sërish shef komisariati të komanduar në Bulqizë vetëm për të grabitur votat në bashkëpunim me bandat e kromit. Ndërsa para një muaji është transferuar në Tropojë shef komisariati. Gjatë fushatës zgjedhore Nikolla jo vetëm që ka ushtruar terror ndaj zgjedhësve, por ka lejuar edhe bandat e armatosura që të kërcënojnë me armë zgjedhësit për të votuar kandidatin e majtë për kryetar bashkie.
Gjatë fushatës zgjedhore, Altin dhe Shpëtim Xhafa janë përfshirë në një konflikt me mbështetësit e Partisë Demokratike në grupseksionin Shupenzë dhe nga dy personat janë nxjerrë armët duke bërë presione. Kjo ngjarje ndodhi për faktin se mbështetësit e PD së Bulqizës kishin bllokuar një kamion me miell që do të shërbente për të blerë votën, për të cilën Policia e Shtetit nuk ka reaguar dhe nuk ka marrë asnjë masë ndaj këtij akti.
Pas fitimit të bashkisë me vota të grabitura të gjithë banditët që grabitën kutitë e votimit dhe i mbushën me vota në favor të kandidatit të majtë, janë emëruar në poste të rëndësishme në Bashkinë e Bulqizës si shpërblim për terrorin në zgjedhje dhe grabitjen e votave. Altin dhe Shpëtim Xhafa sot ndodhen në funksione të rëndësishme në Bashkinë e Bulqizës.
E padëgjuar, Rama anulon seancën e së enjtes në Parlament
Kryeministri Edi Rama ka mbërritur paraditen e sotme, 15 qershor 2015, në Kryesinë e Kuvendit ku po zhvillon takimin e përjavshëm me aleatin e tij në qeveri Ilir Meta.
Takimi mes tyre vjen një ditë pas miratimit në Komision të draftit për Reformën në Drejtësi.
Takimi zgjati gati 40 minuta.
Sakaq burime për Ora News bëjnë me dije se nesër nuk do të zhvillohet seanca plenare, ku në rend dite ishte votimi i dy projektligjeve.
Shkak është bërë mungesa e një pjese të konsiderueshme të deputetëve, të cilët kanë fluturuar drejt Francës për të mbështetur kombëtaren tonë në sfidën që luhet sonte në orën 21:00.
Kur shteti vepron me “kodin” e mafies
Në një operacion të mirë koordinuar mediatik, qeveria ka “rrjedhur” në publik lajmin se policia ka filluar verifikimet për pasurinë dhe veprimet financiare të gjyqtarit Arjan Aliaj, i cili, para disa ditësh, pezulloi nga detyra me kërkesë të Prokurorisë, drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako.
Ligjërisht policia nuk mund të fillojë asnjë hetim pa miratimin dhe drejtimin e Prokurorisë. Ajo thjesht mund të bëjë verifikime-të mbledhë dokumenta, të bëjë fotografi apo veprime të tjera të ngjashme-dhe pastaj këto verifikime t’ia paraqesë Prokurorisë, sikurse çdo qytetar i thjeshtë. Prokuroria vendos pastaj nëse ka mjaftueshëm tregues për të hapur hetim penal.
Policia vetë nuk mund të hetojë formalisht, as të formulojë akuza, as të verifikojë në emër të ndonjë akuze. Por në informacionin e rrjedhur në media, “rrjedhësit” nuk kanë harruar të theksojnë pohimin e pavërtetë se verifikimet po bëhen nën akuzat e “fshehjes së të ardhurave”, “mosdeklarimit të pasurisë”, “evazionit fiskal”, “pastrimit të parave” dhe “korrupsionit”.
Sikurse, për të justifikuar këtë veprim, policia justifikohet se, pas përmendjes së emrit të gjyqtarit Aliaj në media këto ditë, “qytetarë” të ndryshëm kanë bërë denoncime në polici.
Për të gjykuar veprimet e policisë, në këtë rast, nuk ka rëndësi nëse gjyqtari Aliaj është apo jo i korruptuar. (Në të vërtetë, nga pohime të ndryshme, përfshi edhe ato të qeveritarëve, është e arsyeshme të mendohet se ai është i korruptuar.)
Ajo që ka rëndësi është motivimi dhe mënyra se si policia u mobilizua për të bërë verifikime ndaj tij dhe pse tani? Pra, verifikimet e policisë filluan si një proces normal apo me një urdhër arbitrar, qoftë politik apo personal?
Policia në informacionin që ka rrjedhur është justifikuar me fillimin e hetimit mbi bazën e denoncimeve të qytetarëve, pretendim që është vështirë të besohet.
Sikurse është e arsyeshme të besohet se, gjyqtari Aliaj është i korruptuar, është e arsyeshme të besohet se, policia i ka nisur verifikimet dhe është kujdesur ta bëjë këtë gjë publike për dy arsye të tjera:
Së pari, për hakmarrje personale të ministrit Tahiri, Kryeministrit Rama apo vetë drejtorit Çako ndaj dikujt që ka sfiduar autoritetin e tyre dhe që është “përzierë” atje ku nuk i takon. Deklaratat e mëparshme kërcënuese-në shkelje të çdo norme etike dhe në kapërcim të përgjegjësive institucionale-të ministrit Tahiri dhe Kryeministrit Rama ndaj gjyqtarit Aliaj, të bëjnë të mendosh se, nisja e verifikimeve nga policia është hapi tjetër i sulmit të tyre hakmarrës ndaj gjyqtarit.
Së dyti, për të kërcënuar gjyqtarët dhe prokurorët e tjerë që do të merren me këtë çështje në të ardhmen. Nesër, Gjykata e Apelit do të shqyrtojë vendimin e pezullimit të drejtorit Çako. Ndërsa, nëse hetimi do të vazhdojë më tej, çështja do të gjykohet nga prokurorë e gjyqtarë të tjerë.
Duket se ndaj tyre është lëshuar një paralajmërim i qartë: “guxoni t’i shkoni deri në fund kësaj çështjeje dhe ajo që ju pret janë sulmet e pafre publike dhe përndjekja nga policia dhe të gjitha strukturat e shtetit”.
Metoda përzgjedhëse e nisjes së verifikimeve të policisë meriton të hetohet dhe do të hetohej në çdo vend demokratik: pse policia nisi verifikimin e pasurive të gjyqtarit Aliaj, ndërkohë që nuk ka verifikuar dhe paditur asnjëherë në prokurori me qindra raste të tjera gjyqtarësh dhe shtetarësh të tjerë, të përfshirë apo përfolur publikisht për skandale?
Për shembull, pse policia nuk filloi asnjëherë verifikimin e pasurive dhe veprimeve në biznes të Kryebashkiakut Elvis Rroshi apo të Kryebashkiakut Bushi edhe pse ata janë akuzuar haptazi për aktivitet kriminal në të shkuarën e tyre?
Për shembull, pse policia nuk filloi verifikimin e pasurive të të ashtuquajturit “Escobari i Ballkanit”, Kelmend Balili, i cili para syve të policisë, të tatimeve, Drejtorisë së Pastrimit të Parave e të gjithë shtetit kishte ndërtuar një perandori luksoze në mes të vendit me para droge? Madje, pse policia nuk e arrestoi Kelmend Balilin edhe pse u njoftua verbalisht që Greqia kishte lëshuar urdhër arresti, por në këtë rast zgjodhi të vepronte si institucion i “shtetit të së drejtës” e të mos e arrestonte Balilin pa marrë kërkesën me shkrim e me vulë nga pala greke?
Sjellja e policisë në rastin e gjyqtarit Aliaj është sjellje që duket se përputhet më shumë me kodin mafioz se me shtetin e së drejtës.
Nëse do përdornim epitetin metaforik që përdori Kryeministri Rama për gjyqtarin Aliaj, tani është policia që po sillet si “killer profesionist” mafioz-mafia ka zakon të kryejë ekzekutime demonstrative në publik të atyre që e kanë sfiduar për t’ju treguar të gjithëve se, çfarë i pret ata që mund të bëjnë të njëjtën gjë.
“Exit.al”
Vodhën 350 milionët e landfildit të mbeturinave, në pranga 5 zyrtarë
Hetimet e Prokurorisë kanë çuar në pranga 5 zyrtarë të ish-Komunës Gjegjan në Elbasan për vjedhjen e 350 milionë lekëve të landfildit të mbeturinave. Me kërkesë të Prokurorisë së Elbasanit, Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për 5 zyrtarë të Njësisë Administrative Gjegjan, të dyshuar për “Shpërdorim detyre”, “Falsifikim dokumentesh” dhe “Korrupsion pasiv”, për një dëm ndaj shtetit në shumën rreth 35 milionë lekë të reja. Gjithashtu, për 5 zyrtarë të tjerë, është vendosur masa e sigurimit “Detyrim për paraqitje”.
Zyrtarët e ish-komunës Gjegjan, aktualisht Njësi Administrative, përfshirë edhe titullaren e njësisë, kanë kryer veprime fiktive në të paktën dy procedura prokurimi, duke përvetësuar thuajse tërësisht shumën e parave të caktuara për ndërtimin e një landfildi mbeturinash në zonë, si edhe të pyllëzimit të një sipërfaqe 50 hektarë me pemë shegë.
Prokuroria e Elbasanit ka nisur kryesisht hetimin, në bazë të të cilit ka rezultuar për dy episode: Nga ish-Komuna Gjegjan është prokuruar fondi 1.250.000 lekë për ndërtimin e landifildit të mbeturinave në këtë zonë, në vitin 2014. Ky punim duhej të mbyllej brenda vitit. Aktualisht, nga veprimet hetimore të Prokurorisë, rezulton se landifildi jo vetëm që nuk është ndërtuar, por e gjithë zona është e rrethuar dhe përdoret nga një subjekt privat. Ndërkohë, në dokumentet e ish-Komunës Gjegjan dhe aktualisht Njësia Administrative Gjegjan, rezulton që landfildi është përfunduar dhe vënë në punë. Për këtë prokurim fiktiv është bërë edhe pagesa, pavarësisht se puna nuk është kryer.
Po në vitin 2014, ish-Komuna Gjegjan ka realizuar prokurimin publik për pyllëzimin të 50 hektarë tokë bujqësore me pemën shegë, me vlerë 32.5 milionë lekë të reja. Sipas parashikimit, pemët këtë vit duhej të nisnin të jepnin prodhimet e para. Ndërkohë, nga këqyrja në terren, rezulton se në hapësirën bujqësore të prokuruar, nuk rezulton thuajse asnjë pemë shegë. Po për këtë prokurim, shuma e parashikuar rezulton e paguar e gjitha.
Në këto kushte, nga ana e Prokurorisë së Elbasanit u kryen hetimet përkatëse, në vijim të të cilave, kërkoi caktimin e masave të sigurisë, masë sigurimi “Arrest në burg” për shtetasit Lumturi Hoxha, Administratore e Njësisë Gjegjan (ish-kryetare e Komunës Gjegjan), shpallur në kërkim, Ylli Ago, punonjës i Njësisë Administrative Gjegjan, arrestuar, Bardhyl Sharra, punonjës i Njësisë Administrative Gjegjan, shpallur në kërkim, Fatmir Lamçja, punonjës i Njësisë Administrative Gjegjan, arrestuar dhe Rexhep Hoxha, punonjës i Njësisë Administrative Gjegjan, arrestuar.
Si dhe masë sigurimi “Detyrim për paraqitje” për shtetasit Sofije Topuzi, Bashkim Sali, Ardian Lloshi, Tefik Venari dhe Agim Ago.
Dosja e DEA-s, Elvis Rroshi pjesë e hetimit ndërkontinental për trafik droge
Kreu i Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi në hetim nga DEA amerikane për trafik droge dhe pastrim të parave. “ABC News” ka mësuar se në materialet e ardhura nga zyra kombëtare e EUROPOL-it për shtetasin Elvis Rroshi, njoftohet edhe për një hetim ndërkontinental të trafikut të drogës. Sipas këtyre të dhënave, thuhet se në vitin 2015, administrata për luftën kundër drogës e njohur si DEA ka njoftuar autoritetet zvicerane për nisjen e një hetimi të zgjeruar për një rrjet të fuqishëm të trafikut të drogës dhe pastrim të parave. Autoritetet zvicerane i konfirmojnë palës shqiptare se DEA amerikane ka kërkuar informacion për një grup personash, në mesin e tyre edhe për shtetasin Enver Rroshi, emër ky i përdorur nga kreu i Bashkisë së Kavajës në Zvicër. Për këtë rast, thonë burimet zyrtare të Prokurorisë shqiptare, autoritet zvicerane dhe DEA amerikane po vazhdojnë hetimet dhe për këtë fakt janë treguar shumë të rezervuara në dhënien e detajeve. Sipas shkresës së ardhur nga zyra kombëtare e EUROPOL-it, autoritetet zvicerane kanë premtuar se nëse do të kenë më shumë informacione për vazhdimin e këtij hetimi do të njoftohet pala shqiptare. Nga ana tjetër, mësohet se Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar informacion edhe nga autoritetet e drejtësisë gjermane, pasi dyshohet se Elvis Rroshi ka kryer aktivitet të paligjshëm edhe në këtë shtet. Pasi edhe në formularin e deklarimit ai jep të dhëna të paqarta për rastin e përplasjes së tij me policine gjermane. Por, autoritetet gjermane, në përgjigjen e tyre, theksojnë faktin se sipas legjislacionit gjerman nuk lejohet transmetimi i të dhënave personale pa u informuar më parë mbi faktet ekzakte të këtij hetimi në Shqipëri. Ata thonë, se nëse flitet për drogë, duhet të jepen detaje të origjinës së mallit, rrugën që ka ndjekur etj. Nëse flitet për raste të konfiskimit të drogës, gjermanët kërkojnë të dhëna si sasinë e konfiskimit, datën apo vendin, si dhe mbi rrethanat e plota të rastit ose lidhjet e mundshme me Gjermaninë për të hyrë në arkivën e tyre që të nxjerrin të dhëna. Elvis Rroshi, kreu i Bashkisë së Kavajës është arrestuar për falsifikim, pasi nuk ka pasqyruar në formularin e dekriminalizimit 5 emrat që ka përdorur në vende të ndryshme, si dhe kontrollet, arrestimet, dënimet dhe dëbimet nga shteti italian e zviceran.
Sipas provave të sjella nga EUROPOL-i, kreu i Bashkisë së Kavajës njihet me 5 emra, si Elvis Rroshi, Ervin dhe Enver Rroshi, Bashkim Hallulli dhe me emrin Enver Proshi. Të pesë këto emra, kreu i Bashkisë i ka përdorur në vende të ndryshme të Evropës, emra për të cilët edhe është proceduar penalisht. Sipas vendimit, e kaluara e tij kriminale ka nisur në prill të vitit 1993, kur Roshi ka hyrë ilegal në Zvicër, duke kërkuar azil. Vetëm pak ditë më pas, konkretisht më 14 maj 1993 është arrestuar nga autoritetet zviceriane me drogë. 4 muaj pas arrestimit, më 24 shtator të 1993, Roshi rezulton se është dëbuar me vendim të Gjykatës zviceriane, duke mos e dënuar për drogën, pasi dyshohet se mund ta kishte për konsum. Për të vazhduar më pas në vitin 1995 është arrestuar në Itali, për përdhunim në grup në një kamp emigrantësh të paligjshëm. Ditën e arrestimit ndaj tij është dhënë vendim dëbimi për t’u larguar nga Italia. Në korrik të vitit 1997 me gjeneralitete të ndryshuar, Roshi ka hyrë përsëri në mënyrë të paligjshme në Zvicër, duke kërkuar azil. Por një muaj më pas është arrestuar dhe është dëbuar përsëri nga shteti zvicerian. Po në vitin 1997, rezulton se është ndaluar nga policia italiane në Milano dhe është pyetur për akuzën e përdhunimit, ku Rroshi rezulton se ka bërë deklaratë të rreme, pasi kishte ndryshuar edhe gjeneralitetet. Po për të njëjtin fakt, Roshi është kontrolluar edhe në vitin 2000 për akuzën e vitit 1993 dhe më pas është lënë i lirë. Sipas Prokurorisë, të gjitha këto të dhëna, si emrat e përdorura, arrestimet, dëbimet dhe dënimet Elvis Rroshi nuk i ka pasqyruar në formularin e deklarimit, për të cilën do të mbajë edhe përgjegjësi penale.
Paralajmërimi i Berishës për Ramën
Çipa kërcënoi Prokurorin me jetën e fëmijëve
Sali BERISHA
Çështja që më ka sjellë këtu, është do të thoja skandali më i madh i 25 viteve të fundit, zhvillimet rreth këtij skandali, pra skandali i përgjimeve. Nuk ka ndodhur kurrë në 25 vite që një kryeministër dhe një ministër i Brendshëm t’a shndërrojnë Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në qendër përgjimi të kundërshtarëve të qeverisë, të Presidentit të Republikës, të diplomatëve të huaj, të artistëve, gazetarëve e publicistëve. Mendoj se ky është një krim i shëmtuar. Kemi të bëjmë me një shkelje të Kushtetutës dhe të të gjitha ligjeve të privatësisë të zyrtarëve, por dhe të qytetarëve shqiptarë, pasi janë me qindra qytetarë që janë regjistruar vetëm e vetëm për urrejtje personale të Ramës apo Saje qorrit. Po kaq kriminal është folloë up-i i kësaj çështje. Rama për të shpëtuar përgjegjësinë e tij nuk e ka për gjë, të përdorë Italinë mike dhe marrëdhëniet me Italinë si mburojë për veten e tij dhe ky përbën një akt shumë të rëndë, të dënueshëm dhe i them Edi Ramës se kurrë nuk do të shpëtosh nga ky skandal. Gabimi yt fatal është të përdorësh Italinë si mburojë. Sepse ky regjistrim është absolutisht vepër e jotja, e urdhëruar dhe e organizuar nga ti me mercenarët e t’u në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Nëqoftëse ka një aferë minimale korruptive midis zyrtarëve të vegjël, kjo është për t’u hetuar nga autoritetet italiane dhe ato shqiptare, por kjo nuk ka asnjë lidhje me një qëllim apo veprim të autoriteteve zyrtare italiane. Është vepër e shëmtuar e kreut të qeverisë shqiptare, një maniak i vërtetë i përgjimeve, që merrte tjetrin (Av Ngjelën) pas 18 viteve burg dhe e shndërronte burrin në çimkë në mënyrën më të shpërfytyruar vetëm e vetëm për të dëgjuar se çfarë do t’i thoja unë në një mbledhje atij. Imagjinoni se ku i shkon mendja e sëmurë e këtij njeriu për përgjimet, sa i pa përmbajtur është te përgjimet ky.
Së dyti, sulmi prej banditi shtetëror i Saje qorrit ndaj gjykatësit Aliaj është një akt tjetër kriminal, për të cilin ai duhet të bëhet përgjegjës deri më një. Njoftimet e djeshme se, Rama ka urdhëruar policinë të shqyrtojë vendimet gjyqësore të gjykatësit, në një kohë kur Kushtetuta ka përcaktime të qarta se kush duhet të shqyrtojë vendimet gjyqësore të gjykatësve, përbën aktin më të shëmtuar dhe më policesk të kësaj bande në qeveri që nuk njeh ligj e as Kushtetutë.
I bëj thirrje Prokurorit të Përgjithshëm, i bëj thirrje Prokurorisë së Tiranës që të nisin menjëherë hetimet ndaj këtyre mercenarëve që shkelin Kushtetutën, ligjet, që pushtetërohen me pushtetin e institucioneve të tjera, duke kryer kështu një grusht shteti brenda shtetit për hakmarrje personale. Të nisin menjëherë hetimin kundër Ardian Cipës, këtij mercenari të pafytyrë që thërret në zyrë dhe kërcënon njësoj si Shullazi prokurorë të këtij vendi. Ardian Çipa është polic i lidhur kokë e këmbë me trafiqet dhe krimin. Eshtë njeriu që largoi nga Tirana Genti Xhixhon me makinën e tij në aeroport, është njeriu që bën pushime në Kubë me paratë e Genti Xhixhos. Është njeriu, që njëlloj si Shullazi që kapi rektorin në mes të sheshit, thërret në zyrë zyrtarë të drejtësisë dhe iu tregon familjet dhe fëmijët. Ndaj këtij mercenari duhet të veprojë me urgjencë ligji. Situata është alarmante.
I bëj thirrje Presidentit të ndjekë me angazhimin më maksimal deri në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Sigurisë para kësaj situate, ku banditë me dhe pa uniformë në qeveri duan të marrin pushtetet e institucioneve kushtetuese. Një situatë e tillë nuk ka ekzistuar kurrë në Shqipëri dhe të gjitha këto bëhen se Rama ka përgjuar Presidentin, kreun e opozitës, kreun e Parlamentit, deputetë të opozitës e të vetë, gazetarë, analistë, artistë dhe qytetarë. Nuk mundet që ky manjak psikotik pas regjistrimeve të shpëtojë kësaj radhe nga akti anti-kushtetues që ka kryer.
Bashkim Tahiri plantacione droge në bregun e Vjosës
Së treti, Shqipërinë po e mbulon krimi. Unë çdo ditë kam dhënë të dhëna mbi arat e pafundme të kanabisit që shtrihen tashmë në të gjitha skajet e vendit, nga thellësitë e Alpeve, ku ka vetëm stane barinjsh dhe banditë që shkojnë e mbjellin kanabis, gjer në skajin më jugor të vendit. Shqipëria sot ka kanabis të mbjellë më shumë se ç’është mbjellë në 25 vite të marra së bashku. E tëra është absolutisht nën patronazhin e policisë së krimit. Bëra denoncimin e plantacionit në Berat, ishin 11 mijë rrënjë, shkuan dhe shkulën 4 mijë sa për të na hedhur hi syve, të tjerat janë aty, dhe shkarkuan 2 oficerë policie se kujtuan se më informuan ata. Por mua më informuan banorët dhe është gabim ajo që bënë, por i shkarkuan. Por plantacionet nuk i prekën, sepse ajo është e tëra e Saje qorrit dhe ka drejtorin garant aty. Këtu kam plantacionet e bregut të Vjosës, ku qarkullon një emër aty, Bashkim Tahiri, i ati i Saje qorrit. Nuk preken ato. Shkoni në Peshkopi, toka jepet me 2-3 mijë euro hektari për t’u mbjellë kanabis. Shkoni në Shkodër, Mat, Mirditë. Është mbushur Shqipëria. Kanabis më shumë se 25 vite të marra së bashku. Thirrja ime vendeve anëtare të BE, Europolit dhe Interpolit; të shpallin emergjencë çështjen e kanabisit në Shqipëri, pasi do të mbysi Europën në sasi kolosale të paimagjinueshme.
-Zoti Berisha, nga formulat e propozuara për përfaqësim proporcional, cilat sipas jush përveç vendeve të rezervuara mund të jetë për negociim mes palëve?
Nëse Kryeministri nuk pranon, por kërkon ta mbajë vetë vetingun atëherë ai e ka bllokuar reformën. Nuk ka njeri të ndershëm në këtë tokë që do të pranonte t’i jepte Ramës vetingun vetëm pa fragmentim.
– Mendoni se do të ketë rrjedhje votash nga PD?
Besoj se nuk do të ketë asnjë rrjedhje vote, unë kam shumë besim te demokratët. Dënoj me neverinë më të madhe përpjekjet e ulëta të Ramës si përpjekje primitive, të turpshme dhe destabilizuese për vendin. I them Ramës mos i impono opozitës të marrë vendime të tjera, të cilat do të kenë çmim të lartë.
– Djegie mandatesh?
Opozita do të marrë vendimet e saj. Do të marrë vendime të fuqishme. Opozita po thotë hajde ta votojmë, por ta votojmë sipas Venecias. Ky nuk do të Venecian, ky do Xhafën.
– Ambasadorët kanë quajtur opozitën jo fleksibël, kujtoj këtu reagimin e ambasadës amerikane…
Mendoj se opozita ka treguar fleksibilitetin më të madh, shumë më të madh se qeveria. Opozita në asnjë rast dhe merrni draftin e saj, nuk ka treguar as përpjekjen më të vogël për kapjen, përkundrazi ka dhënë kontribute reale për antikapjen.
– Po pse ambasadorët mendojnë që opozita nuk po tregohet fleksibël dhe cilat janë marrëdhëniet me ambasadorët?
Nëse opozitës i kërkohet të votojë sepse qeveria nuk pranon, kjo nuk është punë e opozitës. Asnjë nga ambasadorët dhe askërkush nuk mund të ketë kundërshtira për vendet e rezervuara. Vendet e rezervuara i kundërshton një njeri në Shqipëri dhe ky është Edi Rama.
– Ministri i Jashtëm gjerman, ambasadorët e SHBA dhe BE u shprehën pro draftit që kaloi e u miratua nen për nen pa opozitën në komisionin e posaçëm. A është gati opozita të përballet me komunitetin ndërkombëtar?
E vërteta është që ministri i Jashtëm gjerman u shpreh qartësisht për rolin e opozitës.
– …u shpreh qartë dhe për draftin zyrtar…
Po ne një nen kemi kundërshtuar. Ne i kemi miratuar, ne i kemi kapërcyer vështirësitë, ne kemi bërë lëshime, por ne nuk pranojmë kapjen. Për fat të mirë kryetari i opozitës pati mundësi t’ja shpjegojë qartësisht dhe jam i sigurtë që ministri me atë prononcim të ekuilibruar që pati, qeveria duhet të bëjë të vetën tha. Opozita, në të gjitha takimet që ka është plotësisht e mbështetur në qëndrimet e saj. Nuk ka njeri që mund të konceptojë që unë e pranoj Venecian, 88-tën për dy institucione, por nuk e pranoj për të tjerat. Kjo është si të thuash që këtë unë e pranoj sa për sy e faqe, por në thelb unë s’e pranoj për ta kapur, kjo në thelb është kapje. Opozita s’po thotë gjë, por po thotë që po e voton, natyrisht jo për kapjen. Ambasadorët janë të mirëpritur të bindin Ramën të votojë Venecian.
– Çfarë leverdie kanë ambasadorët të bëjnë Ramën edhe prokuror dhe gjyqtar?
Në radhë të parë kjo që them unë është me dokumente. Këtu kapja është e denoncuar nga Venecia në të gjitha draftet dhe ato nuk janë shkruajtur nga ne, por nga qeveria. Është Venecia që ka denoncuar kapjen. Përsa i përket njohurive juridike Venecia është mbi të gjithë, mbi ambasadorët, por dhe mbi qeveritë. Të mos kemi iluzione për këtë. Ka sot një debat të madh me një vend të BE dhe Komisionin Europian, në mes është Venecia. Venecian në fillim e ka zgjedhur hapësira e OSBE tani e ka marrë Këshilli i Europës si think tank-un më kryesor dhe të vetëm të ekspertizës ligjore. Kështu që ajo që thotë Venecia nuk mund të superohet nga askërkush. Sekretari Kerry në deklaratën e tij iu referua Komisionit të Venecias. Ky komision, kundër Berishës mund të ketë gjykuar kushedi sa herë, por ai s’ka të zëvendësuar. Ai është që duhet të pyetet dhe çfarë thotë ai do të bëhet. Kjo nëse do të ndjekësh rregullat e demokracisë, nëse do pastaj të shkëputesh do të bëhesh si Koreja e Veriut.
– Duket sikur ka një kosto për PD dhe për opozitën mosvotimi në Parlament i Reformës në Drejtësi edhe për procesin e integrimit. Duket se opozita po bllokon sërish provesin e integrimit?
Absolutisht jo, është krejt e kundërta. Nëse Rama thoshte se nuk i votonte ligjet pasi kishte dhënë konsensusin, ne po i themi sille ta votojmë. Po problemi është se mbi një vit rresht është se e gjithë propaganda e mediave të kontrolluara nga Rama mashtronte shqiptarët se opozita nuk donte. Tani këta s’dinë ç’të bëjnë me gënjeshtrat e tyre njëvjeçare. Se kanë thënë një milion e pesëqind mijë herë që opozita nuk i voton. Tani që opozita thotë se do t’i votojë ata vazhdojnë të thonë se opozita nuk do t’i votojë. Ne votojmë që nesër reformën, por nuk votojmë kurrë reformën dhe drejtësinë në dorë të Kryeministrit. Ne nuk jemi dakord që vetingu të jetë njëpartiake.
– 94 vota nuk janë një parti zoti Berisha…
Demokracia ka disa shtylla, por një nga shtyllat më kryesore që kur filloi demokracia moderne është Kushtetuta dhe kushtetutshmëria, për atë që do të respektojë demokracinë, është kushti më themelor. Nëse ti me 94 vota voton dhe mendon se tani të erdhi koha të fshish çdo gjë, por Kushtetuta është kontratë, atë s’e fshin dot edhe 100 vota po të marrësh. Ti nuk je votuar për të rrëzuar Kushtetutën, ti je votuar për një X apo Y problem, prandaj kjo nuk qëndron fare. Ne po luftojmë. Dhe që nga dita e parë deri më sot opozita ka bërë betejën më parimore në historinë e saj, të suksesshme. Nuk e çonte në Venecia, Fatmir Xhafa, nuk firmoste. I bënte presion të jashtëzakonshëm Parlamentit të mos e çonte. Nuk firmoste shkresën. Venecia zbuloi një draft me qëllime nga më të zezat. Ndaj dhe këtu bashkohen që të gjithë tek Venecia. E vërteta është se ambasadorët kanë insistuar të marrin për bazë draftin final të Venecias. Ne e kemi marrë. Ne kemi mjaft vërejtje për projektin, por për një interes më madhor, ne kemi thënë që kapjen nuk mund ta pranojmë. Do Rama që të mos e kapë, si të lirojë ato të dy të thotë nesër edhe për ato dy të tjerat dhe të shkojmë ta votojmë e t’i hapim rrugë Shqipërisë. Ne të mos bëhemi shkak, siç bëri Rama me Fylen. Se që të jem i sinqertë edhe po ta votojmë nuk dihet nëse na e japin atë, por të paktën ne të mos bëhemi shkak.
– A ndiheni më komod me Ilir Metën si ndërmjetës?
Politika është politikë. Unë mendoj se ai luajti një rol të qartë pozitiv dhe unë jam i sigurtë se ai nuk luajti rol pozitiv për PD, por ai luajti rol pozitiv për pozicionin që ka dhe për interesat e partisë së tij. Por roli i tij është qartësisht pozitiv. Ai po përpiqet të përdorë atë pushtet që ka për të votuar reformën.
– Ka një lloj ndjenje me Metën…?
Jo nuk ka. Nuk mund të jetë njeriu fondamentalist si ky që del e thotë vijë të kuqe. Si mund t’i thuash opozitës vijë të kuqe, kur opozita të thotë hajde votojmë. Ky është një varrmihës i konsensusit. Ky mendon se mund ta bëjë atë duke e bazuar në akuza e mashtrime. Opozita ka lidhjet e veta dhe sigurisht që zërin e saj e çon në çdo problem, por opozita do që ta votojë. Por për të sqaruar situatën. Para tre ditësh isha në Berlin. Miqtë e mi më thanë se: – na janë thënë se janë 10 çështje që nuk i pranoni, sot përsëri në telefon një njeri shumë i rëndësishëm më tha të njëjtën gjë. Kjo nuk mund të bëhet. Europa e Perëndimi janë transparent. Ti vërtet mund të gënjesh, po të dalin një nga një dhe të kthehen në bumerang.
– Janë botuar disa pasazhe nga libri i Servet Pëllumbit …?
Njeriu nuk di të mbajë pozicionin e vet. Servet Pëllumbi ka një histori të dhembshme, shumë të dhembshme. Ai nuk do të rrijë i qetë. Është sovjetik këmbë e krye dhe është i sigurt në dosjen e agjentëve të Rusisë në vendet lindore, është sovjetik. Unë e kam dëgjuar dhe më vjen keq që një njeri me vrerin e një sigurimi të vjetër, të përbaltë gjëra në mënyrë shumë të padenjë. Nuk qëndron në pozicionin e tij. Është e vërtetë që me Fatos Nanon kemi ngrënë një darkë në Trieste, por të paktën aty kanë qenë edhe katër vetë të tjerë, Aleksandër Meksi, nga socialistët dikush tjetër dhe i ndjeri Mentor Çoku. Nuk është bërë asnjë bisedë për ndarje pushteti, për faktin e vetëm se unë absolutisht kurrë pazare paraprake nuk kam bërë nga dita e parë deri në ditën e fundit. Asnjëherë. Ka qenë një parim i imi. Kemi ngrënë një darkë. Më Fatos Nanon jam njohur një herë më parë. Kemi qenë në një tryezë të rrumbullakët aty nga nëntori i vitit ’90 na kishte ftuar Spiro Dede si kryeredaktor i “Zërit të Popullit”. Ky ka qenë takimi i parë me Fatos Nanon. Ai kishte një CV shumë interesante për mbrapshtira në shkollë.
Basha: Rekomandimi 88 i Venecias i panegociueshëm dhe i plotë
Kryetari i PD, Basha i kërkoi dje Kryeministrit Rama të pranojë të plotë Rekomandimin 88 të Komisionit të Venecias ndërsa i bëri thirrje të heqë dorë nga provokimet e ulëta, nën pretendimin se është opozita ajo që nuk e do miratimin e reformës. Basha reagoi dje menjëherë pas deklaratës së Ramës, i cili u shfaq në media ndërsa i kërkoi opozitës të tërhiqej nga kërkesa e saj për një reformë sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias.
“Lëri provokimet e ulëta, prano plotësisht dhe jo pjesërisht Rekomandimin 88 të Komisionit të Venecias që t’i japim Shqipërisë një drejtësi të pakapur politikisht. A ka shqiptar ta besojë se ti e don drejtësinë më të pavarur sesa trupa më e përzgjedhur në Europë, ajo e Komisionit të Venecias, nga e cila merr këshilla çdo kryeqytet i Europës për reforma kushtetuese? Ky që pikon krim dhe korrupsion në çdo qelizë dhe pore, sot kërkon të bëjë reformë në drejtësi me plan për kapjen e saj” u shpreh Basha në reagimin e tij ndaj Ramës.
Basha theksoi se i vetmi qëllim i Kryeministrit sot është kapja e drejtësisë.
“Nga konferenca për shtyp e kryeministrit, me thënë të drejtën unë po prisja ndonjë lajm, lajm nuk ka. Është lajm i vjetër. Është politika e stërvjetër e provokimit, provokimit dhe deligjitimimit të opozitës, institucionit themelor të demokracisë që ka patur, ka dhe do të ketë gjithmonë për detyrë, pavarësisht se kush është në opozitë kontrollin e qeverisjes, dhe në rastin konkret ruajtjen e sistemit të reformuar të drejtësisë nga duart e qeverisë. Nga duart që duken dhe ashtu siç ju thashë të hënën e kaluar pas takimit me kryeministrin, nga duart që nuk duken dhe që janë specialiteti i Edi Ramës.
Pyetja është, a e ka ftuar Edi Rama, Armando Prengën të vijë të votojë për kapjen e drejtësisë? A do të vijë me pistoletë, apo pa pistoletë në sallën e Kuvendit? Me gëzhojë në xhep, apo jo? A e ka ftuar Arben Ndokën, që të vijë dhe të kapë drejtësinë, apo nuk e ka më deputet, se ia hoqi Departamenti i Shtetit, duke e përmendur me emër si turp që Edi Rama ka bërë deputet një person të dënuar për prostitucion dhe rrëmbim personi. A e ka ftuar Mark Frrokun të votojë planin e tij për kapjen e drejtësisë? Apo i është nisur për Belgjikë, sepse ka probleme me drejtësinë, për vrasje? Po Kokëdhimën, a e ka ftuar të votojë në këmbë të tij projektin për kapjen e drejtësisë, apo e kapi drejtësia në flagrancë duke shkelur Kushtetutën? Po Artur Bushi? Ervin Rroshi? Dhjetëra person të tjerë… a i ka ftuar? Apo i çoi nga deputetë në kryetarë bashkie?” vijoi kreu i PD.
Basha garantoi se PD nuk do të lejojë në asnjë moment kapjen e drejtësisë ndërsa deklaroi se opozita nuk do të votojë kurrë për një reformë e cila synon kontrollin e sistemit.
“Ky pra, që pikon krim dhe korrupsion në çdo qelizë dhe pore sot kërkon të bëjë reformë në drejtësi me plan për kapjen e saj. Për çfarë e do drejtësinë me kaq ngulm? Pse nuk i mjafton pushteti që ka për disa muaj? Është shumë e thjeshtë. Sepse zullumi që ka bërë për këto 3 vite është shumë i madh. Dhe ai e di vetë. Me një drejtësi të pakapur nga ai, nuk do të flinte asnjë natë i qetë Edi Rama, as në sarajet e tij në Surrel. Asnjë natë nuk do të flinte i qetë, kampioni i korrupsionit të tij, Ilir Beqja, nëse drejtësia do të ishte e pakapur, asnjë orë gjumë nuk do të bënte dot Saimir Tahiri i ngjyer në çdo gjiriz kriminal në vend nëse drejtësia do të ishte e pakapur. Asnjë orë gjumë nuk do të bënte as Beni i çarterave, madje do të mendonte të kapte avionin më të parë, nëse drejtësia do të ishte e pakapur, pagjumësi e thellë do të ishte edhe për Damianin e vjedhjes së shekullit me aferën e CEZ-it dhe shumë ministra, zyrtarë, drejtorë dhe oligarkë të qeverisjes më të inkriminuar në këto 25 vite.
Do humbisnin gjumin njëherë e mirë, sepse hija e zullumeve dhe krimeve që i kanë bërë të rrotullohen në kokën e tyre, do t’i linte pa gjumë. Ndaj e duan me çdo kusht drejtësinë e kapur. Nuk do t’jua japim, kurrsesi. Edi Rama nuk do ta ketë kurrë votën e opozitës për një drejtësi të kapur e të kontrolluar me duar që i duken apo me duar që nuk i duken. Por një drejtësi të pakapur, po e duam dhe e kemi dashur. E deshëm dje, e duam sot e do ta duam përgjithmonë”.
Provokimet, dëshmi e destabilitetit mendor dhe politik të Kryeministrit
Basha i cilësoi dje deklaratat dhe provokimet e Ramës si dëshmi e destabilitetit mendor dhe politik të tij. “Vendi ynë nuk ka nevojë për provokime të ulëta, që tregojnë vetëm destabilitet mendor dhe politik të Kryeministrit dhe qeverisë së tij. Vendi ynë nuk ka nevojë për vija të kuqe, as për politikanë që thithin të bardha.
Vendi ynë ka nevojë për një dritare shprese. Ka nevojë për një dritare shprese për ekonominë që po lëngon, për pasigurinë që është ulur këmbëkryq, për varfërinë që ka kapur mijëra familje për fyti, për një klimë të shëndoshë biznesi, që të hapen e jo të mbyllen bizneset, bashkë me vendet e punës.
Ka nevojë për perspektivën europiane dhe prandaj Partia Demokratike u investua prej fillimit për një drejtësi të pakapur politikisht. Luftuam dhe fituam betejat tona. Për Byronë Kombëtare të Hetimit, ju kujtohet të gjithëve, ju kam thënë shqiptarëve prej fillimit se nuk do të pranoja kurrë një Byro të Hetimit nën Edi Ramën dhe Saimir Tahirin dhe sot nuk e kemi të tillë falë punës tonë, falë këmbënguljes tonë, falë investimit tonë, falë fitores tonë dhe tërheqjes nga ai projekt ogurzi, me sanksionimin e qëndrimit tonë të drejtë nga Komisioni i Venecias. Dhe kështu fituam jo një apo dy, por plot 38 beteja me oligarkinë dhe regjimin e korruptuar dhe kriminal të Edi Ramës që donte ta fuste drejtësinë në xhep.
E vërtetë është, kishim 10 apo 12 çështje të tjera, jo të kapjes politike, por të arkitekturës dhe eficencës së sistemit. Nuk jemi të lumtur që drafti nuk i reflekton këto, por detyrën tonë, detyrën time si kryetar i opozitës për moskapjen politike e kam kryer, edhe pse detyrën time si jurist nuk e ndjej të plotësuar me cilësinë shpesh çaluese të draftit. Por hoqëm dorë, hoqëm dorë nga të gjitha pikat e tjera që nuk kanë të bëjnë me moskapjen politike pikërisht, që Shqipërisë t’i ofrojmë një dritare shprese, e mundësisht rekomandimin pozitiv për negociatat, perspektivën europiane, që është identiteti im politik, që prej ditës së parë në shërbim publik.
Rama kërkon të kontrollojë Vetingun me dorën e tij
Kreu i PD i bëri thirrje Ramës të argumentojë publikisht se përse nuk pranon rekomandimin 88 të Venecias. Duke cituar pikërisht këtë rekomandim, Basha tha se nëse palët në procesin politik nuk pranojnë shumicën e cilësuar të kërkuar për anëtarët jo gjyqtarët të katër institucioneve të reja, ata mund të zgjedhin një sistem proporcional që garanton përfaqësimin e opozitës në organet kolektive ose çdo model tjetër të përshtatshëm që do të siguronte ndikimin e opozitës në procesin e përzgjedhjes.
Basha konfirmoi se Partia Demokratike dhe ai personalisht janë gati në çdo moment t’i japin Shqipërisë një drejtësi të pakapur politikisht. “Mjafton që ti të heqësh pengesën e vetme dhe të pranosh plotësisht dhe jo pjesërisht rekomandimin 88 të Komisionit të Venecias” tha Basha ndër të tjera.
“Por zgjidhja vonon, sepse Edi Rama nuk heq dorë nga projekti i tij i kapjes politike. Do të kontrollojë Vettingun me dorën e tij apo me duart që nuk duken. Dhe sot në gjithë këtë llogore përsëri refuzoi t’i përgjigjej pyetjes time, pyetjes së faktorit ndërkombëtar. Pse nuk pranon rekomandimin 88 të Komisionit të Venecias?
Zgjidhja është aty e plotë dhe e qartë. A mos mendon vallë se Komisioni i Venecias bën duanë e Partisë Demokratike? A ka shqiptar ta besojë se ti e don drejtësinë më të pavarur sesa trupa më e përzgjedhur në Europë, nga e cila merr këshillë çdo kryeqytet i Europës për reforma kushtetuese? Nëse jo, pse nuk e pranon? Vetëm dhe vetëm, sepse shkatërron përfundimisht projektin tënd të kapjes politike. Nuk ka nevojë ta lexosh në anglisht, lexojua shqip shqiptarëve.
“Nëse palët në procesin politik nuk pranojnë shumicën e cilësuar të kërkuar për anëtarët jo gjyqtarët të katër institucioneve të reja, ata mund të zgjedhin një sistem proporcional që garanton përfaqësimin e opozitës në organet kolektive ose çdo model tjetër të përshtatshëm që do të siguronte ndikimin e opozitës në procesin e përzgjedhjes” .
Jo sepse duan Lulzim Bashën, por sepse duan opozitën, opozitën sot dhe nesër, opozitën drejt të cilës po e çon Partinë Socialiste. Sepse është një instrument i domosdoshëm i kontrollit në demokraci.
Vendi ynë nuk ka nevojë për retorikë provokuese, se përndryshe do të kisha kthyer përgjigje për abuzimin e tmerrshëm që bëre me disa nga ngjarjet më të rënda që rëndojnë në ndërgjegjen tënde. Por sot me përgjegjësitë që kam marrë si kryetar i opozitës dhe i alternativës për nesër, të ftoj të reflektosh e të qetësohesh.
Partia Demokratike dhe unë jemi gati në çdo moment t’i japim Shqipërisë një drejtësi të pakapur politikisht. Mjafton që ti të heqësh pengesën e vetme dhe të pranosh plotësisht dhe jo pjesërisht rekomandimin 88 të Komisionit të Venecias”.