30.5 C
Tirana
E hënë, 18 Gusht, 2025

Çfarë e tërbon Ramën tek rekomandimi 88 i Venecias

Nenit 88 i rekomandimeve të Komisionit të Venecias për Reformën në Drejtësi është bërë diskutim i zakonshëm, për shkak të faktit se pakica parlamentare këmbëngul në zgjidhjen e mosdakordësisë me shumicën, duke zbatuar rekomandimin e këtij neni.
Exit shpjegon më poshtë çfarë sugjerohet në këtë rekomandim.

Teksti i Nenit 88 dhe pasojat e tij

Neni 88 i rekomandimeve të Komisionit të Venecias, apo siç njihet ndryshe neni i “vendeve të rezervuara”, ndër të tjera, sugjeron:
“Nëse partitë politike të përfshira në proces nuk bien dakord për shumicën e cilësuar që duhet për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit (KLGJ), Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe Kolegjit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), të cilët do të vijnë nga jashtë sistemit të drejtësisë, ata mund të zgjedhin një sistem proporcional zgjedhjeje, i cili i garanton opozitës përfaqësimin në këto organe kolektive ose çdo lloj modeli tjetër të përshtatshëm, i cili do t’i siguronte opozitës një ndikim të caktuar në procesin e zgjedhjes së tyre”.
Çfarë do të thotë më konkretisht ky propozim?
Së pari, ai thotë që opozita duhet të ketë ndikim në zgjedhjen e këtyre kandidaturave, pra anëtarët nuk duhet të zgjidhen me mekanizma që përjashtojnë çdo ndikim të vërtetë të pakicës.
Së dyti, ai propozon një formulë të caktuar (shpjeguar më poshtë) dhe le të hapur formula të tjera, të cilat duhet të plotësojnë kushtin e parë, më sipër.

Varianti i Vendeve të Rezervuara

Formula që përmendet tekstualisht në rekomandim, i ashtuquajturi mekanizëm i “vendeve të rezervuara”, garanton që pesë vendet e anëtarëve në katër institucionet e reja që krijohen u rezervohen, në mënyrë proporcionale, propozimeve të shumicës dhe pakicës parlamentare-një numër i caktuar i anëtarëve duhet të zgjidhen me votim nga kandidaturat e propozuara nga shumica dhe një numër tjetër anëtarësh nga kandidaturat e propozuara nga pakica. Numrat përcaktohen afërsisht proporcionalisht në bazë të përqindjes së vendeve që shumica dhe pakica kanë, respektivisht, në Kuvend.
Për ta ilustruar këtë mekanizmin, le të marrim rastin e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit (KLGJ).
KLGJ do të përbëhet nga 11 anëtarë, 6 nga të cilët do të jenë gjyqtarë dhe do zgjidhen me votim nga të gjithë gjyqtarët e vendit, kurse pesë të tjerë janë juristë të cilët nuk janë pjesë e sistemit të drejtësisë, pra janë juristë nga jashtë sistemit.
Nëse zbatohet rekomandimi i Nenit 88 të Komisionit të Venecias, zgjedhja e këtyre pesë anëtarëve të KLGJ-së që vinë nga jashtë sistemit duhet të bëhet me procedurën e mëposhtme:
Shumica (PS plus aleatët e saj) dhe pakica parlamentare (PD plus aleatët e saj) përgatit secila një listë të veçantë me kandidaturat që ato propozojnë për anëtarë të KLGJ-së.
Lista e propozimeve të shumicës i nënshtrohet, veçmas, votimit për të zgjedhur prej saj tre anëtarë të KLGJ-së, me shumicën e tre të pestave të Kuvendit. Kurse me votim të veçantë të listës së propozuar nga pakica zgjidhen, me tre të pestat e Kuvendit, dy anëtarët e tjerë të KLGJ-së.
Kjo metodë garanton që nuk do të ketë bllokim të procesit të zgjedhjes pasi, rezervimi i vendeve për propozimet përkatëse mes shumicës dhe pakicës shmang përplasjet dhe mundëson bashkëpunimin.
Një variant i kësaj procedure është që shumica dhe pakica të propozojnë secila nga dy anëtarë, kurse anëtari i pestë të propozohet nga Shoqëria Civile dhe të miratohet me tre të pestat e votave në Kuvend.

Varianti aktual i shumicës

Në variantin aktual që mbështetet nga Kryeministri Rama, procedura e zgjedhjes është si më poshtë:
Anëtarët e KLGJ-së duhet të zgjidhen nga pesë grupime të ndryshme juristësh jashtë sistemit gjyqësor-prokurori: një anëtar nga radhët e avokatëve, një anëtar nga radhët e noterevë, një anëtar nga radhët e pedagogëve të drejtësisë, një anëtar nga radhët e pedagogëve jogjyqtarë të Shkollës së Magjistraturës dhe një anëtar nga Shoqëria Civile.
Secili prej grupimeve të mësipërme paraqet disa propozime kandidaturash për anëtarin e tij përfaqësues, nga të cilët Kuvendi duhet të zgjedhë me votim tre të pestat një anëtar të KLGJ-së. Kjo do të thotë që do të ketë pesë votime të veçanta për të zgjedhur, në mënyrë të pavarur nga çdo votim, një anëtar të veçantë.
Në rast se nuk arrihet shumica, tre të pestat-çka është shumë e mundshme, duke patur parasysh natyrën konfliktuale të marrëdhënieve shumicë-pakice-procedura përsëritet përsëri me pesë grupe të reja propozimesh nga secili prej grupeve propozuese.
Nëse edhe në votimin e dytë nuk arrihet përsëri shumica e nevojshme, atëherë zgjedhja e anëtarëve të KLGJ-së mes emrave të propozuar nga secili grupim propozues nuk do të bëhet më nga Kuvendi, por nga Këshilli i Lartë i Emërimeve, një tjetër mekanizëm i krijuar nga reforma.
Kjo do të thotë se në këtë variant, zgjedhja e anëtarëve të pesë institucioneve të përmendura më sipër do të bëhet, praktikisht jashtë Kuvendit, çfarë është një rast i rrallë në mos unik në botën demokratike perëndimore.

Lëshimi i Kryeministrit Rama për votimin me dy të tretat

Për variantin aktual të shumicës (më sipër), Kryeministri Rama bëri, para pak ditësh, lëshimin që në vend të votimit me tre të pestat (84 deputetë), ai është gati të pranojë votimin me dy të tretat (94 vota).
Por ky lëshim nuk ka ndonjë pasojë apo vlerë praktike, pasi, sikurse u shpjegua më sipër, në këtë variant Kuvendit rrallë do t’i mbetet zgjedhja e anëtarëve-me shumë gjasa, Kuvendi do të bllokohet, qoftë edhe si presion për çështje të tjera, dhe zgjedhja e anëtarëve do t’i kalojë Këshillit të Emërimeve, cili nuk ka asnjë lidhje me Kuvendin, as në mënyrën e zgjedhjes së tij dhe as në mënyrën e funksionimit apo të kontrollit ndaj tij, duke shmangur çdo ndikim të opozitës në proces.

109 milionë euro investimeve të huaja më pak në tre muaj

Investimet e huaja direkte shënuan një rënie të fortë prej 42% në tremujorin e parë të këtij viti, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas statistikave të bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë. Investimet e huaja ishin 152 milionë euro në tremujorin e parë, nga 261 milionë euro në janar-mars 2015 dhe 222 milionë euro në tremujorin e parë 2014. Sipas Bankës së Shqipërisë, prurjet në formën e investimeve direkte, vijon të mbeten të përqendruara në sektorin e hidrokarbureve (në masën 27 për qind), energjetikës (me rreth 25 për qind), ndërtimit (në masën 17 për qind), dhe sektori i telekomunikacionit (me 6 për qind). Ndërkohë që rënia me e madhe e fluksit vërehet në sektorin e hidrokarbureve. Një rënie e investimeve të huaja dirkete ishte e pritshme, pasi Bankers Petroleum, investitori më i madh në vend vitet e fundit, kishte raportuar në tremujorin e parë 2016 një rënie të ndjeshme të investimeve. Sipas të dhënave zyrtare të kompanisë, gjatë tremujorit të parë të vitit 2016, shpenzimet kapitale ishin 13 milionë dollarë. Kompania nuk ka shpuar asnjë pus të ri gjatë këtij tremujori. Shpenzimet kapitale ishin 25 milionë dollarë për tremujorin e kaluar dhe 50 milionë dollarë në tremujorin e parë të vitit 2015. Investimet në hidrokarbure (ku aktori kryesor është Bankers) kanë përbërë në tremujorët e mëparshëm deri në 40% të totalit të investimeve të huaja. Shtesa e kapitalit të bankave, një tjetër element që nxiti investimet në 2015-n, ishte 20% më e ulët në tremujorin e parë 2016, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas statistikave të pasiveve të sistemit, të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Licenca celulare, që i dhanë hov investimeve të huaja në gjysmën e parë të 2015-s, nuk janë dhënë në muajt e parë të këtij viti. Prej disa vitesh po mungojnë hyrjet e investitorëve të rinj në vend, ndryshe nga shtetet fqinjë, sidomos Maqedonia e Serbia, që gëlojnë nga lajmet për hyrjen e kompanive të huaja, që premtojnë rritje të qëndrueshme, pasi janë të përqendruara kryesisht në industrinë automotive. Weibo, një sipërmarrje e madhe turke në industrinë tekstile ka hapur degë në Maqedoni e më pas është zhvendosur edhe në Serbi. Johnson Control, Lear Corporation dhe Capcon, janë tre sipërmarrje në fushën e indusustrisë mbështetëse të makinave, që kanë shfaqur interes dhe për Shqipërinë, por për momentin kanë investuar në Maqedoni. Taksat më të larta në rajon, mungesa e incentivave (Serbia psh ndonëse ka taksa të krahasueshme me ne ofron subvencione për investitorët), kleima e rënduar e investitorëve aktuale, që po thuhet hapur nga gjithë dhomat e huaja, janë disa nga arsyet që po mbajnë larg investitorët e huaj. Shpresa e vetme mbeten dy investimet e mëdha strategjike për momentin, gazsjellësi TAP dhe HEC-i i Devollit. Sjellja e investimeve të huaja gjatë vitit të fundit ka nxjerrë në pah strukturën e tyre të paqëndrueshme, të varur nga investimet në hidrokarbure. Rënia e çmimeve të naftës në gjysmën e dytë të vitit të kaluar bëri që dhe investimet e huaja të binin ndjeshëm, nga 541 milionë euro në 6 mujorin e parë, në 321 milionë euro në të dytin. Kjo tendencë vijoi dhe në tremujorin e parë 2016. Në fakt, këto janë investime kryesisht në hapjen e puseve, pa vlerë të shtuar në ekonomi, në drejtim të punësimit, dhe që rrisin fiktivisht investimet e huaja, duke bërë që Shqipëria me shifra t’i ketë më të lartat në rajon (rreth 8% të prodhimit të brendshëm bruto). Në kahun tjetër, po mungojnë investimet e qëndrueshme që do të nxisnin hapjen e vendeve të reja të punës dhe shtimin e të ardhurave në buxhet.

Linçimi publik mesjetar i Ramës ndaj gjykatësit Aliaj

Nga njëra anë, Edi Rama predikon vetingun, pra, vlerësimin e gjykatësve, dhe propagandon që atë ta bëjnë profesionistët e jo partitë, nga ana tjetër ka vërsulur një taborr me policë kundër gjykatësit që dha një vendim që nuk i pëlqen atij, një vendim bazuar mbi kërkesën e Prokurorisë për pezullimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, mbi skandalin e përgjimeve.
Linçimi publik mesjetar që po i bën gjykatësit, sepse nuk dha masën që donte ai, në një përpjekje për të trembur Gjykatën e Apelit para vendimit për Cakon e tij, tregon mirëfilli, e nxjerr lakuriq, konceptin e Edi Ramës për drejtësinë dhe institucionet e drejtësisë.
Kjo është gjithashtu një vepër e rëndë penale, shkelje e nenit 145 pika 3 e Kushtetutës, që ndalon ndërhyrjen në veprimtarinë e gjykatave.
Edi Rama po e shkel ligjin themelor, duke kërcënuar çdo gjykatës e prokuror në vend, duke u thënë se, nëse hetoni kundër meje, nëse jepni vendime kundër meje, unë ju vërsul policinë.
Me fletërrufe e me aksione prej gestapoje, Edi Rama po u tregon gjykatësve dhe prokurorëve se i pret fati i Arjan Aliajt nëse guxojnë të hetojnë, të bëjnë drejtësi, kundër krimeve të tij, kundër korrupsionit të tij.
Për kujtesë, Arjan Aliaj është i njëjti gjyqtar që për Edi Ramën ishte në rregull, kur liroi babain e Saimir Tahirit të akuzuar për kontrabandë ilaçesh.
Partia Demokratike është pa asnjë rezervë në favor të hetimit të pasurisë së gjykatësve e çdo zyrtari në vend. Por vetëm bazuar mbi ligj, e kur kjo bëhet nga institucionet që Kushtetuta ngarkon me këtë detyrë.
Edi Rama po dëshmon çdo ditë motivin e vërtetë që ka për Reformën në Drejtësi, që është kapja e saj. Kërkon ta ketë nën kontroll, që ai të verifikojë pasurinë e gjykatësve e prokurorëve, që ai të vlerësojë vendimet e tyre, që ai të caktojë kush qëndron e kush ikën.
Edi Rama kërkon ta ketë drejtësinë nën hyqëm, që të mbrojë krimet e tij, të mbrojë batërdinë e vjedhjeve në shëndetësi e dogana, grykësinë e tenderave që i ndan me miqtë, plaçkitjen e pasurive publike, aferat skandaloze si ajo e stadiumit, lidhjet me bandat e trafikantët, të mbrojë krimin shtetëror të përgjimit të paligjshëm.
Eshtë sot detyrë kombëtare të mos e lejojmë Edi Ramën ta vendosë drejtësinë nën këmbët e tij.
Opozita është e vendosur për të mos lejuar kapjen mafioze të drejtësisë nga Edi Rama.
Do të ketë drejtësi sipas Venecias, vetëm sipas Venecias, sipas parimeve e standardeve të saj.
Drejtësi që kufton korrupsionin e krimin.
Drejtësi që nuk sulmohet nga kryeministri kur heton qeverinë.
Drejtësi që nuk linçohet nga askush kur bën detyrën e zbaton ligjin.

Hetim kullës 24 katëshe dhe përvetësimit të pronës publike nga Rama dhe vëlla Olsi

Parti Demokratike denoncoi dje nisjen e prishjes së stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” për ndërtimin e ri të stadiumit “Arena Kombëtare”, i cili do të ketë dhe një kullë 24 kate. Sekretari për Aksionin Qytetar, Ervin Salianji dënoi nisjen e punimeve për kullën 24-katëshe pranë stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. Salianji u shpreh se Partia Demokratike mbështet ndërtimin e një stadiumi për tifozët shqiptarë, por kurrsesi këtë projekt korruptiv që ka nisur të ndërtohet pa transparencë dhe në shkelje të hapur të ligjit. Ai paralajmëroi Kryeministrin Rama për këtë projekt korruptiv e antiligjor dhe i bëri thirrje Prokurorisë të hapë menjëherë hetimet.
“Që në fillim dua të them që Partia Demokratike është për ndërtimin e një stadiumi siç e do publiku, siç e duan tifozët, siç e do shoqëria civile, siç e duan analistët dhe gazetarët më të njohur në këtë vend, një stadium që të jetë në shërbim të tifozëve, në shërbim të publikut dhe shërbim të qytetarëve. Jemi këtu edhe një herë tjetër për t’i bërë thirrje Prokurorisë për të nisur hetimin për një aferë korruptive, po për t’i bërë thirrje edhe Kryeministrit për të kthyer përgjigjet që nuk i ka kthyer Grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Sot Edi Rama ka nisur shkatërrimin e stadiumit kombëtar me prepotencë, me arrogancë, me forcën e pushtetit që ka sot, por me përgjegjësinë që do të mbajë para ligjit nesër. Drejtësia vonon, por nuk harron. Ky është postulat që Edi Rama duhet ta dijë mirë dhe duhet ta njohë. Nuk mundet që stadiumin e vetëm kombëtar të këtij vendi pa transparencë, pa tender, pa dhënë asnjë shpjegim një kompanie, e cila nuk dihet se nga ka ardhur, një kompanie për të cilën nuk dihet se cilat janë procedurat që janë ndjekur për të përzgjedhur firmën fituese për ndërtimin e këtij projekti të stadiumit kombëtar, por që në fakt nuk është stadium, por një kullë 24 kate, kulla më e lartë në Tiranë, e cila nuk mund të jetë as koncesion, as partneritet publik-privat. Sepse kjo kullë, nuk i kthehet publikut nesër, kjo kullë i mbetet përjetësisht firmës, e cila do ta ndërtojë”, tha Salianji.
Sekretari për Aksionin Qytetar shtroi edhe disa pyetje në lidhje me këtë projekt që Kryeministri ende nuk u është përgjigjur, ndërsa shtoi se Partia Demokratike do ta ndjekë deri në fund këtë rast korruptiv deri në përgjigjen e plotë ligjore.
“I kemi kërkuar kopje të procesverbalit të mbledhjes së shoqërisë aksionere, e cila po merr dhe po ndërton sot kullën pas fushe. A ka mbajtur qëndrim për 25 për qindëshin e aksioneve që ka shteti dhe cili është qëndrimi që ka mbajtur qeveria si aksionere në këtë projekt? A ka kopje të kontratës së partneritetit publik-privat për realizimin e këtij projekti të miratuar nga shoqëria anonime ku shteti zotëron 25 për qind dhe përse edhe pas kërkesës së bërë nga kryetari i Grupit parlamentar të PD edhe sot Edi Rama nuk jep përgjigje? A janë ndjekur procedurat për dhënien e lejes zhvillimore siç e kërkon ligji? A është marrë leje nga Instituti i Monumenteve dhe nga Ministria e Kulturës duke qenë e qartë në ligj që monumentet e kulturës nuk mund të preken, nuk mund të shkatërrohen dhe nuk mund të ndërtohet dhe nuk mund të zhvillohet pa marrë lejen e specialistëve. Për këtë arsye, Prokuroria e Përgjithshme duhet të nisë hetimin për shpërdorim detyre dhe për përvetësim të pronës publike ndaj Edi Ramës dhe vëllait të tij dhe për këto arsye PD do të bëjë kallëzim penal në Prokurorinë e Përgjithshme për t’i shkuar deri në fund hetimit të kësaj çështjeje”, tha Salianji.
Në mënyrë të fshehtë dhe larg vëmendjes së mediave, Rama ka miratuar në fund të muajit prill vendimin për ndërtimin e stadiumit të ri sipas projektit klientelist. Ajo çka e thellon edhe më tej skandalin është fakti se nga 19 kate që parashikohej të ndërtohej kulla brenda projektit të stadiumit ajo do të jetë me 24 kate. Vendimi është marrë një muaj më parë, ndërsa Rama ka urdhëruar moszbardhjen e tij, duke fshehur kështu dokumentacionin e projektit. Opozita prej kohësh ka kundërshtuar këtë projekt, ndërsa i ka kërkuar Ramës të bëjë transparencën e plotë të vendimmarrjes, por deri tani qeveria ka heshtur. Këshilli Kombëtar i Territorit, me vendim Nr. 01, datë 29.04.2016 për “Miratimin e lejes së zhvillimit në objektin ‘Kompleksi i ri i stadiumit kombëtar, Tirana’”, ka dhënë dritën jeshile për zhvillimin e këtij objekti.
Në këtë mbledhje, KKT-ja vendosi: Së pari, miratimin e lejes së ndërtimit për stadiumin kombëtar. Së dyti, harta e planvendosjes së strukturave, e cila i është bashkëlidhur këtij vendimi. Së treti, procedurat administrative ligjore për objektin do të vijohen nga Bashkia e Tiranës. Së katërti, Agjencia e Zhvillimit të Territorit do të ngarkohet për zbatimin e vendimit. Dhe së fundmi, por vetëm për kohëzgjatje të vendimit, është që ky vendim hyn në fuqi menjëherë pas miratimit të tij. Stadiumi, i cili do të jetë i kategorisë së pestë, më të lartë, për nga parametrat cilësorë që do të ofrojë si stadium, por i katërt për nga kategoria për shkak të numrit të spektatorëve, do të ketë gjithashtu edhe një kullë në strukturë.
Më parë u përfol se lartësia e saj do të ishte 19 kate, mirëpo në vendim është parashikuar se lartësia e saj do të jetë 24 kate mbi tokë. Duke qenë se kërkohej partneriteti publik-privat për një ndërtim që do të ngrihet mbi një pronë shtetërore, është dashur vendimi i Këshillit Kombëtar të Territorit, për të marrë vendimin përfundimtar për stadiumin ekzistues, si dhe për t’i hapur rrugë ligjore nisjes së punimeve për impiantin e ri. Pas dhënies së lejes së ndërtimit nga KKT-ja, tashmë mbeten disa procedura “dytësore” për t’u kryer në Bashkinë e Tiranës nga “Shoqëria Kuq e Zi”, për të nisur fillimisht me shembjen e stadiumit ekzistues dhe më pas, për të nisur nga puna për ngritjen e impiantit të ri. Partia Demokratike e ka denoncuar këtë rast si aferë korruptive, si një projekt që ka prioritet klientelën, qendrën tregtare, hapësirat e biznesit dhe jo sportin e qytetarët. Sipas planit të Edi Ramës, hapësirat për sportdashësit zvogëlohen, ndërsa zgjerohen hapësirat fitimprurëse të klientit.

Korrupsioni 110 milionë, nën hetim dy ish-drejtues socialistë

Dy ish-zyrtarë socialistë të Bashkisë së Përmetit kanë shpërdoruar detyrën dhe dosja e tyre është çuar në organin e akuzës për ndjekje penale. Bëhet fjalë për ish-zyrtarët socialistë të kësaj njësie vendore, e cila është marrë nën administrim nga i zgjedhuri i PD, vitin e kaluar me fitoren e zgjedhjeve lokale. Vasil Pano dhe Denisa Duron, të cilët janë funksionarë të lartë vendor të PS në Përmet, ku Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka kallëzuar në Prokurori si ish-anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në Bashkinë e Përmetit.
Akuza e tyre, ka të bëjë me shkeljet e faktuara të barazisë në procedurat e prokurimit dhe favorizimit të operatorëve, duke i shkaktuar shtetit dëm një vlerë prej 11 milionë lekë të reja. Përfaqësues të KLSH, kanë ushtruar kontroll në këtë njësi vendore në fund të vitit të kaluar dhe një javë më parë, përpiluan raportin përfundimtar nga ky auditim i kryer.
Ajo çka vlerësohet interesante, është se dëmi i shkaktuar prej dy personave të lartpërmendur prej 11 milionë lekë, do të kompensohet nga vetë Bashkia e Përmetit dhe administrata aktuale, e cila nuk ka pasur aspak lidhje me dëmin e shkaktuar nga bashkia e mëparshme, ku drejtohej nga Gilberto Jaçe i PS. Gjithçka ka të bëjë me shkeljen e procedurave të tenderit me vlerësimin e ofertave në rikonstruksionin e trotuareve në bllokun e qendrës në Përmet.
Nga krahasimi i ofertës ekonomike të dy prej operatorëve ekonomikë pjesëmarrës në tender, rezultoi se këta patën paraqitur kontratë furnizimi guri me të njëjtën shoqëri furnizuese, dokumentacionin tekniko-ligjor i të cilës është i njëjtë për të dyja kontratat e lidhura.
Për rrjedhojë, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, aplikoi një standard të dyfishtë, duke e vlerësuar këtë kriter si të vlefshëm dhe në pajtueshmëri me kërkesat për operatorin konkurrues me ofertë ekonomike më të lartë dhe në papajtueshmëri për operatorin konkurrues me ofertë ekonomike më të ulët. Vlerësimi që është bërë nga dy ish-zyrtarët e Bashkisë së Përmetit, qëndron në kundërshtim me ligjin për Prokurimin Publik, pasi ka skualifikuar ofertues, të cilët plotësonin kriteret për kualifikim, duke përdorur dy standarde gjatë vlerësimit të ofertave.
KLSH, duke i konsideruar veprimet e kryera nga Pano dhe Duro në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në procedurën e prokurimit të rikonstruksionit të trotuareve në bllokun e qendrës së Përmetit, si veprime me pasoja të rënda për interesat e ligjshme të shtetit dhe të dënueshme sipas ligjit.
Duro dhe Pano, janë kallëzuar pak ditë më parë në Prokurorinë lokale për shkelje të barazisë në vlerësimin e ofertave gjatë tenderit, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëm ekonomik në vlerën 11.1 milionë lekë të reja.

Gjermeni i “Rilindjes” dënon Indrit Hoxhën për “bunkerin”

Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë dënoi dje me 200 mijë lekë gjobë Indrit Hoxhën, për protestat kundër bunkerit që Edi Rama ndërtoi në Ministrinë e Brendshme. Në atë protestë policët i janë vërsulur Hoxhës dhe e kanë marrë me dhunë. Por më pas njëri prej tyre ka bërë kallëzim sikur ishte Indrit Hoxha që u është hedhur atyre përsipër, i ka dhunuar dhe dëmtuar fizikisht. Videoja e dhunës policore u paraqit në seancën gjyqësore, por gjykatësi Artan Gjermeni nuk e pranoi si provë.
Theksojmë se Indrit Hoxha ka qenë shënjestër e “çunave të Saje qorrit” në mënyrë sistematike për shkak jo vetëm të aktivitetit të tij të dendur politik dhe qytetar, por edhe të të atit, Fatmir Hoxha, kryetar i Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politikë, organizator dhe drejtues i grevës së urisë në vitin 2014 kundër Ramës. Hera e fundit që Indrit Hoxha ka “vizituar” birucat e rilindjes ka qenë bashkë me 12 protestues të tjerë të PD kundër ndërtimit të lodrave të Lal’Erit tek Liqeni.
Indrit Hoxha bashkë me disa të rinj të tjerë u shoqëruan në komisariat dhe u mbajtën për më shumë se 48 orë pa asnjë provë. Në ambientet e komisariatit është ushtruar terror psikologjik ndaj tyre. Oficerët e policisë i kanë bërë presion Indritit dhe të rinjve të tjerë demokratë që të heqin dorë nga protestat se përndryshe do të kalben në burg. Vendimi i djeshëm do të apelohet, me besimin që në shkallën tjetër të gjykimit të mos jetë ndonjë tjetër “Gjermen”, si ky i Shkallës së Parë.
Indrit Hoxha është dënuar nga një gjyqtar që para pak kohësh është përfshirë në një konflikt ku mbeti i plagosur me katër plagë. Gjyqtari Artan Gjermeni u plagos me thikë më 16 janar të këtij viti në Tiranë pas një konflikti me disa persona. Gjermeni iu gjetën në makinë 20 mijë euro dhe u hodhën dyshime se konflikti kishte ndodhur për këtë shumë parash. Policia e mbylli këtë ngjarje duke manipuluar provat.

KLSH padit drejtorin dhe 6 zyrtarë të ALUIZNI-t në Gjirokastër

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 765/1, datë 19.08.2015, ka audituar Agjencinë Rajonale të Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI) në Gjirokastër, për periudhën janar 2013-tetor 2015. Nga ky auditim u konstatuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore, ndër të cilat më kryesoret janë:
1. Shkelje, të meta e mangësi, në zbatimin e procedurave ligjore në mbledhjen, përpunimin dhe administrimin e të dhënave për ndërtimet pa leje, në përgatitjen e dokumentacionit për kualifikimin dhe çertifikimin e objektit informal (leje legalizimi), shqyrtimin dhe miratimin e kërkesave për objektet informale, si dhe në përgatitjen dhe dërgimin e dokumentacionit për kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore të objekteve informale nga shteti tek poseduesi i ndërtimit pa leje, në kundërshtim me Ligjin nr. 9482, datë 03.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, VKM nr. 438, datë 28.6.2006, ndryshuar me VKM nr. 280, datë 01.04.2015 “Për përcaktimin e kritereve, procedurave e dokumentacionit të zbatueshëm për të kualifikuar ndërtimet pa leje, shtesat anësore dhe/ose në lartësi, në ndërtime me leje”.
2. Lejim të parregullsive në plotësimin e dosjeve, duke legalizuar objekte në kundërshtim me ligjin në 4 raste, objektet informale janë pozicionuar brenda zonës së lirë (tampon), të përcaktuar sipas hartës së zonifikimit qytet-muze të Gjirokastrës, në kundërshtim me nenin 5, germa (b), të VKM nr. 832, datë 11.12.2003 “Për miratimin e rregullores së administrimit të qytetit-muze të Gjirokastrës” (ndryshuar me nenin 13, pika 5 dhe nenin 14, të VKM nr. 345, datë 06.06.2007 “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin e KM nr. 832, datë 11.12.2003 “Për miratimin e rregullores së administrimit të qytetit-muze të Gjirokastrës”), si dhe nenit 29, të Ligjit nr. 9048, datë 07.04.2003 “Për trashëgiminë kulturore”.
9 raste, objektet informale janë legalizuar në pronat e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, njohur me VKKP nr. 154/5, datë 26.09.1996 (Teqenë e Zallit) dhe VKKP nr. 134, datë 13.03.2008 (Teqenë e Shtufit), në kundërshtim me nenin 4, germa “b” të Ligjit nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar, me pikën 22 të VKM nr. 437, datë 28.06.2006.
“Përcaktimin e procedurave për mbledhjen, përpunimin dhe administrimin e të dhënave për ndërtimet pa leje, për ngritjen e bazës së të dhënave”, i ndryshuar, me germën “ç” dhe “d” të pikës 2, të VKM nr. 871, datë 27.12.2006 për “Kriteret, procedurat dhe tipin e formularit të lejes së legalizimit”, si dhe me nenin 3, germa “c”, nenin 21, nenin 22 dhe nenin 23, pika 4 të Ligjit nr. 10058, datë 22.01.2009 “Për ratifikimin e ‘Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikën e Shqipërisë dhe Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella’”.
Në 1 rast, nuk janë zbatuar të gjitha procedurat përkatëse ligjore në legalizimin e objektit informal, duke legalizuar objektin informal, pronësia mbi të cilin ka qenë në proces gjyqësor të papërfunduar, në kundërshtim me nenin 26, pika 2 dhe nenin 39 të Ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar, me Udhëzimin nr. 5405, datë 25.07.2011 dhe me pikën 6, germa (ç), të VKM nr. 438, datë 28.06.2006, i ndryshuar.
3. Në 11 praktika, tarifa e parcelës ndërtimore nuk është llogaritur në zbatim të nenit 20, të Ligjit nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar, duke evidentuar një vlerë të pallogaritur prej 7,355,260 lekësh, si dëm ekonomik në buxhetin e shtetit për fondin e kompensimit të ish-pronarëve.
4. Në 142 praktika, KLSH ka konstatuar se për poseduesit e objekteve informale, të cilët janë pajisur me leje legalizimi, nuk janë llogaritur dhe paguar detyrimet për taksën e ndikimit në infrastrukturë, në kundërshtim me germën “ç” të nenin 27, të Ligjit nr. 9482, datë 03.04.2006, i ndryshuar me Ligjin nr. 50/2014 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, duke i shkaktuar një dëm ekonomik buxhetit të shtetit në vlerën 3,584,364 lekë.
KLSH ka kryer kallëzim penal për shpërdorim detyre për drejtorin TH.M., ish-drejtorin D.M., të Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t në Gjirokastër dhe për specialistët V.K., Q.L., L.B., N.XH., R,GJ. e B.T., të cilët në mospërmbushje të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje të dispozitave ligjore, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, duke i përcjellë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse.

Prokuroria urdhëron arrestimin e oficerit të policisë në Tiranë

Me kërkesë të Prokurorisë së Krujës, gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për shtetasin Lumian Meta, me detyrë oficer i patrullës policore të Komisariatit nr. 1 në Tiranë, i dyshuar për veprën penale të “Përndjekjes” në dëm të ish-të dashurës së tij, shtetases S.B., gjithashtu efektive policie në Komisariatin e Krujës. Vendimi i gjykatës është zbatuar nga ana e oficerëve të Shërbimit të Çështjeve të Brendshme.
Prokuroria e Krujës e ka nisur hetimin në bazë të materialit referues të Shërbimit për Çështje të Brendshme në datë 14.06.2016. Në bazë të veprimeve hetimore, ka rezultuar se i dyshuari nuk ka pranuar faktin e ndërprerjes së marrëdhënies intime me të dëmtuarën. Për këtë arsye, ai e ka përndjekur dhe ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj në disa raste të përsëritura.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se i dyshuari dhe e dëmtuara kanë nisur lidhje dashurore në vitin 2014, gjatë studimeve në Akademinë e Policisë. Kjo lidhje ka vijuar deri në janar 2016. Në këtë kohë, e dëmtuara S.B., ka refuzuar të vijojë lidhjen intime, për shkak se, sipas saj, i dyshuari ushtronte dhunë sistematike. Prej janarit 2016 e në vijim, i dyshuari e ka përndjekur, dhunuar dhe kërcënuar në mënyrë sistematike, me qëllim që lidhja e tyre të rifillonte. E dëmtuara nuk ka pranuar në asnjë rast dhe kjo sjellje e ka shndërruar në objekt dhune nga ish-i dashuri. Në disa raste, dhuna psikologjike ndaj të dëmtuarës ka ndodhur edhe në praninë e kolegëve të tjerë të policisë.

Zgjatet mandati nga KiE-EULEX-i, peng i një marrëveshjeje të re Kosovë-BE

Këshilli i BE-së e ka miratuar të martën vendimin që mundëson zgjatjen e misionit të EULEX-it, i ka thënë Radios “Evropa e Lirë”, Maja Kocijançiç, zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme dhe siguri të BE-së, Federica Mogherini.
Ajo ka shtuar se Mogherini do i përgjigjet letrës tashmë të dërguar nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në Bruksel rreth kësaj teme.
“Përfaqësuesja e Lartë do t’i përgjigjet letrës së Presidentit Thaçi, ashtu siç ekziston tashmë praktika për këtë gjë; ndërkohë ne jemi duke e vazhduar punën me autoritetet e Kosovës me qëllim që të përfundojmë të gjitha përgatitjet për ripërtërirjen e mandatit të EULEX-it. Sa i përket procedurave të brendshme të BE-së, Këshilli e ka miratuar sot vendimin që mundëson zgjatjen e misionit të EULEX-it”, ka thënë për Radion “Evropa e Lirë”, Koçijançiç.
Zyrtarët e BE-së në Prishtinë, ndërkaq kanë vazhduar gjatë tërë ditës së djeshme bisedat me autoritetet në Prishtinë, përfshirë edhe me Presidentin Thaçi për zgjatjen e mandatit të EULEX-it.
Radio “Evropa e Lirë” mëson se përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë kërkuar nga BE-ja që EULEX-i të mos hapë më raste të reja për çështjet që ndërlidhen me korrupsion dhe krim të organizuar dhe që të gjitha këto raste t’i kalojnë Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Kjo është çështja për të cilën ende nuk është arritur një marrëveshje me zyrtarë të BE-së, në këtë rast me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar.
Kuvendi i Kosovës që duhet ta ratifikojë letërkëmbimin ndërmjet Presidentit Thaçi dhe Përfaqësueses së Lartë për Siguri dhe Politikë të Jashtme të BE-së, Mogherini, tash për tash nuk ka arritur të mblidhet megjithëse mandati i misionit përfundoi mesnatën e së martës, 14 qershor.
Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci i ka thënë Radios “Evropa e Lirë” përmes telefonit se nuk do të ketë seancë, ndërsa ka përmendur se po vazhdojnë negociatat për hartimin e projektligjit për këtë çështje.
“Sot nuk ka pasur dhe nuk do të ketë seancë, janë duke u zhvilluar biseda, duke u bërë analiza që të gjejmë variantin më të mirë të mundshëm. Normalisht ne jemi të vetëdijshëm që duhet të kemi bashkëpunim me Bashkimin Evropian. Ne në fakt jemi të interesuar të thellojmë bashkëpunimin me BE-në”, ka thënë Grabovci.
Megjithatë, Radios “Evropa e Lirë” nga deputetë të tjerë të Kuvendit i është thënë se Parlamenti do të presë derisa të mos arrihet një pajtueshmëri në mes të institucioneve të Kosovës dhe BE-së për zgjatjen e mandatit të misionit evropian për sundim të ligjit, EULEX.
Ka gjasa që Kuvendi të mblidhet gjatë ditëve në vijim.
Misioni i BE në Kosovë, EULEX është ftuar nga autoritetet e Kosovës pak ditë para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008. Mandati i tij ndërkaq u zgjat me një letërkëmbim të para dy viteve ndërmjet atëbotë Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe shefes për Politikë të Jashtme dhe Siguri të asaj kohe në BE, Catherine Ashton.
Misioni për sundimin e ligjit, deri tani e ka pasur të drejtë ekskluzive trajtimin e rasteve të krimeve të luftës, korrupsionit dhe krimeve të tjera të rënda.

Ligji i ri, taksë të re për menaxhimin e mbetjeve

Ministria e Mjedisit ka  hartuar një draft të ri për menaxhimin e mbetjeve në njësitë vendore.Në një konsultim me grupet e interesit  zv.ministrja Oljana Ifti  u shpreh se  deri më tani skema nuk ka funksionuar siç duhet dhe për këtë  është dashur të ndërmeren një sërë ndryshimesh ligjore. Sipas zv.ministres është menduar edhe një tarifë e re për familjet.
Ministria e Mjedisit ka hartuar një draftligj  i cili synon që ti japë zgjidhje menaxhimit të mbetjeve në vend .Gjatë një tryeze me grupet e intresit zv.ministrja e Mjedisit Oljana Ifti u shpreh se deri tani skema nuk ka funksionuar pasi  mbetjet depozitoheshin në landfill  ndërkohë që një  është e nevojshme që të ketë edhe riciklim të tyre. Ifti foli edhe per domosdshmerine e rishikimit të tarifave për familjet pasi aktualisht  janë të ulta.
Ifti: Nxitja dhe implementimi i skemave të grumbullimit apo ndarjes së mbetjeve në burim që është hapi i parë dhe kryesor në këtë proces. Pa dyshim edukimi i publikut është një tjetër drejtim për përmbushjen e standardeve. Rritja e tarifës është zbatimi i parimit ndotësi paguan. Që ti përgjigjet kostos për menaxhimin e mbetjeve. Pa dyshim ngritja e një enti rregullator për mbetjen, i cili do të përcaktotne tarifën në bashkëpunim me bashkitë e reja.
Ligji i ri per menaxhimin e mbetjeve pritet që të implentohet nga njësitë vendore dhe pikërisht për këtë në dëgjesë ishin të ftuar të gjithë drejtuesit vendorë.