Misioni i radhës së Fondit Monetar Ndërkombëtar mbërriti në Tiranë për rishikimin e tetë të marrëveshjes trevjeçare. Takimet e para po kryhen me ministrin e Financave, Arben Ahmetaj dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko.
Përveç monitorimit të marrëveshjes, në fokus do të jetë edhe rishikimi i buxhetit, performanca fiskale, shpenzimet dhe deficiti buxhetor dhe ecuria e borxhit. Pjesë e konsultimeve do të jenë edhe ndryshimet në paketën fiskale.
Në këtë misionin, Fondi ka sjellë edhe një ekspert që do të asistojë tatimet për të përmirësuar komunikimin e biznesit.
Kreu i Misionit të përhershëm të FMN-së në Tiranë, Jens Reinke, ka pohuar qartazi në një dalje për shtyp pak ditë më parë së bashku me ministrin e Financave, Arben Ahmetaj se vendi është mbrapa me përmirësimin e klimës së biznesit. “Teksa shifrat e buxhetit janë optimiste, biznesi raporton një situatë krejt tjetër”, tha ai. “Biznesi thotë se, Administrata Tatimore bën represion. Kjo pengon biznesin vendas të zgjerohet dhe të huajt të vijnë”, tha ai, duke shtuar se sektori privat nuk është në humor.
Kjo konstatim i FMN është njoftuar këto kohët e fundit edhe nga dhomat kryesore të tregtisë në vend.
Diplomacia ekonomike është vënë në alarm për klimën e rënduar të investimeve, që është krijuar në vendin tonë, aq sa disa prej dhomave të huaja të tregtisë, më të rëndësishmet në vend, janë duke i orientuar investitorët të mos futen në Shqipëri. Pasiguria juridike me kontratat aktuale, mosfunksionimi i shtetit ligjor dhe korrupsioni duket se janë arsyet themelore.
Këto shqetësime i janë përcjellë Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe dhomat e tjera edhe Këshillit të Investimeve, një platformë e ngritur nga autoritetet shqiptare me mbështetjen e BERZH-it për të rritur dialogun midis qeverisë dhe sektorit.
Sakaq indekset e Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe Dhomës Gjermane kanë treguar një përkeqësim të të gjithë indikatorëve që masin klimën e investimeve këtë vit.
Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se kriza ka goditur themelet e ekonomisë shqiptare duke dobësuar ndjeshëm aftësinë e saj për t’u rritur dhe për të gjeneruar mirëqenie për qytetarët. Në një raport të fundit mbi Shqipërinë, FMN vlerëson se rritja potenciale e ekonomisë është ulur nga 5.9 për qind që ishte në vitet para krizë në rreth 3 për qind aktualisht. Shifra e rritjes potenciale tregon mundësinë që ka një ekonomi për t’u rritur pa shkaktuar inflacion ose rritje të borxhit. Në afatgjatë rritja ekonomike e një vendi konvergjon gjithmonë rreth shifrës potenciale, ndaj ky tregues është i rëndësishëm për perspektivën ekonomike. Por siç dëshmojnë vlerësimet e FMN, potenciali i ekonomisë shqiptare për t’u rritur është reduktuar ndjeshëm dhe kjo ka dy pasoja kryesore për politikat ekonomike. “Pasoja kryesore në kontekstin politik është që politikat kundërciklike duhet të bazohet në një rritje potenciale prej 2.9-3.2 për qind dhe jo më në 6 për qind si dikur. Implikimi i dytë është se politikat ekonomike për të zgjeruar rritjen potenciale duhet të jenë një prioritet absolut,”- vëren FMN
FMN do të mësojë tatimet si të sillen me biznesin
Porti i Durrësit: Eksportet ranë me 28% në 5 muaj
Bllokimi i Portit të Selanikut dhe Pireut në Greqi nuk ka dhënë ende ndonjë efekt në rritjen e vëllimit të përpunimit të mallrave në Portin e Durrësit. Burimet zyrtare nga Autoriteti Portual i Durrësit thanë se ritmi i përpunimit nuk ka ndryshuar dhe se nuk është në pritje ndonjë sasi më e madhe e mallrave nga Maqedonia.
Sipas të dhënave nga Autoriteti Portual i Durrësit, në periudhën janar-maj të këtij viti u përpunuan rreth 1.3 ton mallra të ndryshme. Në katër terminalet e Portit u përpunuan 216 anije tregtare dhe 409 tragete, ndërsa u ankoruan 5 kroçera dhe 37 jahte. Gjatë 5-mujorit, importet nga Porti i Durrësit u rritën me 26%, duke arritur shifrën prej 965,618 ton mallra, ose 202.228 ton më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Ndërsa eksportet pësuan rënie me 28% ose me 246 mijë ton më pak se sa periudha 5-mujore e vitit 2015.Vetëm gjatë muajit maj të këtij viti në portin më të madh të vendit janë përpunuar afro 316 mijë ton mallra gjithsej, ose 6 për qind më shumë se sa në maj të vitit 2015.
Në këto pesë muaj në terminalin e DCT janë përpunuar 42.726 konteinerë TEU, ose 2.298 njësi më shumë se vitin e kaluar. Në pesë muajt e parë të këtij viti tragetet kanë kryer 409 lundrime, ose 44 më shumë se sa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke transportuar afro 317 mijë ton mallra gjithsej.
Tragetet e linjave Durrës–Bari, Durrës–Ankona dhe Durrës–Trieste e kthim transportuan gjithsej 215.869 udhëtarë, ose 32.913 udhëtarë më shumë se në 5-mujorin e parë të vitit të kaluar.
Shqipëria ka një potencial të madh për të përmirësuar konkurrencën e saj në eksporte. Ajo ka afërsinë në të dy tregjet evropiane dhe në zhvillim, qasje në Mesdhe, një popullsi të re në krahasim me pjesën tjetër të Evropës, si dhe burimet natyrore.
Megjithatë, konkurenca e Shqipërisë në drejtim të eksporteve ka pasur progres të pamjaftueshëm, me rritje të dobët të produktivitetit dhe përqendrim të vazhdueshëm në sektorë me vlerë të bazuar tek puna intensive.
FMN thotë se, autoritetet duhet të përshpejtojnë përpjekjet për të nxitur investimet në produkte me vlerë të shtuar, duke zbatuar reforma të mëtejshme strukturore për të përmirësuar mjedisin e biznesit, boshllëqet e infrastrukturës dhe përmirësimin e aftësive të punës. FMN shpjegoi se ka përdorur dy tregues për të vlerësuar konkurrueshmërinë e eksporteve të tilla si raporti, “Doing Business” i Bankës Botërore dhe Forumi Ekonomik Botëror (Raporti Global i Konkurrueshmërisë). Treguesit e të bërit biznes të BB-së mbulojnë fusha të ndryshme, duke filluar nga regjimi ligjor për zbatimin e kontratave, të proceseve rregullatore për regjistrimin e bizneseve, pagimin e taksave, marrjen e kredisë, si dhe tregtinë përtej kufijve.
Kosovë, bien investimet e huaja me 12.9% në tremujorin e parë
Në tremujorin e parë të këtij viti, Investimet e Huaja Direkte (IHD), kanë shënuar rënieje për 12.9 për qind më pak se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Këto të dhëna janë prezantuar në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK). Raporti vlerëson se dy burimet më të rëndësishme të rritjes ekonomike, remitencat dhe IHD-të, u karakterizuan me rënie. Remitencat shënuan rënie vjetore prej 2.2 për qind, përderisa IHD-të u karakterizuan me rënie prej 12.9 për qind. “IHD të pranuara në Kosovë, në TM1 2016, arritën vlerën prej 72.0 milionë euro që paraqet nivel më të ulët krahasuar me vlerën prej 82.7 milionë euro të regjistruar në periudhën e njëjtë të vitit 2015. Gjithashtu, remitencat e pranuara në Kosovë, që njëherësh paraqesin edhe kategorinë më të madhe në kuadër të llogarisë së të ardhurave dytësore, në TM1 2016 shënuan vlerën prej 156.5 milionë euro, që paraqet një rënie vjetore prej 2.2 për qind”, thuhet në raportin e BQK-së. Rënien e investimeve, zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Avni Kastrati, e ka arsyetuar me mosrealizimin e investimeve të projektit të Brezovicës. Ai shpreson që në gjysmën e dytë të vitit do të ketë përmirësim të bilancit të investimeve të huaja. “Duke marrë parasysh që projekti i Brezovicës akoma nuk është fut në investimet të realizueshme, kurse nga ana tjetër Komiteti Ndërministror është duke punuar në atë drejtim, atëherë unë besoj që deri në fund të vitit, si çdo herë, pjesa e dytë e vitit është më produktive se sa pjesa e parë e gjysmë vjetorit. Prandaj unë shpresoj dhe mendoj se do të realizohen ato që ne i kemi planifikuar. Dokumentacioni akoma nuk është hap. Komisioni Ndërministror ka me punuar, nuk ka dalë me raport definitiv. Prandaj kur të dalë ne do të shohim dhe do të informoheni. Nuk është hap. Unë nuk kam informacione që është hapur oferta financiare. Diçka investime të tjera të fuqishme nuk ka pasur”, tha Kastrati për “KosovaPress”. Korrupsioni, ambienti jo i favorshëm për bërje biznesi, janë disa prej indikatorëve që kanë ndikuar në rënien e investimeve të huaja thotë Raif Qela, anëtar i Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik. “Në rënien e investimeve në përgjithësi mund të ndikojnë shumë faktorë. Ndikojnë edhe kushtet e veçanta në Kosovës. Në rend të parë klima e të bërit biznes akoma nuk është në nivelin e duhur që të ketë investime të reja. Problemi kryesor i këtij vendi, mendoj që vazhdon të qëndrojë korrupsioni i lartë, i cili qoftë si real apo si perceptim, ndikon në mënyrë që investitorët e huaj seriozë të mos vijnë lirshëm në Kosovë. Përveç këtij faktori janë edhe faktorë të tjerë si mungesa e zbatimit të ligjit, sepse dihet mirëfilli që gjykata dhe prokurori të kenë plot problem. Probleme jo të natyrës ligjore sa të natyrës së zbatimit të ligjit. Kjo është për shkak se akoma nuk ka vullnet politik që të ballafaqohemi seriozisht me korrupsionin si njëra prej dukurive që më së shumti e shkatërrojnë të ardhmen e këtij vendit”, tha Qela. Sipas tij, përveç këtyre indikatorëve mund të ketë edhe faktorë të tjerë periferikë. Ai merr shembull edhe mungesën e kontrollit të konkurrencës në treg. Ndërsa, kryetari i Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa, thotë se edhe situata politike mund të ndikojë shumë në rritjen e investimeve. “Këto oscilimet nëpër kuartalë janë të mundshme edhe nuk domethënë se tregojnë ndonjë lidhshmëri. Duhet të presim lëvizjet së paku në kuartalin e dytë dhe të tretë për të dhënë një gjykim më të përafërt. Nuk mund ta komentoj, mund të ketë ndikuar, por nuk mendoj se do të ishte ai faktori kryesor. 2 për qind remitencat nuk mundem me thënë se kanë rënë për arsye se vetë vlerësimi i remitencave është një vlerësim që bëhet me metoda të ndryshme statistikore, kështu nuk është ndonjë rrënjë që duhet të na shqetësojë. Natyrisht që do të duhej të presim. Varet tani edhe me ligjin për investime strategjike, i cili është në procedurë gjithashtu varet edhe stabiliteti politik dhe çfarë mesazhi do të dërgojmë ne jashtë”, tha Mustafa. Ndryshe, sipas raportit të BQK-së, rënia i IHD-ve në Kosovë u evidentua në sektorin e patundshmërive, sektor që shënoi vlerën prej 44.5 milionë euro 11.5 milionë euro më pak krahasuar me TM1 2015, pastaj sektori i shërbimeve financiare që kishte vlerën prej 14.1 milionë euro 7.4 milionë euro më pak krahasuar me TM1 2015. Në anën tjetër, sektorët e ekonomisë që u karakterizuan me rritje të IHD-ve ishin sektori i shërbimeve tregtare, sektori i transportit dhe sektori i bujqësisë. Vlera e IHD-ve në sektorin e shërbimeve tregtare arriti në 4.2 milionë euro 2.5 milionë euro më shumë krahasuar me TM1 2015, në sektorin e transportit 4.1 milionë euro 4.6 milionë euro më shumë krahasuar me TM1 2015, në sektorin e bujqësisë 0.8 milionë euro 0.6 milionë euro më shumë krahasuar me TM1 2015.
Kosovë, rritja e kredive ka ndikuar në uljen e normave të interesit
Shoqata e Bankave të Kosovës e ka organizuar forumin e hapur me teme: Sektori bankar dhe sistemi i zbatimit të kontratave në Kosovë, ku u tha se krahasuar me disa vite më herët numri i kredive është rritur gjë që ka ndikuar në uljen e normave të interesit. Zëvendësguvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, tha se normat e interesit nga dyshifrorë sa kanë qenë janë kthyer në një shifrore.
Kurse, përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Ruud Vermeule, tha se FMN është shumë e interesuar në zbatimin e kontratave përmbaruese pasi kjo ndihmon në rritjen e zhvillimit ekonomik. Kurse, kryetari i Shoqatave të Bankave të Kosovës, Petrit Balija, ka deklaruar se sistemi i përmbarimit në Kosovë ka ndikuar pozitivisht në sektorin bankar në vend.
Në konferencë kanë vazhduar diskutimet në mes të akterëve të bankave të Kosovës të cilët i kanë treguar hallet dhe problemet e tyre lidhur me zhvillimin e sistemit bankar në Kosovë.
Blerësi offshore me xhiro zero lekë jep 82 milionë euro për Rinasin
Autoriteti i Konkurrencës ka miratuar shitjen e Tirana International Airport tek Keen Dynamics Limited. Sipas informacionit të dhënë nga Autoriteti, blerësi kinez, i regjistruar në Ishujt Cayman ka pasur një xhiro zero me 2015, ndërsa kompania mëmë China Everbright Limited kishte një qarkullim vjetor prej 1.2 miliardë euro. Kompania tjetër mëmë, Fredman Pacific Asset Management, kishte një xhiro vjetore prej më pak se 100 mijë euro.
Në një njoftim zyrtar Autoriteti i Konkurrencës ka raportuar se do të monitorohet sjellja e ndërmarrjes së re në treg, sa i përket tarifave dhe shërbimeve të ofruara.
Autoriteti ka shpjeguar dhe skemën e blerësit. China Everbright Limites dhe Friedman Asset Management përfitojnë kontrollin në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës nëpërmjet shoqërisë Keen Dynamic Limited.
Keen Dynamic Limited në cilësinë e blerësit është një shoqëri e themeluar në 31 mars të këtij viti dhe që funksionon në bazë të legjislacionit të ishujve Cayman me seli në adresen: Offshore incoporation (Cayman) Limited, Willou House, Cricket Square e regjistruar me numër 309439. Objekti i shoqërisë është të ushtrojë biznesin e një shoqërie investimi dhe të veprojë si nxitës dhe sipërmarrës, të zhvillojë biznesin financiar, koncensionar, broker, tregtar, agjent, importues dhe eksportues dhe kryejë të gjitha llojet e operacioneve investuese, financiare tregtare etj.
China Everbright Limited në cilësinë e shoqërisë mëmë të blerësit është një shoqëri kineze, e cila është fokusuar në investime dhe menaxhime fondesh. Gjithashtu shoqëria nëpërmjet pjesëmarrjes në shoqëri të tjera është gjithmonë në zhvillimin e biznesit të qiradhënies së avionëve në Kinë dhe në tregje në zhvillim. Ajo është e listuar në Bursën e Hong-Kong që prej vitit 2014. Shoqëria zotëron indirekt 75% të kapitalit themeluar të blerësit.
Friedman Pacific Asset FPAM në cilësinë e shoqërisë mëmë të blerësit është një shoqëri e themeluar dhe që funksionon në bazë të legjislacionit kinez, me seli në Hong-Kong. Veprimtaria e saj fokusohet kryesisht në investime në industri të lidhura me aviacionin. Bizneset kryesore të shoqërisë përfshijnë qiradhënien e avionëve dhe investime në aeroporte. Gjithashtu shoqëria është aksionari kryesor i Aeroportit të Tuzuës në Francë. FPAM zotëron në mënyrë indirekte 25 për qind të kapitalit të blerësit.
Tirana International Airport në cilësinë e ndërmarrjes së shitur zotërohej deri para shitjes nga, Avi Allaiance GmbH, Deutche investitions und Entwicklungsgesellschaft (DEG).
Xhiro e blerësve për 2015:
China Everbright Limited 164,9 miliardë lekë (1.2 miliardë euro)
Fredman Pacific Asset Management 13 milionë lekë (93 mijë euro)
Keen Dynamics Limited (blrësi) 0 lekë
Blerësi i fundit 0 lekë
Tirana International Airport 4.9 miliardë lekë (35 milionë euro)
Tirana International Airport u shit për 82,2 milionë euro
Është 82.25 milionë euro shuma e shitjes së kompanisë Tirana International Airport, që menaxhon me koncesion Aeroportin e Rinasit, tek Grupi i shërbimeve financiare China Everbright me bazë në Hong Kong.
Sipas kontratës së shitblerjes, të parë nga “Monitor”, çmimi i shitjes është 82, 250, 000 euro. Kjo shumë është ndarë tek tre aksionerët aktualë të Tirana International Airport, sipas përqindjes së tyre përkatëse të aksioneve (DEG-Deutsche investitions-und Entwicklungsgesellschaft mbH-31.7%; Albanian-American Enterprise Fund “AAEF”-21.3%; AviAlliance GmbH-47%). Konkretisht: DEG- 26,073,250 euro, Avia – 38,657,500 euro, AAEF- 17,519,250 euro.
Grupi i shërbimeve financiare China Everbright me bazë në Hong Kong njoftoi zyrtarisht në 25 prill 2016 nënshkrimin e marrëveshjes për blerjen e të drejtave koncesionare në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.
Tirana International Airport është një nga kompanitë më fitimprurëse në vend. Në vitin 2015, ajo kishte një qarkullim vjetor prej 4.9 miliardë lekë, rreth 35 milionë euro.
Në 2015-ën, sipas të dhënave nga Kompania, fitimi arriti në 11.26 milionë euro, me një rritje prej 31% në krahasim me 2014-ën, ndërkohë që norma e fitimit arriti në 32%.
Në prill 2016, menjëherë pas arritjes së marrëveshjes së shitjes, përfaqësuesit e ortakëve të TIA-s miratuan në mënyrë unanime ndarjen e 15.5 milionë eurove dividend nga fitimet e mbajtura/akumuluara në shumën prej 5.5 milionë euro dhe fitimi i vitit financiar të vitit 2015, prej 11.26 milionë euro, ndërsa 1.25 milionë euro u la si fitim i mbajtur.
Konsorciumi Tirana International Airport (dikur Tirana Airport Partners), në vitin 2004 nënshkroi një marrëveshje koncesionare 20- vjeçare me qeverinë shqiptare për projektimin, financimin, ndërtimin, kryerjen, funksionimin, menaxhimin dhe zhvillimin e Aeroportit Ndërkombetar “Nënë Tereza”, Tiranë. Pak javë më parë, qeveria shqiptare arriti marrëveshje me Tirana International Airport për heqjen e eksluzivitetit të kësaj të fundit.
Sipas marrëveshjes së përbashkët, kompanisë Tirana International Airport i është dhënë menjëherë një zgjatje e Afatit të Koncesionit prej dy vitesh, duke mundësuar kështu hapjen e Aeroportit të Kukësit për fluturimet ndërkombëtare. Kjo do të thotë se Afati i Koncensionit do të shtyhet deri më datë 2027.
Frika gjermane nga vetmia
Christoph Hasselbach
Politikanët gjermanë zakonisht nuk duan të përzihen në debatin britanik. Ata druhen se me këtë do të forconin kampin e mbështetësve të daljes nga BE. Por ndërkohë, meqenëse në bazë të sondazheve të fundit një Brexit duket shumë i mundur, në Berlin po përhapet njëfarë paniku.
Zëvendëskancelari Sigmar Gabriel paralajmëroi në fillim të muajit për pasoja “dramatike” ekonomike dhe politike për të dyja palët, po të largohen britanikët nga BE. Kancelarja gjermane Angela Merkel u përpoq të shprehej në formë pozitive: “Unë personalisht dëshiroj që Britania e Madhe të mbetet pjesë e BE”. Deputeti gjerman i CDU-së, David McAllister, i cili ka edhe nënshtetësinë britanike, i tha DW:
“Një Bashkim Evropian pa Mbretërinë e Bashkuar me siguri nuk do të jetë një Bashkim Evropian më i mirë. Britanikët janë tradicionalisht një forcë shtyrëse në çështjet e tregut të brendshëm, në çështjet e tregtisë së lirë. Ata kanë një shërbim diplomatik të shkëlqyer dhe kanë forca të armatosura shumë të forta. Të gjitha këto janë argumente që Mbretëria e Bashkuar të mbetet në BE”.
Edhe shumica e popullit gjerman dëshiron t’i ketë edhe më tej në BE britanikët. Në një sondazh të porositur nga DW dhe të kryer nga instituti i sondazheve infratest-dimap në prill, 78 për qind e të pyeturve e mbështesin që britanikët të qendrojnë edhe më tej në BE. Kjo ishte vlera më e lartë ndër pesë shtetet evropiane, duke përfshirë edhe Britaninë e Madhe vetë.
Vlera të përbashkëta
Në Britaninë e Madhe, megjithë përçarjen ndaj BE ka mjaft simpati për qeverinë gjermane nën Kancelaren Merkel dhe për Gjermaninë në përgjithësi. Martin Callanan, ish-kryetar i Grupit Parlamentar Konservator dhe Reformist në Parlamentin Evropian dhe sot anëtar i Dhomës së Sipërme të Parlamentit Britanik ka thënë njëherë në një intervistë me DW: “Merkel është shumë e afërt me Cameronin kur bëhet fjalë për një sërë çështjesh të rëndësishme. Në çështjet ekonomike, kur bëhet fjalë për tregjet e hapura dhe tregtinë e hapur dhe për politikën e rreptë buxhetore, ne konservatorët kemi shumë të përbashkëta me Berlinin”.
Callanan pa madje një lloj aleance të natyrshme. Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania po “bëhen gjithnjë e më shumë dy udhëheqësit e Evropës Veriore, kurse Franca po bëhet udhëheqësja shpirtërore e Evropës Jugore”. Një shenjë tjetër e marrëdhënieve të ngushta edhe personale ishte që Merkeli qe e ftuar me të shoqin në rezidencën e Cameronit Chequers dhe Kancelarja nga ana e saj e ftoi të gjithë familjen Cameron për një fundjavë në Kështjellën Meseberg. Ky nder nuk i është bërë Presidentit Hollande as në Britaninë e Madhe, as në Gjermani ndonjëherë, megjithëse Franca konsiderohet partneri më i ngushtë i Gjermanisë.
Po sikur Britania e Madhe të dalë vërtet nga BE?
Nëse Brexit do të bëhet realitet, shumica e ekspertëve parashikojnë disfavore ekonomike për Britaninë e Madhe. Michael Kunert, drejtor ekzekutiv i infratest-dimap, që e bëri sondazhin e DW thotë se një “dalje e Britanisë së Madhe nga BE “do të ishte një sinjal për çintegrim të mëtejshëm të BE”. Për çdo rast, Gjermania do të humbiste një partnere në luftë për më shumë stabilitet ekonomik dhe financiar. Evropa do të bëhej më “jugore”. Ndërsa Guntram Wolff, nga Qendra Kërkimore Bruegel në Bruksel thotë: “Ne do të mbeteshim vetëm me të gjitha shtetet e Mesdheut që preferojnë të shpenzojnë para dhe me preferencën e tyre për rishpërndarje, dhe neve do të na duhet të paguajmë për ta. Kjo është frika e madhe”.
NATO i tregon forcën Rusisë në Baltik dhe Poloni
NATO është duke zgjeruar më tej praninë e saj ushtarake në krahun lindor, sidomos në vendet baltike dhe Poloni. Ministrat e Mbrojtjes të Aleancës po reagojnë me këtë ndaj kërcënimit që vjen sipas mendimit të tyre prej Rusisë, pas aneksimit të Krimesë dhe manovrave të vazhdueshme të mëdha në kufirin ukrainas. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha në takimin e ministrave në Bruksel se, është fjala për “zgjerimin më të madh të mbrojtjes kolektive që prej Luftës së Ftohtë”.
Ministri i Mbrojtjes i Lituanisë, Juozas Olekas, nuk e konsideron si të mundshëm një pushtim rus në vendet baltike, por thotë gjithashtu se, “ne nuk mund ta përjashtojmë këtë”. Ushtria ruse është në një gjendje të zhvillojë në kufijtë e saj manovra masive ushtarake dhe të kalojë prej tyre brenda disa orësh në një mision të vërtetë luftarak. Për më tepër, ministri lituanez i Mbrojtjes, Olekas vëren me shqetësim se, Rusia po armatos masivisht enklavën ruse të Kaliningradit që kufizohet me Lituaninë dhe me Poloninë.
Sidomos vendet e vogla baltike kërkojnë nga NATO-ja një prani të dukshme ushtarake në vendet e tyre. Tani aleanca do të paraqesë deri në fillim të korrikut një plan zyrtar për samitin e Varshavës.
Duket se në vendet baltike dhe Poloni do të dislokohen katër batalione shumëkombëshe të NATO-s. Çdo batalion do të ketë 800 deri në 1000 ushtarë, tha ambasadori amerikan në NATO, Douglas Lute. Gjermania, SHBA-ja dhe Britania do të drejtojnë nga një batalion. “Gjermania është e gatshme për të marrë përgjegjësi”, tha ministrja federale e Mbrojtjes Ursula von der Leyen.
Po ashtu, NATO do të forcojë edhe praninë në Detin e Zi, sidomos në Rumani. “Për juglindjen do të ketë oferta sipas nevojës”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg. Ai mendon kryesisht për shtimin e stërvitjeve të një brigade shumëkombëshe, por ende jo ende për stacionimin e trupave si në vendet baltike.
Putin zgjedh kryeprokurorin, nis burgosja e opozitarëve

Disa aktivistë opozitarë rusë janë paraburgosur përkohësisht përballë Dhomës së Lartë të Parlamentit rus derisa Prokurori i Përgjithshëm, Yuri Chaika, është betuar për një mandat të dytë pesëvjeçar.
Aktivistët kanë mbajtur pano ku shkruhej: “Përkrahja për Chaika është përkrahje për Tsapoks”, duke iu referuar kështu Tsapok Gang, që fajësohet për zhvatje si dhe disa vrasje dhe vjedhje në një zonë ruse të quajtur, “Krasnodar Krai”.
Lideri opozitar rus, Aleksei Navalny, e ka akuzuar Chaika se ka lidhje me bandën famëkeqe që në vitin 2010 tronditi me vrasjen e 12 personave brenda një nate.
Policia ruse liroi aktivistët opozitarë pas disa orësh. Në muajin dhjetor, Fondacioni Kundër Korrupsionit i Navalnit, e ka akuzuar Chaikan dhe dy djemtë e tij për korrupsion dhe përfitim të jashtëligjshëm të shumave të mëdha të parave. Chaika, që ka qenë në këtë post nga viti 2006, pasi është rikonfirmuar në të njëjtin post, ka thënë se një nga themeluesit e “Hermitage Capital”, William Browder, britanik i lindur në SHBA, qëndron prapa “gënjeshtrave” që thuhen për të dhe familjen e tij.
Browder ka akuzuar zyrtarët e taksave në Rusi se kanë kryer mashtrime të mëdha, mashtrime këto që janë zbuluar nga avokati i tij, Sergei Magnitsky, i cili më pas vdiq në burg në vitin 2009, pasi nuk iu dha ndihma e duhur mjekësore. Browder është dënuar në mungesë në vitin 2013 për evazion fiskal nga një gjykatë në Moskë, me 9 vjet në burg.
Akuzat e “Wikileaks”
Kryeprokurori i Rusisë, Yuri Chaika, i konsideroi “delirime” spekulimet e “Wikileaks”, mbi bashkëpunimin e tij me inteligjencën amerikane. Në një material të zbuluar nga faqja që ka publikuar disa qindra mijëra dokumente të klasifikuara amerikane, figuronte edhe një email të një agjencie me lidhje të ngushta me CIA-n, që përfshinte “pikëpamjet” e Chaikas, në lidhje me luftën e klaneve të interesave brenda Kremlinit.
Zëdhënësi i kryeprokurorit deklaroi se, publikimi i këtyre materialeve në këtë moment ka si qëllim të vetëm destabilizimin e Rusisë, përpara zgjedhjeve të ardhshme presidenciale.
Megjithatë, spekulimet janë përcjellë gjerësisht në mediat ruse dhe mund të dëmtojnë rëndë pozitat e tij zyrtare, raporton TCH.
Në dokumentin e zbuluar, i cili i përket vitit 2009, përflitet një përkatësi e qartë e Chaika me klanin e drejtuar nga ish-ideologu i Kremlinit, Vladislav Surkov, i njohur gjerësisht si “eminenca gri” në sferat drejtuese të Moskës zyrtare.
Sipas dokumentit, ky klan ishte i përfshirë në një luftë të ashpër për pushtet ndaj grupit të udhëhequr nga zëvendëskryeministri Igor Sechin dhe Shefi i Shërbimeve të Sigurimit, Nikolai Patrushev.
Neuer nuk i trembet Polonisë
Manuel Neuer nuk i trembet takimit kundër Polonisë. Portieri i skuadrës së Kombëtares Gjermane u shpreh optimist për takimin kundër polakëve. Neuer paralajmëron dhe mbrojtjen Die Manschaft të tregohet e kujdesshme, pasi shoku i tij i skuadrës te Bayern Munich, Robert Lewandowski mund t’i ndëshkojë ata në çdo moment. “Takimi kundër Polonisë është shumë i rëndësishëm për ne. Ndaj Ukrainës hasëm pak vështirësi, por në fund ia dolëm. Sigurisht që në takimin e radhës vëmendja duhet të jetë më e madhe, veçanërisht për sulmuesin e tyre Robert Lewandowski. Duke qenë se prej vitesh luajmë bashkë, ia njoh aftësitë dhe në çdo moment ai mund të na ndëshkojë dhe për ta shmangur një gjë të tillë duhet që vëmendja të jetë maksimale”.
Më tej, Neuer foli dhe për idhullin e tij, portiertin e Kombëtares italiane, Gianluiggi Buffon”, u shpreh Neuer. Ai u shpreh me superlativa për paraqitjen e tij kundër Belgjikës. “E kam deklaruar gjithnjë se Giggi është një lider, jo vetëm për mua, por për çdo të ri që aspiron të ngelet në histori. Edhe pse 38 vjeç, ai vazhdon të ketë një rendiment të lartë”, tha ai.
Në fund, gardiani kampion bote foli dhe për skuadrën e trajnerit Antonio Conte. Ai u shpreh se, një Kombëtare si ajo e Italisë nuk mund të nënvlerësohet kurrë. “Personalisht, nuk i kam nën vlerësuar kurrë. Përpara takimit kundër Belgjikës, të shumtë ishin ata që i kritikonin, por në fushë u pa një skaudër solide, e cila mbron shumë mirë”, tha Neuer.
Nga na tjetër edhe Lewandowski është shprehur se nuk i trembet Gjermanisë. Polonia duhet të luajë pa frikë kundër Gjermanisë. I këtij mendimi është sulmuesi i Bayern Munchen, Robert Lewandowski. Bomberi është i vetëdijshëm që kundërshtari i radhës paraqet një rrezikshmëri shumë të lartë për të besuarit e trajnerit Adam NaWalka, por shton se mund të ndodh dhe çudia dhe të jenë polakët ata që do të hedhin një hap të sigurt për fazën me eliminim direkt të “Euro 2016”. Pavarësisht kësaj, Lewandowski paralajmëron skuadrën e tij se i pret një ndeshje e vështirë ndaj Gjermanisë dhe se përqendrimi duhet të jetë maksimal.
“Do të jetë një ndeshje speciale. E njohim mirë Kombëtaren e Gjermanisë, pasi jemi ndeshur dy herë me ta gjatë kualifikueseve. Sigurisht, që Pancerat janë favoritë, jo vetëm për takimin kundër nesh, por edhe për ta fituar këtë kompeticion. Por pavarësisht rivalit që kemi përballë, ne do të tentojmë të bëjmë maksimumin, pasi gjithçka është e mundur në një turne si ky. Duhet të ruajmë qetësinë gjatë ndeshjes dhe te jemi të kujdesshëm në çdo moment. Duhet të luajmë pa frikë dhe nëse ndodh kështu, jam i sigurt tek suksesi i skuadrës tonë”, u shpreh Lewandowski.
Mesazhi është i qartë, sulmuesi i Bayern Munich kërkon fitoren ndaj Die Manschaft. Polonia e nisi grupin C të Euro 2016 me fitoren 1-0 ndaj Irlandës së Veriut falë një goli të realizuar nga Milik.
Ozil i qetë përballë kritikave
Mesut Ozil nuk e shqetësojnë kritikat në drejtim të tij. Mesfushori i Kombëtares së Gjermanisë u shfaq i qetë përsa i përket kritikave për një paraqitje të dobët në takimin kundër Ukrainës, të fituar me rezultatin 2-0 nga ana e Die Mannschaft. Për 27-vjeçarin e rëndësishme është që njeriu që i ka besuar çelësat e mesfushës, pra trajneri Joachim Low të mbetet i kënaqur nga paraqitja e tij:
“Komentet e njerëzve nuk më interesojnë qofshin këto negative ose pozitive. Për mua rëndësi ka opinioni i trajnerit, pasi është ai që më jep detyrat mbi atë çka unë duhet të bëj në fushën e lojës. Më ka dhënë besim dhe ky fakt më pëlqen, gjithashtu dhe skemat e tij kanë treguar se janë të sukseshme”.
Më tej, mesfushori Ozil foli dhe për takimin ndaj Ukrainës dhe në lidhje me ecurinë e skuadrës së tij në “Euro 2016”.
“Ndeshja ndaj Ukrainës ishte më e vështirë nga çfarë e menduam, por në fund arritëm të merrnin tre pikë shumë të rëndësishme. Nuk më pëlqen të shkoj larg me parashikimet, pasi ne i marrim ndeshjet një e nga një”.