31.5 C
Tirana
E hënë, 18 Gusht, 2025

Pescara kërkon Ajetin, por problemi qëndron te paga

E ardhmja e Arlind Ajetit mund të vazhdojë të jetë në Serinë A italiane. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, i cili është aktualisht pa kontratë pas rrëzimit të Frosinones në Serinë B, kërkohet nga shumë skuadra teksa sëfundmi listës së ekipeve që duan të kenë shërbimet e ish-lojtarit të Baselit u është shtuar edhe Pescara. Klubi abrucez i sapongjitur në Serinë A e pëlqen së tepërmi Ajetin, pasi drejtuesit e Pescarës shikojnë te 22-vjeçari shqiptar, një futbollist që mund të përforconte shumë prapavijën e skuadrës së tyre. Por sipas asaj që raportojnë mediat që qëndrojnë pranë klubit bardhekaltër për Pescarën nuk do të jetë e lehtë të firmosë me Arlind Ajetin, sepse për kuqeziun interesohen gjithashtu edhe Lazio e Torino dy klube me një potencial më të fuqishëm ekonomik.
Falë paraqitjeve të tij në sezonin e fundit me fanellën e Frosinones, teksa në 16 ndeshje të zhvilluara gjithsej shënoi dhe 1 gol, Arlind Ajeti është shndërruar në një futbollist shumë të kërkuar në Serinë A. Nëse pranon ofertën e Pescarës, mbrojtësi mund të luajë në të njëjtën skuadër me shokun e tij në kombëtare Ledian Memushaj gjithmonë, nëse ky i fundit nuk i jep lamtumirën klubit abrucez, pasi për të kanë shfaqur interes Bologna dhe Empoli. Te Pescara kanë nisur të përshpejtojnë, për të bindur Arlind Ajetin pasi kanë frikë se futbollisti mund të kërkojë një pagë shumë herë të lartë, nëse interesi i Torinos dhe Lazios është konkret për të. Aktualisht 22-vjeçari është i impenjuar me kombëtaren shqiptare në Euro 2016, por shumë shpejt Arlind Ajeti edhe se te cila skuadër do të jetë e ardhmja e tij.

Ronaldo thumbon Islandën: Mendova se fituan europianin

Cristiano Ronaldo nuk arrin ta gëlltisë barazimin e Portugalisë së tij në ndeshjen debutuese kundër Irlandës. Në një intervistë dhënë për gazetarët, luzitani ironizoi me festën e ishullorëve pas ndeshjes së Saint-Ettiene.
“Pasi festuan në atë mënyrë, mendova se fituan europianin. Ishte e pabesueshme. Provuam në çdo mënyrë për ta fituar ndeshjen dhe Islanda nuk tregoi asgjë në fushë. Për mendimin tim, kjo tregon mentalitetin e ngushtë që kanë ata si një skuadër e vogël dhe në këtë europian nuk do të bëjnë asgjë. Është normale që jam i hidhëruar, pasi nëse ke një skuadër të fortë dhe krijon më shumë raste dhe nuk fiton ndihesh keq. Gjithsesi, futbolli është i tillë. Do të luajmë edhe dy ndeshje dhe kemi shumë besim se do t’ia dalim mbanë”, u shpreh Ronaldo.
Ronaldo luajti ndeshjen e 127 me fanellën e Portugalisë, duke barazuar rekordin e Luis Figos, por ai nuk preferoi të ndalej në këtë fakt, duke shtuar se Islanda nuk bëri asgjë tjetër, veçse parkoi autobusin përpara portës. Në këtë aspekt, statistikat i japin të drejtë numrit 7, pasi skuadra e Santos e goditi portën 26 herë, duke treguar se është një skuadër si pak të tjera në këtë europian.
“Provuam të bënim ndeshjen tonë, por ata u mbrojtën me të gjithë skuadrën. Nuk duhet të alarmohemi dhe nuk jemi aspak të shqetësuar, sepse Islanda e gjeti golin me të vetmen goditje në portë. Unë personalisht jam mirë fizikisht, por mendoj se do të përmirësohem pas çdo takimi për të arritur formën optimale”, tha ai.
Portugalia do të rikthehet në fushë të shtunën, pasi do të sfidojë Austrinë në ndeshjen e dytë të Grupit F.

Islanda debutuese i jep një leksion Portugalisë

Një leksion për Shqipërinë para Francës vjen nga Islanda, kur ke më pak talent se kundërshtarët duhet t’ju kundërvësh organizim e grintë. Kështu mund të ndodhë që Cristiano Ronaldo futbollisti më i pasur në botë, që fiton 20 milionë euro në vit, të ndalet nga një skuadër që e gjitha vlen 30 milionë euro. Portugali-Islandë përfundoi 1-1 duke e konfirmuar grupin F si atë të surprizave. Ishulli i vogël në veri të Europës, debutues në një Europian shkruan historinë.
Turma blu në stadium ishte impresionuese, Islanda ka pak më shumë se 332 mijë banorë dhe thuajse 2% e tyre i ka hipur një avioni për Francë. Kështu të shtyrë dhe nga entuziazmi i tifozëve, skuadra e Lagerback e nisi ndeshjen mirë, duke e detyruar Rui Patricios t’i vihet menjëherë punës përballë Sigurdssonn, por Portugalia ka shumë kualitet për të qëndruar, duke parë dhe Nani detyron portierin Halldorson të bëjë mrekullinë në të 21, ndërsa Ronaldo shfaqte me një goditje me kokë në të 23, por mbi të gjitha 3 minuta më pas, kur gabon në mënyrë të pabesueshme teksa gjendet i vetëm në zonë. Për fat, Portugalia mund të shënojë dhe kur ylli i Realit ngec dhe Gomes i dhuron Nanit një asist perfekt për të shënuar golin numër 600 të historisë së europianëve.
Islanda gjithsesi nuk  shpërqendrohet, dhe në minutën e 50 në krosin e Gudmundsson nga e djathta Vierinha nuk është në pozicion dhe lë të vetëm Bjarnason që shënon golin e barazimit.

Ka ende shumë kohë që Portugalia të gjejë avantazhin, por luzitanët rishfaqin problemet e vjetra, me Islandën që reziston deri në fund dhe Ronaldos nuk i mbetet veçse të nevrikoset. Deri më tani që nga Myller e Ibrahimoviç, e deri te Griezman, Harry Kane apo Lewandowski ky nuk ka qenë europiani i yjeve.

Del Bosque drejt largimit, refuzon sërish rinovimin

Presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit, Angel Maria Villar, ka bërë një tentativë të fundit për të bindur Vicente Del Bosquen që të qëndrojë në detyrën e trajnerit të “La Rojas” edhe pas “Francë 2016”. Villar nuk dëshiron ta emërojë pasuesin e Del Bosques para zgjedhjeve të reja në federatë që do të mbahen në muajin nëntor. Mirëpo 65-vjeçari ia ka bërë të qartë, ka vendosur t’i përkushtohet familjes së tij dhe se nuk ka ndërmend të nisë përgatitjet për fazën kualifikuese të Botërorit “Rusi 2018”, e më pas një tjetër trajneri të vijojë punën e tij.
Gjithsesi, Villar nuk heq dorë, i ka ofruar të paktën dy herë rinovimin trajnerit nga Salamanca, i cili ka rezistuar, duke refuzuar. Nëse do të qëndrojë, këtë do ta bëjë pa asnjë interes të veçantë, pra, pa qenë aspak nevoja që të nënshkruajë kontratë. De Bosque është i bindur se epoka e tij në krye të la Rojas duhet të mbyllet në përfundim të këtij Europiani, teksa do të tërhiqet nga çdo aktivitet futbollistik.
Del Bosque është në krye të Spanjës që nga viti 2008, kur pasoi të ndjerin Aragones, që sapo kishte fituar Europianin me La Rojan. Sukseset e përfaqësueses iberike vijuan edhe në dy turnetë pasardhës në botërorin “Afrikë e Jugut 2010” dhe “Euro 2012” në Poloni dhe Ukrainë. Pavarësisht dështimit dy vite më parë në Brazil që në fazën e grupeve të botërorit, Del Bosques iu besua kombëtarje dhe për “Euro 2016”.

Vija e kuqe dhe vizat e bardha të Ramës

Rama doli dy ditë më parë në konferencë për shtyp dhe përcaktoi si “vijë të kuqe” për Reformën në Drejtësi, vendet e rezervuara. “Kurrë mos u bëftë, se unë nuk votoj për vendet e rezervuara”, tha Rama. Ndryshe nga dy ditë më parë, dje Rama ndryshoi qëndrim dhe përcaktoi një tjetër “vijë të kuqe”.
Vizat e bardha të kokainës duket  se e bëjnë të harrojë shpejt ndryshimin e vijave të kuqe, që nuk janë të heroinës. Me një pamje të egërsuar dhe me kruajtje të vazhdueshme, Rama doli sërish dje në konferencë shtypi për Reformën në Drejtësi. “Vija e kuqe”  dje nuk ishin më vendet e rezervuara, por “Vetingu”, procesi i skanimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve.
Rama po kërkon që të bëjë vetë kontrollin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe të përjashtojë ata prokurorë dhe gjykatës që nuk pëlqen nga sistemi. Nëse kjo do të ndodhte, do të ishte një kapje  e pastër politike e produktit të kësaj Reforme në Drejtësi.
Komisioni i Venecias është i prerë në këtë pikë dhe përcakton qartë se procesi do të jetë i njëjtë si me vendet e rezervuara. Etja e Ramës për të pasur nën kontroll Dejtësinë nuk njeh limit, mirëpo ai e di se presioni nuk është më mbi opozitën për të pranuar Reformën në Drejtësi, por mbi Ramën për të pranuar rekomandimin 88 të Venecias.
Në këtë pikë nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë pakt me Ramën. Asnjë lëshim për një monstër që është lëshuar si histerik mbi një gjyqtar që pezulloi Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, të kapur në flagrancë me përgjimet.
Që Rama të bëjë kodoshin, duhet të paktën të përfaqësojë shumicën e duhur për ndryshimin e Kushtetutës, gjë të cilën nuk e ka më. Aleat i tij në qeverisje, Meta u prononcua publikisht në favor të raportit të Venecias dhe pa votat e LSI, Ramës i duhet të bëjë llogari për të blerë më shumë se 32 deputetë.
Rama është sot padron i vetëm 62 votave në Parlament. Këto vota nuk mjaftojnë as për të qenë Kryeministër jo për të bërë një Reformë në Drejtësi që kërkon 94 vota. Me 62 vota nuk mund të përcaktosh vija të kuqe vetëm nëse je nën efektin e vizave të bardha.

Shtajnamajer-Ramës: Reforma në Drejtësi me opozitën

Ministri i Jashtëm gjerman, Frank Walter Steinmeier i bëri të qartë Ramës dje në konferencën e përbashkët për shtyp se Reforma në Drejtësi duhet të miratohet detyrimisht me konsensusin e opozitës.
Shefi i diplomacisë gjermane ka theksuar se për Reformën në Drejtësi, e cila siç citoi ai është produkt i konsulencës së Komisionit të Venecias ka nevojë për mbështetjen e opozitës.
“Jemi tanimë në fazën e një dritareje të hapur të mundësive të dhëna dhe shpresoj shumë që forcat politike në vend të mund të gjejnë gjuhën e përbashkët që të mbërrijnë në përmbushjen e pritshmërive të Komisionit Europian përsa i përket përmbylljes së reformës në sistemin e drejtësisë.
Mendoj që jemi në një pikë ku Shqipëria nuk kishte qenë kurrë më parë, pra, ka bërë një pjesë të madhe të rrugës së saj, jemi përpara një produkti, i cili nuk vjen si produkt vetëm shqiptar, por vjen si një produkt në konsulencë me Komisionin e Venecias, sikurse dhe me ekspertë të  mirënjohur ndërkombëtarë.
Unë shpresoj që forcat politike të mund të gjejnë kurajën për të marrë vendimet e duhura në këtë kontekst dhe shpresoj që në kuadër pikërisht të përmbushjes së kësaj reforme do të nevojitet edhe mbështetja konkrete e opozitës. Është në interes të të gjithë qytetarëve shqiptarë, në interes të një të ardhmeje sa më transparente që kjo reformë të përmbyllet pikërisht në funksion të luftës kundër korrupsionit”, tha Steineier.
Ai bëri të ditur se Gjermania ndjek nga afër situatën në Shqipëri.
“Me shumë kënaqësi do të kishim dashur të vijonim bisedat tona për sportin dhe për ndeshjet e Kampionatit Europian të futbollit, por ajo ç’na ka shtyrë realisht të vijmë këtu, sigurisht kanë qenë gjëra më të rëndësishme sesa kaq. Nuk është sekret nëse them se, Shqipëria gjendet në një fazë mjaft vendimtare të procesit të anëtarësimit të saj në Bashkimin Europian.
Do të doja të përsërisja edhe një herë, me shumë kënaqësi, atë çka thashë sot, gjatë konferencës për shtyp me ministrin e Jashtëm, Gjermania ka vërtet një respekt mjaft të madh përsa i përket rrugës së reformave që është ndërmarrë dhe që është mbërritur të realizohet deri më tani në Shqipëri. Ne ndjekim me interes mjaft të madh në veçanti reformat që janë zhvilluar në sektorin ekonomik, që patjetër do të sjellin pastaj në investime edhe më të suksesshme të investitorëve dhe sipërmarrjeve gjermane këtu në Shqipëri.
Steinmeier vuri theksin tek rëndësia që ka krijimi i një sistemi të besushëm drejtësie edhe për investitorët e huaj.
“Por sigurisht, më tepër interes do të kishim që Shqipëria të ndjekë dhe të gjejë rrugët e veta për krijimin e një shteti, e një sistemi sa më demokratik e sa më të qëndrueshëm. Pikë kyçe në këtë kontekst do të ishte lufta kundër korrupsionit, shoqëruar me reformën në sistemin e drejtësisë. Nuk është hera e parë, sigurisht që diskutohet për këtë tematikë kaq të rëndësishme, por tanimë ndodhemi në një fazë mjaft vendimtare. Në vjeshtën e këtij viti, Komisioni Europian do të shqyrtojë pritshmëritë e veta përkundrejt Shqipërisë, nëse ato janë plotësuar apo jo dhe këtu, reforma në sistemin e drejtësisë luan një rol deçiziv”.

Gjici 275 milionë për sigurinë e godinës së OSHEE në Burrel

Safet Gjici, ish-prefekt i Kukësit dhe një nga eksponentët e PS ka marrë këto ditë nga OSHEE më shumë se 275 milionë lekë për ruajtjen fizike të ndërtesave të OSHEE në Burrel. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka shpallur fitues të tenderit kompaninë e Gjicit “Eurogjici Security” shpk pa asnjë konkurrent tjetër. Skandali është zbuluar nga “citynews”. Në vijim të denoncimeve të tenderave me hije dyshime, “citynews” sjell rastin e një tenderi të fituar me 100% të fondit limit.
Bëhet fjalë për “Shërbim sigurie për ruajtjen fizike të ndërtesave, aseteve, njerëzve dhe pronave të Drejtorisë Rajonale të OSHEE sh.a, Burrel”, me fond limit 27,534,649 lekë pa TVSH. Tenderi në fjalë është fituar nga subjekti “Eurogjici Security” shpk, i cili ka paraqitur ofertën 27 534 439.03 lekë pa TVSH. Pra, tenderi është fituar me 99.9999% të vlerës.
Por ky nuk është elementi i vetëm që përbën skandalin e radhës të OSHEE-së. Siç duket edhe nga dokumenti, fituesi i tenderit praktikisht është ofertuesi i vetëm në garë. Kjo pasi ofertuesi tjetër nuk ka paraqitur ofertë, duke çuar automatikisht në shpalljen fitues të subjektit “Eurogjici Security”.
Safet Gjici është një nga themeluesit e “Eurogjici Security”, si dhe aktualisht drejtues teknik në këtë kompani. Ai ishte kandidat i Partisë Socialiste në zgjedhjet lokale të vitit 2016 në Kamëz, ku humbi përballë rivalit Xhelal Mziu. Para se të kandidonte për Bashkinë e Kamzës, Gjici ka qenë prefekt i Kukësit, i emëruar më 27 mars 2014.
Ky nuk është rasti i parë që OSHEE, me porosi të Ramës i jep Safet Gjicit miliona lekë pa tender për ruajtjen e objekteve. Deri tani, gjatë këtyre tri viteve, Gjici ka përfituar pa tender më shumë se 10 miliard lekë, për shërbimin e ruajtjes dhe sigurisë fizike.
Safet Gjici, pronar i dy kompanive “Eurigjici Security” dhe “Kevin Construction” është në krye të listës së përfituesve të tenderave qindra milionësh nga pushteti i Ramës. Nga një investigim i thjeshtë në portalin Open Data, rezulton se vetëm përmes një kompanie, asaj të ndërtimit, “Kevin Construction”, Gjici brenda këtyre viteve ka përfituar një shumë stratosferike prej afro 8 miliardë lekësh. Konkretisht, në vitin 2014, kompania e Gjicit, “Kevin Construction” ka përfituar 328,868,569.00 lekë ose 3.3 miliardë lekë të vjetra. Ndërsa për vitin 2015, e njëjta kompani ka përfituar 266,771,273.44 lekë tendera ose rreth 2.7 miliardë lekë të vjetra.
Nga ana tjetër, Gjici ka përfituar tendera qindra milionësh me kompaninë tjetër të tij, “Eurogjici”. Brenda dy viteve, përmes kompanisë “Eurogjici Security”, Gjici ka zhvatur edhe dy miliardë lekë të tjera. Konkretisht, në vitin 2014, “Eurogjici” ka fituar 80,400,714, pra 800 milionë lekë të vjetra. Ndërkohë që gjatë vitit 2015, “Eurogjici” ka përfituar plot 1 miliard lekë (101,525,562). Pra, në total me të dyja kompanitë e tij, Gjici brenda këtyre dy viteve ka marrë nga Rama rreth 8 miliardë lekë tendera. Rama e ka përdorur Gjicin prej kohësh për financimin e fushatave zgjedhore dhe blerje votash derisa në zgjedhjet e kaluara vendore e bëri edhe kandidat të PS për Bashkinë e Kamzës.
Nuk janë të pakta rastet e denoncuara për Gjicin për blerje votash, ku tashmë Rama këtë shërbim po ia shpërblen atij me tendera qindra milionësh. Pak kohë më parë në media u denoncua se si kompania tjetër e Gjicit, “Eurogjici Security” kishte futur në xhep plot dhjetë tendera, duke fituar qindra miliona lekë. Mediat zbuluan dokumentet e 10 tenderave që Rama i dha kandidatit të tij për kryetar bashkie të Kamzës, Safet Gjici, gjatë fushatës zgjedhore të 21 qershorit të 2015 për blerjen e votave. Mediat kanë zbuluar 10 tenderat që i janë dhënë Gjicit pa konkurrim vetëm në 30 ditët e fushatës zgjedhore, ku kompania e Gjicit ka marrë përmes Komisionit të Prokurimit, jo pak, por 620 milionë lekë.

U falsifikua firma e gjyqtarit të vrarë për 89 ha tokë në Zvërnec

Prokuroria e Vlorës ka sekuestruar 89 hektarë tokë në Zvërnec, e cila është përvetësuar pas falsifikimit të firmës së gjyqtarit të vrarë, Skerdilajd Konomi. Në bazë të hetimeve të Prokurorisë së Vlorës, rezulton se trualli 89 hektarë në zonën e Zvërnecit është regjistruar në Hipotekën e Vlorës, në bazë të dokumenteve të falsifikuara dhe nëpërmjet një procesi gjyqësor njohjeje prone, tërësisht fiktiv, ku rezulton në bazë të një vendimi gjyqësor të vitit 2003, dhënë nga gjyqtari Skerdilajd Konomi. Prokuroria e Vlorës e ka konstatuar tërësisht fiktiv këtë vendim, pasi në kohën e dhënies së vendimit, i ndjeri Konomi nuk ka qenë në atë kohë gjyqtar.
Në një njoftim për mediat thuhet se, Prokuroria e Vlorës ka sekuestruar 89 hektarë tokë në zonën e Zvërnecit, me vlerë rreth 110 milionë euro sipas çmimeve zyrtare, e dyshuar se është përfituar në mënyrë të paligjshme nga shtetasi Raimond Mezi. Skema e përdorur në këtë rast është realizuar në të njëjtën mënyrë dhe nga të njëjtët persona, të cilët kanë regjistruar në mënyrë të paligjshme edhe 220 hektarë truall të sekuestruar tashmë, në zonën e Karaburunit. Në vijim të hetimeve, Prokuroria ka kërkuar caktimin e sekuestros preventive mbi këtë sipërfaqe, kërkesë e cila është pranuar nga ana e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
Në bazë të hetimeve të Prokurorisë së Vlorës, rezulton se trualli 89 hektarë në zonën e Zvërnecit është regjistruar në Hipotekën e Vlorës, në bazë të dokumenteve të falsifikuara dhe nëpërmjet një procesi gjyqësor njohjeje prone, tërësisht fiktiv.
Në kuadër të hetimit, Prokuroria e Vlorës ka sekuestruar praktikën e njohjes dhe më tej regjistrimit të kësaj prone. Nga aktet hetimore, rezulton se shtetasi Raimond Mezi është njohur me vendim gjyqësor si pronar i sipërfaqes 89 hektarë, në bazë të një vendimi gjyqësor të vitit 2003, dhënë nga gjyqtari Skerdilajd Konomi.
Prokuroria e Vlorës e ka konstatuar tërësisht fiktiv këtë vendim, pasi, në kohën e dhënies së vendimit, i ndjeri Konomi nuk ka qenë gjyqtar.
Nga sekuestrimi i dosjes gjyqësore, që i përket vendimit të mësipërm nr. 2217, datë 29.12.2003 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, rezulton se kjo dosje pasi është falsifikuar është bërë pjesë e arkivit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë. Ky fakt provohet edhe nga sekuestrimi i numëratorit civil të vitit 2003, ku duket qartë se janë shtuar në këtë libër të dhënat e vendimit të mësipërm gjyqësor. Pra, del qartë se është përdorur i njëjti mekanizëm që është përdorur për të falsifikuar dhe pastaj bërë pjesë të arkivit edhe dosjen gjyqësore që i përket vendimit nr. 1360, datë 29.12.2000 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, lidhur me sipërfaqen 220 ha tokë në Karaburun, si dhe nga të njëjtët persona.
Gjithashtu rezulton se edhe vendimi nr. 100, datë 19.04.1996 i ish-KKKP-së Bashkia e qytetit Vlorë, në emër të subjektit të shpronësuar Jakup Mezi (paraardhës i Raimond Mezit), si dhe nota e transkriptimit, në favor të shtetasit Jakup Mezi, që janë paraqitur në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë, janë dokumente të falsifikuara.
Po ashtu, nga hetimi provohet se pasuria e përshkruar në vendimin e mësipërm të falsifikuar është regjistruar pranë ZVRPP Vlorë nga personi nën hetim Blerina Dhrami.
Nga hetimi është provuar se pas regjistrimit të pasurisë së mësipërme mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara janë kryer veprime tjetërsimi, duke kaluar e gjithë pasuria në emër të personave të tretë.
Nga hetimi i deritanishëm, rezulton qartë se pasuria e paluajtshme me sipërfaqe 89 ha, regjistruar fillimisht në emër të shtetasit Raimond Mezi është produkt i veprave penale të parashikuara nga nenet 186/2 dhe 248 të Kodit Penal. Kjo pasuri është regjistruar mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara, si dhe në kundërshtim me Ligjin nr. 33/2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” e udhëzimet përkatëse. Rezulton se në lidhje me këtë pasuri janë kryer veprime juridike tjetërsimi, me qëllim fshehjen e origjinës së pasurisë, e cila është produkt i veprave penale të parashikuara nga nenet 186/2 dhe 248 të Kodit Penal.

Berisha: Rama shiti Rroshin për të mbrojtur veten për përgjimet e kundërshtarëve

Kryeministri Edi Rama, Kryetari bashkise se Durresit, Vangjush Dako dhe Kryetari bashkise se Kavajes, Elvis Roshi, gjate ceremonise se mberritjes se makinerive dhe tubave te pare ne Shqiperi, te projektit te gazsjellesit TAP, prane Spitalles ne Durres./r/n/r/nAlbanian Prime Minister Edi Rama, Mayor of Durres Vangjush Dako and Mayor of Kavaja, Elvis Roshi, delivers a speech during the ceremony of arrival of first pipes of Trans-Adriatic Pipeline in Spitalle, near Durres, Albania, 18 April 2016. Trans-Adriatic Pipeline, TAP project, will cross Albanian territory before running undersea to Italy.

Ish kryeministri Berisha deklaroi dje se Rama shiti Rroshin për të mbrojtur veten për përgjimet e kundërshtarëve politikë. “Edvin Shullazi shiti sot në mënyrë spektakolare Ervin/Elvis Rroshin, kriminelin e tij të dobishëm që vetëm tre muaj më parë, tre orë pasi pa u tha boja e vizitës shumë të rëndësishme të sekretarit të Shtetit, John Kerry, i cili do të përgëzonte Shqipërinë për ligjin e dekriminalizimit, Edi Rama do të turrej në Kavajë e do të dilte triumfator dhe krenar me Elvis/Ervinin e tij, si për t’i thënë sekretarit të Shtetit se, ajo që thatë për dekriminalizimin për mua nuk ka vlerë apo vlen më pak sesa Rroshi, i cili është dhe simboli im i suksesit ose për t’i thënë Rroshit dhe shqiptarëve mos gaboni të kujtoni se Rroshi është një kriminel ose po menduat kështu mos harroni se ai është krimineli im i dobishëm!
Për ironi të fatit të zi të Ervin/Elvis/Enver… Rroshi, sot përsëri, fiks tre orë pas vizitës shumë të rëndësishme të ministrit të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Shtajnmaier, Edi Rama, në vend se t’i premtonte mikut të shquar votimin sipas Venecias të Reformës në Drejtësi, do të dilte në media përsëri për Rroshin e tij, por kësaj radhe për ta shitur atë dhe mbrojtur menderen e tij.
Kështu, për kriminelin e tij të dobishëm Rroshi, Rama tha se: “Nuk kam asnjë koment sepse nuk bëj pjesë tek ata që kur nuk i pëlqen për arsye politike apo të tjera diçka, përdor politikisht pozicionin e tyre për të sulmuar. Por nënvizoj që çështja duhet të zbardhet me drejtësi dhe përgjegjësi të plotë, ashtu siç kam thënë edhe për çështjet e tjera”. Por kur erdhi puna për menderen e tij në aferën e skandalit të përgjimit banditesk të Presidentit të Republikës dhe kundërshtarëve politikë me urdhër të tij, Edi Rama ishte tani krejt tjetër. Kështu, për pezullimin nga detyra nga gjykata të mercenarit të tij Çako dhe arrestimin e dy kriminelëve të dobishëm me uniformë të tij, Rama tha:
“Ne nuk mund të heshtim kur shikojmë ndodhira që kapërcejnë kufijtë e arsyes siç është ndodhia me drejtorin e Policisë së Shtetit, i pezulluar pa prova e fakte apo me dy drejtuesit e tjerë. Besoj se nuk kam asnjë ekuivok. Unë jam gjithmonë fuqimisht me gjithë zemër në mbështetje të çdokujt dhe sigurisht në radhë të parë të çdo anëtari apo anëtareje të familjes tonë deri në momentin që ata kanë diçka për të provuar diçka para drejtësisë”.
Me këtë rast dua t’i them Edvin Kristaq Ramës se oficerët mercenarë janë ndëshkuar nga drejtësia për faj tëndin dhe se mëshira dhe vëllazëria jote për ta, në të vërtetë është identike me atë që ndjen për Rroshin, por je i detyruar t’i mbrosh ata se një ditë mund t’i zëvendësosh në qeli për krimin e shëmtuar që ke konsumuar me përgjimin e Presidentit të Republikës, kryetarit të opozitës, diplomatëve të huaj, kundërshtarëve politikë të tjerë, artistëve, gazetarëve, analistëve, madje dhe qindra qytetarëve të thjeshtë” shkruan Berisha në reagimin e tij.

Meta: Jo Reformë në Drejtësi pa opozitën

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta deklaroi dje se Reforma në Drejtësi duhet të miratohet me konsensusin e opozitës. Në përgjigje të interesit të medias, Meta tha: “Të zgjidhet me urgjencë, me transparencë, me koherencë, sepse nuk e ka Shqipëria luksin të miratojë një Reformë në Drejtësi pa opozitën, në rast se opozita vërtetë është e sinqertë në dhënien e konsensusit të saj dhe kërkon që këto garanci substanciale të mos cenojnë besueshmërinë e institucioneve të reja”. I pyetur në lidhje me  referendumin e deklaruar nga Rama në lidhje me Reformën në Drejtësi, Meta e cilësoi atë si qesharak. “Këtë histori me referendum e kemi dëgjuar që në fillim dhe na është dukur shumë absurde, sepse nuk kemi dëgjuar ndonjë aktor politik në vend të thotë, që nuk e do Reformën në Drejtësi deri tani.
Mund të kemi dëgjuar individë, por nuk kemi dëgjuar ndonjë aktor politik.  Natyrisht që ka patur dhe ka një mosbesim të thellë, midis palëve të ndryshme, për sinqeritetin dhe principalitetin e aktorëve, për garantimin vërtetë të një sistemi të ri të drejtësisë, jo vetëm me integritet dhe të pakorruptuar si deri tani, por edhe të pakapur politikisht në të ardhmen, qoftë si deri tani, qoftë edhe më keq. Kështu që për referendumin unë kam vetëm këtë qëndrim. LSI e mbështet idenë e referendumit dhe ai ka kuptim vetëm në një rast, duke patur në konsideratë situatën e deritanishme dhe angazhimin publik të kryetarit të PD-së, z. Basha se ata kanë vetëm një çështje, që kërkojnë të zgjidhet sipas rekomandimeve të Venecias.
Dhe nëse ajo çështje zgjidhet sipas standardeve të Venecias, ata do ta votojnë këtë Reformë Kushtetuese për Drejtësinë në Kuvendin e Shqipërisë. Pra, në rast se PD edhe në momentin që edhe çështja e vetme e mbetur zgjidhet me dialog, me kompromis sipas standardeve të Venecias apo standardeve më të mira ndërkombëtare dhe më pas ngre një çështje tjetër apo sajon një pretekst tjetër, me qëllim që të mos japë konsensusin për Reformën në Drejtësi, atëherë LSI-ja beson që kjo do të ishte demonstrimi i qartë i mungesës së tyre të vullnetit politik dhe i papërgjegjshmërisë dhe njëkohësisht i domosdoshmërisë për të votuar këtë reformë edhe pa opozitën në Kuvendin e Shqipërisë dhe më pas për t’i dhënë më shumë legjitimitet, për të ftuar qytetarët shqiptarë që do të shpreheshin për të. Në kushtet aktuale kur për një çështje, për të cilën Komisioni i Venecias është shprehur që duhet të jene garanci substanciale për opozitën, pavarësisht nga forma që rekomandohet apo që duhet gjetur, të shkosh në referendum vetëm për këtë çështje, më duket se është jo vetëm absurde, por mendoj se është edhe qesharake” tha Meta