26.5 C
Tirana
E hënë, 18 Gusht, 2025

Rama refuzon paragrafin 88, Bylykbashi: Komisioni nuk mund të miratojë reformën

Deputetët demokratë kanë braktisur mbledhjen e Komisionit të posaçëm për Reformën në Drejtësi për shkak të refuzimit të shumicës për të diskutuar paragrafin 88 të raportit final të Venecias. Nënkryetari i Komisionit, Oerd Bylykbashi, tha se Komisioni nuk mund të miratojë as nen për nen dhe as në tërësi draftin për Reformën në Drejtësi.
“Komisioni nuk ka asnjë mundësi të miratojë nen për nen dhe as në tërësi. Negociatat nuk mund të zhvillohen me pistoletë në tryezë. Ose mazhoranca kërkon të vazhdojë negociatën ose mazhoranca kërkon të mbajë status quo-në që ka, kapjen e procesit nëpërmjet një drafti tërësisht të njëanshëm”, tha Bylykbashi.
“Asnjë draft deri më sot nuk reflekton atë që thotë Komisioni i Venecias. Zgjidhje politike për këtë çështje të vetme të mbetur. Pa u zgjidhur kjo, çdo gjë tjetër nuk ka asnjë vlerë para Parlamentit shqiptar”, tha deputeti demokrat.
Bylykbashi tha se topi është në oborrin e Kryeministrit dhe se shumica nuk duhet të bëjë asgjë më shumë se të pranojë rekomandimin 88 të Venecias. Bylykbashi tha se çdo tentativë tjetër e njëanshme për të detyruar miratimin e ndonjë drafti që nuk reflekton zgjidhjen politike për këtë çështje të vetme të mbetur, vetëm dëmton procesin e negociimit dhe arritjen e kësaj zgjidhjeje.
“Ka vetëm një çështje që mbetet për t’u zgjidhur që është vendimmarrja për emërimin e organeve kolegjiale të sistemit të drejtësisë, e vetmja çështje që opozita ka propozuar pikë më pikë me paragrafin 88 të Komisionit të Venecias. Kemi bërë propozimin, jemi në negociata. Çdo tentativë tjetër e njëanshme për të detyruar miratimin e ndonjë drafti që nuk reflekton zgjidhjen politike për këtë çështje të vetme të mbetur, vetëm dëmton procesin e negociimit dhe arritjen e kësaj zgjidhjeje.
Mazhoranca duhet të bëjë vetëm një gjë, të pranojë germën 88 të raportit final të raportit të Venecias. Sot topi është në oborrin e Kryeministrit, ajo që thotë Komisioni i Venecias të katër organet kolegjiale të miratohen në mënyrë të tillë që të garantohet përfaqësimi i opozitës. Asgjë më pak dhe as më shumë. Nuk kërkon asgjë më shumë opozita, nuk do të pranojë asgjë më pak sesa kjo. Çdo gjë tjetër çon në kapjen politike të procesit të Reformës në Drejtësi dhe produktit të reformës, përfshirë Vetingun”, u shpreh deputeti demokrat.

Asnjë pakt me Ramën pa ‘Venecian’, vëllazëria me krimin të pranojë rekomandimin 88

Lulzim BASHA

Edi Ramës i pëlqejnë fjalët e mëdha dhe shprehjet bombastike. E dëgjuat sapo mbylli një fjalim 45 minutash. U tha gjithçka, por nuk iu përgjigj disa pyetjeve kryesore, në fakt një pyetjeje kryesore.
I pëlqejnë shprehjet figurative, metaforat, por në fakt ajo që i mbetet njeriut jo vetëm në politikë, por veçanërisht në politikë, nuk janë fjalët, janë veprat. Cili është modeli i Edi Ramës?! Çfarë i ofroi Shqipërisë në këto 3 vite, tani që kjo mazhorancë ka nisur muzgun e saj me një Shqipëri në krizë ekonomike, me qindra, mijëra shqiptarë në eksod apo me dëshirë për eksod, në situatë totale pasigurie për biznesin, për qytetarët, me krimin në pushtet të kurorëzuar në fron, në Parlament e në bashki.
Çfarë u ofroi shqiptarëve?!
Modeli i Ramës për bashkitë është Enver Rroshi sepse paska pasur edhe një emër tjetër, i hetuar jo vetëm për përdhunim, por edhe për drogë e pastrim parash nga DEA amerikane. Modeli i Edi Ramës për paratë e shqiptarëve, për doganat është Elisa Spiropali. Me 5 milionë euro pasuri krekoset para bashkëpunëtorëve të saj. 400 milionë euro u kanë vjedhur shqiptarëve vetëm vitin e kaluar. Modeli i Edi Ramës për shëndetësinë është Ilir Beqaj me 350 milionë euro koncesione të ndara me miq për shërbime që nuk jepen kurrë dhe spitale pa ilaçe e të katandisura më keq se në Mesjetë. Për ekonominë modeli është “Beni Charter” që do të japë Skavicën pa tender e bën pazar me pasuritë publike. Për rendin modeli është Tahiri i një mijë e një lidhjeve me krimin, që bashkëbisedon me vrasësit në zyrën e tij, që jep makinën e tij private si taksi droge Habilajve dhe tani përgjues i paligjshëm.
Atëherë më thoni qytetarë të dashur, cili do të jetë modeli i Ramës për drejtësinë?! Çfarë modeli ka ndërmend ky njeri për drejtësinë?!
Është e kuptueshme që ka të njëjtin model, të korruptuar, të kapur e të urdhëruar prej tij. Modelin që do ta ndihmojë, do ta ushqejë dhe do ta mbajë të paprekur modelin e tij qeverisës me krimin e korrupsionin, modelin e regjimit të tij që po i merr frymën çdo shqiptari demokrat e socialist.
Ndaj PD ka marrë përgjegjësinë e saj dhe unë si kryetar i opozitës kam marrë përgjegjësinë time dhe jemi investuar pikërisht për një Reformë në Drejtësi, që nuk e mbron, por e lufton krimin dhe korrupsionin.
Kush ndihet i kërcënuar me këtë reformë?! Unë, kryetar i opozitës që i denoncoj këto afera ditë për ditë me fakte dhe argumente të pakundërshtueshme?! Apo shefi i zullumit?!
45 minuta, 45 minuta me figura bombastike, një përgjigje nuk dha madje i iku 10 herë nenit 88. Nuk e lexoj tha. Ia kam lexuar unë dy herë në takim dhe në konferencë. Me siguri po na ndjek tani dhe po e lexoj për herë të tretë.

Komisioni i Venecias nuk mund të zëvendësohet nga asnjë autoritet tjetër

Rekomandimi 88 i opinionit final të Komisionit të Venecias, arbitrit të vetëm për Reformën në Drejtësi, për Tiranën, për Brukselin, për Uashingtonin, do apo s’do ti. “Nëse palët në procesin politik nuk pranojnë shumicën e cilësuar të kërkuar për anëtarët e gjyqtarët të katër institucioneve” jo të dy, pra të katër institucioneve “ata do të zgjedhin një sistem propocional që garanton përfaqësimin e opozitës në organet kolektive ose çdo model tjetër të përshtatshëm që do të ndikonte sigurimin e opozitës në procesin e përzgjedhjes”.
Po këta çfarë janë?! Seksioni i Partisë Demokratike në Venecia? Dega jonë në Venecia janë këta?! Klubi i shokëve të mi studentë në Venecia janë këta?!
Jo, mo jo, ky është Komisioni i Venecias. Nuk ekziston për t’i dhënë kontroll politik Lulzim Bashës mbi sistemin e drejtësisë, por ekziston për të mbrojtur sistemin e drejtësisë në Shqipëri dhe kudo vend tjetër nga kontrolli politik i qeverisë dhe në këtë rast nga kontrolli politik i Edi Ramës.
E kupton shumë mirë këtë ai. Është kapur si pas fijes së kashtës pas atyre që duan të zëvendësojnë Venecian. Unë u jam shumë mirënjohës të gjithë atyre që kanë ndihmuar për këtë reformë. E kam mirëpritur dhe e mirëpres ndihmën e tyre në të ardhmen. Por ta harrojë çdokush se mund t’i mbivendoset apo të zëvendësojë Komisionin e Venecias. Në Republikën e Shqipërisë e katandisur kështu siç e ka katandisur kjo qeveri, për fat ka një opozitë dhe një kryetar opozite që i përmbahet standardeve perëndimore të demokracisë. Dhe ky standard më dikton hapur pa asnjë dilemë t’i them çdokujt se standardi i artë është Komisioni i Venecias dhe nuk mund të zëvendësohet nga asnjë autoritet tjetër në faqen e rruzullit tokësor.
Këtë Edi Rama e di shumë mirë dhe mendon se do t’ia hedhë me fjalë.
Dhe atij i pëlqejnë fjalët e bukura. Vende të rezervuara tha që nuk jap, por përfaqësimin proporcional për dy organet është gati ta japë. Hajde tani ta interpretojmë këtë. A nuk tha të njëjtën gjë dje?! A nuk është ky një pranim i pjesshëm i rekomandimit 88-të?! Këtë thotë ky rekomandim që ky thotë që nuk e kam lexuar megjithëse ia kam lexuar ditën e hënë, javën e kaluar.
Pra, e pranon, por për dy dhe jo dy të tjera. Këtu është vija e kuqe?! Për çfarë?! Që të vendosësh ti se cilët gjyqtarë janë të korruptuar e cilët jo?! Që të vendosësh ti se cili prokuror është i korruptuar dhe cili jo?! Ta them që tani se prokurori që heton Erion Velinë për dosjen e falsifikimit të firmës është i pakorruptuar se, nuk po e zbardh. Ky që vendosi arrestimin e dy drejtorëve të policisë dhe pezullimin e këtij tjetrit për përgjimin, për të cilin po bën çdo gjë, ky është i korruptuar. Gjykata Kushtetuese që vendos heqjen e mandatit të Koço Kokëdhimës kërcënohet dhe i thuhet prit se po vjen Reforma në Drejtësi. Pse?! Sepse ligjin e zbatoi, por jo siç e donte Edi Rama. Ky është problemi.

Rama të mos përzjejë Italinë me skandalin e përgjimit

Dhe së fundmi, mos e përziej Italinë në skandalin e përgjimit. Skandali i përgjimit është i yti, i Saimir Tahirit dhe i kokave të turkut që urdhërove për të përgjuar në mënyrë të paligjshme. Për këtë ne do të qëndrojmë fuqishëm deri në zbardhjen e plotë dhe vënien para ligjit çdo personi përgjegjës. Mos e përziej Italinë në këtë aferë, se është aferë e jotja 100%. Sigurisht do të vazhdosh ta përziesh më pas Italinë, Europën, Amerikën, Kombet e Bashkuara, Nauru, Vanuatu, por përgjegjësisë për megaskandalin e përgjimit nuk ke për t’i ikur dot dhe as nuk ke për ta tregtuar dhe bërë pazar me rastin e Reformës në Drejtësi.
Së fundmi, qytetarë shqiptarë, siç u kam thënë në këto ditë e javë, dua t’u them edhe sot. Partia Demokratike është gati të miratojë që sonte draftin kushtetues. E vetmja që na ndan është rekomandimi 88-të që ai nuk do apo bën sikur nuk do ta lexojë. Arbitri ka folur. Partia Demokratike e ka pranuar dhe i vetmi që nuk e pranon është Edi Rama. Arsyet: brotherhood of crime.

Pse Rama nuk pranon Venecian?

Vëllazëri. Brotherhood. Nuk ka vëllazëri Partia Demokratike me askënd tjetër përveçse me demokratët, opozitarët dhe qytetarët që mezi presin largmin e qeverisë tënde që i ka zënë për fyti. Ti ke vëllazëri, Brotherhood of crime. Rroshin, Bushin, Prengën, Ndokën, Frrokun 1, Frrokun 2, Cubin e dhjetëra të tjerë që po dalin ditë për ditë. Kjo është vëllazëria jote. Në emër të saj çirresh, në emër të saj shkruan hartime të gjata pa arritur t’i përgjigjesh një pyetje të vetme. Pse nuk pranon atë që Venecia e përcakton si normë të moskapjes politike të drejtësisë nga ty sot e çdo Kryeministër nesër e pasnesër. Kujt i djeg miza nën kësulë?!
I gënjeve prapë shqiptarët kur ju the se duhet që radiologët të jenë transparentë, profesionalë dhe të pavarur. Por këtë kërkoj edhe unë. Çështja është: këta radiologë transparentë, profesionalë dhe të pavarur do t’i zgjedhësh ti të gjithë?! Apo do t’i zgjedhim së bashku pasi të kemi garantuar që gjithsecili prej tyre përmbush kriteret dhe kontrollin strikt në daç edhe ndërkombëtar të integritetit. Ama këta që kanë kaluar këtë kontroll s’mund t’i zgjedhësh vetëm zotrote. S’ta them unë, por ta thotë 88-ta që ti nuk do ta lexosh.
Shqetësues është fakti që sot nuk pate guximin t’i kërkosh ndjesë shqiptarëve për mynxyrën e në veçanti kavajasve, për mynxyrën që u bërë me Rroshin. Kjo tregon se je i paaftë të pendohesh, kjo tregon që nuk pendohesh dhe kjo tregon se pa pendesë nuk ka reflektim dhe pa reflektim nuk mund të ketë përmirësim.
Ndaj sot nuk ke folur as si Kryeministri i shqiptarëve dhe madje as si kryetari i partisë më të madhe aktualisht në mazhorancë, por si avokat i Rroshit. Asgjë tjetër nuk të pengon ty t’i shtrish dorën opozitës dhe të pranosh rekomandimin e Venecias, përveç avokatisë së krimit, përveç frikës së tmerrshme që ke se pa këtë avokati del qartë jo si njeri, por si kreu i brotherhood of crime, vllaznisë së krimit.

Nëse trafikohet qoftë edhe një mandat i opozitës, opozita do djegë mandatet

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti dje në një takim ministrin e Jashtëm gjerman, Frank Walter Steinmeier. Basha shprehu mirënjohjen për kontributin e Gjermanisë dhe të ministrit Steinmeier për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe Pavarësinë e Kosovës, kohë në të cilën mbante postin e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë.
Basha i bëri të ditur ministrit të Jashtëm gjerman se opozita e drejtuar prej tij ka shprehur me vepra dhe jo me fjalë mbështetje të plotë për procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Ndryshe nga opozita e djeshme e drejtuar nga Rama, e cila bllokoi për tre vjet statusin për vendin kandidat, unë personalisht, theksoi Basha, kam kërkuar tek çdo qeveri dhe tek çdo drejtues i familjes së Partisë Popullore Europiane mbështetje për dhënien e statusit kandidat Shqipërisë.
Kryetari i Partisë Demokratike shprehu shqetësimin për gjendjen e rëndë në vend si rezultat i lidhjeve të pushtetit aktual me krimin dhe promovimit dhe mbështetjes nga Kryeministri Edi Rama të personave me rekorde kriminale në Parlament, në bashki e në poste të larta të administratës shtetërore.
Për këtë Basha solli si shembull rastin e kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshi, për të cilin një vit më parë partnerët ndërkombëtarë i kërkuan Edi Ramës të mos e kandidonte pasi ishte i dënuar në Zvicër e Itali për trafik droge e vepra të tjera kriminale. Rama injoroi thirrjet edhe publike të ndërkombëtarëve, duke e kandiduar. Për të mbrojtur këta persona me rekorde kriminale zvarriti për një vit ligjin e dekriminalizimit dhe kur ky u miratua e sfidoi hapur duke u shfaqur në publik me Rroshin e kryebashkiakë të tjerë që janë subjekt i ligjit të dekriminalizimit.
Duke iu referuar korrupsionit, situatës fiskale dhe të sigurisë ligjore, z. Basha solli në vëmendje raportin e Dhomës gjermane të Industrisë dhe Tregtisë, e cila rendit Shqipërinë në vendin e fundit në rajon ku investitorët gjermanë do të donin të investonin.
Një tjetër fakt i paraqitur nga kreu i opozitës është edhe numri i lartë i azilkërkuesve shqiptarët, të cilët janë renditur të dytët në Gjermani pas sirianëve dhe të parët në Holandë. Faktori kryesor i këtij eksodi masiv të qytetarëve shqiptarë është pasiguria si rezultat i simbiozës krim-pushtet dhe rënies së shtetit ligjor.
Kreu i Partisë Demokratike e njohu ministrin e Jashtëm gjerman me presionin e jashtëzakonshëm që Kryeministri Edi Rama ushtron ndaj gjyqësorit. Këtë e dëshmon ndër të tjera rasti i ish-deputetit Kokëdhima, i cili kishte përfituar në kundërshtim me ligjin fonde publike. Edi Rama refuzoi ta dërgonte për hetim dhe pasi u detyrua nga opozita ta bëjë këtë, ushtroi një presion të jashtëzakonshëm ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke i kërcënuar publikisht edhe pas vendimit të marrë nga ata për heqjen e mandatit të Kokëdhimës. Një rast tjetër flagrant i presionit të papranueshëm ndaj gjyqësorit është edhe rasti i përgjimeve. Pas nisjes së hetimeve dhe dhënies së masave të para nga gjykata për drejtues të lartë të Policisë së Shtetit të përfshirë në këtë krim, Edi Rama kërcënoi hapur gjyqtarin duke e quajtur atë killer.
Një vend të veçantë në takim zuri Reforma në Drejtësi.
Që në nisje të reformës, theksoi zoti Basha, mazhoranca ka bërë gjithçka që të kapë politikisht sistemin. Kjo u faktua edhe nga Venecia, e cila rrëzoi draftin e parë të mazhorancës në plot 38 pika, duke e konsideruar si një propozim që çonte në kapje politike të drejtësisë. Ndonëse Partia Demokratike i kërkoi mazhorancës të ulen dhe të miratojnë një draft të përbashkët, kjo u refuzua nga mazhoranca, e cila solli edhe një draft të dytë të njëanshëm. Sërish Venecia faktoi shqetësimet e opozitës për kapjen politike, ndër të cilat edhe Byroja Kombëtare e Hetimit, të cilën Edi Rama e donte nën varësinë e ministrit të Brendshëm.
Falë rolit të opozitës sot kemi një draft të përmirësuar dhe të dakorduar me përjashtim të një çështjeje: atë të zgjedhjes së institucioneve të reja. Partia Demokratike ka kërkuar zbatimin e plotë të rekomandimit 88 të Venecias për këtë çështje. Edi Rama nuk ka demonstruar vullnet për të pranuar zbatimin e rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias mbi moskapjen politike të drejtësisë.
Pavarësia e sistemit të drejtësisë është një parim pa të cilin nuk mund të ketë reformë, ndaj reformë me kapje politike të sistemit nuk mund të ketë. Ndaj në takimet me Ramën dhe Metën kam parashtruar një dhe vetëm një kërkesë nënvizoi kreu i opozitës: zbatimin e plotë të rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias. Parimi duhet të pranohet për të gjitha institucionet, theksoi z. Basha, sepse një drejtësi nuk mund të jetë e pakapur nëse Kryeministri vendos se kush është i pastër dhe kush jo nga gjyqtarët dhe prokurorët. Kjo është refuzuar deri tani nga Edi Rama.
Kryetari i Partisë Demokratike i bëri të ditur ministrit të Jashtëm gjerman tentativën e Edi Ramës për të shantazhuar dhe blerë vota nga deputetët e opozitës për miratimin në mënyrë të njëanshme të Reformës në Drejtësi. Kjo, theksoi kreu i PD, do të jetë fundi i këtij Parlamenti. Basha rikonfirmoi para ministrit të Jashtëm gjerman qëndrimin e bërë publik se, nëse trafikohet qoftë edhe një mandat i opozitës atëherë opozita do të djegë mandatet dhe do t’i drejtohet qytetarëve.
Kryetari i PD theksoi se opozita ka demonstruar të gjithë vullnetin për të gjetur zgjidhje siç rekomandon Komisioni i Venecias në rekomandimin 88 dhe se zbatimi i tij i plotë për të katër institucionet e reja është rruga e miratimit të menjëhershëm të draftit kushtetues.
Në takimin me ministrin e Jashtëm gjerman zoti Basha u ndal edhe tek çështja e reformës zgjedhore. Kreu i demokratëve solli në vëmendje raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e vitit 2015-ës, ku theksohet se zgjedhjet nuk ishin as të lira, as të ndershme, pati shitblerje kartash identiteti, blerje vote, intimidim të votuesve dhe presion në qendrat e votimit nga persona me precedentë kriminalë, çka u faktua edhe nga përfaqësues të trupit diplomatik në Shqipëri. Në këto kushte, theksoi z. Basha, votimi dhe numërimi elektronik janë zgjidhja e vetme për t’i dhënë mundësi qytetarëve të shprehin të lirë vullnetin e tyre.

Vota pro me rekomandimin 88 të opinionit final të Venecias

Opozita e gatshme të votojë Reformën në Drejtësi nëse zbatohet i plotë, rekomandimi 88 i opinionit final të Komisionit të Venecias.
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka dalë me vendimin unanim të mbështetjes së miratimit në parim të draftit të ndryshimeve kushtetuese në funksion të Reformës në Drejtësi, me një dhe vetëm një kusht: Adoptimin dhe zbatimin e plotë, jo të pjesshëm të rekomandimit 88 të opinionit final të Komisionit të Venecias. Kjo ka të bëjë me moskapjen politike të drejtësisë. Moszbatimi i plotë i rekomandimit 88 e në veçanti sa i përket procesit të skanimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve do të thotë të dorëzosh drejtësinë, jo te një Kryeministër dosido, por tek Edi Rama që i quan “killer” gjyqtarët që hetojnë skenarët e përgjimit. Që ka frenuar deri më sot zbardhjen e falsifikimit të firmës nga Erion Veliaj. Që dekoron prokuroren që ndërpreu çështjen penale në ngarkim të Saimir Tahirit, për narkotaksinë e lidhur me Habilajt dhe që u bën fresk atyre që në vend që ta ndiqnin penalisht dhe ta çonin para drejtësisë Shullazin, Habilajt, “Hakmarrjen” e dhjetëra banda të tjera që bëjnë ligjin nga mëngjesi deri në darkë, ju bën fresk gjithë ditën, duke i siguruar akses në një drejtësi të shantazhuar politikisht.
Pra, Partia Demokratike ka një dhe vetëm një kërkesë, që në fakt është zotimi im dhe zotimi i Edi Ramës në Bruksel dhe Uashington. Zbatimin e plotë të rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias. Zbatimin e plotë të opinionit final të Komisionit të Venecias. Nuk kemi asnjë kërkesë tonën, asnjë kusht tonin, por zbatimin e plotë të rekomandimit final të Komisionit të Venecias. Nëse pala tjetër bie dakord, jemi gati ta miratojmë që sot draftin kushtetues.
Nëse pala tjetër nuk bie dakord, “Tungjatjeta!”, “Mirupafshim kur të bini dakord”.

Terror policor ndaj gjyqtarit Arjan Aliaj

Sali BERISHA

Edvin Shullazi nis kontrollin antiligjor, kriminal e policesk ndaj gjyqtarit Aliaj! Ai me mercenarë me uniformë merr pushtetin e KLD, Prokurorisë së Shtetit dhe ILDKP, konsumon kështu grushtin e shtetit brenda shtetit.
Të dashur miq, mediat sapo njoftuan se, me urdhër të Edvin Shullazit, Drejtoria e Krimit Ekonomik të policisë ka filluar hetimet ndaj gjyqtarit Arjan Aliaj për kontrollin e pasurisë së tij dhe për vendimet e dhëna nga ai në çështje pronash, bazuar në ankesat e qytetarëve. Duke mbështetur hetimin e cilitdo zyrtar, pa përjashtim, në përputhje me ligjin dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë akt të shëmtuar policesk që thyen ligjet dhe Kushtetutën e vendit.
Në Shqipëri ligjet parashikojnë hetimin e pasurive dhe veprimtarisë së çdo zyrtari. Në rastin e gjykatësve hetimi i vendimeve mund të bëhet vetëm nga institucioni kushtetues i Këshillit të Lartë të Drejtësisë në bashkërendim dhe me Ministrinë e Drejtësisë. Kurse pasuria e gjykatësve sipas ligjit hetohet nga ILDKP dhe Prokuroria e Shtetit.
Kushtetuta dhe ligjet e vendit mbrojnë çdo zyrtar dhe qytetar nga hetimi policesk i paautorizuar nga prokuror ose gjykatës.
Ngarkimi i policisë me hetimin e vendimeve gjyqësore të gjykatësit është akt antikushtetues banditesk, është marrje nga policia e pushtetit të KLD. Kurse hetimi i paautorizuar nga prokuror apo gjykatës i pasurive të gjykatësve apo zyrtarëve të tjerë subjekt i deklarimit të pasurive në ILDKP është krim i shëmtuar antikushtetues, është marrje nga policia e pushtetit të Prokurorisë dhe gjykatave, si dhe ILDKP.
Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë grusht shteti brenda shteti u bëj thirrje:
– Presidentit të Republikës të ndërhyjë me të gjithë forcën e Kushtetutës dhe ligjit që puçistët të marrin vendin e merituar.
– Prokurorisë së shtetit të vendosë urgjentisht para ligjit Edi Ramën dhe mercenarët e tij të sojit të trafikantit Ardian Çipa, që shkelin ligjet dhe Kushtetutën e vendit.
– Qytetarëve shqiptarë që të ngrihemi me guxim për të mbrojtur ligjin dhe Kushtetutën dhe të hedhim sa më parë puçistët dhe mercenarët e tyre aty ku e meritojnë, në koshin e plehrave!

Më 2015 DEA amerikane po hetonte Rroshin për trafik droge dhe pastrim parash

Në vitin 2015, kur Elvis Rroshi ushtronte mandatin e tij si kryetar i Bashkisë së Kavajës e madje ishte në garë për një mandat të dytë, DEA amerikane ka informuar autoritetet zvicerane se ata po hetonin një qytetar me emrin Enver Rroshi për trafik droge dhe pastrim parash dhe për këtë gjë Zvicra po kryen hetime të mëtejshme. Prokuroria urdhëroi të hënën arrestimin e Elvis Rroshit, kryebashkiakut të Kavajës, për akuzën e falsifikimit të dokumenteve, ku dhe në formularin e dekriminalizimit nuk ka treguar shumë prej veprave penale për të cilat dyshohet se ka kryer gjatë viteve 1990-2010 në Europë. Akuza thotë se në çështjen e kryebashkiakut të dorëhequr të Kavajës, Elvis Rroshi ka si prova kundër tij përveç formularit të vetëdeklarimit edhe dy shkresa të përcjella përmes Interpol Tiranës në të cilat autoritetet e huaja përcjellin informacion për të. Në përgjigje të 8 qershorit, Zvicra njofton Shqipërinë se ky shtetas njihet me emrat: Ervin Rroshi, Elvis Rroshi, Bashkim Hallulli, Enver Rroshi, Enver Proshi. Zvicra shton se në prill 1993, Roshi ka hyrë në mënyrë të paligjshme dhe ka kërkuar azil. Në datën 14 maj, ai është ndaluar nga Policia e Zyrihut për një rast të dyshuar droge. Prokuroria thotë se sipas homologëve duke qenë se ky rast ka 20 vjet nuk është bërë e mundur të sigurohen më tepër detaje. Zvicra shton se më datën 14 shtator 1993, Elvis Rroshi është dëbuar për në Shqipëri, ndërkohë që në korrik 1997 ai ka hyrë përsëri në mënyrë të paligjshme duke kërkuar sërish azil. Një muaj më pas me urdhër të Gjykatës së Zyrihut ai është dëbuar. Gjithashtu, sipas Prokurorisë Elvis Rroshi nuk ka deklaruar se është dëbuar nga shteti italian duke pasqyruar të dhëna të rreme. Prokuroria shton se autoritetet gjermane të drejtësisë në përgjigjen e tyre kanë theksuar faktin se sipas ligjit nuk lejohet transmetimi i të dhënave personale pa u informuar më parë mbi faktet ekzakte të këtij hetimi. Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi u arrestua të hënën me urdhër të gjykatës, pasi akuzohet se ka fshehur të shkuarën e tij kriminale në formularin e vetëdeklarimit. Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se Rroshi ka fshehur një dënim për përdhunim në Itali, dy dëbime nga Italia dhe Zvicra përgjatë viteve 1993-1995 dhe një arrestim të dytë në Zvicër në vitin 1997, me urdhër të Gjykatës së Shtetit të Zyrihut. “Nga të dhënat e deritanishme, janë siguruar informacione se shtetasi Elvis Rroshi ka përdorur pesë emra të ndryshëm në disa vende të Europës”, tha këshilltari për mediat i prokurorit të Përgjithshëm, Albi Serani. Hetimi për Rroshin nisi kryesisht nga Prokuroria e Tiranës më 1 qershor, pasi kryebashkiaku i shumëdiskutuar i Kavajës dorëzoi formularin e vetëdeklarimit, i detyrueshëm për t’u plotësuar nga një numër i madh zyrtarësh të lartë. Në formular, Rroshi kishte vetëdeklaruar vetëm një ndalim në Mynih të Gjermanisë, ndërsa në kuadratin e arsyes ai kishte shkuar “nuk më kujtohet”. Megjithatë, hetimi i thelluar i Prokurorisë së Tiranës ka zbuluar një skedë të pasur kriminale të kryebashkiakut të Kavajës. Sipas njoftimit të Prokurorisë, Rroshi nuk ka deklaruar dënimin e dhënë nga autoritetet italiane të drejtësisë për veprën penale të përdhunimit, të kryer në vitin 1995 në Campobasso, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikën 1 të formularit të vetëdeklarimit.

Dosja e Europol për dënimet e Roshit: Fillojnë në 1993 deri në vitin 2000

Agjencia e zbatimit të ligjit të Bashkimit Europian e njohur si EUROPOL-i, është institucioni që ka zbuluar të kaluarën kriminale të Elvis Roshit, kreut të Bashkisë së Kavajës.
Informacionet që EUROPOL-i ia ka dorëzuar Prokurorisë së Përgjithshme, kanë bindur këtë të fundit se kreu i Bashkisë së Kavajës, Roshi, ka konsumuar veprën penale të “falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve”. Vepër kjo e kryer pas plotësimit dhe dorëzimit të formularit të “dekriminalizimit” pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
“ABC News” ka siguruar një kopje të vendimit të gjyqtarit të masës Dritan Caka, i cili ka pranuar kërkesën e Prokurorisë, duke i caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Roshin. Në këtë vendim, thuhet se kreu i Bashkisë ka falsifikuar formularin e dekriminalizimit, pasi nuk ka deklaruar 5 emrat e ndryshëm që ka përdorur ndër vite në Europë. Nuk ka pasqyruar në formular, arrestimet, dëbimet dhe dënimet e marra nga drejtësia italiane dhe ajo e Zvicrës.
Sipas provave të sjella nga EUROPOL-i, kreu i Bashkisë së Kavajës njihet me 5 emra, si Elvis Rroshi, Ervin dhe Enver Rroshi, Bashkim Hallulli dhe me emrin Enver Proshi. Të pesë këto emra, kreu i Bashkisë i ka përdorur në vende të ndryshme të Evropës, emra për të cilët edhe është proceduar penalisht.
Sipas vendimit, e kaluara e tij kriminale ka nisur në prill të vitit 1993, kur Roshi ka hyrë ilegal në Zvicër, duke kërkuar azil. Vetëm pak ditë më pas, konkretisht më 14 maj 1993 është arrestuar nga autoritetet zviceriane me drogë. 4 muaj pas arrestimit, më 24 shtator të 1993, Roshi rezulton se është dëbuar me vendim të Gjykatës zviceriane, duke mos e dënuar për drogën, pasi dyshohet se mund ta kishte për konsum. Për të vazhduar më pas në vitin 1995 është arrestuar në Itali, për përdhunim në grup në një kamp emigrantësh të paligjshëm. Ditën e arrestimit ndaj tij është dhënë vendim dëbimi për t’u larguar nga Italia. Në korrik të vitit 1997 me gjeneralitete të ndryshuar, Roshi ka hyrë përsëri në mënyrë të paligjshme në Zvicër, duke kërkuar azil. Por një muaj më pas është arrestuar dhe është dëbuar përsëri nga shteti zvicerian. Po në vitin 1997, rezulton se është ndaluar nga policia italiane në Milano dhe është pyetur për akuzën e përdhunimit, ku Rroshi rezulton se ka bërë deklaratë të rreme, pasi kishte ndryshuar edhe gjeneralitetet. Po për të njëjtin fakt, Roshi është kontrolluar edhe në vitin 2000 për akuzën e vitit 1993 dhe më pas është lënë i lirë.
Sipas Prokurorisë, të gjitha këto të dhëna, si emrat e përdorura, arrestimet, dëbimet dhe dënimet Elvis Rroshi nuk i ka pasqyruar në formularin e deklarimit, për të cilën do të mbajë edhe përgjegjësi penale.

Mediat amerikane për arrestimin e Roshit: Fshehu dënimet për krime

Stacioni amerikan FoxNews ka dhënë lajmin e arrestimit të kryebashkiakut të Kavajës dje, duke vënë në dukje se është i pari zyrtar që u kap nga një ligj i ri që ka vetëm 6 muaj që ka dalë. “Prokurorët thanë se, kryebashkiaku i një qyteti shqiptar u arrestua për përdorimin e dokumentacionit të falsifikuar për të fshehur të kaluarën e tij kriminale.
Elvis Roshi, kryetari i Bashkisë së Kavajës, 50 km në perëndim të kryeqytetit, Tiranës, është zyrtari i parë që arrestohet bazuar në një ligj prej vetëm 6 muajsh, të antikorrupsionit që kërkon verifikimin e zyrtarëve publikë.
Në një deklaratë nga zyra e Prokurorisë së Përgjithshme, të hënën thuhej se Roshi, 41 vjeç, solli dokumenta falso që fshihnin dënimet e tij për krime në Itali dhe Zvicër në vitet 1990. Prokurorët thanë se ai ishte dënuar për përdhunim në Itali, por nuk dhanë hollësi të tjera.
Ligji i miratuar në dhjetor është konsideruar si një mjet i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit, një pengesë e madhe për ambicjet e Shqipërisë për t’iu bashkuar Bashkimit Europian.

Ushtarët e bindur në Byro nuk përjashtojnë Ramën

Byroja e Kuvendit ka rrëzuar kërkesën e PD për të përjashtuar me 10 ditë Kryeministrin Rama. Në përfundim të mbledhjes së Byrosë, nënkryetari demokrat i Parlamentit, Edmond Spaho tha se ushtarët e bindur të Ramës nuk përjashtuan Ramën. “ Ushtarët e bindur të Ramës kur kanë dënuar deputetët e opozitës sot vendosën që mos ta dënojnë Kryeministrin. Madje kur po diskutonin u duk se po propozonin që Kryeministrit t’i japim gojëmbëli i Parlamentit për fjalorin që iu drejtua opozitës në seancën parlamentare, ku e cilësoi tufë bagëtish në aleancë me forcat e errëta dhe të gjitha forcat që kundërshtojnë Reformën në Drejtësi. Në këtë debat, Rama ofendoi me fjalor banal jo vetëm opozitën, por edhe gjykatën dhe Prokurorinë duke i cilësuar përfaqësuesit e saj, trafikantë, kriminelë, horra, derdimentë, vrasës dhe një mori epitetesh të denja për fjalorin e një Kryeministri. Këto epitete gurgulluan edhe nga Ministria e Brendshme, të cilit kur i lirojnë të atin gjykatësit dhe prokurorët i duken engjëj, kurse kur i pezullojnë Hakiun, po këta njerëz i duken lugetër” tha Spaho.

Nishani dekoron ambasadorin grek, Rokanas

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani ka dekoruar ambasadorin grek në Shqipëri Leonidas  Rokanas  me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile”, si një vlerësim i veprimtarisë diplomatike dhe kontributit të dhënë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore mes dy popujve por edhe për kontributin e dhënë në proçesin e integrimit të Shqipërisë.
Në  ceremoninë e organizuar në presidencë morën pjesë ambasadorë të akredituar në Shqipëri  midis të cilëve ambasadori i SHBA-ve, Donald Lu, ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin , Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha,  si dhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.
Në fjalën e mbajtur para të pranishmëve presidenti Bujar Nishani vlerësoi punën e diplomatit Helen në vendin tonë përgjatë këtyre katër viteve.Ambasadori  Rokanas u dekorua në përfundim të misionit të tij në Shqipëri

Portugalia e Ronaldo-s ndalet nga Islanda 1-1

Surpriza, Hungaria mposht 2-0 Austrinë

Surprizon Hungaria. Kombëtarja maxhare e nisi në mënyrën më të mirë mundshme Europianin francez, pasi mposhti me rezultatin 2-0 në Bordeaux Austrinë një prej dy skuadrave favorite për tu pozicionuar në krye të grupit F. Një gol i Adam Szalai sulmuesit të Hannover 96-të dhe një tjetër finalizim në fund i mesfushorit Zoltan Stieber i dhanë tre pikët Hungarisë por mbi gjitha rritën shanset e ekipit të trajnerit Bernd Storck  për të avancuar në ruandin e 1/8-ave. Një fitore e arritur falë një loje kompakte në mbrojtje dhe efikasitetet në sulm ajo e Hungarisë ndaj Austrisë, sukses ky që mund të konsiderohet edhe si surpriza më e madhe e të gjitha ndeshjeve të para të fazës së grupeve.
Në Bordeaux Austria e Marcel Koller e nisi shumë mirë ndeshjen por fati nuk ishte me Das Team në sekondat e para pasi një goditje e David Alabas nga distanca u ndal nga shtylla, që i hoqi mundësinë futbollistin të Bayern-it, të realizonte golin më të shpejtë në këtë Europian. Në pjesën e parë ritmin e lojës e diktoi Austria, por në të 10-tën portieri Kiraly i tha jo golit të Alabas. Portieri 40-vjecar që është gjithashtu edhe futbollisti më i vjetër që merr pjesë në Euro 2016-të ishte në një ditë shumë të mirë dhe në të 35-tën ndali një tentativë shumë të rrezikshme të Junuzovic.
Pjesa e parë përfundoi në barazim pa gola, ndërsa në fraksionin e dytë Hungaria filloi ta hidhte më shumë vështirimin nga porta e Almer dhe në minutën e 62-të, Szalai përfitoi nga asisti i marrë Kleinheisler për të zhbllokuar shifrat. Gjërat u ndërlikuan akoma edhe më shumë për Austrinë, 4 minuta më pas kur Dragovic mori kartonin e dytë të vërdhë duke lënë të tijët me një lojtar më pak në fushë. Në superioritet numerik, Austria e kishte më të lehtë dhe në minutën e 87-të arriti të shënonte edhe golin e dytë me Zoltan Stiber i cili shfrytëzoi asistin e Priskin dhe një parabol mposhti për herë të dytë portierin Almer. Në Bordeaux gjithcka u mbyll me fitoren 2-0 të Hungarisë që me këtë suskes hodhi një hap të madh drejt fazës tjetër.
Portugalia u ndal në barazim 1-1 nga Islanda. Në minutën e 31, Nani kalon në avantazh Portugalinë që e mbylli pjesën e parë me fitore. Ndërsa në pjesën e dytë në minutën e 50 Bjarnason harrohet në zonë dhe dhuron një surprizë të madhe duke barazuar rezultatin, një gafe e pabesueshme e mbrojtjes portugeze që i dhuron një gol të tillë islandezeve, i pari në një turne të tillë.
Në minutën e 71-të është sërish Nani që i shkon shumë pranë golit të dytë, devijon me kokë por topi shkon ngjitur me shtyllën pingule. Në minutën e 84 Ronaldo kishte mundësinë më të mirë për të rikthyer Portugalinë në avantazh në minutën. Nani kroson në zonë, Ronaldo i pa markuar godet me kokë por ndalet nga portjeri Handerson.

Skandali me mbeturinat e Spitalit të Korçës, një i dënuar fiton tenderin

Në vijim të denoncimeve lidhur me tenderat pas të cilave dyshohet se fshihen afera korruptive, “citynews” risjell sërish në vëmendje fitimin e procedurave të prokurimeve publike nga Maksim Fejzulla, edhe pse është i kallëzuar penalisht nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve (ISHMP). I njohur për qytetarët korçarë si Maksi i plehrave, rezulton të jetë i kallëzuar në organet e drejtësisë në cilësinë e administratorit të kompanisë “Korsel” shpk, pasi sipas ISHMP-së, subjekti në fjalë nuk ka respektuar kontratën me Spitalin Rajonal të Korçës për përpunimin e mbetjeve spitalore.
Njoftimi i Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve mban datën 1 prill të këtij viti. “Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve, bazuar në Ligjin 10463, neni 52, datë 22.03.2011, ‘Për menaxhimin e integruar të mbetjeve’, ka gjobitur në masën 1.5 milionë lekë për kundërvajtje administrative, për moszbatim të rregullores për administrimin e mbetjeve spitalore Spitalin Rajonal të Korçës. Po ashtu, ka gjobitur po me 1.5 milionë lekë edhe kompaninë e licencuar, e cila ka kontratë me Spitalin e Korçës për përpunimin dhe trajtimin e mbetjeve spitalore, pas konstatimit se kompania ka pasur mbetje të papërpunuara. Nga ana e inspektoratit është proceduar gjithashtu me kallëzim pranë organeve të drejtësisë për administratorin e kompanisë”, thuhej në njoftimin e ISHMP.
Sipas një kërkimi të “citynews”, rezulton se Maksim Fejzulla ka vijuar të shpallet fitues në tenderat e institucioneve publike, qofshin qendrore apo lokale, edhe pse ai mund të jetë pjesë e një hetimi nga organet e drejtësisë. Siç duket më poshtë, “Korsel” shpk ka vijuar të ketë transferta nga Thesari i Shtetit edhe pas datës 1 prill 2016.
Në statistikat e siguruara nga “citynews”, rezulton se kompania nën administrimin e Maksim Fejzulla ka marrë 2.4 milionë lekë të vjetra për të larguar mbeturinat spitalore të Spitalit Rajonal Korçë, një shërbim ky që sipas ISHMP-së nuk është kryer.
Nëse llogarisim tranfertat e kryera nga Spitali i Korçës për “Korsel” shpk, për periudhën duke filluar vitin 2015 të plotë dhe deri në majin e këtij viti, kompania ka marrë 2,112,720 lekë të reja.