26.5 C
Tirana
E hënë, 18 Gusht, 2025

Maskat terror në Shkodër, grabisin 30 milionë lekë në një banesë

Maskat ushtrojnë terror në një familje në Shkodër. Kur ende nuk kishte perënduar dielli, dy persona të maskuar kanë hyrë në një banesë në lagjen “Naim Gjylbegu”, ku kanë dhunuar të zonjën e shtëpisë dhe kanë grabitur një shumë parash. Burime nga policia thanë se, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së hënës, në orën 20:20 minuta, kur dy personat e maskuar kanë hyrë në banesën e qytetarit me inicialet B. B., 53 vjeç.
Kur të maskuarit kanë hyrë në banesë janë përballur me gruan që ndodhej aty me inicialet S.B., të cilën e kanë terrorizuar duke e goditur me grushte e shkelma disa herë.
Pas kësaj, dy personat e maskuar kanë grabitur shumën prej 30 milionë lekësh dhe janë zhdukur. E moshuara ka njoftuar menjëherë policinë. Bëhet e ditur se policia ka mbërritur në vendin ngjarjes, por pa mundur të zbulojnë autorët e grabitjes. Policia bëri të ditur se ka nisur hetimet në lidhje me këtë ngjarje dhe po punon për identifikimin e autorëve të grabitjes, por ende nuk ka asnjë të dyshuar.
Ky nuk është rasti i parë i terrorit të maskave në Shkodër. Para disa ditësh, tri persona të maskuar dhe të armatosur kanë hyrë në shtëpinë e një çifti të moshuarish me qëllim grabitjen. Sapo janë futur në banesë maskat kanë dhunuar barbarisht të moshuarit, të cilët janë dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Burri ka pësuar dëmtime të rënda në kokë, pasi është goditur me qytën e pistoletës. Grabitësit pasi kanë marrë një shumë parash janë larguar me shpejtësi. Edhe për këtë rast policia nuk ka mundur të zbulojë autorët e grabitjes.
Grabitjet me maska janë kthyer në një tmerr për qytetarët në të gjithë vendin. Para disa ditësh tre persona të maskuar dhe të armatosur kanë grabitur një supermarket, pasditen e djeshme, në vendin e quajtur “Ura e Mifolit” në Vlorë. Tre personat e maskuar, njëri prej të cilëve i armatosur me një “Pistoletë”, janë futur në supermarket dhe pasi kanë marrë xhiron ditore, rreth 500 mijë lekë janë larguar menjëherë. Policia nuk ka mundur të zbulojë autorët e grabitjes.

Kokainë e pastër nga Shqipëria në Itali, arrestohen 16 shqiptarë

Një operacion i koduar “Arusha” ka vënë në pranga 16 shqiptarë në Itali, të akuzuar si pjesë e një bande që merrej me trafikimin e drogës. Sipas mediave italiane, organizata trafikonte lëndë narkotike nga Shqipëria në Itali, veçanërisht të llojit kokainë. Gjatë operacionit u sekuestrua 2 kilogramë kokainë, vlera e së cilës përllogaritet në rreth 1 milion euro. Sipas mediave italiane, lënda narkotike ishte fshehur në pyll, ndërsa numri gjithsej i personave të dyshuar është 34. Trafiku i kokainës kryhej nga Rimini dhe Padova në drejtim të Rocca San Giovanni (Chieti). Në aksion u përfshinë edhe helikopterë dhe qenë antidrogë që zhvilluan kërkime në 26 shtëpi.
“Ishte një goditje e madhe e trafikut të drogës në rajonin tonë”, tha prokurori Old Lanciano në konferencë për shtyp. Hetimet ishin të vështira, pasi në rrjetin e shitjes ishin përfshirë edhe italianë. Rol të rëndësishëm në trafik kishin edhe tri gra, dy italiane dhe një shqiptare.
Metoda ishte pak a shumë e njëjtë: në çdo udhëtim dërgohej 250 gramë kokainë. Hetimet nisën në tetor të vitit 2015, pas konfiskimit të 140 gramë kokaine të pastër. Më 20 nëntor 2015 u sekuestruan edhe 1 kg e 60 gramë kokainë në Rimini. Mediat italiane nuk bëjnë me dije emrat e të arrestuarve.

Pranga bosit shqiptar të drogës në Itali, shkoi në spital i plagosur

Roland Lame, 47-vjeçari shqiptar i kërkuar për trafik të lëndëve narkotike është arrestuar nga autoritetet italiane. Pas dy javësh në arrati, Lame, i cili konsiderohet si kreu i rrjetit italo-shqiptar të trafikut të drogës, shkatërruar në një aksion të policisë italiane më 30 maj, është paraqitur në spitalin civil të Barletës i plagosur me armë zjarri në fundshpinë. Nuk dihen ende rrethanat në të cilat ka mbetur i plagosur 47–vjeçari, megjithatë sipas mediave italiane, ai është jashtë rrezikut për jetën.
Më 30 maj, policia italiane shkatërroi një rrjet italo-shqiptar të trafikut të lëndëve narkotike dhe të armëve. Operacioni i koduar me emrin “Illiria”, u drejtua nga Prokuroria e Barit në bashkëpunim me Guardia di Finanzan dhe antimafian.
Grupi kriminal akuzohet për trafik droge dhe armëve nga Shqipëria kryesisht nëpërmjet detit dhe me destinacion Italinë. Nën cilësinë e provës materiale policia sekuestroi 1.2 tonë marijuanë, 20 kg substanca holluese të drogës, nga 1 kg kokainë e heroinë, 4.5 kg tritol, 1 kallashnikov, një sasi e konsiderueshme plumbash dhe disa detonatorë eksplozivi.
Në krye të rrjetit të drogës ishte 47-vjeçari shqiptar me pasaportë italiane, Roland Lame, i cili u kishte shpëtuar prangave në një operacion të mëparshëm të antidrogës. Ishte pikërisht Lame, së bashkë me djalin e tij Fabio Lame, 25 vjeç, ai i cili mbante kontaktet me trafikantët në Shqipëri dhe organizonte ardhjen e marijuanës në Pulja.
Në pranga ranë gjithashtu edhe korrierët, 5 italianë dhe 1 shqiptar, të cilët po udhëtonin drej Brindisit, ku do të merrnin sasinë e madhe të drogës. Hetimet rreth këtij grupi kriminal janë të lidhura me një tjetër operacion të vitit 2013 ku u sekuestruan 100 kg marijuanë dhe u arrestuan dy shtetas shqiptarë.
Maskoheshin si policë për të kryer vjedhjet në Itali
Policia italiane ka shkatërruar një bandë italo-shqiptare që ka kryer 82 grabitje shtëpish në rajonin e Lombardisë dhe Emilja Romanjës. Grabitësit maskoheshin si policë për të kryer grabitjet dhe më lehtë. Biseda, distintivë dhe makina me llamba policie. Të gjitha false, natyrisht. Policia italiane ka shkatërruar bandën italo-shqiptare në Pavia që merrej me grabitjen e shtëpive në të cilat jetonin kryesisht të moshuar. Sipas mediave italiane banda ka kryer 82 vjedhje në rajonin e Lombardisë dhe Emilja Romanjës. Banda italo-shqiptare po mbikëqyrej nga policia që nga tetori i kaluar kur kanë filluar hetimet e Prokurorisë së Pavias. Mësohet se në operacionin “Fake Police” përfunduan në pranga 7 persona ndër to dhe 2 shqiptarë, të cilët janë identifikuar si Artur Cena, 32 vjeç dhe Albert Margjoni, 27 vjeç.
Sipas të dhënave të policisë pjesëtarët e bandës të fshehur nën petkun e policisë arrinin që të siguronin deri në 50 mijë euro në ditë nga aktiviteti i vjedhjeve. “Korriere dela Sera” shkruan se hajdutët kanë improvizuar edhe një arrestim të një bashkëpunëtori të tyre. Duke parë distinktivët dhe sirenat në makina, të zotët e shtëpisë ia hapnin lirshëm derën hajdutëve.
Gazeta italiane shkruan se banda mbikëqyrte përpara shtëpitë në të cilat do të kryenin vjedhjet dhe shpeshherë vepronin kur pronarët nuk ishin aty. Ndërkohë, në rastet kur hajdutët të veshur si policë janë zbuluar nuk kanë ngurruar që të kërcënojnë të zotët e shtëpive. Pjesëtarët e bandës akuzohen për vjedhje dhe përdorje të imazhit të policisë në kundërshtim me ligjin.

Përplasje me armë, plagoset kalimtari në Rrogozhinë

Dy vëllezër janë shpallur në kërkim nga policia pasi një ditë më parë në Rrogozhinë kanë qëlluar për të vrarë dy persona. Nga kjo ngjarje ka mbetur i plagosur një i moshuar, i cili është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Burime nga policia thanë se, ngjarja e rëndë ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në orën 11:00 në dalje të Rrogozhinës, ku dy vëllezërit Elvin dhe Besnik J., të moshave 26 dhe 28 vjeç, të dy punonjës të burgut të Rrogozhinës kanë qëlluar me armën e shërbimit për të vrarë dy persona të tjerë me inicialet K. P., dhe D. D., të moshave 42 vjeç dhe 26 vjeç.
Ngjarja ka ndodhur në dalje të Rrogozhinës. Por fatkeqësisht plumbat e nxjerrë nga armët e dy policëve të burgjeve kanë plagosur një kalimtar të rastësishëm, i cili është dërguar në spital, ku sipas mjekëve ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Bëhet fjalë për 86-vjeçarin me inicialet H.H. Por dy vëllezërit policë kanë dhunuar edhe njërin prej shënjestrave të tyre, i cili ndodhet në spital.
Me t’u njoftuar, policia ka nisur hetimet në lidhje me këtë ngjarje, që fatmirësisht nuk ka përfunduar në një tragjedi. Gjatë veprimeve në vendin e ngjarjes uniformat blu kanë sekuestruar një gëzhojë pistolete dhe një makinë tip “Hyndai”, ndërsa dy vëllezërit janë shpallur në kërkim.

Gjiknuri, 37 milionë lekë për projektimin e godinës me ngrohje diellore

GJIKNURI PERSHENDET PERFAQESUES TE TAP - Ministri i Energjise dhe Industrise, Damian Gjiknuri, duke pershendetur punimet komisionit te nivelit teknik ne kuader te Marreveshjes ndermjet Shqiperise, Italise dhe Greqise per projektin e gazsjellesit TAP./r/n/r/nGJIKNURI MEETS WITH TAP REPRESENTATIVES - Minister of Energy and Industry, Damian Gjiknuri, speaks during the technical trilateral meeting between Albania, Italy and Greece for the TAP pipeline project.

Ministria e Energjetikës vazhdon të çudisë me tenderët që kryen. Megjithëse ka në dorë dhëniet me koncesion të lumenjve, për ndërtimin e hidrocentraleve apo HEC-ve, apo edhe për dhënien e lejeve për shfrytëzimin e minierave, ministria që drejtohet nga Damian Gjiknuri ka bërë “shkencën” e radhës.
Boldnews.al ka siguruar disa dokumente për një tender që po kryen kjo ministri. Mësohet se në Agjencinë e Prokurimit Publik është hapur tenderi për marrëveshjen në kuadër për hartimin e një projekt-ideje, konsulencë për ndërtimin e godinës së Agjencisë së Efiçencës së Energjisë. Fondi limit për këtë konsulencë është 37 milionë lekë të vjetra dhe kohëzgjatja e kontratës, ose afati kohor për ekzekutimin, është nga lidhja e kontratës për 90 ditë. Tenderi do të realizohet më 20 qershor.
Megjithatë, ajo që është e çuditshme në këtë tender është objekti i tij. Ministria do të ndërtojë godinën e Agjencisë së Efiçencës së Energjisë, e cila do të jetë me ngrohje diellore. Megjithëse ka mjaft probleme me ndërtesat aktuale, të cilat kërkojnë një rinovim, Gjiknuri preferon që të bëjë rolin e shkencëtarit, duke dhënë si fillim, vetëm për konsulencën, plot 37 milionë lekë për këtë godinë. Nisur edhe nga kjo shumë, ajo që pritet për ndërtimin e godinës, do të ketë shumë zero pas kësaj shifre.
Boldnews.al ka siguruar edhe dokumentet shoqëruese të këtij tenderi, ku thuhet se qëllimi kryesor i projektimit të ndërtesës me efiçencë energjie është që të ruhen temperaturat e përshtatshme të brendshme, ndriçimi natyral dhe ajrosja e shëndetshme me nevojën më të ulët për ngrohje dhe ftohje tradicionale (me bazë lëndët djegëse fosile). “Projektimi i ndërtesave me efiçencë energjie për dimër të ftohtë, kryesisht nënkupton që zarfi i ndërtesës duhet të jetë efikas, i izoluar mirë dhe të mos fusë ajër dhe që ndërtesa të shfrytëzojë më së miri përfitimet nga sistemet pasive të ngrohjes me energji diellore. Optimizimi i projektit për verën e nxehtë, nga ana tjetër, nënkupton ruajtjen e temperaturave të brendshme të përshtatshme dhe shmangien e përfitimeve të padëshiruara nga ngrohja me energji diellore. Klima e jashtme – në veçanti temperaturat e jashtme dhe rrezatimi diellor i disponueshëm luajnë role kyç në projektimin e planimetrisë së ndërtesës, materialet e ndërtimit dhe detajet”, thuhet në këto dokumente.
Përpos vlerave të larta financiare, ajo çka duket në këtë tender është luksi i shtetarëve tanë për të qëndruar në të tilla ndërtesa, kur dihet mjaft mirë që zyrat që i shërbejnë publikut, janë si mos më keq, pothuajse në të gjitha institucionet.
Duke u ndalur tek ky tender, thuhet se ndërtimi i kësaj ndërtese bazohet edhe në direktivën e BE-së, e cila është duke u aplikuar edhe në vendin tonë nëpërmjet Projekt-ligjit “Për Performancën e Energjisë në Ndërtesa” që përkufizon se “Ndërtesë me performancë afër zero-energji” nënkupton ndërtesat që kanë një performancë shumë të lartë të energjisë, siç përcaktohet në Metodologjinë Kombëtare të Llogaritjes. Kërkesa për konsum energjie shumë të ulët ose pothuajse zero duhet të mbulohet kryesisht nga burimet e rinovueshme të energjisë, duke përfshirë energjinë e prodhuar nga burimet e rinovueshme në ndërtesë, në njësinë e ndërtesës ose pranë tyre.

Projekti i Gjiknurit

Projekt-ideja e ndërtesës së Agjencisë për Efiçencën e Energjisë duhet të jetë me performancë afër zero-energji, dhe për këtë, duhet t’i referohet një treguesi numerik në lidhje me nevojat për burime primare të energjisë, thuhet në këto dokumente.

OST, 5.2 milionë euro borxh arkës së shtetit

An employee of GSA Austria (Money Service Austria) holds wads of new 500 euro banknotes at the company's headquarters in Vienna July 22, 2013. The GSA delivers new and collects old currency for the Austrian National Bank. REUTERS/Leonhard Foeger (AUSTRIA - Tags: POLITICS BUSINESS TPX IMAGES OF THE DAY) - RTX11V1K

Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) i detyrohet buxhetit të shtetit rreth 657,7 milionë lekë ose 5.2 milionë dollarë si dividend i paderdhur.
Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë një auditi të bërë në OST ka gjetur se për periudhën 2011-2014 kompania nuk i ka paguar pronarit, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dividendin në vlerën 657,724,013 lekë.
KLSH ka kërkuar që në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë të hartohet një skedul i qartë dhe me afate për të shlyer vlerën e mbartur si detyrim për mos pagesë dividendi që prej vitit 2011.
KLSH vëren se në fund të periudhës 2014 rezulton se, detyrimet e OSHEE ndaj OST SHA janë në vlerën 8,336,147,430 lekë, vlerë e cila përbëhet nga detyrime për fatura të papaguara nga viti 2011-2015, disbalanca e energjisë, kolaudim matësish, pagesë pune për shërbime DTL Tiranë, matësa elektrik për NJOF dhe kosto lokale për nënstacionin e Kalimashit (trajtuar më hollësisht në faqet 66 të Raportit të Auditimit).
KLSH i ka rekomanduar Këshillit të Mbikëqyrës, Administratori i shoqërisë dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, të marrin masat e nevojshme administrative deri edhe gjyqësore për të arkëtuar shumën e detyrimit të OSHEE sha prej 8,336,147,430 mijë lekë, rezultuar në fund të vitit 2015, të cilat cenojnë ecurinë e veprimtarisë së OST.
Në katërmujorin e parë të vitit të ardhurat nga dividenti janë vënë në vështirësi për shkak të performancës jo të mirë të disa kompanive në fushën e industrisë, në të cilat shteti është pronar ose aksioner.

Ekonomia në pikiatë, të gjitha fondet e investimit në rënie

Edhe viti 2016 nuk arriti dot t’i shpëtonte një ndryshimi që Ministria e Financave do t’i bëjë buxhetit të shtetit. Nëse problemet kryesore një vit më parë ishin mungesa e të ardhurave, këtë herë vijon të mbetet shqetësim mënyra sesi shpenzohen paratë. Sipas të dhënave të publikuara të treguesve fiskalë, shpenzimet publike nuk janë realizuar në masën 150 milionë dollarë për 4 muajt e parë të vitit, duke e bërë të pashmangshëm rialokimin e fondeve.
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, tha se rishikimi i buxhetit do të bëhet dhe se do të ketë një rialokim të fondeve, por jo pa marrë më parë një miratim nga misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Deri në prill të këtij viti, qeveria duhet të kishte shpërndarë 129 miliardë lekë fonde, por nga kjo shifër janë alokuar vetëm 114 miliardë lekë. Rënia është me 10 miliardë lekë ose me 8.5% edhe nga viti i mëparshëm, i cili në fakt nuk u shqua për një ecuri të mirë të shpenzimeve. Qeveria u detyrua të ndryshonte fokusin e veprave publike 3 herë gjithsej.
Por cilat kanë qenë arsyet në vonesën e hapjes së punimeve publike? Financat kanë pohuar se ka pasur probleme me hapjen e prokurimeve të veprave të mëdha.
Në tërësi, për katër muajt e parë, shpenzimet nuk janë realizuar në të gjitha drejtimet. Fondet për investimet në vepra publike kanë një rënie 2.4 miliardë lekë krahasuar me planin, 2.3 miliardë mungojnë te shpenzimet operative dhe 2.7 miliardë lekë u mungojnë buxheteve të pushtetit vendor.
Janë gjithsej 4 projekte të mëdha të qeverisë, të cilat së fundi janë zhbllokuar dhe do të nisë zbatimi i tyre. Burime nga Ministria e Financave thonë për Revistën “Monitor” se, alokimi i këtyre fondeve pritet të përmirësojë ecurinë e shpenzimeve në buxhet.
Janë 15 milionë euro, të cilat do të fillojnë të shpërndahen në formë subvencioni për fermerët. Numri i aplikimeve shkoi në 1500 dhe pas shqyrtimeve, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të nisë shpërndarjen e tyre. Me këto para, financat besojnë se do të përmirësohet ecuria e shpenzimeve, por po ashtu pret edhe rritje të prodhimeve të fermerëve, të cilat do të rritin ekonominë.
11 milionë dollarë, 50% e parave që janë derdhur në buxhetin e shtetit nga privatizimi i kompanisë së sigurimeve INSIG do të shkojnë për fillimin e punimeve të Unazës së Madhe të kryeqytetit. Ministria e Financave thotë se, pjesa tjetër e këtyre parave do të shkojë për uljen e borxhit publik. Gjithsej, shteti shqiptar mori nga INSIG 22 milionë dollarë.
Debate të shumta ka pasur lidhur me mënyrën sesi qeveria “Rama” është duke përdorur paratë e buxhetit të shtetit. Opozita e ka akuzuar shpesh për mungesë vizioni dhe për shkurtim të fondeve në buxhet që sjellin në të vërtetë rritje ekonomike. Në fakt, e vërteta është se buxheti për investime publike është shkurtuar ndjeshëm dhe prioritet kanë pasur vepra të vogla, të cilat lidhen më shumë me fasadat…
Zef Preçi, drejtor i Qendrës për Kërkime Ekonomike, thotë se shqetësimi kryesor i këtyre viteve të fundit ka qenë pesha specifike që shpenzimet kapitale kanë pasur, nëse krahasohen me shpenzimet e tjera. Nëse dikur, shpjegon ai, investimet në vepra të mëdha renditeshin të parat sa i përket volumit të parave që ndaheshin në buxhet, sot ato janë në vend të tretë. “Problemi më i madh janë fondet, të cilat janë dhënë në këto vite për shpenzime kapitale. Orientimi që u është bërë këtyre parave nuk ka pasur në fokus lehtësimin e jetës së qytetarëve, pasi paratë e buxhetit janë taksat që ata paguajnë. Këto shpenzime kanë shkuar për zbukurime fasadash, projekte të vogla nëpër qendrat e qyteteve apo rikonstruksione zyrash. Që të rritet punësimi dhe përmirësimi i jetesës së qytetarëve është e dëshirueshme që qeveria të investojë para në vepra publike, të cilat kanë në fokus infrastrukturën”, shprehet Zef Preçi.
Por për Gjergj Buxhukun, qeveria duhet patjetër që të përfundojë veprat e nisura në infrastrukturë, përndryshe ato do të sjellin dëme të konsiderueshme, pasi do të kërkojnë para shtesë nga buxheti. “Nuk janë realizuar shpenzimet, njëherë duhet të mbyllin problematikat që ka. Mënyra më e mirë për t’i përdorur me efektivitet është të përfundojnë veprat publike, sepse vetëm kështu merr oksigjen ekonomia!”

Çmenduria Veliaj, taksë farmacive për mbetjet spitalore

Bashkia e Tiranës ka shpikur një taksë të re për bizneset mjekësore që nuk kanë asnjë lidhje me procedurat e spitalimit. Administrata e Bashkisë ka shpërndarë një letër ku i kërkohet farmacive të paguajnë taksën për mbetjet spitalore. Në një postim tek “Thurje”, një farmacist ankohet për këtë taksë. “Përshëndetje, një fushatë e Bashkisë sot duke ngarkuar dhe penalizuar biznesin e farmacisë për të paguar një licencë pa lidhje për këtë biznes (administrim i mbetjeve spitalore), ndërkohë që farmacia shet vetëm medikamente dhe nuk bën as operacione dhe as injeksion, pra nuk ka mbetje spitalore!!! Kjo është thjesht gjobë për të na detyruar t’i japim para një kompanie, e cila me siguri është paracaktuar nga Bashkia. Për më tepër nuk ka asnjë legjislacion se ku mbështetet”, alarmon qytetari. Por kjo nuk është e vetmja taksë e çuditshme që qytetarët e Tiranës janë të detyruar të paguajnë për shkak të urdhëresave të Veliajt.

Në Tiranë, fatura e ujit e njëjtë me atë të energjisë

Prej disa muajsh në faturën e ujit për familjet në Tiranë përfshihen edhe taksat e Bashkisë. Tarifa e pastrimit, taksa mbi ndërtesën dhe taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore do të paguhen tashmë çdo muaj së bashku me faturat e ujit, çka shton mesatarisht faturat mujore të ujit me të paktën 600 lekë në muaj. Taksa e pastrimit për familjet në Tiranë është 420 lekë në muaj dhe ajo e përkohshme e infrastrukturës arsimore është 150 lekë në muaj. Vetëm nga këto dy taksa, në vit, familjet do të paguajnë 6800 lekë në vit (tarifa e pastrimit është 5000 lekë në vit dhe ajo e arsimit 1800 lekë). Këto dy tarifa janë fikse, ndërsa ajo e ndërtesës është në varësi të zonës, sipërfaqes dhe llojit të ndërtesës, para vitit ‘93 dhe pas vitit ‘93. Për ndërtesat para ’93 në Tiranë, taksa është 15 lekë për metër katrorë dhe ato pas ’93 është 30 lekë për metër katrorë. Për banesat jashtë zonës së Tiranës është 7.5 lekë për metër katrorë para ‘93 dhe 15 lekë pas ‘93. Një familje, që banon në një sipërfaqe 80 metra katrorë në Tiranë, të ndërtuar pas ‘93 do të paguajë 2400 lekë në vit apo rreth 200 lekë në muaj, ndërsa për të njëjtën sipërfaqe para ‘93 do të paguajë 1200 lekë në vit. Në total, taksat e Bashkisë për një familje do të jenë minimumi 8,000 lekë në vit (6800 fikse nga tarifa e pastrimit dhe ajo e arsimit, që u shtohet dhe taksa e ndërtesës në varësi të sipërfaqes dhe llojit të banesës).
Në krahasim me vitin e mëparshëm është shtuar taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore prej 1800 lekë në vit, ndërsa taksa e pastrimit dhe ajo e ndërtesës nuk kanë ndryshuar. Me kalimin e ujësjellësit nën administrimin e Bashkisë gati një vit më parë, taksat e Bashkisë kanë filluar të vilen te fatura e ujit.

Marrëzia e taksës së arsimit, bizneset e paguajnë këtë taksë disa herë

Një tjetër taksë absurde është ajo e arsimit. Faturat e taksave të Bashkisë për biznesin e mesëm e të madh, po nxjerrin në pah absurditetet e tjera të taksimit të bizneseve nga Bashkia e Tiranës. Këtë herë bëhet fjalë për taksën e përkohshme të arsimit, që përveçse është antikushtetuese, (pasi me Kushtetutë arsimi është falas), bizneset që punojnë me NIPT-e sekondare do të duhet ta paguajnë disa herë atë. Për shembull, një faturë që i përket një biznesi të madh që ka tri NIPT-e sekondare, por vepron si një subjekt i vetëm. Ky subjekt duhet të paguajë tre herë taksën e përkohshme për infrastrukturën arsimore, në total 81 mijë lekë në vit (për biznesin e mesëm njësi më shumë e prodhimi, taksa e arsimit është  27 mijë lekë në vit). Ky është një taksim krejtësisht absurd dhe në shkelje të vetë vendimit të Bashkisë, që përcakton se, “Taksës së përkohshme për infrastrukturën arsimore i nënshtrohen të gjitha familjet, personat fizikë ose juridikë, vendas ose të huaj, që banojnë dhe ushtrojnë veprimtari ekonomike brenda territorit të Bashkisë së Tiranës”. Pra, pavarësisht se biznesi nga tatimet konsiderohet si një subjekt i vetëm juridik apo fizik, ai po detyrohet të paguajë disa herë taksën e përkohshme për infrastrukturën arsimore. (Të ashtuquajturat NIPT-et sekondare sipas ligjit të TVSH-së duhen “Për ata persona të tatueshëm që si pjesë të veprimtarisë së vet ekonomike, kryejnë shitje me shumicë dhe shitje me pakicë, vendi i veprimtarisë të secilës shitje duhet të jetë i ndarë dhe çdo vend veprimtarie duhet të pajiset me çertifikatë NIPT-i me numra të ndryshëm serialë”). Të gjitha bizneseve, që veprojnë me NIPT-e sekondare po u vijnë faturat, ku specifikohet se duhet të paguajnë taksën e arsimit për çdo NIPT.

Bashkia me fitim nga rrumbullakosja

Bashkia e ka rrumbullakosur këstin mujor të tarifës së pastrimit në 420 lekë nga 417.7 lekë që duhet të ishte, çka bën që një familje të paguajë në vit 40 lekë më shumë (5040 lekë nga 5000 që është taksa). Ndonëse kjo shumë është e papërfillshme për një familje, në total nga rreth 220 mijë familje që janë në Tiranë, sipas INSTAT, Bashkia do të marrë nga kjo rrumbullakosje (nëse shuma nuk korrektohet në muajt në vijim) gati 9 milionë lekë (64 mijë euro) më shumë. Dyfishim i tarifës së pastrimit, 10-fishim i taksës së zënies së hapësirës, taksë e re 2500 lekë për tavolinat, rritje rreth 50% e taksës mbi ndërtesën, taksë e re për truallin prej 20 lekë për metër katrorë janë disa nga ndryshimet kryesore të taksave dhe tarifave të Bashkisë Tiranë nga 1 janari 2016. Duke qenë se në bazë të ligjit për taksat vendore, Bashkia nuk ka të drejtë të ulë taksat me më shumë se 30% dhe t’i rrisë me më shumë se 10%, ato që kanë ndryshuar ndjeshëm janë tarifat me dyfishim deri në 10-fishim. Zef Preçi, ekspert i ekonomisë thotë se, ndërsa taksat janë për qëllime rishpërndarje, tarifat janë për mbulim kostosh të shërbimeve dhe jo për të siguruar të ardhura shtesë. Bizneset e mesme dhe të mëdha do të përballen me fatura të dyfishuara për tarifat e pastrimit. Deri tani, sipas kategorive, bizneset e mesme paguanin nga 15 mijë-150 mijë lekë në vit, në varësi të llojit të biznesit, ndërsa nga 1 janari do të paguajnë nga 30 mijë-300 mijë lekë në vit, sërish në varësi të kategorisë. Për bizneset e mëdha tarifat janë rritur nga 25 mijë-225 mijë në vit më 2015-ën në 50 mijë-450 mijë lekë në vit më 2016-ën. Nuk ndryshon panorama as për bizneset e fushës së shërbimit. Sallonet e bukurisë, hotelet, shtëpitë botuese, komplekset sportive, institucionet jo publike të edukimit do t’u dyfishohet kjo tarifë. Edhe profesionet e lira do të kenë të njëjtin fat për këtë tarifë, pagesa e të cilës ka pësuar dyfishim.

Marseja kuqezi!

Tifozët shqiptarë janë zhvendosur në Marsejë ku të mërkurën deti kuqezi do të vërshojë në rrugët e qytetit francez për ndeshjen e dytë të Euro 2016 mes Francës dhe Shqipërisë. Atmosfera në rrugët e qytetit është ndezur, pasi janë shfaqur tifozët e parë shqiptarë në Marsejë. Konfirmohet prania edhe e mijëra shqiptarëve të tjerë, të cilët nuk janë pjesë e 16 mijë biletave zyrtare të ofruara nga UEFA për sektorin kuqezi. Disa prej tyre shprehen entuziastë për këtë eksperiencë, duke besuar te një rezultat pozitiv në ndeshjen e dytë të Grupit A.
Shqipëria dëshiron ta shfrytëzojë në maksimum pjesëmarrjen e saj të parë në një kampionat europian. Kuqezinjtë e De Biazit, që janë një prej surprizave të këtij edicioni, do të kërkojnë të vazhdojnë befasinë në kontinent. Por, përveç të qenit një paraqitje dinjitoze, ajo shoqërohet edhe me shpërblime shumë të majme.
Kualifikimi për në raundin tjetër të turneut ka një shpërblim më të madh sesa vetë kualifikimi.
Vetëm fakti që Shqipëria është pjesë e fazës në grupe të “Euro 2016”, i ka dhuruar Federatës së Futbollit një pagesë prej 8 milionë eurosh. Tashmë ka në dorë mundësinë që ta mbushë arkën më tepër. Çdo fitore në grupe shpërblehet me 1 milion euro, ndërsa barazimi me 500 mijë të tjera.
Në rast se ia dalin që të sigurojnë një “biletë” për në 1/8-tat, duke qenë se kalojnë 16 nga 24 pjesëmarrëset, premio e radhës do të ishte prej plot 9.5 milionë eurosh. Por, duke ditur që kualifikimi nuk realizohet pa 0 pikë, atëherë për çdo kombëtare, minimumi matematikor do të ishte prej 10 milionësh.
Në total do të varionte nga 18-22 milionë euro për Shqipërinë. Një fond që do të ishte ndihmë e madhe investimesh në futbollin vendas, i cili vazhdon të vuajë probleme të mëdha. Djemve të De Biazit u kanë mbetur edhe dy takime në dispozicion, pasi dështuan që të evitojnë humbjen kundër Zvicrës. Për të kaluar në raundin tjetër mund të mjaftojë një fitore, por duket se “finalja” e kuqezinjve do të jetë pikërisht kundër Rumanisë, e cila u mund në Franca në takimin hapës të kompeticionit. Gjithsesi, të mërkurën do të kërkohet që të surprizohet vendi organizator, Franca, ndaj të cilit kanë arritur rezultate pozitive në miqësoret e fundit.
Shqipëria tashmë e ka marrë fitoren e saj të parë në Euro 2016-të, madje që në debutim. Në një event ku dhuna është kthyer në kryefjalën e ditës, sjellja Fair Play dhe entuziazmi i tifozëve kuqezi në stadiumin e Lensit impresionuan opinionin sportiv. Ndërkohë që në rrugët dhe në stadiumin e Marsejës huliganët anglezë përplaseshin me ata rusë dhe me tifozët vendas dhe në Lille fansat e Gjermanisë me ata ukrainas, një panoramë krejtësisht paqësore u shfaq para, gjatë dhe pas ndeshjes Shqipëri-Zvicër.
Tifozët shqiptarë pavarësisht humbjes në debutim e shijuan në maksimum pjesëmarrjen për herë të parë në Europian, duke hedhur poshtë legjendën e një populli gjaknxehtë dhe të rrëmbyeshëm.
Ata ditën të duartrokisnin kundërshtarët, sepse në njëfarë mënyrë suksesi i Shaqirit, Xhakës, Berhamit, Xhemailit dhe Mehmedit ishte edhe sukses i tyre.

Hysaj merr vlerësimet e UEFA-s

Klas, dinamikë dhe inteligjencë, faqja zyrtare e UEFA-s i thur elozhe mbrojtësit të kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, duke e përkufizuar 22-vjeçarin nga Shkodra si një futbollist plot klas, shumë dinamik në fushë dhe mbi të gjitha mjaft inteligjent. Hysaj ishte një nga lojtarët më të dalluar të kombëtares kuqezi në humbjen 1-0 që Shqipëria pësoi ndaj Zvicrës në Lens. Pas daljes me karton të kuq të Lorik Canës, mbrojtësi i Napolit mbajti në krah edhe shiritin e kapitenit, duke e udhëhequr Shqipërinë në fushë si një lider i vërtetë.
Paraqitja e Hysajt ndaj Zvicrës, por mbi të gjitha edhe përgjatë sezonit futbollistik 2015-2016 me fanellën e Napolit në Serinë A italiane, ka bërë që UEFA të shfaqë në faqen e saj zyrtare vlerësimet maksimale për kuqeziun, vëmendja e të cilit aktualisht është e gjitha te ndeshja e radhës ndaj Francës. Falë formës së mirë që ka treguar gjatë sezonit të fundit për të marrë shërbimet e Elseid Hysajt kanë shfaqur interes disa prej klubeve më të mëdha të Europës, ku mbi të gjitha spikasin, Bayerni i Mynihut, Arsenali dhe Barcelona, të cilat janë gati t’i ofrojnë Napolit rreth 20 milionë euro për kartonin e talentit shqiptar.
Edhe pse në një moshë të re, Hysaj mbetet njëri nga futbollistët më të vlerësuar të kombëtares. Ai vjen nga një sezon i suksesshëm me skuadrën e tij të Napolit në Serinë A (vendin e dytë në klasifikim dhe pjesëmarrje në Champions).