Sfida në Marsejë ishte ndeshja e jetës që priste. Në qytetin, që e cilëson shtëpinë e tij dhe kundër Francës, vend ku është rritur si futbollist dhe njeri. Pas kartonit të kuq ndaj Zvicrës, Lorik Cana do të jetë mungesa e madhe e duelit të Shqipërisë me blutë. Një peng, që gjithsesi nuk e thyen kapitenin kuqezi, pasi detyra në skuadër vazhdon.
“Duke e ditur edhe rrugëtimin tim, një eveniment kaq madhështor dhe kur luhet në atë që cilësohet shtëpia time, në Marsejë, ku më prisnin jo vetëm tifozët shqiptarë, por edhe francezët, padyshim që mungesa është një peng i madh. Megjithatë, nuk është koha të ul kokën. Kam një detyrë këtu, brenda skuadrës. Kemi një ndeshje për të përgatitur. Duhet të ndihmoj trajnerin dhe shokët që ta përgatisin sa më mirë sfidën. Në këto dy ndeshjet e fundit mund ta arrijmë kualifikimin dhe e kemi aty mendjen”, u shpreh Cana.
Loriku nuk di të thotë me siguri nëse zërat për një pritje madhështore të Shqipërisë në Marsejë janë të vërtetë. Ajo për të cilën mbrojtësi 32-vjeçar nuk ka dyshime, është spektakli dhe imazhi i shkëlqyer që kanë lënë tifozët kuqezi.
“Nuk e di nëse francezët do ta presin me entuziazëm Shqipërinë. Nuk e di sa tifozë vendas do të jenë aty, pasi do të ketë tifozë nga e gjithë Franca. Por, di të them se kam marrë mesazhe nga të gjithë ata francezë që e panë ndeshjen tonë, të cilët më uruan për tifozerinë që kemi. Me spektaklin në tribuna, tifozët e kanë mbështetur gjithmonë kombëtaren, por kanë bërë edhe një përfaqësim të denjë të vendit, duke parë sjelljen e turpshme të tifozëve anglezë dhe rusë. Kam besim se shqiptarët do ta mbushin stadiumin me ngjyrat kuqezi”, tha ai.
Edhe pse i skualifikuar, përveç punës brenda skuadrës, Lorik Cana zbuloi edhe si do ta ndihmojë kombëtaren gjatë ndeshjes në Velodrom. “Ndeshjen do ta shoh me pjesën e stafit. Është gjithmonë Erjoni (Bogdani), që ka detyrën ta shohë ndeshjen në tribunë. Do ta ndihmoj aty, duke e parë ndeshjen nga lart, në një tjetër perspektivë, ndoshta për të dhënë edhe ndonjë këshillë pas 45 minutëshit të parë”, përfundoi Cana.
Cana: Kombëtaren e ndihmoj nga tribuna
UEFA zbardh lëvizjet taktike të Shqipërisë
UEFA ka zbardhur lëvizjet taktike të Shqipërisë në takimin e parë. Trajneri De Biazi e nisi lojën me modulin 4-1-4-1, me Kukelin që qëndronte para repartit të mbrojtjes. Xhaka e Abrashi në qendër të mesfushës, me Lenjanin e Roshin nga krahët në mbështetje të Sadikut. Zviceranët e nisën sfidën me skemën 4-2-3-1, por me lojtarë që synuan më tepër qendrën sesa lojën e krahëve.
Pas 15 minutash lojë, Xhaka dhe Abrashi ndryshuan vendet duke mbështetur më tepër krahët e kundërt me fillimin e takimit, për shkak të markimit të lojtarëve respektivë që kishin si detyrë nga trajneri italian. Gjithsesi, planet u prishën me daljen e Canës me karton të kuq.
Edhe pse mbrojtësi i qendrës la skuadrën me 10 futbollistë në të 36-n, De Biazi i dha detyrë më mbrojtëse Kukelit, duke kaluar në modulin 4-4-1. Me këtë skemë kanë luajtur deri në të 82-n kur u fut Shkëlzen Gashi. Duke qenë në disavantazh të një goli, atëherë ekipi kaloi disi më ofensiv, me 4-2-2-1, me Cikalleshin që mbështetej prej Gashit dhe Lenjanit, që qëndronin më tepër në afërsi të qendrës.
FMN: Ekonomia ka humbur shkëlqimin, duhen reforma urgjente
Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se kriza ka goditur themelet e ekonomisë shqiptare duke dobësuar ndjeshëm aftësinë e saj për t’u rritur dhe për të gjeneruar mirëqenie për qytetarët. Në një raport të fundit mbi Shqipërinë, FMN vlerëson se rritja potenciale e ekonomisë është ulur nga 5.9 për qind që ishte në vitet para krizë në rreth 3 për qind aktualisht. Shifra e rritjes potenciale tregon mundësinë që ka një ekonomi për t’u rritur pa shkaktuar inflacion ose rritje të borxhit. Në afatgjatë rritja ekonomike e një vendi konvergjon gjithmonë rreth shifrës potenciale, ndaj ky tregues është i rëndësishëm për perspektivën ekonomike. Por siç dëshmojnë vlerësimet e FMN, potenciali i ekonomisë shqiptare për t’u rritur është reduktuar ndjeshëm dhe kjo ka dy pasoja kryesore për politikat ekonomike. “Pasoja kryesore në kontekstin politik është që politikat kundërciklike duhet të bazohet në një rritje potenciale prej 2.9-3.2 për qind dhe jo më në 6 për qind si dikur. Implikimi i dytë është se politikat ekonomike për të zgjeruar rritjen potenciale duhet të jenë një prioritet absolut,”- vëren FMN
Reformat kryesore
Për t’i dhënë impulse të reja ekonomisë, që do të zgjeronin rritjen potenciale të saj, FMN rekomandon një sërë reformash kyç. Sipas saj, këto reforma duhet të prekë të drejtat e pronës, zbatimin e ligjit, luftën ndaj korrupsionit dhe sistemin e drejtësisë. “Forcimi i të drejtës së pronës do të lehtësojë rishpërndarjen e burimeve drejt sektorëve me produktivë si turizmi dhe agrikultura,” thekson FMN. Ndërsa zbatimi i ligjit dhe reforma në drejtësi, sipas saj, do të përshpejtojnë rritjen ekonomike në sektorë të ndryshëm duke përmirësuar kthimin nga investimet.
Të dhënat
Shqipëria ka një potencial të madh për të përmirësuar konkurrencën e saj në eksporte. Ajo ka afërsinë në të dy tregjet evropiane dhe në zhvillim, qasje në Mesdhe, një popullsi të re në krahasim me pjesën tjetër të Evropës, si dhe burimet natyrore.
Megjithatë, konkurenca e Shqipërisë në drejtim të eksporteve ka pasur progres të pamjaftueshëm, me rritje të dobët të produktivitetit dhe përqendrim të vazhdueshëm në sektorë me vlerë të bazuar tek puna intensive.
FMN thotë se, autoritetet duhet të përshpejtojnë përpjekjet për të nxitur investimet në produkte me vlerë të shtuar, duke zbatuar reforma të mëtejshme strukturore për të përmirësuar mjedisin e biznesit, boshllëqet e infrastrukturës dhe përmirësimin e aftësive të punës.
FMN shpjegoi se ka përdorur dy tregues për të vlerësuar konkurrueshmërinë e eksporteve të tilla si raporti, “Doing Business” i Bankës Botërore dhe Forumi Ekonomik Botëror (Raporti Global i Konkurrueshmërisë).
Treguesit e të bërit biznes të BB-së mbulojnë fusha të ndryshme, duke filluar nga regjimi ligjor për zbatimin e kontratave, të proceseve rregullatore për regjistrimin e bizneseve, pagimin e taksave, marrjen e kredisë, si dhe tregtinë përtej kufijve. Treguesit e konkurrencës në Raportin Global mbi Konkurrueshmërisë (ÇEF) mbulojnë një gamë të gjerë të kritereve, duke përfshirë infrastrukturën, institucionet, arsimin, efikasitetin e tregut të punës, si dhe risi në sofistikimin e biznesit dhe gatishmërinë teknologjike. Renditje në raportet e tilla sinjalizojnë konkurrueshmërinë ndërmjet vendeve.
Këto renditje tregojnë se konvergjenca e Shqipërisë me BE dhe konkurrenca janë ngadalësuar në vitet e fundit. Ndërsa renditja e Shqipërisë u përmirësua në këto indekse gjatë 2008-‘11, ritmi i përmirësimit është zvogëluar shumë kohët e fundit, shpjegon FMN.
Kush kërkon azil në Belgjikë, përjashtohet 8 vite nga Shengeni
Sekretari i Shtetit për Azilin dhe Migracionin Theo Francken tha dje se kushdo që kërkon azil në Belgjikë nuk do të ketë asnjë shans aprovimi, por jo vetëm kaq. Veç refuzimit të menjëhershëm aplikuesit do të penalizohen duke u ndaluar të hyjnë deri në 8 vjet në zonën Shengen. Gjatë ditës së sotme në Tiranë, zv/ministrja Elona Gjebrea priti në takim një delegacion nga Belgjika, i cili kryesohej nga Sekretari i Shtetit për Azilin dhe Migracionin Theo Francken.
Palët përshëndetën dhe vlerësuan bashkëpunimin mes dy qeverive në çështjet e azilkërkuesve dhe migracionit dhe ranë dakord në fuqizimin e këtij bashkëpunimi, nëpërmjet shkëmbimit të mëtejshëm të informacionit. Zv/ministrja Gjebra theksoi vendosmërinë e palës shqiptare për të bashkëpunuar ngushtësisht me të gjitha vendet partnere, për të shmangur abuzimin me sistemin e azilit në Belgjikë apo në vendet e tjera të Bashkimit Europian. “Së shpejti do të fillojë një fushatë verore intensive për ndërgjegjësimin e qytetarëve shqiptare në kuadër të lëvizjes së lirë me viza dhe shpjegimin e sanksioneve përkatëse në rast abuzimi”, u shpreh Gjebrea.
Sekretari i Shtetit Francken theksoi se shtetasit shqiptarë nuk duhet të tentojnë të hyjnë në Belgjikë, pa mjetet e nevojshme financiare për qëndrim, pasi do t’u mohohet hyrja. Ai shtoi se shtetasit që do të kërkojnë azil do të përballen me një refuzim të menjëhershëm, si edhe penalizime të forta deri në ndalim hyrje në 8 vjet në zonën Shengen.
Biznesmeni akuza qeverisë për terror me tatimet
Rruga e ‘Radio-Televizionit’ është një ndër më të bukurat në Tiranë. Me disa biznese të njohura të shërbimit dhe akomodimit. Hashtag.al në shkrim të tij citon se prej disa ditësh kalimtarët e kësaj rruge do kenë pasur rastin të shohin një njoftim të çuditshëm, një pusullë të ngjitur në derën e një restoranti(tashmë të mbyllur) ku pronari ka shkruar në shqip dhe anglisht një denoncim të pazakontë. “Stop terrorit tatimor. Të nderuar klientë, në protestë të taktikave diktatoriale, trajtimit si kriminelë nga grupet e tatimorëve, duke e vëzhguar biznesin tonë 12 orë dhe duke bërë kontrolle nga tre herë rresht, kemi vendosur të pezullojmë aktivitetin”. Presioni i qeverisë Rama është rritur ndjeshëm ndaj biznesit të vogël dhe të mesëm sidomos vitin e fundit. Qeveria duket e pamëshirshme dhe disa raste kanë bërë bujë në media, ku më spektakolari ishte ai i ‘nënë Zylës’ e cila shiste perime. Por njësoj ka pasur raste dhe në radhët e fukarenjve që nuk kanë paguar energjinë elektrike ose që kanë detyrime të prapambetura. Gjobat janë një metodë e preferuar e qeverisë dhe sidomos e taksambledhësve, shpesh gjobat janë aq të majme sa justifikojnë xhiron e 6 muajve të një biznesi. Paralelisht, miqtë dhe klientela e kryeministrit kanë avancuar me koncensione, tendera dhe leje ndërtimi, ku biznesmenë si Vilma Nushi, Pandeli Carapuli, Koço Kokëdhima Samir Mane, po fitojnë kontrata dhe të drejta ekskluzive të rëndësishme, e tendera pa fund. Njësoj të shpenguar shfaqen dhe drejtoreshat e besuara të Ramës, siç ishte rasti i Belinda Ballukut, drejtoresha e Albcontrol, për të cilën HashtagAL zbuloi se i kishte paguar 400 mijë euro Spitalit Amerikan për vizitat mjekësore të stafit të saj. Përtej kontrastit të fortë, kryeministri duket më i apasionuar se kurrë pas pikturave të veta dhe muajt e fundit ka nisur të shfaqë dhe dëshirën e tij sublime për të reformuar sistemin e drejtësisë. Drejtoria e Përgjithshme Tatimeve ka nisur përfshirjen në TVSH të bizneseve në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet, pavarësisht se ata ushtrojnë aktivitet në tregtinë më pakicë dhe deri më tani janë trajtuar si të vogla. Kjo masë ndaj bizneseve ishte lajmëruar më parë nga Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, i cili vetëm pak ditë nga emërimi në këtë detyrë tha se të gjitha bizneset në zonën e bllokut do të klasifikohen si te mëdha. Një njësi e shitjes së rrobave, e cila ka marrë shkresën nga tatimet pohoi se xhiroja që ajo ka deklaruar në tatime është shumë herë më e ulët se kufiri i i përfshirjes në TVSH prej 50 milionë lekësh. Shkresa që i ka shkuar nga tatimet është formuluar në mënyrë të tillë: “Referuar shkresës datë 5 maj 2016 të Drejtorisë së Vlerësimit te të ardhurave tatimore dhe Kontabilitetit si dhe në zbatim të ligjit për TVSH ju njoftojmë se nga periudha tatimore maj 2016 jeni të regjistruar në librat e shitjes dhe blerjes si dhe në formularin e TVSH-së në afatet e përcaktuara më legjislacion”. Gruaja që ka në pronësi aktivitetin argumenton se, nuk mund të jetë një subjekt i përfshirë në TVSH. Nën presionin e rënies së konsumit dhe të konkurrencës nga qendrat tregtare xhiroja në tre vitet e fundit ka pësuar rënie sistematike, teksa qiraja është rritur. Gjithashtu furnizuesit e shumicës nuk lëshojnë fatura reale, ndaj këtu vështirësohet edhe shitja me TVSH. Të përfshirë në këtë situatë shumë biznese në zonën e Bllokut janë vënë në kërkim të shitjes së aktivitetit. Në fund te prillit u kanë nisur një sërë bizneseve të vogla njoftime zyrtare ku u kërkojnë subjekteve që e kanë xhiron afër 8 milionë lekë (që është kufiri që e ndan biznesin e vogël nga i madhi) që të kalojnë vullnetarisht në biznes të madh, pasi nga verifikimet në sistemin e ri elektronik ka rezultuar se qarkullimi i realizuar nga kompania është i përafërt me kufirin e regjistrimit si biznes i madh. Si rrjedhojë, Drejtoria e Tatimeve i ka ftuar bizneset që të paraqiten në mënyrë të vullnetshme brenda datës 31 maj pranë zyrave të saj, për të bërë kalimin në biznes të madh. Në shkresën e tatimeve shprehej e qartë se nëse bizneset do të refuzojnë të paraqiten vullnetarisht, atëherë dy punonjës të tatimeve do të paraqiten tek subjekti për të bërë verifikim dhe kontroll në vend të situatës dhe nëse do të gjejnë shkelje atëhere do të bëhen subjekt i masave ndëshkuese.
INSTAT gënjen për papunësinë
Teksa norma e papunësisë erdhi në një trend ulje në tremujorin e parë të 2016, një tregues që INSTAT publikoi për herë të parë, tregon që qytetet e Vlorës dhe Tiranës kanë papunësinë më të lartë në vend në krahasim me mesataren në shkallë vendi prej 16.9 për qind.
A mund të besojë kush se papunësia më e lartë është në këto dy qytete, ndërkohë që niveli më i mirë i punësisë është në qytetet si Kukësi apo Dibra, ku varfëria është në nivelet e skajshme?
Papunësia e lartë në kryeqytet duket se po pasqyron presionin fiskal mbi njësitë e shërbimeve, ndaj të cilave janë dyfishuar taksat lokale këtë vit. Tirana e ka të bazuar punësimin 69.4% në sektorin e shërbimeve, 25.7 për qind në industri dhe vetëm 4.7% në bujqësi.
Shkalla e lartë e papunësisë në Tiranë, arsyetohet edhe me numrin më të lartë të forcës së punës, pasi vetëm në tremujorin e parë, popullsia e kryeqytetit është shtuar me 10 858 persona.
Zhvendosjet e popullsisë nga periferitë drejt qendrës së vendit, do ta bëjnë Tiranën qytetin me normë pozitive të rritjes së popullsisë ndryshe nga të tjerat, të cilat do të pësojnë rënie të ndjeshme në vitet në vijim sipas projeksioneve të popullsisë të INSTAT.
Vlora renditet e para për normën më të lartë të papunësisë me 26.7 për qind, duke u ndjekur nga kryeqyteti me një normë papunësie 23%. Më tej, normat më të larta të papunësisë i kanë Kukësi, Lezha, Gjirokastra dhe Durrësi.
Harta rajonale e papunësisë zbardh të dhëna interesante për disa prefektura që në perceptimin e parë shquhen për nivel më të lartë të mirëqenies se sa tregojnë shifrat. Të dhënat tregojnë se, qytetet me bazë zhvillimin e turizmit të tilla si Durrësi, Vlora dhe Lezha, kanë papunësi të lartë mbi mesataren kombëtare.
Ndërsa qarqet që kanë të zhvilluar industrinë e rëndë dhe atë fasone të tilla si Berati, Shkodra, Elbasani dhe Fieri, kanë papunësi më të ulet se mesatarja.
INSTAT publikoi këto ditë për herë të parë treguesit kryesorë të tregut të punës sipas qarqeve.
Instituti i Statistikës sqaroi se, llogaritja e treguesve sipas qarqeve u mundësua si pasojë e rritjes së numrit të njësive ekonomike familjare në anketë, nga 5.040 gjatë periudhës 2012-2015 në 7.924 për tremujorin e parë të vitit 2016.
Bien çmimet e prodhimit në Kosovë
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar indeksin e çmimeve të prodhimit për tremujorin e parë të këtij viti, ku theksohet se indeksi i tërësishëm i çmimeve të prodhimit në Kosovë pësoi rënie prej -0.6% ndërmjet tremujorit të parë të këtij viti dhe tremujorit të katërt të vitit që shkoi.
Rënie më të mëdha sipas degëve të veprimtarive ekonomike vërehen te: produktet minerale jometalike (-7.6%); mjetet motorike (të transportit), rimorkiove dhe gjysmërimorkiove (-7.5%); mobilievet (-0.9%); xeheroret dhe guroret e tjera (-0.7%); druri dhe prodhimet e tij dhe të tapës, përveç mobilieve: prodhimi i artikujve nga kashta dhe materialeve të gërshetuara – thurëse (-0.6%); lëkura dhe prodhimet prej saj (-0.4%); prodhimet e gomës dhe plastikës (-0.3%); dhe prodhimi i letrës dhe prodhimeve prej saj (-0.1%).
Sipas ASK-së, rënia u neutralizua nga ngritja e çmimeve te: nxjerrja e xehes së metalit (6.1%); prodhimi i pijeve (1.6%); prodhimet e fabrikuara metalike, përveç makinerisë dhe pajisjeve (0.9%); prodhimet ushqimore (0.7%); energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar (0.5%); prodhimi i metaleve (0.4%); prodhimet kimike (0.1%); dhe prodhimi i makinerisë dhe pajisjeve p.k.t (0.1%).
“Krahasuar TM1 2016 me TM1 2015, çmimet e prodhimit u ulën në një mesatare prej (-0.5%). Rënia më të mëdha sipas degëve të veprimtarive ekonomike ishin te: prodhimi i mjeteve motorike (të transportit) rimorkiove dhe gjysmërimorkiove (-7.0%); prodhimet minerale jometalike (-6.6%); prodhimi i makinerisë dhe pajisjeve p.k.t (-4.5%); nxjerrja e xehes së metalit (-4.0%); prodhimi i metaleve (-3.7%); prodhimi i letrës dhe i produkteve të saj (-3.0%); prodhimi i drurit dhe i produkteve të tij dhe të tapës, përveç mobilieve: prodhimi i artikujve nga kashta dhe materialeve të gëshetuara – thurëse (-2.7%); xeheroret dhe guroret e tjera (-0.7%); prodhimet kimike (-0.6%); prodhimi i mobilieve (-0.6%); dhe prodhimet e gomës dhe të plastikës (-0.3%)”, thuhet në komunikatën e ASK-së.
Rënia u neutralizua nga ngritja e çmimeve te prodhimi i pajisjeve elektrike (3.7%); prodhimi i letrës dhe produkteve të saj (2.8%); prodhimi i pijeve (1.7%); energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar (1.6%); prodhimi i produkteve ushqimore (0.6%); dhe prodhimet e fabrikuara metalike, përveç makinerisë dhe pajisjeve (0.1%).
Investimet publike në kolaps, qeveria mbyll çdo projekt
Qeveria shqiptare duket se ka pezulluar çdo projekt publik, teksa investimet publike shënuan në muajin maj një nga nivelet më të ulëta të të gjitha kohërave. Të dhënat e fundit zyrtare nga Ministria e Financave, tregojnë se në muajin e kaluar qeveria shpenzoi vetëm 1.8 miliardë lekë për investimet publike, nga 4.8 miliardë lekë që ishte plani i parashikuar në buxhet. Në total si 5 mujor qeveria ka investuar vetëm 13.93 miliardë lekë, çka përbën nivelin më të ulët që nga viti 2008 në vlerë nominale. Sipas të dhënave krahasuar me 5 mujorin e vitit të kaluar, investimet publike janë këtë vit 20.9 për qind më të ulëta. Prej 3 vitesh, investimet janë zëri me ecurinë më problematike të buxhetit. Në vitin 2014, qeveria realizoi 50 për qind të investimeve vetëm në 2 muajt e fundit të vitit duke përdorur letër kreditet, të cilat kaluan fonde publike tek kompanitë private pa kryer punë fizike, ndërkohë që e njëjta tendencë u vu re edhe vitin e kaluar. Këto manovra kanë shqetësuar jo pak Fondin Monetar Ndërkombëtar, i cili i ka kërkuar disa herë qeverisë të ruajë disiplinën e buxhetit dhe të realizoi në mënyrë të njëtrajtshme investimet për të mos dëmtuar rritjen ekonomike. Edhe Banka e Shqipërisë ka artikuluar të njëjtin shqetësim publikisht duke i bërë thirrje qeverisë që të disiplinojë realizimin e investimeve.
Paqëndrueshmëria e investimeve
Investimet publike janë një funksion që ndjekin nga pas Arben Ahmetaj. Pasi i transferoi dy vjet më parë investimet publike nga Ministria e Financave tek ajo e Zhvillimit Ekonomik, këtë vit qeveria bëri të kundërtën. Pas emërimit të Arben Ahmetajt si ministër i Financave, ajo i ktheu sërish investimet nga Ministria e Ekonomisë tek ky dikaster. Qeveria nuk dha asnjë argument në vitin 2014 dhe nuk jep asnjë argument as këtë herë. Këto lëvizje tregojnë se sa serioze është qeveria në menaxhimin e një nga funksioneve më të rëndësishme jo vetëm të buxhetit, por edhe vetë shtetit, atë që ka të bëjë me planifikimin dhe ekzekutimin e projekteve publike. Dhe siç tregojnë shifrat, transferimi sa në një ministri në tjetrën duket se kanë dëmtuar jo pak ecurinë e investimeve dhe cilësinë e tyre.
Para për zyra
Në listën e detajuar të investimeve publike për këtë vit, pjesa dërrmuese e projekteve janë rikonstruksione zyrash. Thuajse çdo institucion publik, Ministri apo agjenci qeveritare ka parashikuar të rikonstruktojë godinën duke bërë që dhjetëra milionë dollarë nga paratë e qytetarëve në 2016-ën të shkojnë për këtë qëllim jo për rrugë, shkolla apo spitale. Në total, investimet e buxhetit për këtë vit janë parashikuar të jenë 60.5 miliardë lekë ose 4 për qind e Prodhimit Kombëtar. Sipas shifrave të vetë qeverisë, ky është niveli më i ulët i investimeve me para publike që nga viti 1997. Por krahas tkurrjes së fondeve, qeveria ka ndryshuar dhe filozofinë e investimeve duke i larguar ato nga qytetarët. Nga lista e detajuar e projekteve rezulton se vetëm 27 miliardë lekë, ose më pak se gjysma, do të shkojnë për punime civile në projekte publike në përfitim të qytetarëve si shkolla, rrugë, spitale apo ujësjellësa. Sipas listës, pjesa më e madhe fondeve janë destinuar për rikonstruksion zyrash, blerje kompjuterash, kancelari për institucionet apo shpenzime për blerje librash, studime dhe analiza të ndryshme që do të kontraktohen nga OJQ-të. Ndryshe nga vitet e kaluara kur investimet publike në pjesën dërrmuese, financonin rrugë, shkolla apo ujësjellësa në dobi të publikut këtë vit ato do të të jenë të padukshme për qytetarët dhe të dukshme për pushtetarët. Dëshmia më e qartë për këtë janë krahasimi i investimeve që shkojnë në ndërtim rrugësh apo ujësjellësish. Sipas të dhënave të vetë qeverisë, nëse vitin e kaluar investimet në rrugë dhe ujësjellësa ishin 35.5 miliardë lekë, në 2016-ën ato do të jenë vetëm 19.8 miliardë lekë ose gati dy herë më pak.
Vlerësohet tifozeria shqiptare
Në një kohë që debati mbi sjelljen e tifozerive në Kampionatin Evropian ka arritur kulmin për shkak të përplasjeve mes anglezëve dhe rusëve, media zvicerane ka marrë shembull mbështetësit e Kombëtares kuqezi.
“Kur shohim skena përleshjeje mes tifozerive të ndryshme, kujtojmë se kjo nuk ka ndodhur mes shqiptarëve dhe zviceranëve”, ka shkruar “Blick”, transmetn KP. “Blick” ka shtuar se, tifozeria shqiptare meriton notën maksimale për sjelljen e saj.
Shaqiri shpallet qytetar nderi
Kuvendi Komunal i Gjilanit, (pa opozitën që bojkotoi seancën ( PDK e LVV), ka shpall “Qytetar Nderi” i Gjilanit i Joseph R.Biden III, e më pas edhe Erzen Rrustemin dhe Xherdan Shaqirin.
Shpallja e tyre u bë, megjithatë pati vërejtje për procedura teknike që nuk janë ndjekur. Po ashtu pati ankesa se nuk u paraqitën as të dhëna bazike për këto figura, ndonëse u tha se janë figura të njohura të dëshmuara që do e nderojnë edhe qytetin, që po i nderon me këtë çmim.
Ndonëse të pranishëm ishin anëtarë të Kuvendit nga LDK e AAK që janë partnerë koalicioni, interesant ishte fakti që kishte fërkime dhe mospajtime.
Kjo bëri që edhe pse mungoi opozita, përveç Bajram Hasanit të NISMA që ishte i pranishëm, të ketë një opozitë brenda taborit pozitë. Pasi disa anëtarë të LDK-së, por edhe ata të AAK-së, thanë se nuk duhet dalë që ata janë kundër këtyre figurave, sepse të gjithë i çmojnë këto personalitete, por janë vetëm kundër shkeljeve dhe mosrespektim të procedurave.
Përndryshe, Malazog Hoxha, drejtues i Njësisë për Sport i Komunës së Gjilanit tha se, procedurat ligjore janë ndjekur deri në këtë moment për t’u shpallë qytetar nderi sportistët Erzen Rrustemi e Xherdan Shaqiri, dhe tani i takon kuvendarëve të marrin vendim.
Arben Mehmeti (LDK) ishte autokritik që është ftuar si seancë e jashtëzakonshme për të shpallë dikë qytetar nderi. Ai tha se duhej të respektoheshin procedurat, të kenë anëtarët e Kuvendit materiale për këto personalitete e jo vetëm Kuvendi të bëhet mekanizëm votimi.
Pa një pauze për konsultime, kuvendarët u kthyen në seancë dhe votuan edhe për këto personalitete, sportistët Erzen Rrustemi e Xherdan Shaqiri që të jenë qytetarë nderi të Gjilanit, duke thënë se ishin pro, por se vërejtjet e tyre, të bëra në pjesën e para pauzës, kishin të bënin vetëm për procedura.