29.5 C
Tirana
E diel, 17 Gusht, 2025

UEFA përjashton Rusinë me kusht nga Europiani

Federata Evropiane e Futbollit, vendosi të “skualifikojë me kusht” ekipin kombëtar rus dhe ta dënojë atë me 150 mijë euro gjobë, për shkak të përfshirjes së tifozëve rusë në përleshje të dhunshme në Marsejë.
Në një komunikatë të UEFA-s thuhet se kundër Unionit Rus të Futbollit janë ngritur akuza për “trazira, përdorim fishekzjarrësh dhe sjellje raciste”.
Në komunikatë thuhet se, Komiteti i Etikës vendosi që të japë dënimin me 150 mijë euro gjobë dhe skualifikim me kusht për ekipin rus deri në përfundim të Kampionatit Evropian.
Ky pezullim do të hyjë në fuqi, nëse incidente të ngjashme, ndodhin brenda stadiumit në cilëndo prej ndeshjeve të ekipit rus gjatë kampionatit.
Policia franceze filloi procesin e deportimit të 29 rusëve pas përplasjeve të dhunshme me tifozat britanikë në ditët e para të Kampionatit Evropian.
Mbi 35 vetë u plagosën në Marsejë të shtunën vonë, pasi tifozë britanikë dhe rusë u përleshën brenda dhe përreth stadiumit “Velodrome”. Pasi ndeshja përfundoi me barazim 1-1, tifozët rusë sulmuan ata britanikë, duke i detyruar që të largoheshin dhe të kapërcenin rrethimet në një përpjekje të dëshpëruar për të shpëtuar.
Kremlini e dënoi dhunën dhe u bëri thirrje rusëve që të mos u përgjigjen provokimeve në kampionat.
“Ngjarjet në Marsejë ishin të papranueshme. Të papranueshme për autoritetet, të papranueshme për shoqërinë dhe për admiruesit e futbollit. Kemi qenë dëshmitarë të dhunës mes përkrahësve të provokuar nga tifozë të dehur”, tha ministri i Brendshëm francez, Bernard Cazeneuve.
Ky nuk ishte incidenti i vetëm në kampionatin që zgjat një muaj. Dhuna mes tifozëve irlandezë dhe banorëve vendas plagosi shtatë persona në Nisë.
Ministri i Brendshëm francez, Bernard Cazeneuve tha se u kishte kërkuar zyrtarëve vendas të vinin kufizime për shitjen dhe transportin e alkoolit në ditët e ndeshjeve, si dhe pranë zonave të tifozëve. UEFA organizoi zona, ku tifozët nga të gjitha vendet inkurajohen të shohin ndeshje pranë njëri-tjetrit.
UEFA dënoi dhunën, duke thënë se “njerëzit e përfshirë në akte të tilla nuk kanë vend në futboll”.
Siguria është forcuar në 10 stadiume, ku do të luhen ndeshje, dhe qeveria britanike ka ofruar të dërgojë më shumë policë në Francë para ndeshjes së radhës mes Anglisë dhe Uellsit të enjten në Lans.

Euro 2016, 31 lojtarë me origjinë shqiptare

Kombëtarja e Shqipërisë humbi në ndeshjen e parë të Kampionitit Evropian, por dyert ende janë të hapura për vazhdimin e garave. Në ndeshjen e së mërkurës me Francën kuqezinjtë do ta kenë shumë të vështirë. Por bilanci i deritanishëm dëshmon se Shqipëria di t’i kundërvihet francezëve, pasi Shqipëria nuk ka humbur në dy ndeshjet e fundit. Kombëtarja shqiptare është nisur ndërkohë për në Marsielle, ku me francezët do të ketë sfidën e dytë në Euro 2016. Ndeshja zhvillohet në orën 21:00 – në “Stade Velodrome”, Marsielle. Në formacion nuk do të jetë kapiteni Lorik Cana, për shkak të përjashtimit në ndeshjen kundër Zvicrës. Në formacion priten edhe disa ndryshime të tjera taktike.

Lojtarët me origjinë shqiptare
Në dallim nga Kombëtarja shqiptare, në ekipin e Zvicrës nuk pritet ndonjë ndryshim i madh. Ndaj pritet që sërish në formacion të jenë pesë lojtarë me origjinë shqiptare: Granit Xhaka, Shaqiri, Xhemaili, Behrami dhe Mehmedi. Zvicra, e cila në radhët e veta ka të nominuar gjashtë lojtarë me origjinë shqiptare – me një fitore kundër Rumanisë do të siguronte kualifikimin ndër 16 ekipet që vazhdojnë garat në këtë KE. Nëse llogariten së bashku – 23 lojtarë të Shqipërisë, gjashtë në radhët e Zvicrës, një në Gjermani (Shkodran Mustafi) dhe një arbëresh me origjinë në Itali (Antonio Candreva), rezulton se në këtë Kampionat ka 31 lojtarë me origjinë shqiptare.

Shaqiri dhe paraqitja e mundshme për Kosovën
Ndryshe nga vëllezërit Xhaka (babai i tyre Ragip Xhaka pohon se, Taulanti do t’i mbetet besnik Shqipërisë, ndërsa Graniti Zvicrës), ylli i Zvicrës, Xherdan Shaqiri, e ka lënë të hapur mundësinë që një ditë të luajë për përfaqësuesen e Kosovës. Mediat zvicerane raportojnë se, Shaqiri nuk ka dhënë përgjigje definitive për të ardhmen e tij sa i përket kombëtareve. “Bluewin” dhe “20 min”, sjellin një intervistë ku Shaqiri, në pyetjen nëse ka marrë ndonjë qëndrim të qartë për mbetjen në Zvicër, përgjigjet me kundërpyetje: Si do të përgjigjeshit ju nëse trajneri i Kosovës ju thërret dhe ju thotë se ju jeni kapiteni i ardhshëm i Kosovës? Por Shaqiri shton se ende nuk ka marrë ndonjë ftesë të tillë dhe se aktualisht është i fokusuar në tërësi tek Euro 2016, ku “do të japë gjithçka për ekipin e Zvicrës”, siç ka bërë gjithmonë.

Mustafi në qendër të vëmendjes
Mediat gjermane pohojnë se, mbrojtësi mesfushor (me origjinë shqiptare) Shkodran Mustafi, do të jetë titullar edhe në ndeshjen e dytë të përfaqësueses gjermane, kundër Polonisë. Ai u fut në ndeshjen kundër Ukrainës si zëvendësues i Mats Hummels, (i cili ndërkohë është i gatshëm për lojë), por me golin e shënuar dhe lojën e sigurt në mbrojtje, ai ka tërhequr vëmendjen e gjithë sportdashësve në Gjermani. Ishte ky goli i parë i Mustafit për Gjermaninë, ku ndërkohë ka 11 paraqitje. I mundur është edhe formacioni, ku Mustafi të luajë së bashku me Boateng dhe Hummels në mbrojtje, por trajneri Joachim Low, është i njohur për marrjen e vendimeve në momentin e fundit, në mënyrë që kundërshtari të mos mund të përgatisë kundërpërgjigjet e tij taktike. Joachim Low pas ndeshjes me Ukrainën e ka vlerësuar Mustafin për kontributin në lojë.

Terrorizmi godet Francën, vriten dy drejtues policie

Një shef i policisë lokale dhe partnerja e tij u vranë mbrëmjen e së hënës në shtëpinë e tyre në periferi të Parisit.
Djali i tyre tre vjeçar u shpëtua nga policia, e cila asgjësoi sulmuesin që u identifikua si Larossi Abballa.
Presidenti francez Francois Hollande, tha se vrasja ishte “padyshim një akt terrorist” që ndodh në një periudhë kur Franca ka shtuar masat e sigurisë si vend mikëpritës i Kampionatit Evropian të futbollit.
Abballa, 25-vjeçar, ishte dënuar në vitin 2013 me tre vjet heqje lirie për rekrutimin e luftëtarëve për xhihad në Pakistan.
Agjencia e lajmeve e grupit Shteti Islamik, tha se grupi është përgjegjës për sulmin, por grupi ende nuk ka bërë ndonjë deklaratë zyrtare për të njoftuar nëse sulmuesi ishte nga radhët e tij.
Shefi 42-vjeçar i policisë u vra para shtëpisë së tij në Magnanville, rreth 55 kilometra në perëndim të Parisit, para se Abballa të hynte në shtëpi dhe të vriste gruan e tij që ishte po ashtu zyrtare e policisë.

Obama reagon për masakrën e Orlandos

Presidenti amerikan Barack Obama e quajti masakrën e së dielës në një klub nate të Floridës më të përgjakshmen në historinë amerikane.
Presidenti Obama tha se, sulmi në klubin e frekuentuar nga komuniteti homoseksual dhe lezbik është një sulm ndaj Shteteve të Bashkuara dhe vlerave të tyre.
“Ky ishte një akt terrori dhe një akt urrejtjeje. Si amerikanë ne jemi të bashkuar në pikëllimin, zemërimin dhe vendosmërinë për të mbrojtur njerëzit tanë”, tha Presidenti Obama.
Presidenti tha gjithashtu se, një veprim i tillë u bë i mundur kryesisht sepse në Shtetet e Bashkuara është e lehtë të blesh armë.
“Ne duhet të vendosim nëse është ky vendi ku duam të jetojmë. Të rrish duarkryq në mënyrë aktive, edhe ky është një vendim”, tha Presidenti.
Personi i armatosur, i identifikuar si Omar Matin, shtetas amerikan me origjinë afgane, hyri me forcë në klubin Pulse rreth orës 2 të natës dhe hapi zjarr ndaj rreth 300 njerëzve që ishin brenda. Disa arritën të largohen nga dera e pasme. Të tjerë u shtrinë në dysheme ose u përpoqën të fshiheshin.
Vrasësi u qëllua për vdekje në konfrontimin me policinë që arriti në vendin e ngjarjes.
Udhëheqësit e organizatave myslimane në Shtetet e Bashkuara e dënuan menjëherë aktin dhe u bënë thirrje mediave të shmangnin sensacionet.
“Ne të gjithë duhet të presim deri sa hetuesit të kenë informacionet dhe faktet dhe atëherë ne do të shohim se çfarë ka ndodhur, do ta kuptojmë atë dhe do të qëndrojmë së bashku, për të punuar së bashku, për ta mbajtur komunitetin tonë të fortë”, tha Imam Muhamed Musri, Kryetar i Shoqatës Myslimane të Floridës Qendrore.
Grupi terrorist Shteti Islamik mori përgjegjësinë për ngjarjen në Orlando përmes medias së tyre. Sulmi ndodh, ndërkohë që myslimanët mbajnë muajin e shenjtë të Ramazanit.

Vuçiç zbulon komplot, takon ambasadorët e SHBA e BE-së

Kryeministri i Serbisë ka takuar diplomatët e BE dhe SHBA me kërkesën e ambasadorit amerikan Kyle Scott Randolph dhe kreut të Delegacionit të Bashkimit Europian në Serbi, Michael Davenport.
Takimi pason pretendimet e gazetave dhe stacioneve televizive të para si të afërta me qeverinë, se mediat e pavarura dhe lëvizjet qytetare në Serbi janë duke punuar nën udhëheqjen e ambasadorëve të SHBA-së dhe BE-së për të destabilizuar qeverinë e Aleksandër Vuçiçit.
Në takimin e të hënës, ambasadorët i thanë kryeministrit Vuçiç se vendet e tyre janë të përkushtuara të ndihmojnë Serbinë në rrugën e saj drejt integrimit në BE.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin aspiratat e Serbisë për t’u anëtarësuar në BE dhe ne mirëpresim përkushtimin e kryeministrit Aleksandër Vuçiç për të vazhduar rrugën e BE-së”, tha ambasada e SHBA në Beograd pas takimit.
Ambasada gjithashtu tha ajo e kuptonte punën e madhe të qeverisë për reformat dhe forcimin e gjyqësorit, që janë të nevojshme, nëse Serbia do të hyjë në BE.
Komisioni Europian gjithashtu mohoi përfshirjen në lëvizjen e qytetarëve “Të mos mbytet Beogradi” dhe “Mbështet RTV”, pas akuzave nga TV Pink, TV Studio B dhe tabloidi “Informer”, të cilat janë të gjitha të afërta me qeverinë.
Polemika filloi kur Dragan Vuçiçeviç, redaktor i Informer, në konferencën për shtyp të Kryeministrit të mërkurën, akuzoi BE-në dhe SHBA-në se ka sponsorizuar mediat dhe fushatat e qytetarëve me qëllim destabilizimin e Serbisë – dhe kryeministri Vuçiç u pajtua me të.
Zëdhënësja e Punëve të Jashtme dhe Sigurisë të BE-së, Maja Koçijançiç ka deklaruar të enjten se akuzat janë të pabaza.
“BE-ja është e dedikuar me vendosmëri dhe padyshim në perspektivën europiane të Serbisë dhe BE-ja është donatori më i madh financiar dhe partneri tregtar i Serbisë”, kujtoi Koçijançiç.
Kreu i think tankut Qendra për Studime Euro-Atlantike, Jelena Miliç, tha se diplomatët po e paralajmëronin Vuçiç të tërhiqet.
“Ata që e kuptojnë gjuhën diplomatike dhe situatën politike në Serbi mund të kuptojnë nga deklaratat e ambasadës se kjo ishte një mënyrë për t’i thënë kryeministrit të ftohë retorikën”, tha ajo.
Megjithatë, ajo shtoi se nuk ishte e sigurt se, kryeministri do ta dëgjojë fjalën e ambasadorëve.
“Jemi duke u futur në një situatë të ngjashme me Turqinë… shoqëria po shkon drejt autokracisë. Ajo që shqetëson më shumë është de-legjitimimi i lëvizjeve jo të dhunshme dhe procesit demokratik”, shtoi Miliç.
Miliç gjithashtu pohoi se, zërat e mediave të afërta me qeverinë nuk janë vetëm zërat e tyre, por në mënyrë të qartë shprehin pikëpamjet e Kryeministrit.
Sipas gazetës “Politika”, Vuçiç ka anuluar vizitat e planifikuara më parë në Uashington dhe Bruksel, edhe pse ende nuk ka ende një konfirmim për këtë nga qeveria.

Srebrenica të shpallet genocid

Në prag të 21-vjetorit të masakrave të Srebrenicës muajin e ardhshëm, tre OJQ-të serbe i bënë thirrje anëtarëve të Parlamentit të premten të miratojnë një rezolutë që i dënon si gjenocid vrasjet nga forcat serbe të Bosnjës.
“Serbia duhet të tregojë vlerat që ne përfaqësojmë. Ne nuk mund të jemi liderë pajtimi në rajon, nëse mohojmë gjenocidin”, tha në një konferencë për shtyp Anita Mitiç, drejtoreshë e Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut me bazë në Beograd.
Nemanja Stjepanoviç nga Qendra për të Drejtën Humanitare tha se, roli i shtetit serb në masakrën e Srebrenicës ishte i padiskutueshëm, sepse ai mbështeti dhe financoi Ushtrinë Serbe të Bosnjës.
“Kombi serb nuk është gjenocidal dhe kjo është arsyeja pse serbët duhet të dënojnë gjenocidin që individë të caktuar kryen në emër të kombit”, tha Stjepanoviç.
Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut, Qendra për të Drejtën Humanitare dhe Shtëpia e të Drejtave të Njeriut me qendër në Beograd i bënë gjithashtu thirrje deputetëve të marrin pjesë në një takim përkujtimor për viktimat e gjenocidit para ndërtesës së Parlamentit në Beograd më 11 korrik.
Masakrat janë përcaktuar si gjenocid nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe Gjykata shtetërore boshnjake.

“Franca nuk na tremb, marrim rezultat”

Shqipëria provon të luajë kundër parashikimeve të mërkurën në Marsejë përballë Francës. Lojtarët, stafi teknik dhe tifozët presin shumë nga sfida përballë “gjelave” dhe sipas Amir Abrashit pikënisja e Kombëtares duhet të jenë dy miqësoret e luajtura ndaj skuadrës së Deschamps, gjatë kualifikueseve të Euro 2016. “E kemi analizuar shumë mirë Francën. Në ndeshjet e fundit miqësore kundër tyre jemi paraqitur mirë. Duhet të përmirësojmë gabimet që kemi bërë me Zvicrën prej sfidës me francezët dhe besoj se Kombëtarja do të luajë mirë”, u shpreh Abrashi.
Motori i mesfushës së Kombëtares beson se kuqezinjtë mund të përfitojnë nga presioni që kanë francezët dhe mund të marrë rezultat pozitiv. Por, që kjo të arrihet, duhet të evitohen gabimet dhe të mos pësohet një tjetër goli shpejt. “Kemi treguar që nuk u trembemi skuadrave të mëdha. Normale që Franca është më e impenjuar, sepse luan në shtëpi, por do të kenë edhe presion nga tifozët. Nuk duhet të pësojmë gola të shpejtë për t’i dhënë skuadrës besim dhe të përmirësojmë gabimet. Mendoj se mund të dalim nga kjo sfidë me rezultat pozitiv”, tha ai.
Abrashi iu kthye ndeshjes me Zvicrën, ku edhe pse nuk shkëlqeu si zakonisht në fushë, theksoi se jep gjithmonë maksimumin për fanellën e Kombëtares. “Motivimin e kemi në çdo ndeshje kur hyjmë në fushë, sidomos tani që jemi në Kampionatin Europian. Zvicra është një kundërshtar i vështirë, ata më njohin mua, unë i njoh ata dhe kjo ndoshta ka ndikuar. Megjithatë, unë jap gjithmonë maksimumin kur luaj me Kombëtaren”, tha Abrashi.
Në fund, mesfushori vlerësoi edhe Elseid Hysajn, që prej mungesës së Lorik Canës do të jetë kapiten ndaj Francës, ndërsa pas paraqitjes me Zvicrën përfundoi në listën e dëshirave të Arsene Wenger, që është gati të paguajë afro 19 milionë euro për ta transferuar te Arsenali. “Hysaj është lojtar i ri, por ka luajtur shumë ndeshje në Serinë A. Për të nuk është problem të jetë nën presion, ai na jep garanci dhe na ndihmon si kapiten dhe si lojtar. Përsa i takon të ardhmes së tij dhe interesit nga Arsenali apo Barcelona për këtë duhet të flasë vetë Elseidi, dhe ndoshta e bën në të ardhmen”, përfundoi Abrashi.

“Dridhet” Franca!

Trajneri i Francës, Didier Deschamps ka vendosur që në sfidën ndaj Shqipërisë të lerë në stol Antoine Griezmannin dhe Paul Pogban. Sipas mediave franceze, trajneri ka vendosur që të lërë jashtë formacionit Antoine Griezmannin dhe Paul Pogba, edhe pse të dy cilësohen si thelbësorë për lojën e “gjelave”. Deschamps mendon për të ardhmen dhe dëshiron që dy lojtarët kryesorë të Francës të qëndrojë pushim për të fituar formën më të mirë fizike.
Në vend të Griezmannin, pritet si titulluar Kingslei Koman, i cili ka bindur Deshamp me paraqitjet në stërvitje dhe sidomos në minutat e fundit kundër Rumanisë. Ndërsa, në vend të Pogba në fushë nga minuta e parë mund të luajë Musa Sisoko ose Antoni Marsial, në varësi të skemës që do përdorë Deshamp.
Kingsley Coman mund të jetë titullar për të parën herë në një turne madhor të mërkurën, kur organizatorët do të presin Shqipërinë në Marsejë. Do të jetë raundi i dytë i ndeshjeve në grupe dhe Franca kërkon të dytën fitore për të siguruar matematikisht kualifikimin përtej grupeve.
Ndërsa virtualisht “Le Bleus” kërkojnë shpagim për humbjen që kuqezinjtë ju shkaktuan në miqësoren e fundit, ekzaktësisht 1 vit e 2 ditë më parë se përballja në “Velodrome”. Sipas “L’Équipe” që “spiunon” stërvitjen sekrete të Deschamps, vendasit mund të kalojnë në skemën 4-2-3-1 me talentin 20-vjeçar nga fillimi.
Bavarezi do të jetë një nga dy krahët në triumviratin pas sulmit me Anthony Martial, që do të jetë krahu tjetër i Dimitri Payet. Të tre në mbështetje të Olivier Giroud. Gjithçka për të çmontuar mbrojtjen kuqezi që do të përpiqet të marrë të parin rezultat pozitiv në aktivitet.
Nëse “L’Équipe” nuk ka gabuar, atëherë viktimat e trajnerit në këtë rrjeshtim të ri janë dy. Antoine Griezmann dhe Paul Pogba, të cilët ndaj Rumanisë në skemën 4-3-3, realizuan një paraqitje zhgënjyese në fitoren ndaj ballkanasve. Jo pa shkak ishin edhe 2 nga tre lojtarët e zëvendësuar në stadiumin kombëtar.
Ndërkohë, portieri i Zvicrës, Yann Sommer ishte një ndër lojtarët që zhvilloi një lojë shumë të mirë, pasi arriti të ndalë dy gola thuajse të sigurt me Gashin dhe Sadikun. Megjithëse, UEFA nuk e shpalli lojtarin e ndeshjes, ai nuk i ka kursyer elozhet për Kombëtaren shqiptare dhe veçanërisht për mbrojtjen dhe portierin Berisha. “Asnjë prej mbrojtësve nuk e kishte fajin në ato raste. Ato dy pasime ishin thjesht perfekte. Shqipëria ka zhvilluar një lojë shumë të mirë, ndërsa Berisha është i pathyeshëm”, deklaroi Sommer. Më pas, portieri i Zvicrës kishte fjalë të mira edhe për Elseid Hysajn, pasimet e të cilit krijuan dy rastet më të rrezikshme për kuqezinjtë para portës helvete.

Deschamps: Shqipëria skuadër e konsoliduar

Didier Deschamps, Antoine Griezmann dhe Dimitri Payet duken të çtensionuar pas suksesit të parë të vuajtur kundër Rumanisë. Nga qëndra stërvitore e Clairefontaine, ata folën për emisionin “Telefoot” ku u ndalën edhe te sfida e radhës kundër Shqipërisë. Ishte trajneri i bluve, ai që mori fjalën i pari, duke theksuar se suksesi ndaj Rumanisë ka injektuar optimizëm. “Ishte një ndeshje e hapur dhe shumë emocionuese për ne. Nuk arritëm të shfaqeshim në lartësinë e duhur gjatë 25 minutave të para”, nënvizon Deschamps. Në vijim, ai analizon sfidën e “Velodrome” kundër Shqipërisë.
“Shqipëria është një kundërshtar i vështirë. Ata treguan se janë një skuadër e mirë edhe kur luajtën me 10 lojtarë ndaj Zvicrës. Bëhet fjalë për një skuadër të organizuar shumë mirë nga një trajner italian. Ndeshja e së mërkurës në Marseille do të jetë shumë e ndërlikuar”, u shpreh Deshamps.
Më pas, Antoine Griezmann theksoi se lodhja sezonale ndihet në këmbët e tijm por premtoi se do të rikthehet vendimtar si në të shkuarën. “Duhet të vazhdojmë në këtë rrugë dhe të zhvillojmë një ndeshje të madhe të mërkurën kundër Shqipërisë”, thekson sulmuesi i Francës.

Statistikat e Francë – Shqipëri

Shqipëria shkon me optimizëm në sfidën e dytë në Grupin me A ndaj Francës, skuadër të cilën kuqezinjtë e kanë mposhtur në përballjen e fundit mes trye në “Elbasan Arena” me gol të Ergys Kaçes, gjatë kualifikueseve të Euro 2016, ndeshje që në fakt nuk kishte vlerën e pikëve. Edhe në takimin e parë të zhvilluar në Rennes, Formacioni i De Biasit barazoi 1-1, madje kuqezinjtë kaluan të parët në avantazh me Mavrajn, ndërsa barazoi Griezman. Mirëpo këto dy takime janë të vetmet që kanë prodhuar rezultat pozitiv për Shqipërinë në përplasjet me Francën, që në fakt janë 6 gjithsej në histori, madje të gjitha në kualifikueset e Europianit.
Ndeshja e parë i përket eliminatoreve të “Euro 1992”. Më 17 nëntor të vitit 1990, Shqipëria do të mposhtej nga Franca e Michel Platinisë me rezultatin 0-1. Golin e vetëm të takimit e realizoi Boli.
Më 30 mars të vitit pasardhës, “blutë” fituan me rezultatin e thellë 5-0. Për francezët shënuan dygolësh Sauzze, Papin, ndërsa Zmijani  devijoi në portën e tij golin e fundit.
Shorti do ta vinte përballë Francës Shqipërinë edhe në eliminatoret e euro 2012.
Në takimin e parë të zhvilluar të “Qemal Stafa” më 2 shtator të 2011, francezët fituan 1-2, me gola të Benzema dhe M’Vila, ndërsa për kuqezinjtë shkurtoi diferencën Bogdani.
Në sfidën e kthimit në “Stade de Francë”, “Gjelat” që atëherë drejtoheshin nga Laurent Blanc fituan thellë 5-0 me gola të Malouda, Remy dhe Reveillere.
Statistikat janë qartësisht në favor të Francës, por tendenca e rezultateve në dy përballjet e fundit tregon se, raportet nuk janë më si më parë. Edhe pse skuadra e Deschamps është ndjeshëm favorite për të fituar, kuqezinjtë shkojnë me moral të lartë, duke e kaluar presionin në anën e kundërshtarit, që do të kryeqëzohej nga mediat nëse nuk arrin të marrë fitoren e dytë në Grup.

De Biasi nuk trembet nga Franca

Trajneri i Shqipërisë, De Biasi ka folur dje për ndeshjen që do të luaj ndaj Francës, por edhe për ndeshjen e luajtur ndaj Zvicrës. Sipas De Biasit ndeshja ndaj Zvicrës mund të quhet pozitive nga mënyra e lojës, por jo nga gabimet e bëra nga lojtarët. Tekniku italian ka thënë se, në ndeshjen ndaj Francës ekipi do të japë më të mirën në fushë.
“Jemi të zhgënjyer për rezultatin në debutim, sepse megjithë inferioritetin numerik që kërkon ta hedhë sa më shpejt pas shpine ndeshjen në Lens luajtëm mirë. Krijuam dy raste të pastra për gol, mbi të gjitha në minutat e fundit me Gashin. Humbja na la shije të hidhur, por në fushë skuadra tregoi më tepër aspekte pozitive sesa negative. Përjetuam një atmosferë të zjarrtë dhe shumë tifozë që na  mbështetën dhe kjo shtoi peshën dhe tensionin te skuadra. Edhe pse me 10 lojtarë, në pjesën e dytë ekipi luajti mirë, duke provuar të ndërtonte lojë dhe krijoi raste për gol. Kjo ishte përgjigja më e mirë”, u shpreh De Biasi.
“Hera-herës në futboll ndodhin surpriza. Një vit më parë e mposhtëm Francën në Shqipëri. Përballë tyre kemi luajtur gjithmonë mirë, duke barazuar edhe në Rennes në vitin 2014. Këtë herë do të jetë ndryshe, por pa frikë, do të luajmë shanset tona”, tha De Biasi. Lojtarët shqiptarë kanë treguar klasin e tyre në fushë gjatë stërvitjes së fundit në prag të ndeshjes me Francën.