27.5 C
Tirana
E diel, 17 Gusht, 2025

Italia debuton me fitore, gjunjëzohet Belgjika

Irlandë befasuese, pikë e vuajtur për Suedinë

Italia debuton me fitore në Euro 2016. Të kaltërit triumfuan 2-0 me Belgjikën, skuadrën që në letër cilësohej më e vështira e Grupit E për të besuarit e Antonio Contes. Një sukses i vuajtur, i arritur me këmbëngulje dhe eksperiencë përballë yjeve të Djajve, nga Hazard, te Lukaku e Mertens. Një ndeshje e vështirë, me belgët që dhanë sinjalet e para të rrezikshme me Nainggolan. Fillimisht mesfushori gjeti në rrugën e tij Buffon, ndërsa në tentativën e dytë shënjestra nuk ishte e duhura.
Për të krijuar momentin e parë të rrezikshëm, Italisë iu nevojitën 29 minuta, me Pelle që nuk inkuadroi si duhet, por në të 32-ën të kaltërit gjetën golin e avantazhit me Giaçherini-n. Sulmuesi i Bologna-s shfrytëzoi në mënyrë perfekte pasimin e gjatë të Bonuçi-t, duke thyer Courtois. Avantazhi i dha zemër italianëve, që provuan edhe me Candreva-n, ndërsa në të 37-ën ishin fare pranë golit të dytë me Pelle, me topin që përfundoi pak centimetra jashtë portës.
Pjesa e dytë vazhdoi me Belgjikën në sulm, me Lukakun që në të 54-tën mund të kishte ndëshkuar Buffon, por sulmuesi i Djajve të Kuq ishte i pafat. Edhe Italia ishte pranë golit me Pelle, me Courtois që mbajti të tijtë në lojë, ndërsa Hazard dhe yjet e tjerë të Belgjikës u dukën të pafuqishëm për të gjetur rrjetën. Pas tij, pa sukses provuan edhe Lukaku dhe Mertens, ndërsa Origi 7 minuta përpara fundit kishte mundësinë më të mirë për të barazuar, por sulmuesi nuk e kalibroi si duhet goditjen me kokë.
Duke shfrytëzuar hapësirat e krijuara, Italia provoi ti godiste rivalët me Immobile, ndërsa belgët të hedhur dëshpërimisht në sulm nuk kishin forcën e duhur goditëse. Për të mbyllur çdo diskutim mendoi Graziano Pelle, që finalizoi në mënyrë të shkëlqyer një kundërsulm perfekt të Italisë, duke dërguar të kaltërit në delir. edhe pse me pak kualitet dhe pa yje të mëdhenj, Italia konfirmoi se do të jetë protagonistë në Euro 2016.
Ndërkohë, Republika e Irlandës befason në ndeshjen e parë në Kampionatin Europian, duke treguar se nuk do të jetë një skuadër e thjeshtë për rivalët. Në sfidën e parë të Grupit E, të luajtur në Stade de France, të besuarit e Martin O’Neill barazuan 1-1 përballë Suedisë. Një pikë që nuk i lë aspak të kënaqur, pas një ndeshje të dominuar me karakter dhe grintë. Në këtë duel , Irlanda nuk shfaqi asnjë emocion, madje në të 17-ën ishte fare pranë golit me O’Shea, që me portën e boshatisur ishte me një kohë vonesë, duke mos gjetur devijimin drejt rrjetës.
Në të 28-të Brady drithëroi suedezët, ndërsa 5 minuta më pas tentativa e Hendrick u frenua nga traversa. Irlandezët nuk e ulën ritmin dhe pas dominimit në pjesën e parë të lojës, gjetën avantazhin në minutën e 48-të me Hoolahan, që shfrytëzoi asistin e Coleman. Goli i pësuar zgjoi Suedinë, që deri në ato momente ishte apatike dhe pa ide në fushë. Tentativat e Forsberg dhe Ibrahimovic paraprinë golin e barazimit. Pikërisht nga harkimi i Ibrahimovic, suedezët arritën të barazonin, me devijimin fatal të Clark që me kokë e dërgoi topin në portën e tij.

Prova e sistemit

Bledi KASMI

Arrestimi mbrëmë i Elvis Rroshit shënon fillimin e fundit të një pushteti kriminal. Lajmi nuk është më arrestimi i Rroshit, as fshehja e dënimeve dhe burgosjeve të tij dhe as daljet e Ramës në konferenca për shtyp. Lajmi i djeshëm është se drejtësia po vret frikën. Drejtësia mund të rrënojë një vend sikurse të ngjallë shpresë duke qenë garante e të drejtave dhe lirive themelore.
Kjo drejtësi që deri dje ishte e tulatur, e  tërhequr dhe e nënshtruar nga pushteti po rikthehet tek ligji. Kjo drejtësi që me të drejtë ishte në qendër të të gjitha kritikave për inekzistencën e saj, sot është zgjuar. Nuk është e lehtë për një kastë profesionistësh në drejtësi që të përballet me një rregjim mafioz. Nuk ka qenë e lehtë një betejë e tillë as në Itali dhe askund tjetër ku mafia ka qenë e njëhësuar me shtetin.
Në një vend ku skandalet korruptive dhe lidhjet e krimit të pushtetit i mbivendosen njëri-tjetrit kërkohet një armatë e tërë prokurorësh dhe gjyqtarësh të vendosur. Kjo do të kërkonte një shumëfishim të fondeve për drejtësinë, gjë e cila nuk mund të   ndodhë me një qeveri dhe një kryeministër në konflikt të hapur interesi me krimin dhe korrupsionin.
Në vend të mbështetjes, Drejtësia po merr si shpërblim hakmarrjen e pushtetit. Një skizofren në krye të qeverisë sulmon në bllok një institucion si KLD, gjyqtarët dhe prokurorët, ndërsa ministri i Krimit në qeveri kërcënon dhe i bën presion të hapur gjyqtarëve.
Arroganca është simboli i këtij pushteti që deri dje ishte i paprekshëm. Sot nuk është më si dje. Drejtësia po rikthehet në detyrë, ndonëse me vonesë. Është një borxh ndaj qytetarëve të këtij vendi, që me mijëra janë larguar në këto tre vite, dhe po largohen  sepse e keqja nuk ndëshkohet në këtë vend. Kostoja e nënshtrimit të drejtësisë është e madhe ndaj edhe sot po kërkohet që ajo të varroset me projektin e kapjes kryeministrore të Reformës në Drejtësi.
Të sulmosh drejtësinë dhe drejtësia të ulë kokën, kjo nuk ndodh askund. Nëse një gjyqtari apo prokurori i bëhet presion, kërcënohet dhe poshtërohet publikisht nga një Kryeministër apo ministër dhe nuk mbron dinjitetin e tij, atëherë si mund të presë shoqëria nga këta prokurorë apo gjyqtarë që të mbrojnë dinjitetin e tyre?
Prej këtu duhet nisur. Ajo padi e KLD-së në Prokurori ndaj ministrit mund të jetë një rast unikal dhe në një situatë krejtësisht unike. Eshtë prova e vërtetë e sistemit sot. Ose KLD duhet të bjerë, ose ministri, të dy bashkë nuk kanë si të bashëkjetojnë më.
“Ata që kërcënojnë gjykatës, kryejnë një krim kushtetues, duhet të shkarkohen dhe të hetohen”, kjo ishte deklarata Nënpresidentit Biden tre ditë më parë në Shtetet e Bashkuara. Pyetja që shtrohet është a kemi ne prokurorë dhe gjyqtarë që ta kuptojnë këtë mesazh universal?

Futboll në radio

Nga Artan FUGA

Dikur, pas përfundimit të studimeve universitare, që të merrje diplomën, duhej të bëje edhe nja gjashtë muaj zborr. Një lloj shërbimi ushtarak me kohë të përshpejtuar. Mua më qëlloi ta bëjë në repartin e mbrojtjes kundër-ajrore të Tiranës.
Nuk duheshin lënë avionët armiq të bombardonin ta zemë Bashkinë e Tiranës, stolat e Parkut të Liqenit, tregun e peshkut, sidomos Kullën e Sahatit si një nga mrekullitë e njerëzimit.
Në repart kishte edhe ushtarë të rregullt që na shihnin me miqësi dhe admirim, sepse ne kishim sipas tyre arsimim të lartë. Ne i donim shumë se kishin një dlirësi shpirti që nuk e bën më nëna. Midis ushtarëve ishte edhe Toma. Një djalosh, shpirt njeriu, i bardhë si bora, buçko, që ishte gati për çdo shërbim thjesht për të na hequr vështirësitë e zborrit. Gjithë ditën pas stërvitjes mbi topa me tyta të gjata drejtuar nga qielli, flisnim për sport, luanin shah, ose me letra, lexonim. Pasi linim topat, flisnim për topin.
Toma ishte i pasionuar pas futbollit. Dinte çdo gjë në hollësi dhe në detaje. Ne e ngacmonim për të gjetur ndonjë boshllëk në dijet e tij për kampionatin shqiptar të futbollit, por ishte e pamundur.
O Tom! Po Lin Shllaku çfarë numri ka mbajt në fanellë? Numrin 6, he burrë – ja priste Toma.
O Tom, po Kalluci? Numrin 7 he burrë, e thjeshtë fare!
O Tom! Kush u dëmtua në ndeshjen me Gjermaninë? Teodor Vaso, që asht korçar, po lun me Partizanin – ja priste Toma.
O Tomë, o yll, ku i ke mësuar të gjitha këto?
Ndjek në fshat të gjitha transmetimet në radio, atje i mësoj, thoshte Toma kokëulur, dhe pastaj e du futbollin. Toma ishte miku ynë më i mirë. Të dielave kishim të drejtë të shkonim në shtëpi. Dhe shumë prej nesh përfitonin për të shkuar në stadium për të parë ndeshjet e futbollit. Një ditë ftuam edhe Tomën të vinte me ne. Ai e kishte merituar, aq shumë e njihte futbollin.
Hymë në stadium nga porta e tribunave karshi. Fusha e blertë u shfaq përpara nesh.
Ndjemë një: Ahhhh! – të zgjatur.
Toma ishte mekur, zbehur, gati po rrëzohej, sytë e zinj i ishin hapur si dy topa të mëdhenj:
Pse me bar qenka fusha? – pyeti Toma i mirë.
Pse Tomë, si?
Kujtoja se kishte qenë me asfalt e burrë – tha Toma.
Si?
Nuk kam qenë kurrë në stadium. Asht hera e parë.
Gjithçka e kam mësuar për futbollin në radio, por ata spikerat kan harru me thanë se fusha asht me bar…
E përqafuam me dashuri, e kapëm për dore dhe u ulëm në shkallare, duke ndjekur ndeshjen.

Modeli i vendeve të rezervuara është rruga e konsensusit politik

Lulzim BASHA

Dua të siguroj të gjithë shqiptarët se, Partia Demokratike po bën dhe do të vazhdojë të bëjë deri në çastin e fundit, shpresoj në një konsensus mbarë kombëtar për Reformën në Drejtësi, atë që ka premtuar, gardiane kundër kapjes politike të sistemit të drejtësisë si forma më e lartë e korrupsionit, korrupsioni politik. Këtë kemi kërkuar që prej ditës së parë dhe në funksion të kësaj kemi insistuar për përfshirjen në këtë proces të Komisionit të Venecias. Përfshirja e Komisionit të Venecias me kërkesën e Partisë Demokratike, garantoi që në të dy draftet e dërguara nga qeveria në këtë komision, Venecia të thoshte fjalën e saj e të çmontonte jo një herë, jo dy herë, por plot 38 herë projektin e kapjes politike të sistemit të drejtësisë nga qeveria aktuale. Tash një javë palët ndahen në një pikë të vetme, por të rëndësishme: mënyrën e përzgjedhjes së institucioneve të reja vendimmarrëse dhe kontrolluese të sistemit të drejtësisë. Partia Demokratike nuk ka asnjë interes tjetër përveç asaj për të cilën jam zotuar para qytetarëve shqiptarë, demokratë dhe socialistë, si kryetar i opozitës, si kryetar i Partisë Demokratike, si jurist me formim perëndimor që e ka parë se ç’bën drejtësia e pavarur dhe e pakapur, si qytetar, si familjar, si bir e prind në këtë vend: Moskapja politike nuk është thjesht kusht, është vetë reforma. Me kapje politike nuk ka reformë. Sot, pas insistimit tonë parimor – përkundër presioneve të jashtëzakonshme e të paparimta – për të qëndruar në modelet dhe parimet e ofruara nga Komisioni i Venecias kemi një lajm të mirë. Edi Rama pranoi sot parimin e konsakruar në opinionin final të Komisionit të Venecias, në rekomandimin 88, atë që njihet gjerësisht si modeli i vendeve të rezervuara. Pranoi parimin, por nuk dëshiron ta aplikojë atë siç e kërkon Komisioni i Venecias në të katër institucionet e reja të sistemit të drejtësisë, por në vetëm 2 prej tyre.  Dëshiron ta aplikojë në KLGJ-në dhe në KLP-në, për të cilën ne kemi rënë dakord që prej muajit shkurt. Më 17 shkurt, Partia Demokratike pas sugjerimeve të OPDAT dhe EURALIUS zgjodhi mes modeleve të ofruara, modelin e vendeve të rezervuara për këto dy organe vendimmarrëse. Por po kaq të rëndësishëm e konsideron Komisioni i Venecias zbatimin e këtij parimi edhe për 2 institucione të tjera, Komisionin e Posaçëm të Verifikimit dhe Komisionin e Apelimit.

Paragrafi 88. Opinioni Final i Komisionit të Venecias

Më lejoni ta lexoj përsëri:
Paragrafi 88. Opinioni Final i Komisionit të Venecias. “Me qëllim përgatitjen e tekstit përfundimtar, Komisioni i Venecias i rekomandon autoriteteve shqiptare që t’i kushtojnë vëmendje çështjeve të mëposhtme: – Nëse palët në procesin politik nuk pranojnë shumicën e cilësuar të kërkuar për anëtarët jo gjyqtarë të KLGJ, KLP, KPK dhe DHSK”, që janë dy dhomat e tjera, pra vetingu dhe apeli për vetingun “ata mund të zgjedhin një sistem proporcional që garanton përfaqësimin e opozitës mes organeve kolektive ose çdo model tjetër të përshtatshëm që do të siguronte ndikimin e opozitës në procesin e përzgjedhjes”. Ky është opinioni final i Komisionit të Venecias. Z. Rama pranoi parimin, por ama vetëm për dy institucione. Për dy të tjerat jo. Përse?! Çfarë do të bëjnë këto dy organe?! Këto do të ndajnë shapin nga sheqeri. Do të largojnë gjyqtarët dhe prokurororët e korruptuar e do të lënë në sistem ata me dinjitet e integritet e që i shërbejnë ligjit, që janë ushtarë të ligjit dhe jo të Edi Ramës, e sigurisht as të Lulzim Bashës. Por që kjo të ndodhë kështu siç është planifikuar të ndodhë, as Edi Rama, as Lulzim Basha nuk mund të kenë dorën vendimtare të përzgjedhjes te këto dy organe. Sepse përndryshe na dalin gjyqtarët që hetojnë skandalin e përgjimit të korruptuar e na del prokurorja që pushoi çështjen e narkotaksisë së Tahirit, e pastër. Shqiptarët e kuptojnë fare qartë, këtu fle lepuri.  Dhe këtu Partia Demokratike nuk kërkon asnjë vend të vetëm për militantët apo për anëtarët e saj. Ne nuk duam që në këtë sistem të vendoset Oerd Bylykbashi, Eduard Halimi, Enkelejd Alibeaj, Gazmend Bardhi apo Ivi Kaso, por nuk pranojmë kurrsesi që pala tjetër të vendosë në këtë sistem Sokol Sadushin, Ardian Dvoranin, Sokol Berberin, Fatmir Xhafën apo Pandeli Majkon. Parimi i konsakruar nga Komisioni i Venecias është ai i përfaqësimit propocional, por jo i personave me kredenciale politike: i personave me integritet profesional e personal. Dhe për këtë ka dhe duhet të ketë një sistem të pastër vetingu për kandidatët që do të propozohen. Ndaj sot duke iu dorëzuar parimit të Venecias, z. Rama pranoi se ishte ai dhe vetëm ai pengesa deri më sot për një konsensus mbarëkombëtar për një Reformë në Drejtësi që nuk mbron, por ndëshkon krimin dhe korrupsionin në nivele të larta. Por duke e pranuar vetëm për dy organe ekspozoi po kështu se nuk heq dorë nga kapja politike e atyre që do të bëjnë vetingun apo kontrollin e integritetit të figurës për gjyqtarët dhe prokurorët. Pra, ekspozoi se kërkon të kapë politikisht këto dy organe të rëndësishme për këtë proces.

Opozita kurrë nuk ka kërkuar 2/3

Në këtë moment dua të sqaroj para çdo shqiptari edhe një herë se opozita kurrë nuk ka kërkuar 2/3 dhe e dini pse?! Sepse 2/3 me mekanizmin zhbllokues do të thotë kapje e plotë dhe totale e drejtësisë. Edi Rama kurrë nuk do të pranonte e nuk do të pranojë konsensusin me opozitën në Parlament me 2/3 e votave, por do të kapë mekanizmin zhbllokues dhe përmes tij do të kapë institucionet e drejtësisë. Kaq e thjeshtë është. Prej janarit ne përzgjodhëm një formulë tjetër. Pse?! Pse Venecia tha vende të rezervuara?! Se kërkon që ta kapë opozita?! Pse janë çmendur komisionerët, raporterët e Venecias?! Dhe Rama është më i mençur se gjithë ekspertët që këshillojnë Europën për reforma kushtetuese? Apo Rama e do drejtësinë e pavarur dhe Komisioni i Venecias do t’ia japë drejtësinë Partisë Demokratike?! Jo. Absolutisht jo. Venecia tha qartë se vendet e rezervuara janë formula që opozita të kryejë detyrën e saj për të mos e kapur qeveria drejtësinë. Armiku më i madh i drejtësisë është kapja politike. Kapja nga qeveria, kapja nga Kryeministri, qoftë Rama sot ose Basha nesër. Paragrafi 88 e ka përcaktuar qartë se modeli i vendeve të rezervuara është rruga e konsensusit politik mes palëve për dy institucionet që tashmë z. Rama i ka pranuar sipas këtij parimi, por edhe për dy të tjerat që reziston t’i bindet të njëjtit parim, të njëjtit rekomandim të Komisionit të Venecias. Rruga është e hapur që z. Rama sot apo nesër t’i bindet plotësisht dhe jo pjesërisht rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias.  Përsa më përket mua dhe Partisë Demokratike, mbi këtë parim nuk ka e nuk mund të ketë cedim. Por jemi të hapur që sot që së bashku me palën tjetër të rakordojmë të gjitha detajet e një sistemi filtrimi të kandidaturave që do të shmangnin depërtimin në procesin e miratimit të kandidaturave me vendet e rezervuara në të gjitha organet, të sadushëve, të dvoranëve, të berberëve, të bardhëve, të kasove dhe të alibeajve. Dhe për këtë Partia Demokratike dhe unë personalisht jemi të gatshëm që sot.

Me pesë emra, Elvisi, ishte edhe Ervin, dy Envera edhe Bashkim Hallulli

Elvis Rroshi, Ervin Rroshi, Enver Rroshi, Enver Proshi, Bashkim Hallulli. Janë këto pesë identitetet e ndryshme përmes të cilave kryebashkiaku i inkriminuar i Kavajës ka mundur t’i shpëtojë drejtësisë së disa vendeve të BE, duke paraqitur mjete identifikimi me emra të ndryshuar. Janë zbardhur 5 emrat që mbante kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Rroshi, dy prej të cilëve diheshin deri më tani. Përveç Elvis dhe Ervin Rroshi, kryebashkiaku i Kavajës ka mbajtur edhe dy emra të tjerë, Enver Rroshi dhe Bashkim Hallulli, ndërsa në rastin e pestë, ai ka ndryshuar vetëm mbiemrin. Kryebashkiaku është quajtur edhe Enver Proshi. Kreu i Bashkisë së Kavajës u arrestua dje me urdhër të gjykatës, duke u akuzuar për falsifikim dokumentesh. Ndërkohë, nga të dhënat e deritanishme, janë siguruar informacione se shtetasi Elvis Rroshi ka përdorur 5 emra të ndryshëm në disa vende të Europës. Në bazë të këtyre të dhënave, Prokuroria e Tiranës kërkoi caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” për shtetasin Elvis Rroshi, me funksion kryetar i Bashkisë Kavajë, i dyshuar për veprën penale të “Falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve”, parashikuar nga neni 190/1 i Kodit Penal. Nga hetimet e deritanishme të Prokurorisë së Tiranës rezulton se, Elvis Rroshi nuk ka deklaruar dënimin e dhënë nga autoritetet italiane të drejtësisë për veprën penale të përdhunimit të kryer në vitit 1995 në Campobasso, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikën 1 të formularit të vetëdeklarimit. Po ashtu, ai nuk ka deklaruar se është dëbuar nga shteti italian dhe ai zviceran, respektivisht në vitin 1995 dhe 1993, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikën 7 të formularit të vetëdeklarimit. Gjithashtu, subjekti Elvis Rroshi nuk ka deklaruar se është arrestuar në gusht të vitit 1997 në Zvicër me urdhër të Gjykatës së Shtetit të Zyrihut dhe është dëbuar sërish, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikat 5 dhe 7 të formularit të vetëdeklarimit. Ndërkohë, nga të dhënat e deritanishme, janë siguruar informacione se shtetasi Elvis Rroshi ka përdorur 5 emra të ndryshëm në disa vende të Europës. Në bazë të këtyre të dhënave, Prokuroria e Tiranës kërkoi caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” për shtetasin Elvis Rroshi, me funksion kryetar i Bashkisë Kavajë, i dyshuar për veprën penale të “Falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve”, parashikuar nga neni 190/1 i Kodit Penal.

Dënimi për përdhunim në Itali që fshehu Elvis Rroshi

Elvis Rroshi paraqiti dy dokumente për të treguar se është i pastër dhe “nuk është takuar asnjëherë” me drejtësinë italiane. Ashtu siç ishte befasuar nga lajmi se kishte qenë i dënuar për përdhunim në grup, në Itali, me çertifikatat penale të marra në këtë vend ai befasoi të gjithë ata që e dinin se ai kishte hequr dorë njëherë e mirë nga Bashkia e Kavajës. Rroshi u tha shqiptarëve se meqë figuronte i pastër, s’kishte më arsye për t’u dorëhequr. Ai nuk iu përgjigj më pyetjes nëse e kishte kryer krimin për të cilin ishte dënuar në moshën 16–vjeçare nga dy shkallë të gjyqësorit në Campobasso të Italisë, në vitin 1992. Por tre ditë përpara se të merrte çertifikatat penale ai e pranoi po publikisht se, nga avokatët që ai kishte angazhuar, kishte zbuluar dënimin me 1 vit e 4 muaj për përdhunim në grup dhe për dhunë fizike. Pra, dënimi për Elvis Rroshin ekziston në regjistrat e drejtësisë italiane, ashtu siç e kanë zbuluar avokatët e tij, pavarësisht se më vonë Rroshi e mohoi. Por përse nuk figuron ai në këto çertifikata penale apo dëshmi penaliteti? Ekspertë të jurisprudencës shpjegojnë për “lapsi.al” se, dënime të tilla si ai i Elvis Rroshit nuk shkruhen në dëshmitë e penalitetit, referuar nenit 175 të Kodit Penal italian mbi “të drejtën për të mos u përmendur” –diritto di non menzione. Në këtë nen thuhet: Në rast se në dënimin e parë merret një masë dënimi jo më shumë se 2 vjet apo një gjobë që nuk i kalon 516 euro, gjykatësi, duke patur parasysh lehtësirat e cituara në nenin 133, mund të urdhërojë që të mos përmendet dënimi në çertifikatën penale që u jepet privatëve, jo për shkak të ligjit zgjedhor. Nëse i dënuari bën një krim tjetër, urdhri për të mos i përmendur dënimet e tij në çertifikatën penale revokohet. Neni jep edhe përgjigjen për pyetjen se përse çertifikata penale e Rroshit figuron e pastër në një kohë kur ai ka qenë i dënuar, siç pohon ai vetë dhe siç tregon një dokument i publikuar në portalin “opinion.al”. Siç shpjegon neni 175, kur dëshmia e penalitetit kërkohet nga një individ në mënyrë private, dënimi i tij, nëse është një i vetëm dhe më pak se 2 vjet burg, nuk përmendet. Rroshi është dënuar me 1 vit e 4 muaj burg në vitin 1992 nga Gjykata e Shkallës së Parë për minorenët në Campobasso, dënim ky që është lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit për minorenët. Ky nen nuk aplikohet në rastet kur dëshmia kërkohet si detyrim i ligjit zgjedhor. Ai nuk ka fuqi as në rastet kur çertifikata penale apo dëshmia e penalitetit kërkohet nga ndonjë autoritet zyrtar. Prokuroria e Përgjithshme nisi hetimin pas dorëzimit të formularit të vetëdeklarimit nga Elvis Rroshi dhe do kërkoi zyrtarisht informacion edhe në Itali për Elvis (Ervin) Rroshin. Kërkesa e organit shqiptar të hetimit zbuloi edhe të vërtetën mbi dënimin e Rroshit, që u bë shkak që ai të jepte dorëheqjen për tre ditë dhe po ashtu edhe të vërtetën mbi çerftifikatat penale që e bënë atë të ndryshonte mendje.

KLD, dy akuza ndaj Tahirit në Prokurori

Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka dorëzuar në Prokurori padinë penale ndaj ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri për dy akuza: fyerje dhe kanosje të gjyqtarit Arjan Aliaj për shkak të detyrës. “Tahiri ka fyer dhe ka kanosur gjyqtarin Arjan Aliaj. Për këto deklarata dhe të tjerat pas kësaj, me një fjalor më të rënduar ndaj gjyqtarit Aliaj dhe trupës gjyqësore në tërësi, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri duhet të mbajë përgjegjësi penale”. Kështu thuhet ndër të tjera në kallëzimin penal që anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë kanë dorëzuar në Prokurorinë e Përgjithshme ndaj ministrit Tahiri. Kallëzim ky që pasditen e së hënës është dorëzuar në protokollin e Prokurorisë së Përgjithshme nga posta sekrete. Gjithashtu, Këshilli i Lartë i Drejtësisë citon se deklarime të tilla, të përcjella me një intensitet të tillë, në një moment të papërshtatshëm, për stadin në të cilën është procesi i miratimit të Reformës në sistemin e Drejtësisë, jep mesazhin, përkundër pritshmërive, që kjo reformë mund të jetë vetëm një fasadë e dalë boje.
Me anë të këtij denoncimi, KLD-ja kërkon nga Prokuroria të ndjekë penalisht ministrin Tahiri për akuzat e “fyerjes së gjyqtarit” për shkak të detyrës dhe kanosjes duke intimiduar në tërësi gjyqtarët. Ky kallëzim vjen pas reagimeve të shumta të gjithë njerëzve të drejtësisë, të cilët dënonin ashpër gjuhën fyese e denigruese të ministrit Tahiri ndaj gjyqtarit.
Veç shoqatave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ka reaguar edhe KLD-ja, e cila e cilësonte të papranueshëm fjalorin e ministrit. Për këtë fakt, anëtarët e KLD-së në një mbledhje të zhvilluar gjatë fundjavës, jashtë radhës së parashikuar, vendosi të kallëzojë penalisht ministrin. Bashkë me kallëzimin mësohet se, drejtoria juridike e KLD-së i ka bashkëngjitur edhe deklaratat publike të ministrit Tahiri, që fyen e denigron gjyqtarin për vendimin e dhënë. Gjyqtari Arjan Aliaj, paraditën e 7 qershorit, me kërkesë të Prokurorisë vendosi të pezullojë nga detyra e drejtorit të Policisë së Shtetit, Haki Çakon për skandalin e përgjimeve, pasi po hetohet për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Në katër ditë Saimir Tahiri doli gjashtë herë në konferencë për shtyp për të hedhur baltë mbi prokurorët dhe gjyqtarin Arjan Aliaj që pezulloi nga detyra drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako, si dhe vendosi “arrest shtëpie” për dy oficerët e forcave operacionale për skandalin e përgjimeve me “IMSI Catcher”. Sulmet e Tahirit ndaj prokurorëve dhe gjyqësorit nuk kanë si qëllim mbrojtjen e Çakos, por frikën që e ka zënë atë se Çako do ta marrë me vete.
Sulmi i përqendruar i ministrit të Brendshëm mblodhi jashtë radhe dhe në një ditë pushimi Këshillin e Lartë të Drejtësisë, i cili vendosi ta kallëzojë penalisht për intimidim të gjyqtarit Aliaj në veçanti dhe trupës gjyqësore në tërësi. Por si arriti Tahiri deri në kallëzimin penal? Tre orë pas pezulllimit ministri i Brendshëm i merr në mbrojtje zyrtarët e policisë, duke paragjykuar hetimin e Prokurorisë.
Më 8 qershor organizoi tri konferenca për shtyp me të njëjtin objekt, sulmin ndaj Aliajt. Akuzat e ministrit të Brendshëm përfshinë edhe kryetarin e Gjykatës së Tiranës, Fatri Islamaj. Sulmi i ministrit të Brendshëm për këtë çështje nuk kurseu as Presidentin e Republikës, Bujar Nishani. Por të enjten e kaluar organizoi një tjetër dalje para mediave. Saimir Tahiri e konsideroi vendimin e gjykatës një paçavure dhe një qokë politike.
Dje, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka sulmuar KLD-në pas padisë së bërë ndaj tij në Prokurori. Në një konferencë për mediat, Tahiri vazhdoi sërish me “arsenalin e padenjë të fjalëve”, që ia vuri në dukje KLD-ja, duke e emërtuar këtë institucion si “Këshilli i Pasurisë dhe Padrejtësisë”.
Këto sulme të ministrit të Brendshëm bënë që pasditen e të shtunës kryetari i KLD njëherësh edhe Presidenti i Republikës të thërrasë një mbledhje jashtë radhe dhe të padisë në Prokurori Saimir Tahirin.

R.POLISI

Afera 100 milionë lekë, në pranga kryetatimori

Drejtori i Tatimeve në Shkodër është arrestuar mesditën e djeshme me urdhër të Prokurorisë pasi akuzohet se i ka kredituar subjektit të nipit të tij 100 milionë lekë të TVSH-së. Prokuroria e Shkodrës ka urdhëruar ndalimin e drejtorin Rajonal të Tatimeve, Hysen Hysaj, i dyshuar për konsumimin e elementëve të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Urdhri i ndalimit u zbatua nga ana e forcave të policisë vendore Shkodër. Nga hetimi i Prokurorisë së Shkodrës rezulton se, shtetasi Hysaj ka kredituar në mënyrë të kundërligjshme vlerën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) në shumën mbi 10 milionë lekë të reja, për subjektin tregtar “H…”shpk.
Në bazë të veprimeve proceduriale rezulton se, shoqëria “H…” shpk, me administrator shtetasin M.H., i cili është djali i motrës së drejtorit Rajonal të Tatimeve Shkodër, kishte humbur të drejtën e rimbursimit të TVSH-së. Në bazë të legjislacionit fiskal, kompanitë që importojnë mallra nga jashtë për efekt të biznesit, duhet të paguajnë detyrimet doganore para se të përfshihen në skemën e rimbursimit të TVSH-së. Në rastin konkret, shoqëria “H…”shpk nuk e ka shlyer detyrimin doganor për disa blerje në vitin 2012 dhe ndërkohë ka bërë kërkesë për rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.
Nga ana e administratës tatimore rezulton se, nuk është kryer asnjë verifikim për kërkesën e subjektit, si edhe nuk është ushtruar kontroll mbi aktivitetin e tij. Po ashtu, subjekti “H…”shpk nuk është shpallur debitor nga administrata tatimore për borxhin doganor, detyrim ky që lidhet me verifikimin për rimbursimin e TVSH-së.
Pavarësisht këtyre mosveprimeve të administratës tatimore, nga ana e Prokurorisë së Shkodrës janë krijuar dyshime të arsyeshme se drejtori Rajonal i Tatimeve ka favorizuar subjektin tregtar, duke i rimbursuar në mënyrë të kundërligjshme vlerën e TVSH-së, në shifrën mbi 10 milionë lekë të reja. Në vijim të hetimeve, Prokuroria e Shkodrës ka urdhëruar ndalimin e shtetasit Hysen Hysaj, i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

PD: Të inkriminuarit do të përballen me ligjin deri në fund

Partia Demokratike e cilësoi dje arrestimin e Elvis Rroshit si nisjen e zbatimit të ligjit të dekriminalizimit, ndërsa paralajmëroi se të gjithë të inkriminuarit do të përballen me ligjin deri në fund. Reagimi i PD erdhi mbrëmjen e djeshme menjëherë pas lajmit të arrestimit të Rroshit. “I diskredituari Elvis Rroshi, modeli i Edi Ramës për pushtetin lokal, edhe pse pati dhe e ka edhe sot mbrojtjen e pakursyer të shefit të rilindjes, ra më në fund, sepse dekriminalizimi po funksionon.
E megjithatë, ai gjen sërish kurajon të kërcënojë dhe thotë se nuk e lëshon Bashkinë e Kavajës, sikur ta ketë pronën e tij, sikur ta ketë hambarin personal.
Sigurisht, çdokush e di se ato janë fjalët, janë qëndrimet, janë kërcënimet e Edi Ramës, që shprehen përmes zëdhënësit të tij për dekriminalizimin, Elvis Rroshi.
Por i dënuari në disa vende të Europës, për drogë e përdhunim, përdoruesi i 5 emrave, falsifikuesi i formularit të dekriminalizimit dhe shefi i tij, Edi Rama, shpejt do ta kuptojnë se po vjen fundi i krimit në politikë. Dhe do të përballen me ligjin deri në fund.
Rroshi është turpi i Edi Ramës, i Kavajës, i Shqipërisë. Me kandidimin dhe rikandidimin e tij, Rama poshtëroi qytetarët e vendit. Por më në fund, e drejta triumfoi. Dekriminalizimi u vu në jetë dhe dekriminalizimi është në shërbim të vendit, të çdokujt, të majtë e të djathtë e të paparti, që kërkon të ketë në bashki, në zyrat publike, në krye të vendit, përfaqësues me dinjitet e integritet dhe jo trafikantë, vrasës, tutorë, përdhunues, të cilët populli nuk i do dhe nuk i deshi për asnjë moment, por që Edi Rama ua imponoi me forcë”, thuhet në reagimin e PD.

Veliaj përmbyt Tiranën, shpërthejnë fekalet në rrugë

U desh vetëm një orë shi që e gjithë Tirana të përmbytet. Jo vetëm rrugë dhe banesa, por edhe lagje të tëra janë përmbytur si pasojë e bllokimit të kanalizimeve dhe mosfunksionimit të kolektorëve. Të gjitha rrugët ishin pushtuar nga uji, ndërsa qytetarët dhe automjetet e patën të vështirë të lëviznin si në periferi, ashtu dhe në qendër të kryeqytetit. Vërshimi i ujit ka dëmtuar banesa dhe biznese.
Situata më e rëndë paraqitet në “Don Bosko”, Laprakë dhe Kombinat. Bëhet e ditur se në Kombinat, Laprakë dhe zonën e “Don Boskos” uji ka përmbytur rrugë, shtëpi dhe biznese të kateve të para. Ndërsa tek zona e “Pallatit me Shigjeta” uji ka dalë në rrugë tek rrethrrotullimi i ri. Qarkullimi kryhet me vështirësi, pasi uji është rreth 50 cm në rrugë dhe automjetet lëvizin ngadalë. Prezenca e ujit përbën rrezik pasi makinat mund të fiken në rrugë.
Veliaj jo vetëm që nuk ka marrë asnjë masë për pastrimin e kanaleve, por përkundrazi si pasojë e bllokimit të kanaleve kanë shpërthyer fekalet nëpër rrugët e Tiranës si pasojë e përmbytjeve. Dje në mesditë rreth orës 11:00, ujërat e zeza kanë mbuluar edhe trotuaret, sidomos në rrugën “Siri Kodra” dhe tek “Komuna e Parisit”.
Problem i madh është shfaqur në rrugën “Komuna e Parisit”, pasi bllokimi i kolektorëve ka shkaktuar përmbytjen e rrugës dhe trotuarëve nga ujërat e zeza për dhjetëra metra, duke e bërë të pakalueshme. Të shumtë ishin qytetarët që në rrjete sociale denoncuan situatën problematike në kryeqytet. “Situata është mjaft e rëndë tek ‘Komuna e Parisit’. Si pasojë e bllokimit të kolektorëve, kanë vërshuar nëpër rrugë edhe fekalet. Rrugët janë të bllokuara dhe të pakalueshme për qytetarët. Vërshimi i ujërave të zeza ka krijuar një atmosferë mbytëse”, u shpreh një banor i kësaj zone. Ai tha se Bashkia nuk ka marrë asnjë masë.
Nuk kanë shpëtuar pa u përmbytur bodrumet e pallateve buzë Lanës, në Njësinë Nr. 5 të adaptuara si banesa e biznese. Si pasojë e rritjes së nivelit të lumit Lana mbetjet në kanalet e ujërave të zeza janë kthyer pas në shtëpitë e këtyre qytetarëve. Bllokim e përmbytje ka patur edhe në lindje të kryeqytetit në Shkozë. Rreshjet kanë sjellë nga Dajti baltë dhe gurë, të cilat kanë dëmtuar shtëpi e biznese edhe në lagjen e ish-Uzinës Autotraktori.
Durrësi noton në ujë
Durrësi është zgjuar nën ujë mëngjesin e djeshëm si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara gjatë natës. Uji vërshoi në rrugë e lagje dhe i përmbyti ato. Automjete e këmbësorë u bllokuan në rrugë. Reshjet e vazhdueshme të shiut kanë sjellë vështirësi të mëdha në qarkullimin e njerëzve dhe të makinave në aktivitetin e përditshëm. Deri në 40 cm ujë është vënë re në disa rrugë kryesore të qytetit, ndërsa në periferi situata mund të jetë edhe më e rëndë si rezultat i reshjeve dhe mungesës së energjisë elektrike.
E gjithë rruga e shëtitores “Taulantia” është nën ujë, në hyrje të portit, pranë kishës ortodokse, ishte pothuajse e pakalueshme. Bulevardi “Skënderbej” deri tek stacioni i trenit nën ujë, rrugët e lagjes 16, pranë zjarrfikëseve dhe rrugët e tjera deri në rrugën “A. Goga”, me prezencë të lartë uji. Këmbësorët e kanë patur krejtësisht të pamundur kalimin në rrugë, ndërsa shumë makina janë bllokuar në rrugë, u janë fikur motorët ose kanë rënë në pusetat e hapura. Përmbytjet vijnë si pasojë e rrjetit të amortizuar të kanalizimeve dhe bllokimit të tyre.
Edhe në periferi si Shkozeti, Plazhi dhe Ish-Këneta, vazhdimisht të prekura nga përmbytjet pati probleme serioze. Bllokimi i pusetave, kolektorëve, rrjeti i amortizuar janë shkaqet kryesore të përkeqësimit të situatës.
Për shkak të reshjeve të rrëmbyeshme, pothuajse të gjitha rrugët në këto qytete kanë qenë të mbuluara nga uji. Nga ana e pushtetit vendor po punohet për mbajtjen e situatës nën kontroll. Probleme ka pasur edhe për lëvizjen e automjeteve pasi përveç trafikut, lartësia e ujit ka bërë që të fiken motorët.

Përmbyten banesa dhe biznese në Vlorë e Fier

Vlora u zhyt nën ujë mëngjesin e djeshëm. Uji vërshoi prej orëve të para të mëngjesit në rrugët e qytetit, duke dëmtuar edhe disa biznese. Ndërkohë shumë familje në lagjen “10 korriku”, pranë kishës ortodokse apo tek ish-kazermat, thonë se ende nuk janë dëmshpërblyer nga përmbytjet e muajit tetor.
Reshjet e dendura të shiut shkaktuan probleme të mëdha në bulevardin kryesor Vlorë-Skelë, në rrugën pranë Portit të Vlorës, në lagjen “Pavarësia” dhe atë “28 Nëntori”. Të gjitha rrugët lidhëse me zonën e Transballkanikes u bllokuan dhe qarkullimi u bë i pamundur. Bllokimi i kanalizimeve ka bërë që uji të vërshojë në të gjitha rrugët e qytetit, duke shkaktuar dëme të mëdha në banesa e biznese.
Uji ka shkuar në disa centimetra në zonën e Skelës, duke sjellë vështirësi për qytetarët, por edhe automjetet. Dhjetëra automjete janë bllokuar nga rënia dhe depozitimi i inerteve. Probleme paraqiten gjithashtu nga Kampi i Punëtorëve deri tek Uji i Ftohtë. Po kështu, për shkak të prezencës së madhe të ujit në rrugë dhe grumbullimit të inerteve ka probleme në zonat e Ujit të Ftohtë, në Radhimë dhe Selenicë. Kritike situata u bë në rrugën Vlorë-Radhimë. Shkarjet e tokës në Orikum e mbajtën atë disa orë të bllokuar.
Një furgon me pasagjerë ka ngecur për rreth 30 minuta në ujërat e rrëmbyer të një përroi në Peshkëpi, por fatmirësisht drejtuesi i mjetit e ka nxjerrë furgonin nga uji pas disa manovrave. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se pasagjerët e furgonit u përfshinë nga paniku dhe kërkonin ndihmë, por askush nuk mund të afrohej.
Në Fier stuhia nisi në orët e para, por bllokimet e rrugëve ishin për pak kohë. Era e fortë dhe rrufetë kanë kaluar vetëm me dëme materiale në shtëpi dhe biznese. Reshjet kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme të kulturave bujqësore në Fier. Rreth 100 ha tokë janë përmbytur në Portez, Mbrostar, Levan dhe Seman.

Bllokohet rruga në aksin Fushë Arrëz-Qafë Benë

Në pjesën më të madhe të akseve nacionale nuk ka probleme me qarkullimin. Autoriteti Rrugor bën me dije akset problematike në disa zona të vendit për shkak të reshjeve të rëna.
Në rajonin verior, Shkodër: në aksin Fushë Arrëz-Qafë Benë ka ndodhur një shembje masive e një shkëmbi, që ka bllokuar rrugën. Firma kontraktore po punon për hapjen e rrugës, por shembja vazhdon të agravohet.
Në rajonin qendror, Tiranë: Janë eliminuar problemet në Labinot dhe tek Shkëmbi i Kavajës dhe Mali i Robit. Uji është larguar nga rruga me anë të pompave.
Në rajonin jugor, Gjirokastër: Janë eliminuar problemet në Radhimë e Dhërmi dhe tani qarkullimi është normal në të gjitha akset.