Ish-kryeministri Berisha paralajmëron zbardhjen e të dhënave të reja që do të provojnë arsyet që çuan Ramën të ndryshonte emrin e tij nga Edvin në Edi në vitin 2002. Përmes një postimi në Facebook, Berisha reagoi dje ndaj arrestimit të Elvis Rroshit ndërsa i bëri të ditur Ramës se të dhëna të reja do të publikohen mbi ndryshimin e emrit të tij. “Pas arrestimit të Rroshit për fshehjen e pesë dënimeve për pesë krime dhe përdorimin e pesë emrave në Itali, Zvicër dhe Shqipëri, Edvin Shullazi, që betohej publikisht për ndershmërinë dhe integritetin e kriminelit të tij, shkruan tani në FB e Rroshit statusin e radhës “fajin e ka Berisha”. Edvini, në statusin e pasarrestimit në FB e Ervinit të tij, betohet se nga burgu ku e burgosi Saliu ai do të dalë më i fortë se kurrë. Me këtë rast dua t’i them Edvin Shullazit mendo se të dhëna të reja po dalin mbi shkaqet e ndryshimit në vitin 2002 të emrit tënd nga Edvin në Edi dhe atëherë jo që nuk do të mund të shkruash më statuse për kriminelin Ervin/Elvisin, por as dhe për kriminelin Edvin/Edi dhe se ty në FB tënd askush nuk do të shkruajë” shkruan Berisha në reagimin e tij. Ish kryeministri Berisha pak javë më parë akuzoi Ramën në Parlament se është i përfshirë në një krim në një nga hotelet e Spanjës, ngjarje që më pas e detyroi atë të ndryshonte edhe emrin nga Edvin në Edi. “Ai të vijë këtu të tregojë se nga Edvin u bë Edi për shkak të dosjes spanjolle, për shkak të Kadriovskit, për shkak të akuzave të Kadriovskit e shkaqeve të tjera që duhet t’i sqarojë, sepse ai ndërrim emri në një kohë kur pikërisht janë përfolur këto që them unë, në një kohë kur mediat e kanë akuzuar për një krim të tmerrshëm në hotelet e Spanjës, në një kohë kur Kadriovski e akuzonte në një letër për të shoqen, Dilën, implikim direkt, janë në media të gjitha këto” tha Berisha në Parlament.
Banorët e Krutjes në protestë: Nuk kemi rrugë e kanalizime
Qindra banorë të njësisë vendore Krutje në Bashkinë e Lushnjës kanë protestuar dje për mungesën e shërbimeve dhe rënien drastike të mirëqenies së tyre. Ky komunitet prej 3500 banorësh nuk kanë rrugë, kanalizime dhe grumbullim të rregullt të mbetjeve urbane. Sipas banorëve, ekonomia e tyre është ulur pasi krahas mungesës së infrastrukturës ata vuajnë edhe çmimin e ulët me të cilin shesin produktet bujqësore që prodhojnë.
“Kemi probleme të shumta. Plehrat nuk mblidhen. Nuk ka rrugë. Në 3 rrugët e fshatit janë të pashtruara dhe nuk ka asnjë ndriçim. Bashkia kërkon edhe taksë gjelbërimi kur nuk ka mbjellë asnjë pemë. Është bërë për të ikur nga ky vend, sepse jemi pa rrugë, nafta e shtrenjtë dhe çmimi për prodhimet është i ulët”, shprehen banorët.
Kreu i Partisë Demokratike të Lushnjës, Myslym Murrizi mbështeti protestën e banorëve të Krutjes duke i cilësuar kërkesat e tyre si legjitime. “Jemi këtu në mbështetje të protestës së qytetarëve të Krutjes për problemin e parë emergjent të tyre për rrugën Krutje-Lifaj. Jetojnë 3500 banorë në këtë njësi dhe kjo rrugë është premtuar disa herë nga pushtetarët lokalë. Ky komunitet i mrekullueshëm kërkon shërbim për pagimin e taksave. Ata kanë edhe problem të tjera siç është edhe subvencionimi i bujqësisë. Sot në opozitë dhe nesër në pushtet do të jemi në të drejtën e qytetarëve për shërbimet e tyre. Është elementare më 2016 që një komunitet në zemër të Shqipërisë dhe Myzeqesë të ketë rrugën. Protesta e tyre është e drejtë dhe qytetarët duhet të reagojnë në këtë formë ndaj çdo qeverie që nuk mban premtime”, tha Murrizi.
Policia britanike: Vrasësi Qazimaj ndodhet në Shqipëri
Policia britanike dyshon se, personi që ka vrarë një çift pensionistësh në Angli dhe që ishte i regjistruar si shtetas kosovar nën emrin e rremë Ali Qazimaj ndodhet në Shqipëri. Për këtë arsye, autoritetet policore britanike u kanë sjellë homologëve shqiptarë foto të personit të shpallur në kërkim, i cili mendohet se pas largimit nga Anglia vazhdon jetën e tij në arrati në Shqipëri.
Përveç fotos, autoritetet britanike kanë sjellë edhe prova të tjera të siguruara në vendngjarje dhe që implikojnë shtetasin shqiptar në vrasjen e çiftit të pensionistëve. I kërkuari, në momentin e largimit nga Britania ka lënë mjetin e tij tip “Citroen C3” pranë Portit të Doverit, rreth dy javë më parë. I kërkuari që ishte regjistruar si Ali Qazimaj nga Kosova, ka qëndruar për rreth 17 vite në Angli me identitet të rremë. Verifikimet e britanikëve në Kosovë rezultuan se, Ali Qazimaj ishte një zdrukthtar që nuk kishte qenë asnjëherë në Angli dhe nuk fliste asnjë fjalë anglisht.
Mësohet se dy oficerë të Interpolit po koordinojnë informacionin me pikat kufitare, kryesisht në Rinas, si dhe Morinë, për të skanuar të gjithë listën e personave që kanë hyrë gjatë 10 ditëve të fundit në Shqipëri.
Fotoja e Ali Qazimajt është shpërndarë në të gjithë hyrje-daljet e vendit, ku në rast se do të ketë konstatim të hyrjes së ndonjë personi me ngjashmëri të njëjtë me personin e dyshuar është dhënë urdhër që të ndalohet dhe të njoftohet Sektori i Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit.
Policia britanike e Suffolk njoftoi se janë duke vijuar kërkimet për të gjetur Sylvia Stuart, e cila rezulton e zhdukur, ndërsa bëhet me dije se detektivët anglezë po bashkëpunojnë me kolegët e tyre në Europë për të gjetur Ali Qazimajn. Një 61-vjeçar është arrestuar, pasi dyshohet se ka bashkëpunuar në vrasjen e Peter Stjuart dhe zhdukjen e bashkëshortes së tij që në datën 3 qershor.
Asgjë më pak se ç’rekomandon Venecia
– Z.Basha sot Kryeministri duke iu referuar negociatave politike ose teknike për Reformën në Drejtësi, tha që PD ka mbërritur në një pikë ku është tërhequr nga të gjitha kërkesat e saj fillestare dhe ka mbetur tek vendet e rezervuara, si një mënyrë për të bllokuar Reformën në Drejtësi. Keni ju një koment për këtë? A jeni tërhequr ju në të vërtetë nga të gjitha kërkesat që ju keni patur në fillim për finalizimin e kësaj reforme?
Ky qëndrim i Kryeministrit, në radhë të parë është një qëndrim i papërgjegjshëm. Është një qëndrim fëminor për të thënë që “këta i braktisën, unë i fitova”. Këtu nuk bëhet fjalë as për fitoren e Partisë Socialiste, as për fitoren e Partisë Demokratike. Kjo tradhton mënyrën se si Kryeministri e shikon procesin e Reformës në Drejtësi, si një lojë politike.
Unë nuk e shikoj kështu dhe kam dhënë prova prej fillimit. Duke angazhuar ekspertët më të mirë të opozitës, të Partisë Demokratike, me një proces që rezulton, jo braktisje, por me fitore. Sa fitore? 38 fitore. Kush i thotë? Komisioni i Venecias. Arbitri. Meqë jemi edhe në sezon futbolli. Pak rëndësi ka se ç’thotë njëra palë apo tjetra. Rëndësi ka se çfarë thotë arbitri. Arbitri thotë: 38 herë e ka rrëzuar mazhorancën e i ka dhënë të drejtë opozitës. Unë nuk i përkas atyre apo kësaj gjenerate politikanësh që tund flamurin e fitores. Sigurisht nuk mund të pranoj broçkulla që paskemi braktisur çështjet, por duhet t’u them se këto 38 fitore nuk janë fitore të Partisë Demokratike dhe të Lulzim Bashës, ndonëse ne i nxitëm dhe ne ishim gardianët. Janë fitoret e shqiptarëve.
Imagjinoni ku do të ishte sot drejtësia, nëse opozita nuk do të kishte këmbëngulur, nëse opozita nuk do të ishte angazhuar, nëse opozita nuk do të ishte përfshirë dhe nëse opozita nuk do të kishte ruajtur standardin evropian dhe euroatlantik në çdo qëndrim të sajin. Sot Byroja Kombëtare e Hetimit do të ishte nën Saimir Tahirin, njeriun e vënë në akuzë për përgjim, si krim kushtetues, si krim i sigurisë kombëtare dhe i vënë përsëri nën akuzë për kërcënim të gjyqësorit sepse nuk pranon të hetohet për një krim, për të cilën Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka larguar një President. Imagjinoni ku do të ishte drejtësia sot, nëse do të kishim pranuar që trupat e rëndësishëm të kontrollit të integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të ishin nën kontrollin e Kryeministrit, këtij që i thotë gjyqtarëve që hetojnë aferat e tij, “jeni killera” dhe u rreh shpatullat gjyqtarëve të korruptuar që mbyllin dosjet e korrupsionit me anë të të cilave zhvatin miliona e miliona euro të shqiptarëve.
Pra, Partia Demokratike nuk i ka braktisur, por i ka fituar betejat e hapura. Janë betejat tona dhe betejat e çdo shqiptari. Drafti ka ardhur këtu ku është, jo me dëshirën e Ramës, por me pahir nga ana e tij. Ka ardhur sepse ne dhe Komisioni i Venecias rezonuam në të gjitha çështjet kryesore të moskapjes politike. Drafti ka ardhur këtu duke përfshirë dhe thjeshtimin e arkitekturës siç e kërkuam ne. Këto janë të vërtetat. Por, në fund të fundit kjo nuk është një lojë futbolli Rama-Basha. Do të vijë edhe ajo. Një e bëmë para 5 vjetësh dhe tjetra do të vijë së shpejti.
Kjo duhet të jetë një përpjekje serioze për t’i dhënë shqiptarëve një drejtësi që nuk mbron, por ndëshkon krimin dhe korrupsionin. Garanci për këtë është vetëm moskapja politike. Venecia ka folur qartë. Parimi është vetëm ai i vendeve të rezervuara. Paragrafi 88 e thotë të zezë mbi të bardhë. Partia Demokratike e ka pranuar, Edi Rama e kishte refuzuar deri dje. Sot e pranon parimin për 2 organe, nuk e pranon për 2 të tjera. Domosdo që nuk e pranon sepse do që të përjashtojë nga sistemi gjyqtarët që hetojnë skandalet e përgjimit, të CEZ-it, të koncesioneve në shëndetësi. Do që të përjashtojë nga sistemi prokurorët që vënë para përgjegjësisë zyrtarët e tij të korruptuar apo ndjekin lidhjet kriminale të kësaj qeverie nga Habilajt tek Xibraku, nga Shullazi tek “Hakmarrja për Drejtësi”, e kudo tjetër. Ai dëshiron ta kapë sistemin. Ai e ka jetike kapjen e sistemit.
Unë jam këtu për t’i garantuar shqiptarët për një sistem drejtësi të pakapur politikisht dhe për këtë arsye kërkoj nga Edi Rama reflektim të plotë sonte, që parimin e konsakruar në paragrafin 88 që e ka pranuar për 2 institucione, ta pranojë edhe për 2 institucione të tjera. Garantoj çdo shqiptar se PD do të qëndrojë fuqimisht që personat që do të përfaqësojnë interesat e Republikës së Shqipërisë në këto 2 organe të mos jenë ushtarë të politikës, të mos jenë ushtarë të Edi Ramës apo të Lulzim Bashës, por të jenë ushtarë të ligjit. Për këtë PD ka gati propozime konkrete dhe nëse ka vullnet ne jemi gati të avancojmë, por parimi i konsakruar në Komisionin e Venecias, paragrafi 88, mbetet parimi me të cilin PD do të ecë përpara për t’i dhënë shqiptarëve një drejtësi të pakapur politikisht.
– Z. Rama nuk foli për vende të rezervuara dhe nuk iu referua, madje kërkoi që mazhoranca të tërhiqej nga 2/3-at dhe opozita nga vendet e rezervuara për të gjetur një zgjidhje të përbashkët. A jeni të gatshëm ju për një zgjidhje tjetër që tejkalon 2/3-at apo vendet e rezervuara?
Siç e kam bërë të qartë që prej fillimit, paragrafi 88 i Komisionit të Venecias është ai që garanton moskapjen politike. Ne kërkojmë zbatimin e opinionit final të Komisionit të Venecias. Unë kam dalë para jush, këtu në këtë sallë, në salla të tjera, në konferenca, në fshatra, në qytete, në Bruksel, në Washington dhe u kam thënë shqiptarëve: “Unë pranoj gjithçka që rekomandon Komisioni i Venecias”. Dhe Komisioni i Venecias ka folur qartë.
Dikush tjetër ka zgjedhur ta bëjë fytyrën shollë. Ka thënë në Bruksel dhe në Washington, do të pranoj Venecian, dje thoshte nuk e pranoj 88-ën, sot siç e lexoi e pranoi 88-ën, por vetëm për 2 organe, por nuk e pranon për 2 të tjerat. Edi Rama duhet të ndajë mendjen. Nëse është për një drejtësi të reformuar, por të pakapur politikisht, jam gati të bashkoj votat me deputetët e tij dhe të mazhorancën për projektin që është gati. Nëse ka vendosur që më mirë një drejtësi nën hyqmin e tij politik, nën diktatin e tij, siç e ka sot e gjithë ditën se sa një drejtësi të pakapur politikisht, kjo është zgjedhja e tij. Do të përballet ai me pasojat. Sepse herët a vonë, ne do t’i japim shqiptarëve një drejtësi që nuk mbron, por ndëshkon krimin dhe korrupsionin. Jo sipas mendjes sonë, por sipas këtij projekti tashmë me vulën përfundimtare të Komisionit të Venecias.
– A është e gatshme PD të lëvizë nga vendet e rezervuara? Rama ka folur për përfshirje të opozitës në proces duke iu referuar paragrafit 88 të Komisionit të Venecias. Rama tha që bëhet fjalë për përfshirjen e opozitës në proces dhe se mazhoranca nuk e ka parë asnjëherë opozitën të papërfshirë në këtë proces. Por që të arrihet kjo, duhet që mazhoranca të lëvizë nga 92 vota, ndërsa opozita të lëvizë nga vendet e rezervuara?
Janë 94 vota Everest. Nuk i ka 94 vota, nuk e ka legjitimitetin dhe çdo përpjekje për të nisur një proces pa dakordësim me opozitën, do të përkthehet nga PD si një përpjekje për pazar votash, për trafikim votash dhe do t’i përgjigjemi me të gjitha mjetet dhe format demokratike. Më lejo të konfirmoj këtë së pari.
Së dyti, nëse dëshiron ta përmbyllë me sukses këtë proces për çështjen e vetme të parakorduar, PD propozon as më pak dhe as më shumë se rekomandimin numër 88 të Komisionit të Venecias. Zoti Rama e pranon këtë parim për dy organe dhe nuk e pranon për dy të tjera. I bëj thirrje të gjejë kurajon dhe përgjegjësinë që parimin ta zbatojë për të katër organet kolegjiale siç e parashikon Komisioni i Venecias. Ky është qëndrimi im, ky është qëndrimi i PD, ky është qëndrimi i opozitës. Venecia u pranua prej fillimit si arbitër, Venecia ka folur, PD e ka pranuar. U ekspozua sot përtej propagandës se ai që se kishte pranuar është Edi Rama, e pranoi gjysmën të pranojë dhe gjysmën tjetër dhe jemi gati ta votojmë.
– Zoti Basha ndërkohë që ju po mbani këtë konferencë për mediat, Kryeministri Rama ka postuar diçka në mediat sociale “dikush duhet t’i thotë Lulzimit që s’kam thënë asgjë të re nga çfarë thashë pas takimit me të dhe nuk kam pranuar as sot vendet e rezervuara”. Keni ndonjë koment?
Pra, tërhiqet nga parimi i rekomandimit 88. Atëherë lajmi i mirë që njoftova në fillim të konferencës, nuk është lajmi i mirë që prisnim të gjithë. Ky është problemi pra, e ka pranuar ndërsa tani tërhiqet. Unë kam qenë i qartë prej fillimit, koherent dhe transparent. Komisioni i Venecias, rekomandimi 88 i jep zgjidhje çështjes së vetme, që ndan palët. PD e ka pranuar, unë e kam shpallur, në Tiranë, në Bruksel dhe në Washington, zoti Rama nuk e pranon. Në atë konferencë për shtyp që e ka pranuar për dy organe, tani nuk e pranon as për ato të dyja ose kështu thoni ju, mbetet ta verifikojmë.
– Në fakt zoti Rama shkruan se formulë zgjidhje me opozitën po, ndërsa kompromis partiak për skanim të prokurorëve, gjykatësve, kurrë. Partitë larg duart nga skanimi thotë Rama…
Tani problemi këtu është që në këtë mënyrë ekspozon ndërgjegjen e tij. Në subkoshiencën e tij, atij i duket se vendet e rezervuara është e drejta për të emëruar persona, ushtarë politikë. Edhe një herë po them, parimi i vendeve të rezervuara nuk është parim i Lulzim Bashës, është parimi i Venecias. Në qoftë se ky qenka për drejtësi të pavarur dhe Venecia qenka për të kapur drejtësinë opozita, nëse ka njeri që e beson këtë, nëse ka shqiptar që e beson se Edi Rama e do drejtësinë të pavarur, ndërsa Komisioni i Venecias do t’ia japë drejtësinë Lulzim Bashës, atëherë unë jam gati kushdo qoftë, ta sqaroj këtu, në zyrën time, kushdo qoftë ky, se nuk besoj se janë dy ose më shumë se tre vetë dhe me siguri të gjithë janë në Kryeministri. Por e vërteta është ndryshe. Komisioni i Venecias shpall modelin e vendeve të rezervuara, pikërisht që t’i pamundësojë qeverisë kapjen politike të organeve të reja të drejtësisë, sepse siç thotë Venecia, siç jam i bindur, besojnë dhe të gjithë shqiptarët, drejtësia e kapur politikisht nga qeveria, është një drejtësi e korruptuar, e cila nuk do të ndërshkojë, por do të mbrojë korrupsionin qeveritar dhe krimin e lidhur me qeverinë.
– Për të qenë më të qartë se konferenca e Kryeministrit, a e pranon PD që të tërhiqet nga vendet e rezervuara për të gjetur ndoshta një formulë tjetër që tejkalon edhe vendet e rezervuara që kërkon opozita, por dhe dy të tretat që në fakt mban dhe i kërkon mazhoranca. A jeni të gatshëm ju si opozitë, të negocioni dhe të gjeni një formulë tjetër përtej këtyre dy formulave?
Komisioni i Venecias në rekomandimin e bërë publik në opinionin final, ka dhënë zgjidhje. Palët u angazhuan që zgjidhjet do t’i kthenin në një draft. Çështja që ndan palët është çështja e organeve të reja të institucioneve drejtuese të drejtësisë dhe për këtë, opozita ka pranuar formulën e ofruar nga Komisioni i Venecias. Ai që s’e ka pranuar është Edi Rama. Ne e kemi pranuar, sepse besojmë se kjo formulë përbën një garanci të madhe, ndonëse jo absolute, kundër kapjes politike. Edi Rama nuk e pranon, në pikëpamjen time pikërisht për këtë gjë, sepse dëshiron ose një drejtësi të kapur politikisht ose kështu siç është.
Ndaj i takon Edi Ramës t’i thotë shqiptarëve “pse nuk e pranon rekomandimin 88 të Komisionit të Venecias”? Kjo është pyetja një milion euro, pse nuk e pranon rekomandimin 88 të Komisionit të Venecias në tërësi”. Këtu është shumë e qartë: “Nëse palët në procesin politik, nuk pranojnë shumicën e cilësuar, të kërkuar për anëtarët gjyqtarë të KLGJ, KLP, KPK, DHSK, ata mund të zgjedhin një sistem propocional që garanton përfaqësimin e opozitës në organet kolektive ose çdo model tjetër të përshtatshëm që do të siguronte ndikimin e opozitës në procesin e zgjedhjes”. Më pak se ky rekomandim, nuk mund të pranojmë. Nuk kërkojmë më shumë se ky rekomandim. Ky është qëndrimi im, dje, muajin e kaluar dhe vitin e kaluar.
Fshehu përdhunimin dhe dënimin në Itali, dy dëbime dhe dënimin në Zvicër
Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi u arrestua të hënën me urdhër të gjykatës, pasi akuzohet se ka fshehur të shkuarën e tij kriminale në formularin e vetëdeklarimit. Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se Rroshi ka fshehur një dënim për përdhunim në Itali, dy dëbime nga Italia dhe Zvicra përgjatë viteve 1993-1995 dhe një arrestim të dytë në Zvicër në vitin 1997, me urdhër të Gjykatës së Shtetit të Zyrihut. “Nga të dhënat e deritanishme, janë siguruar informacione se shtetasi Elvis Rroshi ka përdorur pesë emra të ndryshëm në disa vende të Europës”, tha këshilltari për mediat i prokurorit të Përgjithshëm, Albi Serani. Hetimi për Rroshin nisi kryesisht nga Prokuroria e Tiranës më 1 qershor, pasi kryebashkiaku i shumëdiskutuar i Kavajës dorëzoi formularin e vetëdeklarimit, i detyrueshëm për t’u plotësuar nga një numër i madh zyrtarësh të lartë. Në formular, Rroshi kishte vetëdeklaruar vetëm një ndalim në Mynih të Gjermanisë, ndërsa në kuadratin e arsyes ai kishte shkuar “nuk më kujtohet”. Megjithatë, hetimi i thelluar i Prokurorisë së Tiranës ka zbuluar një skedë të pasur kriminale të kryebashkiakut të Kavajës. Sipas njoftimit të Prokurorisë, Rroshi nuk ka deklaruar dënimin e dhënë nga autoritetet italiane të drejtësisë për veprën penale të përdhunimit, të kryer në vitin 1995 në Campobasso, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikën 1 të formularit të vetëdeklarimit. Prokuroria nënvizon gjithashtu që ai ka fshehur faktin se është dëbuar nga shteti zviceran në vitin 1993 dhe nga ai italian në vitin 1995, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikën 7 të formularit. Në hetimin e saj, Prokuroria ka zbuluar gjithashtu se Rroshi është arrestuar në gusht të vitit 1997 në Zvicër, me urdhër të Gjykatës së Shtetit të Zyrihut dhe është dëbuar për herë të dytë, duke paqyruar të dhëna të rreme në rubrikat 5 dhe 7 të formularit. Prokuroria nuk shpjegon arsyet e arrestimit dhe ndalimit të Rroshit në Zvicër. Por në një investigim të mëparshëm, “BIRN” zbuloi se Rroshi ishte dënuar në Zvicër për shpërndarje droge. “Ai u hetua për trafik droge dhe shpërndarje, por nga ajo që mund të shoh unë, qe një peshk i vogël”, tha për “BIRN” një zyrtar i policisë zvicerane. “Atij iu dha një dënim i vogël dhe u deportua në Shqipëri pas periudhës së paraburgimit”, shtoi ai. Pas sigurimit të këtyre të dhënave, Prokuroria e Tiranës kërkoi miratimin e gjykatës për arrestimin e Rroshit, i cili akuzohet për veprën penale të “Falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve”, i parashikuar në nenin 190/1 të Kodit Penal. Nëse shpallet fajtor, Rroshi rrezikohen të dënohet nga gjashtë muaj deri në 4 vjet burgim.
Mashtrimet në formularin e dekriminalizimit
Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për kryetarin e Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi, i dyshuar për konsumimin e veprës penale “Falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve”, në plotësimin e formularit të dekriminalizimit. Në bazë të veprimeve të deritanishme hetimore rezulton se, i dyshuari nuk ka paraqitur në formularin “Për Dekriminalizimin” të dhëna penale dhe personale, të cilat janë të detyrueshme për t’u shënuar. Prokuroria e Tiranës nisi hetimin kryesisht, në bazë të informacionit të përcjellë nga ana e Sektorit për Verifikimin e Integritetit të Personave në Funksione Publike në Prokurorinë e Përgjithshme. Kjo strukturë kërkoi fillimisht verifikimin paraprak të formularit të subjektit Elvis Rroshi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Më pas, ky sektor vijoi verifikimin sipas përcaktimeve të Ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Në bazë të të dhënave të përftuara nga ky verifikim i thelluar, sektori përkatës në Prokurorinë e Përgjithshme përcolli informacionin në Prokurorinë e Tiranës, e cila regjistroi procedimin penal. Nga hetimet e deritanishme të Prokurorisë së Tiranës rezulton se, Elvis Rroshi nuk ka deklaruar dënimin e dhënë nga autoritetet italiane të drejtësisë për veprën penale të përdhunimit të kryer në vitit 1995 në Campobasso, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikën 1 të formularit të vetëdeklarimit. Po ashtu, ai nuk ka deklaruar se është dëbuar nga shteti italian dhe ai zviceran, respektivisht në vitin 1995 dhe 1993, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikën 7 të formularit të vetëdeklarimit. Gjithashtu, subjekti Elvis Rroshi nuk ka deklaruar se është arrestuar në gusht të vitit 1997 në Zvicër me urdhër të Gjykatës së Shtetit të Zyrihut dhe është dëbuar sërish, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikat 5 dhe 7 të formularit të vetëdeklarimit.
Katër pikat e hetimit të Prokurorisë së Tiranës
1- Nga hetimet e deritanishme të Prokurorisë së Tiranës rezulton se Elvis Rroshi nuk ka deklaruar dënimin e dhënë nga autoritetet italiane të drejtësisë për veprën penale të përdhunimit të kryer në vitit 1995 në Campobasso, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikën 1 të formularit të vetëdeklarimit.
2- Po ashtu, ai nuk ka deklaruar se është dëbuar nga shteti italian dhe ai zviceran, respektivisht në vitin 1995 dhe 1993, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikën 7 të formularit të vetëdeklarimit.
3- Gjithashtu, subjekti Elvis Rroshi nuk ka deklaruar se është arrestuar në gusht të vitit 1997 në Zvicër me urdhër të Gjykatës së Shtetit të Zyrihut dhe është dëbuar sërish, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikat 5 dhe 7 të formularit të vetëdeklarimit.
4- Ndërkohë, nga të dhënat e deritanishme, janë siguruar informacione se shtetasi Elvis Rroshi ka përdorur 5 emra të ndryshëm në disa vende të Europës.
Në bazë të këtyre të dhënave, Prokuroria e Tiranës kërkoi caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” për shtetasin Elvis Rroshi, me funksion kryetar i Bashkisë Kavajë, i dyshuar për veprën penale të “Falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve”, parashikuar nga neni 190/1 i Kodit Penal.
Çfarë rrezikon Rroshi
Pyetjes në formular nëse ka qenë ndonjëherë në hetim apo gjykim nga ndonjë autoritet i huaj për kryerjen e ndonjë vepre penale, Rroshi i përgjigjet me “Po”. Ai thotë se është proceduar nga Gjykata e Mynihut në Gjermani, por çuditërisht ai thotë se nuk e mban mend se përse është gjykuar. Ky hetim i gjykatës ka ndodhur në vitin 2002. Po në mënyrë të habitshme, Rroshit nuk i kujtohet as cili ka qenë vendimi i Gjykatës së Mynihut në Gjermani në lidhje me hetimin penal për të cilin ai është gjykuar.
Pyetjes nëse është caktuar ndonjë masë shtrënguese e sigurisë personale ndaj tij Rroshi i përgjigjet me “Po” dhe vendimi është lënë në fuqi ndaj arrestit me burg. Një tjetër pyetje që ka një përgjigje interesante nga “fenomeni Rroshi” i Ramës në krye të bashkive të vendit është nëse ndaj tij është marrë ndonjëherë masa e dëbimit nga një shtet i huaj? Përgjigjja e kësaj pyetje nga Rroshi është “Po”. Ai saktëson se qyteti nga ku është dëbuar është Mynihu dhe ai shton se kjo ka ndodhur përpara vitit 2002, kur ai ndryshoi edhe emrin. Çuditërisht edhe në këtë rast, Rroshit nuk i kujtohen arsyet se përse ai është dëbuar nga Gjermania.
Falsifikimi i çertifikatës së penalitetit të autoriteteve gjermane
Në morinë e veprave penale, Elvis Rroshi së fundmi është përfshirë edhe në një tjetër falsifikim, atë të çertifikatës së penalitetit të marrë nga autoritetet gjermane. Dëshmia e penalitetit të Elvis Rroshit ka disa pika të paqarta që vënë në dyshim autenticitetin e saj. 1) Në formularin e dekriminalizimit, Rroshi pranoi se ndryshimi i emrit nga Ervin në Elvis u bë me vendim gjykate në nëntor të 2002. Rroshi thotë se doli para gjykatës në Mynih, para vitit 2002, pra para se të ndryshonte emrin, nga Ervin në Elvis. Rrjedhimisht çertifikata e penalitetit duhej të ishte kërkuar me emrin Ervin Rroshi. Por Rroshi në dokument, për herë të parë e identifikon veten me dy emra njëkohësisht: “Elvis Ervin Rroshi”. Me këtë emër të dyfishtë, kryetari i Bashkisë së Kavajës pretendon se është i pastër për të dy emrat. Por emërtimi i dyfishtë që i ka vënë vetes “Ervin Elvis Rroshi” lë hapësirë për dyshime, pasi para vitit 2002 ai mbante vetëm një emër, Ervin Rroshi. 2) Një pikë tjetër e dyshimtë në kartelën e penalitetit të kryetarit të Bashkisë së Kavajës është firma dhe vula në fund të dokumentit. Nëse vihet re me kujdes, në fund të fletës janë të shkruara disa rreshta me germa të vogla, që zbulojnë handikapin e dëshmisë penale të Elvis Rroshit. “Dieses Führungszeugnis wurde mit Hilfe automatischer Einrichtungen erteilt und nicht unterschrieben” që përkthehet: “Kjo çertifikatë u prodhua automatikisht nga një pajisje dhe nuk përmban asnjë firmë”. Ky shënim në fund të çertifikatës ngre dyshime për firmën dhe vulën që ekziston në dokument. Ajo nuk mund të jetë nënshkruar apo vulosur në asnjë mënyrë nga një zyrtar gjerman, pasi legjislacioni i këtij vendi e saktëson qartë se kjo tip çertifikate nuk përmban firmë apo vulë. Atëherë përse është firmosur dhe vulosur çertifikata e penalitetit e kryetarit të Bashkisë së Kavajës dhe nëse këto e bëjnë të pavlefshëm dokumentin? 3) Pavarësisht të gjitha dyshimeve për vërtetësinë e tij, kjo tip çertifikate ka një limit kohor për rekordet kriminale që ka kryer personi. Sipas të dhënave, çertifikata gjeneron krimet e bëra deri në 10 vjet më parë, (përveç krimeve seksuale, që kanë një limit kohor më të gjatë). Vepra kriminale, për të cilën Elvis Rroshi thotë se nuk e mban mend, është kryer para vitit 2002, pra më shumë se 14 vjet e 5 muaj më parë, para më shumë se 10 vitesh, rrjedhimisht rekordi i tij kriminal nuk llogaritet nga shteti gjerman në këtë çertifikatë. 4) Një dëshmi e tillë penaliteti mund të kërkohet edhe online, nga vetë personi i interesuar. Në të shënohet adresa ku është dërguar dëshmia e penalitetit. Lart majtas fletës së dokumentit, në krah të Elvis Rroshit është një adresë në Hanover, ku rezulton se kjo çertifikatë është dërguar me postë nga Zyra Federale gjermane. Por pavarësisht se është postuar në Hanover, siç duket në këtë pjesë të fletës është edhe adresa ekzakte e Elvis Rroshit në Kavajë, rruga “S.Guraj”, Nr. 6519 dhe kodi postar i Kavajës, nr. 2500. Ekzistenca e dy adresave në dokumentin më lart ngre dyshime të forta për mënyrën si është marrë ky dokument ose në rastin më të mirë i bën të paqarta të dhënat e tij.
Akademia e Biznesit ALBtelecom, aty ku zhvillohen aftësitë menaxhuese të punonjësve
Akademia e Biznesit të ALBtelecom ka diplomuar 35 punonjës profesionistë të rinj. Kompania më e madhe e Telekomunikacionit në Shqipëri, ALBtelecom, me këtë rast ka organizuar një ceremoni në ambientet e “ALBtelecom Business Academy”. Aty kanë qenë të pranishëm drejtori i Përgjithshëm i ALBtelecom Dr. Erkan Tabak, drejtori i Grupit të Teknologjisë Murat Çakmak, drejtori i Grupit Komercial, Omer Kuyucu, drejtori i Grupit të Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit, Vahap Yeroglu, si dhe akademikë e studentë.
Dr. Erkan Tabak ka shpallur “grupin më të mirë” dhe “studentin më të mirë” të kësaj akademie për këtë vit. Grupi më i mirë ka prezantuar idenë risi me temë: “Shërbimet e pasura të komunikimit” (Rich Communication Services). Këtë vit programi i akademisë u organizua në 9 module. Akademia e Biznesit të ALBtelecom është licencuar nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit, në kuadër të politikave të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për arsimin profesional.
Ky program është projektuar për të zhvilluar më tej aftësitë menaxhuese të punonjësve, duke i përgatitur ata si liderë të së ardhmes. Procesi mësimor është ndërtuar duke kombinuar teorinë me praktikën, diskutimet mes studentëve me debatet konstruktive. Në përfundim të tij u përgatitën disa projekte dhe analiza studimore, ku u shfaqën aftësitë e perfeksionuara gjatë procesit mësimor, si dhe talentet me ide dhe projekte me vlerë, të cilat do të jenë subjekt implementimi në të ardhmen. Kjo sinergji e natyrshme dhe e shëndetshme mes studentëve dhe profesorëve me përvojë i ka dhënë një vlerë të madhe kësaj akademie.
Mbyllja e “Agon Channel”, shuma që Becchetti kërkon nga qeveria shqiptare, 1 miliard e 580 milionë euro
Pronari italian i “Agon Channel”, Francesco Becchetti, edhe pse jashtë vendit, vazhdon gjyqin me qeverinë shqiptare në arbitrazhin ndërkombëtar. “SYRI.net” ka mundur të mësojë se biznesmeni italian kërkon dëmshpërblim në shifra marramendëse nga shteti shqiptar. Plot 1 miliard e 580 milionë euro është vlerësuar nga avokatët të Becchettit dëmi i shkaktuar nga qeveria shqiptare. Të njëjtat burime sqarojnë se ky dëshmpërblim kërkohet që të përfitohet përmes tri gjyqeve të ndryshme, që pronari i “Agon Channel” ka me qeverinë. Konkretisht, siç duket edhe në tabelën e mëposhtme të siguruar nga “SYRI.net”, nga arbitrazhi i parë në Uashington, Becchetti kërkon 1 miliard euro; nga gjyqi i dytë 450 milionë euro dhe i treti në Paris 130 milionë euro. Ndërkohë, kujtojmë se në janar të këtij viti, qeveria shqiptare pagoi edhe 2 milionë euro të tjera avokatët e saj për të vazhduar betejën ligjore ndaj Francesco Becchettit.
Ndërkohë Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve më 3 mars të 2016 në mënyrë unanime ka lëshuar një masë të përkohshme duke rekomanduar që qeveria e Shqipërisë “të marrë të gjitha veprimet e nevojshme për të pezulluar procedurat e ekstradimit kundër dy nga paraqitësit e kërkesave emëruar në këtë rast ndaj klientëve Francesco Bechetti dhe Mauro de Renzis”. Përveç kësaj gjykata gjithashtu rekomandoi që Shqipëria të pezullojë procedurën penale themelore për palët që vijnë në një marrëveshje për ruajtjen e aseteve të paraqitjes së kërkesës për kohëzgjatjen e arbitrazhit ndaj Francesco Bechettit, Mauro de Renzis, Stefania Grigolon dhe Liliana Condomitti. Në vendin e saj gjykata ICSID u shpreh se procedura penale shqiptare dhe procedurat e ekstradimit në Angli ka shkaktuar një rrezik të pashmangshëm për aftësinë e pretenduesve për të marrë pjesë në mënyrë efektive në arbitrazhin që nuk mund të rregullohet në mënyrë adekuate nga dëmet. “Ne jemi të kënaqur që Gjykata ICSID na dha në mënyrë të shpejtë të drejtat e paditësve. Ne shikojmë përpara për një rezultat të favorshëm në thelbin e pretendimeve të tyre se Shqipëria po shkel traktatin dypalësh të investimeve”, u shpreh David W. Rivkin. Paditësit sollën në arbitrazh shkeljet e traktatit të investimeve dypalëshe Shqipëri-Itali, si rezultat i sulmeve të vazhdueshme dhe ngacmimet ndaj paraqitësit e kërkesave dhe investimet e tyre, të cilat përfshijnë një fabrikë hidroelektrike dhe dy stacione televizive, “Agon Channel” në Shqipëri dhe “Agon Channel” në Itali. Bechetti ka krijuar “Agon Channel” si stacionin e parë televiziv, i cili kishte sinjal transmetimi edhe në Europë, por u pezullua në fund të 2015 për shkak të problemeve me qeverinë Rama. Paditësit argumentuan, ndër të tjera, se Shqipëria u kundërpërgjigj kundër pohimit të të drejtave të tyre të arbitrazhit duke nisur hetimet e ndryshme abuzive dhe të pabaza tatimore dhe procedurat penale kundër paditësit dhe investimeve të tyre.
Zhduket tenderi, Belinda shpenzoi 400 mijë euro për vizita mjekësore
Kompania shtetërore e kontrollit ajror, “Albcontrol”, ka lidhur, në muajin shtator 2015, një kontratë me Spitalin Amerikan për kontrollin shëndetësor të punonjësve të saj. Vlera e kontratës, me kohëzgjatje 1-vjeçare është rreth 55 milionë lekë (400 mijë euro).
Prokurimi i shërbimit është bërë me tender të hapur, për të cilin kanë shprehur interes vetëm dy kompani, Spitali Amerikan dhe Montal shpk. Megjithatë, Montal nuk ka paraqitur ofertë ekonomike dhe është skualifikuar nga tenderi duke bërë kështu fitues automatik Spitalin Amerikan. Oferta e paraqitur nga Spitali Amerikan ka qenë vetëm rreth 5 mijë lekë (50 dollarë) më e vogël se sa fondi limit i caktuar për këtë shërbim nga “Albcontrol”. Spitali Amerikan ka qenë fitues edhe i kontratës për të njëjtin shërbim për vitin 2014, por me një vlerë më të ulët, rreth 40 milionë lekë (rreth 300 mijë euro). Në vitin 2014, Spitali Amerikan ka qenë e vetmja kompani konkurruese dhe oferta e paraqitur prej tij ka qenë në mënyrë të çuditshme e barabartë deri në qindarkë me fondin limit të caktuar nga “Albcontrol” për shërbimin. Shërbimi i kërkuar nga “Albcontrol” dhe procedurat e prokurimit të tij ngjallin një sërë dyshimesh për abuzim me fondet publike dhe korrupsion.
Së pari, është e paqartë se pse “Albcontrol” duhet të ofrojë shërbim të kontrollit mjekësor për punonjësit e tij. Ky shërbim ka filluar vetëm pas ardhjes në pushtet të qeverisë Rama dhe emërimit në krye të “Albcontrollit” të ish-shefes së tij të kabinetit në Bashkinë e Tiranës, znj. Belinda Balluku.
Së dyti, kostoja e këtij shërbimi është marramendëse. Sikur secili nga rreth 400 punonjës të “Albcontrol” të përfitojë kontroll mjekësor falas, për secilin prej tyre do të shpenzohen rreth 1 mijë euro. Çfarëdo analizash të kontrollit të përgjithshëm që të përfshihen në paketë, kjo kosto është më e lartë edhe se në klinikat më të shtrenjta të botës. Krahasuar me koston e shërbimit të kontrollit mjekësor të prokuruar nga qeveria në një tjetër kompani (shërbimi i check up) kostoja është rreth 13 herë më e lartë. Në një nga klinikat më të njohura të kontrollit mjekësor në vend, çmimi i publikuar për një kontroll komplet shëndetësor që përfshin analizat komplete të gjakut dhe urinës, analiza SGOT/SGPT, bilirubinë totale, analiza glicemie, analizë azotemie, analizë kreatinemi, eko të tiroideve, eko abdominale, kontroll EKG të zemrës, kushton nga 5 mijë deri në 9 mijë mijë lekë ose mesatarisht rreth 20 herë më pak.
Së treti, është e dyshimtë që për një shërbim kaq fitimprurës, sikurse duket më lart, nga qindra klinika të suksesshme dhe me kapacitete të mjaftueshme marrin pjesë në tender, një herë, vetëm dy kompani dhe një herë tjetër vetëm një kompani. Në rastin e parë njëra nga kompanitë e paraqitura, Montal shpk, është kompani që nuk kryen fare analiza shëndetësore, por është kompani që tregton lëndë të para dhe materiale mjekësore në fushën e shëndetësisë. Ajo që e bën akoma më të dyshimtë përfshirjen e saj në këtë tender është fakti që Spitali Amerikan është një ndër klientët kryesorë të Montal. Një ndër shërbimet që Montal ofron për Spitalin Amerikan është mirëmbajtja e pajisjeve të dializës dhe furnizimit me solucione dialize. Me fitimin e kontratës 10-vjeçare koncesionare për shërbimin e dializës nga Spitali Amerikan rëndësia e këtij klienti për Montal rritet në mënyrë të ndjeshme.
Së katërti, është rastësi e çuditshme që edhe pse fondi limit nuk publikohet, oferta e Spitalit Amerikan ka qenë në të dyja herët praktikisht e barabartë me fondin limit të caktuar për shërbimin.
Së pesti, është e pashpjegueshme që kostoja e shërbimit nga viti 2014 në vitin 2015 është rritur me mbi 33 për qind, nga rreth 300 mijë euro në rreth 400 mijë euro, pra totali i dy tenderëve 700 mijë euro.
Së gjashti, procedura e prokurimit është fshirë, në kundërshtim me ligjin, nga baza e të dhënave online e Agjencisë së Prokurimeve Publike.
Buldozerët e Bashkisë kërcënojnë familjet rome te Bregu i Lumit
Për gati dy dekada, rreth 80 familje të varfra nga anë të ndryshme të Shqipërisë –shumica nga komuniteti rom dhe egjiptian – e kanë ndërtuar jetën e tyre në zonën që shtrihet në brigjet e Lumit të Tiranës, në skajin perëndimor të kryeqytetit. Fryrja e lumit gjatë dimrit i ka përmbytur shpesh shtëpitë e tyre. Megjithatë, ndërtesat e thjeshta, të ndërtuara me blloqe betoni kërcënohen nga një rrezik edhe më i madh se egërsia e lumit. Një fadromë e madhe me kovën e saj të hirtë u është afruar çdo ditë e më shumë banesave modeste dhe pritet gjatë kësaj jave të ndërhyjë për t’i rrafshuar ato në një nivel me tokën. “Ne kemi qejf shumë që Shqipëria të bëhet e bukur, por ne nuk jemi qen që të flemë me qentë rrugëve,” thotë Ylldiz Ymeri, e cila ka 15 vite që jeton në Bregun e Lumit. Shtëpia e Ymerit në proces legalizimi është një nga banesat që rrezikohen nga projekti i bashkisë së Tiranës për t’i kthyer brigjet e lumit në një park me terrene sportive. Banorët tregojnë se komuniteti i tyre, i përbërë nga të paktën dhjetra familje rome, është vizituar nga tre punonjës së bashkisë së Tiranës, të cilët i kanë njoftuar verbalisht se shtëpitë e tyre do të shemben. Në shkëmbim, bashkia u ka ofruar banorëve nje bonus qiraje për strehim. Ofrojnë qira, por ne nuk duam qira. Ne duam një vend që të na e blejë shteti, ku të ndërtojmë me blloqe kështu thjesht e të jetojmë,” thotë Elvira, nënë e divorcuar e tre fëmijë. “Për atë që tha shteti, që ne do marrim një banesë për gjashtë muaj apo një vit, ajo nuk është jetë,” shtoi 30-vjeçarja rome. Në zonën e Bregut të Lumit jetojnë 72 famije të komunitetit rom dhe egjiptian; në total 341 banorë, prej të cilëve 168 janë të mitur nën moshën 18 vjeç. Në datë 10 maj, një punonjës i firmës së angazhuar në zbatimin e rehabilitimit të Lumit të Tiranës njoftoi banorët se brenda pak ditësh duhet të lirojnë banesat. Të shqetësuar për rrezikun, banorët i dërguan një letër Bashkisë Tiranë më 11 maj, përmes së cilës kërkonin një zgjidhje për strehimin e tyre si dhe lajmëronin bashkinë që mënyra sesi po përgatitet dëbimi shkel ligjet ndërkombëtare. Në të njëjtën ditë, banorët dorëzuan një ankesë kolektive pranë Avokatit të Popullit, i cili në datën 13 maj thirri në një takim bashkinë Tiranë dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare. Bashkia e Tiranës nuk u paraqit në takim. Në 6 qershor, dy punonjës të Bashkisë vizituan komunitetin me një hartë në dorë dhe lajmëruan banorët që banesat do të prisheshin së shpejti. Dy ditë më vonë, me 8 qershor banorët raportojnë se në këtë zonë kanë shkuar përsëri përfaqësues të Bashkisë Tiranë, të shoqëruar me efektivë të policisë dhe u kanë komunikuar se brenda 5 ditëve duhet të lirojnë objektet e tyre të banimit, pasi këto banesa do të prishen. Banorët tregojnë se punonjësit e bashkisë u kanë ofruar si masë lehtësuese për shpërnguljen e detyruar një bonus strehimi në një masë të caktuar të qirasë së baneseve në tregun e lirë, duke i kërkuar të nëshkruajnë një dokument me anë të cilit ata pranojnë vullnetarisht të largohen për t’i hapur rrugën projektit. “Kanë ardhur nga bashkia dhe ne na thanë që firmosni këtu,” tregon Elvira. “I pyeta për çfarë janë, se duhet ta dimë se jemi pa shkollë, për çfarë janë këto? E dimë ne se për çfarë janë- mos u merrni me këto gjëra ju, e dimë ne, t’i firmos këtu,” kujton ajo t’i kenë thënë punonjësit e Bashkisë. BIRN iu drejtua Bashkisë me një kërkesë për koment në lidhje planin për zhvendosjen e familjeve që preken nga projekti i rehabilitimit të lumit të Tiranës, por nuk mori përgjigje. Hava Xhepa nuk është anëtare e komuniteti rom. Megjithatë, edhe shtëpia e saj e ndërtuar në vitin 2002 në zonën e Bregut të Lumit, ku jeton me bashkëshortin dhe djalin, është shenjestruar për t’u shembur. “Jeni në projekt si gjithë të tjerët më thonë dhe mua, por drejtpërdrejt në shtëpi letra nuk më ka ardhur,” tha 49-vjeçarja që jeton me ndihmë ekonomike. “Por çfarë dëgjoj andej- këtej, unë jam e hequr,” shtoi ajo. Banorët e Bregut të Lumit, shumica e të cilëve mbijetojnë duke mbledhur mbetje të riciklueshme e hedhin poshtë ofertën e Bashkisë për një bonus strehimi, si një zgjidhje të papërshtatshme për zhvendosjen e tyre. “Shtëpinë që kam sot e kam ndërtuar me forcat e mia. Jam e ndarë dhe vetë i kam rritur fëmijët, me forcat e mia, nuk kam kërkuar nga shteti asgjë. Për atë që tha shteti që ne do marrim një banesë për gjashtë muaj apo një vit, ajo nuk është jetë,” përsërit Elvira. Banorët janë kundër bonusit të strehimit, sepse ata përballen me një numër vështirësish për të marrë banesa me qira, që shkojnë nga diskriminimi për shkak se janë romë te mungesa e regjistrimit në gjendje civile. Një pjesë prej tyre, i përdorin gjithashtu banesat për të grumbulluar mbetjet e riciklueshme, çfarë do ishte e pamundur për t’u bërë nëpër apartamente. “Këto shtëpitë me qira që duan me na i dhënë ne, nuk është asnjë banor dakord,” thotë Ylldiz Ymeri, shtëpia e së cilës është në proces legalizimi që nga viti 2006. “Shtëpinë e kam ndërtuar me shumë mund dhe akoma po paguaj kredi,” regon ajo. Ylldizi dhe banorët e tjerë të Bregut të Lumit kërkojnë një tokë publike ku mund të rindërtojnë shtëpite e tyre të thjeshta për t’i hapur rrugën projektit të rehabilitimit të zonës. “Jam vetë i 15 me katër çuna të martuar në shtëpi,” thotë 60-vjeçari Qerim Shabani, ndërsa tregon një makineri të rëndë të firmës së ndërtim që po zbaton projektin e rehabilitimit të lumit të Tiranës. “Nuk duam as vila, as pallate, por kërkojmë vetëm tokë kur mund të bëjmë barakë,” përfundoi ai.
Reporter.al
Kalendari i skandalit të përgjimeve, provat që paralajmërojnë arrestime
Më 11 maj 2016, mediat botuan një informacion se Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH) kishte informuar prokurorin e Përgjithshëm Llalla dhe Presidentin Nishani se, Policia e Shtetit po përdorte një pajisje të paregjistruar për përgjimin e telefonëve celularë.
Nisur nga ky informacion, prokurori i Përgjithshëm i kërkoi informacion policisë në lidhje me pajisjen, që më vonë u bë e ditur se është e tipit “IMCI Catcher”, e aftë të gjurmojë dhe përgjojë telefonat celularë, në mënyrë të pavarur nga kompanitë celulare.
Policia pranoi se ka patur, për njëfarë kohe, një pajisje të tillë përgjuese, e cila ishte përdorur për trajnimin e punonjësve të policisë. Policia pohoi se pajisja ishte dhënë nga Misioni i Forcave të Policisë italiane në Shqipëri (Interforze), të cilit i ishte kthyer pas përfundimit të trajnimit. Policia nuk bëri të ditur të dhëna mbi datën e hyrjes dhe përdorimit të saj.
Mediat italiane deklaruan se pajisja e përgjimit kishte hyrë në Shqipëri më 11 mars 2016, nga Porti i Durrësit, me një makinë me targa diplomatike italiane.
Më 14 maj, ministri i Drejtësisë Manjani deklaroi se Prokuroria kishte nisur një hetim për këtë çështje.
Më 15 maj, ish-Kryeministri Berisha publikoi një listë me 375 emra që ai pretendon se ishin përgjuar – në listë përfshiheshin Presidenti Nishani, kryetari i opozitës Basha, ministra, deputetë, gjykatës, prokurorë, ambasadorë të huaj dhe gazetarë.
Më 16 maj, ministri Tahiri deklaroi se policia ka pasur një pajisje që ndërhyn në rrjetin e telefonisë celulare dhe identifikon numrat në një zonë të caktuar. Ai mohoi se pajisja ishte përdorur për përgjime nga policia.
Më 18 maj, Komisioni i Sigurisë i Kuvendit mori në pyetje kryetarin e SHISH Visho Ajazi, drejtorin e Policisë së Shtetit, Haki Çako, ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri dhe prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla.
Kreu i SHISH Ajazi deklaroi se pajisja nuk ishte deklaruar kur kishte hyrë në kufirin shqiptar.
Drejtori i Policisë Çako mohoi praninë e një pajisjeje përgjimi në polici dhe përdorimin e saj për përgjime.
Ministri Tahiri mohoi përdorimin e një pajisjeje për përgjime, duke u shprehur se pajisja e dyshuar nga Prokuroria është në pronësi të policisë italiane dhe se policia shqiptare ka përdorur për trajnim vetëm pajisje të ligjshme.
Kryeprokurori Llalla deklaroi se hetimi do të zbardhë të gjitha detajet për këtë pajisje: nëse është futur në rrugë ligjore dhe nëse është përdorur në rrugë ligjore.
Rreth datës 20 maj, Prokuroria i kërkoi informacion të mëtejshme policisë dhe misionit Interforza për procedurat e ofrimit dhe marrjes së pajisjes përgjuese, si dhe sekuestrimin e pajisjes për të bërë ekspertimet e nevojshme.
Ambasada italiane i dërgoi një letër prokurorit të Përgjthshëm ku i komunikon në mënyrë jo informale se ish-drejtori i policisë italiane Alesandro Panza ishte shprehur se pajisja nuk ishte përdorur për përgjim nga policia shqiptare. Prokuroria u shpreh se komunikimi informal i zotit Panza nuk mund të konsiderohet si provë hetimore, pasi deklarata e tij nuk është firmosur dhe vulosur dhe nuk është bërë para asnjë autoriteti të Prokurorisë.
Në fillim të qershorit, televizioni “ABC News” raportoi se drejtori i Policisë Çako kishte pranuar më datën 17 maj përpara prokurores Anisa Qilimi se policia e kishte përdorur pajisjen për gjurmim dhe identifikim të numrave të telefonit të personave të dyshuar për krime. Sipas “ABC News”, ai kishte përmendur emrin e Vladimir Gjutës, si një nga personat e gjurmuar me anë të pajisjes.
Më 7 qershor, Gjykata e Tiranës pezulloi nga detyra drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako, i cili po hetohet nga Prokuroria nën akuzën se në bashkëpunim me të tjerë ka lejuar futjen në vend dhe përdorimin e një pajisje përgjimi të telefonave celularë, në shkelje të ligjit dhe rregullave administrative, përfshi mungesën e autorizimit nga prokurori i Përgjithshëm.
Më 7 qershor, Gjykata e Tiranës jep masën e sigurisë “Arrest shtëpi” për Artion Dukën dhe Ention Xhelilin, dy inspektorë operacionalë që akuzohen për shpërdorim detyre dhe kryerje të veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Në vendimin e gjykatës pohohet se, zoti Çako kishte pranuar se pajisja identifikon numrat IMEI të aparatëve celularë, veprim i cili, sipas gjykatës konsiderohet element përgjimi. Por zoti Çako ka deklaruar gjithashtu se pajisja nuk është përdorur asnjëherë nga një shtetas shqiptar (duke lënë të nënkuptohet që është përdorur nga policë italianë).
Më 8 qershor, ministri Tahiri sulmoi publikisht gjykatësin Arjan Aliaj, i cili mori vendimin për pezullimin e Haki Çakos nga detyra, duke e quajtur “shërbëtor politik dhe përfaqësues të frontit të së keqes që mbrohet nga SHQUP-i”. Zoti Tahiri e akuzoi, gjithashtu, gjykatësin për lirim kriminelësh nga burgu.
Akuzat e tij u pasuan nga akuza më të ashpra të Kryeministrit Rama, i cili e akuzoi gjykatësin Aliaj si një “killer me pagesë i drejtësisë”, “derdimen, pa din e pa iman”, i cili ka “shtypur drejtësinë për hesap të interesave të atyre që nuk e duan Reformën në Drejtësi”.
Më 11 qershor, Prokuroria bëri të ditur se ka fakte që vërtetojnë se pajisja e përgjimit ka qenë, në të paktën dy raste, nën kujdesin e punonjësit të policisë Entiol Xhelilaj, ç’ka hedh poshtë deklaratën e drejtorit Çako se pajisja nuk është mbajtur nga shtetas shqiptarë.
Prokuroria deklaroi se personat që përdorin apo kujdesen për një pajisje të përgjimit duhet të jenë të pajisur me çertifikatë sigurie nga Drejtoria e Informacionit të Klasifikuar në Kryeministri. Ention Xhelilaj nuk ka çertifikatë sigurie.
Më 16 qershor, Gjykata e Apelit do të marrë në shqyrtim kërkesën e ish-drejtorit Haki Çako për të rrëzuar vendimin e Gjykatës së Tiranës për pezullim nga detyra.