Shtrenjtohet me 5 lekë tregu i karburanteve në vendin tonë. Në pikat me pakicë, nafta shitet me 162-163 lekë për litër, ndërsa benzina arrin deri në 165 lekë për litër. Tregtarët ia faturojnë këtë rritje të re të çmimit ecurisë së tregjeve ndërkombëtare. Në këto të fundit ari i zi ka kapërcyer kuotën e 51 dollarëve për fuçi. Çmimi i naftës i është rikthyer rritjes në Shqipëri. Në një pjesë të pikave të shitjes me pakicë, çmimi është rritur me 5 lekë për litër. Nafta ka arritur në 162-163 lekë për litër, ndërsa benzina shitet nga 163-165 lekë për litër. Rritja e çmimit reflekton ecurinë e tregjeve financiare ndërkombëtare. Në këto të fundit ari i zi ka arritur në 51 dollarë 23 cent. Tregtarët e karburanteve e kishin paralajmëruar rritjen e çmimeve në tregun e brendshëm. Sipas tyre, në rast se nafta në botë do të kapërcente kuotat e 50 dollarëve për fuçi, atëherë çmimi do të rritej edhe tek ne. Operatorët deklarojnë se në tregun e brendshëm është reflektuar vetëm një pjesë e rritjes së çmimit të naftës në botë. Sipas tyre, që nga janari çmimi i naftës në bursa është dyfishuar, ndërsa tek ne çmimi është rritur me vetëm 8%. Sipas të dhënave të Global Petrol Price, të përditësuara më 6 qershor, Shqipëria renditet e 30-a në botë në listën e vendeve më të shtrenjta për karburantin, duke qenë në nivele të përafërta me shtete të tilla si Danimarka dhe Zvicra. Sipas operatorëve të tregut, arsyeja kryesore e çmimeve të shtrenjta tek ne lidhet me nivelin e lartë të taksave, që përbëjnë gati 70% të çmimit.
Diaspora përmirëson standardin jetësor të Kosovës
Shuma prej mbi gjysmë miliard euro në vit që hynë në Kosovë nga qytetarët e këtij vendi të cilët jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të botës, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike, mund të ketë ndikuar që konsumi për kokë banori të shënoje rritje. Eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi, thotë se në rritjen e konsumit kanë ndikuar shumë faktorë, por faktori kyç është vazhdimi i dërgesave nga diaspora. Rezultatet e Anketës së Buxhetit të Ekonomive Familjare të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, kishte vënë në pah rritje të konsumit për kokë banori për mbi tre për qind në vitin 2015, krahasuar me vitin 2014. Nga rezultatet e dala nga ky publikim, konsumi i përgjithshëm në Kosovë në vitin 2015 ishte 2,461 milionë euro, ndërsa për ekonomi familjare 7,503 euro, si dhe për kokë banori 1,432 euro. Këto të dhëna mbi konsumin e përgjithshëm, Gashi i thekson si një nga shtyllat kryesore të ekonomisë në Kosovë, pasi që, siç sqaron ai, sa më i lartë të jetë konsumi, rritja ekonomike dhe pagesat për arkën e shtetit janë më të larta. Ndërkaq, rritja e të ardhurave për kokë banori në vitin 2015 krahasuar me vitin 2014, sipas Gashit, është rezultat i rritjes ekonomike. Në anën tjetër, profesori i ekonomisë, Isa Tahiri, thekson se gjendja e rëndë ekonomike e shumë familjeve në Kosovë ka alarmuar familjarët e tyre që jetojnë jashtë vendit që të ndihmojnë duke dërguar para. Ai thotë se standardi jetësor i qytetarëve nuk mund të jetë përmirësuar gjatë viteve të fundit. Kosova konsiderohet si një ndër shtetet me më së shumti dërgesa të emigrantëve, ku në të shumtën e rasteve këto dërgesa shfrytëzohen për konsum familjar. Një studim mbi remitencat në Kosovë, i bërë kohë më parë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, tregon se 43 për qind e qytetarëve të Kosovës kanë anëtarë të familjes që jetojnë jashtë vendit, ndërkohë 22.4 për qind prej tyre kanë pranuar remitenca prej familjarëve. Shteti ku më së shumti kanë emigruar kosovarët, është Gjermania me 35.25 për qind, e pasuar nga Zvicra me 22.94 për qind.
FMN: Shqipëria po humbet konkurrueshmërinë me eksportet
Shqipëria ka një potencial të madh për të përmirësuar konkurrencën e saj në eksporte. Ajo ka afërsinë në të dy tregjet evropiane dhe në zhvillim, qasje në Mesdhe, një popullsi të re në krahasim me pjesën tjetër të Evropës, si dhe burimet natyrore.
Megjithatë, konkurenca e Shqipërisë në drejtim të eksporteve ka pasur progres të pamjaftueshëm, me rritje të dobët të produktivitetit dhe përqendrim të vazhdueshëm në sektorë me vlerë të bazuar tek puna intensive.
FMN thotë se, autoritetet duhet të përshpejtojnë përpjekjet për të nxitur investimet në produkte me vlerë të shtuar, duke zbatuar reforma të mëtejshme strukturore për të përmirësuar mjedisin e biznesit, boshllëqet e infrastrukturës dhe përmirësimin e aftësive të punës.
FMN shpjegoi se ka përdorur dy tregues për të vlerësuar konkurrueshmërinë e eksporteve të tilla si raporti, “Doing Business” i Bankës Botërore dhe Forumi Ekonomik Botëror (Raporti Global i Konkurrueshmërisë).
Treguesit e të bërit biznes të BB-së mbulojnë fusha të ndryshme, duke filluar nga regjimi ligjor për zbatimin e kontratave, të proceseve rregullatore për regjistrimin e bizneseve, pagimin e taksave, marrjen e kredisë, si dhe tregtinë përtej kufijve. Treguesit e konkurrencës në Raportin Global mbi Konkurrueshmërisë (ÇEF) mbulojnë një gamë të gjerë të kritereve, duke përfshirë infrastrukturën, institucionet, arsimin, efikasitetin e tregut të punës, si dhe risi në sofistikimin e biznesit dhe gatishmërinë teknologjike. Renditje në raportet e tilla sinjalizojnë konkurrueshmërinë ndërmjet vendeve.
Këto renditje tregojnë se konvergjenca e Shqipërisë me BE dhe konkurrenca janë ngadalësuar në vitet e fundit. Ndërsa renditja e Shqipërisë u përmirësua në këto indekse gjatë 2008-‘11, ritmi i përmirësimit është zvogëluar shumë kohët e fundit, shpjegon FMN.
Vendet rajonale si Maqedonia dhe Mali i Zi u rritën shumë shpejt në Renditje shpjegon Fondi, duke këshilluar se, Shqipëria ka ende hapësira për përfitime nga reformat për përmirësimin e klimës së biznesit.
Këta tregues sugjerojnë se Shqipëria ka nevojë për të adresuar dobësitë e qeverisjes dhe infrastrukturës.
FMN vlerëson se në veçanti, konkurrenca e vendit vuan nga këto kufizime:
• Boshllëqet e infrastrukturës kufizojnë tregtinë. Mirëmbajtja e pamjaftueshme e rrugëve është një sfidë kryesore. Disa projekte rrugore me qëllim uljen e kostove e transportit dhe që lidhin Shqipërinë me vendet fqinje janë në pritje (p.sh., rruga e Arbërit që lidh Shqipërinë me Maqedoninë). Shqipëria ka edhe mangësi infrastrukturore në telekomunikacion, porte, hekurudha dhe aeroporte në krahasim me anëtarët e rinj të BE-së.
•Pasiguritë në furnizimin me energji pengojnë efikasitetin. Ndërkohë që, Shqipëria është e pasur me hidrocentrale, furnizimi me energji elektrike ka prirje për ndërprerje. Kjo është një pengesë kyçe, pasi energjia elektrike është një input i rëndësishëm për shumë industri. Ndërprerjet e energjisë mesatarisht 112 orë në vitin 2014, janë shumë më lart se mesatarja CESEE prej 3 orësh. Ka pasur përmirësime kohët e fundit si pasojë e planit të rimëkëmbjes së sektorit të energjisë edhe pse zbatimi i tij mbetet në një fazë të hershme. Gazi gjithashtu është një input i rëndësishëm për zhvillimin e industrinë kimike dhe plastike. Mungesa e një rrjeti të transportit me kosto të ulët ka bllokuar zhvillimin e industrive të tilla deri më tani. Kjo mangësi pritet të zgjidhet nga gazsjellësi Trans-Adriatik, i cili pritet të përfundojë deri në vitin 2019.
•Informaliteti i lartë kontribuon në prodhimtarinë e ulët. Më shumë se 40 për qind e firmave raportojnë se, përballen me konkurrencën joformale. Sektori i madh joformal është një pengesë, për investimet, ka një perspektivë afatshkurtër, dhe i mungon aksesi në kredi. Niveli i ulët i kapitalit fizik dhe njerëzor ka mbajtur produktivitetin e ulët.
•Institucionet e dobëta pengojnë sundimin e ligjit. Sistemi gjyqësor nuk është në gjendje të mbrojë të drejtat e pronësisë dhe zbatimin e kontratave dhe kështu dëmton mjedisin e biznesit nxitjen strategjive miope të biznesit.
• Korrupsioni minon konkurrencën. Anketa e ndërmarrjeve e bërë nga BERZH më 2013 nxjerr në pah korrupsionin si një nga pengesat kryesore për biznesin. Kjo çështje e kombinuar me mbrojtje të dobët të të drejtave të pronësisë ka reduktuar incentivat për aktivitetin e biznesit.
• Kompleksiteti i sistemit të taksave ka vënë një barrë të konsiderueshme për biznesin. Numri i pagesave të taksave dhe orët e nevojshme për të paguar ato janë 19, kohë kjo 43 për qind më e lartë se mesatarja e Ballkanit Perëndimor.
Në sektorin e eksporteve të jo-naftës, fitimet gjatë dekadës së fundit kanë qenë modeste. Në sektorin e tekstileve dhe këpucëve, i cili përfaqëson sektorin më të madh të eksportit pas karburantit dhe mineraleve, nuk ka pasur të ardhurat e konsiderueshme gjatë dekadës së fundit, vlerëson FMN.
Eksportet e Shqipërisë janë të përqendruara në sektorë me vlerë të shtuar të ulët, të cilat mund të përballen me probleme në periudhë afatmesme. Eksportet jo të naftës në Shqipëri vazhdojnë të përqendrohen në sektorët e punës intensive (të tilla si tekstile dhe këpucë), ku afërsia e Shqipërisë me tregjet evropiane ka inkurajuar rritjen në industrinë ndihmese. Megjithatë edhe në këtë aspekt Shqipëria mund të përballet me probleme që vijnë nga ngadalësimi i rritjes në Evropë dhe rënia e kostove të transportit, e cila e vendos atë në konkurrencë me vendet që kanë sektor të mëdhenj të tekstilit me kosto të ulët të punës të tilla si Bangladeshi, Kamboxhia dhe Vietnami. Në mënyrë që të arrihet rritja më e shpejtë, një tranzicion më i shpejtë i eksporteve me vlerë të shtuar do të jetë i nevojshëm këshillon FMN. Sektori i eksportit të Shqipërisë është e fokusuar ngushtë në naftë, minerale, dhe tekstile dhe këpucë, në kontrast me disa nga fqinjët e rajonit si Maqedonia dhe Serbia, që kanë diversifikuar bazën e eksportit në produkte me vlerë të shtuar të lartë, të tilla si industria e kimikateve, plastika, apo makineritë.
Në Maqedoni, diversifikimi i eksportit u drejtua nga IHD-të në sektorin e tregtueshëm dhe një klimë të favorshme për biznesin, i cili ka ndihmuar të integrohen eksportet në zinxhirët e furnizimit të prodhuesve të Evropës Perëndimore.
FMN këshillon se, Shqipëria duhet të përshpejtojë reformat për të përmirësuar perspektivën e investimeve dhe tërheqjen e IHD-ve që e lejon atë për t’u diversifikuar në produkte me vlerë të shtuar më të lartë.
Matuidi dhe Sissoko: Shqipëria e frikshme
Blaise Matuidi dhe Moussa Sissoko nxehin ndeshjen Francë-Shqipëri që do të zhvillohet këtë të Mërkurë në Velodrome të Marseille-s. Dy mesfushorët e përfaqësues franceze u shfaqën në konferencën e rradhës për shtyp nga qëndra stërvitore e Bluve, me Matuidin e Sissokon që e cilësuan sfidën e rradhës të grupit A ndaj Shqipërisë si vendimtare, por mbi të gjitha shumë delikate për Francën. Futbollisti i Paris Saint Germain, 29-vjeçari Matuidi në fjalën e tij kujtoi edhe dy sfidat miqësore që gjelat kanë zhvilluar ndaj kombëtares kuqezi, teksa shtoi se Shqipëria është një skuadër që duhet marrë seriozisht në konisderatë.
”Ne jemi Franca dhe gjithmonë luftojmë për vendin e parë në grup. Por është gjithashtu e vërtetë që duhet ti marrim ndeshjet një nga e një dhe për momentin vëmendja jonë është vetëm të Shqipëria. Ata na kanë hapur shumë probleme në dy sfidat miqësore që kemi zhvilluar ndaj tyre. Duhet të tregohemi të vëmendshëm sepse shqiptarët janë shumë të rrezikshëm sidomos kur bëhet fjalë për goditjet standarte. Për ne mbi të gjitha është ndeshja ndaj Shqipërisë, pastaj do të mendojmë për Zvicrën. Për t’u renditur të parët në grup duhet të fitojmë të Mërkurën në Marseille”, u shpreh Matudi.
Ndërkohë mesfushori i Neëcastle United, Moussa Sissoko u shpreh se Franca ka mësuar nga gabimet e së kaluarës në ndeshjet ndaj Shqipërisë dhe këtë herë do të përpiqet, të mos ketë të njëjtin fat kur të përballet me kuqezinjtë e Gianni De Biasit.
Gjermania nuk gabon në start
Gjermania e nis me gazin në minimum Europianin 2016, duke u mjaftuar me nga një gol në çdo pjesë, duke marrë tre pikët ndaj Ukrainës. Në Lille u zhvillua ndeshja e dytë e grupit C, ku kampionët e botës iu falën golave të Shkodran Mustafit dhe Bastian Schweisteiger. Pjesa e parë ishte spektakolare dhe me raste të shumta nga të dyja krahët, ia la vendin pjesës së dytë me dy ekipe më të kujdesshme dhe dukshëm të lodhura. Ukraina e karikuar në maksimum për këtë sfidë e kërkoi portën që në minutën e 5 me Konoplyankan, që hasi në kundërpërgjigjen e Neuer. Goli i parë nuk vonoi, pasi ishte Shkodran Mustafi, ai që në minutën e 19 u shkëput fuqishëm me kokë, duke shfrytëzuar në maksimum topin e Kroos, duke mos i dhënë asnjë mundësi portierit Pyatov.
Zhbllokimi i rezultatit e bëri ndeshjen edhe më spektakolare dhe kjo kryesisht për meritë të Ukrainës që luftoi si e barabartë në çdo front. Në të 27-ën, Khacheridi ishte shumë pranë golit, por sërish Neuer magjik në reagim, ndërsa Khedira replikoi me një goditje qëndrore pas stolipim perfekt që i bëri topit, por gardiani ukrainas grushtoi. Në të 37-ën, Konoplyanka goditi në mënyrën më të keqe të mundshme, por çuditërisht topi iu drejtua rrjetës dhe ishte Boateng, ai që e largoi në vijën fatale. Me rikthimin në fushë ritmi ra ndjeshëm. Në minutën e 57 Rakitskiy goditi direkt në portë, por Neuer nuk lejoi që porta e tij të prekej. Në krahun tjetër, Khedira lëshoi një të djathtë që impenjoi Pyatov, ndërsa Ozil dogji një mundësi të artë për të dyfishuar shifrat vetëm dy minuta nga fundi. Në minutën e fundit shtesë, ishte Schweinsteiger që vulosi fitoren 2-0 pas një kundërsulmi të shpejtë. Një fitore e pastër që i mjafton Gjermanisë për të ruajtur hapin e Polonisë, ndërsa Ukraina dorëzohet pas 90 minutave ku falë lojës që zhvilloi mund të kishte merituar diçka më shumë.
Polonia përmbush pritshmëritë në ndeshjen e parë të saj në Euro 2016, fiton 1-0 me Irlandën e Veriut dhe hedh kandidaturën për të kaluar në raundin tjetër. Arkadius Milik, më i miri për polakët në sfidën e Nisës, realizoi golin e vetëm të takimit, që duhet pranuar përgjithësisht u dominua nga skuadra e Nawalkas. Një debutim me humbje për irlandezo-veriorët, që pavarësisht dëshirës për të lënë shenjë në Europian, ishin ndjeshën më inferiorë në cilësi.
Takim nisi nën diktatin e Polonisë që me dyshen sulmuese Lewandwski – Milik ishte një rrezik përmanent në portën kundërshtare. Rasti i parë i pastër u regjistrua në minutën e 32-të, teksa Milik, krijoi hapësirën për të goditur, por topi përfundoi jashtë. Në të 39-ën, Kapustka provoi nga një pozicion mjaft i volitshëm, por McGover me reflekset e tij shmangu rrezikun.
Vetëm gjashtë minuta nga starti i pjesës së dytë, Polonia gjeti rrugën e rrjetës me sulmuesin e Ajaksit të Amsterdamit, Milik, që u tregua i saktë brenda zonës pas një aksioni të gjatë. Pësimi i golit e detyron Irlandën e Veriut të shohë më shumë nga sulmi, por mbrojtja polake u shfaq solide.
Milik në të 82-ën provoi me të parën pas një topi të mbetur në zonë, por McGover reagoi në pozicion. Krychowiak nuk gjeti portën në të 87-ën, ndërsa në minutat e mbetura, Polonia e administroi me zgjuarsi lojën për të siguruar një fitore shumë të rëndësishme për kalimin e Grupit C.
Kroacia i falet magjisë së Modriç
E nis me një fitore shumë të rëndësishme europianin, skuadra e Kroacisë që arriti të kalonte me shumë vështirësi Turqinë 1-0 falë një magjie të Luka Modriç. Skuadra e drejtuar nga Ante Cacic zhvilloi një ndeshje shumë të mirë, duke eklipsuar Turqinë e Fatih Terim, që nuk arriti të shfaqej agresive në “Parc De Princes”. Kroatët që ishin shumë herë pranë dyfishimit të rezultatit nuk arritën ta mbyllnin ndeshjen, por në krahun tjetër as Turqia nuk gjeti hapësira në mbrojtjen kundërshtare për t’u rikthyer në lojë, duke bërë një start zhgënjyes. Turiqa e nisi ndeshjen me Tosun në majën e sulmit dhe Turan e Calhanoglu në sulm, ndërsa në kampin kroat, Mandzukiç ishte i vetëm në majën e repartit të avancuar. Ritmi ishte menjëherë i lartë me Modriç që u shfaq i rrezikshëm që në minutën e 2, ndërsa Calhanoglu tentoi të krijonte panik në zonën kroate.
Ishte Brozoviç që iu afrua dy herë avantazhit, por rastin më të pastër e finalizoi Tufan, i cili me kokë nuk arriti të kalonte Subasiç që në dy kohë arriti të kontrollonte saktësisht. Kur kishin mbetur edhe disa minuta nga përfundimi i pjesës së parë, Modriç në vrapim e sipër lëshon një silur që kapi të papërgatitur portierin turk, duke çelur zyrtarisht festën për skuadrën ballkanase. Terim, ul në stol Ozyakup për të rritur peshën e sulmit, duke hedhur në fushë Volkan Sen, por Turqia nuk arrin të gjejë hapësira. Ishte Srna, ai që tronditi traversën me një goditje dënimi, ndërsa në minutën e 67 ishte Brozoviç që iu afrua golit të dytë pas një topi të marrë nga Mandzukiç. Tranversë edhe për Perisiç në minutën e 72, ndërsa Turqia reagoi me një goditje dënimi të Erkin. Tre pikë të arta për Kroacinë që hedh një hap të sigurt drejt fazës tjetër në grupin më të fortë të Europianit, ndërsa Turqia e nis evenimentin në mënyrën më të keqe dhe tashmë ka nevojë për një mrekulli.
Spanja fiton me vështirësi
Spanja krijon, shpërdoron, përplaset në murin e Repiublikës Çeke, por ja del të sigurojë fitoren 1-0 tre minuta nga fundi falë një goditjeje me kokë të Pique, i shërbyer nga më i miri në fushë, zotëria i pasimeve Andres Iniesta, nis me këtë sukses mbrojtja e kurorës europiane për La Roja-n. Siç edhe pritej, Del Bosque i dha fund tranzicionit të ëmbël të paralajmëruar që dy vjet më parë dhe zgjodhi ti besonte portën De Geas, duke dërguar kështu në pension Iker Casillas, pas 16 vitesh dhe 167 ndeshjesh në shërbim të kombit. Për pjesën e mbetur formacione të konfirmuara, Rosicky pas Necid nga njëra anë, Morata para Silvas Fabregas, Iniestas dhe Nolitos në tjetrën.
Ashtu siç pritej dhe ecuria e ndeshjes, Spanja me topin në zotërin ndërsa Republika Çeke me dy linja, 5 lojtarë në mesfushë dhe 4 pas tyre të ndërtuara për tu mbrojtur. Dhe nëse dicka kalonte mes tyre mendonte Chech, që nuk ka harruar si të presë mirë. Porrieri i Arsenalit ndali Moratën në të 16 kur i parapriu Sivok duike i mohuar golin sërish në të 29 duke dërguar topin në këndore, në të 40 i tha jo dhe Jordi Albas, ndërsa vetëm një minutë më pas neutralizoi dhe tentativën e David Sillvas. Në 45 minutat e para, Spanja bëri plot 351 pasime kundrejt 140 të cekëve që ju desh të vraponin më shumë se rivalët për ti shkuar nga pas topit. Cekët treguan mungesë interesimi për fazën sulmuese dhe goditja e tyre e parë erdhi në minutën e 45 me Necod, tentaivë e neturaolizuar në dy kohë nga De Gaea.
Pjesa e dytë doli nga skema shabllon, filli me rrezikun e autogolit të Humbik që për të ndalur pasimin e Moratës goditi shtyllën e Chech, ndërsa pak më vonë ishte pikërisht Humbik ai që bëri më të mirën në tentativën e Sergio Ramos. Pasi ishin mbrojtur për një orë cekët filluan të dilnin përpara, në të 57 Hubnik për pak sa nuk befasoi De Gean, ndërsa në të 65 Fabregas me një ndërhyrje shumë të komplikuar dy metra larg portës i mohoi golin Gebre Sellassie. Del Bosque ndryshoi duke futur në lojë Aduriz e Thiago në vend të Moratas dhe Fabregas por insistimi i Spanjës dha frytet e tij vetëm në minutën e 87 kur Pique i shërbyer mrekullisht nga Inietsa mposhti Chech.
1-0 për Spanjën dhe ishte shumë vonë për reagimin e Republikës Ceke që provoi me Lafat, goditje e bukur por edhe pritje mjaft e mirë e De Geas në minutën e 92. Kampionët e nisin duke fituar, por nuk largojnë dot dyshimet që i shoqërojnë.
Hysaj: Na duhen pikë me Francën
Në mungesë të Lorik Canës, i pezulluar për shkak të ndëshkimit me karton të kuq ndaj Zvicrës, shiritin e kapitenit kundër Francës pritet ta mbajë Elseid Hysaj. Mbrojtësi i Napolit, theksoi se është gati ta mbajë këtë përgjegjësi. 22-vjeçari e ka të qartë se për të shpresuar të kalimi i grupit, Shqipëria duhet të marrë pikë ndaj organizatorëve të turneut.
“Shiriti i kapiteni është kënaqësi e madhe. Dihet që do të kem më shumë përgjegjësi, por besoj se do të jap maksimumin, sikurse Loriku. Do të bëjmë të pamundurën që të marrim pikë, sepse po mbarojnë ndeshjet dhe na duhen pikët për t’u kualifikuar. Do të jem i qetë, pavarësisht emrit të kundërshtarit. Si kapiten ose jo, do të jap maksimumin në fushë”, u shpreh Hysaj.
Duke iu kthyer humbjes me Zvicrën në debutim, Hysaj kujtoi se kuqezinjtë treguan karakter dhe ditën të reagonin, ndërsa presioni në një nivel kaq të lartë ekziston gjatë gjithë lojës. “20 minutat e para ishin shumë të vështira, sepse Zvicra është shumë e fortë. Në fakt të gjitha skuadrat vuajnë në 20 minutat e para dhe më vonë, kjo pak rëndësi ka. Ne treguam se kemi cilësi për t’i kaluar vështirësitë dhe për të ndryshuar rezultatin”, tha ai.
Pjesëmarrja në “Francë 2016”, por edhe me shiritin e kapitenit në krah do të përjetohet me shumë emocione nga e gjithë familja Hysaj. Elseidi zbuloi edhe një episod të veçantë me gjyshin e tij, kur sapo kishte nisur të luante futboll. “Gjyshi im erdhi për të herë të parë të më ndiqte në një ndeshje kur isha fëmijë. Që nga ai moment më tha se nuk i përballonte dot emocionet, kështu që do të më shikonte gjithmonë nga televizioni”, përfundoi Hysaj.
Ndërkohë, Franca ka dërguar një spuin tek Kombëtraja jonë. Raport i “spiunit” të kuqezinjve, Patrik Gonfalon, do të ndikojë në taktikat e përzgjedhura nga francezët për ndeshjen e së mërkurës mes Shqipërisë dhe Francës, e cila do të luhet në Marseille nga ora 21:00. Sipas “RMC Sport”, Gonfalon do të mblidhet me të gjithë stafin teknik të Francës, për të shpalosur analizën e plotë rreth lojës së kombëtares shqiptare dhe çdo lojtari në përbërjen e saj.
Ai ka ndjekur që në mars ekipin drejtuar nga Gianni De Biasi, në secilën prej miqësoreve që ka zhvilluar, ndërsa të shtunën ishte i pranishëm edhe në stadiumin e Lens për të ndjekur takimin kundër Zvicrës. Raportimi kryesor do të jetë për sa i përket fazës mbrojtëse të ekipit shqiptar dhe dilemat që ka De Biasi, për të zëvendësuar Canën e pezulluar me Kukelin, apo me Ajetin.
Ndeshja e mbijetesës
Mërgim Mavraj i ka idetë e qarta, Shqipëria nuk do të dorëzohet pas disfatës së hidhur kundër Zvicrës. Për mbrojtësin e Kombëtares Shqiptare, Europiani i skuadrës kuqezi nuk ka përfunduar këtu. Në konferencën e shtypit nga qendra stërvitore në “Perros Guirec”, shtatlarti i repartit të tërhequr u shpreh i bindur se Shqipëria është gati për t’i bërë ballë Francës. “Nuk është hera e parë që humbasim në mënyrë të tillë, por edhe në të shkuarën jemi rikthyer më të fortë dhe këtë e kemi si obligim. Rezultati nuk ishte ai që meritonim. Ne jemi gati për Francën dhe me pak fat do të përpiqemi të marrim pikë për të mos humbur trenin e kualifikimit”, u shpreh Mavraj.
Mavraj u ndal më pas te mungesa e Canës për sfidën e “Velodrome”, duke shprehur bindjen se, skuadra do të luajë në një nivel të lartë edhe pa kapitenin. “Ne kemi treguar edhe me Zvicrën se edhe me 10 lojtarë dhe pa Canën kishim një mbrojtje të qëndrueshme. Edhe në të kaluarën kemi treguar se çdo lojtar është i rëndësishëm, sepse forca jonë është grupi dhe nuk besoj se edhe ndaj Francës do të ndihet mungesa e Lorikut. Nuk e di kush do luajë krah meje, por vendimin e merr trajneri. Ne duhet të japim më të mirën dhe të mos mendojmë se kush luan. Cana është shumë i rëndësishëm për ne. Është një lojtar me perosnalitet dhe me shumë përvojë në situata të tilla, por jam i bindur që do t’ia dalim ta zëvendësojmë dhe do të bëjmë një ndeshje si me Zvicrën dhe ndoshta edhe më të mirë”, tha ai.
30-vjeçari kuqezi mendon se takimi i së mërkurës është më i rëndësishëm se sa ai me Zvicrën, pasi për Shqipërinë është një ndeshje mbijetese. “Nëse arrijmë rezultat pozitiv do të kemi shpresa, por me një humbje mund të humbasim shumë. Ne nuk kemi asgjë për të humbur dhe do ta shijojmë maksimalisht dhe do të mundohemi që ta vendosim në vështirësi Francën, sepse do të kemi rastet tona. E njohim Francën, por do të ketë shumë ndryshime me dy takimet miqësore. Është një situatë shumë ndryshe, nuk mund të krahasohen as lojtarët dhe as ndeshjet”, tha Mavraj.
Në vijim, Mavraj i rikthehet edhe një herë humbjes së Lensit, duke e pranuar se skuadra kishte emocione dhe shprehu keqardhjen që ai dhe lojtarët e tjerë nuk arritën të plotësonin pritshmëritë e tifozëve. “Pas ndeshjes është shumë lehtë të bëjmë analiza. Kemi pasur shumë emocione. Është normale një gjë e tillë, duke pasur parasysh edhe numrin e tifozëve që na kanë përkrahur. E ndien veten borxhli ndaj tyre dhe në ato momente bllokohesh, por gabimet ndodhin, por në shumicën e ndeshjes luajtëm shumë mirë. Emocione kishim edhe gjatë pjesës së dytë dhe jo vetëm në minutat e para”, përfundoi Mavraj.
Franca në stërvitje pa Pogba dhe Mangala
Franca mendon për Shqipërinë. Kombëtarja e vendit organizator ka zbritur në fushën stërvitore të Clairefontaine, ku ra në sy mungesa e Paul Pogba dhe Eliaquim Mangala. Sipas mediave franceze, mesfushori i Juventusit dhe mbrojtësi i Manchester City nuk u vunë nën urdhrat e trajnerit Didier Deschamps, pasi zgjodhën të stërviteshin veçmas në ambjentet e mbyllura të qendrës stërvitore. Nuk dihet ende nëse mungesa e tyre në seancën stërvitore lidhet me ndonjë dëmtim të mundshëm, por vendimi është marrë pas konsultimit me trajnerin e Francës.
Sipas mediave vendase, seanca stërvitore e bluve nuk zgjati më shumë se 60 minuta për shkak edhe të reshjeve të shiut që përfshinë qendrën stërvitore. 21 lojtarët që morën pjesë në seancën stërvitore u janë nënshtruar kryesisht ushtrimeve fizike për të ulur sa më shumë peshën e ngarkesës fizike, por Deschamps e vazhdoi punën me lëvizjet taktike, duke e ndarë skuadrën në dy pjesë por pa dhënë pika referimi për formacionin titullar. Franca do të ndeshet me Shqipërinë të mërkurën në “Velodrome” të Marsejës pas 3 pikëshit të marrë kundër Rumanisë.