UEFA konfirmon zyrtarisht nisjen e procedimit disiplinor ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit për dy episode të ndodhura në Stadiumin e Lens për ndeshjen mes kuqezinjve dhe Zvicrës. Në faqen zyrtare në internet, institucioni më i lartë i futbollit europian thekson se, çështjet që do të shqyrtojë rreth këtij takimi janë dy, baneri i shpalosur nga tifozët shqiptarë që sipas UEFA-s bie ndesh me artikullin 16 të Rregullores së Disiplinës dhe hedhjen e fishekzjarreve në fushën e lojës. Çështjet do të merren në shqyrtim nga Komisionet e Etikës dhe Disiplinës dhe masa ndaj Shqipërisë do të publikohet në datën 21 korrik. Përsa i përket parullës ku përmendej genocidi ndaj popullit çam, ishte Greqia zyrtare që reagoi menjëherë me një notë zyrtare të adresuar në Nyon, ku kërkoi marrjen e masave disiplinore. Sipas të gjitha gjasave, Federata Shqiptare e Futbollit do të gjobitet për këto dy episode.
Ja formacioni ndaj Francës
Ndryshimi i detyrueshëm në qendër të mbrojtjes, ku do të mungojë kapiteni Lorik Cana duket se nuk do të jetë risia e vetme në formacionin titullar ndaj Francës krahasuar me 11-shen që zbriti në fushë ndaj Zvicrës. Pas përfundimin të seancës stërvitore të kuqezinjve në “Perros Guirec” i dërguari i Supersport Egi Duro raportoi për të tjera lëvizje të mundshme në formacion, me tre emra të rinj të mesfushës që mund të jenë titullar.
Bëhet fjalë për Lilën, Kaçe dhe Memushajn.
Paraqitja e mirë e Kukelit në qendër të mbrojtjes mund ta bindë De Biasin që ta mbajë në këtë pozicion futbollistin e Zyrihut edhe ndaj “Gjelave” çka do të thotë se në qendër të mesfushës hapet vend për Ergys Kaçen. Përsa i përket aktivizimit të Lilës dhe Memushajt, nuk jepet asnjë indikacion për futbollistët që do të mund të zëvendësojnë. Gjithsesi bëhet fjalë vetëm për një ide paraprake, pasi De Biasi do të marrë një vendim përfundimtar vetëm, pasi të jetë i bindur në seancat e ardhshme stërvitore se këto ndryshime mund të japin efekt pozitiv në lojën e kuqezinjve.
Kosova, Turqia, Ukraina duhet të presin për liberalizimin e vizave
Zyrtarisht ministrat e Brendshëm të BE në takimin e tyre në Luksemburg të premten (10.06) nuk vendosën për asgjë. Megjithatë është e qartë se liberalizimi i vizave për Turqinë, Kosovën, Gjeorgjinë dhe Ukrainën nuk do të bëhet aq shpejt sa mendohej. Megjithëse Turqisë iu premtua liberalizimi i vizave në kuadër të paktit të refugjatëve me BE më 1 korrik, ministrat e Brendshëm ende nuk shohin plotësimin e kushteve. Një diplomat i BE-së thotë se “vendimet për vizat nuk merren në një hapësirë boshe, por merren në kuadër të konteksteve politike”. Për shkak të zhvillimeve politike në Turqi, presionit ndaj opozitarëve kurdë në Parlament, fyerjeve ndaj deputetëve me origjinë turke në Parlament, ende nuk ka ardhur koha për një vendim.
Nga ana tjetër, Turqia nuk i ka plotësuar të gjitha kushtet ligjore. KE i kërkon Turqisë zbutjen e ligjeve kundër terrorit. Një raport i ri i BE-së pritet të martën (14.06). Sekretarja gjermane e Shtetit, Emily Haber i qëndroi pikëpamjes gjermane se, marrëveshja për ripranimin e refugjatëve nuk ndikohet nga grindja për vizat. “Nuk kemi arsye të mendojmë, se nuk do të respektohen ujditë. Po punojmë së bashku me shtetet anëtare, Komisionin Europian e Turqinë”, thotë Haber që përfaqësoi në Luksemburg, ministrin e Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere.
Turqia duhet të presë
Afati që i ishte premtuar Turqisë ishte 1 korriku. Këtë nuk mund ta respektojmë dot, thotë ministri i Brendshëm austriak, Wolfgang Sobotka për “Deutsche Wellen”. “Nëse do kemi liberalizim të vizave në këtë situatë, si e shohim tani në Parlamentin turk, atëherë shumë qytetarë kurdë-turq do të kërkojnë azil, sepse nuk kanë siguri. Kjo do të shtonte një barrë të re, e cila duhet sqaruar më parë”, thotë Sobotka.
Për liberalizimin e vizave duhet të japë “Po”-në e tij edhe Parlamenti Europian. Por në PE, atmosfera nuk është e mirë, për shkak të politikës megalomane të presidentit turk, Erdogan. Parlamenti duhet të miratojë edhe një mekanizëm emergjence në legjislacionin për vizat, në rast të rritjes së papritur të numrit të azilkërkuesve. “Për ne është e qartë se duhet të kemi mundësi korrigjuese, në rast të keqpërdorimit të lirisë së vizave. Kjo nuk drejtohet kundër asnjë vendi, por duhet të sigurojë, që ne kemi mundësi të korrigjojmë, në rast keqpërdorimi”, thotë Sekretarja gjermane e Shtetit në Ministrinë e Brendshme, Emily Haber.
Pakti me Turqinë në rrezik?
Duket e pamundur që Parlamenti Europian të miratojë këtë mekanizëm në një kohë të shkurtër, në seancën e fundit të qershorit, para pushimeve të verës në korrik. Kjo do të thotë se, vendimet e tjera shtyhen për në shtator. Diplomatët e BE-së janë të mendimit, se një liberalizim i vizave për qytetarët turq më së herëti është i mundshëm në shtator. Turqia i drejton kërcënime BE-së, se nëse nuk arrihet liberalizimi i vizave, Turqia do të shfuqizojë paktin për refugjatin. Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu e përsëriti këtë kërcënim të martën.
Shqetësime për plotësimin e kushteve, ministrat e Brendshëm kanë edhe për Gjeorgjinë. Por ashtu edhe për Kosovën, Ukrainën ministrat e Brendshëm nuk vendosën përfundimisht. As qytetarët nga Kosova nuk do të gëzojnë dot liberalizimin, pa u futur mekanizmi i emergjencës. Një diplomat i BE-së u shpreh se, për këto vende nuk ka ndonjë nxitim, sepse asnjëherë nuk është përmendur një afat i caktuar. “Vende të ndryshme kanë rezerva të caktuara. Duhet të largojmë njëherë këto rezerva. Këtu nuk bëhet fjalë për shpejtësi, por për siguri, me qëllim që situata delikate në hapësirën e Shengenit të mos rëndohet edhe më shumë”, thotë ministri i Brendshëm austriak, Sobotka.
Komisioni Europian është shprehur për realizimin e kritereve politike dhe teknike për Gjeorgjinë, por Gjermania ka shprehur rezerva. Numri i vjedhjeve e veprave të tjera penale që kryhen nga gjeorgjianët në Gjermani është rritur shumë. KE-së i kërkohet të marrë statistika edhe nga vende të tjera dhe të bejë vlerësimet përkatëse. Ndërsa për Ukrainën, megjithë plotësimin e kushteve teknike, sipas KE-së, në qarqet e ministrave, thuhet se atmosfera politike në këtë vend mbetet problematike.
Dënohet holandezja pas përdhunimit
Një gjykatë në Katar i ka dhënë një vit dënim me kusht për tradhëti bashkëshortore një gruaje holandeze, e cila ishte droguar dhe më pas përdhunuar në një lokal nate në Doha.
Gruaja 22-vjeçare, e identifikuar vetëm si Laura, ka qenë me pushime në Doha më 14 mars, në kohën kur ka ndodhur incidenti. Kur ajo e ka raportuar këtë ngjarje të policia e Katarit, ajo ishte arrestuar dhe prej asaj kohe mbahej në burg.
Ajo gjithashtu është dënuar edhe me gjobë prej 800 dollarëve. Sapo ta paguaj gjobën, ajo do të dëbohet nga vendi.
Ambasadorja holandeze në Katar, Yvette Burghgraef-van Eechoud, e cila ka qenë e pranishme në gjykatë, iu ka thënë gazetarëve se ajo do e ndihmojë Lauren që të largohet nga Katari.
“Ne do të bëjmë çdo gjë që është e mundshme për ta larguar atë nga shteti sa më shpejt që është e mundshme drejt vendit, ku ajo ka dëshirë të shkojë”, ka thënë Eechoud. Sulmuesi i Laurës, i identifikuar si Omar Abdullah al-Hasan, është dënuar për kryerjen e marrëdhënieve seksuale jashtë martesore, diçka që konsiderohet e jashtëligjshme në Katar.
Dënimi përmbanë 100 goditje me kamzhik dhe 40 goditje të tjera me kamzhik për konsumim të alkoolit.
Pijet alkoolike në fakt lejohen nëpër hotele luksoze në Katar, por për banorët vendës është e jashtligjshme që t’i konsumojnë ato pa lejen e punëdhënësit. Laura pritet të kthehet në Holandë brenda pak ditësh.
Bien të ardhurat nga emigrantët
Emigrantët në Itali, Greqi e vende të tjera u kanë dërguar të afërmëve të tyre në Shqipëri 128 milionë euro në tre muajt e parë të vitit 2016. Kjo shumë është 10% më e ulët se në të njëjtën periudhë të një viti më parë, megjithatë vijon të mbetet më e lartë se periudha përkatëse 2013-2014.
Pasi remitancat shënuan një rënie të vazhueshme pas kulmit të arritur në vitin 2007, rrjedhojë e tendencës ciklike dhe krizës globale, në 2015-ën, ato nisën sërish rritjen. Kjo dukuri u shpjegua nga ekspertët me rigjallërimin e emigracionit. Në gjysmën e parë të 2015-ës, remitancat u rritën me rreth 18%. Por, gjysma e dytë shënoi sërish rënie, ku efektin kryesor e dha kriza në Greqi, teksa shteti helen rrezikoi deri daljen nga euro dhe mbylli bankat e ndaloi transfertat në korrik. Në tremujorin e tretë, paratë që emigrantët dërguan në shtëpitë e tyre ranë me 18%, tendencë që vijoi dhe në muajt e fundit, ndërsa për gjithë vitin ato u rritën me 1%.
Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, 1.120.000 shqiptarë, të lindur në Shqipëri, jetojnë në vende të tjera. Tre janë destinacionet kryesore: Italia me 450 mijë shqiptarë, Greqia me 440 mijë dhe Shtetet e Bashkuara me 80 mijë. Në Gjermani dhe Kanada ka nga 20 mijë emigrantë secili dhe në Mbretërinë e Bashkuar 10 mijë.
Sipas censusit të fundit të INSTAT, rezidentë në Shqipëri janë rreth 2.86 milionë banorë, çka nënkupton se ata që kanë ikur jashtë përbëjnë tashmë 40% të atyre që banojnë në vend.
Rigjallërimi i emigracionit vitin e fundit (pavarësisht kthimeve të larta një pjesë do të arrijnë të integrohen) pritet të zgjasë më tej ciklimin e remitancave në vend.
A do të kërkojnë vende të tjera të largohen nga BE?
Mbështetja për Bashkimin Evropian ka rënë ndjeshëm në mbarë Evropën, duke shtuar kështu frikën e një përhapjeje të fenomenit të largimit të Britanisë. Efektet e të ashtuquajturit Brexit mund të shtrihen përtej kufijve të Britanisë.
Qendra Kërkimore Pew në Uashington, intervistoi 10 mijë njerëz në mbarë Evropën. Përgjigjet e tyre tregojnë se skepticizmi për BE-në nuk ekziston vetëm në Britani.
Franca është madje më pak pozitive ndaj Bashkimit Evropian, me vetëm 38% të njerëzve që e mbështesin BE-në, krahasuar me 69% në vitin 2004. Në Spanjë, mbështetja për BE-në ka rënë nga 80% në 47%.
Një votim britanik për t’u larguar nga BE-ja mund të çojë në referendume të tjera të ngjashme në kontinentin evropian.
“Do të varet shumë se çfarë do të ndodhë me Britaninë, dhe se çfarë do të ndodhë me Eurozonën, me Shengenin dhe me Rusinë. Bashkimi Evropian po përballet tashmë me disa kriza dhe Britania është vetëm një prej tyre”, thotë Tim Oliver i Shkollës Ekonomike në Londër.
Një divorc i Britanisë nga BE-ja do të jetë një proçes i gjatë dhe i hidhur.
“Pjesa tjetër e BE-së po presin ta ndëshkojnë Britaninë për largimin, nëpërmjet një kostoje ekonomike. Ajo nuk mund të tërhiqet pa ndjerë kostot. Kjo do të inkurajonte vendet e tjera anëtare të bënin të njëjtën gjë”, thotë zoti Oliver.
Sipas Qendrës Pew, pjesa më e madhe e pakënaqësisë ndaj BE-së, lidhet me menaxhimin prej saj të krizës së refugjatëve. Mbi një milionë refugjatë mbërritën në Greqi gjatë vitit 2015. Atje, pakënaqësia me politikat e Brukselit për emigracionin është në nivelin 94%.
E kombinuar me krizën Brexit, kjo do ta rrezikonte Evropën.
“Ata nuk i kanë zgjidhur krizat, por janë përshtatur dhe kanë vazhduar me shpresën se do të gjejnë zgjidhjen më vonë. Nëse disa kriza shfaqen njëkohësisht, BE-ja do të gjendet në terren të panjohur dhe shumë të rrezikshëm”, thotë Tim Oliver i Shkollës Ekonomike në Londër.
Ish-Sekretari i Jashtëm britanik, William Hague, paralajmëroi se një dalje e Britanisë do të mbillte më shumë përçarje.
“Nëse u hedhim një sy sfidave me të cilat përballet kontinenti, rreziqet e largimit duken shumë të mëdha. Mbi të gjitha, duhet të bëjmë ç’është e mundur të shmangim rrezikun e një Perëndimi të përçarë dhe të dobësuar”.
Me rritjen e pakënaqësisë ndaj BE-së në mbarë kontinentin, analistët thonë se një largim i Britanisë do të kishte pasoja shumë më të mëdha për Evropën dhe më gjerë.
Shqiptarët kanë shpenzuar jashtë vendit 216 milionë euro

Shqiptarët kanë shpenzuar jashtë vendit 216 milionë euro, në tremujorin e parë të këtij viti, sipas statistikave të bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë. Në kahun e kundërt, të huajt që kanë udhëtuar për në Shqipëri, kryesisht si turistë kanë harxhuar 283 milionë euro. Në rezultante, paratë që kanë mbetur në Shqipëri (bilanci neto i të ardhurave nga turizmi) ishin 67 milionë euro.
Pavarësisht se kjo balancë është e ulët, tendenca është në rritje dhe të paktën për të dytin vit radhazi nuk është negative, teksa më parë, shpenzimet e shqiptarëve për udhëtime jashtë ishin më të larta se ato të të huajve në Shqipëri.
Sipas Bankës së Shqipërisë, shërbimet e udhëtimit u mbyllën me një bilanc pozitiv prej 67 milionë eurosh, 55 për qind më i lartë kundrejt të njëjtës periudhë një vit më parë. Shërbimet e udhëtimit zënë peshën më të madhe në të ardhurat dhe shpenzimet e shërbimeve, me përkatësisht 59 për qind dhe 70 për qind të totalit. Në krahasim me një vit më parë, të ardhurat janë rritur me 8 për qind dhe shpenzimet kanë rënë lehtësisht. Gjatë tremujorit të parë të 2016, eksporti i shërbimeve të udhëtimit i ka siguruar ekonomisë vendase rreth 283 milionë euro.
Banka e Shqipërisë në raportin e saj thekson se, rritja vjetore e të ardhurave gjatë kësaj periudhe ka ardhur kryesisht si pasojë e rritjes së numrit të vizitorëve jo rezidentë në vend me rreth 27 për qind.
Nga ana tjetër, rezidentët kanë shpenzuar në udhëtimet e tyre jashtë vendit 216 milionë euro. Edhe numri i rezidentëve që kanë udhëtuar jashtë është rritur me 21 për qind.
Shpenzimet dhe ditë qëndrimi mesatar vlerësohen në rënie si për jo rezidentët edhe për rezidentët për të dyja grupimet kryesore të qëllimeve biznes dhe personale.
Stërvitja e përbashkët SHBA-Rumani alarmon Rusinë
Anijet detare të Rumanisë dhe SHBA-së do të fillojnë stërvitjet e përbashkëta të hënën për të shtuar ndërveprimin detar të NATO-s në Detin e Zi, manovra që u pritën me dyshim nga Rusia.
Luftanija USS Porter do t’i bashkohet fregatës rumune Mbretëresha Maria dhe disa anijeve të tjera në bazën e marinës rumune. Anija amerikane hyri në Detin e Zi javën e kaluar.
Ushtrimet janë pjesë e Operacionit Vendosmëria e Atlantikut nga ana e ushtrisë së SHBA-së, një seri veprimesh të bashkëpunimit që kanë si qëllim të sigurojnë partnerët e NATO-s përgjatë kufijve me Rusinë, pas ndërhyrjes ruse në Ukrainë.
Rusia pretendon se, stërvitjet kanë për qëllim të nxisin tensione mes Moskës dhe Uashingtonit përpara një samiti të NATO-s në Poloni muajin e ardhshëm.
Një zyrtar i lartë i Ministrisë së Jashtme ruse tha se, prania e USS Porter nuk e ka miratimin e Moskës dhe “padyshim do të çojë në masa të kundërpërgjigjes”, sipas raportimeve të medias.
Për Rumaninë, stërvitjet detare janë pjesë e nxitjes së saj për një përfshirje më të fortë të NATO-s në Europën Lindore dhe për krijimin e një flote të përhershme të aleancës në Detin e Zi për t’iu kundërvënë ndikimit të fortë të Rusisë në rajon.
Bukureshti shpreson se, mundësia e krijimit të një flote të tillë do të diskutohet në samitin e ardhshëm të NATO-s në Poloni.
Moska ndërkohë kundërshton çdo fortifikim ose zgjerim të NATO-s, duke e parë atë si një kërcënim për sigurinë e Rusisë.
Të shqetësuara nga konflikti në lindje të Ukrainës dhe nga aneksimi i Krimesë, Rumania dhe vende të tjera ish-komuniste, përfshirë Poloninë dhe shtetet Baltike, kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur që NATO të rrisë praninë në territoret e tyre.
Megjithatë, Gjermania dhe anëtarë të tjerë perëndimorë të NATO-s, të shqetësuar nga një përgjigje e mprehtë ruse, kanë kundërshtuar këto kërkesa dhe në vend të kësaj kanë zgjedhur të intensifikojnë stërvitjet e përbashkëta dhe rotacionin e trupave të aleancës nëpër rajon.
Si rezultat, NATO vitin e kaluar forcoi praninë në rajonin e Detit të Zi, duke dërguar një flotilje të trajnuar me anije nga Rumania, Bullgaria dhe Turqia.
Bukureshti ka rritur ndjeshëm buxhetin e mbrojtjes për këtë vit, duke planifikuar të shpenzojë për modernizimin marinës, përfshirë edhe fregatat Mbreti Ferdinand dhe Mbretëresha Maria.
Rumania anëtare e NATO-s është një nga mbështetësit më të fortë të Aleancës mes vendeve ish-komuniste të Europës Lindore.
Në dhjetor, Marina e SHBA përuroi zyrtarisht bazën e raketave të mbrojtjes në Deveselu, në Rumaninë jugore.
Kjo është një nga dy bazat europiane interceptuese për mbrojtjen me raketa të NATO-s, një skemë që shihet me dyshim të thellë nga ana e Rusisë.
Rusia ka paralajmëruar Rumaninë që të braktisë sistemin anti-raketë që Shtetet e Bashkuara kanë instaluar në Deveselu.
Marrëdhëniet ndërmjet Bukureshtit dhe Moskës janë tashmë të këqija. Rumania ka qenë ndër mbështetësit më të fortë në rajon të paketës së sanksioneve perëndimore të vendosura në Rusi në lidhje me krizën në Krime dhe Ukrainën Lindore.
Rumania gjithashtu është vendi ku një bazë e madhe ushtarake amerikane është ndërtuar në vitin 2007 në Aeroportin “Mihail Kogalniceanu”, pranë Detit të Zi.
82 milionë euro për Aeroportin e Rinasit nga parajsat fiskale
Është 82.25 milionë euro shuma e shitjes së kompanisë Tirana International Airport, që menaxhon me koncesion Aeroportin e Rinasit, tek Grupi i shërbimeve financiare China Everbright me bazë në Hong Kong.
Sipas kontratës së shitblerjes, të parë nga “Monitor”, çmimi i shitjes është 82, 250, 000 euro. Kjo shumë është ndarë tek tre aksionerët aktualë të Tirana International Airport, sipas përqindjes së tyre përkatëse të aksioneve (DEG-Deutsche investitions-und Entwicklungsgesellschaft mbH-31.7%; Albanian-American Enterprise Fund “AAEF”-21.3%; AviAlliance GmbH-47%). Konkretisht:
DEG- 26,073,250 euro
Avia – 38,657,500 euro
AAEF- 17,519,250 euro
Skema e pronësisë, pronari i ri nga ishujt Cayman
Grupi i shërbimeve financiare China Everbright me bazë në Hong Kong njoftoi zyrtarisht në 25 prill 2016 nënshkrimin e marrëveshjes për blerjen e të drejtave koncesionare në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.
Ndërmarrja që do të marrë përsipër të drejtat e koncesionit është emërtuar, “Keen Dynamics Limited” dhe sipas marrëveshjes do t’i ushtrojë këto të drejta deri në vitin 2027.
China Everbright Limited është një kompani e shërbimeve financiare në menaxhimin e aseteve, investimeve direkte, ndërmjetësimit dhe bankingut investues në rajonin e Kinës, përfshirë dhe Hong Kongun. Kompania e saj mëmë është China Everbright Group, me pronësi shtetërore, sipas njoftimit zyrtar që u publikua në atë kohë.
Sipas skemës së paraqitur në kontratë janë dy kompani mëma China Everbright Limited dhe Friedman Pacific Assets Management, që kanë krijuar në prill 2014 kompaninë China Airport Synergy Investment Limited, me interes për të investuar në aeroporte.
Ndërkohë “Keen Dynamics Limited”, ndërmarrja që ka marrë të drejtat e koncesionit, pjesë e grupit të mësipërm, rezulton, sipas kontratës e regjistruar në Ishujt Cayman.
Tirana International Airport, një nga kompanitë më fitimprurëse në vend
Tirana International Airport është një nga kompanitë më fitimprurëse në vend. Në vitin 2015, ajo kishte një qarkullim vjetor prej 4.9 miliardë lekë, rreth 35 milionë euro.
Në 2015-ën, sipas të dhënave nga Kompania, fitimi arriti në 11.26 milionë euro, me një rritje prej 31% në krahasim me 2014-ën, ndërkohë që norma e fitimit arriti në 32%.
Në prill 2016, menjëherë pas arritjes së marrëveshjes së shitjes, përfaqësuesit e ortakëve të TIA-s miratuan në mënyrë unanime ndarjen e 15.5 milionë eurove dividend nga fitimet e mbajtura/akumuluara në shumën prej 5.5 milionë euro dhe fitimi i vitit financiar të vitit 2015, prej 11.26 milionë euro, ndërsa 1.25 milionë euro u la si fitim i mbajtur.
Koncesioni
Konsorciumi Tirana International Airport (dikur Tirana Airport Partners), në vitin 2004 nënshkroi një marrëveshje koncesionare 20-vjeçare me qeverinë shqiptare për projektimin, financimin, ndërtimin, kryerjen, funksionimin, menaxhimin dhe zhvillimin e Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Tiranë.
Pak javë më parë, qeveria shqiptare arriti marrëveshje me Tirana International Airport për heqjen e eksluzivitetit të kësaj të fundit.
Sipas marrëveshjes së përbashkët, kompanisë Tirana International Airport i është dhënë menjëherë një zgjatje e afatit të koncesionit prej dy vitesh, duke mundësuar kështu hapjen e Aeroportit të Kukësit për fluturimet ndërkombëtare. Kjo do të thotë se, afati i koncensionit do të shtyhet deri më datë 2027.
Më tej, në rast të vënies në përdorim të një aeroporti tjetër apo aeroporteve të tjera, si Vlora ose Saranda, afati i koncesionit do të shtyhet me 0.5 vite të tjera për çdo vit operimi të këtyre aeroporteve jugore, siç thuhet në Ndryshimin e Marrëveshjes së Koncensionit.
30 minutat e masakrës në Orlando dhe reagimi i ish-bashkëshortes
Omar Mateen punonte si roje objektesh dhe kishte liçencë për të mbajtur armë. I lindur në SHBA me origjinë afgane, ai kishte qenë edhe më parë person interesi për FBI në lidhje me disa çështje, të cilat ishin mbyllur pas hetimeve. Masakra e Orlandos tashmë është sulmi me armë zjarri vdekjeprurës i historisë amerikane me 50 të vdekur dhe 53 të plagosur. Grafiku më poshtë tregon sulmet tragjike me armë zjarri të ndodhura në SHBA.
Një ditë pas ngjarjes tragjike në Orlando ku mbetën të vdekur 50 persona dhe 53 të plagosur, bëhen të ditura detajet e masakrës minut pas minuti.
Në orën 02:00 a.m. Omar Mateen hyn në ambientet e klubit të natës “Pulse” dhe fillon të qëllojë me automatikun e tij AR-15.
Të shtënat ishin breshëri dhe ai qëllonte pa mëshirë kë kishte përpara.
Në orë 02:09 a.m. Makinat e policisë kishin arritur në vendngjarje dhe kishin bllokuar rrugën.
Në faqen e Pulse Club në Facebook postohet thirrja: “Dilni të gjithë jashtë dhe largohuni me vrap”.
Në orën 02:28 Vrasësi flet me dispeçerin e policisë të numrit 911
dhe shprehet se është simpatizant i ISIS dhe fillon të falet në gjuhë të huaj (arabisht).
Në orën 02:30 Vrasësi ndalon të shtënat dhe qëndron i fshehur brenda në klub në pritje të policisë.
Me sms-të e dërguara nga pengjet, policia mëson se bashkë me vrasësin ishin edhe 5 deri në 8 persona në të njëjtën dhomë dhe se rreth 15 deri në 25 të tjerë ishin në një dhomë tjetër të izoluar.
Në orën 05:00 Policia depërton brenda dhomës së izoluar dhe liron pengjet e para.
Ndërkohë vrasësi i afrohet derës kryesore dhe fillon të qëllojë drejt forcave të policisë.
Policia fillon të shkëmbejë zjarr me vrasësin dhe pas 5 minutash, vrasësi qëllohet dhe vdes nga plagët.
Kush është vrasësi
Mediat amerikane e kanë përshkruar si një njeri të paqëndrueshëm mendërisht. Ish-bashkëshortja e kujton si person të dhunshëm 29–vjeçarin, të mbushur me urrejtje. Ajo u tha gazetarëve se ai e kishte keqtrajtuar fizikisht disa herë. “Duhet të kishte probleme mendore”, u shpreh Sitora Yusufiy.
“Në fillim dukej shumë normal, kishte interes për familjen, i pëlqenin shakatë, i pëlqente argëtimi. Por vetëm pak muaj pas martesës fillova të vë re paqëndrueshmërinë e tij. Pashë se ishte bipolar dhe kalonte menjëherë në sjellje dhe veprime ekstreme. Nisa të shqetësohem për sigurinë time. Kjo u përforcua, kur nisi dhuna fizike”, rrëfeu ajo.
Yusufiy, që e kishte njohur Mateen në internet 7 vjet më parë thotë se, abuzimet që pësonte prej tij ishin bërë aq të tmerrshme, saqë familja e saj vendosi më në fund që ta ndihmonte, duke e larguar prej tij. Ajo iku natën dhe nuk mori asgjë me vete.
Mateen, me origjinë afgane, hyri në klubin e natës “Pulse Club” në Orlando të Floridas dhe bëri një kasaphanë. Ai qëlloi me breshëri, me një armë automatike, duke lënë të vdekur në vend 50 persona. 53 të tjerë u plagosën. Ai u ekzekutua më pas nga FBI. Disa prej të mbijetuarve treguan tmerrin e përjetuar. Të tjerë u dërguan mesazhe tronditës të afërmve, duke përshkruar momentet e fundit të ankthit.
Ai kishte një urrejtje patologjike ndaj homoseksualëve. Babai i tij tha se, i biri ishte mbushur me zemërim, kur kishte parë dy burra, duke u puthur në Miami. Megjithatë, Seddique Mateen e përshkruan djalin e tij si njeri të mirë.
“Nuk e di çfarë e shkaktoi ndryshimin e tij, shkruan ai në një postim në rrjetet sociale. “Nuk e mendova kurrë se do të kishte kaq shumë urrejtje në zemër dhe se do të kryente një akt të tillë gjatë Muajit të shenjtë të Ramazanit. Fati i homoseksualëve nuk është në duart e njerëzve. I takon vetëm Zotit t’i gjykojë”, shkruan ai.
Syed Shafeeq Rahman, imam i xhamisë së Floridas që frekuentohej nga Omar Mateen, e përshkruan atë si njeri të qetë. Omar kishte shkuar për 10 vjet rregullisht të falej.
“Ky është një veprim individual, të cilin duket e ka bluar me veten. Një zot e di ç’ka pasur në mendje”, u tha ai mediave.
Omar Mateen kishte lindur në Nju Jork nga prindër afganë. Ai jetonte në Florida. Ishte mbajtur nën mbikëqyrje për disa kohë nga FBI, si i dyshuar për terrorizëm. Por, pasi ishte marrë në pyetje dy herë, emri i tij nuk ishte shënuar më në listën e të dyshuarve për terrorizëm.
Megjithatë, policia po heton për lidhje të tij të mundshme me ISIS.
Ai kishte përmendur ISIS gjatë një telefonate që i kishte bërë policisë në numrin 911 gjatë sulmit në klubin e natës.
FBI kontrolloi apartamentin e tij, por dha detaje se çfarë gjeti. Akti terrorist i Omar Mateen do të mbahet mend si sulmi individual më i përgjakshëm në SHBA.
Shkaqet e masakrës
Hetuesit në Florida vazhdojnë të kërkojnë arsyet se përse një person i armatosur vrau 49 vetë dhe plagosi 53 të tjerë të dielën, vrasja masive më e përgjakshme në historinë amerikane.
Autoritetet thonë se 29-vjeçari Omar Saddiqui Mateen, i armatosur me armë automatike, hapi zjarr në një klub nate që frekuentohej kryesisht nga homoseksualë në qendër të qytetit Orlando.
Mateen shkëmbeu zjarr me një oficer të policisë që po punonte në klub pas orarit të rregullt, u largua nga ndërtesa dhe u kthye, duke marrë një numër pengjesh, të cilët i mbajti për rreth tre orë.
“Ishte kaos i plotë. Në qoftë se do ta krahasoja me diçka, do të thosha se ishte si një skenë filmi, ku njerëzit kërkonin ndihmë. Disa njerëz shkeleshin me këmbë nga të tjerët. Klubi nuk kishte asnjë shenjë të qartë daljeje dhe ne nuk dinim se nga duhet të dilnim. Ishte një çmenduri e vërtetë”, tregon dëshmitari Janiel Gonzalez
Një skuadër policore e reagimit të shpejtë hyri në klub dhe e vrau personin që qëllonte.
FBI-ja thotë se gjatë kësaj kohe, Mateen i kishte bërë një telefonatë shërbimit të emergjencës, duke shprehur mbështetje për ekstremistët e Shtetit Islamik. FBI-ja e kishte marrë në pyetje këtë person tri herë në të kaluarën nën dyshimet se ai u mburrej kolegëve për lidhjet me al-Kaidën, por nuk mundi t’i verifikojë pretendimet e tij.
Ish-gruaja e tij, Sitora Yusufiy, u tha gazetarëve të dielën në Kolorado se vrasësi ishte i sëmurë mendor:
“Disa muaj, pasi u martuam vura re se ai ishte i paqëndrueshëm, se ishte bipolar dhe se kalonte në çmeduri pa asnjë shkak. Në këtë kohë, fillova të shqetësohem për sigurinë time. Pastaj, pas disa muajsh, ai filloi të më abuzonte shumë shpesh fizikisht dhe nuk më lejonte të flisja me familjen. Ende vazhdoja të shikoj anët e tij pozitive, por familja ime ndërhyri dhe më çliroi nga ajo gjendje”.
Në Uashington, Presidenti Barack Obama tha se, ngjarja e Orlandos ishte njëkohësisht akt terrorizmi dhe akt urrejtjeje:
“Kjo është një ditë veçanërisht e dhimbshme për të gjithë miqtë tanë – për të gjithë bashkëvendasit tanë LGBT. Personi vuri në shënjestër një klub nate ku njerëzit kishin shkuar për të qenë së bashku me miqtë, për të kërcyer, kënduar dhe jetuar. Vendi ku ata u sulmuan është më shumë se një klub nate; është një vend solidariteti, ku njerëzit mblidheshin për të rritur ndërgjegjësimin, për të shprehur atë që ndjenin dhe për të mbrojtur të drejtat e tyre civile”.
Presidenti Obama tha gjithashtu se, ngjarja ishte një tjetër kujtesë se sa e lehtë është që dikush të mund “të shtjerë në dorë një armë dhe të qëllojë ndaj njerëzve nëpër shkolla, kisha, kinema dhe klube nate”.
Presidenti urdhëroi uljen e flamujve amerikanë në gjysmë shtizë në përkujtim të viktimave.
Masakra ndodhi, ndërkohë që shumë qytete në mbarë botën festojnë qershorin si muajin e krenarisë për personat LGBT.
49 të vrarë dhe 53 të plagosur, bilanci i masakrës
Një person i identifikuar nga policia si Omar Matten i moshës 29-vjeçare vrau 49 njerëz mëngjesin e së dielës në një klub nate në Orlando të shtetit Florida. 53 persona gjenden në spital, ku shumë prej tyre janë në gjendje kritike.
– Më shumë se 300 njerëz gjendeshin në klubin Pulse, duke festuar Natën Latine. Pak minuta pas fillimit të të shtënave, rreth orës 2 të mëngjesit, një postim në Facebook nga klubi thoshte, “Të gjithë dilni jashtë klubit dhe vraponi”.
– Autoritetet thonë se, Mateen përdori një pistoletë dhe një pushkë të modelit AR-15 gjatë sulmit që zgjati 3 orë. Ai mbajti 30 pengje që u shpëtuan nga policia. Mateen vdiq rreth orës 5 të mëngjesit gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë.
– Kryetari i Bashkisë së Orlandos, Buddy Dyer e quajti të dielën,“ndoshta dita më e rëndë” në historinë e qytetit.
-Mateen i telefonoi numrit emergjent të policisë, ku shprehu besnikëri ndaj grupit Shteti Islamik. Më pas, Shteti Islamik tha përmes medias se sulmi u krye nga një prej luftëtarëve të organizatës. Niveli i komunikimit mes tyre, nëse ka patur, ende nuk është i qartë.
– FBI e mori në pyetje Mateen në vitin 2013 dhe 2014, por hetuesit nuk gjetën prova për veprime të paligjshme. Agjenti i FBI-së Ronald Hopper tha se, ka patur sugjerime se Mateen kishte prirje drejt terrorizmit radikal islamik.
– Policia e Orlandos ka publikuar emrat e viktimave, familjet e të cilëve janë njoftuar. Të vdekurit variojnë nga mosha 20 deri 50 vjeç.