30.5 C
Tirana
E mërkurë, 13 Gusht, 2025

Basha me tifozët kuq e zi mbështetje kombëtares

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shprehur mbështetjen për Shqipërinë dhe tifozët e saj kuqezi, pavarësisht humbjes së pësuar nga kombëtarja kuqezi. Këto komente Basha i ka bërë në një postim në Facebook, pas ndeshjes të zhvilluar midis kombëtares së futbollit të Shqipërisë me atë të Zvicrës.
“Me tifozët kuqezi, çdo ditë e më shumë në mbështetje të Shqipërisë në Europë dhe Shqipërisë si Europa…
Përpara SHQIPE!
Faleminderit FRPD për fanellën më të bukur në botë!”, shprehet Basha në postimin e tij.

Berisha: Edi Drama ters, antifat i kombëtares

Ish-Kryeministri Berisha ka komentuar humbjen e kombëtares tonë me Zvicrën. Në një postim në Facebook Berisha shkruan se tersi i humbjes së kombëtares ishte Edi Drama në stadium. “Loja e kuqezinjve dinjitoze. E grabitën ndeshjen me ndihmën e arbitrit. Prania e Edi Dramës në stadium duhet të ndalohet deri në fund të kampionatit. Është ters, antifat! -Berisha deri tani superportier!”, shkruan Berisha. Berisha ka vlerësuar lojën e kombëtares tonë, pavarësisht pësimit të një goli. “Pavarësisht nga goli, kuqezinjtë dominuan lojën. Ndëshkim i qëllimshëm i turpshëm i Canës! Sb”, shkruan Berisha.

UEFA: Shqipëria humbi në fushë, fitoi në stadium

Edhe pse ndeshja Shqipëri-Zvicër përfundoi me fitore të Zvicrës, UEFA ka bërë një koment fantastik për Shqipërinë. Ja çfarë shkruan ajo: “Kombëtarja Shqiptare e Futbollit mund të ketë humbur ndeshjen e saj të parë në EURO 2016, por fansat e saj nuk ndaluan kurrë së mbështeturi”, është komenti i UEFA-s për Shqipërinë dhe tifozët e kombëtares tonë.

Mediat e huaja: Krenaria shqiptare nuk mjaftoi ndaj Zvicrës

“Krenaria shqiptare nuk mjaftoi ndaj Zvicrës”. Titulli i përdorur nga gazeta spanjolle “Marca” ishte simbolika më e përshtatshme për debutimin historik të kombëtares kuqezi në një turne madhor. E përditshmja madrilene theksonte se goli i shpejt i pësuar dhe kartoni i kuq i Lorik Canës nuk mjaftuan që Shqipëria të dorëzohej, ndërsa rrjeta e Schar në minutën e 5-të vendosi një sfidë emocionuese.
Spanjollja tjetër, “AS”, e cilësoi portierin “Etrit Berisha fajtor dhe njëkohësisht hero”, për faktin se gardiani gaboi në rastin e golit vendimtar të zviceranëve, por shpëtoi portën e tij në disa raste, duke mbajtur në lojë Shqipërinë, që në fund edhe mund të kishte barazuar.
Sipas italianes “Gazzetta dello Sport”, nga gafa e Berishës përfitoi Schar që shënoi, ndërsa debutimi i Shqipërisë dhe De Biasit ishte i pafat, prej gabimit në momentin e golit, kartonit të kuq të Canës në minutën e 37-të dhe golit të barazimit të mundshëm 1-1 të shpërdoruar nga Shkëlzen Gashi 3 minuta përpara fundit të kohës së rregullt.
Duke iu referuar lojtarëve kuqezi, “Gazzetta” theksonte se, “hero mund të jesh edhe nëse humbet”, duke e vendosur theksin te një sfidë tërheqëse, nga dueli i vëllezërve Xhaka te shqiptarët e rritur në Zvicër, shqiptarët që përfaqësojnë skuadrën helvete, por pushtimin paqësor të mijëra tifozëve në Lens. Përveçse theksoi se gabimet ishin fatale për të besuarit e De Biasit, e përditshmja më e madhe sportive në Itali shkruante, “Barazimi mund të shpaguante kurajën dhe zemrën e shqiptarëve, që në aspektin teknik ishin më inferiorë se rivalët, por të pakrahasueshëm në gjithçka tjetër”, me tifozët që në fund duartrokitën heronjtë e tyre.
Sipas “La Repubblica”: “Zvicra feston, Schar thyen Shqipërinë”, me gazetën që theksoi se ndeshja e parë e kuqezinjve në Kampionatin Europian ishte një provë krenarie.
Për zviceranët, fitorja e parë në sfidën hapëse të Europianit, prej pjesëmarrjes që nisën në vitin 1996 nuk ishte aspak e lehtë. Gazeta “Blick” theksonte se për të festuar 3 pikët ndaj Shqipërisë, u vunë në provë nervat e tifozëve zviceranë, për një përballje që edhe mund të mos ishte fituar.
Për francezen “L’Equipe”, kundërshtarët e radhës së Shqipërisë në Grupin A, “Zvicra bëri atë që duhej”, duke fituar ndeshjen e parë në Euro 2016.
Rumunët e “ProSport” transmetonin thjesht se Shqipëria u mposht 1-0 nga Zvicra, citonte fjalë të trajnerit De Biasi, sipas të cilit Zvicra dhe Rumania do të luftojnë për vendin e dytë, por Shqipëria nuk dorëzohet.
“Daily Mail” shkruante për startin fitues të zviceranëve, përballë Shqipërisë me 10 lojtarë, ndërsa me Granit Xhakën që u shpall “Lojtari i Ndeshjes”, tifozët e Arsenalit kuptuan kualitetin e lojtarit që kushtoi plot 45 milionë euro. Gazeta britanike e vendosi theksin edhe te fakti se megjithë distancën prej më tepër se 800 kilometra ndërmjet dy vendeve, Shqipëri-Zvicër ishte derbi i parë në Euro 2016 falë lidhjeve të pazakonta etnike ndërmjet dy skuadrave.
Në fund, edhe UEFA konfirmoi vështirësitë e helvetëve për suksesin ndaj kuqezinjve. “Zvicra rezistoi përballë Shqipërisë me 10 lojtarë”, ishte titulli i përdorur nga faqja zyrtare e Konfederatës Europiane të Futbollit.

Prokuroria zbardh trafikun e drogës në Itali dhe dy vrasje

Prokuroria ka zbardhur hetimet në lidhje me një grup të strukturuar kriminal që merrej me trafikun e lëndëve narkotike, operacioni “Quaranta” për të cilën u zhvillua dje duke arrestuar 7 persona. Hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda nisën më 4 tetor të vitit 2013, kur në Tiranë u arrestuan shtetasit Arben Mullolli dhe Romeo Mataj. Në atë kohë, në mjetin e tyre u gjetën rreth 85 kg lëndë narkotike, e cila synohej të trafikohej drejt Italisë. Pjesë e grupit sipas Prokurorisë, dyshohet të jetë edhe Odise Verbofshi, banues në Durrës.
Ky shtetas aktualisht ndodhet në burg dhe është dënuar me burgim të përjetshëm për shkak se ka vrarë dhe djegur dy persona pas zënkës për cilësinë e kanabisit. Ai ka vrarë dhe më pas ka djegur në makinë shtetasit Shaban Babasi dhe Albert Kasalla, ngjarje e ndodhur më 21 shkurt të vitit 2014. Verbofshi, konsiderohet nga Prokuroria si një nga personat kyç organizatorë të trafikut të kanabisit që blihej në zonat e Fushë-Krujës.
Në bazë të një hetimi të Prokurorisë për Krime të Rënda, në bashkëpunim dhe me informacionin referues të Policisë së Shtetit, u arrit të zbulohen dhe të arrestohen disa persona, pjesë e një grupi të strukturuar kriminal të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike.
Gjatë këtyre ditëve janë arrestuar, në vijim të hetimit të Prokurorisë për Krime të Rënda, shtetasit nga Delvina dhe Saranda Arben Kanina, 44 vjeç, Petro (Abedin) Kuçi, 44 vjeç, Mirel Ademi, 22 vjeç, Artur Shukulli, 42 vjeç. Këta persona dyshohet se, bashkë me disa të tjerë, në të paktën dy episode të ndryshme, kanë tentuar të trafikojnë në Itali rreth 85 kg lëndë narkotike kanabis, si edhe në Greqi rreth 670 kg lëndë narkotike, në vitin 2014. Në këto ngjarje janë përfshirë një numër i lartë personash, disa prej të cilëve janë arrestuar kohë më parë.
Nga hetimi i Prokurorisë për Krime të Rënda ka rezultuar se, në datë 04.10.2013 janë arrestuar në flagrancë në Tiranë, në vijim të një hetimi të nisur pak kohë para arrestimit të tyre, shtetasit Arben Mullolli dhe Romeo Mataj. Në mjetin në përdorim të tyre u gjet një sasi prej rreth 85 kg lëndë narkotike, të cilën po synonin ta trafikonin në drejtim të Italisë. Këta persona ishin në vëzhgim, në bazë të hetimit të Prokurorisë për Krime të Rënda të nisur ndaj tyre dhe disa personave të tjerë. Pjesë e këtij grupi dyshohet se ka qenë edhe shtetasi Odise Verbofshi, banues në Durrës. Ky shtetas konsiderohej si një prej personave që organizonte banorë nga Fushë-Kruja për mbledhjen e sasive të canabis-it, të cilën më pas synonte ta trafikonte jashtë Shqipërisë.
Në një nga episodet e shkëmbimit të lëndës narkotike në banesën e tij në Durrës, Odise Verbofshi vret dhe djeg në makinë dy persona, Shaban Babasi dhe Albert Kasalla. Sipas hetimit të Prokurorisë së Durrësit për këtë rast, Verbofshi dhe dy viktimat ishin konfliktuar për cilësinë e lëndës narkotike të siguruar në Fushë-Krujë dhe pagesës që duhej të bënte Verbofshi. Për këtë episod, Odise Verbofshi është dënuar me burgim të përjetshëm. Ndërkohë, që ai rezulton të jetë pjesë thelbësore e grupit që është aktualisht në hetim nga Prokuroria për Krime të Rënda.
Gjatë hetimit të këtij grupi nga Tirana, në fillim të vitit 2014, Prokuroria për Krime të Rënda konstaton se ata bashkëpunonin me disa persona të tjerë, kryesisht nga Delvina dhe Lazarati. Hetimi është zhvilluar para ndërhyrjes së forcave të policisë në fshatin e Lazaratit. Pjesëtarët e grupit nga Tirana kishin porositur një sasi lënde narkotike, të cilën dyshohet se do ta trafikonin për në Greqi. Ky plan u zbulua gjatë hetimit të Prokurorisë për Krime të Rënda dhe grupi i personave u mbajt nën mbikëqyrje.
Nga vëzhgimi, disa persona po tentonin të trafikonin nëpërmjet kufirit malor me Greqinë një sasi të konsiderueshme lënde narkotike me anën e mushkave. Por ky plan nuk u rezultoi i suksesshëm, për faktin se grupi i personave me kafshë po ndiqej nga policët që i kishin nën vëzhgim.
Mesnatën e datës 27.04.2014, policia ndërhyri, por mundi të arrestonte në flagrancë vetëm shtetasin Artur Balilo, i cili gjendej në një mjet me 3 persona të tjerë, të cilët po koordinonin trafikimin e lëndës narkotike me kafshë. Gjatë arrestimit të Balilos u gjet edhe një armë automatike, ndërkohë që personat e tjerë u larguan me shpejtësi në errësirë. Po ashtu, nuk u bë e mundur kapja e lëndës narkotike në atë moment, pasi terreni ishte i thyer dhe errësirë, gjë që vështirësonte planin operacional policor. Kjo lëndë narkotike u zbulua dy ditë më pas, më datë 29.04.2014, në një automjet në fshatin Varfaj, në vijim të operacionit policor, të koordinuar nga Prokuroria për Krime të Rënda.
Në vijim të hetimeve, ditët e fundit Prokuroria për Krime të Rënda konkludoi mbi personat e dyshuar për këtë rast trafikimi dhe kërkoi nga Gjykata për Krime të Rënda caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”. Pas vendimit të gjykatës, u bë i mundur arrestimi i personave të përfshirë, të cilët dyshohen për veprën penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”.

Zyrtarja e Ramës kapet duke vjedhur në Gjenevë

Kreyeministri Edi Rama, duke folur gjate nje seance parlamentare, ku eshte diskutuar projektligji per autoritetet e drejtimit dhe komandimit ne Forca e Armatosura te Shqiperise./r/n/r/nPrime Minister Edi Rama, speaks during a parliamentary session.

Një zyrtare shqiptare e Ministrisë së Mjedisit, e cila u kap duke vjedhur në supermarket nuk ka më të drejtë të hyjë në vendet e Shengenit. Gjykata e Gjenevës i ka dhënë asaj ndalimin jo vetëm për Zvicrën, por edhe për vendet e tjera europiane. Lajmin e ka bërë të ditur gazeta zvicerane “20 minutes”, e cila për arsye etike nuk përmend emrin e zyrtares, por vetëm thekson se ka qenë një konsulente e Ministrisë së Mjedisit.
Gjykata Administrative Federale (TAF) konfirmoi dëbimin nga territori i Zvicrës. Zyrtarja, një vajzë e re e diplomuar për inxhinieri, ndodhej në Gjenevë për një konferencë ndërkombëtare në maj të vitit 2015 dhe u kap në një supermarket në qendër të qytetit. “Malli që ajo kishte futur në çantë, arrinte në një shumë prej 1667 frangash”, shkruan gazeta.
Zyrtarja është denoncuar dhe pastaj dënuar nga drejtësia e Gjenevës me 30 gjoba në ditë me nga tridhjetë franga, një vendim që ajo nuk e ka kontestuar. Por zyrtarja shqiptare ka apeluar kundër vendimit të Sekretariatit Shtetëror për Migrantët (SEM), i cili vendosi një ndalim të hyrjes për një periudhë prej tre vjetësh, jo vetëm për Zvicrën, por për të gjithë zonën Shengen.
Në apelim ka theksuar rëndësinë e madhe që ka për të mundësia për të marrë pjesë në konferenca ndërkombëtare, sepse dënimi mund të rrezikojë karrierën e saj. Por gjykata nuk ka toleruar. Në vendimin e lëshuar të enjten, gjykatësi vuri në dukje se qëndrimi i këshilltares nuk është i përputhshëm me pritshmëritë prej një zyrtari të lartë që viziton një vend të huaj.

Çako rrëfen përgjimet për tritolin tek farmacia e babait të Tahirit

Forca te policise, duke vezhguar farmacine e babait te ministrit te brendshëm Saimir Tahiri, pasi eshte demtuar nga nje shperthim eksplozivi mbremjen e djeshme prane spitalit numer 5, ne Tirane. /r/n/r/nPolice officers investigate a drug store belonging to Interior Minister Saimir Tahiri’s father damaged by an explosion overnight in Tirana, Albania, Tuesday, Feb. 10, 2015. Another explosion rocked the apartment of a top police officer while anti-mine experts blasted with remote control two TNT explosive ingots found downtown capital.

“IMSI Catcher” nuk është pajisja e vetme e përgjimit e futur në territorin e Shqipërisë këto dy vitet e fundit.
Mediat kanë mundur të zbardhin një pjesë të dëshmisë dhënë nga një zyrtar i lartë i Policisë së Shtetit, për çështjen e përgjimeve.
Ky zyrtar ka sqaruar para grupit hetimor se, policia italiane, më 2015 ka ofruar ndihmë për ngjarjen e vendosjes së eksplozivit në farmacinë dhe makinën e babait të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Ai pranon se në atë kohë ka parë një pajisje dhe ajo ndryshonte në formë nga pajisja “IMSI Catcher”, që kishte ardhur për trajnim, në mars të këtij viti.
Ajo pajisje, vazhdon zyrtari i lartë i policisë në dëshmi, ishte nga prodhues tjetër, por nuk ndryshonte në funksione.
Kjo është një nga dëshmitë më të forta që ka Prokuroria për të konfirmuar dyshimet e saj se, “IMSI Catcher” është përdorur në përgjim.
Nuk bëhet i ditur identiteti i oficerit të lartë të bluve, por sqarohet se ai ka dhënë detaje të vlefshme për hetimin.
Ndërkohë hetuesit janë në pritje të një përgjigjeje nga misioni italian policor “Interforce”, të cilës i është kërkuar që të vihet në dispozicion të hetimit pajisja dhe mjeti me të cilin ajo lëvizte.
Për këtë çështje, Prokuroria kërkoi arrestimin e dy oficerëve të lartë të policisë Artion Duka dhe Entiol Xhelilaj. Ata u lanë në arrest shtëpie nga gjykata.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako u pezullua nga detyra dhe në datën 16 qershor, ai do të jetë në Gjykatën e Apelit, ku do të kërkojë rikthimin në detyrë.

Personat që u morën me pajisjen nuk kishin çertifikatë sigurie

Prokuroria ka konstatuar se personat që janë marrë me pajisjen e përgjimit të ardhur nga Italia nuk kanë qenë të pajisur me çertifikatë sigurie. Sipas ligjit, çertifikata jepet nga Drejtoria e Informacionit të Klasifikuar në Kryeministri, por duket se kjo zyrë nuk ishte informuar fare për ardhjen e pajisjes në vendin tonë. Referuar ligjeve në fuqi, Prokuroria thotë se, “Policia e Shtetit duhej të ishte konsultuar paraprakisht për përdorimin e kësaj pajisjeje me prokurorin e Përgjithshëm si autoriteti qendror dhe i vetëm i përgjimit dhe me Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, në mënyrë që qëndrimi i kësaj pajisjeje në territorin e Republikës së Shqipërisë të kishte përkufizim ligjor dhe transparent për qëllimet e përdorimit dhe mundësitë teknike të saj”. Sipas Prokurorisë, kreu i policisë, Haki Çako, pretendon në formë konsekuente se aparatura nuk është përdorur në asnjë moment nga shtetas shqiptar, por nga këqyrja e librit të hyrje-¬daljeve në FPO dhe nga pyetja e specialistëve të mbajtjes së librit, rezulton se të paktën në dy raste automjeti ka qenë në posedim të shtetasit shqiptar Entiol Xhelilaj i vetëm. Sipas Prokurorisë, Artion Duka, në cilësinë e drejtorit të Forcave Operacionale, nuk ka marrë masa për administrimin e pajisjes, si edhe për të siguruar që ajo nuk do të përdorej për qëllime të tjera, përveçse trajnimit. Fakti që mjeti, së bashku me pajisjen “IMSI Catcher” ka lëvizur në të paktën dy herë nga një specialist shqiptar, është një prej arsyeve që e ngarkon me përgjegjësi titullarin e Forcës. Po ashtu, ky shtetas ka deklaruar se pajisja, në përfundim të çdo seance trajnimi, lëvizte së bashku me ekspertët italianë. Ky deklarim rezulton i rremë, pasi, siç shkruhet nga libri i hyrje-daljeve, mjeti me pajisjen ka qëndruar thuajse gjatë të gjithë kohës së trajnimit në ambientet e Forcës Operacionale. Pika e fundit e shkeljeve të dyshuara se janë kryer nga shtetasi Artion Duka është edhe më e rëndësishmja. Ky shtetas merr përsipër me përgjegjësinë e tij, pa kryer asnjë hulumtim të natyrës penale apo administrative, se gjatë veprimtarisë së përdorimit të aparatit “IMSI Catcher” nuk është kryer asnjë veprim i jashtëligjshëm. Ka dyshime të arsyeshme se kjo gjë nuk është e vërtetë. Kështu nga hetimi ka rezultuar se aparati konkret funksionon, duke u klonuar si një antenë e rrjetit telefonik mobil dhe duke marrë rolin e antenës ligjore. Antena e gënjeshtërt emeton një sinjal më të fortë se antena ligjore dhe kësisoj shkakton lidhjen e aparateve fundor nga antena ligjore te antena e gënjeshtërt. Kjo gjë bie ndesh me detyrimet e Ligjit 9918, neni 123/2. Po sipas Prokurorisë, punonjësi i policisë, Ention Xhelilaj me funksion specialist pranë Forcës Operacionale, ka kryer veprime të paautorizuara, siç është përdorimi i mjetit me pajisjen “IMSI Catcher” pa asnjë urdhër me shkrim. Veprimtaria e tij nuk është rregulluar ligjërisht nga eprorët e tij. Ai ka dijeni se në cilën pikë kufitare ka hyrë automjeti, ku qëndronte ai gjatë kohës së trajnimit dhe jashtë kësaj kohe. Ai është në dijeni të parametrave teknikë të automjetit dhe çfarë ushtrimesh janë kryer në bazë. Ky shtetas nuk ka asnjë tagër ligjor që të ishte kaq afër dhe kaq në dijeni të fakteve. Nga këqyrja e librit të hyrje-daljeve të mjeteve dhe personave në FO, del qartë se ai ka hyrë e ka dalë me mjetin, të paktën dy herë, duke qenë në drejtim të tij. Ai ka hipur në automjet edhe ditën kur ka dalë vendimi i sekuestrimit për mjetin dhe pajisjen. Prokuroria e Tiranës po vijon hetimet mbi këtë rast, për të provuar, ndër të tjera, edhe zyrtarë të tjerë të lartë që mund të jenë përfshirë në veprimtarinë e dyshuar si të paligjshme të përgjimeve.

Skema e lëvizjes së pajisjes së përgjimit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako u pezullua më datën 7 qershor nga detyra për skandalin e përgjimeve me “IMSI Catcher”. Prokuroria zbardhi të gjithë skemën e lëvizjes së pajisjes së përgjimit, si dhe oficerët e policisë që janë përfshirë në këtë lëvizje të pajisjes në mënyrë të paligjshme. Pajisja sipas Prokurorisë është lëvizur nga Drejtoria e Policisë në momentin kur në këtë drejtori ka mbërritur grupi i prokurorëve që kishin shkuar aty për të kërkuar sekuestrimin e pajisjes. Pasi prokurorët kanë pritur me orë drejtorin e Policisë është konstatuar edhe lëvizja e pajisjes së përgjimit nga specialisti i Forcave Operacionale, Xhelili, i cili ndodhet në arrest shtëpie me kërkesë të Prokurorisë dhe vendim të gjykatës.
Pajisja e përgjimit dyshohet se u përdor nga policia në mënyrë të paligjshme, për përgjime. Prokuroria ka siguruar vendimin e gjykatës për pezullimin nga detyra të Haki Çakos, i cili akuzohet për shpërdorim detyre, pasi ka administruar në kundërshtim me ligjin pajisjen e përgjimit. Gjykata ka vendosur masën e sigurimit “Arrest në shtëpi” me mbikëqyrje elektronike për shtetasit Artion Duka, me funksion drejtor i Forcave Operacionale (FO) dhe Entiol Xhelilaj, specialist pranë FO, dy efektivët e policisë që dyshohet se përdorën pajisjen.

“Përgjegjësia individuale” e deputetëve kriminelë!

Enver Bytyçi

Faktori ndërkombëtar u ka bërë thirrje deputetëve të Parlamentit shqiptar që të votojnë draftin e Edi Ramës për Reformën në Drejtësi sipas përgjegjësisë individuale. Kjo thirrje do t’i bashkojë për herë të parë të gjitha vullnetet e deputetëve kriminelë dhe të ashtuquajturve deputetë idealistë e komercialë në votimin që pritet të ndodhë gjatë muajit qershor. Armando Prenga do të jetë atë ditë në Parlament për ta dhënë përgjegjësinë e tij personale si deputet dhe do të votojë për reformën që e bën Edi Ramën despot të këtij vendi. Eshtë ai, për të cilin Rama thotë se, “e ka përjashtuar nga Partia Socialiste”. Do të “ushtrojnë përgjegjësinë e tyre individuale” gjithashtu të gjithë ata deputetë që nga Edi Rama përfitojnë tendera, koncensione, favore, përfshirë dhe deputetët që kontrollojnë parcelat e kanabisit në këtë vend.
Këta do t’ia japin kryeministrit despot të gjitha pushtetet me Kushtetutë. Kush nuk e beson këtë, le të shohë se si sillet ai dhe si do të sillet këto ditë të ardhshme kundër Prokurorisë dhe Gjykatës, të cilat për herë të parë po dalin nga rrethi vicioz i apatisë për të ndëshkuar krimin qeveritar, i cili nga rrezikshmëria dhe dëmet që shkakton është i barabartë me të gjitha krimet ordinere të qytetarëve shqiptarë të marrë së bashku.
Krahas Armando Prengës dhe sojit të tij kriminal në Parlament këtë përgjegjësi individuale do ta ushtrojë edhe Ben Blushi. Së paku kështu deklaroi kritiku i ashpër i Ramës mbrëmë në emisionin e Ylli Rakipit në Ora News, “Të Paekspozuarit”. Por do ta ushtrojë këtë përgjegjësi gjithashtu Gramoz Ruçi, dhëndërrit dhe vajzës së të cilit Edi Rama i fali miliona euro të investuar nga Banka Botërore në impiantin e sterilizimit të spitalit “Nënë Tereza, gjithnjë në formën e PPP të koncensionit. Nuk dihet si do të bëjë Namik Dokle, por nuk ka gjasa që t’i shkëputet valles së rilindjes.
Deputetët e LSI-së janë në rrjesht – asnjëri prej tyre nuk pritet të mos përdorë “përgjegjësinë individuale të Ilir Metës” në votimin e këtij drafti. Përgjegjësia individuale e LSI përdoret vetëm atëherë kur Ilir Meta kërcënon Ramën, duke e shkarkuar përgjegjësinë e tij te deputetët e bindur e të përulur deri në këmbët e kreut të partisë. Ndërsa deputetët e Shpëtim Idrizit në shumicë do ta ushtrojnë dhe ata “përgjegjësinë individuale” dhe do ta votojnë Edi Ramën si monark të këtij vendi, me shpresën jo për të zgjidhur çështjen çame, por për të kapur një kockë dikasteri.
Nuk dihet vetëm përdorimi ose jo i përgjegjësisë “individuale” të dy prej këtyre deputetëve, të cilët janë rendit djathtas. Ndërsa Vangjel Dule i merr urdhërat nga Athina, çfarë t’i thonë ata, atë do të votojë ai. Opozita ka deklaruar se nuk do të përdorë këtë “përgjegjësi” individuale e as kolektive për ta votuar variantin më të keq të mundshëm për kapjen politike të gjyqësorit dhe drejtësisë. Megjithatë, Edi Rama është betuar se do t’i blejë me çdo çmim disa prej këtyre deputetëve.
Me siguri që Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do ta bojkotojë seancën plenare të votimit të të ashtuquajturës reformë, që synon eliminimin e krerëve të drejtësisë së sotme, të cilët shihen si rrezik për hetimin e krimeve të kabinetit qeveritar “Rama”. Por nuk dihet nëse do ta bojkotojnë aleatët e Partisë Demokratike, republikanët dhe Dashamir Shehi. Edhe pse ata i janë bashkuar publikisht qëndrimit të PD-së, në emër të fleksibilitetit mund të thonë se, ndryshe nga PD, do të jenë të pranishëm në votim. Prania në votim do të thotë rrjedhje e votës nga e djathta në favor të projektit shkatërrues të kryeministrit për drejtësinë në këtë vend.
Ka mundësi që ndonjë deputet i opozitës të kërkojë në këmbim të ofertës së Edi Ramës “ushtrimin e përgjegjësinë e tij individuale” për votimin e ligjeve kushtetuese. Por në rastin e bojkotit të seancës nga grupi, ky ose këta deputetë do të shiheshin si “delja e zezë” e familjes politike ku ata bëjnë pjesë. Nëse ka nga ata që për një grusht euro do të bëjnë metamorfozën e ngjyrës dhe pamjes, është mirë që tani të ndahen dhe të shkojnë në stanin e “përgjegjësive individuale”. Përgjegjësia individuale e deputëtëve në çdo vend normal të botës shkon në favor të interesit publik dhe të qytetarëve. Nëse është interes i këtij vendi dhe i qytetarëve uzurpimi i pushtetit gjyqësor dhe komandimi i tij nga pushteti ekzekutiv, atëherë Shqipëria nuk mund t’i përkasë Europës, me ç’rast u thuhet deputetëve se me këtë reformë, Shqipëria hap negociatat për pranim në BE. Edhe nëse formalisht do të shkohej te hapja e negociatave, ato do t’i bllokojë diktatura e konfirmuar me Kushtetutë, të cilën Edi Rama do ta ushtrojë në formën erdoganiste të pushtetit dhe do ta largojë Shqipërinë nga Unioni Europian.
Janë bërë 12 vite që Turqia ka hapur negociatat për t’u pranuar në BE. Por as ka gjasë që të qaset me metodat e tij autoritariste të ushtrimit të pushtetit në dyert e Brukselit. E njëjta gjë do të ndodhë me Edi Ramën, i cili tashmë është familjarizuar me metodat autoritariste të Erdoganit dhe “suksesi” i miratimit të kësaj reforme do ta nxisë të ndërtojë një pallat presidencial për veten e tij. Megjithatë, unë shoh edhe një shans për kompromis: Më 14 qershor vjen në Tiranë ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank–Valter Steinmeier dhe ka mundësi që të gjendet një zgjidhje kompromisi midis mazhorancës dhe opozitës. Drejtorja për Ballkanin në Komisionin Europian dha sinjalet se po bëhen përpjekje në këtë drejtim. Le të shohim e të bëjmë. Skenari i djeshëm që Edi Rama e shpalli në foltoren e Parlamentit, gjithsesi është më i keqi i mundshëm.

Biznesmeni shqiptar kapet me 77 kg drogë në Itali

Një 36-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia italiane në Varese pasi në lokalin e tij u gjetën 77 kg marijuanë. Policia ra në gjurmët e shqiptarit, rezident në Castellanza (Varese), pas një kontrolli rutinë në lokalin e blerë së fundmi nga ai. Policia e Castellanza-s zbuloi se shqiptari, i divorcuar nga një italiane, rezultonte i papunë prej kohësh. Kjo krijoi dyshime edhe për origjinën e parave dhe karabinierët nisën të kontrollonin lëvizjet në lokalin e shqiptarit, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur.
Derisa në mbrëmjen e një dite më parë, në lokalin e shqiptarit, policia gjeti rreth 77 kg marijuanë në 4 çanta të mbuluara me mish, (marifet që përdoret për të mos u zbuluar nga qentë e antidrogës). Shqiptari u arrestua për posedim droge, ndërsa në banesën e tij u gjetën edhe tre kg kokainë e pastër dhe mbi 600 gr marijunë, shkruajnë mediat italiane.

Një javë nga atentati në Elbasan, policia nuk ka asnjë të ndaluar

Megjithëse po mbushet një javë nga atentati në Elbasan ku mbeti i plagosur Bledar Muça, miku i Florenc Çapjas, policia ende nuk ka asnjë të ndaluar. Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e të hënës pranë Prokurorisë së Rrethit Elbasan. Në mes të ditës, në qendër të qytetit, mbi makinën me të cilën ata udhëtonin u zbrazën plumba kallashnikovi, duke u rrezikuar jeta e dhjetëra personave që ndodheshin në qendër të qytetit.
Objektiv i atentatit ishte Bledar Muça, 37 vjeç, ndërsa Matilda Kermezi, 49 vjeç, punonjësja e policisë është plagosur aksidentalisht. Në momentin kur ndodhi ngjarja, ajo ishte duke u kthyer për në banesën e saj, pasi kishte mbaruar shërbimin, por puna e saj ndodhet pikërisht në vendin ku ndodhi ngjarja. Kermezi ka marrë dy plumba, një në krah dhe një në shpatull, dhe tashmë ndodhet në reanimacion në Spitalin e Elbasanit.
Ngjarja ka ndodhur në një orë kur zona ka qenë tejet e populluar me banorë. Krismat e kallashnikovit kanë vënë në panik të madh dhe të vogël. Kalimtarët e rastit janë tmerruar nga breshëritë e plumbave dhe kanë vrapuar për t’i shpëtuar vdekjes. Është qëlluar pa kontroll dhe plumbat kanë prekur deri institucionet aty pranë.
Burimet e policisë bënë të ditur se, dyshohet se atentati ka qenë i mirëmenduar. Policia ka ndërtuar skemën e lëvizjes së autorëve ndaj shënjestrës. Sipas hetimeve paraprake, makinën tip “Golf” ku udhëtonte Bledar Muça dhe Florenc Çapja, e ka ndjekur nga pas një motor. Në momentin e atentatit një makinë i ka prerë rrugën “Golfit” duke e detyruar të ulë shpejtësinë, ndërsa makina tjetër i ka shkuar paralel dhe ka hapur zjarr. Ndërkohë, autorët janë larguar me një automjet të zi në drejtim të paditur për policinë.
Pak minuta pas atentatit në Elbasan, policia arriti të gjejë armën me të cilën u qëllua ndaj Bledar Muçës. Sipas burimeve të policisë, arma është një kallashnikov, me të cilin u plagos Bledar Muça dhe një punonjëse e policisë. Bledar Muça po lëvizte me makinë bashkë me Çapjen kur janë qëlluar me armë. Atentatorët ndoqën më pas edhe ambulancën që po transportonte Bledar Muçën me synimin për ta eliminuar. Kjo gjë ngjall dyshime të forta se Muça ka qenë objektiv i atentatit.
Ndërkohë, Gjykata e Elbasanit ka dhënë masën “arrest me burg” për Florenc Çapjen e Bledar Muçën. Ndërsa Ardian Çapjas do t’i komunikohet masa e sigurisë në spital. Këta persona janë arrestuar më 9 qershor pas një përplasje me armë që kanë bërë ndaj policisë. Dy personat ishin shënjestër e një atentati me armë në Elbasan në këtë fillim qershori.

Afera skandaloze, pse Kampionati nuk jepet në televizionin publik

Partia Demokratike ka bërë publike dje arsyet e mosdhënies së ndeshjeve të Kombëtares së Futbollit nga TVSH. Përmes një deklarate për mediat, deputeti demokrat Luçiano Boçi ka zbardhur dje procesverbalin e mbledhjes së një viti më parë të Komisionit të Medias, ku ish drejtori i komanduar Martin Leka kishte pohuar negociatat që ishte duke bërë për të blerë të drejtën e transmetimit të Kampinatit Europian.
Sipas procesverbalit që mban datën 25 nëntor 2015, ish drejtori i RTSH, Martin Leka shprehimisht thotë para deputetëve: “Vetëm Shqipëria dhe Kosova nuk e morën dot të drejtën e transmetimit, sepse kompania “Digitalb” në Shqipëri e bleu për Pay Tv dhe Free Tv për Shqipërinë dhe Kosovën, me një shifër që po e them. Pra, ne e humbëm me shumën 850 mijë euro. Pas negociatave të shumta, ne, me këtë shumë të miratuar nga Këshilli Drejtues e blemë. Pra, nuk do ta japë as Top Channel, as ndonjë televizion tjetër por do ta transmetojë TVSH”.
Pra, nga kjo rezulton se RTSH e ka blerë të drejtën e transmetimit të Kampionatit Europian  por më pas, këtë të drejtë i ka dhënë një tjetër televizioni, e për rrjedhojë qytetarët duhet të paguajnë nëse do duan të shohin në ekranet e tyre ndeshjet e kampiontit. E gjithë lëvizje është bërë për fitimet marramendëse që garanton nga kjo e drejtë e transmetimit televizioni, i cili i ka marrë këtë të drejtë RTSH.
“RTSH fsheh blerjen e realizuar me negociata, për të drejtën e transmetimit të Kampionatit Europian nga TVSH.
Ish-drejtori i komanduar Martin Leka, në seancën dëgjimore në Komisionin e Edukimit të datës 25.11.2015 e ka pohuar dhe mbrojtur një gjë të tillë, pas insistimit tonë”, shkruan Boçi.
RTSH e Gëllçit “gropos” dhe sakrifikon 1.5 milionë euro (850 mijë euro blerja + 700 mijë euro, nga të ardhurat e reklamave), para të publikut. Gjithçka bëhet për interesat e “të tretëve”, për xhirot miliardere dhe fitimet marramendëse.
Po Kryeministri ku e ka vendin këtu?!!! Nuk e dinte?! Kam frikë se e ka urdhëruar vetë! Insistimi për të vendosur Gëllçin “e nxorri paksa kokën”! Ka dhe më!!!
Prokuroria duhet të nisë menjëherë çështjen, për të vënë para përgjegjësisë “killerat” e parave të publikut dhe të interesit të publikut sikurse dhe të emocioneve të tij.
Një pjesë e madhe e shqiptarëve nuk do të kenë mundësi të ndjekin live në vazhdim nga Franca, Himnin e flamurit dhe përballjen e Kombëtares në Kampionatin e parë ëndërr europian.
Arsyeja fare e thjeshtë: TVSH nuk e transmeton, pavarësisht se drejtuesit e saj kanë pohuar e pranuar blerjen e kësaj të drejte, e cila është “grisur” për interesa klieteliste.
Një pjese të mirë të shqiptarëve nuk jua mban xhepi ta blejnë këtë shërbim. Nuk munden ekonomikisht.
Nuk mund të ndjekin nga pas kryeministrin me shpurën e tij në stadiume, megjithëse janë tifozë më të mëdhej dhe më të sinqertë se ai.
TVSH si i vetmi TV publik dhe i vetmi TV me shtrirje gati 100% në territor refuzon ta transmetojë.
Megjithëse mbahet me paratë e taksapaguesve, drejtuesit e rinj të RTSH, kanë preferuar talljen publike me publikun. Sugjerimi tyre cinik dhe arrogant, ishte që ndeshjet mund t’i ndiqnin live nga Radio Tirana. D.m.th si dikur. Si dikur “në kohën e qepës”, kur Gëllçi ishte kryeredaktor i “Zërit të Popullit”.
Nxjerrje gjuhe më të plotë se kjo nuk ka!!!
Sigurisht na ka marrë malli për zërat e të mëdhejve komentatorë Borova e Shqarri, por është absurde dhe e pakonceptueshme që në kohën e revolucionit teknologjik, të ndjekësh në radio një ndeshje.
Procesverbali i mbledhjes zbardh qartë blerjen me negociata nga ana e TVSH, arsyet e mossuksesit të parë, shumën e shpenzuar dhe atë që do të vinte si e ardhur nga reklamat.
Është e shkruar “e zezë mbi të bardhë” që ndeshjet do të transmetoheshin nga TVSH!!!.
p.s Skandali tjetër i radhës, i 8.2 milionë eurove për mirëmbajtjen po vjen….”, shkruan Luçiano Boçi.

A.Shahini

Diskriminim, Tropoja pa drita, në Kosovë për të parë ndeshjen

Banorët e rrethit të Tropojës iu drejtuan Kosovës për të parë ndeshjen e kombëtares tonë me Zvicrën. I gjithë rrethi i Tropojës ka qenë pa energji elektrike ditën e djeshme nga ora 13:00 deri në 19:00 për shkak të remontit të linjës 110 kw të tensionit të lartë. Qytetarët janë shprehur të indinjuar, pasi ndërhyrja e OST-së në linjën e tensionit të lartë përkoi me orarin kur u zhvillua ndeshja Shqipëri-Zvicër.
Qytetarët thonë se një pjesë e mirë e tyre janë detyruar të nisen drejt Kosovës për të parë ndeshjen e kombëtares. “I gjithë rrethi i Tropojës është privuar nga e drejta për të ndjekur ndeshjen e shumëpritur të kombëtares sonë për shkak të ndërprerjes së energjisë. Një pjesë e madhe e popullit po merr rrugën për ta ndjek në Kosovë. Ky është diskriminim që po na bëhet”, deklaron një qytetar i Tropojës.
Për këtë ngjarje skandaloze ka reaguar edhe deputetja e PD e Tropojës, Mimoza Hajdarmataj. Deputetja e Tropojës shprehet në një postim në Facebook se, ndërhyrja në sistemin e shpërndarjes së energjisë ka lënë Tropojën pa energji pikërisht në kohën e transmetimit të ndeshjes Shqipëri-Zvicër.
“Gjithë rrethi i Tropojës është privuar nga e drejta për të ndjekur ndeshjen e shumëpritur të kombëtares tonë për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike nga OST me pretekstin e riparimit të linjës së tensionit të lartë, ndërprerje që do të zgjasë deri në orën 19:00. Shumë sportdashës po marrin rrugën për ta ndjekur ndeshjen në Kosovë. Ky është diskriminim që po na bëhet, shprehen banorët e Tropojës, sot e gjetën?”, shkruan deputetja e Tropojës, Mimoza Hajdarmataj.
Ky është një diskriminim që i bëhet Tropojës. Është e pajustifikueshme që OST të planifikojë remontin e linjës 110 kw të tensionit të lartë pikërisht në ditën dhe në orarin e zhvillimit të ndeshjes së shumëpritur për të gjithë shqiptarët, atë të kombëtares me Zvicrën në Europian. Me të drejtë lind pyetja, pse pikërisht këtë ditë është planifikuar remonti i linjës së tensionit të lartë? A nuk kishte plot ditë të tjera, pse remonti nuk është kryer paradite në mënyrë që edhe banorët e rrethit të Tropojës të shikonin kombëtaren tonë në ndeshjen e parë në Europian.
Kësaj qeverie nuk i mjaftoi heqja e transmetimit të ndeshjeve të Europianit Televizionit Publik Shqiptar, por edhe ndërprerja e energjisë elektrike në orarin e zhvillimit të ndeshjes Shqipëri-Zvicër. Europiani transmetohet nga të gjitha televizionet publike në të gjithë Europën, përfshi edhe Greqinë, ndërsa në Shqipëri Televizioni Publik nuk i transmeton ndeshjet e Kampionatit Europian ndonëse ky televizion mbahet me taksat e shqiptarëve.
Ndeshjet e kampionatit Europian nuk jepen në TVSH për shkak të pazareve të Ramës me drejtorin e televizionit, një njeri i afërt i tij. Ky skandal ka ndezur revoltën tek qytetarët, shumica e të cilëve nuk kanë asnjë mundësi ta ndjekin Europianin për shkak se nuk kanë mundësi për të blerë “Dixhitalb”.

Shqipëria në epokën e Ramës

Nga Dr. Abraham WAGNER

Shqipëria vuajti nga izolimi i tmerrshëm komunist që iu bë vendit nga regjimi diktatorial dhe stalinist i Enver Hoxhës. Pas rënies së stalinistëve nga pushteti, Shqipëria bëri një rrugë domethënëse drejt normalizimit, vendosjes së ekonomisë së tregut dhe zhvillimit të zgjedhjeve demokratike. Por tre vjet pas zgjedhjes së Edi Ramës si Kryeministër, Shqipëria po kalon një periudhë të paprecedent në keqmenaxhimin e ekonomisë. Eksportet dhe investimet e huaja kanë rënë, dhe papunësia është rritur. Historia mund ta cilësojë këtë si epoka Rama, një epokë të turbullt dhe të pakuptimtë, si një epokë gjatë të cilës zoti Rama arriti rritjen më të ngadaltë ekonomike duke keqpërdorur reformat jetike. Dikur, i konsideruar si një yll në politikë, Rama punoi si kryetar i Bashkisë së kryeqytetit Tiranë, dhe ra në sy për projektet inovative urbane, dhe përdorimit të ngjyrave për të ndriçuar qytetin. Megjithatë restaurimi i fasadave të qytetit ra në kundërshtim me infrastrukturën e rrënuar të tij. Rama njihet gjithashtu edhe si një person që e ka rrethuar veten e tij me “…baronët e pastrimit të parave, të trafikut të drogës, që e shohin Partinë Socialiste si një strehë për t’i shpëtuar drejtësisë dhe hetimit. Guximi i zotit Rama për të dalë në publik me kriminelët e Europës është i pashembullt në asnjë vend tjetër të Perëndimit”, shkruan Adam Fairmont për “Foreign Policy News”. Në anën tjetër të politikës, qëndron Lulzim Basha, lideri i ri i opozitës. Ai gjithmonë ka vënë në diskutim lidershipin e Ramës dhe e ka akuzuar atë për shpërdorim të financave, keqmenaxhim të të ardhurave në mënyrë që të përfitojë ai dhe miqtë e tij që janë pjesë e botës së krimit. Në sajë të një demokracie funksionale, Basha rregullisht dhe publikisht ka kërkuar nisjen e hetimeve për perspektivën e zymtë ekonomike në Shqipëri. “…Jam këtu për të bërë publike mekanizmin korruptiv përmes të cilit janë marrë 2.2 milionë euro nga taksat e shqiptarëve dhe nga prokurimet publike… vendi është në një krizë totale ekonomike. Banka Botërore konfirmon se 46% e njerëzve jetojnë nën limitet e varfërisë. Këto shifra flasin më mirë se ne”, thotë Basha. Sektori bujqësor luan një rol kyç në GDP-¬në e vendit dhe është një burim i madh punësimi. “Megjithatë në epokën e Ramës, të drejtat e pronës, mbështetja financiare dhe ristrukturimi i mëtejshëm i sektorit agrikulturor u keqmenaxhua”, shkruan profesor Magdalena Bergasi nga Universiteti Europian i Tiranës. Rama gjithashtu ka keqmenaxhuar edhe sektorin energjetik, duke dështuar në procesin e shfrytëzimit të burimeve të tjera përveç atyre hidrike. Fatmirësisht, Shqipëria është një aktor kyç në korridorin jugor të gazit, një projekt strategjik që nis në fushat e Shah Deniz në Azerbajxhan. Shqipëria do të përfitojë nga ky projekt, por gjithashtu ky projekt do t’i sjellë Shqipërisë të ardhura dhe vende të reja pune. Përveç kësaj, Shqipëria së fundi ka tentuar të privatizojë një marrëveshje të mirë të sektorit të saj të brendshëm të energjisë për të tërhequr investimet e huaja në eksplorimin dhe zhvillimin e rezervave të naftës dhe gazit në vend. Por vërehet se, megjithatë, qeveria e zotit Rama ka keqmenaxhuar privatizimin e aseteve të energjisë. Sidoqoftë epoka Rama tashmë 3-vjeçare, ende nuk ka përfunduar dhe publiku shqiptar, ashtu sikurse ai i Europës dhe i SHBA¬-së, është kureshtar të dijë cili do të jetë çmimi që Shqipëria do të paguajë për këtë keqmenaxhim. Për shembull Rama ka rritur në mënyrë galopante borxhin publik, – 14% vetëm gjatë 2015-¬ës. Gjatë vizitës që bëri në muajin prill në Washington DC, politikanët dhe qeveritarët amerikanë, privatisht kanë shprehur shqetësime pas takimeve me “të njollosurin” Rama. Këtë pranverë BE përsëriti se Shqipëria nuk është ende gati për hapjen e negociatave për anëtarësim. Parlamenti Evropian ka deklaruar se Shqipëria “ka nevojë të intensifikojë reformat, forcën e ligjit dhe të luftojë kundër krimit të organizuar dhe të forcojë më tej administratën publike”. Investitorët po qëndrojnë larg për shkak se ata nuk i besojnë politikave ekonomike të atij Kryeministri. Nuk duhej të ndodhte kështu, por duket se Rama ka rritur ndjeshëm problemet ekonomike të vendit. Duke pasur parasysh rëndësinë gjeopolitike të vendit, anëtarësimin e saj në NATO dhe aspiratat e saj për anëtarësim në BE, është në interesin më të mirë të BE¬-së dhe SHBA t’i kushtojnë më shumë vëmendje Shqipërisë. Është gjithashtu koha për të parë me një vëmendje më të madhe keqmenaxhinin ekonomik të bërë gjatë epokës Rama.

Artikull i publikuar në “thehill.com”
*Dr. Abraham Wagner është profesor në Uuniversitetin e Columbias me profilizim në çështjet e sigurisë ndërkombëtare (…..)