21.5 C
Tirana
E mërkurë, 13 Gusht, 2025

Kriza e legjendës së shqiptarit

Pranvera SHEHAJ

Të fortët janë heronj të dramës dhe tragjedisë së tyre, janë legjenda të mitizuara të triumfit konkret kundrejt kauzave të paprekshme nga pjesa mazhoritare e shoqërisë. Escobarët tanë janë më shumë se krenari, janë subjekte që na plotësojnë pa kushte dimensionet e tjera deficitare që kemi si popull dhe na bëjnë të ndihemi të paktën miza që pushojnë në të ndenjurat e luanëve të xhunglës.
Në fakt, ne nuk i kemi pasur ndonjëherë fort të larta standardet dhe pretendimet ndaj lidershipit, prandaj ku ka më mirë se kur i forti të hyn në dobi dhe e vendos llogarinë bankare në funksion të vetë lidershipit. E ky i forti, që në mënyrë inkoshiente i paska kaluar netët burgjeve të Evropës, sot luan simfoninë e pushtetit në tempullin e demokracisë, aty ku sovrani ka deleguar fatin e tij. Kur tipi i sistemit elektoral me listë të mbyllur i katapultoi si baktere galopante në karriget parlamentare, aty kuptuam se sigla e partisë kishte strehuar emigrantët e katundit që në kohë rekord pantallonat e rreckosura i fshehën në bagazhin e makinës luksoze. Ne, përsëri nuk mundëm të ishim aq vigjilentë sa të evidentonim ku i kishte fshehur katundari i shkathët pantallonat e grisura, por u venitëm nga lakmia ndaj makinës dhe kostumit të tij, duke i atribuar madje edhe statusin “i shkathët”.
Kur tutorët ndërkombëtarë tentuan të na vinin në dukje se si kishim rilindur me krimin dhe kishim varrosur ndershmërinë e demokracinë, aty kuptuam sa ëmbël, sa mjeshtërisht, sa pafytyrësisht na kishin hequr një tjetër copë nga trupi, na kishin quajtur popull i mefshtë, analfabet dhe mjeran, popull që e zeza i duket e bardhë, arroganca i duket xhentilesë, lustrat i duken mirëqenie dhe shuplakat i duken dhembshuri.
Mesa duket, egoja, krenaria dhe burrëria që i kemi njohur vetes nëpër legjenda, s’paskan qenë aq të shndritshme dhe të hekurta sa i pretendonim. Kush tha se shqiptari nuk duron, se shqiptarit i vlon gjaku kur e fyen, kur i nëpërkëmb nderin, kur i shkel me këmbë virtytin dhe intelektin?! Me siguri, ata që i kanë gdhendur këto cilësi në fletët e legjendave, nuk e kanë ditur se do të vinte një ditë kur shqiptari do të vihej në provë me historinë e do të rilindte aq fuqishëm sa të duronte kur nënat dhe motrat punësoheshin me kritere perverse, kur të braktisurit nga fati do të ktheheshin në objekte loje të përbindëshave të jetimoreve, kur ëndrra për Evropën sfidohet nga pamje kriminale në të cilat njerëzoret lidhen me zinxhirët e jo humanëve. Ajo që të parët me siguri s’kanë ditur është çudia se do të vinte një kohe kur nderi i shqiptarit do të ishte fare i papërfillshëm ndaj aftësisë dhe shkathtësisë për të vrarë, për të trafikuar, për të përdhunuar, për të kamufluar krimet njerëzore me të vetmin destinacion final: pushtetin. Nuk e kanë ditur as që do të vinte një kohë kur shqiptarët në mënyrë indirekte do t’i kishin zgjedhur trimat e krimit si përfaqësues të imazhit tonë politik në sytë e shteteve fqinje.
Peripecitë që historia vendos përballë popujve janë barriera të obligueshme për t’u kapërcyer, si e vetmja mënyrë për të shkuar drejt progresit shoqëror, politik dhe diplomatik. Por, nuk besoj se ka popull në historinë politike globale që krimit t’i ketë dhënë çelësin e drejtësisë e vrasësit t’i ketë veshur kostumin e ligjit duke e vendosur veten përballë barrierës më të rrezikshme kundrejt dinjitetit shoqëror, progresit ekonomik dhe rekuperimit politik.
Faji është gjithmonë jetim, ashtu si në fakt ne jemi një popull jetim për sa kohë nuk marrim në dorë fatin e së nesërmes në emër të kapitujve të së shkuarës. Edhe pse varfëria është ulur këmbëkryq dhe mjerimi i Migjenit është kthyer në monstër që përpin gjithë forcat, bashkimi dhe shpirti i dinjitetit duhet të na zgjojnë nga kllapia, të na nxjerrin nga paradhoma e vdekjes e të na bëjnë ta kthejmë krimin që na ka marrë peng, në makthin e një nate të errët. Legjendat nuk mund të kenë qenë vetëm fryt i fantazisë… dikush, diçka ka ditur për shqiptarët. Me siguri, kemi ende shpresë … ndryshimi fillon nga rimarrja e nderit, nga përbuzja ndaj së keqes, nga uria për dinjitet.

Brexit, Brukseli ende i qetë

Bernd RIEGERT

Në prag të referendumit për Brexit-in në Bruksel ka shumë pyetje ende të hapura. Ndërsa shtetasit britanikë që punojnë në Bruksel dhe në institucionet e BE-së sillen sipas proverbit britanik: “Keep calm and carry on!”. Pronari i barit “The Old Hack” përballë selisë së Komisionit të BE-së në Bruksel është i qetë. Referendumi në lidhje me qëndrimin apo daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian pas 43 vjetësh anëtarësimi nuk do të ndikojë shumë në biznesin e tij. “Njerëzit gjithmonë pinë”, bën ai shaka. Për më tepër zyrtarët britanikë në Komisionin Evropian, në Shërbimin e Jashtëm të BE-së dhe në Këshillin e Ministrave nuk do të largohen befasisht nga Brukseli. Vetëm njëri nga klientët e rregullt ndoshta nuk do të vijë më aq shpesh në “Old Hack”: Nigel Farage, eurodeputeti i partisë “United Kingdom Independence Party” (UKIP), i cili lufton për daljen e atdheut të tij nga BE-ja që nga viti 1999. “Ai vjen shpesh këtu dhe do të organizojë një festë të madhe lamtumire, nëse në referendum do të votohet për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian”, thotë pronari i barit.

Britanikët mund të vazhdojnë të punojnë

Rreth 1200 qytetarë britanikë punojnë në Komisionin e BE-së. Vetëm pak prej tyre që kanë poste të larta politike si drejtor i Përgjithshëm apo si Komisioneri Evropian për Tregun e Kapitalit, Jonathan Hill, do të duhet ndoshta të lirojnë shpejt postet e tyre. Edhe gjykatësi britanik në Gjykatën Evropiane ose shefi i Europolit, Rob Wainwright duhet të largohen. Të gjithë të tjerët mund të vazhdojnë të punojnë, mendon sindikata përkatëse, për shkak se kontratat janë bërë me individët dhe jo me Mbretërinë e Bashkuar. Pierre Bacri nga Shoqata e Zyrtarëve Evropianë tha në Bruksel, se do të gjendet një “zgjidhje e arsyeshme”. Një referendum i propozuar për anëtarësimin e Britanisë së Madhe në Bashkimin Evropian do të jetë lajm i keq për ata që kanë pasaportë britanike, mendon Janis Emmanouilidis nga think tank “Qendra e Politikës Evropiane”: “Edhe pse mund të gjendet një mënyrë që ata të vazhdojnë të punojnë si punonjës civilë, të rinjtë do të mendojnë nëse me të vërtetë duan të punojnë në BE, ku vendi i tyre nuk është i përfaqësuar? Çfarë do të thotë kjo për karrierën time?”. Po ashtu gati duhet të bëjnë valixhet edhe 73 eurodeputetët britanikë. Edhe pse deputetja laburiste Dame Glenis Willmott mendon se mund të qëndrojë deri në fund të periudhës legjislative derisa të përfundojnë modalitetet për daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja.

Shumë pikëpyetje

Komisioni i BE-së dhe Këshilli i Ministrave të BE-së, nuk shprehen zyrtarisht për skenarë të mundshëm, nëse Britania e Madhe do të largohet nga Bashkimi Evropian. Nuk ka as një plan B, edhe as mendime se si duhet të negociohet largimi, tha një zëdhënës. Paragrafi 50 në Traktatin Evropian të Lisbonës thotë vetëm, se shteti anëtar duhet të paraqesë me shkrim synimin për t’u tërhequr nga BE-ja, dhe pastaj brenda dy vjetësh duhet të negociohen hollësitë. Megjithatë 27 shtetet anëtare nuk kanë ndër mend t’ia bëjnë aq të lehtë Britanisë së Madhe largimin nga BE-ja, është i sigurt Janis Emmanouilidis nga think tank “Qendra e Politikës Evropiane”. Procesi do të jetë i gjatë dhe i vështirë dhe nuk dihet se sa mund të zgjasë.

Rikthim në EFTA?

Nigel Farage, luftëtar për Brexit-in, dëshiron që një Britani e Madhe sovrane të vazhdojë edhe më tej tregtinë me pjesën tjetër të Evropës, por sigurisht pa paguar edhe për Evropën. Britania teorikisht mund të anëtarësohet përsëri në EFTA. EFTA është Shoqata Evropiane e Tregtisë së Lirë, ku bëjnë pjesë Lihtenshtajni, Zvicra, Islanda dhe Norvegjia. Këto vende të gëzojnë hyrje të lirë në tregjet e BE-së dhe mund të marrin pjesë në programet e BE-së, por nuk mund të thonë fjalën e tyre në marrjen e vendimeve. Po ashtu ato duhet të paguajnë një lloj pagese anëtarësie. Norvegjia, për shembull, paguan sipas ambasadës norvegjeze në Bruksel 866 milion euro në vit në buxhetin e BE-së. Në rastin e Britanisë së Madhe, kontributi në EFTA që bazohet në numrin e popullsisë dhe tek fuqia ekonomike e vendit do të ishte gati nëntë miliardë euro. Kjo shumë është vetëm dy miliardë euro më pak se shuma aktuale neto që paguan Britania si anëtare e plotë në buxhetin e BE-së.

Çako pranoi se pajisja e përgjimit dekodoi numrat IMEI

Ish Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako pranoi para prokurorisë se jo vetëm që pajisja e përgjimit ishte vënë në përdorim por gjithashtu ai ka pohuar dekodimin e numrave IMEI, një procedurë kjo e ndaluar gjithashtu me ligj pasi çon direkt në përgjimin.  Serisë së paligjshmërive në lidhje me këtë skandal i shtohet edhe ky fakt, dekodimi i IMEI-t, çka dëshmon insistimin me forcë të Ramës e Tahirit për të futur me çdo kusht pajisjen në Shqipëri e për ta përdorur atë në mënyrë të fshehtë. Në vendimin për pezullimin  e Çakos, gjyqtari Aliaj ka përdorur disa argumente, referuar edhe materialit të Prokurorisë, që e kanë bindur për të dhënë vendimin. Sipas vendimit, Çako ka pranuar vetë se pajisja i njeh numrat IMEI dhe sipas Gjykatës, ky evidentim është pjesë e mirëfillitë e procesit të përgjimit. Sipas vendimit, “Në datën 17 maj 2016, ky shtetas ka dhënë deklarime rreth dijenisë së tij për këtë ngjarje nga ku vërehet se ka shtuar faktin se kjo pajisje është në gjendje të identifikojë numrin IMEI të çdo aparati telefonik. Gjithashtu, ai deklaron se Policia e Shtetit Shqiptar dhe partnerët e saj nuk ofrojnë trajnime në kundërshtim me legjislacionin shqiptar”. Më tej gjykata arsyeton se “Në këtë deklarim, megjithëse kishin kaluar tetë ditë nga shkresa e tij e parë për sqarimin e situatës, ai shprehet se nuk ka asnjë dijeni për regjimin doganor të hyrjes së pajisjes, shkruan panorama. Është e qartë që nuk e ka kryer detyrën e tij, pasi në hapësirën kohore duhej të kishte krijuar panoramën e plotë të ngjarjes. Këto pretendime dhe dyshime bazohen në faktet e mëposhtme: 1. Përcaktimin se aparatura është në gjendje të evidentojë dhe numrat IMEI të aparateve telefonike duhej ta përcaktonte që në shkresën e datës 09.05.2016, pasi administrimi i numrave IMEI është një pjesë e mirëfilltë e procesit të përgjimit”. Sipas prokurorisë  Çako, në detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, nuk ka marrë masat që i takojnë me ligj për të siguruar hyrjen, administrimin dhe përdorimin e një pajisje specifike, “IMSI Catcher”, e cila është sjellë në Shqipëri nga autoritetet italiane, për qëllime trajnimi, siç deklarohet nga të dyshuarit. Kjo pajisje ka hyrë në territorin e vendit tonë pa iu nënshtruar regjimit doganor të përkohshëm dhe për më tepër, pa marrë autorizimin përkatës nga prokurori i Përgjithshëm, si autoriteti i vetëm që jep lejen për përdorimin e mjeteve të tilla. Nga të dhënat e deklaruara nga të dyshuarit, kjo pajisje ka aftësi, ndër të tjera, që të identifikojë numrat IMEI të telefonave, e cila është një procedurë që i nënshtrohet legjislacionit për interceptimin. Nga hetimi ka rezultuar se gjatë seksioneve të praktikës është ndërhyrë disa herë në segmentin aparat fundor-antenë ligjore. Në hapësirën kohore të këtij veprimi, dyshohet se antena ligjore nuk regjistron aparatët fundore që tentojnë të lidhen me të. Pra, dyshohet se aparatë celularë të ndryshëm mund të kenë qenë nën administrimin e paligjshëm të pajisjes “IMSI Catcher”. I dyshuari Çako ka mbajtur në vijimësi qëndrim mohues ndaj faktit që kjo pajisje mund të jetë përdorur për përgjime të paligjshme. Por disa të dhëna hetimore, kanë krijuar dyshimin te Prokuroria e Tiranës se ky shtetas ka konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Në bazë të Marrëveshjes së vitit 2007 për mbështetjen teknike të policisë shqiptare nga ana e INTERFORZE-s italiane, u takon autoriteteve shqiptare që të ndërmarrin veprimet në përputhje me ligjin, siç janë hyrja e rregullt e pajisjeve të tilla në Republikën e Shqipërisë. Në cilësinë e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, shtetasi Çako rezulton që nuk ka marrë asnjë masë për të rregulluar hyrjen e pajisjes në territorin e Shqipërisë dhe për më tepër, rezulton që ai nuk ka asnjë dijeni për regjimin doganor që aplikohet në këto raste.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për kodin IMEI

Rama tentoi në vitin 2014 të miratonte një ligj të posaçëm përmes të të cilit detyronte çdo mbajtës të telefonisë celulare të deklaronte kodin e IMEI-T, çka do të thoshte që qeveria i jepte vetes akses të plotë në përgjimin e të gjithë qytetarëve. Kjo pasi, vendimi i jepte mundësi qeverisë që të përgjonte të gjithë aparatet telefonikë (vendimi Nr. 354, datë 4.6.2014 për ngritjen e Bazës së të Dhënave IMEI dhe regjistrimin e numrave IMEI të aparateve celularë, që përdoren në rrjetet e shërbimeve të komunikimeve të lëvizshme). Gjykata Kushtetuese thotë se vendimi për IMEI-t e celularëve është i papajtueshëm me Kushtetutën. Gjykata Kushtetuese pas marrjes në shqyrtim të vendimit dhe ankimimit nga ana e deputetëve shpalli vendimin: “Si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimit nr. 354, datë 04.06.2014 të Këshillit të Ministrave ‘Për ngritjen e bazës së të dhënave IMEI për regjistrimin e numrave IMEI të aparateve celulare, që përdoren në rrjetet e shërbimeve të komunikimeve të lëvizshme’”. Gjithashtu Gjykata Kushtetuese ka pezulluar vendimin e Këshillit të Ministrave për ngritje e bazës së të dhënave të IMEI për regjistrimin e tyre. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese erdhi pas ankimimit të Partisë Demokratike shtatorin e vitit të kaluar ku parashtroi dy kërkesa: 1) Deklarimin e papajtueshmërisë me Kushtetutën i vendimit nr. 354, datë 4.6.2014 të Këshillit të Ministrave “Për ngritjen e bazës së të dhënave IMEI dhe regjistrimin e numrave IMEI të aparateve celulare, që përdoren në rrjetet e shërbimeve të komunikimeve të lëvizshme”, si dhe 2) Pezullimin e vendimit nr. 354, datë 4.6.2014 të Këshillit të Ministrave, “Për ngritjen e bazës së të dhënave IMEI dhe regjistrimin e numrave IMEI të aparateve celulare, që përdoren në rrjetet e shërbimeve të komunikimeve të lëvizshme”. Ndër argumentet e tjera theksohet se, “Detyrimi që u vendoset operatorëve të komunikimit elektronik, me vendim të Këshillit të Ministrave, për të dorëzuar pranë Ministrisë së Financave të dhëna personale të klientëve të tyre (numrin IMEI) është antikushtetues edhe për shkak se transferimi i të dhënave bëhet pa pëlqimin e subjektit deklarues, gjë që bie ndesh me nenin 35 të Kushtetutës. Një kufizim i tillë i vendosur me vendim të Këshillit të Ministrave nuk është në përputhje dhe bazohet në nenin 35, paragrafi i dytë i Kushtetutës (parashikohet në ligj), në nenin 17, paragrafi i dytë i Kushtetutës (nuk e cenon thelbin e së drejtës për privatësi dhe nuk i tejkalon kufizimet e parashikuara në KEDrNj) si dhe nenin 8, paragrafi i dytë i KEDrNj (kufizimi synon mirëqenien ekonomike të vendit, parandalimin e veprave penale, mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve”.

Kërcënimet ndaj gjyqtarit, KLD padit penalisht Tahirin

Këshilli i Lartë i Drejtësisë kallëzon në Prokurori ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri për sulmet kërcënuese ndaj gjyqtarit Arjan Aliaj. Këshilli i Lartë i Drejtësisë zhvilloi dje një mbledhje jashtë radhe, të thirrur nga kryetari i Këshillit, për të diskutuar lidhur me situatën e krijuar në sistemin gjyqësor, pas sulmeve të papranueshme, fyese dhe kërcënuese të ministrit të Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri ndaj gjyqtarit Arjan Aliaj. Gjatë diskutimeve, anëtarët e Këshillit dënuan ashpër intimidimin që po i bëhet gjyqtarit Arjan Aliaj në veçanti, por dhe trupës gjyqësore në tërësi, ku në përfundim, Këshilli vendosi të bëjë kallëzim penal pranë prokurorit të Përgjithshëm, ndaj ministrit të Punëve të Brendshme, Tahiri.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka reaguar ashpër pas deklaratave të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri ndaj gjyqtarit që disa ditë më parë pezulloi nga detyra me kërkesë të Prokurorisë drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako në lidhje me hetimet që po zhvillohen për një pajisje që dyshohet se ka përgjuar në mënyrë të paligjshme. Por sulmet e Saimir Tahirit kanë vijuar të ashpërsohen edhe më shumë në ditët në vijim.
“Kryeministri Edi Rama, ashtu si dhe ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri përdorën një arsenal të padenjë fjalësh ndaj një gjyqtari, për ‘gabimin’ e tij të vetëm se gjatë ushtrimit të detyrës së tij, kishte miratuar kërkesën e prokurorit, për dhënien e masës së pezullimit nga detyra të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, ky reagim, pasuar nga një fjalor i papërshtatshëm, kur artikulohet nga një Kryeministër dhe një ministër i Punëve të Brendshme, është një kërcënim i hapur ndaj, jo vetëm këtij gjyqtari që dje dha një vendim, por një kërcënim ndaj të gjithë trupës gjyqësore”, thuhet në reagimin e KLD.
Gjithashtu, Këshilli i Lartë i Drejtësisë citon se deklarime të tilla, të përcjella me një intensitet të tillë, në një moment të papërshtatshëm, për stadin në të cilën është procesi i miratimit të Reformës në sistemin e Drejtësisë, jep mesazhin, përkundër pritshmërive, që kjo reformë mund të jetë vetëm një fasadë e dalë boje.
“Sjellja e sotme tregon qartë, se në të parin moment, që përfaqësues apo eksponentë të qeverisë u ‘atakuan’ nga një vendim gjykate, i cili për më tepër është i ankimueshëm, u kalua në një turravrap përdhosjesh, poshtërimesh dhe kërcënimesh, ç’ka të ul pritshmërinë se Reforma në Drejtësi po kërkohet me aq ngulm, jo për nevojën që ka sistemi i drejtësisë me brishtësinë e tij për konsolidim, por për të kontrolluar politikisht këtë sistem. Në respekt të opinionit publik, e informojmë se gjyqtari Arjan Aliaj, është rikthyer më parë në sistemin e drejtësisë, me vendimin e KLD nr. 256, datë 02.12.2009, në zbatim të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese nr. 11, datë 02.04.2003. Gjithashtu në deklaratën e shpërndarë për mediat, KLD i bën thirrje Ramës, si dhe gjithë drejtuesve të tjerë të lartë të heqin dorë nga presionet dhe shantazhet ndaj organeve të drejtësisë. Nga ana tjetër, KLD kërkon nga trupa gjyqësore të vijojë veprimtarinë e saj, duke mos u ndikuar nga asnjë lloj ndërhyrje dhe kërcënimi në ushtrimin e detyrës, duke garantuar kështu funksionimin e shtetit të së drejtës.
“Sot Këshilli i Lartë i Drejtësisë, i kërkon Kryeministrit të vendit, funksionarëve të tjerë të lartë ose jo, por dhe kujtdo, që ushtron apo parashikon të ushtrojë ndikim, presion apo kërcënim, ndaj gjyqtarëve a trupës gjyqësore në tërësi, ta ndalojë menjëherë, ndikimin, presionin apo kërcënimin, sepse ky është dëmi më i madh që mund t’i bëhet themeleve të shtetit të së drejtës, dëmi më i madh që mund t’i bëhet aspiratave të vendit për integrimin evropian. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, kërkon nga trupa gjyqësore të vijojë veprimtarinë e saj, duke mos u ndikuar nga asnjë lloj ndërhyrje dhe kërcënimi në ushtrimin e detyrës, duke garantuar kështu funksionimin e shtetit të së drejtës, ashtu, si dhe duke patur në fokus të punës, respektimin e procesit të drejtë gjyqësor dhe garantimin kurdoherë të një transparence dhe përgjegjshmërie maksimale në përmbushjen e detyrave”, thuhet në reagim.

R.POLISI

EULEX-i në Kosovë deri në qershor të vitit 2018

Qeveria e Kosovës i ka dhënë mbështetje vazhdimit të mandatit të misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX-it, edhe për dy vite tjera. Vazhdimi i mandatit të EULEX-it ka marrë mbështetjen përmes miratimit të dy Projektligjeve përkatëse, të cili do t’i procedohet Kuvendit për miratim. Vendimi i qeverisë, sipas kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, ka pasuar letrën që presidenti i Kosovës,Hashim Thaçi i ka dërguar Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, përmes së cilës ai ndër tjera e mirëpret vazhdimin e mandatit të EULEX-it.
Në këtë aspekt, edhe qeveria, ka thënë Mustafa e mbështet EULEX-in në vazhdimin e punës në Kosovë. “Me aprovimin e këtyre dy ligjeve, ne shprehim edhe njëherë qëndrimet dhe vullnetin tonë dhe mirëpresim vazhdimin e mandatit të EULEX-it në Kosovë në marrëveshje me institucionet e Republikës së Kosovës të bindur se prezenca e EULEX-it edhe më tutje në Kosovë vetëm sa do të përshpejtojë reformën e nevojshme në institucionet e drejtësisë dhe do t’i kontribuojë përafrimit të Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian”, ka thënë Mustafa.
EULEX-i është misioni me i madh i Bashkimit Evropian i shtirë në një vend. Ky mision, përveç kompetencave të caktuara ekzekutive në fushën e drejtësisë, kryesisht merret me këshillimin, monitorimin dhe mentorimin e institucioneve të Kosovës në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit. Por, gjatë dy viteve të ardhshme, kryeministri Mustafa ka thënë se ky mision do të duhej që t’i barte edhe një pjesë të kompetencave ekzekutive te institucionet e Kosovës.
“Qeveria vlerëson se tani janë pjekur kushtet për transferimin edhe të më shumë përgjegjësive nga EULEX-i në institucionet vendore të drejtësisë dhe kontributi i këtij misioni të përqëndrohet më shumë në monitorim, në mentorim dhe këshillim”, ka theksuar Mustafa. Nga puna praktike në Kosovë, ky mision kryesisht është marrë me hetimin dhe zgjidhjen e rasteve të cilësuara të krimit të nivelit të lartë që përfshijnë krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka thënë se me autoritetet e Bashkimit Evropian janë pajtuar që disa nga këto raste, megjithatë, t’u transferohen institucioneve vendore. “Jemi pajtuar së bashku me BE-në që EULEX-i të transferoj një numër të konsiderueshëm të rasteve tek institucionet vendore të cilat konsiderohen të transferueshme dhe mund të trajtohen me sukses nga institucionet vendore”, ka thënë Kuçi. Vazhdimi i misionit të EULEX-it, për profesorin e të Drejtës Penale, Ismet Salihuishte më se i domosdoshëm.
Ai thotë se gjyqësori apo organet e drejtësisë në përgjithësi në Kosovë, nuk janë ende të gatshme të funksionojnë si të pavarura dhe të pandikuara nga politika. Profesori Salihu beson se ky mision do të ketë punë në Kosovë jo vetëm deri në qershor të vitit 2018, por deri në qershor të vitit 2020. “Në përgjithësi sistemi i drejtësisë nuk ka arritur të garantoj autonominë e duhur. Akoma është i pranishëm ndikimi politik, e aq më keq ai i partive politike. Për këtë arsye edhe është më se i domosdoshëm dhe i dobishëm ende edhe në të ardhmen prania dhe ndihma e EULEX-it. Sidomos, kur është fjala për krijimin e organizuar, për ata persona që kanë kryer krime, por të cilët janë edhe në pozita shtetërore politike dhe hierarkike”, ka thënë profesori Salihu.

Rusia shokon Anglinë në shtesë

Sapo kishte nisur minuta e parë shtesë e ndeshjes mes Anglisë e Rusisë, kur “arinjtë” e kanë barazuar rezultatin. Në minutën e 73’ për anglezët ishte Dier, që shënoi një gol të mrekullueshëm nga goditja e dënimit, ndërsa rusët kanë shënuar një gol të bukur me një aksion të gjatë në minutën e 91’. Angli-Rusi është sfida e dytë e grupit B, pas asaj Uells-Sllovaki që përfundoi me rezultatin 2 me 1 për Gareth Bale e shokë.
Anglia zhgënjen në ndeshjen e parë të saj në Grup B të Euro 2016. Përfaqësuesja e Tre Luanëve barazoi 1-1 me Rusinë në një sfidë të cilën e dominoi me lojë dhe raste, por një shpërqendrim në kohën shtesë i hoqi mundësinë skuadrës së Roy Hodgson për ta nisur në munyrën më të mirë të mundshme turneun. Finalizimit perfekt të Eric Dier rusët iu kundërpërgjigjjëm me golin e Berezutskit atëherë kur të gjithë po prisnin vërshëllimën e fundit të Rizzolit.
Anglia e nisi vrullshëm sfidën duke e vënë në vështirësi mbrojtjen ruse që në minutat e para. Në të 22 Lallana nuk gjeti portën pas pasimit të Ëalker, ndërsa për të ardhur më pas të goli i shënuar nga Harry Kane në pozicion jashtë loje.
I vëmendshëm Akinfeev në minutën e 35 pas goditjes potente të Rooneyt, ndërsa 3 minuta para përfundimit të pjesës së parë portieri i Rusisë u shfaq sërish i vëmendshëm pas harkimit të Rose.
Pjesa e dytë e gjen Anglisë sërish në gjysmëfushën e Rusisë. Rooney në të 55-ën provon me një goditje standarde që përfundon mbi tra, ndërsa rusët kundërpërgjigjne në të 63 me Smolov, që gjuan me të brendshmem, por pa saktësinë e duhur

Debutim historik me fitore për Uellsin në Euro 2016

Ndeshja e parë në Kampionatin Europian dhe Uellsi regjistron fitoren e parë. Një sukses i merituar 2-1 përballë Sllovakisë. Eksperienca më e madhe bëri që Sllovakia ta niste më mirë sfidën, me Hamsik që në të 3-ën dribloi tre kundërshtarë dhe provoi portën, me Davies që shpëtoi ekipin e tij në vijën e portës.
Ky episod krijoi iluzionin se sllovakët do të debutonin, por Uellsi ishte ekipi më i mirë në pjesën e parë. Gareth Bale në minutën e 10-të kaloi të tijtë në avantazh pas një goditje dënimi, duke përfituar edhe nga gabimi i Kozacik.
Me kontrollin e plot në lojë, skuadra e Coleman krijoi idenë se mund të thellonte avantazhin me Ramsey dhe yllin e Realit të Madridit. por, kjo nuk ndodhi. Në fraksionin e dytë të lojës, Sllovakia u zgjua. Duda, i aktivizuar prej pak sekondash nga stoli shfrytëzoi asistin e Mak dhe mposhti portierin Ward.
Por, Uellsi besoi deri në fund dhe sulmuesi Robson-Kanu mposhti Kozacik me një goditje jo të parezistueshme në zonë. Ky ishte goli i fitores, me tifozët e pranishëm në Bordo që shpërthyen në festë.

Kosovë, Mustafa: Gati për dialog me opozitën

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa në një intervistë për Deutsche Wellen mbi debatin me opozitën për demarkacionin me Malin e Zi, dialogun me Serbinë, vazhdimin e mandatit të misionit EULEX dhe Gjykatën Speciale.
– Zoti Kryeministër, sa jeni i bindur se do të ratifikohet marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi, në parlamentin e Kosovës. Mund të themi se kjo çështje do të kalojë në parlament pa telashe, tashmë ajo është edhe kriter për liberalizimin e vizave?
Ne kemi qenë të befasuar me përfshirjen e çështjes së demarkacionit si kriter në liberalizimin e vizave, sepse një kriter i tillë nuk është aplikuar tek vendet e tjera. Mirëpo, megjithatë ne jemi falënderuar ndaj Komisionit Evropian për dhënjen e rekomandimit pozitiv, por tash duhet të punojmë edhe me deputetët e Kuvendit të Kosovës edhe me opinionin, sepse është politizuar çështja e demarkacionit, në mënyrë që kjo të kalojë në kuvend dhe të ratifikohet marrëveshja me Malin e Zi. E vërteta është se ne nuk e kemi asnjë kontest pronësor apo shtetëror me Malin e Zi, por kemi marrëdhënie të mira në të gjitha fushat dhe mendoj, se ky duhet të jetë argument kryesor që kjo çështje të kalohet. Për neve është me rëndësi që Mali i Zi është deklaruar se në çdo moment ata do të jenë në gjendje të diskutojnë çdo argumentim të ri, në qoftë se eventualisht do të ishte bërë ndonjë gabim në shënimin e vijës kufitare, mirëpo deri tash komisioni nuk ka konstatuar se është bërë ndonjë lëshim në shënimin e kësaj vije kufitare. Ka pasur vërejtje nga opozita, por ne do të mundohemi ta menaxhojmë këtë dhe të ratifikohet.
-Zoti Kryeministër ka zëra brenda koalicionit qeverisës, të cilët thonë se çështja e demarkacionit duhet diskutuar mirë para se të hyjë në parlament për ratifikim. Sa ekziston mundësia që marrëveshja e demarkacionit të mos ratifikohet në parlament, të mos arrihet tek dy të tretat e votave për ratifikim?
Rreziku ekziston gjithmonë, por për ne është me rëndësi që të punojmë në parlament, të punojmë me të gjitha komisionet e kuvendit të punojmë me të gjithë deputetët, sidomos me deputetët që gravitojnë nga pjesa e Dukagjinit, sepse ata janë me të ndieshëm me këtë çështje, sepse atje ka qenë një kufi administrativ që e ka nda atëherë krahinën e Kosovës me Republikën e Malit të Zi, që ka qenë kufi i ngurtë shtetëror dhe natyrisht njerëzit i kanë shfrytëzuar ato hapësira qoftë për kullosa, qoftë për nevoja të tjera dhe kurrë nuk e kanë konsideruar që vija kufitare i ka ndarë ato, prandaj është vështirë t’u thuhet se ju nuk keni të drejtë të kaloni andej dhe t’i shfrytëzoni ato hapësira, edhe pse me marrëveshje ndërshtetërore mund të bëhet, por ne duhet të punojmë me njerëzit.
-Zoti Kryeministër, jeni të gatshëm të diskutoni me partitë opozitare para se çështja e demarkacionit të shkojë në parlament për ratifikim?
Gjithsesi, ne kemi qenë të gatshëm ta diskutojmë edhe kur ishte komisoni, jemi ulur në një tavolinë edhe me opozitën dhe me rëndësi është që pra që jemi ulur bashkë, ka pasur qëndrime kundër të opozitës, por ne jemi të gatshëm prapë që të ulemi dhe me mendje të ftohtë dhe të arsyeshme t’i bisedojmë të gjitha këto çështje dhe të gjejmë një zgjidhje të përbashkët.

Rama takim me Rroshin në Itali

Persona, të cilët njohin nga afër kryebashkiakun e Kavajës, Elvis Rroshi akuzojnë këtë të fundit si një person me precedentë të rëndë penalë. Kështu, kryebashkiaku i Kavajës ka qenë i përfshirë përveçse në trafikun e drogës në Zvicër, ku edhe është burgosur, ai gjithashtu ka trafikuar klandestinë në Kavajë nga ‘97 deri në 2000, ka plagosur shtetasin Riza Aliu në këmbë me pistoletë e shumë të tjera. Këto të dhëna janë bërë publike nga ish-Kryeministri Sali Berisha. Në faqen e tij në rrjetin social Facebook Berisha ka postuar mesazhet e disa qytetarëve, të cilët akuzojnë Rroshin për krime të shumta dhe takimin e Ramës me Rroshin këto ditë në Itali. “Qytetarët dixhital akuzojnë: Rroshin për trafiqe kriminale, njerëzish, drogë, plagosje me armë zjarri, burgosje dhe në Zvicër; Ramën se u takua këto ditë me Rroshin në Itali etj. Këtu më poshtë keni mesazhet e tyre! Sb”, shprehet Berisha. Ndërsa në mesazhin e qytetarit me inicialet L.R., thuhet: “I nderuar doktor, jam L.R. Doja t’ju informoja mbi Ervin Elvis Rroshin, unë e kam komshi dhe ja di të gjitha pislliqet., si psh…trafikun e drogës, tip heroinë në Zvicër, trafikun e klandestinëve në Kavajë nga ‘97 deri në 2000 të cilën e bënte e shoqëruesin e gomones Astit Veliu, i cili sot është shoferi i tij personal. Plagosjen e shtetasit Riza Aliu në këmbë me pistoletë e shumë të tjera. Dua që t’ja bëni publike këtij mashtruesi krimineli ordiner që mbrohet nga Edvini. Faleminderit e respekte”, thuhet në mesazhin e postuar nga Berisha. Gjithashtu edhe në mesazhin tjetër të postuar nga ish-Kryeministri në Facebook qytetari me inicialet T.G., shprehet se Rroshi është një trafikant i regjur droge, që ka qenë në burg edhe në Zvicër. Ndërkohë që nënvizon faktin se Rama në Itali nuk ka takuar vetëm kombëtaren, por edhe Rroshin. “Përshëndetje doktor, Rroshi është një trafikant droge i regjur. Ai ka qenë në burg edhe në Zvicër me çunat e Durrësit. Apo dhe kjo nuk i kujtohet, miq të mi më thonë se Rama në Itali nuk takoi vetëm skuadrën tonë që urojmë me zemër fitore nesër, por takoi dhe Ervisin e tij, me respekt të madh për ty, T.G”, thuhet në mesazhin tjetër të postuar nga Berisha.

Në pesë muaj, Rama rriti borxhin e jashtëm rritje me 105 milionë euro

Borxhi i jashtëm i ekonomisë shqiptare në fund të tremujorit të parë të këtij viti arriti në 7.73 miliardë euro. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, borxhi i jashtëm u rrit me 1.3% ose rreth 105 milionë euro që nga fillimi i vitit. Rritja e borxhit të jashtëm të ekonomisë erdhi në pjesën më të madhe nga sektori privat, sidomos në formën e huave të ndërmarrjeve zotëruese te kompanitë e tyre shqiptare. Borxhet e kompanive të huaja ndaj aksionerëve të tyre u rritën me rreth 3%, duke arritur në rreth 1.76 miliardë euro. Ndërsa borxhet e kompanive private kundrejt subjekteve jorezidente u rritën në 1.29 miliardë euro, rreth 1.8% ose 23 milionë euro. Ndërkohë, pas një rritje të fortë në tremujorin e fundit 2015, borxhi publik për tremujorin e parë të këtij viti u rrit në përmasa shumë më të kufizuara. Totali i borxhit publik, në fund të muajit mars, arriti në afro 3.32 miliardë euro, me një rritje prej 0.7% që nga fillimi i vitit. Për sa i takon sistemit bankar, vlera e detyrimeve të jashtme regjistroi një rritje të lehtë në vlerën e 1.29 miliardë eurove, me një rritje prej vetëm tetë milionë eurosh në tre muaj. Në kushtet e bollëkut të likuiditetit nga depozitat e publikut dhe të një kërkese të dobët për kredi, bankat nuk kanë pasur nevojë të kërkojnë burime financimi shtesë, përmes huave të jashtme. Ndërkohë, ekonomia e vendit është përfshirë nga një valë e shtuar borxhesh këtë fillimvit, e nxitur nga kriza e sektorit të industrisë, e cila po vuan çmimet e ulëta të naftës dhe mineraleve në tregjet ndërkombëtare dhe klimën jo fort të përshtatshme të ambientit të brendshëm të biznesit. Ende pa u parë rezultatet e pastrimit të 60 miliardë lekë borxhe qeveritare të prapambetura të krijuara para 2013-s, mungesa e likuiditetit po shtrihet si një merimangë në të gjithë kapilarët e ekonomisë. Fenomeni ka përfshirë edhe qeverinë, e cila në fund të 2015 ka krijuar detyrime të reja ndaj kompanive private të kontraktuara për punë publike dhe rreth 10 milionë euro. Nga ana tjetër, lista e borxhlinjve të këqij në tatime vetëm për tre muajt e parë është shtuar me 1366 subjekte të reja, teksa ekstraktet e QKR janë tejmbushur me sekuestro nga shoqëritë përmbarimore për shkak të detyrimeve që kanë ndaj bankave dhe të tretëve. Sistemi bankar po kërcënohet nga një valë e re kredish të këqija, si rrjedhojë e shitjeve nën kosto në sektorin e industrisë. Banka e Shqipërisë ka lajmëruar se, vetëm nga falimenti i kompanisë Kurum borxhet e kreditë e këqija mund të rriten me 1 pikë përqindje. Detyrimet zinxhir në sektorin e industrisë arritën në 1 miliard dollarë, ku kryesojnë kompanitë ARMO me 595 milionë dollarë dhe Kurum me 375 milionë dollarë. Ndërsa qindra kompani të sektorit të industrisë minerare dhe naftës janë duke punuar me humbje. Disa prej tyre kanë shpallur falimentin dhe të tjera janë duke kërkuar blerës. Për rrjedhojë, ndaj kompanisë publike së nxjerrjes së naftës, Albpetrol është akumuluar një detyrim prej 60 milionë erosh, nga mospërmbushja e detyrimeve kontraktore në zinxhirin e sektorit. Ky zinxhir borxhesh duket se ka prekur edhe pjesën më vulnerabël, punonjësit e kompanive, të cilët këto ditë janë hedhur në protesta për pagat e prapambetura. Në sektorë të tjerë, kriza e borxheve është thelluar edhe nga mungesa e likuiditetit. Rënia e konsumit ka ulur të ardhurat për kompanitë, të cilat po hasin së fundi vështirësi në shlyerjen e faturave. Gelas Yzo, nga shoqëria përmbarimore EPSA, pohoi se kohët e fundit është shtuar ndjeshëm ekzekutimi me forcë i arkëtimeve biznes me biznes edhe për faktin se fatura e TVSH është titull ekzekutiv që prej vitit të kaluar. Redona Sokoli, një ekonomiste në biznesin e pjesëve të këmbimit, pohoi se këtë vit edhe klientët seriozë po hasin vështirësi në likuidimin e furnizimeve sipas kontratave. Ajo shpjegon se ekzekutimi nga përmbarimi i faturave ka kosto të larta. Kriza e borxheve është thelluar edhe në sektorin e ndërtimit. Hajredin Fratari nga Konfindustria, pohon se nga anketimet e shoqatës borxhet që kompanitë e ndërtimit i kanë njëra-tjetrës dhe zinxhirit të sektorëve i kalojnë të 200 milionë dollarët aktualisht. Llazi Balliu, një kontabilist i vjetër thotë se, borxhet janë pasqyrë e zhvillimit të dobët të ekonomisë. Sipas tij, përmirësimi i konsumit është guri i themelit për të rigjeneruar rritjen, por kjo nuk ka sesi të ndodhë nëse burimet që financojnë konsumin nuk rriten.