Ish-kryeministri Sali Berisha ka dënuar ashpër dje aferën skandaloze të RTSH, e cila i ka dhënë të drejtën një televizioni tjetër të transmetojë Kampionatin Europian duke penalizuar qytetarët shqiptarë, të cilët nga falas që e merrnin këtë shërbim, tashmë janë të detyruar të paguajnë. Berisha i bëri thirrje Prokurorisë të nisë menjëherë hetimet në lidhje me këtë aferë.
“Edvin Kristaq Rama me Gëllçin e tij të zi dënon me gjobë çdo sportdashës shqiptar për të paguar për çdo ndeshje të Kampionatit Europian!
Të dashur miq, Edvin Kristaq Rama me Gëllçin e tij të zi, dënuan çdo sportdashës shqiptar me një gjobë turpi për çdo ndeshje, pasi RTSH jua dha të tjerëve të drejtën e transmetimit të ndeshjeve në kundërshtim flagrant me ligjin që e detyronte atë të transmetonte falas ndeshjet e Kampionatit Europian të futbollit për qytetarët që financojnë me taksat e tyre Televizionin Publik Shqiptar.
Një aferë e pistë prej 8 milionë euro qendron në bazë të kësaj gjobe kriminale të qytetarëve nga Rama dhe Gëllçi i tij i zi. I bëj thirrje Grupit parlamentar të nisë menjëherë procedurat e shkarkimit të banditit që Olsi Rama solli nga jashtë për t’i dorëzuar RTSH-në.
I bëj thirrje Prokurorisë së shtetit të nisë menjëherë hetimet për Gëllçin e zi, Olsi dhe Edi Ramën që qëndrojnë mbrapa tij, për aferën korruptive që dënon me gjobë çdo qytetar shqiptar!” thekson ish kryeministri Berisha në postimin e tij.
Berisha: Prokuroria të nisë hetimet për aferën e RTSH
Granit Xhaka vesh fanellën kuq e zi
Granit Xhaka në përfundim të ndeshjes ka bërë një veprim emocionues dhe historik. Ai pas përfundimit të ndeshjes ka veshur fanellën e vëllait të tij Taulatin dhe ka përshëndetur tifozët kuq e zi. Ky veprim i Granit Xhakës ka marr duartrokitjet e tifozëve shqiptar. Emocionet e debutimit në Kampionatin Europian dhe të një përballje ndaj Zvicrës së shqiptarëve, lanë shenjë te Shqipëria. Kjo u pohua edhe nga Taulant Xhaka pas sfidës së parë të kuqezinjve në Euro 2016, të humbur 1-0 me Zvicrën.
Graniti vlerësoi lojën e kuq e zinjve. “Ishte një fitore e rëndësishme dhe shumë e vështirë. E dinim që në fillim se Shqipëria ka një skuadër shumë të mirë. E merituam këtë fitore dhe jam i gëzuar. Është pak më e vështirë të luash me një lojtar më pak se 11 kundër 11. Shqipëria ka skuadër shumë difensive, por edhe lojtarë të shpejt si Lenjani apo Roshi. Mund të kishim shënuar më tepër, por edhe me fitoren jemi të kënaqur. Ishte një ndeshje me shumë emocione si për mua ashtu edhe për Taulantin. Është folur shumë përpara ndeshjes, por e rëndësishme ishte që dhamë maksimumin për ekipet tona. Shpresoj që edhe Shqipëria do të kualifikohet. Shqipëria ka shanse kundër Francës dhe mund t’ia dalë nëse paraqit kështu si ndaj Zvicrës. Por edhe ne kemi një ndeshje me Rumaninë ku duhet të përqendrohemi”, u shpreh Granit Xhaka.
Krahas besimit për shanset e Shqipërisë që transmetuan vëllezërit Xhaka, Taulanti, më i madhi prej tyre foli edhe për nervozimin e shfaqur në momentin e zëvendësimit nga De Biasi, por pa krijuar polemika. “U mërzita që u zëvendësova, por ky ishte vendimi i trajnerit që kërkonte të luante në mënyrë më offensive”, tha ai.
“Besoj se në 20 minutat e para kishim emocione, goli që pësuam ishte për gabimin tonë. Duhet të përmirësohemi dhe që kjo të mos ndodhë edhe kundër Francës. Zvicra ka ekip shumë të mirë dhe me nivel të lartë lojtarësh. Por, edhe ne treguam se e kemi ekipin shumë të mirë dhe në Europian nuk ka skuadra të vogla. I kishim mundësitë tona. Një gol kundër Zvicrës mund ta kishim shënuar. Tani të shohim ndaj Francës”, u shpreh Taulant Xhaka.
Vëllezërit Xhaka, që për sfidën përballë njëri-tjetrit u shndërruan në fenomen europian, treguan emocionet e sfidës, por edhe shpresat për ecurinë e Kombëtares në Kampionatin Europian. “Zvicra dhe ne do të shkojmë në raundin tjetër. Graniti jep maksimumin për Zvicrën unë për Shqipërinë”, tha Taulanti.
Beteja vazhdon!
Një festë futbolli që nuk u kurorëzua ashtu si të gjithë shqiptarët shpresonin. Në humbjen me Zvicrën, Kombëtarja u ndikua nga emocionet e minutave të para. Sipas Gianni De Biasi kjo ndodhi pavarësisht përgatitjeve në këtë drejtim, megjithatë, në tërësinë e ndeshjes, trajneri e cilësoi të mirë paraqitjen e ekipit. “Ishte një ndeshje festive, pasi kishim shumë tifozë shqiptarë dhe kjo ishte mjaft e bukur. Por, nga ana tjetër, ia falëm 20 minutat e para kundërshtarëve, pasi nuk hymë në ndeshje me mentalitetin e duhur. Nuk duhej të ishim ndikuar në këtë mënyrë nga ndeshja dhe nga emocionet e debutimit. Përpara ndeshjes e kisha thënë që duhet të mundoheshim ta nisnim mirë ndeshjen, duhej t’i kalonim emocionet dhe tensionin. E kishim përgatitur mirë sfidën, edhe pse nuk e interpretuam mirë në fillim, por në tërësi ishte një paraqitje e mirë e skuadrës”, u shpreh De Biasi.
Në një ndeshje të ndikuar nga episodet kundër, si goli i pësuar apo kartoni i kuq i kapitenit Cana, Shqipëria kishte shanset e saj për gol. Episodet e pashfrytëzuara nga Sadiku dhe Gashi janë pengu i madh i kuqezinjve, ndërsa De Biasi i trembet edhe lodhjes së lojtarëve. “Po, patëm tre raste mjaft të pastra gjatë ndeshjes. Madje në pjesën e dytë të lojës kishim dy mundësi flagrante dhe sfida mund të ndryshonte. Për më tepër, mos të harrojmë që ishim edhe në inferioritet numerik. Ky është aspekti që peshon edhe pak më tepër, prej punës dhe lodhjes më të madhe të skuadrës, në tentativën që të ndryshonim rezultatin”, tha trajneri.
Beteja e humbur nuk e demoralizoi trajnerin kuqezi, që kërkon nga skuadra të shfrytëzojë shanset e saj në dy sfidat e mbetura me Francën dhe Rumaninë. “Lufta vazhdon. Humbëm raundin e parë, nga tre të mundshëm. Na mbeten edhe dy ndeshje, që duhet të mundohemi t’i shfrytëzojmë sa më mirë, edhe pse jemi të vetëdijshëm se luajmë ndaj kundërshtarë të vështirë. Megjithatë, duhet të luajmë ashtu si në pjesën e dytë të sfidës me Zvicrën”, përfundoi De Biasi.
Në morinë e opinioneve të pasndeshjes, qendërmbrojtësi Mërgim Mavraj bën ndoshta analizën më të saktë të humbjes së Shqipërisë në debutimin e saj në Europian. “Ky është një nivel shumë i lartë. Edhe zviceranët gabuan, edhe Franca gaboi një ditë më parë, por në këtë nivel kundërshtari nuk ta fal gabimin dhe në rastin e parë që i vjen bën gol siç ndodhi me Zvicrën, kurse ne i patëm rastet dhe nuk e ndëshkuam. Këtu është dallimi, pasi çdo skuadër gabon, jo vetëm sot, por gjithmonë, jo vetëm ne”, tha Mavraj.
Më urtësinë që e karakterizon, Mavraj preferon ta vërë theksin te notat pozitive të kësaj ndeshjeje për Shqipërinë. “Nuk do të flasim për gabimet, por për paraqitjen e skuadrës. Ka qenë një paraqitje shumë e mirë. Kemi pësuar gol dhe ngelëm me 10 lojtarë dhe nuk e di se sa mund të jenë ato skuadra që të përgjigjen në këtë mënyrë dhe të mbajnë atë ritëm si ne. Mendoj se përfaqësuam kombin me shumë vlera”, përfundoi Mavraj.
Petkoviç: Patëm fat, përgëzime Shqipërisë
Trajneri i Zvicrës, Vladimit Petkoviç e pranoi se skuadra e tij ishte me fat që mori tri pikët në sfidën me kuqezinjtë. Gjithsesi, ai konsideron një fitore të merituar në kompleksitetin. “Në fund sigurisht që e merituam fitoren dhe pse në disa momente e vendosëm vetë veten në vështirësi. Duhet t’i kishim shfrytëzuar rastet që krijuam. Më pas ndodhi që me topa të gjatë rrezikuam të ndëshkoheshim. Në fund patëm fat, ishte portieri ynë që na shpëtoi”, u shpreh Petkoviç.
Petkoviç në analizën e tij thekson se Zvicra lëshoi shumë në lojën e saj, por nuk ngurron ta përgëzojë Shqipërinë për grintën që shfaqi në fushë. “Nuk mbajtëm ritmin, nuk vrapuam si në 20-30 minutat e para dhe lejuam kundërshtarët që të dilnin përpara dhe të provonin edhe me goditjet standarde. Edhe në rastin e parë ishin dy lojtarë tanë që duhet ta kontrollinin topin. Sidoqoftë urime Shqipërisë, sepse luajti një ndeshje të mirë, të fortë dhe në fund na bën të vuanim”, tha trajneri i Zvicrës.
I pyetur për dyelin mes vëllezërve Xhaka, Petkoviç u shpreh shkurtimisht. “Vëllezërit Xhaka bënë lojën e tyre, janë lojtarë të ndryshëm, por shumë të rëndësishëm për skuadrat e tyre”, përfundoi trajneri i Zvicrës.
Debutim i hidhur!
Shqipëria humbet 1-0 sfidën e parë në Francë 2016. Një disfatë minimale e gatuar nga gabimet individuale, por mbi të gjitha nga shpërdorime të pabesueshme para portës. Padyshim që meritonim më shumë nga një ndeshje e emocioneve të jashtëzakonshme me tifozët shqiptarë që kishin ngjyrosur kuqezi stadiumin e “Lens”.
Është kjo Shqipëria që hyn në fushën e Bollaert-Delelis për debutimin europian. Është ky himni shqiptar që këndohet për herë të parë në një event madhor futbollistik. Momente drithëruese, këndojnë të gjithë bashkë lojtarë dhe tifozët që kanë mbushur stadiumin, për të treguar se kush dominon duelin e tifozëve, është kjo shqipja dykrenare që valëvitet.
Asnjë ndryshim në formacionin e paralajmëruar nga “Sport News”, 4-5-1 që shndërrohet dhe në 4-3-3 me Mavrajn e Canën para Berishës, Kukelin në kabinën e regjisë dhe Sadikun në sulm. Plot 5 shqiptarë në radhët e Zvicrës me Shaqirin, Mehmedin, Xhemaili, Behramin e Granit Xhakën titullarë. Përqafimi i fundit i vëllezërve Xhaka para se të jenë kundërshtarë për 90 minuta me Taulantin që gjuan dhe topin e parë të Shqipërisë në një europian. Edhe këtu e përndjek Shqipërinë sindroma e golit të shpejtë. Që në minutën e pestë, dalje krejtësisht e gabuar në një goditje këndi e Berishës, përfiton Fabian Schar që ndëshkon Shqipërinë.
Në avantazh të shpejtë Zvicra përpiqet të menaxhojë, ndërsa Shqipëria nuk gjen dot hapësirat, nuk mjafton goditja e lehtë e Taulant Xhakës në minutën e 15, menjëherë më pas Seferovic del i vetëm në hyrje të zonës, por këtë herë është gati Berisha, padyshim i shqetësuar në stol De Biasi, (minuta 17). Në të 23 Lorik Cana merr një karton të verdhë për këtë ndërhyrje ndaj Xhemailit, do të rezultojë vendimtar më pas, në të 26 Taulant Xhaka kombinon me Roshin dhe gjuan jashtë, rasti i parë për Shqipërinë, ai i arti vjen pas gjysmë ore lojë, kur Hysaj shpik një asist të mrekullueshëm nga mesi i fushës për Armando Sadikun që e gjen të vetëm me Somer, por nuk arrin të shënojë. Çfarë rasti, as vetë Sadiku nuk arrin ta besojë çfarë ka humbur. Goditje e rëndë për Shqipërinë në të 36, Cana në vështirësi në duelin me Seferovic, rrëzohet në tokë dhe largon topin me dorë, Carballo nuk ka dyshime, karton i dytë i verdhë për Canën që lë fushën, dhe humbet dhe ndeshjen e ardhshme me Francën.
Nga goditja e dënimit, Blerim Xhemaili. Mbeten të rrezikshëm zviceranët me Xhemailin që provon sërish në të 40, duke gjuajtur jashtë, ndërsa 3 minuta më pas është Seferovic që tenton nga brenda zonës me Berishën që neutralizon goditjen. Pjesa e dytë nis pa zëvendësime, por me Kukelin të tërhequr në mbrojtje, Shqipëria mbetet në kërkim të golit edhe në inferioritet numerik. Në të 50, Hysaj bën bis me një tjetër asist për Sadikun që nuk arrin dot në takimin me topin, ndeshje ritmike me Seferovic që shfaqet rrezikshëm në të 53, por Berisha një tjetër herë i thotë jo. Në të 61 përfundon ndeshja e Taulant Xhakës që i bën vend Ergys Kaçes, e përjeton disi me nervozizëm i madhi i vëllezërve Xhaka. Kundërsulm i artë për Zvicrën në të 66 me Seferovic që del i vetëm para Berishës që bën një mrekulli të vërtetë, prishtinaliu është kthyer në makthin e boshnjakut që i mbetet vetëm t’i gjuajë shtyllës.
Në të 73, tjetër zëvendësim me Cikalleshin që zë vendin e Roshit, vetëm 2 minuta më vonë shqiptarëve ju duhet të vënë duart në kokë, Hysaj bën gjeometrin dhe nxjerr të lirë Sadikun që konfirmon ditën jo. Në të 79 ka një pretendim të Lenjanit për 11 metërsh, por Carballo vazhdon lojën. 3 minuta më vonë është radha e Shaqirit për t’u përballur me Berishën, finale e nxehtë me Shqipërinë që mbetet para e vendosur për të gjetur golin e barazimit dhe mundësinë e artë e ka në minutën e 87. Gashi në pozicion të rregullt del i vetëm para Sommer, ka kohë hapësirë dhe çfarë të dojë për të shënuar, por gabon në mënyrë të pabesueshme. E pamundur të humbet një mundësi e tillë. Nuk ke se çtë kërkosh më tepër, pavarësisht minutave të mbetuyra dhe përfundon mes duartrokitjeve e përafrimeve në fushë me Shqipërinë që humbet 1-0 ndeshjen e saj të parë në një europian.
FMN detyron qeverinë të tërhiqet nga koncesionet
Një paketë ndryshimesh ligjore të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë me kërkesë të Fondit Monetar Ndërkombëtar në seancën e 2 qershorit 2016, imponon një set të ri dhe të detajuar rregullash, të cilat synojnë të detyrojnë qeverinë të mbajë disiplinë buxhetore të tillë që të sjellë reduktim të borxhit publik si përqindje e PBB-së si dhe të përmbajë veten nga krijimi i llojeve të tjera të borxhit publik, të tilla si kontratat koncesionare me kosto buxhetore si ato që janë përdorur nga qeveria aktuale.
Ndryshimet në Ligjin 9936, ku imponohet një set mekanizmash të quajtura “rregulla fiskale” si dhe koncepti “veprimtari thuajse fiskale” synojnë që Shqipëria të arrijë të reduktojë borxhin publik formal si dhe disa shpenzime, të cilat janë në thelb, borxh publik por jo të klasifikuara si të tilla, me qëllimin që brenda disa viteve, borxhi publik si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto të reduktohet nga niveli aktual prej 73 për qind e PBB-së në nivelin prej më pak se 45 për qind e PBB-së. Rregulla të tjera synojnë të shmangin fenomenin e zakonshëm të abuzimit me buxhetin e shtetit në vitet me zgjedhje përmes fryrjes së investimeve publike para datës së zgjedhjeve.
Këto ndryshime vijnë si pasojë e dështimit të konceptit të imponuar po nga FMN në vitin 2008 i njohur si “tavani i borxhit”, ndërkohë që për të shmangur lojën e fjalëve me borxhin publik, ligji i ri parashikon në detaje mënyrën se si llogaritet borxhi publik dhe imponon përdorimin e statistikave të Fondit Monetar Ndërkombëtar si njësi matëse e pavarur nga qeveria e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Ligji i vitit 2008 për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor kishte kritere të ngjashme, por shumë më pak të detajuara për moslejimin e qeverisë që të rrisë borxhin publik për qëllime elektorale, por zbatimi i këtij ligji duket se dështoi për shkak të mungesës së mekanizmave të zbatimit.
Teorikisht qeveria nuk lejohej të rriste borxhin publik në mbi 60 për qind të PBB-së, por praktikisht, kjo u bë fillimisht me manipulime në parashikim apo në llogaritje aritmetike dhe më pas, përmes shfuqizimit të këtij neni. Ligji i ri për menaxhimin e buxhetit të shtetit rrezikon të ketë të njëjtin fat.
Dështimi i “Tavanit të Borxhit” dhe Rregullat Fiskale
Në vitin 2008, po me këshillën e FMN-së, Shqipëria miratoi një ligj, ku për herë të parë, vendoste një limit ligjor për nivelin e borxhit publik si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ligji 9936 sanksiononte në nenin 58 se, qeveria nuk ka të drejtë ta rrisë borxhin publik përtej nivelit 60 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në kohën kur u miratua ky ligj, borxhi publik kishte rënë në nivelin 55 për qind të PBB-së, por që nga viti 2009, niveli i borxhit u rrit me shpejtësi, duke e testuar në mënyrë të vazhdueshme limitin ligjor prej 60 për qind. Ky limit u njoh gjerësisht si “tavani i borxhit”. Gjatë viteve 2010 dhe 2011, një fenomen i ri u shfaq. Qeveria në buxhetet e atyre viteve, argumentonte se sipas llogarive të saj, borxhi publik qe pak më poshtë se sa kufiri ligjor prej 60 për qind. Pastaj, kur kjo nuk qe e mundur, qeveria filloi të fryjë përtej të logjikshmes parashikimin për rritje ekonomike të vendit, në mënyrë që parashikimi i saj i huamarrjes të qe gjithashtu i lartë. Problemi qe që parashikimi për rritjen ekonomike, si atëherë, edhe sot, kryhej nga Ministria e Financave, pra kishte një konflikt interesi mes dëshirës së qeverisë për të rritur huamarrjen dhe shpenzimet e veta dhe ligjit për menaxhimin e sistemit buxhetor, i cili sanksiononte një limit mbi borxhin.
Në vitin 2012, qeveria propozoi në Parlament shfuqizimin e limitit të borxhit publik, pasi manovrat e tjera të parashikimit tepër optimist të rritjes ekonomike apo të llogaritjes jokorrekte të borxhit publik si përqindje e PBB-së, nuk mjaftuan më për ta mbuluar realitetin, pra faktin që borxhi publik po rritej me shpejtësi, ndërkohë që Prodhimi i Brendshëm Bruto nuk u rrit po aq shpejt.
Në total, kriteri i kufizimit të borxhit publik me ligj në Shqipëri mbijetoi vetëm katër vjet.
Mekanizmi i ri
Fondi Monetar Ndërkombëtar detyroi qeverinë së fundmi që të kryejë ndryshime të tjera në këtë drejtim, duke imponuar konceptin e rregullave fiskale. Rregullat fiskale janë një kriter i ngjashëm me tavanin e borxhit, por ndryshe nga tavani, parashikojnë që borxhi publik të ulet gradualisht si përqindje e PBB-së përgjatë dekadave të ardhshme. Rregulli fiskal thotë që, në thelb, deficiti buxhetor i një viti të parashikohet në nivel më të ulët se sa parashikimi për rritje ekonomike dhe për të shmangur hilenë e qeverisë paraardhëse me parashikime të fryra të rritjes ekonomike, ligji i ri sanksionon që parashikimet që do të përdoren tani e tutje, nuk do të jenë më ato të qeverisë shqiptare, por parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar.
“Në çdo ligj vjetor fillestar të buxhetit, si dhe në planifikimet e buxhetit afatmesëm, kur rritja reale e Produktit të Brendshëm Bruto, e parashikuar në raportin respektiv “Perspektiva ekonomike botërore”, të FMN-së, është, të paktën 5 për qind, atëherë deficiti i përgjithshëm nuk mund të jetë më i lartë se 2 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto, përveç rasteve të rrethanave të jashtëzakonshme”, thuhet në këtë ligj.
Perspektiva ekonomike botërore është një vlerësim që FMN bën dy herë në vit bazuar mbi modelet e saj statistikore për rritjen ekonomike të pritshme të të gjitha vendeve anëtare. Deri tani, parashikimet buxhetore bëheshin në bazë të parashikimeve të kryera nga vetë Ministria e Financave.
Ndryshimi tjetër i rëndësishëm i ligjit është imponimi i detyrimit për të lënë mënjanë nga buxheti i shtetit një shumë prej deri 0.7 për qind të shpenzimeve totale të buxhetit, (rreth 3 miliardë lekë apo 22 milionë euro sipas nivelit aktual të shpenzimeve buxhetore,) si fond rezervë për mosrritjen e borxhit publik.
“Në çdo vit buxhetor të planifikuar duhet të përfshihet një kontingjencë e veçantë, prej jo më pak se 0,7 për qind e shpenzimeve totale të buxhetit, për të kompensuar rreziqe potenciale nga luhatjet në kurset e këmbimit ose normat e interesit, me ndikim në nivelin e borxhit”, thuhet në ligjin e ri.
Jo më koncesione pa limit
Fondi Monetar Ndërkombëtar fitoi mekanizma presioni ndaj qeverisë shqiptare në fund të vitit 2013, kur Shqipëria kërkoi ndihmë për dalje nga kriza dhe Fondi përdori mekanizmin e vet të zakonshëm të kredive me interesa të buta në shkëmbim të reformave disiplinuese buxhetore, fiskale apo administrative. Kjo marrëdhënie detyroi qeverinë që të mos kryejë shpenzime publike siç mund të dëshironte të bënte, për shkak të kushteve të rrepta për mosrritjen e borxhit publik. Por, qeveria duket se gjeti një hile për të shmangur këto kufizime, duke krijuar shpenzime përmes të ashtuquajturave “partneritet publik privat” për punë apo shërbime publike. Borxhi publik që llogaritet si i tillë nuk përbëhet nga të gjitha detyrimet, që shteti mund të ketë apo mund t’i lindin në marrëdhënie me qytetarët e vet. Borxhi publik përbëhet vetëm nga paratë e marra hua nën ligjin për borxhin publik. Por ka gjithashtu një dallim të madh mes borxhit publik dhe detyrimeve të pashlyera, pasi, në rast se qeveria dështon të respektojë një kontratë çfarëdo me qytetarët e vet, ajo nuk konsiderohet e falimentuar, ndërsa në rast se dështon të shlyejë interesat e principalin e borxhit publik, ajo konsiderohet e falimentuar.
Qeveria aktuale ka dhënë dhe dëshiron të vijojë të japë kontrata të tilla të majme të njohura si ‘koncesione’, për afate të gjata dhe me kosto në buxhetin e shtetit. Të tilla janë koncesioni i CheckUp, i Dializës apo i Sterilizimit, apo koncesione si ato që janë në procedurë, si ai i ndriçimit dhe rruga e “Kombit”.
Për të shmangur akrobacinë e re juridike të qeverisë, e cila efektivisht e rrit borxhin publik si detyrim kontraktual dhe jo si borxh publik, Fondi Monetar Ndërkombëtar imponoi koncepte të reja si “veprimtari thuajse fiskale” apo “veprime ekstrabuxhetore”, me synimin për të kufizuar koncesionet.
“Shuma e përgjithshme e pagesave vjetore neto, që kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme, të cilat rezultojnë nga kontrata koncesionare apo partneriteti publik privat (PPP), si rregull, nuk duhet të tejkalojnë kufirin prej 5 për qind të të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës buxhetor”, thuhet në ligjin e ri. Mbetet për t’u parë, nëse shuma e detyrimeve të koncesioneve aktuale është më e ulët apo më e lartë se sa të ardhurat tatimore praktike për shkak se, transparenca mbi kostot e këtyre koncesioneve për buxhetin e shtetit është aktualisht zero. Të ardhurat e buxhetit të shtetit vitin e kaluar qenë 379 miliardë lekë dhe 5 për qind e kësaj shume është afro 19 miliardë lekë (136 milionë euro). Ministrisë së Financave i duhet aktualisht të llogarisë se sa janë detyrimet e përgjithshme të buxhetit të shtetit të krijuara nga koncesionet si dhe të analizojë të gjitha koncesionet e reja për të parë se sa kosto do të kenë këto koncesione dhe nëse kjo kosto tejkalon kriterin e përcaktuar. Një kriter tjetër i imponuar në ligj është që Kuvendi i Shqipërisë do të duhet të miratojë shpenzimet për koncesionet ekzistuese të këtij lloji si dhe “koncesionet e reja për vitin pasardhës”, gjë që sugjeron se qeveria nuk do të mund të japë më koncesione të tilla pa marrë miratimin për shpenzimin e këtyre parave nga Kuvendi. Ky është një dallim i madh në krahasim me kontratat koncesionare të qeverisë aktuale, të cilat nuk i janë nënshtruar procedurave të transparencës, të cilave u nënshtrohet ligji për buxhetin e shtetit kur miratohet në Kuvend.
Jo më asfalt elektoral
Kriteri tjetër i imponuar nga FMN synon të disiplinojë shpenzimet buxhetore në vitet elektorale. Përgjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit, zgjedhjet në Shqipëri janë bërë zakonisht në verë dhe buxheti i shtetit ka shënuar nivele të larta deficiti në muajt para zgjedhjeve, pasi qeveritë janë përpjekur të fitojnë vota përmes rritjes së shpenzimeve publike apo përmes akordimit të sa më shumë tenderëve për krijim klientele politike. Shqiptarët kanë krijuar termin “asfalt elektoral” për të përshkruar këto lloj shpenzimesh të kryera me nxitim para zgjedhjeve dhe që kanë krijuar shpesh punë me cilësi të dobët apo rrugë që e kanë pasur jetën e shkurtër.
Sipas ligjit të ri, në nenin me titull “Kontrolli i ekzekutimit të buxhetit në vitet elektorale”, kërkohet që deficiti buxhetor i një viti elektoral të mos shpenzohet në më shumë se 30 për qind të totalit të deficitit të planifikuar në tremujorin e parë dhe jo më shumë se 55 për qind në gjashëmujorin e parë të vitit me zgjedhje. Në këtë mënyrë, qeveria nuk do të ketë të drejtë ligjore të përqendrojë shpenzimet në muajt para zgjedhjeve.
Shkelja e këtyre rregullave lejohet vetëm në kushtet e emergjencës kombëtare apo të vështirësive të mëdha ekonomike, ku me vështirësi ekonomike, sipas përkufizimit të ligjit, nënkuptohet “rritje ekonomike më pak se 1 për qind në vit”
“BIRN”
Ekonomia në pikiatë, investimet publike në shifrat më të ulëta historike
Edhe viti 2016 nuk arriti dot t’i shpëtonte një ndryshimi që Ministria e Financave do t’i bëjë buxhetit të shtetit. Nëse problemet kryesore një vit më parë ishin mungesa e të ardhurave, këtë herë vijon të mbetet shqetësim mënyra sesi shpenzohen paratë. Sipas të dhënave të publikuara të treguesve fiskalë, shpenzimet publike nuk janë realizuar në masën 150 milionë dollarë për 4 muajt e parë të vitit, duke e bërë të pashmangshëm rialokimin e fondeve.
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, tha se rishikimi i buxhetit do të bëhet dhe se do të ketë një rialokim të fondeve, por jo pa marrë më parë një miratim nga misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Deri në prill të këtij viti, qeveria duhet të kishte shpërndarë 129 miliardë lekë fonde, por nga kjo shifër janë alokuar vetëm 114 miliardë lekë. Rënia është me 10 miliardë lekë ose me 8.5% edhe nga viti i mëparshëm, i cili në fakt nuk u shqua për një ecuri të mirë të shpenzimeve. Qeveria u detyrua të ndryshonte fokusin e veprave publike 3 herë gjithsej.
Por cilat kanë qenë arsyet në vonesën e hapjes së punimeve publike? Financat kanë pohuar se ka pasur probleme me hapjen e prokurimeve të veprave të mëdha.
Në tërësi, për katër muajt e parë, shpenzimet nuk janë realizuar në të gjitha drejtimet. Fondet për investimet në vepra publike kanë një rënie 2.4 miliardë lekë krahasuar me planin, 2.3 miliardë mungojnë te shpenzimet operative dhe 2.7 miliardë lekë u mungojnë buxheteve të pushtetit vendor.
Janë gjithsej 4 projekte të mëdha të qeverisë, të cilat së fundi janë zhbllokuar dhe do të nisë zbatimi i tyre. Burime nga Ministria e Financave thonë për Revistën “Monitor” se, alokimi i këtyre fondeve pritet të përmirësojë ecurinë e shpenzimeve në buxhet.
Janë 15 milionë euro, të cilat do të fillojnë të shpërndahen në formë subvencioni për fermerët. Numri i aplikimeve shkoi në 1500 dhe pas shqyrtimeve, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të nisë shpërndarjen e tyre. Me këto para, financat besojnë se do të përmirësohet ecuria e shpenzimeve, por po ashtu pret edhe rritje të prodhimeve të fermerëve, të cilat do të rritin ekonominë.
Punimet për Unazën e Madhe, me paratë e INSIG
11 milionë dollarë, 50% e parave që janë derdhur në buxhetin e shtetit nga privatizimi i kompanisë së sigurimeve INSIG do të shkojnë për fillimin e punimeve të Unazës së Madhe të kryeqytetit. Ministria e Financave thotë se, pjesa tjetër e këtyre parave do të shkojë për uljen e borxhit publik. Gjithsej, shteti shqiptar mori nga INSIG 22 milionë dollarë.
Ku duhet të shkojnë paratë e buxhetit?
Debate të shumta ka pasur lidhur me mënyrën sesi qeveria “Rama” është duke përdorur paratë e buxhetit të shtetit. Opozita e ka akuzuar shpesh për mungesë vizioni dhe për shkurtim të fondeve në buxhet që sjellin në të vërtetë rritje ekonomike. Në fakt, e vërteta është se buxheti për investime publike është shkurtuar ndjeshëm dhe prioritet kanë pasur vepra të vogla, të cilat lidhen më shumë me fasadat…
Zef Preçi, drejtor i Qendrës për Kërkime Ekonomike, thotë se shqetësimi kryesor i këtyre viteve të fundit ka qenë pesha specifike që shpenzimet kapitale kanë pasur, nëse krahasohen me shpenzimet e tjera. Nëse dikur, shpjegon ai, investimet në vepra të mëdha renditeshin të parat sa i përket volumit të parave që ndaheshin në buxhet, sot ato janë në vend të tretë. “Problemi më i madh janë fondet, të cilat janë dhënë në këto vite për shpenzime kapitale. Orientimi që u është bërë këtyre parave nuk ka pasur në fokus lehtësimin e jetës së qytetarëve, pasi paratë e buxhetit janë taksat që ata paguajnë. Këto shpenzime kanë shkuar për zbukurime fasadash, projekte të vogla nëpër qendrat e qyteteve apo rikonstruksione zyrash. Që të rritet punësimi dhe përmirësimi i jetesës së qytetarëve është e dëshirueshme që qeveria të investojë para në vepra publike, të cilat kanë në fokus infrastrukturën”, shprehet Zef Preçi.
Por për Gjergj Buxhukun, qeveria duhet patjetër që të përfundojë veprat e nisura në infrastrukturë, përndryshe ato do të sjellin dëme të konsiderueshme, pasi do të kërkojnë para shtesë nga buxheti. “Nuk janë realizuar shpenzimet, njëherë duhet të mbyllin problematikat që ka. Mënyra më e mirë për t’i përdorur me efektivitet është të përfundojnë veprat publike, sepse vetëm kështu merr oksigjen ekonomia!”
Por administratori i Konfindustrisë është skeptik nëse në gjashtë muajt e parë, qeveria do të përmbushë apo jo planin e të ardhurave. “Kjo rishpërndarje duhet të bëhet gjithmonë me kushtin nëse do të realizohen të ardhurat. Duhet parë 6-mujori! Jam skeptik nëse do ta realizojnë planin. Edhe pse e kanë bërë pak më të ulët, po t’i marrësh në krahasim si 4-mujorë ka një ndryshim në thelb. Një vit më parë u ulën zhdoganimet për shkak të rritjes së akcizave dhe ndryshimeve që ka pasur kjo taksë, prandaj biznesi bëri më parë importin e mallrave, ndërsa këtë vit importet janë konstante dhe problematika mund të dalë në fund të majit dhe qershorit!”
Nëse buxheti do të ndryshohet, ekspertët kërkojnë që të merren masa edhe në drejtim të uljes së borxhit publik. “Paratë, të cilat do të rishpërndahen do të ishte mirë që të shkonin edhe për uljen e borxhit”, thotë Zef Preçi.
Ndërsa, Gjergj Buxhuku thotë se nuk është koha të kemi luksin për të ulur borxhin publik, për të kryefjala e financave në këto kohë që po kalojmë është shpenzime sa më të shumta. “Paratë nuk duhet të shkojnë për uljen e borxhit, sepse ritmi i rritjes ekonomike është i ulët dhe ka nevojë për injektim të parave në ekonomi. Këto janë vite kritike, prandaj më shumë shpenzime dhe jo para për borxhin”, sqaron Buxhuku.
Pse nuk rriten pagat dhe pensionet?
Në vite elektorale, Shqipëria ka njohur gjithmonë politika populiste të qeverive, të cilat kërkojnë të joshin sa më shumë votuesit. Një prej më të njohurave të qeverisjes së shkuar është rritja e pagave dhe pensioneve. Edhe pse Fondi Monetar Ndërkombëtar është shprehur kundër këtyre politikave, kabineti “Berisha” nuk ngurronte që gjithmonë, sidomos në vitet kur kishte zgjedhje, të rriste pagat dhe pensionet. Përdorimi i një fondi të tillë “elektoral” në buxhet, ishte më tipik vitin e fundit të kësaj qeverisjeje, kur vendimi nuk hyri në fuqi në fillim të vitit, por në muajin korrik.
Që prej ndryshimit të tatimit të pagave dhe futjes së progresivitetit, kabineti “Rama” ka deklaruar se nuk kishte si politikë të saj rritjen e pagave në administratë. Megjithatë, kohët e fundit po flitet gjithnjë e më shumë për një vendim të qeverisë që do të rrisë pensionet dhe pagat. “Monitor” ka mësuar se një skenar që Ministria e Financave do ta diskutojë me Fondin Monetar Ndërkombëtar është rritja e pensioneve, pas rishpërndarjes së fondeve që do të bëhen në buxhetin e këtij viti. Ministri Arben Ahmetaj e ka lënë të hapur një variant të tillë. “Shijojeni pranverën e lënies mbrapa të krizës, sepse nuk mund t’i marrim njëherësh të gjitha këto informacione të mira. Le t’i konsumojmë ngadalë-ngadalë. Le të shijojmë lënien mbrapa të krizës, le ta shijojmë rritjen e konsumit, le ta shijojmë atë rritje kredie modeste. Që kur të vijë një lajm i mirë i dytë dhe i tretë të kemi mundësi t’i shijojmë”. Por kjo deklaratë u konfirmua edhe nga vendimi që mori qeveria ditën e mërkurë për rritjen e pensioneve për 20 mijë persona që kanë dalë në pension gjatë viteve 1993 – 1996. “Nga vendimi i Këshillit të Ministrave përfitojnë përllogaritje 19,655 persona nga të cilët, 10355 persona të dalë në pension pleqërie në harkun kohor 1993-1996, me një shumë mesatare prej 8400 lekë në muaj; Përftojnë 500 ish-ushtarakë, me një shumë mesatare prej 5000 lekë në muaj; Përftojnë 8800 minatorë dhe arsimtarë, që kanë kaluar tashmë në pension të plotë pleqërie, me një shtesë mesatare që arrin deri në vlerën e 40 mijë lekë të vjetra në muaj”, ka deklaruar në një konferencë për shtyp ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi. Efekti financiar që ka kjo masë në buxhet është 3.2 milionë dollarë.
Po ashtu, “Monitor” ka mësuar se edhe Këshilli Kombëtar i Punës, institucion që varet nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ka kërkuar rritje të pagave në administratë, në mënyrë që të nxitet edhe sektori privat në rritjen e tyre.
Ekspertët janë të mendimit se rritja e pagave dhe pensioneve, edhe nëse do të bëhej sot, do të ishte një vendim i vonuar. “Është një masë e vonuar, sepse duhet të ishte bërë më parë. Pagat në sektorin privat do të reflektonin rritje, nëse do të rriteshin ato të administratës”, thotë Zef Preçi.
Ndërsa bizneset janë të mendimit se kjo do të rrisë likuiditetin në ekonomi. Për Konfidustrinë, masa më e fundit për rritjen e pensioneve në vitet e para ‘90 është modeste. “Është e mirë si masë, por duhet të dihet sa është toleranca që do t’i lërë në dorë qeverisë Fondi Monetar Ndërkombëtar. Po ashtu nuk duhet të bëhet për qëllime politike! Çdo rritje pagash dhe pensionesh është rritje likuiditeti në ekonomi, edhe pse është në nivele të ulëta, vetëm për 20 mijë veta për periudhën e parë të viteve 90’. Është pak modeste, por çdo rritje është për t’u vlerësuar”, shprehet Gjergj Buxhuku.
Në kohën që konsumi është në rënie, rritja e pagave shihet si një element, i cili do të përmirësonte blerjet dhe optimizmin e qytetarëve. Për Zef Preçin, qeveria duhet të bëjë kujdes në këtë drejtim që të mos e përdorë si një incentivë elektorale. “Pagat mesatare të Shqipërisë janë më të ulëtat në rajon. Duhen rritur, por jo duke i përdorur politikisht, pasi nuk do të sillnin efekte në ekonomi. Qeveria duhet të orientohet në zhvillimin e ekonomisë. Si pagat dhe pensionet duhet të kenë në fokus luftën kundër varfërisë, për pensionet është e nevojshme rritja e pensionit minimal”, thotë ai.
Soares: Portugalia fiton Europianin me një super-Ronaldo
Cedric Soares, mbrojtësi i djathtë që luan për Southampton-in në Angli është një nga risitë e Portugalisë në Euro 2016-të. 24-vjeçari, i cili ka zhvilluar vetëm 11 ndeshje me përfaqësuesen luzitane u përzgjodh nga trajneri Fernando Santos në listën e 23 futbollistëve që do të përfaqësojnë, Portugalinë në Francë. Soares po e shijon në maksimum këtë moment, dhe është gati të ndihmojë kombëtaren e vendit të tij të arrijë të bëjë mrekullinë në Francë.
“Europiani është një kompeticion i jashtëzakonshëm dhe ne po përgatitemi për ta nisur në mënyrën më të mirë atë. Ëndërrojmë finalen, dhe mbi të gjitha triumfin në këtë kompeticion. Do të bëjmë gjithçka për ta arritur qëllimin. Unë mendoj se nëse ne do të besojmë maksimalisht se do t’ia dalim mund të fitojmë në fund dhe të bëjmë ëndrrën realitet. Deri tani jemi në rrugën e duhur dhe nëse vlerësojmë maksimalisht çdo ndeshje mund të shkojmë larg”, tha Soares.
Cristiano Ronaldo është ylli, tek i cili varen shumë nga shpresat e Portugalisë në këtë kampionat Europian. Sipas Cedric Soares, 3-herë fituesi i Topit të Artë është futbollisti më i mirë në Botë, dhe Cristiano i ka mundësitë për të udhëhequr përfaqësuesen luzitane drejt triumfit në Francë. “Paul Pogba dhe Antoine Griezmann janë gjithashtu dy lojtarë fantastikë, por ju nuk mund t’i krahasoni ata kurrësesi me Cristiano Ronaldon. Ai është lojtari më i mirë në qarkullim, është një futbollist i një tjetër niveli dhe unë jam i sigurtë se do të shkëlqejë në Europian”, tha ai.
Benzema e ndoqi Francën nga shtëpia
Nuk u grumbullua nga trajneri Didier Deschamps në Euro 2016-të, por pavarësisht kësaj, Karim Benzema nuk heq dorë nga përfaqësuesja e Francës. Sulmuesi i Realit të Madridit, i cili mbeti jashtë Europianit për shkak të skandalit me videon me pullë të kuqe në të cilën u përfshi ai dhe futbollisti i Lyonit, Mathiew Valbuena, ishte një prej tifozëve specialë të Bluve në ndeshjen hapëse të Kampionatit Europian ndaj Rumanisë në “Saint Denis”.
Benzema nuk ishte në shkallët e “Stade De France”, por e ndoqi paraqitjen e shokëve të tij në kombëtare nëpërmjet ekranit të televizionit nga shtëpia. Fotoja e postuar nga Karim Benzema në rrjetet sociale, bëri xhiron e Botës, me mediat më të rëndësishme ndërkombëtare që i kushtuan një rëndësi të veçantë sulmuesit të Realit. Në mungesë të Benzemasë, maja e sulmit të Francës në Euro 2016-të do të udhëhiqet nga bomberi i Arsenalit, Oliver Giroud, pa harruar Anthony Martial të Manchester United, dhe Andrre Pierre Gignac.
“Kryqëzohet” Pogba
Paul Pogba zhgënjen në debutim. Në takimin mes Francës dhe Rumanisë, e gjitha bota i kishte sytë tek ylli i Juventusit, duke shpresuar se debutimi i tij në Europian do të ishte i paharrueshëm. Vëmendja e mediave franceze ishte e fokusuar e gjitha tek 23-vjeçari. Gazeta “L’Equipe”, faqen e saj të parë e hapte me mbishkrimin “Pogba shkruaj historinë”. Por mesfushori për të cilin ekipe si Reali i Madridit, PSG e shumë të tjera janë të gatshëm të shpenzojnë shuma marramendëse, nuk arriti dot të jepte më të mirën e tij. Forma e dobët ka bërë që tifozët e Gjelave të shpërthejnë në reagime negative në drejtim të Pogba.
Disa prej tyre shprehen, se mesfushori nuk e meriton besimin që i është dhënë. Disa të tjerë kanë deklaruar se shuma 120 milionë euro e ofruar për të pasur në dispozicion shërbimet e francezit është e tepruar. Ndoshta vëmendja e madhe në drejtim të Pogba, ka ndikuar negativisht tek performanca e tij, pasi mesfushori mund të jetë ndjerë nën presion sepse rreth aftësive të tij teknike, të paktë janë ata që mund të kenë dyshime. Sidoqoftë tifozët e Kombëtares së Shqipërisë duhet të kënaqen ndaj këtij fakti, pasi me një Pogba në formë të tillë, kuqezinjtë mund të fitojnë më shumë duele në mesfushë për të shpresuar në një rezultat pozitiv në ndeshjen e dytë të Grupit A.
Didier Deschamps kërkon që heroi i skuadrës së Francës në ndeshjen me Rumaninë, Dimitri Payet, të qëndrojë me këmbë në tokë. Në konferencën e shtypit pas sfidës, trajneri i bluve e pranon se sulmuesi i West Ham zhvilloi një ndeshje perfekte dhe goli i fitores e emocionoi.
“Emocionet ishin të mëdha për të, pasi ka bërë një rrugë të gjatë për një kohë të shkurtër. Do të përpiqem ta bëj të qëndrojë me këmbë në tokë. Përsa i përket ndeshjes, mund të them se, Rumania luajti hapur, pasi nuk kishte asgjë për të humbur, ndërsa ne po. Ndeshja u komplikua nga Rumania dhe për 20 apo 25 minuta ne kaluam momente të vështira. Ndeshja hapëse ngjan përherë me një finale, por unë jam i kënaqur me atë që lojtarët dhanë në fushën e lojës. Edhe pse jo gjithçka ishte perfekte, e rëndësishme është fitorja që na jep shumë besim për të ardhmen”, u shpreh Deschamps.
Në krahun tjetër, trajneri Iordanescu qan rastet e humbura nga skuadra e tij. “Luajtëm një ndeshje shumë të mirë, ku të dyja skuadrat u përballën si të barabarta. E nisëm takimin në mënyrë të jashtëzakonshme dhe krijuam disa raste që lojtarët duhej t’i shfrytëzonin. Nëse do ta kishim bërë, ndeshja do të ndryshonte. Stancu kishte një rast të pastër edhe në fillimin e pjesës së dytë, por për fat të keq nuk arriti të shënonte. Gjithsesi, përgëzoj lojtarët e mi, pasi ndoqën në detaje këshillat që u kisha dhënë. Të dhemb shumë kur e humbet ndeshjen në minutën e 89, por e theksoj se zhvilluam një ndeshje shumë të mirë”, përfundoi trajneri i Francës.