21.5 C
Tirana
E mërkurë, 13 Gusht, 2025

Mesi i lumtur për 3 golat: Motivim për sfidat e tjera

Lionel Mesi i lumtur për fitoren ndaj Panamasë. Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” u shpreh i kënaqur për rikthimin e tij në fushë në ndeshjën kundër kombëtares modeste nga Amerika Qendrore. Argjentinasi hyri në fushë në minutën e 61 të takimit për të zëvendësuar mesfushorin Augusto Ferndandez. Numrit 10 iu deshën vetëm 7 minuta për të gjetur golin, për t’u pasuar edhe me 2 rrjeta të tjera. Tregolësh i sulmuesit në harkun kohor të 15 minutave, që vërteton edhe njëherë se një futbollist si ai arrin të bëjë diferencën në fushën e lojës. Mesi është shprehur i lumtur për paraqitjen e tij si dhe shpreson që kombëtarja albicelste të shkojë sa më larg në “Copa America”.
“Ndihem në formë të mirë fizike. Rikthimi në fushë dhe realizimi i tre golave më motivon për ndeshjet e ardhshme. E përsëris edhe njëherë që jam shumë i gëzuar. Shpresoj shumë që Argjentina të eci sa më shumë në Copa America dhe besoj se do të tja dalim të bëjmë paraqitje sa më të mirë”, u shpreh Mesi.
Momentalisht, skuadra e Trajnerit Tata Martino pozicionohet në vendin e parë, me gjashtë pikë. Ndërkohë që bileta e dytë luhet mes Kilit dhe Panamasë që numërojnë nga tre pikë dhe në vendin e fundit renditet Bolivia me asnjë pikë.

Euro, formacioni më i mirë në histori

Imagjinoni… Paolo Maldini, Franz Beckenbauer, Zinédine Zidane dhe Marco van Basten në një skuadër. Përkrah tyre edhe emra të mëdhenj të së tashmes si Iniesta, Pirlo apo Cristiano Ronaldo. Praktikisht një skuadër ëndrrash. Ky është formacioni më i mirë në historinë e Kampionatit Europian, i përzgjedhur pas sondazhit të UEFA-s, në të cilin votuan 3,5 milionë persona.
Top 11 i të gjitha kohërave u zbulua në Bashkinë e Parisit, me fytyrat e lojtarëve të piktuara si grafite. Në portë i përzgjedhuri ishte portieri i Italisë, Gianluigi Buffon, ndërsa përpara tij rreshtohet mbrojtja me katër lojtarë. Mes tyre ndodhet italiani tjetër, Paolo Maldini, lojtari i dytë më i votuari në sondazh me 78 për qind në krahun e majtë, legjenda gjermane Franz Beckenbauer dhe spanjolli Carles Puyol, ndërsa në krahun e majtë u pozicionua kapiteni i Gjermanisë, Philipp Lahm.
Në mesfushë pozicionohen spanjolli Andres Iniesta, italiani Andrea Pirlo dhe Zinedine Zidane, me trajnerin aktual të Realit të Madridit që ishte më i votuari nga tifozët, me 83 për qind. Reparti ofensiv përbëhet nga një tjetër treshe ëndrrash, nisur nga francezi Thierry Henry, te ylli portugez Cristiano Ronaldo dhe së fundmi nga legjenda holandeze, Marco Van Basten.
Kriteri në përzgjedhjen e yjeve ishte që lojtarët të kishin lënë shenjë në finalet e evenimentit, duke luajtur minimalisht në gjysmëfinale, të kenë qenë pjesë në skuadrën më të mirë të një edicioni të Europianit, të ishin shpallur golashënues ose për një gjest teknik që kujtohet në vite, si penalltia “Panenka” më 1976 apo goli fluturimthi i Van Basten në vitin 1988. Në ekipin ideal të Kampionatit Europian, Italia është skuadra më e përfaqësuar me tre lojtarë, e ndjekur nga Spanja, Gjermania dhe Franca me nga dy.

Kampionati që “zhduk” qendërsulmuesit

Europiani, ashtu si pjesa më e madhe e eventeve ndërkombëtare, do të shërbejë si një vitrinë ku të gjithë do të kenë mundësinë të jenë dëshmitarë të ndryshimeve taktike që futbolli ka pësuar në vitet e fundit. Një prej aspekteve më interesante është ai i dedikuar sulmuesve të 24 skuadrave pjesëmarrëse. Gjithsesi, një vëmendje jo të vogël do të tërheqë edhe roli i mesfushorit të avancuar. Lojtarët që aktivizohen në këtë rol kanë mundësinë të ndryshojnë fytyrën e ndeshjes me vetëm disa prekje. Ata janë në gjendje t’i japin një ritëm të ri takimit, por kjo nuk do të thotë se roli i sulmuesit bie.
Europiani është shumë i ngjashëm me një sfilatë mode. Teknikat e vjetra që kishin dalë nga moda prej kohësh, riprezantohen të perfeksionuara. Polonia psh., do t’i bazojë pritshmëritë te dyshja Lewandowski-Milik, por edhe Italia do të tentojë të niset me dy sulmues. Një diskutim i ngjashëm mund të bëhet edhe për Suedinë, Islandën dhe Irlandën e Veriut. Të gjitha skuadrat me dy sulmues të deklaruar, por lojtari i dytë do të luajë disi më i fshehur për të mbështetur majën e repartit të avancuar. Në krahun tjetër qëndrojnë skuadrat me një sulmues të gjatë dhe shumë të tjerë që sillen rreth tij. Kroacia, Franca e Gjermania janë shembujt tipikë, ndërsa Spanja do të zhvillojë të njëjtën lojë ofensive ku nuk dallohen qartë ndarjet e përgjegjësive mes një sulmuesi dhe një mesfushori apo edhe mbrojtësi.
Kjo formulë penalizon dukshëm qëndërsulmuesit, të cilët po gjejnë edhe më pak hapësira dhe për këtë arsye mund të konsiderohen një specie në zhdukje. Po, po, në zhdukje, pasi në Europian do të luajnë edhe skuadra pa qëndërsulmues të vërtetë. Uellsi dhe Portugalia do të ndjekin këtë model. A do të jetë ky europiani që do të dënojë përfundimisht rolin e qëndërsulmuesit? Duhet të presim datën 10 korrik për të dhënë një mendim më të saktë.

Rilindja po bie!

Albana VOKSHI

14 vite më parë Shqipëria kishte nivelin e varfërisë mbi 25.4% dhe e ulëm në 14.3% më 2012. Por vetëm disa ditë më, Banka Botërore në një nga raportet e saj të fundit publikoi statistikën “alarm” se gjysma e popullsisë në Shqipëri jeton në pragun e një varfërie të tejskajme, me më pak se 5 dollarë në ditë.
“Një dollar i dhënë për bamirësi ka vetëm një jetë, ndërsa një dollar i dhënë për të zhvilluar një biznes social vazhdon përjetë”, thotë Prof. Yunus.
Është kjo arsyeja që qeveria Berisha përqafoi me nuhatje ekselente një skemë të re për zvogëlimin e varfërisë e që implementohet në shumë vende edhe të zhvilluara të botës, skema e “Biznesit social” dhe “ndërmarrjet sociale”; por që u hodh poshtë pa asnjë rezervë nga kolegët deputetë atëherë në opozitë me arsyetimin që këto lloj biznesesh nuk mund të zhvillohen në Shqipëri. Koha vërtetoi pra, që vizioni ynë ishte ai i duhuri për zhvillimin njerëzor dhe zbutjen e varfërisë në vend.
Mbështetja, mbrojtja dhe përfshirja sociale e grupeve vulnerabël është kthyer në emergjencë kombëtare. Departamenti amerikan i Shtetit, Banka Botërore, FMN, Bashkimi Europian, të gjitha raportet e institucioneve ndërkombëtare, të dhomave të ndryshme të investitorëve në Shqipëri, etj., ngrenë shqetësimin e rritjes së korrupsionit në çdo nivel qeverisjeje, që po bëhet shkak i largimit të investitorëve, mbylljes së vendeve të punës, rritjes së papunësisë, përkeqësimit të të gjithë treguesve ekonomikë e socialë e më së shumti mohimit të të drejtave ligjore e kushtetuese të shqiptarëve: e drejta për një jetë dinjitoze, për një punë të ndershme, e drejta për arsimimin, e drejta për shërbim shëndetësor falas.
Kriza ekonomike dhe varfëria është ulur këmbëkryq në çdo familje shqiptare dhe ku më në nevojë janë nënat kryefamiljare, gratë viktima të dhunës, personat me aftësi të kufizuar, komuniteti rom etj.
Ndërkohë, Kryeministri që ka shitur institucionet te sponsorët e karrierës së tij e ka lënë në varfëri gjysmën e shqiptarëve, kapardiset çdo ditë duke thënë që reformat e tij janë të suksesshme, por që ne shqiptarët, të gjithë as nuk dimë e as nuk i kuptojmë.
Po sa familje po shkojnë me shpejtësi në varfëri ekstreme sepse Kryeministri i ka hequr nga ndihma ekonomike, skema e invaliditetit, i ka hedhur në rrugë gjoja në emër të reformave? Rritet varfëria e në proporcionalitet me të rritet edhe dhuna në familje, dhuna ndaj grave e fëmijëve.
Një raport i fundit zyrtar jep shifra rrëqethëse. Rreth 80% e shkaqeve të dhunës ndaj fëmijëve në Shqipëri vjen për shkak të rritjes së varfërisë e kushteve çnjerëzore në të cilat Rama i ka shpënë familjet. Rritet varfëria, rritet stresi, rritet pamundësia, rritet dhuna, ndaj edhe atë po e shohim në të gjitha format e saj monstruoze në shtëpi, në rrugë, në shkolla, jetimore….kudo!!! Po për këtë, përgjegjës kryesor është Rama!!
Shoqëria civile ka muaj që ka ngritur alarmin:
– 100 mijë fëmijë jetojnë në kushtet e varfërisë ekstreme në Shqipëri, shpesh pa një vakt për të ngrënë;
– 50 mijë fëmijë janë në situatë rrugë!
Ne si deputetë të votuar nga shqiptarët, nuk mund të lejojmë që sot të ketë fëmijë në vendin tonë që nuk kanë as kushtet më minimale për të jetuar apo mos të kenë asgjë për të ngrënë, sepse prindërit janë pa punë dhe nuk ju sigurojnë dot ushqim dhe strehim.
Ndaj, këtu duhet të fillojë Reforma në Drejtësi! Ky është operacioni që duhet të ngrejë në këmbë “të madh e të vogël” në sistemin e drejtësisë!
Ky pra është rezultati fatal i reformave rilindase të orientuara totalisht jo drejt “Ndërmarrjeve sociale”, por drejt “Ndërmarrjeve grabitqare” me pronar të vetëm Edi Ramën. Rama nuk solli ndërmarrje sociale për qytetarët, por ndërmarrje fitimprurëse për pushtetarët. Ndaj ne e duam Reformën në Drejtësi! Por jo atë të kapurën e Edi Ramës, por reformën e vërtetë që do t’u jepte drejtësinë e munguar e të merituar të gjithë shqiptarëve.
Në mes të tollovisë me skandalet që po i plasin çdo ditë, përgjimet e kundraligjshme, mbulimin e Shqipërisë nga hashashi, rritjen e trafikut të drogës – që ka mbushur faqet e gazetave prestigjioze në botë, skandalet me kryebashkiakët imoralë dhe përdhunues. Pompoz, me fjalimet e mbushura me vrer për opozitën, Kryeministri inauguroi para dy ditësh njërën prej ndërmarrjeve të tij “grabitqare”, njërin prej koncesioneve të tij, sajesa të shëmtuara dhe korruptive, të papara e të padëgjuara askund më parë…
Pyetja që më lindi kur dëgjoja Kryeministrin në fjalimin e tij me referenca, pa referenca ose referenca të gënjeshtërta është:
– Më mirë ilaçe për qytetarët që po i shkatërron shëndetin dhe jetën? Apo 100 milion Ilirit (jo Beqes), por mikut të tij?
– Më mirë pajisje që funksionojnë te onkologjiku e jo pajisjet e kobaltit që po marrin më qafë të sëmurët me kancer? Apo 100 milionë dollarë Ilirit, mikut të Beqes?
– Më mirë ilaçe për të sëmurët me HIV/AIDS mungesa e të cilave ka çuar drejt vdekjes minimalisht 6 prej tyre në një hark kohor prej 10 ditësh? Apo 100 milionë dollarë Ilirit, mikur të Ilirit të Rilindjes?
– Më mirë anestezi për Traumën, Spitalin e Durrësit dhe spitalet e tjera? Apo 100 mln dollarë të dhëna mikut të koordinatorit të korrupsionit në qeverinë rilindase?
Në fjalën e tij Kryeministri thotë që ka “gjetur një inventar ekzistues instrumentesh kirurgjikale që nuk do të pranoheshin në asnjë spital në Europë dhe që në një vend normal do të shkonin të gjitha për skrap”. Mbase këtu keni të drejtë. Por, a ka qenë ky problem më i madh i shëndetësisë? A është bërë dhe më parë bëhej sterilizimi i pajisjeve? Sigurisht që po… Shëndetësia hallemadhe, sterilizimin e kishte një nga problemet më të vogla… Por sigurisht, u mbyll pazari për të blerë votat e radhës dhe drejtësinë e radhës…
Kryeministri, me elokuencën e fjalës së tij mashtron kur thotë që “Këto modele të Partneritetit Publik Privat janë modele suksesi, që stimulohen në të gjitha nivelet, nga qeveritë. Por në këtë rast, nga privati merret financimi i menjëhershëm dhe dija, ndërkohë që shërbimi është publik dhe publiku nuk paguan asnjë qindarkë më shumë për këtë shërbim. Pra, janë modele në favor të interesit publik dhe në mbrojtje të çdo të drejte që kanë qytetarët për të marrë shërbime cilësore”.
Si mund të thoni që nuk paguan publiku asnjë qindarkë? Po kredia e parë e Bankës së Këshillit të Europës me të cilën u ndërtua qendra ultramoderne e sterilizimit në QSUT a janë para të publikut? Edhe me interes? Thoni që s’kishim personel të trajnuar… Po  kredia e dytë e Bankës së Këshillit të Europës? A u mor për të trajnuar personelin e QSUT për të vënë në funksionim Qendrën e Sterilizimit? A janë këto para të publikut? Po mirë, po 100 milionë dollarët që i ke dhënë Ilir Rrapajt çfarë janë? A janë të publikut? A janë të buxhetit të shtetit? A janë të taksapaguesve shqiptarë? Të gjithë paratë që ju po ia jepni klientëve tuaj me anë të këtyre koncesioneve korruptive, i paguajnë qytetarët shqiptarë nga xhepi i tyre…
Të njëjtën formulë mashtrimi ndoqët edhe për check up, që pretendoni e thoni që është falas. Jo vetëm që s’është falas, por përkundrazi, qytetarët i paguajnë mikeshës dhe sponsores së Ramës, vetëm për shërbim taksi, plot 120 mln euro.
Vetëm në shëndetësi 340 mln euro për 3 koncesione, për 3 klientë kryeministrorë.
Vetëm me 3 koncesione në shëndetësi, 10 milionë euro abuzime çdo muaj (në 32 muaj qeverisje rilindase); 355 mijë euro abuzim çdo ditë qeverisje.
E nëse këto fonde do të ishin shpenzuar në mënyrën e duhur, shqiptarëve nuk do ju mungonin ilaçet, spitalet do të ishin të furnizuara me barna dhe mjete, qendrat shëndetësore do të ishin rindërtuar dhe disa spitale ultramoderne do të ishin ndërtuar në disa rajone në Shqipëri.
Në një gjë Kryeministri tregohet i sinqertë në fjalën e tij kur thotë që në “32 muaj, nuk keni çuar dëm asnjë qindarkë të publikut” dhe i keni vënë të gjitha resurset, dhe financim të partneriteteve publike-private pra, klientët tuaj!
Ndaj këtu duhet të fillojë dhe sa më parë Reforma në Drejtësi! Këtu duhet të fillojë drejtësia!
Në fjalën e tij Kryeministri thotë që “ky (sterilizimi) është një revolucion brenda sistemit, që vjen si rezultat i një procedure “të mallkuar”, “të kriminalizuar” dhe të akuzuar e kthyer madje, në denoncim në Prokurori, Partneriteti Publik Privat, që këtu është banalizuar me fjalën e turpshme “koncesion” dhe është kthyer nga injorantët dhe nga ata që injorancën e tyre e bëjnë argument, në një shfaqje të huaj”.
PO z. Kryeministër! Unë jam një nga ata që ju i quani “injorantë” që e kam ngritur zërin, e kam kthyer në argument dhe denoncim jo vetëm në këtë foltore, apo në selinë e PD, por edhe kur më kanë thirrur në Prokurori. Dhe as mua, as kolegëve të mi nuk do na trembin presionet e shantazhet tuaja, e do jem e gatshme të shkoj sa herë që të ketë nevojë organi i akuzës për informacione rreth asaj që mund të jetë një nga aferat më korruptive në sistemin shëndetësor, por jo vetëm!
S’më mërzit aspak epiteti që më vini, para asaj që unë mendoj që është në interes të publikur, denoncimi i të gjitha abuzimeve marramendëse në sektorin më jetik për shqiptarët!
Kjo që po ndodh në sistemin shëndetësor në Shqipëri tregon psikopatinë qeverisëse.
Jo vetëm hajdutë, por edhe të palexuar janë dy basketbollistët e ekipit “korrupsioni”, të cilët tani po merren dhe me fshirjen e njollave në biografi për një fushatë të re të izolimit të Shqipërisë.
Tani, ekipi i hajdutëve po sterilizon jo vetëm vjedhjet në shëndetësi, por në të gjithë sektorët jetikë, duke kërcënuar në të njëjtën kohë prokurorë dhe gjykatës!
Kjo është sjellje e fund diktaturave!
Rilindja po bie!

Udhëkryqi i Shqipërisë oligarkike

Kastriot ISLAMI

3 çështje janë të ndërlidhura mes tyre fuqimisht. Reforma në Drejtësi, reforma zgjedhore, dekriminalizimi.
Të gjithë presin nga ky Parlament një zgjidhje, një dalje nga kjo situatë paradoksale që shumë qytetaëve, por edhe partnerëve i duket pa zgjidhje, që mund të çojë në përkeqësim, për më tepër në këto momentet kur dy familjet ku ne bëjmë pjesë përballen me sfida të mëdha. E thënë troç na duan sa më shpejt brenda BE, ndërkohë që publiku europian është tmerruar nga lajmet marrin nga ne.
Ku qëndron paradoksi?
Kërkojnë përgjigje dhe zgjidhje nga ky Parlament shumë çështje, nga ky Parlament i cili perceptohet:
o Çdo ditë e më negativisht nga publiku dhe partnerët…
o Çdo ditë e më shumë si një Parlament ku dominojnë paaftesia, mediokriteti, individët me rekorde kriminale që janë këtu sepse dinë të blejnë votat e kërcënojnë votuesit.
o Si një Parlament ku ka individë që dhunojnë Kushtetutën për të rrjepur fondet publike dhe nuk flasin asnjëherë në Parlament, por veprojnë.
o Si një Parlament ku disa individë në Parlament, si pjesë e klientelës orkestrohen jo thjesht për të ngritur dorën, por edhe për të ofenduar, denigruar çdo bartës të një mendimi alternativ…
o Si një Parlament që një nga kolegët e këtij Parlamenti me shumë të drejtë e konsideroi që dominohet e diktohet nga sjelljet e një Vëllazërie të Vesit dhe kjo është tmerrësisht e rëndë, pavarësisht se të jesh pjesëtar i Vëllazërisë së Vesit mund të pasurohesh apo ndjehesh i qetë për momentin…
o Si një Parlament ku e keqja është kthyer në model suksesi, ku i paafti servil promovohet, ku arroganca dhe mashtrimi janë kriteret themelore të promovimit dhe meritokracisë dhe i afti ndjehet në minorancë përbuzëse dhe specie në zhdukje.
o Si një Parlament ku sulmohet gjithkush që ka integritet dhe ku profesorët, akademikët, profesionistët, janë specie në eliminim duke u konsideruar matufe, jashtë realitetit, të paaftë për t’u përshtatur me modën e suksesit të së keqes, arrogantit, kriminelit, vjedhësit.
Dhe të gjitha këto e bëjnë situatën paradoksale sepse nga njëra anë Shqipërisë, një anëtare të NATO dhe kandidatë të BE i kërkohen të kryejë reforma të standarteve perëndimore dhe nga ana tjetër këto reforma duhet ti kryejë pikërisht ky parlament që perceptohet i tillë jo vetëm nga shqiptarët por edhe partnerët që ne të jemi sa më shpejt pjesë e familjeve të mëdha të cilat përjetojnë problemet e tyre të brendshme, qeverisja dhe parlamenti ynë i përgjigjet me përbërjen e tij, me sjelljet e tij, me veprimet e tij në mënyrë paradoksale…
Unë mendoj se ka dy mundësi për të dalë nga kjo gjendje
o Ose të mblidhen të gjithë individët me experiencë, aftësi, kontribute, por mbi të gjitha me vullnet të qartë pozitiv, me integritet e moral dhe të vendosin se bashku për rregullat e qarta të zgjedhjeve të ardhshme pa kriminelë, pa kusarë, pa individe me diploma të blera, pa individeë që s’kanë asnjë lidhje me institucionin e nderuar të deputetit, pa jesmenë dhe të vendosin se s’do të fusin duart në zgjedhje, s’do të blejëe votat apo kërcënojnë votuesit., që zgjedhjet do të jenë të lira e të ndershme… që s’do ta konsiderojnë njeri tjetrin me armiq por kundërshtarë e për rrjedhojë do të pranojnë rezultatin në mënyrë që ky parlament të kthehet në një institucion që meriton dinjitet dhe kryen rolin e funksionin që i takon;

o Ose përndryshe të shpërndahet me urgjencë ky parlament që do të mbetej një histori si Kuvendi i Turpit…para se vetë shqiptarët të shpërndajnë si të tillë…
Ju kërkoj të gjithëve të reflektoni… përndryshe papërgjegjshmëria kolektive peng i modelit të së keqes do të mund të fundosë jo vetëm këtë parlament por të gjithë vendin….Mos besoni të kundërtën që ju injektohet përmes propagandës se jam i sigurtë që thellë thellë seicili prej jush e mendon këtë situatë…
Duhet të keni parasysh dhe besoj të gjithë ju jeni çdo ditë pjestarë të debateve të pafundme dhe shqetësimeve të qytetarëve të cilët kanë në gojë vetëm një shprehje:
të largohemi nga ky vend…ti bindim fëmijët të mos kthehen…kemi bërë gabim që kemi qëndruar në këtë vend… nuk bëhet ky vend…këto të gjitha janë shumë të rënda.., tmerrësisht të rënda dhe ata e kanë me ne të gjithe ndonëse jo ne të gjithë jemi njëlloj përgjegjës apo njëlloj të bërë pis….por nëse nuk veprojmë zë vend shprehja e Anshtajnit se e keqja e kësaj bote do ti vijë jo vetëm nga ata që bëjnë keq por edhe nga ata që qëndrojnë indiferentë…
Sigurisht të gjitha perceptimet e ndjesitë e publikut duhet të na bëjnë me turp dhe minimalisht të na skuqin… por akoma më të rënda dhe më të turpshme janë kur ne i mbulojmë ato, kur ne bëjmë sikur nuk ekzistojnë, kur ne sulmojmë ndonjërin që i përmend në këtë foltore…unë sinqerisht ndjehem keq… nuk dua ti përmend por nuk mundem as ti mbuloj…dhe i përmend jo për të stigmatizuar ndonjë por nuk shikoj rrugë tjetër që ky kuvend të reflektojë, të ndërgjegjësohet, të ndryshojë….
Situata është shumë e rëndë…ekonomike sigurisht…nga bizneset që mbyllen dhe investitorët e huaj që largohen… lërini sqarimet propagandistike… ajo sociale pa asnjë dyshim është po ashtu e rëndë e po vijon çdo ditë të përkeqësohet… ajo psikologjike tmerrësisht e rëndë po ashtu… dhe për më tepër askush nuk e vret mendjen për të dalë nga kjo gjendje… jua them me sinqeritet e guxim se nuk dilet nga gjendja duke mashtruar, me dizinfomim, me shou, me kërcënime, me nënshtrim policor… duke “vrarë” ata që ju ndriçojnë gjendjen….
Unë flas rrallë në këtë kuvend sepse ndjej këtu çdo ditë e më shumë edhe fjala ska më vlerë…
… sepse funksionet e tij bazë kanë kohë që kanë vdekur… as diskutohen realisht e demokratikisht e ligjet… as bëhen hetime parlamentare… as kontrollohet qeverisja… Ky nuk është dhe smund të jetë parlament demokratik normal…
I përmenda të gjitha këto për të treguar modestisht se ku ndodhemi, për të mos bërë kasandrën por për të dhënë mesazhin e reflektimit, për të mos stigmatizuar askënd personalisht por natyrisht jo për baltosur e njollosur të gjithë njëlloj. E bëra këtë që seicili të reflektojë sesi do të mund të dilet nga kjo situatë.
Nuk mund të mos evokoj gjithashtu faktin se aktualisht e gjithe kjo situatë është e vendosur në kontekstin e një seri ngjarjesh pa precedent …
o të tilla si ajo e përgjimeve përmes një paisje të paligjshme dhe të futur në mënyrë klandestine në vend, ska ndodhur asnjëherë… duke implikuar edhe një shtet mik e fqinj…për të përgjuar ilegalisht eventualisht zyrtarët më të lartë, kundërshtarët politike dhe ndoshta edhe ambasadorët…
o të tilla si ajo e dorëheqjeve të kryetarëve të bashkive me rekorde kriminale… dhe rikthimit të tyre të forcuar…në tërheqjen e dorëheqjes dhe bllokimin e zgjedhjeve në ato bashki ku kërkohet pastrimi i figurës së drejtuesit të bashkisë…
o të përgjuesit në zyrën e ministrit të brendshëm, ku dyshimet shkojnë të sherret e brendshme mes aleatëve të koalicionit…
o te arroganca ndaj prokurorisë dhe KLD…për shkak të veprimit të tyre kundër drejtorit të policisë apo minstrit…
o te sulmi arrogant ndaj presidentit…
o te demostratat apo presioni pa precendet të një institucioni të zgjedhur të gjyqësorit e tjerë e tjerë…
Të gjitha këto ngjarje veçse e rëndojnë më shumë situatën paradoksale dhe e çojnë ate në drejtimin e komplikimeve të mëtejshme dhe të bllokimit të zgjidhjeve…
Të rikthehem te momenti i diskutimit të reformës së drejtësisë…
Pikërisht në një moment kur kërkohet me te drejte nga shqiptaret dhe partneret miratimi i një reforme ne drejtesi, që garanton mos kapje politike por profesionalizëm e integritet për të luftuar korrupsionin e krimin… një reforme të standarteve perëndimore…
Shqipëria oligarkike është në udhëkryq…ose drejtësia përfundimisht kapet nga interesat e korrupsionit, krimit, e oligarkisë dhe vendi futet në rrugën e rrënimit të demokracisë ose ngrihet drejtësia e standarteve perëndimore që duke luftuar krimin dhe korrupsionin që ka kapur qeverisjen dhe shtetin e fut vendin përmes rrugës së butë në çrrënjosjen e kësaj oligarkie që qeveris vendin.
Personalisht jam mbështetës i fuqishëm i kësaj reformë duke qenë njëkohësisht një kundërshtar i vendosur i kapjes politike të prokurorisë dhe drejtësisë…. Drafti aktual jo vetëm realizon kapjen politike por edhe e betonizon atë…Nëse doni alternative për të shmangur kapjen siç maxhoranca ka deklaruar se është gati duke shtrirë dorën e bashkëpunimit. Jua them unë…

Italia bllokon 540 kg drogë dhe armë nga Shqipëria

Policia italiane në dy operacione të ndryshme ka sekuestruar rreth 540 kilogramë drogë, armë dhe shuma të mëdha parash. Gjatë këtyre operacioneve janë arrestuar 58 shqiptarë të përfshirë në vjedhje dhe trafik ndërkombëtar droge e armësh. Nga hetimet ka rezultuar se një pjesë e konsiderueshme e parave të drogës transferohej edhe në Shqipëri.
Policia e qytetit të Romës në bashkëpunim me policinë e qyteteve të Ankonas, Kuneos, Padovas, Pratos e Viterbos kanë arrestuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm 22 persona, shtetas shqiptarë e italianë me akuzën e grabitjes me armë e trafik të lëndëve narkotike.
Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar 350 kg marijuanë, 500 gramë kokainë, 2 pistoleta me numër serie të fshirë, si dhe 2 pistoleta të tjera të importuara në mënyrë klandestine në territorin italian. Policia italiane ka arritur që të zbulojë një bandë shqiptarësh, falë parave që fitonin nga shitja e drogës, të cilat arrinin deri në 8 milionë euro dhe investoheshin në aktivitete imobiliare në Itali.
Në një operacion të policisë italiane i koduar “Daku” është goditur një bandë shqiptare që trafikonte drogëra të llojeve të ndryshme në linjën Shqipëri-Holandë-Milano. Në këtë operacion janë sekuestruar 140 kilogramë drogë, të llojit kokainë, heroinë, hashash dhe marijuanë. Gjithashtu janë gjetur dhe sekuestruar një shumë prej 170 mijë eurosh, 13 makina, një pistoletë dhe 2 apartamente. Sipas mediave italiane, droga vinte nga Amerika e Jugut dhe zbarkonte në portet holandeze dhe më pas transportohej e fshehur në makina nga shqiptarët. Sipas hetimeve rrjeti shtrihet dhe më gjerë në Shqipëri. Mediat e huaja përmendin dhe një nga shqiptarët e përfshirë në hetime që është vrarë në Durrës me 33 plumba mitralozi.
Operacioni “Ça bon 2” është faza e dytë e operacionit “Ça bon” nisur më vitin 2014, i cili çoi në arrestimin e 5 shtetasve shqiptarë, si dhe sekuestrimin e 800 kg marijuanë e importuar nga Shqipëria, duke e fshehur në brendësi të një blloku çimentoje të transportuar me traget drejt Italisë.
22 personat e arrestuar dje janë shtetas shqiptarë e italianë të njohur nga forcat italiane të rendit e anëtarë të dy grupeve kriminale. Grupi i parë përbëhej kryesisht nga shtetas shqiptarë rezidentë prej disa vitesh në Itali e që merrej kryesisht me importimin e lëndës narkotike nga Shqipëria drejt Italisë.
Sipas përgjimeve telefonike të policisë italiane, trafikantët përdornin mesazhe në kod për të komunikuar mes tyre. Droga quhej “kuti boje”, “vajza”, “makina”, ndërsa paratë për blerjen e saj quheshin në kod “dokumente” apo procesi i shkëmbimit të mallit “takim për një kafe”.
Grupi i dytë kriminal përbëhej nga shtetas italianë, rumunë, rusë e shqiptarë e aktiviteti i tyre kishte të bënte me grabitjen e lëndës narkotike nga grupet rivale. Gjatë një episodi të dokumentuar nga policia italiane ky grup kishte mundur të vendoste brenda një ngarkese droge të importuar nga Shqipëria një sinjal GPS dhe me anë të një specialisti rumun identifikuan pikën bregdetare në provincën e Barit ku do të shkarkohej droga e importuar me anë të një skafi nga Shqipëria e duke u shtirur si agjentë të policisë italiane ky grup kriminal i grabiti rivalëve të tyre lëndën narkotike.
Sipas policisë italiane dy organizatat kriminale ishin në aktivitet të plotë kriminal pasi gjatë arrestimit në apartamentin e dy prej tyre janë sekuestruar 3 kg marijuanë.
Të gjithë të arrestuarit janë shqiptarë, përveç një çifti kosovar që do të transportonin drogën për në Suedi. Ndërsa në një tjetër operacion, policia italiane ka goditur një bandë shqiptarësh në Romë. Lajmi është bërë i ditur nga mediat përtej Adriatikut që shkruajnë se shqiptarët e arrestuar merreshin kryesisht me trafik ndërkombëtar droge, importim armësh dhe organizonin vjedhje masive. Ndërkohë, në një operacion tjetër në Monza, policia e Milanos ka arrestuar një shqiptar 30-vjeçar, pasi gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur dhe sekuestruar 40 kg lëndë narkotike, kokainë dhe hashash, si dhe armë.

R.POLISI

Pikëpyetjet e raportit mjekësor të gjykatësit që do të gjykonte Haki Çakon në Apel

Sulmi i paprecedent i ministrit të Brendshëm dhe Kryeministrit kundër gjykatësit që vendosi pezullimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë po jep efektet e saj edhe në Gjykatën e Apelit që do të shqyrtojë pak ditë më vonë këtë çështje.
Ervin Metalla, gjyqtar në Apelin e Tiranës, i cili në bazë të shortit është përcaktuar si relator i çështjes që do të shqyrtojë masën ndaluese të Haki Çakos, ditën e enjte është detyruar të marrë një raport shëndetësor disa ditor. Burime të “Boldnews.al” flasin me siguri se mungesa e Metallës do të jetë e mjaftueshme që ai të mos jetë i pranishëm në seancën për masën ndaj drejtorit të pezulluar të Policisë së Shtetit.
Pas agresionit disa ditor qeveritar nga ana e eksponentëve më të lartë qeveritarë kundër Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, tashmë objektiv i sulmeve dhe spekulimeve është Gjykata e Apelit. Për opinionistë dhe rrethe mediatike është e qartë se ky sulm lidhet vetëm me presionin qeveritar ndaj treshes së gjyqtarëve të Apelit që do të shqyrtojë ankimin e Çakos për masën e pezullimit nga detyra.
Dita e enjte ka qenë tejet e ngarkuar në Gjykatën e Apelit Tiranë. Fillimisht, media pranë qeverisë raportuan për një incident fizik ndërmjet kryetarit të saj, Hysni Demiraj dhe një qytetari. Sipas informacionit “konfidencial” të këtyre mediave, Demiraj është përplasur me një palë në gjyq, duke aluduar se bëhej fjalë për një situatë korrupsioni. Për të mbështetur më shumë këtë spekulim, Policia e Shtetit shpërndan në mesditë njoftimin mbi kallëzimin e një shtetasi, i cili pretendon se është goditur nga Demiraj. Ky përbën një nga ato rastet e rralla, në mos unike, kur policia publikon zyrtarisht kallëzimet. Në çdo ditë të vitit, pranë komisariateve dorëzohen me dhjetëra kallëzime për çështje të ndryshme, të cilat nuk janë pjesë e planit të transparencës. Por në rastin e kreut të Apelit të Tiranës, Demiraj, Policia e Shtetit e vlerësoi ta bëjë publike. Dhe ky publikim koinçidon me deklaratat e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, se do të punojë çdo ditë për të çjerrë maskën, sipas tij, të sistemit të korruptuar të drejtësisë.
Mesditën e së enjtes, Hysni Demiraj u detyrua të japë një konferencë për mediat për të sqaruar pozicionin e tij në këtë kallëzim. Por, më shumë se sa sqarim, Demiraj prezantoi një demonstrim force, ku iu drejtua zyrtarëve qeveritarë që nuk trembet nga asgjë. Dhe për të dëshmuar këtë gjë, ai tregoi historinë personale se si në trazirat e vitit 1997 ai ka mbrojtur me armë godinën dhe arkivën e Gjykatës së Gjirokastrës.
Por, ky demonstrim force nga ana e Demirajt, duket se nuk ka qenë në të njëjtën gjatësi vale me opinionin e gjyqtarit të Apelit, Ervin Metalla.
E gjithë kjo ndërhyrje dhe presion i mundshëm nëse nuk vepron sipas interesit qeveritar, e kanë detyruar gjyqtarit që të kërkojë pushim për arsye shëndetësore. Ervin Metalla është paraqitur pasditen e djeshme në një spital privat dhe pasi ka bërë disa ekzaminime, ka marrë raport shëndetësor 10-ditor. Pra, ligjërisht relatori i çështjes, nuk do të marrë pjesë në shqyrtimin gjyqësor.
Pas kësaj “fitoreje”, mekanizmi qeveritar po punon të ushtrojë presion mbi dy anëtarët e tjerë të trupës gjyqësore të Apelit, gjyqtareve Maria Qiriazi dhe Fiqerete Mullai.
Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij tipike të gjatë në Parlament ditën e enjte, duke sulmuar politikisht opozitën, përmendi shkarazi edhe një situatë ku përfshihet gjyqtarja Qiriazi. Rama, duke folur për Reformën në Drejtësi, u tha deputetëve të opozitës se, “reforma e pritshme do të largonte nga sistemi ata gjyqtarëve që mbrohen prej jush (opozitës) dhe ju nuk do të jeni në gjendje të mbroni më ata gjyqtarë që ju kanë ndihmuar, si në rastin e fitores së Bashkisë së Tiranës në vitin 2011 nga Lulzim Basha”.
Kjo frazë nuk ka lidhje me shijen e hidhur që i ka lënë Ramës humbja përballë kryetarit të Partisë Demokratike në vitin 2011. Ajo ka të bëjë me faktin se humbja e Ramës u çertifikua pas një beteje ligjore në Kolegjin Zgjedhor, ku gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Maria Qiriazi, ishte pjesë e trupës gjyqësore në atë kohë. Pra, gjyqtarja Qiriazi e ka marrë nga Parlamenti mesazhin se, nëse nuk do t’i përgjigjet “interesit” qeveritar në çështjen “Çako”, ajo mund të jetë objekti i radhës së sulmit nga Kryeministri, ministri i Brendshëm dhe kushdo tjetër në krahun pushtetit.
Tani radha është e gjyqtares tjetër, Fiqerete Mullai. Deri më tani, nuk ka ndonjë sulm publik ndaj saj. Deri në ditën e procesit gjyqësor në Apel, do të kuptohet nëse gjyqtarja Mullai është pjesë e “interesit” qeveritar ose jo. Nëse nuk do të jetë pjesë e kompromisit me Kryeministrin, nuk do të jetë aspak surprizë që ndaj saj të fillojë agresioni verbal.

“Boldnews”

Rama në Francë me paratë e qytetarëve, i heq TVSH të drejtën e transmetimit

Rama i ka hequr të drejtën Televizionit Publik Shqiptar për të transmetuar Kampionatin Europian ndërsa këtë të drejtë i’a ka dhënë një televizioni pranë tij. e ndërsa vet, me paratë e taksave të qytetarëve udhëton për të parë nga afër hapjen e kampionatit, qytetarëve u heq të drejtën për t’a parë kampionatin qoftë edhe nga shtëpitë e tyre. Përmes një deklarate për mediat, zëdhënësja e PD, Ina Zhupa denoncoi aferën e Ramës me stadiumin “Qemal Stafa” , shpërdorimin e taksave të qytetarëve për të udhëtime luksi drejt Francës si dhe heqjen e të drejtës së transmetimit të kampionatit europian në Televizionin Publik.
“Në pak ditë, Edi Rama ka shfaqur tre tipare të sundimit prej oligarku. Nisi aferën e kullës dhe qendrës tregtare në mes të Tiranës, duke prishur në mënyrë të paligjshme ansamblin në fasadën e “Qemal Stafës”, pjesë e trashëgimisë kulturore.
Lë pas rrënojat mbi të cilat do të ngrihet një prej bizneseve më fitimprurëse në Tiranë, ku ai me klientin e tij bëhen pronarë të përjetshëm të 70 mijë metrave katrorë, dhe ikën për vete në Francë bashkë me ministra e deputetë për të ndjekur kombëtaren.
Ndërkohë si asnjëherë tjetër, shqiptarët nuk mund ta përcjellin kombëtaren e tyre nga ekrani i Televizionit Publik, ose siç njihet ndryshe nga mbarë qytetarët, OLSI TV, por duhet të paguajnë për të parë ndeshjet e skuadrës së zemrës” tha Zhupa.
Ajo u bëri thirrje qytetarëve të reagojnë për ti dhënë fund sundimit të korruptuar dhe kriminal.
“Nuk gjen dot një republikë sahariane ku sunduesit të kryejnë në pak ditë akte të tilla korruptive dhe kundër qytetarëve të tyre.
Por është Edi Rama që i bën paturpësisht. Asnjë transparencë për kontratën e stadiumit dhe si u zgjodh kompania fituese, shkel ligjin për trashëgiminë kulturore, u ndalon shqiptarëve të shohin kombëtaren në ekranin për të cilin paguajnë taksat, dhe sigurisht nuk tregon se ku i merr paratë për udhëtimin e qendrimin prej sheikësh në Francë, ai dhe hajdutët ministra që e rrethojnë.
Eshtë në dorën e qytetarëve ta ndalin këtë sundim të korruptuar e kriminal, këtë oligarki që rend pas luksit e qejfit, ndërkohë që populli është në krizë, në skamje, në varfërinë më të madhe të 26 viteve” tha zëdhënësja e PD.

Bashkitë e majta ndalojnë baret të vënë ekrane për “Euro 2016”

Bashkitë që drejtohen nga të majtët nuk do të lejojnë vendosjen e ekraneve në bare e lokale për të ndjekur “Euro 2016”. Këto ditë janë momente të mira për baret, kafetë dhe restorantet që të shtojnë fitimet për shkak të ndeshjeve të Kampionatit Europian, por Drejtoria e Taksave ka urdhëruar lokalet të mos vendosin ekrane dhe të mos shtojnë tavolinat e karriget jashtë. Më poshtë është një letër që ka dërguar te “Nisma”, një pronar kafeje në Korçë që ka biznesin e tij te pedonalja.
“Jam nga Korça dhe kam një bar kafe në pedonalja. Na kanë rritur taksat, tarifat e çdo gjë. Njerëzit lekë nuk kanë shumë e megjithatë përpiqemi të mbijetojmë. Sot fillon Europiani dhe ne mezi e presim sepse shpresojmë të kemi punë dhe t’i kënaqim njerëzit. Mirëpo dje, njëfarë Kletjon që është drejtor i Taksave në Bashki na vë një letër e na thotë se nuk mund të vendosim ekrane jashtë e as mund të shtojmë tavolina, përndryshe do të gjobitemi. Ku ndodh kjo? Në cilin vend të botës ndodhin këto çudira? Ku favorizohen kaq hapur bizneset që duan këta në kurriz të punës tonë? Njerëzit mezi e presin t’i shohin ndeshjet jashtë, me shoqëri e familje, këta nxjerrin urdhër mos vemë monitor”, shkruan ai.

Heqja e transmetimit të Europianit nga TVSH, protestë para televizionit

Aleanca “Kuqezi” ka sulmuar me bomba tymuese, Radio Televizionin Shtetëror në shenjë proteste ndaj mostransmetimit të ndeshjeve të Europianit. TVSH është i vetmi televizion publik në kontinent që s’jep kombëtaren e vet, thanë kuqezinjtë, pasi korrupsioni në TVSH i hapi krahun, televizioneve private. Si rrjedhim, 10 milionë shqiptarë duhet të paguajnë për 64 ndeshje. Sipas protestuesve, TVSH është një televizion antikombëtar. Qeveritarët në Francë, populli i varfër paguan “Digital”.

Arben Shahini

Bilanci 1-vjeçar i Veliajt, rrënim i ekonomisë së Tiranës

Këshilltarët bashkiakë të Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës denoncuan sot bilancin 1-vjeçar të punës së kryebashkakut Erion Veliaj, si bilanc rrënimi e paligjshmërie. Kreu i këshilltarëve, Leonard Olli deklaroi se, Tirana ka mbyllje masive të bizneseve, rritje taksash, abuzime me fondet publike si dhe projekte klienteliste.
“Sot, në bilancin 1-vjeçar të Erion Veliajt për të cilën ai krenohet, kemi mbylljen e një të tretës së bizneseve të këtij qyteti, mbetjen pa punë të dhjetëra mijërave familjareve e rritje papunësie tek të rinjtë, dhe për më tepër sot qytetarët e Tiranës paguajnë shërbimin e transportit publik 10 lekë më shtrenjtë dhe nuk marrin shërbim më të mirë. Ka përkeqësim, sepse klientët e aferës 6 milionë dollarëshe nuk mund të jenë të interesuar për shërbim ndaj qytetarit, por vetëm për përfitime personale. Sot, ka të drejtë të krenohet Erion Veliaj, sepse Bashkia e Tiranës është e fundit për transparencën për nga 61 bashkitë e vendit. Sot, ka të drejtë të krenohet Erion Veliaj se mbi 30 tendera janë bërë me prokurim të drejtpërdrejtë dhe kanë përfunduar në xhepat e klientëve dhe lidhjeve personale të tij e shefit të tij Rama. Sot ka të drejtë të krenohet Erion Veliaj se edhe fëmijët 6-vjeçarë duhet të paguajnë për të udhëtuar në autobuzët e Tiranës. Sot, ka të drejtë të krenohet Erion Veliaj, sepse gjithçka e lidhur me qytetin është e destinuar vetëm për një gjë; interesat e klientit dhe interesat e betonit. Sot ka të drejtë të krenohet Erion Veliaj, sepse me përjashtim të projekteve të gatshme që gjeti nga ish-kryebashkiaku Basha nuk ka bërë absolutisht asgjë. I vetmi qëllim i tij është rrënimi i biznesit, zhdukja e iniciativës së lirë, rrënimi i të drejtave kushtetuese të qytetarëve dhe mbi të gjitha instalimi i etatizmit dhe diktaturës së urisë e asaj financiare”, tha Olli.
Këshilltarja Argyrina Jubani tha se, Erion Veliaj i ka kushtuar vetëm 1% të buxhetit të rinjve, duke mos pasur projekt për punësimin e tyre. “Sot të rinjtë e Tiranës janë më të pashpresë se kurrë. Ka të drejtë Erion Veliaj, kur mburret me punën që ai është duke bërë në bashki kur ndërkohë projektet për rininë zënë vetëm 1% të buxhetit. Pra, kaq të rëndësishëm janë të rinjtë e Tiranës, sot, për kryebashkiakun. Punësimi është një nga problemet më të mëdha dhe projektet, të cilat do të nxisnin punësimin në Bashkinë e Tiranës, mungojnë. Ka të drejtë Erion Veliaj që mburret se sot e vetmja shpresë e të rinjve të Tiranës është që të largohen nga Shqipëria”, tha Jubani.
Ndërsa këshilltari Akil Kraja u shpreh se, Bashkia nuk jep më asnjë llogari për qytetarët dhe nuk dëgjon më zërin e qytetarëve. “Një bilanc i cili është tejet negativ me dialogun qytetar për mënyrën sesi janë menaxhuar shpronësimet e pronave familjare të qytetit të Tiranës. Janë me dhjetëra shembuj si tek Unaza e Tiranës, tek ish-Hekurudha, familjarë të cilët janë përzënë me dhunë nga shtepitë e tyre, nga trojet e tyre, pa marrë asnjë kacidhe rimbursim për pronën legjitime të tyre. Po kështu anembanë qytetit të Tiranës, qytetarët kërkojnë dialog, kërkojnë të dëgjohen, të respektohen ligjet. Sot një vit më pas, ne shohim një qeverisje lokale propagandistike, e cila nuk respekton qytetarin dhe e shkel atë në mënyrë të përditshme”, tha Kraja.

Kuvendi tërhiqet nga falsifikimi i kalendarit

Kreu i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, deklaroi se Kuvendi i Shqipërisë i kishte thënë opozitës se Reforma në Drejtësi është futur gabimisht në axhendën trejavore të punimeve të Kuvendit. “Dje pas daljes në faqen e Kuvendit të kalendarit trijavor, ku rezultonte e futur dhe Reforma në Drejtësi në mënyrë krejtësisht ilegale, duke përbërë në vetvete një skandal që nuk ka ndodhur në 25 vite të parlamentarizmit, por edhe më shumë, një falsifikim kriminal, ka pasur një reagim nga Kuvendi. Sipas informacioneve të fundit që vijnë dhe sipas komunikimeve që ne kemi patur, rezulton se, të paktën jozyrtarisht na është thënë që ka qenë një gabim i administratës. Pak e habitshme, ndërkohë që dihet shumë mirë se, administrata nuk mund të bëjë gabime të tilla dhe nëse do të rezultojë se nuk është siç thonë, një gabim i administratës, mendoj se gjithsecili e ka të lehtë të gjykojë, sesa e rëndë është të shikosh sesi vepron kjo mazhorancë, sesi vepron Rama pa pyetur as për ligje, as për rregulla, as për procedura normale”, tha Paloka. Ai theksoi se Rama po vepron me një vendosmëri kriminale për të kryer gjithçka që atij i intereson, qoftë dhe duke shkelur ligjin dhe rregullat. “Megjithatë, po e përsëris, për momentin ne ende nuk e kemi depozituar kallëzimin në Prokurori. Po presim që siç na u komunikua nga Kuvendi, zyrtarisht të hiqet nga kalendari trejavor i Kuvendit, Reforma në Drejtësi. Të shohim si do të reagojnë dhe më pas do të kemi prononcime të tjera. Nëse Kuvendi nuk tërhiqet ne do të rishohim pozicionin tonë për kallëzimin penal, aktualisht nuk duam të çojmë kokë turku punonjës të administratës që mund të përdoren e urdhërohen në këtë rast. Por unë i qëndroj bindjes se, këtu nuk kemi të bëjmë me një gabim ose lapsus të momentit, por me një tentativë të qartë për falsifikim të kalendarit, me urdhër të Ramës”. Sipas Palokës, këtë gabim e kishte bërë administrata, por numri i dy i PD-së është skeptik për këtë pretendim të Kuvendit të Shqipërisë, duke theksuar se administrata nuk bën gabime të tilla. Edi Paloka: “Siç ju bëra me dije dje pas daljes në faqen e Kuvendit të kalendarit të ri trejavor, ku rezultonte e futur në këtë kalendar dhe Reforma në Drejtësi në mënyrë krejtësisht ilegale, duke përbërë në vetvete një skandal që nuk ka ndodhur në 25 vite, pasi praktikisht kemi të bëjmë jo më pak se sa një falsifikim të kryer nga kush duhet ta marrim vesh. Sipas informacioneve që vijnë nga Kuvendi rezulton që të paktën ende jo zyrtarisht na është thënë se ka qenë një gabim i administratës, ndërkohë që e dini shumë se nuk mund të bëjë administrata gabime të tilla. Nëse nuk do të jetë një gabim i administratës, mendoj se gjithsecili e ka të lehtë të gjykojë se sa e rëndë është se si vepron kjo mazhorancë, si vepron Rama pa pyetur as për ligje dhe rregulla, as për procedura normale, por me një vendosmëri kriminale për të kryer gjithçka atij që i intereson qoftë duke shkelur ligjin”. Duke folur për një kallëzim penal të paralajmëruar në Prokurori, Paloka tha se Partia Demokratike ishte në pritje të kallëzimit. Paloka: “Ne ende nuk e kemi dorëzuar kallëzimin penal. Po presim, që siç na u komunikua, zyrtarisht të hiqet nga kalendari trejavor i Kuvendit Reforma në Drejtësi. Të shohim si reagojnë për qëndrime të tjera. Nëse Kuvendit do të tërhiqet ne do të rishohim pozicionin tonë për kallëzimin penal, pasi nuk duam ‘kokë turku’ nga administrata e Kuvendit. Unë i qëndroj bindjes se këtu nuk kemi të bëjmë me një gabim të momentit, por me një tentativë të qartë të manipulimit me urdhër të Ramës. Sikur gazetarët të mos e kishin kapur këtë falsifikim, mendoni çfarë do të ndodhte mbrapa”.