30.5 C
Tirana
E mërkurë, 13 Gusht, 2025

Tahiri publikon “listën e zezë” të prokurorëve dhe gjyqtarëve për “ekzekutim”

Portale pranë ministrit të Brendshëm dhe Partisë Socialiste kanë publikuar sot një ‘listë të zezë’ të gjyqtarëve dhe prokurorëve që akuzohen për shkelje ligji dhe abuzime në vendime.
Lista përfshin 26 gjyqtarë dhe 30 prokurorë.
Bie në sy se në listë, e renditur në numrin 2, ndodhet emri i Anisa Qilimit, prokurores që firmosi kërkesën për pezullimin e Haki Çakos dhe arrestimin e dy zyrtarëve të lartë të Policisë së Shtetit.
Portalet shkruajnë se lista i është dërguar Presidentit të Republikës, Bujar Nishani dhe se emrat janë bërë publikë, por në të vërtetë emrat në ‘listën e zezë’ të Tahirit janë publikuar vetëm sot.
Ky është një rast i paprecedent, kur një përfaqësues i lartë i një pushteti harton ‘lista të zeza’ për një pushtet tjetër.
Emrat në këtë listë duken më shumë si ‘armiqtë e partisë’ në gjyqësor dhe Prokurori.
Publikimi i listës nga portale proqeveritare vjen në kulmin e konfliktit ndërmjet Kryeministrit Rama dhe ministrit Tahiri nga njëra anë dhe Prokurorisë dhe Gjykatës së Tiranës nga ana tjetër.
Një sulm që duket edhe si një presion paraprak ndaj Gjykatës së Apelit që javën e ardhshme pritet të shqyrtojë ankesën e drejtorit të pezulluar Haki Çako.
/ HashtagAL

“Lista e zezë” e ministrit të Brendshëm sipas mediave:

Prokurorët
1.    Shyqyri Duro
2.    Anisa Qilimi
3.    Sonila Muhametaj
4.    Sulejman Tola
5.    Etien Kapo
6.    Aurel Zarka
7.    Elveta Staf
8.    Edmond Shytko
9.    Hysen Ajasllari
10.    Genci Mane
11.    Aida Cakaj
12.    Saimir Smaka
13.    Skënder Dautaj
14.    Petref Asllani
15.    Andi POGAÇE
16.    Dritan Marku
17.    Milan Laskaj
18.    Rajmonda Berisha
19.    Bledar Mustafaraj
20.    Juljan Kristo
21.    Ilia Bano
22.    Olger Eminaj
23.    Julian Çafka
24.    Spartak Çocoli
25.    Hysni Vata
26.    Ardian Braho
27.    Dritan Rreshka
28.    Fiqirete Hajdini
29.    Edmond Kariqi

Gjyqtarët
1.    Osman Aliu
2.    Dedë Miri
3.    Besnik Qirën
4.    Ëngjëllushe Tahiri
5.    Alma Kolgjoka (Hoxha)
6.    Llesh Jakun
7.    Ilir Përdedën
8.    Ilir Çeliku
9.    Sulejman Kurti
10.    Seladin Pysqyli
11.    Engert Pëllumbi
12.    Pirro Sota
13.    Albert Spiro
14.    Mirela Mishgjoni
15.    Ramazan Avdiu
16.    Arta Duka
17.    Adelina Zarka
18.    Albert Spiro
19.    Bujar Musta
20.    Arben Vrioni
21.    Besnik Shehu
22.    Alvano Murataj
23.    Blerta Çibuku
24.    Albina Spaho
25.    Maksim Qirjazi
26.    Halil Vani

Madam Lokomotiva futi në kalendar reformën me urdhër të Ramës

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka reaguar ditën e djeshme në lidhje me ngjarjen e paprecedent të futjes në mënyrë të jashtëligjshme dhe fshehtazi në punimet 3-javore të Kuvendit të Shqipërisë të draftit të Reformës në Drejtësi, pa u diskutuar në Byronë e Parlamentit. Në një postim në Facebook, Berisha thekson se falsifikimi i kalendarit të punimeve të Parlamentit tregon se çfarë janë në gjendje të bëjnë me Parlamentin Edi Rama dhe të gjithë personat me precedentë penalë që ai ka futur në Parlament. “Parlamenti i vrasësve, trafikantëve, hajnave, përdhunuesve, më së fundi falsifikon kalendarin e tij! Të dashur miq, në një akt banditesk të pashembullt në historinë 25-vjeçare të Parlamentit pluralist shqiptar, por ndofta dhe në historinë parlamentare botërore, Parlamenti i vrasësve, përdhunuesve, trafikantëve, kusarëve të shtetit falsifikoi dje me urdhër të Edvin Kristaq Ramës kalendarin e punimeve të tij.  Kështu, ‘madam Lokomotiva’ futi në kalendar, me urdhër të neobllokmenit Edi Rama, pa diskutuar në Byronë e Parlamentit, ligjin për ndryshimet kushtetuese sikur gjoja kjo ishte miratuar me konsensus. Ndërkohë që në materialin e shpërndarë Byrosë para mbledhjes nuk thuhej asnjë fjalë për këtë ligj. Ky është një krim i shëmtuar që tregon se çfarë janë në gjendje të bëjnë me Parlamentin vrasësit, kusarët e shtetit, trafikantët dhe përdhunuesit dhe pengmarrësit në Parlament. Ky është një akt që tregon fytyrën e vërtetë të Edvin Kristaq Ramës, i cili duhet të marrë përgjigjen e merituar!”, shprehet Berisha.

Skandali, motra e Mrikës përfaqësuesja e OPDAT për Reformën në Drejtësi

Nga Habjon Hasani

Ambasada e SHBA-ve shpërndau një deklaratë për mediat, ku dukshëm vinte theksin në mungesën e “fleksibilitetit” nga ana e opozitës në dakordësimin e disa pikave nevralgjike që lidheshin me ekuilibrin e forcës në institucionet e reja të drejtësisë.
Kjo deklaratë e ambasadës s’do mend që nuk e ka lumturuar PD-në e, me siguri, në lojën e negociatave dhe të kulisës, PD-ja ka pasur “gjynahet e veta”.
Por duket pak e çuditshme që në deklaratën finale të ambasadës, nuancat ishin bardhë e zi, aq sa dikush që do të lexonte vetëm këtë deklaratë mbi reformën, do t’i dukej sikur njëra palë (opozita) i kishte vënë shkelmin reformës, ndërsa pala tjetër ishte “përvëluar” për një çikë reformë.
Ajo çfarë ka ndodhur në të vërtetë, nuk mund të ketë qenë dhe nuk është kaq bardhë e zi. Zor se mund të ketë engjëj dhe djaj kjo histori.
Opozita arriti një fitore drastike dhe të rëndësishme disa muaj më parë kur Komisioni i Venecias rrëzoi projektin fillestar të Edi Ramës. Ai ishte projekti për të cilin Ramës “i qante syri”.
Projekti fillestar ishte një organizim i qartë, pa ekuivok për të asgjësuar komplet sistemin aktual dhe për t’i zëvendësuar ekzistuesit nëpërmjet një metodologjie që kontrollohej nga një njeri, nga Edi Rama.
Ishte një përpjekje e qartë për të kapur sistemin për fyti e, për çudi, shumica e mediave e paraqisnin Ramën asokohe si kryereformator, si të vetmin aktor politik që “i qante xhani” për një çikë drejtësi.
As LSI-ja nuk i besonte projektit fillestar të Ramës dhe për këtë arsye ajo çoi në Venecia variantin e saj me korrektime.
Venecia konfirmoi dyshimet dhe qëndrimin e opozitës dhe Edi Rama kuptoi se ishin mbyllur “zyrtarisht” shtigjet që ai të bënte një reformë sipas tekave personale.
Venecia ishte e para që goditi dhe shkërrmoqi “legjendën urbane” dhe mediatike të një Edi Rame që do na bënte “dhuratë” drejtësinë që aq shumë e kishim ëndërruar të gjithë.
Deri në verdiktin e Venecias, Fatmir Xhafaj nuk e kishte problem madje dhe të deklaronte se ai vetë nuk kishte bërë ndonjë punë kushedi, sepse draftin ia kishte iniciuar dhe përgatitur fondacioni “Soros”.
Rilindësi Xhafaj i bënte zyrtarisht këto deklarata, në prezencë të ambasadorit amerikan, por dukej sikur askujt nuk i bënin përshtypje këto detaje.
Kreu i Komisionit të Reformës pranonte publikisht se i kishte lënë dorë të lirë një fondacioni privat t’i bënte këto punë, por të gjithë dukeshin të qetë dhe në prag lumturimi.
Pas Venecias erdhën komunikimet dhe negociatat për kolaudimin e qëndrimit në detaje.
Negociata, të cilat sot janë shpallur zyrtarisht si të dështuara, ndërsa demokratët i janë kundërpërgjigjur deklaratës së ambasadës duke ekspozuar përmbajtje të disa e-mail-eve që mbështesin pretendimet e saj për vullnet konstant.
Këto e-mail-e janë rakordime dhe komunikime mes ekspertëve të PD-së dhe ekspertëve të OPDAT-it. Ky i fundit është një organ teknik i kontrolluar nga SHBA dhe i specializuar në çështje të jurisprudencës dhe sigurisë.
Këmbimi i këtyre e-mail-eve ka një detaj interesant. Sepse personi i kontaktit dhe koordinatore në OPDAT është as më shumë e as më pak se sa znj. Alba Kodheli Ibrahimi.
Ajo është motra biologjike e ministres rilindëse Mimi Kodheli, por është njëkohësisht dhe bashkëshortja e juristit Gent Ibrahimi. Ky i fundit ishte dhe kryeteknicieni i hartimit të drafteve zyrtare.
Njeriu që ka bërë komunikimet dhe ka mbajtur kontaktet dhe rakordimet me PD-në është minimalisht në një konflikt të thellë dhe arbitrar interesi, e minimalisht duhej të kishte refuzuar të mbante këtë rol, sikundër dhe PD-ja duket se është treguar krejt e pavëmendshme duke ia besuar marrëdhënien dhe rakordimet me partnerët amerikanë një personi që është “biologjikisht kundër PD-së”.
Por konflikti i interesit të koordinatores Kodheli-Brahimi, duket se i ka shpëtuar dhe ambasadorit Lu, pavarësisht se ai zakonisht shfaqet si i kujdesshëm për t’u baraslarguar nga palët.
Ndaj dhe pas gallatës së Fatmir Xhafës me fondacionin “Soros”, erdhi dhe gallata e radhës me koordinatoren që ishte në pozicion të pavarur (si e OPDAT), por që është në pozita të forta ndërvarësie me Rilindjen, si krushkë e Rilindjes, si motër, por edhe si nuse.
Duket si ato krushqitë që Rilindja i ka shumë qejf kur vjen puna për sistemin e drejtësisë. Se “rastësia” e donte që dhe i vetmi gjyqtar që votoi kundër heqjes së mandatit të Koço Kokëdhimës, të na ishte as më shumë e as më pak se sa kunati i Fatmir Xhafës.
Për të mos folur pastaj për paradokset dhe gallatën e krushqive politike. Sepse jo më larg se dje Edi Rama e quajti “killer me pagesë” gjyqtarin Arjan Aliaj, por harroi se kryetari i KLD-së që e riktheu Aliajn në detyrë e ka emrin Bamir Topi.
Sot z. Topi është krushk politik i Kryeministrit Rama, madje është i vetmi President Republike, që ndërsa ishte në detyrë nisi të themelonte parti politike. Askush nuk ka guxuar ta bëjë para tij këtë gjë.
Por nëse deri më sot ishim mësuar disi me krushqitë biologjike dhe politike në sistemin e drejtësisë, rasti i Alba Kodheli Ibrahimit, tregoi se krushqitë mund të kenë arritur nivele të reja, të paeksploruara më parë.

Tahiri fsheh BMW-ja me pajisjen e përgjimit

Pa sekuestrimin e pajisjes së përgjimit, hetimet e Prokurorisë nuk do të mund të zbulojnë se në ç’masë është përgjuar përmes saj, siç pretendon organi i akuzës apo se cilët janë personat që kanë qenë nën përgjim. Sipas të dhënave që ndodhen në dosjen e hetimit, personi i fundit që është parë në drejtim e makinës, që ka të instaluar pajisjen, është oficeri i arrestuar Xhelilaj.
Vendndodhja e fundit e mjetit, një autoveturë tip “BMW” me ngjyrë të zezë, ka qenë parkingu i Forcës Operacionale. Më datë 13 maj, në orën 12:10, ajo ka dalë nga zyrat e policisë, tek 21 “Dhjetori” në Tiranë dhe nuk është parë më. Ky fakt u konfirmua nga kamerat e sigurisë së Bashkisë në këtë pjesë të Tiranës, pasi kamerat e godinës ku ndodhen Forcat Operacionale nuk kanë punuar atë ditë. Kjo gjë detyroi Prokurorinë të sekuestrojë serverin, pas dyshimeve se mund të jenë fshirë filmimet. Prej asaj dite nuk dihet asgjë rreth automjetit. Burime nga Prokuroria konfirmojnë se makina ku ishte instaluar “IMSI Catcher” nuk ka dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë. Kjo e konfirmuar nga të dhënat e sistemit doganor dhe atij TIMS.
Prokuroria ka kërkuar nga Interforca italiane t’i vihet në dispozicion pajisja, për të konfirmuar apo shuar dyshimet se ajo është përdorur për përgjim. Por deri tani, pala italiane nuk ka kthyer përgjigje.
Në letrën drejtuar prokurorit të Përgjithshëm shqiptar, ish–drejtori i Policisë italiane, Alessandro Pansa konfirmoi se, gjatë kohës që nuk përdorej, makina me pajisjen ishin mbajtur gjithnjë pranë misionit “Interforce” në Tiranë, ambientet e të cilit ndodhen në brendësi të ambasadës italiane në Tiranë.

Dy oficerët e përgjimeve lihen në “Arrest shtëpie”

Gjykata e Tiranës la edhe dje në fuqi masën “Arrest shtëpie” për dy oficerët e Forcave Operacionale që janë në hetim për shpërdorim detyre në lidhje me çështjen e pajisjes përgjuese “IMSI Catcher”. Paraditen e djeshme, gjyqtari Arjan Aliaj zhvilloi seancë verifikuese në lidhje me masën e sigurisë dhënë në mungesë ndaj shefit të IT-së të Forcave Operacionale, Ention Xhelili dhe drejtorit të Forcave Operacionale të Policisë, Artion Duka. Në përfundim të seancës gjykatësi vendosi që dy zyrtarët e policisë të vazhdojnë të qëndrojnë në të njëjtën masë sigurie siç kishte vendosur gjatë seancës së parë të masave të sigurisë të kërkuara nga Prokuroria.
Xhelilaj ka mbërritur i pari në gjykatë me një valixhe në dorë, ku mbante disa dokumente, që do t’i përdorte për mbrojtjen. Në mënyrë ironike, ai ka nxjerrë nga kjo valixhe edhe një trëndafil, duke nënkuptuar se nuk ka përgjuar njeri. Gjykatësi Arian Aliaj vendosi që seanca të jetë me dyer të mbyllura, sipas kërkesës së dy të arrestuarve. Gjyqi ka zgjatur përtej parashikimeve, për shkak të debatit mes prokurorit Gjergj Tako, avokatëve dhe dy oficerëve të policisë.
Përveç argumenteve të bëra të ditura më herët, prokurori ka sqaruar se Duka dhe Xhelilaj nuk kanë qenë të pajisur me çertifikata sigurie, për të kryer përgjime. I menjëhershëm ka qenë reagimi i dy oficerëve, të cilët kanë mohuar akuzat, duke pretenduar se e vërteta do të zbardhet shumë shpejt. Avokatët mbrojtës të tyre, në fund të procesit thanë se do të apelojnë vendimin.
Ndërkohë, në Gjykatën e Apelit është caktuar data kur do të shqyrtohet kërkesa e drejtorit të Policisë, Haki Çako, i cili u pezullua nga detyra nga Gjykata e Shkallës së Parë. Më 16 qershor, ai do të dalë para togave të zeza, që do të vlerësojnë kërkesën e tij për rikthimin në detyrë.

Veliaj zhduk dhjetëra milionë lekë, shkatërron aty ku ndërtoi

Kreu i Bashkisë së Tiranës shpërdoron paratë e qytetarëve duke shkatërruar rrugët që ndërtoi dy muaj më parë. Gati dy muaj më parë, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, inauguroi rrugën pranë Pallatit të Kongreseve, duke theksuar se do të ishte një çlirim për këtë zonë. Projekti përfshinte rindërtimin e rrugës që ndan Pallatin e Kongreseve me Hotel “Rogner”, ndërtimin e një rotondoje pranë stadiumit “Qemal Stafa”, si dhe rikonstruktimin e trotuarit ngjitur me stadiumin.
Dy ditë më parë, qeveria nisi shembjen e stadiumit “Qemal Stafa”, për të ndërtuar “Arenën Kombëtare”. Pjesë e shkatërrimit ishte edhe zona e rindërtuar nga Bashkia e Tiranës, trotuari pranë stadiumit.
Vetëm dy muaj pas inaugurimit të Veliajt, pjesa e trotuarit të rindërtuar shkatërrohet. Paratë e taksapaguesve në këtë rast, çohen dëm dhe i vetmi fajtor për këtë është kryebashkiaku i Tiranës, i cili në dijeni të plotë për shkatërrimin e stadiumit, vendosi të rindërtojë trotuarin aty pranë. Janë me dhjetëra milionë lekë të qytetarëve të Tiranës që “flaken” brenda një periudhe kohore shumë të shkurtër.
Trotuari ngjitur me stadiumin është shkatërruar për shkak të punimeve. Është normale që nga futja e mjeteve që do të shembin stadiumin, pjesa e trotuarit do të prishej, por ky fakt nuk e ndaloi Bashkinë e Tiranës të kryente një investim që dihej nga fillimi se do të ishte i pavlerë.
Kjo ngre dyshime të forta për mënyrën se si kryebashkiaku Erion Veliaj, menaxhon taksat e qytetarëve të Tiranës. Në rastin konkret, rezulton se ato janë investuar në një projekt, një pjesë e së cilës “avulloi” për dy muaj. Duke pasur informacionin për ndërtimin e stadiumit, kryebashkiaku mund të mos e përfshinte atë pjesë në projektin e rikonstruksionit. Kështu do të shpëtonte disa dhjetëra milionë lekë, të cilat do të investoheshin diku tjetër.
Ky shpërdorim në këtë mënyrë i fondeve të Bashkisë tregon mungesën e përgjegjshmërisë nga kryebashkiaku Veliaj, i cili edhe pse i shkaktoi këtë dëm qytetarëve të Tiranës, mund të kishte kërkuar që punimet në stadium të kryheshin nga pjesa e prapme dhe trotuari i rindërtuar do të ishte funksional për qytetarët, edhe për pak kohë.
Qeveria ka nisur punimet për shembjen e stadiumit “Qemal Stafa” dhe ndërtimin e stadiumit të ri “Arena Kombëtare”. Ndonëse ndërtimi i këtij stadiumi është kundërshtuar nga opozita, Rama ka nisur punimet. “Arena Kombëtare” u kundërshtua ashpër jo vetëm nga opozita, por edhe nga specialistët për kullën që do të ndërtohet së bashku me të dhe për vlerën e lartë, e cila kap shifrat e 50 milionë euro. “Citynews”

Policia pengon investimet e Bashkisë për turizmin në Pogradec

Bashkia e Pogradecit dënon ashpër ndalimin e 3 punonjësve të Ndërmarrjes së Gjelbërimit nga Policia e Shtetit. Sot, në përmbushje të detyrës së tyre, punonjësit Kristo Pura, Qani Nurka dhe Altin Rushiti janë shoqëruar pranë Komisariatit të Pogradecit. Vërejmë se punonjësit e Bashkisë ishin në krye të detyrës, duke krasitur pemët përgjatë bulevardit kryesor, i cili prej ditësh po sistemohet për të qenë gati në hapjen e sezonit turistik. Bashkia e Pogradecit i është drejtuar zyrtarisht Prefektit dhe Policisë për këtë tejkalim të kompetencave të Policisë së Shtetit dhe kërkojmë lirimin e tyre të menjëhershëm.“I bëjmë thirrje Policisë së Shtetit të mos ndikohet politikisht nga ish- zyrtarë lokalë të korruptuar që janë punësuar në polici apo zyrtarë të tjerë që kërkojnë të pengojnë për qëllime politike Bashkinë, por t’i shërbejnë ligjit dhe interesave të qytetarëve. I bëjmë me dije qytetarëve se Bashkia e Pogradecit është në gatishmëri të plotë për t’i dhënë qytetit të gjithë përgatitjen e duhur për të pasur një sezon turistik sa më të mbarë dhe se askush nuk do të pengojë Bashkinë në misionin e saj për t’i shërbyer qytetarëve” thuhet në një reagim të Bashkisë së Pogradecit. Ndaj kësaj situate ka reaguar edhe ish kryeministri Berisha. “Çunat e krimit të Saje qorrit për qëllime politike dalin kundër turizmit në Pogradec! Përpjekjet serioze të bashkisë së qytetit të Pogradecit për të përgatitur sa më bukur perlën e turizmit shqiptar, Pogradecin për nje sezon turistik të paparë, sabotohen për motive politike në një akt të turpshem dhe primitiv me porosi të Saje qorrit nga çunat e krimit të komisariatit të policisë së këtij rrethi. Kështu, ata sot kanë ndaluar në krye të detyrës tre punëtore të ndërmarrjes së gjelbërimit që po krasitnin sipas projektit të bashkisë pemët në një zonë të qytetit. Ndalimi i tyre është një akt policesk tërësisht i kundraligjshem që u bë me pretekstin se ata po prisnin pemë, në një kohë që ata, si punonjës të ndërmarrjes së gjelbërimit po zbatonin detyrën ditore të punës së miratuar nga Bashkia. I bëj thirje prokurorisë së shtetit të vendosi para ligjit çunat e krimit të Saje qorrit, shefin e tyre që mendon dhe vepron njëlloj si në një shtet policor” shkruan Berisha.

Kapen 8 shqiptarë në Holandë, do hynin ilegalisht në Angli

Pavarësisht masave shtrënguese të autoriteteve holandeze në tentativë për të ulur klandestinët në portet e vendit, shqiptarët po vazhdojnë të sfidojnë autoritetet holandeze. Gjatë ditës së mërkurë, 8 shqiptarë në dy incidente të ndryshme u zbuluan në Portin Hoek van Holland, pak ditë pas dërgimit të ushtrisë për të siguruar portet.
Nuk po funksionon taktika e Ministrisë së Mbrojtjes këtu në Holandë, e cila prej një jave ka nisur trupat e ushtrisë për të siguruar portet e vendit. Shqiptarët po vazhdojnë në portet e Holandës, për të kaluar ilegalisht në Britaninë e Madhe.
Në dy incidentet të shënuara gjatë ditës së mërkurë u arrestuan 8 shqiptarë në moshat 14 deri 39 vjeç. Në incidentin e parë, katër persona kapërcyen gardin rrethues të Portit Hoek van Holland, duke hyrë forcërisht në një nga kamionet e parkuara në port.
Sipas Policisë së Kufirit, dy nga të arrestuarit e moshës 14 dhe 18 vjeç kishin kërkuar azil në Gjermani. Katër shqiptarë të tjerë u arrestuan po ashtu në Portin Hoek van Holland, ku ato u gjetën të fshehur në një kamion që ishte duke u bërë gati të nisej për në Angli.
Të gjithë personat kanë kërkuar azil në Holandë dhe personat janë në pritje të përgjigjes për kërkesën e tyre. Shqiptarët janë kthyer në temë kryesore në vendet perëndimore, pasi numri i shqiptarëve që tentojnë të ikin ilegalisht në Britani të Madhe është gjithnjë në rritje.
Bandat e trafikantëve shqiptarë kanë një pozitë të rëndësishme në trafikun e emigrantëve nga Franca drejt Britanisë së Madhe. E përditshmja franceze “Le Monde” bën të ditur se prej fillimit të këtij viti janë arrestuar mbi 1225 trafikantë të qenieve njerëzore. Pjesa më e madhe e tyre punonte për llogari të 7 bandave të drejtuara nga shqiptarët, ndërsa pjesa tjetër për 12 grupe të drejtuara nga shtetas me kombësi të tjera.
Por “Le Monde” shkruan se policia franceze nuk ka mundur t’u konfiskojë trafikantëve shuma të mëdha parash të përfituara nga trafiku, pasi emigrantët krijonin lidhje dhe paguanin trafikantët në Shqipëri para se të ndërmerrnin rrugëtimin drejt Francës për të mbërritur në Britaninë e Madhe. Sipas mediave britanike, për trafikimin e emigrantëve që po bëhet një biznes gjithnjë e më fitimprurës, trafikantët shqiptarë kanë lidhje të ngushta me mafian vendase.
Pak ditë më parë, policia franceze vuri në pranga 4 shqiptarë dhe 2 bashkëpunëtorët e tyre francezë, pjesë e një grupi që trafikonte emigrantë klandestinë kryesisht shqiptarë nga Franca drejt Britanisë, përmes portit të Kalesë. Trafikantët përfitonin nga 7 mijë euro për çdo emigrant.

Kush është 31-vjeçari i kërkuar në Itali që fshihej në Rrogozhinë

31-vjeçari i arrestuar dje në Rrogozhinë për llogari të drejtësisë italiane duket se ka një betejë të gjatë kundër ekstradimit në vendin fqinj. Sipas gazetës italiane “Corriere” në një artikull të datës 20 janar të vitit 2009, shqiptari Shamo akuzohet për një vrasje të kryer më 6 gusht të vitit 2007, ku ka humbur jetën Elvis Daci, 27 vjeç, me origjinë shqiptare. Krimi u krye në Firence.
Në nëntor të po atij viti, policia italiane lëshoi një urdhër arresti ndërkombëtar për Florenc Shamon. Shqiptari Shamo sipas artikullit, ka udhëtuar në vende të ndryshme të Evropës, si në Greqi, Holandë, Spanjë dhe në Shqipëri.
Por, më 4 janar të vitit 2009, ai ishte nisur me një anije mallrash në drejtim të Torontos në Kanada, nëpërmjet një karte identiteti të falsifikuar italiane, duke u quajtur Geracitano Vincenzo, lindur në Siderno në krahinë e Reggio Calabria. Sipas gazetës italiane, shqiptari kishte kryer edhe një operacion për ndryshimin e fytyrës.
Më 16 janar të atij viti, shërbimet e emigracionit në Kanada e arrestuan atë në Portin Halifax dhe gjatë asaj kohe do të nisnin procedurat e ekstradimit. Në një artikull të datës 16 shkurt të vitit 2009, shkruhej se shqiptari i arrestuar për falsifikim dokumentesh më 16 janar kishte kërkuar azil politik në Kanada, duke kundërshtuar ekstradimin në Itali apo në Shqipëri. Pretendimi ishte se i rrezikohej jeta, ndërsa ishte paraqitur si qytetar italian.
Ai shkoi në Kanada me emrin italian, por që rezultoi i falsifikuar. Më pas tha se quhej Mario Shamo, ndërsa më vonë u identifikua si Florenc Shamo. Shqiptari ishte pjesë e një bande shqiptare që vepronte në Itali.
31-vjeçari Florenc Shamo ishte në kërkim nga autoritetet italiane pasi është dënuar me 14 vite burg për vrasje në bashkëpunim. Interforce Italia ka dërguar shkresën e datës 03.06.2016, ku është lëshuar urdhri i ekzekutimit nga Prokuroria e Republikës pranë Gjykatës së Firences, i dënuar me 14 vjet burg, për veprën penale “Vrasje në bashkëpunim”, parashikuar nga Kodi Penal italian. Pritet ekstradimi i këtij shtetasi në drejtim të shtetit italian.

Franca e nis me fitore

Franca ka mposhtur me shumë vështirë Rumaninë në ndeshjen e parë të Kampionatit Evropian, ku Dimitri Payet shënoi një gol të bukur në minutën e 89’ për rezultatin përfundimtar 2:1. Ajo që nuk u realizua në pjesën e parë, u bë realitet me fillimin e pjesës së dytë.
Emocione, spektakël dhe 3 pikë në “Stade De France” ku sfida hapëse mes Francës dhe Rumanisë përfundoi me fitoren e bluve 2-1 falë një eurogoli të Payet 2 minuta nga fundi. Euro 2016 dha verdiktin e parë nga Parisi ku nisi rruga magjike e europianit me vendasit nuk zhgënjyen pritshmëritë i dhanë ngjyra ceremonisë madhështore që ndriçoi kryeqëndrën franceze. Magjia e mbrëmjes pariziene startoi zyrtarisht me ceremoninë madhështore. Mijëra njerëz të angazhuar në spektaklin e “Stade De France” i dhanë jetë spektaklit që nxorri në pah vlerat e kombit francez. 200 njerëz nga 36 vende të ndryshme zbritën në tapetin 105 metra të gjatë. Balerinat Can Can i paraprinë kulmit festiv ku David Gueetta performoi live përpara të pranishmëve disa nga këngët më të njohura të repertorit të tij dhe më pas ia la radhën interpretimit të këngëtarës suedeze Zara Larson për hmnin e Euro 2016.
Spektakli ia pasoi stafetën futbollit të luajtur. Franca zbriti në fushë me formacionin klasik 4-3-3 ku Payet-Griezman dhe Giroud u mbështetën në sulm nga Pogba. Gjithsesi, ishte Rumania që tregoi muskujt gjatë minutave të para dhe në minutën e 4, Lloris arriti të bënte mrekullinë me një pritje pothuajse në vijën fatale pas goditjes së Stancu. Franca u zgjua 7 minuta më pas me protagonist Griezmann që e stampo topin në shtyllë. Ballkanasit e imponuan lojën në nivelin fizik për të shkatërruar aksionet e vendasve dhe ia dolën mbanë.
Blutë nuk arritën të ndërtonin lojën, ndërsa Rumania gjeti hapësira të mëdha duke e thumbuar mbrojtjen kundërshtare në disa raste. Në të 36-ën, Payet u shkëput nga e majta për të dhuruar një asist por e majta e Griezmann u devijua nga Sapunaru që rrezikoi autogolin. Minutat deri në fund të kësaj pjese rrodhën me një ritëm të lartë nga të dyja skuadrat, por presioni asfiksues i Rumanisë nkrijoi amulli në radhët e vendasve që hasën në vështirësi të mëdha duke mos e çarë murin ballkanas.
Ishin pikërisht djemtë e Jordaneskut që dolën nga dhomat e zhveshjes me oksigjen për të shpenzuar pasi në të 48-ën, Stancu gaboi të pabesueshmen pasi u shërbye nga Stanciu dhe u gjend i vetëm përballë Lloris. Ky ishte momenti kur Franca nisi provat gjenerale për të gjetur golin pasi në minutën e 57 Pogba u ndal nga Tatarusanu, por ky i fundit nuk arriti të devijonte topin në aksionin pasardhës ku Giroud e dogji në kërcim për të zhbllokuar rezultatin.
Goli i 50 i Francës në ndeshjen numër 50 për sulmuesin e Arsenalit. Kjo rrjetë shërbeu si shkëndijë për të ndezur sfidën pasi Rumania replikoi me një 11-metërsh të fituar nga Stanciu dhe të ekzekutuar nga i njëti autor.
Momente të paqarta për skuadrën e Deschamps i cili nxorri nga fusha Griezmann dhe për Coman dhe Martial por goli erdhi nga këmbët e Dmitri Payet që mori përsipër gjithë peshën e 80 mijë të pranishmëve në “Stade De France” duke shënuar një gol vendimtar.
Një fitore e vuajtur për Francën e talenteve. “Blutë” fitojnë 3 pikë por ridimensionohen pas këtij 90 mintëshi dhe shikojnë drejt Shqipërisë,  ndërsa Rumania qan pikën e humbur pas një takimi ku meritoi më shumë se humbja e minutave të fundit.