31.5 C
Tirana
E enjte, 14 Gusht, 2025

Protestë në Tiranë kundër dhunës ndaj grave

Të indinjuar nga dhuna kundër grave ekspozuar nga video-skandalet në rrjetet sociale, dhjetëra qytetarë bashkuan zërin për të kërkuar barazi gjinore. Dhjetëra qytetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile protestuan të premten përpara Piramidës duke mbajtur pankarta që dënonin dhunën ndaj grave. Qytetarët i bënë thirrje autoriteteve të jenë shumë të ndjeshëm ndaj të gjitha formave të dhunës që përjetojnë gratë shqiptare dhe i ndërgjegjësuan këto të fundit të jenë sa më aktive në bërjen publike të dhunës ndaj tyre.
Tre ditë më parë një grua u dhunua barbarisht nga ish-burri i saj në mes të rrugës në qytetin e Vlorës në sy të dy fëmijëve të mitur, të cilët qanin të lebetitur duke u përpjekur të mbronin nënën e tyre. Disa qytetarë u munduan ta largonin bashkëshortin dhunues, por ai vazhdonte të qëllonte nënën e dy fëmijëve, e cila nis të qajë. Rreth vendit të ngjarjes nuk pati punonjës policie, por pas publikimit të videos në rrjetet sociale, agresori u shoqërua në komisariat. Policia e Vlorës ka informuar se burri i dhunshëm që shkelmoi gruan në sy të dy fëmijëve të mitur ishte ish-bashkëshorti i saj, Ilirjan Pajo, 44 vjeç.
E reja M.Çaushaj ka deklaruar se është dhunuar edhe më parë prej tij. Nëna e tri fëmijëve tha se kishte vendosur të fillonte punë duke u përkujdesur për një grua të moshuar, por ish-bashkëshorti e ka kërcënuar dhe ka kërkuar të marrë fëmijët. “Më ka dhunuar edhe më parë. Kam tri vite që jam ndarë dhe e kam kallëzuar dy herë në polici. Ai ka dhunuar edhe vajzën”, është shprehur ajo.

Mazhoranca në krizë, zëra për zgjedhje të reja

Kalimi në tatim progresiv dhe heqja e taksave mbi biznesin e vogël e ka ulur efikasitetin e grumbullimit të të ardhurave për arkën publike analizon Fondi Monetar Ndërkombëtar në kuadër të rishikimit të gjashtë dhe të shtatë të programit trevjeçar me Shqipërinë.
Fondi vlerëson se, konsolidimi fiskal në Shqipëri po bëhet i vështirë për shkak të dizenjimit të dobët të sistemit fiskal. Ndërsa normat e taksave janë në nivele të njëjta ose më të larta se të vendeve fqinjë, nga ana tjetër Shqipëria ka një efikasitet fiskal më të ulët se këto vende.
Politikat e vitit 2014, të cilat bënë kalimin e tatimit mbi të ardhurat personale nga niveli i sheshtë në progresiv dhe përjashtimi më 2016 i të gjitha bizneseve të vogla nga taksat, shihet të kenë dhënë një kontribut të ulët në rendimentin e grumbullimit të taksave dhe kanë krijuar një mjedis të vështirë për biznesin analizon Fondi.
Në këtë kontekst, FMN ka orientuar qeverinë të rrisë efikasitetin e të ardhurave në miradministrimin e TVSH-së.
Sipas një shembulli që Fondi ka marrë për bazë llogaritje, Shqipëria humbet 34 deri 39 për qind e arkëtimeve të mundshme të TVSH-së, kur ky nivel në BE llogaritet rreth 15%.
Duke njohur këto sfida, qeveria nisi një përpjekje në shkallë të gjerë për të trajtuar evazionin fiskal, e cila solli formalizimin e konsiderueshëm të punonjësve dhe bizneseve të vogla.
Kohët e fundit, fushata ka ndryshuar fokusin për të synuar segmente me vlerë të lartë të biznesit dhe gjithashtu tatimet po shfrytëzojnë mjetet moderne të menaxhimit të rrezikut për të evidentuar shmangiet.
Kriza politike brenda mazhorancës dhe tensionet mes Partisë Socialiste e LSI-së kanë shqetësuar Fondin Monetar Ndërkombëtar. Në raportin e fundit mbi Shqipërinë, FMN e cilëson krisjen e koalicionit qeverisës si një nga dy rreziqet më të mëdha për ekonominë. “Me tensionet brenda mazhorancës qeverisëse dhe zërat për zgjedhje të parakohshme, tensionet politike dhe sociale mund të pengojnë zbatimin e reformave strukturore”, thotë  FMN.
Sipas Fondit, kjo do të shkaktonte përkeqësimin e administrimit tatimor, duke çuar në rënien e të ardhurave, uljen e investimeve dhe akumulimin e borxheve të papaguara ndaj biznesit.
Paqëndrueshmëria e mazhorancës është një nga dy rreziqet për të cilat FMN mendon se do të kishin impakt të madh në ekonominë shqiptare. Rreziku i dytë është ai i rritjes së dobët në Eurozonë, veçanërisht në dy partnerët kryesor ekonomik të Shqipërisë, që janë Greqia dhe Italia.
“Rritja e dobët ekonomike në Itali dhe Greqi do të vazhdonte të ndikonte negativisht rritjen ekonomike të Shqipërisë. Nga ana tjetër, rritja stanjative e ekonomisë do të testonte vendosmërinë e qeverisë për të vazhduar me reformat dhe uljen e borxhit”, thotë FMN.

Ja risqet e tjera për ekonominë

Ekspertët e FMN-së kanë identifikuar në total 9 rreziqe si potenciale për ekonominë shqiptare. Në një matricë të posaçme brenda raportit, ata i kanë renditur këto rreziqe sipas probabilitetit që kanë për t’u materializuar, por edhe sipas impaktit që do të kishin në ekonomi.
Në kolonën e parë, FMN identifikon 4 rreziqe që kanë probabilitet të lartë për t’u materializuar. Ato janë, vazhdimi për një kohë të gjatë i çmimeve të ulëta të naftës dhe ngadalësimi i vendeve në zhvillim, forcimi i dollarit, largimi i një banke të huaj nga Shqipëria dhe fluksi i emigrantëve.
Por nga këto 4 rreziqe me mundësi të lartë ndodhje, sipas FMN, vetëm njëra do të kishte impakt mesatar në ekonomi. Ajo e çmimeve të ulëta të naftës dhe ngadalësimi i ekonomive në zhvillim, që sipas Fondit do të ulte më tej të ardhurat nga renta dhe do të dekurajonte më tej investimet në këtë sektor. Ndërsa tre rreziqet e tjerë edhe nëse realizohen do të kishin impakt të vogël në ekonomi.
Në kollonën e dytë janë listuar rreziqet me mundësi mesatare dhe të lartë ndodhje. Këtu hyn; rritja e dobët në ekonomitë partnere të Eurozonës, destabiliteti i brendshëm politik, kushtet e këqija të motit, një shpërthim i ri i krizës greke.
Në këtë kolonë, FMN thotë se janë dy rreziqe, që do të kishin pasoja të mëdha për ekonominë. Ato janë kriza e ekonomive partnere dhe përplasjet brenda koalicionit qeverisës, ndërsa rreziqet e tjera do të kishin pasoja të vogla. Në fund të tabelës, FMN indentifikon si rrezik edhe pamundësinë e qeverisë për të rinovuar borxhin publik. Por sipas ekspertëve të saj, ky rrezik ka një probabilitet të ulët ndodhjeje me pasoja potenciale të ulëta.

Biden: Ata që kërcënojnë gjyqtarët kryejnë krim, duhet të shkarkohen

Zv/Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka dënuar sulmet e politikës ndaj gjyqtarëve, duke e quajtur krim kushtetues. Biden, në një replikë 1 orë e 23 minuta me kandidatin presidencial Donald Trump, ka dënuar deklaratat e këtij të fundit për gjuhën e ashpër të përdorur ndaj një gjyqtari në SHBA. Sipas numrit dy të SHBA-së, kushdo që kërcënon gjyqtarët, duhet të përballet me një “impeachment”, që do të thotë se duhet të shkarkohet. “Ata që kërcënojnë gjykatës, kryejnë një krim kushtetues. Qoftë ky edhe një President, atëherë duhet të shkarkohet. ”, është shprehur zv/Presidenti amerikan Joe Biden. Gjatë këtyre ditëve, edhe në politikën shqiptare ka patur rast të ngjashëm, kur Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri kanë sulmuar ashpër gjyqtarin e Tiranës që vendosi pezullimin e Haki Çakos nga posti i tij, deri në përfundim të hetimeve për pajisjen ilegale të përgjimeve.

Bashkia e Tiranës jo transparente, Bashkia e Shkodrës modeli më i mirë

Aleksandër Todi është një koordinator për Informimin në Bashkinë e Tepelenës, një njësi e vogël vendore me rreth 17 mijë banorë në Jug të Shqipërisë. Në pak muaj ai mban kontakte të rregullta me gazetarët vendorë dhe po punon për të ngritur një portal elektronik informimi për aktivitetin e bashkisë. Por ndërsa në këtë bashki ka një koordinator për Informimin dhe një Program Transparence, në pjesën dërrmuese të bashkive në Shqipëri nuk po zbatohet Ligji për të Drejtën e Informimit.
Ligj i detyron institucionet publike dhe ato vendore të japin informacion brenda 10 ditësh ndaj një kërkese të qytetarit dhe në rast të kundërt zyrtarët përgjegjës, përfshirë edhe drejtuesit, gjobiten në shuma të mëdha financiare. Ligji detyron gjithashtu që institucionet të kenë një Program Transparence, një koordinator për Informimin dhe të bëjnë publike për qytetarët çdo informacion ose përmes faqeve të internetit e portaleve ose përmes stendave publike.
Komisioneri për të Drejtën e Informimit, Besnik Dervishi i tha “Zërit të Amerikës” se nga 61 bashkitë që dolën nga zgjedhjet e fundit të qershorit 2015, më pak se gjysma e tyre kanë faqe interneti dhe vetëm 10-12 prej tyre i përditësojnë ato me informacion për publikun.
“Po të shikojmë diferencën nga ku ishim e ku jemi, hapat janë pozitive, por mbetet shumica e punës për t`u bërë”, tha zoti Dervishi.
I pyetur se a kishte ndëshkime me gjoba siç e parashikon ligji për titullarët që nuk japin informacion, zoti Dervishi tha se përpjekjet më të mëdha ishin në ndërgjegjësimin e autoriteteve vendore.
Ndërsa më shumë se gjysma e bashkive nuk kanë faqe interneti, një vëzhgim i “Zërit të Amerikës” në stendat publike të disa bashkive flet për një situatë të mjerueshme në përcjelljen e informacionit për publikun edhe përmes kësaj forme.
Shumë prej bashkive më të mëdha në vend, si Bashkia e Tiranës, Lushnjës apo Beratit nuk kanë Program Transparence, ndërsa bashkitë e vogla nuk kanë përcaktuar ende as koordinatorët.
Sipas Ligjit për të Drejtën e Informimit, miratuar që prej vitit 2014, institucionet publike, përfshi njësitë e qeverisjes vendore, gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi, duhet të kishin Programin e Transparencës dhe koordinatorin e emëruar.
Por ndonëse kanë kaluar gati dy vite shumica e institucioneve publike dhe sidomos e bashkive nuk e kanë përmbushur këtë detyrim ligjor.
Megjithëse ekziston mundësia ligjore që koordinatorët për të Drejtën e Informimit të gjobiten për refuzimin e dhënies së informacionit me asnjë prej tyre nuk ka ndodhur kjo.
Një organizatë “INFOCIP” një muaj më parë publikoi të dhënat për 61 bashkitë e krijuara nga Reforma Territoriale e 2015.
“Vetëm 24 bashki kanë faqe zyrtare interneti dhe vetëm 9 bashki kanë Programet e Transparencës”, tha organizata pas një monitorimi disa mujor. U vërejt gjithashtu se vetëm 6 bashki kanë tashmë të publikuar një regjistër të ankesave dhe përgjigjeve ndaj qytetarëve. Ndër këto bashki renditeshin Himara, Kavaja, Lezha, Vlora, Vora dhe Shkodra. Nga monitorimi rezultoi gjithashtu se deri në fillim të muajit të kaluar janë caktuar 41 koordinatorë dhe ende 20 bashki nuk e kanë përmbushur detyrimin ligjor. Raporti vëren gjithashtu se nga 61 bashki, vetëm 14 prej tyre kanë vendime të publikuara. Ndër këto bashki ishin Shkodra, Durrësi, Korça, Vlora, Fieri, Lushnja, Berati, Gramshi, Skrapari, Divjaka, Përmeti, Lezha, Kruja dhe Kuçova.

Kriza ekonomike, mijëra biznese kërkesë për mbylljen e aktivitetit

Janë 7571 biznese që kanë bërë kërkesë për t’u çregjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB) gjatë pesë muajve të parë të vitit, sipas të dhënave zyrtare nga QKB.
Sipas QKB, nga të dhënat statistikore rezulton se, aplikimet për çregjistrim për periudhën kohore janar – maj vitin 2016 kanë pësuar një rritje prej 25% krahasuar me të njëjtën periudhë kohore të vitit 2015.
Kërkesat më të mëdha për çregjistrim janë bërë në shkurt, me rreth 2800 të tilla, dyfishin me shkurtin 2015, ndërsa mesatarisht çdo muaj ka pasur mesatarisht mbi 1200 kërkesa për çregjistrime nga bizneset (me përjashim të majit, po gjithsesi të dhënat nuk janë të plota për gjithë muajin).
Të dhënat e detajuara për aplikimet për çregjistrim të ndara në muaj, për periudhën kohore janar – maj vitin 2015 dhe janar – maj vitin 2016, janë të pasqyruara në tabelën më poshtë:
Por, jo të gjithë bizneset arrijnë të çregjistrohen. Sipas të dhënave të mëparshme të QKB-së, për 4-mujorin u çregjistruan vetëm rreth 2500 biznese, apo gati tre herë më pak se kërkesat për çregjistrim.
Sipas të dhënave zyrtare për pesë mujorin u regjistruan rreth 9800 biznese të reja 24% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Nga këto 680 janë të huaja.
QKB: Çregjistrimi tani bëhet për 30 ditë.
Sipas të dhëave nga QKB, me ndryshimet e fundit ligjore të Ligjit Nr.9723, datë 3.5.2007 “Për regjistrimin e biznesit”, i ndryshuar dhe Ligjit Nr. 9920, datë 19.05.2008, “Procedurat Tatimore në Republiken e Shqipërise”, i ndryshuar, është bërë e mundur lehtësimi i procedurave dhe shkurtimi i afatit të çregjistrimit për personat fizikë dhe për subjektet e tjera, në rastet kur ligji nuk parashikon procedura likuidimi në lidhje me to. Tashmë, çregjistrimi për personat fizikë bëhet pas 30 ditësh, nga data e aplikimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Gjithashtu, me ndryshimet e fundit ligjore të Ligjit Nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare” dhe Ligjit Nr. 9920, datë 19.05.2008, “Procedurat Tatimore në Republiken e Shqipërise”, i ndryshuar, është bërë e mundur lehtësimi i procedurave dhe shkurtimi i afatit të çregjistrimit për personat juridikë, degët dhe zyrat e përfaqësimit të shoqërive të huaja dhe për shoqëritë e thjeshta dhe për subjektet e tjera, për të cilat ligji parashikon procedura likuidimi. Tashmë, në rast të ndjekjes së procedurës së likuidimit, çregjistrimi bëhet brenda 90 ditëve, nga 120 ditë që ishte më parë.
Vlen për t’u theksuar se, procesi i çregjistrimit të subjekteve është një proces ku janë të përfshirë disa institucione dhe nuk trajtohet ekskluzivisht nga Qendra Kombëtare e Biznesit.
Megjithatë, nga ana e Qendrës Kombëtare e Biznesit respektohen dhe do të respektohen gjithmonë me rigorozitetin më të madh të gjitha afatet ligjore të parashikuara për çregjistimin e subjekteve, me qëllim mospengimin e biznesit dhe moskrijimin e barrierave administrative të panevojshme e të dëmshme, thanë burimet zyrare të QKB.

Skandali me Avokatin e Shtetit në Strasburg

Agim Hysi, pavarësisht se i shkarkuar si gjyqtar është emëruar Avokat Shteti në nivel qendror në kundërshtim me ligjin. Jo vetëm nuk ka kaluar provat e testimeve dhe trajnimeve, por nuk përmbush as kriteret formale për t’u pranuar si kandidaturë që futet në garë, pasi sipas Ligjit “Për Avokaturën e Shtetit” një nga kushtet është: “të mos jesh i dënuar apo larguar nga çdo funksion publik për shkelje ose paaftësi në kryerjen e detyrave” (neni 20, pika 1/c kushtet për t’u emëruar ‘Avokat Shteti’”. Gjithashtu, nuk duhet të jetë i angazhuar politikisht. A. Hysi është i angazhuar dhe politikisht tek PS, biles nivele të larta.
Në Komision të Ligjeve, ligji i pronave është mbrojtur nga Avokati i Shtetit që përfaqëson në STRX.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendosi shkarkimin nga detyra të Agim Hysit për kryerje të veprimeve që vijnë në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës në gjykimin e disa çështjeve penale dhe për shkelje të etikës gjyqësore. Hysi iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, por kjo e fundit shpalli kërkesën e tij të pambështetur.

Vendimi i Kushtetueses

Kolegji i Gjykatës Kushtetuese (Kolegji), pasi shqyrtoi kërkesën, dokumentet shoqëruese dhe diskutoi çështjen në tërësi.
Kërkuesi Agim Hysi ka punuar si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë. Ai ka qenë në një trup gjykues me gjyqtarët M.Mishgjoni dhe A.Fega kur ndaj tyre filloi procedimi disiplinor në vitin 2002.
Me vendimin nr. 127, datë 27.05.2002, Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD) ka vendosur shkarkimin nga detyra të kërkuesit për kryerje të veprimeve që vijnë në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës në gjykimin e disa çështjeve penale dhe për shkelje të etikës gjyqësore. Ky vendim është bërë objekt shqyrtimi në Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë (KBGJL), të cilat, me vendimin nr. 88, datë 18.11.2002 (nr. 88/2002), kanë vendosur mospranimin e kërkesës së paraqitur nga kërkuesi.
Kërkuesi i është drejtuar dy herë Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të vendimit nr. 127, datë 27.05.2002 të KLD-së dhe vendimit nr. 88, datë 18.11.2002 të KBGJL-ve. Kolegji i Gjykatës Kushtetuese (Kolegji), me vendimet nr. 125, datë 14.07.2003 dhe nr. 69, datë 26.04.2005, ka vendosur në të dyja rastet moskalimin për shqyrtim në seancë plenare, me arsyetimin se mungojnë shkaqet për kalimin e çështjes për shqyrtim gjyqësor për proces të parregullt ligjor, në kuptim të neneve 42 e 131 të Kushtetutës.
GJEDNJ-ja mbi aplikimin nr. 38349/05 të kërkuesit e ka shpallur kërkesën të papranueshme, duke e konsideruar të depozituar jashtë afatit.
Kërkuesi i është drejtuar sërish Gjykatës së Lartë, duke kërkuar rishikimin e vendimit nr. 88/2002 të KBGJL-së mbi bazën e nenit 494/e të KPC-së. Sipas tij, ky vendim binte ndesh me vendimin nr. 6, datë 06.02.2009 të KBGJL-së (nr. 6/2009), i cili kishte shfuqizuar vendimin e KLD-së për shkarkimin e gjyqtares M.Mishgjoni, si dhe me vendimin e GJEDNJ-së në çështjen Mishgjoni kundër Shqipërisë (2010), në të cilin janë gjetur shkelje të KEDNJ-së. Këto vendime të dhëna ndaj M.Mishgjonit kërkuesi i ka vlerësuar si shkak për rishikim, pasi sipas tij ai gjendet në të njëjtat rrethana faktike dhe është shkarkuar për të njëjtat shkaqe ligjore si gjyqtarja Mishgjoni. Me vendimin nr. 1, datë 17.06.2013, KBGJL-të kanë vendosur mospranimin e kërkesës për rishikim të paraqitur nga kërkuesi.
Kërkuesi ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Kushtetuese (Gjykata), duke pretenduar se ndaj tij është zhvilluar një proces i parregullt ligjor në Gjykatën e Lartë.

Vlerësimi i Kolegjit dhe rrëzimi i argumentave të Hysit

Kolegji vlerëson se kërkuesi legjitimohet ratione personae në lidhje me pretendimet e tij, të cilat i ka paraqitur në kërkesë, në kuptim të neneve 131/f dhe 134/1/g të Kushtetutës, si dhe ratione temporis, pasi kërkesa është paraqitur në Gjykatën Kushtetuese brenda afatit të parashikuar nga neni 30 i Ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.
Në lidhje me legjitimimin ratione materiae, vërehet se pretendimet e kërkuesit në pamje të parë lidhen me të drejtën për një proces të rregullt ligjor. Në vijim, Kolegji merr në analizë këto pretendime:

A. Për pretendimin e cenimit të parimit të sigurisë juridike
Kërkuesi ka pretenduar se është cenuar parimi i sigurisë juridike, pasi vendimi i kundërshtuar bie ndesh me vendimin nr. 6/2009 të KBGJL-ve dhe vendimin e GJEDNJ-së në çështjen Mishgjoni kundër Shqipërisë (2010). Sipas kërkuesit, ai është shkarkuar nga KLD-ja për të njëjtat shkaqe dhe rrethana si gjyqtarja Mishgjoni, por vendimet e dhëna ndaj saj, të aplikueshme edhe në çështjen ndaj tij, nuk janë marrë parasysh nga GJL-ja për rishikimin e vendimit të formës së prerë nr. 88/2002. Ai ka parashtruar se vendimi nr. 6/2009 dhënë ndaj gjyqtares Mishgjoni dhe vendimi nr. 88/2002 dhënë ndaj tij kanë vlerësuar të njëjtën rrethanë fakti dhe të njëjtat shkelje. Shkaku i procedimit administrativ në KLD, subjektet e përfshira në këtë procedim, si dhe vendimet e marra në përfundim tëtij janë bërë objekt i të njëjtit shqyrtim gjyqësor.
Gjykata ka theksuar se siguria juridike është ndër elementet thelbësore të shtetit të së drejtës. Parimi i shtetit të së drejtës, ku mbështetet një shtet demokratik, nënkupton sundimin e ligjit dhe mënjanimin e arbitraritetit, me qëllim që të arrihet respektimi dhe garantimi i dinjitetit njerëzor, drejtësisë dhe sigurisë juridike. Parimi i sigurisë juridike përfshin, krahas qartësisë, kuptueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së sistemit normativ, edhe besimin te sistemi juridik (shih vendimet nr. 25, datë 28.04.2014; nr. 20, datë 11.07.2006 të Gjykatës Kushtetuese).
Në jurisprudencën e saj gjykata është shprehur se në harmoni me parimin e sigurisë juridike, ligji procedural civil ka sanksionuar edhe parimin e gjësë së gjykuar (resjudicata), parim i cili pengon dhënien e çdo vendimi të ri mbi atë që është gjykuar. Cenimi i parimit të gjësë së gjykuar do të çonte në cenim të vetë sigurisë juridike. Siguria juridike nënkupton, ndërmjet të tjerash, garantimin e besueshmërisë së individit te shteti, institucionet e tij dhe tek aktet që ato nxjerrin. Ndërsa, në rastin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë, siguria juridike nënkupton që, kur gjykata ka vendosur përfundimisht për një çështje, vendimi i saj nuk mund të vihet në diskutim (shih vendimin nr. 32, datë 25.05.2015 të Gjykatës Kushtetuese).
Për parimin e sigurisë juridike të lidhur me parimin e gjësë së gjykuar, GJEDNJ-ja në çështjen Ryabykh kundër Rusisë (2003; §52) është shprehur: “Siguria juridike nënkupton respektimin e parimit të gjësë së gjykuar. Asnjë palë nuk ka të drejtë të kërkojë rigjykimin e një çështjeje që është zgjidhur me vendim përfundimtar të formës së prerë thjesht për të pasur një rigjykim dhe një zgjidhje të re të çështjes. Kompetenca e rishikimit nga gjykatat e larta duhet të ushtrohet për të korrigjuar gabime gjyqësore (judicial errors) dhe keqadministrimin e drejtësisë (miscarriages of justice), por jo për të rishqyrtuar rishtazi çështjen. Rishikimi nuk duhet të trajtohet si një apelim i fshehur/maskuar dhe mundësia e të pasurit të dy qëndrimeve mbi çështjen nuk përbën shkak për rishqyrtim. Shmangia nga ky parim justifikohet vetëm kur është e nevojshme nga rrethana me karakter substancial dhe detyrues” (shih gjithashtu çështjen Bulgakova kundër Rusisë, 2007, §52).

Vendimi i KLD për shkarkimin e gjyqtarit  mbeti në fuqi

Në çështjen konkrete, kërkuesi në thelb pretendon se vendimet e dhëna ndaj gjyqtares Mishgjoni (nr. 6/2009i KBGJL-ve dhe nr. 18381/05, 7 dhjetor 2010 i GJEDNJ-së) përbëjnë shkak për rishikimin e vendimit të shkarkimit të dhënë ndaj tij. Sipas tij, KBGJL-të, mbi bazën e këtyre vendimeve, duhej të rishikonin vendimin e formës së prerë që ka shkarkuar kërkuesin nga pozicioni i tij si gjyqtar.
Nga rrethanat faktike rezulton se gjyqtarja Mishgjoni i është nënshtruar procedimit disiplinor në të njëjtën periudhë kohore si kërkuesi, duke qenë në të njëjtin trup gjykues me të. KLD-ja, me vendimin nr. 130, datë 15.07.2002, ka vendosur shkarkimin e kësaj gjyqtareje nga detyra. Mbi ankimin e gjyqtares KBGJL-të, me vendimin nr. 83, datë 18.11.2002, kanë vendosur mospranimin e kërkesës ankimore. Të dyja këto vendime janë shfuqizuar me vendimin nr. 17, datë 12.11.2004 të Gjykatës Kushtetuese, e cila konkludoi se procesi disiplinor ndaj gjyqtares Mishgjoni ishte i parregullt dhe për pasojë çështja iu rikthye KLD-së për rishqyrtim.
KLD-ja, me vendimin nr. 235/7, datë 24.10.2008 (4 vjet pas shpalljes së vendimit të GJK-së), ka shkarkuar nga detyra gjyqtaren M.Mishgjoni me motivacionin “…për sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit, që cenojnë prestigjin dhe autoritetin e pushtetit gjyqësor dhe për paaftësi profesionale”. Në arsyetimin e këtij vendimi përshkruhet se ajo ka vepruar në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës në dhënien e disa vendimeve penale. Ky vendim i KLD-së për shkarkimin e gjyqtares është shfuqizuar nga vendimi nr. 6/2009 i KBGJL-ve, vendim të cilit i referohet edhe kërkuesi. Në këtë vendim KBGJL-të kanë konstatuar se procedura e lidhur me masën disiplinore të dhënë ndaj gjyqtares Mishgjoni kishte qenë shumë e gjatë. Për pasojë, KBGJL-të arritën në përfundimin se kjo masë disiplinore ishte e pavlefshme si e marrë tej një afati të arsyeshëm dhe e paefektshme, prandaj vendimi i KLD-së duhej të shfuqizohej.
Pas shfuqizimit të vendimit të KLD-së, më 27 shkurt 2009, M.Mishgjoni u rikthye në punë si gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Vlorë. Mbi aplikimin e kësaj gjyqtareje, GJEDNJ-ja ka gjetur shkelje të neneve 6 dhe 13 të KEDNJ-së, në lidhje me kohëzgjatjen e proceseve të heqjes së saj nga puna dhe mungesën e mjeteve efektive për t’u ankuar ndaj tejzgjatjes së proceseve të heqjes nga puna (aplikimi nr. 18381/05, 7 dhjetor 2010, GJEDNJ). Si vendimi nr. 6/2009 i KBGJL-ve, ashtu edhe vendimi i GJEDNJ-së ndaj gjyqtares Mishgjoni kanë gjetur shkelje procedurale të procesit të heqjes së saj nga puna.
Duke iu rikthyer çështjes konkrete vërehet se edhe kërkuesi, ashtu si gjyqtarja Mishgjoni, është ankuar ndaj vendimeve të KLD-së dhe atyre gjyqësore të dhëna ndaj tij. Kështu kërkuesi është ankuar ndaj vendimit të KLD-së për shkarkimin e tij në Gjykatën e Lartë, e cila me vendimin nr. 88/2002 ka vendosur mospranimin e kërkesës së paraqitur nga kërkuesi. Ky vendim i KBGJL-ve dhe vendimi i KLD-së për shkarkimin e kërkuesit janë bërë objekt shqyrtimi në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka vendosur në të dyja rastet moskalimin për shqyrtim në seancë plenare, me arsyetimin se mungojnë shkaqet për kalimin e çështjes për shqyrtim gjyqësor për proces të parregullt ligjor, në kuptim të neneve 42 e 131 të Kushtetutës (shih vendimet nr. 125, datë 14.07.2003; nr. 69, datë 26.04.2005 të Gjykatës Kushtetuese). Kërkuesi i është drejtuar edhe GJEDNJ-së, e cila mbi aplikimin nr. 38349/05 të kërkuesit e ka shpallur kërkesën të papranueshme, duke e konsideruar të depozituar jashtë afatit.
Nga sa më sipër, Kolegji vlerëson se çështja administrative dhe ajo gjyqësore ndaj kërkuesit kanë ndjekur një rrjedhë procesuale të ndryshme nga ajo e gjyqtares Mishgjoni. Gjykata Kushtetuese nuk ka gjetur shkelje të procesit disiplinor ose procesit gjyqësor të zhvilluar ndaj kërkuesit, siç ka gjetur në rastin e gjyqtares Mishgjoni. Po kështu, edhe GJEDNJ-ja e ka shpallur kërkesën e tij të papranueshme për shkak të mosrespektimit të afatit të aplikimit.
Kërkuesi e lidh cenimin e sigurisë juridike me mosaplikimin nga KBGJL-të të vendimeve të GJL-së dhe të GJEDNJ-së ndaj gjyqtares Mishgjoni si shkak për të rishikuar vendimin e formës së prerë të dhënë ndaj tij. Kërkesën e tij për rishikim ai e ka bazuar në dy nene: në nenin 494/e të KPC-së, sipas të cilit rishikimi mund të kërkohet kur vendimi është në kundërshtim me një vendim tjetër të formës së prerë të dhënë po midis atyre palëve për të njëjtin objekt dhe për të njëjtin shkak dhe në nenin 494/ë, sipas të cilit rishikimi mund të kërkohet kur GJEDNJ-ja gjen shkelje të KEDNJ-së dhe protokolleve të saj. Kolegji çmon se ky pretendim i ngritur kërkon një vlerësim për aplikimin e ligjit material nga Gjykata e Lartë në çështjen konkrete. Gjykata në jurisprudencën e saj ka theksuar vazhdimisht qëndrimin e saj të konsoliduar se mënyra e vlerësimit të provave dhe mënyra e zbatimit të ligjit material është, si rregull, atribut i gjykatave të zakonshme, ndërsa detyra e Gjykatës Kushtetuese është të sigurojë nëse procesi në tërësinë e tij, përfshirë edhe mënyrën në të cilën janë marrë provat, ka qenë i rregullt. Roli i saj nuk është të rivlerësojë faktet, zbatimin e ligjit material apo zgjidhjen e dhënë nga gjykatat e zakonshme. Kontrolli kushtetues që kjo gjykatë ushtron ndaj vendimeve gjyqësore është i kufizuar vetëm në funksion të mbrojtjes së të drejtave kushtetuese të individit për një proces të rregullt ligjor. Problemet e interpretimit dhe të zbatimit të ligjit për zgjidhjen e çështjeve konkrete nuk përbëjnë juridiksion kushtetues, nëse ato nuk shoqërohen me cenimin e këtyre të drejtave (shih vendimet nr. 40, datë 25.06.2015; nr. 4, datë 05.02.2014 të Gjykatës Kushtetuese).
Nisur nga standardet e mësipërme dhe rrethanat e çështjes konkrete, Kolegji vlerëson se pretendimi i kërkuesit për cenimin e parimit të sigurisë juridike është i pambështetur.

Për këto arsye
Kolegji i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, në bazë të nenit 31 të Ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”,

Vendosi:
Moskalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare.

Tahiri i shkoi në banesë Xhelilit, zyrtarit të policisë që është në arrest shtëpie

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri në mënyrë të jashtëligjshme është takuar me oficerin e arrestuar për çështjen e përgjimit, Ention Xhelili. Ky fakt është denoncuar nga një qytetar me inicialet B.I., i cili jep të dhëna në lidhje me takimin e paligjshëm të zhvilluar nga Tahiri me oficerin e arrestuar Xhelili. Ish-Kryeministri Sali Berisha ka postuar në faqen e tij në Facebook mesazhin e ardhur nga qytetari, ku ky i fundit jep të dhëna në lidhje me takimet e Tahirit. “Përshëndetje doktor, jam një qytetar që banoj, po ju informoj se dje dhe pardje ka ardhur dy herë në ditë Saje qorri me taku një nga djemtë që është arrest shtëpie me mbiemrin Xhelili. Shtëpia ku erdhi është te lapidari ‘4 Dëshmorët’ afër lokalit ‘Tripek’, në katin e 4. Flm, me respekt B.l.”, thuhet në mesazhin e postuar nga Berisha.
Ish-Kryeministri Berisha i ka bërë thirrje prokurorit që të shtojë në hetim edhe takimet e paligjshme dhe pa lejen e tij të Saimir Tahirit me të arrestuarin e përgjimit, Xhelili.  “Qytetari dixhital denoncon Saje qorrin për takime të kundraligjshme me oficerin e arrestuar për çështjen e përgjimit, me mbiemër Xhelili. Saje, pasi i shiti për të shpëtuar menderen e tij, përpiqet tani t’u mbyllë gojën dhe t’i zhysë kështu më thellë në krimin antikushtetues që kanë kryer në zbatim të urdhrave antikushtetuese të Ramës, Tahirit dhe Çakos. I bëj thirrje prokurorit të shtojë në hetim edhe takimet e paligjshme dhe pa lejen e tij të Saje qorrit me të arrestuarin, Xhelilin e përgjimit apo skandalit ‘Edvin Gate’”, shprehet Berisha.
Shtetasi Ention Xhelilaj, me funksion specialist pranë Forcës Operacionale, ka kryer veprime të paautorizuara, siç është përdorimi i mjetit me pajisjen “IMSI Catcher” pa asnjë urdhër me shkrim. Veprimtaria e tij nuk është rregulluar ligjërisht nga eprorët e tij. Ai ka dijeni se në cilën pikë kufitare ka hyrë automjeti, ku qëndronte ai gjatë kohës së trajnimit dhe jashtë kësaj kohe. Ai është në dijeni të parametrave teknikë të automjetit dhe çfarë ushtrimesh janë kryer në bazë. Ky shtetas nuk ka asnjë tagër ligjor që të ishte kaq afër dhe kaq në dijeni të fakteve.
Nga këqyrja e librit të hyrje-daljeve të mjeteve dhe personave në FO, del qartë se ai ka hyrë e ka dalë me mjetin, të paktën dy herë, duke qenë në drejtim të tij. Ai ka hipur në automjet edhe ditën kur ka dalë vendimi i sekuestrimit për mjetin dhe pajisjen.
Prokuroria e Tiranës po vijon hetimet mbi këtë rast, për të provuar, ndër të tjera, edhe zyrtarë të tjerë të lartë që mund të jenë përfshirë në veprimtarinë e dyshuar si të paligjshme të përgjimeve.
Ministri i Brendshëm është nën hetim për futjen e pajisjes përgjuese “IMSI CATCHER” në territorin e Shqipërisë. Prokuroria po vijon hetimet për të provuar nëse, pas veprimeve të dyshuara si të kundërligjshme, ka edhe zyrtarë të tjerë të lartë shtetërorë. Burime pranë Prokurorisë së Tiranës thanë se, dyshimet bien mbi ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili është nën hetim bashkë me zyrtarët e policisë, “për deklaratat në lidhje me pajisjen përgjuese, por edhe për veprimet e tij”. Dyshimet janë se, pajisja përgjuese hyri në territorin shqiptar pa iu nënshtruar regjimit doganor të përkohshëm dhe për më tepër, pa marrë autorizimin përkatës nga prokurori i Përgjithshëm, si autoriteti i vetëm që jep lejen për përdorimin e mjeteve të tilla.
Sipas prokurorëve është provuar tashmë se ka pasur ndërhyrje disa herë në segmentin aparat fundor-antenë të pajisjes. Nga kjo, akuza ka arritur në përfundimin se, “aparatë celularë të ndryshëm mund të kenë qenë nën administrimin e paligjshëm të pajisjes “IMSI Catcher”.

Qeveria rrit me 16% në një vit borxhin e jashtëm bruto

Borxhi i jashtëm bruto i vendit arriti në 7.73 miliardë euro me një rritje 1.3 për qind në krahasim me fundin e vitit 2015, sipas te dhënave nga Banka e Shqipërisë. Pjesën më të madhe të këtij borxhi e zënë detyrimet e jashtme të qeverisjes së përgjithshme, të cilat arritën në fund të tremujorit të parë në 3.3 miliardë lekë me një rritje 0.7 për qind nga tremujorin e mëparshëm. Ndërsa detyrimet e korporatave depozituese qëndruan gati të pandryshuara me një vlerë 1.2 miliardë eurosh. Detyrimet e sektorëve të tjerë u rriten me 1.8 për qind më bazë të tremujore duke arritur në 129 miliardë euro. Detyrimet e jashtme që vijnë nga investimet direkte si hua ndërmjet kompanisë arritën në 1.76 miliardë euro nga 1.71 miliardë euro në fund të 2015.

Qeveria e rrit borxhin me 16% në një vit
Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë, sektori me peshën më të madhe në stokun e borxhit të jashtëm mbetet sektori i Qeverisë së Përgjithshme. Në harkun kohor të një viti, borxhi i jashtëm i këtij sektori është zgjeruar me 16% dhe në fund të mars 2016 shënon 3,318 milionë euro. Borxhi i qeverisë së përgjithshme përbëhet nga huatë afatgjata, obligacionet dhe dëftesat. Stoku i huave afatgjata u rrit me rreth 342 milionë euro dhe ai i obligacioneve me 121 milionë euro (emetimi i euro bondit në tremujorin e katërt 2015). Huatë e Qeverisë së Përgjithshme përfaqësohen nga huatë e tërhequra pas viteve ’90 dhe ato të riskeduluara, të cilat vazhdojnë të jenë të negociueshme midis palëve. Në fund të periudhës, huatë e riskeduluara përfaqësonin 1% të stokut të huave afatgjata të këtij sektori.

Kosovë, bizneset hasin barriera institucionale

Në tryezën e organizuar nga Instituti Riinvest “Potencialet Ekonomike në Rajonin Qendër” janë prezantuar dhe diskutuar të gjeturat e dala nga anketimi i bizneseve në pesë sektorët më konkurrues në rajonin Qendër, përkatësisht përpunimi i ushqimit, bujqësia, teknologjia informative dhe e komunikimit, ndërtimtaria, dhe prodhimi i tekstilit. Në tryezë, në cilësinë e panelistëve, ishin pjesëmarrës Dardan Sejdiu nga Komuna e Prishtinës, znj. Vjollca Cavolli nga STIKK, Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës si dhe Lumir Abdixhiku dhe Alban Hashani nga Instituti Riinvest. Tryezën e shpalli të hapur drejtori ekzekutiv i Institutit Riinvest Lumir Abdixhiku i cili ka diskutuar rreth metodologjisë dhe rëndësisë së projektit, rrjedhimisht realizimit të studimit, dhe në këtë mënyrë identifikimit të sektorëve kyç që ndihmojnë në adresimin e problemeve të papunësisë, rritjes dhe zhvillimi ekonomik, në rajonin më të madh të Kosovës. Të dhënat e nxjerra nga studimi “Potencialet Ekonomike në Rajonin Qendër”, me theks të vecantë në 5 sektorët ekonomik të vlerësuara me potencialin më të lartë, i prezantoi drejtori i hulumtimeve në Institutin Riinvest Alban Hashani. Sipas të dhënave të prezantuara nga Hashani, pothuaj në të gjithë sektorët, mes tjerave janë vërejtur barriera institucionale, shfrytëzim i ulët i kapaciteteve, kërkesë e kufizuar dhe e paqëndrueshme, dhe mungesë e fuqisë punëtore të kualifikuar. Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, z. Dardan Sejdiu, u fokusua në punën që është bërë në Komunën e Prishtinës nga viti 2014. Në fjalën e tij hyrëse, z. Sejdiu deklaroi se që nga viti 2014, Komuna e Prishtinës u fokusua në rregullimin e tregut të ndërtimeve, duke ndaluar ndërtimet pa leje, dhe në të njëjtën kohë duke lëshuar numër rekord lejesh ndërtimi. Sipas tij, Agjensioni Austriak për Ndërtim është i gatshëm të implementojë një plan subvencionesh në vlerë 3.5 milionë euro, ngjashëm me modelin e Therandës. Sejdiu përmendi bujqësinë si një sektor me potencial të jashtëzakonshëm për Komunën e Prishtinës. Në fund, z. Sejdiu theksoi rëndësinë e konferencave dhe raporteve të tilla, dhe mundësinë për bashkëpunim ndër komunal, duke përmendur raportet politike si pengesë për bashkëpunim. Znj. Vjollca Çavolli, drejtoreshë ekzekutive e Shoqatës për Teknologji të Informacionit dhe të komunikimit të Kosovës (STIKK), diskutoi rreth gjendjes momentale në sektorin e teknologjisë informative dhe të komunikimit, rreth sfidave dhe potencialit që ka ky sektor. Sipas saj, sektori i teknologjisë informative, është një sektor në të cilin nuk nevojiten investime të mëdha për nisjen e një biznesi të ri. Sipas saj, ky sektor i jep vlerë të shtuar të gjithë sektorëve të tjerë, pasi që sipas saj të gjithë sektorët varen në një formë ose tjetër nga teknologjia informative dhe ajo e komunikimit. Znj. Cavolli, si trend pozitiv përmendi numrin e femrave gjithnjë në rritje në këtë sektor. Berat Rukiqi, Këshilltar strategjik në Oden Ekonomike të Kosovës, deklaroi se rajoni i qendrës ka potencial të jashtëzakonshëm zhvillimi, kur kihet parasysh pozita gjeografike. Sipas tij investimet e mëdha infrastrukturore në autostrada, dhe ato në energji, përkatësisht ndërtimi i termocentralit të ri, i japin rendësi të veçante strategjike këtij rajoni. Po ashtu, z. Rukiqi theksoi rëndësinë e investimit në kapital njerëzor dhe edukim, dhe kësi soji aftësimit të fuqisë punëtore. Gjithnjë sipas tij, duhet përmirësuar reputacioni i shkollave profesionale, dhe të identifikohen profilet ku duhet investuar më shumë. Z. Rukiqi, theksoi se Oda Ekonomike e Kosovës veçse ka filluar bashkëpunimin me Oda tjera nga vendet evropiane. Konferenca u përmbyll me diskutim të hapur, ku pjesëmarrës të tjerë në tryezë ishin zyrtarë të lartë të komunave të rajonit Qendër, komuna e Prishtinës, Podujevës, Fushë Kosovës, Obiliqit, Drenasit, Lipjanit, Graçanicës dhe Shtimës, si dhe pjesëtarë të organizatave dhe bizneseve të ndryshme në Kosovë.