28.5 C
Tirana
E shtunë, 16 Gusht, 2025

Investimet e huaja bien me 42%

Investimet e huaja direkte shënuan një rënie të fortë prej 42% në tremujorin e parë të këtij viti, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas statistikave të bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë. Investimet e huaja ishin 152 milionë euro në tremujorin e parë, nga 261 milionë euro në janar-mars 2015 dhe 222 milionë euro në tremujorin e parë 2014. Sipas Bankës së Shqipërisë, prurjet në formën e investimeve direkte, vijon të mbeten të përqendruara në sektorin e hidrokarbureve (në masën 27 për qind), energjetikës (me rreth 25 për qind), ndërtimit (në masën 17 për qind), dhe sektori i telekomunikacionit (me 6 për qind). Ndërkohë që rënia me e madhe e fluksit vërehet në sektorin e hidrokarbureve.

Rënia e pritshme
Një rënie e investimeve të huaja dirkete ishte e pritshme, pasi Bankers Petroleum, investitori më i madh në vend vitet e fundit, kishte raportuar në tremujorin e parë 2016 një rënie të ndjeshme të investimeve. Sipas të dhënave zyrtare të kompanisë, gjatë tremujorit të parë të vitit 2016, shpenzimet kapitale ishin 13 milionë dollarë. Kompania nuk ka shpuar asnjë pus të ri gjatë këtij tremujori. Shpenzimet kapitale ishin 25 milionë dollarë për tremujorin e kaluar dhe 50 milionë dollarë në tremujorin e parë të vitit 2015.
Investimet në hidrokarbure (ku aktori kryesor është Bankers) kanë përbërë në tremujorët e mëparshëm deri në 40% të totalit të investimeve të huaja. Shtesa e kapitalit të bankave, një tjetër element që nxiti investimet në 2015-n, ishte 20% më e ulët në tremujorin e parë 2016, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas statistikave të pasiveve të sistemit, të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Licenca celulare, që i dhanë hov investimeve të huaja në gjysmën e parë të 2015-s, nuk janë dhënë në muajt e parë të këtij viti.

Mungojnë investitorët e rinj
Prej disa vitesh po mungojnë hyrjet e investitorëve të rinj në vend, ndryshe nga shtetet fqinjë, sidomos Maqedonia e Serbia, që gëlojnë nga lajmet për hyrjen e kompanive të huaja, që premtojnë rritje të qëndrueshme, pasi janë të përqendruara kryesisht në industrinë automotive.
Weibo, një sipërmarrje e madhe turke në industrinë tekstile ka hapur degë në Maqedoni e më pas është zhvendosur edhe në Serbi. Johnson Control, Lear Corporation dhe Capcon, janë tre sipërmarrje në fushën e indusustrisë mbështetëse të makinave, që kanë shfaqur interes dhe për Shqipërinë, por për momentin kanë investuar në Maqedoni.
Taksat më të larta në rajon, mungesa e incentivave (Serbia psh ndonëse ka taksa të krahasueshme me ne ofron subvencione për investitorët), kleima e rënduar e investitorëve aktuale, që po thuhet hapur nga gjithë dhomat e huaja, janë disa nga arsyet që po mbajnë larg investitorët e huaj. Shpresa e vetme mbeten dy investimet e mëdha strategjike për momentin, gazsjellësi TAP dhe HEC-i i Devollit.

Investime të paqëndrueshme
Sjellja e investimeve të huaja gjatë vitit të fundit ka nxjerrë në pah strukturën e tyre të paqëndrueshme, të varur nga investimet në hidrokarbure. Rënia e çmimeve të naftës në gjysmën e dytë të vitit të kaluar bëri që dhe investimet e huaja të binin ndjeshëm, nga 541 milionë euro në 6 mujorin e parë, në 321 milionë euro në të dytin. Kjo tendencë vijoi dhe në tremujorin e parë 2016.
Në fakt, këto janë investime kryesisht në hapjen e puseve, pa vlerë të shtuar në ekonomi, në drejtim të punësimit, dhe që rrisin fiktivisht investimet e huaja, duke bërë që Shqipëria me shifra t’i ketë më të lartat në rajon (rreth 8% të prodhimit të brendshëm bruto). Në kahun tjetër, po mungojnë investimet e qëndrueshme që do të nxisnin hapjen e vendeve të reja të punës dhe shtimin e të ardhurave në buxhet.

Kostoja e dhunës sa 7% e PBB-së

Shqipëria ndodhet në listën e vendeve të paqta në botë, e renditur e 54-ta nga 162 ekonomi botërore, me një rënie prej 2 shkallësh krahasuar me një vit më parë, sipas studimit të realizuar nga “Global Peace Index 2015″.
Sipas Institutit për Ekonominë dhe Paqen, ndikimi global ekonomik i dhunës ishte 13.6 trilionë dollarë PPP në vitin 2015, e rritur me 2% krahasuar me një vit më parë. Në Shqipëri kosto e dhunës, sipas studimit vlerësohet të jetë sa 7% e PBB-së.

Europa më e paqta
Europa vijon të dominojë në këtë indeks, me shtetet më të paqta në botë, ndërsa Afrika dhe Lindja e Mesme kanë performancën më të keqe. Sipas raportit, shtetet më të paqta në botë po bëhen gjithnjë e më të paqta, ndërsa ato në gjendje lirie të munguar, po i shtohen trazirat më tepër dhe si rrjedhojë, edhe kostot e dhunës.
Ndër 20 shtetet më të paqta në botë, 15 janë shtete evropiane. Raporti tregon sakaq që ndikimi i terrorizmit përkeqësoi rreth 77 vende, ndërsa ata që panë përmirësim ishin vetëm 48. Vetëm 37 nga 163 vende të matura nuk kanë pasur ndikim të terrorizmit. Përkeqësimin më të madh e kanë vendet e Afrikës Veriore dhe Lindjes së Mesme.

Gjendja e Ballkanit, në përkeqësim
Shtetet ballkanike janë ndër shtetet e paqta që shfaqen në zonën jeshile. Renditjen më të mirë në Ballkan e ka Serbia, e 48 në botë, sakaq vjen Shqipëria e 54, që ka humbur 2 vende, Mali i Zi i 57. Bosnja dhe Hercegovina ka pësuar rënie drastike të paqes, me 11 shkallë, duke u vendosur kështu në zonën e verdhë, të mesme të paqta. Kosova ka pësuar rënie me 11 shkallë po ashtu nga një vit më parë, ndërsa Maqedonia vijon të mbetet në zonën e verdhë. Performancë më të keqe duket se e ka Maqedonia, e renditur e fundit në Ballkan dhe e 94 në botë, në zonën e verdhë, por me 22 shkallë të zbritura nga një vit më parë.
Instituti për Ekonomi dhe Paqe, i cili ka publikuar raportin ka përdorur 23 kritere në mënyrë për të marrë rezultate, duke përfshirë nivelin e dhunës, nivelin e vrasjeve, jostabilitetin politik dhe numrin e vdekjeve në konflikt të brendshëm.

FIAA: Legjislacioni tatimor kompleks dhe i pakuptueshëm

Shoqata e Investitorëve të Huaj (FIAA) prezantoi përfundimet e raportit të tremujorit të parë mbi klimën e biznesit në vend. FIAA konstatoi se çështjet më problematike mbeten: zbatimi i ligjit, efikasiteti i sistemit të gjyqësorit, ndryshimi i legjislacionit dhe atij tatimor në veçanti, stabiliteti i tij, pasi biznesi mendon se ai është kompleks dhe i ndryshueshëm shpesh i pakuptueshëm dhe me vështirësi në zbatim.
Për të përmirësuar këtë klimë, sipas kreut të FIAA-s, Silvio Pedrazzi tha se është e nevojshme që të miratohet dhe të vihet në zbatim sa më shpejt Reforma në Drejtësi.
Konkurenca e pandershme nëpërmjet ekonomisë informale është një faktor tjetër që ka ndikuar në përkeqësimin e besimit të biznesit, thotë shoqata në të cilën janë të anëtarësuar kompanitë më të mëdha me kapital të huaj në vend. Ky shqetësim është vlerësuar me 65 pikë dhe më pas i treti ndër elementët pengues më madhor është radhitur korrupsioni, i cili është vlerësuar si problem madhor për klimën e biznesit në vend, duke marrë 60 pikë.
Në raport vlerësohet vendimi i Ministrisë së Financave për draft paketën fiskale 2017, nga e cila nuk parashikohet ndryshim i nivelit të taksave, por vetëm përmirësime proceduriale. “Megjithëse qeveria shqiptare ka ndërmarrë një sërë reformash në funksion të përmirësimit të klimës së biznesit në vend, duhet ende kohë që biznesi të ndryshojë përceptim dhe të krijojë pritshmëritë pozitive mbi klimën e biznesit në një të ardhme të afërt”, tha z.Pedrazzi.
Studimi i FIAA është bërë në kuadër të projektit “Përmirësimi i Mjedisit të Biznesit në Shqipëri”, që u financua dhe zbatua nga Aleanca e Biznesit të Sllovakisë.

Lojtarët më përcaktues për çdo skuadër

Gareth Bale dhe Zllatan Ibrahimoviç janë lojtarët më vendimtarë për përfaqësueset e tyre në Euro 2016. Ky është përfundimi i një analize të “As”, që bazohet te kombinimi i shifrave në ndeshjet eliminatore të skuadrave që tashmë janë kualifikuar në Europianin e Francës. Uellsiani dhe sudezi janë të vetmit sulmues që kanë realizuar më shumë se gjysmën e golave të përfaqësueses së tyre në fazës kualifikuese. Nga 11 finalizime të Uellsit, 7 mbajnë firmën e Bale, që ka dhënë gjithashtu 2 asiste, ndërsa Zllatan ka realizuar 11 nga 19 golat e Suedisë plus një asist.
I treti në listën e futbollistëve më përcaktues, është Dzyuba i Rusisë. Sulmuesi i Zenitit ka shënuar 8 nga 18 golat e përfaqësueses së tij. Më pas renditet islandezi Sigurdsson, me 6 gola dhe 3 asiste, nga 17 rrjeta të përfaqësues nordike në eliminatore.
Lojtari që ka shënuar më shumë gola në kualifikuese, Robert Lewandowski klasifikohet i pesti në këtë listë, sepse e ka dërguar 13 herë topin në rrjetë, Polonia e tij ka shënuar në totar 33 gola.
Më pas. vijnë Laferty i Irlandës së Veriut, Yarmolekno i Rusisë dhe Muller i Gjermanisë, që janë në bazë të kombinimit të shifrave edhe më lart se Cristiano Ronaldo. Portugezi ka mundur të shënojë 5 gola nga 11 në total të Portugalisë.
Bie në sy fakti që te Spanja, më vendimtari është Paco Alcacer, që nuk është përfshirë në listë nga Del Bosque në finalet e Europianit. Sulmuesi i Valenciat luajti në 6 ndeshje eliminatore, teksa shënoi 5 gola dhe dha një asist.
Në listën e lojtarëve më përcaktues për çdo skuadër nga kuqezinjtë është përfshirë Shkëlzen Gashi me një gol dhe një asist, nga shtatë finalizime të Shqipërisë në eliminatore.
Sulmuesi i Colorado Rapids shënoi golin e fitores mes Armenisë në “Elbasan Arena” si dhe pati meritën kryesore në golin e parë në transfertë po me Armeninë. Gashi i 18-të në këtë klasifikim lë pas për edhe Wayne Roonay të Anglisë, edhe pse futbollisti i Manchester United ka realizuar 7 nga 31 golat e përfaqësueses së Tre Luanëve.

De Biasi: Jemi gati

Sapo ka përfunduar konferenca për shtyp e trajnerit De Biasi për ndeshjen e parë të Shqipërisë ndaj Zvicrës në Kampionatin Europian. Nuk mungon optimizmi te trajneri italian, i cili nuk e shikon si një derbi ndeshjen me Zvicrën. “Jam shumë krenar që kam një grup lojtarësh që na dhuroi finalet e Europianit, pas një grupi kualifikues ku edhe më optimisti mendonte për vendin e katërt. Por, nuk u dorëzuam asnjëherë, besuam shumë edhe sepse fituam ndeshjen e parë në Portugali, kundër ekipit lider në grup dhe kjo na dha besim. Në këto 4 vjet e gjysmë, ekipi është rritur në mënyrë konstante edhe falë afrimeve të lojtarëve të rinj që luajnë në Gjermani, Itali. Presion nuk kam. Kam pritshmëri të mëdha. Shpresoj që në këtë turne djemtë do të japin më të mirën dhe mos të kënaqen. E dimë vlerën e kundërshtarëve, por ndeshjet nisin nga rezultati 0-0, duhet t’i luajmë me përqendrimin e duhur dhe me bindje”, u shpreh De Biasi.
Besoj që është thelbësore që kundërshtarin ta njohësh. Ai të jep mundësi t’i kuptosh strategjitë, për të gjetur mënyrën që ta përballosh dhe të shfrytëzosh edhe defektet më të vogla gjatë ndeshjes. Ndonjëherë kjo nuk mjafton, por njohja e kundërshtarit të ndihmon drejt suksesit, ashtu si të ndihmon edhe njohja e limiteve të skuadrës tonë, që të jetë e mirë organizuar dhe të bëjë atë që di të bëjë.
Besoj se ndeshja me Zvicrën nuk është vendimtare. Eshtë sfida e parë dhe do të ishte mirë për ne, për lojtarët që ta nisnim mbarë, në mënyrë që të krijojmë besim pas thuajse 20 ditëve grumbullim. E rëndësishme është që të lexoj sinjalet që do të më japë skuadra, për t’i kuptuar në mënyrën e duhur.
Taulanti do të luajë? Taulanti ishte i dëmtuar me Baselin, koha kaloi dhe u rikuperua, duke u stërvitur normalisht me ekipin. Ai është në formë shumë të mirë fizike dhe psikologjike, ashtu si edhe pjesa tjetër e ekipit. Jemi gati për të debutuar dhe duam ta bëjmë në mënyrën më të mirë të mundshme.
Videoja e Cantona? Jam shumë sinqerisht. E dëgjova këtë video dhe mendoj se merr shembuj nga ato që kanë ndodhur së fundmi. Gjërat e pazakonta ndodhin në futboll dhe pse rallë. Ishte viti i arritjeve të mëdha si Leicester, jo vetëm vlerat teknike, por dëshira?
Ajo të ndihmon që të kesh më tepër motivim, dëshirë për të fituar dhe rezultate. Por, kur arrin në majë të piramidës vlerat teknike mund të bëjnë diferencën. Lojtarët e mëdhenj mund të vendosin ndeshjet, të cilat në këto nivele janë në ekuilibra shumë të brishtë. Për ne, uroj që kjo të mos ndodhë, mbi të gjitha kur të përballemi me lojtarë me shumë kualitet.
Ai është një lojtar me shumë kualitet dhe që në çdo moment mund të bëjë gjëra të rëndësishme. Një lojtar që e njohim mirë, i njohim vlerat dhe gjithçka që ka Shaqiri. Do të jetë një ndër lojtarët nga të cilët do të kemi shumë kujdes gjatë ndeshjes.
Nuk është një derbi, sepse jemi larg nga pikëpamja gjeografike. Eshtë afrimiteti, sepse shumë emigrantë të luftës u pritën nga Zvicra, që i dha mundësi sociale dhe që të ndërtonin një jetë. Ky është kontakti i vetëm, por mentaliteti është krejt i ndryshëm: zviceranët janë zviceranë, ndërsa shqiptarët janë shqiptarë. Dy skuadrat do të përballen me respekt dhe në fund shpresoj që të arrijmë rezultat pozitiv.
Nuk e di, trajneri italian është italian, me të gjithë manitë dhe taktikat e tyre. Gjithsesi zviceranët janë të saktë në gjithçka bëjnë dhe ky është aspekti strikt i tyre. Ne shqiptarët qëndrojmë edhe një orë e gjysmë, duke pirë kafe. Te kjo kemi punuar, por nuk mund të ndryshojmë mentalitetin e njerëzve, pasi do të ishte luftë kundër mullinjve të erës.

Shqipëri-Zvicër kulmon me duelin mes vëllezërve Xhaka

Të shtunën në “Lens”, Shqipëria dhe Zvicra do të bëjnë debutimin e tyre në Kampionatin Europian, Francë 2016-të, një duel që do të jetë i veçantë sidomos për familjen Xhaka. Për herë të parë në historinë e një Europiani do të luajnë kundër njëri-tjetrit dy vëllezër, Taulanti që do ta mbajë veshur fanellën e Kombëtares kuqezi dhe Graniti që do të përfaqësojë Zvicrën. Për 90 minuta, ata nuk do të jenë vëllezër, por dy rivalë që do t’u vijnë në ndihmë skuadrave të tyre respektive për t’i bërë nisjen më të mirë të mundshme europianit francez. Përballjes mes Taulantit dhe Granitit të shtunën në “Lens” i kanë kushtuar një rëndësi të veçantë mediat ndërkombëtare. Shumë prej tyre kanë lënë mënjanë ndeshjen mes Zvicrës dhe Shqipërisë për t’iu përkushtuar pikërisht duelit brenda familjes Xhaka. Përballje historike ndërmjet vëllezërve Xhaka në Zvicër-Shqipëri, është ky titulli i gazetës spanjolle “As”, e cila i ka kushtuar një hapësirë të veçantë këtij dueli me të vërtetë special.
E përditshmja madrilene nënvizon se kjo do të jetë sfida e parë si kundërshtarë mes dy vëllëzërve në një kampionat europian, më herët një gjë e tilla ka ndodhur në Kupën e Botës Brazil 2014 mes vëllezërve Boateng në sfidën Gjermani-Ganë. “As” thekson se Graniti talenti i jashtëzakonshëm i të cilit u vu re më shpejt, zgjodhi të përfaqësojë Zvicrën vendin ku ka jetuar për vite me radhë dhe ku u rrit si futbollist, ndërsa Taulanti në 2013-ën vendosi të pranojë kërkesën e federatës shqiptare të futbollit për të luajtur me vendin e tij të origjinës. Jo vetëm Shqipëri-Zvicër, por edhe Taulanti përballë Granitit, debutimi i kombëtares kuqezi në Euro 2016-të do të jetë special për shumë arsye.

Shaqiri: Luajmë për fitore por kam respekt për Shqipërinë

Ylli i Zvicrës, Xherdan Shaqiri dha një intervistë ekskluzive për të dërguarin e “SuperSport” në “Lens”, Egi Duro një ditë para përplasjes së shumëpritur për të gjithë shqiptarët. Nga emocionet në hedhjen e shortit, te marrëdhëniet me futbollistët kuqezi dhe tek festa nëse i shënon Shqipërisë. Përtej respektit për bashkëkombasit e tij 24-vjeçari kërkon fitoren ndaj formacionit të De Biasit.
“Shorti ishte një kënaqësi, por edhe stres prej familjes dhe shokëve. Unë jam i lumtur, sepse do të takoj shokët e mi. Për krejt shqiptarët ishte e veçantë. Familja nuk e dëshironte përplasjen me Shqipërinë, edhe media ka folur shumë, por ka edhe kënaqësi. Kam folur shpesh mes nesh me lojtarët e Shqipërisë. Loja do të jetë e rëndësishme të dy ekipet duam të fitojmë ndaj do të jetë e vështirë edhe për ne. Kam respekt për Shqipërinë, sepse e dimë nga e kemi vendlindjen. Europiani është i rëndësishëm dhe secili kur shënon guxon të festojë, por respekti për Shqipërinë mbetet i njëjtë”, u shpreh Shaqiri.

Statistikat në favor të Zvicrës

Momenti i shumëpritur për të gjithë shqiptarët tashmë ka mbërritur. Mesditën e kësaj të shtune në stadiumin e “Lens”, Bollaert Dellelis, kuqezinjtë e Gianni De Biasit do të bëjnë debutimin e tyre historik në një kampionat Europian. Dëshira për ta nisur me një rezultat pozitiv europianin francez në kampin e kombëtares shqiptare është e madhe, por përballë një përfaqësueseje si Zvicra kuqezinjtë nuk do të kenë një mision të thjeshtë. Helvetët gjithmonë kanë ditur të marrin maksimumin në sfidat që kanë zhvilluar ndaj Shqipërisë dhe statistikat flasin tërësisht në favor të tyre. 6 herë janë përballuar mes tyre në të kaluarën kombëtarja kuqezi dhe Zvicra, teksa 5 sfida janë fituar nga helvetët dhe vetëm 1 ka përfunduar në barazim. Gjithçka ka nisur me kualifikueset e Kupës së Botës, Angli 1966,  me Shqipërinë që pësoi dy humbje nga Zvicra në muajt prill dhe maj të 1965-ës. Sfida e parë e zhvilluar në Tiranë u fitua me rezultatin 0-2 nga përfaqësuesja helvete, ndërsa disa javë më pas, Zvicra fitoi 1-0 në shtëpi edhe takimin e dytë. Që kuqezinjtë dhe Zvicra të përballeshin sërish duheshin pritur, eliminatoret e Euro 2004.
Në 12 tetor të 2002-it, Kombëtarja kuqezi ka regjistruar të vetmin rezultat pozitiv në ndeshjen ndaj Zvicrës, pasi barazoi 1-1 në “Qemal Stafa”. Golit të Murat Yakin iu përgjigj Edvin Murati. Në 11 qershor të një viti më pas edhe pse zhvilloi një ndeshje shumë të mirë, Shqipëria që në atë periudhë drejtohej nga gjermani Briegel u mposht në Gjenevë me shifrat 3-2 nga përfaqësuesja helvete. Golat për kuqezinjtë i realizuan Altin Lala dhe Ervin Skela. Për të ardhur te dy sfidat e fundit të vlefshme për  eliminatoret e Kupës së Botës, Brazil 2014-të. Me Gianni De Biasin në stol, Shqipëria pësoi një tjetër humbje nga Zvicra në 11 shtator të vitit 2012-të. Goli i Shaqirit dhe finalizimi i Gokhan Inler nga pika e bardhë e penalltisë, i dhanë fitoren Zvicrës. 13 muaj më pas në “Qemal Stafa” ishin sërish helvetët ata që festuan me Shaqirin që ndëshkoi sërish vendin e tij të origjinës, ndërsa Lang vulosi fitoren e 5-të të Zvicrës në ndeshjet ndaj Kombëtares kuqezi. Goli i Salihit nga penalltia i vlejti thjeshtë për statistika, Shqipërisë.
5 humbje dhe vetëm 1 barazim, statistikat nuk janë aspak në favor të kuqezinjëve, por këtë herë situata ndryshon, sepse nuk luhet më në një fazë eliminatore, por në finalet e një kampionati europian. Në futboll kurrë mos thuaj kurrë dhe të gjithë shqiptarët në orën 15 të kësaj të shtune do të kryqëzojnë gishtat që Kombëtarja kuqezi të arrijë fitoren e parë ndaj Zvicrës, në ndeshjen më të rëndësishme deri tani mes tyre.

Ligji i ri elektronik

Kalifornia u bë të ejten (9 qershor) shteti i pestë amerikan, që i lejon mjekët t’u japin ilaçe pacientëve në gjendje të rëndë për t’i dhënë fund jetës, kur ata vuajnë nga sëmundje të pashërueshme. Ligji i ri mori shkas nga historia e një 29-vjeçareje nga Kalifornia, Brittany Maynard, e cila vuante nga kanceri, së cilës ju desh të shkonte në shtetin Oregon, për t’u dhënë fund vuajtjeve.
Veterani i ushtrisë amerikane, tani në pension, Matt Fairchild, është bërë ekspert për të mposhtur dhimbjen. Ai vuan nga një tip i avancuar i melanomës, që është përhapur me tumore në tru. Ai është veteran i Luftës së Dytë të Gjirit Persik. Tani përdor rreth 20 ilaçe në ditë për dhimbjet.

Prokuroria merr në pyetje Gruevskin

Ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, është marrë në pyetje nga Gjykata Penale e Shkupit lidhur me përfshirjen e tij në rrënimin e një objekti të një afaristi, rast ky që ishte pjesë e asaj që njihet si aferë e përgjimeve.
Gruevski në pyetje është marrë nga prokurorët e Prokurorisë Speciale e themeluar për hetimin e dhjetëra zyrtarëve të përfshirë në vepra të rënda penale, ku bën pjesë ai së bashku me disa ministra të kabinetit të tij.
Ish-kryeministri ka hedhur poshtë akuzat ndaj tij, duke thënë se janë konstruktime të opozitës.
Hetimet ndaj Gruevskit dhe zyrtarëve kanë rifilluar pas anulimit të plotë të vendimit për faljen e tyre nga presidenti Gjorgje Ivanov.
Prokuroria Speciale ka nisur hetime për pesë raste ku janë përfshirë 56 zyrtarët të lartë të akuzuar për mashtrime zgjedhore, presione ndaj pushtetit gjyqësor, afera korruptive dhe vepra të tjera.