29.5 C
Tirana
E shtunë, 16 Gusht, 2025

Rusia kërcënon SHBA

Ministria e Jashtme e Rusisë thotë se Moska do të përgjigjet ndaj hyrjes së anijes së Marinës së Shteteve të Bashkuara në Detin e Zi. Por, nuk janë specifikuar masat eventuale që do të mund të ndërmerren.
Luftanija amerikane, USS Porter, më 6 qershor ka hyrë në Detin e Zi gjatë vendosjes rutinore, ka njoftuar Marina e Shteteve të Bashkuara.
“Kuptohet, kjo nuk ka ndodhur me lejimin tonë dhe padyshim kjo do të çojë në masa të përgjegjes”, tha zyrtari i lartë i Ministrisë së Jashtme ruse, Andrei Kelin.
Mëtutje, ai ka thënë se lëvizjet e tilla kanë për qëllim t’i ngrinin tensionet para samitit të NATO-s në Poloni, muajin e ardhshëm, dhe “është tregim i forcës”.

Raporti: Ministri rus Mutko i involvuar në skandal të dopingut

Stacioni televiziv gjerman, ARD, që i pari hodhi dritë në skandalin e gjerë të dopingut në Rusi, thotë se ministri i sportit i këtij vendi, Vitaly Mutko, ishte drejtpërdrejt i përfshirë në fshehjen e mashtrimit dhe evitimin e dënimeve.
Gjatë paraqitjes së raportit në televizionin ARD, moderatori i programit tha:
“Sportistët më të mirë të Rusisë po përgatiten për Olimpiadë. Por ende është pikëpyetje nëse ekipi rus do të lejohet të marrë pjesë në Rio de-Zhanejro në muajin gusht. Ekipi hetues i ARD-së ka siguruar dokumente të papublikuara që indikojnë për involvim direkt të qeverisë ruse në fshehjen e dopingut. Personi për të cilin bëhet fjalë është ministri rus i sportit, i cili i ka hedhur poshtë akuzat”, tha moderatori i programit në televizionin ARD.
Këto akuza u bënë derisa IAAF, Federata e Asociacioneve Ndërkombëtare të Atletikës, përgatitet që më 17 qershor të vendos nëse atletëve rusë do t’u ndalohet pjesëmarrja në Lojërat Olimpike, që mbahen në muajin gusht të këtij viti, në Rio de-Zhanejro të Brazilit.

Mutko akuzohet për fshehje të testeve pozitive
Në programin dokumentar për dopingun e sportistëve të Rusisë, ministri Mutko akuzohet për parandalimin që informacioni për dështimin e testit të drogës nga një futbollist i njohur rus të bëhet publik dhe për lejimin e disa trajnerëve të atletikës, të cilët nga trupat sportive ishin dënuar për jetë për shkak të involvimit në doping, të vazhdojnë t’i stërvisin atletët e Rusisë.
Rrjeti televiziv, ARD, thotë se ka dokumente që tregojnë se Vitaly Mutko i ka fshehur testet pozitive të drogës dhe video-pamjet e trajnerëve të dënuar që punonin edhe mëtutje.
Vitaly Mutko i ka hedhur poshtë akuzat e paraqitura në televizionin gjerman, ARD.
“Qëllimi i këtij filmi është i qartë: të ndikohet në komitetin e IAAF-së lidhur me kthimin e atletëve të Rusisë para mbajtjes së mbledhjes së tij”, i tha Mutko agjencisë Interfax.
Zëdhënësi i presidencës së Rusisë, Dmitry Peskov, tha se qeveria e Rusisë do t’i trajtojë akuzat e ARD-së si “shpifje absolute” derisa dikush të paraqesë “prova gjithpërshirëse të konfirmimit” të akuzave.
Vitaly Mutko është ministër i sportit në Rusi prej vitit 2008, dhe ishte në fokus të dokumentarit të parë investigativ të ARD-së me titull: Sekreti i Dopingut – Si Rusia i krijon kampionët, që ishte transmetuar në dhjetor të vitit 2014, duke i sjellë sportistët rusë dhe zyrtarët e sportit në qendër të vëmendjes.

“Kulturë me rrënjë të thella të mashtrimit”
Presioni ndaj Mutkos është shtuar kur Asociacioni Botëror Kundër Dopingut (WADA), në nëntor të vitit 2015, i ka publikuar rezultatet e hetimit të gjerë me të cilat Rusia akuzohej me përdorim të programit të dopingut sportiv në mënyrë sistematike dhe të përhapur.
Ky raport ka theksuar se Rusia e ka mbajtur “kulturën me rrënjë të thella të mashtrimit”.
Kryesuesi i komisionit hetues të agjencisë WADA, Dick Pound, në atë kohë në një konferencë për shtyp pati thënë se do të ishte e “pamundshme” për Mutkon që të mos ketë pasur njohuri për programin e dopingut në Rusi.
Mutko, që e ka udhëhequr fushatën e suksesshme të Rusisë për organizimin e Kampionatit Botëror të Futbollit në vitin 2018, dhe është anëtar i fuqishëm i këshillit të FIFA-s, ka ndikim të madh në sportin e Rusisë me lidhjet e tij ndërkombëtare dhe miqësinë personale me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, i cili i jep rëndësi të jashtëzakonshme që Rusia të ketë profil të fuqishëm ndërkombëtar të sportit.
Raporti i fundit në rrjetin televiziv gjerman, ARD, në të cilin dënohet ministri Mutko dhe dopingu i sportistëve në vendin e tij, u bë në periudhën kur zyrtarët sportivë rusë po ndërmarrin një ofensivë të re joshëse në përpjekjen e fundit që të tërhiqet ndalesa e pjesëmarrjes së atletëve rusë me kohë për lojërat në Rio dhe për ta evituar ndalesën e pjesëmarrjes së federatave të tjera sportive ruse në Lojërat Olimpike.

Moska angazhon kompani perëndimore
Sipas udhëzimeve të firmës perëndimore për marrëdhënie me publikun, Burson Marsteller, zyrtarët sportivë në Moskë kanë bërë kërkime të faljes për shkeljet e kaluara të dopingut dhe kanë shprehur përkushtim për sjellje të mirë në të ardhmen, përfshirë plane për teste të plota të atletëve olimpikë dhe për krijimin e programeve edukuese kundër dopingut në shkolla për ta “reformuar qasjen sociale”.
Një mjegull e dendur vazhdon të qëndrojë pezull mbi sportin e Rusisë, pasi dhjetëra sportistë në shumë disiplina vetëm këtë vit kanë dështuar në testin kundër dopingut. Në këtë aspekt, Rusia aktualisht është e para në botë.
Sportistja e fundit e Rusisë që është dënuar është tenistja e njohur, Maria Sharapova, së cilës më 8 qershor, Federata Ndërkombëtare e Tenisit ia ndaloi pjesëmarrjen në gara për dy vjet, për shkak se ka dështuar në testin për substancën meldonium, në muajin janar në turneun Australian Open.
Po këtë ditë, ministri Vitaly Mutko ka shpallur se, kampioni atletik në hedhje të çekanit, Kirill Ikonnikov, është dënuar përjetë për përdorim të një substance për forcim.

Vetë ish-zyrtarët rusë akuzojnë
Përpjekjet e hershme të Moskës për t’i fajësuar fuqitë e jashtme të paemëruara për sulmin ndaj sportit të Rusisë për shkaqe politike, praktikisht janë vështirësuar për t’i shfrytëzuar aktualisht, për shkak se shumica prej atyre që e akuzojnë Rusinë për lojë të pandershme, janë ish-zyrtarë rusë.
Njëri prej tyre është Grigory Rodchenkov, i cili ka shërbyer si shef i laboratorit për testin e drogës në Rusi deri në raportin e agjencisëW, me ç’rast ai u detyrua të paraqiste dorëheqje në muajin dhjetor. Aktualisht, ai ka paraqitur përshkrime të detajuara se si sportistë rusë kanë përdorë substanca të palejuara dhe si zyrtarët në mënyrë të rrejshme u mundësonin atyre që të mos dështojnë në testet e drogës.
Rodchenko, i cili tash jeton në një lokacion të panjohur në Shtetet e Bashkuara, për shkak të frikës për sigurinë e tij, prej atëherë është nënçmuar dhe diskredituar nga ish-kolegët e tij dhe nga një numër i zyrtarëve të Rusisë.
Por, akuzat e Rodchenkos të mashtrimit të nivelit të lartë me involvimin e agjentëve të shërbimit sekret, vrimave të fshehta në mure dhe përzierje të mostrave të urinës, e kanë shtuar interesimin e shumë personaliteteve ndërkombëtare të rëndësishme, përfshirë presidentin e Komitetit Ndërkombëtar Olimpik, Thomas Bach, i cili ka premtuar hetime të të gjitha akuzave dhe ndërmarrje të masave kundër çdokujt për keqbërje para Lojërave në Rio de-Zhanejro.

FIFA: Udhëtimi mahnitës i Shqipërisë

Kualifikimi në Euro 2016 është vlerësuar edhe nga FIFA. Për këtë fakt i ka dedikuar kuqezinjve një speciale. Në kronikën e FIFA-s shfaqen me radhë disa nga protagonistët e suksesit kuqezi, si Etrit Berisha, Ermir Lenjani, Lorik Cana apo Armando Sadiku, të cilët flasin për këtë sukses të pabesueshëm
Përpos tyre, hapësirë u është dhënë edhe mendimeve të trajnerit Giani De Biazi dhe presidentit të FSHF-së, Armand Duka. “Kjo është një ndjenjë e jashtëzakonshme, ka qenë ëndërr e imja që kur kam filluar të luaj futboll. Kam dashur të arrij një gjë të tillë me kombëtaren”, ishin fjalët e Berishës.
“Është e pabesueshme për shqiptarët kudo në botë, arritëm diçka që nuk është bërë më parë dhe nuk do të harrohet kurrë”, u shpreh Lenjani.
“Kualifikimi është diçka e jashtëzakonshme për Shqipërinë, për faktin se kemi mundësinë të tregojmë para të gjithë botës se çfarë mund të bëjmë dhe arrijmë”, ishte mesazhi i kapitenit Cana.
Presidenti Duka ka treguar se gjërat kanë ndryshuar pozitivisht edhe falë punës që është bërë në institucionin që ai drejton.
“Shumë gjëra kanë ndryshuar. Ka një menaxhim më të mirë të ekipit, shumë shqiptarë luajnë jashtë dhe ne morëm maksimumin nga fëmijët e emigrantëve”, tha ai para mikrofonit të FIFA-s.
Pjesë e suksesit padyshim që është edhe Giani De Biasi. “Në jetë, nëse beson me të vërtetë diçka, mund ta arrish. Askush nuk e besonte të mundur kualifikimin, por ia dolëm, falë talentit dhe bashkimit të grupit. Kam arritur disa suksese në karrierë, por ky është padyshim më i madhi. Kjo për faktin se, gëzon një komb të tërë. E rëndësishme është që bashkuam njerëzit nën të njëjtin flamur. Kjo është gjëja më e rëndësishme nga të gjitha”, tha trajneri i kuqezinjve në këtë speciale të FIFA-s.

Gati anti-Zvicra!

Pavarësisht skema të provuara në këto ditë grumbullimi në Austri, Italia dhe së fundmi në “Perros Guirec”, duket se trajneri Xhani De Biasi do t’i kthehet formacionit të vjetër në sfidën me Zvicrën, atij që na solli deri në Francë 2016. Në sfidën e parë europiane, porta do të mbrohet nga Ertrit Berisha, i cili vazhdon të mbetet numri 1 i Kombëtares tonë. Në mbrojtje do të jenë të përhershmit Hysaj, Cana, Mavraj dhe Agolli, ndërkohë që në mesfushë pritet të ketë një ndryshim nga formacioni që zbriti në fushë ndaj Ukrainës.
Burim Kukeli, i cili për shkak të dëmtimit ishte në dyshim për të qenë në 23-she, ka arritur këto ditët e fundit t’ia mbushë mendjen trajnerit italian ta aktivizojë atë që nga minuta e parë në sfidën përballë Helvetikëve. Përkrah tij në këtë repart pritet të jenë Xhaka dhe Abrashi, ndërkohë që Lenjani dhe Roshi do të furnizojnë nga krahët Sadikun, autorin e golit të vetëm ndaj Ukrainës. 2 gola të shënuar në 2 ndeshje miqësore kanë bërë që elbasanasi ta fitojë vendin e titullarit në sfidën e 11 qershorit.
Në këto finale nuk janë kuqezinjtë debutues. Në një artikull, faqja prestigjioze online e futbollit, Goal.com bën një renditje të 24 lojtarëve debutues për t’u ndjekur në këtë europian. Në artikull është përzgjedhur nga një futbollist për çdo skuadër. Për Shqipërinë, Goal.com ka përzgjedhur kapitenin Lorik Cana, që është vendosur mes Gareth Bale, Hamsik, Paul Pogba dhe Eden Hazard. Cana nuk është shqiptari i vetëm në këtë listë, pasi për t’u ndjekur me kujdes Goal.com këshillon edhe Granit Xhakën e Zvicrës.
Ndërkohë, ish-sulmuesi legjendar i Manchester United, Eric Cantona ka folur për mundësitë e ekipeve për të fituar Kampionatin Europian, i cili nis sot me ndeshjen e parë hapëse Francë-Rumani. Ish-lojtari i kombëtares franceze ka reaguar ndaj një parashikimi të bërë nga një prej bankave më të mëdha në botë, ku thuhej se Shqipëria ka zero shanse për të fituar Europianin, ndërsa në vendin e parë vendosej Franca me një mundësi prej 26 për qind.
“Goldman Sachs, një prej bankave më të mëdha në botë kishte bërë një listë me skuadrat e mundshme që mund të fitojnë Europianin. Sipas tyre, Franca ishte e para me 26 për qind dhe Shqipëria e fundit me zero për qind. Kjo është një idiotësi, më vjen që të godas dikë përsëri. Si një skuadër nuk paska asnjë mundësi për të fituar? E Greqia në 2004, dhe ata sikur nuk kishin asnjë shans për të fituar? Apo Danimarka në 1992, e Leicecster në Angli?”, ka thënë Cantona.
Legjenda e United ka shtuar se futbolli luhet me zemër, përkushtim dhe talent dhe gjithçka është e mundur. “Unë i jap Shqipërisë një shans për të fituar titullin, madje dhe Islandës gjithashtu. Futbolli nuk ka lidhje me numrat dhe statistikat, por me zemrën, përkushtimin dhe talentin. Ka të bëjë me ëndrrën, dhe në ëndërr gjithçka është e mundur”, ka thënë ish-sulmuesi i Francës.

Taulanti: Do ta ndal Granitin edhe nëse do të shkaktoj faull

Përballja Shqipëri-Zvicër është në qendër të vëmendjes për të gjitha mediat europiane. Jo vetëm për debutimin e kuqezinjve, por edhe për përballjen mes vëllezërve Xhaka. Më i madhi prej tyre, Taulanti, tregon për “Ilustre.ch” ndjesinë për këtë përballje dhe sfidën me Granitin. “Do ta ndal. Nëse do të më duhet, do t’i shkaktoj edhe faull, vetëm që të mos na shënojë. Ai e di që ne jemi profesionistë dhe secili duhet të bëjë maksimumin për ekipin e tij. Graniti i merr gjërat me më shumë emocione sesa unë.
Në familje? Mamaja bën tifo 100% për Zvicrën. Ka jetuar atje prej vitesh dhe i ka dhënë shumë ai vend. Babai është 50 me 50. Fakti që 150% e familjes bëjnë tifo për Zvicrën, më japin edhe më shumë kënaqësi, nëse do të fitoj me Shqipërinë”, tregon Taulanti.
“Në vitin 2014, vëllezërit Boateng ishin përballë njëri-tjetrit dhe në atë kohë kur flisja me Granitin, thoshim: “Si do të jetë nëse përballemi?’ Kur shorti na përplasi në ‘Euro 2016’, rikujtuam këto muhabete”, thotë ai.
Taulanti flet edhe për idhullin e tij. “Kam bërë nisje të shkëlqyer me Shqipërinë, pasi kam fituar ndaj Portugalisë. Edhe këtë herë, është pak a shumë e njëjta gjë”, ka vijuar mesfushori. “Kristiano Ronaldon e kam idhull. Kam luajtur përballë tij dhe do të doja shumë që të përballeshim me të në Europian. Do të ishte fantastike. Jam në të njëjtën skuadër me të në ‘play stacion’, përfundon Taulant Xhaka.

“The Guardian”: De Biasi shpalos objektivin e Shqipërisë

Kualifikimi historik i Shqipërisë në ‘Euro 2016’ ka kthyer vëmendjen e shumë mediave të mëdha ndërkombëtare tek lojtarët dhe trajneri italian De Biasi. Gjatë një interviste për “The Guardian”, strategu italian theksoi sërish se në Francë nuk shkon për turizëm, por për të bërë surprizën e madhe.
59-vjeçari e mori në dorë kombëtaren shqiptare para katër viteve e gjysmë dhe përparimi i Shqiponjave është i madh, shkruan “Scorescan”.“Kryesorja për mua në dy vitet e para ka qenë që të gjej lojtarë të rinj, gjithmonë me kualitet të lartë. Mentaliteti shqiptar është ndryshe nga ai i Italisë veriore, ku ne çdo gjë e bëjmë me përpikëri dhe precizitet. Prandaj dhe kam dashur që të fokusohemi më shumë në synimin tonë. Do të përgatitemi në maksimum dhe nuk do të injorojmë asnjë detaj. Nuk dua që të jemi turist në Francë”, u shpreh De Biasi.
De Biasi shtoi se kombëtarja ka pësuar evolucion në katër vitet e fundit, duke thënë se është më e mirë edhe në mbrojtje dhe në sulm. “Të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe nuk duhet të jemi euforik si tifozeria kuqezi. Duhet të jemi të përmbajtur për të kërkuar surprizën. Unë gjithmonë i kam menaxhuar këto situata delikate dhe shpresoj që tja dalim më së miri në kampionatin Europian”, përfundoi De Biasi.

Kukeli pika kyçe e formacionit

Burim Kukeli shndërrohet në fiksimin e De Biazit. Mesfushori i Zyrihut rikonfirmohet edhe një herë si pika kyçe e formacionit që dërgoi kuqezinjtë në Europian. Në orët e fundit para debutimit historik, trajneri ka vendosur të ndryshojë mesfushën. Pasi shuajti disa nga dilemat që kishte në miqësoren ndaj Ukrainës dhe më pas provoi rreshtime pa fund në stërvitje, De Biazi duket se u bind që në rolin e mesfushorit para mbrojtjes duhet të luajë Kukeli dhe jo Ergys Kaçe.
Ky i fundit është rikthyer në stol, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës është e njëjtë me atë që luajti kundër ukrainasve. Edhe pse italiani i pankinës kuqezi shpesh ka surprizuar në momentet e fundit me formacionin, pritet që në sulm ta nisë Armando Sadiku, që ka fituar duelin me Sokol Cikalleshin, falë formës së shkëlqyer që po kalon.
Me skemën 4-5-1, por që në fazën sulmuese kthehet edhe në 4-3-3, De Biazi kërkon të ketë së pari një mesfushë solide për t’u lënë pak hapësira kundërshtarëve. Me Etrit Berishën të sigurt në portë, në qendër të mbrojtjes do të jenë dyshja e zakonshme: Lorik Cana dhe Mërgim Mavraj.
Nga krahët e mbrojtjes do të luajnë Elseid Hysaj në të djathtë, ndërsa Ansi Agolli në të majtë. Në rolin e një kontrollori përpara mbrojtjes do të jetë Kukeli, ndërsa disi më të zhvendosur Amir Abrashi dhe Taulant Xhaka.
Këta të fundit do të bëjnë rolin e shkatërruesit dhe të ndërtuesit të aksioneve njëkohësisht, duke mbajtur edhe peshën më të madhe. Si për ironi të fatit, Taulant Xhaka, nisur nga pozicioni që ka në mesfushë, me shumë mundësi do të ketë duel një për një me vëllain e tij Granitin, që bën rolin e organizatorit të Zvicrës.
Edhe këtë herë, De Biazi i ka besuar Odise Roshit nga e djathta dhe Ermir Lenjanit nga e majta në mesfushë, të cilët jo vetëm do të kenë për detyrë të dalin shpejt në kundërsulm, por t’i vijnë në ndihmë skuadrës edhe në fazën defensive. Në majë do të jetë Sadiku, si i vetmi sulmues i mirëfilltë i Kombëtares.
Kombëtarja zhvilloi dje pasdite seancën e fundit stërvitore në Perros Guirec. Stafi teknik u përqendrua më shumë te goditjet standarde. Në ndryshim nga seancat e mëparshme, këtë herë De Biazi ka menduar të ulë ngarkesën fizike. Më shumë pati ushtrime relaksuese dhe taktikë, duke vënë në zbatim skemat anti-Zvicër.

Përgjimet, mekanizëm që manipulon valët e antenave të celularëve

Kryeprokurori Adriatik Llalla është takuar dje në mëngjes me kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika për dosjen e “përgjimit”.
Që në orën 8 të mëngjesit, në zyrën e kryeprokurorit ka mbërritur për një takim pune shefi i SHISH. Burimet thonë se në takim, bashkë me kryeprokurorin është edhe drejtuesi i Prokurorisë për Krime të Rënda, Besim Hajdarmataj dhe kreu i akuzës së Tiranës, Petrit Fusha. Nuk jepen detaje për arsyen e takimit që në orët e para të mëngjesit. Por burime thonë se, takimi është kërkuar nga Llalla pas pezullimin të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Haki Çako, i dyshuar për “shpërdorim të detyrës”, si dhe deklaratat e qeveritarëve, në adresë të Prokurorisë dhe gjyqtarëve, pas këtij pezullimi.
Më 13 maj të këtij viti, “Fuoristrada” tip BMW me targa italiane, me pajisjen e përgjimit të instaluar në brendësi të saj, doli nga Drejtoria e Përgjitshme e Policisë së Shtetit. Libri i hyrje–daljeve në ambientet e Forcës Operacionale shënoi orën 12:10 kur mjeti u largua nën drejtimin e specialistit të Forcës Operacionale, Entiol Xhelilaj.
Në të njëjtën orë, dy oficerë të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Tiranës gjendeshin në katet e sipërme të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, me një mandat për ta sekuestruar pajisjen e përgjimit, pasi ajo ishte futur në mënyrë të paligjshme në Shqipëri e po ashtu dyshohej se ishte përdorur në mënyrë të paligjshme për të kryer përgjime.
10 minuta, pasi ata kishin hyrë në zyrat e selisë së Policisë së Shtetit, mjeti u largua fshehurazi tyre. Prej asaj ore, BMW–ja e Interforcës italiane nuk u kthye më aty ku kishte qëndruar në pjesën më të madhe të kohës, që prej futjes së saj në Shqipëri, më 11 mars të këtij viti.
“Automjeti në periudhën para kësaj date (12 maj) rrinte shumicën dërrmuese të kohës brenda ambjenteve të Forcës Policore Operacionale”, shënuan prokurorët në dosjen hetimore. Një e dhënë kjo që përgënjeshtron shefin e Policisë italiane, Alessandro Pansa, i larguar nga detyra si për koincidencë ditët kur në Shqipëri shpërtheu skandali i pajisjes së përgjimit, me një vendim që ishte marrë në prill të këtij viti nga qeveria italiane, pak javë, pasi pajisja kishte hyrë në Shqipëri dhe ishte zbuluar nga Shërbimet Sekrete shqiptare.
Pansa, me një shpjegim të pakërkuar, i drejtohej kryeprokurorit Adriatik Llalla për t’i shpjeguar si dhe përse u soll pajisja e përgjimit në Shqipëri. Ai e garantonte se ajo kishte qenë gjatë gjithë kohës në duart të italianëve dhe kur nuk përdorej, mbahej në territorin e ambasadës italiane, ku i ka zyrat misioni Interforce.
Por Prokuroria thotë se, pajisja jo vetëm ka qëndruar edhe në ambiente të tjera jashtë ambasadës, si në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë apo edhe në Drejtorinë e Burgjeve, por ajo është përdorur për përgjime, me një mekanizëm që manipulon valët e antenave celulare.
Prokuroria e Përgjithshme i është drejtuar zyrtarisht misionit Inteforce ta dorëzojë pajisjen, në bazë të ligjeve shqiptare. Ajo i ka garantuar autoritetet italiane se dy specialistët e policisë italiane që e kanë futur atë në Shqipëri nuk janë pjesë e hetimit, sipas marrëveshjes së vitit 2007 që u garanton atyre imunitet. Por Interforca ka refuzuar.
Pajisja e përgjimit është copëza që i mungon “puzzle-it” hetimor. Sekuestrimi i saj është tashmë misioni kryesor i Prokurorisë. Ajo nuk ka dalë jashtë Shqipërisë. Mjeti BMW nuk figuron i regjistruar në dalje në asnjë nga pikat doganore shqiptare dhe pajisja nuk mund të çmontohet prej saj.
Referuar të dhënave të ish–shefit të Policisë italiane, Pansa, ajo duhet të gjendet në ambientet e ambasadës italiane, pranë zyrave të misionit Interforce. Burime të besueshme thanë për Lapsi.al se shefi i këtij misioni, Michele Grillo, i përfolur si i përfshirë drejtpërdrejtë në këtë skandal, i ka humbur kontaktet me autoritetet shqiptare.
Prokuroria shqiptare nuk ka autoritet të kontrollojë në mjediset e ambasadës. Por hyrje – daljet nga selia diplomatike në rrugën “Papa Gjon Pali II” po mbahen nën vëzhgim, siç mëson Lapsi.al.
Referuar hetimeve të kryera, Prokuroria ka zbuluar se pajisja është përdorur për të përgjuar, jashtë misionit trajnues që ajo ka patur. Hetimet pritet të zbulojnë edhe personat që kanë qenë nën përgjim. Të paktën në dy raste makina me pajisjen e instaluar ka qenë në dorë të specialistit të Forcës Operacionale, Entiol Xhelilaj, i cili tashmë gjendet në gjendje arresti, me vendim të Gjykatës.
Shefi i tij, Artion Duka, është gjithashtu në arrest shtëpie. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, është i pezulluar nga detyra me vendim Gjykate. Prokuroria e Tiranës, veç urdhërit për sekuestrimin e pajisjes po i vijon hetimet, pasi dyshon se “pas veprimeve të kundërligjshme të përgjimit, ka edhe zyrtarë të tjerë të lartë shtetërorë.
Hetimet nuk përjashtojë arrestime, në nivele të larta. Prokuroria dhe SHISH kanë deklaruar se pajisja ka cënuar sigurinë kombëtare.

Formula për kapjen e drejtësisë dhe loja me 2/3 e kreut të qeverisë

Në reformën e propozuar, institucionet, ndoshta më të rëndësishme të të gjithë sistemit të drejtësisë do të jenë Këshilli i Lartë i Gjyqësorit (KLGJ) dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), të cilët do zëvendësojnë Këshillin e Lartë aktual të Drejtësisë. Të dy institucionet do të kenë të njëjtat kompetenca, respektivisht për sistemin e gjyqësorit dhe të Prokurorisë. (Në këtë shpjegimin, për thjeshtësi do t’i referohemi vetëm KLGJ-së, por i njëjti shpjegim vlen edhe për KLP-në, pasi ato janë konceptuar në mënyrë identike)
KLGJ do të administrojë dhe kontrollojë funksionimin dhe karrierën në sistemin gjyqësor. Ndër të tjera, KLGJ:
do të emërojë të gjithë gjyqtarët e gjykatave të Shkallës së Parë dhe të Apelit të gjithë vendit;
do të propozojë anëtarët e Gjykatës së Lartë tek Presidenti, i cili mund të refuzojë emërimin e tyre vetëm në shumë pak raste të veçanta, por edhe atëhere KLGJ mund të ripropozojë të njëjtën kandidaturë dhe Presidenti është i detyruar ta emërojë.
KLGJ do të ketë 11 anëtarë, nga të cilët 6 do jenë gjyqtarë dhe do të zgjidhen me votimin e gjithë gjyqtarëve të vendit, ndërsa 5 anëtarë do të jenë jo-gjyqtarë dhe do të zgjidhen nga Kuvendi.
Mosmarrëveshja kryesore dhe e vetmja ende e pazgjidhur mes shumicës dhe opozitës lidhet, pikërisht, me mënyrën e zgjedhjes nga Kuvendi të 5 anëtarëve jo-gjyqtarë të KLGJ-së.

Mosmarrëveshja

Propozimi, në të tre draftet e deritanishme të reformës, ka qenë që 5 anëtarët jogjyqtarë të KLGJ-së të zgjidhen nga Kuvendi me 3/5 e votave, pra me miratimin e të paktën 84 deputetëve.
Opozita e kundërshtoi këtë shumicë, pasi koalicioni aktual qeveritar i ka kaq deputetë, që do të thotë se ai mund të zgjedhë në mënyrë të njëanshme të gjithë anëtarët e KLGJ-së. Kundërpropozimi i opozitës, fillimisht ishte që shumica miratuese të rritej në 2/3, pra në 94 vota, duke garantuar, praktisht, që anëtarët do të mund të zgjidhen vetëm me konsensus shumicë-opozitë.
Por shumica nuk e pranoi këtë propozim (dhe nuk e ndryshoi qëndrimin e saj deri para një jave).
Dy rekomandimet, i shumicës dhe opozitës, ju çuan për mendim Komisionit të Venecias. Komisioni pranoi që anëtarët e KLGJ-së duhet të zgjidhen me shumicë të kualifikuar (pra, më të madhe se shumica e thjeshtë 50 për qind plus një) dhe se nuk duhet të zgjidhen vetëm nga shumica parlamentare. Komisioni edhe pse pranoi se varianti i opozitës me 2/3 mund të jetë një variant i mundshëm, u shpreh se mund të ketë variante të tjera të përshtatshme për zgjedhjen e anëtarëve të KLGJ-së që mund të konsiderohen.
Por Komisioni i Venecias bëri një vërejtje shumë më të rëndësishme se sa komenti mbi përqindjen e përshtatshme për votimin. Komisioni theksoi se çfarëdo shumice e kualifikuar të zgjidhet, përfshi edhe 3/5 apo 2/3, në praktikë mund të ndodhë që shumica mund të mos arrihet dhe procesi i zgjedhjes së anëtarëve të KLGJ-së të bllokohet. Për këtë arsye, Komisioni sugjeroi që duhet të parashikohet një mekanizëm zhbllokues për rastet kur Kuvendi nuk arrin shumicën e nevojshme, cilado qoftë shumica që vendoset.

Mekanizmi zhbllokues

Për të shmangur këtë bllokim të mundshëm, ekspertët e huaj propozuan procedurën e mëposhtme, e cila ruan shumicën 3/5:
5 anëtarët jogjyqtarë të KLGJ-së zgjidhen sipas këtij përfaqësimi: një anëtar nga radhët e avokatëve, një anëtar nga radhët e noterëve, një anëtar nga radhët e pedagogëve të drejtësisë, një anëtar nga radhët e pedagogëve jogjyqtarë të Shkollës së Magjistraturës dhe një anëtar nga Shoqëria Civile.
Për çdo vend anëtari, grupimet e mësipërme i çojnë tre propozime Këshillit të Lartë të Emërimeve. (KLE është një tjetër mekanizëm i propozuar nga reforma, i cili ka kompetencë kryesore propozimin e kandidaturave për emërime në sistemin e drejtësisë. Këshilli i Emërimeve përbëhet nga 9 anëtarë, secili shërben vetëm për një vit, të cilët zgjidhen çdo vit me short mes gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha shkallëve).
Pasi merr propozimet, KLE verifikon përputhshmërinë e kandidaturave me kriteret dhe bën vlerësimin e tyre, duke i renditur (nuk përcaktohet se mbi çfarë kriteresh bëhet renditja).
Propozimet e renditura (tre për çdo anëtar) i dërgohen Kuvendit, i cili i miraton në votime të veçanta brenda secilit grup, pra një votim bëhet për të zgjedhur anëtarin përfaqësues të avokatëve nga tre kandidaturat e propozuara nga shoqata e avokatëve dhe kështu nga një votim i veçantë për zgjedhjen e katër anëtarëve të tjerë.
Nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë një anëtar, atëherë procedura përsëritet bazuar mbi propozime të reja me të njëjtën procedurë.
Në rast se as këtë herë nuk arrihet shumica e 3/5, atëhere kandidati i renditur më lart në renditjen e KLE-së konsiderohet i emëruar.
Kjo procedurë, praktikisht, e zhvendos zgjedhjen e anëtarëve të KLGJ-së nga Kuvendi tek KLE.

Mosdakordësia e re dhe propozimet e fundit

Partia Demokratike e kundërshtoi propozimin e mësipërm. Në këndvështrimin e saj, lënia e zgjedhjes së anëtarëve të KLGJ-së në dorë të KLE-së do të thotë, praktikisht, t’i lesh në dorë të qeverisë: edhe sikur KLE, vetë të jetë e pandikuar dhe objektive, në fund të fundit, ajo do të rendisë propozimet që do t’i vinë nga shoqata e avokatëve, shoqata e noterëve, pedagogët e drejtësisë të universiteteve të akredituara, Shkolla e Magjistraturës dhe Shoqëria Civile. PD mendon, jo pa arsye, se të gjitha këto shoqata apo institucione janë të ndikueshme apo kontrollueshme nga qeveria, e cila mund të ndikojë kështu kandidaturat dhe, për rrjedhojë, emërimet e anëtarëve të KLGJ-së.
Sipas pretendimeve të PD-së, për të zgjidhur situatën, grupi i ekspertëve të OPDAT-it-misioni i asistencës amerikane në fushën e drejtësisë—i propozoi PD-së disa variante të tjera për zgjedhjen e anëtarëve të KLGJ-së. Ajo që është e sigurtë është se PD zgjodhi një prej këtyre propozimeve, të ashtuquajturën formulë të “vendeve të rezervuara”, sipas së cilës 5 anëtarët jogjyqtarë të KLD-së zgjidhen si më poshtë:
dy anëtarë të zgjidhen nga shumica parlamentare, dy nga opozita dhe i pesti me votim 3/5 nga Kuvendi me propozim të Shoqërisë Civile.
Një linjë e tillë (pa hyrë në detaje) ishte sugjeruar më herët si zgjidhje e mundshme edhe nga Komisioni i Venecias.
Ky propozim i OPDAT-it (apo i vetë PD-së), i zgjedhur nga PD nuk u pranua nga PS.
Ndoshta për të shmangur përgjegjësinë për mos dhënien e konsensusit, Kryeministri Rama bëri një lëvizje të zgjuar taktike. Në mënyrë të papritur, pasi kishte ftuar dhe rënë dakord për t’u takuar me Kryetarin e PD-së Lulzim Basha, Kryeministri Rama deklaroi në një takim publik se ai kishte vendosur të pranonte kërkesën e PD-së për zgjedhjen e anëtarëve të KLGJ-së me 2/3 e votave të Kuvendit nga 3/5 sikurse ishte parashikaur deri atëherë.
Qëndrimi i ri i Kryeministrit, i pompuar gjërësisht në media, tingëlloi në publik qartasi si një lëshim i rëndësishëm i tij për të mundësuar konsensus, aq më tepër që të gjithë mbanin mend se opozita e kishte kërkuar këtë gjë muaj më parë. Ajo që Kryeministri nuk përmendi dhe që publiku nuk dinte, ishte se kjo kërkesë tashmë ishte kapërcyer, dhe si PD-ja edhe ekspertët e huaj kishin pranuar (apo propozuar) një mekanizëm krejt tjetër për zgjedhjen e anëtareve, atë të “vendeve të rezervuara”.
Nga ana tjetër, edhe pse në dukje “lëshimi” i Kryeministrit Rama u kuptua në publik se ai i dha opozitës të drejtën e vetos për zgjidhjen e anëtarëve të KLGJ-së, praktikisht nëse PD do të ushtrojë këtë veto, zgjedhja e anëtarëve të KLGJ-së nuk bëhet më nga Kuvendi, pra me konsensusin pozitë-opozitë, por nga Këshilli i Lartë i Emërimeve, vendimi i të cilit ka shumë gjasa të ndikohet, indirekt, nga qeveria, sikurse u shpjegua më sipër.

Takimi Rama-Basha

Në takimin e të hënës palët shkuan pikërisht me dy propozimet e kundërta të përshkruara më sipër:
PS me propozimin e zgjedhjes së anëtarëve të KLGJ-së me 2/3 e Kuvendit dhe në rast të mos arritjes së shumicës, zgjedhjes nga Këshilli i Lartë i Emërimeve (me vlerësim profesional);
PD me propozimin që anëtarët të zgjidhen dy nga shumica, dy nga pakica dhe një me votim 3/5 të Kuvendit me propozim nga Shoqëria Civile.Nuk dihet saktësisht se çfarë u fol gjatë 3 orëve të takmit, por në përfudnim nuk u arrit dakordësia.