Në cilësinë e kreut të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dënon presionet e qeverisë ndaj gjyqtarit Arjan Aliaj, i cili dha vendimin për pezullimin nga detyra të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako për çështjen e pajisjes së përgjimit. “Sulmet politike, ofendimet, deri dhe shantazhi nga ana e njerëzve në pushtet ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve është i papranueshëm. Dëmton rëndë procesin e hetimit. Unë gjej rastin të inkurajoj prokurorët e vendit që të hetojnë me paanshmëri dhe në pavarësi të plotë dhe në asnjë lloj ndikimi ndaj sulmeve që u vijnë. Sulme të padenja, të papranueshme. Prokurorët dhe gjyqtarët çdo ditë, në punën e tyre, në aktivitetin e tyre, hetojnë, gjykojnë dhe dënojnë keqbërës. Ata ndeshen shpesh me kërcënime apo akuza nga këto keqbërës që hetojnë apo dënojnë. Gjyqtarët dhe prokurorët me integritet, me dinjitet, të mos tundohen dhe të mos përkulen nga goditje që u vijnë për interesa politike, nga presione që u vijnë për interesa të individëve të caktuar”. Kreu i shtetit kërkon që institucionet ligjzbatuese të lejohen të kryejnë detyrat e tyre kushtetuese. “Prokuroria po heton mbi këtë çështje. Është një çështje, e cila u duhet lënë tërësisht institucioneve të specializuara të hetimit, të shtetit shqiptar për të zbuluar të vërtetën e kësaj çështje, e cila në fakt përbën një çështje me shumë ndjeshmëri, shkon në kufijtë e verifikimit nëse ka patur rrezikshmëri dhe ndikim në sigurinë kombëtare tek institucionet kushtetuese të vendit”. Pak javë më parë, Presidenti e konsideroi ekzistencën dhe përdorimin e pajisjes së dyshuar përgjuese, si kërcënim të sigurisë kombëtare.
Arat e Edvin Shullazit dhe Saje qorrit në Fier
Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar në rrjetin sociali Facebook dy foto, ku tregohen arat e kanabisit të mbrojtura nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe Rama. “Në arat e Edvin Shullazit dhe Saje qorrit në Fier”, shkruan Berisha në postimin e tij bashkëngjitur fotografive.
Ish-Kryeministri Berisha ka denoncuar shpesh përmes informacioneve të qytetarit dixhital lidhur me mbjelljen në masë të lëndëve narkotike, që sipas Berishës është një fenomen i mbështetur nga Rama dhe Tahiri. Dy ditë më parë, Berisha publikoi një foto me kanabisin e mbjellë në Shkodër. “Në arat e Edvin Shullazit dhe Saje qorrit në rrethinat e Shkodrës! Sb”, shkruante Berisha në Facebook.
Gjithashtu, pak ditë më parë ish-Kryeministri Berisha publikoi fotografi nga parcelat me kanabis në Nivicë të Tepelenës. Berisha akuzoi Kryeministrin Rama dhe ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri se po lejojnë kultivimin e drogës në vend. “Fidanishtja e Saje qorrit dhe Edvin Shullazit në Nivicë, Tepelenë! Sb”, shkruante Berisha.
Parcelat me kanabis lulëzojnë në të gjithë vendin me dijeninë e krerëve të policisë dhe inspektorëve të fshatrave. I gjithë Jugu i vendit është i mbushur me kanabis nga trafikantët e lidhur me zyrtarët e lartë të policisë dhe qeverisë. Për të gjitha parcelat e mbjella me drogë janë në dijeni krerët e policisë dhe inspektorëve të fshatrave, pasi ata marrin pjesën e tyre nga kjo fushatë hashashi që ka kohë që po lulëzon. Sipas burimeve, për mbjelljen e hashashit, garancia është e plotë nga strukturat e Policisë së Shtetit në bashkëpunimin edhe me kontigjentin kriminal.
Demiraj: Nëse sulmohen gjyqtarët, fiton krimi!
Kryetari i Gjykatës së Apelit Tiranë, Hysni Demiraj deklaroi dje gjatë një konference për shtyp se, nuk i trembet presioneve ndaj gjyqësorit nga njerëzit me pushtet. I pyetur nga gazetarët se, a ndjehet nën presion për çështjen e skandalit të përgjimeve, kryetari i Gjykatës së Apelit, Hysni Demiraj u shpreh se nuk e imagjinon dot se si mund t’i bëjë presion dikush. “Unë jam gjyqtari që kam fjetur 3 muaj me mitraloz në Gjykatën e Gjirokastrës më ‘97 dhe nuk e kuptoj si mund t’i bëhet presion Hysni Demirajt”, u shpreh kreu i Gjykatës së Apelit.
Fyerjet, denigrimi, sharjet dhe akuzat që artikuloi Kryeministri dhe ministri i Brendshëm ndaj gjyqësorit nuk i trembin njerëzit e drejtësisë. “Ju e keni anatemuar edhe në televizor figurën time, është puna juaj, por gjyqtarët që kanë një stazh të gjatë, kanë bërë një përzgjedhje shumë të shkëlqyer. Ne jemi lidh me gjënë më të fortë që ka planeti, me ligjin dhe duke qenë se ne zbatojmë vetëm ligjin, nuk kemi asnjë lloj frike. Gjyqësori në çdo vend të botës konsiderohet si dhëmbët e hekurt të një shteti. Shteti vetë përpiqet t’i dobësojë dhëmbët e tij. Atëherë kush fiton? Krimi dhe vetëm krimi!”, u përgjigj Hysni Demiraj ndaj presioneve të qeverisë.
Demiraj tha më tej se, qeveria duhet të gjejë mekanizmat që të veçojë gjyqtarët e ndershëm nga të korruptuarit. Sipas kryetarit Demiraj, gjyqtarët gjykojnë të vërtetën juridike dhe jo të dhënat apo preferencat e ndonjë pale.
Në Gjykatën e Apelit pritet të merret vendimi për pezullimin e drejtorit të Policisë së Shtetit, Haki Çako, i pezulluar nga detyra nga Gjykata e Tiranës pas kërkesës së Prokurorisë. Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, kryetari i Gjykatës së Apelit, Hysni Demiraj, tha se ankimimi i pezullimit nga detyra e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako, është administruar në kryesekretari. Ai tha se pritet që brenda 10 ditëve tre gjyqtarët e kryesuar nga Marije Qirjazi dhe anëtarët Ervin Metalla dhe Fiqirete Mulla, do të marrin në shqyrtim ankimin.
Kreu i Policisë së Shtetit, Haki Çako prej 4 ditësh është i pezulluar nga detyra pasi akuzohet si i përfshirë në skandalin e përgjimeve. Pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, çështja tani ndodhet në Gjykatën e Apelit, pas ankimimit të bërë nga ana e avokatit të Çakos.
Incidenti me shoferin
Kryetari i Gjykatës së Apelit Tiranë, Hysni Demiraj ka sqaruar edhe incidentin me shoferin e gjykatës. Demiraj u shpreh se, 25-vjeçari K.M., është nipi i ish-kreut të Gjykatës së Apelit, Alaudin Malaj. “Nuk do të fokusohem gjatë tek kjo ngjarje, pasi nuk ka asnjë incident me nipin e Malajt, por me vetë Malajn. Nipi i tij, ka qenë me vendim i pushuar nga puna dhe marrëdhëniet e punës kanë qenë të shkëputura”¬, tha kreu i Apelit Tiranë, Hysni Demiraj. Demiraj tha se, shoferi ka ardhur disa herë tek kryesekretarja e Gjykatës ndonëse ka qenë i pushuar nga puna dhe ai e ka nxjerrë jashtë nga sekretaria. Demiraj ka hedhur poshtë akuzën e shoferit 25-vjeçar se e ka qëlluar me grusht.
Shoferi i Gjykatës së Apelit në Tiranë ka denoncuar në polici kryetarin e gjykatës me pretendimin se është goditur me grusht. Në një njoftim për mediat policia thotë se ngjarja ka ndodhur dje në ambientet e gjykatës dhe se konflikti ka ndodhur për shkak të marrëdhënies së punës. K.M., ka qenë shofer i ish-kreut të Gjykatës së Apelit, Alaudin Malaj.
R.POLISI
Hahn: Të arrihet marrëveshje për Reformën në Drejtësi
Komisioneri Evropian për Zgjerimin, Johanes Hahn dërgoi dje nga Brukseli një mesazh me tone të qarta për politikën shqiptare lidhur me Reformën në Drejtësi. “Gjithnjë jam optimist dhe besoj se Shqipëria do t’ia dalë ta miratojë Reformën në Drejtësi deri në fund të qershorit, përndryshe i gjithë momenti i perspektivës evropiane do të shtyhet”. Gjatë vizitës në muajin mars në Shqipëri, komisionieri Hahn i bëri thirrje politikës shqiptare ta miratojë reformën përpara mbylljes së këtij sesioni parlamentar. “Drejtësia është në thelb të përparësive. Është element kyç dhe na duhet një vendim përpara pushimeve të verës. Vetëm kështu, do të shohim në tetor rezultatet”, tha komisioneri. Pak ditë më parë, edhe shefja e politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini tha se, “reforma gjyqësore e thellë dhe gjithëpërfshirëse është hapi thelbësor i radhës për integrimin e vendit në BE. Kjo është një votë me përgjegjësi për çdo anëtar të Parlamentit dhe grupim politik”.
Telefonata, Rama presion edhe Manjanit të lirojë Çakon
Presionet për të liruar me çdo kusht drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako dhe oficerët e përfshirë në skandalin e përgjimeve, Rama i ka shtrirë edhe ndaj ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani. Një denoncim i një qytetari i publikuar dje nga ish-Kryeministri Berisha tregon se si Rama i ka kërkuar përmes një telefonate Manjanit që të ndërhyjë tek Gjykata e Apelit për të rrëzuar vendimin e pezullimit të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako. “Një burim 100% i sigurtë më thotë se Edi Rama ka marrë ministrin e Drejtësisë, Ylli Manjani në telefon dje dhe i ka kërkuar me insistim të madh të ndërhyjë te Gjykata e Apelit për të prishur me çdo kusht vendimin e pezullimit të Çakos nga detyra dhe të arrestit të shtëpisë të paktën të njërit prej oficerëve në arrest shtëpie, me sa di unë Xhelilit. Sipas këtij burimi ministri Manjani i ka thënë Ramës se si do të ndërhyjë në një proces gjyqësor, Rama ka reaguar duke i thënë atij se ti je i qeverisë dhe me qeverinë dhe jo i Berishës dhe gjykatësve vrasës dhe se duhet të ndërhysh patjetër për të prishur vendimin e Gjykatës të Tiranës. Po ushtrohet presion i madh ndaj gjykatësve të Apelit. Me shumë respekt S.D.”. Po në një tjetër denoncim, një qytetar tregon po të njëjtën ngjarje mbi kërkesën e Ramës ndaj Manjanit për të ndërhyrë tek Gjykata e Apelit për të liruar Çakon. “Zhvillimet e fundit të aferës Edvin Gate! Qytetari dixhital informon: – Edvin Shullazi pas ultimatumit që mori nga Çako: ‘më kthe në detyrë ose do të flas’, po ushtron presion dhe terror me tel dhe me anë të sekserit të tij, sekretarit të Përgjithshëm të mafies shtetërore, Agaçi, mbi gjykatësit e Gjykatës së Apelit. Kështu, ndër të tjera ai i ka kërkuar ministrit të Drejtësisë Manjani të ndërhyjë në Apel për anulimin e masave të Gjykatës së Shkallës së Parë ndaj mercenarit Çako, që Rama, ky manjak i metodave të Sigurimit të Shtetit, e keqshfrytëzoi dhe e keqpërdori në skandalin më të madh të përgjimeve që regjistron historia dhe që mediat po e quajnë ‘Edvin Gate’, për të realizuar krimin e shëmtuar të përgjimit antikushtetues dhe antiligjor të Presidentit të Republikës, të kryetarit të opozitës, krerëve të institucioneve shtetërore, ministrave, deputetëve, të të gjithë spektrit, diplomatëve të huaj, gazetarëve, analistëve, artistëve, deri dhe qindra qytetarëve të thjeshtë. I bëj thirrje Prokurorisë së Shtetit të marrë menjëherë tabulatet e bisedave telefonike të Edvin Kristaq Ramës me ministrin Manjani dhe gjykatës dhe prokurorë Apeli, si dhe të ushtrojë kontroll ligjor mbi të gjitha telefonatat dhe lëvizjet dhe takimet e sekserit Agaçi me gjykatësit e Gjykatës së Apelit”.
Topalli: Hetimet për përgjimet do rrëzojnë Ramën e Tahirin
Deputetja Jozefina Topalli tha se mazhorancën e ka përfshirë një nervozizëm i madh që sipas saj do të marrë me vete edhe Kryeministrin. Topalli tha se Rama kërcënoi opozitën dhe kryeprokurorin dhe do tashmë të “mbulohet” me Reformën në Drejtësi. “Mazhorancën e ka përfshirë një nervozizëm të madh për një nga skandalet më të mëdha. Është fjala për Watergatein e Shqipërisë, që mesa duket do të marrë me vete Kryeministrin. Skandali shumë i rëndë. Reagimi i ministrit të Brendshëm ishte absolutisht një reagim frike dhe makthi. Hetimi po i kërcet në zyrë dhe vetë tavolinën e ministrit të Brendshëm. Askush nuk do të guxonte të sillte dhe të përdorte ‘IMSI Catcher’ nëse nuk do të kishte urdhër nga lart. Asnjë ministër nuk do të guxonte po të mos kishte licencë nga zoti Kryeministër. Rama është përpjekur për ta fshehur dhe për ta mbuluar si gjithmonë Reformën në Drejtësi. Sa herë i plas një skandal, ai ngrihet dhe flet për Reformën në Drejtësi. Por sot, ministri dhe qeveria janë shah mat me skandalin e përgjimeve”, tha Topalli. Sipas saj, Rama dhe ministri Tahiri janë brenda këtij skandali dhe kanë përdorur drejtorin e policisë si “kokë turku”. Rama që mbron ministrin, ministri që mbron vartësin për një arsye të thjeshtë se janë brenda. “Drejtorët e policisë janë mësuar t’i përdorin si koka turku. Besoj që Rama kësaj radhe ka kaluar vijën e kuqe. Kërcënoi opozitën dhe Prokurorinë për skandalet e tij personale. Nuk e shpëton përpjekja për të bërë avokaturën e Grillos sepse ky skandal nuk mund të mbyllet. Nuk mund të them që është një situatë skizofrenie mes përgjimeve dhe politikës. Nervozizmi do të shkojë edhe më tej. Si guxon ministri i Brendshëm t’i thotë kryeprokurorit ‘ti je tradhtar’ apo t’i thotë gjykatësit Kryeministri ‘ti je killer’? A ndodh në Maqedoni, në Serbi apo ndonjë vend tjetër? A keni lexuar që qeveria, ekzekutivi të quajnë killer gjykatësin që po heton për skandalin e tij? Kanë pezulluar drejtorin e tij dhe po i afrohen ministrit të tij, sepse brenda është Kryeministri. A mund të heshtim në një moment të tillë? A mund të pranojmë të quhet killer një gjykatës, si nuk i the gjykatësit që liroi Armando Prengën? Ky është vetëm fillim dhe pas nervozizmit do të shihni të tjera gjëra”, tha Topalli.
Përjashtim Ramës 10 ditë nga Kuvendi
Rikthimi i opozitës në Parlament dhe denoncimet e forta në lidhje me skandalet e qeverisë, në krye të të cilave qëndron vetë Rama e ministrat e tij ka bërë që Kryeministri të humbasë kontrollin dje në seancë plenare, duke iu vërsulur opozitës me një lumë sharjesh e fyerjesh ordinere. Pas akuzave të ngritura nga opozita në lidhje me skandalin e përgjimeve, Rama është acaruar, ndërsa ka marrë fjalën në foltoren e Kuvendit duke iu turrur opozitës me një fjalor mllefi e urrejtjeje.
I nervozuar dhe me veprimet e një njeriu me luhatje të thella, Rama në mënyrë të paprecedent e ka cilësuar opozitën si një “tufë që ha njëra-tjetrën”.
Në këto momente, deputetët e opozitës janë ngritur në këmbë dhe i janë drejtuar foltores ku po fliste Rama duke e bllokuar atë, ndërsa kanë kërkuar përjashtimin e Ramës nga punimet e Kuvendit për fjalor dhe sjellje të pahijshme në sallën e Parlamentit. Kreu i Grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka kërkoi përjashtimin e Ramës për sjellje të padenjë. “Duhet përjashtuar Rama, siç është ndjekur nga ju për përfaqësues të opozitës, por për të qetësuar seancën do ju kërkoja 2 minuta pushim, me qëllim të vijojmë normalisht”, tha Paloka.
Por ndryshe nga seanca e dy javëve të kaluara ku Byroja e Kuvendit u mblodh dhe dënoi ish-Kryeministrin Berisha se publikoi të dhëna që implikonin Kryeministrin me krimin e organizuar, nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj e cila po drejtonte seancën refuzoi në mënyrë kategorike mbledhjen e Byrosë së Kuvendit. “Byroja nuk është mbledhur para grupit parlamentar. Pushimi nuk kërkohet kur njeriu është duke folur”, tha Leskaj.
Menjëherë pas saj ka reaguar deputeti demokrat, Flamur Noka, i cili u bëri thirrje deputetëve të PD të mblidhnin firmat për të formuluar kërkesën për përjashtimin e Ramës, 10 ditë nga punimet e Parlamentit.
“Nuk ka asnjë arsye që ky Parlament dhe nuk ka nevojë të dëgjojë aroma të tilla nga Kryeministri. Grupi i PD kërkon të mbledhë firmat dhe që ky zotëria (tregon me gisht nga Rama), këtu të përjashtohet nga seanca.
Këta janë hedhur në sulm për të shpëtuar prapanicat e tyre. Këta janë autorët e përgjimit. Këtu nuk kemi qeveri, por një bandë mafioze që nuk do ta dijë as për ligj as për Kushtetutë.
Të paktën ky serial killeri, krimineli Tahiri duhet të ishte patjetër në dyert e drejtësisë”, tha Noka. “Vendi po kanoset. Nuk mund të bëjmë asnjë hap më para, nuk mund të kemi jetë më të mirë në rast se e shkatërrojmë demokracinë si sistem në rast se shkatërrojmë parimet demokratike. Më keq do të bëhet nëse shkelmojmë parimin e shtetit të së drejtës. Në këtë mynxyrë po na tërheq Rama”, tha deputeti demokrat Ristani.
Por ndërsa deputetët e PD në shenjë proteste ndaj fjalorit degradues që përdori Rama, ky i fundit u acarua edhe më keq duke ashpërsuar gjuhën ndaj deputetëve të opozitës, çka çoi edhe në ndërprerjen e punimeve të seancës plenare.
Pas kësaj, përmes një shkrese zyrtare Partia Demokratike ka kërkuar përjashtim me 10 ditë nga punimet në Kuvendin e Shqipërisë për Kryeministrin Edi Rama, pas fjalës së tij në Parlament. Sipas Partisë Demokratike, Rama përdori gjuhë që cenon personalitetin e deputetëve, ndërsa sjellja bie ndesh me nenin 62 të Rregullores së Kuvendit.
Rama niset në Francë për Europianin, 3 ditë turizëm me paratë e taksapaguesve
Kreu i qeverisë tha në Parlament se do të nisej menjëherë në drejtim të Francës, ku sot bëhet edhe hapja e Kampionatit Europian. Rama do të qëndrojë në Francë të paktën deri në shtunën në mbrëmje kur përfundon edhe ndeshja mes Shqipërisë dhe Zvicrës. Pra, tre ditë turizëm për Ramën, tre ditë në hotelet më të shtrenjta të Francës, udhëtime me biletat e avionëve në biznes klas po me paratë e shqiptarëve, një pjesë e të cilëve u pëlqen një Kryeministër i tillë që t’i poshtërojë ndaj dhe e votuan.
Konferenca Gjyqësore: Intimidimii gjyqtarëve, i papranueshëm
Duke i cilësuar si deklarata fyese dhe sulme të drejtpërdrejta nga përfaqësues të ekzekutivit ndaj gjyqtarit Arjan Aliaj, Këshilli Ekzekutiv i Konferencës Gjyqësore Kombëtare thekson se pavarësia dhe ndarja e pushteteve janë gurë themeli i një shteti demokratik. “Deklarata të tilla, me një gjuhë të papranueshme dhe të përsëritur, të realizuara nga përfaqësues të ekzekutivit, vënë seriozisht në dyshim parimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor nga ndërhyrjet politike apo të çdo forme tjetër, të cilat passjellin pasoja. Këto deklarata fyese dhe denigruese për gjithë trupën gjyqësore, në një moment kaq vendimtar për sistemin e drejtësisë, nuk kanë aspak lidhje me aspiratën për një sistem drejtësie të pavarur, të paanshëm, me integritet moral dhe profesional, të aftë që të japë drejtësi dhe vendosë përballë ligjit këdo që e shkel atë”, thuhet në reagim. Këshilli Ekzekutiv i Konferencës Gjyqësore Kombëtare, inkurajon dhe mbështet çdo organ apo institucion, shtetëror apo privat, që në eventualitetin e konstatimit të mangësive apo problematikave gjatë ushtrimit të funksionit kushtetues të gjyqtarëve të të gjitha shkallëve, t’i adresojë ato në rrugë institucionale dhe brenda kuadrit kushtetues. Në deklaratë thuhet se duhet të shmanget çfarëdo “tendence qoftë edhe potenciale, personalizimi apo intimidimi të gjyqtarëve të caktuar, gjatë dhe për shkak të ushtrimit të detyrës”.
Berisha-senatori Razzi: Me doktrinën e krimit Rama mbushi Parlamentin me vrasës e trafikantë
Ish-Kryeministri Sali Berisha ka pritur në një takim senatorin italian të Forza Italias, Antonio Razzi. Berisha e ka njohur senatorin italian me situatën e nderë politike dhe ekonomike që po kalon vendi ynë nën qeverisjen e Edi Ramës. Kështu një nga problemet më madhore që po kalon vendi ynë, shprehet Berisha, është mbushja e Parlamentit, qeverisë dhe administratës së vendit me vrasës e kriminelë nga Kryeministri Edi Rama, duke bërë që për dy vjet rresht vendi të bllokohet në çështjen e dekriminalizimit.
“Të dashur miq, këto ditë prita në një takim senatorin italian, zotin Antonio Razzi, përfaqësues i forcës politike më të madhe të së djathtës italiane, Forca Italia, i cili ndodhet për një vizitë në vendin tonë me ftesë të deputetit Astrit Veliaj. I përcolla senatorit Razzi përshëndetjet për ish-Kryeministrin italian, mikun Silvio Berlusconi. Duke vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Italisë, si dhe dy forcave tona politike. Unë e njoha senatorin me situatën e nderë politike dhe ekonomike që po kalon vendi ynë nën qeverisjen e Edi Ramës, një xhahil i vërtetë në ekonomi, me klimën dashakeqëse ndaj biznesit, taksat e larta, gjobat, presionin, klientela e mafia qeveritare kanë rënduar situatën ekonomike dhe kanë bërë që investitorët e huaj të largohen nga vendi ynë.
Shqipëria ka bërë një rrugëtim të gjatë në konsolidimin e ekonomisë së tregut. Në vitin ‘92 ajo renditej në vendet me të ardhura të ulëta, e treta pas Ugandës dhe Angolës, tani ajo falë reformave të ndërmarra, politikës së taksave të ulëta etj., renditet në vendet me të ardhura të mesme të larta. Nga viti 2008 gjer në vitin 2013 vendi thithi çdo vit mbi 1 miliard euro investime të huaja, por fatkeqësisht kjo qeveri me klimën e keqe të krijuar ndaj biznesit, taksat e larta, gjobat, presionin, korrupsionin dhe klientelizmin po bën që investitorët e huaj të largohen nga Shqipëria.
Në tri vite nuk ka asnjë investitor të huaj të ardhur në vendin tonë, edhe ata investitorë që operojnë në Shqipëri, me kontrata të firmosura nga qeveria ime, po detyrohen të largohen një nga një. E njoha senatorin Razzi me problemin më madhor për vendin, me pasionin e Ramës për krimin dhe banditët, i cili duke u bazuar në doktrinën e krimit të dobishëm, ka mbushur Parlamentin, qeverinë dhe administratën e vendit me vrasës e trafikantë, duke bërë që për dy vjet rresht vendi të bllokohet në çështjen e dekriminalizimit. Të gjitha këto e bëjnë situatën shumë të vështirë dhe vendin shumë të pasigurtë. Biseda ishte e hapur dhe miqësore”, shprehet Berisha.