29.5 C
Tirana
E diel, 17 Gusht, 2025

Gjykata e Lartë lë Shullazin në burg

Gjykata e Lartë ka konfirmuar dje qëndrimin në burg të Emiljano Shullazit. Me vendimin e djeshëm, kjo gjykatë ka rrëzuar kërkesën për rekurs të Shullazit, duke lënë në fuqi, si masë sigurie, “arrestin në burg” ndaj tij. Emiljano Shullazi, Gilmando Dani dhe Blerim Shullazi, nëpërmjet avokatëve të tyre, rreth tre javë më parë iu drejtuan me rekurs Gjykatës së Lartë, ku kërkojnë lirimin.
Avokatët pretendojnë ndër të tjera se, si vendimi i Shkallës së Parë, edhe ai i Apelit për Krimet e Rënda, janë dhënë në kundërshtim me ligjin. Emiljano Shullazi dhe dy bashkëpunëtorët e tij, u prangosën disa javë më parë, pas një denoncimi për kërcënim, ndaj kandidatit për rektor të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni. Ndërkohë, pas arrestimit, ndaj tij janë ngritur zyrtarisht akuza për kërcënim dhe gjobëvënie, për të paktën dy raste biznesmenësh.
Hetimet e kryera nga Prokuroria kanë zbuluar se banda e Emiljano Shullazit rezulton me aktivitete kriminale në disa rrethe të vendit. Të gjitha kallëzimet apo informacionet që janë siguruar për grupin e Emiljano Shullazit, do t’i bashkohen dosjes, të cilët po heton Prokuroria për Krimet e Rënda. Mësohet se aktiviteti i tre të arrestuarve ishte i shtrirë edhe jashtë Tiranës, ku sipas informacioneve janë shantazhuar disa biznesmenë.
Grupi i hetimit shtoi se, kallëzimit të një gruaje në Tiranë për përvetësimin e biznesit të saj pranë ish-kafe “Florës” i është bashkëngjitur edhe një dosje tjetër nën hetim prej pak muajsh te Krimet e Rënda. Në këtë kallëzim të marrë në fillim të vitit, një biznesmen nga Lushnja ka njoftuar se Shullazi e kishte kërkuar në takim gjatë muajit shkurt, ndërsa ai nuk ka pranuar. Nga dëshmia e një punonjësi të tij është kuptuar se, personi i prezantuar si Emiljano kishte qëndruar pranë biznesit të kallëzuesit në afërsi të Lushnjës.
Biznesmeni Adriatik Kërçuku kishte kallëzuar në Policinë e Fierit, Emiljano Shullazin për gjobëvënie. Ngjarja ka ndodhur në janar të këtij viti, ku disa persona i janë paraqitur në biznesin e tij dhe një person i është prezantuar si Emiljano Shullazi. E gjithë kjo histori është treguar nga punëtori i Kërçukut, pasi vetë ai nuk e ka takuar asnjëherë Shullazin. Duke qenë se ai nuk ka pranuar, në oborrin e biznesit të tij ka shpërthyer një sasi tritoli disa ditë më pas. Prokuroria për Krimet e Rënda ka sekuestruar kamerat e sigurisë së biznesit.

Vrasës i dyfishtë në Shqipëri, i fshehur prej 18 vitesh në Britani

Një shqiptar i kërkuar për vrasje të dyfishtë në Shqipëri e që kishte jetuar qetësisht në Britaninë e Madhe për 18 vjet, më në fund është kapur pas një hetimi të zhvilluar nga “Daily Mail”.
Sipas medias britanike, policia nuk kishte asnjë ide mbi vendin ku jetonte gangsteri 53-vjeçar i quajtur Avni Metra, pavarësisht se ai gjendej në listën e më të kërkuarve nga Interpoli dhe ishte arrestuar në Londër për dhunë ndaj bashkëshortes.
Metra kishte siguruar një pasaportë britanike pas mbërritjes në vend në vitin 1998, me pretendimin se ishte refugjat kosovar, duke futur në xhep mijëra paund përfitime, ndërsa punonte në të zezë dhe kishte lidhje me rrjete prostitucioni.
Babai i 4 fëmijëve, i cili është dënuar në mungesë me 25 vite burg për vrasjen e dy vëllezërve në Burrel, do të dalë tani në gjyq për t’u përballur me procedurat e ekstradimit. Rasti i 53-vjeçarit, sipas “Daily Mail”, u zbulua nga prokurorët shqiptarë muajin e kaluar. Krerët e Interpolit në Tiranë thanë se kishin kërkuar arrestimin e tij në vitin 2008, pasi ishin informuar se ai gjendej në Londër. Nga ana e tyre, autoritetet britanike thanë se nuk kishin mundur ta gjenin dhe se ishin në kërkim të të paktën 6 vrasësve shqiptarë që jetonin atje, duke përdorur identitete të rreme.
Në vitin 2010, burri u arrestua dhe u akuzua për dhunë ndaj bashkëshortes, duke kaluar disa javë pas hekurave dhe në vitin 2011 u dënua me punë të detyruar.
Gjithsesi, policia britanike nuk e kishte kuptuar se Metra, i cili përdorte emrin Avdul Mekra, ishte në fakt një vrasës famëkeq.
“Daily Mail” që ra në gjurmët e tij pohon se shqiptari u shfaq i habitur që kishin arritur ta gjenin dhe tha se nuk e mbante mend çështjen gjyqësore në Shqipëri. Tabloidi pretendon se Metra është vetëm një prej dhjetëra vrasësve shqiptarë që fshihen në Britani.

BMW-ja e përgjimit tek kamerat e Bashkisë

Prokurorët sekuestrojnë serverin qendror të kamerave të sigurisë në ambientet e Forcave të Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit, drejtuesi i të cilës është arrestuar dhe ndodhet nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”. “ABC News” ka mësuar se pavarësisht pretendimit të drejtuesve të këtij reparti, se kamerat e sigurisë nuk punojnë, hetuesit e Prokurorisë kanë sekuestruar serverin, pasi dyshohet se është ndërhyrë për fshirjen e tyre. Ky repart është nga më të monitoruarit, pasi agjentët e tyre merren me vëzhgimin, ndjekjen, arrestimin e personave të kërkuar dhe që janë trajnuar sipas policisë me aparaturën e përgjimit “IMSI Catcher”. Por pavarësisht pretendimeve se kamerat nuk punonin, hetuesit e Prokurorisë kanë sekuestruar serverin, duke e dërguar pranë Laboratorit të Policisë Shkencore për të ekzaminuar. Sipas Prokurorisë janë librat e regjistrit të hyrje-daljeve në repart, ato që provojnë se brenda këtij institucioni që ndodhet në zonën e njohur si “21 dhjetori” makina ku ndodhet e instaluar pajisja e përgjimit “IMSI Catcher” figuron që ka hyrë në të paktën dy raste. Nga këqyrja e këtyre librave, rezulton se mjeti ku ndodhet pajisja është drejtuar nga shefi i IT-së së këtij reparti, tashmë i arrestuar dhe izoluar me masën e sigurisë “arrest shtëpie”, Ention Xhelilaj. Si provë mbështetëse e këtyre librave të hyrje-daljeve, prokurorët kanë sekuestruar pamjet filmike të kamerave të sigurisë së Bashkisë së Tiranës, ku është identifikuar makina që kalon në rrugën ku ndodhet reparti i Forcave të Posaçme Operacionale. Këto pamje janë fiksuar pikërisht më datën 13 maj, rreth orës 12:00, kur oficerët e policisë kanë shkuar për të sekuestruar makinën ku ndodhet pajisja e përgjimit. Por, ajo është larguar nga ambientet 10 minuta pasi hetuesit kanë shkuar në ndërtesë dhe ishin në pritje të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako që të firmoste sekuestrimin. Nga ana tjetër, ajo që për hetuesit hedh poshtë pretendimet e policisë se ekspertët italianë gjatë gjithë kohës kanë qenë të pranishëm në momentin e trajnimit, hidhet poshtë nga sistemi TIMS i Policisë së Shtetit. Burimet thonë se nga verifikimet e kryera, rezulton se nga marsi, kur pajisja ka hyrë në Shqipëri e deri në momentin që ajo është bërë publike në media, ka rezultuar se në disa raste ekspertët italianë janë kthyer në Itali duke lënë pajisjen në ambientet e Repartit të Forcave të Posaçme të Operacionales. Sipas Prokurorisë, ajo që ka ngritur më shumë pikëpyetje, se kjo pajisje është përdorur për përgjime të paligjshme, është fakti se sa herë ka hyrë në territorin shqiptar kjo pajisje, ajo është deklaruar në dogana, Policia e Shtetit ka njoftuar prokurorin e Përgjithshëm dhe më pas prokurorëve konkretë për veprime hetimore. Rasti i fundit ishte gjatë periudhës së vitit 2013-2014 kur në Shqipëri kishte çdo ditë shpërthime eksplozivi.

Kallëzim penal për futjen në fshehtësi të Reformës në Drejtësi në kalendar

Partia Demokratike do të kallëzojë penalisht sot futjen në mënyrë të fshehtë e në shkelje të hapur me Rregulloren e Kuvendit të draftit të Reformës në Drejtësi, pasi është futur në mënyrë të jashtëligjshme dhe fshehtazi në punimet 3-javore të Kuvendit të Shqipërisë. Paraditen e djeshme, ky draft nuk është futur në programin e punës, ndërsa pas përfundimit të punimeve të Kuvendit drafti ka rezultuar në punimet 3-javore. Drafti ka kaluar “ilegalisht” në Konferencën e Kryetarëve.
Sipas procedurës, para se të mblidhet Konferenca e Kryetarëve, punonjësit e administratës dërgojnë tek çdo anëtar i Konferencës së Kryetarëve draft-kalendarin 3-javor që do të miratohet në Konferencën e Kryetarëve. Ky draft përfaqësuesve të opozitës u është dërguar dy herë përpara kësaj Konference Kryetarësh dhe në asnjë rast nuk e përmban Reformën në Drejtësi. Kreu i Grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka është shprehur se “ky është një skandal”, ndërsa ka paralajmëruar se PD do ta ndjekë çështjen penalisht. “Drafti ka kaluar në mënyrë të fshehtë, pa dijeninë tonë në Konferencën e Kryetarëve. Në kalendarin e punimeve të Kuvendit që kemi nuk është drafti i Reformës në Drejtësi”, tha Paloka, i cili shtoi se për këtë “falsifikim do të kërkoj të ndiqet penalisht”. “Atë që kanë kryer këtë akt, do të bëjnë kokë turku ndonjë punonjës”, deklaroi në një reagim për mediat Paloka. “Është bërë që të kalohet në fshehtësi një skandal i këtillë”, shtoi ai në një intervistë për “News 24”.

– Z. Paloka, ju thoni se ky është një skandal dhe të cilin do e hetoni më tej. Deklaroni se kaloi në fshehtësi në plotë. Kishit një kalendar tjetër punimesh?
Ne do e dërgojmë të ndiqet penalisht ky rast sepse është një skandal i paprecedent, jo vetëm në Parlamentin shqiptar, por as edhe në ndonjë institucion tjetër, sepse kaloi në mënyrë klandestine dhe me një akt tipik mafioz. Për dijeni të qytetarëve, procedura thotë që para se të mblidhet Konferenca e Kryetarëve, punonjësit e administratës dërgojnë tek çdo anëtar i Konferencës së Kryetarëve draft-kalendarin 3-javor që do të miratohet në Konferencën e Kryetarëve. Ky draft na është dërguar dy herë përpara kësaj Konference Kryetarësh dhe në asnjë rast nuk e përmban të ashtuquajturën Reformë në Drejtësi. Ashtu si unë dhe të gjithë anëtarët e Konferencës që u është dërguar me e-mail nga administrata e Kuvendit, në asnjë prej tyre nuk figuron Reforma në Drejtësi, e cila papritur na rezulton në faqen e Kuvendit si e miratuar me mirëkuptim.

– Po kalendarin 3-javor me Reformën në Drejtësi e keni tashmë? Këtë ndryshimin e keni të reflektuar në kalendar?
Nuk na ka njoftuar njeri për këtë. Njoftimi erdhi nga gazetarët që kishin parë faqen e Kuvendit duke thënë që sot kanë kaluar Reformën në Drejtësi. Iu thashë jo, se ka një kërkesë tonën për ndryshime kushtetuese para disa muajsh dhe mendova se bëhej fjalë për një keqkuptim. Thanë që jo dhe se bëhet fjalë për Reformën në Drejtësi që ka kaluar sot në Konferencën e Kryetarëve. E verifikova dhe është kështu. Ky është një skandal nga Konferenca që sot u drejtua nga Valentina Leskaj dhe as nuk u përmend. Ka edhe raste kur nuk është futur në draft-kalendar një projektligj dhe ngrihet në Konferencë të Kryetarëve dhe kërkohet konsensus, në raste të veçanta, për të futur një projektligj. Sot të gjithë përfaqësuesit e mazhorancës, si një kioskë mafioze, rrinin në heshtje dhe nuk e ka përmendur njeri. Të jem i sinqertë unë e prisja pas deklaratave të Ramës që kjo të përmendej në Konferencën e Kryetarëve, por mendova se e kanë kuptuar që është një absurditet dhe nuk e kishin ndërmend ta diskutonin. Fakti flet ndryshe. Del që këta kanë vepruar në mënyrë klandestine, ilegale dhe të jashtëligjshme. Ky është falsifikim i pastër dhe unë do të kërkoj që të ndiqet penalisht. Jam i bindur se do të bëhet ndonjë punonjës si kokë turku, por edhe ky do të jetë një falsitet i ndyrë, pasi asnjë punonjës administrate s’mund të fusë pa ardhur asgjë në kalendar.

– Z. Paloka, mos ndoshta keni qenë të pavëmendshëm pasi këtu lexoj që është miratuar me konsensus në seancë plenare?
Po ju them që në draft-kalendarin që unë kam në e-mail-in tim siç e kanë të gjithë anëtarët e tjerë, nuk figuron. Kështu që nuk mund të ketë lidhje me vëmendjen ose mosvëmendjen tonë. Për më tej, Konferenca e Kryetarëve ka një procesverbal për ato që janë diskutuar. Aty u diskutua çdo gjë, por kjo nuk u përmend. Reforma në Drejtësi në Konferencën e Kryetarëve as nuk ka kaluar dhe as nuk është përmendur në gojën e askujt dhe papritur rezulton në kalendar “e miratuar me konsensus”. Pse ndodhi kjo?! Sepse ata sot nuk i kanë pasur numrat në Kuvend për të kaluar kalendarin me votë dhe për këtë arsye kanë bërë gjithë këtë makinacion mafioz me qëllim për ta kaluar gjoja me konsensus.

– Kur thoni se do e ndiqni më tej penalisht çështjen, kë do të ndiqni penalisht?
Atë që ka kryer këtë akt. Unë thashë që jam i bindur që do të bëjnë fajtor ndonjë punonjës administrate siç e kanë zakon, por a është Valentina Leskaj që në mungesë të Ilir Metës drejtonte sot Konferencën e Kryetarëve, a është dikusht tjetër, kjo do të zbulohet. Kjo është bërë në dijeni të plotë të atyre që drejtojnë me qëllim të kalojnë në fshehtësi një gjë kaq të rëndësishme.

– Në fakt kalimi i reformës në Kuvend u paralajmërua nga Kryeministri Rama pas dështimit të takimit me z Basha…
Dhe çfarë do të thotë kjo?! Që reforma të kalojë në formë ilegale?!

– Z. Rama tha që nuk do të pritet opozita…
Më fal, ndoshta nuk njihni procedurat, por unë po ju flas për një falsifikim dhe është një skandal i rëndë.

– Unë pyeta përtej kësaj z. Paloka…
Përtej kësaj nuk mund të ketë kur jemi përballë një skandali të këtyre përmasave. Sepse përtej këtij skandali dhe përtej ndonjë skandali tjetër kemi ardhur këtu ku jemi. Kalojmë përtej përgjimit, kalojmë përtej kapjes politike, kalojmë përtej kapjes së Tahirit nga krimi, kalojmë përtej mbjelljes së Shqipërisë me drogë, kalojmë përtej gjithçkaje, por jo, përtej kësaj nuk mund të kalohet. Ka një procedurë dhe nuk mund ta fusnin dot. Unë isha i vëmendshëm. Kur ajo nuk u përmend thashë se mbase i kanë thirrur mendjes sepse s’mund ta fusin kështu. Për më tej thonë që ka kaluar edhe në Komisionin e Reformës, por në këtë komision jemi edhe ne dhe as aty nuk ka kaluar. Janë skandale të njëpasnjëshme.

Përgjimet, largimi i Tahirit, parakusht për zbardhjen e plotë të megaskandalit

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka shprehur dje mbështetjen e plotë ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve në lidhje me hetimin e skandalit të përgjimeve, ndërsa ka deklaruar se këtë mbështetje të fuqishme organet e drejtësisë e gëzojnë nga të gjithë shqiptarët. Përmes një deklarate për mediat, Basha e cilësoi të papranueshëm sulmin e paprecedent të Ramës dhe Tahirit ndaj prokurorëve e gjyqtarëve duke i cilësuar ata si kriminelë e vrasës me pagesë, ndërsa e kundërta ka ndodhur me qëndrimet e tyre për Shullazin e bandën e tij apo për vëllezërit Habilaj apo baronin e drogës Balilaj.
“Presioni mafioz që Edi Rama dhe Saimir Tahiri po ushtrojnë prej dy ditësh ndaj drejtësisë zbulon para çdokujt me dy pare mend se kush janë urdhëruesit e megaskandalit të përgjimit.
Fillimisht, Tahiri e pastaj Rama vazhduan sërish sot si njerëz të kapur në krim të sulmojnë gjyqësorin dhe gjyqtarin, që dje e lartësonin si njeriu i denjë i drejtësisë, kur liroi babain e Tahirit.
Asnjë ditë të vetme nuk e kemi parë ministrin e Brendshëm dhe Kryeministrin të përdorin këtë gjuhë të ashpër me krimin. Asnjë ditë të vetme në këto 3 vjet nuk e kemi dëgjuar as Ramën e as Tahirin t’i quajnë vrasës me pagesë Shullazin, Habilajt apo Balilin.
Tani janë hedhur përpjetë sikur i ka pickuar gjarpri. Janë hedhur përpjetë jo për drejtësi, por vetëm për të mbrojtur tajaren e tyre që po bie me yrysh në llucën e megaskandalit të përgjimeve”, tha Basha.
Kreu i PD theksoi se sulmi i paprecedent me të cilin Rama dhe Tahiri i janë vërsulur gjyqtarëve dhe prokurorëve dëshmon se ata janë në panik mbi të vërtetat që mund të nxjerrin hetimet. Basha theksoi se kërcënimet janë e vetmja armë që Rama e Tahiri mendojnë se kanë për të sprapsur gjykatësit në hetimin e tyre.
“Këtij krimi shtetëror Edi Rama dhe Saimir Tahiri i kanë shtuar ndërkaq edhe krimin kushtetues të shantazhimit të drejtësisë.
Çdo shqiptar e ka kuptuar tashmë. Janë në panik nga ajo që mund të zbulojë hetimi. Janë të tmerruar se drejtësia do të zbardhë rolin dhe përgjegjësitë e tyre në megaskandalin e përgjimit.
Prandaj po kërcënojnë si asnjëherë më parë. Po i quajnë gjyqtarët vrasës me pagesë e prokurorët e keqja e vendit. I janë vërsulur KLD dhe po përdorin gjuhë talebanësh kundër çdokujt që mund t’u nxjerrë në shesh të palarat. Kanë nisur bandat me shuka eurosh e me pisqolla në brez për të shantazhuar gjykatësit e për të sprapsur hetimin. Kërcënimin mafioz e shohin si të vetmen rrugë për t’i shpëtuar drejtësisë”, tha Basha.
Ndërsa shprehu mbështetjen për gjyqtarët e prokurorët, Basha theksoi se largimi i menjëhershëm i Saimir Tahirit është parakusht për një hetim të plotë e të gjithanshëm të skandalit të përgjimit.
“Prokurorët dhe gjyqtarët që po hetojnë këtë megaaferë duhet ta dinë se kanë në dorë fatin e një demokracie të tërë. Se stepja apo sprapsja nga presioni është muzgu i demokracisë dhe agimi i tiranisë së shtetit mafioz. Ata kanë mbështetjen e çdo shqiptari të ndershëm dhe duhet ta çojnë deri në fund këtë hetim, të bëjnë transparencë, të vendosin ligjin.
Largimi i menjëhershëm i Saimir Tahirit nga detyra është parakusht për zbardhjen e plotë dhe të pandikuar të krimit shtetëror të përgjimit të paligjshëm e të cenimit të sigurisë kombëtare. Çdo orë në detyrë e tij është pengim i hetimit, është pengim i drejtësisë, është një turp i madh për vendin”.

A.Shahini

Policët vrasës sulmuan familjen Çapja në Elbasan

Familja Çapja nga Elbasani shprehet se është terrorizuar nga forcat e Policisë së Shtetit dhe FNSH-ja. Nëpërmjet një deklarate publike nga një studio avokatie, familja Çapja shprehet se ngjarja ka ndodhur të mërkurën pasdite, ku punonjësit e policisë kanë qëlluar ndaj tyre me armë zjarri pa asnjë paralajmërim dhe nuk kishin asnjë shenjë indentifikuese, si dhe më pas kanë ushtruar terror. Ky reagim vjen pasi, policia mbrëmjen e së mërkurës arrestoi dy prej pjesëtarëve të kësaj familje dhe gjashtë persona të tjerë, pasi pati një shkëmbim zjarri mes tyre dhe policisë.
“Rreth orës 17 të pasdites, një makinë me xhama të zinj, njëri nga katër personat që ndodhej në automjet nxori dorën jashtë duke filmuar me një kamer dore. Dhe pa paralajmëruar askënd qëllojnë në drejtim të biznesit me armë zjarri nga makina e përbërë nga katër persona. Makina dhe personat, të cilët ndodheshin në automjet nuk kishin asnjë shenjë dalluese që të tregonte se ishin punonjës të policisë. Pas pak sekondash afrohet reparti i FNSH të maskuar, që ndodheshin pak metra larg nga automjeti privat dhe qëllojnë në mënyrë të pakontrolluar”, thuhet në deklaratën e familjes Çapja.
Më tej, në deklaratë thuhet se, i është vënë nënave pistoleta në gjoks duke e kërcënuar me vdekje, madje një nga personat e maskuar ka ushtruar dhunë ndaj një anëtareje të kësaj familje që është e diagnostikuar me tumor në gjoks dhe është duke kryer kimioterapi, madje duke i drejtuar dhe një armë automatike në drejtim të gjoksit.
“Gjithashtu ndaj Ferit Muçës, njërit nga të plagosurve të muajit shkurt, i cili është i dëmtuar rëndë në trup dhe ndodhet në regjim shtrati është tërhequr zvarrë nga dhoma ku ndodhej deri në oborrin e banesës së tij. Ndaj pronarit të hotel ‘Univers’, FNSH ka qëlluar drejt për ta ekzekutuar pa paralajmërim, por fatmirësisht falë një makine që ndodhej aty pranë ai ka shpëtuar, duke u fshehur dhe plumbat kanë përshkruar makinën tip ‘Benz’, ngjyrë e zezë. Deri rreth orës 00:00 të ditës së enjte asnjë nga familjarët e kësaj familje nuk është lejuar të futet në banesat e tyre, madje nuk kanë qenë prezent edhe gjatë kontrolleve të ushtruara ndaj pronave dhe shtëpive të pjesëtarëve të familjes Çapja”, thuhet në deklaratë.
Në deklaratë thuhet më tej se, veç armëve në të gjithë biznesin dhe në shtëpitë e familjes Çapja është ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike, duke filluar tek fëmijet 1 vjeç e deri tek të moshuarit e kësaj familje. “Gjithashtu, klientët e huaj të hotel ‘Univers’, theksojmë shtetasit e huaj, janë dhunuar psikologjikisht duke mos i sqaruar për atë çfarë kërkonin të bënin forcat e maskuara të policisë. Prej muajit shkurt, kur ndaj familjes Çapja është qëlluar nga katër persona të veshur me uniforma policie, ku humbën jetën dy anëtarë të familjes, pjesëtarët e kësaj familjeje janë ndjerë të kërcënuar dhe të rrezikuar. Sqarojmë se nga fillimi i ushtrimit të dhunës rreth orës 17:00 e deri në orët e vona të natës policia veç ushtrimit të dhunës dhe terrorit ndaj nënave, fëmijëve dhe pjesëtarëve të kësaj familje nuk ka sqaruar arsyet dhe motivet e kësaj bastisje”, thuhet në deklaratë.
Po ajo që duhet theksuar është fakti se avokatit të familjes nuk i është dhënë asnjë informacion dhe pse janë gjendur përpara komisariatit nga ora 21:00 deri në orën 02.00 të këtij ambienti. “I kërkojmë trupit diplomatik të akredituar në Tiranë të ndërmarrë veprimet e duhura përkundrejt terrorit të shkaktuar në ambientet e resortit, duke i vënë në dispozicion listën emërore të të gjithë klientëve të huaj, të cilët mund të dëshmojnë gjithçka të ndodhur (mbi 25 të huaj). Sikurse pas sulmit të qëllimshëm dhe të paramenduar me armë ndaj pronarit të këtij resorti, Ardjan Çapja nga forcat e rendit, i cili nuk bëri rezistencë dhe i paarmatosur, ky i fundit lihet për një kohë të gjatë pa ndjenja i shtrirë në tokë nga gjendja e shokut, ndërkohë që forcat e rendit e zhvishnin dhe mblidhnin gëzhojat të qëlluara nga po vetë armët e tyre për të zhdukur provat.
Pamjet e kësaj ngjarje janë të filmuara nga kamera amatore të shumë klientëve prezentë në ato moment. Disave prej tyre nën kërcënime të armëve i janë thyer aparatet smartphone gjatë regjistrimit. Çdo klient prezent në bar, një pjesë e mirë të shoqëruar nga fëmijë, është kërcënuar nën armë dhe janë detyruar me dhunë të shtrihen në tokë. Shumë prej tyre e dëshmojnë këtë të fundit”, përfundon deklarata e familjes Çapja.

Mbesa e Çapjas: Polici më kërcënoi me kallash mua dhe fëmijën 1.5 vjeç

Mbesa e të ndaluarit Ardjan Çapja në Elbasan ka denoncuar se, gjatë kontrolleve të policisë pas të shtënave me armë, forcat e policisë kanë terrorizuar familjen dhe i kanë vendosur kallashnikovin në kokë asaj dhe fëmijës së saj 1 vjeç e gjysmë. Ajo i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha, i cili e ka publikuar në Facebook dhe i ka kërkuar Prokurorisë së Elbasanit hetim për “terrorin policesk të policisë ndaj fëmijëve”.
“Qytetari dixhital denoncon: Kërcënimin nga polici me tytë kallashi në kokën e fëmijës 1.5 vjeç! Duke dënuar me forcë dhe preraz çdo sulm ndaj uniformave blu, gjithashtu dënoj me ashpërsi një terror policesk që nuk kursen as vogëlushët njëvjeçarë. I bëj thirrje Prokurorisë së Elbasanit të verifikojë këtë akuzë tepër të rëndë dhe të vendosë para ligjit me vendosmërinë më të madhe autorin e tij katil! Sb”, shkruan Berisha në Facebook duke publikuar mesazhin e qytetares nga Elbasani.
“Përshëndetje! Jam mbesa e Ardjan Çapjas. Ju lutem na ndihmoni. Po na kërcënojnë me tytën e kallashit në kokë. Mua dhe fëmijën tim. Fëmija është 1 vjeç e gjysmë. Unë jam femër, më gjuajtën me tytën e kallashit në dorë. Unë filmova momentin kur po qëllonin dajën tim, Fejzulla Çapja, ndërkohë i vunë kallashin në kokë fëmijës tim 1-vjeçar. Do jua vras fëmijën nëse nuk na jep filmimin. Po kalojmë tmerr”, përfundon mesazhi i qytetares.
Dy netë më parë ndodhi një luftë e vërtetë në Elbasan pranë kompleksit “Univers” që ndodhet në afërsi të stadiumit. Breshëritë e plumbave të kallashnikovit shkaktuan terror tek qytetarët. Pas ngjarjes së rëndë policia bëri të ditur se arrestoi tri persona. Ndërkohë njëri nga banorët që banon pranë vendit ku ndodhi ngjarja, shprehet se policia ka ushtruar terror ndaj tij dhe familjes së tij. Enver Sinakolli, babai i Arditit, i cili ndërroi jetë gjatë breshërisë së armëve të 3 shkurtit të këtij viti në lokalin ku ndodhej familja Çapja, shprehet i shqetësuar se policia i ka rrëmbyer djalin e vogël, Ambrin.
“Pas ngjarjes, djali im është marrë nga policia, edhe pse në momentin kur ka ndodhur shkëmbimi i zjarrit, Ambri ka qenë në banesë. Dua të di ku është djali im, nuk kam asnjë komunikim me të. Djali im është i pafajshëm. Policia ka nisur që mbrëmë të na shqetësojë. Këtu në shtëpinë time është bërë gardh me polici, dua të gjej djalin, nuk e di se ku më ndodhet. Është drita e syve të mi”, është shprehur Enver Sinakolli.
Ai shprehet më tej se policia nga momenti në moment i kërcënon. “Shefi i Komisariatit të Policisë më ka kërcënuar duke më thënë se ‘do të të vras’ dhe nuk e kuptoj arsyen se përse. Këtu është shtetrrethim, tamam si në luftë. Kam jetën time me familjen time, pse nuk më lënë të qetë?!”, u shpreh Sinakolli.
Policia bëri të ditur se Çapjat sulmuan me armë zjarri efektivët e policisë. Sipas burimeve nga policia, mësohet se afër kompleksit “Univers”, një prej bizneseve të fisit Çapja, kanë qenë 4 punonjës policie pa uniformë, me makinë private, të cilët ishin vendosur aty me mision vëzhgimi në kuadër të ngjarjeve të fundit që kanë ndodhur në këtë qytet dhe ka pasur të përfshirë pjesëtarë të këtij fisi. Në këtë moment, djemtë e fisit Çapja, dyshohet dy vëllezër, duke menduar që policët e veshur civilë, mund të jenë kundërshtarë apo hasmit e tyre, kanë marrë armët dhe kanë gjuajtur mbi ta. Nuk ka mjaftuar me kaq, por kur efektivët civilë janë larguar me makinë, ata i kanë ndjekur dhe këtu ka pasur edhe shkëmbim zjarri mes vëllezërve Çapja dhe efektivëve, fatmirësisht pa pasoja në njerëz.

R.POLISI

Përgjimi, si vrasja në Sarajevë

Frrok ÇUPI

Ka një koinçidencë, gati biblike, mes përgjimit që ushtroi policia qeveritare shqiptare dhe milestones (gurëve kilometrikë) në historinë ballkanike të konfliktit. Ky përgjim mund të jetë shkak për një tronditje rajonale të botës.
Njësoj si vrasja e Dukës Franz Ferdinand, nipi i imperatorit Franz Jozef në Sarajevë, 1914. “Që në këtë moment nuk mund të them se jemi në luftë”, deklaroi Kancelari Bismark dhe ashtu ndodhi. Lufta e Parë Botërore shpërtheu për një shkak ballkanik.
Ishte 28 qershori i vitit 1914… Data përkujtimore e Betejës në Kosovë, ku Duka thuhet se po shkonte të merrte pjesë… Duka u vra nga një nacionalist serb dhe Ballkani shkoi në luftë e bashkë me Ballkanin, bota në Luftën e Parë.
Edhe përgjimi i fundit realisht shpërtheu këtu në muajin qershor 2016, para tre ditësh kur u kapën disa zyrtarë të lartë policie dhe po hetohet ministri i Brendshëm. Qershori i ngjarjeve është vetëm koinçidenca e fundit, koinçidenca e formës. Brenda ngjarjeve ballkanike dhe botërore ka një thelb real ku përgjimi mund të shkaktojë përplasje.
1.
Kush përgjon cilin?
Akoma qeveria shqiptare, stoike para krimit të prezumuar, nuk “dorëzohet”. Kur nuk dëshmon se cilin po përgjonte, atëherë i ndez më keq flakët e konfliktit. Para një viti ishte kapur një Kryeministër tjetër ballkanik, po kaq autoritar sa Kryeministri shqiptar, duke përgjuar. Bota rreth Gruevskit të Maqedonisë qe e duruar dhe e mençur; e këshilloi të pranojë se po përgjonte popullin e tij, se po bëhej gati të vidhte zgjedhjet, etj., dhe kaq. Populli, sidomos këta popuj që dalin nga dhuna, nuk shpërthejnë për shkak se i përgjove. Aq më pak po reagojnë njerëzit këtu. Por konflikti ndërshtetëror shpërthen keq për shkak të përgjimit. Qeveria shqiptare po lë të nënkuptohet se është përgjuar më i larti dhe më i ulëti. Duke mos dëshmuar cili u përgjua, do të thotë se “të gjithë u përgjuam”; duke nisur që nga Sarajeva e Banja- Luka, nga Krajina në Bujanovc, nga Rumania me bazat raketore të NATO-s e deri në Moskë e Uashington.
2.
Të gjithë po shikojnë njëri-tjetrin dhe pyesin: “Me kë e ka Shqipëria?”.
E ka me Fuqitë e Mëdha?…
Pa Fuqitë e Mëdha, Ballkani nuk do të kishte paqe. Sa herë është provuar largimi i Fuqive të Mëdha, aq herë e më shumë ka shpërthyer konflikti ballkanik që ka ndezur botën. Aktualisht Ballkani është i kërcënuar nga konflikti; nga konflikti ndëretnik, nga konflikti i ndarjeve të reja, nga konflikti me elitat e korruptuara.
Prezenca në Ballkan e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Europian dhe Rusisë, përbën një realitet. Atëherë, cila nga superfuqitë është përgjuar prej qeverisë shqiptare?
Mund të dyshojë Rusia. Rusia po mbështet një ndarje të re të shtetit të Bosnje-Hercegovinës, që mund të krijojë zinxhirin e ndarjeve ballkanike. Por po mbështet edhe Kryeministrin Doddin, i cili prezumohet se përfshihet në krimin e pastrimit të parave. Pse e përgjon qeveria shqiptare? Në favor të Uashingtonit apo pse është bashkëpunëtore me pastruesin e parave? Apo qeveria shqiptare ka gjetur ortakë në trafikimin e drogës?
Qeveria nuk po flet dhe kushdo mund të vërë gishtin kudo.
3.
Me kë e ka Shqipëria? E ka me “eksplozionin” shqiptar?
Shqiptarët në Ballkan përsëri ndodhen para rrezikut. Rreziku në Maqedoni, ku shqiptarët kanë humbur besimin te liderët e tyre dhe po kërkojnë federalizëm. Në qoftë se ndodh kjo, atëherë nuk ka më Maqedoni. Vallë Tirana po përgjon për të nxitur procesin? Atëherë pse nuk flet!?
Shqiptarët rrezikohen në Prishtinë. Serbët e Prishtinës kohët e fundit kanë fituar një lloj autonomie; mirëpo nacionalistët dhe politikanët përdorues të nacionalizmit nuk e pranojnë. Në Prishtinë kanë reaguar ashpër, deri në rrethimin e Parlamentit. Sikur të mos ndalet kjo, atëherë Kosova vihet në rrezikun e ndarjeve të reja, që krijon zinxhir ndarjesh në rajon. A mos vallë qeveria e Tiranës ka futur duart në këtë proces dhe po përgjon?… Përderisa nuk po tregon ku e ka lidhur të keqen, mund të prezumohet si e përzierë…
Shqiptarët në Malin e Zi nuk jetojnë të qetë. Rusia ka shtrirë ndikimin deri në këtë Republikë, kandidate për në BE dhe ka krijuar një klimë “nën sqetull” ndaj Serbisë. Në momentin që diçka shpërthyese do të ndodhë në rajon, Mali i Zi është me Serbinë. Po shqiptarët, që mbështetën pavarësinë, çfarë do të bëjnë? Nuk ka nevojë për përgjigje… Për përgjigje ka nevojë veç prej qeverisë së Tiranës që të tregojë cilin po përgjon. Mos vallë i ka duart në konfliktin e Malit të Zi?!
Qeveria pritet të flasë, para 28 qershorit të Franz Ferdinandit, sigurisht.
4.
Po përgjohen rrugët e migrimit të sirianëve apo migruesit shqiptarë që po lënë vendin e tyre? Nga rajoni i Ballkanit po largohen njerëz më shumë se kurrë në gjithë historinë. Nga Shqipëria, gjithashtu. Shqipëria zë vendin e parë pas Sirisë. Analizat perëndimore po dëshmojnë se ballkanasit po i lënë vendet e tyre për arsye se ndjejnë rrezikun e konfliktit.
Të larguarit nga vendi i tyre përbëjnë një rrezik të dyfishtë: E para, për qeveritë vendëse nga ku janë larguar dhe e dyta, për vendet ku emigrantët kërkojnë strehim. Vallë, në favor të cilës prej të dyjave përgjon qeveria shqiptare? Ka në mendje zonjën Merkel, zotin Bashar al-Assad apo zotin Edi Rama. Të dytët po i përzënë njerëzit, ndërsa Gjermania i pret. Tirana po bën gati dosjen për secilin, edhe për ata që mund të jenë kontigjent terrorizmi?!
Atëherë duhet treguar cilët po përgjohen. Bota ka të drejtë të tronditet nga përgjimi në Tiranë.
Aq më tepër Fuqitë e Mëdha. Këto po vështrojnë njëra-tjetrën në sy, për të kuptuar cila është e lidhur me Tiranën.
Ngjashmërisht me qershorin e vitit 1914. Por me një ngjashmëri të frikshme. Edhe në vend të Austrisë që humbi Dukën, mesa duket është vendosur Italia. Kjo e kishte mjetin e përgjimit që e solli në rrugë diplomatike, kjo u “tërhoq” në heshtje bashkë me qeverinë shqiptare, kjo po pret si do të shpërthejë akti i saj në Ballkan.
Ballkani është përsëri shpërthyes. Qeveria shqiptare po bën lojën e keqe.

Çekiçi i drejtësisë që godet krimin, tmerri i Ramës

Arben RISTANI

Vendi po kalon ditë të vështira, po qeverisemi nga një bandë kriminale që me skandalet e saj monstruoze po cenon sigurinë kombëtare, po cenon demokracinë, po cenon jetën e gjithsecilit nga ne.
Me shumë përgjegjshmëri, do t’ju kërkoja të jeni syçelur, të mos keni frikë, të jemi të vendosur për të shkatërruar shtetin brenda shtetit që kanë krijuar Rama dhe të vetët.
Nuk mund të bëjmë asnjë hap përpara, nuk do të mund të kemi një jetë më të mirë, një jetë dinjitoze si qytetarë europiane, në rast se shkatërrojmë demokracinë si sistem, në rast se shkelmojmë parimet demokratike mbi të cilat kemi themeluar Kushtetutën tonë, asnjë hap përpara, përkundrazi, keq e më keq do të bëhet, në rast se shkelmojmë parimin e shtetit të së drejtës, parimin e ndarjes së pushteteve, parimin e respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Në këtë mënxyrë po na tërheq Edi Rama! Ne nuk jetojmë më të izoluar, por kemi mundësi ende të pafundme, për të parë ç’ndodh përreth dhe më gjerë. Në Shkup, protestuesit antiqeveritarë, kanë veshur bluza ku kanë stampuar portretet e tri prokurorëve maqedonas që u vunë në radhën e parë të luftës kundër krimit qeveritar. Portretet e prokurorëve Risteska, Janeva dhe Fetai kanë pushtuar gjokset e demonstruesve, sepse puna e tyre, për të çliruar popullin maqedonas nga zyrtarët e korruptuar dhe me interesa antikombëtare, ka pushtuar zemrat e popullit. Sot do të kisha dashur seriozisht të kisha tani, këtu, një bluzë të veshur me portretin e prokurorit të Përgjithshëm.
Kemi kaq kohë që flasim për pandëshkueshmëri, për korrupsion galopant, për plotësim të standardeve europiane, përsa i përket barazisë përpara ligjit, të zyrtarit të lartë të shtetit përkundrejt më të fundit të shqiptarëve të thjeshtë. Dhe sot në të parën përpjekje serioze për të treguar forcën e ligjit, barazinë e ligjit për të gjithë, sot që fillon një hetim normal për një dyshim serioz mbi një vepër penale, shumë të rëndë për nga pasojat që mund të ketë sjellë dhe për nga kategoria e zyrtarëve shtetërorë të dyshuar si autorë, pikërisht tani, fillon një sulm i çmendur i Kryeministrit, ministrit të Brendshëm dhe strukturave qeveritare kundër Prokurorisë dhe gjykatës shqiptare.
Në këtë moment, me precedent vetëm në fazat e para të vendosjes së diktaturës komuniste në Shqipëri, në këtë moment ku është ngritur i gjithë pushteti ekzekutiv kundër pushtetit gjyqësor. Në këtë moment ku po rrezikohet seriozisht demokracia. Në këtë moment ku vendi është zhytur në varfëri dhe krim nga banda kriminale në qeverisje. Në këtë moment, unë jam në krah të prokurorit të Përgjithshëm dhe çdo gjyqtari të ndershëm, profesionist dhe të guximshëm që godet fort, po fort ama, me çekiçin e drejtësisë, krimin e veshur me pushtet dhe qeveritarët e zhytur në krim. Thirrjet e çmendura, antikushtetuese të Kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm, për linçimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që guxojnë të bëjnë punën e tyre, janë sot shumëfish më të rënda dhe shoqërisht më të rrezikshme se sa vetë vepra penale e përgjimit të paligjshëm që dyshohet se është kryer.
Këta njerëz pa tru, ose më saktë me mendje ekstremisht të rrezikshme për shoqërinë, këtë veprim që po bëjnë sot e kanë të përsëritur, të mirëmenduar dhe pjesë të planit ogurzi për shqiptarët. Të njëjtin veprim për nga qëllimi, por më të butë për nga artikulimi, bëri KM ndaj Gjykatës Kushtetuese kur kjo e fundit i hoqi mandatin e deputetit Koço Kokdhimës, i cili kishte përfituar në mënyrë të kundërligjshme, fonde publike. Edhe në këtë rast KM shfryu inatin e tij dhe lëshoi kërcënimet e tij ndaj kësaj gjykate. Deri në demostrata para gjykatave ka shkuar kjo bandë kriminale, sepse drejtësia e pavarur atë e tmerron, sepse drejtësia e pavarur atë e nxjerr lakuriq përpara shqiptarëve, sepse drejtësia e pavarur nuk e lejon bandën të shtojë zullumin e saj.
Prandaj duan ata ta kapin me çdo kusht drejtësinë. Prandaj duam ne, me mish e me shpirt të mos e lejojmë që drejtësia të bjerë në duart e bandës. Prandaj unë sot jam me prokurorin e Përgjithshëm, prandaj unë sot jam me gjykatën e pavarur. Prandaj unë sot jam me Unionin e Gjyqtarëve, me Unionin e Prokurorëve, me Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Shqiptarët e dinë mirë, e mbajnë mend mirë sesi po ky KM “inkurajonte” po të njëjtën Prokurori, për të bërë punën e saj deri në fund dhe mbështeste gjykatën me qëllim që sipas tij, drejtësia dhe jo politika të thoshte fjalën e fundit në lidhje me rastin e ish-kryetarit të Bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika.
Në atë rast, kryetari i Bashkisë i po të njëjtës bandë që është edhe sot në pushtet, u dërgua në burg si masë sigurie dhe doli që andej vetëm se desh humbi jetën dhe Rama mbështeti gjoja drejtësinë. Ndërsa sot që merret një masë ndaluese dhe jo shtrënguese, pra vetëm pezullohet nga detyra dhe nuk arrestohet i dyshuari për të njëjtën vepër penale me kryebashkiakun Gjika, shpërdorim detyre, KM dhe MB, dalin më shumë se tre herë brenda ditës në konferenca shtypi duke sharë gjyqtarët derdimenë, alienë, kokëqelbur, kriminelë etj. Këta duan të na zënë sytë me propagandën e tyre, të mbështetur nga paratë e pista të krimit dhe të korrupsionit duke na servirur gjoja vullnetin e tyre për një Reformë në Drejtësi.
Drejtësia të dashur qytetarë, së pari është zemër, pjekuri dhe përgjegjshmëri dhe së dyti është ligj. A mund të ketë zemër, pjekuri dhe përgjegjshmëri një Kryeministër si Edi Rama që, në ditët e para të këtij Parlamenti, kërcënonte opozitën me shprehjen “ikni nga Parlamenti me preteksin se po ushtroj dhunë, por prisni se s’keni parë gjë akoma”. Çfarë zemre, pjekurie apo përgjegjshmërie mund të ketë ky njeri, që solli në këtë Parlament, trafikantë droge, trafikantë prostitutash, vrasës dhe banditë të rëndomtë?
Furnizoi me të njëjtën kategori bashkitë e vendit dhe administratën shtetërore. Harxhon ky njeri 80 milionë dollarë në vit vetëm për zyra, orendi dhe luks, nga këto 14 milionë dollarë vetëm për bileta avionësh, ndërkohë që mijëra shqiptarë janë hequr nga skema e ndihmës ekonomike dhe janë lënë të vdesin për bukën e gojës, ashtu si janë të sëmurë dhe me fëmijë të vegjël. Pjell politika e këtij njeriu, çdo ditë, zyrtarë si Cania në Sarandë, Luiza në Lushnjë, Shukriu në Dibër dhe nuk ndalet as në nivel ministrash, që do Zoti na e kursen të shohim dhe shëmti të tilla të racës bastarde njerëzore. Vendi është kthyer në një plantacion të stërmadh droge dhe po tmerrojnë çdo ditë me tonelatat që dërgojnë Italinë, Greqinë dhe Evropën mbarë.
Tashmë kallashnikovë dhe kilogramë të tëra me tritol shoqërojnë tonelatat e drogës për të furnizuar edhe terrorizmin ndërkombëtar. Çfarë zemre, pjekurie apo përgjegjshmërie mund të ketë një KM i tillë? Ndërkohë që shkarravit muret e zyrës së shtetit dhe bën kosha me top basketbolli po në zyrat e shtetit, ju deklaron dynjasë se është në një situatë skizofrenie midis politikës dhe artit dhe shpreson shumë se e pret edhe një jetë e tretë. Si mundet o shqiptarë të prisni nga njerëz të tillë të ndërtojnë shtet demokratik, të duan dhe të vendosin drejtësi? Çfarë tjetër presin gjyqtarët dhe prokurorët e këtij vendi nga ky njeri, përveç se t’i shajë, derdimenë, alienë, kokëqelbur e kriminelë?
Por kujdes, të nderuar qytetarë, skizofren është, siç i kanë thënë dhe ja thotë vetes, por atë që kërkon e di mirë. Mos haroni që OSBE përmendi që para një vit se kishte një pasuri 200 milionë dollarëshe, sot sigurisht që e ka shtuar dhe është normale që i duhet ta mbrojë dhe është afër mendsh që i duhet të kapë drejtësinë. I duhet sepse edhe për vete mbrohet edhe kundërshtarëve u mbyll gojën. Kemi kaq muaj që vijmë vërdallë me historinë e Reformës në Drejtësi dhe do ta theksoj thjesht dhe shkoqur që ta kuptojë i madh e i vogël, me dhe pa shkollë. Është një institucion që kontrollon, disiplinon, promovon etj., gjyqtarët i cili është parashikuar të përbëhet nga 11 vetë. 6 nga këta 11 vetë i zgjedhin vetë gjyqtarët, 5 të tjerët i zgjedh politika nëpërmjet Parlamentit. Meqë ne të përgjegjshmit, të pjekurit, njerëzit me zemër, nuk po merreshim vesh se si t’i ndanim apo t’i zgjidhnim këta të 5, ekspertët amerikanë, europianë dhe Komisioni i Venecias, na rekomanduan më të thjeshtën.
Bëni, thanë ata, nga një listë me profesionistë të dy palët dhe zgjidhni 2 nga lista e njërës palë dhe 2 nga lista e tjetrës, të pestin lerjani shoqërisë civile. Saktë, thjesht, bukur, asnjëra nga palët nuk ka mundësinë të emërojë gjyqtarë njerëzit që do vetë. Po kështu, me të njëjtën formulë zgjidhim edhe institucionin ekuivalent të Prokurorisë. Kaq e thjeshtë është o të dashur qytetarë! Dhe po kaq e thjeshtë është edhe loja e politico-artistikut që ka filluar të mendojë për jetën e tretë. Ai ka vetëm një qëllim, o e bën drejtësinë si do vetë dhe në shërbim të tij, o nuk e bën fare. Në të dy rastet del i fituar, prandaj dhe mban dy fjalime në xhep dhe i nxjerr kur i duhen të ngrohta si petulla. Për t’ju rikthyer edhe një herë skandalit të përgjimeve.
Është e thjeshtë përsëri për t’u kuptuar, Prokuroria ka nisur një hetim, dyshon se një pajisje ilegale përgjimi është futur në Shqipëri dhe përgjon dynjanë. Saja me të vetët thotë jo, me atë pajisje kam bërë trajnime. Heton Prokuroria, gjen prova që Saja ka të drejtë se ka bërë trajnime dhe çështja mbyllet me të gjithë të lumtur.  Po atëherë çka Saja që shan e bërtet, po politiko-artistiku çka?! Mos vallë është e vërtetë se kanë shkelur ligjin dhe kanë frikë se Prokuroria i nxjerr zbuluar?! Po  sikur ky rast të kishte ndodhur pasi të ishte krijuar Prokuroria speciale dhe Byroja e Hetimit e pavarur dhe e mbikëqyrur nga amerikanët do e zgjidhte dot me të shara, të bërtitura dhe me presion Rama?! Sigurisht që jo. Kaq e thjeshtë është. Prandaj unë sot jam me prokurorin e Përgjithshëm. Prandaj unë sot jam me garancitë që krijon shteti i të drejtës, pushtetet e ndara, Kushtetuta jonë me sanksionimet për liritë dhe të drejtat e njeriut. Prandaj unë sot ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të qëndrojnë syçelur dhe të mos mashtrohen nga propaganda që financohet me miliona euro nga paratë e drogës dhe korrupsionit dhe kërkon të na shesë sapunin për djathë. Prandaj unë sot do të isha gati si në Shkup të mbështesja njerëzit e drejtësisë në luftë kundër pushtetit të krimit dhe të krimit në pushtet.

Reforma kërkon dije e vizion, jo kazmën e Edi Ramës

Oerd BYLYKBASHI

Besoj se ajo që ka vlerë të diskutojmë sot është ky debat që hapi kryeministri në lidhje me Reformën në Drejtësi dhe me atë që po ndodh me Reformën në Drejtësi.  Do ta nis duke rikujtuar diçka që kryeministri e tha në fjalën e tij të parë inauguruese në 2013. E përmendi edhe sot përsëri. “Nuk keni parë gjë akoma”. Shumë u shqetësuan për këtë, sigurisht një deklaratë që nuk parashikonte asgjë të mirë, ogurzezë. Në tre vjet, ia keni parë provat kësaj deklarate e kryeministrit dhe si një njeri që nuk tërhiqet asnjëherë edhe nga deklarata që thotë gabim, e përsëriti sërish sot. E përsëriti për gjënë më të keqe, më të gabuar. E përsëriti për sistemin e drejtësisë dhe Reformën në Drejtësi. Dje dha një nga provat më lapidare që tregon se ç’është presioni politik dhe kontrolli politik mbi Reformën në Drejtësi. Megjithatë në fakt nuk janë zhvillime të djeshme, të pardjeshme, për të kuptuar kush ishte qëndrimi i kryeministrit Rama për drejtësinë, si e dizajnon në kokën e tij këtë Reformë në Drejtësi. Ju keni dëgjuar edhe sot të flasë për shkatërrim të sistemit dhe pastaj e quan veten reformator. Po ta vrisni mendjen, të nderuar kolegë socialistë, me zor do të gjenit ndonjëherë reformator me kazëm në dorë si kryeministri. Reformatorët kanë vizion, janë të lexuar, kanë ide dhe ato i vënë në zbatim. Sigurisht, po të mos lexosh as draftin kushtetues, zor i madh për të kuptuar se ç’po bën. Por në fjalimin e vitit 2013, nuk ishte ndoshta kjo gjëja më ogurzezë. Të paktën për këtë që diskutojmë tani, Reformën në Drejtësi. Do t’ju citoj një nga frazat më negative të atij fjalimi; ai tha: Është bindja ime e hershme që në një shtet që qeveriset keq është e kotë t’i drejtohesh gjyqtarit dhe prokurorit ndaj unë ju premtoj që do të jem  i drejtë. Kërkojeni këtë frazë dhe e gjeni në fjalimin e tij, në pjesën ku i referohet drejtësisë.
Po të ndaleni në një moment, edhe ju kolegë socialistë, të cilëve nuk jua ka zënë sytë rilindja, por që keni një rrënjë më të gjatë se nga momenti që filloi rilindja në politikë, e kuptoni se sa ogurzi është ky sinjal alarmi.
Është vërtetë ogurzi, sepse boll ta zbërthesh dhe e kupton se kush është vizioni i këtij kryeministri për drejtësinë. Qoftë ajo që është sot, që është vërtetë për të vënë duart në kokë, por mbi të gjitha për Reformën në Drejtësi dhe drejtësinë që do të jetë nesër për të gjithë shqiptarët. Jo për ne këtu, por për shqiptarët. Në një vend që qeverisjet keq, sipas tij, nuk duhet t’i drejtohemi gjyqtarëve dhe prokurorëve, sepse është ai drejtësia, ai është i drejtë. Po të bëjmë një pyetje, në këto 3 vite kush ka qeverisur keq, dhe jemi në këtë situatë ku jemi sot. Jemi në një situatë ku njerëzit arrestohen për 50 cm mur të ndërtuar në oborrin e tyre, ndërkohë që kryeministri dhe Kokëdhima ndërtojnë pallate. Sa e sa njerëz burgosen, përplasen pas dyerve të institucioneve nuk gjejnë drejtësi në këtë shtet që qeveris ky kryeministër, që qeveris shumë keq, që po e pranon edhe vetë nga dita ditës. Për sa kohë nuk jeni me sy të zënë dhe të verbuar nga rilindja po keni pak kurajo të shihni të vërtetën në sy, edhe tek zgjedhësit tuaj, në një shtet që qeveriset kaq keq, kryeministri do që të jetë drejtësia. Ai nuk mund të jetë drejtësia, po ky është absurd. Në dukje është një absurd logjik, por në fakt është një cinizëm skandaloz. Ky kryeministër që po qeveris keq do të jetë ai që do t’i japë drejtësi shqiptarëve. Ata që e njohin zotin Rama e dinë se kur është bindje e tij e hershme ai është obsesiv, i shkon deri në fund. P.sh Tiranën, një pyll me pallate e bën, ka vendosur të shkatërrojë sistemin e drejtësisë, edhe këtë e bën, s’ka rëndësi se do të na duhen vite e vite për të rindërtuar një sistem drejtësie. Reforma nuk do të thotë shkatërrim, besoj për këtë jemi dakord. Reforma do të thotë të ulemi dhe të rikonceptojmë diçka që nuk funksionon, të pastrojmë sistemin e drejtësisë nga të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar edhe nga të paaftët, por jo të shkatërrojmë sistemin e drejtësisë. Se kjo nuk është reformë, kjo është të marrësh kazmën e t’i biesh themeleve të shtetit. Për një njeri që është i njohur nga të gjithë si antishtet, kjo nuk është çudi, por problemi ynë këtu që do të kemi përgjegjësinë edhe morale për votën që do të japim për Reformën në Drejtësi është i papranueshëm ky leksik pavarësisht se ky vjen nga kryeministri i Republikës së Shqipërisë. E kishte bërë planin që në 2013. Nuk keni punë me drejtësinë, jam unë. Çdo e mirë dhe e keqe do t’ju vijë nga unë. Në çdo demokraci normale është shumë herë më mirë një demokraci që nuk funksionon si duhet se një drejtësi në dorën e një kryeministri që qeveris keq. Për këtë arsye është shpikur ndarja e pushteteve shumë kohë më parë. Henry Kissinger thotë: Ndarja e pushteteve është shpikur ndër të tjera për të frenuar autoritarizmin dhe totalitarizmin e ekzekutivit. Ekzekutivi sot është Edi Rama. Është shpikur për këtë arsye dhe kush do ta kuptojë të thellohet dhe lexojë, kushdo nga ju të nderuar kolegë, përpara se sa të miratoni Reformën në Drejtësi, sepse është turp i madh që kryeministri dhe ju deklaroni që jeni gati ta votoni ndryshimin kushtetues jo ndryshimin e një neni, por mbi 60 nene të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë pa i lexuar një herë, sepse kjo s’ka ndodhur kurrë. Nuk ka rëndësi sa kohë keni dërdëllitur nëpër lloj-lloj foltoresh se po bëni Reformë në Drejtësi. Reforma në Drejtësi ka vetëm një mënyrë si bëhet, bëhet vetëm me konsensus, bëhet me transparencë, bëhet me gjithpërfshirje dhe jo falso, por e vërtetë. Një reformë e drejtësisë, e cila bëhet në këtë formë, nuk ka shans tjetër përveçse të na humbasë siç na ka humbur deri më sot 2 vjet kohë. Tani, të bëjmë një pyetje të thjeshtë. Çfarë po kërkon kryeministri? Po kërkon Reformë në Drejtësi, apo në fakt po kërkon ta dështojë?
Me këtë presionin që bën ky zotëri do ta çojë shumë shpejt drejt votimit, kur votat nuk i ka. Dy janë opsionet, ose në këtë sallë Parlamenti do të gëlojë koprrupsioni politik nëpërmjet  blerjes së deputetëve dhe ky do të ishte një turp i madh dhe një rrënim jo për këtë Parlament, por për politikën shqiptare, ose ky zotëri që do të ishte më e mundshmja që mund të ndodhë, nuk i ka këto vota dhe duke mos i patur këto vota, kjo i intereson atij dhe partnerëve të tij në qeveri. Sepse me 94 vota të pabëra Reforma në Drejtësi dështon dhe Kushtetuta e përcakton të zezë mbi të bardhë, në nenin 177 “Reforma në Drejtësi për kënaqësi të kryeministrit do të shtyhet me një vit” dhe nuk është ky interesi jonë dhe besoj se nuk është interesi dhe disave prej jush kolegë socialistë, që nuk e keni marrë mundimin të lexoni as Kushtetutën as ndryshimet kushtetuese.
Merrni dhe lexoni ç’themi ne. Ju kemi thënë që po propozoni një sistem që Komisioni i Venecias jua quan shumë kompleks dhe të ngatërruar, një sistem, i cili do të dështojë brenda dhjetë vitesh dhe kjo sallë e Parlamentit ndoshta pa ne këtu, do të detyrohet që të negociojë një reforme në drejtësi. E kujt i duhet kjo. Kush janë ata shqiptarë, që kanë nevojë të bëhet reformë në drejtësi çdo dhjetë vite, për një sistem i cili nuk funksionon. Kush janë ata shqiptarë, që u intereson sesa organe në krye të sistemit të drejtësisë ka Shqipëria? Sot kur shkon në gjykatë çdo shqiptar shpreson që gjyqtari ta caktojë datën shumë shpejt, ta shqyrtojë shumë shpejt, të japë drejtësi efikase pa korrupsion. Nuk pretendon shqiptari sesa veta do të emërohen në krye të drejtësisë.
Por po ju them diçka. Kush nga ju i mban mend akronimet e të gjitha institucioneve të larta të drejtësisë? Janë 14, KNGJ, KLP, KED, etj.
Po edhe partitë nuk kanë kaq shumë sigla sa ka ky system. Po t’i numëroj unë të gjitha pa i lexuar unë vetë nuk arrij deri në fund të tyre, janë 14 institucione. E dini sesa funksionarë të lartë  do të paguajnë shqiptarët se për t’i zgjedhur do t’i zgjidhni ju mazhoranca, sa zyrtarë të lartë të qeverisë së gjyqesorit do të zgjedhim? 80 zyrtarë, pra më shumë se gjysma e këtij Parlamenti dhe do të paguhen më shumë sesa ne, deputetët dhe gjysma e këtyre zyrtarëve do të zgjidhen nga ky Parlament. A i thërrisni mendjes? Një Reformë në Drejtësi që bën që gjysma e qeverisë së gjyqësorit do të zgjidhet nga politika. Po ku është shmangja e politikës në këtë histori? Ky është politizim i pastër nga fillimi në fund dhe ne ju themi thjeshtojeni, sepse thjeshtimi i bën mirë sistemit, heq mundësinë që politika të futet në shumë pika. Kryeministri përpiqet t’i mbushë mendjen shqiptarëve, se PD ka kërkuar dy të tretat. Po ju them që kjo është një gënjeshtër e madhe dhe në fakt këtij lakrori po i hapen petët të gjitha. Që shqiptarët ta kuptojnë thjesht, dy të tretat nuk i bëjnë punë askujt. Dy të tretat është formulë për bllokimin e këtij Parlamenti në zgjedhjen e 40 personave nga sistemi i drejtësisë. Imagjinoni 35 deri në 40 persona që do të zgjedhë kjo sallë dhe njëri pas tjetrit me dy të tretat këtu? Kjo sallë bllokohet. Por është pikërisht kjo që kërkon kryeministri. Sepse e ka gjetur zgjidhjen te Këshilli i emërimeve në drejtësi, të cilin ose me korrupsion ose me presion si ai i djeshmi i bërë ndaj gjyqësorit do ta kapë të paktën në gjysmën e tij dhe nëpërmjet atij, kur kjo sallë bllokohet, nëpërmjet atij do të emërojë pastaj të gjithë gjyqtarët. Sipas kryeministrit kush renditet i pari atje me telefonatën e tij, ai do të emërohet më pas.
Ja ku është truku që kërkon duke na e shitur se po e kërkojmë me 2/3. Jo. Më mirë ta marrë me 3/5 dhe pastaj t’i përgjigjet shqiptarëve se pse e kapi sistemin e drejtësisë. Ajo që ne propozojmë është e propozuar e zezë mbi të bardhë nga Komisioni i Venecias, paragrafi 17 i raportit final, futnot i 4-t, thotë: 2 zgjidhen nga lista e profesionistëve të propozuar nga opozita dhe 3 zgjidhen nga lista e profesionistëve të propozuar nga mazhoranca. Kaq e thjeshtë. Lista e mazhorancës, lista e opozitës e thotë Komisioni i Venecias. Po ju them diçka të nderuar shqiptarë. Ajo që propozojmë ne është një formulë e thjeshtë e Komisionit të Venecias, jo e opozitës. Na e ka propozuar OPDAT dhe EURALIUS, duke filluar nga janari dhe shkurti dhe ne e kemi pranuar. Për shumë pak, ne mund të arrijmë një marrëveshje historike dhe ta bëjmë gati këtë reformë për votim në Parlament. Por, kryeministri këtë nuk e do. Ndoshta i intereson dështimi me 94 vota që të shtyhet një vit Reforma në Drejtësi. Sepse Edi Rama në të vërtetë nuk do Reformën në Drejtësi, por do thjesht të kapë drejtësinë.
Komisioni i Venecias thotë t’i garantohet përfaqësimi opozitës në Këshillin e Lartë Gjyqësor, në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, në komisionet e posaçme për verifikimin e gjyqtarëve dhe gjithashtu në Kolegjin e Posatshëm. E thotë Komisioni i Venecias, doni, s’doni ju, kështu do të jetë. Kështu që tregohuni mendjehapur, bëni kompromisin për një gjë që e kanë thënë ndërkombëtarët, jo ne, dhe marrëveshja mbyllet nesër dhe paketa bëhet gati për të ardhur në këtë sallë të Parlamentit. Populizmat nuk ju bëjnë punë, me ato nuk do të shkoni larg, është si puna e gënjeshtrës që i ka këmbët e shkurtra.
Është mirë të jesh këtu dhe jo të bredhësh nëpër dynja. Që të lexosh dy rreshta nga ndryshimet kushtetuese, që edhe shqiptarëve të dish çfarë t’u flasësh. Koleg, ju rekomandoj të mos ndiqni këshillën e kryeministrit. Lexoni më parë atë që propozohet, atë sistem katastrofik që propozon mazhoranca juaj, ç’thotë Komisioni i Venecias dhe sa thjeshtë e propozojmë ne, që të arrijmë në një kompromis, por lexoni më parë.

Rama e do drejtësinë për të mbrojtur veten, kriminelët dhe hajdutët e tij

Edi PALOKA

Sapo e dëgjuat skizofrenin e vetëdeklaruar, sepse e ka thënë vetë në intervista, që është në situatë skizofrenie midis artit dhe politikës. E dëgjuat pra kryeministrin që foli dhe për dëshpërimin tonë, për parti të dëshpëruar në opozitë, por nuk e di pse nxinte ky njeri, ky që ishte sot pranë triumfit. Ka kaq kohë që Rama me media të kapura apo nën presion dhe me të gjitha mjetet e tij të propagandës, po përpiqet t’i fusë me dhunë në kokë shqiptarëve, se ai lideri botëror, reformatori i madh po kërkon t’i shpëtojë shqiptarët një herë e mirë nga të gjitha të zezat që u kanë rënë mbi kokë. Kërkon t’i shpëtojë jo vetëm nga korrupsioni dhe padrejtësia nga papunësia mjerimi, nga varfëria, krimi e kriminelët, sidomos nga ata në Parlament, qeveri e bashki, por do t’i shpëtojë edhe nga sëmundjet dhe fatkqeqësitë natyrore. E dëgjuam dhe sot të thotë të njëjtat fjalë. Po që të realizojë të gjitha këto, e pengon opozita. E pengon opozita,  e cila sipas tij nuk pranon të votojë Reformën në Drejtësi, ashtu siç e do Rama. Ja pra kush është fajtore për të gjitha vuajtjet dhe mjerimin e shqiptarëve. Po a ka shqiptar me dy fije mend në kokë, pas tre vitesh sundim të kësaj mazhorance që nuk e sheh se korrupsioni, krimi, padrejtësitë, varfëria, papunësia e mjerimi e kanë burimin vetëm tek mbrapshtitë e kësaj qeverie? Jo se nuk kanë ekzistuar më parë jo se nuk ekzistojnë kund tjetër, po këtu si askund tjetër dhe kurrë ndonjëherë është vetë kryeministri i vendit, i cili me vullnet të plotë, krimin, padrejtësitë, korrupsionin, varfërinë dhe represionin, i ka kthyer në mjete të sundimit të tij dhe i mban në këmbë me të gjitha mënyrat. Ky kryeministër që bërtiste sot, ky pra që akuzon opozitën se nuk dashka Reformën në Drejtësi, atë reformë që e duan mbi 90% e shqiptarëve. Po çfarë është kjo e shumëpërfolur Reformë në Drejtësi dhe çfarë kërkojnë në fakt mbi 90% e shqiptarëve?
Tek ky 90% i shqiptarëve jam edhe unë, janë edhe të gjithë kolegët e mi të opozitës. Jemi të gjithë ne, viktima apo jo të drejtpërdrejtë të një drejtësie, po e vërtetë është, shpesh të korruptuar e të papërgjegjshme. Janë të gjithë shqiptarët që kërkojnë që drejtësia të japë drejtësi e të mos vendosë në favor të më të fortit kundër të dobëtit, të mos vendosë në favor të të pasurit kundër të varfërit, mos veprojë nën ndikimin e pushtetit, parasë dhe krimit, por të ligjit dhe të së drejtës. Këtë kërkojnë në fakt mbi 90% e shqiptarëve. Këtë kërkojmë edhe ne, si opozitë. Po Rama që na akuzon ne se nuk e duam Reformën në Drejtësi, çfarë kërkon ai në fakt? Për të kuptuar këtë o shqiptarë dhe ndërkombëtarë, nuk ka nevojë të hysh në labirintet e strukturës apo arkitekturës së institucioneve të drejtësisë, sipas këtij apo atij drafti. Nuk ka nevojë të mësoni se çfarë është KLGJ-ja apo KLP-ja. Do votohen me dy të tretat apo tre të pestat. Jo. Për të kuptuar se cila është reforma që kërkon Rama, mjafton të shihni e kuptoni konceptin që ai ka për drejtësinë, atë koncept që shfaqi edhe sot e që ka shfaqur që kur ka ardhur në pushtet. Për këtë mjafton të shihni në sy faktet dhe të vërtetën. Cilat janë faktet? E dëgjuat të ulëriste këtu se i vinte keq për ato nënat që iu qenkan vrarë fëmijët dhe gjykatësit e korruptuar i kanë nxjerrë vrasësit në rrugë. Po kush janë ato nëna, kush janë këta vrasës?
Kur kjo drejtësi liron një vrasës pse ai është djali i deputetes së Ramës, kjo drejtësi funksionon, dhe kryeministri del në tribunë me deputeten që e paraqet si heroinë dhe si shembull për t’u ndjekur. Kur kjo drejtësi liron deputetin e Ramës që qëllon për të vrarë qytetarë të thjeshtë përpara komisariatit të policisë, kjo drejtësi funksionon dhe kryeministri impenjohet që t’i shpëtojë dhe mandatin e deputetit të tij vrasës. Kur kjo drejtësi lë të lirë drejtorin e policisë së Ramës dhe pse është kapur në flagrancë e denoncuar nga vartësi se ka shkelur ligjin, duke fshehur të dhënat për një tjetër deputet vrasës të Ramës, kjo drejtësi prapë funksionon. Funksionon kjo drejtësi sipas Ramës dhe kur dënon një baba fatkeq pse kërkon të rregullojë çatinë e shtëpisë për fëmijët e tij, apo kur çon drejt vetëvrasjes në qelitë e burgut një tjetër baba fatkeq për 30 mijë lekë të vjetra energji elektrike.
Në të gjitha këto raste e qindra të tjera të ngjashme, kjo drejtësi funksionon për Ramën. Por, nëse drejtësia i heq mandatin Koço Kokëdhimës, sepse duke shkelur Ligj e Kushtetutë, ka vazhduar të grabisë shqiptarët, atëherë  “kjo është një arsye më shumë pse duhet reformuar”. Kur drejtësia pezullon drejtorin e policisë së Ramës dhe Tahirit, sepse në mënyrë flagrante ka shkelur ligjin, duke futur e më pas përdorur ilegalisht një pajisje përgjimi, atëherë kjo drejtësi është e korruptuar dhe ka nevojë për reformim.
E ndoqëm dje se me çfarë histerie e tërbimi u sulën Tahiri e Rama mbi gjyqtarë e prokurorë, për një rast mëse evident, të një krimi shtetëror, tanimë të pranuar dhe nga vetë drejtori i policisë. Po pikërisht kjo i tërboi dhe i bëri histerikë Ramën dhe Tahirin, fakti që Çako po flet. I kemi parë se si bërtasin në kor kur ne denoncojmë skandalet e tyre “shkoni në Prokurori” thonë, por tani që Prokuroria e Gjykata vepruan mbi bazë të fakteve mëse evidente, u çorrën ndryshe. Folën dje për komplot të opozitës që përdorka gjyqtarë të kapur që qenkan kthyer në sistemin e drejtësisë në mënyrë të padrejtë dhe prapë dolën bllof, si në shumë raste të tjera, sepse nëse ajo që thonë paska ndodhur, rezulton që “fajtor” të jetë gjykata e Fehmi Abdiut, e cila i dha të drejtë atij gjyqtarit, pikërisht gjykata e Fehmi Abdiut dhe  KLD e Bamir ziut, njëri ish-deputet i PS dhe tjetri aleati më i ngushtë i Ramës sot. Se me aleatët e  tjerë nuk ka marrëdhënie dashurie si ka me Bamirin. Aleatin tjetër e kërcënon njësoj si opozita me të ashtuquajturën Reformë në Drejtësi. Histeria e djeshme ishte nga paniku se Çako po flet e nuk pranon mesa duket të bëhet kokë turku. Për këtë sulen me tërbim dhe Rama e Tahiri, jo sepse janë të shqetësuar për drejtësinë, por sepse kanë frikë se ky skandal do t’i marrë me vete këta të dy. Mos harrojmë që për një skandal të ngjashëm ka ikur dhe një President i SHBA-së. Kaq besoj mjafton për të kuptuar se çfarë drejtësie kërkon Edvin Rama  dhe pse ne, pse kjo opozitë e kundërshton drejtësinë për të cilën flet Edvin Rama. Rama kërkon një drejtësi që të mbrojë kriminelët, vrasësit, trafikantët e përdhunuesit, sepse kolanës së tij të deridjeshme, ku kishte vrasës në Parlament, trafikantë prostitutash, trafikantë droge, iu shtua edhe Rrosh përdhunuesi, dhe sot, e patë që bërtiste këtu kundër gjyqtarit që paska liruar një përdhunuesi. Po kush është ai që e cakton përdhunuesin kryetar bashkie? Ky këtu, është. Ky është autori që përdhunuesin e bën kryetar bashkie e ndan pushtet me kriminelë të tjerë me të cilët ai ka mbushur administratën dhe ka zënë bashkitë. Kriminelë që harrojnë se sa krime kanë kryer. Kërkon të mbrojë hajdutët e tij në qeveri e Parlament, që vazhdojnë të grabisin shqiptarët, duke përfituar nga postet që mbajnë dhe lidhja me Ramën.
Rama kërkon të mbrojë Rroshët, Bushët, Bardhët, Kokëdhimët, Prengët, Beqët, Frrokët e Tahirët. Kërkon të mbrojë veten.
Sa për dënimet, drejtësia i duhet për të dënuar ata që guxojnë të denoncojnë krimin dhe hajdutërinë e pushtetarëve. Të dënojë dhe mbajë nën presion dhe qytetarët e thjeshtë, të cilët çdo ditë luftojnë me të zezat që i ka sjellë kjo qeveri, që nesër me dhunë e para t’ju marrë edhe votën. Kjo është drejtësia dhe reforma që kërkon Rama e kjo është e qartë prandaj nuk ka nevojë të na tregojë askush, dimë shumë mirë ta dallojmë errësirën nga drita e diellit. Për këtë nuk do të lejojmë kurrë që satrapi të shtjerë në dorë dhe drejtësinë. Shqiptarët kanë nevojë për drejtësi e mirëqenie e këto nuk mund t’ua japë ai që i groposi, Edvin Rama.