37.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Basha: Përgjimet, krim shtetëror, pajisja pa lejen e Prokurorisë

Kreu i PD, Lulzim Basha e cilësoi dje përdorimin e pajisjes së përgjimit nga Policia e Shtetit pa lejen e Prokurorisë një krim shtetëror. Përmes një deklarate për mediat, Basha theksoi se futja e kësaj pajisjeje në mënyrë të jashtëligjshme me bekimin e Ramës është kryer në të njëjtën mënyrë ashtu siç veprojnë organizatat kriminale.
“Një krim shtetëror me dijeninë dhe bekimin e Edi Ramës ka ndodhur prej disa muajsh në Shqipëri. Në mënyrë të paligjshme dhe me pajisje të paligjshme, zyrtarë të policisë kanë vënë nën përgjim drejtues të lartë të shtetit, partive politike, trupit diplomatik, medias, biznesit, bankave, qytetarëve.
Ndërsa vetë policia e ka pranuar zyrtarisht se posedon një pajisje të tillë, Edi Rama dhe Saimir Tahiri heshtin, heshtin sepse janë ata ideatorët dhe urdhëruesit e përdorimit të kësaj metode kriminale.
Heshtin sepse me porosinë dhe nën mbrojtjen e tyre kjo pajisje është futur në Shqipëri pa u regjistruar dhe pa marrë lejen e Prokurorisë, njësoj siç veprojnë organizatat kriminale”, u shpreh Basha.
“Në hierarkinë e skandaleve të kësaj qeverie, ku çdo ditë skandali i mbivendoset skandalit, ky padyshim zë vendin e parë.
Përgjegjësitë për këtë shkojnë drejt e tek Kryeministri i vendit, Edi Rama.
Prej ditës kur skandali është bërë publik, Edi Rama nuk ka thënë asnjë fjalë të vetme, duke e bërë edhe më të besueshme që ky krim i rëndë ka ndodhur.
Përpjekjet e tij për ta larguar vëmendjen nga skandali, duke sjellë në skenë kriza të tjera si pazari i madh i check up-it apo duke plasur tullumbace pas tullumbace, siç janë dërdëllitjet për inovacionin, janë një konfirmim më shumë se gjendemi përballë një mine të madhe paligjshmërie”, tha ndër të tjera kreu i PD.
Basha theksoi se është urgjente që ministri i Brendshëm, kreu i Policisë së Shtetit, kreu i Shërbimit Informativ dhe prokurori i Përgjithshëm të raportojnë para Komisionit të Sigurisë në lidhje me këtë skandal.
“Transparenca për këtë skandal politik dhe kriminal është një emergjencë politike, ligjore, morale dhe shoqërore jo vetëm për Partinë Demokratike dhe opozitën, por për të gjithë spektrin politik, mediatik dhe shoqëror në vend.
Qytetarët kanë nevojë të mësojnë një orë e më parë të vërtetën. Vendi nuk mund të pajtohet për asnjë çast me uzurpimin mafioz të shtetit.
Ndaj, ne kemi kërkuar një dëgjesë urgjente nesër paradite në Komisionin e Sigurisë me ministrin e Brendshëm, drejtorin e Policisë së Shtetit, kreun e Shërbimit Informativ dhe prokurorin e Përgjithshëm, për të hedhur dritë mbi këtë ngjarje e për të nxjerrë përgjegjësitë shtetërore”, u shpreh kreu i PD.
Basha theksoi se mbi të gjitha përgjegjësitë qëndron përgjegjësia politike e Edi Ramës. “Ai duhet dhe do të mbajë përgjegjësi për përgjimin mafioz të Presidentit të vendit, të opozitës, të krerëve të institucioneve, të deputetëve, të drejtuesve të medias, të ambasadorëve, të gazetarëve, të qytetarëve.
Edi Rama duhet dhe do të mbajë përgjegjësi për krijimin – në shpërdorim flagrant të detyrës dhe në shkelje kriminale të Kushtetutës – jo thjesht të një shteti brenda shtetit, por të një ‘shteti mafioz’ mbi shtetin, që në fakt nënkupton asgjësimin e Republikës”, u shpreh ndër të tjera Basha.

Arben Shahini

“Corriere della Sera”: Familjarë të Grillos shitën pajisjen e përgjimit

Klemend Balili është një menaxher i shtetit, një i besuar i qeverisë shqiptare. 7 kuintalë marijuanë të destinuara për në Milano. Trafikatët preferojnë kryeqendrën lombarde, pasi çmimet shkojnë 700–800 euro më shumë për kilogram.
Ngarkesa e fundit me drogë, e sekuestruar mbi një gomone (768.5 kg marijuanë të kapur në Greqi), ishte e destinuar për në Salento, ashtu si pjesa më e madhe e drogës që kalon Adriatikun për të përfunduar në brigjet italiane. Zakonisht, sipas Guardia di Finanza, marijuana “e importuar” kushton rreth 1 mijë euro për kilogram: trafikantët preferojnë Milanon si destinacion final, pasi çmimet shkojnë 700–800 euro më shumë për çdo kilogram.
Në krye të organizatës, që po trafikonte këtë ngarkesë e dhjetëra të tjera, qëndron një i dyshuar, i quajtur i “Escobari i Ballkanit”, i cili po kërkohet në mbarë Europën.

Njeriu i besuar i qeverisë shqiptare

Kelmend Balili është një menaxher i shtetit, një i besuar i qeverisë shqiptare, e cila ka rënë sërish në telashe të mëdha të trafikut të drogës.
Këto ditë, DEA, Agjencia amerikane e Antidrogës, ka bërë kritika të forta për shkallën lidhjes mes “aparatit” dhe trafikantëve. Veç kësaj, nuk është zgjidhur ende rasti flagrant i Dritan Zaganit, policit që me hetimet e tij kishte mbërritur deri tek ministri i Brendshëm shqiptar, i cili ishte burgosur e më pas arriti të largohej jashtë vendit nga frika se ndonjë vrasës me pagesë mund t’i bënte vizitë, një nga të shumtët “ujqër të vetmuar” në mision me detyrimin për të mos dështuar. Zagani ka bashkëpunuar me Guardia di Finanza, në radhë të parë për betejat dhe rezultatet kundër trafikantëve të drogës. Tani, ndjekja e Balilit mund të çojë në skenarë të tjerë që do të evokonin sërish Zaganin dhe do të lidhnin më shumë Shqipërinë me Italinë.

Shëtitjet në Galeri

Menaxheri i shtetit shqiptar, tregojnë burime hetimore, është parë disa herë në Milano, qoftë për takime zyrtare, si pasojë e profesionit të tij, qoftë për takime më “informalë” me bashkatdhetarë që operojnë mes Milanos dhe rrethinave. Klanet shqiptare të drogës, shpjegon një drejtues i karabinierisë, janë shumë aktivë në zonën e Abbiategrasso. Nuk zotërojnë të gjithë territorin, por janë të vendosur mirë. Dinë të lëvizin dhe kanë një “rrjet” efikas. Edhe në Pavese kanë një prezencë të rëndësishme. Sipas akuzës, Balili, që në Milano pëlqente ndalesat në Galeri, dyqanet në Corso Vercelli dhe “takimet” mes Porta Venezia dhe Piaza della Repubblica dhe që mund të jetë fshehur në Greqi, përdorte rolin e tij si zyrtar për të lëvizur drogën dhe të njoftohej në kohë reale mbi lëvizjet e prokurorëve dhe policisë.
Që në drejtësinë shqiptare diçka nuk funksionon, kjo dihet: kriminelët në prag të arrestimit të autoriteteve të huaja marrin informacione dhe arratisen. E konsideruar nga shumë si “Kolumbia e Europës” për prodhimin e drogave, “rafineritë” dhe klanet që bëjnë miliona me drogë, Shqipëria po sheh një luftë të ashpër mes shërbimeve sekrete dhe qeverisë. Të parët akuzojnë të dytët se kanë autorizuar përgjime të paligjshme, falë pajisjeve të prodhuara nga një kompani italiane, lider në sektorin e përgjimeve.
Kompania dyshohet se ka përdorur kanale mbështetëse për të hyrë në tregun shqiptar: ka kaluar përmes ambasadës italiane dhe në veçanti nga ish–shefi i polices, Anna Poggi (misioni policor italian, Interforce që vepron në Shqipëri). Nëse këto janë gënjeshtra, fryt i një fushate helmatisëse apo të vërteta, këtë mund ta vendosin vetëm hetimet e ardhshme.

Komplote dhe rrugët

Zyrtari i Interforce në Tiranë dyshohet se ka “lidhje familjare” me këtë kompani. Përsa i përket Poggi-t, gjatë G8 në Genova, ishte përgjegjëse e zyrës së trajtimit të akteve në kazermën Bolzaneto. As dënimi në Gjykatën e Lartë nuk e pengoi avancimin e saj në karrierë. Ajo u promovua si detektive e më pas si diplomate në Shqipëri dhe u vendos në krye të koordinimi të zyrës së Interfoce me Interpol. Kur shpërtheu rasti i Dritan Zaganit, Anna Poggi u lëviz në mënyrë të çuditshme nga Ministria e Brendshme italiane. Historia e saj ngre disa pikëpyetje: nëse e dinte dhe çfarë dinte për Zaganin, cilat ishin raportet e saj me Tiranën, çfarë e mban “të lidhur” me politikanë shqiptarë të rangut të lartë dhe disa zyrtarë. Këto pyetje dhe hetimet mund të gjenerojnë zhvillime hetimore dhe të zbulojnë praninë e një “sistemi” të ndërlikuar. Mbi të gjitha, droga vazhdon të kalojë: nga Shqipëria, ndonjëherë pasi bëhet një ndalesë në ishujt grekë, lëviz drejt Italisë dhe ngarkohet mbi kamionë për t’u shpërndarë në Milano.

Balili e kalonte drogën nga Porti i Durrësit në vendet e BE

Grupi i trafikut të drogës, ku bënte pjesë dhe Klement Balili, dyshohet se ishte një nga më aktivët në Europë dhe kishte disa linja trafiku. Njëra prej tyre ishte nga Saranda drejt Greqisë me skaf dhe më pas nisej me kamionë drejt vendeve si Belgjika, Holanda dhe Spanja. Por në bazë të të dhënave të siguruara nga hetimi i Policisë greke, ky grup shfrytëzonte edhe rrugë të tjera. Ka dyshime se për të trafikuar lëndë narkotike drejt Europës nga ky grup është përdorur Porti i Durrësit apo edhe rrugë të tjera tokësore.
Grupi, sipas hetuesve e kamuflonte mjaft mirë ngarkesën e drogës në kamionët me të cilët transportohej. Pala greke ka dyshime se sasia prej 700 kilogramë kanabis, e sekuestruar në Portin e Durrësit në tetor të 2015, fshehur në një kamion me lëndë drusore, të ketë qenë e këtij grupi. Në një tjetër rast në Holandë, ku u sekuestrua një sasi e konsiderueshme kokaine, droga ishte e fshehur në kamion, i cili transportonte çokollatë të shkrirë. Këto teknika transporti shmangin kontrollet, skanerat, por edhe qentë Antidrogë, të cilët e kanë mjaft të vështirë të nuhasin lëndën narkotike.
Klement Balili, sipas Policisë greke, ishte financuesi, si dhe personi që gjente kanabisin në Shqipëri, ndërsa dy shqiptarët e tjerë të arrestuar një ditë më parë në Belgjikë, Dhimitër e Xhevahir Poti ishin përgjejgjës për shitjen e drogës dhe mbajtjen e kontakteve me grupe të tjera kriminale në Europën Perëndimore.
Rrjeti i drogës në të cilin dyshohet se ka qenë përfshirë edhe Klement Balili, kishte planifikuar të fuste në Francë 60 kg kokainë. Kjo ishte planifikuar të realizohej më 18 nëntor 2015. Droga ishte magazinuar në një vend të panjohur në Belgjikë dhe që andej do të dërgohej në Itali e më pas në Francë. Mirëpo masat e larta të sigurisë, pas sulmeve terroriste në Paris, që ishin kryer pesë ditë më parë, i detyruan krerët e organizatës që ta anulonin operacionin. Kështu bën të ditur portali grek, “The Toc”, që pretendon se ka në dorë gjithë dosjen penale të çështjes. Sipas “The Toc”, operacioni financohej nga kreu shqiptar, me moshë 44 vjeç (që sipas gjithë mediave greke në fakt, është Balili).
Një tjetër operacion ka dështuar sërish, në shkurt 2016. Një sasi droge do të transportohej nga Spanja për në Itali, me një kamion të transportit ndërkombëtar. Përgjegjës për sigurimin e drogës ishte një pjesëtar i rrjetit, shtetas shqiptar, me moshë 43 vjeç. Për transportin ishin destinuar 100.000 euro, nga të cilat 20.000 do t’u jepeshin drejtuesve të mjetit dhe 80.000 do t’u shpërndaheshin pjesëtarëve të tjerë, me rol mbështetës. Kamioni u nis më 20 shkurt nga Vjena e Austrisë, hyri në Itali dhe përmes Portit Civitavecchia mbërriti me traget në Portin e Barcelonës, për të marrë ngarkesën e drogës. Mirëpo, edhe ky aksion u anulua, për shkak të kontrollit  të kamionit nga autoritetet spanjolle, gjë që krijoi dyshime tek drejtuesit e rrjetit.
Por edhe më herët, në prill 2015, kishte dështuar një tentativë për të transportuar drogë nga Belgjika për në kryeqytetin e Norvegjisë, Oslo, siç citon dosjen penale portali grek, “The Toc”. Kamioni ishte nisur me një ngarkesë të ligjshme nga Greqia, me stacion tranzit Mynihun, ku do të shkarkohej e do të merrte një ngarkesë tjetër, gjithashtu të ligjshme, për në Oslo. Kamioni ishte planifikuar të kalonte nga Belgjika, ku në vendet e posaçme do të fshihej sasia e drogës. Por edhe ky aksion u anulua, pasi skadoi afati i marrjes në dorëzim të ngarkesës së ligjshme. Por edhe për një arsye tjetër: Karroceria e kamionit kishte lartësi më të madhe nga sa lejohej që të qarkullonte në rrugët e Norvegjisë…
Në dosjen penale, gjithmonë sipas citimeve të portalit grek “The Toc”, ka edhe një detaj interesant sa i përket qëndrimit të Policisë shqiptare, kur homologët grekë u folën mbi veprimtarinë e “Kelit”, siç përmendet Balili. Përfaqësuesit e autoriteteve shqiptare, “kur dëgjuan emrin, u thanë se nevojiteshin prova të pakundërshtueshme, me qëllim që ata ta gjenin e ta arrestonin”. Dhe kjo, shpjegon “The Toc”, për arsye se “Keli” sillej të kishte lidhje të fuqishme me aparatin shtetëror të vendit fqinj”. Gjithsesi, “The Toc” nënvizon se ka interes të shihet se si do të lëvizin autoritetet shqiptare, pasi të lëshohet urdhër arresti ndërkombëtar për Balilin, çka sipas portalit grek do të bëhet brenda kësaj jave.

Klemend Balili kontrollonte shpërndarjen e drogës në Milano

7 kuintalët e drogës të kapur në Greqi nga policia greke dhe DEA amerikane ishin të destinuara për në Milano. Mediat italiane zbulojnë se cila ishte linja e trafikut të drogës, në të cilën rezulton i implikuar edhe ish-drejtori i Transporteve të Sarandës, Klement Balili, i cili ka humbur gjurmët pas shkarkimit nga detyra, javën e kaluar. Sipas tyre, droga e kapur në Zakinthos kishte destinacion Salenton, në Itali, ku arrinte me një çmim prej 1 mijë eurosh për kilogramë. Por tregu final ishte Milano, ku çmimi rritej me 700 deri në 800 euro për kilogramë.
Rruga e trafikut nis nga Shqipëria me ndalim në ishujt grekë, më pas në brigjet italiane ku ngarkohet mbi kamionë për t’u shpërndarë më pas në Milano. Edhe shpërndarja në këtë kryeqendrën e Lombardisë, sipas mediave italiane, kontrollohej nga Klement Balili apo menaxheri i shtetit, siç e quajnë ato dhe organizata e drejtuar prej tij.
“Corriere Della Sera”, duke iu referuar burimeve hetimore, shkruan se “Menaxheri i shtetit shqiptar apo Eskobari i Ballkanit, është parë prej disa vitesh në Milano, ku ka ardhur për takime zyrtare nga detyra që mbante apo për takime ‘informale’ me shqiptarë të tjerë, që operojnë mes Milanos dhe provincës.
Ajo jep detaje edhe për jetën luksoze të Balilit dhe lëvizjet e tij në zonat më të shtrenjta të Milanos, si zonën e Galerisë në Piaca Duomo, në dyqanet e shtenjta në Korso Verçeli, në Porta Venecia apo sheshin e Republikës. Gazeta shkruan se Balili mund të jetë fshehur në Greqi dhe thekson se Balili përdorte rolin e tij si zyrtar për të trafikuar sasitë e mëdha të drogës dhe të merrte informacione në kohë reale mbi lëvizjet e hetuesisë dhe policisë.

Shullazi i vendosi tritolin jo vetëm Tahirit, po dhe shtëpisë së djalit të një socialisti të thekur

Një oficer i Policisë Gjyqësore ka konfirmuar ekzistencën e raportit të hetimit në Njësinë Antiterror të Drejtorisë së Tiranës, sipas të cilit tritolin tek farmacia e Bashkim Tahirit e ka vendosur grupi i drejtuar nga Emiljano Shullazi. Por, jo vetëm aty.
Oficeri i Policisë, që nuk ka dashur të identifikohet thotë edhe se, “po atë natë, tritoli është vendosur edhe tek shtëpia e Elvis Gacajt, djalit të një socialisti të thekur, por Policia e ka mbajtur të fshehur këtë fakt”. Burimi në fjalë është cituar nga ish-Kryeministri Berisha në një mesazh në Facebook. “Për më shumë hollësi, lexojeni vetë mesazhin e oficerit dixhital të Policisë Gjyqësore”, shkruan Berisha, duke publikuar të plotë mesazhin e qytetarit.
“Përshëndetje zoti Berisha. Jam punonjës në sektorin e Antiterrorit. Dua t’ju informoj se informacioni i qytetarit dixhital, lidhur me raportin e vendosjes së tritoleve tek farmacia dhe në rrugën e banesës së Bashkim Tahirit nga grupi i Shullazit, i dorëzuar në Njësinë e Antiterrorit të Drejtorisë së Tiranës është i vërtetë, por shefat e mi e kanë fshehur atë; raportin që “grupi i Parkut”, pra i Shullazit është dorëzuar tek Antiterrori i Drejtorisë së Tiranës, sepse ai seksion do merrej me ngjarjen.
Kështu që për eprorët e mi vërtetohet që organizimi i tritolit te farmacia ishte dorë e Shullazit, sepse pak kohë para tritolit, Shullazin e plagosën dhe ai pati një konflikt me ministrin, sepse kërkonte dorë të lirë në çdo fushë.
Po të kisha siguri për jetën do t’i dilja hapur këtyre kriminelëve në brendësi të Policisë dhe jashtë, por për momentin më duhet të ruhem në anonim. Më kuptoni drejt.
Por sa për dijeni, në raport njoftohet se ditën e tritolit nuk ishte vetëm tek farmacia dhe tek shtëpia e Bashkim Tahirit, por ishte edhe tek shtëpia e Elvis Gacajt, i cili njihet me nofkën i forti Tiranës së Re, por ky fakt nuk është bërë publik për mediat.
Elvisi njihet nga i ati Shpëtim Gacaj, mik i ngushtë me Pandeli Majkon, Gramoz Ruçin etj.
Për Elvisin, të cilit ju bë një atentat para ca kohësh nga një militant i LSI, diçka është qartësisht e vërtetuar që tritolvënësi që donte t’i jepte një sinjal ministrit, donte të vriste edhe Elvis Gacajn i cilësuar si vrasës me pagesë dhe drejtues i trafikut të drogës në zonën e Tiranës së Re, sepse nga hetimet del se i njëjti numër telefoni që aktivizoi tritolin tek farmacia e Bashkimit, i njëjti numër telefoni provoi duke çuar disa herë zile tritolit tek shtëpia e Elvisit.
Do të doja shumë t’ju jepja emrat e shefave të mi dhe t’ju jepja shumë e shumë detaje, por do të kuptohej shumë shpejt se kush jam unë. Do t’ju njoftoj në vazhdimësi me besimin që në polici nuk kanë vend kriminelët. Ju faleminderit.R.N”, shkruhet në mesazhin e qytetarit.

Çullhaj ktheu në punë oficerin e përjashtuar për dekonspirim të operacionit të drogës

Drejtori i Policisë së Qarkut të Durrësit, Perlat Çullhaj ka rikthyer në punë një oficer policie të përjashtuar për dekonspirim të operacionit të drogës. Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar një informacion që i ka ardhur nga oficeri dixhital. “Oficeri dixhital denoncon drejtorin e Policisë së Durrësit, Perlat Çullhaj (Shullazi), i cili bashkëpunon me veglat e tij me trafikantë. Për më shumë lexoni mesazhin e tij. Sb”, shkruan Berisha në Facebook.
“Përshëndetje zoti Berisha, ju falënderoj përzemërsisht që ua çjerr maskën drejtpërdrejt këtyre kriminelëve që na drejtojnë: Jam një oficer Policie në Durrës, dhe po ju tregoj një rast që ndodhi këtë të premte që kaloi, ku shefi i Postës së plazhit, Melsi Koçi u përjashtua me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm për nxjerrje të informacionit të klasifikuar dhe prishje të operacionit dhe hetimit për një grup trafikantësh,!
Dhe duke qenë se është krahu i djathtë i drejtorit së Policisë Qarkut Durrës, Perlat Çullhaj për 3 ditë e ktheu në punë përsëri në pozicionin që ishte me urdhër të ministrit tonë të nderuar,! Ne oficerët e thjeshtë që punojmë nga 18 orë në ditë për një vonesë të vogël lirohemi apo ndëshkohemi rëndë!!! Ju lutem anonim! Të lutem zoti Berisha publikoje këtë oficer trafikant që na merr shpirtin me shërbime ose duhet të bëhemi vegël e tij. Por anonim, pasi më rrezikohet vendi i punës! Jetë të gjatë zoti Berisha Flm”, përfundon mesazhi i oficerit të Policisë.

Bylykbashi: Asnjë kufizim ndaj shkeljeve që çojnë zyrtarët e lartë përpara drejtësisë

Komisioni i posaçëm për Reformën në Drejtësi u mblodh dje për diskutimin e kapitullit të paketës së rishikuar të ndryshimeve kushtetuese, që lidhet me funksionimin e gjykatave. Pas diskutimit të premten për kapitullin e dytë që lidhej me funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, dje vijoi puna për kapitullin e gjykatave.
Palët janë shprehur optimistë për ecurinë e procesit, ndërsa mbeten ende pa dakordësi disa çështje politike, ku më kryesorja është mënyra e votimit të zyrtarëve të lartë të institucioneve të drejtësisë, me 2/3 apo 3/5. Në përfundim të mbledhjes, demokrati Oerd Bylykbashi bëri të ditur se në mbledhjen e djeshme u shtruan të gjitha problematikat dhe u bënë propozimet konkrete që duhet të rishikohen në nivelin teknik. Sipas Bylykbashit, ngritja e Gjykatës së Lartë Administrative do të krijojë vetëm konfuzion.
“Puna e përbashkët do të na çojë në konkluzione. Shtruam të gjitha problematikat, bëmë dhe propozime konkrete që duhet të rishikohen në nivelin teknik. Nuk duhet të ketë asnjë lloj kufizimi dhe amnistimi i të gjithë atyre shkeljeve që do t’i çonin zyrtarët e lartë përpara drejtësisë.
Ajo që na duhet është një Reformë në Drejtësi që do t’i garantojë qytetarit të thjeshtë një drejtësi të shpejtë transparente dhe të pastër nga korrupsioni, gjyqtarët nuk duhet të jenë peng të interesave që nuk kanë të bëjnë me drejtësinë. Gjykata e Lartë Administrative nuk është një çështje që i jep zgjidhje të veçantë nevojës për drejtësi administrative. Ekzistenca e kësaj gjykate sjell paqartësi për subjektet, se cilës gjykatë t’i drejtohen. Një konfuzion në mënyrën e dhënies drejtësi nga sistemi i drejtësisë”, deklaroi Bylykbashi.

Malltezi: Përballë një të çmenduri me kartelë, gjyqtarët preferojnë të bëjnë lolon

Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar dje kërkesën e PD-së për mundësinë e zgjidhjes me anë të referendumit të tri çështjeve në Tiranë (ndërtimi i parkimi nëntokësor tek Parku “Rinia”, i objekteve social-kulturore dhe administrative në hyrjen e Parkut të Liqenit, si dhe i këndit të lojërave në Parkun e Liqenit Artificial). Pas këtij vendimi, menjëherë ka reaguar Jamarbër Malltezi, kreu i Departamentit të Mjedisit në PD, i cili dënoi faktin se gjyqtarët iu nënshtruan tërësisht presionit të Ramës duke rrëzuar kërkesat e PD për organizimin e tri referendumeve.
“Vend palaçosh. Pas palaçove të KQZ që mohuan të drejtën kushtetuese të qytetarëve për referendum vendor për çështjet e kafshimit të Parkut ‘Rinia’ dhe Parkut të Liqenit (mushkërive tona), marr vesh se sot edhe gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor rrëzuan kërkesën për referendume vendore.
Përballë të çmendurit me kartelë, gjyqtarët kanë preferuar të bëjnë lolon kinse nuk kuptojnë. Kushtetuta përdoret si statuti i PS ku nenet e saj nuk zbatohen, por interpretohen nga palaçot pa dinjitet. Sipas tyre Edvini dhe Erioni mund të betonizojnë sipas qejfit çdo cep lulishteje në Tiranë (deri tani kanë betonizuar dhjetëra lulishte) dhe qytetarët nuk kanë të drejtë të bezajnë fare”, shkruan Malltezi në një reagim në profilin e tij në rrjetin social Facebook.
Ndër të tjera Malltezi bën të ditur se PD do të vijojë betejën e saj duke depozituar kërkesën për referendum popullor pranë Gjykatës Kushtetuese.
“Kam 3 pyetje: Pse kemi nevojë për ligje (planifikim territori, mjedisi, zona të mbrojtura, etj.) nëse Edvini dhe Erioni mund të japin leje ndërtimi edhe në kundërshtim me ligjet në fuqi? Pse kemi nevojë për plane urbane së bashku me rregullore etj., nëse këta nuk i përfillin dhe ndërtojnë edhe mu brenda parqeve? Pse nuk i heqin fare nga Kushtetuta të gjithë ato nenet që flasin për referendumet?
Në këtë vend Kushtetuta që lejon referendume është krejt e pafuqishme përballë një të çmenduri (me qindra hajdutë) që nuk kanë qejf të lejojnë zbatimin e Kushtetutës dhe keqpërdorin sipas rastit shullazët apo shukritë në KQZ dhe trembin me turma gjyqtarët. Do të çojmë kërkesë në Gjykatë Kushtetuese që OSE t’u japin qytetarëve të drejtën të mbajnë referendume vendore OSE t’i heqin fare nga Kushtetuta nenet që flasin për referendumet. (Kur bën dashuri edhe i biri i tetos mos ngeltë djalë në këmbë)”, shkruan Malltezi në reagimin e tij.

Gruevski, i vetëm në zgjedhje, java vendimtare për krizën në Maqedoni

Roli i faktorit ndërkombëtar lidhur me krizën në Maqedoni duket të jetë kyç, pas vendimit të VMRO-DPMNE-së, që e vetme të shkojë në zgjedhjet parlamentare, më 5 qershor.
Nismat e BDI-së, që përmes Gjykatës Kushtetuese të anulojë vendimin për shpërbërjen e Kuvendit dhe tjetra e një partie më të vogël, për mbledhjen e 62 firmave të deputetëve për thirrjen e seancën, vështirë se do të rezultojnë me sukses, thonë njohësit e çështjeve politike.
Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Mersel Bilalli, thotë se java e ardhshme mund të jetë vendimtare, pasi diplomati gjerman, Johannes Haindl, pritet të kthehet me vendime të prera për partitë.
“Mendoj se presioni është i madh edhe pse nuk është shumë i dukshëm. Përfaqësuesi gjerman, i cili të enjten dhe të premten ishte këtu, sipas informatave relevante ka shtruar problemin shumë strikt, në pika të caktuara, duke vepruar në stilin, pas një jave kthehem dhe do të tregoni se e pranoni apo nuk e pranoni zgjidhjen. Pas kësaj, vlerësoj se do të pasojnë sanksione shumë të fuqishme, të cilët besoj se në fillim do të jenë personale kurse më vonë edhe shtetërore”, thotë Bilalli.
I pyetur lidhur me përfshirjen e diplomatit gjerman në zgjidhjen e krizës, në kohën kur aktivisht ishin të përfshirë ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së, Bilalli thotë se një hap i tillë është ndërmarrë në koordinim mes administratës amerikane dhe asaj gjermane për të eliminuar akuzat dhe pretendimet e ndryshme se gjoja Uashingtoni në bashkëpunim me BE-në, po punojnë për destabilizimin e vendit.
“Nga politika zyrtare këtu në Maqedoni, ato vazhdimisht satanizoheshin se SHBA-të apo Perëndimi është i interesuar të shkatërrojë vendin me ndihmën e opozitës dhe shqiptarëve, kështu që VMRO-ja e ka më të vështirë të satanizojë faktorin gjerman, të cilin gjithmonë e ka konsideruar si aleat andaj do të ishte kundërproduktive për të që të veprojnë njëjtë edhe me gjermanët”, thotë Mersel Bilalli, njohës i çështjeve politike.
Ish-diplomati, Nano Ruzhin, thotë se autoritetet maqedonase kanë dëshmuar se nuk janë të afta të zgjidhin qoftë edhe një problem, andaj përfshirja më e fuqishme ndërkombëtare është mëse e domosdoshme.
Emërimi i diplomatit, Johannes Haindl, për të ndërmjetësuar krizën, flet qartë, sipas Ruzhinit, se bashkësia ndërkombëtare është e përkushtuar të ndihmojë vendin në kapërcimin e një prej krizave më të thella që nga viti 2001.
“Një prani e tillë e ndërkombëtarëve është mëse e domosdoshme, pasi për fat të keq ne po tregojmë një paaftësi të madhe, pasi qeveria po sillet me një kokëfortësi të madhe, duke mos treguar as gatishmërinë më të vogël për plotësimin e kritereve të kërkuara, jo vetëm nga opozita, por edhe nga i tërë komuniteti ndërkombëtar”.
“Pra, është me rëndësi se bashkësia ndërkombëtare nuk e ka harruar Maqedoninë, duke e menaxhaur me sukses situatën e krijuar dhe pritet që të nisin të përmbushen kërkesat e parapara me Marrëveshjen e Përzhinës, pasi alternativë tjetër nuk ka”, thotë ish-diplomati Nano Ruzhin.
Ai pret që kriza të nisë të zgjidhet pas disa muajve, por jo më së voni se deri nga mesi apo fundi i vjeshtës.
Ndryshe, VMRO DPMNE-ja e Nikolla Gruevskit, thotë se pavarësisht presioneve do të marrë pjesë e vetme në zgjedhje, por kjo nga analistët shihet si presion nga kjo parti për të nxjerrë një pozicion më të favorshëm, ku më kryesori është ai i ruajtjes së vendimit të Presidentit për faljen e zyrtarëve, ku bën pjesë edhe vet Nikolla Gruevski.
Por, opozita si pikë të parë të kërkesës së saj, ka pikërisht anulimin e këtij vendimi, që edhe ka thelluar krizën. Opozita kërkon që të gjithë ata që janë nën hetimin e Prokurorisë Speciale të përgjigjen para drejtësisë.
Opozita kërkon edhe pastrimin e listave zgjedhore dhe kritere të tjera, të parapara me marrëveshjen politike të vitit të kaluar. Kërkesat e saj mbështeten edhe nga komuniteti ndërkombëtar.