40.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Gjermania, 96.3 miliardë euro për refugjatët

Revista javore e lajmeve “Der Spiegel” citon një dokument të Ministrisë Federale të Financave në të cilin bëhet fjalë për 93.6 miliardë euro që do të shpenzohen për refugjatët gjatë pesë viteve të ardhshme.
Rreth 25.7 milionë euro pritet të shkojnë për shpenzime sociale, pagesa sidomos për të papunët dhe për ndihma financiare për strehimin. Rreth 5.7 miliardë euro janë llogaritur për kurset e gjuhës dhe 4.6 miliardë parashikohen për të ndihmuar për integrimin e refugjatëve në tregun e punës.
Shuma e përgjithshme prej 93.6 miliardë euro përfshin edhe para të rezervuara për përpjekjet për të luftuar arsyet se përse njerëzit iknin nga vendet e tyre dhe vijnë për të kërkuar strehim në radhë të parë në Gjermani.
Zyrtarët i bazojnë vlerësimet e tyre në një numër në rënie të refugjatëve që vijnë në Gjermani – 600,000 këtë vit, 400,000 vitin e ardhshëm dhe 300.000 çdo vit deri në vitin 2020. Në llogaritjet e tyre, ata supozojnë gjithashtu se 55 për qind e njerëzve, të cilëve u është njohur statusi i refugjatit do të gjejnë punë brenda pesë vitesh.

Ndarja e shpenzimeve
Një zëdhënës i Ministrisë së Financave nuk pranoi t’i komentonte shifrat. Megjithatë, ai që konfirmoi janë duke u zhvilluar bisedimet midis zyrtarëve të qeverisë federale dhe përfaqësuesve të 16 landeve të Gjermanisë dhe se për këtë qëllim do të mbahet më 31 maj një takim për të sqaruar se si do të ndahen shpenzimet. Landet gjermane po ankohen prej kohësh, ata janë duke luftuar për të përballuar kërkesat e ardhjes së kaq shumë refugjatëve.
Revista “Der Spiegel” njoftoi se, administratat e landeve pritet të përballen me shpenzime prej rreth 21 miliardë euro këtë vit, që do të rriten në rreth 30 miliardë deri në vitin 2020. Revista shkruan se, landet kërkojnë që qeveria federale të mbajë gjysmën e shpenzimeve të lidhura me refugjatët, por Berlini zyrtar thotë se, përllogaritjet e shteteve ishin të pasakta.
Rreth 1.1 milion vetë kanë ardhur për të kërkuar azil në Gjermani gjatë vitit 2015, shumë prej tyre nga Siria, Afganistani dhe Iraku. Ndërsa shpenzimet e lidhura me ta sollën një rritje të ekonomisë gjermane në tre muajt e parë të atij viti, ato tani kanë nxitur në mesin e disa gjermanëve ndjenja kundër migrantëve, sepse ata besojnë se refugjatëve është duke iu bërë trajtim preferencial.
Partia Populiste Alternativa për Gjermaninë ka rritur suksese në sondazhe falë një pjese të madhe votuesish, të cilët janë të pakënaqur me politikën e refugjatëve të Kancelares gjermane Angela Merkel.

23 qershori, testi i Britanisë dhe Europës

Në 23 qershor do të mësojmë se, cila pjesë e dikotomisë do të fitojë. Referendumi i kërkuar nga Cameroni për të vënë paqe në Partinë Konservatore po “shqyen” një vend, i cili zakonisht është shumë i qetë. Dhe debati mbi “Brexit” po shkakton shumë frikë në Bruksel, Paris dhe Berlin, ku druhen se shtete të tjerë do të vënë në diskutim projektin e Bashkimit Europian.
Ndjenjat e forta të gjeneruara nga Europa nuk janë gjë e re në një Britani të Madhe, e cila është ende nostalgjike për të kaluarën e saj perandorake (dhe imperialiste) dhe që mbetet e pasigurtë mbi përkatësinë e saj gjeografike dhe kulturore në Europë.
Po ju jap shembuj personalë. Kur shkova në Universitet në Londër, më la shumë përshtypje fakti që konsiderohesha një student “overseas”, nga “përtej detit”, pra 35 kilometrat e Kanalit. Dhe m’u desh kohë për të kuptuar se, “Kontinenti” për të cilin flisnin miqtë e mi anglezë ishte Europa.
Megjithatë, zakonisht psikodramat europiane dhe britanike i jetojnë privatisht, ose të paktën në Parlamentin e Uestminster apo në sallat e Partisë Konservatore. Vendimi-kamikaz i Cameronit ka vënë këtë siklet social-kulturor përpara rrezeve X, duke e shndërruar në një çështje ndërkombëtare për të cilën Obama, zonja Merkel dhe madje edhe Michael Caine, duhet ta thonë të tyren. (Dy të parët janë pro Europës, i treti është pro Brexit).
Popullsia gjendet në mes, e detyruar të zgjedhë mes pjesëmarrjes në një Europë që nuk e ndjen të vetën dhe braktisjes së një Bashkimi Europian, që ka ndihmuar kontinentin të shmangë tmerret e të kaluarës.
Cameroni e ka thënë pikërisht këtë javë, ditën përpara përvjetorit të Blicit nazist, që rrafshoi Londrën në Luftën e Dytë Botërore. “A jemi të sigurtë se paqja dhe stabiliteti në Europë do të jenë gjithmonë të garantuara?”
Boris Johnsoni, ish-kryebashkiaku i Londrës që është udhëheqës i fushatës pro Brexit dhe dëshiron të zëvendësojë Cameronin, ka thënë të kundërtën: është Europa që krijon tensione dhe moskuptime mes vendeve.
Me debate të tillë është e qartë se, vendi është në fije të perit. E thonë sondazhet – më i fundit i “Financial Times” i ka dhënë 46% atyre që duan të qëndrojnë, dhe 43% atyre që duhet të qëndrojnë jashtë. Të shumtë janë të pavendosurit. E thonë hendeqet breznore – të rinjtë duan të qëndrojnë, të moshuarit duan të largohen – dhe ata rajonalë – Juglindja e Londrës dhe Skocia janë kundër Brexit, ndërkohë që Veriu i Anglisë dhe Perëndimi i Uellsit duan të ndahen nga Europa.
Por dilema, Hamletiane natyrisht, është e dukshme kur flitet për njerëzit e zakonshëm. Kohët e fundit kam qenë në Tunbridge Uells, rreth një orë larg Londrës. Atje takova Olly Stevens, një djalë i pashëm dhe gazmor që ka lënë karrierën në Londër, për të hapur një kafene me temë çiklistike, me një dyqan biçikletash në katin e  sipërm.
Për Ollyn, që importon biçikleta nga Italia, Gjermania dhe Belgjika, tregu i përbashkët europian është një dorë e shenjtë dhe Brexit do të ishte një hedhje në humnerë. “Eshtë si të lësh bashkëshorten për një tjetër grua, pa e njohur më parë gruan tjetër”, thotë.
Të tjerë sipërmarrës, si Uinston Boardman, mezi presin që të kryejnë tradhëti politike. Boardman, i cili është pronar i Micromix Plant Health, një kompani plehu kimik tre orë larg nga Londra, e urren BE-në, rregullat e saj dhe idenë, që Britania e Madhe duhet të kërkojë lejen e Brukselit për shumë gjëra.
“BE është një burokraci obeze, me korrupsion terminal, bazuar mbi një monedhë të përbashkët që duhet ta hedhim në banjë”, më ka thënë me theksin e tij verior, tek tymos cigaret njëra pas tjetrës. “Nuk jemi mjaftueshëm “europianë” për të na diktuar ligjin nga Parisi apo Berlini”.
Boardman ka nxjerrë në dritë një prej problemeve kyve: më shumë se gjysmë shekulli nga fjalët e Churchillit, Britania e Madhe nuk e ka vendosur ende, nëse është “në” Europë.
Për shumë vende të tjera europiane, historia moderne përpara BE-së është një njëpasnjëshmëri diktaturash, banjosh gjaku, aventurash koloniale dhe dy luftërash botërore. Por Britania e Madhe ka një “histori” alternative, të paktën në teori: një perandori e madhe, që mbetet në kujtesën kolektive përmes institucioneve të Komonuelthit.
“Për shekuj të tërë, kemi jetuar në një “izolim të shkëlqyer”, të mbrojtur prej marinës sonë dhe perandorisë”, ka shkruajtur historiani Vernon Bogdanor. “Tani izolim nuk ka më, por diçka ka mbetur në psikikën e britanikëve, të cilët nuk dëshirojnë lidhje shumë të ngushta me Europën”.
Kam reflektuar mbi këto fjalë dje në mëngjes, ndërkohë që ndodhesha në Londër, fillimisht në Stacionin e Vaterlosë, emër që u bë i famshëm për shkak të fitores së madhe kundër Napoleonit, më pas në Sheshin “Trafalgar”, i cili u kujton anglezëve dhe turistëve triumfin e admiralit Nelson, mbi forcat franceze dhe spanjolle. Britania e Madhe është antagoniste e Europës edhe në topografi. Janë pasoja të pandërgjegjshme që mbështesin idenë mbartëse, e përsëritur shpesh herë nga udhëheqësit pro Brexit, se “Europa ka më shumë nevojë për ne, se sa ne për Europën”.
Nga pikëpamja ekonomike, kjo nuk është e vërtetë. Mbretëria e Bashkuar shet 44% të eksporteve të saj në vendet e BE dhe vetëm 17% në SHBA. Dhe një dalje nga BE mund të shkaktojë një tronditje ekonomike të konsiderueshme.
Banka e Anglisë, për shembull, është shumë e shqetësuar nga një rënie e mundshme e stërlinës në rast të një Brexit, dhe tashmë ka bërë të ditur se do të rriste menjëherë normat e interesit në 24 qershor, për të ndalur një rënie të monedhës. Dhe City e bankierëve dhe investitorëve shpreson, lutet dhe paguan për të shmangur një ndarje me BE-në, e cila do të vinte në rrezik rolin e Londrës si kryeqytet botëror i financës.
Miku im Roland Rudd, një njeri i rëndësishëm në bursën e Londrës dhe mbajtësi i financave të kampit pro qëndrimit, flet për një strategji me tre shtylla: “Ekonomia, siguria dhe roli i Mbretërisë së Bashkuar si udhëheqëse në gjeopolitikën globale. Referendumi është një moment historik dhe votimi për Brexit do të ishte një katastrofë”.
Euroskeptikët i përqeshin këto ide, si “Projekti frikë”, për të bindur njerëzit që të qëndrojnë në këmishën e forcës së BE-së.
Por edhe njerëzit e Boris Johnsonit përdorin armën e frikës. Në rastin e tyre është frika e imigrimit. Tabloidët e mëdhenj, “Daily Star”, “Daily Mail” dhe “Daily Express” vazhdojnë të flasin për “valë imigrantësh”, që do të derdheshin në shkëmbinjtë e bardhë të Doverit, nëse Mbrëtëria e Bashkuar do të qëndronte në Europë. Plani është i qartë: krijimi i një klime frike nga i huaji, për të bërë publikun të mendojë se është më mirë që gjithsekush të qëndrojë në shtëpinë e vet. Edhe këtu, realiteti ndryshon nga retorika, duke qenë se Britania e Madhe nuk është pjesë e Marrëveshjes së Schengenit dhe kështu që i ruan kontrollet në të gjithë kufijtë.
Por në këtë pikë, 43 ditë nga votimi, britanikët, të famshëm për rezistencën ndaj emocioneve, duket se këtë herë duan të vendosin me zemër dhe jo me mendje. Nuk është as hera e parë, as e fundit, që Kontinenti i Vjetër sheh nga Britania e Madhe me frymën pezull.

Conte lirohet nga akuza për trukim ndeshjesh

Antonio Conte merr frymë lirisht. Trajneri i përfaqësueses italiane, i cili sezonin e ardhshëm do të marrë drejtimin e Chelsea-it, është liruar nga gjykatësi Pierpaolo Beluzzi për seancën paraprake, ku  Conte do të gjykohej si i pandehur për mashtrim sportiv, pasi emri i tij është lakuar në skandalin e trukimit të ndeshjeve. Conte në këtë seancë gjyqësore duhet t’i jepte një përgjigje Prokurorisë italiane për hetimet e kësaj të fundit mbi ndeshjen Albinoleffe-Siena e zhvilluar në 29 maj të vitit 2011, periudhë në të cilën 46-vjeçari nga Lecce ishte i ulur në stolin e Sienës.
Prokuroria e Cremonës ku Conte u gjykua sipas një procedure të shkrutuar dhe më ekzaktësisht prokurori Roberto Di Martino kishte kërkuar një dënim prej 6 muajsh burg për trajnerin e përfaqësues italiane dhe një gjobë prej 8 mijë eurosh. Hetimet e Policisë italiane mbi skandalin e trukimit të ndeshjeve, çuan në pranga shumë persona në vitin 2011. Antonio Conte, ndërkohë gjithmonë e ka mohuar përfshirjen e tij në skandalin e trukimit të ndeshjeve në futbollin italian.
Ndërkohë, trajneri i Interit Roberto Mançini ka konfirmuar qëndrimin e tij me zikaltrit edhe në sezonin e ardhshëm. Pas disa rezultateve të dobëta të Interit në javët e fundit në Serinë A, ishin shtuar zërat për një largim të mundshëm të tij. Por sot ka qenë vetë trajneri, i cili ka konfirmuar se do të qendrojë në drejtimin e skuadrës. “Me 100 për qind të mundësive do të qendroj te Interi. E ndjej besimin e shoqërisë, me Tohir (presidentin) kemi folur edhe dje”, ka thënë Mançini sipas “Corriere dello Sport”.
Trajneri italian ka folur edhe për përfshirjen e emrit të tij si një prej kandidatëve të mundshëm për të drejtuar kombëtaren italiane. “Të drejtoj kombëtaren italiane është një prestigj. Nëse do më ndodhte mua, do të mendohesha. Nuk të ndodh shpesh, është e vështirë ta refuzosh”, ka shtuar ai. Ndërsa performancën e ekipit e ka vlerësuar me notën 6.5, duke e lidhur këtë me rritjen e pësuar në krahasim me një vit më parë. Por paçka këtij vlerësimi, Mançini është treguar edhe i pakënaqur, pasi sipas tij, ky nuk është një vlerësim që pritet prej Interit.
Ndërsa Karlo Ançeloti ka një eksperiencë 20-vjeçare si trajner në arenën ndërkombëtare. Ai e nisi te Rexhina në vitin 1995 dhe do të vijojë te Bajerni nga 11 korriku 2016. Teksa ka fituar çdo trofe të mundshëm kombëtar e ndërkombëtar me 6 ekipet që ka drejtuar, Ançeloti përsëri është shkarkuar dy herë nga Çelsi dhe Reali. Gjatë një interviste për gazetën britanike “The Times”, Ançeloti tregon si refuzoi Junajtidin dhe se një ditë edhe Guardiola do të shkarkohet.

Skandali i Menez!

Futbollisti i Milanit, Jeremy Manez është përfshirë në skandalin e trafikut të patentave false. Mediat ndërkombëtare shkruajnë se, Manez bashkë me disa personazhe të tjerë nga bota e spektaklit, është i lidhur me trafikun e patentave në Francë. Lejet e drejtimit falsifikoheshin pranë një qyteze të Parisit dhe shuma që futbollistët paguanin për to shkonte në rreth 10 mijë euro.
Sipas “L’Equipe”, Manez është njëri prej atyre që kanë përfituar në këtë skandal. Rrjeti u zbulua pas ndalimit të drejtuesit të auto-shkollës, Patrik Antoneli. Për këtë të fundit, thuhet se është mik me personazhe të njohura nga bota e sportit.
Ndërkohë, trajneri i Milanit, Christian Brochi sulmon lojtarët e tij. Trajneri i kuqezinjve nuk e fshehu përpara mediave, zhgënjimin pas përfundimit të takimit Milan-Roma. Humbja 1-3 bëri që trajneri të shpërthente para kamerave, duke u shprehur se skuadrës i mungoi dëshira për të luajtur. Madje, mendohet që situata ka qenë akoma edhe më e nxehtë  në dhomat e zhveshjes, aty Brochi u është drejtuar me tone të ashpra lojtarëve të tij, duke u thënë këtyre të fundit se, Roma ndaj tyre zhvilloi një ndeshje miqësore dhe jo një takim të vërtetë. Akuzat kanë shkuar edhe më tej. Sipas trajnerit në 20 vite të karrierës së tij si futbollist, ai nuk kishte parrë kurrë një skuadër kaq të dobët. Ndërkohë që nga ana tjetër, futbollistët e Milanit të vënë përpara përgjegjsisë, duket se nuk kanë reaguar por, kanë pranuar se faji është i tyre.
Për shkak të kësaj klime të rënduar në radhët e kuqezinjve, portieri Christian Abbiatti, i cili ka vendosur të vari dorezat në gozhdë, nuk pati mundëinë t’i jepte lamtumirë botës së futbollit, duke zhvilluar një ndeshje të fundit, duke parë se takimi ndaj Romës, ishtë një sfidë delikate për Milanin.  Situata në shtëpinë e kuqezinjve nuk është nga më të mirat. Finalja e Kupës së Italisë, që do të luhet më 21 maj në “Olimpico” të Romës kundër Juventusit është verdikti final për kuqezinjtë. Brochi shpreson se me fjalimin e tij të ashpër të ketë ndezuar shpirtin luftarak që këtij Milani i ka munguar gjatë ndeshjeve të fundit, por të mos i bërë një mbyllje katastrofike këtij sezoni.

Hodgson lë jashtë Walcott, grumbullohet Rashford

Është talenti i Manchester United, Marcus Rashford surpriza më e madhe e listës së Roy Hodgson për Euro 2016. Trajneri i Anglisë ka publikuar listën me 26 emrat që do të udhëtojnë drejt Francës ku nuk mungojnë as mesfushori i Arsenalit, Jack Wilshere dhe ai i Newcastle, Andros Townsend. Emri më i madh që nuk figuron mes të besuarve të Hodgsdon është Theo Walcott, i cili ka kaluar një sezon plot ditëhije në radhët e Arsenalit, i kushtëzuar edhe nga problemet e shumta fizike. Sipas mediave angleze, Hodgoson është detyruar të bëjë disa zgjedhje të sforcuara për shkak të dëmtimeve si në rastin e Danny Welbeck, i cili do të qëndrojë për plot 9 muaj larg fushave.
“E kam pasur shumë të vështirë për të ndërtuar listën, pasi shumë lojtarë ishin ende në gjendje jo të mirë shëndetësore, por tashmë më duhet të shkurtoj edhe tre emra. Dëmtimi i Wellbeck më prishi planet, pasi ai është një emër që ekuilibron skuadrën. Me të kemi zhvilluar eliminatore perfekte dhe mungesa e tij mund të rëndojë shumë tek skuadra jonë. Përsa i përket Rashford, mendoj se ai e meriton të jetë pjesë e skuadrës, pasi ka zhvilluar një sezon fantastik dhe ka një të ardhme të madhe përpara”, u shpreh Hodgoson.
Gjithsesi, kjo është thjesht lista paraprake, pasi brenda datës 31 maj, Hodgson duhet ta reduktojë në 23 emra. 3 Luanët do të ndeshen me Turqinë, Australinë dhe Portugalinë në teste miqësore përpara turneut më të rëndësishëm të futbollit europian.

76 milionë euro për James Rodriguez

E ardhmja e James Rodriguez është gjithnjë e më larg, Realit të Madridit. Mesfushori kolumbian pëlqehet nga gjysma e Europës, por sipas asaj që raportojnë mediat angleze e ardhmja e tij mund të jetë në Premier League. Golashënuesi më i mirë i Botërorit, Brazil 2014-të ka gjetur shumë pak hapësira në formacionin e Los Blancos, që pas marrjes së drejtimit të skuadrës nga ana e francezit Zidane dhe largimi i James nga kryeqyteti spanjoll në verë është i pashmangshëm. Në këtë mënyrë ka nisur një ankand mes klubeve më të mëdhenj të Europës për të firmosur me kolumbianin, por më afër tij për momentin ndodhet Manchester United.
Djajtë e Kuq kanë gati një ofertë prej 76 milionë eurosh për të bindur drejtuesit e Realit të lejojnë transferimin e James Rodriguez në “Old Trafford”. Klubi merengues shpenzoi 80 milionë euro për ta blerë 24-vjeçarin nga Monaco dy vite më parë, por një ofertë më të lartë se 70 milionë euro, Los Blancos janë të gatshëm të hyjnë në bisedime me çdo klub tjetër.  E ardhmja e James Rodriguez mund të jetë e lidhur ngushtë edhe me atë të Cristiano Ronaldos, sepse nëse portugezi largohet nga Madridi për t’u transferuar në Paris, te Reali nuk do t’i lejonin vetes të humbisnin edhe yllin e Los Cafeteros. Gjithsesi për momentin më i mundshëm është largimi i kolumbianit sesa ai i luzitanit.

Alegri: Nuk i kam telefonuar kurrë Pjaniç

Që Massimiliano Alegrit i pëlqen së tepërmi mesfushori i Romës, Miralem Pjaniç kjo nuk është më një mister. Diçka të tillë e ka konfirmuar vetë trajneri i kampionëve të Italisë në një intervistë për mediat, por nga ana tjetër, Alegri ka bërë të ditur se deri tani nuk ka patur asnjë kontakt mes tij dhe futbollistit boshnjak për një transferim të mundshëm të Pjaniç te Juventusi. “Është një nga mesfushorët më të fortë të Botës dhe mbi të gjitha është një lojtar i madh, por unë kurrë nuk i kam telefonuar atij, deklaroi numri 1 i stolit të Juventusit, kur pyet në lidhje me 26-vjeçarin ballkanas. Nuk do ta bëja asnjëherë diçka të tillë me një futbollist që nuk është nën kontratë me Juventusin shtoi më pas Alegri.
Siç shihet trajneri i skuadrës torineze nuk ka dashur të zbulojë më shumë sesa duhet përsa i përket tratativës që mund të dërrgojë, boshnjakun te Juvja. Por Pjaniç nuk është tema e vetme e nxehtë në shtëpinë bardhezi, sepse në një çështje tepër serioze është kthyer edhe e ardhmja e Alvaro Moratës. Shpresoj që ai të mos largohet u shpreh Alegri kur u ngacmua nga gazetarët në lidhje me sulmuesin spanjoll. Për Moratën po flitet gjithnjë e më shumë për një rikthim të mundshëm të tijin te Reali i Madridit.
Juventus gjen pasardhësin e Pirlos. Edhe pse ende asgjë nuk është bërë zyrtare, transferimi i mesfushorit Miralem Pjaniç në radhët e bardhezinjve, do t’i japë një tjetër imazh mesfushës së kampionëve të Italisë. Kjo është pikërisht, ajo që do trajneri i Juves Massimilianno Alegri për sezonin e ardhshëm, një mesfushë të konsoliduar dhe të fortë, ku sigurisht do të tentohet dhe fitimi i  Champions League. Përpara se tekniku toskan të firmoste rinovimin e kontratës, u kërkoi drejtuesve të klubit, që për sezonin  e ardhshëm të kryenin blerje cilësore. Realizimi i kërkesës së tij, nuk vonoi. Edhe pse merkato ende nuk ka nisur, Presidenti i Juventusit Agnelli, ka vendosur t’i bëjë dhuratën e parë trajnerit Alegri.
38 milionë është vlera e klauzolës së Pjaniç dhe duke parë aftësitë e mira që ka  mesfushori, mund të konsiderohet një goditje cilësore nga ana e drejtuesve të klubit bardhezi. Për trajnerin Alegri, boshnjaku është mesfushori ideal për skemat e tij, duke parë dhe cilësitë që ka futbollisti në kontrollin e topit. 26-vjeçari ndoshta do të marrë në skuadër vendin e lënë bosh nga Andrea Pirlo, i cili gjatë verës së vitit të kaluar u transferua te New York City në Major League Soccer. Statistikat e Pjaniç në këtë sezon të Serisë A janë të kënaqshme. Ai  ka arritur të realizojë 12 gola dhe 13 asisite. Karakteristikat e tij të lojës, janë ato të një mesfushori modern, pasi mund të luajë si organizator, si mesfushor krahu dhe si trekuartist.

MSN dikton “ligjin”

Mesi-Suarez-Neymar, a është ky tredhëmbëshi më i frikshëm i historisë së futbollit? Për të dytin sezon rresht treshja e famshme MSN arrin të diktojë ligjin në La Liga, duke lënë pas treshen e Realit, BBC ku Ronaldo i vetëm nuk arrin të mbajë në lartësinë e duhur sulmin “Los Blancos”. Tre sulmuesit e skuadrës katalanase e kanë transformuar këtë skuadër në një makinë të vërtetë golash, pasi mesatarisht në çdo ndeshje ata sigurojnë 2-3 gola. Sezonin e shkuar regjistruan në total 122 gola, prej të cilëve 81 në La Liga, por një vit më pas e rritën edhe më shumë gazin, duke arritur në kuotën 130 me 90 gola në kampionat.
Një fakt tjetër që e bën këtë treshe vrasëse për çdo kundërshtar është edhe numri i asisteve, plot 63 të dhuruar nga të tre, 50% më shumë se BBC në kampin kundërshtar. Barcelona fitoi titullin e dytë rresht dhe të tretin në 4 vitet e fundit, ndërsa MSN regjistroi rekordin e 80% të golave në të gjithë sezonin. 20 gola në 5 ndeshjet e fundit, ku 14 i ka shënuar vetëm Suarez. Gjithsesi, pesha e secilit është e veçantë, pasi ishte Neymar që e nisi sezonin me 14 gola në 13 ndeshjet e para, madje ai dhe Suarez nuk u ndalën as kur Mesi u detyrua të ngrinte flamurin e bardhë për disa javë. Uruguajani regjistroi 40 gola në kampionat, i ndjekur nga Mesi me 26 dhe Neymar me 24.
Një treshe e dashuruar me spektaklin që shënon në çdo mënyrë të mundshme, që të tre të pamëshirshëm ndaj rivalëve. Në këtë pikë, lind pyetja nëse janë ata treshja më efektive e historisë së futbollit. Në Barcelonë, konkurrentë të tyre janë Stoichkov-Romario-Laudrup, ndërsa Mesi shfaqet edhe në tredhëmbëshin tjetër Sanchez-Messi-Pedro me 97 gola në fund të sezonit. Me shumë mundësi, treshja që mund të bëjë më shumë konkurrencë MSN-së është Mesi-Eto’o-Henry në sezonin 2008-2009 me 100 gola në total dhe tre tituj në fund të sezonit. Ai ishte sezoni kur Mesi arriti t’i rrëmbente vendin e titullarit Ronaldinhos. Gjithsesi, tre sulmues të tillë në të njëjtën skuadër, ndoshta nuk kanë pasur fatin të luajnë asnjëherë dhe ndoshta nuk do të luajnë as në të ardhmen.
Sulmuesi i Barcelonës, Neymar ka bërë një përmbledhje të sezonit të tij futbollistik. Gjatë një konference për shtyp pas fitores së titullit, ai foli për suksesin La Liga, eliminimin nga Champions League si dhe marrëdhënien e tij me Luis Suarez. “Nuk di të them, nëse ky është sezoni im më i mirë. Më pëlqen të thyej çdo rekord, dua që çdo ditë të përmirësohem akoma dhe më shumë si lojtar. Jam shumë i lumtur për fitimin e titullit kampion. Dua të përgëzoj të gjithë shokët e skuadrës. Ishte një rrugë e gjatë dhe e mundimshme, por në fund ia dolëm. Përsa i përkët marrëdhënies time me Suarez, mund të them që jemi miq shumë të mirë. Jam shumë i lumtur që fitoi çmimin “Këpuca e Artë”. Champions League? Më vjen keq që nuk jemi në finale por, dua të përgëzoj dy skuadrat finaliste. Është një moment që duhet lënë pas krahëve dhe të mendojmë për të ardhmen”.
Më tej, braziliani foli për finalen e “Kupës së Mbretit”, ku përballë do të këtë skuadrën e Sevillias, por ai u ndal edhe te pjesëmarrja në Lojërat Olimpike “Rio 2016”. “Përsa i përket finales së Kupës së Mbretit, mund të thëm se, skuadra është shumë e motivuar. Jam i sigurt se pas titullit në La Liga, ky do të jetë trofeu ynë i dytë sezonal. Jam shumë i lumtur që do të marr pjesë në “Rio 2016”. Sigurisht që dëshira ime ishte të isha pjesë edhe e “Copa America” por, të gjithë palët ramë dakort që të aktivizohem vetëm në një prej këtyre dy evenimenteve sportive”, tha ai.

Presidenti i “PAOK”-ut kërkon largimin e Kaçes

“Klimë e keqe rreth Ergys Kaçes”. Ky është titulli i një shkrimi të publikuar në faqen prestigjoze greke “Sportdog.gr” ku theksohet se me shumë mundësi ky është sezoni i fundit i mesfushorit shqiptar në radhët e PAOK-ut të Selanikut. Sipas informacioneve mediatike, Kaçe ka bërë gati valixhet për të gjetur një destinacion të ri. Shkak është bërë sjellja e shqiptarit që sipas mediave greke ka ngjallur reagimin e presidentit, Ivan Savvides, i cili kjërkon që t’i japë fund telenovelës së bisedimeve për rinoviomin, duke firmosur largimin e tij nga Selaniku. Gjithsesi, “Sportdog.gr” thekson se PAOK synon të përfitojë sa më shumë nga largimi i Kaçes, kontrata e të cilit skadon në verën e vitit 2017.
Nëse zërat për ftohjen e marrëdhënieve mes futbollistit dhe presidencës konfirmohen, atëherë largimi i mesfushorit gjatë muajve të verës mund të jetë thjesht çështje kohe, pasi në të kundërt, Kaçe mund të lirohet në muajin janar me parametra zero, çka do të thotë se PAOK mund të humbasë shumë, duke mos arkëtuar asnjë qindarkë. Zërat e merkatos për shqiptarin kulmuan gjatë muajve të verës, por edhe në merkaton e dimrit të këtij viti por PAOK tentoi deri në fund për ta bindur të firmoste një kontratë të re, por palët nuk kanë rënë dakort për detajet, duke vendosur të ndjekin rrugë të ndryshme në të ardhmen.

Mavraj pret me padurim përgatitjet e “Euro 2016”

Me mbylljen e Bundesligës, lojtarët kanë filluar të mendojnë për kampionatin Europian. Kur duhen edhe 26 ditë nga fillimi i kompeticionit “ethet” sa vijnë e shtohen. Këtë gjë e shfaq më së miri edhe mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare, Mërgim Mavraj, që përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” kërkon të ndajë ndjesitë e tij.
“Edhe një javë dhe fillojnë përgatitjet. Po i pres me padurim”, ka shkruar 29-vjeçari në profilin e tij. Mavraj konsiderohet një lojtar i rëndësishëm si në Kombëtaren Kuqezi ashtu edhe te klubi i tij, Koln edhe pse ka qëndruar për disa muaj jashtë fushave të lojës për shkak të një dëmtimi.