14.5 C
Tirana
E mërkurë, 7 Maj, 2025

Balotelin nuk e do askush!

E ardhmja e Mario Balotelit është kthyer në një mister të vërtetë. Në dy vitet e fundit, sulmuesi italian nuk ka bindur aspak drejtuesit e Milanit, duke shënuar vetëm 8 gola. Kjo ka bërë që drejtuesit e klubit kuqezi të mendojnë refuzimin e blerjes së futbollistit, kartoni i të cilit është ende në zotërimin e Liverpulit. Por klubi anglez duket se nuk dëshiron më ta ketë në radhët e tij dhe sipas asaj që publikohet te “Daily Mail”, “The Reds” janë vënë në kërkim të një skuadre tjetër për të. Një detyrë kjo shumë e vështirë për t’u realizuar, duke parë paraqitjen zhgënjyese të futbollistit.
Së fundmi është folur për një kalim të mundshëm të Balotelit në kampionatin kinez, ndërkohë që nuk përjashtohet mundësia që Liverpuli të zgjidhë kontratën me sulmuesin italian. Bisedimet me Raiolën nuk do të jenë të lehta, por te “The Reds” të gjithë janë të bindur: Baloteli nuk ka më vend te skuadra angleze.

Trump: Jeta e Hillary Clinton është një gënjeshtër

Në prag të zgjedhjeve të radhës në nivel partiak që do të mbahen në New York, kandidatët presidencialë në garën për Shtëpinë e Bardhë kanë nisur të shkëmbejnë akuza të ashpra mes njëri tjetrit në fushatat e tyre elektorale. Fillimisht ka qenë miliarderi kontrovers, Donald Trump, i cili ka sulmuar kandidaten demokrate Hilary Clinton duke deklaruar se e gjithë jeta e ish-sekretares së shtetit ka qenë një gënjeshtër e madhe.

“E gjithë jeta e saj ka qenë një gënjeshtër, mbajeni mend këtë. Jeta e saj është një gënjeshtër e madhe. Mjafton të shihni skandalin e e-maileve. Ajo po mbrohet së tepërmi për këtë çështje. Megjithatë, unë mund t’iu them se ajo është kandidatja ime e preferuar ndaj të cilës do të doja të garoja. Jam i bindur se do t’a mundim shumë keq”.

Më tej, Trump ka komentuar edhe në lidhje me kandidatin tjetër, Bernie Sanders, duke thënë se ndryshimi mes tij dhe Sanders është se Trump mund të arrijë të firmosë marrëveshje mjaft pozitive për Shtetet e Bashkuara. Por nuk ka vonuar shumë as kundërpërgjigjia e senatorit të Vermontit.

Gjatë një takimi me mbështetësit e tij në New York Sanders tha se Donald Trump nuk do të bëhet asnjëherë Presidenti i amerikanëve.

“Ai nuk do të bëhet asnjëherë presidenti i qytetarëve amerikanë, pasi askush nuk do t’a mbështesë një kandidat që ofendon meksikanët dhe latinët, që ofendon myslimanët, gratë, veteranët si dhe komunitetin afro-amerikan’, ishin fjalët e Sanders.

Maqedonia në protesta kundër korrupsionit në qeveri, po shqiptarët?

Mijëra maqedonas kanë protestuar mbrëmë vetëm pak minuta pasi Presidenti i vendit shpalli amnisti për të gjithë politikanët e akuzuar nga Prokuroria për afera korruptive dhe kriminale. Udhëheqësi i opozitës, Zaev iu bashkua protestave të qytetarëve që marshuan duke kërkuar dorëheqjen e Presidentit maqedon.

Denoncim i ekspertit: Përse rrëzimi i helikopterit është një krim i paralajmëruar

Piloti dixhital denoncon:
Me fakte te pakundershtueshme si mashtrues; Mimin, gjeneral Trafikun dhe papagajte e tyre ne media. Per me hollesisht lexoni mesazhin e tij. sb

Pershendetje z.Berisha! Jam nje ushtarak I Forces Ajrore tejet I revoltuar duke ndjekur “Debati” ne Klan! Nuk e immagjinoj dot se si mund te genjesh e te tallesh ne kete menyre me jetet e humbura te piloteve tane. 1. Pilotet e ndjere kane qene te patrainuar ne Gjermani sipas kontrates, por vetem me 12 ore baze te kalimit ne tip e quajme ne. 2. Per kete arsye, plani I fluturimit mbi siperfaqe ujore pa trainim SAR eshte krim I paralajmeruar. 3. Genjeshter e pafytyre dhe e qellimshme nga perfaqesuesi I Shtabit te Pergjithshem, kur tha se per permbytjet jane perdorur EC145, kur ne fakt jane perdorur per SAR (kerkim shpetim), vetem Cougar per te cilet ne kemi vetem 4 pilote te specializuar, dhe dy koleget e ndjere nuk ishin pjese e kesaj 4-she. 4. Ushtari qe ndodhej ne bord, eshte “zjarrfikes” jo operator Bordi, c’ka eshte shkelje flagrante e rregullave te sigurimit ne fluturim. 5. Si mundet qe brenda 1.5 vitesh te humbasesh 3 pilote dhe nje helikopter te fjales se fundit, dhe askush nga drejtuesit e regjimentit, Shtabit apo qofte dhe niveleve politike, te mos mbaje pergjegjesi? Ndjese qe u zgjata, z. Berisha, por keta kane bllokuar edhe mediat si ne kohe te merhumit. Ju falenderoj me zemer qe I jepni ze se vertetes,

Ja dhe fotoja e helikopterit Cougar, qartesisht I dallueshem nga EC 145, I perdorur per SAR gjate permbbytjeve.”

 

Nishani me qytetarët tek Parku: Kjo është makuteri

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në përgjigje të ftesës së një grupi qytetarësh të angazhuar vendosmërisht në denoncimin dhe kundërshtimin e ndërtimit në brendësi të hapësirës së gjelbër të Parkut të Liqenit Artificial në Tiranë, vizitoi dje vendin ku po zhvillohet projekti ndërtimor, duke u njohur nga afër dhe drejtpërdrejt me shqetësimet dhe kauzën e tyre. Me këtë rast, kreu i shtetit, i shoqëruar edhe nga anëtarë të kabinetit, pasi takoi qytetarët e angazhuar në protestë prej gati një muaji, u shpreh para mediave të pranishme, të cilat i falënderoi veçanërisht duke i nxitur që të vazhdojnë të pasqyrojnë të vërtetën dhe të trajtojnë çështje me ndjeshmëri të lartë për shoqërinë shqiptare.
“Solidarizohem me këtë lëvizje qytetare të këtyre banorëve të Tiranës, të këtyre të rinjve, djem edhe vajza të shkolluar, mendjehapur, me shpirt dhe zemër perëndimore. Kur vjen këtu, pa dyshim që reagimi i parë është i trishtë. Ky vandalizëm që po i bëhet Parkut të Liqenit të Tiranës, të vetmes pasuri publike dhe hapësirë qetësie dhe çlodhje që i ka mbetur, për fat të keq, Tiranës është i papranueshëm. T’u marrësh dhe t’u prishësh fëmijëve, qytetarëve të Tiranës parkun e vetëm, pronën e vetme publike të pushimit dhe çlodhjes është vandalizëm me të cilin nuk mund të pajtohet askush. Natyrisht që u takon në radhë të parë qytetarëve të Tiranës, u takon më shumë se kujtdo tjetër këtyre djemve dhe vajzave të arsimuar, shkolluar, të kulturuar, mendjehapur, për t’i rezistuar vandalizmit dhe vandalëve.
Kjo lëvizje qytetare shkon përtej kauzës të parkut të vetëm të qytetit të Tiranës. Tashmë po lind një lëvizje qytetare për emancipim, për civilizim dhe unë ju përgëzoj për këtë. Pa dyshim që beteja e emancipimit me vandalizmin nuk është e lehtë, beteja e civilizimit me dhunën qoftë verbale dhe fizike apo ambientaliste nuk është e lehtë. Gjithmonë ka një fillim. Gjithmonë progresi ka nisur nga njerëz mendjehapur, njerëz kurajozë, të cilët rezistojnë dhe ndoshta në fillim duket se janë një grup i vogël fizikisht, por jam i bindur që shpirtërisht dhe mendërisht me ju janë miliona shqiptarë që jetojnë në Tiranë apo jashtë Tiranës. Ju inkurajoj të mos lodheni! Lëvizja juaj nuk është lëvizje politike, partizane, militanteske. Lëvizja juaj është lëvizje qytetare, e stilit perëndimor, evropian aty ku identiteti, ADN-ja dhe shpirti i shqiptarëve kanë qenë dhe janë të adresuar”.
Në përgjigje të pyetjes “zoti President, dje pasi pritët një përfaqësi të protestuesve për këtë çështje pati një reagim të fortë dhe të ashpër kryetari i Bashkisë të Tiranës, a keni një përgjigje për këtë?”, kreu i shtetit theksoi: “Së pari, unë besoj se është detyra më normale e një Presidenti të presë jo një grup qytetarësh, por dhe një individ dhe një qytetar të vetëm, i cili kërkon të shprehë shqetësimin e tij publik, individual, familjar tek Presidenti i Republikës. Natyrisht që ata që shqetësohen nga kjo lloj kulture e sjelljes institucionale e kuptojnë ndryshe dhe i përkasin një kulture tjetër, atë të izolimit dhe mbylljes brenda mureve të zyrave, brenda bunkerëve të militantëve. Kultura ime institucionale dhe qytetare është e ndryshme: e të qenit i hapur me qytetarët, kjo është sjellje dinjitoze, e drejtpërdrejtë dhe e thjeshtë, të cilën duhet ta implementojë çdo pushtetar.
Për sa u takon akuzave ndaj Presidentit të Republikës, me keqardhje më duhet të them se nuk është hera e parë që sulme me fjalor prej rrugaçësh adresohen ndaj Presidentit të Republikës. Nuk është normale të ndodhin në një shoqëri, por fatkeqësisht pikërisht misioni i këtyre lëvizjeve emancipuese do t’i korrigjojë dhe këto modele. Akuzat kur vijnë nga njerëz, të cilët nuk e njohin shtetin, individë të cilët nuk kanë kontribuar as edhe një minutë të vetme dhe nuk kanë dhënë asnjë kontribut për shqiptarët, popullin, atdheun, por vetëm kanë marrë prej tyre, prandaj lëvizja që ka nisur këtu tek Parku i Liqenit është një lëvizje për emancipim, civilizim. Le t’i lëmë ata, që akuzojnë dhe shantazhojnë verbalisht qytetarët e pambrojtur të Tiranës, në botën e tyre të banalitetit. Ne kemi zgjedhur një model tjetër, këta qytetarë këtu kanë zgjidhur një model tjetër, kanë zgjedhur modelin e të qenit civil, të emancipimit. Prandaj, unë jam me ta jo vetëm si President i Republikës, por në radhë të parë si qytetar, si njeri, si prind. Pa dyshim që spekulanti recidivist, besoj e mbani mend për shumë spekulime të stilit të tij, e akuzon Presidentin për vilë në mes të parkut. Rezidenca qeveritare presidenciale është ndërtuar 60 vite më parë së pari, nuk është brenda parkut, nuk është e Bujar Nishanit, është e shtetit shqiptar, është e popullit shqiptar. Këta që kanë kulturën e makutit dhe me kulturën e makutërisë e konsiderojnë që prona e shtetit dhe e popullit është personale. Prandaj jo vetëm unë, por ju në radhë të parë që jeni duke rezistuar të mos bëheni pre e kësaj dhune verbale, por ju garantoj se të gjithë qytetarët do të jenë bashkë me ju dhe për të ecur përpara në këtë lëvizje të rëndësishme që nis Parku i Liqenit të Tiranës për civilizimin dhe emancipimin e shoqërisë shqiptare. Ecni përpara!”.
Pyetjes lidhur se cilat kompetenca do të ushtrojë si President i Republikës lidhur me çështjen e parkut, kreu i shtetit u shpreh: “Ne duhet të vëmë në funksionim shtetin ligjor. Të gjithë të barabartë para ligjit. Unë jam si zë qytetar, jam me shpirt dhe mendja para rezistencës së këtyre djemve dhe vajzave, të cilët janë në qëndresë në radhë të parë për ambientin, për parkun, i cili është shumë i rëndësishëm për jetën e fëmijëve të Tiranës, për mundësitë e tyre për t’u relaksuar. Për fatin e keq qyteti ynë i Tiranës prej kohësh është kthyer në një qytet të pabanueshëm nga pikëpamja urbane, është kthyer në një qytet kaosi ku betoni ka zëvendësuar pemët, ku hekuri ka zëvendësuar lulet, ku oksigjeni është zëvendësuar nga pluhuri dhe karboni. Prandaj, kauza e tyre për të mbrojtur ambientin është kauzë për të mbrojtur ambientin e fëmijëve në radhë të parë dhe nuk duhet të ndalen nga çdo dhunë dhe akuzë verbale që bëhet ndaj tyre. Nga ana tjetër është dhe rezistenca ndaj shtetit ligjor. Askush nuk mund të thotë që ‘Ç’më duhen mua ligjet. Pse na duhen ne ligjet’? Garancia e vetme dhe më e madhe e jetës, e të drejtës, e pronës për qytetarin, për familjen, për komunitetin, për shoqërinë është dhe duhet të jetë vetëm ligji dhe askush tjetër. Asnjë individ nuk mund të zëvendësojë ligjin; nuk mund të zëvendësojë mekanizmat e shtetit ligjor. Ka ardhur dita që ne shqiptarët të luftojmë fort për të konsoliduar këtë mentalitet dhe këtë kulturë civile, emancipuese karshi modeleve banale, të vjetra të makutërisë dhe që nuk i lidh asgjë me civilizimin dhe përparimin që shqiptarët dhe kombi shqiptar do të arrijë me çdo kusht”.
I pyetur gjithashtu për “sulmet e fundit që janë bërë ndaj jush, ju i quajtët sulme prej rrugaçësh. Iu referoheni dhe fjalëve të djeshme të kryebashkiakut Erion Veliaj që tha për ju?”, Presidenti Nishani theksoi: “Kushdo individ që adreson sulme me fjalor rrugaçërie ndaj Presidentit të Republikës meriton vlerësimin që i takon. Presidenti i Republikës është kreu i shtetit shqiptar dhe çdo ofendim, çdo fyerje që i adresohet Presidentit të Republikës, i është adresuar çdo qytetari shqiptar”.
Ndërsa pyetjes nëse “do ta thërrisni kryebashkiakun Erion Veliaj në një takim për këtë çështje?”, Presidenti Nishani u përgjigj: “Së pari, kryetari i Bashkisë duhet të vijë të takojë këta djem dhe vajza këtu; duhet të bisedojë me qytetarët e Tiranës; duhet të respektojë standardet dhe normat e civilizimit e qytetarisë; duhet të respektojë dhe zbatojë ligjin. Zyra e Presidentit të Republikës është e hapur pa dyshim jo vetëm për kryetarin e Bashkisë, por dhe për çdo qytetar të thjeshtë të këtij vendi”.
Presidenti Nishani i uroi përzemërsisht një vajze të re aktiviste edhe ditëlindjen e saj të 19-të, duke e përgëzuar atë dhe shokët e shoqet e saj për vendosmërinë dhe përpjekjet e tyre paqësore e civile në mbrojtje të mjedisit dhe “mushkërive të gjelbra të Tiranës, si Parku i Liqenit Artificial”. Aktivistët, por edhe banorë të pranishëm të Tiranës, e vlerësuan pamasë vizitën dhe përkrahjen qytetare që kreu i shtetit iu dha lëvizjes dhe kauzës së tyre.

Shkrimtarja vlerëson reagimin e Presidentit: Faleminderit z. Nishani

Kauza per Parkun eshte kauze e Shoqerise Civile dhe e asnje partie. Partite qe e duan Atdheun jane te mireseardhura ne keto kauza.

Sikur edhe dyqind vete te kete Shoqeria Civile, ajo do te quhet e tille, edhe sikur njezet vete te mbeten, edhe sikur dy vete, ajo ka vendin e vet te lavderueshem ne shoqerite e civilizuara. Pa Shoqeri Civile nuk ka demokraci. Ajo nuk është ‘vandalja qe zvarritet per te dale ne televizor’ as gurvarr per t’i hedhur lule perkujtimoresh. Intimidime te tilla publike ndaj Shoqerise Civile apo ndaj Presidentit te Republikes qe pret qytetaret e vet ne degjese, jane shemti politike. Duket qe, per fat te keq, kryetarin e Bashkise se Tiranes, e ka zene droga e pushtetit para kohe.

Si nje qytetare e lire, kur hyra para pak ditesh ne kantier per te pare se c’po ndodhte, tyrxhemenet e tij gati me nxorren me shkelma, edhe duke me fyer, e duke me treguar se po te vazhdoja te fotografoja do te kisha pune me ‘Shqiponjat’.

Kjo gjuhe e turperon publikisht nje djale te ri me aq ambicje. Dikush duhet ta keshilloje se ata protestues jane edhe qytetare te tij dhe se pari mbrojne ate nga vetekenaqja, siguria dhe arroganca qe te jep pushteti. Ti je i perkohshem, z. Veliaj, parku eshte i perjetshem.

Korrupsioni është komunizmi i ri

Tanket sovjetikë hynë në Budapest dhe Pragë.

Bankat ruse ngritën llogari sekrete “offshore” dhe kompanitë guackë (të dyshimta) blenë tinëzisht ndikimin dhe gëlltitën asetet strategjike nëpër Europë.

Kuislingë në Lindje dhe shokë udhëtarë në Perëndim, në linjën leniniste.

Biznese dhe lobe industriale në Lindje dhe Perëndim papagallojnë si Putin.

Një rrjet i partive komuniste dhe grupeve të frontit çojnë përpara interesat e Moskës.

Një faqe interneti e korporatave të errëta, marrëveshjet e errëta të energjisë, skemat e pastrimit të parave fusin në grackë elitat e huaja dhe formojnë një paradhomë për Kremlinin.

E shkuara takon të tashmen

Në shumë mënyra, korrupsioni rus është Komunizmi i ri Sovjet. Rryshfeti i sponsporizuar nga Kremlini është Kërcënimi i ri i Kuq.

Në Lindje, aleanca e shteteve satelite me stilin socialist sovjet te komandimit të ekonomisë dhe sistemet politike autoritare është zëvendësuar me një grupim kleptocracie të stilit rus të ekonomive të kapitalistëve-miq dhe me qeverisje jo-fuksionale.

Dhe përpjekjet e Bashkimit Sovjetik për të shkatërruar Perëndimin me fuqinë e një ideje i kanë hapur rrugën Rusisë së Vladimir Putin që të kërkojë ta korruptojë atë duke e joshur me para.

Sa më shumë ndryshojnë gjërat, aq më shumë qëndrojnë të njëjta

“Kremlini nuk ka nevojë të jetë lideri suprem i një blloku të kombeve të Paktit të Varshavës; në vend të kësaj mund të përkeqësojë ndarjet ekzistuese, të shkatërrojë institucionet ndërkombëtare dhe të ndihmojë në krijimin e një bote ku të lulëzojë forma e vet e autoritarizmit të korruptuar”, shkruajnë Peter Pomerantsev dhe Michael Weiss në raportin e tyre “Kërcënimi i Irealitetit: Si po e armatos kremlini Informacionin, Kulturën dhe Paranë” që po qarkullon gjerësisht.

Kapja e elitave

Bashkimi Sovjetik u përpoq ta përhapë komunizmin dhe të krijojë një bllok të kombeve besnikë të Moskës. Rusia e Vladimir Putinit kërkon për të përhapur modelin e saj të korruptuar të biznesit për të krijuar një bllok të vendeve të varur nga Kremlini.

Bashkimi Sovjetik shqetësohej së pari për fqinjin e tij, Europën Lindore, por gjithashtu shpresonte që ta përhapte modelin e tij socialist edhe më tej.

Rusia e Putin po fokusohet tek fqinji i saj i afërt, ish –BRSS, por ka vendosur të shtyjë përpara më larg edhe kleptokracinë.

Ajo ka përdorur skema të dyshimta të energjisë me struktura të errëta të pronësisë, si RosUkrEnergo, EuralTransGas dhe Moldovagaz, si karrem për të kapur elitat në ish –shtetet sovjetike si Ukraina, Bjellorusia dhe Moldavia.

Në Perëndim, Kremlini ka zhvendosur kompanitë guacka si Vemex, një kompani tregtare me një strukturë të errët pronësie që të çon te Gazprom, që ka  kapur rreth 10 – 12 % të tregut të energjisë në Çeki.

Kremlini ka përdorur artin e marrëveshjeve të korruptuara për të krijuar marrëdhënie padron-klient edhe përtej kufijve të Rusisë.

“Gazprom, me mbështetjen e heshtur të Kremlinit, ka ndërtuar mbi 50 kompani ndërmjetëse, të lidhura fshehurazi me të dhe i ka shpërndarë në të gjithë Europën”, thotë analisti i energjisë Roman Kupchinsky, ish –drejtor i RFE/Shërbimit RL të Ukrainës, në një dëshmi përpara Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë në Senatin Amerikan, në qershor 2008.

Kupchinsky përmendi grupin me bazë ne Vjenë, Centex, që është në pronësi të një kompanie Holding me bazë në Qipro dhe të kompanisë RN Privatstiftung në Austri, sikundër edhe rrjetin Gazprom në Gjermani.

Fronte të tilla, shtoi ai, “nuk shtojnë ndonjë vlerë për çmimin e gazit rus që po shitet në tregjet europiane, por ata përfitojnë shuma të mëdha parash, të cilat zhduken përmes kompanive guackë në Qipro dhe në Lihtenshtajn”.

Kupchinsky itha gjithashtu komitetit se “në Hungari, kompani hije që dyshohet të kenë lidhje me krimin e organizuar dhe Gazprom kërkojnë të kontrollojnë segmente të shumta të shpërndarjes së gazit dhe të biznesit të prodhimit të energjisë”.

“Kjo është historia e një pushtimi”

Ka gjithahtu të dhëna se Putin ka rekrutuar disa anëtarë të rrjetit të tij të vjetër të shërbimeve sekrete në Stasin gjerman për të ndërtuar kompani në mbarë Europën.

Një investigim i gazetarit gjerman Hans-Martin Tillac, në shtator të vitit 2007, zbuloi se si Gazprom në Gjermani ishte “si një klub për ish anëtarët e shërbimit të sigurimit të Gjermanisë Lindore”.

“Kjo është historia e një pushtimi. Një fushatë masive, e planifikuar mirë shumë më parë. Shtabi Qëndror është vendosur larg në lindje, në Moskë, kryeqytetin e Rusië. Shenjestra është Gjermania-dhe pjesa tjetër e Europës Perëndimore”, shkruante Tillack.

“Por historia e këtij pushtimi është mbushur me ish –oficerë të Stasit dhe figura në hije. Është historia e kompanive të postës që s’kanë as kuti postare, të kompanive të strehuara brenda kompanive. Përshtypja kryesore? Ata po fshehin rrjedhjen e fondeve”.

Por ky është një pushtim, në të cilin shumë elita në Perëndim janë me dashje – ose në mënyrë të paqëllimtë – pjesëmarrës.

“Pranim i heshtur i korrupsionit rus, me fonde të paligjshme që pastrohen rregullisht në të gjithë Perëndimin, punë në favor të Kremlinit si brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në raportin e Pomerantsev dhe Weiss.

“Nëse premisa e idesë neoliberale të globalizimit është se paraja është politikisht neutrale, se ndërvarësia do të jetë një impuls drejt afrimit dhe se tregtia ndërkombëtare sublimon dhunën në harmoni, pikëpamja ruse mbetet më së miri merkantiliste, me para dhe tregti që përdoren si armë dhe me ndërvartësi që përdoret si një mekanizëm për agresion”.

Komunizmi, pavarësisht nga gabimet e tij, u përpoq të apelojë idealet universale të njeriut dhe aspiratat. Por në praktikë, ai shkonte kundër natyrës njerëzore.

Korrupsioni thërret instiktin më të ulët njerëzor dhe më universalin – lakminë. Dhe fatkeqësisht është shpesh në harmoni me natyrën njerëzore –çka e bën Kërcënimin e ri të Kuq potencialisht më të rrezikshëm dhe dhe më të fshehtë se kërcënimi i vjetër.

Korrupsioni nuk është vetëm një çështje e qeverisjes së mirë më. Tani ai është një çështje e sigurisë kombëtare dhe duhet trajtuar si e tillë.

Brian Whitmore

Prokurorët: Kutia e zezë e helikopterit u dëmtua

“Kutia e zezë” që shërben për të zbardhur shkaqet e rrëzimit të helikopterit në Liqenin e Shkodrës është dëmtuar. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se, “kutia e zezë” ose “kamera” e helikopterit është shkatërruar ndryshe nga sa garantohet një objekt i tillë që shërben për gjetjen e shkaqeve të rrëzimit të avionëve dhe helikopterëve. Kjo kamer, sipas ekspertëve, filmon gjatë gjithë kohës që helikopteri është i ndezur deri në momentin e fikjes dhe është i vendosur brenda disa kutive plastike rezistente ndaj ujit ku pamjet e filmuara dhe zëri nuk dëmtohen apo shkatërrohen edhe nga thyerja.
Pas nxjerrjes nga uji u publikuan fotot e kutisë së zezë dhe dukej qartë që ajo ishte ndarë në disa copa në një kohë që është e pamundur që kutia e zezë të shkatërrohet sado i rëndë që mund të jetë aksidenti. Ajo është e grantuar nga çdo rrezik, ndërsa në rastin e Shkodrës, kutia është çmontuar dhe janë fshirë pamjet filmike të saj që tregojnë shkakun e rrëzimit të helikopterit. Nga liqeni ka qenë e pamundur të nxirren pjesë të vogla të saj, kështu që dëmtimi i kutisë së zezë ka ndodhur pas nxjerrjes nga uji. Dëmtimi i kutisë është konstatuar edhe nga prokurorët e Shkodrës, të cilët po hetojnë shkaqet e rrëzimit të helikopterit.
Prokuroria e Shkodrës regjistron procedimin penal për helikopterin e rrëzuar se në Liqenin e Shkodrës janë shkelur rregullat e fluturimit ajror dhe për lëvizje të trupave ushtarake pa të drejtë apo pa një shkak të ligjshëm. “Shkelje të rregullave të fluturimit ajror” dhe “Lëvizje e trupave pa të drejtë”, janë dy akuzat për të cilat do të merren nën hetim edhe eprorët e pilotëve. Burimet nga organi i akuzës së qytetit verior bënë të ditur se, nga verifikimet paraprake, procedimi penal është regjistruar për këto dy vepra penale të parashikuara në Nenin 48 dhe 83 të Kodit Penal Ushtarak. Për veprën penale të “Lëvizjes së trupave pa të drejtë”, mendohet se do të mbajnë përgjegjësi eprorët e pilotëve, pasi kanë lejuar ngritjen e helikopterit pa një urdhër specifik apo plan masash të detajuar dhe arsyetuar për misionin e kryer, siç parashikon rregullorja.

Kush e dëmtoi kutinë e zezë?

Ish-komandanti i Forcave Ajrore, Frederik Beltoja në një komunikim për News 24, duke iu referuar “kutisë së zezë” tha se, “helikopteri ka një pajisje që regjistron minutat e fundit të fluturimit, të gjithë të dhënat teknike, pajisjet që kanë qenë në punë, fuqinë e helikave, gjendjen e motorit apo edhe sasinë e kaburantit. Kur këto elemente futen në 3 dimensionalë riprodhojnë pozicionin e helikopterit në raport me kërkesat teknike dhe kështu mund të kuptohet se çfarë ka ndodhur”.
Kjo, kur kutia e zezë nuk është e dëmtuar, por ajo që bartte helikopteri i tragjedisë në fjalë çuditërisht është e dëmtuar. “Kutia e zezë nuk mund të dëmtohet, sepse është e ndërtuar në mënyurë të tillë që të mund t’i rezistojë përplasjeve të forta”, deklaroi ish-komandanti Beltoja, duke rikthyer edhe njëherë dyshimet se, autoritetet shtetërore vazhdojnë të fshehin diçka përpara syve të shqiptarëve dhe po e bëjnë këtë me aparaturën që vihet re më shumë në këto lloj tragjedish, e që është “kutia e zezë”.

Pse nuk bëhen publike regjistrimet e ngritjes së helikopterit…?!

Organi i akuzës dyshon se janë shkelur rregullat e fluturimit dhe se fluturimi ka qenë pa një shkak të ligjshëm. Helikopteri EC 145 me numër bordi 637, ditën që u rrëzua në Liqenin e Shkodrës, mësohet se u ngrit nga baza ajrore pa dijeninë e Qendrës së Kontrollit dhe Raportimit. Për flurimin e fundit të këtij helikopteri, të enjten e javës së kaluar, mësohet se kjo qendër, e njohur ndryshe si Kulla e Trafikut Ajror nuk ka të regjistruar ngritjen e këtij mjeti.
Verifikimi i këtij fakti është i thjeshtë… Mjafton të bëhen publike regjistrimet e këtij fluturimi. Burimet bëjnë të ditur se, Kulla e Trafikut Ajror në Farkë, megjithëse ka një personel prej 21 personash, nuk disponon gjurmë të ngritjes së helikopterit. Të njëjta burime “sfidojnë” cilindo që pretendon të kundërtën, të vërë në dispozicion apo të bëjë publik diskun e fluturimeve të ditës së enjte të javës së kaluar. Një mungesë e tillë e regjistrimeve apo e diskut të fluturimeve, hedh hije dyshimi se, helikopteri nuk është ngritur për ndonjë mision ushtarak…
Helikopteri EC-145 që u rrëzua në Liqenin e Shkodrës kishte në bord vetëm dy profesionistë, dy personat që mbetën të vdekur nga rrëzimi. Personi i tretë që për fat shpëtoi ishte ushtari profesionist Gerald Baramuça me detyrë zjarrfikës. Protokolli e kërkon që helikopteri që kryen misione të gjera siç ishte edhe lëvizja e asaj dite duhet të kishte në bord një person tjetër të specializuar dhe jo një ushtar zjarrfikës. Personi i tretë duhej të ishte tekniku i bordit të helikopterit ose inxhinieri i helikopterit, të cilët janë me detyrë funksionale dhe marrin pagesën e vështirësisë për këtë punë që bëjnë.

Presidenti Nishani takohet me kryeprokurorin Llalla

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dhe Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla kanë zhvilluar dje një takim kokë më kokë ku është diskutuar për rrëzimin e helikopterit të Forcave të Armatosura në Liqenin e Shkodrës. Kryeprokurori ka informuar Presidentin për hetimet e zhvilluara deri tani në lidhje me aksidentin ajror që u mori jetën dy pilotëve dhe mbeti i plagosur ushtari profesionist. Ky takim vjen ndërkohë që Prokuroria ka nisur hetimet për rrëzimin e helikopterit të Forcave të Armatosura në Liqenin e Shkodrës, e që la dy pilotë të vdekur dhe një ushtar profesionist të plagosur. Lidhur me këtë ngjarje, Prokuroria Shkodër ka regjistruar procedim penal për dy vepra penale në lidhje me rrëzimin e helikopterit.

Ja kush është majori i Mimit që kërcënon gazetarët me prerje kokash

Pas rrëzimit të helikopterit ushtarak në Liqenin e Shkodrës ku humbën jetën dy pilotët dhe u plagos një ushtarak, disa gazetarë janë kërcënuar nga një prej majorëve të ushtrisë shqiptare, ditën e nxjerrjes së helikopterit nga thellësia e Liqenit. Ish-Kryeministri Berisha ka marrë një mesazh në Facebookun e tij nga një gazetar, i cili ka denoncuar majorin Ibri për kërcënimin me jetë që u bëri gazetarëve dhe operatorëve pas nxjerrjes së helikopterit. Menjëherë pas marrjes së këtij denoncimi, ish-Kryeministri Berisha i ka bërë apel Prokurorisë së Përgjithshme të nisë menjëherë hetimet ndaj këtij majori.
“Gazetari dixhital denoncon zëdhënësin e Mimit dhe gjeneral Trafikut, që i kërcënon gazetarët me jetë, i kërcënon si taleban se do ju presë kokat dhe fuste ato në balte! I bëj thirrje Prokurorisë të nisë me urgjencë hetimet ndaj tij! Sb”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar edhe mesazhin e gazetarit.
“Përshëndetje doktor. Ky në foto është major Ibri, “tmerri” i gazetarëve dhe operatorëve që na kërcënoi me jetë dje gjatë nxjerrjes së helikopterit. Ky “trimi” na tha dje se, nëqoftëse e filmojmë ju pres kokat dhe jua fus në llucë”, shkruhet në mesazhin e gazetarit.

Prokuroria dërgon në Gjermani kartat e memories

Prokuroria e Shkodrës, miratoi kërkesën e ekspertëve franko-gjermanë të kompanisë së prodhimit të helikopterëve EC 145 që të dërgojnë në Gjermani për ekzaminim kartat e memories së kamerës së sigurisë. Nga Prokuroria e Shkodrës është vendosur që kartat e regjistrimit të kamerës së sigurisë të dërgohen në Gjermani me anë të letër-porosisë, për të marrë edhe cilësimin e provës materiale. Pasi asnjë ekspert shqiptar nuk ka kapacitetin e nevojshëm teknikë dhe programet e kompanisë për hapjen e kësaj kamere.
Burimet thonë se, hapja dhe rikuperimi i pamjeve me figurë dhe zë, do të bëhet nga një komision, me anëtarë të kompanisë së prodhimit të heliopterëve, përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes e Shtabit të Përgjithshëm si dhe në prani të një prokurori që do të dërgohet nga Shqipëria. Ky komision, thonë burimet, do të asistojë në momentin që ekspertët e kompanisë franko-gjermane do të bëjnë hapjen dhe rikuperimin e pamjeve të regjistruara nga kamera.
Mësohet se kompania është zotuar se krahas rikuperimit të zërit dhe figurës së filmuar, do të paraqesë në 3D të gjithë lëvizjet e helikopterit dhe manovrat që pilotët kanë kryer që nga momenti i nisjes deri në rrëzimin e tij në Liqenin e Shkodrës. Ky ekzaminim do të bëhet shumë shpejt, por duke mos përcaktuar kohën. Por është vetë kompania, thonë burimet, që këmbëngul që ky ekzaminim të kryehet sa më shpejt, për shkak është pezulluar prodhimi i këtyre helikopterëve EC 145. Përveç pezullimit, mësohet se kompania franko-gjermane ka dërguar shkresa zyrtare në të gjithë vendet e botës, që kanë në përdorim helicopter të tillë, mes tyre edhe Shqipërisë që të pezullojnë fluturimet me këtë lloj helikopteri deri sa të zbardhet shkaku i rrëzimit të tij në Shqipëri.
Nga ana tjetër, burimet thonë se Prokuroria, përveç sekuestrimit të gjithë praktikës së ndjekur nga regjimenti i helikoptereve në Farkë, për fluturimin e EC 145 me dy pilotët në bord, ka sekuestruar edhe komunikimet me radio të pilotëve me Kullën e Trafikut në Farkë gjatë ditës së ngjarjes. Si dhe kanë marrë në pyetje personelin ushtarak që ka komunikuar ditën e ngjarjes me dy pilotët, personat që kanë miratuar planin e fluturimit si dhe komandantin e regjimentit të Helikopterëve në Farkë.

Lideri global thërret samitin global!

Bir Selman i nënës, kë të qaj më parë! Lajmet e ditës së djeshme të institucioneve ndërkombëtare dhe shqiptare që monitorojnë zhvillimet demokratike dhe ekonomike raportuan rrokullisjen e Shqipërisë në ditët e saj më të zeza. Freedom House i Shteteve të Bashkuara të Amerikës thotë se Shqipëria ka shkuar 12 vite pas në një sërë treguesish që kanë të bëjnë me nivelin e korrupsionit, keqqeverisjen, kufizimin e lirisë së medias dhe mungesën e pavarësisë së drejtësisë. Ndërkaq Dhoma gjermane e Tregtisë thotë se biznesmenët gjermanë e shohin Shqipërinë si vendin e fundit në Europë ku duan të investojnë paratë e tyre, pasi korrupsioni qeveritar dhe taksat e larta kanë krijuar klimë negative për biznesin dhe ekonominë në tërësi.
Nga ana tjetër Kontrolli i Lartë i Shtetit, si për të konfirmuar gjetjet negative të amerikanëve dhe gjermanëve për Shqipërinë thotë se, vitin e shkuar mbi 1 miliard dollarë të taksapaguesve shqiptarë përfunduan në xhepat e kryeministrit Rama, ministrave, familjarëve dhe klientëve të tyre. Skandali i radhës i ditës së djeshme ishte një koncension tjetër i dhënë nga kryeministri Rama për klientët e tij prej më shumë se 8 milionë euro për mirëmbajtjen e një rrjeti dixhital, që ende nuk është ndërtuar dhe nuk është vënë në punë.
Lajmi tjetër është xhevahiri i liderit global që ka vendosur të mbajë samitin global. Ditën që amerikanët dhe gjermanët thonë me zë të lartë se Shqipëria po rrëshket në humnerë dhe nuk do të donin të investonin më në këtë vend, ditën kur zyrtarizohet se vjedhjet e qeveritarëve kanë kaluar 1 miliard euro, lideri global thotë se do të mbledhë në Shqipëri samitin global të shqiptarëve.
Këtë gjë mund ta bëjë vetëm një i droguar, një njeri që jeton jashtë realitetit, sikurse është kryeministri Edi Rama, i vetëshpallur lider global. Ai ka vendosur që të thërrasë në atdhe përfaqësuesit e diasporave, të krijuar nga shqiptarë që kanë emigruar masivisht nëpër Europë, SHBA, Kanada dhe Australi. Shumica e tyre janë emigrantë politikë, apo pasardhës të atyrë që e lanë Shqipërinë gjatë gjysëm shekullit të sundimit barbar të regjimit komunist. Eksodet masive kanë ndodhur në vitet ’90 – ’91, kur komunizmi po jepte shpirt dhe në tre vitet e fundit kur Shqipëria qeveriset nga neobllokmenët.
T’i ftosh këta shqiptarë në atdhe për të takuar Ramën është tepër cinike, bizarre dhe makabre. Eshtë njësoj sikur vrasësi të ftojë fëmijët dhe të afërmit e viktimave të tij për të festuar vdekjen. Përtej krimeve monstruoze të regjimit komunist që vrau, burgosi dhe internoi me qindra mijëra vetë, Edi Rama do të mbahet mend se vrau barbarisht shpresën e shqiptarëve. Janë 150 mijë shqiptarë që lanë vendin tre vitet e fundit dhe më shumë se 500 mijë të tjerë në kërkim të një mënyre për të ikur nga sytë këmbët.
Për çfarë do të flasë lideri global, për Shqipërinë që e ka zhytur në korrupsion, në mjerim në papunësi, në krim. Do të flasë për miliona e miliona euro që zhvat çdo ditë nga xhepat e bashkëkombasve të vet?! Do të flasë për parlamentin, qeverinë, policinë dhe administratën që i ka mbushur me vrasës, trafikantë dhe kriminelë?! Do të flasë për mijëra e mijëra biznese të huaja që po ikin me vrap nga ky vend i pashpresë?! Do të flasë për qindra mijëra shqiptarë që kanë humbur bizneset, vendet e punës dhe mundësinë për të shkolluar dhe ushqyer fëmijët e tyre?! Do të flasë për plantacionet e drogës që ka mbjellë nga veriu në jug dhe po krijon një ushtri tjetër kriminelësh dhe trafikantësh nën varësinë e ministrave, superdeputetëve dhe kryepolicëve?! Do të flasë për Shqipërinë që është kthyer sërish në një korridor tranzitimi të heroinës dhe kokainës dhe qendër e krimit të organizuar rajonal?!
Sigurisht, lideri global për samitin e tij global do të gjejë pjesëmarrës. Sigurisht 50 a 100 shqiptarë që trafikojnë dhe drejtojnë organizatat kriminale në kryeqytetet e mëdha të botës do të jenë kur t’i thërrasë ai në Tiranë për të bërë ankandin e hashashit, apo për të kryer pagesat dhe detyrimet ndaj liderit. Por, orgjitë e tij që i bën çdo javë nëpër botë, nuk ka pse të na i sjellë edhe në Tiranë. Mjaft i ka rënë në qafë këtij populli duke i paguar çarterat dhe qejfet e përjavshme me buxhetin e shtetit. Nëse do paguajmë edhe për miqtë e tij që do sjellë në Tiranë, të na thotë që të paktën atë ditë të mbyllemi nëpër shtëpi, pasi bandat historikisht zgjedhin Shqipërinë për të larë hesapet. Tek e fundit, edhe Selmanin do ta qajmë …!