30.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Beqja pranon terrorin e Shullazit në Hipotekë për hotel “Vollgën”

Ylvi Beqja, përfaqësues i kompanisë “Saubi Brothers Commercial Company” pranon se Shullazi ka ushtruar presion dhe terror ndaj punonjësve të Hipotekës së Durrësit për të regjistruar hotel “Vollgën” si pronë të tij. Pas 14 vitesh nëpër Gjykata, Beqja e gjeti zgjidhjen e halleve të tij tek Emiliano Shullazi. Avokati i Ylvi Beqajt, Roland Samarxhiu në një intervistë për ABC News deklaroi se, paratë për truallin dhe Hotel “Vollgën” në Durrës ishin paguar, por Gjykata ishte duke ia marrë pronën për t’ia kaluar palës tjetër në konflikt. Në atë moment, Ylvi Beqja takon Emiliano Shullazin dhe i kërkon ndihmë për regjistrimin e pronës në Hipotekë.
“Ylvi Beqaj është njohur me Emiliano Shullazin prej shumë kohësh se kanë qenë komshinj. Në një moment kafeje siç pyesim ne shqiptarët, i ka thënë: Më ka gjetur belaja! Kam marrë vendimin për ta regjistruar pronën, nuk ma regjistron Zyra Regjistrimit e Pasurive të Paluajtshme. Ça po thua? Ja këtë po them, spo ma regjistrojnë. E kam çuar edhe për Përmbarim. Të përpiqem unë? Po a ke gjë në dorë?”
Do merrte dy gjëra Emiliano: Do interesohej që të regjistohej kjo pronë që e kishte përmbaruesi, kishte çuar shkresat, kërcënimet që lejon ligja dhe e dyta ishte, do bisedonte me Zanmir Hasën. Tani kjo punë mbaroi. Eshtë e vërtetuar. Do mbyllte punën me Zanmirin që mos vazhdonin gjyqet pafundësisht, se vajtën kaq vjet. Këto ishin detyrat.
Meqë jemi në ekonomi tregu, hyri kjo tjetra: Mirë do i bëj unë këto, po ça do marr unë? Dhe u la që nëse zgjidhte problemin me regjistrimin merrte 10%, nëse zgjidhte problemin me Gjykatën merrte 10% të tjera, që shkonte 20%”, u shpreh avokati i Beqajt.
Avokati është i ndërgjegjshëm se zgjidhja nuk erdhi në rrugë zyrtare, por nepërmjet kërcënimeve dhe presionit të Shullazit ndaj zyrtarëve të Hipotekës. “Po të flasim që shteti do punonte tamam siç duhej nuk do ishte puna për Emiliano Shullazin. Por ama, Ylviu ia njeh për nder atij. Se nuk mund ta ndajë tani. Si? Kush e bëri? Shkon përmbaruesi, i thotë kryeregjistruesit: Ore bëje se do të të jap gjobën, do të të çoj në burg, ai nuk e bën. Nuk po gjente zgjidhje një vendim i dhënë nga Gjykata, që duhej të zgjidhej përmes rrugëve zyrtare dhe jo të tjera. Meqë nuk po gjente zgjidhje i kërkoi ndihmë Shullazit”, tha avokati i Ylvi Beqajt për ABC News.

Historia e pronësisë së hotel ish-“Vollgës”

Historia e pronësisë së hotel ish-“Vollgës” dyshohet se është e ndërtuar mbi falsifikimin e dokumetave. Në 24 mars 1994, kjo pronë i kaloi në pronësi trashëgimtare, Alije Fortuzi. Po në 4 dhjetor të këtij viti, përmes një prokurore të posaçme, shtetasi Ali Sula, në emër të Alije Fortuzit, ia shet atë shtetasit arab, Muhamed Abdulla Bawazeer.
Pikërisht këtu ka dyshime se zë fill falsifikimi i dokumetave dhe nuk përjashtohet mundësia që të jenë përfshirë zyrtarë të Hipotekës së asaj kohe. Pas kësaj ka nisur një proces gjyqësor, mes Alije Fortuzit dhe shtetasit arab.
Pas 9 viteve, në 2003 trashëgimtarja Fortuzi arrin ta regjistrojë pronën në emër të vet. Po këtë vit ish-hoteli i kalon Zanmir Hasës, përmes një prokure të lëshuar në Selanik dhe e firmosur nga Alije Fortuzi. Por edhe për këtë prokurë, hetuesit kanë dyshime se është e falsifikuar.
Në bazë të regjistrit të Gjendjes Civile, Zanmir Hasa ka jetuar në Selanik, aty ku ka lindur edhe vajzën e tij. Por nuk bëhet me dije se si është njohur Zanmir Hasa me Alije Foruzin dhe më pas marrja e kësaj prokurore.
Shtetasi arab Bawazeer hap një proces tjetër gjyqësor dhe në korrik të 2014, Gjykata e Lartë vendos pezullimin e regjistrimit të kësaj prone në emër të tij.
Po gjatë 2014, Gjykata e Durrësit me një vendim të dyshimtë, sipas Prokurorisë, anashkalon Gjykatën e Lartë dhe prona regjistrohet në emër të arabit.
Pas këtij momenti Bawazeer shet 2/3 e pronës tek shtetasit Fejzi dhe Marjeta Kodra për shumën e 671 mijë eurove.
Pjesën të ish –hotelit, shtetasi arab ia dhuron për mirënjohje Emiljano Shullazit.
Prokuroria ka dyshime se Fejzi dhe Marjeta Kodra nuk kanë mundësi financiare të paguajnë një shumë të tillë dhe ka dyshime se kanë pastruar paratë.
Por Fejzi Kodra thotë se paratë ia ka marrë nga miku i tij Luan Leka.
Veprimet e shitjes dhe dhurimit, thotë Prokuroria, janë kryer nga shtetasi Ylvi Beqja, përfaqësues i kompanisë “Saudi Bradhers” të arabit Bawazeer. Dhurimi, sipas organit hetimor, i është bërë Shullazit nën kërcënim.
Nga këto veprime shkruan Prokuroria në dosjen hetimore, dyshohet se është kryer një vepër penale tjetër në Hipotekën e Durrësit dhe Tiranës, siç është ajo e zhdukjes së origjinës së kësaj prone dhe regjistrimin e saj në emër të Emiljano Shullazit.

Prokuroria: Vazhdojnë hetimet ndaj Shullazit për akuzën e “gjobëvënies”

Katër biznesmenët që janë gjobitur nga Shullazi nuk kanë pranuar të dëshmojnë në Prokurori. Megjithatë, Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri të ditur se do të vazhdojë hetimet për akuzën e “gjobëvënies” për Emiliano Shullazin, pavarësisht se asnjë nga biznesmenët e kërcënuar nuk pranon të bëjë kallëzim penal.
Hetimet ndaj Shullazit dhe të dyshuarve si pjesëtarë të “bandës” së tij, do të vazhdojnë edhe pse deri më tani, biznesmenët nuk kanë pranuar se janë gjobitur. Për momentin, Prokuroria nuk po merret me pyetjen e këtyre biznesmenëve, pasi po punohet në rrugë operative që të provohet kontakti i tyre me bandën e Shullazit dhe personave ndërmjetës.
Vepra penale, për të cilën akuzohet Shullazi, thonë burimet nuk është vepër penale që personi mund të heqë dorë apo mos të kallëzojë. Kjo vepër ndiqet penalisht edhe me iniciativë të Prokurorisë, për të provuar krimin që të dyshuarit mendohet se kanë konsumuar.
Nga ana tjetër, Prokuroria ka dërguar në Laboratorin e Policisë Shkencore rreth 30 kamera të sigurisë, të cilat janë sekuestruar nga biznese e rrugë të ndryshme në Tiranë. Në mesin e këtyre pamjeve, mësohet se janë pamjet e kamerave të sigurisë së hyrje-daljeve të kryeqytetit, kamerat e Bashkisë që ndodhen në kryqëzime dhe rrugë kryesore, kamera të policisë si dhe bizneset e ndryshme.

Kulla për Shullazin, pallati për “Hakmarrjen”

Edi Rama po fsheh planin e tij për të kthyer në pallat fushën tek aneksi i stadiumit “Qemal Stafa”, për të ndërtuar një kullë betoni ku besohet se kumbari ka bashkuar interesat e dy bandave të tij të preferuara, të Shullazit dhe “Hakmarrjes për Drejtësi”.
PD denoncoi disa ditë më parë se, Rama ka planifikuar që një truall të rëndësishëm në Tiranë, aneksin e stadiumit “Qemal Stafa” ta vërë në dispozicion të një prej bandave kriminale. Zonën që ishte parashikuar si lulishte e kënd lojërash, Rama po kërkon ta bëjë kullë betoni për bandën tjetër të preferuar.
Partia Demokratike vijoi dje denoncimin e kësaj afere, ndërsa bëri të ditur se përmes këtij projekti, Rama po synon t’u shërbejë interesave të dy prej bandave më famëkeqe e pranë tij, atë të Shullazit dhe “Hakmarrjes për Drejtësi”.
Përmes një deklarate për shtyp, kreu i Departamentit të PD për Rendin dhe Sigurinë, Enkelejd Alibeaj denoncoi heshtjen e Ramës në lidhje me këtë aferë dhe lidhjet e tij me bandat, për të cilat ka vendosur betonizimin e hapësirës që ishte destinuar për kënd lojërash.
Më parë, kur bashkia drejtohej nga Basha, kjo zonë ishte parashikuar të bëhej lulishte, me kënd lojërash për fëmijët në shërbim të komunitetit. Por Edi Rama e ka fshirë këtë projekt dhe ka në plan që t’ia japë bandës tjetër të preferuar, për të ngritur selinë e saj qendrore. Bëhet fjalë për këtë truall që, në zemër të Tiranës, që nga lulishte jo vetëm për banorët e zonës, por për mbarë qytetarët, shndërrohet në kullë betoni, kullë përfitimi, kullë zhvatjeje e korrupsioni.
“Ne e denoncuam dy ditë më parë këtë projekt kriminal të Edi Ramës. Ai heshti. Heshti, sepse ai është arkitekti i zhdukjes së kësaj hapësire, i kthimit të saj në një masiv betoni për interesat e tij dhe të bandave të tij. Kjo fushë që shihni në ekran, ishte parashikuar të bëhej lulishte dhe ishte përfunduar projekti i saj nga bashkia e drejtuar nga z. Basha. Një projekt që është hedhur poshtë tashmë dhe ku pritet të mbillet nga Edi Rama pallati i bandave”, u shpreh Alibeaj.
Kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen për të mbrojtur interesat e vendit kundër oligarkisë e bandave në pushtet.
“Edi Rama vazhdon kështu pa u ndalur në trajtimin e Tiranës si plaçkë, në ndarjen e trojeve më të çmuara të qytetit për klientët dhe banditët e tij. Qytetarët e Tiranës nuk mund të lejojnë që Edi Rama t’u marrë fushat, hapësirat, liqenin, parkun, stadiumin, për të ushqyer bandat dhe klientelën e tij. Është koha e një bashkimi të fuqishëm kundër këtij sundimi kriminal”, bëri të ditur kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj.

Arben Shahini

60 milionë euro për rikonstruksione zyrash

Partia Demokratike ka detajuar dje aferat korruptive të qeverisë përmes shifrave dhe të dhënave zyrtare. Përmes një deklarate për mediat, deputeti demokrat Sherefedin Shehu citoi dje  të dhënat e raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit i cili tregon përmasat e rrezikshme të korrupsionit dhe grabitjes qeveritare të denoncuara vazhdimisht nga Partia Demokratike. Ai bëri tëditur se vetëm për luks dhe rikonstruksion zyrash, qeveria ka shpenzuar rreth 60 milionë euro.
Shehu bëri të ditur se vitet 2014 dhe 2015 do të mbahen mend si vitet e abuzimeve dhe grabitjes më të madhe qeveritare. Në këto 2 vite, 2.2 miliardë euro kanë shkuar nga arka e shtetit në xhepat e Ramës dhe njerëzve afër tij, si edhe për kriminelët që e sollën dhe po e mbajnë në këmbë këtë qeveri.
Më tej ai solli në vëmendje të dhënat e vitit 2014, ku vjedhjet dhe abuzimet ishin 892 milionë dollarë nga të cilat 120 milionë favore dhe vjedhje të të ardhurave të buxhetit, 560 milionë vjedhje në tendera dhe pasuri publike dhe 212 milionë dollarë nga favoret dhe abuzimet e kompanive publike ku abuzimet më të mëdha, mbi 130 milionë dollarë, janë bërë në “Albpetrol”.
Në vitin 2015 abuzimet janë thelluar dhe vjedhjet në të ardhurat, prokurimet dhe shpenzimet e tjera publike arrijnë 1.03 miliardë dollarë dhe abuzimet në sektorët e tjerë publikë arrijnë në 290 milionë dollarë.
“Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit tregon se rritja e vjedhjeve dhe abuzimeve me paratë e qytetarëve po bëhet e frikshme. Vjedhjet dhe abuzimet në vitin 2015 ishin 8.5 herë më të larta se në vitin 2013, por 79 herë më të larta se në vitin 2010. Në këtë vit, ka një peshë të madhe afera e qeverisë me CEZ, por edhe po të zbresim efektin e kësaj afere vjedhjet dhe abuzimet janë përkatësisht 4 dhe 37 herë më të larta se më 2013” tha deputeti demokrat.
Nga ana tjetër ai bëri të ditur se vjedhjet dhe abuzimet më të mëdha janë bërë në tatime, dogana, prokurime dhe pronën publike. Në vitin 2015 ato janë rritur kundrejt vitit 2013 përkatësisht në tatime 100 herë, në dogana 11 herë, në prokurime 7.4 herë dhe në pronën publike 7.5 herë.
Shifrat e mësipërme, tha deputeti demokrat, nuk përfshijnë gropën fiskale nga morealizimi i të ardhurave që në 2 vjet është mbi 400 milionë dollarë apo marrja e 1.32 miliardë dollarë borxh për palma, shkurre dhe shpenzime luksi. “Këtu nuk janë as 88 milionë dollarët e vjedhura nga miqtë personalë të Ramës në tendera apo 91.6 milionë dollarët e tjerë që janë shpenzuar vetëm për zyra, makina, orendi dhe bileta avionësh” tha Shehu.
Deputeti demokrat tha se këto “janë faktet dhe abuzimet e Kryeministrit më të korruptuar në Ballkan. Ai e ka kthyer arkën e shtetit në arkë personale. Por prisni se nuk keni parë asgjë akoma. Në vitin 2016 pritet që vjedhjet dhe shpërdorimet e parave publike të rriten. Investimet publike do të jenë në nivelin më të ulët që nga viti 1997, vetëm 4% të PBB. Përveçse të ulura, vetëm 27 miliardë lekë, ose më pak se gjysma e tyre do të shkojnë për punime civile si rrugë, ujësjellësa, shkolla dhe spitale. Investimet për rrugë dhe ujësjellësa përgjysmohen nga 35.5 miliardë lekë, në 19.8 miliardë lekë.
Për t’u vjedhur më kollaj dhe kënaqur sa më shumë vjedhës, investimet janë copëtuar në 1300 projekte dhe prej tyre 45 projekte ose 60 milionë dollarë janë për rikonstruksione të zyrave të qeverisë. Paratë e Rrugës së Elbasanit, korridorit të Jugut, rrugës së Pogradecit, rrugës së Arbërit, rrugës Qukës-Qafë-Plloçë dhe projekteve të tjera të rëndësishme janë në xhepat e Ramës dhe të kriminelëve rrotull tij tha Shehu ndërsa shtoi se zhvillimi i Shqipërisë mbetet peng i Ramës dhe klikës së tij. Çlirimi i Shqipërisë nga duart e Ramës është emergjencë kombëtare.

A.Shahini

Edvin Shullazi nuk dënon aktin e Milit të Partisë

Ish-Kryeministri Berisha u shpreh dje se Rama vazhdon të mbrojë Shullazin. Në një postim në Facebook, Berisha shkruan se, Edvin Shullazi nuk dënon aktin e Milit të Partisë, por mjaftohet duke e vlerësuar si akt të papranueshëm!
“Të dashur miq, vazhdon mbrojtja e hapur nga Edvin Shullazi i Milit të Partisë. Kështu, Edvin Kristaq Rama, pasi dështoi të eliminojë nga gara rektorin Koni, duke i dërguar atij dhe Prof. Dhori Kules Milin, xhelatin e partisë, lau sot duart me krimin e porositur, duke thënë: “Respekte për Konin dhe Kulen” dhe pa i përmendur emrin Milit të Partisë deklaroi se akti i tij është i papranueshëm, pra nuk tha kurrsesi i dënueshëm, pa lëre më shumë”, shkruan Berisha.
“Kështu, edhe me këtë deklaratë, duke mos i përmendur emrin kriminelit dhe vrasësit Emiljano Shullazi dhe duke e quajtur aktin e tij të terrorit ndaj akademikëve thjesht si të papranueshëm, Edvini faktikisht i thotë Milit, “mos u mërzit se unë që të ngarkova apo të besova krimin e shëmtuar nuk të lëshoj dhe publikisht po e zvogëloj barrën e krimit të padëgjuar”. Me këtë deklaratë, Rama iu thotë prokurorëve dhe gjykatësve, se Mili i Partisë ka kryer një akt thjesht të papranueshëm ndaj dhe lirojeni sa më parë, se për gjëra të papranueshme nuk mund të mbahen njerëzit në burg! Sb”, përfundon komentin e tij Berisha.

Heroina e Afganistanit kalon nga Shqipëria për në Europë

Shqiptarët kontrollojnë tregun e heroinës që vjen nga Afganistani në Turqi dhe që më pas transportohet për në vende të ndryshme të BE-së. Kjo është ajo që raporton media prestigjioze “Vice”, në një reportazh publikuar sot kushtuar rrugës së heroinës nga Afganistani në Britani. Vice citon një ish-drejtues policie në Turqi, i cili shprehet se në shtetin evropiano-aziatik, janë bandat shqiptare ato që kanë marrë në dorë kontrollin e tregtinë e heroinës.
Për vite me radhë, bosët e vërtetë të tregtinë së heroinës kanë qenë shtetas turq që jetonin në shtete të ndryshme të Evropës, thotë ai, duke shtuar se tani janë grupet shqiptare të krimit ata që kanë marrë kontrollin e pjesës më të madhe të biznesit të heroinës në Turqi. “Paratë që fitohen nga tregtimi i heroinës, tani po investohen në biznese të ligjshme, si kazinotë”, tha ish-shefi i policisë, që ka preferuar të ruajë anonimitetin.
Pas hyrjes në Turqi, çdo sasi heroine që nuk është zbuluar dhe konfiskuar vijon përgjatë rrugëve të ndryshme të kontrabandës në Evropën Perëndimore, përmes Greqisë, Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë, thekson “Vice”.
Ndërkohë, trafiku i drogës vazhdon pa ndërprerje nga Shqipëria drejt Italisë. Para pak kohësh, policia italiane zbuloi një avion me drogë në Torino që ishte nisura nga Shqipëria. Hetimet e Antimafias së Torinos pritet të shtrihen edhe në Shqipëri. Autoritetet italiane besojnë se, një prej drejtuesve të këtij rrjeti gjendej në vendin tonë. Ai siguronte drogën dhe pistën ku duhej të ulej avioni. Hetuesit italianë kanë provuar se një ngarkesë është arritur të kalohej në ditët e para të qershorit të këtij viti, por ka dyshime se janë nisur edhe ngarkesa të tjera.
Hetuesit italianë dyshojnë se avioni me drogë nisej nga Vlora. Ky fakt përforcohet edhe nisur nga vendlindja e dy të arrestuarve shqiptarë. Rruga tjetër, e planifikuar për më 1 shtator dështoi, për shkak të një problemi në pistën e Torre Sant Andreas. Sipas policisë italiane, dy shqiptarët Maksim Llanaj e Fitor Aliaj dhe dy italianët Paskuale D’Ambrozio e Rozario Kampizi, të arrestuar për trafikun e drogës me avion ishin emra të njohur për hetuesit italianë, pasi kishin precedentë penalë. Gjatë bllokimit të avionit u sekuestruan gjithashtu dhe 80 kilogramë marijuanë, ndërsa bëhet e ditur se për çdo kilogram drogë fitimi ishte 2500 euro. Një fitim i konsiderueshëm, duke llogaritur se benzina për një udhëtim vajtje ardhje ku dhe lihej ngarkesa kushtonte 450 euro.
Grupi kriminal vepronte në mënyrë të drejtpërdrejtë në Shqipëri, ku një nga protagonistët kryesorë të trafikut kishte detyrën për të paketuar drogën dhe për ta transportuar atë në Itali. Urdhërat dhe porositë vinin me anë të telefonit nga Gatinara dhe korrieri fluturonte në Leçe e më pas në Shqipëri. Përballë një fitimi prej 2500 eurosh për çdo kilogram marijuanë, shpenzimet për menaxhimin e avionit të lehtë ishin shumë modeste, pasi vetëm me 450 euro karburant vinte dhe shkonte nga Pulia, ku zakonisht bënte uljen përfundimtare. Pronari i avionit të lehtë, Dambrozio është gjithashtu dhe pronar i një restoranti, ku ka dhe lojëra fati. Policia italiane vazhdon hetimet për të verifikuar, nëse anëtarët e bandës punonin dhe për organizata të tjera si dhe për të identifikuar anëtarë të tjerë të grupit kriminal.

Skema, si iu grabitën 180 mijë dollarët kambistit në mes të Tiranës

Kambisti ka deklaruar në polici se grabitësi ka qenë i armatosur dhe nën kërcënimin e armës, ai është detyruar t’i dorëzojë lekët, ndërsa policia tha se dy grabitësit nuk kanë qenë të armatosur. Pamjet e filmuara tregojnë 2 persona që pasi e dhunojnë arkëtarin Sajmir Hasani dhe shoqëruesin e tij, largohen me shpejtësi në këmbë njëri pas tjetrit dhe marrin motorin tip “Scooter” që e kishin lënë pak më larg. Kamera ka fiksuar vetëm dinamikën e grabitjes, por nga pamjet, është i pamundur identifikimi i 2 autorëve, të cilët janë larg dhe fytyrat e tyre nuk janë filmuar. Duket vetëm se janë veshur me xhinse blu dhe me xhupa të zinj.
Mediat online publikuan filmimet e realizuara nga kamerat në parkingun përballë hotelit “Sheraton”, ku të martën ndodhi grabitja e një shume të madhe parash të një pike këmbimi valutor. Burime pranë Komisariatit Nr. 1 thonë se i dëmtuari Sajmir Hasani ka deklaruar në polici se, grabitësi ka qenë i armatosur dhe nën kërcënimin e armës, ai është detyruar t’i dorëzojë lekët. Të njëjtën gjë pohojnë edhe dëshmitarët në ngjarje. Por disa orë më pas, policia bëri me dije se nga hetimet paraprake dhe këqyrja e kamerave të bizneseve afër vendit të ngjarjes, autorë të grabitjes kanë qenë 2 persona pa maska dhe pa armë.
Sipas policisë, 2 personat ende të paidentifikuar iu kanë rrëmbyer çantën me një shumë të konsiderueshme monetare punonjësve të pikës së këmbimit valutor S. H dhe B. Xh, duke qëlluar me shkelma këtë të fundit.
Hetimet e policisë janë orientuar te mundësia e njohjes mes autorit të grabitjes, punëtorëve të këmbimit valutor si edhe punonjësve të bankës. Kjo, pasi sipas policisë, grabitësit kanë qenë në dijeni të lëvizjeve të arkëtarit.
Nga hetimet e policisë, mësohet se transaksioni bankar i cili u realizua të martën kur ndodhi grabitja, ishte parashikuar të kryej të hënën po në këtë orë dhe pikërisht atëherë, këta 2 persona kanë lëvizur me motor përballë hotel “Sheratonit”. Nga lëvizjet dhe gjithë skena se si ka ndodhur ngjarja, lë të kuptohet se grabitësit kishin dijeni të plotë për itinerarin e kambistit dhe personit që e shoqëronte. Grupi hetimor po vazhdon punën për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë së autorëve të kësaj vepre penale.

Shqipëria, simboli europian i degradimit

Shqipëria është shndërruar tashmë në një simbol europian për degradimin e shpejtë të lirive politike dhe ekonomike. Nuk po ndalemi në deklaratat e politikanëve anglezë dhe francezë që e sjellin Shqipërinë në debatet e brendshme si shembullin më skandaloz të ushtrimit të lirive dhe funksionimit të demokracisë në hapësirën europiane, por janë raportet e përvitshme të institucioneve ndërkombëtare që evidentojnë një rënie të frikshme të vendit tonë në të gjithë sektorët jetikë të një shoqërie.
Departamenti amerikan i Shtetit thotë se në Shqipëri po mjerohet demokracia nga korrupsioni që ka dhe krimi i organizuar që kanë përfshirë çdo nivel të pushtetit. Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar evidentojnë se po mjerohet ekonomia nga taksat e rënda, koncesionet korruptive, rritja e frikshme e borxhit dhe mungesa e reformave strukturore. Freedom House thotë se ka një mjerim të medias dhe shoqërisë civile nga ndërhyrjet e dhunshme të pushtetit dhe krimit të organizuar që kontrollojnë dhe shantazhojnë non stop hapësirën mediatike dhe shoqërinë.
Institucionet ndërkombëtare nuk gatuajnë shifra, por ata thjesht i referohen realitetit shqiptar. Kushdo në Uashington, New York, Bruksel a Paris që thellohet në analizën e statistikave, mjafton të ndalet në trendin zbritës të treguesve të lirive për të kuptuar se Shqipëria është në ditët e saj më të zeza dhe mund të kualifikohet lirisht si një prej vendeve të dështuara. Për ne që jetojmë në këtë vend nuk ka më asnjë dyshim se një qeveri, Parlament, administratë dhe polici e kontrolluar nga oligarkët mafiozë është një kërcënim për jetën e secilit nga ne që nuk përfiton nga tenderat, koncesionet dhe kontratat korruptive, për secilin nga ne që nuk ka mbjellë plantacionet e drogës dhe nuk ka zgjedhur të trafikojë drogë.
Degradimi i Shqipërisë është sot një alarm për Perëndimin, jo thjesht për faktin se një vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtar në Bashkimin Europian po përjeton këtë degradim, por për faktin se një kastë mafioze e superfuqishme po hedh rrënjë në një prej zonave më delikate të Europës. Institucionet ndërkombëtare kanë evidentuar se grupet kriminale shqiptare kontrollojnë miliarda euro fitime të nxjerra nga shitja e heroinës, kanabisit dhe armëve. Ndërsa pak vite më parë këto grupe kriminale ishin nën goditjen e shtetit, sot ata janë shteti dhe kanë imunitet. Ata po i pastrojnë paratë nëpër banka, po grumbullojnë prona, po transferojnë qindra milionë në parajsat fiskale dhe shefat e tyre janë Kryeministri, ministrat dhe superdeputetët. Ata po pastrojnë fitimet që ndajnë me grupet kriminale dhe terroriste që janë aktive në rajon dhe më gjerë. Një shtet i falimentuar përballë krimit dhe lë në mëshirë të fatit qytetarët e vet nuk mund të ofrojë kurrfarë garancie as për fqinjët dhe as për Europën.
Degradimi i Shqipërisë është diçka që nuk mund të lërë të qetë asnjë qytetar të këtij vendi, pasi jo vetëm e sotmja, por edhe ardhmja është kërcënuar dhe komprometuar rëndë. Fqinjët, Europa, BE, NATO e kushdo tjetër i ka të ngritur dhe funksionalë mekanizmat që i mbrojnë nga shtetet e dështuara, por shqiptarët duhet të ngrihen si gjithherë në historinë e tyre kombëtare për të mbrojtur liritë, ekonominë, të ardhmen e tyre. Kur u ngritëm në dhjetorin e ’90 nuk përgatitëm dhe projektuam revolucion a kryengritje, por nga qendra e Qytetit “Studenti” shpërtheu një lëvizje që gjunjëzoi regjimin më barbar komunist të Europës dhe shporri diktaturën që për 50 vite kishte vrarë, burgosur, dhunuar dhe internuar qindra e qindra mijëra shqiptarë.
Degradimi duhet ndalur dhe kërkon aksion, kërkon rezistencë. As pronat, as paratë, as fëmijët, as familja, as besimi, as liria nuk ruhen dhe mbahen sa kohë kjo qeveri dhe kjo mazhorancë qëndron në këmbë. Qelbësirat e kanë vendin në koshin e plehrave.

Janë 20 mijë punonjës që nuk pranojnë dekriminalizimin

Proçesi i dorëzimit të formularit të vetëdeklarimit nga punonjësit e amdinistratës publike, që po bëhet në kuadër të dekriminalizimit po ecën me ritme të ngadalta. Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike që mbikëqyr këtë proçes deklaron se teksa kanë mbetur edhe 8 ditë nga përfundimi i afatit, janë ende edhe 20 mijë punonjës që nuk kanë dorëzuar formularët e vetëdeklarimit, duke rrezikuar largimin nga puna. Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga data 4 maj, që është afati i dorëzimit të formularavë të vetëdeklarimit, përsa i përket zbatimit të ligjit për dekriminalizimin, vetëm 13 për qind e zyrtarëve rezultojnë ta kenë dorëzuar atë. Pak ditë më parë, zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj, në një dalje për mediat, i ka bërë thirrje zyrtarëve që të plotësojnë dhe dorëzojnë këtë formular, pasi ai është i aksesueshëm edhe në faqen zyrtare të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve dhe kanë mbetur në dispozicion të tyre edhe pak ditë. Sipas KQZ-së aktualisht nga 1836 funksionarë,kanë dorëzuar formularët e vetëdeklarimit pranë KQZ-së, 255 ose 13,9 për qind e tyre. KQZ saktëson se, formulari duhet të plotësohet me kompjuter, me përjashtim të emrit e mbiemrit dhe nënshkrimit (në fund të çdo faqeje) që duhet të plotësohen me shkrim dore dhe të dorëzohet personalisht në KQZ.

Mediu: Modeli i qeverisë është pasurimi me mjete korruptive e kriminale

Në takimin me strukturat e Partisë Republikane të Shkodres Kryetari Fatmir Mediu e vlerësoi qeverisjen aktuale si më të keqen e 25 viteve të demokracisë, e bazuar në përfitime personale përmes rrugëve korruptive e kriminale.
“Kjo qeverisje është e fokusuar në një luftë të vazhdueshme kundër biznesit. Ideja për të shtrënguar prej fyti biznesin sepse në emër të mirësisë sociale nuk është gjë tjetër veçse një lojë politike për të krijuar dy efekte shumë negative në jetën e një vendi: varfërimin e biznesit që të mos ketë autoritetin dhe mundësinë për të drejtuar ekonominë e vendit dhe për të vendosur se kush do të jetë rruga e tij, e dyta për të krijuar një shtresë sa më apatike” tha Mediu.
Republikanët kërkojnë zgjedhje të lira e të ndershme dhe kjo mund të arrihet vetëm përmes votimit dhe numërimit elektronik shtoi Mediu i cili kërkoi lista të hapura zgjedhore dhe korrektim të sistemit proporcional-kombëtar.
“Le të heqim njëherë e mirë dorë nga futja e duarve nëpër kutitë e votimit duke shkatërruar në themel një proces demokratik të rëndësishëm dhe të mundësojmë që të kemi një proces të votimit elektronik dhe të numërimit elektronik” tha kreu i PR.
Fatmir Mediu mbështeti idenë e Partisë Demokratike që financimi i partive të bëhet nga shteti pasi kështu sipas tij reduktohet tendenca korruptive që nis me fushatën elektorale.